Tani unë ngjitem lart dhe s’kam asnjë gëzim. Këtu ku kam arritur më ftohtë është, me vetmi. E dija këtë, por padurimi i vdekur Më shtynte të shpejtoj te ky sinor i kotë.
Krahë grashë të thyera mbi supe si të prera nga një morg Më japin një gëzim po aq të vdekur. Më duket ende dimër ndonëse është prill. Kam ftohtë. Kam ftohtë./KultPlus.com
Vanë mënt e mija vanë! Një mejtim më prishi trutë: gjithë profitët pse janë ja Arapë, ja Çifutë? Pse s’ka profitë të tjerë? Këtë s’e kupëtoj dot… Gjëra q’u bënë njëherë, pse nukë bënen dhe sot?Gjëra që s’i kupëtoj, – mos u habitni me mua, – ndë duhet që t’i besoj, do t’i besoj dua, s’dua. Do të besoj Shën Marinë, këtë grua të bekuar, e cila polli Mesinë me Frymën e Shëntëruar! Do të besoj, or të mjerë, Krishti vdiq (gjë e vërtetë), dhe, që të mos zëmëroni, besoj q’u ngjall prapë vetë! Si gjithë besoj dhe unë sa shëntorë kanë qënë, po besoj dhe tjatër punë, besoj që mëndja na ka lënë!./KultPlus.com
Butësisht, padurueshëm, ti më lëndon. Merrma kokën. Këputma qafën. Asgjë s’më mbetet pas kësaj dashurie. Midis gërmadhave të shpirtit tim kërkomë, aty dëgjomë. Diku aty ka mbetur zëri im dhe thërret, kërkon mrekullinë tënde, heshtjen tënde që ndrit. Duke kaptuar mure, mjedise, mosha, fytyra jote (sa qartë duket fytyra jote!) prej vdekjes vjen, prej dikurshëm, nga dita e parë që botën të zgjojë. Ç’fytyrë e qartë, ç’dritë e butë, dritë e përhumbur, ç’përvijim i ëmbël mbi gjethe uji! I dua ata sy, i dua, i dua sytë e tu. Si fëmija i atyre syve jam, jam si një pikë loti i syve të tu. Ngremë. Te këmbët e tua kam rënë, ngremë nga toka, nga hija ku ti shkel, nga cepi i dhomës tënde që kurrë, as në ëndërr nuk e sheh. Ngremë. Në duart e tua kam rënë dhe dua të jetoj, të jetoj, të jetoj. / KultPlus.com
Mbylli sytë, kyçe derën, mendjen fare mos e vrit, sonte yti do të jem.
Abazhurin shuaje, dritë të mos ketë, dhe krejt ta lëshosh veten se sonte i tëri yti do të jem.
Atë zogun që vërdallë fluturon e kemi harruar për fare, sipër nesh hëna e plotë farfurin, por ne as që ia hedhim sytë dhe ti për asgjë s’bëhesh pishman.
Hiq këpucët, hidhi tutje, mos u druaj asnjë grimë a s’po ma afron atë shishe tapën t’ia heq? Se sonte yti do të jem…
Edhe kur flemë ne mbrojmë njëri-tjetrin Mbrojmë dashurinë më të rëndë se fryti i pjekur, Dhe kjo dashuri pa lot e të qeshur zgjat shekuj, Zgjat ditë pas dite e natë pas nate pas nesh./KultPlus.com
I kam harruar fjalët e dashurisë Që t’i pëshpërita. Por kujtoj se si një gjeth Ra nga dega Mbi ty, Mbi mua Ra. Nuk do vete më atje. Mund një gjethe të bjerë prej dege Si dikur E ti nuk je atje As unë./KultPlus.com
Jo, s’mundem me iu dhanë zgjidhje krejt problemeve t’jetës s’kam përgjigje për dyshimet as për ndërdyshjet e tua veç mundem me t’ndigjue e gjithçka me nda me ty…
Jo, unë s’mundem me e ndryshue as t’shkuemen e as t’ardhmen tande por n’se asht nevoja pranë vedit m’ke gjithnji
S’mundem me i shmangë teposhtat e tua, veç dorën mundem me ta shtri e me të mbajtë mos me u rrzue Gëzimi yt, fitoret e tua, triumfi yt vërtet s’janë të miat po shpirti më gëzon i tani kur t’shoh me flatra
S’gjykoj vendimet e marra n’jetën tande po me të mbështetë e ndjej detyrë, me të nxitë e me të ndihmue nëse ti më pranon!
S’mundem me i vu cak qiellit kah vërtitesh, veç mundem me t’ofrue hapsinë të mjaftë që ti t’naltohesh
S’mundem me ta shmangë as vuejtjen tande, kur ndonji ndëshkim zemrën ta lëndon, po mund t’përlotem me ty, e me i rimbledhë bashkë krejt gastaret e nji shpirti t’thyem e me rinis nga e para
S’mundem me t’thanë as kush je, as kush duhet të jesh, veç mundem me të dashtë njashtu siç je dhe me mbetë përjetë Miku yt…
Lshon amë ilire n’gojë agimesh s’vjetra Ndo ‘i fjalë e jote than’ vetimeveti, O gjuhë e folun n’botë ende ferishte S’cilës Mayeri në të censhmet letra Rraj’t e mshefuna n’mot nuk mund ia gjeti As n’t’folun t’Cezarve as n’helenishte, Përse Athina s’kishte Emën as Roma, kur e rrept ushtove Ndër vepra katallajsh qi npër jehona Vigma t’fuqishme qitshin hove-hove, Tue ndërtue ledhe përmbi troje t’ona.
Kuturesat e hyjit npër gjeth lisi N’Dodonën shejte prifti, qi n’përgjime Natën e ditën rrinte atje përdore, Porse ndo ‘i fllad pullnaje kundalisi, Ndoshta me fjal’t e tueja i dha heshtime T’perfrigueshme qi mbluen t’parat therore: Ndoshta ndo’ i buz’ hyjnore N’at mot qi zota shpesh përbujte toka Shqiptoi kto fjal’ qi ne mbi goj’ na shkrefen; Me ty hyjneshat ndoshta npër kto boka Ndonjij biri njeriu dashnin ia shprefen.
Mbi anija t’shpejta velat nde kah preja, Qi urdhni i Teutës niste nen hyj ari Me msy t’Helenit barkat tregëtuese Ngarkue me ar e kem e skllave t’reja, Ty t’këlthitte n’timue anijetari Tue i ra me kiç ilir pupës bishtnuese; E përmbi val’ shkëmbuese Ti jehojshe ndër hymnet e ngadhnjimit Kur, me plaçkat e rrmbyeme mbrend’ stivue, U afrojshin n`breg anijat prej agimit, Mbretneshës s’detit pret me i a dhurue.
Mysteri i vjetër qi mbërthen fjal’t t’ueja, Zanin na e dridh’ me nji kreni t’pashoqe, O gjuhë e folun për trimij pranvera, E tok na mbajte ndër pushtime t’hueja Sepse prej gojve arbnore nuk u hoqe As kur u ndam n’besime e doke tjera; E shekujve potera Qi me vrull u përplas mbi tok’ shqiptare Ndonjij ndrrimi edhe n’ty i cili shtegun, Por prap kumbimet n’buzë i ke krenare Si n’mot qi Ilirt Shqipnis i a ruejshin bregun.
Thue buza e kangatarve të paemën Qi gzim e idhnim me ty knduen majë mali Dhe kanga u humbi n’errësin e motit, Kët përmallim qi mungullon mbi t’ëmën E vjen nga heshtja e shekujve m’a fali, Mue trashigues i tune n’dhe t’Kastriotit? N’kthjelltin e ditës s’sotit Kang’ ndoshta t’kndueme qi vorroi kalesa Këndoi, o gjuh’ lulzue n’shkreti, dh’asht goja E eme ahmarrse e gojve qi harresa N’terr mbylli, kur ti s`kishe as sheje as shkroja.
Motrat e tueja qi kumbuene n’shekull Bukurin tue sjell’ n’prak t’ksaj jete E tjetra ligj’t e Arsyes qi mbarshtrojn’ fise, Heshtën e rrojn’ veç n’karta: ti, për mrekulli, Me nji mosh’ trimij vjetsh e blerun mbete Edhe kumbon e gjall’ po n’ato vise Ku me lshue tingujt nise N’foshnjin e botës. Pse t’ka ruejtun fati T`njom edhe virgjin? Egërsija jote Mos mban n’at gji, q’i hueji nuk pecati, Stinën e fundme t’poezis s’ksaj bote?
O shqipe plot me munguj, o gjuh’ burrash Qi me ‘i fjal’ t’vetme lidheshin për laku Dhe soje as vdekja s’mujte kurr me i trande, Shprehje t’kulluet na ep si akull gurrash Për kang’t e burrnis s’lasht q’ushqejm’ te gjaku E t’lavdis s’re qi me t’fitue na kande; Thjeshtin e ambël t’ande Me ndjell’ dashnin e vashavet qi t’flasin Falja poetve t’u, por n’qe se kamben Buzës amtare kush ia ven, ti casin Mos prit: banu rrufe me lshue n’të namen.
O Kangë, Arbnor’t e plogtë i kapi gjumi; Ti kris si za burije Mbi ata qi flejn’ pa andrra fisnikije: E n’qe se belkacuk’t e gjuh’s ilire, Tue t’ndie fishkllojn’ prej smire, Me rrahje flatrash ik n’nalsi t’kalthera./ KultPlus.com
Shikoj kunatin duke marrë një bonbon në tavolinë dhe buzëqeshi. “Kanë mbet nga festa”, i them. Nana nuk më priste te oborri, nana nuk është më. Pashë bonbonat te xhami, “për fëmijtë për festë” më tha nusja. “Bajram, Bajram” thërrisnin ata, merrnin nga një, dhe shkonin te shpija tjetër. Fundja mbetet dashuria, dhe kujtimet,… të tjerat janë kot, ama bash kot./ KultPlus.com
O Zot, Kur kam uri, më jep dikë që ka nevojë për bukë. Kur kam etje, më dërgo dikë që ka nevojë për ujë. Kur kam të ftoftë, më dërgo dikë ta ngroh. Kur ndjehem e pakënaqur, më dërgo dikë ta ngushëlloj.
Kur kryqi im peshon rëndë, më bëjë ta bashkëndajë kryqin e tjetrit. Kur jam e varfër, më dërgo te ata që kanë nevojë. Kur nuk kam kohë, ma jep dikë që ta ndihmoj për një çast. Kur jam e nënçmuar, bëjë të kam dikë që ta lavdëroj.
Kur jam e ligështuar, më dërgo dikë ta forcoj. Kur kam nevojë të më kuptojnë, më dërgo dikë që ta dëgjoj e ta kuptoj. Kur kam nevojë të kujdesen për mua, më dërgo dikë të kujdesem për të. Kur mendoj vetëm për vetveten, tërhiqe vëmendjen time tek të tjerët. / KultPlus.com
Rini, thueja kangës ma të bukur që di! Thueja kangës sate që të vlon në gji. Nxirre gëzimin tand` të shpërthejë me vrull… Mos e freno kangën! Le të marri udhë.
Thueja kangës, rini, pash syt e tu… Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu me zjarrm tand, rini… Dhe të na mbysi dallga prej ndjenjash të shkumbzueme q`i turbullon kanga.
Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi Kumbi i zanit të përplaset për qiellë dhe të kthejë prap te na, se hyjt ta kanë zili
e na të duem fort si të duem një diell. Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote! Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote. /KultPlus.com
Diellin ta shikosh nga hija e plepit Dhe ta matësh Kur hijen tënde s’mund ta kapërcesh më Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake Besnik i madh i Njeriut Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi Ajo s’është simbol i kohës sate as i artit tënd
(Unë gjthmonë ia kam frikën edhe Lules edhe Femrës)
Kur të flasësh fol të dëgjohesh në bjeshkë të dëgjohesh në shkretëtirë Për të dytën herë mbetesh pa kokë ose kush nuk të beson: Sa më pak shikoje veten në pasqyrë Dhe kurrë mos mendo: I pari Ai që ka ekzistuar para teje jam UNË Ai që do të kujdeset për ditët e mia të mbrama Për ëndrrat e mia e qetësinë je Ti Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë të natës në pikë të vapës Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë Rast i humbur nuk je edhe pse pylli dendësohet Mund ta kalosh natën në Kullën time të vetmuar në botë Dhe si të duash Ti Lumi Kryesorja: jetën ta jetosh pa e vrarë Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë e saj e zezë Bashkudhëtari im Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë./KultPlus.com
Para se të dashuroja, e dashur, Asgjë s’ishte e imja: endesha rrugëve, midis sendeve asgjë s’kishte vlerë, as emër nuk kishte: vetëm ajër që priste ishte bota. Unë pashë sallone në ngjyrë hiri, galeri të banuara prej hënës, hangare të pashpirt në ndarje, pyetje që ngulnin këmbë në rërë. Gjithçka ishte bosh, e vdekur, e heshtur, rrëzuar, braktisur, lëshuar; gjithçka ishte e huaj, tjetërsim, e të tjerëve ishte dhe e askujt, – gjersa bukuria jote dhe varfëria e mbushën vjeshtën me dhurata./KultPlus.com
Dhoma ishte e varfër, e ndyrë, fshehur mbi një tavernë të përdalë. Nga dritarja dukej sokaku, i ngushtë, i pisët. Nga poshtë vinin zërat e ca punëtorëve që luanin letra dhe gëzonin. Atje, në atë shtrat të vrazhdë, të thjeshtë kisha trupin e erosit, kisha buzët epshare, bojëshegë të dehashpirtit – shegë me një të tillë dehje, sa edhe tani që shkruaj, pas kaq e kaq vitesh në këtë shtëpi të vetmuar, dehem përsëri. / KultPlus.com
Kujdesu per dhimbjet e tua, per kerkesat e atyre qe te jane prane!
Dhurojua te tjereve driten qe nuk ke, forcen qe nuk zoteron, shpresen qe ndjen te luhatet ne ty, besimin qe te mungon. Ndriçoji nga erresire jote. Pasuroji me varferine tende.
Dhuro nje buzeqeshje kur ke deshire te qash. Prodho hare me stuhine qe ke Brenda. “Ja, ate qe s’kam ta dhuroj”. Kjo eshte parajsa jote.
Do te vesh re qe gezimi, pak nga pak do depertoje ne ty, do pushtoje qenien tende, do behet vertet i yti ne masen ne te cilen, do ua kesh dhuruar te tjereve./KultPlus.com
Ti dole jashtë prej natës dhe kishte lule n’duert e tua, tash ke me dalë jashtë prej nji turme konfuze, jashtë nji trazine fjalësh rreth teje. Unë që t’kam pa mes gjanave ma t’randësishme u zemërova kur ata e përmendën emnin tand në vende të zakonshme. Kisha dashtë që valët e ftohta në mendjen time t’lundronin, dhe që bota të thahej si nji gjethe e vdekun, ose t’ish si farat e asaj lules që t’zhdukej me nji t’fryme, që me mujt me t’gjetë sërish, të vetme.
E mban mënd, moj Marë, dashurin’ e parë? Njeri nuk e gjegji, se jeshmë te vegji. Unë pa ty s’rrojë, vij’ e të kërkojë; tl pa mua s’rroje, vij’ e me kërkoje. Në lule me erë putheshim ngahere, dhe si burr’ e grua losnim nënë ftua. Një ditë, të dyza losnim mbylla-syza: U fshyem pa dukur Cinë të besoj taninë, perëndin’ a dashurinë? Perëndi në këte jetë është dashuria vetë. —— Bukuria jote, leshërat e tua posi pëndë korbi, të gjata mbi thua,ballëtë si diell, faqetë si mollë,qafa jot’ e gjatë, mesi yt i hollë,sisëtë si shegë, dhëmbët si thëlpënjë,buzët si burbuqe, sytë si gështënjë, dora si dëborë, fjala jote mjaltë, kurmi yt i derdhur, shtati yt i naltë; gjithë më kënaqin, të tëra t’i dua, po zëmëra jote u bë gur për mua! —– Pika-pika bie shiu dhe dëbora flokë-flokë, vetëtin e fryn veriu, breshëri kërcet mi tokë! Le të fryjë er’ e ftohtë, s’ka ç’më bën dimëri mua: Dashuria më mban ngrohtë, se pushtoj atë që dua. Kur fryn era me tallas, kur bie dëbor’ e shi, sa flë njeriu me gas, kur ka mikenë në gji! / KultPlus.com
Mos harro se lëkura rrudhet, e flokët mbulohen me borë; Ditët bëhen vite… por më e rëndësishmja nuk ndryshon kurrë!
Forca jote e bindja jote s’njohin moshë. Shpirti yt e shtrin pëlhurën e merimangës që mosha ta endi mbi fytyrë!
Pas çdo pikarritje, ka një pikënisje. Pas çdo suksese, një zhgënjim. Përderisa je gjallë, gjallëro!
Në qoftë se të mungon çka bëje më parë, bëje përsëri, mos rri duke parë fotografi të zverdhura nga koha! Mos e lerë të ndryshket hekuri që ke brenda vetes.
Sillu në mënyrë që, në vend të mëshirës, të gëzosh respekt. Kur të rëndojnë vitet e s’mundesh më të vraposh, ec shpejt. Kur s’do të mundesh as të ecësh shpejt, ec! E kur as të ecësh s’do të mundesh, përdore shkopin e shko… Veç për t’u ndalë, ti kurrë mos ndalo!/KultPlus.com
Poezi nga Wislawa Szymborska, fituese e çmimit “Nobel”. Me gjithë popullaritetin e saj, Szymborska u largua nga sytë e publikut, u shpreh për “Gardian”-in në vitin 2000: “ka thjesht shumë vëmendje rreth meje”.
Jam ilaç qetësues. Veproj në shtëpi, funksionoj në zyrë, përballoj provime, prezantohem në procese gjyqësore, ngjis me kujdes filxhanët e thyer. Duhet vetëm të më pishë, të më shkrish poshtë gjuhës, pastaj të më dërgosh poshtë me një gllënjkë ujë.
Di si të sillem me trishtimin, si përballohet një lajm i keq, tkurr padrejtësitë, zbardh mosegzistencën e Zotit, di të zgjedh një kapele të bukur për varrim. Çfarë pret? Ki besim te mëshira kimike!
Je burrë (apo grua) akoma i ri? Duhet të sistemohesh në një farë mënyre? Kush ka thënë se jeta përballohet me kurajë?
Dorëzomë thellësitë e tua. Do t’i ngjesh me gjumë. Ke për të më falënderuar, kur të biesh në këmbë pas rrëzimit.
Me bo vaki sonte Me i qel sytë nata para kohe Qoftëlargut do të zihet fryma Në ëndrrën tonë të fjetur
Me bo vaki sonte Lëkura copë-copë të bie nga shtati Gjaku të rrjedh si krua Me duart tona të lodhura Të heqim ndryshkun nga udhët Me pikëpyetje që i shtruam
Me bo vaki sonte Me na u grisë historia Kush do e arnoj pastaj Dalmaten e Rozafës
Me bo vaki sonte Me u kalua Ura e Siratit Mëkatarit nga goja Dhëmbët do i shkulen Një nga një Deri sa të qelë drita/KultPlus.com
Përmbi çdo maje mali Ka qetesi: Mi asnje maje mali Asgje s’leviz, As pipetin; Ne pyllin zogjtë’ e vegjël po pushojnë: Prit pak, se shpejt a vonë Gjen qetësi dhe ti./KultPlus.com
CZESŁAW MIŁOSZ – DUKE I DHËNË LAMTUMIRËN SIME SHOQEJE, JANINËS Përktheu Romeo Çollaku
Vajtojcat ia kthenin motrën e tyre zjarrit. Dhe zjarri, njëlloj si ai që soditnim së toku. Ajo dhe unë, martuar kaq vite. Bashkuar me besën për të keq e për të mirë, zjarri Në oxhakë dimrit, kampeve, qyteteve që digjen, Themelor, i kulluar, prej zanafillës së planetit Tokë, Ia zhvishte lumin gri të flokëve, I rrëmbente gojë e gushë, e gëlltiste, zjarri. Ai që në gjuhën njerëzore shpreh dashurinë. S’doja t’ia dija për gjuhë. As për fjalët e lutjes. E kisha dashur, pa ditur cila qe në të vërtetë. E kisha bërë të vuante, teksa gjurmoja vegime. E kisha tradhtuar me të tjera, veç asaj duke i qëndruar besnik. Jetuam mes një lumturie e fatkeqësie të paanë, Mes ndarjesh, arratish që s’kanë të rrëfyer. Dhe tanimë ky hi. Dhe deti rreh bregun teksa çapitem shëtitores së shkretë. Dhe deti rreh bregun. Dhe përvoja e gjithësishme. Si mund të mbrohesh prej hiçit? Cila forcë Mund ta ruajë atë që ish dikur, nëse kujtesa këputet? Se pak gjëra më vijnë në mend. Kaq pak gjëra më vijnë në mend. Vërtet, rijetimi i kujtesës do të ishte Gjyqi i Fundmë, Që Mëshira jonë ndoshta e shtyn nga dita në ditë. Zjarr, çlirim prej rëndesës. Molla s’rrëzohet përdhe, Mali tundet nga vendi. Përtej perdes së zjarrit, Një qengj që rri në livadhin e trajtave të pabjerrshme. Shpirtrat në Purgator përzhiten. Herakliti i marrë Sheh flakën tek përpin themelet e botës. A besoj në ringjalljen e trupit? Jo prej këtij hiri. Thërras, përgjërohem: shpërbëhuni, elementë! Rilindni në tjetrën, që ardhtë, Mbretëri! Përtej zjarrit tokësor ndërthuruni edhe një herë! / KultPlus.com