Pianistja 108 vjeçare më e talentuara në Poloni

Dashuria për pianon nuk njeh moshë. Kjo është pianistja Wanda Zarzycka e cila vjen nga Polonia. Me fjalë të tjera, Wanda është njëra prej banorëve më të moshuar, por edhe më të talentuar në Poloni. Ajo është 108 vjeçare.

E moshuara interpreton në këtë piano të zbukuruar me dru, të cilën e ka trashëgim nga nëna e saj, e të cilën e ëma e saj e kishte marrë si dhuratë për martesë. Derisa gishtërinjtë e Wandës rrëshqasin nëpër notat e pianos, tingujt që nxjerr ajo i sjellin në mendje shumë momente nga e kaluara, kur si e re, në Lviv të Ukrainës ku është rritur, kishte rënë në dashuri me vallëzimin dhe muzikën, shkruan rtv21.tv

Wanda kujton këtë qytet me shumë dashuri. Në vitin 1931, ajo diplomoi në muzikë, por shpejtë shpërtheu lufta e dytë Botërore dhe u detyrua të linte muzikën, por edhe vendin duke u shpërngulur kështu në Krakow të Polonisë. Piano i mbeti në Lviv, por fatmirësisht mbijetoi dhe sot funksionon si më së miri.

Përkundër problemeve të shumta jetësore, të cilat kur Wanda ishte 80 vjeçe kulmuan me thyerje të dy duarve në një aksident, e për shkak të të cilit aksident ajo u detyrua të lë piano me rekomandim të mjekëve, pasionin për piano nuk e braktisi,  madje interpreton në të çdo ditë. Kjo e mban në jetë edhe pas kaq shumë vitesh, dhe siç thotë ajo, nuk e ka problem t’i lëvizë gishtërinjtë për të nxjerrë tingujt që ajo kërkon, sepse muzika është një lloj burimi i jetëgjatësisë së saj.

Pra, edhe tani në moshën 108 vjeçare Wanda është me shëndet të mirë, por këtë ia atribuon edhe Zotit, në të cilin ka besim të madh./KultPlus.com

Shkrimtari i ri nga Kosova pjesë e programit ‘Artist in Residence’ në Poloni

Programi ndërkombëtar ”Artist in Residence” 2018 i organizuar nga Qendra Kulturore ZAMEK në Poloni ka zgjedhur fituesit e edicionit të sivjetmë të cilët do të zhvillojnë projektet artistike në Kështjellën e Poznanit në Poloni, përcjellë KultPlus.

Në këtë program janë zgjedhur 6 artistë nga e mbarë bota në arte të ndryshme e kësaj radhe, në letërsi, mes dhjetra shkrimtarëve kandidatë, është edhe shkrimtari 21 vjeçar nga Kosova, Azem Deliu.

21 vjeçari tashmë autor i njohur për ndjekësit shqiptarë të letërsisë, do të shkruajë pjesën e mbetur të romanit të radhës, në Kështjellën 100 vjeçare të Poznanit dhe do të mbajë një ligjëratë me temën ”Letërsia dhe kujtesa” e cila pritet të trajtojë mënyrën sesi arti ballkanik është marrë me konfliktet mes popujve, në bashkëpunim me Universitetin ”Adam Mickieviç” në këtë qytet. Në lidhje me këtë program, Deliu do të ketë edhe dy lexime dhe një takim special me publikun polak, kritikët e artit dhe skenën e letërsisë polake.

Përmes e-mailit, ZAMEK ka kontaktuar shkrimtarin i cili në letërsinë shqipe është bërë i njohur me ”Puthësin e paligjshëm”, roman i botuar nga Onufri në dy botime i cili pritet që muajt e ardhshëm t’i sigurojë autorit të ri debutimin ndërkombëtar duke dalë në tregun britanik, në gjuhën angleze.

Nga ana e tij, vetë autori nuk bën të ditur asgjë për romanin përveç faktit që do të ketë në trajtim historinë e grave të dhunuara në luftën e fundit në Kosovë. Qëndrimi rezidencial i Deliut në Poloni do të zgjasë tre muaj. Një hap më tutje në ndërkombëtarizimin e letërsisë së tij, romanin e ri të Deliut, sikur edhe gjithë krijimtarinë e tij deri tani, do ta sjellë Onufri ekskluzivisht për lexuesin shqiptar. / KultPlus.com