“Fragments of humanity” sonte në DokuFest, në qendër të filmit krimet e luftës në Kosovë

Në Prizren ka filluar festivali i filmit dokumentar të metrazhit të shkurtër, ‘Dokufest’, një prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në Evropën Juglindore, ku për nëntë ditë qytetarët dhe vizitorët e shumtë do të kenë mundësi të shijojnë programin e pasur me filma dokumentarë e të metrazhit të shkurtër.

Sonte, në DokuKino Plato, në ora 20:00, në kuadër të festivalit do të prezantohet filmi “Fragments oh humanity” nga regjisorja Elli Rintala.

Në film bëhet fjalë për një temë të ndjeshme. Në prag të luftës në Kosovë, udhëheqësja e ekipit të ekspertëve finlandezë të mjekësisë ligjore, Helena Ranta është duke hetuar krimet e supozuara të luftës. E vërteta mund të ndryshojë rrjedhën e luftës, prandaj ka nga ata që do të donin që ajo të heshte.

Ekipa realizuese e filmit përbëhet nga: Producent – Ari Matikainen, Kinematograf – Bujar Berisha, Marita Hällfors, Redaktor – Matti Näränen, Tuula Mehtonen dhe Zërimi – Janne Laine.

Biografia e regjisores

Elli Rintala (1978) është një regjisore dhe skenariste e filmave dokumentarë që jeton në Porvoo dhe punon në Helsinki, Finlandë. Ajo është diplomuar në Shkollën e Filmit të Universitetit Aalto (MA 2014, regji e filmit dokumentar). Më parë ajo ka studiuar teori filmi, histori arti dhe histori politike në Universitetin e Turkut (MA 2006, Studime për Media). / KultPlus.com

Kryeministri përkujton masakrën në oborrin e shkollës në Bukosh: Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar sot, në përvjetorin e 24-të, martirët e Masakrës së Bukoshit, përcjell KultPlus.

Në po këtë datë, të vitit 1999, oborri i shkollës në Bukosh u mbulua me gjak, pasi 25 burra dhe djem të rinj shqiptarë u pushkatuan nga forcat policore serbe.

Kryeministri është shprehur se kriminelët e luftës duhet nxjerrë para drejtësisë dhe Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës në Kosovë.

Postimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Më 3 maj 1999 oborri i shkollës në Bukosh u mbulua me gjak. 25 burra dhe djem të rinj shqiptarë u pushkatuan. Forcat policore të Serbisë i vranë ata, vetëm pse ishin shqiptarë.

I ekzekutuan pasi i ndanë nga kolona e banorëve të fshatrave të Suharekës, që i kishin dëbuar nga shtëpitë e tyre. Dëbimi, vrasja dhe zhdukja me forcë e shqiptarëve ishte pjesë e projektit gjenocidal të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve, “Patkoi”.

Kriminelët e luftës duhet nxjerrur para drejtësisë. Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe veprimet gjenocidale të kryera në Kosovë.

Republika e Kosovës nuk mund të falë e as të harrojë.

Në përvjetorin e 24-të, përkujtojmë martirët e Masakrës së Bukoshit. Lavdi! / KultPlus.com

Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut do të mblidhet për të zgjatur hetimin e krimeve të luftës

Më shumë se 100 krerë shtetesh dhe ministra do të marrin pjesë në një seancë të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së që fillon sot, duke kërkuar të trajtojë çështjet, duke përfshirë krimet e dyshuara të luftës të Rusisë në Ukrainë.

Gjatë takimit, i cili do të zgjasë gjashtë javë, shumë shtete do të kërkojnë të zgjasin mandatin e një organi hetimor të OKB-së, i krijuar për të hetuar mizoritë në Ukrainë.

Kievi, i cili ka bërë thirrje për krijimin e një gjykate speciale për të ndjekur penalisht udhëheqjen politike dhe ushtarake të Rusisë për pushtimin, ka thënë se organi ishte thelbësor për të siguruar që Rusia të mbahet përgjegjëse për krimet e saj.

Kjo do të jetë hera e parë që një zyrtar rus nga Moska merr pjesë personalisht që nga fillimi i luftës një vit më parë.

Kievi dhe aleatët e tij janë të pakënaqur nga pjesëmarrja e zëvendësministrit të jashtëm rus Sergei Ryabkov, i cili do t’i drejtohet këshillit të enjten.

Rusia, e cila mohon kryerjen e krimeve të luftës ose shënjestrimin e civilëve në Ukrainë, u pezullua nga këshilli për shkak të pushtimit në prill, por ende mund të marrë pjesë si vëzhguese.

Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut me seli në Gjenevë nuk ka kompetenca ligjërisht të detyrueshme, por debatet e tij shpesh sjellin një shqyrtim më të madh të çështjeve dhe mund të nxisin hetime që ushqejnë prova në gjykatat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Diplomatët perëndimorë kanë qenë publikisht të ashpër në reagimin e tyre ndaj pranisë së zotit Ryabkov pasi mbajtën një fjalim të ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov në këshill vitin e kaluar lidhur me pushtimin e Ukrainës nga Moska. / KultPlus.com

Shoqata “Krimet e luftës në Gjakovë” dorëzon kallëzim penal ndaj nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë

Shoqata “Krimet e Luftës në Gjakovë”, ka dorëzuar sot kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës kundër ish- komandantit të Brigadës 549 të Motorizuar, Bozhidar Deliq.

Kujtojmë se Deliq tashmë është zgjedhur si nënkryetar i Kuvendit të Serbisë, gjë që ka indinjuar shumë qytetarët e Kosovës.

Deliq, tani ushtarak në pension, dyshohet se ka pasur përgjegjësi të drejtpërdrejtë në kryerjen e krimeve të luftës krimeve në Tërrnje të Suharekës, si dhe vrasjeve të qindra qytetarëve të tjera në Prizren, Rahovec dhe Dragash.

Në kohën kur u kryen këto krime më 1998-1999, Deliq ishte komandat i Brigadës së Motorizuar 549 të ushtrisë Jugosllave.

Në Kosovë, Deliq fëmijërinë e hershme e ka kaluar në fshatin e tij të lindjes, Lugbunar të Gjakovës.

Aty ka kryer shkollën fillore, për t’u zhvendosur më pas në Beograd të Serbisë ku përfundoi akademinë ushtarake.

Në biografinë e tij të publikuar pas zgjedhjes në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë, mungon një pjesë e konsiderueshme e karrierës ushtarake.

Aty nuk përmenden fare pozitat e as përgjegjësitë që ka pasur gjatë luftës së Kosovës, përkatësisht në vitet 1998-1999.

Nga vitit 1977, në biografinë e publikuar, kalohet direkt në vitin 2002.

Bozhidar Deliq u pensionua nga ushtria serbe në vitin 2005 dhe më pas iu fut politikës.

Karriera e tij politike karakterizohet kryesisht me të qenit anëtar i Partisë Radikale në Serbi.

Më vonë u bë anëtar i Partisë Progresive të presidentit aktual, Aleksandar Vuçiq, por edhe nga kjo parti u largua.

Në janar të këtij viti themeloi një lëvizje politike të quajtur “Nuk ka kthim, Serbia qëndron prapa”.

Ai ka qenë disa herë deputet i Kuvendit të Serbisë. Kjo është hera e dytë që shërben si nënkryetar i këtij institucioni.

Deliq ishte dëshmitar i mbrojtjes në procesin gjyqësor në Tribunalin e Hagës ndaj ish-presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviq, dhe ish-udhëheqësit ushtarak, Vladimir Lazareviq, që u dënua për krime lufte në Kosovë. / KultPlus.com

Gjermania pranon përgjegjësinë për krimet e Luftës së Dytë Botërore në Poloni

Në prag të 78-vjetorit të shpërthimit të Kryengritjes së Varshavës, Ministria e Jashtme gjermane pranoi se ”Gjermania është përgjegjëse për krimet e Luftës së Dytë Botërore në Poloni”.

Ministria e Jashtme gjermane shkruante në një deklaratë për PAP-in se qeveria gjermane i kushtoi një rëndësi të madhe përkujtimit të viktimave të krimeve gjermane të Luftës së Dytë Botërore në Poloni dhe se Gjermania ishte përgjegjëse për këto krime.

”Kjo ka gjetur reflektim në një marrëveshje koalicioni që parashikon një plan për krijimin e vendeve përkujtimore në Berlin si dhe për të mbajtur takime me polakët”, shkroi Ministria e Jashtme gjermane në një përgjigje ndaj një pyetjeje të PAP-it në lidhje me përkujtimin e viktimave të Kryengritjes së Varshavës 1944.

”Më 1 gusht, flamujt në të gjitha misionet diplomatike gjermane në Poloni do të ulen në gjysmështizë për nder të viktimave të krimeve gjermane në Poloni dhe përfaqësuesit e tyre do të marrin pjesë në kremtimet e 78-vjetorit të shpërthimit të Kryengritjes së Varshavës në Varshavë, Krakov, Wroclaw dhe Gdansk”, shkroi ministria.

Kryengritja e Varshavës ishte operacioni më i madh ushtarak nëntokësor në Evropën e pushtuar nga gjermanët.

Më 1 gusht 1944, rreth 40 000-50 000 kryengritës morën pjesë në luftime.

E planifikuar të zgjaste disa ditë, kryengritja zgjati përfundimisht mbi dy muaj.

Gjatë luftimeve në Varshavë, rreth 18 000 kryengritës humbën jetën dhe 25 000 u plagosën.

Humbjet në mesin e popullatës civile ishin të mëdha dhe arritën në përafërsisht 180 000.

Pasi kryengritja e Varshavës u shtyp, rreth 500 000 banorë të mbijetuar u detyruan të evakuohen dhe Varshava u rrafshua pothuajse plotësisht./ atsh / KultPlus.com

Nëse keni fakte për krimet e luftës në Kosovë dërgoni në këtë e-mail

Ministria e Drejtësisë ka bërë apel për të gjithë qytetarët, organizatat qeveritare dhe të tjerët që të dërgojnë cdo fakt të krimeve të luftës që posedojnë në emailin [email protected].

Kjo është komunikata e plotë e Ministrisë së Drejtësisë:

Të gjithë qytetarët, organizatat dhe të tjerët të cilët posedojnë dokumente, dhe dëshmi që përmbajnë fakte, hulumtime të cilat i kanë kryer dhe i konsiderojnë relevante të na i dërgojnë në këtë email adresë [email protected].

Adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës është një ndër prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, prandaj për këtë kërkojmë bashkëpunimin tuaj. / KultPlus.com

Ish-polici serb dëshmon për masakrën e Prekazit: Ishte çmenduri serbe

Më 2009 e 2010 ishte dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë së Serbisë për krime lufte.

Atëherë në dëshminë e tij, Jovan Goluboviq asgjë s’kishte fshehur nga ngjarjet që ky thotë se i pa me sytë e tij në tre luftëra që i ndezi Serbia në Kosovë, Bosnjë e Kroaci.

55 vjeçari, polic në pension, rrëfen për pjesëmarrjen e tij në sulmin e shtetit serb në tre ditë marsi të 1998 mbi familjen Jashari në Prekaz të Skenderajt.

”Ajo çka më së shumti më ka mbetur në kujtesë është se ai aksion në Prekaz të poshtëm në Lagjen Jashari, jo që ka qenë mbi përdorim i forcës por ishte çmenduri serbe”.

”Aty ishte gjoja një terrorist me emrin Adem Jashari i cili posedon armatim të madh dhe njësia jonë duhej të bastiste shtëpinë e tij dhe të procedohet nëse zbulohen armë”, thotë ai.

”Unë çuditesha edhe atëherë pse gjithë ky aksion ku bëhet fjalë për një person. Por ne e kuptuam qysh në fillim se gjërat nuk janë të thjeshta dhe aksioni u urdhërua nga kreu i shtetit direkt nga Sllobodan Millosheviq nëpërmjet Jovica Stanishiqit, shef i Shërbimit sekret të shtetit”.

Urdhrin nga Beogradi për masakrën mbi Jasharët, Goluboviq thotë se e ka zbatuar Goran Radosavljeviq- Guri, shef i xhandarmërisë serbe, që është anëtar i Partisë Përparimtare serbe në krye me Aleksandar Vuçiq.

Goluboviq, kujton se policia vet e provokoi nisjen e sulmit me armë të kalibrave të ndryshme.

”Një makinë policore me megafon nga i cili në gjuhën shqipe është thirrur ‘’Adem Jashari të del dhe të mos bëjë rezistencë’’ sepse kanë ardhur kinse për bastisje. Në një moment dikush nis krismat. Më vonë e kuptuam se dikush nga ana jonë shtiu për të provokuar situatën. Nuk kishte të shtëna nga shtëpitë e Adem Jasharit.”

Në luftimet e Drenicës, Golubovic thotë se mori pjesë personalisht dhe Milorad Ulemek-Legija, kreu i Beretave të Kuqe që ndodhet në burg për vrasjen e Kryeministrit serb Zoran Gjingjiq.

”Adem Jashari është ekzekutuar me plumba pas shpine. Ai e ka përdorur njëfarë lloj strehe që e kishte në bodrumin e shtëpisë së tij dhe nga aty është vetëmbrojtur. Ai ka qenë pjesë e Ushtrisë së Jugosllavisë në Slloveni dhe posedonte njohuri për luftime. Opinioni serb nuk e di por disa me siguri kanë dijeni dhe unë me sytë e mi e kam parë që Adem Jashari është prerë në fyt”, deklaron ai.

Goluboviq, flet për skenat lemeritëse pas masakrës.

”I kemi  mbledhur trupat e të vrarëve aty kishte gra, fëmijë e pleq në një kamion për të cilin i kam treguar Prokurorisë saktë se për çfarë mjeti bëhet fjalë, kush e drejtoi, e çfarë tabela kishte. Me atë kamion është lëvizur nëpër lagje dhe trupat e të vrarëve janë mbledhur”.

Për të mos i parë trupat e të ekzekutuarve nga ekipet e gazetarëve, dëshmitari atëherë i uniformuar thotë se u urdhërua varrimi.

”Urdhri ishte i qartë qysh para nisjes në Prekaz na thanë askush nuk guxon të dal i gjallë nga fshati. I kemi  mbledhur trupat  e të vrarëve aty kishte gra, fëmijë e pleq në një kamion për të cilin i kam treguar Prokurorisë saktë se për çfarë mjeti bëhet fjalë , kush voziti , e çfarë tabelat kishte. Me atë kamion është lëvizur nëpër lagje dhe trupat e të vrarëve janë mbledhur. Na u dha urdhri që në një livadh të fshatit ti varrosim. Kemi hapur varret dhe i kemi varrosur 32 trupa. Shteti i Serbisë i ka dhënë arkivolet”.

Goluboviq , mbeti pjesë e njësisë speciale policore deri në fund të luftës së Kosovës dhe pa shumë vrasje e tortura ndaj civilëve.

Burri nga Vlastotinci pohon se e di vendndodhjen e një varreze masive në Jug të Serbisë.

”Një kamion –frigorifer i mbushur me mbi 40 trupa të të vrarëve kryesisht civilë nga 2 deri në 72 vjeç është sjellur për t’u djegur në jug të Serbisë në Komunën e Surdulicës. Djegia nuk u bë dhe u dërgua në një vend tjetër që kufomat të fundosen. Unë dhe disa njerëz saktë e dimë ku është ajo varrezë masive”.

”Kur e kam përmendur këtë në Prokurori më thanë mos flisni për këtë rast, me të do të merremi më vonë. Unë nuk mund të vdes pa e thënë këtë”.

Ai i akuzon udhëheqësit e sotëm në Serbi, presidentin Aleksandar Vuçiq, e kryetarin e Kuvendit Ivica Daçiq se heshtin pranë krimeve që janë bërë sepse sipas Goluboviq, ata janë pjesë e kastës që solli gjithë tragjedinë në ish-Jugosllavi./Klankosova / KultPlus.com

Vrau e dogji kufoma në Krushë të Vogël, dënohet me 22 vjet burgim Darko Tasiq

Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me 22 vite burgim të akuzuarin për krime lufte, Drko Tasiq.

Për pikën e parë të aktakuzës, Tasiq u dënua me 7 vite burgim, kurse për atë të dytën me 15 vite burgim.

Sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se fillimisht gjatë periudhës 15 – 26 mars 1999, ka marrë pjesë së bashku me forcat policore dhe para ushtarake serbe, për të plaçkitur dhe shkatërruar pasuritë e popullsisë civile, duke djegur shtëpi, duke marrë automjetet bujqësore dhe sendet tjera me vlerë të të fshatarëve në përgjithësi dhe familjes Hajdari në veçanti, raporton Gazeta Express.

Aktakuza e PSRK-së e ngarkon të akuzuarin Tasiq edhe me përdhosjen e trupave të pajetë, duke i djegur kufomat së bashku me forcat tjera policore dhe paramilitare dhe duke i hedhur kufomat në lumin Drin, në një vend jashtë fshatit Krushë e Vogël.

Sipas aktakuzës, i akuzuari me veprimet e tij ka kryer sulm mizor kundër dinjitetit njerëzor dhe kërkohet që i njëjti të dënohet sipas ligjit aktual me jo më pak se 5 vjet burgim ose me burgim afatgjatë ose sipas ligjit të mëhershëm, me jo më pak se 5 vjet ose deri në 20 vjet burgim efektiv. / KultPlus.com

Qytetarët e Prizrenit protestojnë para gjykatës, kërkojnë dënimin e të akuzuarit për krime lufte në Krushë të Vogël

Sot në Gjykatën Themelore në Prizren, pritet të mbahet fjala përfundimtare në rastin e të akuzuarit për krime lufte, Darko Tasiq.

Ai po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), se gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka kryer krime lufte kundër popullatës civile të fshatit Krushë e Vogël.

Lidhur me këtë rast, qytetarët e Prizrenit po protestojnë para gjykatës së lartpërmendur, duke kërkuar dënimin e të akuzuarit Tasiq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ku janë bijtë tanë?”, “113 të vrarë, 145 fëmijë jetim, 68 ende të zhdukur”, “Duam drejtësi”, janë vetëm disa nga fjalët e shkruara në pankartat që protestuesit po mbajnë në duar.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së PSRK-së, me të cilën i akuzuari Darko Tasiq, akuzohet se gjatë muajit mars 1999, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile të fshatit Krushë e Vogël, të Komunës së Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se fillimisht gjatë periudhës 15 – 26 mars 1999, ka marrë pjesë së bashku me forcat policore dhe para ushtarake serbe, për të plaçkitur dhe shkatërruar pasuritë e popullsisë civile, duke djegur shtëpi, duke marrë automjetet bujqësore dhe sendet tjera me vlerë të të fshatarëve në përgjithësi dhe familjes Hajdari në veçanti.

Aktakuza e PSRK-së e ngarkon të akuzuarin Tasiq edhe me përdhosjen e trupave të pajetë, duke i djegur kufomat së bashku me forcat tjera policore dhe paramilitare dhe duke i hedhur kufomat në lumin Drin, në një vend jashtë fshatit Krushë e Vogël.

Sipas aktakuzës, i akuzuari me veprimet e tij ka kryer sulm mizor kundër dinjitetit njerëzor dhe kërkohet që i njëjti të dënohet sipas ligjit aktual me jo më pak se 5 vjet burgim ose me burgim afatgjatë ose sipas ligjit të mëhershëm, me jo më pak se 5 vjet ose deri në 20 vjet burgim efektiv. / KultPlus.com