Nesër, filmi ‘Luaneshat e Kodrës’ shfaqet në bulevardin Xhorxh Bush

Qendra Kinematografike e Kosovës ka bërë të ditur se nesër në bulevardin Xhorxh Bush do të shfaqet filmi “Luaneshat e Kodrës”, shkruan KultPlus.

QKK Përmes një postimi në facebook, u ka bërë thirrje të gjithë adhuruesve të filmave që marrin pjesë për të shijuar së bashku emocionet të dhuron sipas tyre filmi.

“Nesër në ora 20:00 do të shfaqet filmi “Luaneshat e Kodrës” në bulevardin Xhorxh Bush.

Ju ftojmë të na bashkoheni, t’a shijoni “Luaneshat e Kodrës” nën qiellin e Prishtinës dhe të rrëmbeheni nga emocionet që dhuron ky film”, thuhet në njoftimin e QKK në facebook./KultPlus.com

Konjufca për “Luaneshat e Kodrës”: Ëndrrat dhe ambiciet e luaneshave meritojnë përkrahjen e gjithanshme

Mbrëmë në ambientet e Kino Armatës është shfaqur filmi i suksesshëm nga Kosova “Luaneshat e Kodrës” me regji të Luana Bajramit, shkruan KultPlus.

Për ta parë nga afër këtë film ishin edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Ky i fundit reagoi në rrjete sociale, duke thënë se kinematografia e Kosovës po shënon gjithnjë e më shumë suksese kulmore në arenën ndërkombëtare.

Postimi i plotë:

“Mbrëmë kisha kënaqësinë që së bashku me Kryeministrin z.Albin Kurti dhe Shefin e stafit z.Ilir Kërçeli të kaloj ca çaste të këndshme artistike me filmin “Luaneshat e Kodrës” të regjisores së mirënjohur Luana Bajrami.

Kinematografia jonë po shënon gjithnjë e më shumë suksese kulmore në arenën ndërkombëtare.

“Luaneshat e Kodrës” ishte filmi i parë kosovar i cili u shfaq në Festivalin e Kanës. Në edicionin e vitit 2021 ai ishte pjesë e programit Directors.

Ëndrrat dhe ambiciet e luaneshave meritojnë përkrahjen e gjithanshme, e cila shpresoj që nuk do t’iu mungojë”, thuhet në postimin e Konjufcës. /KultPlus.com

“Kosova në Fokus” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit ‘New Horizons’ në Poloni

Kosova po merr vëmendje të veçantë në edicionin e sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të filmit New Horizons në Wroclaw të Polonisë, i cili ka filluar më 21 korrik 2022 dhe do të përmbyllet më datën 7 të muajit të ardhshëm.

Në mesin e filmave nga mbarë globi, New Horizons dedikon hapësirë të theksuar për filmin kosovar, me program të vecantë të titulluar “Kosova në fokus”. New Horizons e përshkruan kinematografinë kosovare si një “produkt të çmueshëm filmik”, i cili reflekton energji të jashtëzakonshme.

“Një hero i vecantë i këtij edicioni të New Horizons do të jetë edhe kinemaja kosovare – energji e jashtëzakonshme rinore, e cila fuqishëm depërton përtej ekranit. Si pjesë e programit ‘Kosova në fokus’, ne do të mund të shohim kinematografinë më të re në botë. Historia e saj e shkurtër qëndron në përpjestim të zhdrejtë më numrin e madh të çmimeve dhe vlerësimeve të marra nga festivalet botërore”, thuhet në webfaqen zyrtare të festivalit.

“Temat e ngritura nga kinemaja e re e Kosovës janë pa pritur ato që realisht na shqetësojnë më së shumti sot dhe që janë më therrëset. Është një injektim gjaku i freskët në qarkun e parashikueshëm të kinemasë evropiane, një shenjë e pashlyeshme në glob, dhe një pavarësi artistike që nuk mund të mbetet e panjohur. Më vjen mirë që ky ferment lindi në një pjesë të hartës, historinë e trazuar, ambiciet dhe gabimet e së cilës ne ndajmë” shton Małgorzata Sadowska, kuratorja e programit.

Në kuadër të “Kosova në fokus” do të shfaqen filmat kosovar: “Zgjoi”, “Vera andrron detin”, “Në kërkim të Venerës”, “Luaneshat e kodrës”, “Shpia e Agës”, “Pa vend”, “Në mes”, “Exil”, dhe “Gardhi” të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, si dhe ‘When It Left, Death Did Not Even Close Our Eyes’ dhe ‘Greetings from an Elsewhere’ filma të shkurtë prodhime të pavarura kosovare.

https://www.nowehoryzonty.pl/lista.do?typ=cykl&art=true&idCyklu=1015 – linku zyrtar i festivalit. / KultPlus.com

Kosova ‘lulëzoi’ me shumë sukses në fushën e kinematografisë në vitin 2021

Përkundër faktit se Kosova është një vend shumë i vogël dhe konsiderohet si pak i zhvilluar, sukseset nuk munguan aspak në arenën ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Kinematografia e Kosovës mund të thuhet se ka shënuar suksesin më të madh ndonjëherë, duke arritur që përmes filmit “Zgjoi” edhe të shkruhet historia.

Fillimisht duke fituar tre çmime, për herë të parë, në një festival të madh siç është ai i Sundance, rrugëtimi i “Zgjoi” e përmbylli vitin duke hyrë në listën e ngushtë të nominimeve “Oscar”.

Në anën tjetër, edhe filmi “Vera Andrron Detin” shënoi suksese prestigjioze në arenën ndërkombëtare, duke marrë pjesë në Festivalin e Venecias.

Tutje, filmi me regji të Kaltrina Krasniqit mori edhe çmimin special të jurisë në Festivalin e Selanikut.

Çmimet e tjera nuk munguan aspak dhe raportohet se ky film do të vijë edhe në Kosovë vitin që po vjen.

Kinematografia kosovare përjetoi edhe një lajm gëzimi. ‘Luaneshat e Kodrës’, hyri në histori, duke u bërë filmi i parë i gjatë kosovar që shfaqi premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës.

Përveç këtyre filmave, janë realizuar edhe disa filma të tjerë të cilët, përpos çmimeve në Kosovë, u nderuan edhe në arenën mbarëkombëtare. /KultPlus.com

Ylli i filmit ‘Shok’, Bajgora ka qëllim të vendosë Kosovën në harta ndërkombëtare

Andi Bajgora ka lindur më 19 korrik 2002, në Prishtinë / Kosovë. Ai njihet më së shumti për rolet e tij në filma të ndryshëm, si filmi i nominuar për Oscar “Shok”, fituesi i disa çmimeve ndërkombëtare dhe pjesëmarrës në disa festivale të ndryshme nëpër botë, shkruan KultPlus.

Është fitues i çmimit për aktorin më të mirë për interpretimin e tij në “SHOK” nga Mallorca FF.

. Në vitin 2016 është shpërblyer si Ambasador i Artit të Kosovës nga çmimet “FIDES”. Ndërsa në vitin 2017 ishte në top 10 aktorët e Rising Stars të Kosovës në festivalin e filmit PriFest.

Në një intervistë për “UTOPIAN Magazine”, Bajdora ka rrëfyer detaje nga jeta e tij, ku edhe ka treguar se qëllim kryesor është të ngrisë zërin e Kosovës nëpër botë.

“Që kur kam qenë në Oscar nuk po mendoja asnjëherë për asgjë tjetër përpos të arrija më shumë e më shumë. Synim kryesor i imi është ta vendosë Kosovën lartë nëpër botë”, është shprehur ai.

Tutje, aktori tregon se ideja e tij kryesore është të arrijë një pikë të pjekurisë moderne, ku edhe krijon një ekuilibër të mendjes dhe stabilitetin e emocioneve.

Revista Utopiane është një projekt i bërë me zemër dhe dashuri për të bukurën, do të edukojë të gjithë botën të vlerësojë shijen e stilit të lartë përmes provokimit dhe të vërtetës. /KultPlus.com

Filmi “Luaneshat e Kodrës” përmbyll edicionin XX të Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë

Sonte në orën 19:00 është mbyllur edicioni XX i Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë, me filmin “Luaneshat e Kodrës” (2021) nga Luana Bajrami.

Diku në një fshat të vogël në Kosovë, tri të reja shohin se si ëndrrat dhe ambiciet e tyre po u mbyten. Kërkimin e tyre për pavarësi asgjë nuk mund ndalojë, ka ardhur koha për luaneshat të ulërijnë.

“Luaneshat e Kodrës” është filmi i parë kosovar i cili u shfaqë në Festivalin e Kanës; në edicionin e vitit 2021 ai ishte pjesë e programit Directors’ Fortnight, në garë për Camera d’Or. / KultPlus.com

Filmat kosovar dhe suksesi i tyre ndërkombëtar, gratë epiqendra e vëmendjes

Një valë e re është duke ardhur dhe i përket grave të reja regjisore të Kosovës, ka thënë në një artikull së fundmi Vjosa Berisha, drejtoreshë ekzekutive e PriFilm Fest, përcjellë KultPlus.

Industria e filmit të Kosovës ka shënuar rritje të madhe në dekadën e fundit, megjithatë vëmendja kryesore dhe rritja më e madhe ka qenë vitet e fundit.

Berisha i sheh 5 gra të reja të cilat kanë qenë shumë të suksesshme në bërjen e filmave të rinj, të cilat gjithashtu kanë qenë edhe pjesë e PriFilm Fest.

Dy filma kosovar në garën për European Film Awards - Telekomunikacion -  Ekonomia

Suksesi ndërkombëtar ka ardhur si rezultat i një pune të madhe, duke punuar me pasion të pashoq dhe gjithashtu pjesëmarrje në festivale të ndryshme anë e mbanë botës.

Edicioni i fundit i PriFest Focus Program, pati vëmendjen kryesore në vajzat e reja që po bëjnë filma të jashtëzakonshëm.

I quajtur në frëngjisht “La Vague de la Femme Kosovare”, programi përfshinte pesë regjisoret e reja kosovare, të cilat e bënë Kosovën krenare me filmat e tyre debutues në periudhën e fundit.

Tre filma nga Kosova pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë  - Bota Sot

Gjatë festivalit u zhvilluan disa diskutime, tryeza të rrumbullakëta, intervista dhe shfaqje filmash për të diskutuar suksesin e këtyre filmave, të cilët po marrin pjesë në festivale të listës A dhe po fitojnë çmime. Interesimi i publikut për t’i parë këto filma ishte shumë i madh, sidomos tek të rinjtë. Dhe kjo nuk është befasi, pasi Kosova ka popullsinë më të re në Evropë.

Duket se të rinjtë e Kosovës (dhe veçanërisht vajzat e reja) kanë një të ardhme të ndritur në industrinë e filmit.

Blerta Basholli

Filmi i Blerta Bashollit ‘Hive’ fitoi tre çmime kryesore në Festivalin e Filmit Sundance dhe është kandidati aktual nga Kosova për Oscar. ‘Hive’ flet për Fahrijen, bashkëshorti i së cilës është zhdukur që nga lufta në Kosovë. Ajo ngre biznesin e saj të vogël për të siguruar jetesën e fëmijëve të saj, por ndërsa lufton kundër një shoqërie patriarkale që nuk e mbështet atë, ajo përballet me një vendim vendimtar. (Burimi:IMDB)

Kaltrina Krasniqi

Filmi i Kaltrina Krasniqit ‘Vera ëndërron detin’ së fundmi pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Venecia. Filmi flet për Verën, një përkthyese të gjuhës së shenjave në moshë të mesme, e cila e gjen jetën e saj të ndërprerë nga vetëvrasja e të shoqit. Ajo duhet të përballet me realitetin e papërpunuar për të shkuar kundër çështjeve gjinore të rrënjosura thellë të kohës sonë. (Burimi:IMDB)

Antoneta Kastrati

Filmi ‘Zana’ i Antoneta Kastratit, i cili pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Toronto, flet për një grua kosovare që është e përhumbur nga e kaluara e saj e ndrydhur prej kohësh. Ajo është nën presion nga familja e saj për të kërkuar trajtim nga shëruesit mistikë për infertilitetin e saj dhe lufton për të pajtuar pritshmëritë e mëmësisë me një trashëgimi të brutalitetit të kohës së luftës. (Burimi:IMDB)

Luana Bajrami

Filmi i Luana Bajramit “Kodra ku vrumbullojnë luaneshat”, në të cilin tre gra të reja dhe shpirtmadhe vendosin t’i shpëtojnë jetës së tyre të përditshme dhe të formojnë një bandë, u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Kanë. (Burimi:IMDB)

Norika Sefa

Filmi “Looking for Venera” i Norika Sefës fitoi Çmimin Special të Jurisë në Festivalin e Filmit në Roterdam. Në film, adoleshentja e qetë dhe e heshtur Venera jeton në një qytet të vogël në Kosovë. Në shtëpi, ku tre breza po zvarriten së bashku në një shtëpi të vogël, ajo vështirë se ka ndonjë privatësi. (Burimi:IMDB)

Sot, PriFest – Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë është festivali më i madh ndërkombëtar i filmit në Kosovë dhe një pikë takimi e rëndësishme e industrisë së filmit rajonal dhe ndërkombëtar. /KultPlus.com

HIVE / ZGJOI - Film - European Film Awards

Filmi Luaneshat e Kodrës fitojnë çmimin special të jurisë në Festivalin e Filmit Calgary

Viti 2021 ka qenë vit i sukseseve për filmat kosovar, ku së fundmi filmi “Luaneshat e Kodrës” është shpërblyer me njërin prej çmimeve kryesor në Festivalin e Filmit Calgary të mbajtur në Alberta, një provincë e Kanadasë, shkruan KultPlus.

Filmi me regji të Luana Bajramit ka arritur që të korr edhe një sukses të madh ndërkombëtar, duke fituar çmimin special të jurisë në Festivalin e Filmit “Calgary”.

‘Luaneshat e Kodrës’, një film i xhiruar në Kosovë shtjellon ëndrrat e tri personazheve kryesore që vijnë nën aktrimin e jashtëzakonshëm të Flaka Latifit, Era Balajt dhe Uratë Shabanit.

Këto tri shoqe të pandashme me njëra tjetrën që refuzojnë ti shpalosin vështirësitë e tyre personale mes vete, përfytyrojnë një të ardhme të ndritur e të mbushur deri në kupë me një liri tejet të dëshiruar si asnjëherë më parë.

Diku larg vendit ku ato jetojnë, në një qytet të madh, aty ku nuk ekzistojnë thashethemet dhe pengesat e gropat e vazhdueshme nëpër të cilat duhet të kalojnë çdo ditë të jetës së tyre, është pikërisht ai vegimi përrallor që mban gjallë shpresat, pritjet e parashikimet e tyre gjatë rrugëtimit të tyre të quajtur ‘jetë’. E se si ardhmja e tyre do të lulëzojë, këtë filmi e tregon qartazi. /KultPlus.com

‘Zgjoi’ dhe ‘Luaneshat e Kodrës’ përfaqësojnë Kosovën në Festivalin e Stokholmit

Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Stokholm që mbahet nga 10-21 nëntor në kryeqytetin suedez do të shfaqen 100 filma nga 48 vende të ndryshme në kinema si dhe në mënyrë digjitale nëpërmjet Festival on Demand.

Në këtë festival të mirënjohur kësaj here merr pjesë edhe Kosova me dy filma: Perla filmike ”Luaneshat e Kodrës” nga Luana Bajrami dhe filmi ”Zgjoi” i Blerta Bashollit.

Filmi ”Luaneshat e Kodrës” është një bashkëprodhim i Kosovës me Francën. Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora dhe Luana Bajrami. Ky film bën fjalë për rebelimin e tri vajzave të reja të cilat po mendonin se ëndërrat dhe ambiciet e tyre po mbyteshin. Në këtë synim s’arrin kush ti ndalojë prandaj mendojnë se ka ardhë koha për ta ngritur zërin. Filmi është një debytim i guximshëm dhe plot kolorit i aktores Luana Bajrami, filmi i së cilës ishte nominuar për një Palm Queer në Festivalin e Filmit në Kanë në fillim të këtj viti.

Filmi “Zgjoi” ndërkaq sjell historinë e vërtetë të Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Por heroina e filmit shpërfill fyerjet, thashethemet por edhe sulmet fizike me qëllim që të ngris lart të drejtën dhe shembulltyrën e grave për të qenë të pavarura.

Ky film me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, me Yllka Gashin në rolin kryesor, konsiderohet si filmi më i sukseshëm i kinematografisë shqiptare deri sot, fitues i trefishtë në Sundance 2021 dhe fitues i shumë çmimeve të tjera ndërkombëtare.

Në një festival ndërkombëtar të filmit në Spanjë që u bë gjatë tetorit, filmi “Zgjoi” u nderua me dy çmime të rëndësishme.

Siç dihet filmi ”Zgjoi” është poashtu kandidat i Kosovës për çmimin Oscars 2022.

Festivali i sivjem ndërkombëtar i filmit në Stokholm dallohet për numrin e madh të regjisoreve, gjithsej 43% janë regjisore.

Ky festival është edhe një rast i mirë për filmdashësit shqiptarë që jetojnë e veprojnë në Stokholm me rrethinë për të parë dy filma shqiptarë, gjë që shumë rrallë u bie të ndjekun ndonjë film shqiptar në kinematë e Stokholmit./KultPlus.com

‘Luaneshat e Kodrës’ triumfojnë në ‘Raindance Film Festival’

Filmi ‘Luaneshat e Kodrës’ me regji të Luana Bajramit ka fituar dy çmime në festivalin Raindance Film Festival që mbahet në Londër, përcjell KultPlus.

 Filmi kosovar rrëmbeu çmimet ‘Regjia më e mirë’ dhe ‘Çmimi i zbulimit’.

Ky film është xhiruar në Kosovë dhe flet për tri shoqe të pandashme të cilat janë në pritje të rezultateve për Universitet. Të ulura në një kodër, Qe (Flaka Latifi), Li (Era Balaj) and Jeta (Uratë Shabani) ëndërrojnë të shkojnë në një qytet më të madh për t’u pavarësuar e për t’i lënë prapa thashethemet dhe pengesat e tjera në fshatin e tyre.

‘Luaneshat e Kodrës’ është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judeleëicz.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë). Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora dhe Luàna Bajrami./KultPlus.com

‘Luaneshat e Kodrës’ dhe ‘Zgjoi’ në konkurrencë për “Die TILDA” në Festivalin e Braunschweig

Tetë prodhime ndërkombëtare po konkurrojnë për çmimin “Die TILDA” në ‘Braunschweig International Film Festival’.

Çmimi i filmit për gratë, i pajisur me 5,000 euro, është dhuruar nga 65 gra nga jeta kulturore e Braunschweig. Qëllimi i çmimit është t’i bëjë gratë e filmave të dukshme në diversitetin e tyre. Dhe ka të bëjë me diversitetin në çdo aspekt – si për sa i përket zhanrit, llojit të rrëfimit dhe historive të treguara, ashtu edhe vetë regjisorëve, sepse çmimi i regjisorit të shpallur ndërkombëtarisht u drejtohet grave të të gjitha origjinave, orientimit seksual, ngjyrës së lëkurës, etj.

Filmat në konkurrencë janë:

(1) “Clara Sola” tregon historinë e një shëruesi që i shpëton kufizimeve shtypëse të nënës së saj dhe arrin të njohë veten.
(2) Seyran Ateş: Seksi, Revolucioni dhe Islami – 2021 – Dokumentarë tregojnë luftën personale dhe ideologjike të Seyran Ateş për modernizimin e Islamit.
(3) “Delia Derbyshire: Mitet dhe kasetat legjendare” tregon për një pioniere të muzikës së harruar, kasetat e të cilit (të regjistruara me temën e muzikës nga Doctor Who!) U gjetën në papafingo pas vdekjes së saj.
(4) Gruaja e shoferit Legjenda e Molly Johnson ka të bëjë me Molly -n shumë shtatzënë, e cila nuk e lë veten të zbresë në fermën e saj në periferi të Australisë.
(5) “Kodra ku ulërijnë luaneshat” është historia e tre grave të reja të fuqishme, e shkruar nga një regjisore e cila është vetëm 18 vjeç.
(6) Në “Hive” (Zgjoi) e veja Fahrije në Kosovë rebelohet kundër normave të shoqërisë së saj – ajo drejton një makinë dhe fillon një kompani.
(7) “Zjarri i egër” tregon se si dy motra përballen së bashku së bashku me të kaluarën e tyre të gjatë të ndrydhur. / KultPlus.com

‘Luaneshat e Kodrës’ premierë në Prifest, shpalos ulërimën e zjarrtë të rinisë për liri

Era Berisha

Të ulura në një kodër, pamja e së cilës është e pakrahasueshme, tri personazhet kryesore si: Qe, Li dhe Jeta, mbi tre shkëmbinj jetësojnë filmin e metrazhit të gjatë ‘Luaneshat e Kodrës’, e së bashku me fjalët: Oh Kodër, nis të shpaloset rrjedha e historisë së tyre e cila fillon pikërisht me një ulërimë që vjen nga brendësia shpirtërore e tyre. Përpjekjet e këtyre personazheve për tu ballafaquar me padrejtësitë e jetës pasqyrohen në këtë film nën skenarin dhe regjinë e Luàna Bajrami, e që mbrëmë u shfaq para publikut kosovar në kuadër të edicionit të 13-të të PriFest, shkruan KultPlus.

Pak minuta para se ora të shënonte 20:30, ishin njerëzit e shumtë të cilët vrullshëm po mbushnin sallën e Teatrit Kombëtar duke zënë vendet e tyre të distancuar. Pas pritjes të padurueshme të të pranishmëve dhe fikjes së dritave të ngrohta brenda sallës, filmi nisi hapjen e tij nën errësirën tashmë të mirënjohur nga çdo kush.

‘Luaneshat e Kodrës’, një film i xhiruar në Kosovë shtjellon ëndrrat e tri personazheve kryesore që vijnë nën aktrimin e jashtëzakonshëm të Flaka Latifit, Era Balajt dhe Uratë Shabanit. Këto tri shoqe të pandashme me njëra tjetrën që refuzojnë ti shpalosin vështirësitë e tyre personale mes vete, përfytyrojnë një të ardhme të ndritur e të mbushur deri në kupë me një liri tejet të dëshiruar si asnjëherë më parë.

Diku larg vendit ku ato jetojnë, në një qytet të madh, aty ku nuk ekzistojnë thashethemet dhe pengesat e gropat e vazhdueshme nëpër të cilat duhet të kalojnë çdo ditë të jetës së tyre, është pikërisht ai vegimi përrallor që mban gjallë shpresat, pritjet e parashikimet e tyre gjatë rrugëtimit të tyre të quajtur ‘jetë’. E se si ardhmja e tyre do të lulëzojë, këtë filmi e tregon qartazi.

Kamera precize e regjisores Luàna Bajrami, duket se pas çdo gremisje të paraqitur brenda rrjedhës së filmit, para publikut kosovar shfaq imazhe e peizazhe që i ngjasojnë fantazive e imagjinatave të mbyllura në thellësinë shpirtërore të qenies njerëzore, duke ngulitur kështu syrin e tij para ekranit me një rrënjosje të pamjeve diversive të kodrave dhe jo vetëm. Cicërima e zogjve në natyrë dhe ajo pranë ujit të kristaltë e krejtësisht të pasur, portretizonte lirinë e ëndërruar të tri personazheve kryesorë.

E teksa këto pamje paraqitnin një spektakël më vete porsi një tablo e pikturuar nga plasaritja e emocioneve e ndjenjave nga më të ndryshmet, filmi tregonte për jetën e tre vajzave, familjet e të cilave ndryshonin nga njëra-tjetra por që në thelb kishin të pikasur një mendësi pothuajse të njëjtë.

Fshatin në të cilën ato janë rritur duket se tashmë vajzave po iu shndërrohet në një labirint nga i cili nuk ka shpëtim e as dalje. Përderisa ato prisnin rezultatet e tyre për tu pranuar në Universitet përkundër mendimeve të prindërve të tyre, ambiciet e tyre nuk po mund të kalonin pas prangave të fshatit në të cilin po frymojnë. Por kërkimin e tyre për të qenë të pavarura në jetë nuk mund t’ia ndalë askush, andaj po njëlloj si emri i këtij filmi, këto luanesha nisin hungërimën e tyre e cila edhe do të ketë një fund të paparashikuar.

Në tentim për lirinë e tyre shumë të dëshiruar, gjatë rrugës për një të ardhme më të mirë, iu bashkëngjiten edhe dy personazhe të tjerë të interpretuar nën aktrimin e Andi Bajgores, dhe Luàna Bajramit. Por edhe pse kjo ndërhyrje do të ndikojë në jetën e tyre, udhëtimi i tyre po vazhdon pothuajse njëjtë. Prandaj, koha për të marrë përsipër vendimet për veten në duart e tyre pas përjetimeve të dhunës fizike dhe seksuale të përditshme si dhe varfërisë të vazhdueshme, tashmë ka gjetur vendin dhe kohën e duhur.

‘Luaneshat e Kodrës’, titullohet emri i bandës së tyre e që duket se për ta ishte zgjidhja e vetme dhe e fundit në një shtet ku ndryshe nuk funksionohet. Andaj, vjedhja e tyre e parë në një dyqan bizhuterish i siguron atyre një numër të madh parash, përmes të cilave ata shijojnë jetën në një shtëpi të braktisur e cila është shndërruar në strofullën e tyre të paqes. Por kjo fole e ruajtur me dashuri, lumturi e qetësi absolute së shpejti nuk do të jetë më e tillë.

Një arratisje e tyre drejt detit, do të shpalos historinë e dy dashurive të krijuara përgjatë këtij rrugëtimi e ku më në fund nën meloditë e këngës ‘Fëllënza’, buzëqeshjet e sinqerta, lumturia në sy njeriu dhe dhimbjet e varrosura brenda shpirtrave, zgjuan ndenja të bukura tek të pranishmit, duke i shtyrë ata të mendojnë se ata po i afrohen drejt një fundi të lumtur i cili do të zgjasë me po të njëjtat emocione. Por, sic edhe thuhet brenda filmit: gabimi i vetëm i tyre është kthimi në ferrin të cilin e lanë para disa ditësh.

E ky ferr i mbushur me gjak në skenën e fundit vulos fundin e këtij gabimi që shpërtheu zemrat e luaneshave në një gabim të papërmirësuar.

Pas shfaqjes së filmit, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta të publikut që zhurmuan sallën e Teatrit Kombëtar në një varg melodish të përsëritura për disa minuta. E në mesin e tyre ishin edhe ekipi i filmit ‘Luaneshat e Kodrës’ të cilët ngadalë dolën në skenë për një fjalë rasti.

“Po ndjehem shumë e kënaqur dhe faleminderit shumë për pritjen. Dua të falënderoj të gjithë ekipin e Kosovës dhe Francës, aktorët si dhe PriFest-in. Me qenë njeri dhe me pas ambicie është goxha e komplikuar, kështu që këtë film e kam bërë për inspirim. I kam pasur 18 vjet kur e kam shkruar dhe xhiruar e arritja dhe udhëtimi i këtij filmi, është goditje shumë e madhe për të gjithë ne”, thotë Bajrami.

Kurse, sot në një konferencë për media për të treguar më shumë rreth rrugëtimit të filmit ‘Luaneshat e Kodrës’, të pranishëm ishin regjisorja dhe skenaristja Luàna Bajrami si dhe aktorët në rolet kryesore: Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj dhe Andi Bajgora.

“Unë kam dashur të flas për liri dhe me kriju një film që do ta kisha dëshirë ta shihja kur i kam pasur 15 vjet. Jam inspiruar prej shumë gjërave dhe kam dashur që këtë film ta mbajë në Kosovë sepse Kosova më inspiron por kjo tematikë për mua është shumë universale. Kështu që këto ndenja në film ndaj kësaj rinie, problematikat e kufizimet që i kanë, mendoj se e njëjta është edhe në Francë”, thotë Bajrami.

Sipas saj, është dashur të merret shumë vetëbesim nga vetja dhe të tjerët sepse filmi nuk pa pasur përkrahje në fillim por gjatë procesit të xhirimit, është arritur lidhja me disa partnerë të ndryshëm.

Ndërsa, aktorja Uratë Shabani foli rreth punës së saj me një regjisore vajzë.

“Po shkoj në audicion dhe po shkoj shumë vetvetja ashtu siç doja unë të isha e veshur. Kur hyra dhe e pashë Luanën, ishte një moment që më goditi papritmas. Prandaj, për të punuar me Luanën është fat shumë i madh, të paktën për mua sepse ky është filmi im i parë i gjatë dhe prej Luanës 18 vjeçare kam mësuar shumë më shumë se sa me regjisorët të cilët kam punuar më herët”, thotë Shabani.

Po ashtu, aktorja Flaka Latifi foli rreth të përbashkëtave të saj me rolin e saj në film.

“Në film e luaj rolin e Qe-së e cila ka shumë të përbashkëta me mua por gjithashtu ka edhe dallime. Qe është një vajzë me karakter shumë të fortë që po njëlloj e shoh edhe veten. Qe po ashtu është ambicioze dhe punëtore. Këto do të thoja që mund të janë karakteristikat e përbashkëta që Flaka i ka me Qe-në”, thotë Latifi.

Kurse, aktorja Era Balaj foli rreth punës së tyre në ekip dhe emocionit të saj gjatë premierës së filmit në PriFest.

“Së bashku me aktoret jemi bërë shumë shoqe dhe mendoj që kjo ka ndikuar në gjithçka mes neve. Ka mjaftuar njëherë me diskutu dhe kemi qenë në të njëjtën faqe për atë se çfarë kemi dashur të arrijmë. Kështu që dje ka qenë hera e dytë që e kemi parë filmin dhe mu është dukur si me pa për herë të parë”, thotë Balaj.

Gjithashtu, aktori Andi Bajgora foli rreth arsyes së interesimit të madh të publikut për të parë filmin.

“Nuk jemi mësuar të shohim shumë aktorë të rinj duke punuar në një projekt kaq të madh e as nuk jemi mësuar të shohim një regjisore kaq të re. Energjia jonë gjatë xhirimeve gjithçka e ka bërë interesant dhe ka shtyrë që edhe njerëzit tonë të interesohen për filmin”, thotë Bajgora.

‘Luaneshat e Kodrës’, filmi i parë i gjatë kosovar që ka shfaqur premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës, është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.

Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora, dhe Luàna Bajrami.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë). / KultPlus.com

MKRS: Sukseset e tyre po na bëjnë krenar të gjithëve, ndërsa tregojnë potencialin që ka vendi ynë në këtë fushë

Pas suksesit të jashtëzakonshëm të filmave vendorë në Festivalin e Filmit në Sarajevë, ka reaguar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me ç’rast ata janë shprehur se Kosova ka marrë disa prej çmimeve kryesore në këtë festival e për çka ata ndjehen mjaft krenarë, përcjellë KultPlus.

“Ne i urojmë për këto çmime dhe shpresojmë që sukseset e tyre të vazhdojnë”, ka shkruar MKRS-ja.

KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të tyre:

Filmat nga Kosova marrin disa prej çmimeve kryesore në Festivalin e Filmit në Sarajevë
Sukseset e filmave kosovar në festivalet më të mëdha ndërkombëtare të filmit po vazhdojnë. Kësaj radhe në Sarajevë tre filmat e vendit tonë, “Luaneshat e kodrës”, “Në kërkim të Venerës” dhe “Pa Vend” ia kanë dal të marrin disa prej çmimeve kryesore.
Aktoret Flaka Latifi, Era Balaj dhe Uratë Shabani – që janë pjesë e filmit “Luaneshat e kodrës”, nën regjinë e Luana Bajramit kanë fituar çmimin “Zemra e Sarajevës për aktoren më të mirë”.
Filmi “Në kërkim të Venerës”, nën regjinë e Norika Sefës ka fituar çmimin “Përmendje speciale për barazi gjinore”.
Ndërsa filmi i metrazhit të shkurtë “Pa vend”, me regji të Samir Karahodës është shpërblyer me çmim special në këtë festival, çmim që i është ndarë nga juria profesionale.
Sukseset e tyre po na bëjnë krenar të gjithëve, ndërsa po tregojnë potencialin që ka vendi ynë në këtë fushë.
Ne i urojmë për këto çmime dhe shpresojmë që sukseset e tyre të vazhdojnë.
Festivali i Filmit në Sarajevë vlerësohet si një prej ngjarjeve më të mëdha të filmit në Evropën Juglindore dhe një prej më të mëdhenjve në Evropë. / KultPlus.com

“Luaneshat e Kodrës” u shpërblye me Zemrën e Sarajevës, Latifi, Balaj e Shabani morën çmimin aktorja më e mirë

Festivali i Filmit të Sarajevës është duke shkuar drejt mbylljes së këtij edicioni, dhe suksesi i filmave shqiptarë ishte i pashmangshëm edhe në këtë festival, shkruan KultPlus.

Në kategorinë aktorja më e mirë, juria e këtij festivali këtë çmim i ka ndarë tri aktoreve të filmit “Luaneshat e Kodrës”, me regji të Luana Bajramit, dhe aktoret që u vlerësuan në këtë festival janë: Flaka Haliti, Era Balaj dhe Uratë Shabani.

Ky ka qenë vlerësimi i jurisë së kryesuar nga aktorja Jasna Gjuriçiq e në përbërje të së cilës ishin edhe Mike Cahill (regjisor dhe skenarist), Lili Horvát (regjisore dhe skenariste), Eva Sangiorgi (drejtoreshë artistike e Viennales), si dhe Martin Schweighofer (drejtor ekzekutiv i Austrian Film Comission).

Ky film është xhiruar në Kosovë dhe flet për tri shoqe të pandashme të cilat janë në pritje të rezultateve për Universitet. Të ulura në një kodër, Qe (Flaka Latifi), Li (Era Balaj) and Jeta (Uratë Shabani) ëndërrojnë të shkojnë në një qytet më të madh për t’u pavarësuar e për t’i lënë prapa thashethemet dhe pengesat e tjera në fshatin e tyre.

‘Luaneshat e Kodrës’ është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë).

Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora dhe Luàna Bajrami./ KultPlus.com

“Pa Vend” dhe “Luaneshat e Kodrës”, pjesë e ‘Toronto International Film Festival’

“Toronto International Film Festival” dje ka publikuar një artikull ku ka bërë të ditur filmat e edicionit të sivjetmë, e pjesë e këtij festivali është edhe filmi nga Kosova “Pa Vend”, nën regjinë e Samir Karahodës.

“Pa Vend” do të konkurrojë në programin e filmave të shkurtër “Short-Cuts”, i cili përmban gjithsej 38 filma që vijnë nga 23 shtete.

Ndërsa, pjesë e këtij festivali do të jetë edhe regjisorja kosovare Luana Bajrami me filmin e saj “Luaneshat e Kodrës”. Ajo do të konkurrojë në programin “Contemporary World Cinema”.

Festivali do të mbahet nga 9 deri më 18 shtator në formatin hibrid. Për edicionin e tij të 46-të, festivali gjatë 10 ditëve do të sjellë kineastë nga Kanadaja, por edhe e gjithë bota me mbi 100 filma që janë pjesë e seleksionimit zyrtar e paralelisht me këtë do të mbahen edhe ngjarje të tjera.

Orari i i plotë i festivalit do të publikohet më 24 gusht. Artikulli i plotë: https://tiff.net/films / KultPlus.com

‘Luaneshat e Kodrës’ në Kanë, regjisorja Bajrami flet për Kosovën e vërtetë (VIDEO)

Aktorja kosovare Luana Bajrami, e cila kohët e fundit është parë në filma të tillë si “Portrait of a Lady on fire” dhe “Ibrahim”, flet për filmin e saj të parë artistik të metrazhit të gjatë ‘Luaneshat e Kodrës’, ku është sfiduar edhe si regjisore dhe është paraqitur Directors’ Fortnight në edicionin e 74-të të Filmit në Kanë.

Ky film është xhiruar në Kosovë dhe flet për tri shoqe të pandashme të cilat janë në pritje të rezultateve për Universitet. Të ulura në një kodër, Qe (Flaka Latifi), Li (Era Balaj) and Jeta (Uratë Shabani) ëndërrojnë të shkojnë në një qytet më të madh për t’u pavarësuar e për t’i lënë prapa thashethemet dhe pengesat e tjera në fshatin e tyre.

‘E gjithë gjeneza e projektit fillon nga skena e parë, ku vajzat ulen në një kodër dhe flasin për të ardhmen’, thotë regjisorja Bajrami, e cila më tej njofton se ndonëse kjo skenë nuk është përfshirë, e ka përcaktuar titullin e filmit. “Edhe pse ky rrëfim duhet të ketë temë të përgjithshme, unë dua të shfaqë një Kosovë të cilën njerëzit nuk e dijnë, sepse kur mendojmë për Kosovën ajo që na bie në mend është lufta” shton regjisorja duke thënë se ky projekt është shumë i rëndësishëm për të, që t’i tregojë gjeneratave të reja Kosovën e vërtetë, e që është një vend shumë i bukur.

‘Luaneshat e Kodrës’ është filmi i parë i metrazhit të gjatë nga Kosova që shfaqë premierën në Kanë. Ky film është në garë për Kamerën e Artë “Camera d’or” çmim i Festivalit të Kanës për regjisorët debutues që janë pjesë e programeve të ndryshme të festivalit./KultPlus.com

Premierë historike e ‘Luaneshave të Kodrës’ në festivalin e Kanës

Filmi ‘Luaneshat e Kodrës’ nga Luana Bajrami shfaqi premierën në kuadër të programit Directors’ Fortnight të Festivalit të Kanës. Ky është filmi i parë i gjatë i bashkëprodhuar nga Kosova e Franca dhe i xhiruar në Kosovë që shfaqë premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, përcjellë KultPlus.

Directors’ Fortnight është program shumë i rëndësishëm i Kanës që ka ndikuar shumë në kinemanë bashkëkohore dhe ka kontribuar në evoluimin e gjuhës së filmit botëror, duke shfaqur filma të regjisorëve të njohur si Werner Herzog, Rainer Werner Fassbinder, Nagisa Oshima, George Lucas, Martin Scorsese, Chantal Akerman, Jim Jarmusch, Michael Haneke, Spike Lee, Naomi Kawase, Jean-Pierre and Luc Dardenne, dhe Sofia Coppola.

‘Luaneshat e Kodrës’ është në garë për Kamerën e Artë “Camera d’or” çmim i Festivalit të Kanës për regjisorët debutues që janë pjesë e programeve të ndryshme të festivalit.

Filmi është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.

Në rrolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora, dhe Luàna Bajrami.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë). / KultPlus.com

Luaneshat e Kodrës në konkurencë për ‘Kamerën e Artë’ në festivalin e Kanës

Festivali i Kanës ka publikuar jurinë për çmimin “Camera d’or” me presidente aktoren franceze Mélanie Thierry.

“Camera d’or” është çmimi që jepet nga Festivali i Kanës për regjisorët debutues që janë pjesë e programeve të ndryshme të festivalit!

Rgjisorja Kosovare Luana Bajrami është një nga 31 pretendentet për këtë çmim.

Linku nga Festivali i Kanës: https://www.festival-cannes.com/en/infos-communiques/communique/articles/the-actress-melanie-thierry-president-of-the-camera-dor-jury?fbclid=IwAR213nyV6rdT7DoN3l2EQqHu9nO5WQOHBiFWDYmnuUA_CIgzuSLuBi2HOkU / KultPlus.com