Kuvendi miraton Projektligjin për dërgimin e FSK-së jashtë vendit

Me 68 vota pro Kuvendi i Kosovës ka miratuar në shqyrtim të dytë Projektligjin për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

Deputeti i PDK-së Hisen Berisha, tha se si parti do ta mbështesin këtë projektligj, por që ka pasur një kërkesë që të gjithë të jenë të matur sa i përket deklaratave për përfshirjen e FSK-së në operacione të ndryshme ndërkombëtare.

“Duhet të jemi të matur sa i përket deklaratave për përfshije të Forcës në operacione të ndryshme ndërkombëtare bazuar në kapacitetet operacionale që kemi. Mendoj që ky ligj meriton të kalohet për shkakun se e intensifikon rolin e ushtrisë në politikën e jashtme të vendit, një rol që do të bëjë që Kosova të rreshtohet krahë shteteve që e mbështetin paqen në botë, por asnjëherë duke dalë përtej kapaciteteve tona operacionale që kemi për të mbështetur këtë paqe”, tha Berisha.

Edhe shefi i Grupit Parlamentari AAK-së, Besnik Tahiri, referuar një deklarate të kryeministrit të Kosovës rreth dërgimit të FSK-së në rast të shpërthimit të konflikti në Ukrainë, tha se duhet të kenë kujdes me deklarata publike.

“Ai e ka thënë saktë, ka thënë ‘çka do që NATO e parasheh të nevojshme, ne natyrisht që jemi të gatshëm’, mirëpo ajo që ne si Grup Parlamentar dëshirojmë ta ngremë në këtë temë është se para se të shohim se çka parasheh NATO për FSK-në ne duhet ta bëjmë ushtrinë tonë NATO, t’i krijojmë kushtet e ushtrisë tonë për NATO”, tha ai.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili tha se pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare ka domethënie të madhe për hyrje të FSK-së në NATO.

Sa i përket anëtarësimit të FSK-së në NATO, Mehaj tha se janë duke i përmbushur të gjitha kapacitetet.

“Sa i përket pjesëmarrjes në operacione ndërkombëtare, kjo ka domethënie të madhe edhe për hyrjen në NATO, se kjo është një pikë që shumë shtete të tjera para neve i kanë kaluar këto faza dhe kanë marrë pjesë në operacione ndërkombëtare. Diplomacia ushtarake ka ndikim shumë të madh jo vetëm në ngritjen e Forcës, ngritjen e kapaciteteve, po edhe ndërlidhjen e partneritetit me shtetet e NATO-s dhe shtetet partnere, se këtu lidhet partneriteti ushtarak përmes pjesëmarrjes në operacione ndërkombëtare. Sa i përket rrugëtimit drejtë NATO-s ne jemi në proces e sipër, të gjitha kapacitetet jemi duke i përmbushur, e kemi një plan të tranzicionit dhe atë jemi duke e përmbushur në bashkëpunim me partnerët tanë, por këtu edhe pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare ka domethënie të madhe në ndikimin e Kosovës ne diplomaci ushtarake po edhe në pjesëmarrjen e paqes jashtë vendit, se më nuk jemi vetëm konsumues të sigurisë po edhe eksportojmë siguri jashtë vendi”, tha ai./kp / KultPlus.com

Gjermania ndihmon FSK-në me 1 milion euro donacion

Ministria e Mbrojtjes ka pranuar sot donacion me vlerë prej një milion eurosh për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së.

Siç njofton Ministria e Mbrojtjes, transmeton Gazeta Express, ministry Armend Mehaj dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, nënshkruan marrëveshjet për pranim-dorëzimin e donacionit të fondeve për prokurimin, duke përfshirë pajisje, automjete dhe trajnime të specializuara të fushës së EOD-së dhe HAZMAT-it.

Tutje, njoftohet se Mehaj ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për qeverinë gjermane.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Mbrojtjes:

Gjermania vazhdon mbështetjen konkrete për modernizimin e kapaciteteve operacionale të FSK-së

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, nënshkruan marrëveshjet për pranim-dorëzimin e donacionit të fondeve për prokurimin, duke përfshirë pajisje, automjete dhe trajnime të specializuara të fushës së EOD-së dhe HAZMAT-it. Vlera e donacionit është 1 milion euro.

Me këtë rast, ministri Mehaj shprehu falënderim dhe mirënjohje shumë të madhe për qeverinë gjermane e cila, sikur më parë, vazhdon mbështetjen e madhe në të gjitha aspektet, në zhvillimin dhe avancimin e FSK-së. / KultPlus.com

Instruktorët ushtarakë amerikan stërvisin pjesëtarët e FSK’së për ndihmë mjekësore

Ministri Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se instruktorët amerikanë kanë stërvitur pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për reagim dhe shkathtësi për ndihmë mjekësore, raporton Gazeta Express.

Ai ka publikuar edhe disa fotografi gjatë stërvitjes së pjesëtarëve të FSK’së

Mehaj ka thënë se do të vazhdojnë me ngritjen e aftësive profesionale bashkë me partnerët amerikan.

Shkrimi i tij i plotë:

Instruktorët ushtarakë amerikan stërvitin pjestarët tanë për reagim të duhur dhe me kohë, si dhe shkathtësitë për ndihmë mjekësore në fushëbetejë.

Bashkë me partnerët tanë të pazëvendësueshëm amerikan vazhdojmë suksesshëm në ngritjen e aftësive tona profesionale.

#StrongerTogether / KultPlus.com

Instruktorët ushtarakë amerikanë stërvitin kadetët e FSK-së në Bondsteel

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se instruktorët ushtarakë amerikanë kanë stërvitur kadetët e Akademisë së Mbrojtjes në Kampin “Bondsteel”.

Mehaj ka shkruar në Facebook se FSK stërviten sipas praktikave më të avancuara të ushtrisë amerikane.

“Instruktorët ushtarakë amerikan stërvitin kadetët e Akademisë sonë të Mbrojtjes. Në kampin “Bondsteel”, kadetët e QSU-së të Akademisë sonë të Mbrojtjes, stërviten nga instruktorë amerikan për evakuim mjekësor me helikopter (AeroMedeVac). Forca e Sigurisë së Kosovës dhe kuadrot e saj të reja të oficerëve edukohen dhe stërviten sipas praktikave më të avancuara të ushtrisë amerikane. Mirënjohje e përjetshme për ushtarakët e SHBA-së që ofrojnë eksperiencën dhe kapacitetet e tyre në zhvillimin e shkathtësive profesionale të kuadrove tona”, ka shkruar Mehaj në Facebook. / KultPlus.com

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes: Krenar të jemi bashkë me Ushtrinë e Kosovës në Kuvajt

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes është shprehur krenar që t’i kenë afër vetës Forcat e Sigurisë së Kosovës në misionin e parë në Kuvajt.

Një gjë e tillë është thënë nga vetë ky departament, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tyre zyrtare në ‘Twitter’.

“Departamenti i Mbrojtjes (DOD) është krenar të bashkohet me Forcat e Sigurisë së Kosovës në misionin e parë në Kuvajt. Gjatë këtij misioni, partnerët tanë nga Kosova do të fitojnë përvojën e mekanikës dhe logjistikës duke punuar me njësitë e Ushtrisë Amerikane #BashkëMëTëFortë”, shkruan Departamenti Amerikan i Shtetit.

Ky është misioni i parë ndërkombëtar i FSK’së, i cili ndodh në vitin e tretë tranzicional të trupave të sigurisë në ushtri. /KultPlus.com

Ushtarët e FSK-së zbarkojnë në Kuvajt së bashku me ushtrinë amerikane

Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës së bashku me Ushtrinë Amerikanë kanë zbarkuar në Kuvajt.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes së Kosovës duke thënë se kjo gjë do të forcojë aftësinë e FSK-së për të mbrojtur veten duke përmirësuar ndërveprueshmërinë me partnerët amerikan.

“Kosova po kontribuon për Paqen dhe Sigurinë ndërkombëtare”, thuhet në postimin e Ministrisë së Mbrojtjes./ KultPlus.com

🇽🇰🇺🇸 Me këtë rast, pranoni përshëndetje nga MM dhe FSK. Bashkë-zbarkimi i parë ndërkombëtar i Forcës së Sigurisë së…

Posted by Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës on Saturday, May 8, 2021

FSK-ja sot shënon `Ditën e Forcës`, Ushtrisë së Kosovës

Sot mbahet ceremonia e shënimit të Ditës së Forcës – Ushtrisë së Kosovës.

Ceremonia mbahet në kazermën „Adem Jashari“ në Prishtinë dhe fillon në ora 11:00.

Në këtë ceremoni do të marrin pjesë: presidenti i Kosovës z. Hashim Thaçi, kryeministri në detyrë i Kosovës z. Ramush Haradinaj, ministri i Mbrojtjes z. Rrustem Berisha, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjeneralë, oficerë, mysafirë, personalitete shtetërore dhe akademike.

Në fund të ceremonisë do të ndahen dekorata dhe mirënjohje për stafin e dalluar të Ministrisë së Mbrojtjes dhe oficerët dhe nënoficerët e dalluar të FSK-së.

Ceremonia e Ditës së Forcës nuk është ditë e hapur. Pjesëmarrja në ceremoninë e organizuar me rastin e Ditës së Forcës bëhet vetëm me ftesa zyrtare. / KultPlus.com