10 vjetori ngërthen në vëmendje figurat ikonike të RTP-së, Prelvukaj: KultPlus është një muze virtual e praktik

Era Berisha
Fotografitë: Nok Selmani

“Shuni se lajmet”, titullohet ekspozita që mbrëmë ka frymuar për herë të parë, krejt ëmbëlsisht në hapësirën e KultPlus Caffe Gallery. Kuruar deri në detajet më të imëta nga drejtoresha e KultPlus-it, Ardianë Pajaziti, ekspozita na çon prapa në kohën e lajmeve të Radio Televizionit të Prishtinës, një periudhë kjo që ka shërbyer si shtyllë e vetme, prej ku janë informuar qytetarët tanë, me vite të tëra. Nëpërmjet kësaj ekspozite, është shënuar njëkohësisht edhe përvjetori i dhjetë i themelimit të gazetës së parë për art dhe kulturë, KultPlus.  

Tashmë ka kaluar një dekadë, por puna, përkushtimi, e mbi të gjitha dashuria për shkrimin, informimin dhe krijimin e një vendi në të cilin lexuesi ndjehet i sigurtë, ka bërë që këto plotë dhjetë vite, të jenë fole e dashamirëve të artit. Këtë më së miri e dëshmoi mbrëmë edhe ceremonia që mblodhi afër vetes një numër të lartë të komunitetit artistik e jo vetëm. Ata nëpërmjet ekspozitës, përjetuan një rikthim në një kohë ku fytyrat e folësve ikonikë si: Drita Gërmizaj, Vera Hima, Faik Hima, Mustafë Muçaj, Antigona Qena, Besa Çeku dhe Fadile Kryeziu, kanë qenë indikatorë në formimin e një mediumi si RTP, shkruan KultPlus. 

Këto figura të shquara, me një pasion të paparë në vete, kanë krijuar një rrugëtim të cilin zor se e harrojmë dot, e prej të cilit janë krijuar qindra kujtime thellë brenda kujtesës së popullit. Nostalgjia, si emocion që rrëqeth deri në asht, ka qenë ajo vija kryesore nëpër të cilën kanë ecur mbrëmë trupat e të pranishmëve. Gjithsej 18 fotografi të vendosura nëpër muret e KultPlus Caffe Gallery, kanë shfaqur fytyrat e personave që kanë prezantuar lajmet, çdo herë, fiks në orën 19:30. Vëzhgimi i fotografive bardh e zi, të ngjallte emocione të llojllojshme. Laramania e tyre të dërgonte direkt tek kohët kur dëgjimi i lajmeve nuk ka qenë edhe gjëja më e bukur e mundshme, por tejet e domosdoshme për secilën familje. 

Kurimi i “Shuni se lajmet” nga Ardianë Pajaziti, e cila vjen për herë të parë në rolin e kuratores, ka qenë tejet unik. Duke shkuar në çdo shtëpi të këtyre personazheve të RTP-së, duke mbledhur çdo fotografi, shpesh edhe të turbullta, për të vazhduar me qartësimin dhe rikthimin e shkëlqimit brenda fotografive, e deri tek një pozicionim i këndshëm i kornizave në mure, është thjeshtë për t’u mahnitur. Në rolin e kuratores, Pajaziti ka çelur një kuti kujtimesh për qytetarët, që asnjëherë nuk ka qenë e mbyllur shpirtërisht për ta.

Përveç hapjes së ekspozitës, u festua edhe ceremonia e një rrugëtimi prej dhjetë vjetëve të KultPlus-it, një rrugëtim ky që ka pasur sfida dhe suksese, një rrugëtim i përkushtuar për të promovuar artin dhe kulturën brenda dhe jashtë Kosovës. Gazeta e parë për art dhe kulturë, KultPlus vazhdon të mbetet një dritare e hapur e fjalës së lirë, një shtëpi e korrektësisë dhe strehë për zhvillimin e kreativitetit individual. 

Nën moderimin e gazetarit e poetit, Arbër Selmani, njashtu si lajmet e kohëve të hershme, nisën edhe disa fjalime fiks në orën 19:30. 

“Unë kam punuar në KultPlus, për gjashtë vite shumë të mira të jetës time. Nëpër këto vite, e kam zhvilluar veten si gazetar, por gjithmonë me ndihmën e shoqes dhe koleges time, Ardianë Pajaziti, e cila na ka mbledhur sonte të gjithëve, këtu. Ju falënderoj secilin që keni gjetë kohën me ardhë, që keni lënë angazhimet anash dhe jeni bashkuar në këtë ekspozitë që lidhet shumë mirë me atë se çfarë bëhet në KultPlus, për këto dhjetë vite”, thotë Selmani. 

Sipas tij, kjo gazetë është përkujdesur që gjithmonë krahas lajmeve të momentit, realitetit, të mos i lë në në harresë as ato figura që ndoshta historia pakëz i ka lënë anash. 

“Jetojmë në një kohë komplet ndryshe prej kohës që paraqitet në këto fotografi”, thotë ai. 

Ndërsa, për këtë mision fisnik të sajin dhe shënimin e 10 vjetorit të gazetës të krijuar nga ajo vetë, kuratorja e ekspozitës, Ardianë Pajaziti është shprehur tejet e lumtur. 

“Faleminderit për prezencën e juaj këtu sonte, sepse ky moment është shumë i rëndësishëm jo vetëm për mua, por edhe për krejt ekipin e KultPlus-it. Unë dua t’i falënderoj edhe të gjithë gazetarët e tjerë që kanë punuar dhe kanë dhënë kontributin e tyre në formësimin e KultPlus-it. Kam menduar që mjaftueshëm jam gazetare por ky vend më ka rritur tejet shumë profesionalisht, duke pasur parasysh që kam hasur në lajme të ndjeshme, në një komunitet shumë të ndjeshëm, siç është arti dhe kultura. Andaj, sa ka përfituar lexuesi, aq ka përfituar edhe ekipi jonë dhe unë së bashku me ta, për plot 10 vite, duke e sjellë KultPlus-in aty ku është sot”, thotë ajo. 

Sipas saj, kjo është hera e parë që i ka dhënë të drejtë vetes për të marrur titullin e kuratores e për të jetësuar ekspozitën “Shuni se lajmet”. 

“Unë këtu po shoh njerëz që e dinë shumë mirë shprehjen ‘Shuni se lajmet’, sepse aq e rëndësishme ka qenë ajo periudha e kohës 19:30. Realizimi i ekspozitës ka qenë një kënaqësi shumë e madhe për mua, gjithmonë duke e falënderuar familjen e Drita Gërmizajt, që ka qenë realisht një shtysë për pikënisjen e kësaj ekspozite. Drita nuk është në mesin tonë, por kam dashur që fillimisht aty të sigurohem për mbledhjen e këtyre fotografive të vjetra. Së pari, fotografitë janë marrë në një format ‘hardcopy’, pastaj fotografi Hazir Reka ka qenë një ndihmë e madhe për mua, pasi që më ka ndihmuar për t’i qartësuar këto fotografi e për t’i sjellë në nivelin që po i shihni sot”, përfundon Pajaziti.  

I pranishëm në “Shuni se lajmet”, ka qenë edhe prezantuesi i njohur i lajmeve, Mustafë Muçaj, i cili me zërin e tij plot zhurmë e tejet të njohur për veshin e dëgjuesve, ka thënë se tashmë me shumë dëshirë, i lexon lajmet që shfaqen për sukseset e Kosovës, përkundër atyre që ai vetë është dashur t’i lexonte në kohën e RTP-së. 

“46 vjet kam qenë mu në atë karrigen aty në fotgrafi, asnjëherë nuk kam lëviz. Kam pasur oferta të ndryshme punësimi, mirëpo kam mbetur besnik i fjalës dhe njeri i popullit. I kam kalu të mirat e të këqijat me gjithë spektatorët. Përpara, e kemi pasur vetëm një televizion, vetëm një dritare informimi, që niste në orën 19:30, dhe unë i kujtoj shumë mirë krejt këto fotografi e personazhe. Televizioni i Prishtinës dikur dhe ai sot, janë gur themeli i fryteve që ne sot i gëzojmë. Në kohën time, kam luftuar për çdo gjë që ka qenë kundër Kosovës, andaj sot me shumë dëshirë i lexoj lajmet e sukseseve të shtetit tonë”, ka thënë Muçaj. 

Në një prononcim për KultPlus, piktorja Zake Prelvukaj ka thënë se kjo gazetë vazhdon të jetë një muze virtual e praktik. 

“KultPlus është një medium që asnjëherë nuk len që kujtesa të zbehet. Ekspozita ishte mjaft atraktive dhe më se e dëshiruar nga artdashësit, qytetarët e njerëzit intelektualë. Ne jemi rritë me ata persona që kanë prezantuar lajmet qendrore, por atëherë ata kanë pasur një pa-përpunim natyral dhe nuk ka qenë teknologjia që është sot. Kanë pasur thjeshtë, një puro talent për prezantim, andaj kanë krijuar një arkiv të rëndësishme të bazave të para. KultPlus, në anën tjetër është rikthyer me një angazhim publik, mendor dhe një hulumtim të ri të periudhave kohore. Asnjëherë nuk është dorëzuar, edhe pse me ngritjet e uljet e veta. Çdo herë ka prezantuar njohuri të rëndësishme, qoftë nga e kaluara, e tashmja apo e ardhmja. Hulumtimi në terren është i fuqishëm dhe i uroj jetë të gjatë KultPlus-it, sepse puna e tyre është e domosdoshme për rrethin në të cilin jetojmë. KultPlus-i është një muze virtual e praktik”, thotë ajo.

Po ashtu, poetja Sibel Halimi është shprehur se KultPlus-i është një dritare krijuese që i ka qëndruar besnike të gjithë atyre që duan të kontribuojnë në art. 

“”Shuni se lajmet” është frazeologjia e kujtesës sonë individuale në rëndesën e ngjarjeve të vështira që i kaluam si shoqëri. Ekspozita me portretet e folësve ikonikë të RTP, na kthyen në të kaluarën ku fati ynë varej në atë çfarë na prezantonin në lajmet qendrore Drita Gërmizaj, Vera Hima, Faik Hima, Mustafë Muçaj, Antigona Qena, Besa Çeku dhe Fadile Kryeziu. Poashtu, kënaqësi që së bashku kremtuam edhe një dekadë pune e angazhimi të portalit ‘KultPlus’. Për plot 10 vite, ‘KultPlus’ u bë dritarja jonë krijuese që na qëndroi besnike të gjithë neve që duam sado pak të kontribuojmë në kulturë dhe art”, ka thënë Halimi.

Në këtë mbrëmje të veçantë, nuk ka munguar as degustimi i rakisë së brendit të njohur “The Vidasus Distillery Nivokaz”, një emër i njohur që synon të përfaqësojë trashëgiminë dhe shijet autentike të kësaj toke. Me sloganin e thjeshtë “Piju shqip”, ka ardhur para nesh një përshëndetje me shije të vërtetë dhe një përjetim autentik.  

Nata nën dritën e hënës ka vazhduar me rikthimin e kujtimeve të bollshme, festimin e arritjeve të ndryshme si dhe muzikë të mirëfilltë shqiptare e të huaj. Kështu, i erdhi fundi një dekade dedikim ndaj artit, kulturës dhe gazetarisë në shërbim të komunitetit tonë, për të nisur me këmbë të mbarë, dekadën e radhës, akoma të panjohur për ne. 

Ky event është mbështetetur nga Komuna e Prishtinës, Stone Castle, Frutomania, The Vidasus Distillery dhe Uji i Alpeve. / KultPlus.com 

Vdes ikona e gazetarisë kosovare, Shaban Arifaj

Lorik Arifaj, gazetar i Radio Televizionit të Kosovës ka njoftuar se sot në moshën 69 vjeçare ka vdekur babai i tij, Shaban Arifaj, i cili për vite me radhë ka qenë ikona e televizionit kosovar.

“Te dashur miq,

Me dhimbje te thelle, ju njoftojme se sot ne moshen 69 vjecare ka nderruar jete baba jone Shaban Arifaj. Per detajet rreth varrimit ju njoftojme nderkohe, pasi qe trupi ndodhet ne Shkup.Ju jemi mirenjohes per mesazhet mbeshtetese qe na keni dhene gjate gjithe kohes.Ne u munduam ne maksimum, por Zoti e deshi kete engjull prane.Do te te duam baba jone deri sa te kemi fryme. PUSHO NË PAQE”, ka shkruar Lorik Arifaj.

Shaban Arifaj kishte lindur më 6 maj, 1952, në Istog ku kishte kryer shkollimin fillor dhe të mesëm.

Kishte studiuar gjuhën dhe letërsinë shqipe në Fakultetin Filologjik të UP-së. Kishte mbaruar edhe studimet e larta për gazetari si dhe studimet post-universitare nga lëmi i komunikimeve masive dhe kishte fituar titullin Master (Msc) i shkencave në komunikimin masiv dhe gazetari.

Në vitin 1974, Shaban Arifaj nis punën në Radiotelevizionin e Prishtinës si spiker, gazetar dhe redaktor. Pas mbylljes së RTP-së nga regjimi serb, ai shkruan për gazetat dhe revistat që botoheshin në Prishtinë si “Shkëndija”, “Kosovarja”, “Fjala”, “Dielli” etj. Ndërkohë, ai filloi të raportojë për Radio Zagrebin nga Prishtina dhe Brukseli ku kishte hapur radio stacionin “Radio Kosova” ku kryente punën e kryeredaktorit duke raportuar njekohësisht për ngjarjet kryesore nga Brukseli. Ai ka punuar edhe si korrespondent i radios “Zëri i Kosovës” në Kopenhanger Kanalen (Danimarkë) dhe për radion publike të Suedisë. Shaban Arifaj ka raportuar për ngjarje të ndryshme nga Viena, Uashingtoni, Montreali, Otava, Brukseli etj. ndërkaq nga viti 1992-1997, ishte redaktor përgjegjës në Radiotelevizionin shqiptar (RTSH), redaksia e Kosovës.

Nga viti 1999, ai kishte punuar si redaktor dhe redaktor përgjegjës për 10 vjet rresht në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK). Krahas punës në RTK dhe RTSH, ai kishte ndjekur edhe një varg seminaresh për ngritje të vazhdueshme profesionale si në Virginia të SHBA-ve, Montreal të Kanadasë, Selanik të Greqisë etj. Në Institutin e Medies së Kosovës, kishte përfunduar trajnimin duke e marrë titullin e trajnerit të gazetarisë.

Krahas gazetarisë, ku kishte realizuar raporte, kronika, intervista etj., ai kishte shkruar edhe tekste të ndryshme publicistike, pastaj tregime, drama, romane siç janë “Eklipsi në mesditë”, “Dialogu me fqinjin”, “Harmonia në temperaturën minimale”, “Katraligu”, “Kosova në udhëkryqet ballkanike”, dhe librin shkencor “Gjuha, zëri dhe figura në radiotelevizion”. / KultPlus.com

Fytyrat e para të Radio Televizionit të Prishtinës

Më 5 korrik të vitit 1990, forcat serbe me urdhër të Qeverisë së tyre ndaluan transmetimin e Radio Televizionet të Prishtinës. RTP ishte radio televizioni i parë shqiptar i Kosovës. Ndërprerja e programeve nga ky televizion u realizua me masa të dhunshme të ndërmarra nga qeveria serbe në vitin 1990.

Radio Prishtina filloi punë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore më 1945 në Prizren, pastaj u transferua në Prishtinë. Pas luftës në Kosovë materiali dhe ndërtesat e Radio Televizionit të Prishtinës janë nën administrimin e Radio Televizionit të Kosovës.

Deri atëherë, i vetmi medium informativ ishte Radio Prishtina (në funksion prej vitit 1945). Do të kalonin 19 vjet deri kur Televizioni i Prishtinës filloi transmetimin në vitin 1974.

Fatmir Nushi, Masar Murtezai, Vera Gjevori, Faik Hima, Antigona Nimani, janë disa nga pjesëtarët e ekipit të Radio Televizionit të Prishtinës, në fillimet e tij.

Pas mbarimit të luftës së Kosovës në vitin 1999, u hap rruga për themelimin e televizioneve kosovare në mënyrë të lirë. Njëri prej tyre ishte Radio Televizioni i Kosovës i cili mori vend në të njëjtën ndërtesë si ish-RTP, në rrugën “Xhemajl Prishtina” në Prishtinë.

Në fillim të vitit 1974, RTP nuk ka pasur teknologji elektronike, por i gjithë materiali për program xhirohej me teknikë filmike e pastaj dërgohej në TV Beograd ku filmi zhvillohej e më vonë montohej për transmetim.

Transmetimi deri më 29 nëntor 1975 bëhej nga TV Beogradi. Ndërkaq, në verën e vitit 1974 nga Anglia pati ardhur autoreportazhi (OB Van) i parë me 4 kamera bardhë-e-zi. / KultPlus.com

Fotografi të punëtorëve të Radio Televizionit të Prishtinës

Radio Televizioni i Prishtinës, institucioni që u themelua 76 vjet më parë, me 5 shkurt 1945, mund të harrohet sot prej gjeneratave të reja.

Radio Televizioni i Prishtinës, shkurtuar si RTP ose TVP, ishte radio televizioni i parë shqiptar i Kosovës. Ndërprerja e programeve nga ky televizion u realizua me masa të dhunshme të ndërmarra nga qeveria serbe në vitin 1990. Radio Prishtina filloi punë menjëherë pas luftës së dytë botërore më 1945 në Prizren, pastaj u transferua në Prishtinë. Pas luftës në Kosovë materiali dhe ndërtesat e Radio Televizionit të Prishtinës janë nën administrimin e Radio Televizionit të Kosovës.

Disa fotografi poshtë, marrë nga grupi RTP në Facebook, tregojnë stafin punues në RTP.

Fotografitë janë huazuar nga Sabri Vllahiu, Sahit Kokolli, Pren Gjidoda e të tjerë.

Do kalonin 29 vite deri kur Televizioni i Prishtinës filloi transmetimin në vitin 1974. 

Në fillim të vitit 1974 TVP nuk ka pasur teknologji elektronike, por i gjithë materiali për program xhirohej me teknikë filmike e mandej dërgohej në TV Beograd ku filmi zhvillohej e më vonë montohej për transmetim. Transmetimi deri më 29 nëntor 1975 bëhej nga TV Beogradi. Në verën e vitit 1974 nga Anglia pati ardhur autoreportazhi (OB Van) i parë me 4 kamera bardhë-e-zi.

28 vite nga pushtimi i Radio Televizionit të Prishtinës nga forcat serbe

Si sot, 28 vite më parë forcat policore serbe pushtuan Radio Televizionin e Prishtinës, shkruan KultPlus.

Më 5 korrik 1990, forcat policore serbe pushtuan Radio Televizionin e Prishtinës, ndaluan transmetimin e programeve dhe me forcë dëbuan 1300 punonjës të saj. Foto nga një prej demonstratave në Prishtinë gjatë vitit 1990./ KultPlus.com

Fytyrat e para të Radio Televizionit të Prishtinës

Fatmir Nushi, Masar Murtezai, Vera Gjevori, Faik Hima, Antigona Nimani… janë disa nga ekipi i Radio Televizionit të Prishtinës, në fillimet e tij, shkruan KultPlus.

Radio Televizioni i Prishtinës, shkurtuar si RTP ose TVP, ishte radio televizioni i parë shqiptar i Kosovës. Ndërprerja e programeve nga ky televizion u realizua me masa të dhunshme të ndërmarra nga qeveria serbe në vitin 1990. Radio Prishtina filloi punë menjëherë pas luftës së dytë botërore më 1945 në Prizren, pastaj u transferua në Prishtinë. Pas luftës në Kosovë materiali dhe ndërtesat e Radio Televizionit të Prishtinës janë nën administrimin e Radio Televizionit të Kosovës./ KultPlus.com