Udhëtimi është një nga mënyrat më të mira për të përjetuar kultura të reja, për të mësuar rreth botës dhe për t’u rritur si individ, shkruan Sophie-May Williams në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Metro”.
Por, për shumë turistë, paratë mbeten një pengesë goxha e madhe. Realiteti është se shumë prej tyre nuk zgjedhin destinacionet e duhura dhe më të lira – ku mund të përfitojnë.
Ka kaq shumë përfitime nga zgjedhja e vendndodhjeve me kosto të ulët, nga udhëtimet me distancë më të shkurtër, rezervimi i akomodimit më të këndshëm dhe madje edhe mundësia për të përballuar një pije me drekë.
“Metro” dhe Paul Scott, themeluesi i “My Budget Break”, përpiluan një listë me shtatë vendet më të mira për të vizituar në vitin 2025 – për të rinjtë me një buxhet të kufizuar, por me një dëshirë të madhe për të udhëtuar.
Shqipëria
Vitet e fundit, Shqipëria është kurorëzuar me statusin e ‘Perlë e fshehur’. Riviera mahnitëse Shqiptare është pagëzuar gjithashtu me emrin “Maldivet e Evropës”, gjithashtu falë çmimeve mbresëlënëse.
Ndërsa vendi ballkanik po përjeton kohët e fundit një rritje të turizmit, fluturimet dhe akomodimet janë të lira.
“Fluturoni në Tiranë dhe shkoni në jug te vendit për disa pamje të mahnitshme. Vendet si plazhi i Dhërmiut mund të jenë të populluar, por janë të bukur, duke ofruar pamje nga deti dhe një sfond magjepses të Maleve të Vetëtimës.
Ose mund të udhëtoni drejt Durrësit, në veri të Tiranës, për më shumë vende bregdetare.
Megjithatë, zhvillimi i Shqipërisë nga një vend i izoluar në një destinacion kryesor për pushime nuk është arritur pa sfidat e saj.
Gazetarja e medias britanike “Metro”, Alice Murphy e vizitoi vendin vitin e kaluar dhe vuri në dukje se bumi i turizmit ishte një “thikë me dy presa”.
Ndërsa turistët e huaj janë joshur nga videot virale të ujërave bruz dhe rërës së bardhë dhe të pacenuar – kush nuk do të ishte? – rritja e fluksit turistik ka prodhuar një sërë ndërtimesh që mund të kërcënojne peizazhin spektakolar.
Megjithatë, ekspertët e udhëtimeve thonë se koha më e mirë për të vizituar Shqipërinë është fundi i pranverës, prill-maj dhe fillimi i vjeshtës, shtator-tetor.
Në këtë mënyrë, ju mund të shmangni turmat e vizitorëve dhe të kontribuoni drejt një qasjeje më të qëndrueshme turistike.
Ju rekomandojme të merrni me qira një makinë për të përfituar sa më shumë nga pushimet tuaja në Shqipëri. Çmimet fillojnë nga 6-7 paund në ditë.
Përballueshmëria e Shqipërisë do të thotë gjithashtu se akomodimi nga një bujtinë në një hotel është padyshim një opsion.
Shtatë vendet më të mira për t’u vizituar për të rinjtë me një buxhet të kufizuar, por me një dëshirë të madhe për të udhëtuar:
1-Shqipëria; 2-Verona dhe Liqeni Garda, Itali; 3-Antalia, Turqi; 4-Krakow, Poloni; 5-Hammamet, Tunizi; 6-Bregu i Atlantikut të Portugalisë dhe Lisbona; 7-Sofje, Bullgari./atsh/KultPlus.com
Stenda e Shqipërisë në panairin ndërkombëtar të turizmit ITB Berlin 2025 tërhoqi vëmendjen e shumë vizitorëve.
Ndërthurja unike e plazheve, maleve, historisë, trashëgimisë kulturore, kulinarisë së pasur dhe mikpritja karakteristike shqiptare, janë forca e vërtetë e turizmit shqiptar.
Agjencia Kombëtare e Turizmit ndau sot në rrjetet sociale prononcimin e disa të huajve, të cilët shprehen se, Shqipërinë e kanë në listën e dëshirave të tyre për ta vizituar.
“Unë jam nga Kina, mora pjesë në ceremoninë e hapjes së panairit dhe më ka bërë përshtypje fjala e Kryeministrit, ishte shumë interesant. Mendoj se ky vend duhet vizituar. Shpresoj t’ju takoj në këtë vend të mrekullueshëm”, u shpreh një vizitore kineze.
Ndërsa një vizitor tjetër tha se, “për fat të keq nuk kam qenë më parë në Shqipëri, por është në listën e dëshirave të mia”.
“Shqipërinë e kam parë nga lartësia kur kam udhëtuar në Greqi apo Gjermani. Jam shumë kureshtar dhe me siguri është destinacioni i ardhshëm. Kryesisht jam kureshtar për bukuritë natyrore. Kam parë që keni male, por dhe deti duket i këndshëm, uji i detit është i pastër kristal. Po ashtu trashëgimia kulturore duket mjaft interesante”, tha ai.
Një e huaj tjetër u shpreh se, është e interesuar të vizitojë fshatrat e vegjël turistikë. “Nuk dua ta vizitoj Shqipërinë në verë, por në mars dhe në prill”, tha ajo.
“Unë mendoj se në Shqipëri ka shumë gjëra për të parë, ju keni detin, keni Alpet, male dhe ushqim shumë të mirë dhe nuk është shumë larg nga Finlanda, unë jam nga Finlanda. Stenda e Shqipërisë në panair është e këndshme dhe e madhe dhe përmban të gjitha logot e Shqipërisë: ka muzikë, ushqim të mirë dhe duket shumë bukur”, pohoi vizitorja finlandeze.
Ndërsa një çift shprehu kureshtje për të vizituar Shqipërinë, pasi siç thanë ata, “kemi parë në televizor që Shqipëria ka vende shumë”.
“Është një vend i këndshëm dhe na pëlqen shumë, kemi parë shumë dokumentarë për Shqipërinë. Ju keni realizuar një stendë të madhe të bukur shumëngjyrëshe dhe mendoj se përfaqësoni kulturën e vendit tuaj. Jam kureshtar dhe dua ta vizitoj, pasi nga ajo që kam parë në televizion, njerëzit janë të sjellshëm, kostumet tradicionale janë të bukura dhe duket një vend me trashëgimi të pasur kulturore. Duam ta njohim më mirë Shqipërinë”, tha ata.
Maldivet janë një destinacion ëndrrash për shumë turistë, por gjithashtu është një fluturim i gjatë dhe i shtrenjtë. Megjithatë, ekziston një alternativë shumë më e lirë që është më pranë – dhe po aq e bukur, shkruan Milo Boyd për të përditshmen britanike “Express”.
Maldivet, me shtrirjet e gjera të plazheve të pacenuara me rërë të bardhë dhe detin blu idilik, natyrisht tërheqin vizitorë nga e gjithë bota. Megjithatë, ekzistojnë një sërë arsyesh bindëse pse disa mund të tërhiqeni nga një udhëtim i tillë.
Udhëtimi drejt këtij arkipelagu përfshin një fluturim të gjatë, me një çmim të lartë; me të paktën 2,000 paund për një javë qëndrimi në ato vila të lakmuara mbi ujë gjatë pikut të sezonit – nga dhjetori në prill.
Shqetësimet mjedisore janë gjithashtu të mëdha pasi vendi po përballet me kërcënime ekzistenciale nga nivelet e përshkallëzuara të detit, duke i nxitur vizitorët e ndërgjegjshëm për klimën – të rishqyrtojnë planet e tyre të udhëtimeve.
Megjithatë, ekziston një alternativë më pranë për këtë parajsë të largët. Shqipëria, e quajtur “Maldivet e Evropës”, krenohet me plazhe po aq mahnitëse dhe ujërat e pastra kristal përgjatë Rivierës së saj të mrekullueshme.
Edhe pse vazhdimisht po fiton popullaritet, kjo perlë mbetet një opsion ekonomik në krahasim me pikat e tjera të nxehta evropiane.
“Qëndrimet luksoze ofrohen me çmime të përballueshme – me disa akomodime në plazh që kushtojnë 20 paund nata”, raporton “Mirror”.
Edhe ngrënia jashtë nuk do të dëmtojë buxhetin tuaj, ushqimet dhe pijet shpesh kushtojnë rreth 15 paund.
Shqipëria, me ujërat e saj të kristalta dhe plazhet e bardha të pacenuara, është bërë një temë e nxehtë mes turistëve falë videove virale në TikTok – që e krahasojnë atë me Maldivet, me Ksamilin që e shpall një nga vendet më të lira evropiane.
Dhe, për fat, fluturimet për në Shqipëri janë çuditërisht të përballueshme, me “Ryanair” që ofron bileta vajtje-ardhje për në Tiranë për 30 paund.
Linja ajrore buxhetore ofron fluturime drejt Tiranës nga Birmingham, Bristol, Mançester, Edinburg dhe Londër Stansted.
Për më tepër, “Wizz Air” ofron fluturime ditore nga Luton për në Tiranë të disponueshme për nën 50 paund në maj.
Shqipëria krenohet me kostot më të ulëta të jetesës në Evropë, me dhomat e hoteleve në qendër të qytetit në Tiranë që kushtojnë më pak se 30 paund, përfshirë mëngjesin.
Apartamentet buzë plazhit përgjatë bregut të Adriatikut ofrojnë pak më shtrenjtë.
Nëse zgjidhni të qëndroni në Dhërmi, mund të eksploroni çdo ditë një plazh të ri. Një drekë e këndshme buzë plazhit në zonë kushton vetëm rreth 10 paund për person./atsh/KultPlus.com
Agjencia Kombëtare e Turizmit prezantoi në panairin ndërkombëtar të turizmit ITB Berlin 2025, kalendarin digjital të aktiviteteve turistike dhe kulturore të Shqipërisë, TEA.
Në një postim në rrjetet sociale AKT ndau pamje nga prezantimi i TEA-s, i cili është krijuar që prej qershorit 2023 dhe është një mundësi e mirë, që turistët të njihen me të gjitha dimensionet e ofertës turistike të vendit tonë.
“Gjatë prezantimit u theksua rëndësia e këtij aplikacioni për të gjithë turistët që vizitojnë Shqipërinë sepse nxjerr në pah jo vetëm bukuritë natyrore, kulturore dhe shërbimet esenciale që ajo ofron por dhe rëndësinë dhe kontributin që ky aplikacion sjell për një turizmin e qëndrueshëm dhe jetëgjatë”, thekson AKT.
Aplikacioni TEA, i vetmi udhërrëfyes digjital i Shqipërisë turistike, është një shembull i shkëlqyer se si teknologjia mund të përdoret për të përmirësuar dhe modernizuar përvojën turistike, duke ofruar informacion të shpejtë, të saktë dhe të përshtatur për turistët.
Që nga prezantimi i tij, ky aplikacion u ka mundësuar turistëve të kenë një përvojë më të pasur dhe të lehtë në eksplorimin e destinacioneve turistike të vendit. Me TEA, turistët navigojnë nëpër destinacione të ndryshme turistike të Shqipërisë. Ata njihen me monumentet historike, aktivitetet kulturore dhe artistike, por edhe informacion mbi shërbimet, si: hotele, bare e restorante, kontakte, etj./atsh/KultPlus.com
Barometri Botëror i Turizmit tregon se vendet klasike të pushimeve verore si Spanja, Greqia dhe Turqia tërheqin turistë më së shumti, por kur bëhet fjalë për rritjen e përqindjes më të lartë të turistëve gjatë pesë viteve të fundit, mbizotërojnë destinacione të tjera dhe këtu kryeson Shqipëria, shkruan Jean-Claude Raemy për faqen e njohur zvicerane blick.ch.
”Udhëtimi në Ballkan është trend! Kjo del nga shifrat e Barometrit të ri Botëror të Turizmit, të publikuar nga Organizata Botërore e Turizmit e OKB-së.
Këto vende evropiane kanë parë rritjen më të madhe të vizitorëve që nga viti 2019:
Shqipëria (+80%)
Andorra (+35%)
Malta (+29%)
Serbia (+29%)
Luksemburgu (+24%)
Lihtenshtejni (+20%)
Portugalia (+18%)
Danimarka (+17%)
Bosnje-Hercegovina (+15%)
Turqia (+14%)
Shqipëria është dukshëm në krye, ndërsa dy vende të tjera të Ballkanit, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina janë pjesë e dhjetëshes.
Shqipëria në kulm turistik
Marco Wipfli ka vite që është specializuar në udhëtimet e pushimeve në Ballkan me kompaninë e tij të udhëtimit ”Meersicht”, me seli në Zyrih. Ai vë në dukje një rritje të madhe të kërkesës turistike për Shqipërinë në Zvicër.
Vendi po përgatitet për mirëpritur më shumë turistë.
”Unë nuk di asnjë rajon në botë ku aktualisht po zhvillohen aq shumë ndërtime sa në Rivierën Shqiptare”, u shpreh Wipfli.
Sapo të përfundojnë komplekset hoteliere, turistët do të rriten masivisht. Këtë vit do të hapet një aeroport i ri në Vlorë. Kur kjo gjë të ndodhë, udhëtarët do të gjenden në plazhet më të bukura të Shqipërisë në më pak se 30 minuta. Më parë zgjaste rreth pesë orë nga aeroporti i Tiranës.
Profesionistja e udhëtimeve përmend çmimet e ulëta si arsye të kërkesës së lartë.
”Fortesat” rajonale të turizmit në Kroaci dhe Malin e Zi janë bërë shumë më të shtrenjta, mbi të cilat Shqipëria ofron një alternativë më të lirë.
Megjithatë, Wipfli supozon se çmimet në Shqipëri do të rriten në vitet e ardhshme./atsh/KultPlus.com
Shqipëria turistike i flet botës nga Berlini, me krenarinë e vendit të nderit në panairin më të madh botëror të turizmit ITB Berlin.
Shqipëria si vendi i nderit i ITB Berlin 2025 prezanton evente, diskutime dhe përvoja gjithëpërfshirëse nën sloganin “Albania All Senses” në panairin që nis të martën e 4 marsit dhe përfundon të enjten, më 6 mars.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ceremonia e hapjes së këtij panairi.
Në një prononcim për televizionin gjerman ZDF Rama u shpreh se, “është e mahnitshme. Ne jemi këtu në një pozicion që disa vite më parë do të ishte e paimagjinueshme”.
Pas fjalimeve në ceremoninë e hapjes në CityCube Berlin u prezantua një vitrinë magjepsëse e pasurive kulturore të vendit tonë nën sloganin “Albania All Senses”.
Elementet kryesorë të prezantimit të Shqipërisë përfshinë një udhëtim kinematografik nëpër Shqipëri, performanca e drejtpërdrejtë me “Shkodra Elektronike” – përfaqësuesit e Shqipërisë në Eurovision 2025 –, muzikë tradicionale të njohur nga UNESCO dhe performanca të vallëzimeve tradicionale shqiptare nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve.
Shqipëria prezanton trashëgiminë e saj të pasur natyrore e kulturore në tri ditët e këtij panairi global të turizmit dhe ceremoninë e hapjes më 3 mars.
Nën sloganin “Albania All Senses”, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të prezantojë buqetën e ofertave turistike të vendit nga data 4 deri më 6 mars 2025.
Përmes një agjende të pasur, Shqipëria do të përpiqet të përfshijë të gjithë pjesëmarrësit e këtij panairi që t’i bashkohen një udhëtimi gjithëpërfshirës përmes larmisë së ofertave, një programi të zgjeruar eventesh, performancash dhe aktivitetesh./atsh/KultPlus.com
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, nga Berlini tha sot se janë mbi 100 operatorë shqiptarë në fushën e turizmit që po prezantojnë paketat e tyre turistike.
Ministrja Kumbaro gjatë hapësirës “Sy m’sy”, që kryeministri Rama zhvilloi drejt për drejt nga stenda shqiptare në Berlin, tha se Shqipëria u prezantuan denjësisht në një panairin më të madh në botë në fushën e turizmit.
“Janë mbi 100 operatorë që po prezantojnë të gjitha paketat, itineraret, nuk është punë e lehtë. Fjala që na ka bashkuar të gjithëve është dinjiteti. Prezantimi nga shteti shqiptarë me dinjitet, prezantimi i ofertës kulturore me dinjitet. E kishim të nevojshme ta tregonim, por dhe ta konfirmonim. I gjithë ekipi shqiptarë po shfaqet në mënyrë dinjitoze në këtë panair”, tha Kumbaro ./atsh/KultPlus.com
Çdo vit, miliona udhëtarë nga e gjithë bota ndihmojnë në formimin e listës përfundimtare të Destinacioneve më të Mira në Evropë (Best Destinations in Europe), dhe 2025 nuk bën përjashtim. Kjo renditje prestigjioze pasqyron votat e mbi 1,2 milionë udhëtarëve nga 158 vende duke nxjerrë në pah vendet më tërheqëse për përvojat e paharrueshme të udhëtimeve turistike evropiane, shkruan faqja e njohur e turizmit https://www.europeanbestdestinations.com/.
”Pavarësisht nëse jeni duke kërkuar për pushimet më të mira të qyteteve në Evropë, arratisjet më të qeta në natyrë ose destinacionet kryesore të pushimeve me diell, kjo listë ka diçka për çdo udhëtar. Nga qendrat ikonë kulturore deri te xhevahiret e fshehura, këto destinacione ofrojnë përzierjen perfekte të historisë, kulturës, gastronomisë dhe bukurisë natyrore”, shkruan kjo faqe, që zgjedh Dhërmiun mes 20 vendeve më të kërkuara turistike.
Dhërmiu
Ikni në bukurinë e paprekur të Dhërmiut, në Shqipëri, një thesar i fshehur në Rivierën Shqiptare ku ju presin ujërat e kaltra, plazhet mahnitëse dhe hijeshia mesdhetare.
Relaksohuni në brigjet idilike si Dhërmiu dhe Plazhin e Dhrimadhes, perfekt për not ose paddleboarding.
Shëtisni fshatin në kodër me shtëpitë e tij tradicionale prej guri, pamjet mahnitëse të detit dhe kishat historike.
Shijoni ushqime të freskëta deti, vaj ulliri vendas dhe shijet shqiptare në tavernat buzë detit dhe relaksohuni me bare plazhi elegant ose festivale verore me DJ ndërkombëtarë.
Me atmosferën e tij të qetë dhe shkëlqimin natyror, Dhërmiu është arratisja juaj perfekte mesdhetare, përfundon faqja e njohur turistike./atsh/KultPlus.com
Shqipëria do të mirëpresë botën si vendi i nderit në panairin më të madh global të turizmit ITB Berlin më 4 deri më 6 mars.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale videon promovuese të Shqipërisë në këtë panair.
“Së bashku me Kryeministrin Edi Rama, partnerë, turoperatorë dhe hotelierë përmes performancave artistike dhe paneleve të diskutimit, ofertave turistike dhe takimeve B2B do të prezantojmë përvojat, emocionet dhe shijet unike që e bëjnë Shqipërinë një destinacion turistik të shumëdëshiruar”, shkruan Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “me 190 vende pjesëmarrëse dhe 5.600 ekspozues në ITBBerlin, Shqipëria Turistike do të jetë sërish në qendër të vëmendjes globale”.
Në fokus të panairit do të jenë agroturizmi, kulinaria, pijet tradicionale, tradita në veshje e muzikë, kultura shqiptare e sjell si instrument tërheqës në ofertën turistike shqiptare gjithëvjetore. Po ashtu, pjesë e panairit do të jetë dhe turizmi i aventurës përmes shtigjeve piktoreske që ofron natyra shqiptare. Në fokus do të jetë dhe Riviera e mrekullueshme e vendit tonë. Në total parashikohen 19 zëra të ofertës turistike shqiptare./atsh/KultPlus.com
Portali i mirënjohur gjerman WEB.DE ka renditur Shqipërinë të parën në listën e destinacioneve evropiane me rritjen më të shpejtë të turizmit për vitin 2024.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale artikullin e botuar nw WEB.DE.
Duke iu referuar artikullit, Rama vuri në dukje se Shqipëria ofron një kombinim unik të qyteteve historike, fshatrave tradicionale dhe peizazheve mbresëlënëse, duke e bërë një destinacion tërheqës në hartën turistike të Mesdheut, ku përveç Tiranës vibrante, sugjerohen patjetër Gjirokastra dhe Berati, të dyja pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
“Me rritjen e shpejtë të numrit të vizitorëve, ata që dëshirojnë ta shijojnë ende në qetësi duhet ta planifikojnë udhëtimin sa më parë, sugjeron media gjermane në prag edhe të nisjes së ITB Berlin ku Shqipëria është Vendi i Nderit”, shkruan Rama.
“Shqipëria zë vendin e parë në renditje: Vendi ka fituar popullaritet dukshëm më shumë se çdo kush tjetër vitet e fundit dhe së fundmi ka mirëpritur 80% më shumë turistë se në vitin 2019. Me këtë rritje, Shqipëria renditet gjithashtu e treta në renditjen globale: vetëm Katari (më shumë se 137%) dhe El Salvadori (më shumë se 81%) shënuan rritje edhe më të mëdha. Një nga më të njohurat është riviera shqiptare, e cila shtrihet përgjatë bregut të Jonit dhe bën përshtypje me plazhet, gjiret dhe ujin e pastër”, shkruan WEB.DE.
Në artikullin e WEB.DE theksohet se “edhe qytetet dhe fshatrat shqiptare mirëpresin turistë. Pranë qytetit kryesor të Tiranës, ju mund të vizitoni qytetin historik të Gjirokastrës dhe qytetin e Trashëgimisë Kulturore Botërore të UNESCO-s, Beratin. Me fshatrat e saj tradicionalë, qytetet e gjallëruara dhe peizazhet mbresëlënëse, Shqipëria duket si një alternativë e bukur dhe ekonomike në krahasim me vendet e tjera të Mesdheut. Nëse doni të vizitoni vendin në mënyrë të qetë, ju këshillojmë të programoni sa më shpejt pushimet tuaja duke parë numrin në rritje të turistëve”./atsh/KultPlus.com
Është koha për të vendosur Shqipërinë në radarin tuaj nëse jeni në kërkim të një vendpushimi mahnitës dhe me çmim të arsyeshëm, shkruan Ethan Howick në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Travel Radar”.
Futurimet direkte nga Londra në Tiranë kushtojnë deri në 15 paund. “Wizz Air” po e bën më të lehtë se kurrë zbulimin e kësaj perle ballkanike.
Shqipëria, tani është lehtësisht e aksesueshme për turistët britanikë që kërkojnë një ndërthurje të brigjeve mahnitëse, historisë magjepsëse dhe kulturës së gjallë – falë 21 fluturimeve javore.
Pak më shumë rreth Tiranës
Tirana është një zgjedhje e përshtatshme për një pushim të gjatë veror ose një pushim në fundjavë në qytet – pasi fluturimet nga Londra në Tiranë zgjasin rreth tre orë.
Fleksibiliteti është thelbësor me nisjet ditore. Orari i rregullt i “Wizz Air” garanton një eksperiencë udhëtimi pa shqetësime – pavarësisht nëse jeni duke organizuar një pushim të shkurtër apo një udhëtim më të gjatë në Rivierën befasuese të Shqipërisë.
Pse Shqipëria është destinacioni që duhet vizituar?
Shqipëria po fiton popullaritet në mënyrë të vazhdueshme dhe po krahasohet me fqinjët e saj më të njohur mesdhetarë, megjithëse çmimet janë shumë më të ulëta.
Nuk është për t’u habitur që turistët kanë filluar t’i kushtojnë vëmendje vendit ballkanik – duke pasur parasysh kombinimin e plazheve të pacenuara, fshatrave nga epoka osmane dhe kuzhinës së shijshme.
Plazhe të bukura pa turma vizitorësh: Edhe pse nuk është prekur ende nga turizmim masiv, Riviera Shqiptare është e krahasueshme me brigjet e Greqisë dhe Kroacisë.
Eksploroni bukurinë e pacënuar të plazhit të Gjipesë, një liman sekret i rrethuar nga shkëmbinj të lartë, ose udhëtoni në Ksamil, një parajsë me plazhe me rërë të bardhë dhe ujëra bruz.
Tirana, një qytet në zhvillim: Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, është një ndërthurje e kafeneve moderne, arkitekturës dhe jetës së gjallë të nates.
Bëni një shëtitje në qendër të qytetit, Sheshin Skënderbej, ose vizitoni Bunk’Art, një bunker i Luftës së Ftohtë – i kthyer në muze.
Për të shijuar një pamje të mrekullueshme të qytetit, mos humbisni mundësinë për të hipur në teleferikun e “Dajti Express”.
Historia dhe thesaret kulturore: Nga eleganca e monumenteve të ruajtura mirë osmane të Beratit – “Qyteti i një mbi një dritareve” – deri te rrënojat e listuara në UNESCO të Butrintit, një qytet i lashtë grek dhe romak, Shqipëria është një parajsë për adhuruesit e historisë.
Panorama e veçantë kulturore është krijuar nga ndërthurja e ndikimeve greke, romake dhe osmane.
Një arratisje e përballueshme: Ndryshe nga vendet e tjera evropiane, Shqipëria ka ende çmime shumë të arsyeshme.
Një darkë fantastike me produkte deti kushton më pak se 10 paund – ndërsa akomodimi në plazh më pak se 50 paund nata.
Shqipëria është pozicionuar si një ndër destinacionet më emocionuese këtë verë – falë peizazheve të saj mahnitëse, vendasve miqësorë dhe fluturimeve me çmime më të arsyeshme se kurrë më parë.
A do të jetë Shqipëria udhëtimi juaj i radhës”? Zbuloni këtë thesar ballkanik përpara se të mbipopullohet nga turma vizitorësh! /atsh/ KultPlus.com
Shqipëria synon hapjen për tregje të reja në fushën e turizmit, dhe një kontribut të madh në promovimin e vendit e kanë guidat turistike.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, vlerësoi punën e profesionistëve të sektorit që me përkushtim angazhohen për promovimin e Shqipërisë, të bukurive natyrore e vlerave historike e kulturore.
Sot në Ditën Ndërkombëtare të Udhërrëfyesve Turistikë, Kumbaro shprehu mirënjohje për më shumë se 700 guidat kombëtare e lokale që operojnë në sektorin e turizmit.
“Mirënjohje për +700 guidat tona kombëtare e lokale që u japin të parët mirëseardhjen udhëtarëve e rrëfejnë Shqipërinë në të gjitha ndjesitë, shijet e përvojat e mbi të gjitha për qasjen e përgjegjshme, përkujdesëse dhe inciativat për mbrojtjen e natyrës dhe ruajtjen e trashëgimive të pasura që kemi”, shkroi Kumbaro në rrjetet sociale./atsh/KultPlus.com
Pallate të lashta, dete me ujëra të pastra kristal dhe plazhe të pazbuluara – ekspertët tanë të udhëtimeve ju rekomandojnë destinacionet më të mira për vitin 2025, shkruan Victoria Philpott në një artikull të botuar në revistën britanike të udhëtimit “Saga”.
Nëse jeni duke kërkuar alternativa për udhëtimet tuaja të vitit 2025, ekspertët e “Saga Holidays” sugjerojnë shtatë destinacionet kryesore për të vizituar këtë vit.
Turistët që dëshirojnë aventura të guximshme në një tokë të largët ose në një vend të qetë më pak të njohur, shtatë destinacionet tona të mrekullueshme do t’ju bëjnë të jetoni një përvojë të paharrueshme!
Shqipëria
Destinacioni më i mirë për plazhet e pazbuluara me ujëra bruz dhe çmime buxhetore.
Shqipëria po shndërrohet shpejt në një nga vendet më të njohura në Evropë.
Vendi i vogël evropian ofron gjithçka që ju nevojitet; plazhe mahnitëse dhe një kulturë bizantine – por me çmime të arsyeshme. Disa ekspertë të udhëtimeve e kane krahasuar atë me Kroacinë.
Vendet kryesore përfshijnë; plazhet me ujëra bruz të Ksamilit, “Qytetin e një mbi një dritareve”, Beratin për arkitekturën e tij osmane – dhe kryeqytetin, Tiranën për jetën e gjallë dhe fluturimet e lira.
Kompania britanike e udhëtimeve “Saga Holidays” do të përfshijë në ofertën e saj – në vitin 2025 – një hotel të ri pikërisht në plazhin e Durrësit.
Ky hotel modern dhe elegant ofron një vendpushim kryesor në Rivierën Shqiptare, një destinacion që shpesh krahasohet me Maldivet e Evropës – falë ujërave të tij të pastra kristal dhe bukurisë së pacenuar.
Ndërsa popullariteti i Shqipërisë vazhdon të rritet – kjo është koha perfekte për ta eksploruar – përpara se ajo të përfshihet nga turizmi masiv.
Pse duhet të vizitoni Shqipërinë në 2025?
Një raport i fundit zbuloi se kërkesa e turistëve britanikë për pushime në Shqipëri ka regjistruar një rritje të lartë.
Në 2024, u regjistruan 182 mijë kërkime (searches) më shumë se në 2023.
Shqipëria është aktualisht një nga destinacionet më të lira në Evropë.
Udhëtimi në Shqipëri është i përballueshëm – duke përfshirë akomodimin, ushqimin dhe transportin.
Destinacionet kryesore të udhëtimit që duhen vizituar në vitin 2025:
1. Shqipëria 2. Koreja e Jugut 3. Afrika e Jugut 4. Japonia 5. Kosta Rika 6. Uzbekistan 7. Italia/atsh/KultPlus.com
Shmangni destinacionet e mbipopulluara dhe zbuloni disa nga vendet e qeta, por sensacionale të pushimeve për një arratisje të paharrueshme këtë vit, shkruan Daniel Stables në të përditshmen britanike “Independent”.
“Ferri janë njerëzit e tjerë” – kështu shkruante Jean-Paul Sartre, figurë udhëheqëse në filozofinë dhe marksizmin francez të shekullit XX – i cili mund të kishte qenë më pak një mizantrop nëse do të kishte kaluar më pak kohë në Paris, kryeqytetin më të populluar të Evropës – dhe në vend të tij të shkonte drejt zonave më të qeta të vendit të tij; Camargue – rajoni bregdetar në Francën jugore apo ndoshta, Occitania – rajoni historik në Evropën Jugore.
Sot, turizmi masiv është bërë një problem në cepat e botës ku njerëzit nuk kishin shkelur një ose dy shekuj më parë, dhe aq më pak në Francë.
Antarktida po mbushet me anije lundrimi dhe shpesh shfaqen bllokime të trafikut në majën e Everestit.
Kjo nuk është vetëm e tmerrshme për mjedisin, por është një mënyrë e sigurt për të prishur pushimet.
Ne ju sugjerojmë disa destinacione më pak të vizituara në të gjithë botën, të cilat janë po aq magjepsëse sa vendet homologe më të njohura si: Shqipëria; Omani; Sulawesi, Indonezia dhe Zimbabve.
Shqipëria
Male të larta, plazhe të mahnitshme dhe ishuj që shkëlqejnë në detin Jon – Greqia është e bukur në pranverë, por fqinja e saj ballkanike, Shqipëria, i premton të gjitha këto thesare – me shumë më pak vizitorë dhe një larmi më të madhe peizazhesh natyrore në një sipërfaqe toke më të vogël.
Parku Kombëtar i Thethit, në veri të vendit është shtëpia e ecjeve të shkëlqyera dhe pamjeve befasuese si Syri i Kaltër, një burim karstik me ujëra të kaltra.
Aty pranë, Bjeshkët e Nemuna formojnë Alpet Dinarike.
Ky vend me majat e frikshme, të thepisura, që rrethojnë luginat e gjelbra akullnajore – me lule të egra në pranverë, sigurisht që ia vlen të vizitohet përpara se të zbulohet dhe të bëhet një nga destinacionet më të nxehta të ecjes në Evropë.
Kryeqyteti i gjallë, Tirana, ju jep ndjesinë e një vendi që kompenson kohën e humbur.
Arkitektura e larmishme e qytetit pasqyron shumëllojshmërinë e tij kulturore, lëvizjen e tij përmes diktaturave fashiste dhe komuniste dhe hapjen e tij ndaj botës më të gjerë që nga vitet 1990.
Ndërtesat që bien në sy përfshijnë Piramidën e Tiranës, e ndërtuar si një muze per diktatorin Enver Hoxha; Xhamia monumentale e Namazgjasë, më e madhja në Ballkan; dhe Shtëpia me Gjethe, një muze spiunazhi dhe një qendër mbikëqyrjeje e policisë sekrete komuniste.
Aty ku Tirana merr jetë, megjithatë, është skena e saj kulturore bashkëkohore.
Muzeu i artit modern – Bunk’Art është një simbol i gjallë i rishpikjes, i vendosur në një bunker të rindërtuar të Luftës së Ftohtë; ndërsa Blloku – dikur i frekuentuar vetëm nga elita komuniste ka rilindur si një lagje plot restorante dhe bare të modës./atsh/ KultPlus.com
Ujërat e kristalta dhe plazhet e arta të Shqipërisë i kanë dhënë asaj titullin “Maldivet e Evropës”, shkruan Esther Marshall në të përditshmen britanike “MailOnline”.
“Vendi i bukur mesdhetar po shndërrohet shpejt në një nga destinacionet kryesore turistike të Evropës – pasi numri i vizitorëve ndërkombëtarë është rritur me 56% midis 2019 dhe 2023″, sipas Organizatës Botërore të Turizmit e Kombeve të Bashkuara.
Por për disa, vendi ballkanik apelon për një qëndrim më të gjatë sesa vetëm për pushime.
Kostoja e ulët e jetesës po e bën atë një opsion gjithnjë e më tërheqës për pensionistët britanikë.
“Shqipëria nuk është ende në radarin kryesor për shumë njerëz, por duhet të jetë. Është një vend i bukur – me një vijë bregdetare që rivalizon vendpushimet e Italisë ose Kroacisë. Dhe kur bëhet fjalë për koston e jetesës është e jashtëzakonshme”, tha për “MailOnline” Jennifer Stevens, redaktore ekzekutive në “International Living”.
Revista “International Living” ofron informacione rreth udhëtimit global, jetesës, daljes në pension, investimit dhe pasurive të paluajtshme.
“Ajo që shumë qytetarë të huaj mund të gjejnë këtu – është se ndërthurja e përballueshmërisë, motit të mirë dhe cilësisë së jetës në përgjithësi, dhe normave jashtëzakonisht të ulëta të taksave. Kjo tërheq me shumë emigrantët në përgjithësi”, tha Sara Alimehmeti, redaktore në “Magic Towns”, revista e këshillave të ekspertëve dhe njohurive lokale.
“Dhe muajt e fundit, kryesisht për qytetarët britanikë – frika e tyre lidhet me rritjen e taksave në BM”, shtoi ajo.
Për pensionistët britanikë të tunduar për t’iu bashkuar vendit, në udhëzuesin tonë renditen vendet më të mira për të jetuar në Shqipëri, si të merrni një vizë, kostot e strehimit dhe se si funksionon sistemi i kujdesit shëndetësor…
Vizat dhe përfitimet tatimore
“Pensionistët britanikë mund të aplikojnë për ‘opsionin e dedikuar të vizave të daljes në pension të Shqipërisë për qytetarët jo anetarë të BE/ZEE”, tha William Cooper, drejtor marketingu në kompaninë britanike të Sigurimeve Shëndetësore “William Russell”.
“Hapat fillestarë të aplikimit përfshijnë marrjen e një vize ‘D’, e cila lejon një qëndrim të zgjatur ndërkohë që aplikimi juaj për qëndrim është duke u përpunuar”, tha ai.
“Më pas, ju mund të aplikoni për leje qëndrimi përmes portalit e-Albania. Për ta bërë këtë, zakonisht duhet të përfshini vërtetimin e akomodimit, dëshminë e mjeteve tuaja të mjaftueshme financiare dhe mbulimin e sigurimit shëndetësor”, tha ai.
“Për të siguruar vizën, pensionistët do të duhet të tregojnë se kanë të ardhura të rregullta mujore nga pensioni prej të paktën 120,000 lekësh shqiptare (1,011 £/1,271 dollarë)”, tha William.
Për sa i përket përfitimeve tatimore, ekspertët e “Magic Towns” shpjegojnë se për pensionistët e huaj në Shqipëri, të ardhurat nga pensionet, përfshirë pensionet shtetërore, private dhe të huaja, janë zakonisht pa taksa.
Politika dhe kultura
Shqipëria ishte nën sundimin e një diktature komuniste nga viti 1946 deri në fillim të viteve 1990. Në atë kohë ajo ishte e mbyllur dhe e njohur si “Koreja e Veriut e Evropës”.
Gjërat kanë ndryshuar shumë që atëherë – dhe Shqipëria tani është një demokraci parlamentare – me një president si kreu i shtetit dhe një kryeministër në krye të qeverisë.
Kryeministër aktual është Edi Rama, i cili është në këtë rol që nga viti 2013.
Shqipëria është një vend laik pa fe zyrtare, por në regjistrimin e vitit 2023 të kryer nga Instituti i Statistikave, 53% e popullsisë identifikohen si myslimanë, 16% si të krishterë, 17% si jofetarë dhe 16% si të padeklaruar.
“Shqipëria vuan nga keqperceptimet e vjetruara. Njerëzit dëgjojnë “Shqipëri” dhe mendojnë – “A nuk ishte një vend komunist – a është akoma?”, tha Jennifer nga “International Living”.
“Megjithatë, Shqipëria ka qenë një shtet demokratik që nga fillimi i viteve ’90. Është një vend miqësor për të vizituar – ku mund të shijoni një cilësi të lartë jetese për një çmim relativisht të ulët”, tha ajo.
“Vendi ka numrin më të lartë të kafeneve për frymë në botë”, tha Sara nga “Magic Towns”.
Aeroporti i Tiranës ofron fluturime direkte për/nga aeroportet e Londrës, Luton dhe Stansted, si dhe drejt Birminghamit dhe Mançesterit.
Strehimi dhe ku të jetoni
Ekspertët në “Magic Towns” thonë se tregu i pronave në Shqipëri ofron një gamë të larmishme opsionesh – nga komplekset e apartamenteve luksoze deri te shtëpitë e stilit otoman italian.
Ata thonë se Tirana – kryeqyteti – dhe dy pika bregdetare – Vlora dhe Saranda – janë opsione të shkëlqyera për pensionistët.
Tirana
“Si kryeqytet, Tirana ka infrastrukturën më të mirë, shumë investime dhe mundësitë më të shumta të kujdesit shëndetësor dhe arsimit. Do të thosha se është një zgjedhje e shkëlqyer për pensionistët që gëzojnë një mënyrë jetese aktive – me shumë kafene, restorante, bare dhe ngjarje kulturore”, tha Sara nga “Magic Tows”.
Kostoja: Një apartament me një dhomë gjumi kushton rreth 400-700 euro në muaj në qendër të qytetit, ndërsa jashtë qendrës është afërsisht 250-500 euro.
Çmimet e pronave variojnë nga 1500-3000 euro për metër katror.
Vlora
“Vlora është një qytet bregdetar përgjatë Rivierës së famshme Shqiptare dhe destinacioni i përsosur për pensionistët që duan të jetojnë buzë detit. Ka një komunitet emigrantësh në rritje, një lungomare (shëtitore bregdetare) dhe akses të lehtë në disa nga plazhet më të bukura të Shqipërisë”, tha Sara nga “Magic Towns”.
“Është më e qetë se Tirana, ka gjithçka që ju nevojitet, duke përfshirë një qendër urbane. Në verë bëhet më e gjallë pasi mbushet me turistë të huaj dhe vendas”, shtoi ajo.
Kostoja: Çmimet ndryshojnë në bazë të afërsisë me detin, por pronat buzë detit mund të arrijnë 1200-2500 euro për metër katror. Qiraja është përgjithësisht 20-30% më e ulët se Tirana.
Saranda
“Saranda është më e ngrohta nga të treja këto qytete dhe prej kohësh është e preferuara e pensionistëve”, shpjegon Sara.
“Ekziston një ndjesi e ngjashme me Vlorën, me pamje të mrekullueshme bregdetare dhe atmosferë të këndshme të një qyteti bregdetar”, shtoi ajo.
Kostoja: Çmimet ndryshojnë në bazë të afërsisë me detin, por pronat buzë detit mund të arrijnë 1200-2500 euro për metër katror. Qiraja është zakonisht 20-30% më e ulët se Tirana.
Kostoja e jetesës
Sipas “Numbeo”, kostoja mesatare e jetesës në Shqipëri është 50% më e ulët se në BM, ndërsa qiraja është rreth 70% më e ulët.
Kostoja e jetesës është gjithashtu 11% më e ulët në Spanjë, një destinacion popullor për pensionistët britanikë.
Sara shpjegon se një vakt në një restorant të nivelit të mesëm mund të kushtojë 8-15 euro për person, ndërsa kafeja zakonisht është rreth 1 euro.
Ajo shtoi se një çift mund të shpenzojë lehtësisht 250-400 euro në muaj – për produkte ushqimore, në varësi të stilit të jetesës, ndërsa energjia elektrike, uji dhe interneti zakonisht kushtojnë rreth 100 euro në muaj.
Kujdesi shëndetësor
“Shqipëria operon një sistem shëndetësor universal të financuar nga kontributet e detyrueshme dhe vullnetare, të plotësuara nga buxheti i shtetit”, tha William nga kompania “William Russell”.
“Kujdesi privat shëndetësor ka pasur rritje të konsiderueshme dhe objektet zakonisht sigurojnë një standard më të lartë kujdesi”, tha ai.
“Ne ramë në dashuri me njerëzit dhe bukurinë e vendit”
Banorët miqësorë dhe të përzemërt të Shqipërisë janë një nga arsyet që Deborah dhe James Riley, të dy në të 70-at, po shijojnë pensionin në një fshat jashtë qytetit port të Durrësit.
Ata u zhvendosën në Shqipëri nga Bloomington, Indiana, në vitin 2020.
“Sapo erdhëm këtu, gjetëm një ngrohtësi, dashuri dhe miqësi. Ne thjesht ramë në dashuri me njerëzit dhe bukurinë e vendit”, tha Deborah.
“Njerëzit këtu janë shumë mikpritës krahasuar me vende të tjera”, tha James.
Çifti shpjegoi se ata shpenzonin deri në 6,67 euro në ditë për ushqim, i cili përfshin ushqim për katër kafshët e tyre shtëpiake dhe kafshët e tjera në lagje.
“Të gjithë kanë shumë fruta dhe perime që rriten në oborret e tyre, dhe kështu çdo gjë është e freskët në dyqanet e vogla ku ne shkojmë të blejmë”, tha Deborah.
“Shqipëria është një nga vendet më të bukura që mund të keni parë ndonjëherë”, shtoi James. /atsh/ KultPlus.com
Panairi më i madh i turizmit në botë, ITB Berlin pritet të sjellë interes të madh për Shqipërinë që shkon si vendi i nderit i panairit “ITB Berlin” 2025.
Kur kanë mbetur vetëm tri javë nga nisja e ITB Berlin, ky panair i bën jehonë numrit të turistëve që kanë vizituar Shqipërinë gjatë vitit të kaluar dhe investimeve në këtë sektor në vendin tonë.
“Me mbi 11 milionë vizitorë në vitin 2024 dhe 3 miliardë euro investime, Shqipëria është ylli në rritje i turizmit në Evropë. Vendndodhja e tij kryesore dhe sektorët e lulëzuar si mikpritja dhe pasuritë e paluajtshme ofrojnë mundësi të pafundme. Mbështetur nga reformat e qeverisë dhe iniciativat e gjelbra, është një qendër për rritje të qëndrueshme dhe inovacion”, thuhet në një postim në rrjetet sociale të organizatorëve të ITB Berlin 2025.
Edhe Agjencia Kombëtare e Turizmit ka shpërndarë të njëjtin postim të ITB Berlin duke ftuar të interesuarit që ta vizitojnë panairin, i cili mbahet në datat 4 – 6 mars 2025 në Berlin.
Eksplorimi i “Shqipërisë Rurale”, është një aspekt unik i turizmit shqiptar që do të zërë skenën qendrore në panairin ITB.
Në fokus do të jenë agroturizmet, kulinaria, pijet tradicionale, tradita në veshje e muzikë, kultura shqiptare e sjellë si instrument tërheqës në ofertën turistike shqiptare gjithëvjetore. Po ashtu, pjesë e panairit do të jetë dhe turizmi i aventurës përmes shtigjeve piktoreske që ofron natyra shqiptare. Në fokus do të jetë edhe Riviera e mrekullueshme e vendit tonë. Në total parashikohen 19 zëra të ofertës turistike shqiptare./atsh/KultPlus.com
Raporti i “World Travel & Tourism Council” për Shqipërinë konfirmon progresin e treguesve të turizmit përgjatë vitit 2024.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në një postim në rrjetet sociale tha se “në raport theksohet se progresi i turizmit në Shqipëri ka një rritje të kontributit të përgjithshëm në GDP prej 26,1%, ndërsa 4,8 miliardë dollarë vlerësohen të kenë qenë shpenzimet e vizitorëve të huaj në vendin tonë dhe 1 miliard dollarë shpenzime të turistëve vendas. Janë 278 mijë të punësuar në sektorin e turizmit”.
“Të gjithë këta tregues në rritje na sigurojnë se turizmi tashmë është një industri, ingranazhet e së cilës lëvizin me shpejtësi motorët e ekonomisë së vendit”, tha Kumbaro.
Ministrja Kumbaro i shpreh se “në vitin 2030 synojmë të jemi kampionë në rajon, me një markë të ekselencës dhe përvojave të nivelit të lartë në turizëm”.
Përtej rritjeve të hyrjeve turistike nga vendet e rajonit, viti 2024 ka konfirmuar rritje dhe qëndrueshmëri të tregjeve nga Evropa Perëndimore si Italia, Gjermania, Franca apo Britania e Madhe dhe ka zgjeruar hartën e tregjeve të largëta, duke afruar më shumë vizitorë prej tyre.
Shqipëria vitet e fundit është kthyer në një nga destinacionet më të vizituara nga turistët nga vende të ndryshme të botës, të cilët kanë kuriozitet të shohin nga afër pasuritë kulturore si dhe natyrën e bukur shqiptare si në zonat malore, edhe në ato bregdetare./atsh/KultPlus.com
Shqipëria do të ketë vendin e nderit në panairin më të madh global të turizmit ITB Berlin, që zhvillohet në datat 4-6 mars.
Lidhur me pjesëmarrjen në këtë panair sot në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit u mbajt takimi i radhës për përgatitjet mbi prezantimin e Shqipërisë si vendi i nderit i ITB Berlin.
Në takimin e drejtuar nga drejtoresha e përgjithshme e Zhvillimit të Turizmit në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Herida Duro dhe drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Turizmit Zana Çela, u mblodhëm përfaqësuesit e sektorit publik, operatorët turistikë, bizneset dhe partnerët që mbështesin Shqipërinë si kryefjalën e promovimit turistik.
Gjatë takimit u koordinua për programin e stendës së Shqipërisë, promovimin dhe paraqitjen e ofertës turistike të vendit.
Pjesëmarrja në këtë panair synon prezantimin dinjitoz të markës turistike të Shqipërisë para 5600 ekspozuesve dhe 1300 përfaqësuesve të sipërmarrjeve në ITB Berlin, ndërsa për një proces transparent u hodh edhe shorteu që përcakton pozicionimet e turoperatorëve në stendën e Shqipërisë.
Ndërkohë që ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, në një postim në rrjetet sociale, ndau një video promovuese të Shqipërisë.
“Shqipëria me të gjitha ndjesitë është vendi i nderit në panairin më të madh global të turizmit ITB Berlin”, shkruan Kumbaro.
Në fokus të panairit do të jenë agroturizmi, kulinaria, pijet tradicionale, tradita në veshje e muzikë, kultura shqiptare e sjell si instrument tërheqës në ofertën turistike shqiptare gjithëvjetore. Po ashtu, pjesë e panairit do të jetë dhe turizmi i aventurës përmes shtigjeve piktoreske që ofron natyra shqiptare. Në fokus do të jetë dhe Riviera e mrekullueshme e vendit tonë. Në total parashikohen 19 zëra të ofertës turistike shqiptare./atsh/KultPlus.com
Berati vijon të jetë ndër destinacionet kryesore që vizitohet nga mijëra turistë në të gjitha stinët e vitit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale disa të dhëna mbi sitet kryesore turistike në qytetin e “një mbi një dritareve”.
Sipas kryeministrit, “viti 2024 shënoi një rekord turistik në qytetin e Beratit”.
“Vetëm Kalaja është vizituar nga 500 mijë vizitorë, ku 85% e tyre ishin të huaj, ndjekur nga Muzeu ‘Onufri’, krenaria e Beratit dhe thesar i çmuar i gjithë Shqipërisë, i cili u vizitua nga 100 mijë vizitorë përgjatë vitit që shkoi”, u shpreh Rama.
Berati ka një sërë pikash turistike që zgjojnë interesin e turistëve, disa prej të cilave janë Qendra Historike e qytetit, Kalaja, Gorica, Mangalemi që janë pasuri e UNESCO-s, Muzeu Ikonografik “Onufri”, Qendra Mesjetare, objektet e kultit bizantin dhe xhamitë e vjetra të periudhës otomane.
Turistët vlerësojnë jo vetëm historinë e kulturën, por edhe ushqimin e mikpritjen vendase.
Vitet e fundit turistët kanë treguar interes edhe për atraksionet e ekoturizmit, fshatrat turistike Roshnik, Sinjë, Drobonik, kantinat e verës, aktivitetet rafting në lumin Osum, ngjitje në malin e Tomorit, hedhje me parashuta nga mali Shpirag, kanoe në liqenet e Tomorit, ecje me biçikletat malore në rrethinat e Beratit, vizitë në Kanionet e Osumit, pjesëmarrje në turet e gastronomisë në agrobizneset në fshatrat turistikë etj./atsh/KultPlus.com
Shqipëria do të prezantojë potencialet e saj turistike në Panairin Ndërkombëtar “Fitur” në Madrid, i cili mbahet nga 22 deri në 26 janar.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se “edhe këtë janar, Shqipëria turistike e nis vitin me pjesëmarrjen në panairin gjigant të turizmit “Fitur” në Madrid me pjesëmarrjen e 152 shteteve dhe më shumë se 9000 ekspozuesve”.
“Vendi ynë qëndron krenarisht si një prej destinacioneve më atraktive në Europë , ku gjatë vitit të fundit ka pasur një rritje të ndjeshme jo vetëm të vizitorëve nga Spanja, por edhe të atyre nga vendet e Amerikës së Jugut”, tha Kumbaro.
Nën sloganin “Albania, all senses”, Shqipëria synon të tërheqjen e vizitorëve përmes shembullit të praktikave pozitive e të qëndrueshme në turizëm që promovojnë destinacone të turizmit natyror, prodhuesit lokalë, traditat e lashta, produktet artizanale e mikpritjen shpirtërore.
Shqipëria mori pjesë edhe vitin e kaluar në panairin “Fitur” në Madrid, ku tërhoqi në stendën e saj mijëra vizitorë, të cilët treguan interes për të vizituar vendin tonë.
Vitin e kaluar Shqipëria u vizitua nga 11.7 milionë vizitorë të huaj. Rimëkëmbja e Shqipërisë në turizëm është vlerësuar dhe promovuar fort edhe nga Organizata Botërore e Turizmit duke e përzgjedhur vendin tonë disa herë si qendër të ngjarjeve dhe vëmendjes së industrisë globale të udhëtimeve dhe duke e bërë Shqipërinë kryesuese të Barometrit të Turizmit./atsh/ KultPlus.com
Ekspertët britanikë të udhëtimeve kanë sugjeruar destinacionet kryesore të pushimeve për vitin 2025 me fluturime direkte nga Aeroporti i Mançesterit, shkruan Liv Clarke në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Manchester Evening News”.
Nga Shqipëria, e cila është quajtur “Kroacia e re” deri në Egjipt, ekspertët e udhëtimeve kanë zgjedhur destinacionet më të mira nga e gjithë bota për t’u vizituar këtë vit.
“Destinations: The Holiday & Travel Show”, një event ku do të ekspozohen të gjitha destinacionet kryesore të rekomanduara për vitin 2025 – që do të zhvillohet në Manchester Central nga 16 deri më 19 janar dhe në Londër nga 30 janari deri më 2 shkurt – është një domosdoshmëri për këdo që planifikon pushime, qoftë ky një udhëtim i vetëm apo aventurë një herë në jetë.
“Janari është koha e përkryer për të planifikuar pushimet tuaja në 2025 dhe kushdo mund të bëjë zgjedhjen e vet me përvojën e pasur të ekspozuesve tanë që shfaqin ofertat dhe idetë e tyre më të mira çdo vit”, tha Ben Myatt, menaxheri i ekspozitës.
“Në 30 vite eksperiencë dhe punë – kemi parë një ndryshim të madh – nga rritja e numrit të udhëtimeve – te pushuesit që po priren më shumë drejt vendeve më pak të njohura dhe që nuk janë prekur ende nga turizmi masiv – dhe rritja e tendencave të tilla si udhëtime me përvojë – dhe ndjenja e përgjithshme vizitorëve për t’u zhytur në kulturat e vendeve dhe të mësojnë rreth tyre”, shtoi ai.
Shqipëria
“Për një periudhë kohe Shqipëria është quajtur “Kroacia e re” dhe sigurisht që ky vend i bukur mesdhetar ka një peizazh dhe vijë bregdetare mahnitëse dhe ushqim te shijshëm, por ka edhe hijeshinë e tij unike – për të mos përmendur që nuk ka turma të mëdha vizitorësh dhe çmimet janë më të ulëta!”, tha ekspertja e udhëtimeve të “Explore Worldwide”, Caroline Phillip.
“Shqipëria duket se ka tërhequr interesin e turistëve në mbarë botën – falë bukurisë së saj natyrore, plazheve të pacënuara dhe përballueshmërisë”, tha Michael Edwards nga “Explore Worldwide”.
Rezervimet për në Shqipëri janë rritur 68 për qind në gjashtë muajt e fundit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me turne që përfshijnë itinerare për ecje dhe çiklizëm – që promovohen veçanërisht fuqishëm.
Destinacionet më të mira për t’u vizituar në 2025 – të cilat ofrohen me fluturime direkte nga Aeroporti i Mançesterit:
Shqipëri Indi Mali i Zi Kanada, Toronto Finlandë Skoci Greqi, Athinë Karaibe Egjipti Arabia Saudite./atsh/KultPlus.com
Shpenzoni më pak duke planifikuar pushime në destinacione të përballueshme, shkruan Sarah Marshall në një artikull të botuar në të përditshmen irlandeze “The Irish News”.
Fillimi i një viti të ri premton fillime të reja – por përfshin gjithashtu një rritje të pashmangshme të çmimeve.
Por, ndërsa inflacioni vazhdon të rrisë çmimet në disa vende të botës, ekzistojne ende destinacione ku kostoja e jetesës është e ulët.
Për fat të mirë, ka mjaft opsione për të zgjedhur nëse doni të kurseni para pa kompromentuar rrezet e diellit ose cilësinë e përvojave.
Ne ju sugjerojmë gjashtë vendet më të mira dhe më të përballueshme për të pushuar në vitin 2025:
Qoftë për të shëtitur nëpër rrugët me kalldrëm, duke vështruar majat e maleve apo duke notuar në ujërat e kaltra, është e lehtë ta ngatërroni Shqipërinë me fqinjin e saj përtej detit Adriatik.
Por, krahasuar me Italinë, plazhet janë më të qeta, pikat e fshehura janë më të shumta dhe çmimet janë dukshëm më të lira.
“The Irish News” ju rekomandon një udhëtim në të gjithë vendin ballkanik.
Mësoni për të kaluarën e Shqipërisë përmes arkitekturës otomane, fashiste dhe sovjetike të kryeqytetit të Tiranës.
Eksploroni shtigjet në Parkun Kombëtar të Valbonës dhe pushoni në plazhet e arta të Rivierës Shqiptare.
Një udhëtim tetëditor kushton nga 911 paund për person, duke përjashtuar fluturimet./atsh/KultPlus.com
Tabloidi gjerman “Bild” i ka bërë Shqipërisë një superpromovim ndërkombëtar mediatik.
“Bild” e rendit Shqipërinë në krye të listës së destinacioneve për të udhëtuar gjatë këtij viti. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, nëpërmjet rrjeteve sociale ndau lajmin se nga janari në nëntor të vitit 2024, në vendin tonë hynë 356 mijë vizitorë nga Gjermania.
“Po përgatitemi që gjatë muajit mars të prezantohemi si fytyra e ITB Berlin 2025, panairit më të madh në botë për turizmin”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Shqipëria ka marrë ftesën për të qenë vendi i nderit për vitin 2025, si një promovim i jashtëzakonshëm global për Shqipërinë Turistike. Puna ka filluar që në korrik të vitit 2023, sepse kërkon përgatitje shumë të gjatë, është një program 1 vjeçar, i cili ka nisur që në mars 2024.
International Travel Trade Show (ITB) është ekspozita kryesore tregtare në botë e udhëtimeve dhe ofron një mundësi unike për të mësuar rreth vendeve dhe rajoneve të ndryshme në të gjithë globin të mbledhura në një vend të vetëm.
Revista në artikullin e saj ka në fokus rivierën shqiptare, si një risi që po shkëlqen në Mesdhe.
“Shqipëria nuk është më një këshillë sekrete, por në vitin 2025 do të bëhet një destinacion trend për të apasionuarit pas diellit dhe plazhit. Në Rivierën Shqiptare të tërheqin uji i kristaltë, gjiret e vogla dhe fshatrat bregdetare plot hijeshi si Ksamil dhe Himara. Ndryshe nga rajonet e mbipopulluara të Mesdheut, këtu mund të gjesh plazhe të qeta dhe të shijosh natyrën”, shkruan në hyrje të artikullit të saj revista “Bild”.
Eksperti i udhëtimeve, Simon Calder ka zbuluar destinacionet e fshehta evropiane “mahnitëse” për të vizituar në vitin 2025 – përpara se ato të pushtohen nga turistët ndërkombëtarë, shkruan David Landsel në gazetën e përditshme amerikane “New York Times”.
“Amerikanët thyen rekordet e udhëtimeve në vitin 2024 – ku 1 dhjetori u shënua si dita më e ngarkuar ndonjëherë në aeroportet e vendit”, sipas TSA.
“Mbi 20,2 milionë turistë amerikanë vizituan Evropën në vitin 2023”, sipas Zyrës Kombëtare të Udhëtimeve dhe Turizmit në SHBA – miliona turistë më shumë krahasuar me periudhën para pandemisë – ku u regjistruan 17,3 milion vizitorë në 2019.
Nëse vizitoni Spanjën, Francën apo Italinë, merrni masa drastike – pasi për shembull, mund të tarifoheni për nje “selfie” në shatërvanin Trevi në Romë, apo të merrni parasysh pezullimin e Airbnbs në Barcelonë.
Ekzistojnë dy destinacione evropiane që gazetari dhe eksperti i udhëtimeve, Simon Calder rekomandon dhe i vlerëson si vende magjepsëse dhe të paprekura nga turizmi masiv.
“Të gjitha indikacionet që kemi parë, për shembull, numri i turistëve që qarkullojnë në aeroporte dhe shifrat e fundit nga kompanitë e udhëtimeve tregojnë se ekziston “një oreks i pangopur” për udhëtime. Dhe viti 2025 do të jetë fantastik për të ofruar alternativa të shumta”, tha gazetari dhe eksperti i udhëtimeve, Simon Calder për “Daily Express”.
Eksperti i udhëtimeve ka sugjeruar Shqipërinë dhe Bullgarinë si dy destinacionet kryesore evropiane për të vizituar në vitin 2025 – në një përpjekje për të nxitur turistët e huaj të zgjedhin vende që nuk janë prekur ende nga turizmi masiv, dhe të cilat i vlerëson si ideale për pushime verore.
Shqipëria
Shqipëria është shtëpia e shumë resorteve bregdetare në detin Adriatik – dhe disa prej tyre janë krahasuar me Maldivet – falë ujërave të pastra kristal.
Ky vend mesdhetar konsiderohet si një nga destinacionet më të përballueshme për pushime në Evropë.
“Shqipëria është një nga vendet më buxhetore në Evropë. Unë e shoh Shqipërinë si destinacionin e ardhshëm turistik”, tha Calder.
“Plazhe fantastike, njerëz miqësorë dhe çmime të përballueshme”, shtoi ai.
Shqipëria është shtëpia e vargmaleve të ndryshme malore, plazheve mahnitëse të konsideruara si “Maldivet e Evropës”, me një kryeqytet të gjallë dhe rrënoja të mrekullueshme në atraksionet e përfshira në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Në vitin 2023, 10 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë për të kaluar pushimet. Numri i vizitorëve në Shqipëri pritet të rritet në vitet në vijim./atsh/KultPlus.com