Kalaja e Elbasanit, destinacion që duhet vizituar

Dita e Verës po afron dhe qyteti i Elbasanit ka nisur festimet. Përveç aktiviteteve të shumta të organizuara nga bashkia dhe ëmbëlsirës tradicionale të kësaj feste pagane, ballokumes, që e gjen kudo në dyqane e trotuare, qyteti ofron mundësi të shumta edhe për turizëm kulturor e historik, e pa dyshim kalaja e Elbasanit është një prej destinacioneve që nuk duhet humbur.

Ajo ndodhet në qendër të qytetit të Elbasanit dhe është Monument Kulture i Kategorisë I.

Kalaja e Elbasanit bën pjesë në kalatë e tipit fushor, rrethohet nga një varg kodrash në anën veriore, ndërsa në lindje dhe perëndim nga përrenjtë e Manasderes dhe atë të Zaranikës, të cilët shërbenin edhe si burime për kanalin që e rrethonte kalanë dikur. Ka një pozicion kyç, pasi kontrollon lehtazi lëvizjet në Via Egnatia, një rrugë transversale që lidh bregdetin me brendësinë, duke zënë kështu një pozitë të favorshme ekonomike dhe strategjike.

Studime arkeologjike kanë zbuluar teknikat e ndërtimit dhe historinë e saj. Kalaja përfaqëson një kastrum klasik, e cila i përmbahet rregullave të ndërtimit romak. Ka formën e një katërkëndëshi kënddrejtë me dimensione 308 x 348 m. Ka katër hyrje të cilat janë të pozicionuara në mes të kurtinave të cilat mbrohen me kulla. Kalaja është e rrethuar me një hendek të thellë dhe gjurmët e tij janë ende të dukshme. Hendeku mbushej nga ujërat e përroit të Zaranikës, që kalonte pranë dhe kishte si funksion mbrojtjen e kalasë. Sipas studimeve, periudha më e mundshme e ndërtimit të kalasë është gjysma e dytë e shekullit IV pas Krishtit.

Në ditët e sotme, kalaja është e populluar në brendësi si dhe rreth saj. Në brendësi të kalasë ka ndërtesa karakteristike të shpallura për nga rëndësia dhe arkitektura si monumente kulture./atsh/KultPlus.com

‘iNews’: Shqipëria mes gjashtë destinacioneve të lira për pushime dimërore

Ditët e gjata dhe të errëta të janarit janë koha e përkryer për të filluar planifikimin për të udhëtuar në vendet me klimë më të ngrohtë, shkruan Joanna Whitehead në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “iNews”.

Ndërsa ky muaj shpesh duket i pafund, gjysma e shkurtit është më pak se katër javë larg.

Disa destinacione në Evropën kontinentale gëzojnë temperatura më të larta gjatë dimrit, me një mesatare ditore prej 16°C deri në 17°C dhe reshje të ulëta shiu.

Ju mund të zgjidhni një nga destinaionet e ngrohta dhe me një buxhet të përballueshëm si opsionin më interesant për pushime dimërore në 2024.

Sipas Skyscanner, gjashtë destinacionet në trend për pushime të lira përshijnë; Shqipërinë, Maltën, Qipron, Marokun, Toskanën në Itali, Costa Blanca në Spanjë.

Shqipëria

Shumë vizitorë në Shqipëri preferojnë malet për sporte dimërore, pasi zonat e ulëta kanë një klimë shumë më të butë.

Adhuruesit e arkitekturës mund të eksplorojnë ndërthurjen e ndërtesave të epokës osmane dhe sovjetike në Tiranë, kryeqytetin e vendit, ku mund të vizitojnë gjithashtu Piramidën  (ish-muze dhe ish-bazë e NATO-s), xhaminë e bukur të Et’hem Beut dhe Bunk’Artin, një galeri në një bunker nëntokësor.

Durrësi, një vendpushim veror, është 22 milje larg. Ai është shtëpia e rrënojave arkeologjike, duke përfshirë një amfiteatër romak, i cili përfshin afreske dhe mozaikë.

Fluturimet nga Londra në Tiranë kushtojnë 47 paund me Ryanair, dhe një dhomë dyshe në një hotel me tre yje me pamje nga mali për katër netë ka një kosto prej 133 paund. / atsh/KultPlus.com

“The Travel off Path”: Shqipëria mes pesë destinacioneve evropiane me tarifat më të lira

Për të gjithë ata që planifikojnë të bëjnë një udhëtim këtë vjeshtë, është e rëndësishme të kuptojnë se cilat destinacione ofrojnë opsione akomodimi që përshtaten brenda një plani shpenzimesh të përballueshme, shkruan në një artikull gazetarja Megi Canco, të botuar në “The Travel off Path”.

Udhëtarët që presin me padurim të vizitojnë atraksionet evropiane do të jenë të lumtur të marrin në konsideratë renditjen më të re të destinacioneve me tarifat më të lira për momentin!

Shqipëria është renditur mes pesë destinacioneve kryesore evropiane, që ofrojnë shërbime për turistët me çmimet më të lira.

Shqipëria

Dikur një nga destinacionet më të preferuara të Evropës, Shqipëria kohët e fundit ka fituar një interes të madh në skenën e turizmit ndërkombëtar falë kulturës së saj të pasur, rivierës mahnitëse dhe çmimeve të arsyeshme.

Në përgjithësi, në hotele kostoja për një natë shkon në mesatarisht 60 euro (~ 64 dollarë).

Pra, nëse udhëtoni në Shqipëri, qiratë afatshkurtra janë mënyra e duhur për të ndjekur.

Vlen të përmendet se zonat më turistike dhe të mbiçmuara kostoja mund të jetë shumë pak mbi mesataren.

Arsyeja pse kaq shumë udhëtarë duket se diskutojnë nëse Shqipëria është një destinacion buxhetor apo jo, është se çmimet mund të ndryshojnë shumë midis qyteteve dhe rajoneve./atsh / KultPlus.com

“Rest Less”: Shqipëria mes 12 destinacioneve më të mahnitshme për t’u zbuluar

Bota është e madhe, e bukur dhe emocionuese, e përbërë nga kultura të ndryshme magjepsëse. Kultura është thelbësore për ekzistencën njerëzore dhe përshkruan besimet, vlerat dhe traditat e përbashkëta sipas të cilave jeton çdo komunitet!

Udhëtimi në vende me kultura të ndryshme mund të jetë jashtëzakonisht i dobishëm. Jo vetëm që na ofron perspektiva të reja për botën, por gjithashtu na ndihmon të krijojmë lidhje të pasura dhe kuptimplote me një gamë më të gjerë njerëzish! shkruan në një artikull gazetarja Elise Christian, të botuar në të përditshmen britanike restless.co.uk .

Shqipëria është renditur mes 12 destinacioneve më të mahnitshme për zbulime kulturore.

Ndërsa Shqipëria ka përjetuar një fluks turistik vitet fundit, kultura e saj rurale mbetet e jashtëzakonshme, ku shumë vendas ende jetojnë nga bujqësia dhe blegtoria.

Shqipëria është gjithashtu një vend me plazhe të mahnitshme, fshatra idilike, pamje mahnitëse të Alpeve dhe vende të pabesueshme historike, siç janë mbetjet e Perandorisë Osmane.

Ky vend i Evropës Jugore ka shumë gurë të çmuar të fshehur.

Për shembull, “Syri i Kaltër” misterioz është një burim uji verbues blu me një thellësi të panjohur në jug, ndërsa në qytetin e Gjirokastrës, i përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, shtëpitë prej guri ngjajnë me fortesa të vogla dhe rrugët me kalldrëm të çojnë të gjitha drejt Pazarit.

Tani është koha për të zbuluar këtë vend jashtëzakonisht të larmishëm, i cili ka mbetur një nga enigmat më të mëdha të kontinentit.

Vija bregdetare e saj gjarpëruese, e quajtur Riviera Shqiptare është e mbushur me plazhe ëndërrimtare, të mbuluara me ujëra të thellë blu, dhe vendpushime magjepsëse, si Dhërmiu dhe Ksamili.

Në brendësi të vendit, do të gjeni male të larta, kala, kështjella të shkatërruara dhe rrënoja të panumërta të lashta greke dhe romake.

Nëse jeni adhurues i historisë, i aventurave ose i apasionuar pas plazhit, Shqipëria ofron gjithçka për të gjithë. /atsh / KultPlus.com

‘BuzzFeed’: Shqipëria mes destinacioneve të konsideruara perla të fshehura

Nëse po planifikoni arratisjen tuaj të ardhshme ndërkombëtare, do të përballeni me një nga vendimet më sfiduese. Ka kaq shumë vende të pazbuluara për të parë. Dhe, ndërsa vendet e mëdha turistike, si Greqia, Tokio apo Parisi janë të njohura për një arsye, ndoshta ju jeni duke kërkuar për diçka më të panjohur!, shkruan në një artikull Hannah Loewentheil të botuar në të përditshmen amerikane “BuzzFeed”.

Kështu që, shfletova r/travel dhe rendita një sërë destinacionesh më pak të njohura, por të mahnitshme, në vend të pikave turistike më trendi për pushime.

Mes 27 destinacioneve të konsideruara si “Perla të fshehura”, “BuzzFeed” ka renditur edhe Shqipërinë, si vendin ku ofrohen plazhe të bukura, ushqime të shijshme dhe mjaft të lira dhe shumë xhevahirë për të eksploruar.

Në vend të Greqisë, shkoni në SHQIPËRI

E vendosur në Evropën Jugore, pikërisht përtej detit nga Italia, Shqipëria kufizohet në jug me Kroacinë dhe në veri me Greqinë. Dhe, është me të vërtetë vendi më i bukur ku mund të shkoni për pushime.

Plazhet me rërë të bardhë në pjesën jugore të vijës bregdetare të vendit, janë një parajsë e vërtetë. Uji është i ngrohtë dhe i kripur, dhe tepër blu.

Nëse jeni një alpinist, do t’ju duhet të shkoni në veri të vendit.

Pamjet malore këtu rivalizojnë Alpet, me panorama mahnitëse dhe fshatra të mahnitshëm.

Ecja nga Thethi në Valbonë është një nga shëtitjet më të njohura ditore, me bujtina të vogla ku mund të qëndroni në të dy skajet.

Shumë nga ushqimet që do të gjeni në restorante janë bërë nga përbërës vendas, shpesh organikë.

Qytetet bregdetare kanë të gjitha produkte deti tepër të freskëta, të cilat zakonisht kapen në mëngjes.

Një nga vaktet më të zakonshme në restorante këtu është peshku i pjekur në skarë me perime dhe patate të skuqura, ose kallamar i pjekur në skarë me limon.

Qyteti bregdetar i Sarandës është një mekë për pushuesit italianë dhe udhëtarët që kërkojnë një vend të lirë për të qëndruar për pak kohë.

Ka shumë bare dhe lokale buzë detit që janë të hapura gjatë gjithë natës, dhe plazhe të bukura për t’u çlodhur gjatë ditës.

Nëse ju pëlqen t’i merrni gjërat pak më ngadalë, ngjituni në qytetet e vogla në male.

Këtu do të gjeni bujtina komode të vendosura në mënyrë të përkryer pranë shtigjeve të ecjes dhe ujëvarave.

Vizitoni Syrin e Kaltër tepër të pastër pranë Sarandës, ose ujëvarat e akullta pranë Beratit.

Çdo qytet që vizitoni do të ketë një lloj fortese lart në një kodër që thjesht pret për t’u ngjitur dhe eksploruar.

Udhëtimi dy orë me traget në liqenin e Komanit është magjik.

Ju kaloni nëpër kanale të ngushta të rrethuara nga kodra dhe shkëmbinj të gjelbër dhe përfundoni në një fshat të bukur e të izoluar.

Burimet e nxehta të Benjës pranë Përmetit janë një sfidë për t’u arritur, por ia vlen.

Sigurisht, plazhet dhe moti i ngrohtë janë të shkëlqyera. Por, malet shqiptare lulëzojnë në dimër, ku mund të bëni ski dhe ecni në këmbë ose thjesht të uleni pranë zjarrit dhe të shijoni pamjet.

Shtoni Shqipërinë në listën tuaj përpara se të jetë vonë. /atsh/KultPlus.com

Gjirokastra ndër destinacionet më të kërkuara në turizmin ndërkombëtar

Qyteti i gurtë i Gjirokastrës ka zgjuar kuriozitetin e mijëra turistëve vendas e të huaj gjatë këtij sezoni turistik.

Turistët vendas e të huaj po gjallërojnë kalldrëmet e gurta të qytetit të Gjirokastrës, ku qendra muzeale mbetet si përherë destinacioni fillestar, pasi pothuajse të gjithë e nisin vizitën nga kalaja e qytetit.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi në një intervistë për ATSH-në e cilësoi sezonin veror të këtij viti më të suksesshmin për vizitueshmërinë dhe zhvillimin e turizmit në qytetin e gurtë.

“Janë mbi 200 mijë turistë vendas dhe të huaj, të cilët përgjatë këtij viti kanë vizituar Gjirokastrën dhe rrethinat, duke regjistruar ndër shifrat më të larta në vite. Pra ky sezon veror po e evidenton Gjirokastrën si një ndër destinacionet më të kërkuara dhe kryesore për turizmin, jo vetëm në rang kombëtar, por edhe me gjerë”, tha Golemi.

Golemi u shpreh se tashmë qyteti pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s është një markë e njohur për turizmin ndërkombëtar duke e kthyer në destinacion të preferuar krahas vendasve edhe për vizitorët nga mbarë bota.

Sipas tij, falë vlerave si qytet i UNESCO-s, resurseve natyrore, monumenteve të kulturës, traditave të pasura Gjirokastra gjithmonë e më shumë po preferohet për tu vizituar nga turistët nga mbarë bota.

“Të huajt zënë mbi 80% të vizitorëve të këtij viti në Gjirokastër, ndërkohë që harta prej nga vijnë është mjaft e larmishme. Qyteti i gurtë po mirëpret vizitorë nga Italia, Spanja, Greqia, Gjermania, vendet Skandinave, nga Evropa Perëndimore dhe Lindore por nuk mungojnë as turistët nga SHBA-ja, Brazili, Argjentina, Kina, Australia, etj, etj.  Pra tashmë Gjirokastra është një markë e njohur dhe destinacion në rang botërore për sa i përket vizitueshmërisë nga turistët e huaj”.

Kryebashkiaku Golemi bëri të ditur se mbështetur mbi statistikat zyrtare bëhet fjalë për një rritje prej 35-40% të vizitueshmërisë nga turistët përgjatë sezonit veror krahasuar me vitet e e kaluara.

“Por përtej statistikave do të pohoja se tashmë rritje e turizmit në Gjirokastër është një trend i pakthyeshëm, ndërsa dobishmëria e tij preket përditë nga banorët jo vetëm në gjallërimin e qytetit, kthimin e tij në elitën e destinacioneve, por edhe në rritjen e të ardhurave ekonomike. Janë rreth 250 aktivitete biznesi turistik në territorin e bashkisë, të cilat mes të tjerash kanë krijuar mundësinë e çeljes së vendeve të reja të punës. Turizmi ka nxitur zhvillimin e sektorëve të ekonomisë lokale që kanë në qendër traditën, artizanatin, agroturizmin etj”, theksoi Golemi.

Sa i përket pikave kryesore turistike në Gjirokastër, që tërheqin më shumë turistë, Golemi tha se “guida e vizitueshmërisë që ofrohet është mjaft e larmishme duke përfshirë qytetin e gurtë të Gjirokastrës, por edhe rrethinat si dhe fshatrat e saj”.

“Në Gjirokastër turistët vendas dhe të huaj kanë çfarë të shikojnë dhe të prekin nga afër. Vlera të tilla historike dhe ndërtimore si Pazari karakteristik, Kalaja, komplekset muzeale, dhjetëra banesa të gurta me elementët e tyre të papërsëritshëm zgjojnë interesimin e turistëve të huaj. Guidën e vizitueshmërisë e pasurojnë edhe muzeumet, vlerat natyrore, objektet e shumta të trashëgimisë kulturore duke e bërë në këtë mënyrë udhëtimin jo vetëm njohës, por edhe për t’u informuar dhe mësuar diçka në lidhje me historikun dhe vlerat e qytetit shumëshekullor”, nënvizoi Golemi.

Guida turistike bëhet më e larmishme kur asaj i shtohen  Parku Natyror i Viroit, siti arkeologjik i Antigonesë, bukuritë natyrore dhe resurset e agroturizmit në Lunxhëri, Cepo, etj.

‘Ndërthurja e vizitës në bashkinë e Gjirokastrës edhe me vlerat dhe traditat e zonave të Libohovës, Dropullit, por edhe më gjerë me Përmetin, Tepelenën apo Sarandën e bëjnë mjaft të larmishëm dhe tërheqës udhëtimin për turistët”, shtoi ai.

Kryebashkiaku Golemi nënvizon se “tashmë turizmi është një sektor prioritar edhe për bashkinë e Gjirokastrës. Me zhvillimin që turizmi po merr duke përfshirë edhe dobishmërinë ekonomike të tij për komunitetin bashkia mes të tjerash ka synuar edhe promovimin e vlerave turistike duke i bërë ato të ditura për vizitorët kryesisht të huaj”.

“Nëpërmjet Zyrës së Informimit Turistik bashkia jo vetëm orienton vizitorët, por i njeh ata edhe me pikat dhe zonat që duhet të përfshijnë në udhëtimin e tyre. Gjithashtu si bashki kemi përgatitur guida, harta, por edhe materiale të tjera promovuese në shërbim të turistëve. Në këtë kuadër kemi mbështetur organizimin e panaireve dhe aktiviteteve të tjera me pjesëmarrjen e grupeve të interesit, bizneseve apo operatorëve turistikë. Mbështetje kemi dhënë edhe për promovimin e vlerave të traditës të zonë sonë në panairet ndërkombëtare duke mundësuar pjesëmarrjen e specialistëve të fushës apo mjeshtrave të traditës dhe promovimin e vlerave turistike. Ky sezon i suksesshëm tregon se jemi në rrugën e duhur për promovimin dhe prezantimin e vlerave të Gjirokastrës turistike”, tha Golemi.

Lidhur me masat që ka marrë bashkia për mbarëvajtjen e sezonit turistik, Golemi sqaroi se “aktualisht në bashki funksionon një grup i veçantë punë për mbarëvajtjen e suksesshme të sezonit turistik. Në këtë mënyrë kemi koordinuar punën e strukturave lokale për një qytet të pastër, garantimin e sigurisë publike, evitimin e problematikave të qarkullimit rrugor kryesisht në pikat turistike e mbi të gjitha organizimin  e aktiviteteve kulturore dhe artistike në shërbim të zhvillimit të turizmit”.

“Të gjithë jemi dëshmitarë që gjatë sezonit të verës Gjirokastra është kthyer në qendër të organizimit të eventeve të tilla duke përfshirë ato me profil kombëtar apo ndërkombëtar , të cilat kanë promovuar vlerat artistike dhe kulturore, por mbi të gjithë kanë qenë elementë kyç për tërheqjen e turistëve. Pra e gjithë struktura e bashkisë, drejtoritë përkatëse, kanë koordinuar punën për t’i shërbyer ecurisë së suksesshme të këtij sezoni turistik”, tha Golemi.

Kryebashkiaku Golemi i pyetur për investimet që po kryhen nga bashkia e Gjirokastrës  për t’i ardhur në ndihmë zhvillimit të turizmit dhe jo vetëm, tha se “sezonit të suksesshëm të këtij vitit ne i paraprimë me dy investime madhore ndërsa me mbështetjen e qeverisë qendrore u ndërtua bajpasi i zonës muzelae dhe parkimi nëntokësor në sheshin “Çerçiz Topulli”. Vazhdon puna me ritme të përshpejtuara për përfundimin e plotë të mjedisit urban në këtë shesh duke e kthyer në një aset me vlerë për turizmin”.

“Investime të tilla ndërmorëm në bashkëpunim me ministritë e linjës për zbatimin e projekteve për rijetëzimin e banesave karakteristike, mjedisin e pastër, etj. Bashkia Gjirokastër edhe në këtë sezon veror është çdo ditë në shërbim të qytetarëve me investime dhe shërbime. Punojmë për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore në qytet dhe zonat rurale, investimet në sektorin e bujqësisë dhe agroturizëm, mjedisin e pastër, kulturë, objektet sportive, ndërtimin e mjediseve çlodhëse në qytet dhe fshatra, etj”, tha Golemi.

Për kryebashkiakun Golemi investime të tilla ju shërbejnë jo vetëm banorëve, por edhe vizitorëve vendas dhe të huaj dhe zhvillimit në tërësi të turizmit të qëndrueshëm.

Përmeti destinacion turistik, Hoxha për ATSH-në: Mbi 80 mijë turistë vendas e të huaj

Përmeti vijon të jetë një nga destinacionet e preferuara të turistëve të shumtë vendas e të huaj, të cilët  shijojnë dhe përjetojnë bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë natyror.

Kryetarja e bashkisë së Përmetit, Alma tha për ATSH-në tha se “për periudhën janar-korrik mbi 60 mijë turistë kanë qëndruar minimalisht 1 natë në Përmet. Nëse do të llogarisim në numër edhe vizitorët ditorë shifra shkon mbi 80 mijë turistë vendas e të huaj”.

Sipas saj, ë krahasim me vitin e kaluar ka një rritje prej 25% të numrit të turistëve.

“Vendet më të preferuara që vizitohen nga turistët janë Ujërat Termale të Bënjës, Lumi Vjosa, Kisha e Shën Mërisë në Leusë, Teqeja e Baba Aliut Alipostivan, Bredhi i Hotovës, Ujëvara e Sopotit, Lagjja Historike Përmet, Kisha e Shën Mërisë Kosinë, etj”, tha Hoxha.

Sipa saj, këtë vit vihet re trendi i turistëve nga Gjermania, Polonia, Italia dhe Spanja, por edhe nga vende të tjera.

Kryebashkiakja Hoxha u shpreh se bashkia e Përmetit ka organizuar një sërë aktivitetesh për promovimin e qytetit.

“Mund të përmendim festat e ndryshme si Dita e Verës, Vjosa në Fest, Festa e Gjysheve. Gjithashtu është bërë një punë mjaft e mirë me mbështetjen e guidave dhe subjekteve lokale me qëllim zhvillimin e ekonomisë vendase, ku mund të përmend kurset për guida lokale të certifikuara për rafting. Markimin e shtigjeve të ndryshme, zhvillimin e garës Iliryan Race, Festivali Climbing etj”, tha Hoxha.

Gjatë viteve të fundit turistët kanë gjithnjë e më shumë një trend në rritje për të vizituar Përmetin. Në këtë qytet gjenden parqe të mëdha natyrorë, lugina me lëndina të bukura e shumë monumente natyrore, kulturore e pika turistike, të cilat vlejnë të vizitohen e të shikohen nga afër.

Një vend të veçantë zënë kishat si ajo Shën Kollit, Kisha e Shën Premtes, Kisha e Shën Mërisë në Bënjë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Kosinë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Leusë. Në Përmet ndodhet edhe Teqeja e Alipostivanit, e ngritur mbi një kodër të bukur mbi fshatin Alipostivan.

Një tjetër monument kulti dhe historik shumë i famshëm në Shqipëri është edhe Teqeja e Frashërit, e ndërtuar më 1781 nga Sulejman Beu i Frashërit.

Në pjesën lindore të tij ndodhen Ujërat Termale të Bënjës, të njohura për vlerat kurative si dhe për kanionet shkëmbore të Langaricës me Shpellën e Pëllumbave./atsh/KultPlus.com

‘Bild’ sugjeron edhe kalanë e Petrelës si destinacion turistik

Për të gjithë ata që po planifikojnë pushimet e tyre, gazeta gjermane ”Bild” sugjeron kalanë e Petrelës si destinacion turistik.

Sipas gazetës gjermane, kalaja e Petrelës, rreth 15 kilometra në jug të Tiranës në Shqipëri, ofron një pamje të mrekullueshme.

“Ndërtesa shekullore, peizazhe të larmishme, pafundësi me pyje, por edhe bollëk supermetropolesh, pasi Evropa ka shumë për të ofruar dhe është destinacioni më i popullarizuar i udhëtimit për njerëzit nga e gjithë bota. Për të gjithë ata që po planifikojnë pushimet e tyre, ne këshillojmë ekskursione, shëtitje dhe plazhe si në parajsë. Dhe, prej andej, ju mund të shihni anën më të bukur të Evropës. Kalaja e Petrelës, rreth 15 kilometra në jug të Tiranës, në Shqipëri, ofron një pamje të mrekullueshme”, shkruan ”Bild”.

“Bild” shkruan se atje ka edhe një restorant në një kështjellë shkëmbore mesjetare.

“Ka plot njerëz në verë, shtuar këtu tregjet dhe festivalet”, thekson ”Bild”.

Shqipëria priti në 6-mujorin e parë të këtij viti 3.4 milionë turistë të huaj, ndërsa autoritetet në vend thonë se vetëm përmes Rinasit pritet të hyjnë në vend 8 milionë pasagjerë./atsh/KultPlus.com

‘Shqipëria destinacion i preferuar i holandezëve’, RTL News: Këtë vit, 50% më shumë kërkesa

Shqipëria është një përvojë unike dhe destinacion i preferuar i turistëve nga Holanda. Kërkesat për të vizituar Shqipërinë janë rritur me 50 %. Agjencitë janë të gjitha të rezervuara.

Kështu raporton revista holandeze “RTL News”, njoftoi sot në rrjetet sociale, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, duke theksuar se edhe një prej “Reality show” më të ndjekur në Holandë u regjistrua në vendin tonë.

“Reality show më i ndjekur në Holandë ‘Wie is de Mol?’ regjistrimet e të cilit u zhvilluan në destinacionet më të bukura të vendit tone, ngjalli mjaft kuriozitet në sytë e publikut holandez, duke e kthyer Shqipërinë në një prej destinacioneve më të preferuara për t’u vizituar”, njofton Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.

“Sipas RTL News, këtë vit kërkesat për të vizituar Shqipërinë janë rritur me 50 % dhe të gjitha agjencitë janë të rezervuara. Sot, gjithnjë e më shumë turistët po kërkojnë diçka ndryshe nga destinacionet e zakonshme dhe duan një përvojë autentike”, njofton Ministria e Jashtme, duke iu referuar shkrimit të revistës holandeze.

“Kultura, tradita, bujaria, mikpritja, uji  i kristaltë, ajri i pastër, Alpet e larta, kaltërsia e Adriatikut dhe Jonit, trashëgimitë kulturore të mbrojtura nga UNESCO si dhe kulinaria e pasur e kanë kthyer Shqipërinë në një prej destinacioneve më unike për t’u vizituar, një përvojë autentike jo vetëm për turistët hollandez, por për turistët nga e gjithë bota”, përfundon njoftimi i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme./atsh/KultPlus.com

”The Telegraph”: Karaibet e Evropës i gjeni në Shqipëri

Karaibet e Evropës i gjeni në Shqipëri, shkruan Mark Stratton për ”The Telegraph”.

”Me ujërat e tij bruz, rërën e bardhë dhe palmat, qyteti bregdetar shqiptar i Ksamilit ofron një version ekonomik të plazheve tropikale.

Pashë një postim në Instagram pak kohë më parë që përshkruante qytetin bregdetar shqiptar të Ksamilit si Karaibet e Evropës. Kishte më shumë se një ngjashmëri kalimtare, me palmat, plazhin verbues, detin e kaltër dhe çadrat e diellit me kashtë. Me shqetësimin aktual mbi emigracionin shqiptar që po zien, fillova të imagjinoja një rrëfim alternativ të britanikëve ”të uritur” për diell, që dynden në drejtim të kundërt për të kërkuar pak rreze dielli karaibike. Kështu që vendosa të bëj një vizitë, për ta parë tamam se si bëhej ky krahasim.

Ksamili është sigurisht më i shpejtë dhe më i lirë për të shkuar se sa ishujt Barbados. Fluturova për në Korfuz, ishulli më i afërt grek me Rivierën Shqiptare, që shtrihet përreth 160 kilometra përgjatë bregut lindor të detit Jon. Nga qyteti i Korfuzit është një kalim me traget për 40 minuta drejt Sarandës.

“Atje ka shumë siguri dhe qetësi”, më tha taksisti që më çoi në portin e Korfuzit.

Në Sarandë, guida Gëzim Shimi qeshi kur i thashë komentin e taksistit grek.

”I gjithë publiciteti është i mirë. Gjatë viteve të fundit, unë kam udhëhequr shumë britanikë kureshtarë për të parë se si është Shqipëria në të vërtetë”, më tha Gëzimi.

Udhëtuam 30 minuta në jug të Sarandës për në Ksamil, i cili ndodhet pak mbi kufirin e Greqisë Veriore. Ksamili nuk ekzistonte derisa regjimi komunist i Enver Hoxhës e vendosi atë në vitet 1960 si bazë për prodhimin e vajit të ullirit. “Është vetëm disa milje nga Korfuzi, kështu që vetëm ata me prejardhje të besueshme politike lejoheshin të jetonin këtu gjatë komunizmit”, tha Gëzimi.

”Shqiptarët rrezikonin jetën duke marrë varka të vogla apo edhe duke notuar drejt Korfuzit, për t’i ikur marrëzisë staliniste të Hoxhës”, shton ai.

Ksamili është një qytet i vogël, i mbrojtur nga tre ishuj të gjelbër në det. Plazhi është i mbushur me hotele, restorante dhe bare dhe është i ndarë për përdorim privat, megjithëse shumica ishin të mbyllura kur mbërrita para sezonit. Vetëm një numër i vogël njerëzish ishin të zhytur në shtretër, nën çadra me kashtë.

”Poda Boutique Hotel” është i hapur dhe unë takova autoren e postimit në Instagram që më tërhoqi këtu, Anna Poda, drejtoreshë menaxhuese e këtij biznesi familjar me 20 dhoma.

“Ju mund të shihni se deti bruz dhe rëra e bardhë janë pothuajse si të Karaibeve”, thotë ajo.

”Britanikët, gjermanët dhe italianët zënë tre vendet e para. Njerëzit vijnë për 310 ditë me diell çdo vit dhe çmime vërtet janë të mira”, shtoi ajo.

Sedimentet nga malet e mermerta përreth krijojnë një fund deti me rërë të bardhë që jep një ngjyrë të mrekullueshme qumështi. Dhe dhoma ime dyshe, me pamjen e saj të mrekullueshme të ballkonit drejt Korfuzit, kushton vetëm 80 paund për natë. Përgjatë gjithë kohës, Riviera Shqiptare ka pasur vlera të jashtëzakonshme, veçanërisht kuzhina e ndikuar nga italianët, e pasur me ushqime deti. Në hotel, një vakt me tre pjata me sallatë greke, linguini me midhje dhe levrek të pjekur në skarë kushton vetëm 2 250 lekë (17 paund).

Megjithatë, nuk kishte asgjë nga Karaibet kur një shi i lehtë filloi të nesërmen në mëngjes. Për fat të mirë, një peizazh historik, aq i mirë sa kudo në Evropë, është pranë Ksamilit, me qytetërimet greke, romake dhe osmane që kanë lënë gjurmët e tyre.

Butrinti është një nga tre vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të Shqipërisë dhe një vlerë arkeologjike. Virgjili e përmendi atë në “Eneidën” si datimin para rënies së Trojës, por lavdia e vërtetë filloi rreth shekullit III para Krishtit me romakët që u futën brenda dhe lanë struktura karakteristike sublime, përfshirë një teatër 3 000 vendesh me mbishkrime latine.

Një orë ecje me makinë na çoi në malet për në Gjirokastër, shtëpitë trekatëshe osmane prej guri dhe kalaja e përmasave të Kështjellës Windsor pothuajse nuk kanë ndryshuar që nga shekulli XVIII. Ajo u njoh nga UNESCO në vitin 2005. Kuzhina është e ndikuar nga osmanët. Për drekë, hëngra imam bajalldi, një pjatë e quajtur sipas emrit të një kleriku mysliman, i cili konsumoi shumë patëllxhanë të mbushur dhe i ra të fikët.

Diku tjetër, plazhi i Porto Palermos mbikëqyret nga një kështjellë me mure të trasha e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena si një mburojë kundër britanikëve në Korfuz.

Porto Palermo ka gjithashtu një bazë të braktisur nëndetësesh me një tunel të gjatë. Gëzimi tha se u deshën 30 vjet për ta ndërtuar, kryesisht sepse Hoxha u konfliktua me BRSS-në dhe Kinën, të cilët po financonin ndërtimin e saj. Si kompensim, ai refuzoi të kthente katër nëndetëse sovjetike.

Natën e fundit e kalova pranë Vlorës, ku deti Jon takohet me Adriatikun dhe hoteli ”Paradise Beach” ka dhoma dyshe të mëdha me pamje nga deti për 75 paund. Ajri i mbrëmjes ishte i ngrohtë, deti në ngjyrë blu dhe stafi më trajtoi si një mik të humbur prej kohësh.

Kujt i duhen Karaibet kur keni përpara një gotë raki që i kthen ishujt e largët grekë në silueta?”./ atsh/ KultPlus.com

Agjensia e OKB-së: Shqipëria, destinacioni i tretë turistik më i mirë i vitit!

Barometri botëror i turizmit UNWTO ka nxjerrë indeksin e destinacioneve turistike me performancën më të mirë të vitit, e Shqipëria renditet aty e treta pas Katarit dhe Arabisë Saudite.

Disa vende raportuan rritje të jashtëzakonshme të mbërritjeve për 2023-shin krahasuar me vitin 2019: Katari, 98% më shumë, Arabia Saudite 64%, dhe Shqipëria 54%. Raporti i agjencisë së OKB-së konfirmon një trend të vënë re prej kohësh tashmë: Interesi i turistëve të huaj për Shqipërinë, është rritur ndjeshëm. Shifrat flasin qartë: sektori i turizmit po forcohet dita-ditës edhe jashtë sezonit veror.

Të dhënat e Instat-it treguan se në muajin janar pati një shtim të vizitorëve me pothuajse 100% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022-shit. Me rritje dyshifrore ishte edhe numri i turistëve të brendshëm, nga gati 260 mijë janarin e vitit të kaluar në 456 mijë janarin e këtij viti. Në 2022-shin, rreth 7.5 milion vetë e vizituan Shqipërinë, një rritje kjo prej 32% krahasuar me një vit përpara.

Turizmi në vendin tonë ka përjetuar një rritje të konsiderueshme vitet e fundit, çka është përcjellë edhe në revista e gazeta prestigjioze ndërkombëtare, duke tërhequr festivale muzikore dhe duke bërë që të vërshojnë komente të shkëlqyera nga influencuesit e Instagram dhe YouTube.

E mbyllur nga bota për gati gjysëm shekulli, Shqipëria, thonë korrespondentët e huaj, ka punuar fort për imazhin e saj për të tërhequr turistët në vijën e saj bregdetare prej afro 300 miljesh, në peizazhin e mrekullueshëm, në kalatë dhe kështjellat, si dhe në gamën e larmishme të maleve dhe liqeneve.

Ajo u rendit së fundi nga Organizata Botërore e Turizmit si një nga vendet me rimëkëmbjen më të mirë të turizmit pas COVID-19, me numrin e vizitorëve dhe të ardhurat nga turizmi që i kapërcejnë edhe nivelet e përpara pandemisë./TopChanel/KultPlus.com

Alpet ndër destinacionet më të vizituara, mbi 210 mijë turistë në nëntë muaj

Parku Kombëtar Alpet që përfshin lumin e Gashit, Luginën e Valbonës, Thethin, Vermoshin e Bogën është ndër destinacionet më të vizituara gjatë këtij viti në vendin tonë.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër bën të ditur për ATSH-në se “gjatë këtij vitit ka pasur një fluks të lartë vizitorësh në Alpe, ku nga 1 janari deri në 30 shtator u vizitua nga 213 344 turistë, ku numrin më të lartë e zënë të huajt”.

“Konkretisht në këtë periudhë 93 095 ishin turistë vendas dhe 120 249 të huaj si gjermanë, francezë, sllovenë, etj”, tha AdzM Shkodër.

Të përfaqësuara nga një reliev malor me kontraste të shumta, të përshkuara nga lugina lumenjsh me ujëra të kristalta, gryka dhe qafa malesh që të intrigojnë të vazhdosh më tej për të eksploruar natyrën, me një bimësi të pasur, Alpet shqiptare përfaqësojnë një perlë me vlera unikale për Shqipërinë, madje edhe në botë.

Alpet shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8 % të tij; kanë pozitë gjeografike tepër të izoluar, sepse rrugët që i lidhin ato me rajonet e tjera të vendit dhe trevat shqiptare jashtë kufirit, janë të pakta dhe në gjendje të keqe.

Tek Alpet dallohen blloqet, malësitë, kurrizet malore dhe luginat./ atsh / KultPlus.com

Munella, destinacion i të pasionuarve pas turizmit malor

Parku natyror i Munellës në Pukë është kthyer në një atraksion dhe vlerë e shtuar në guidat turistike për potencialet e veçanta që mbart.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky park natyror, që sidomos gjatë verës tërheq një numër të lartë turistësh.

“Munella, me natyrën çlodhëse dhe biodiversitetin karakteristik që tashmë ruhet si Park Natyror, ia shton vlerat edhe në guidat turistike, ku sidomos gjatë verës po tërheq përherë e më tepër të pasionuarit pas malit”, tha Kumbaro.

Mali i Munellës, ndodhet në kufirin midis Pukës dhe Mirditës dhe arrin një lartësi prej 1996 metra. Ky mal ofron një natyrë çlodhëse me biodiversitet të larmishëm të faunës dhe florës që ka. Në këtë mal rritet një florë e larmishme me llojshmëri bimësh dhe ku nuk mungojnë lloje të ndryshme kafshësh nga lepuri, rrëqebulli, kaprolli, derri i egër e ariu, të cilat e bëjnë Munellën një vend me mjaft interes për t’u eksploruar.

Munella ofron mundësinë edhe të zhvillimit të biznesit blegtoral dhe agroturistik.

Me vendim të Këshillit të Ministrave në 26 janar të këtij viti, Parku Natyror i Munellës u shpall zonë e mbrojtur. /atsh / KultPlus.com