547-vjetori i lindjes së Mikelanxhelos: Festimi i jetës dhe trashëgimisë së një artisti vizionar

Ndërsa festojmë 547-vjetorin e lindjes së Mikelanxhelos, është e vështirë të mos mahnitemi nga përmasat e mëdha të kontributeve të tij në botën e artit. I lindur më 6 mars 1475, në qytetin e vogël toskan të Caprese, Michelangelo Buonarroti ishte një skulptor, piktor, arkitekt dhe poet.

Ndoshta më i njohur për afresket e tij mahnitëse në Kapelën Sistine, talentet artistike të Mikelanxhelos ishin të dukshme që në moshë të re. Vetëm në moshën 13-vjeçare, ai filloi një praktikë me piktorin Domenico Ghirlandaio, ku ai zhvilloi aftësitë e tij në pikturimin e afreskut, një teknikë që më vonë do të ishte thelbësore në punën e tij në Kapelën Sistine.

Gjatë gjithë karrierës së tij të shkëlqyer, Michelangelo prodhoi disa nga veprat më ikonike të artit në histori. Nga Pieta befasuese në Bazilikën e Shën Pjetrit deri te statuja e Davidit në Firence, skulpturat e tij kapën thelbin e formës njerëzore në një mënyrë që ishte e paprecedentë në atë kohë.

Por ishte puna e tij në Kapelën Sistine që me të vërtetë çimentoi vendin e Mikelanxhelos në histori. I porositur nga Papa Julius II në 1508, Michelangelo kaloi katër vjet rraskapitës duke pikturuar tavanin e kishës, duke krijuar një kryevepër që do të frymëzonte brezat e artistëve që do të vinin.

Pavarësisht talentit të tij të jashtëzakonshëm, Michelangelo ishte një figurë e ndërlikuar. Ai ishte i njohur për temperamentin e tij të ashpër dhe shpesh përplasej me klientët dhe kolegët e tij artistë. Por përkushtimi i tij për zanatin e tij ishte i palëkundur dhe trashëgimia e tij vazhdon deri më sot.

Ndërsa reflektojmë mbi jetën dhe veprën e Mikelanxhelos, është e qartë se ai ishte më shumë sesa thjesht një artist. Ai ishte një vizionar, kontributet e të cilit në botën e artit vazhdojnë të na frymëzojnë dhe magjepsin më shumë se pesë shekuj pas lindjes së tij. / KultPlus.com

37 vite nga vdekja e Odhise Paskalit, themeluesi i skulpturës shqiptare

Odhise Paskali, cilësohet si themeluesi i skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar.

U lind në Përmet më 22 dhjetor të vitit 1903, i biri i Paskal Thanasit dhe Kaliopesë së Lami Papadhimitrit. I ati në fillim qe sekretar në administratën turke të duhanit në Dishkatë e Kozhan dhe më pas prift në Koblarë, Miçan, Frashër, Zavalan e Soropull të Dangëllisë, në Lipe e Leusë pranë qytetit të Përmetit dhe në Bënjë të Shqerisë. në hapësirën e viteve 1903 – 1919, ka jetuar e qëndruar pranë familjes, me prindërit, Paskalin e Kaliopin, si dhe me tri motrat, me Uraninë, me Angjeliqinë dhe me Elpiniqin, në qytetin e Përmetit (1903 – 1910, 1914 – 1919, me disa muaj qëndrimi larg qytetit gjatë vitit 1916), në Koblarë (1911 – 1914) dhe në Frashër (nga maj deri në shtator apo tetor 1916). Më 1919 ai shkoi në Itali, ku më 1923 kreu Liceun dhe u regjistrua në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë në Torino, ku më 1927 mbrojti diplomën në fushën e historisë së artit.

Më vonë, në 1931 krijoi shoqërinë “Miqtë e artit”. Në periudhën 1932-1937, në disa qytete të Shqipërisë, u ngritën disa monumente skulpturore, punime të autorit. Ai u bë nismëtar për krijimin e shoqërisë “Studenti shqiptar” në Torino dhe për botimin e revistës së studentëve shqiptarë të atjeshëm në vitet ‘20. Ndërsa në vitet ‘30 e shohim nismëtar të shoqatës “Miqt e Arbrit”; si organizator të së parës ekspozitë të arteve figurative dhe të çeljes së Shkollës së Vizatimit në Tiranë.

Hapat e para të karrierës së Odhisesë janë në fushën e publicistikës. Ai u shqua në estetikë dhe kritikë arti. Shkroi artikuj të ndryshëm me mendime e meditime për artin në mjaft organe shtypi të vendit apo të huaja. Nëse mund t’u hedhësh një sy artikujve të tij të viteve ‘20, mund të vësh re aktualitetin e tyre edhe sot. Sikur këto shkrime të autorit të mblidheshin, mund të bëhej një botim i veçantë mbi publicistikën e tij. Odhisea dinte t’u përshtatej me shumë zgjuarsi situatave në çdo kohë. Duke gjykuar se vendi në vitet ‘20-‘30 kishte mungesë skulptorësh, me të mbaruar fakultetin dhe studimet për artin, i përvishet punimeve plastike, pra artit të skulpturës pranë ateliesë së një skuptori italian realist e monumentalist të Torinos. Kështu ai bëhet skulptori i parë profesionist shqiptar.

Me pushtimin fashist të vendit, Odhisea si erudit në fushën e artit, caktohet anëtar i Institutit të Studimeve të atëhershme, por në mungesë edhe të porosive të mjaftueshme, për ngritje shtatoresh, detyrohet të çelë një punishte për përgatitje shkumësash për nevojat e shkollave të vendit. Me çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë, krahas vazhdimit të krijimeve skulpturore për figurat e rilindasve, në tematikën e punimeve të tij zënë vend edhe heronjtë e popullit dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Edhe pse Odhisea jetoi në Përmet vetëm 14 vjet dhe shumicën e jetës 82-vjeçare e kaloi në Itali dhe në Tiranë, ai ishte i lidhur me vendlindjen. Përveç ecejakeve të herëpashershme pranë familjes në periudha të ndryshme para djegies së shtëpisë së tij në korrik të vitit 1943 nga fashistët, ai krijoi në vendlindje një sërë veprash, midis të cilave skulpturën e “Partizantit Çlirimtar”, punën e grupit skulpturor “Shokët” në varrezat e dëshmorëve të Përmetit; bustin e Naimit; të Nonda Bulkës dhe të Fanjo Çiçakos në qytet; bustet e vëllezërve Frashëri në sheshin para Shtëpisë Muze në Frashër, bustin e dr. Refat Frashërit, etj. Kompleksin e varrezave të dëshmorëve të Përmetit, ai e plotësoi me tri figura për të përjetësuar edhe tre kushërinjtë e tij të parë (Harallamb Papa, Gaqi Vinjau e Foti Adhami). Në shtëpinë e piktorit të merituar Aristotel Papa, që ka më shumë se një vit që është ndarë nga jeta, ndodhet edhe një bust i vëllait të tij, dëshmorit Harallamb Papa, punuar e dhuruar nga Odhisea vite më parë. Ndoshta ky bust mund të mos jetë evidentuar nga Galeria Kombëtare e Arteve Figurative. Odhisea, duke iu kushtuar kryekëput krijimtarisë së tij, nuk ishte i prerë për çështje administrative. Kur u emërua drejtor i Galerisë së Arteve aty nga vitet ‘60, ai nuk kishte dëshirë as t’i vinin telefon në zyrë, pasi zilja e tij e shqetësonte dhe nuk e linte të punonte. Përveç punimeve konkrete, ai mbante shpesh shënime në formë ditari, qoftë për meditime mbi artin qoftë edhe kujtime historike, gjë që bëri të mundur, që një vit pas vdekjes së tij më 1986, të botohej libri “Gjurmë jete”, një material në fakt i shkurtuar e i cunguar.

Skulptori i Popullit është i njohur për rreth 600 vepra në skulpturë, por mbi të gjitha në krijimtarinë e vet të larmishme janë të njohura veprat: “I urituri”, “KETI”, “Malësori”, “Luftëtari Kombëtar”, në Korçë “Themistokli Gërmenji”, në Korçë; “Ushtari i panjohur”, “Partizani fitimtar” (Mathauzen, Austri) 1968; “Naum Veqilharxhi”, bust në bronx , në Korçë; “Monumenti i Skënderbeut në Tiranë” me bashkautorë, 1968; “Gjergj Kastrioti (Skënderbeu)”, “Isa Boletini”, “Fan Noli”, “Onufri”, “Jeronim De Rada”, në Tiranë, “Pashko Vasa”, “Zef Skiroi”, “Çerçiz Topulli”, “Naim Frashëri”, “Vojo Kushi”, “Migjeni”, “Enver Hoxha”, “Idriz Seferi”, “Ahmet Zogu”. / KultPlus.com

Murat Toptani, atdhetari që punoi shumë për futjen e gjuhës shqipe në shkollat turke

Më 13 korrik kujtojmë ditën e lindjes së patriotit dhe firmëtarin e Pavarësisë Murat Toptani.

Murat Toptani ka lindur më 13 korrik 1867 në Aka, (Kaukaz) në kohën e internimit të babait-Said Toptanit. Ai ka qenë patriot, atdhetar, ushtarak, poet, publicist, piktor, skulptor si dhe mësues, që punoi shumë për futjen e gjuhës shqipe nëpër shkollat turke.

Gjithashtu zotëronte disa gjuhë të huaja si, turqisht, frëngjisht, arabisht, persisht, gjermanisht dhe italisht.

Mësimet i filloi në shkollën “Madam Fyrer”, ndërsa studimet e larta i vazhdoi në “Gallata Saraj” të Stambollit. Gjatë vijimit të mësimeve në “Madam Fyres”, pati rastin të njihet me Asijen, vajzën e poetit komëtar Naim Frashërit. Kjo njohje motivoi lindjen e një dashurie të sinqertë në mes Muratit dhe Asijes, ndërsa më vonë me pëlqimin e vëllezërve Frashëri këta dy të rinj u martuan. Lidhjet mes familjes Toptani dhe Frashëri u forcuan edhe më shumë kur Vesimeja, motra e Murat Toptanit, u martua me më të voglin e vëllezërve Frashëri, me Mehmet Frashërin.

Më 1912 Murat Toptani ka qenë përfaqësues i Tiranës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Aktin e Pavarësisë. Murat Toptani njihet si dhe një nga pionerët e skulptures shqiptare, me realizmin e bustit të Skënderbeut. Ai vdiq në Tiranë në vitin 1918. / KultPlus.com

Fahredin Shehu, pjesë e projektit artistik të skulptorit të famshëm Italian, Italo Lanfredini

Në një projekt që zgjati plot dy vjet, skulptori i njohur italian Italo Lanfredini, ka realizuar barkën e punuar të drurit ku janë punuar poezitë e emrave më të njohur të poetëve botëror aktualisht, në mesin e të cilëve edhe poeti kosovar, Fahredin Shehu.

Kohë më parë, poezitë së bashku me barkën dhe skulpturat tjera janë ekspozuar ne Villa Medici del Vascello, në Cremona, Itali. Familja Medici ishte tutor i shumë artistëve të mesjetës ndërkaq në Vilën e tyre sot organizohen shumë aktivitete kulturore.

Poeti kosovar Fahredin Shehu, është prezantuar me poezinë “I mbërthyer në jehonën e guaskës bojëylber”, të përkthyer në Italisht nga Anila Stojku. E njëjta poezi është përkthyer edhe në Hebraisht nga poetesha e njohur izraelite, Gili Haimovich, e cila me këtë botim Shehut ia uroi ditën e pavarësisë, dhe u botua në Jeruslem, ndërkaq në gjuhën Greke, poezia në fjalë është përkthyer nga poetesha Alma Braja në Athinë. Sipas Shehut, ky projekt, i cili zgjati rreth dy vite, është njëri nga projektet shumë të rëndësishme, sepse janë përfshirë emrat e njohur të letërsisë si Fiona Samspon, Marilyne Bertoncini, Gili Haimovich, Carlo Alberto Sita, Guiliano Scabia, Evelina Schatz etj. / KultPlus.com

Skulptori Agim Rada: Në Tiranë shumë vepra arti duhet hequr

Drejtuesi i Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit në Tiranë Agim Rada rrëfen prioritetet për hapësirat publike. Sipas tij, do të hiqen të gjitha veprat që nuk i kanë rezistuar kohës. Ndërsa, në nëntor statuja e Gjergj Fishtës do të vendoset në Parkun Rinia

Skulptori Agim Rada këto ditë është duke punuar në tempullin e tij, në Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit. Në duar ka statujën e Gjergj Fishtës, që për të është Homeri i letrave shqipe. Për “ReportTV” artisti rrëfen se gjatë krijimtarisë së jetës së tij, kanë qenë gjithmonë këto figura, që i kanë rezistuar kohës, sepse kanë qenë edhe mbesin frymëzim për brezat.

Kjo studio është tempulli im. Këtu unë kaloj tërë kohën. Për mendimin tim, pandemia tek unë nuk pati ndonjë efekt të madh, pasi tërë jetës kam qëndruar  mbyllur, duke punuar veprat e mia”

Artisti na rrëfen se ky Homer i letërsisë shqiptare do të përjetësohet në bronz. Në të do të gdhendet dhe poezia e mrekullueshme “Gjuha Shqype”, për të treguar rolin e madh që ka luajt ky kolos.

Brezat duhet të rriten me dashurinë për gjuhën shqipe. Unë i di thuajse të gjitha poezitë e tij, Lahutën e Malcisë e kemi pasur si Biblën tonë. Në diktaturë Fishtës kockat ja hodhën në Bunë vetëm se ishte anti-sllav. Padyshim, që ata s’do ta donin këtë patriot që ishte antipushtues”, rrëfen skulptori, i cili shpreh dëshirën se kjo statujë duhet të vendoset tek bulevardi, që mban emrin e Gjergj Fishtës, tek parku “Rinia” me portret nga Lana.

Artisti ndalet edhe tek mungesa e hapësirave ekspozuese për veprat e artit në Tiranë, që sipas tij, hera herës janë keqpërdorur.   

Këtu ka hapësira, por ndonjëherë edhe keqpërdoren. Mendoj se duhet bërë një seleksionim, se po kthehen në agresion vizual veprat e artit të bëra me llamarina të gjetura në rrugë. Ato janë për të mbuluar paaftësinë shumë skulptorë modernë, por po kthehen në ndotje pamore. Kam folur edhe me kryeministrinë Edi Rama, që aty kur do të vendoset një vepër arti të zgjidhet me komision. Tiranës i mungojnë veprat që i rezistojnë kohës. Hiq tre apo katër punë të Odhise Paskalit dhe të Janaq Paços, të tjerat janë shumë keq”.

Ai mendon se disa nga veprat që nuk duhet të jenë të ekspozuara janë statuja e Sulejman Pasha Bargjinit në qendër edhe monumenti kushtuar ish-të përndjekurve politikë, përballë Parlamentit.

Kaloj në Tiranë dhe shikoj tmerre. Ai turku me xhybe turke, paska themeluar Tiranën. Një skulpturë e rëndomtë ajo e Bargjinit (Sulejman Pasha Bargjini). Thonë që ka themeluar Tiranën, por nëse e ka themeluar ai është turp i madh. S’jam shumë dakord edhe me komisionet, që rastësisht nxjerrin në krye fitues të paaftë. Ne kemi shumë për të hequr, por unë do të hiqja atë statujën tek godina e të përndjekurve, që është me gunga, gunga dhe nuk thotë asgjë. Duhet të realizohen vepra tamam, jo sikundër ka ndodhur në 100-vjetorin e Pavarësisë, që nuk u bë asgjë e saktë”, përfundon skulptori.

Skulptori përfundon se për këto ide do të konsultohet edhe me një komision, që do të ngrihet pranë bashkisë së Tiranës, që në të ardhmen do të kenë në vëmendje veprat e artit në parqe. / Shqiptarja.com / KultPlus.com

Skulptori Destan Gashi, “guri” i çmueshëm i Kosovës

Nga Pjeter Logoreci

Me Destan Gashin u njohëm në një galeri arti në Vjenë, ku të dy u gjendëm për të  shijuar punimet e piktorit Kosovar Gazmend Freitag. Destanin e kisha parë një herë, në verë, në koloninë e artit në Velipojë të cilën e drejton mjeshtri shkodran, skulptori  Skënder Kraja. Pas njohjes e bisedave të  para, ai më ftoj që të vizitoj studion e tij e cila gjindet (në Himberg) në periferi të Vjenës. Sapo ishte mbyllur një ekspozitë e tij në Vjenë të cilën nuk pata mundësi ta shoh, kështu që e prita me shumë kënaqësi ftesën pasi do të  shihja veprat, të gjithë punën e tij.

Skulptori Destan Gashi në Atelien e tij

Eshtë shumë interesante të kundrosh një skulptor gjatë procesit të punës në atelie, prandaj mora me vehte edhe aparatin fotografik që të mund të fiksoj mbresat e mija. Sapo hyra në atelienë e tij u përballa së pari me flamurin kombëtar që varej në krahun e një “burri – gurë” shtatëlartë që të krijonte përshtypjen se sapo kërkonte ta ngrinte diku lart… Pas pesë minutash u ndjeva lirshëm, por edhe në një ambient ” të njohur e të këndshëm” për mua, mbasi shumë objekte më “flisnin” shqip… Në vëndin ku isha ulur për të shijuar kafen që më ofroj mikpritësi, isha i rrethuar nga legjenda e figura që i njihja që fëmijë….

Gjëja që më çuditi shumë ishte se përpara gurëve – figura që po punoheshin nuk kishte asnjë model të gjallë, vizatim apo maket, pasi Destani punonte direkt me sy të lirë në gurë. Destani është ndër të paktët artista bashëkohorë që ushtrojnë në Vjenë artin e vjetër të skulpturës. Për të shuar kuriozitetin tim, ai filloj të më tregojë me pasion origjinën e karakteristikat e gurëve të tij…..ja mermeri i bardhë me vjen nga Carrara e Italisë… , por unë nuk po dëgjoja mbasi instinktivisht isha afruar pranë fëmijës – gurë që pi qumshtin e gjiut të Rozafës….Po po atje ku dhemb dhëmbi vete gjuha …..më permendi ai nga kujtimet e malli që më kishte mbërthyer….po ..Shkodra (kështu më quan ai mua – Shkodra)…ky është guri i bardhë i Carrarës që ngjanë me gurët e lagur nga qumështi i bardhë i nënës Rozafa….

Legjenda e Rozafës e gdhendur në gur nga Destan Gashi

Vazhduam të bisedonim rreth jetës së tij private dhe artistike. Ai më tregoj se vinte nga një familje e varfër nga Zoqishti / Rahoveci i Kosovës ku kishte mbaruar shkollën fillore duke treguar shenjat të veçanta të talentit të tij në krijimin e figurave të vogla nga balta amtare, të cilat mësuesit ja pelqenin shumë. Më vonë pas shumë vështirësish ekonomike dhe familjare kishte frekuentuar shkollën e mesme të artit figurativ në Pejë. Në shpirtin rebel të Destanit digjej dëshira për të prekur me dorë rrugët e artit. Kështu me punë këmbëngulëse arrin të fitojë konkursin e pranimit në Akademinë Mbretërore të Arteve të Bukura në Bruksel e cila drejtohej nga Profesoresha e njohur Vanservenbergen, ku me 1978 diplomohet për pikturë. Më pas kthehet në Kosovë ku punon për dy vjet si mësues vizatimi i shkollës Zoqishtë. Gjatë kohës në fshat, i ringjallet dëshira e vjetër për skulpturën dhe vendosë të plotësojë njohuritë e tija në fakultetin e skulpturës të Akademisë së Arteve të Bukura të Brukselit që drejtohej nga Profesori Martin Guyaux, ku me 1985 merr titullin e diplomën e Skulptorit profesionist. Më pas vendoset në Vjenë, pasi në vitin 1981 kishte njohur shoqen e tij të jetës, Barbaren, vajzën nga Vjena.

Skulptori Destan Gashi në punë e sipër në atelien e tij

Pas viteve me impenjim të plotë për formimin e tij, fillon përiudha e krijimtarisë ku pat prodhimtari të bollëshme. Në punën e tij ai frymëzohet me tema nga folklori shqiptar, por edhe bukuria e femrës prek shpirtin e tij artistik. Figurat e femrës të skalitura në gurë zënë një vënd të madh në krijimtarinë e tij. Kushdo që përballet me punën e tij, kupton botën e madhe shpirtërore të Destanit, temperamentin rebel e po ashtu shpirtin e butë të tij. Figurat si Rozafa, Dy Vajzat, Nëna me Binjaket, Aurora, Vajza Afrikane, Vajza në Plazh, Nymphe, po ti kundrosh, të mbushin me dhëmbshuri, por  edhe me dashuri njërzore. Nga energjia e  eleganca e fantazisë së Destanit, janë krijuar figura që “flasin” vetë si: Kërcimtarja, Balancë, Lisa, Kërmilli. Artisti Gashi në të shumtën e rasteve viziton personalisht guroret (minierat e gurit) nga ku vendosë për bllokun e gurit në masën e  ngjyren e parashikuar. Nganjëherë, aty në minierë frymëzohet dhe i lindin idetë e reja për krijesa të reja artistike. Zakonisht, për punët e tija ai përdorë materiale guri nga “Sölker, Krastaler, Mermer nga Wachau, Arlburger, Gummerner, Mermer nga Südtirol, gurë Italian nga Carrara, gurë Brasilian apo të Salzburgut”. Kombinimi i ngjyrës dhe linjave (strukturës) të gurit ka ndikimin e vet në fantazinë dhe kreativitetin e Destanit. Më tërhoqi vemendjen punimi Gruaja e Hasit ku struktura dhe ngjyrat e gurit ishin të larmishme e të ngjashme me veshjen kombëtare të asaj zone, pra gjetja ishte e përsosur si vetë bukuria e gruas së gdhendur në atë mermer.

Foto 4. Gruja nga Hasi, mermer nga Bummerner, 2010

Destan Gashi ka punime të cilat gjinden në të gjithë anët e botës që nga Amerika, Italia, Austria, Gjermania, Zvicra, Spania, Lichtensteini, Belgjika, Hollandë…të cilat janë të vëndosura në sheshet kryesore të qyteteve (e që janë pronë e shtetit – Bashkisë) apo i përkasin ndonjë koleksionisti privat. Ai është nderuar për punën e krijimet e tija me shumë çmime ndërkombëtare. Qysh student ai u nderua nga Bashkia e Brukselit për punimin në gurë të Dona Barbantia, e cila është e vendosur në qëndër të qytetit.

Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, gurë zalli, 2009

Bustin e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, një punë krejt e veçantë nga sa ne jemi mësuar ta shohim në Shqipëri, ai e ka të shitur tek një koleksionist privat në Dibër.

Gjatë karrierës së tij artistike Destani së bashku me Barbaran, gruan e tij austriake, kanë organizuar shumë ekspozita, në Austri e në shumë vende të Europës. Suksesi i tyre ka qënë i padiskutueshëm, gjë që është pasqyruar gjërësisht në shtypin e kohës.

Figurë në rërë, Jesolo 2005

Skulptori Destan Gashi është një figurë e njohur edhe për pushuesit dhe turistët në Itali dhe Austri, nga figurat e tij të punuara në rërë gjate bregdetit Italian,  apo në figurat e krijuara në dëborë në bjeshkët e Austrisë. Në ekspozitat që hapen në Vjenë ku marrin pjesë shumë artistë nga Austria, i përherëshëm  dhe i vlerësuar nder to  është edhe skulptori ynë Destan Gashi. / KultPlus.com

T’i shndërrosh guralecët në imazhe të luftës në Siri

Pamjet janë të njohura. Familjet duke ikur, gjërat e pakta mbahen në kokë, fëmijët e frikësuar kapen për figurën e nënës… Këto janë skenat e luftës në Siri që i paraqet skulptori 54-vjeçar sirian, Nizar Ali Badr.

Kur konflikti sirian shpërtheu në vitin 2011, Nizari ka parë shtëpitë e shkatërruara, familjet e zhvendosura, fëmijët e vrarë. Ai nisi të rikrijojë këtë pamje në gurë.

“Nuk kisha aparat fotografik për të regjistruar punën time”, tha ai. “Sapo e mbaroja, e shihja për një kohë dhe pastaj e shkatërroja për të bërë një të re.”

Arti i tij i gurit u bë mënyrë e të shprehurit të emocioneve dhe shqetësimeve që e mbanin zgjuar gjatë natës, për t’i ndarë pastaj ato ndjenja me botën.

Nizari mbledh materialet e tij duke pastruar bregdetin për gurë të vegjël dhe guralecë, në ngjyra, forma dhe madhësi të ndryshme. Bregdeti në Latakia është pjesë e Jebel Aqras, i njohur edhe si Mali Zaphon, një mal gëlqeror në kufirin sirian-turk. Kur mbledh sa duhet, kthehet për të punuar.

Dikur ai i ngjiste gurët në letër, por ngjitësi tash është i shtrenjtë për të.

“U bëj fotografi veprave të mia. Kjo është mënyra e vetme për t’i ruajtur dhe për t’i parë njerëzit”, thotë Nizari i cili deri tash ka krijuar mijëra skena nga jeta e përditshme e Sirisë, por që nuk i shet sepse nuk dëshiron të jetojë nga to.

“Mbi të gjitha jam njeri. Konflikti më ka shkaktuar dhembje dhe shpesh nuk fle natën”, thotë ai. “Ngushëllimi i vetëm është puna që bëj të cilën nuk e shoh si burim të ardhurash. Unë dua të komunikoj emocionet njerëzore që njerëzit kudo në botë i ndajnë, si dashuria, shpresa dhe dhembja”.

Ai trajton shumë tema, por kryesorja është shpërngulja e sirianëve. Përmes artit dëshiron të shfaq sakrificën e njerëzve dhe rrezikun që marrin kur ikin nga lufta dhe persekutimit. Ndaj, shumë punime shfaqin familjet me fëmijë.

Shkrimtarja kanadeze Margriet Ruursë është frymëzuar nga puna e Nizarit, për çka disa imazhe i ka përfshirë në librin e saj bestseller për fëmijë, “Gurët e shtruar: Rrugëtimi i një familjeje refugjate”. Ky libër flet për Raman dhe familjen e saj, që detyrohet të ikën nga një fshat dikur paqësor. Rama dhe nëna e saj, babai, gjyshi dhe vëllai Sami, kërkojnë liri në Evropë. Dhe, ky rrëfim tregohet përmes gurëve të Nizarit.

Nizari tash së voni në garën e talenteve të botës arabe (Arab’s Got Talent) dhe puna e tij jo vetëm jurinë dhe publikun në skenë. /Telegrafi/