PEN Qendra e Kosovës boton librin e ri të poetit Fahredin Shehu


Përmbledhja me poezi “Evokimet”, e autorit Fahredin Shehu këto ditë u botua nga PEN Qendra e Kosovës.

Poezitë në librin “Evokimet”, janë të ndara në cikle, bazuar në frekuencat e Solfeggios, të cilat ndikojnë në gjendjen psikosomatike të njeriut dhe secili kapitull, korrespondon me frekuencën e caktuar me qëllim që të gjej rezonancën në gjendjen shpirtërore të lexuesit.

Shehu është autor i më se njëzetë librave, i cili për më se tridhjetë vite, shkruan ese, romane, tregim të shkurtër dhe në veçanti shquhet për poezinë me tone filozofiko-mistike dhe lëron një poezi, e cila është shumë intime dhe e cila kërkon përsiatje të thellë si dhe njohuri shumëdimensionale.

Poezitë e tij janë përkthyer në rreth 30 gjuhë dhe i sollën çmime ndërkombëtare. Vlen te ceket se në vitin 2022, Lidhja e Shkrimtarëve Kinez, e shpërbleu me çmimin e parë, ku për dy orë program artistik, me operë klasike kineze, të Dinastisë Tang, është begatuar i tërë manifestimi kulturor, me muzikë dhe recitale me poezi edhe të laureatëve tjerë.

Poetja e njohur nga Izraeli, Gili Haimovich, ditën e pavarësisë së Kosovës 2022, Shehut ia uron me përkthim në Hebraisht, të poezisë, “Guaska bojëylber”, të botuar në Jerusalem. Po ashtu Shehu ishte pjesë e projektit të skulptorit të njohur Italian, Italo Lanfredini, i cili në shtëpinë e familjes Medici në Cremona, Itali, për një muaj janë ekspozuar poezitë të punuara në barkën prej drurit të shelgut. Dy botime tjera, të cilat vet Shehu i veçon janë: Antologjia për Janko Glezer, botuar ne Slloveni dhe nga Shoqata DEA, nën editimin dhe udhëheqjen nga Lili Koci, në Zagreb, antologjia në tre vëllime me titul “Nga DEA, me dashuri”. Kuptuam nga autori se poashtu është botuar edhe në revistën “Totem”, në Iran, gjë që e bën Shehun ndër poetët e rrallë kosovar, të përkthyer në Persisht. Në një të ardhme shumë të afërt, në Budapest do të botohet Antologjia në gjuhën hungareze, me rastin e 200 vjetorit të vdekjes së poetit kombëtar hungarez, Sandor Petöfi. / KultPlus.com

“Takim me shkrimtarin Fahredin Shehu” në Gjakovë

Kandi i librit në Gjakovë, organizon mbrëmje kulturore, “Takim me shkrimtarin Fahredin Shehu”, përcjellë KultPlus.

Në këtë event, do të prezantohet krijimtaria e Shehut, kritikat nga kritikët, poetët, botuesit dhe artistët më të njohur botëror në fushën e letërsisë, recital poetik dhe interpretim këngësh nga Sara Hajdari dhe Petrit Çarkaxhiu, i cili do të interpretoj këngë me tekste të Fahredin Shehut.

Eventi mbahet më 14 gusht, (e dielë), në parkun kulturor “Ali Podrimja”, në orën 20.30. / Kultlus.com

Fahredin Shehu, pjesë e projektit artistik të skulptorit të famshëm Italian, Italo Lanfredini

Në një projekt që zgjati plot dy vjet, skulptori i njohur italian Italo Lanfredini, ka realizuar barkën e punuar të drurit ku janë punuar poezitë e emrave më të njohur të poetëve botëror aktualisht, në mesin e të cilëve edhe poeti kosovar, Fahredin Shehu.

Kohë më parë, poezitë së bashku me barkën dhe skulpturat tjera janë ekspozuar ne Villa Medici del Vascello, në Cremona, Itali. Familja Medici ishte tutor i shumë artistëve të mesjetës ndërkaq në Vilën e tyre sot organizohen shumë aktivitete kulturore.

Poeti kosovar Fahredin Shehu, është prezantuar me poezinë “I mbërthyer në jehonën e guaskës bojëylber”, të përkthyer në Italisht nga Anila Stojku. E njëjta poezi është përkthyer edhe në Hebraisht nga poetesha e njohur izraelite, Gili Haimovich, e cila me këtë botim Shehut ia uroi ditën e pavarësisë, dhe u botua në Jeruslem, ndërkaq në gjuhën Greke, poezia në fjalë është përkthyer nga poetesha Alma Braja në Athinë. Sipas Shehut, ky projekt, i cili zgjati rreth dy vite, është njëri nga projektet shumë të rëndësishme, sepse janë përfshirë emrat e njohur të letërsisë si Fiona Samspon, Marilyne Bertoncini, Gili Haimovich, Carlo Alberto Sita, Guiliano Scabia, Evelina Schatz etj. / KultPlus.com

Fahredin Shehu boton librin e ri ne ShBA

Arti poetik i Kosovës edhe njëherë shfaq fuqinë e zërit autentik, nëpërmjet vargjeve të poetit Fahredin Shehu. Libri me titull “UMAMI- esenca e shijueshmërisë”, është vepër origjinale, e cila të lejon ta shijosh poezinë si një ushqim më të sublimuar shpirtëror. Shehu nuk gjente dot asnjë fjalë të vetme, në akcilën gjuhë botërore, e cila në mënyrë më koncize do ta rezymonte, respektivisht koncentronte tërë materialin gjenetik të kësaj poezie në një fjalë të vetme.

Për këtë libër ka shkruar mjeshtëri i madh i artit dhe shpirtnisë, poeti, recitatori dhe kaligrafisti japonez, Tendo Taijin si ne vijim: Nuk do t’i kishte shkuar kurrë në mendje një japonezi të përdorte “UMAMI” si titullin e një koleksioni poezish. Ndjeva sikur më kishin zënë në befasi. UMAMI” është një fjalë e përdorur veçanërisht për kuzhinën japoneze dhe unë e admiroj ndjenjën e mprehtë gjuhësore të poetit Fahredin Shehu në zgjedhjen e saj si titullin e përmbledhjes së tij me poezi. UMAMI, e cila i përket shqisave të shijes në mesin e pesë shqisave njerëzore, është një kombinim delikat i thekoneve të bonitit dhe lëngut të leshterikëve, dhe sa më i mirë të jetë shefi, aq më i veçantë është ai për lëngun që përcakton cilësinë e pjatës. Poezia: “Unë jam më shumë se një elektron”, “Mësoi shkronjat/mësoi edhe numrat/emrat e kafshëve/emrat e bimëve gjithashtu/emrat e gurëve/emrat e ujërave/të gjitha llojet e ujit gjithashtu/dhe shijet e të gjitha llojeve/dhe kompleksiteti i shijeve/deri në thelbin e shijes/”.

Tendo Taijin- Foto nga Rromir Imami, Rahovec 2019

Shija përfundimtare e “UMAMI” varet nga kjo përmbledhje poetike. Tendo Taijin (Poet/Recitative)  Kapitujt si: “Poetika e rrushit është Teurgjike”, “Poezia më e mirë është e shkruar nga zogjët në fluturim”, “E vërteta është thënë, heshtja është vulë e saj”, “Zemra jotë është portë e Parajsës, Universi është veç andej portës”, etj., edhe njëherë e artikulon, kësaj radhe më fuqishëm, rrugëtimin kërkimor më se tre dekadësh të Shehut, për të arritur në një tjetër majë të krijimtarisë duke dal edhe me Manifesto të tij.

Shehu shprehet tejet mirënjohës botuesit William S. Peters me, të cilin bashkëpunon që nga viti 2013, e në veçanti ndaj Profesoreshës nga Universiteti i Pensilvanisë, Hülya Yilmaz, eksperte e letërsisë transcendentale në fokus George McDonald. Libri UMAMI ISBN-13: (inner child press, ltd.), 155 pg. New Jersey USA, June 2022./ KultPlus.com

Fahredin Shehu shpallet fitues në Festivalin e 8-të të Pranverës Kineze të Poezisë 2022

Poeti nga Kosova Fahredin Shehu është shpallur  fitues në Festivalin e 8-të të Pranverës Kineze të Poezisë 2022 (Federata e Pekinit), përcjell KultPlus.

Gala e Festivalit të Pranverës së Poezisë Kineze i është përmbajtur gjithmonë konceptit të “Poezisë së Madhe” që integron të lashtën me modernen, duke ndërthur kinezishten dhe perëndimoren.

Çmimet mbulojnë fushat e Poezisë (Poezia e Re), prpzë poetike, poezia antike, tekste, përkthime etj që ndikojnë në nritjen kulturore dhe turizmit kulturor duke u bërë që kështu këto çmime të jenë një nga çmimet më të begatshme të poezisë.

Disa nga fituesit

Fahredin Shehu

Lovelyn P. Eyo

Марсель Шайнурович САЛИМОВ

Eden Soriano Trinidad

Smaragdi Mitropoulou

Lidia Chiarelli

Antje Stehn

Ewelina Maria Bugajska Javorka

Pankhuri Sinha

Antonia Russo

Claudia Piccinno

Ana Stjelja

Michela Zanarella

Bisso Natalie

Lucilla Trapazzo

Maria Errico

Елена Григорьевна Ананьева

Xanthi Hondrou-Hill

Abdukakhor Kosimov

Eva Petropoulou Lianoy

Maki Starfield

Niels Hav

Caroline Laurent Turunc

Christopher Okemwa

Çertifikatat e çmimeve do të jepen pas përfundimit të konferencës më 25 janar.

Më 25 janar, faqja zyrtare e transmetimit live të Gala-s së Festivalit të Pranverës së Poezisë në Pekin./ KultPlus.com

Botohet në Francë ‘Antologjia Éphéméride’ e poetit Fahredin Shehu

Éphéméride quhet antologjia e cila sapo ka dalë në Francë ku u botua edhe poezia e autorit nga Kosova, Fahredin Shehu.

“Fjalë të shkruara në tapicerinë e kohës”, botim l’anthologie de JEUDI DES MOTS: Një libri i edituar nga Editions Pourquoi viens-tu si tard?

Në antologji janë kryesisht poetët francez, por ka edhe nga Kanadaja, Gjermania, Italia, Belgjika, India, vendet latino-amerikane dhe nga Kosova.

Fahredin Shehu e falënderon znj. Marilyne Bertoncini për përkthimin e poezisë së tij dhe rekomandimin që të jetë pjesë e kësaj antologjie.

Znj. Bertoncini është poete dhe aktiviste e njohur në Francë, e cila edhe më herët e ka angazhuar Shehun, përkitazi me përvjetorin e Charles Baudilaire, në vitin 2021, ku leximi i Shehut, i poezisë Albatrosi të Baudilaire, për shkak të pandemisë, është arkivuar si video-lexim.

Ky është linku ku edhe në mënyrë elektronike u publikua poezia e Shehut./ KultPlus.com

Fahredin Shehu dhe Maklena Nika, pjesë e ‘Maratonës së Parë të Poezisë Ballkanike’

Revista “Balkan Culture” organizon Maratonën e Parë të Poezisë Ballkanike më 31 mars.

Në këtë event do të marrin pjesë 17 poetë të njohur nga 12 vende, midis tyre Maklena Nika e cila përfaqëson Shqipërinë, dhe Fahredin Shehu, Kosovën, të cilët do të lexojnë poezitë e tyre në gjuhën e tyre (me përkthim simultan në anglisht).

Maratona e Parë e Poezisë Ballkanike aspiron të kontribuojë në forcimin e imazhit të poezisë, por edhe në bashkëveprimin dhe njohjen e popujve të Ballkanit. Ballkani, një udhëkryq i kulturave dhe tregtisë, gjithmonë ka funksionuar pozitivisht. Gjithmonë mikpritës dhe tolerant, me një larmi gjuhësh, fesh dhe etnish.

Folësi kryesor i veprimtarisë do të jetë Prorektori i Universitetit të Peloponezit, Profesor George Andreiomenos.

Aktiviteti do të zhvillohet të mërkurën më 31 mars 2021, në orën 19:00 në YouTube. / KultPlus.com

Nëntë rrathët e mistikës së Fahredin Shehut

Shkruan: Murteza Osdautaj

NËNTË RRATHËT E MISTIKËS SË FAHREDIN SHEHUT

(Një vështrim për përmbajtjet sakrale të poezive të librit ‘Palankin’)

Miku im, Fahredin Shehu, njihet me shkrimin e tij jashtdëdimensional, filozofik, gnostik dhe të orientuar drejt sqarimit të të pasqaruarës. Pse e them këtë?

E them ngase Fahredini dhe poezia e tij nuk sjellin aktualitetin dhe ‘botën’ në formën në të cilën e njohim ne atë. Poezia e Fahredinit dhe shprehja e tij poetike janë më një kuptimësi tjetër dhe kjo kluptimësi është e dimensioneve që kapin hapësirën e fillimit të krijimit të jetës dhe arsyeshmërinë e ekzistimit të brenda universit.

Fahredini nuk e pranon jetën si fakt të qenë. Ai mundohet ta gjejë arsyen astronomike të lindjes së saj. Ai e mundohet të hyjë në natyrën qelizore të fillimit dhe në shtresat me subkoshiente të të menduarit   të bërjes së saj. Kërkimi apo përpjekja për ta hetuar se pse na u dha, perse duhet ta  jetojmë dhe si duhet ta jetojmë jetën, bazuar edhe në filzozofitë më mistike të lindjes, është një qëllim, thuaja, mbitokësor dhe mbinatyror i përpjekjes së tij. Duke dashur ta njoh nga një kënd dhe dimension që shkenca dhe arti modern nuk e kanë shikuar dhe njohur jetën dhe krijimin e saj, Fahredini e mbishtreson shkrimin e tij me magjinë dhe me shkrimin e shenjtë kuranor dhe biblik ndonjëherë edhe budist. Në këtë formë të shkruarit e Fahredinit bëhet një zgjatim i të shenjtës dhe i të bukures që nuk e kanë dimensionet racionale të njeriut modern dhe të menduarit e tij.

Fahredini mundohet ta tejkalojë qenësinë fizike tonën, pra të njeriut. Mundohet të dalë mbi shtresimet kuptimmbajtëse që mbijetojnë brenda nesh, ai tenton që brenda kufijve të botës sonë të të menduarit, ta instalojë një lloj metamendimi metafizik mbi njeriun dhe mbi arsyet e ekzistencës dhe të të menduarit të tij. Thjeshte me profilin e tij te poetit mendimtar, Fahredini mëton ta shpjegojë zanafillën e te tërësishmes që inkorporohet në njeriun.

Fahredini përkufizohet ne kuptimet reale dhe magjike të numrit nëntë. Ai nëntëshin e shikon si një numër përcaktues kozmik dhe jetësor. Krijimi, mbikrijimi dhe lindja përthekohet filozofikisht brenda nëntë momenteve, nëntë muajve dhe nëntë  aspekteve të ekzistencës. Po qëllimi i tij është shpjegimi i të mrekullueshmes, të dashurisë, të përmbitokësores dhe të magjishmes që ndodhë brenda ciklit të nëntëshit. Në hyrjen e librit të tij ai mundohet të na shpjegojë nëntëshin e tij mistik:

Edhe njëherë do të flas nëntëshin e botës.

Këtë herë nuk do të huazoj

gojët e dritave që rrezatojnë

ndërmjet dy dritave të bojshme.

ky nur që kalon nëpër cipat

e qenies pa u penguar shqyen smirën

dhe urrejtjen. Shuan etjen për dije

dhe ngop barqet e uritura

për një kafshatë diturie në varg

               Nga kjo që shohim, që në poezitë parathënëse të autorit, ai mëton që më anë të forcës së diturisë, dhe dituria te autori shpesh është kategori metafizike që qëndron mbi ne dhe jashtë nesh, të krijojë universin e tij të njohjeve lidhur me temën që mundohet ta shtjellojë në preokupimin e tij filozofiko-poetik. Autori e kuranizon dhe e kanonizon shkrimin për ta shpjeguar ‘pakundërshtueshëm’ mrekullinë e krijimit dhe të zanafillës.

Lindja e njeriut është një akti hyjnor, ngjizja, formësimi, përfundimi i krijimit dhe lindja e njeriut është një formë e zgajtur e universit dhe shtresave kozmike të tij. Në të vërtetë, Fahredini, mundohet ta shpjegojë dashurinë, dhe dashuria është më një formë e ekzistencës, një formë e përzgjatjes së ekzistencës së mendimit dhe një mënyrë e vazhdimit të kozmosit. Fahredini nuk vrapon pas figurës, ai mundohet ta zgjidh kodin dhe kodi që mëton ta dekodojë ai është kodi i tërë asaj që e quajmë njerëzore, të qenësishme për ta shënjuar ekzistencën dhe e domosdoshme për ta dëshmuar qenien, arsyen, mendimin. Kjo ngase pa mendimin s’mund të dëshmohet e qenësishmja, ekzistenca.

Teksti i Fahredinit është një tekst sakral. Në tërësinë e tij ai duhet të kuptohet, në rend të parë, si i tillë d.m.th. biblik e kuranor e pastaj si poezi. Fahredini lidhet pas kodeve të jetës, të jetës dhe të domethënieve të ndërmjetme, të cilat kanë për qëllim ta shpjegojnë jo vetëm krijimin e jetës si proces biologjik por edhe ekzistencën e saj si një qëllim qiellor dhe si dije,

Duke shkruar një tekst që ka dimensione të mistikës fetare, dimensione të shkencave të lashta të lindjes dhe dimensione të racionalzimit perëndimor, në të vërtetë, shkrimi i Fahredinit është një tekst universal ekzistencialist, kur  e shohim në kuptimin filozofik të fjalës.

Fahredini flet për nëntëshin. Numër kod që, sipas tij, domethënien e ka në krijimin e jetës. Duke qenë një numër kod, me një fuqi magjike dhe mistike, njëkohësisht, nëntëshi i Fahredinit ka fuqinë të pë

rmbajë informacione të fshehta edhe për dashurinë edhe qenësinë e njeriut brenda konteksteve të përkohshme kohore të tokës.

Teksti i Fahredinit është tekst mbi mrekullinë. Është tekst mbi zotin dhe është tekst mbi inkarnimin e ekzistencës së njeriut në një bashkëveprim me perënditë që qëllim ka njohjen, dijen dhe , ndoshta, mbidijen që është një shtresë e dijes dhe qëllimit suprem që ekziston mbi ne dhe jashtë nesh në formë të qëllimin të Zotit. Prandaj libri ‘Palankin’ i Fahredinit nuk është një libër i zakonshëm poezish. Libri më shumë është një prodhim që ka rezultuar nga leximet mistike të autorit të bëra në librat e shenjtë apo, në ndonjë rast, nga leximi i librave mistike poetike që janë karaktersitike në kulturën e lindjes dhe sidomos atë persiane. Autori na e bën më dije pazakonshmërinë e librit të tij që në parathënien e shkruar prej tij:

‘Ky libër do të jetë libër i qartë

i fshehur në zemrat e të dashuruarve.

Këto shenja të qarta për syhapurin

nuk fshehin misteret e botës së errët.

Zhvish tunikën e injorancës o dritë

e pashuar e Universit. Shih këtë

mrekulli të shndritshme që

të bëhet manifestim dhe dhuratë

për sot dhe për njëmijë muaj tjerë’

                Libri do të jetë i ‘qartë‘ për lexuesin e lexuar. Qartësia e librit mbështetet mbi zhveshjen e asaj që autori e quan ‘tunikë e injorancës’ Në këtë kuadër libri dhe teksti që përfshihet brenda tij, nuk janë ndonjë masë e leximit të atypëratyshëm. Libri është i mbushur me filozofi, me informacione të fshehura, me shenja, dhe me një mbishtresim mistik dhe transcendental.  Për këtë arsye analizimi dhe, ta quaj, dekompozimi i tekstit të autorit tonë kërkon një lloj dijeje specifike për stilin sakral të shkrimit dhe për diskursin teologjik të të folurit. Autori na detyron që ta përdorim, deshëm a nuk deshëm, hermeneutikën për ti zbuluar kuptimet e fshehta, shenjat dhe kumtet që përmbanë kjo poezi dhe libri.

Libri pra nuk është një shkrim normal poetik! Libri është më shumë një lloj pasqyrimi hyjnor mbi krijimin e jetës dhe mbi krijimin e njeriut mbi këtë univers dhe, po kështu, për dashurinë si koncept i të gjitha besimeve religjioze abrahamike dhe joabrahamike. Dashuria ndaj njeriut, dashuria ndaj jetës dhe përçudnimi ynë kundruall ekzistencës tonë në këtë botë janë disa nga konceptet që autori mëton t’i shpjegojë duke u bazuar në eklektizmin filozofiko-shkencor të krijuar me shekuj nga teoritë dhe besimet fetare që nga Tibeti i largët e deri te Evropa moderne.

Autori në tërë librin e manifeston besimin e tij absolut në Zotin. Zoti për autorin është gjithçka. Është drita, është gjithësia, janë të tërat që shohim e që ndjejmë. Zoti për të është fuqia e krijimit dhe është krijuesi i cili ‘zbrazë’ mbi dimensionet e njohura tonat jetën, ndjenjat, dashurinë, ujin, bërjen. Nuk është çudi pra që autori i drejtohet, që në fillim, atij dhe nuk na habitë fakti që Ai, që në fillim të librit, deklarohet si i gjithëfuqishmi dhe i patejkalueshmi, në ne, jashtë nesh dhe përmbi ne.

1.           Nga të dyja anët e energjisë sate

2.           dy gjithësi anësore- reale të pështjellin.

3.           Si përqafim i ngrohtë fëmijësh pas mallimit

4.           të gjatë, pas mungesës që zgjati me vite drite.

5.           Tash klith në mes-botë. Zotin kot e kërkoje

6.           në ndërtesat e punuara me dorë njeriu dhe

7.           në germat e mbarsura nga alienët.

8.           Zotin kot pohoje se e gjete në zemrat

9.           e besimtarëve si ti. Zoti të flet me akt!

Autori tregohet ‘supersticioz’ edhe në kombinimin kompozicional të librit. Ndarja e librit në nëntë kapituj dhe duke mos i emërtuar ata me asnjë emërtim specifik por me numra romakë, shënon qëllimin e autorit që rrjedhën e ‘zanafillës’ të cilën e përshkruan në librin e tij ta bëjë ashtu siç bëhet na natyrë, e rrjedhshme, e ngadalshme, proces i përmbledhjes së pjesëve që, aty këtu, autori i quan shtatë miliardë qeliza njerëzore.

Pjesa e parë e librit të Fahredinit shënon procesin e krijimin dhe të ndërhyrjes hyjnore, nëse mund ta quajmë ashtu. Në këtë pjesë nuk flitet vetëm për fillimin e njeriut sa flet në përgjithësi me fillimin e të gjithë njerëzimit dhe, mbi tërë këtë, me fillimin e asaj që autori e quan herë dije e herë shpirt dhe herë e përkufizon si ekzistencë. Autori mundohet të na tregojë se mbi gjithçka që ekziston mbi këtë botë dhe mbi tërë universin është Zoti. Zoti jo si fuqi, por zoti si krijues, mbi të gjitha, si ‘dhënës’ apo ‘dhurues’ i të tërësishmes.  Prandaj:

5.           Tash klith në mes-botë. Zotin kot e kërkoje

6.           në ndërtesat e punuara me dorë njeriu dhe

7.           në germat e mbarsura nga alienët.

8.           Zotin kot pohoje se e gjete në zemrat

9.           e besimtarëve si ti. Zoti të flet me akt!

Bërja është një koncept thuaja fillestar i tërë librit. Bërja e njeriut. Bërja e pamundur e gjërave apo bërja e pamenduar e gjendjeve dhe fenomeneve. Dhe bërja e gjërave është ajo që autori e quan akt të krijimit me anë të kodit ‘bëhu’. Prandaj nuk mund të flitet këtu për çkado relative, derisa, mbi të gjitha, është supremja e gjithëpërfshirësja.:

1.           Ti the: “Bëhu!” dhe u bë gjashtë herë

2.           ripërsëritje e kodit të huja gjenetik.

3.           Zarin e kuq e hodha në detin e Galilesë.

Megjithatë poezia e Shehut në  ‘Palankin’ shpesh zhdirgjet nga nivelet e mistikes siqiellore dhe mbishtresohet mbi mistiken njerëzore të tokës. Megjithatë kjo ka të bëjë me atë që do ta quaja mrekullim i njeriut me qenësinë e tij në tokë dhe mrekullimin e asaj se njeriu qëndron mbi këtë bote si qenie që krijohet dhe ekziston duke ‘ditur’ për ekzistencën e tij, pra duke qenë i vetëdijshëm mbi vetveten dhe zhvillimin e tij human dhe duke u mrekulluar nga rruga e krijimit të tij si qenie nga ‘asgjëja’.

Derisa, në mënyrë ‘kronologjike’, shpengohen proceset që nga zanafilla e deri te krijimi, kapitulli i pestë, shënon njëfarë qendre të librit. Dilema e një lexuesi të pamësuar me llojin e tillë të shkrimit, do të jetë normale. Në këtë pjesë që unë do ta quaj ‘mesi’ autori na sjell një traditë të moçme persiane të shkrimit. Në këtë pjesë e cila, bazuar në përbërjen kromozomale të njërit, përbëhet nga 23 pjesë që autori i quan ‘karta’ apo ‘pllaka’, autori krijon një lloj loje fati. Këto janë pjesë që nuk mund të lexohen njëherësh dhe si tërësi. Këto pjesë janë një lloij zari që njeriu i krijuar që nga fetusi e deri në qenien e vetëdijshme, duhet t’i përzgjedh në mënyrë të rastësishme ashtu që të ‘krijojë’ një lloj ideje mbi fatin e tij dhe mbi atë që e pret.

Në këtë pjesë që në njëfarë formë krijon një lloj relaksimi nga ‘shtrëngimet’ filozofike dhe teogjenike që na shkaktojnë kapitujt tjerë, lexuesi do ta krijojë një lloj loje mbi qtë që është dhe mbi atë që do të bëhet. Shfletimi i rastësishëm i ‘pllakave’ ia shpjegon atij njëzet e tri shanse të fatit dhe të ekzistencës së jetës së tij. Po të kesh fat ‘ të mirë’  do të të bjerë ‘karta’ e  parë tek e cila të dalin fëmijët  për të cilët autori thotë se janë:

Lotë dhe buzëqeshje. Zemra gjak do të pikoj.

Qielli derdhet në vajin e tyre.

Lumnia të takon.

Ose në  situata të ndryshme të tjera mund të kesh ‘fat’ ose ‘fatkeqësi’ të përballesh me koncepte të shumta jetëformuese siç janë martesa, suksesi, dielli, hëna, palaçoja, pafundësia, planentet, nëntë plumbat etj. Dua ta ceki këtu një moment nga kjo pjesë e cila është yshtëse. Kur autori shkruan për fatin, në definimin që i jep atij, janë tri komponentë përbërës me të cilët projektohet ky nocion. Autori fatin e koncepton si një trekëndësh që përbëhet nga gruaja, burri dhe fëmijët ndërsa që të gjitha të tjerat janë gjëra që nuk i përkasin tërësisë që ai e quan fat:

Gruaja. Burri. Fëmijët. Të gjitha të tjerat janë vegime

Zgjëndrra të matufosura.

Tronditja të zgjon. Je me fat. Tani apo më vonë, rrufeja e fatit do të të godas.

Ose interesant, gjithashtu, është mënyra se si ai e shpjegon ecejaket nëpër jetë të njeriut dhe pasjen në dorë të asaj që e quajmë fatkrijimi e që nuk mund të jetë e lehtë e drejtvizore por me plot leqe dhe me plot krajata e mundime:

Askush nuk erdhi në jetë si në pushim vjetor.

Rruga e jetës të takon vetëm ty. Vetëm përcill leqet e saja dhe të drejtat e saja

Qëndro edhe pak dhe do të arrish!

Kjo pjesë, të cilën autori e quan ‘qendra’ e librit të tij në të vërtetë bëhet një lloj përmbledhjeje e ideve dhe sentimenteve mistike lidhur me ‘fatin’ si koncept thuaja të pashpjegueshëm dhe në lidhje me vdekjen dhe dashurinë si dy degë, apo dy shtigje të cilat e përmbajtjesojnë të ekzistuarit njerëzor mbi këtë botë. Autori mundohet që përmes ‘kartave’ të fatit ta analizojë të tërë materien që e përmban jeta. Dhe kjo materie jetësore sipas tij ka dimensionin e vet brenda njeriut dhe dimensionin tjetër që mund ta quaj mbinjerëzor dhe hyjnor. Pjesë e njeriut është edhe xhelozia, edhe pafatësia, edhe rënia, edhe ngritja por, pjesë e jetës së njeriut janë edhe qielli, edhe yjet, edhe nëntë planetët, edhe dielli. Bashkëveprimi i të tëra këtyre pjesëve përbërëse të jetës, krijon tërësinë hyjnore të ekzistencës njerëzore dhe asaj i japin një lloj kuptimi mbibiologjik. Njeriu është mbi të tërat, është lidhje në mes natyrës dhe fuqisë supreme, është arsyeja e ekzistencës dhe e mendimit. Njeriu sipas, autorit, është dashuria dhe vdekja. Pa njeriun kuptimet nuk do të ekzistonin por edhe ekzistenca apo të qenmit si kategori filozofike nuk do të ekzistonin. Nuk do të ekzistonte bota në fund të fundit ngase s’do të kishte kush ta dëshmojë atë qenësi.

Derisa qendra e librit të Shehut sjell një lloj magjie dhe një lloj loje kozmike me fatin njerëzor, pjesët tjera janë vazhdim i katër pjesëve të para uniforme që i përmbahen numrit nëntë. Në këto pjesë që prapavijnë autori flet për të bukurën. Autori edhe të bukuren e sheh si një akt magjik që i përket veprimit madhor. E bukura, sipas Shehut, është njerëzore vetëm si shfaqje derisa si bërje është akt i lartë i qiellores. Sipas këtij koncepcioni të poetit, ai kështu e shpërfaqë konceptin e tij të të bukurës:

1.           Bukuria është xhevahir në kurorën

2.           e përhershmërisë dhe kafka

3.           jote do të dëshmojë mbi

4.           dhimbjen dhe urdhërin e Zotit.

5.           Se diçka që duhet të behet

6.           suhet të bëhet bukur deri në Alivanosje.

7.           Deri kur esullohesh për një lot,

8.           të cilin e lë pas në gjurmët e, së cilës

9.           nuk kthehesh si gjarpëri tunikëhedhur

Në anën tjetër ajo që e preokupon autorin me të madhe dhe për të cilën ai mëton të jap mendim është dija e kuptuar si dije që bartë njohuri dhe fakte dhe si dije absolute krijuese. Dija sipas autorit është buruesja e të gjitha arsyeve dhe e të gjitha racionaliteteve me të cilat ne ndeshemi në jetën e përditshme por edhe të cilën e takojmë në jetë në formë të aktit të krijimit dhe në formë të një ndërhyrjeje hyjnore të cilës autori i beson fort. Prandaj autori do të thotë se:

                                             Dija është fuqi që dridh shtyllat e botës

Filozofia e autorit i nënshtrohet një ligjësie që vetëm ai e kupton por që rrjedhë nga një sfond kulturor në të cilin është krijuar ai. Brenda këtij sfondi kulturor për të cilin po flasim, autori është krijuar si njeri, është formësuar si besimtar në të mbinatyrshmen, është pjekur si poet për ndjesinë njerëzore dhe për ndjesitë qiellore dhe ka arritur të përfundohet si një penë interesante dhe shumë  ngacmuese për ta ngjallur mendimin tonë për jo konkreten dhe shpirtëroren e cila përfshinë dimensione të ndryshme të ekzistencës dhe të magjisë por edhe te transcendentes.

Dua të cek se libri është një konglomerat idesh dhe fushash. Në libër gjejmë sakralen dhe besimin në zot. Në libër gjejmë pasqyrime kuranore, biblike dhe budiste. Në libër e gjejmë filozofinë e të dashuruarit dhe të dashurisë si kategori humane dhe qiellore dhe gjejmë të dhëna shkencore nga biologjia dhe shkencat tjera të jetës. Libri gjithashtu manifestohet edhe me kategori të tjera jetësore dhe besimore. Në libër gjejmë, gjithashtu, kategorinë e së drejtës dhe disa pjesë të librit janë lloj ‘kanuni’ në lidhje me ekzistencën tonë brenda kësaj bote ku mund të mos ekzistosh po nuk pate një identitet të caktuar që ka të bëjë me dashurinë, që ka të bëjë me  Zotin, me kozmosin dhe me dijen e cila, në libër konsiderohet kategori absolutisht universale.

Natyra e këtij punimi është e tillë që nuk mund të analizojmë të tërë spektrin e ideve dhe të vizioneve mistike të autorit. Libri është një dokument sakral modern i cili nuk është i shkruar për ta përjetuar që në leximin e parë dhe si i tillë nuk është i shkruar për t’u lexuar në mënyrë uniforme. Libri kërkon lexim dhe rilexim, kërkon qasje dhe riqasje, kërkon nga lexuesi që ai t’i kthehet përsëri atij për ta nxjerr thelbin dhe tërësinë nga ai. Dhe tërësia e librit të Shehut është tërësia e të menduarit mbi thelbin e ekzistencës. Tërësia e autorit është jeta, është rruga e krjimit të jetës, është dashuria tokësore dhe dashuria si predikim deist mbi amshueshmërinë dhe metafiziken e ekzistencës së saj.  Për t’i jetuar këto aspekte të librit dhe për ta nxjerr bërthamën e kuptimeve dhe të dijeve që inkarnohet brenda tekstit, librit duhet për t’iu kthyer dhe rikthyer. E kuptueshme pra që për një lexues të zakonshëm përjetimi nuk është i menjëhershëm dhe ndoshta është i pazbulueshëm. Lexuesi i devotshëm dhe i dhënë pas një akti, ta quaj, të meta leximit, në tërësinë e librit do ta gjejë një univers shumë interesant dhe me ngjyra të pafundme të kuptimeve dhe të shfaqjes së të shenjtës.

Dua të flas dy tri fjalë edhe për gjuhën e librit.

Shehu në librin ‘Palankin’ shfaqet në letrat shqipe me një gjuhë përfundimisht të gdhendur mjeshtërisht. Stili dhe diskursi janë kuranor ndërsa që mund të gjesh edhe konstrukte gjuhësore që janë tradicionale poetike. Autori e përzgjedh gjuhën dhe e përzgjedh edhe dialektin sa herë që ka nevojë që kuptimet dhe domethëniet e tekstit të tij të marrin ngjyrime të veçanta. Përmbajtjet lirike të Shehut janë shkruar me një gjuhë dhe me një fjalor bazuar në standardet e lirikës spiritualiste, ndërsa që kuptimet dhe domethëniet që janë më ‘të ashpra’ shpesh përshkruhen me dialektin gegë dhe me një stil gati epik.

Autori dallohet me një fond të pasur fjalëve. Ai, kur ka nevojë, e përdor fjalorin e pastër shqip qoftë në versionin standard, qoftë në versionin e gegnishtes letrare, por, kur i duhet për shkaqe të konteksti filozofik, ai di të përdorë edhe fjalë dhe shprehje që i instalon në gjuhën e tij të marra nga gjuhët e huaja apo të vjela nga bibla dhe kurani por edhe nga filozofia tibetiane apo nga ndonjë kulturë tjetër.

Për të mos e quajtur të përfunduar diskutimin për librin e Shehut, mund të themi se kemi para vetes një libër aspak të zakonshëm dhe një libër që aspak nuk bazohet në traditën dhe në medernitetin poetik. Libri është i veçantë temamtikisht, filozofikisht, si doktrinë dhe si përmbajtje. Të tëra këto veçori e bëjnë ‘Palankinin’ libër të veçantë, libër ndryshe dhe libër që kërkon rikthim dhe rilexim.

Ta përfundoj këtë shkrim me poezinë e fundit të saj:

1.           Kështu është kur nga dashuria lindin

2.           të dashurit, të dashuruar përjetësisht

3.           Të lindin dike, i cili do të dashuroj për

4.           Përhershmëri dhe një ditë më shumë,

5.           pa u bezdisur për dhimbjet në kryqe dhe

6.           sinuziti kronik. Ne ndjejmë aromat

7.           e ilaçit nga distancat kozmike, përtej

8.           rrugës së qumështit. Ne regjenerohemi si gjallesat

9.           e Oqeanit të madh dhe navigojmë në ujët e palcës kurrizore. /KultPlus.com

Fahredin Shehut i ndahet plaketa e artë presidenciale nga Senati i Akademisë Universum në Zvicër

Senati i Akademisë Universum, në Lugano të Zvicrës i dha plaketën e artë presidenciale dhe Diplomën e Doctor Honoris Causa si dhe Akademik honorabël pranë kësaj Akademie, shkrimtarit Fahredin Shehu, përcjell KultPlus.

 Fahredin Shehu edhe më herët, për punën e tij kreative, është shpërblyer me çmime të rëndësishme si: Medalje e artë nga Filipine për letërsinë si urë lidhëse mes kombeve, çmimi Veilero në Itali, çmimi Naaji Naaman në Liban etj.

Shehu është autor i 18 librave të botuar ku nëntë prej tyre në Anglisht, Italisht, Serbisht, si dhe ka hartuar disa Antologji të poezisë bashkëkohore. Është i përkthyer në dhjetëra gjuhë botërore si anglisht, frëngjisht, spanjisht, greqisht, hebraisht, persisht, kinezisht, japonisht, bahasa, malteze, frisiane, bullgarishy, rumanisht, serbisht, maqedonisht, gjuhë rome etj., dhe ka marrë pjesë në shumë festivale botërore si në Maqedoni, Francë, Belgjikë, Itali, Malta, Izrael, Liban, Egjipt, Turqi etj.

Shehu është drejtor për kulturë të Inner Child Press International LTD. në New Jersey. Fahredin Shehu është gjithashtu drejtor i festivalit ndërkombëtar të poezisë i cili mbahet tash e pesë vite, çdo shtator në Rahovec. / KultPlus.com

Poetit Fahredin Shehu, i botohet një libër në ShBA

Shtëpia botuese Inner Child Press International LTD, nga New Jersey, SHBA, botoi librin e radhës nga poeti kosovar Fahredin Shehu. Libri titullohet “ HERENOW” ose “Këtutania” që shfaq një poezi avangarde me notë të fuqishme të lirikës shpirtërore dhe kontemplative gjë që është vulë kreative e poetit Shehu.

Poezitë janë të ndara në ciklet: Humnera e sipërisë, frymëzuar nga filozofia e Jean Baudrillard. Dy masa të prera për të vetmin shpirt, që e riaktualizon Maister Eckhart në epokën digjitale, cikli Fytyrat nga Asgjëkundia, dimensioni i Afërlargët i njeriut dhe relacioni i tij kosmologjik me kreativitetin. Pesha e dhembjes, një cikël me lirikat shpirtërore nokturnale dhe diurnale dhe cikli i fundit Aktet të pafajshme të Vetëdijes.

Për Librin kanë shkruar emrat më të shquar të letërsisë botërore aktualisht nga vende të ndryshme të botës. Vlen të ceket vështrimi i profesori i letërsisë nga Dublini, Patrick Lodge, i cili shprehet:
“…poezitë janë të ndjera duke mbarsur thelle diçka shpirtërore në çdo varg. Vetëm poezia “ “Kah shpresa”, do të mund të ishte një vepër e vetme dhe ajo flet …thuaje fjalën o poet, fjalën depërtuese si një raketë, Herenow është një raketë e tillë”, përfundon prof. Lodge.

Nga një kënd tjetër i globit shkruan profesori i letërsisë amerikane nga Universiteti Meiji në Tokyo, profesori Keijiro Suga.
“Ndalo së adhuruari Kohën, sepse Koha nuk është më Zot. Tokat e largëta rrotullohen, por për ty poet nuk ka Lindej as Perëndim. Të jesh këtu, të jesh Tani…të jesh i zëshëm si qielli. Atje ti e gjen vetën që i ngjan askujt dhe e emërton Fahredin Shehu. Engjëlli i fundit i dashurisë në Tokë, ose një, i cili përpiqet të bëhet”, ka shkruar Suga.

Për këtë libër ka shkruar edhe profesoresha Fiona Sampson nga Universiteti Roehampton në Londër. Sampson është njëra nga katër poetë më të mirë të Mbretërisë së Bashkuar.
“Fahredin Shehu një shkrimtar më dhunti të shtrira gjithëndej të lirikës, visionit dhe guximit. Poezitë e tij evokojnë botë të mundëshme dhe ato botë të pamundëshme si dhe gjetjen e revelatave/ zbulesave nga jeta e përditëshme. Ai është shkrimtar që duhet celebruar, frymezues në admirim dhe mendjeprehtë në elegji”, ka shkruar Sapmson.

Ndërkaq poeti dhe dramaturgu më i njohur Turk, Tarik Gunersel thotë: Kur poeti me një horizont aq të gjerë të dijes, si Fahredin Shehu thotë Herenow/ Këtutania, unë e përqafoj mundësinë sfiduese të aventurës, në një udhëtim të hapur në secilën “këtutani” të mundshme dhe në secilën temë. Unë vazhdoj të argëtohem më një udhëtim të këtillë begatues.

Libri i ka 120 faqe dhe gjendet në shitje në Amazon books, shkruan gazetaere.com./ KultPlus.com

Së shpejti fillon edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë në Rahovec

Javën tjetër, duke filluar nga data 15 deri më 17 shtator 2018, Rahoveci do të jetë nikoqir i edicionit të katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, që organizohet nga Fondi për Edukim Kulturor dhe Trashëgimi, shkruan KultPlus.

Edhe ky edicion synon të sjellë emrat e shquar të letërsisë botërore nga Japonia e deri në SHBA, nga Evropa në Azi.
Sipas Drejtorit të Festivali, Fahredin Shehu, do të ketë lexime të poezive nga poetë, performancë poetike nga poetja japoneze Yuki Nagae. Po ashtu do të bëhët edhe promovimi i Antologjisë Ballkanike e edituar nga Shehu dhe botuar nga Inner Child Press LTD. International, në SHBA, si dhe promovimi i opusit letrar të poetit nga Shqipëria, Xhevahir Spahiu.

Shehu zbuloi se poeti amerikan Andreë Singer, bartës i projektit Traffika Europa me seli në Paris, do ta bëj dokumentimin e festivalit dhe Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Rahovec e fut në rrjetin e Festivaleve dhe ngjarjeve kulturore të Evropës. Aktivitetet e Festivalit do të transmetohen live në Traffika Europa Radio si dhe në Radio Aktiv në Rahovec.

Festivali po përkrahet nga Ministria e kulturës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe donatorëve zemërgjerë nga Rahoveci, të cilët e kuptojnë rëndësinë e festivalit dhe diplomacisë publike në interes të ngritjes së imazhit të Kosovës në botë./ KultPlus.com

Poezia e Fahredin Shehut publikohet në Pangolin Literary Review në Mauritius

Poezia e Fahredin Shehut është publikuar së fundmi në edicionin e tretë në Pangolin Litetary Review në Mauritus, shkruan KultPlus.

The Pangolin Literary Revieë është një revistë online e poezisë në Mauritius. Poezia e poetit nga Kosova, Fahredin Shehu që është publikuar në këtë revistë, titullohet “Let us celebrate”.

Po ashtu kjo revistë ka publikuar edhe biografinë e shkrimtarit Shehu./ KultPlus.com

Atje

Poezi e shkruar nga Fahredin Shehu.

Kur shikimin e ngre kah format e bardha t’reve
atje e gjen ftyren teme t’ndriçume prej rrezeve t’diellit
nanë apo nuk jam… me petka filur e veshun
si në natën e nusnisë,
me livante floke t’lyme
me ftyrën si hana e plotë
e shikueme n’paqyre t’Venedikut
si atëhere kur krisnin pushkat
e krushqit kahre u bojshin
kush ma i pari e kalon udhkryqin
mes dy varrezash
njona e murtajes e tjetra e fëmijeve
t’vdekun prej fruthi

Sot kur unë ul shikimin dhe shoh barkun
toka tek ma ngreh
diqysh si po du me e knue kangën e mesditës
kur dielli edhe hijen ta humb
e beqarve i bjen t’fiktë
tue pa ikjen dath t’Zanës me krifën kaçurrele
t’përflakun
erandje mirre dhe vjollce tuj shpërnda gjithandej
si atëhere kur hana si Zot adhurohej
e paganët u lutshin shiu me ra
me kambana dhe leshterik,
me fletë shtogu dhe degza t’lakueshme
të shelgut vajtues mbështjellun

Nesër do t’shikohemi drejt n’sy
tue e pa rrenën e shoqi- shoit,
qysh ec si zhiva n’damarr t’plakun
me selmen t’helmuem qysh n’çikni
dhe ftyrat nuk do t’na skyqen prej marrës
sepse terrin e mbështollem n’rule
e lidhëm n’bohqe t’punueme
n’vekun e diellit
atje ku vena pihet e nuk t’i merr ment
ku dashninë e bojnë si frymëmarrjen
e nuk e emnojnë si na
atje ku fjalën e bojnë e nuk e thojnë…

Poezitë e Fahredin Shehut, prezantohen në Trafika Europe

Fahredin Shehu, është poet i njohur kosovar i cili me poezitë e tij ka marrë pjesë në shumë ngjarje të ndryshme ndërkombëtare.

Kësisoj sot në Trafika Europe Corner II.5 janë prezantuar tri poezi të poetit Shehu, të cilat janë të përkthyera nga vetë ai.

“Dragoi”, “Ana kristale e kohës” dhe “Atje”, janë poezitë që janë publikuar në gjuhën angleze në Trafik Europe Corner, ndërsa bashkë me poezi është publikuar edhe një biografi e shkurtër e poetit kosovar.

Në këtë link mund të lexoni poezitë e Fahredin Shehut në Trafika Europe: http://www.eurolitnetwork.com/kosovan-poet-fahredin-shehu-in-trafika-europe-corner-ii-5-by-andrew-singer/ / KultPlus.com