Përzgjidhen 5 aktorët/aktoret e Kosovës për Spotlight

Në bashkëpunimin e sivjetëm me Spotlight, PriFest ka mundësuar anëtarësimin për pesë aktorët Kosovarë, për 1 vit falas, në njërën nga kompanitë më të njohura për shërbime kastingu në Evropë, përcjellë KultPlus.

Aktorët e përzgjedhur janë: May Linda Kosumovic, Rozafa Çelaj, Shkumbin Istrefi, Kushtrim Hoxha dhe Shpëtim Selmani.

Spotlight është shërbim kastingu që lidh aktorët me role në teatër, televizion dhe projekte filmike. Profesionistēt e kastingut përmes Spotlight bëjnë përzgjedhjen e aktorëve për projektet e veta pasi Spotlight njihet si kompania më e mirë në këtë industry. Me studiot e veta në West End të Londrës si dhe ekipet e stafit në çdo kënd të Evropës, Spotlight ndodhet mu në qendër të industrisë së arteve skenike.

Përkrah partnerëve në Evropë, Amerikë e Australi, moto e Spotlight në të cilën besojnë fuqishëm është se casting është një punë me të vërtetë globale dhe një aktor që mund të përshtatet për një rol apo punë mund të vijë nga kudo në botë.

Aktorët e përzgjedhur do t’i nënshtrohen një workshopi (punëtorie) parapregatitor me datën 5 nëntor, për të mësuar se si mund të perdoret platforma Spotlight në mënyrë më efektive për aplikim në projekte filmike apo të teatrit jashtë Kosovës.

Të pesë aktorët kanë fituar anëtarësimin falas në këtë platformë falë bashkëpunimit të PriFest me Spotlight, bashkëpunim ky që do të zhvillohet edhe më shumë në vitet në vazhdim.

Poashtu, javën e kaluar, PriFest kishte organizuar një masterclass me Spotlight për të gjithë aktorët dhe filmbërësit e Kosovës brenda javës së edicionit të 12-të të festivalit.

Edicioni i ardhshëm i PriFest, i 13-ti me rradhë, do të mbahet nga 13-18 korrik 2021. / KultPlus.com