Përzgjidhen 5 aktorët/aktoret e Kosovës për Spotlight

Në bashkëpunimin e sivjetëm me Spotlight, PriFest ka mundësuar anëtarësimin për pesë aktorët Kosovarë, për 1 vit falas, në njërën nga kompanitë më të njohura për shërbime kastingu në Evropë, përcjellë KultPlus.

Aktorët e përzgjedhur janë: May Linda Kosumovic, Rozafa Çelaj, Shkumbin Istrefi, Kushtrim Hoxha dhe Shpëtim Selmani.

Spotlight është shërbim kastingu që lidh aktorët me role në teatër, televizion dhe projekte filmike. Profesionistēt e kastingut përmes Spotlight bëjnë përzgjedhjen e aktorëve për projektet e veta pasi Spotlight njihet si kompania më e mirë në këtë industry. Me studiot e veta në West End të Londrës si dhe ekipet e stafit në çdo kënd të Evropës, Spotlight ndodhet mu në qendër të industrisë së arteve skenike.

Përkrah partnerëve në Evropë, Amerikë e Australi, moto e Spotlight në të cilën besojnë fuqishëm është se casting është një punë me të vërtetë globale dhe një aktor që mund të përshtatet për një rol apo punë mund të vijë nga kudo në botë.

Aktorët e përzgjedhur do t’i nënshtrohen një workshopi (punëtorie) parapregatitor me datën 5 nëntor, për të mësuar se si mund të perdoret platforma Spotlight në mënyrë më efektive për aplikim në projekte filmike apo të teatrit jashtë Kosovës.

Të pesë aktorët kanë fituar anëtarësimin falas në këtë platformë falë bashkëpunimit të PriFest me Spotlight, bashkëpunim ky që do të zhvillohet edhe më shumë në vitet në vazhdim.

Poashtu, javën e kaluar, PriFest kishte organizuar një masterclass me Spotlight për të gjithë aktorët dhe filmbërësit e Kosovës brenda javës së edicionit të 12-të të festivalit.

Edicioni i ardhshëm i PriFest, i 13-ti me rradhë, do të mbahet nga 13-18 korrik 2021. / KultPlus.com

Rolet artistike ku shkëlqeu Maylinda Kosumoviq (FOTO)

Një ndër aktoret më aktive në vend, Majlinda Kasumoviq edhe sot eksperimenton në mes të teatrit dhe filmit.

Pjesë e trupës rezidente në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Majlinda ka disa role të cilat e kanë bërë të njohur dhe të dashur për publikun artdashës në Kosovë.

Kur flasim për teatër, një rol i rëndësishëm është ai në shfaqjen “Bordel Ballkan” ku Majlinda luan një ndër rolet kryesore, provokative dhe ndoshta brenda një teksti që nuk është lehtë i kapshëm për publikun. Gati një stil mjuzikëll, Majlinda duhet edhe të këndojë, të çirret me zërin e saj të fuqishëm, si pjesë e kësaj shfaqje ku ka plot aktorë dhe ku Majlinda ka disa veshje të ndryshme në situata të ndryshme.

Performanca e saj në filmin “Lost Exile”, si Hana, po ashtu i ka dhënë pikë karrierës së Majlindës. Nën regjinë e Fisnik Maxhunit, loja e Majlindës është tmerrësisht e mirë dhe ka bërë që filmi të shëtitet në festival të ndryshme, në disa prej të cilave ka dalë me triumf. Hana takohet me Emirin, Majlinda gjithmonë në kulmin e emocioneve të një gruaje e cila e humb rrugën e saj, fatin e mirë, për një destinacion që nuk është asnjëherë i sigurt.

Në shfaqjen “Nana dhe fëmija”, Majlinda luan krahas aktores së madhe Melihate Qena. Plot emocion, Majlinda tregon performancë të mirë e veshur në të kaltër, herë duke torturuar veten e herë personazhet tjera, dhe djalin e dashur të nënës, shtyllën e familjes. Në një shfaqje ku trajtohen aborti e braktisja e fëmijëve, Majlinda gjithmonë provon të shkëlqejë përtej tmerrit që ofron shpirti i aktorit. / KultPlus.com