Rrjetet sociale do të heqin përmbajtjet që mohojnë gjenocidin në Srebrenicë

Kompanitë e Twitter dhe Google konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se kanë në plan që në platformat e tyre të heqin përmbajtjen që e mohon gjenocidin në Srebrenicë të Bosnje dhe Hercegovinës.

Ishte Instituti i Kërkimit të Gjenocidit në Kanada (IGK) i cili së fundi u dërgoi një kërkesë kompanive të teknologjisë Twitter dhe YouTube për të ndaluar mohimin e gjenocidit të Srebrenicës në platformat e tyre.

Drejtori i Institutit, Emir Ramiq, i tha Radios Evropa e Lirë se IGK i përcjellë dhe mban shënime të përmbajtjes në rrjetet sociale dhe bazuar në të dhënat që posedojnë shumica e postimeve që ofendojnë viktimat e Srebrenicës vijnë nga Serbia, por ka edhe nga Rusia, Franca dhe vende të tjera.

Ramiq ende nuk ka marrë një përgjigje nga ana e këtyre kompanive në kërkesën që u ka dërguar më 30 korrik.

Ai megjithatë shpreson në një përgjigje pozitive pasi, sipas tij, “dy rrjetet sociale tashmë kanë hequr disa përmbajtje që nxisin urrejtjen ndaj tjetrit, fyejnë viktimat e Holokaustit, dhe në raste individuale viktimat e gjenocidit të Srebrenicës”.

Sa i takon kërkesës së Institutit për Hulumtime të Gjenocidit, kompanitë Twitter dhe YouTube, thonë se politikat e tyre janë të përcaktuara qartë dhe se “ndalojnë çdo gjuhë urrejtjeje”.

Në përgjigjen për REL-in, Google, e cila ka në pronësi platformën e videove YouTube, thotë se do të heqë të gjithë përmbajtjen që shkel rregullat e vendosura kundër përhapjes së gjuhës së urrejtjes.

“Ne kemi vendosur një politikë të qartë sa i takon gjuhës së urrejtjes. Ne ndalojmë përmbajtjen që minimizon ose mohon ngjarje të dhunshme të cilat janë të dokumentuara mirë, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë. Nëse konstatohet se përmbajtja shkel këto udhëzime, ne do ta heqim atë”, tha një zëdhënës i YouTube për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Twitter ka përgjigje pothuajse të njëjtë.

“Politika jonë kundër gjuhës së urrejtjes ndalon një spektër të gjerë të sjelljes. Kjo përfshin shënjestrimin e individëve me qëllime fyese, ftesat për ngjarje të dhunshme, atë lloj dhune ku viktima janë kategoritë e mbrojtura të njerëzve ose kur bëhen përpjekje për të mohuar ose minimizuar ngjarje të tilla. Gjithashtu, ne kemi rregulla në rastet e lavdërimit të dhunës dhe gjenocidit dhe ne po marrim masa kundër përmbajtjes dhe sjelljes së tillë”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të Twitter.

Twitter kujton se së fundi ka nënshkruar një dokument me Qendrën për Izraelin dhe Hebrenjtë në Kanada, përmes së cilës ky rrjet u zotua se do të ndalojë përhapjen e gjuhës së urrejtjes ndaj hebrenjve. I njëjti dokument u nënshkrua nga kompani të tjera kryesore, përfshirë Google dhe

Gjatë luftës së viteve 1990, forcat serbe vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.

Vrasjet u njohën si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë./KultPlus.com

Nga sot, ndalohet mohimi i gjenocidit në Bosnje

Në Bosnje e Hercegovinë, mohimi i gjenocidit dhe lavdërimi i kriminelëve të luftës ndalohen nga sot, përcjellë KultPlus.

Kjo, pasi plotësimet në Kodin Penal të Bosnjes, që u bënë nga përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar, Valentin Inzko, dhe që dënojnë mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës, hynë në fuqi.

Një ditë më herët, ato u publikuan në gazetën zyrtare të Bosnjës.

Për shkelësit e Kodit Penal, këto ndryshime parashikojnë tani dënime me burg prej tre muajsh deri në pesë vjet.

Vendimi i Inzkos për plotësimet, i publikuar më 23 korrik, nxiti reagime të ashpra nga Republika Sërpska – entitet i banuar me shumicë serbe në Bosnje.

Anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili vjen nga ky entitet, paralajmëroi se Bosnja mund të shpërbëhet dhe nisi një peticion për mospranimin e ndryshimeve në Kodin Penal.

Dodik mohoi se në Srebrenicë të Bosnjës ka pasur gjenocid.

Gjatë luftës së viteve 1990, forcat serbe vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.

Vrasjet u njohën si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.

Përfaqësues të Republika Sërpskës nisën të martën bojkotimin e institucioneve qendrore të Bosnjës, për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal. / KultPlus.com

Fotografi të rralla të cilat tregojnë gjurmët e pashlyeshme të masakrës së Srebrenicës (FOTO)

Më 11 korrik 1995, gati në përfundim të luftës, ushtarët serbo-boshnjakë sulmuan njërin nga vendet i cili ishte përcaktuar si “strehë e sigurt” nga OKB-ja. Ushtarët serbo-boshnjakë mblodhën burra të moshës ushtarake, ku përfshiheshin djem të ri dhe burra të moshuar.

Gjatë ditëve që pasuan, ata i ekzekutuan dhe i hodhën trupat e tyre në gropa të pyjeve përreth. Ekzekutimet ishin të mirë-planifikuara dhe ushtria serbe bëri përpjekje të vazhdueshme për të fshehur gjurmët e këtij aktiviteti e saj.

Ndërsa vrasjet e shumta ndodhën brenda pak ditësh, procesi i gjetjes së trupave mori vite, dhe procesi i identifikimit dhe e varrosjes siç duket vazhdon edhe sot, më shumë se 1,000 persona janë ende të listuar si të zhdukur. Gjykatat ndërkombëtare kanë dhënë një numër dënimesh për gjenocid lidhur me vrasjet e Srebrenicës ndërsa disa gjykime dhe apele janë ende në vazhdim.

KultPlus ju përcjellë përshkrimin dhe 15 fotografi të rralla që lidhen me gjurmët e pashlyeshme që ka lënë kjo masakër në historinë e luftërave.

1. Mejra Djogaz, 66 vjeçare mban në duar një foto të tre djemve dhe burrit të saj në Srebrenicë, Bosnje dhe Herzegovinë, më 4 korrik 2015. Tashmë e vetmuar, kujtimi i vetëm që i ka mbetur nga familja janë disa fotografi.

Kjo foto është shkrepur më 12 korrik të vitit 1995, ku shihen disa nga 20,000 gra muslimane nga enklava lindore boshnjake e Srebrenicës. Ato së bashku më fëmijët e tyre presin për transport, në fshatin Potocari, 5 kilometra në veri të Srebrenicës.

3. Në këtë foto është e paraqitur një grua me nënën e saj, të cilat ishin refugjate nga Srebrenica. Ato derdhin lot pranë njëra-tjetrës , sepse nuk e dinë asgjë lidhur me fatin e pjesës tjetër të familjes së tyre, të cilët ndodheshin një bazë të OKB-së, 12 kilometra në jug të Tuzllës, në Bosnje dhe Herzegovinë, më 13 korrik 1995. Në dorën e gruas më të re shihet një karton që përmban ujë mineral që dhurohej OKB-ja.

4. Në këtë fotografi shihet një grua boshnjake e cili i përkiste besimin islam ndërsa është shfaqur teksa kërkon ndihmë nga ndërkombëtaret në gjetjen e mijëra burrave të humbur nga qyteti i Srebrenicës, që ishin marrë nga forcat serbe të Bosnjës. Prapa saj gjendet një mbishkrim ku shkruan: “Srebrenica. Ku janë burrat, vëllezërit dhe bijtë tanë?”.

5. Një ekspert finlandez i mjekësisë ligjore shikon eshtrat e një prej më shumë se 100 muslimanëve të vrarë në një kodër, thellë në territorin serb të Bosnjës më 2 korrik 1996.

6. Një ekspert finlandez i mjekësisë ligjore vendos një numër tjetër pranë kafkës së një viktime të Srebrenicës që gjendet në kodrat mbi fshatin Kravica, 15 kilometra në veriperëndim të Srebrenicës më 5 korrik 1996.

7. Në këtë fotografi shihen gjurmët e kufomave të paidentifikuara që janë të vendosur afër mureve të një strehimoreje nëntokësore në një morg në Tuzla më 28 mars 1997. Aty janë mbështjellë viktima të cilat janë gjetur në varre masive dhe në zona të pyllëzuara pas masakrës së Srebrenicës më 1995.

8. Aida Civic është një grua boshnjake e refugjatëve myslimanë nga Srebrenica, ajo në këtë foto shihet teka bërtet pasi hyn në një vend ku gjenden rreth 3,500 muslimanëve boshnjakë të vrarë, shumica prej tyre nga ish zona e sigurt e Srebrenicës.

9. Hajra Catic në këtë fotografi shfaqet para imazheve të viktimave të gjenocidit në Tuzla më 11 qershor 2015. Catic është njëra nga mijëra gratë që ende kërkojnë eshtrat e të afërmve të tyre edhe 20 vjet pas masakrës së Srebrenicës. Me ndihmën e Edmin Jakuboviç, i cili ishte personi i fundit që e ka parë djalin e saj të plagosur në terren, Hajra Catic ka qenë vazhdimisht në kërkim të djalit të saj në pyll. Ajo ndihet e frikësuar se nëse nuk arrin t’i gjej eshtrat e tij, do të jetë sikur ai të mos ketë ekzistuar kurrë. E gjitha që i ka mbetur nga djali i saj sot është fotografia e tij.

10. Në këtë fotografi është i mbijetuari i masakrës në Srebrenicë, Nedzad Avdiç, 37 vjeçar, i cili shihet teksa prek emrat e gdhendur të atyre që janë vrarë në një masakër dhe varrosur në Qendrën Përkujtimore në periferinë e Potocarit në Srebrenicë më 27 qershor 2015. Ai ishte 17 vjeç kur u bashkua me një grup njerëzish që u përpoqën të iknin nëpër pyje. Grupi i tij u gjuajtën nga ushtarët serbë dhe më pas u dërguan në një shkollë për ekzekutim.

11. Qendra përkujtimore në Potocari afër Srebrenicës, Bosnje dhe Hercegovinë. Kjo fotografi është bërë më 20 qershor të vitit 2015.

12 Kjo foto paraqet 5 vjeçaren, Ema Hasanoviç e cila në atë kohë ishte një vajzë e vogël muslimane nga Bosnja. Në këtë fotografi ajo shihet teksa bën homazhe pranë arkivolit të xhaxhait të saj, në Qendrën Përkujtimore në Potocari më 9 korrik 2014.

13. Në këtë fotografi shihet një gërmues teksa fshin djersët e tij gjatë kohës sa ishte duke përgatitur varre në një qendër përkujtimore për viktimat e masakrës së Srebrenicës në Potocari, më 5 korrik 2015.

14. Subjekti i kësaj fotografie është një burrë mysliman nga Bosnja i cili po kërkonte varrin e një të afërmit të tij në Srebrenicë më 11 korrik 2014.

15. Kjo fotografi është shkrepur më 4 korrik të vitit 2015. Në fotografi shihet 66 vjeçarja, Hanifa e cila po qëndron në pragun e shtëpisë së saj në Srebrenicë kurse në duart e saj mban një kuti duhani. Këtë kuti ia kishte lënë djali i saj Sabahudin. “Ruaje këtë kuti për mua, kështu që kur unë të kthehem mund të vendos cigaret e mija përsëri këtu”, i kishte thënë i biri. Pas këtij momenti ajo nuk e pa më kurrë të birin. / KultPlus.com

Armend Mehaj: Heshtja është vrasja e dytë e srebrenicasëve dhe qindra mijëra shqiptarëve të pafajshëm

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj sot ka përkujtuar gjenocidin në Srebrenicë nga forcat serbe që masakruan mbi 8 mijë njerëz. Mehaj së bashku me nënat, gratë, bijtë e bijat e mbijetuara të Srebrenicës dhe me zemrat e copëtuara të tyre, përkujtuan viktimat.

Ai tutje është shprehur se mban shpresa për për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat e Krushës së Madhe, Mejës, Izbicës, Prekazit, Likoshanit, Qirezit, Abrisë, Rezallës, Dubravës, Qyshkut, Reçakut, Makovcit, Suharekës, Kotlinës, Llashticës, e shumë masakra e krime tjera në Kosovë si dhe për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat në Sanxhakun e Nishit, Gjilanit, Karadakut, Drenicës dhe gjithë Kosovën përgjatë një shekulli.

“Bota nuk duhet të heshtë. Ne nuk duhet të heshtim. Heshtja është vrasja e dytë e srebrenicasëve dhe qindra mijëra shqiptarëve të pafajshëm. Heshtja mbetet pastaj krimi i vërtetë kundër njerëzimit”, ka shkruar ai.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Sot, me ftesë zyrtare të organizatorëve, si përfaqësues shtetëror të Republikës së Kosovës, së bashku me zv.kryeministren Rexhepi dhe ministrin Krasniqi, ishim në Memorialin e Gjenocidit në Srebrenicë, ku bashkë me nënat, gratë, bijtë e bijat e mbijetuara të Srebrenicës dhe me zemrat e copëtuara të tyre, përkujtuam mbi 8 mijë burrat dhe djemtë e tyre të rinj boshnjakë myslimanë të cilët para 26 vjetësh u masakruan nga forcat kriminale të Ushtrisë Serbe.

Lutjet tona qofshin bekim i Zotit për shpirtrat e burrave dhe djemve të pafajshëm të Srebrenicës!

Në tokën me eshtrat dhe hirin e tyre, u rritshin e lulëzofshin gjithmonë lulet simbol me petale të bardha!

Aroma e tyre u shpërndaftë kudo në Botë me Shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për Srebrenicën,

Me shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat e Krushës së Madhe, Mejës, Izbicës, Prekazit, Likoshanit, Qirezit, Abrisë, Rezallës, Dubravës, Qyshkut, Reçakut, Makovcit, Suharekës, Kotlinës, Llashticës, e shumë masakra e krime tjera në Kosovë;

Me shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat në Sanxhakun e Nishit, Gjilanit, Karadakut, Drenicës dhe gjithë Kosovën përgjatë një shekulli.

Në bazë të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare dhe Konventës së Gjenevës mbi Krimet e Luftës, krimet e luftës nuk vjetërsohen.

Bota nuk duhet të heshtë.

Ne nuk duhet të heshtim.

Sepse HESHTJA është vrasja e dytë e srebrenicasëve dhe qindra mijëra shqiptarëve të pafajshëm.

Heshtja mbetet pastaj krimi i vërtetë kundër njerëzimit.

Prandaj qendrat e vendimmarrjes së botës demokratike, nuk duhet të dorëzohen.

Ende është dhe duhet të jetë e fuqishme ndërgjegjja njerëzore, sepse gjëma e nënave të viktimave nuk pushon kurrë, e shpirtrat e viktimave nuk qetësohen pa fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës.

Vetëm duke ndjekur penalisht të gjithë autorët serb të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit mund të parandalohen gjakderdhjet në të ardhmen.

Sepse, siç thotë ish- zonja e parë e SHBA-së, Eleanor Roosevelt, “Nuk është e mjaftueshme për të folur për paqen. Duhet besuar në të. Dhe nuk është e mjaftueshme për të besuar në të. Duhet punuar për të.”

Dhe duhet punuar për paqen, sepse ua kemi borxh gjeneratave të ardhshme.

Ia kemi borxh ndërgjegjes sonë që thirret pa pushim nga viktimat e pafajshme. / KultPlus.com

Osmani: Srebrenica është kujtesa jonë e freskët dhe leksion se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se në 26-vjetorin e masakrës ndajnë dhimbjen bashkë me nënat e Srebrenicës.

Ajo ka thënë se askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës.

Osmani përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se akte të tilla barbare duhet të marrin gjykimin e drejtësisë, por edhe të historisë.

“Srebrenica është kujtesa jonë e freskët dhe leksion se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten”, ka shkruar ajo.

KultPlus ju sjell postimin e saj të plotë:

Sot, bota kujton 26-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, barbarisë së paparë të forcave gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit.

Sot dhimbjen e nënave të Srebrenicës e ndajmë bashkërisht! Mbetjet mortore të 19-të të vrarëve atëkohë (bashkë me mbi 8 mijë boshnjakë të tjerë) sot do të kenë adresën e përhershme. Një 16-vjeçar do të jetë në mesin e atyre që do të varrosen sot, 26-vjet pas vrasjes!

Akte të tilla barbare duhet të marrin gjykimin e drejtësisë, por edhe të historisë. Srebrenica është kujtesa jonë e freskët dhe leksion se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten.

Askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës.

Reçaku, Meja, Pokleku, Prekazi, si dhe shumë masakra të tjera në pjesë të ndryshme të Kosovës, janë pjesë e të njëjtës dhimbje e të njëjtit përjetim.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, ditë më parë miratoi Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, me të cilën Kosova e dënon gjenocidin e organizuar dhe të kryer nga forcat gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit.

Ka vetëm një të vërtetë: në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid. Këtë duhet ta pranojë secili, këtë duhet ta themi të gjithë, këtë duhet ta kujtojmë gjithnjë!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për më shumë se 8 mijë të masakruarit në Srebrenicë! / KultPlus.com

26 vjet nga masakra e Srebrenicës, varrosen eshtrat e 19 viktimave

Eshtrat e 19 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë varrosen sot në Qendrën Përkujtimore Potoçari.

Viktima më e re që varroset është Azmir Osmanoviq, i cili ishte 16 vjeç kur u vra. Eshtrat e tij u gjetën në një varr masiv dhe u identifikuan në maj të këtij viti.

Viktima më e vjetër që varroset është Husein Kurbashiq – 63 vjeç në kohën kur u vra.

Bosnje dhe Hercegovina shënon sot 26-vjetorin e masakrës së Srebrenicës.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Në ditët që pasuan, ato vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth.

Vrasjet ndodhën për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave mori vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende.

Në Qendrën Përkujtimore Potoçari, deri më tani, janë të varrosura mbi 6,650 viktima – në mesin e tyre mbi 430 të mitur.

Në lokacione të tjera, sipas dëshirës së familjarëve, janë të varrosura mbi 230 viktima, ndërsa kërkimet vazhdojnë ende për rreth 1,000 të zhdukur.

Masakra e Srebrenicës, e cila ndodhi pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, u cilësua si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës u njoh si gjenocid.

Deri më tani, 47 persona u dënuan me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.

Në vitin 2010, Parlamenti i Serbisë miratoi një rezolutë, me të cilën kërkoi falje për masakrën e Srebrenicës. Serbia është dashur të bëjë më shumë për të parandaluar tragjedinë, u tha në tekst.

Parlamenti Evropian e ka shpallur 11 korrikun Ditë të përkujtimit të gjenocidit në të gjithë Bashkimin Evropian dhe u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të veprojnë ngjashëm.

Zona ku ndodhi masakra e Srebrenicës ruhej nga paqeruajtësit holandezë të Kombeve të Bashkuara.

Në vitin 2019, një gjykatë holandeze konstatoi se Holanda ishte pjesërisht përgjegjëse për 350 vdekje në masakrën e Srebrenicës. / Koha.net / KultPlus.com

Viktimat e gjenocidit në Srebrenicë përkujtohen në mënyrë të veçantë në Mostar

Fiks në ora 11:07 të shtunën, me një kërcim nga ura e famshme në Mostar, është shënuar 25-vjetori i gjenocidit të kryer në Srebrenicë. Kërcimi në ujë nuk është përcjellë me duartrokitje.

Njëjtë si në vitet e kaluara, kërcimi nga ura që mbrohet nga UNESCO, është bërë me organizim të klubit të kërcyesve në ujë “Mostari”, raporton Dnevni Avaz.

“Kur të bëhet kërcimi, në një mënyrë të gjithë kanë nevojë për duartrokitje. Në klub mendojmë se kjo është më e pakta e në të njëjtën kohë më e shumta që mund të bëjmë për të shënuar këtë datë të trishtuar, datën e gjenocidit në Srebrenicë, me porosinë që askujt dhe askund të mos i përsëritet një tmerr i tillë”, ka thënë Sasha Oruçeviq, zëdhënës i klubit.

Sipas tij, bota nuk ka mësuar leksionin nga ajo që ndodhi në Srebrenicë.

Kërcimin e ka bërë Igor Kaziq, kërcyes i njohur nga Mostari.

“Dikush shkon në marsh të paqes, ndërsa unë këtë ditë e shënoi në këtë mënyrë. Me kërcim në ujë shpërndaj mesazhin se gjenocidi në Srebrenicë asnjëherë mos të harrohet”, ka thënë ai.

Gjenocidin ndaj boshnjakëve e kanë kryer forcat serbe. Të shtunën në gjithë Bosnjën, por edhe në vende tjera është shënuar përvjetori i gjenocidit në Srebrenicë.

Janë deklaruar me këtë rast edhe drejtues institucionesh në Kosovë.