Varrosen pesëdhjetë viktima të Srebrenicës, 27 vjet pas gjenocidit

Eshtrat e 50 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, të identifikuara së voni, u varrosën të hënën në Qendrën Përkujtimore Potoçari – aty ku ndodhen varret e mbi 6,670 viktimave të tjera.

Më 11 korrik, në Bosnje e Hercegovinë shënohet 27-vjetori i masakrës, në të cilën forcat serbe vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, gjatë luftës së viteve ’90.

Masakra është cilësuar si mizoria më e rëndë në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur si gjenocid.

Potoçari, 11 korrik 2022.
Potoçari, 11 korrik 2022.

Në Potoçari, ceremonitë përkujtimore të masakrës i ndoqën mijëra veta.

Hamdija Fejziq, kryetar i Komitetit Organizativ për Përkujtimin e Përvjetorit të Gjenocidit dhe nënkryetar i Komunës së Srebrenicës, tha se ishte me fat që i mbijetoi gjenocidit.

Fejziq tha se ngjarja e tmerrshme nuk duhet të bëhet kurrë “vetëm një fusnotë në historinë e njerëzimit”.

Ai u bëri thirrje zyrtarëve në Bosnje e Hercegovinë që të ndërmarrin hapa konkretë për ta bërë Srebrenicën “një qytet jete, e jo vdekjeje”.

“Në Srebrenicë, fëmijët e lindur pas gjenocidit, rriten dhe ata janë shpresa jonë”, tha Fejziq.

Michael Murphy, ambasador i SHBA-së në Sarajevë, tha se vrasjet në Srebrenicë janë “një ngjarje e errët në histori, jo vetëm për [Bosnje e Hercegovinën], por për gjithë njerëzimin”.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë – zonën e shpallur të sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Në ditët që kanë pasuar, ato kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në gropa në pyjet përreth.

Vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende.

Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për rolet e tyre në gjenocid.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.

Udhëheqësit politikë të serbëve që jetojnë sot në Bosnje dhe në Serbinë fqinje refuzojnë të pranojnë se në Srebenicë ka ndodhur gjenocid dhe masakrën e quajnë “krim i madh”.

Korrikun e kaluar, ish-përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar për Bosnjën, Valentin Inzko, e ka shpallur të jashtëligjshëm mohimin e gjenocidit dhe të krimeve të luftës, duke e bërë një akt të tillë të dënueshëm me burg.

Ligji ka shkaktuar zemërim te serbët e Bosnjës, që udhëhiqen nga Millorad Dodik, njëherësh anëtar i Presidencës trepalëshe të këtij vendi.

Dodik ka nisur procesin e tërheqjes së serbëve nga ushtria, gjyqësori dhe sistemi i taksave, duke shkaktuar frikë për shpërbërjen e Bosnjës ose fillimin e një konflikti të ri.

Në prag të shënimit të 27-vjetorit të gjenocidit, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, duke thënë se në Srebrenicë, “Evropa ka dështuar”.

“Është më shumë se kurrë detyra jonë që të kujtojmë gjenocidin e Srebrenicës… të ngrihemi për të mbrojtur paqen, dinjitetin njerëzor dhe vlerat universale”, kanë thënë ata.

“Ende sot, ne nuk mund ta marrim paqen si të mirëqenë”, kanë thënë Borrell dhe Varhelyi, duke përmendur pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

“Vrasjet masive dhe krimet e luftës që shohim në Ukrainë, sjellin kujtime të gjalla të atyre që kanë ndodhur në luftërat e Ballkanit Perëndimor në vitet 1990”, kanë thënë dy diplomatët e lartë evropianë.

Sipas Institutit të Personave të Zhdukur të Bosnje e Hercegovinës, mbi 1,200 viktima të masakrës së Srebrenicës mbeten ende të zhdukura. /REL/ KultPlus.com

Të hënën do të përkujtohen viktimat e gjenocidit të Srebrenicës në sheshin Skënderbeu

Të hënën, përmes ndezjes së qirinjve do të kujtohen të gjitha viktimat e gjenocidit të Srebrenicës duke filluar nga ora 20:30, në sheshin Skënderbeu, përcjellë KultPlus.

Më poshtë sjellim postimin e Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS):

27 vjetori i gjenocidit të Srebrenicës!

Nëse zija meriton një moment heshtjeje, atëherë #Srebrenica meriton një heshtje të përjetshme!

Më 11 korrik, në orën 20:30, do përkujtojmë çdo viktimë të gjenocidit të Srebrenicës me ndezje të qirinjve në sheshin Skenderbeu. 📍

Jemi të përkushtuar për të sfiduar fenomenin e mohimit dhe harresës së ngjarjeve të së kaluarës dhe krimeve të luftës. Krimet e luftës të kryera gjatë viteve nëntëdhjetë në zonat e ish-Jugosllavisë duhet të njihen, të pranohen dhe të sillet drejtësi në vend për të gjitha viktimat dhe të mbijetuarit. Kolektivisht ne kemi të drejtën e së vërtetës si parakusht i një të ardhmeje bashkëjetese në paqe.

🕯 Bashkangjituni teksa bashkohemi për të kërkuar të vërtetën, kujtuar dhe solidarizuar me të mbijetuarit përmes këtij aksioni simbolik.

Të rinj me kujtu, të përkushtum mos me harru! / KultPlus.com

Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë

“Srebrenica” bashkon mazhorancën e opozitën në Kuvend. Votohet me 113 vota rezoluta për gjenocidin serb.

Është miratuar ditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë Rezoluta për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë

Në votim morën pjesë 113 deputetë, ku të gjithë votuan pro.

Gjithashtu Kuvendi ka hedhur poshtë 4 amendamente të propozuara nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe Tritan Shehu. / KultPlus.com

Barack Obama rendit ‘Quo vadis, Aida’ si një nga filmat e tij më të preferuar gjatë vitit 2021

Ish-presidenti amerikan Barack Obama publikoi një listë të filmave të tij të preferuar gjatë vitit 2021 dhe në të është filmi boshnjak “Quo vadis, Aida?” i cili trajton qytetin lindor të Bosnjës, Srebrenicën gjatë gjenocidit të vitit 1995, përcjell KultPlus.

“Në vijim janë filmat e mi të preferuar të vitit. Secili prej këtyre filmave tregon një histori të fuqishme dhe shpresoj që t’i shijoni po aq sa unë”, shkroi Obama në Twitter.

Pak ditë më parë filmi me regji të Jasmila Zbanic u shpall filmi më i mirë evropian i vitit 2021 në Berlin në 34th European Film Aëards.

Zbaniq dhe aktorja kryesore, Jasna Gjuriq u shpallën regjisorja dhe aktorja më e mirë evropiane.

Filmi “Quo vadis, Aida” u nominua për Oscar dhe dy çmime BAFTA dhe fitoi një sërë çmimesh të tjera.

Kujtojmë se një nga emrat që luajti në këtë film është edhe aktori  kosovar, Alban Ukaj./KultPlus.com

Grafiti ‘Lulja e Srebrenicës’ në disa lokacione në Beograd

Natën në mes të 12 dhe 13 nëntorit, autor të panjohur kanë vizatuar në disa lokacione në Beograd “Lulen e Srebrenicës” të shoqëruar me mbishkrimin “Kujto”. Këto vizatime janë parë në vendbanimet në Drocol, Vracar dhe Savski Venac, raporton “Danas”.

Gazetari i “Danas” ka arritur që të siguroj edhe njoftimin në të cilin thuhet “ Ne, qytetarët e Beogradit, kujtojmë 8372 viktima të gjenocidit në Srebrenicë. Ne hedhim poshtë me neveri politikën zyrtare shtetërore të glorifikimit të kriminelëve të luftës dhe mohimit të gjenocidit. I kërkojmë Presidentit të Republikës, Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministres Ana Brnabiq, të njohin gjenocidin, të udhëheqin institucionet e republikës në drejtim të marrjes së përgjegjësisë dhe të përkulen para viktimave. Srebrenica nuk i ndodh më askujt! Vdekje fashizmit!”.

Lulja e Srebrenicës ose lulja “Memory” është një simbol jozyrtar i gjenocidit në Srebrenicë që ndodhi në vitin 1995.Lulja është dizenjuar nga gratë e shoqatës “Gračaničko keranje” nga Graçanica dhe për herë të parë është prezantuar para publikut më 1 korrik 2011.

Ngjyra e bardhë e petaleve të luleve përfaqëson pafajësinë, vuajtjen, ngjyra e gjelbër në qendër të lules përfaqëson shpresën, ndërsa 11 petalet simbolizojnë 11 korrik 1995.

Këto vizatime vijnë pas ngjarjeve të ndodhura në muralin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, që u gjuajt me vezë dhe u ngjyros me të bardhë, derisa shteti serb i doli në mbrojtje një murali të tillë, duke vendosur barrikada të policisë./KultPlus.com

Rrjetet sociale do të heqin përmbajtjet që mohojnë gjenocidin në Srebrenicë

Kompanitë e Twitter dhe Google konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se kanë në plan që në platformat e tyre të heqin përmbajtjen që e mohon gjenocidin në Srebrenicë të Bosnje dhe Hercegovinës.

Ishte Instituti i Kërkimit të Gjenocidit në Kanada (IGK) i cili së fundi u dërgoi një kërkesë kompanive të teknologjisë Twitter dhe YouTube për të ndaluar mohimin e gjenocidit të Srebrenicës në platformat e tyre.

Drejtori i Institutit, Emir Ramiq, i tha Radios Evropa e Lirë se IGK i përcjellë dhe mban shënime të përmbajtjes në rrjetet sociale dhe bazuar në të dhënat që posedojnë shumica e postimeve që ofendojnë viktimat e Srebrenicës vijnë nga Serbia, por ka edhe nga Rusia, Franca dhe vende të tjera.

Ramiq ende nuk ka marrë një përgjigje nga ana e këtyre kompanive në kërkesën që u ka dërguar më 30 korrik.

Ai megjithatë shpreson në një përgjigje pozitive pasi, sipas tij, “dy rrjetet sociale tashmë kanë hequr disa përmbajtje që nxisin urrejtjen ndaj tjetrit, fyejnë viktimat e Holokaustit, dhe në raste individuale viktimat e gjenocidit të Srebrenicës”.

Sa i takon kërkesës së Institutit për Hulumtime të Gjenocidit, kompanitë Twitter dhe YouTube, thonë se politikat e tyre janë të përcaktuara qartë dhe se “ndalojnë çdo gjuhë urrejtjeje”.

Në përgjigjen për REL-in, Google, e cila ka në pronësi platformën e videove YouTube, thotë se do të heqë të gjithë përmbajtjen që shkel rregullat e vendosura kundër përhapjes së gjuhës së urrejtjes.

“Ne kemi vendosur një politikë të qartë sa i takon gjuhës së urrejtjes. Ne ndalojmë përmbajtjen që minimizon ose mohon ngjarje të dhunshme të cilat janë të dokumentuara mirë, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë. Nëse konstatohet se përmbajtja shkel këto udhëzime, ne do ta heqim atë”, tha një zëdhënës i YouTube për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Twitter ka përgjigje pothuajse të njëjtë.

“Politika jonë kundër gjuhës së urrejtjes ndalon një spektër të gjerë të sjelljes. Kjo përfshin shënjestrimin e individëve me qëllime fyese, ftesat për ngjarje të dhunshme, atë lloj dhune ku viktima janë kategoritë e mbrojtura të njerëzve ose kur bëhen përpjekje për të mohuar ose minimizuar ngjarje të tilla. Gjithashtu, ne kemi rregulla në rastet e lavdërimit të dhunës dhe gjenocidit dhe ne po marrim masa kundër përmbajtjes dhe sjelljes së tillë”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të Twitter.

Twitter kujton se së fundi ka nënshkruar një dokument me Qendrën për Izraelin dhe Hebrenjtë në Kanada, përmes së cilës ky rrjet u zotua se do të ndalojë përhapjen e gjuhës së urrejtjes ndaj hebrenjve. I njëjti dokument u nënshkrua nga kompani të tjera kryesore, përfshirë Google dhe

Gjatë luftës së viteve 1990, forcat serbe vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.

Vrasjet u njohën si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë./KultPlus.com

Nga sot, ndalohet mohimi i gjenocidit në Bosnje

Në Bosnje e Hercegovinë, mohimi i gjenocidit dhe lavdërimi i kriminelëve të luftës ndalohen nga sot, përcjellë KultPlus.

Kjo, pasi plotësimet në Kodin Penal të Bosnjes, që u bënë nga përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar, Valentin Inzko, dhe që dënojnë mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës, hynë në fuqi.

Një ditë më herët, ato u publikuan në gazetën zyrtare të Bosnjës.

Për shkelësit e Kodit Penal, këto ndryshime parashikojnë tani dënime me burg prej tre muajsh deri në pesë vjet.

Vendimi i Inzkos për plotësimet, i publikuar më 23 korrik, nxiti reagime të ashpra nga Republika Sërpska – entitet i banuar me shumicë serbe në Bosnje.

Anëtari serb i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili vjen nga ky entitet, paralajmëroi se Bosnja mund të shpërbëhet dhe nisi një peticion për mospranimin e ndryshimeve në Kodin Penal.

Dodik mohoi se në Srebrenicë të Bosnjës ka pasur gjenocid.

Gjatë luftës së viteve 1990, forcat serbe vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.

Vrasjet u njohën si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.

Përfaqësues të Republika Sërpskës nisën të martën bojkotimin e institucioneve qendrore të Bosnjës, për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal. / KultPlus.com

Korrik 1998: Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica

-Para 23 viteve, në Korrik 1998 raportoja: Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica…Presidenti Ibrahim Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën…/

-Gazeta kosovare e rezistencës “Bujku”, 22 e 25 Korrik 1998: Të dhëna dramatike për masakra në Rahovec – Bosnja po ndodh në Kosovë – Srebrenica në Rahovec.- Gjendje alarmante në Rahovec dhe rrethinë – Të masakruar, të vrarë dhe të djegur.- Pamjet e Rahovecit ngjajnë me ato të Vukovarit.- Rahoveci shembull i spastrimit të egër etnik të Kosovës.-Kongresisti John Olver i shkruan Bill Klintonit – Në emër të viktimave të Srebrenicës shpëtojeni Kosovën. Letrën drejtuar Presidentit të SHBA e nënshkruan 27 kongresistë amerikanë…/

-Kuvendi i Kosovës në seancën e 7 Korrikut 2021 votoi Rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë. Kryeministri Kurti: Me dënimin e krimeve, përmes rezolutave si kjo që po miraton sot Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes padive si ajo që po përgatit Qeveria e Kosovës, do të kontribuohet që të mos përsëritet më gjenocidi, as në Srebrenicë, as në Kosovë, e askund tjetër në rajon/

Shkruan Behlul Jashari

PRISHTINË, 18 Korrik 2021/ Në Rahovec prej 17 deri në 22 Korrik 2021 zhvillohen aktivitetet e shënimit të “Epopesë së UÇK-së të Korrikut 1998”, organizuar nga Komuna…

“Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica”, kam raportuar para 23 vitesh, në korrik 1998, për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare si dhe për Radio Televizionin Shqiptar.

“Të dhëna dramatike për masakra në Rahovec – Bosnja po ndodh në Kosovë – Srebrenica në Rahovec”, citoheshin raportimet edhe në mbititullin e kryetitullin e gazetës kosovare të rezistencës “Bujku”, të 22 Korrikut 1998, në ballinën e së cilës  ishte edhe mbititulli “Gjendje alarmante në Rahovec dhe rrethinë”  dhe titulli   “Të masakruar, të vrarë dhe të djegur”.

Ndërsa, në botimin e 25 Korrikut 1998 gazeta “Bujku” në ballinë kishte kryetitullin “Pamjet e Rahovecit ngjajnë me ato të Vukovarit”. Me titullin  “Rahoveci shembull i spastrimit të egër etnik të Kosovës” citohej Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nga konferenca për shtyp. “Shumë të vrarë, të humbur pa gjurmë e të arrestur”, ishte titulli nga informata për ngjarjet në Rahovec e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut.

“Kongresisti John Olver i shkruan Bill Klintonit – Në emër të viktimave të Srebrenicës shpëtojeni Kosovën”, ishte mbititull e titull tjetër në ballinen e gazetës, e cila theksonte edhe se letrën drejtuar Presidentit të SHBA e nënshkruan 27 kongresistë amerikanë…  

Gazeta e rezistencës  “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, dilte nga 18 Janari 1991 me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga Serbia okupatore të gazetës tradicionale Rilindja, atëherë të vetmes të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë…

Në Kosovë, si në shumë fshatra e qytete, edhe në qytetin e Rahovecit ndodhën masakra të forcave serbe kundër civilëve shqiptarë. Në 19 Korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec pati shumë të vrarë e të plagosur.

Raportoja se edhe në Tehqen e Sheh Myhedinit janë masakruar shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar.

Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, identiteti i të cilëve nuk u mësua. Gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë.

Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi kanë treguar se ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht.

Gjatë kësaj ofensive u morën peng, u rrëmbyen e u zhdukën shumë shqiptarë, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Organet e pushtetit okupues serb në Prizren, më 22 Korrik 1998, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe groposën shumë shqiptarë të vrarë gjatë ofensivës në Rahovec.

Në raportimet për situatën në Rahovec para 23 viteve, në 23 Korrik 1998 në raportin me titull “Shqiptarët e vrarë janë varrosur në dy varreza masive” raportoja se, “forcat serbe kanë hapur, të mërkuren, me eskavator dy varre të perbashketa dhe kanë groposur kufomat e mbledhura nëpër rrugët e qytetit të Rahovecit, afro një orë para ardhjes në qytet të gazetarëve dhe diplomatëve të huaj.

Sipas KMLDNJ (Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut) forcat serbe kanë vrarë mbi 50 shqiptarë, ndërkohë që nuk janë identifikuar ende shumë të vrarë e të masakruar, që kanë mbetur nëpër rrugë, shtëpi, bodrume dhe fusha.

Burime të LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) në Rahovec besojnë se janë qindra civilë të vrarë, të masakruar, të djegur dhe të plagosur. Shtypi i Kosovës dhe burime të tjera, masakren e kryer nga forcat serbe në Rahovec, e krahasojnë me Srebrenicën.”

Ndërsa, në 24 Korrik 1998, po para 22 viteve, raportoja që në titull se “Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën”.

“‘Në Kosovë gjendja vazhdon të jetë e rrezikshme, çdo ditë ka sulme të policisë dhe ushtrisë serbe. Ky është një spastrim i egër etnik, që ka filluar në Kosovë’, tha të premten para gazetarëve në Prishtinë, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Kerkojmë ‘mbrojtje ndërkombëtare për Kosovën dhe popullin e saj dhe të ndalohet përhapja e konfliktit në rajon’, theksoi Rugova.

‘Policia serbe nuk po lejon varrosjen e të vrarëve pas masakrave në Rahovec dhe as ardhjen e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare në Kosovë. Me mijëra shqiptarë janë larguar nga qyteti i Rahovecit dhe rrethinat e tij’, tha Rugova, duke shtuar se, edhe në rajone të tjera të Kosovës ka patur bombardime dhe të vrarë, ndërkohë që vazhdon represioni i policisë serbe.

‘Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe Bashkimi Evropian, po ndërmarrin të gjitha hapat diplomatikë, por edhe ata ushtarakë, që të mos ndodhë Bosnja në Kosovë’, u shpreh Rugova, në pergjigje të pyetjes së gazetareve.
Rugova përseriti qendrimin se ‘zgjidhja më e mirë për Kosovën është Kosova e pavarur me të gjitha garancitë për serbët lokalë dhe një protektorat ndërkombëtar si fazë kalimatare’”.

Sias citimit të gazetës “Bujku”, pyetja ime drejtuar Presidentit Rugova në atë konferencë shtypi ishte kjo: “A po vonohet bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, kur dihen vlerësimet gjithnjë e më të shpeshta se këtu po ndodh Bosnja?”…

 Në raportimet nëpër vite kam theksuar se, në Kosovë, në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan rreth 12 mijë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur.

Sipas të dhënave të bashkësive të familjarëve të të zhdukurve, të të pagjeturve, numri i tërësishëm i të zhdukurve të Kosovës pas luftës së para 22 viteve mbërrinte afër 6.000 veta, mbi 90 për qind prej tyre ishin civilë shqiptarë, të cilët u rrëmbyen, u morën të gjallë në mënyra të ndryshme nga formacionet policore-ushtarake dhe paramilitare të pushtetit okupues serb. Menjëherë pas luftës  në Kosovë edhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur. Një numër i tyre, rreth 600 janë gjetur të gjallë nëpër burgjet në Serbi.

“Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocide të forcave serbe kundër shqiptarëve”, ka deklaruar eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Prof. Dr. Zejnullah Gruda, në një bisedë që kam zhvilluar.

Ai ka folur mes mijëra e mijëra dëshmive të mbledhura gjatë viteve të okupimit e të luftës, të cilat i shpalosnim nga arkivat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.  “Janë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi, të drejtës ndërkombëtare të luftës, të drejtës humanitare…”,  ka thënë Gruda.

Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën e 7 Korrikut 2021 votoi Rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë.

“Dënohet ashpër gjenocidi i regjimit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut”, theksohet në të parën nga 6 pikat e Rezolutës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se sot po mbështetet një rezolutë me rastin e 26 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjës dhe se ky është veprim fisnik dhe i duhur, jo vetëm në emër të Kosovës, të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera që  përfaqësohen,  por mbi të gjitha në emër të universales njerëzore dhe dëshirës për paqe dhe drejtësi.“Srebrenica është masakra më e madhe e ndodhur në kontinentin evropian pas Luftës së Dytë Botërore. Dënimi i krimeve gjenocidale, të cilin po e bëjmë edhe përmes rezolutës së sotme, duhet të jetë i përhershëm, i padiskutueshëm dhe i kudondodhur, në mënyrë që në të ardhmen ato të mos përsëriten kurrë më. Ne sot përkujtojmë, me dhimbje e me respekt të thellë, martirizimin e 8372 burrave e djemve në Srebrenicë, por edhe dhimbjen e mijëra grave të përdhunuara, teksa shpërnguleshin dhunshëm për të krijuar realitetin e ri demografik. Ky krim mori emër, dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e sanksionoi si gjenocid”, tha Kryeministri Kurti, duke shtuar se me dënimin e krimeve, përmes rezolutave si kjo që po miraton sot Kuvendi i Republikës së Kosovës, përmes padive si ajo që po përgatit Qeveria e Kosovës, do të kontribuohet që të mos përsëritet më gjenocidi, as në Srebrenicë, as në Kosovë, e askund tjetër në rajon. / KultPlus.com

Fotografi të rralla të cilat tregojnë gjurmët e pashlyeshme të masakrës së Srebrenicës (FOTO)

Më 11 korrik 1995, gati në përfundim të luftës, ushtarët serbo-boshnjakë sulmuan njërin nga vendet i cili ishte përcaktuar si “strehë e sigurt” nga OKB-ja. Ushtarët serbo-boshnjakë mblodhën burra të moshës ushtarake, ku përfshiheshin djem të ri dhe burra të moshuar.

Gjatë ditëve që pasuan, ata i ekzekutuan dhe i hodhën trupat e tyre në gropa të pyjeve përreth. Ekzekutimet ishin të mirë-planifikuara dhe ushtria serbe bëri përpjekje të vazhdueshme për të fshehur gjurmët e këtij aktiviteti e saj.

Ndërsa vrasjet e shumta ndodhën brenda pak ditësh, procesi i gjetjes së trupave mori vite, dhe procesi i identifikimit dhe e varrosjes siç duket vazhdon edhe sot, më shumë se 1,000 persona janë ende të listuar si të zhdukur. Gjykatat ndërkombëtare kanë dhënë një numër dënimesh për gjenocid lidhur me vrasjet e Srebrenicës ndërsa disa gjykime dhe apele janë ende në vazhdim.

KultPlus ju përcjellë përshkrimin dhe 15 fotografi të rralla që lidhen me gjurmët e pashlyeshme që ka lënë kjo masakër në historinë e luftërave.

1. Mejra Djogaz, 66 vjeçare mban në duar një foto të tre djemve dhe burrit të saj në Srebrenicë, Bosnje dhe Herzegovinë, më 4 korrik 2015. Tashmë e vetmuar, kujtimi i vetëm që i ka mbetur nga familja janë disa fotografi.

Kjo foto është shkrepur më 12 korrik të vitit 1995, ku shihen disa nga 20,000 gra muslimane nga enklava lindore boshnjake e Srebrenicës. Ato së bashku më fëmijët e tyre presin për transport, në fshatin Potocari, 5 kilometra në veri të Srebrenicës.

3. Në këtë foto është e paraqitur një grua me nënën e saj, të cilat ishin refugjate nga Srebrenica. Ato derdhin lot pranë njëra-tjetrës , sepse nuk e dinë asgjë lidhur me fatin e pjesës tjetër të familjes së tyre, të cilët ndodheshin një bazë të OKB-së, 12 kilometra në jug të Tuzllës, në Bosnje dhe Herzegovinë, më 13 korrik 1995. Në dorën e gruas më të re shihet një karton që përmban ujë mineral që dhurohej OKB-ja.

4. Në këtë fotografi shihet një grua boshnjake e cili i përkiste besimin islam ndërsa është shfaqur teksa kërkon ndihmë nga ndërkombëtaret në gjetjen e mijëra burrave të humbur nga qyteti i Srebrenicës, që ishin marrë nga forcat serbe të Bosnjës. Prapa saj gjendet një mbishkrim ku shkruan: “Srebrenica. Ku janë burrat, vëllezërit dhe bijtë tanë?”.

5. Një ekspert finlandez i mjekësisë ligjore shikon eshtrat e një prej më shumë se 100 muslimanëve të vrarë në një kodër, thellë në territorin serb të Bosnjës më 2 korrik 1996.

6. Një ekspert finlandez i mjekësisë ligjore vendos një numër tjetër pranë kafkës së një viktime të Srebrenicës që gjendet në kodrat mbi fshatin Kravica, 15 kilometra në veriperëndim të Srebrenicës më 5 korrik 1996.

7. Në këtë fotografi shihen gjurmët e kufomave të paidentifikuara që janë të vendosur afër mureve të një strehimoreje nëntokësore në një morg në Tuzla më 28 mars 1997. Aty janë mbështjellë viktima të cilat janë gjetur në varre masive dhe në zona të pyllëzuara pas masakrës së Srebrenicës më 1995.

8. Aida Civic është një grua boshnjake e refugjatëve myslimanë nga Srebrenica, ajo në këtë foto shihet teka bërtet pasi hyn në një vend ku gjenden rreth 3,500 muslimanëve boshnjakë të vrarë, shumica prej tyre nga ish zona e sigurt e Srebrenicës.

9. Hajra Catic në këtë fotografi shfaqet para imazheve të viktimave të gjenocidit në Tuzla më 11 qershor 2015. Catic është njëra nga mijëra gratë që ende kërkojnë eshtrat e të afërmve të tyre edhe 20 vjet pas masakrës së Srebrenicës. Me ndihmën e Edmin Jakuboviç, i cili ishte personi i fundit që e ka parë djalin e saj të plagosur në terren, Hajra Catic ka qenë vazhdimisht në kërkim të djalit të saj në pyll. Ajo ndihet e frikësuar se nëse nuk arrin t’i gjej eshtrat e tij, do të jetë sikur ai të mos ketë ekzistuar kurrë. E gjitha që i ka mbetur nga djali i saj sot është fotografia e tij.

10. Në këtë fotografi është i mbijetuari i masakrës në Srebrenicë, Nedzad Avdiç, 37 vjeçar, i cili shihet teksa prek emrat e gdhendur të atyre që janë vrarë në një masakër dhe varrosur në Qendrën Përkujtimore në periferinë e Potocarit në Srebrenicë më 27 qershor 2015. Ai ishte 17 vjeç kur u bashkua me një grup njerëzish që u përpoqën të iknin nëpër pyje. Grupi i tij u gjuajtën nga ushtarët serbë dhe më pas u dërguan në një shkollë për ekzekutim.

11. Qendra përkujtimore në Potocari afër Srebrenicës, Bosnje dhe Hercegovinë. Kjo fotografi është bërë më 20 qershor të vitit 2015.

12 Kjo foto paraqet 5 vjeçaren, Ema Hasanoviç e cila në atë kohë ishte një vajzë e vogël muslimane nga Bosnja. Në këtë fotografi ajo shihet teksa bën homazhe pranë arkivolit të xhaxhait të saj, në Qendrën Përkujtimore në Potocari më 9 korrik 2014.

13. Në këtë fotografi shihet një gërmues teksa fshin djersët e tij gjatë kohës sa ishte duke përgatitur varre në një qendër përkujtimore për viktimat e masakrës së Srebrenicës në Potocari, më 5 korrik 2015.

14. Subjekti i kësaj fotografie është një burrë mysliman nga Bosnja i cili po kërkonte varrin e një të afërmit të tij në Srebrenicë më 11 korrik 2014.

15. Kjo fotografi është shkrepur më 4 korrik të vitit 2015. Në fotografi shihet 66 vjeçarja, Hanifa e cila po qëndron në pragun e shtëpisë së saj në Srebrenicë kurse në duart e saj mban një kuti duhani. Këtë kuti ia kishte lënë djali i saj Sabahudin. “Ruaje këtë kuti për mua, kështu që kur unë të kthehem mund të vendos cigaret e mija përsëri këtu”, i kishte thënë i biri. Pas këtij momenti ajo nuk e pa më kurrë të birin. / KultPlus.com

Armend Mehaj: Heshtja është vrasja e dytë e srebrenicasëve dhe qindra mijëra shqiptarëve të pafajshëm

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj sot ka përkujtuar gjenocidin në Srebrenicë nga forcat serbe që masakruan mbi 8 mijë njerëz. Mehaj së bashku me nënat, gratë, bijtë e bijat e mbijetuara të Srebrenicës dhe me zemrat e copëtuara të tyre, përkujtuan viktimat.

Ai tutje është shprehur se mban shpresa për për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat e Krushës së Madhe, Mejës, Izbicës, Prekazit, Likoshanit, Qirezit, Abrisë, Rezallës, Dubravës, Qyshkut, Reçakut, Makovcit, Suharekës, Kotlinës, Llashticës, e shumë masakra e krime tjera në Kosovë si dhe për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat në Sanxhakun e Nishit, Gjilanit, Karadakut, Drenicës dhe gjithë Kosovën përgjatë një shekulli.

“Bota nuk duhet të heshtë. Ne nuk duhet të heshtim. Heshtja është vrasja e dytë e srebrenicasëve dhe qindra mijëra shqiptarëve të pafajshëm. Heshtja mbetet pastaj krimi i vërtetë kundër njerëzimit”, ka shkruar ai.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Sot, me ftesë zyrtare të organizatorëve, si përfaqësues shtetëror të Republikës së Kosovës, së bashku me zv.kryeministren Rexhepi dhe ministrin Krasniqi, ishim në Memorialin e Gjenocidit në Srebrenicë, ku bashkë me nënat, gratë, bijtë e bijat e mbijetuara të Srebrenicës dhe me zemrat e copëtuara të tyre, përkujtuam mbi 8 mijë burrat dhe djemtë e tyre të rinj boshnjakë myslimanë të cilët para 26 vjetësh u masakruan nga forcat kriminale të Ushtrisë Serbe.

Lutjet tona qofshin bekim i Zotit për shpirtrat e burrave dhe djemve të pafajshëm të Srebrenicës!

Në tokën me eshtrat dhe hirin e tyre, u rritshin e lulëzofshin gjithmonë lulet simbol me petale të bardha!

Aroma e tyre u shpërndaftë kudo në Botë me Shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për Srebrenicën,

Me shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat e Krushës së Madhe, Mejës, Izbicës, Prekazit, Likoshanit, Qirezit, Abrisë, Rezallës, Dubravës, Qyshkut, Reçakut, Makovcit, Suharekës, Kotlinës, Llashticës, e shumë masakra e krime tjera në Kosovë;

Me shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat në Sanxhakun e Nishit, Gjilanit, Karadakut, Drenicës dhe gjithë Kosovën përgjatë një shekulli.

Në bazë të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare dhe Konventës së Gjenevës mbi Krimet e Luftës, krimet e luftës nuk vjetërsohen.

Bota nuk duhet të heshtë.

Ne nuk duhet të heshtim.

Sepse HESHTJA është vrasja e dytë e srebrenicasëve dhe qindra mijëra shqiptarëve të pafajshëm.

Heshtja mbetet pastaj krimi i vërtetë kundër njerëzimit.

Prandaj qendrat e vendimmarrjes së botës demokratike, nuk duhet të dorëzohen.

Ende është dhe duhet të jetë e fuqishme ndërgjegjja njerëzore, sepse gjëma e nënave të viktimave nuk pushon kurrë, e shpirtrat e viktimave nuk qetësohen pa fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës.

Vetëm duke ndjekur penalisht të gjithë autorët serb të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit mund të parandalohen gjakderdhjet në të ardhmen.

Sepse, siç thotë ish- zonja e parë e SHBA-së, Eleanor Roosevelt, “Nuk është e mjaftueshme për të folur për paqen. Duhet besuar në të. Dhe nuk është e mjaftueshme për të besuar në të. Duhet punuar për të.”

Dhe duhet punuar për paqen, sepse ua kemi borxh gjeneratave të ardhshme.

Ia kemi borxh ndërgjegjes sonë që thirret pa pushim nga viktimat e pafajshme. / KultPlus.com

Osmani: Srebrenica është kujtesa jonë e freskët dhe leksion se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se në 26-vjetorin e masakrës ndajnë dhimbjen bashkë me nënat e Srebrenicës.

Ajo ka thënë se askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës.

Osmani përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se akte të tilla barbare duhet të marrin gjykimin e drejtësisë, por edhe të historisë.

“Srebrenica është kujtesa jonë e freskët dhe leksion se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten”, ka shkruar ajo.

KultPlus ju sjell postimin e saj të plotë:

Sot, bota kujton 26-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, barbarisë së paparë të forcave gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit.

Sot dhimbjen e nënave të Srebrenicës e ndajmë bashkërisht! Mbetjet mortore të 19-të të vrarëve atëkohë (bashkë me mbi 8 mijë boshnjakë të tjerë) sot do të kenë adresën e përhershme. Një 16-vjeçar do të jetë në mesin e atyre që do të varrosen sot, 26-vjet pas vrasjes!

Akte të tilla barbare duhet të marrin gjykimin e drejtësisë, por edhe të historisë. Srebrenica është kujtesa jonë e freskët dhe leksion se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten.

Askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës.

Reçaku, Meja, Pokleku, Prekazi, si dhe shumë masakra të tjera në pjesë të ndryshme të Kosovës, janë pjesë e të njëjtës dhimbje e të njëjtit përjetim.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, ditë më parë miratoi Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, me të cilën Kosova e dënon gjenocidin e organizuar dhe të kryer nga forcat gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit.

Ka vetëm një të vërtetë: në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid. Këtë duhet ta pranojë secili, këtë duhet ta themi të gjithë, këtë duhet ta kujtojmë gjithnjë!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për më shumë se 8 mijë të masakruarit në Srebrenicë! / KultPlus.com

26 vjet nga masakra e Srebrenicës, varrosen eshtrat e 19 viktimave

Eshtrat e 19 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë varrosen sot në Qendrën Përkujtimore Potoçari.

Viktima më e re që varroset është Azmir Osmanoviq, i cili ishte 16 vjeç kur u vra. Eshtrat e tij u gjetën në një varr masiv dhe u identifikuan në maj të këtij viti.

Viktima më e vjetër që varroset është Husein Kurbashiq – 63 vjeç në kohën kur u vra.

Bosnje dhe Hercegovina shënon sot 26-vjetorin e masakrës së Srebrenicës.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Në ditët që pasuan, ato vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth.

Vrasjet ndodhën për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave mori vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende.

Në Qendrën Përkujtimore Potoçari, deri më tani, janë të varrosura mbi 6,650 viktima – në mesin e tyre mbi 430 të mitur.

Në lokacione të tjera, sipas dëshirës së familjarëve, janë të varrosura mbi 230 viktima, ndërsa kërkimet vazhdojnë ende për rreth 1,000 të zhdukur.

Masakra e Srebrenicës, e cila ndodhi pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, u cilësua si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës u njoh si gjenocid.

Deri më tani, 47 persona u dënuan me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.

Në vitin 2010, Parlamenti i Serbisë miratoi një rezolutë, me të cilën kërkoi falje për masakrën e Srebrenicës. Serbia është dashur të bëjë më shumë për të parandaluar tragjedinë, u tha në tekst.

Parlamenti Evropian e ka shpallur 11 korrikun Ditë të përkujtimit të gjenocidit në të gjithë Bashkimin Evropian dhe u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të veprojnë ngjashëm.

Zona ku ndodhi masakra e Srebrenicës ruhej nga paqeruajtësit holandezë të Kombeve të Bashkuara.

Në vitin 2019, një gjykatë holandeze konstatoi se Holanda ishte pjesërisht përgjegjëse për 350 vdekje në masakrën e Srebrenicës. / Koha.net / KultPlus.com

“Nermin hajde, ata nuk do të vrasin”: Thirrja e babait boshnjak që u përjetësua në skulpturë

26 vite më parë, një banor i Srebrenicës po e thërriste të birin me aq zë që kishte, për t’iu dorëzuar ushtarëve serbë sepse, siç citohet të ketë thënë ai, nuk do t’i bënin asgjë.

13 vjet më pas, më 2008 trupi i djalit të Ramos, Nerminit, u gjet së bashku me shumë trupa të tjerë të boshnjakëve të vrarë, në një varrezë masive.

E thirrja e mekur e këtij babai, në 20 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, ishte gurëzuar në një skulpturë të punuar nga autori Mensud Keco.

Vepra paraqet thirrjen e Ramos, me plotë shpresë ndaj të birit, ani pse e dinte se po e sillte në duar të ushtarëve serbë.

Kjo ngjarje ka prekur zemrat e të shumtëve, andaj i është kushtuar edhe kjo vepër arti.

Ndryshe, 26 vjet më parë në Srebrenicë forcat serbe kishin ushtruar gjenocidin më të tmerrshëm që nga Lufta e Dytë Botërore në popullatën boshnjake, duke lënë mbi 8 mijë viktima. / gazetametro.net / KultPlus.com

Kurti: I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave, kurrë më mos pastë Ballkani e as bota, shtete me ambicie gjenocidale

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti sot ka përkujtuar 26 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, ushtruar nga forcat serbe të Serbisë ndaj viktimave boshnjake, shkruan KultPlus.

Ai poashtu ka bërë të ditur edhe vendimin e miratuar disa ditë më parë në Kuvendin e Kosovës ku dënohet gjenocidi në Srebrenicë.

Tutje, ai ka folur edhe rreth kërkesave dhe dëshirave të tij mes kombeve në Ballkan duke potencuar se e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet dhe vendosur drejtësinë.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Sot është 26 vjetori i gjenocidit në Srebrenicë, ushtruar nga forcat serbe e të Serbisë mbi viktimat boshnjake. Institucione të ndryshme ndërkombëtare, ndër të cilat edhe Parlamenti Evropian, e kanë shpallur 11 korrikun datë të përkujtimit të masakrës më mizore që ka njohur Evropa pas Luftës II Botërore.

Disa ditë më parë Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë dhe ftohet Qeveria e Kosovës të nderojë viktimat dhe kujtimin e kësaj date.

Në atë rezolutë pika nr. 5 shkruan se Kuvendi i Kosovës:

“Fton të gjitha shtetet e rajonit, që të bëjnë përpjekje shtesë për t`i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë.”

Ndërsa pika nr. 6 vë në pah se kjo rezolutë:

“Shfaq gatishmërinë e Republikës së Kosovës dhe u bën apel shteteve të rajonit për përmirësimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe të bashkëjetesës ndërmjet popujve, me qëllim të përmirësimit ekonomik dhe integrimit euro-atlantik të shteteve të Ballkanit Perëndimor.”

Ne duam paqe, bashkëpunim, dhe barazi mes kombeve në Ballkan. Por themeli i asaj paqeje është ndëshkimi i kriminelëve. Është e pamendueshme se si, edhe në shekullin XXI, ka politikanë në rajonin tonë, që thonë se ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për gjenocid qenkan kundër dialogut e kundër fqinjësisë së mirë. Përkundrazi, e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet e vendosur drejtësi, dhe i vetmi dialog i mirë ndodh kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve.

I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, kurrë më mos pastë Ballkani, e as bota, pushtete e shtete me ambicie gjenocidale. / KultPlus.com

Të shtunën do të përkujtohen viktimat e gjenocidit të Srebrenicës në sheshin Skënderbeu

Të shtunën, përmes ndezjes së qirinjve do të kujtohen të gjitha viktimat e gjenocidit të Srebrenicës duke filluar nga ora 20:00, në sheshin Skënderbeu (tek Teatri Kombëtar). Vetëm përmes njohjes dhe pranimit të së kaluarës dhe vendosjes së drejtësisë për viktimat, mund të synohet drejtësia shoqërore dhe dialogu ndëretnik për të ardhmen, përcjellë KultPlus.

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS) po shënon 26 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë. Në gjenocidin e korrikut të vitit 1995 në Srebrenicë, rreth 8372 civil u vranë. Rreth 25,000 persona të tjerë të vënë para dy zgjedhjeve “zhdukuni apo do vriteni” u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.

Aksionit simbolik do i paraprijë ekspozita online e cila do të prezantohet gjatë ditës së 10 korrikut nga YIHR KS në bashkëpunim dhe e krijuar nga Qendra për Hulumtim Pas Konfliktit (PCRC) në Bosnje dhe Hercegovinë. Kjo ekspozitë vjen në kuadër të fushatës “Gjenocidi në Srebrenicë përmes Gjykimeve Ligjore” të PCRC.

Në kuadër të shënimit të përvjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, do të ketë edhe aktivitete nga kampanja “SREBRENICA 26: SË BASHKU KUNDËR VIRUSIT TË MOHIMIT” të udhëhequr nga SENSE – Qendra për Drejtësi Tranzicionale së bashku me Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë. Po ashtu, nga iniciativa të qytetarëve, më 10 korrik nga ora 11:00 në fshatin Vitomiricë të Pejës, do të bëhet përurimi i pllakës përkujtimore për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë. Ndërsa edhe një pllakë tjetër përkujtimore do të përurohet në Prizren më 11 korrik nga ora 11:00.

Së bashku sfidohet tendenca për të mohuar dhe harruar ngjarjet e së kaluarës dhe krimet e luftës. / KultPlus.com

‘Tani vajza juaj nuk do të qajë më’, historia e nënës që ja dorëzuan vajzën e vdekur

“Unë isha 22 vjeçe kurse vajza ime 2 vjeçe, trëndafili im i vogël. Ata na vendosën në autobusë, vetëm ne gra dhe vajza dhe thanë që asgjë nuk do të ndodhte me ne. Udhëtimi zgjati shumë, autobusi ishte plot, vajza ime e vogël po qante, duhet të ketë qenë e uritur, e etur. Pastaj mu afrua një ushtar, një nga ata çetnikët, ndonëse u soll mirë me mua, më pyeti se çfarë kishte vajza ime, pse po qante.

Nuk kam asgjë për t’i dhënë, iu përgjigja. Ai e mori fëmijën nga dora ime dhe tha që do ta ushqente me diçka dhe do të ma kthente prapa. U gëzova shumë, por përsëri kisha dyshime. Më pak se dhjetë minuta më vonë, ai hipi përsëri në autobus me vajzën time të vogël. Dëgjoj, ajo nuk qan më. Duhet ta ketë ushqyer mirë, me të vërtetë akoma ka njerëz të mirë, mendova. Ai e vendosi atë përsëri në krahët e mi dhe vetëm më tha: “Tani vajza juaj nuk do të qajë më”.

Ai nuk e ushqeu trëndafilin tim. Ai e theri atë. Dhe ashtu të masakruar, plot gjak, e ktheu tek unë”.

Le të jenë lotët e nënës një lutje, që Srebrenica të mos i ndodhë më kurrë askujt! 

Përktheu: Jeton Zenuni / KultPlus.com

Të rinjtë e Srebrenicës me misionin ta mbajnë qytetin gjallë

Më 11 korrik të vitit 1995, kur më të afërmit e tyre po e kalonin golgotën në Srebrenicë, Xhenana Salihoviq ka qenë vetëm njëmuajsh, ndërsa Ahmo Memedoviq ende ka qenë në barkun e nënës.

Sot, këta të rinj, të ngarkuar me dhembjen e kujtimeve të trashëguar nga të mbijetuarit, thonë se ruajtjen e kujtimit për viktimat e gjenocidit e kanë zgjedhur si mision të jetës së tyre, duke punuar në Qendrën Memoriale të Srebrenicës në Potoqari, dhe kanë një porosi: “Ky është qytet për të cilin të gjithë flasin dhe të gjithë “brengosen”, gjersa ai rrënohet para syve tonë”.

Aq shumë të qeshura kanë jehuar atë ditë, vetëm një javë para 11 korrikut, kur në Potoqari u takuam me dy të rinjtë e Srebrenicës, Ahmon dhe Xhenanën, saqë kalimtarëve të rastit mund t’iu ketë dukur se po e thyejmë qetësinë e një vendi të shenjtë, por jam e sigurt që shpirtrat e atyre që prehen këtu në paqe nuk na kanë zërë për të madhe dhe, në fakt, u ka ardhur mirë që dëgjojnë të qeshura.

Djaloshi me sy të kaltër, gjithmonë i gatshëm për shaka, dhe vajza e tërhequr, me flokë të gjatë dhe sy të pikëlluar, por që kur qeshin shkëlqejnë nga një dritë e brendshme: Xhenana i ka 25 vjet, Ahmo do të ketë aq në tetor, njëjtë sa kanë kaluar nga korriku i tmerrshëm i vitit 1995 dhe territ që e mbuloi Srebrenicën atë vit, viti më i vështirë për secilin të mbijetuar nga ky vend, shkruan revista Gracija.

Xhenana ka qenë njëmuajsh në korrik të vitit 1995, Ahmo ka qenë në barkun e nënës, e cila e lindi më 1 tetor të atij viti, pas gjenocidit. Atyre nuk u kujtohet, por mbajnë kujtimet e më të afërmve të tyre, vuajtjet e tyre. Nuk kanë kujtime, por e ndiejnë dhimbjen e hidhur, për ata të cilët as nuk i kanë parë, as dëgjuar, e as nuk kanë arritur t’i duan, megjithatë i njohin nga fotografitë e shpëtuara.

Mbajnë në mend tregimet e atyre që kanë mbijetuar. Dhe u dhemb që nuk i kanë kujtimet e tyre të fëmijërisë në Srebrenicë. Të mira apo të këqija, ashtu si i ka secili fëmijë, transmeton KOHA.

“Lufta ma ka ndryshuar jetën. Edhe atë si një foshnje njëmuajsh, kur nuk e kam ditur as që ekzistoj. Lufta ma mori të drejtën për familje dhe fëmijëri. Nuk kam pasur mundësinë të kem baba, gjysh, dajë, gjyshe, xhaxha, teze, halla…m’i kanë marrë 12 anëtarë të familjes së ngushtë, edhe asnjëherë nuk do ta kem të qartë me çfarë të drejte”, thotë Xhenana.

Babai i saj quhej Xhevat, ka pasur 38 vjet kur u vra. Ai me nënën e Xhenanës, Ramizën, ishin takuar për herë të fundit te posta në Srebrenicë, ku ka qenë UNPROFORI-i. “Ia ka dhënë nënës një qese me keksa, i ka gjetur diku. Dhe ka thënë: ja mbaji këta keksa, të mbani shpirtin derisa nuk kaloni në territor të lirë. Dhe kujdesuni për të voglën, un ika kah pylli”.

Dhe nuk janë parë asnjëherë më.

Me katër vajza, duke e mbajtur “të voglën” Xhenanë në krah, Ramiza niset kah Potoqari, te baza e UN-it. Atje i ndajnë gratë dhe fëmijët, i fusin në fabrikë. Aty kanë kaluar tre ditë. Sytë e murrmë të Xhenanës bëhen edhe më të errët derisa e vazhdon tregimin: “Nuk ka pasur as ushqim, as ujë. I kemi pasur ata keksa. Gjersa kemi qenë në fabrikë, ka ardhur një informatë që ka arritur një cisternë, dhe nëna ka dalë për të na sjellë ujë. Kur ka dalë, ushtarët serbë nuk e kanë lejuar të kthehet. I ka lutur, u ka thënë se i kanë mbetur fëmijët, ndërsa njëri prej tyre i ka thënë: le të mbesin, nëse nuk i kapim të gjithë këta që ikën në pyll, do t’ju vrasim juve”.

Nëpërmes rrëmujës së krijuar në moment, Ramiza arriti t’u kthehet të bijave në fabrikë. Edhe nuk ka dalë më nga aty, derisa nuk i kanë vendosur në autobusë. Rrugës ka parë imazhe të tmerrshme, njerëz të varur, njerëz të mbytur, njerëz të gjallë në kamionë, për t’i dërguar në kampe ose t’i vrasin, transmeton KOHA.

Ka rënë terri kur kanë arritur në Luke. “Një grua, ashtu si tregon nëna, nuk ka dashur të dalë nga autobusi. Qante dhe thoshte se nuk shkon, ngase prapa i ka mbetur shpirti, fëmija i saj”, thotë Xhenana.

Pastaj në këmbë kanë arritur në Ravne dhe aty, pas tre ditësh, kanë pirë ujë. Ushqim nuk kanë pasur. Kanë vazhduar në këmbë drejt Zhivnicas. Xhenana ka qenë e djegur nga dielli, gjersa nëna po e mbante në krah nga Srebrenica. Se si Ramiza arriti që me vajzat 15, 14, 11 vjeç dhe me beben njëmuajsh t’i tejkalojë të gjitha këto, nuk e dinë as vetë.

Ahmo e ka përjetuar gjenocidin në barkun e nënës, ndërsa ka arritur në botë në qytetin Modrac, ku familja e tij ka ikur pas 11 korrikut. Kanë mbijetuar nëna, babai, vëllezërit dhe motra. Babai Salihu ka ikur nëpërmes pyllit dhe ka dalë në territorin e lirë.

Nëna i ka treguar për atë se çka ka ndodhur në korrik të atij viti. “Kanë pasur një thes me tesha dhe ushqim. Janë ndarë në Bukovik, babai i ka puthur të gjithë, vëllain dhe motrën, ndërsa nënës ia ka dhënë thikën për roje. Ka menduar, nëse e vrasin, të na mbetet një kujtim”… Ahmo ndalet, merr frymë, e pastaj vazhdon: “Ka ikur nga pylli dhe asnjëherë nuk na ka treguar rrugën e tij. Mban trauma në supe dhe nuk mund të flet për atë gjë”.

Ahmo dhe Dzenana, pas shumë viteve që kanë jetuar si refugjatë në vendet e tjera, janë kthyer në familjet në Srebrenicë, kanë përfunduar studimet dhe punojnë te Qendra Përkujtimore. Njihen që nga viti 2004. Dhe, që nga ajo kohë, luftojnë për veten, Srebrenicën dhe të mirën e përgjithshme. “Këtu nuk keni nevojë për bashkëjetesë, por jetesë! Bashkëjetesa do të thotë të jetojmë pranë njëri-tjetrit, ndërsa jetesa të jetojmë së bashku”, thotë Xhenana.

Realisht, por sërish me pozitivitet, shikojnë jetën e tyre në Srebrenicë. Ahmo thotë: “Nëse sot jetoni në Srebrenicë, do të thotë se jeni optimistë të mëdhenj, ose patriotë, ose të moshuar. Sinqerisht, unë nuk e shoh veten diku tjetër. Mendoj që kam investuar në veten dhe në dijeninë time dhe mund t’i jap këtij vendi së paku diçka. Srebrencia sot duket si qytet i fantazmave, çdo ditë ka më pak të rinj. Më pak njerëz, pavarësisht moshës”.

Na flasin për gjendjen e tërë Bosnjës dhe Hercegovinës sot. Të rinjtë, kur dalin për studime në qytete më të mëdha, kryesisht edhe mbesin atje, janë të rrallë ata që kthehen. Thjesht nuk shohin perspektivë. “Përpiqem të motivoj veten, kërkoj arsye për të mbetur këtu dhe mundohem. Dëshiroj që ky qytet të bëhet sërish ashtu si ka qenë nëpër histori, të përdoren potencialet natyrore, të rritet ekonomia, turizmi të përdoret në kapacitetin më të lartë”, thotë Ahmo.

Xhenana shton: “Srebrenica është qytet për të cilin të gjithë flasin dhe të gjithë “brengosen”, gjersa ky vend po na rrënohet para syve. Është qytet i përgjysmuar. Qe 25 vjet po rimëkëmbet dhe assesi të shërohet. Qytet i cili pas orës 3 pasdite është i shkretë, vend ku çkado që hapet menjëherë mbyllet. Nuk ka gjëra elementare, si për shembull furra buke”.

Në çdo hap, çdo fytyrë, çdo rrugë, edhe sot shihen pasojat e gjenocidit dhe agresionit. Edhe pas 25 vjetëve, Srebrencia përballet me sfida të ndryshme: ato ekonomike, politike, shoqërore.

“Të rinjtë janë të prekur më së shumti. Katundet në Srebrenicë janë të zbrazëta, të rinjtë i ka ndarë politika, nuk ndihen të sigurt në Bosnje dhe Hercegovinë, gjë që edhe kuptohet kur merrni parasysh se në çfarë kushte janë rritur, në një vend ku kriminelët e luftës quhen heronj. Çdo javë del ndonjë mural kushtuar ndonjë krimineli lufte, konviktet e studentëve i emërojmë me emrat e tyre. Çfarë gjenerata jemi duke rritur? A nuk mësuam asgjë nga e kaluara? Për të ndërtuar të ardhme në Bosnje dhe Srebrenicë, së pari duhet të përballemi më të kaluarën. Vetëm një qasje kritike ndaj asaj periudhe mund të sjellë deri te respekti dhe vlerësimi i ndërsjellë dhe kjo gjë është në duart e të rinjve, sepse të rinjtë me dëshirën për të ndryshuar mund të kontribuojnë në ndërtimin e paqes dhe ardhmërisë në Srebrenicë”, tha Xhenana.

“Dëshirojmë ta ruajmë kujtimin e viktimave të gjenocidit”, thotë Ahmo. “Dëshirojmë të mbesim në Srebrenicë, që ky vend të jetë qytet i së ardhmes, pajtimit, turizmit dhe potencialeve natyrore. Dëshirojmë të jemi në këtë qytet, që këtu të krijojmë familjet. Nuk dëshirojmë ta lëmë këtë vend”.

‘Tani vajza juaj nuk do të qajë më’, historia e nënës që ja dorëzuan vajzën e vdekur

“Unë isha 22 vjeçe kurse vajza ime 2 vjeçe, trëndafili im i vogël. Ata na vendosën në autobusë, vetëm ne gra dhe vajza dhe thanë që asgjë nuk do të ndodhte me ne. Udhëtimi zgjati shumë, autobusi ishte plot, vajza ime e vogël po qante, duhet të ketë qenë e uritur, e etur. Pastaj mu afrua një ushtar, një nga ata çetnikët, ndonëse u soll mirë me mua, më pyeti se çfarë kishte vajza ime, pse po qante.

Nuk kam asgjë për t’i dhënë, iu përgjigja. Ai e mori fëmijën nga dora ime dhe tha që do ta ushqente me diçka dhe do të ma kthente prapa. U gëzova shumë, por përsëri kisha dyshime. Më pak se dhjetë minuta më vonë, ai hipi përsëri në autobus me vajzën time të vogël. Dëgjoj, ajo nuk qan më. Duhet ta ketë ushqyer mirë, me të vërtetë akoma ka njerëz të mirë, mendova. Ai e vendosi atë përsëri në krahët e mi dhe vetëm më tha: “Tani vajza juaj nuk do të qajë më”.

Ai nuk e ushqeu trëndafilin tim. Ai e theri atë. Dhe ashtu të masakruar, plot gjak, e ktheu tek unë”.

Le të jenë lotët e nënës një lutje, që Srebrenica të mos i ndodhë më kurrë askujt! 

Përktheu: Jeton Zenuni / KultPlus.com

Mohimi i gjenocidit në Srebrenicë

Në javën që shënon 25-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, Radio Evropa e Lirë kujton dhe kontrollon deklaratat e udhëheqësve të Serbisë, që zyrtarisht nuk e pranojnë gjenocidin.

Në këtë korrik bëhen 25 vjet qëkur forcat serbe të Bosnjës, të udhëhequra nga Ratko Mlladiq, kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në një zonë të mbrojtur nga paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara, në dhe përreth Srebrenicës.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se vrasjet në Srebrenicë kanë përbërë gjenocid.

Gjykata e Kombeve të Bashkuara për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi ka dënuar Mlladiqin dhe mentorin e tij politik, Radovan Karaxhiq, për gjenocid dhe krime të tjera të luftës në Srebrenicë.

Në javën që shënon 25-vjetorin e gjenocidit, Radio Evropa e Lirë kujton dhe kontrollon shtatë deklarata të udhëheqësve të Serbisë, që zyrtarisht nuk e pranojnë gjenocidin:

1. Ana Bërnabiq, kryeministre e Serbisë:

“Jo, nuk mendoj se masakra e tmerrshme në Srebrenicë ishte gjenocid. Ishte një krim i rëndë. Një krim lufte”.

Burimi: Deutsche Welle, 14 nëntor, 2018.

E pavërtetë

Shpjegimi: Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në shkurt të vitit 2007, me të cilin është konfirmuar se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi ka dënuar 14 ish-anëtarë të ushtrisë dhe policisë së Republikës Serpska për gjenocid ndaj më shumë se 8,000 civilëve boshnjakë, në zonën e mbrojtur në dhe rreth Srebrenicës, në korrik të vitit 1995.

Dënimet më të mëdha – burgim i përjetshëm – janë caktuar për Radovan Karaxhiqin dhe Ratko Mlladiqin (ende jopërfundimtar).

2. Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë:

“Në Srebrenicë ka ndodhur një krim i tmerrshëm dhe nuk ka asnjë arsyetim për atë krim. Disa njerëz nuk e kanë të rëndësishme që Serbia të tregojë nderim për viktimat e këtij krimi të tmerrshëm, por ata duan formulim ligjor”.

Burimi: Televizioni Pink, 14 korrik, 2019.

Pjesërisht e vërtetë

Shpjegimi: Me aktgjykimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në shkurt të vitit 2007, krimi në Srebrenicë është cilësuar si gjenocid.

3. Ana Bërnabiq, kryeministre e Serbisë:

“Në Srebrenicë ka ndodhur krim i tmerrshëm dhe masiv, por Serbia nuk është përgjegjëse për të dhe populli serb nuk mund të akuzohet për të”.

Burimi: Deklaratë për gazetarët në Beograd, 12 korrik, 2019.

Pjesërisht e vërtetë

Shpjegimi: Disa aktgjykime të gjykatave ndërkombëtare e kanë cilësuar krimin në Srebrenicë si gjenocid. Serbia është liruar nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë për gjenocidin me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në shkurt të vitit 2007.

4. Ana Bërnabiq, kryeministre e Serbisë:

“Serbia nuk i nënshtrohet revizionizmit, as nuk i madhëron kriminelët e luftës”.

Burimi: Deklaratë për gazetarët në Beograd, 12 korrik, 2019.

E pavërtetë

Shpjegimi: Kryeministrja e Serbisë e ka deklaruar këtë vetëm një ditë pasi deputeti i Partisë Përparimtare Serbe në pushtet, Vlladimir Gjukanoviq, i ka uruar “popullit serb ditën e çlirimit të Srebrenicës”.

“Faleminderit gjeneral Ratko Mlladiq për operacionin e shkëlqyer ushtarak ‘Krivaja 95’”.

Gjukanoviq e ka shkruar këtë mesazh në Twitter në ditën kur, në vitin 2019, 33 viktima të gjenocidit në Srebrenicë janë varrosur në Qendrën Përkujtimore Potoçari. Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë atëbotë, Gjukanoviq ka thënë se “nuk do të distancohet” nga ato që ka shkruar.

Partia Përparimtare Serbe, në krye të së cilës është Vuçiq, nuk është distancuar nga kjo qasje.

5. Ivica Daçiq, ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë:

“Parlamenti ka miratuar një deklaratë që pranon aktgjykimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por gjithashtu i dënon të gjitha krimet e tjera kundër serbëve”.

Burimi: Deklaratë para disa studentëve të Vjenës në Beograd, 13 maj, 2019.

Pjesërisht e vërtetë

Shpjegimi: Deklarata që ka miratuar Parlamenti serb në vitin 2010, i referohet verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me të cilin është konfirmuar se në Srebrenicë është kryer gjenocid, por vetë fjala nuk përmendet.

“Ne e dënojmë ashpër krimin e kryer ndaj popullatës boshnjake në Srebrenicë, në mënyrën si është përcaktuar me aktgjykimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, thuhet mes të tjerash në deklaratë.

6. Tomisllav Nikolliq, president i Serbisë (2012-2017):

“Çdo gjë që ka ndodhur në luftërat në ish-Jugosllavi, ka karakteristikat e gjenocidit”.

Burimi: Televizioni BHT1, 25 prill, 2013.

E pavërtetë

Shpjegimi: Nga të gjitha krimet gjatë luftës në ish-Jugosllavi, gjykatat ndërkombëtare e kanë karakterizuar vetëm krimin në Srebrenicë si gjenocid.

7. Boris Tadiq, president i Serbisë (2004-2012):

“Nëse vlerësohet se Serbia ka marrë pjesë në gjenocid, atëherë pasojat për qytetarët, interesat e të cilëve mbrohen nga përfaqësuesit e shtetit, janë dramatike. Serbia nuk është dënuar për gjenocid në Gjykatën e Hagës”.

Burimi: Al Jazeera, 20 qershor, 2015.

Pjesërisht e vërtetë

Shpjegimi: Aktgjykimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, në shkurt të vitit 2007, i cili e ka lënë të lirë Serbinë nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë për gjenocid, e ka liruar atë edhe nga detyrimi për dëmshpërblime të luftës.

Gjykata, siç thuhet në aktgjykim, nuk ka konstatuar se masakrat në Srebrenicë janë kryer sipas udhëzimeve ose nën kontrollin e Serbisë e as të udhëheqësve të saj.

Megjithatë, gjykata ka konstatuar se Serbia nuk ka bërë asgjë për të parandaluar vrasjen e më shumë se 8,000 boshnjakëve nga forcat e Mlladiqit, edhe pse ajo ka pasur ndikim në ushtrinë e Republikës Sërpska dhe te politikanët atje.

Një burrë duke ecur pranë një pllake që ka të shkruar numrin e viktimave të masakrës së Srebrenicës, në Qendrën Përkujtimore në Potoçari.

Një burrë duke ecur pranë një pllake që ka të shkruar numrin e viktimave të masakrës së Srebrenicës, në Qendrën Përkujtimore në Potoçari/REL. / KultPlus.com

DW: Në Srebrenicë Evropa dështoi

Para 25 vjetësh ndodhi në Srebrenicë krimi më i rëndë në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore: njësi serbe vranë atje mbi 8.000 djem dhe burra myslimanë.

“Në Srebrenicë Evropa dështoi,” thotë në një intervistë për DW Gudrun Steinacker. Ish-diplomatja, e cila ishte së fundmi Ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi dhe konsiderohet si një nga njohëset më të mira të Ballkanit në diplomacinë gjermane, është e sigurt se “pas katër vitesh lufte dhe spastrimi etnik me kampe përqendrimi, zhvendosje masive dhe përdhunime masive, mund të dihej se çfarë ishte e mundur “.

Detajet e kësaj drame të paimagjinueshme janë përpunuar në mënyrë të përpiktë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë. Sipas kësaj gjykate në fazën e fundit të luftës civile në Bosnje-Hercegovinë (1992-1995), serbët kishin nisur me planifikimin strategjik të masakrës në mars të vitit 1995.

Në lindje të Bosnjë-Hercegovinës, në qytetin e vogël të Srebrenicës, ndodhi në korrik 1995 krimi më i rëndë në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore: njësi serbe vranë atje mbi 8,000 djem dhe burra myslimanë. Gjykatat ndërkombëtare e kanë klasifikuar vazhdimisht këtë masakër të paparë ndaj civilëve si gjenocid.

Mbrojtje e pamjaftueshme

Srebrenica, qe shpallur dy vjet më parë nga Këshilli i Sigurimit i OKB si një nga gjashtë “zonat e sigurta”. Por rreth 400 ushtarë helmetëkaltër holandeze të OKB-së, ishin të armatosur në mënyrë të pamjaftueshme, për ta mbrojtur Srebrenicën, e cila qe kthyer në një strehë për rreth 25.000 refugjatë

Nga 13 deri në 17 korrik, njësitë serbe vranë në Srebrenicë mbi 8,000 burra dhe djem dhe i varrosën në varre masive. Tani janë identifikuar dhe janë varrosur në varrezat përkujtimore në Potoçari pothuajse 7,000.

Identifikimi i skeletëve ishte një punë mjaft e vështirë për ekipet ndërkombëtare të mjekëve ligjorë, sepse për të mbuluar gjurmët e krimeve të tyre serbët i hapën varret masive me buldozerë dhe shpërndanë pjesët e trupave pa jetë në të ashtuquajturat varreza dytësore ose tretësore. Për këtë arsye ekspertëve mjeko-ligjorë iu desh të mblidhnin mbetjet e trupave nga varre të ndryshme dhe t’i bashkonin përsëri ato.

Ende shumë kriminelë të padënuar

Komandanti i përgjithshëm i gjenocidit, udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, dhe shefi i tij ushtarak Ratko Mladiq, u dënuan me burgim të përjetshëm nga gjykata e OKB në Hagë. Por deri sot numri më i madh i autorëve të këtij krimi vazhdojnë të jenë të lirë. Shumë prej tyre kanë ikur në Serbi dhe jetojnë atje pa pasur frikë nga drejtësia.

“Sidomos ushtarakët e nivelit të mesëm nuk kanë dalë para ligjit,” tha Murat Tahiroviq në Sarajevë për Deutsche Welle. Ai është president i “Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit” dhe thotë se “megjithëse organizata jonë ka paraqitur një dokumentim të gjerë për 24 shtabet me 227 anëtarë, nuk ka marrë asnjë përgjigje nga organet e zbatimit të ligjit”.

Serbia nuk e pranon masakrën

Edhe 25 vjet pas çmendurisë së Srebrenicës, Serbia zyrtare dhe shumica e popullatës serbe vazhdojnë të mos pranojnë ta konsiderojnë masakrën si gjenocid. Edhe rrugë, shkolla ​​dhe një konvikt studentor mbajnë emrat e kriminelëve të luftës Mladiq dhe Karaxhiq. Një numër i atyre që janë qenë të përfshirë direkt ose indirekt në vrasjen masive të asaj kohë mbajnë ende poste si politikanë apo janë sipërmarrës e bisnesmenë.

“Shumëkush e kujton Srebrenicën në përvjetorë”, kritikon profesori i historisë Husnija Kamberović në Sarajevë në intervistë me Deutsche Wellen. “Ndoshta edhe bota e jashtme do të dëshironte të harronte Srebrenicën, sepse luajti edhe vetë një rol kaq të turpshëm.” Por “e vetmja gjë që mund të ndihmojë është ndërtimi i një shoqërie jo-nacionaliste”.

Edhe të rinjtë në Ballkan i bëjnë thirrje opinionit botëror një çerek shekulli pas gjenocidit në Srebrenicë që të mos e harrojë atë që ndodhi. “Sepse nëse harrojmë këto gjëra, ato mund të ndodhin përsëri dhe një Srebrenica nuk duhet t’i ndodhë kurrë më askujt përsëri”, thotë aktivistja Lamia Bravo nga Bosnje-Hercegovina.

Fillon kampanja “Srebrenica 25: Së bashku kundër virusit të mohimit”

Kampanja e titulluar “Srebrenica 25: Së bashku kundër virusit të mohimit”, fillon javën e ardhshme, me rastin e 25-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.

Qendra SENSE për drejtësi tranzitore në bashkëpunim me Shoqatën e viktimave dhe dëshmitarëve të gjenocidit, kanë mbledhur pesëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile nga Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Kosova për të nisur fushatën.

Më 7 korrik në ora 17:00 kampanja fillon zyrtarisht me hapjen e ekspozitës multimediale në Qendrën SENSE në Pula. Ajo do të vazhdojë deri më 11 korrik, datën në të cilën në vitin 1995 ra Srebrenica, ka njoftuar Al Jazeera.

Kampanja do të zhvillohet në të njëjtën kohë në internet, në rrjete sociale dhe portale, dhe në hapësirat e ekspozitës sipas programit. I gjithë materiali do të shfaqet “online” nga organizatat e përfshira.

“Kjo deri më tani është kampanja më e madhe regjionale e shoqërisë civile me synim për të parandaluar mohimin e krimeve të luftës të kryera në vitet nëntëdhjeta në hapësirën e ish-Jugosllavisë”, thuhet në njoftim të organizatorëve.

Më shumë se 8000 boshnjakë janë vrarë nga kriminelët serbë gjatë masakrës së Srebrenicës. / KultPlus.com

Ushtarët serb i premtuan që s’do t’i vrasin, Rami thërret birin e tij drejt tyre (VIDEO)

Sot shënohet përvjetori i 23-të i gjenocidit ndaj boshnjakëve të “Zonës së sigurtë të OKB-së”, Srebrenicës dhe varrimi i viktimave të identifikuara në korrik të vitit 1995, transmeton KultPlus.

“Nermiiiin, eja këtu, unë jam këtu. Lirisht te serbët, të gjithë ejani”, ka thirrur babai Rami të birin e tij Nerminin në vitin 1995.

Ushtarët serb kanë thënë që nuk do u bëjnë asgjë, ndërsa Rami as nuk ka dyshuar që të birin është duke e thirrur drejt vdekjes.

Rami dhe i biri i tij Nermini janë të vrarë, ndërsa eshtrat e tyre janë gjetur në vitin 2008.

Skeleti i Nerminit është gjetur në varrezat masive në Snagovë të Zvornikut, ndërsa i Ramit në anë të kundertë afër Srebrenicës.

Skulptori Mensud Keco ka bërë një skulpturë i inspiruar nga kjo pamje e tmerrshme e vitit 1995 në Srebrenicë, është vendosur në Parkun e Madh në Sarajevë. / KultPlus.com

Sot në 24 vjetorin e Srebrenicës, përkujtohet masakra më e rëndë në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore

11 Korriku, tashmë datë që kujton gjenocidin serb në Srebrenicë, ku rënia e Srebrenicës, pasoi me rreth 8 mijë burra dhe djem, të moshës 12 deri 77 vjet, që u vranë nga serbët e Bosnjës dhe u varrosën në varre masive

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.

Nën udhëheqjen e Radovan Karadziç, me 9 Korrik 1995 ushtarët serb të Bosjnës morën urdhër për të pushtuar Srebrenicën, ku si vend ruhej nga forcat paqeruajtëse holandeze. Pas pushtimit edhe morën peng 30 ushtarë holandez dhe pas sulmeve ajrore të NATO-s, edhe filluan të i vrisnin ushtarët holandez, gjë që shkaktoi ndaljen e sulmeve ajrore nga NATO.

Në mbrëmjen e 11 korrikut, Gjenerali i forcave serbe në Bosnjës Ratko Mlladiç, duke përfshirë formimin e “paraushtarakeve Skorpions”, nën kontrollin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, hyri në Srebrenicë, ku rreth 30 mijë refugjatë mysliman u grumbulluan rreth bazës së paqeruajtësve holandez në Potoçari, në veri të Srebrenicës.

Me pretendimin që “nuk kishte arsye për frikë” Mlladiç u përpoq t’i qetësonte myslimanët boshnjak të grumbulluar në zonën e sigurt të Potoçarit, duke i futur në autobusë, kinse për largimin e tyre, por Kombet e Bashkuara vunë re se shumica e refugjatëve që mbërrinin nga Srebrenica ishin fëmijë, gra dhe të moshuar, gjë që krijoj shqetësim për fatin e burrave.

Reth 15 mijë ushtarë dhe civil myslimanë të Bosnjës u larguan natën nga Srebrenica duke u përpjekur të arrinin në territor të kontrolluar nga myslimanët. Shumë vdiqën nga bombardimet dhe goditjet e snajperëve.

Gjatë javës pasoi rënia e Srebrenicës, rreth 8 mijë burra dhe djem, të moshës 12 deri 77 vjet, u vranë nga serbët e Bosnjës dhe u varrosën në varre masive.

Edhe pas më shumë se dy dekada pas vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive. Identifikimi i viktimave është i vështirë, pasi trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i hidhnin në varr.KultPlus.com

23 vjet nga masakra e Srebrenicës, varrosen eshtrat e 35 viktimave

Ekspertët ende po gërmojnë viktima të reja të fshehura në varre masive anëembanë Bosnjës Sot shënohet 23 vjetori i masakrës së Srebrenicës, masakër kjo që konsiderohet më e rënda qysh nga Lufta e Dytë Botërore.

Në këtë përvjetor u bë edhe varrimi i eshtrave të 35 burrave e djemve të masakruar në korrik të vitit 1995, të shpërndarë përreth fshatit që është bërë sinonim i brutalitetit të luftës në Bosnjë në vitet 1992-1995. Eshtrat e identifikuara së fundmi u varrosën pranë varrezës massive, e cila tanimë mban 6.575 viktima të gjetura në të kaluarën.

Srebrenica ishte një vend i mbrojtur nga Kombet e Bashkuara, i populluar me shumicë myslimane që ishte rrethuar nga forcat serbe gjatë luftës. Trupat serbe të udhëhequra nga Ratko Mlladiq pushtuan enklavën, duke ndarë meshkujt nga femrat dhe fëmijët, dhe duke ekzekutuar rreth 8 mijë burra e djem brenda pak ditëve. Ekspertët ende po gërmojnë viktima të reja të fshehura në varre masive anëembanë Bosnjës. Shumë nga trupat janë ndarë, duke groposur eshtrat e njëjta në disa vende të ndryshme, për të fshehur këtë krim lufte, andaj ekspertët e kanë të vështirë pasi duhet të bashkojnë eshtra të një trupi që i gjejnë me kilometra larg njëra tjetrës, shkruan rtv21.

Ish komandanti serb Ratko Mlladiq është dënuar nga gjykata e Kombeve të Bashkuara për krime të luftës me burgim të përjetshëm, pasi u shpall fajtor për organizimin e barbarizmave serbë që lajnë 100 mijë boshnjakë të vdekur.