“Secili çmendet simbas mënyrës së vet” u promovua sot në Prishtinë

Alberina Haxhijaj

Shkrimtari Stefan Çapaliku sot në Prishtinë, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ka bërë promovimin e pjesës së tretë të romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, shkruan KultPlus.

Pjesa e tretë e këtij romanit shtrihet në mes të viti 1992-1997 dhe sjellë ngjarje të rënies së komunizmit. Kujtime të autorit tëveshura me fiksion. Një ndërlidhje që para lexuesit shfaq një botë sa reale aq edhe intriguese. Tashmë, një pjesë e miqve të autorit që ishin personazhe në vëllimine parë janë larguar nga Shqipëria.

Edhe pse romani është ndarë në tre vëllime, gazetari Agron Shala,u shpreh se të tri pjesët lexohen me një frymë dhe të mahnitin me gegnishten e përdorur. Gegnishte që sipas tij është për tu lakmuar. Kjo u dëshmua edhe gjatë promovimit pasi që aktori shkodran Enver Hyseni lexoi për të pranishmit disa fragmente të marra nga romani.

Sjellja e romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” për shkrimtarin Stefan Çapaliku, erdhi si një nevojë që ai të vë në letër disa kujtime të tij. Sipas tij secili njeri ka një jetë interesante, kujtime interesante edhe të fëmijërisë, e të cilat shpeshherë duhet të ndahen me të tjerë ‘për të larguar barrën e rëndë’.

“Letërsia apo proza ime është e bazuar krejtësisht mbi kujtesën dhe mbi ato që kanë lënë gjurmë tek unë mirëpo këtu ka edhe një moment prost-produksion. Unë, tutje i marrë të gjitha këto copëza dhe ndërtojë një figurë apo disa figura dhe ky proces është fiksion, shpikje, pjesë e fantazisë dhe e formimit letrar. Në këtë kuptim dokumentarja me fiktiven bashkëjetojnë, plotësojnë njëra-tjetrën”, u shpreh ai.

Ngjarjet në roman janë të vendosura në Shkodër edhe pse aty shpesh herë lëvizin edhe në jug të Shqipërisë, por po ashtu edhe në Itali tek vëllimi i tretë. Autori, Çapaliku bëri të ditur se do të sjellë edhe vëllimin e katër, duke përfunduar kështu këtë cikël të romanit. Vëllimi i fundit do vijë edhe në Kosovë, pasi që autori do të përfshijë ngjarje nga periudha e viti 1997 e tutje.

“Secili çmendet simbas mënyrës së vet” erdhi si titull që në vëllimin e parë. Autori u shpreh se njerëzit shpeshherë kur shikojnë dikë i cili është më ndryshe e konsiderojnë të çmendur duke mos menduar se ai vet mund të konsiderohet si i çmendur nga dikush tjetër. Pra, sipas tij jetojmë në një botë ku ‘secili çmendet simbas mënyrës së vet’.

“Çmenduria tek romanet e mia është të dalësh nga rreshti dhe jo të jesh uniform me të tjerët, të mos jesh pjesë e kolektivit”, theksoi ai. 

Promovimi i fundit i romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” i shkrimtarit Stefan Çapaliku është bërë në Paris ndërsa pas Prishtinës, promovimi i këtij romani do të bëhet edhe në Itali./KultPlus.com

Mozaik nga monizmi

Romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” i autorit Stefan Çapaliku është një dëshmi e qartë se autori i teksteve mimetike po kthehet në një zë unik të teksteve diegjetike. Dramaturgu nuk e ka braktisur dramën, por e ka gjetur atë edhe në prozë

Ag APOLLONI

Stefan Çapaliku (1965), poet, tregimtar, studiues, eseist, dhe, veçmas dramaturg, së fundmi ka ndërmarrë një projekt të madh në prozë, të quajtur Secili çmendet simbas mënyrës së vet, i cili, është realizuar në dy vëllime, por që mund të vazhdojë edhe me ndonjë vëllim tjetër. Vazhdimësia ndjek një logjikë kohore, kurse element konstant mbetet narratori, i cili duke dëshmuar për jetën e tij dhe jetën rreth tij, e subjektivizon rrëfimin dhe i jep status të një fiksioni autobiografik. Jo rastësisht, paragrafi i parë i romanit mbaron duke e theksuar unin. Autori bëhet narrator, narratori – fokalizator, vokalizator dhe personazh, njëkohësisht. Pra, si zakonisht në rrëfimet autobiografike, i njëjti person kryen pesë funksione: shkruan, rrëfen, fokuson, tonalizon dhe vepron. Romanin nuk e bëjnë të veçantë këto pesë funksione, atë e bën të veçantë strukturimi, që shfaqet si temë dhe teknikë.

Tema e romanit shtrihet në kohë (përfshin tri dekada diktaturë) dhe në hapësirë (qyteti i Shkodrës). Pra, romani fillon me kohën kur në Shqipëri u ndalua feja dhe mbaron me vdekjen e diktatorit. Krejt kjo periudhë shihet me sytë e një fëmije që vjen duke u rritur e burrëruar bashkë me zhvillimin e rrëfimit. Ky personazh-narrator që i përket një lagjeje katolike të Shkodrës, kontrollohet kujdesshëm nga autori për të mos i tejkaluar kompetencat e rrëfimit. Historitë e tij janë histori të shtëpisë, të lagjes, të qytetit. Gjithçka tjetër vjen nëpërmjet televizorit, ose nëpërmjet thashethemeve. Dhe kur televizorit i ndalen valët nga zhurmuesit e Partisë, personazhi nuk mund ta shohë as televizionin jugosllav, as atë italian, por vetëm atë shqiptar, rrjedhimisht bota e tij ngushtohet. Ky pengim i valëve, siç thotë autori, e kthen televizorin nga dritare ku shihnin botën, në pasqyrë ku shihnin veten.

Romani, edhe pse ndjek një kronologji, nuk ka një linjë rrëfimi. Ai e shpërfill kompozicionin tradicional për t’i lënë hapësirë eksperimentit dhe për t’u ndërtuar si një album narrativ me imazhe të ndryshme nga jeta e një kohe dhe e një qyteti. Fotografitë diegjetike ndërrohen, duke u kthyer në motive dinamike që e zhvillojnë temën e romanit, e lëvizin rrëfimin nëpër kohë. Kjo provohet me ndarjen e madhe të romanit në tri pjesë: Para, Gjatë dhe Mbas. Kjo ndarje ka për bazë televizorin si religjion të ri. Siç thuhet para Krishtit e pas Krishtit, mund të thuhet edhe para Televizorit dhe pas Televizorit. Shkodra me rreth njëqind mijë banorë kishte vetëm pesë televizorë. Pra, një televizor për njëzet mijë veta. Kështu, televizori kthehet në qendër të rrëfimit. Ai imponon sjelljet e njerëzve, diskutimet e tyre, ai ndryshon jetën e familjes, të lagjes dhe të qytetit. Ashtu siç konstaton Bodriari me teorinë e simulacionit, jeta ndikohet thellësisht nga televizioni, i cili ka forcën e transformimit të shoqërisë. Njerëzit mblidhen te shtëpia që ka televizor dhe shikojnë emisione të ndryshme informative, sportive, apo argëtuese. Kështu, fillimisht shfaqet nevoja e përkthimit, pastaj organizohen kurse gjuhe në mënyrë që shikuesit të aftësohen për t’i kuptuar vetë filmat. Lidhja e njerëzve me televizorin bëhet lidhje emocionale, prandaj ai nuk fiket për gjashtë vjet rresht, derisa vdes një anëtar i familjes. Ironia e kësaj lidhje nxjerr krye disa herë në roman, si në rastin kur të gjithë katolikët e lagjes i gëzohen humbjes së Muhamed Alisë në një ndeshje boksi, pasi ky ishte konvertuar në musliman, apo si në rastin kur shoku Hysen zbritjen e njeriut në Hënë e sheh si miratim të ateizmit të tij: “Ata shkuen atje në Hanë dhe ku ishte Zoti? Ku ishte Zoti po ju pyes. Më thoni. Zoti kërkund. Nuk e gjetën”.

Televizori e gjallëron shtëpinë dhe qytetin, por vjen një ditë kur lirisë së tij i vjen fundi. Vendosja e zhurmuesve që ndalojnë ndjekjen e kanaleve të “botës së degjeneruar” është dritarja e fundit e mbyllur në ngrehinën komuniste:

“E tmerrshme. Po tashti? Çfarë ndodh tashti? Të shohim Tiranën?!!! Vetëm Tiranën?!!! Asgjë tjetër?!!! Aha…Domethënë kësaj i thonë të shohim veten. Të mos kemi më dritare me xhama, por në vend të xhamave të kemi pasqyra e të kënaqemi duke parë shëmtinë tonë.”

Dhe kështu, mungesa e kanaleve të huaja televizive i jep kohës epitetin e një faze post-television, kohë kjo kur, në mungesë të filmave të huaj, realiteti fillon të bëhet prapë “interesant”, madje më dramatik se filmat. Një nga këto momente “interesante” ndodh në sheshin e qytetit kur i ekspozojnë kufomat e të vrarëve në kufi, për t’ua futur frikën në palcë qytetarëve të lodhur dhe të mërzitur nga izolimi.

Njeriu i vogël dhe Njeriu i Ri

Romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” është rrëfim për njeriun e vogël në kohën e Njeriut të Ri. Njeriu i vogël, me jetën minore, të zakonshme, të pabujë, ishte njeriu që shihte jetën e vet, punën e vet, njeri i parëndësishëm në rrjedhat politike të vendit. Mirëpo, ky njeri po i humbte cilësitë e tij për shkak të ideologjisë komuniste që proklamonte Njeriun e Ri, njeriun pa të kaluar, njeriun në shërbim të Partisë. Dhe pikërisht te kjo përplasje mes dy tipave të njeriut qëndron tema tragjike e romanit. Shqiptari rrezikon t’i humbë vetitë e tij dhe të kthehet në njeri robot që i bindet vetëm sistemit. Pra, njeriu rrezikon të dehumanizohet për shkak të ideologjisë së barazisë. Si revoltë ndaj këtij rrafshimi ideologjik, autori Stefan Çapaliku sjell para lexuesit personazhe të ndryshme, secili i veçantë në mënyrën e vet: Gjush Kodheli, që i ka kthyer helmetat e gjermanëve në saksi të luleve si një instalacion për paqen; Rozar Dodmasej që derisa të vdesë nuk pranon të dalë nga shtëpia, sepse nuk pranon të veshë pantallona të qepura me stofin e Kombinatit “Stalini”; Marilda, apo Malena e Shkodrës; Daja Pjetër që të gjithë e thërrasin kështu, edhe pse askush nuk e ka dajë; kompozitori që e bënte orkestrën filarmonike të qytetit të luante pjesët më të vështira të botës, duke thënë se është më mirë ta luash keq Beethoven-in sesa ta luash mirë Filan Fistekun; Cen Pinuci që e shet veten për së gjalli që, kur të vdesë, trupi i tij t’u dhurohet doktorëve të anatomisë; apo shkrimtari satirik Dik Zeka që thoshte “për femrën më të keqe jap shokun më të mirë”. Po ashtu, në roman shfaqen edhe personalitete të rëndësishme si: Kolë Ashta me fjalorin e tij, Gjon Shllaku që sapo ka mbaruar “Iliadën”, Zef Zorba me teatrin e kukullave, Frederik Rreshpja duke qëndisur në gjergjef, Pjetër Meshkalla, jezuiti që sjell pak heroizëm në kohën e “rinisë servile” etj.

Reagimi i regjimit ndaj fesë jepet më së miri nëpërmjet dënimit të Patër Pjetër Mushkallës, reagimi ndaj kulturës perëndimore jepet me shpikjen e zhurmuesve të antenave të televizorëve, kurse reagimi ndaj letërsisë jepet nëpërmjet një skene ku shqyhet poezia e Frederik Rreshpjes:

“Hyri në klasë mësuesja e leximit dhe tha me të prerë:
– Hapeni të gjithë librin e leximit në faqen 55. Po aty, aty te poezia “Rapsodi shqiptare” dhe me kujdes…griseni!
-Ta grisim?!!!
-Po, ta grisni – tha ajo.
-Të grisim librin?!!!
-Po, po, librin. Se autori i saj është shpallur armik i Partisë dhe i Popullit, – dhe as që ia zuri në gojë emrin Frederikut të shkretë.”

Romani nis me vizitën e autorit në moshë të vogël në një burg dhe i gjithë rrëfimi zhvillohet si një film që del nga burgu i kujtesës së autorit. Prandaj, pavarësisht ironisë verbale dhe ironisë së situatave, romani është një homazh për njeriun e vogël që rrezikohej nga Njeriu i Ri:

“Ngaqë jetonim brenda dhe pa kurrfarë pikash të tjera referimi, nuk po e kuptonim se sa shumë po shëmtohej qyteti. Dita ditës ai po bëhej edhe më i vogël, tkurrej, imtësohej, anemik, plakej dhe po e linin fuqitë. Inercia qytetëruese e paraluftës kishte marrë fund dhe nuk ia shtynte më velat asnjë centimetër. (…) Njeriu i Ri, vepra më e shquar e Partisë, ishte një përbindësh që ia hante dhe ia bluante çdo ditë personazhet dhe karakteret unikalë këtij qyteti.”

Si refuzim autorial ndaj përbindëshit të Partisë, në fillim dhe në fund të romanit, citohet filozofi danez Soren Kierkegaard: Njeriu duhet të guxojë që të jetë krejtësisht vetvetja.
Romani i Stefan Çapalikut është një minirrëfim për kohën e metarrëfimit komunist. Nëpërmjet historive të vogla të njerëzve të vegjël dhe nëpërmjet imazheve të konstruktuara kryesisht sipas modelit të kinematografisë italiane (De Sica, Fellini, Bertolucci, Tornatore etj.), autori ka krijuar panoramën e vendlindjes së tij si një mozaik me gjithë shkëlqimin dhe mjerimin e saj, duke u përpjekur të mos i gjykojë personazhet, por thjesht t’i paraqesë ashtu siç janë, teknikë kjo më shumë dramatike sesa diegjetike. E, siç thotë Milan Kundera, mungesa e gjykimit moral nuk është imoralitet i romanit, por është sakt morali i tij.

Çmendia letrare e Stefan Çapalikut

Ndue Ukaj

Sa herë më kërkohet të flas diçka për një vepër letrare, sidomos në raste të veçante përurimi, siç është ky i sotmi, ndihem në sëkëlldi, dhe më tundon një mendim i Oscar Wilde-it, i cili shkruante: “Për ne që merremi me art, nuk mund të pranohet asnjë teori për të bukurën, në këmbim me vetë të bukurën.” Me fjalë tjera, asnjë vlerësim a interpretim, sa do valid që të jetë, nuk mund të zëvendësojë librin. Prandaj, që në fillim të këtij teksti, dua të them: romani i Stefan Çapalikut, “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” (Botimet Fishta), duhet të lexohet, sepse është një vepër e bukur arti, kundër çmendisë komuniste dhe kundër amnezisë historike. Duke e lexuar këtë roman, lexuesit i hapën horizonte të reja, për të kuptuar periudhën e komunizmit- për të cilën kohë është shkruar- me një gjuhë artistike të pasur dhe mbresëlënëse.

Çapaliku, është autor i shumë librave, dhe është sprovuar me sukses në shumë gjini letrare. Ai është i njohur si dramaturg, në të cilën fushë ka shënuar suksese të dallueshme, dhe ka marrë vlerësime ndërkombëtare, por njihet edhe si studiues e estet, sidomos me një studim tejet serioz për satirën e poetit tonë kombëtar, Gjergj Fishtës.

Romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, është një libër prekës, që flet për kujtesën komuniste, një roman autobiografik, i shkruar me shkathtësi dhe stil rrëmbyes, që lexuesit të kultivuar i jep kënaqësi të dyfishtë: estetike dhe intelektuale. Zgjedhja estetike që bën shkrimtari për të rrëfyer, është origjinare dhe individuale. Ai e vendos rrëfimin në Shkodër, në shtëpinë e vet, dhe lexuesit ia ravijëzon një galeri personazhesh të njohur të kulturës shqiptare: rrugët, peizazhet, traditën dhe kulturën specifike që e karakterizon këtë qytet. Kjo për faktin se, mund të jenë paktë ata lexues shqiptarë, që nuk ndiejnë dashuni të veçantë për Shkodrën, qytet ky, i cili, antropologjikisht përfaqëson pjesën më fisnike të kombit shqiptar,- thënë ndryshe, është qenia ku banon kultura shqiptare, prandaj edhe dashunia për të është pakrahasueshme dhe e pazëvendësueshme.

Në roman, Shkodra paraqitet me një kolorit ngjyrash: e trishtë, e bukur, e venitur, e dremitur, e degdisur, krenare, plot mite e legjenda, ku, më mirë se në secilin vend tjetër, është skalitë fytyra e vërtetë historisë dhe identitetit kulturor shqiptar: Lavdia dhe tragjedia që rëndon mbi të. Pra, Shkodra është tema dhe lajtmotiv i romanit, mirëpo, teksti letrar, nuk e shtjellon sfondin historik të miteve dhe legjendave, krenarinë dhe faktin se ajo vlerësohet si djepi i kulturës, por Shkodrën e fëmijërisë dhe rinisë së autorit; Shkodra nën thundrën e egër të diktaturës, ku organizoheshin gjyqe të shpifura për njerëz të ndershëm, ku artistët qëndisnin; ku rrëzohej Kampanjeli i Kishës Françeskane, që ishte institucion i emancipimit kulturor të shqiptarëve; ku njerëzit bënin jetë sa për të thënë- për t’mos u vërejtur; ku njerëzit burgoseshin dhe vriteshin pa asnjë faj, ndërsa ata më fatlumët, mund të çmendeshin smbas mënyrës së vet.

Lexuesi ka përpara një roman fantastik për çmendinën, ku ngjarjet zhvillohen në një vend konkret, që është Shqipëria, në një periudhë të njohur historike, që është diktatura komuniste, nga viti 1967, kur Shqipëria qe shpallë shtet ateist, deri më 1985, kur vdiq diktatori, në një qytet specifik e shumëdimensional, që është Shkodra, në disa rrugë të njohura, që janë lagjja Gjuhadol, Kafja e Madhe, Kisha e Madhe, Kompanjeli i Kishës Françeskane, dhe ku bëjnë jetë shumë figura të njohura, që janë: Zef Mark Harapi, Frederik Rreshpja, Zef Zobra, Kolë Ashta, At Pjetër Meshkalla, Gjon Shllaku, Pjetër Gjini, familja Çapaliku, etj. Pra, si rrjedhojë e kësaj logjike, autori ka zgjedhë që, për heronj të romanit të tij të mos ketë personazhë imagjinare, por realë, shumica prej të cilëve, emra me nam të kulturës shqiptare. Karakteret e tij, në roman, nuk janë heronj dhe nuk përfaqësojnë tipare të tilla, por figura të degdisura në mjerim. Ky përcaktim autorial, si stratagjemë shkrimore, është shtrirë me mjeshtëri artistike, pa kurrfarë teprie, për të përshkruar kujtesën dhe makthin e diktaturës. Nga kjo perspektivë, për mua, ky roman, hap një shteg të ri për prozën bashkëkohore shqiptare, sidomos për atë që evokon temat dhe kujtimet e makthshme të komunizmit. Peizazhet e Shkodrës, rrugët, njerëzit e saj, tradita dhe e kaluara, heronjtë e kulturës dhe artit, humori, përplasja ndërmjet lavdisë dhe marrëzisë, ndërmjet bukurive natyrore dhe shëmtisë arkitektonike, e influencojnë romanin, dhe janë tharmi kulturor i tekstit letrar. Romani ka tension të vazhdueshëm, rrëfim dinamik, dhe kjo e mban lexuesin kureshtar përgjatë gjithë shtjellimit të ngjarjes. Autori, realizon përshkrime mjeshtërore për ambientin shkodran, shtëpitë, dhe veçmas shtëpinë qendrore që shndërrohet në oazë- min kinema – ku zhvillohet drama e narratorit, një dramë psikologjike, që të kujton letërsinë e përroit të ndërgjegjes, veçmas romanin “Portreti i artistit në rini”, të James Joyce.

Protagonisti i romanit, jeton në një qytet ku askush nuk guxonte të ishte vetvetja. Ky makth është kategori sociale e psikologjike, që formëson botën e tij, në labirintet e errëta, në shtëpi, në shkollë, në rrugë, në ankthin e qyteti ku mbizotëron frika, absurdi, vdekja dhe çmendia.
Çapaliku rrëfen për Shkodrën, ku “qytetasit e tij kishin humbur në terr”, por shtrirja kohore dhe kapërcimet që bënë, janë universale. Sepse, aty flitet për komunizmin si dergj ideologjike dhe pleksjen ne jetën e njerëzve, duke i deformuar dhe duke i degdisë të gjithë në dramën e çmendisë. Në sfondin e kësaj marrëzie ideologjike, ku njeriu tkurrej, zvetënohej dhe zvogëlohej përditë, autori tregon edhe kujtesën, qytetarinë e dvarun, njerëzit që dinin anglisht, ku jetuan mjeshtër të fjalësi si Fishta, arkitekt si Kolë Idromena, – por ku, komunizmi kishte lëshuar rrënjët e një bime helmuese që e deformonte qytetarinë. Këtij qyteti i kishte ra hija e zezë, tisi i diktaturës dhe e mbante me lak në fyt. Protagonisti, alteregoja e autorit, formohet përbrenda një realiteti të trishtë, ku lavdia i përkiste së shkuarës. I gjendur në këtë rrëmujë psikologjike e etike, zventimi dhe çmendia, përhapeshin rrufeshëm, siç përhapet një epidemi. Kjo i shëmtonte njerëzit dhe i fuste në një hon të llahtarshëm: pa dinjitet, pa personalitet, dhe ku depersonalizimi ishte pashmangshmëri. Në këtë qytet, secili bënte një biçimë jetë, thënë më gjuhën e autorit, secili çmendej simbas mënyrës së vet.

“Vështirë të gjesh një qytet më të shëmtuar, të ndërtuar në vendin më të bukur të botës, se sa Shkodra”- thotë protagonisti. Klithma e tij është një heshtë për qytetin “që po e birrte shpirtin e rezistencës”, në kohën kur shumica, si robotë, duhej të bëheshin njësh me kolektivin, duke humbë identitetin e dinjitetin personal.

Kujtesa e narrative e romanit, “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, përshkon harkun kohor të afro dy dekadave, kur Shqipëria jetoi pa Zot, dhe me Zot partinë dhe diktatorin. Kujtesa e narratorit, fillon me një burg dhe përfundon me një epilog të çuditshëm, ku narratori pohon:


-Secili çmendet simbas mënyrës së vet…

Në fakt, epilogu i romanit është vdekja e diktatorit, dhe momenti kur dajës Gjon i kthehet shikimi, dhe ai e sheh vetën të Kisha e Madhe, mrekulli kjo e përmasave biblike. Në këtë episod letrare, mund të gjenden analogji filozofike me Kushtimin e Krishtit në Tempull, dhe personazhin biblik, Simonin, i cili, pasi sheh Mesien, çlirohet nga angështia.

Tema e këtij romani është e ndërtuar nëpërmjet një zinxhir episodesh letrare, ku flitet për fatin e njerëzve të degdisur në qytet, siç janë: Niko dhe lidhja e tij tragjike me Marildën, vrasja e Mark Mizanveshit, vrasja e Fred Lezhës dhe Seit Hilit, të arratisur me not nëpërmjet liqenit dhe fati i heronjve të kulturës. Po ashtu, është shumë prekës episodi, kur mësuesja i kërkon protagonistit dhe nxënësve të klasës, të grisnin faqen e 55 të librit, ku ishte poezia “Rapsodi Shqiptare”, sepse autori i saj, pra Frederik Rreshpja, qe shpallur armik i Partisë dhe i Popullit.

Televizioni si lajtmotiv

Ajo që e mban të lidhur zinxhirin e rrëfimeve, është televizioni. Pikërisht në kohën kur ndalohet religjioni, gjykohen klerikët, shkatërrohen tempujt fetare, në qytet hyn televizioni, ky religjion i ri. Ndryshe, ai qe një ishullth disident, që ishte bërthama e fortë kundër hegjemonisë komuniste. Në këtë roman, televizioni bëhet strumbullar i një vistër ngjarjesh që përshkruhen me ton humori, ku shpaloset naiviteti i njerëzve dhe diferencat kulturore të qytetit, të cilat, autori nuk heziton t’i përmend. Kështu, televizioni ka një funksion narrativ specifik: e lidh kohën dhe idealitetin letrar. Autori, duke rrëfyer për televizionin në një shtëpi shkodrane- të vetë autorit- tregon si ai arriti të ndryshonte gjithçka në jetën e tyre. Gjithashtu, nëpërmjet këtij elementi narrativ, romani pasurohet me informacione kulturore të përbotshme, siç janë faktet historike: ndeshja e futbollit ndërmjet Italisë e Brazilit, e vitit 1970; ballafaqimi i shekullit ndërmjet Muhamed Alisë dhe Joe Frazierit; ndalimi e boksit, të cilin regjimi e quante sport borgjez. Autori, në këso episode, flet edhe për diferencat religjioze të qytetit, ato ndërmjet katolikëve dhe myslimanëve: katolikët shikonin televizionin italian, ndërsa myslimanet, malazez. Po ashtu, televizioni u tregon se, një anije kozmike shkoi në hënë dhe se amerikanët ngulën flamurin atje. Televizioni u tregon për trendët kinematografike, derisa shtëpia e protagonistit- pra e Çapalikëve- bëhet një mini kinema e mini teatër, ku vërtiten një mori njerëzish. Është mjaft mbresëlënës episodi për shfaqjen e filmit të parë erotik “Tangoja e fundit në Paris.” Mirëpo, kjo jetë idilike me televizion, përfundon shpejt, dhe dy kanalet, ai italian dhe malazez, nuk mund të shihen, meqë pengohen nga regjimi.

Përbrenda këtij harku kohor, janë një zinxhir i tërë ngjarjesh që zhvillohen me një hov dramatik, dhe lanë vragë të thella shpirtërore në jetën e një djali të ri. Protagonisti është faktori kryesor që i përcakton lëvizjet në roman, raportet ndërmjet njerëzve, ndodhitë prioritare dhe sekondare, të cilat, skaliten me mjeshtri artistike.

Shkrimtari Stefan Çapalikut në këtë roman rrëfen për kohën kur dogma e “realizmit socialist,” synonte të nënshtronte letërsinë nën urdhrat e një shteti dhe një partie, që në emër të çlirimit të llojit njerëzor, ngrinin përmendore për lavdinë e kërbaçit dhe çizmes”(Octavio Paz). Por, Çapaliku në këtë tekst letrar nuk rrëfen për lavdinë e kërbaçit dhe çizmes, por rrëfen për jetën e njeriut të tkurrur shpirtërisht dhe të topitur intelektualisht, nga ata që i bënin lavdi kërbaçit dhe çizmes, rrëfen për çmendinën, si abstraksion psikologjik, ku vërtiteshin fatet e njeriut, në një betejë absurde me jetën; në Shkodrën e kulturës, ku jetuan e krijuan heronjtë e vërtetë të kulturës, një galeri e tërë personazhesh mbresëlënës, që janë substrati kulturo i romanit. Karakteret e romanit, janë heronj realë dhe jo të konstruktuar e imagjinar; nuk janë heronj të lavdisë së rreme.

Romani e përshkruan ferrin në Shkodër, konkretisht në Gjuhadol, në këtë hapësirë të vogël, por të rëndësishme kulturore, ku vërtiteshin fatet e njerëzve pa shtegdalje, të cilët dukeshin sikur në një pyll të errët, aty ku e vetmja dalje mund të ishte çmendia, ose bashkëjetesa me atë çka përfaqësonin krijesat njerëzore që kishin humbë çdo ndjenjë njerëzore. Në zinxhirin narrativ të këtij romani, nuk ka kryehero, as heronj e antagonistë që përplasën në dramën e jetës, por ka episode dramatike, dhe përplot njerëz të shtypur, që i lidh mjeshtërisht narratori i gjithëdijshëm, aletergoja e autorit, drama psikologjike e të cilit, është drama e mijëra njerëzve të Shqipërisë, viktima të terrorit psikologjik, të vrasjeve dhe shtypjes barbare.

Shkrimtari Çapaliku, me këtë roman, tregon edhe njëherë atë që Italo Calvini e quan besimin te letërsia, te e ardhmja e saj, e cila qëndron në faktin se ka gjëra, të cilat vetëm ajo mundet të na i japë, me mjetet e saj të veçanta. Romani i Çapalikut tregon se letërsia ka çka të tregojë për komunizmin.

Letërsia shqipe, ka një mori rrëfimesh dridhmuese për komunizmin, për kohën kur partia kujdesej për lumturinë njerëzore, dhe kur ngarendja pas ideologjisë ishte absurde, sa tejkalonte edhe raportet familjare, sepse, partia ishte mbi familjen. Skena të tilla morbide, kanë dhënë autorë të shumtë shqiptarë, në letërsi dhe libra memoaristikë. Në radhën e shkrimtarëve që shkruajnë për këtë kujtesë, si domosdoshmëri kundër harresës, hyn edhe Çapaliku, me romanin “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, që për mua, është roman i kujtesës, në të cilën, imagjinata dhe faktet reale përpjekën, dhe ku realiteti letrar dhe historik ndërlidhen përbrenda një simbiozë të realizuar mjeshtërisht.
Autori, kohën e mynxyrave e ravijëzon nëpërmjet një trajektore kohore të shtrirë nga koha kur religjioni që ndaluar, dhe në vend të tij u bë Zot partia, “njeriu i Ri, vepra më e shquar e Partisë” vepër kjo që “ishte një përbindësh që hante dhe bluante çdo ditë personazhet dhe karakteret unikalë të këtij qyteti…”

Romani është rrëfim kundër hegjemonisë së komunizmit, një kujtim për humbëtirën dhe kohën kur njerëzit bënë jetë kolektive, ku universaliteti teorik i ideologjisë, zbehte çdo gjë që lidhej me qenien njerëzore, ku njerëzve u rrënoheshin tempujt e besimit dhe u ofroheshin doktrinat e librave që mbyllnin urrejtje e terror. Në anën tjetër, teksti letrar, derisa shtjellon anët mizore të regjimit, ai njëkohësisht mund të konsiderohet një homazh për kulturën, një kundërpeshë ndaj çmendisë, një rrëfim nga Gjuhadoli, ku humbëtira komuniste, ndonëse tkurrte njerëzit shpirtërisht e moralisht, nuk kishte sesi të hiqte me rrënjë besimin te Zoti dhe të e nesërmja.

Prozës shqipe i është shtuar një roman i shkëlqyeshëm, i shkruar me shije e kulturë. Për mua, romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, është një prurje në letërsinë shqipe, një roman i shkruar me virtuozitet e kulturë letrare. E kam lexuar me një frymë dhe e vlerësoj si një gosti për gjitha ata që e duan letërsinë, artin e fjalës së bukur. Dhe, një dëshmi e fortë, se, letërsia, me mjetet e saj, ka gjithmonë gjëra të reja për të thënë.

Vlera e këtij romani qëndron në faktin se, siç ka thënë Josif Brodski, “nëse arti diç na mëson (artisti, në radhë të parë), atëherë kjo ka të bëjë pikërisht me privatësinë e ekzistencës njerëzore.” Romani i Çapalikut këtë aspekt e realizon mjeshtërisht. Dua ta përfundoj këtë tekst, me një mendim të shkrimtarit të madh italian, Italo Calvinio, i cili shkruan: “Letërsia (dhe ndoshta vetëm ajo) mund të krijojë antitrupa, që luftojnë përhapjen e murtajës së gjuhës.” Ky roman, është një thirrje për katharsisë e etikë, një roman që e ndihmon ndërgjegjen shqiptare, të pastrohet nga njollat e krimeve komuniste; një roman që krijon antitrupa kundër mortajës së gjuhës./KultPlus.com

Stefan Çapaliku në promovimin e dy vëllimeve të tij në Prishtinë: Ne jetojmë në një kohë ku njeriu çmendet lehtë

Dramaturgu, regjisori dhe esteti i njohur shqiptar Stefan Çapaliku promovoi sot dy vëllime të romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Autori përmes këtij libri rikthehet përmes prozës se gjatë me një roman autobiografik, ku subjekt të rrëfimit ka momentin e prishjes së institucioneve të kultit, në vitin 1967. Romani shtrihet në tri dekada të diktuarës, ndërsa prek rrëfimet në pjesën veriore të qytetit shumëdimensional të Shkodrës, ku autori paraqet personazhe reale. Vëllimi i dytë i këtij libri përmban rreth 29 tregime dhe është i ndarë në tri pjesë.

Frano Kulli, nga enti botues “Gjergj Fishta” tha se krijimtaria letrare e autorit Çapaliku, arrin të prek kulim pikërisht me këtë vepër, pasi që ky libër është mirëpritur në shume qytete të Shqipërisë, ndërsa tha se është i nderuar që këtë libër po e promovojnë para këtij auditorit.

“Krijimtaria e tij kulmon me botimin “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, ky nuk është mendim as i imi as i entit tonë botues por është provuar me ecurinë qe ka pasur vëllimi i parë. Unë mund të ju them që në eksperiencën 20 vjeçare të entit tonë botues është libri më i mirëpritur për lexuesit shqiptar dhe përtej. Ne kemi pasur edhe botime të tjerë të suksesshëm, mirëpo ky libër është edhe njëra nga eksperiencat më të bukura të entit tonë botues”, u shpreh Kulli sot gjatë promovimit të librit.
Shkrimtari Ndue Ukaj lexoi një tekst të titulluar “Çmendia e Stefan Çapaliku”, ku në fillim të tekstit thekson se ky libër duhet të lexohet sepse është një vepër e bukur arti kundër çmendisë.

“Çapaliku ka shënuar suksese në secilën fushë dhe ka marrë çmime ndërkombëtare. Ky është një roman prekës qe flet për kujtesën komuniste, një roman autobiografik që është shkruar me shkathtësi dhe stil rrëmbyes që lexuesit të kultivuar i jep kënaqësi të dyfishtë estetike dhe intelektuale. Me personazhe reale, karakteret e tij nuk janë heronj, por të degdisur në mjerim. Ky roman në të njëjtën kohë hap një shteg të ri për prozën bashkëkohore”, u shpreh shkrimtari Ukaj gjatë ceremonisë promovuese.

Po ashtu në këtë ceremoni për pjesën e parë të librit fjalën e mori edhe shkrimtari dhe profesori Ag Apolloni. Ai tha se përmes kësaj letre më të shkurtër ka paraqitur përshtypjet e tij për pjesën e parë të librit.

“Dramaturgu nuk e ka braktisur dramën, por e ka gjetur atë edhe në prozë. Vazhdimësia gjen një logjikë kohore. Stefan Çapaliku, poet, tregimtar, studies, eseist e veçmas dramaturg së fundi ka ndërmarr një projekt të madh në prozë, që është realizuar në dy vëllime por mund të vazhdoj edhe në ndonjë vëllim tjetër. Vazhdimësia ndjek një logjikë kohore kurse element konstant mbetet narrator i i cili duke dëshmuar për jetën e tij dhe jetën rreth tij e subjektivizon rrëfimin dhe i jep status të një fiksioni autobiografik”, ishin disa nga fjalët e Apollonit në këtë promovim.

Agron Shala foli për pjesën e dytë të romanit “ Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, derisa shtoi se autori në të dy vëllimet dëshmon se ka një kujtesë të shkëlqyer dhe paraqitet me një stil unik të shkrimit. Ai tha se për dallim nga pjesa e parë, autori në vëllimin e dytë sheh dhimbjen edhe në situatat më komike dhe se vëllimin e dytë e katarakterizon dhe ëndrra.

Vet autori Stefan Çapaliku, nuk foli shumë në këtë ceremoni vetëm se falënderoi të pranishmit, duke shtuar se ka lidhje shumë të forta me Prishtinën.

“Ne jetojmë në një kohë ku njeriu çmendet lehtë”, ishte një nga fjalitë të cilën ai e theksoi në fjalimin e tij.
“ Siç ka qenë televizioni i rëndësishëm në vëllimin e parë, nëse libri do të ketë vëllimin e katërt, unë do te merrem me rrjetet sociale për të treguar se sa lehtë është të çmendësh përmes këtij rrjeti. Mendoj se luajtja jonë e përditshme do të duhej me qenë “O Zot na ruaj mendjen e kresë””, tha autori në promovimin e tij në Prishtinë./ KultPlus.com

Promovohet romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” i autorit Stefan Çapaliku

Të enjten më 14 dhjetor me fillim nga ora 12:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, bëhet promovimi i romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, shkruan KultPlus.

Ky roman i shkruar nga Stefan Çapaliku me dy vëllimet e botuara në harkun e një viti, ka ndarë me ne një periudhë njëzetvjeçare prej një kohe të çmendur, e cila kaloi si një sëmundje e gjatë dhe sfilitëse mbi trupin e një vendi të varfër e të pashpresë siç qe Shqipëria komuniste.

Romani është botim i Botimeve Fishta./ KultPlus.com

“Trilogia Albanica” e Stefan Çapalikut, botohet në Paris

“Trilogia Albanica” është përmbledhja më e fundit me drama e Stefan Çapalikut, botuar në Paris nga “L’espace d’un Instant”.

Në këtë libër përfshihen tri pjesë teatrore: “I’m from Albania” (monodramë), “Allegretto Albania” (komedi serioze) dhe “Made in Albania” (dramë), të përkthyera në frëngjisht nga Anna Couthures dhe me një parathënie nga Ardian Marashi.

Monodrama “I’m from Albania” është shkruar në vitin 2005 dhe është vënë në skenë nga Laboratori Teatror X05 me regji nga Ema Andrea dhe Stefan Çapaliku, në interpretimin e Ema Andreas. Kjo monodramë u shfaq 21 herë në Tiranë, Elbasan, Durrës, Korçë, Vlorë, Shkodër, si dhe në Tetovë, Manastir, Ohër, Tuz, Braila, Bari, Paris.

Komedia serioze “Allegretto Albania” e pati premierën e vet botërore në vitin 2007 në Teatrin e Kombësive në Shkup me regji të Alfred Trebickës. Po këtë vit, “Allegretto Albania” u shpall pjesa më e mirë e vitit nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë.

Produksioni i dytë i kësaj komedie ndodhi një vit më vonë në Teatrin Kombëtar Shqiptar me regji të Altin Bashës. Në vitin 2009, sipas përkthimit të Marius Dobrescus, u realizua versioni rumun në Teatrin “Odeon” të Bukureshtit me regjinë e Cristian Dumitrus.

Në vitin 2010 “Allegretto Albania” përfaqësoi Shqipërinë për herë të parë në bienalen e teatrit “New plays from Europë” në Wisbaden e Mainz të Gjermanisë, ku mori çmimin e parë nga Forumi Ndërkombëtar i Kritikës. Më 2011 kjo pjesë u vu në skenë në Ambassador Theatre në Washington DC ,me regji nga Joe Martin dhe me përkthimin e profesorit Mark Stringham. Më 2014 u realizua produksioni i pestë i saj në Teatrin Kombëtar të Malit të Zi me rregji nga Idriz Gjoka dhe me përkthimin e Agron Camajt.

Drama polifonike “Made in Albania” u shfaq për herë të parë në prill të vitit 2016 në Teatrin Kombëtar Eksperimental në Tiranë nën regjinë e Altin Bashës dhe u shfaq 25 herë në Tiranë, Durrës, Prishtinë, Tetovë, ku edhe mori çmimin si drama më e mirë në Festivalin Ballkanik të Dramës Nacionale./ KultPlus.com