Letërsia shqipe ndër vite

Poetë, prozatorë, dramaturgë, eseistë e të tjerë, krijojnë në mbarë hapësirën shqiptare dhe kanë botuar vepra që vlen të lexohen e rilexohen.

Më poshtë gjeni dhjetë libra shqiptarë që duhen lexuar:

Vargjet e lira, Migjeni

Vepra më avangarde e poezisë shqipe deri në atë kohë, e re në çdo pikëpamje: ideore, tematike, ritmike, figurative.
Një vepër që e çliroi poezinë shqipe nga manierat klasiciste, kurse vargun shqip nga tirania e rimës dhe e metrikës. Poezi e dhembjes, e vuajtjes, e mjerimit, e ankthit, e shpresës.

Ylli i zemrësLasgush Poradeci

Libri ndoshta më komplet i poezisë shqipe, i ndërtuar sipas një koncepti që e hasim te poetë si Petrarka, Gileni, Bodleri etj.
Libër himn i bukurisë, i dashurisë, i përjetësisë, festë e fjalës së kulluar shqipe.

Lahuta e Malcisë, Gjergj Fishta

Enciklopedi e jetës shqiptare, glorifikon luftën për liri kombëtare dhe virtytet tradicionale. Si fenomen letrar e vonuar e anakronike, por me ndikim të madh në jetën shpirtërore dhe në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, veçanërisht jashtë kufijve të Shqipërisë shtetërore.

Psallme Murgu, Asdreni

Vepër që e zgjeron regjistrin tematik e stilistik të poezisë shqipe, të mbështetur kryesisht në modelet e poezisë popullore. Sjell përvojën e poezisë moderne evropiane. Për herë të parë në letërsinë shqipe trajtohet gjerësisht bota shpirtërore e njeriut të gjendur në vorbullën e paradokseve. Një kohë të gjatë e lënë në harresë nga kritika e ideologjizuar.

Net shqiptare, Mitrush Kuteli

Ndër veprat e para të prozës moderne shqipe. Shfrytëzon në mënyrë kreative përrallën popullore shqiptare, duke i rivitalizuar strukturat e saj narrative. Vizaton figura e karaktere të gjalla njerëzish, sidomos fshatarësh. Shquhet për bukurinë e rrëfimit, të gjuhës dhe të stilit. Mostër për shumë prozatorë të mëvonshëm.

Lumi i vdekur, Jakov Xoxa

Tablo e gjerë e jetës shqiptare. Vepër e shkruar nga një njohës i rrallë i jetës, por edhe i mjeshtërisë krijuese.

Roman që krijon disa nga personazhet më të spikatura të letërsisë shqipe, siç janë Vita dhe Adili, që duken si të shkëputur nga realiteti i gjallë jetësor e jo të krijuar në letër. Vepër që sjell në prozën shqipe përvojën e romanit ciklik tradicional me gjuhë jashtëzakonisht të pasur. Autori i tij është stilist i përkryer.

Kronikë në gur, Ismail Kadare

Vepra mbase më e mirë e Kadaresë dhe një nga romanet më të mira të letërsisë shqipe. Një sintezë sui generis e poezisë, fiksionit dhe mitologjisë. Vepër me strukturë komplekse narrative, atipike si prosede. Një trajtim shumë origjinal i luftës dhe i psikozës kolektive në situata të skajshme ekzistenciale. Perceptimi i botës nga perspektiva e fëmijës zhduk kufijtë mes ëndrrës e realitetit. Roman që sjell një frymë të re në prozën shqipe dhe mjete e teknika të reja shprehëse.

Vdekja më vjen prej syve të tillë, Rexhep Qosja

Ndonëse autori i kësaj vepre është në radhë të parë historian i letërsisë, fushë në të cilën ka botuar një varg veprash të rëndësishme, megjithatë kjo mbetet vepra e tij me receptim më të gjerë, që i ka kaluar kufijtë gjuhësorë të shqipes. Prozë e tipit kritik, intelektual, pak e kultivuar në letërsinë shqipe, që trajton temën e dhunës së pushtetit mbi individin dhe popullin të cilit i takon ai. Duke vënë në epiqendër një personazh krijues, siç është Xhezairi i Gjikës, autori funksionalizon gjuhën kritike, erudicionin intelektual, parabolat historike etj.

Nga Bibla e heshtjes, Azem Shkreli

Poezi me një sistem të veçantë mjetesh shprehëse dhe me një filozofi të veçantë krijuese e jetësore. Libër i meditimit poetik mbi raportin e njeriut me historinë, por edhe me veten dhe fjalën e tij. Psalm mbi fatin e fjalëve. Bashkë me Din Mehmetin, Rrahman Dedajn, Ali Podrimjen e të tjerë, autori i kësaj vepre, Azem Shkreli, krijon modernitetin e poezisë shqipe në Kosovë dhe më gjerë.

Pelegrini i vonuar, Dritëro Agolli

Libri i parë post-socialisto-realist i poetit Dritëro Agolli dhe njëri nga librat më të mirë të tij e të poezisë shqipe në përgjithësi. Libër mbi thyerjet shpirtërore të një brezi, i cili besoi në një utopi dhe pas përmbysjes e ndien veten si pelegrin i humbur në shkretëtirën e iluzioneve të veta. Dhembja dhe trishtimi e ngjyrosin emocionalisht vargun e poetit. Ky libër e rikonfirmon faktin se autori i tij është mjeshtër i rimës dhe aliteracionit, krijues që e zotëron artin e vështirë të të bërit vargje të lehta. / cbc.al / KultPlus.com

Petro Marko: Ernest Koliqi më shpëtoi jetën

Nga Petro Marko

Gjenerali u ngrit dhe bëri një shenjë gjithë nervozizëm. Dikush më mbërtheu nga qafa. Fola: “Es que vous parles français?”

Ai më pa dhe m’u përgjigj: “Ju polakët jeni të ndyrë!” I thashë frëngjisht se nuk isha polak, por shqiptar! Atëherë vetëtimthi më doli para syve figura e priftit që m’u ngjit e më pyeti se ku ishin shokët e tjerë.

Prandaj, u gëzova shumë dhe mora guximin dhe i thashë gjeneralit: “Luftë është, tani vdes unë, nesër ju. Sa për gjermanë unë njoh, madje dhe me emra.” Ai u ngrit më këmbë, i gëzuar më buzëqeshi dhe më tha: “Cilët janë?” Unë iu përgjigja: “Njoh Gëtën dhe Shilerin!”

Atij i ndryshoi menjëherë shprehja e fytyrës. Më tha: “Po ti ç’je?” “Jam një poet shqiptar. Po që të bindeni se unë jam shqiptar dhe informatori juaj ju ka mashtruar, ju lutemi i telefononi ministrit tonë Ernest Koliqi, që më njeh, që e di se kush jam e pastaj më vrisni.”

Gjenerali depërtonte në mendimet e mia duke më vështruar drejt e në sy. Unë rrija i qetë dhe i lumtur se nuk i paskëshin zënë të tjerët. Ishte prifti që më kishte spiunuar si polak… Togeri që përkthente quhej Tenente Kok. Gjenerali i foli gjermanisht togerit Kok dhe ky mori në dorë receptorin e telefonit.

Unë e dija përmendësh numrin e telefonit të Koliqit, se më parë kisha shkuar disa herë në zyrat e tij dhe sekretari, njëfarë Shestani, më kishte dhënë shumë pasaporta për malazeztë e për grekët, shokët tanë, ish-të dënuar (Koliqi më kishte pritur përzemërsisht dhe më kishte uruar që të shpëtoja e të shkruaja vjersha, pasi ai e dinte, qëkur e kisha profesor në Ujë të Ftohtë, se bëja vargje). Ia dhashë numrin togerit, i cili e mori menjëherë. Unë u shqetësova, se Koliqi, duke dëgjuar zërin e Gestapos, ndoshta do t’u thoshte se cili isha unë: luftëtar në Spanjë e të tjera.

Togeri Kok, që ishte tmerri i Romës (këtë e mora vesh më vonë), pas pak nisi bisedën:

– Na falni për shqetësimin, kemi këtu një… që pretendon se ju njeh. – …(Fliste Koliqi.) – Quhet Petro Marko… – … (Fliste Koliqi.) M’u drejtua mua: – Ku e keni njohur dhe çfarë ka botuar Koliqi?- Unë i flisja dhe ai përsëriste në telefon: Në Vlorë, e kishit nxënës, keni botuar “Hija e Maleve”, “Gjurmët e stinëve”…

Ju ka kushtuar dhe një vjershë në “Leka”… – …

(Fliste Koliqi.) – Ju faleminderit shumë dhe na falni për shqetësimin në këtë orë! – tha togeri Kok… Pastaj foli me gjeneralin, gjermanisht.

Ai bëri tri shenja. Më vështroi në sy dhe tha shkurt: – Falëndero Gëten dhe Shilerin. Më morën dhe që andej më shpunë në burgun “Rexhina Çeli”, në një birucë me tetë të tjerë. Aty ishte dhe një jugosllav e një grek. Pas ca ditësh erdhi në burg për takim sekretari i Koliqit.

Më tha të rrija i qetë se do të kujdesej Koliqi. E vërteta është që Koliqi më shpëtoi jetën, se atje ku më shpunë mua: Pensione Xhakarini, rruga “Sicilia”, 10, ishte qendër e Gestapos dhe që aty asnjë nuk kishte dalë i gjallë. Edhe nëse kishte dalë i gjallë ndonjë, kishte dalë invalid përjetë. Këto i mësova në birucë, nga shokët me të cilët flisja, që u thashë se ç’më kishte ndodhur.

Aty mësova se Pensione Xhakarini ditën përdorej si klub i klasit të parë, ku shkonin familje aristokrate dhe pinin ose kërcenin, kurse pas orës 22 kthehej në zyra të Gestapos si në Via Taso. Aty mësova se togeri Kok ishte tmerri i antifashistëve dhe patriotëve, agjent besnik i Hitlerit, kriminel i regjur. Pra, Koliqi më shpëtoi jetën dhe u interesua për mua duke më dërguar sekretarin e tij.

Pas pak ditësh erdhi për t’u takuar me mua peshkopi i Leros (unit). Më takoi dhe me një zë prej kallogjeri më thoshte: “Të na falësh, o bir, se ai nuk ishte prift, po djalli vetë, ai ishte djalli vetë”.

Më tha se e kishte dërguar vetë peshkopi i Via Po-së të më pyeste se ç’dëshiroja, ç’ndihma donim dhe ta dinim se ai i mallkuar nuk ishte prift, po djall i veshur tani vonë prift nga gjermanët. Siç mora vesh më vonë, atë dhe togerin Kok i vranë partizanët italianë.”

(Marrë nga libri, “Intervistë me vetveten: Retë dhe gurët) / KultPlus.com

A ka nevojë për një histori të re të letërsisë shqipe, apo?!

Letërsia është si një organizëm i gjallë, e cila kërkon gjithnjë identifikim duke u shqyer. Nga ana tjetër, përpjekja që kanë bërë shumë autorë të sotëm për të përçuar aspekte historike mirëfilli, jo pak herë e shndërruan letërsinë shqiptare të duket vërtetë se ka sfond mirëfilli dokumentar. Por kemi një problem. Dhe, ky nuk mund të konsiderohet aspak i vogël.

Arti s’është asnjëherë fakt dhe historia nuk mund të jetë kurrë fantazi, paçka se në Shqipëri nga problemi i identifikimit shumë e bëjnë letërsinë të duket histori me plot panegjirizma që e kanë modifikuar dhe vetë gjininë e bukur, kurse historinë që bëjnë shumë pseudo bashkë me shumë gjysmë-profesionistë, e kanë kthyer këtë zeje gati në fantazi, ngjashëm me letërsinë. Kjo të bën të mendosh për habirat e mëdha që na ofron letërsia jonë e këtyre kohëve që gati po e glorifikon Bllokun, po tregon histori gati të pabesueshme për masivizimin desident apo me kinset fantazitë e tjera, kinse persekutimet e shumë gjojave, që kanë zbehur realisht problematika të vendit. Blloku, por jo vetëm, i cili prodhoi shumë prej të keqes në vend dhe më shumë akoma ishte përgjegjës për modelin e zgjedhur të zhvillimit të vendit, ka lënë shumë pasonjës, që gati po e shndërrojnë krejt letërsinë në një narracion të ri, mbushur me histori të paqena.

Ka një ngushëllim po të kemi parasysh një moment Platonin. Sipas tij, arti është gënjeshtër, e në këtë logjikë problemi zgjidhet deridiku. Allan A. Pasco në punimin e tij “Literature as historical archive” (“Letërsia si arkivë historike”) mendon se: “Është e jashtëzakonshme sesa normale është bërë në ditët tona për historianët të sjellin romane, poezi, drama si ilustrime apo si burime”. Në fakt, kjo është e vërtetë, por kjo lidhet me përmasat e letërsive të caktuara. Do mjaftonte “Bretkosa” e Mo Yan që njerëzit të kuptonin shumë jo vetëm për Nobelistin kinez, por edhe historinë kineze dhe mes saj edhe për një nga problemet e saj më të madh historiko-social dhe zgjidhjet e saj. Këtë atribut kuptohet se nuk mund ta bënte dot Letërsia Hispanike me Realizmin Magjik, por deri diku e arriti Letërsia Ballkanike me problemet e mëdha që shtroi. Përmes Ivo Andriç, ti njeh mekanizmin e brendshëm të Perandorisë Osmane dhe përfaqësimin e tyre dhe të huajve në Ballkan dhe rezistencën vendase përtej letërsisë. Kurse mëtonjësi i Nobel-it, shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare, do t’i jepte një përmasë tjetër psikës së Perandorisë me një shtrirje gjeografie të letërsisë së tij nga Mesjeta deri në kohët tona. Kaxanxaqis dha shpirtin e Ballkanasit grek me ndryshimet e kohës dhe mbijetesën përballë kushteve të këqija objektive dhe subjektive, mbushur plot me paradokse, duke mos kursyer negativizmat e shoqërisë dhe kritikën e ashpër ndaj fesë. Poetët ishin më larg historisë, por ata bënë gjëra më të vështira, pasi përmes figuracioneve përçuan perceptimin metaforik. Tani të besosh se kultura e ka shfrytëzuar letërsinë në këtë mënyrë për të dhënë historinë kjo është pak e vështirë, pasi i ngjan të shikosh historinë përmes një tejqyre letrare…, gjë që teoricienët e artit e shmangin disi.

Shumë nga autorët e brezit të sotëm të dytë, i kanë dhënë dimensione interesante letërsisë sonë, por deri ku ata i ka shtyrë memoria e kohës. Arian Leka punon shumë me fabulën e shqiptarit si Ballkanas, ashtu si Luljeta Leshanaku ka kërkuar që përmes metaforës së saj të përfaqësojë një publik më në hije, por gjithmonë me shumë veçanti dhe me kërkesa të larta. Një grup tjetër po prekin me kujdes historinë e Shqipërisë përmes shikimit nga jashtë ose retrospektivës.

Ndërkohë që mungesën më të madhe letërsia shqiptare e ka në vetë-përfshirjen e saj dhe sot ka nevojë për një histori që brenda të ketë një lloj “Vetting”. Së pari, ajo duhet të jetë më dashamire, sa i përket të gjithë autorëve, që kanë jetuar në Shqipëri apo jo. Duhet të jetë më integruese me autorët shqiptarë të Kosovës dhe ata të Maqedonisë. E, ne të gjithë këtë qerthull, ajo patjetër duhet të bashkëpunojë me historinë dhe anasjelltas, për ta bërë të gjithën më të integruar, si edhe për përfshirjen e strukturës së kritikës letrare në të. Por pa e tepruar. Me pak fjalë, sot, letërsia shqiptare vuan nga paragjykimet dhe mbi të gjitha mungesën e një shtrati të përbashkët ku duhet të përfusë të gjithë letërsinë në arealin shqiptar. Për letërsinë tonë ka paragjykime, e jo më kot, pothuaj po i fshihet periudha e Socializmit si edhe shumë aksesorë të tjerë, ndërkohë që sot ka ardhur koha që kjo letërsi të përfshihet në disiplinën krahasuese, e cila krahason pa kufij dhe me modele bashkëkohore.

Në një aktivitet në Prishtinë, studiuesja bullgare Rumiana Stançeva do të theksonte faktin që “specifika e marrëdhënieve letrare në Evropën Juglindore shpjegon sundimin kryesisht të disa tipave studimesh komparative në lidhje me fenomenet letrare ballkanike – receptimi letrar, imagologjia dhe studimi i paralelizmit në gjini dhe tematikë. Komunikimi në Juglindjen tonë nuk presupozon ndjekjen ose aplikimin e një modeli fqinjë. Informacioni këmbehet në atmosferë të qetë, afër indiferencës”. Ne mund të mësojmë më shumë duke bërë krahasime, por edhe duke parë veçantitë dhe mënyrat sesi bëhen të prekshme fenomenet letrare të Evropës Juglindore me ato të Evropës Perëndimore në histori dhe anasjelltas, apo kohën kur janë bërë të tilla. Shembulli më tipik është qëndrimi ndaj romanit vendas dhe kontributi që po jep në histori ky zhanër sot. “Gurët e vetmisë” së fundmi e Enkel Demit dhe “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, e Thanas Medës janë nga shembujt më të këndshëm sesi letërsia ka zbardhur segmente historikë, ashtu si Historia e thatë që hartohet shpesh nga autorët tanë i ka borxh ende letërsisë, ndoshta për shkak edhe të mungesës së duhur të aftësisë së njerëzve të historisë për këtë fakt/ Ben Andoni (Milosao). /KultPlus.com