Dua Lipa: Ejani me mua, prapa skenave të festivalit  “Sunny Hill”

Ylli shqiptar me famë botërore, Dua Lipa, ka publikuar së fundmi një video ekskluzive në platformën e saj Service95, ku sjell momente të veçanta nga prapaskenat e edicionit të sivjetshëm të Sunny Hill Festival 2025, i mbajtur në Prishtinë.

Në këtë rrëfim vizual, ajo flet me emocion për rikthimin në vendlindje dhe për përgatitjet intensive që kanë paraprirë natën e parë të festivalit, ku ajo performoi para publikut vendas në një atmosferë magjike. E rrethuar nga familja dhe ekipi i saj, Dua ndan një histori personale që fillon nga koncerti i saj i parë në Prishtinë, në vitin 2016, deri te zhvillimi i një festivali me përmasa ndërkombëtare.

“Koncerti im i parë në Prishtinë ishte në vitin 2016. Po bëja një turne në Europë dhe mendova: nëse po performoj nëpër kontinent, patjetër duhet të kthehem edhe në shtëpi dhe të jap një koncert,” rrëfen ajo në video. “Me ndihmën e babait tim, e organizuam si një koncert bamirësie për Fondacionin Sunny Hill.”

Ajo thekson se suksesi i atij eventi u kthye në shtysë për të krijuar diçka më të madhe, një festival që sot sjell në Kosovë emra të njohur të muzikës botërore dhe artistë nga mbarë rajoni.

“Ishte një ide shumë e madhe, madje paksa frikësuese, por e ndërtuam me familjen. Donim të sillnim një imazh ndryshe për Kosovën, më pozitiv, plot jetë, kulturë dhe energji të reja.”

Videoja përfshin momente intime përpara se ajo të ngjitej në skenë: ngrohjet vokale, përgatitjet me grupin dhe atmosferën elektrizuese pas kuintave. Një nga pjesët më prekëse është kur ajo tregon për një mysafir shumë të veçantë atë mbrëmje:

“Sonte do të këndoj një këngë në shqip, dhe do të kem në skenë babain tim. Ai është frymëzimi im më i madh.”

Për Duan, ky rikthim në Prishtinë është më shumë se një koncert, është një kthim në rrënjë, një “homecoming” emocional, ku ndan skenën me babanë e saj, Dukagjin Lipa, një ish-muzikant dhe një nga figurat kyçe në organizimin e festivalit.

Në fund të videos, ajo shpreh mirënjohjen për gjithçka që është arritur deri tani, me shpresën që Sunny Hill të vazhdojë të rritet dhe të bëhet një pikë referimi kulturore për rajonin.

“Ka gjithmonë një energji të veçantë në Kosovë gjatë verës. Tani është edhe më shumë. Dhe unë e dua këtë, sidomos kur jam pjesë e saj me familjen time.”/Service95/KultPlus.com

Prishtina nën magjinë e yllit Shawn Mendes, spektakël në natën e dytë të Sunny Hill

Flonja Haxhaj

Në natën e dytë të Sunny Hill Festival, Prishtina vazhdoi të jetë një skenë ku arti dhe muzika bashkohen për të krijuar një përvojë që i kalon kufijtë e argëtimit. Në qendër të kësaj nate qëndroi një emër i dashur për publikun ndërkombëtar, këngëtari Shawn Mendes, shkruan KultPlus.

Në një atmosferë ku performuan emra të njohur si Deezy, Yanina, Lluni, Era Istrefi, Sainte, Pint, Ledri dhe Headie One, skena kulmoi me ardhjen e kantautorit kanadez, i cili e përjetoi Prishtinën për herë të parë jo vetëm si një vend koncertesh, por si një hapësirë emocionale ku ndjenjat artistike përqafohen me një publik që i këndon njëzëri këngët e tij.

Mendes e nisi performancën me “There’s Nothing Holding Me Back”, duke vendosur që në fillim një ton energjik. Vazhdimi i koncertit ndërtoi një imazh të bukur emocional, me këngë si “Wonder”, “Treat You Better” dhe “Monster”, që përçuan ndjenja të brishta përmes një interpretimi të ndjerë.

Në një moment të koncertit, Shawn Mendes foli përpara publikut duke i falënderuar për këtë ndjesi që i dhanë.

Të jesh muzikant do të thotë të vizitosh shumë vende dhe të takosh shumë njerëz, kur erdha këtu isha pafundësisht i emocionuar të shoh gjithë këta njerez, jemi shumë të lumtur qe jemi këtu”, u shpreh Mendes teksa falënderoi publikun e Prishtinës për këtë pritje.

Në çdo varg dhe çdo notë, publiku dukej i përfshirë në një bashkëbisedim të heshtur me artistin. Këngët “Lost in Japan”, “Heart of Gold”, “Isn’t That Enough” dhe “It’ll Be Okay” sollën një atmosferë poetike, duke e kthyer koncertin në një udhëtim të brendshëm e intim për të pranishmit.

Një moment i veçantë ishte interpretimi i “Señorita”, që krijoi një ndjesi të ëmbël romantike, ndërsa koncerti vazhdoi me “Ruin”, “Never Be Alone”, “Mercy”, “Youth” dhe “Stitches”.

Mendes përfundoi mes emocionesh përvojën e tij të parë në Prishtinë me hitin e tij ‘In my blood’.

Ndërkaq sonte, në përmbylljen e Sunny Hill Festival, publiku do të ketë mundësinë të shijojë performancat e artistëve, Deezy, Bess, Adrian Berisha, MyGal, Edgar Kerry, Tsha, ndërkaq do të përmbyllet fuqishëm me artistin kryesor Anyma./KultPlus.com

Dua Lipa merr shtetësinë e Kosovës dhe feston në Sunny Hill: “E dua jetën!”

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka ndarë me ndjekësit një moment historik në jetën e saj, marrjen e shtetësisë së Kosovës, vetëm një natë përpara se të performonte në Sunny Hill Festival në Prishtinë.

Në një postim plot energji në Instagram, ajo shkroi:
“E mora shtetësinë një natë më parë dhe pastaj festova fort në @sunnyhillfestival natën pas saj!!!!! E dua jetënnn 🫶🎉🇽🇰”

E shoqëruar me një fotografi nga skena, ku Dua shfaqet me duart lart dhe një buzëqeshje të madhe, mesazhi i saj përçoi gëzim, krenari dhe një lidhje të thellë me vendlindjen.

Ky zhvillim shënon një tjetër kapitull të rëndësishëm në raportin e artistes me Kosovën. Përmes festivalit Sunny Hill, të themeluar bashkë me të atin, Dukagjin Lipa, Dua ka ndihmuar në vendosjen e Prishtinës në hartën ndërkombëtare të muzikës dhe kulturës bashkëkohore.

Marrja e shtetësisë nga ana e saj është më shumë se një formalite, është një deklarim i fortë dashurie dhe përkatësie.
Dua Lipa nuk është vetëm një ambasadore e muzikës,ajo është tashmë edhe zyrtarisht një ambasadore e kulturës dhe shpirtit të Kosovës./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Sunny Hill Festival, një ëndërr që vendosi Kosovën në hartën kulturore globale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar lart Sunny Hill Festival, duke e cilësuar si një rrëfim suksesi që e ka kthyer një ëndërr në realitet.

“Një ëndërr që nisi me dashurinë për vendin dhe u kthye në një nga ngjarjet më frymëzuese që e vendos Kosovën në qendër të hartës kulturore globale”, shkruan Osmani në një postim në rrjetet sociale, transmeton KultPlus.

Ajo falënderoi Dua Lipën për vizionin dhe guximin që e bëri këtë ngjarje realitet, si dhe ekipin e festivalit për punën e palodhshme çdo vit.

“Përmes muzikës, pasionit dhe energjisë së rinisë – Kosova po shkëlqen. Po tregon se edhe nga një vend i vogël, mund të lindin gjëra të mëdha”, u shpreh Presidentja, duke theksuar rolin e festivalit në promovimin e imazhit të Kosovës në botë.

Sunny Hill Festival ka kthyer Prishtinën në një epiqendër të muzikës moderne, duke sjellë artistë të njohur ndërkombëtarë dhe mijëra vizitorë nga brenda dhe jashtë vendit./KultPlus.com

Dua Lipa me rikthim triumfal në Prishtinë, Sunny Hill nis rrugëtimin me koncert të përmasave botërore

Flonja Haxhaj

Mbrëmjen e kaluar, Prishtina u kthye në qendrën e muzikës ndërkombëtare, teksa filloi festivali i shumëpritur Sunny Hill Festival, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon. Në një atmosferë elektrizuese, skena i takoi rikthimit të këngëtares që ka bërë krenare çdo shqiptar nëpër botë, Dua Lipa, shkruan KultPlus.

Qyteti u përfshi nga një valë emocionesh dhe pritjeje. Radhë të gjata makinash dhe turma të mëdha njerëzish që lëviznin drejt vendit të ngjarjes, dëshmonin se ky ishte më shumë se një koncert, ishte një kthim në shtëpi, një festë kombëtare. Me mijëra duar në ajër dhe me zemra që rrihnin në të njëjtin ritëm, publiku e priti me padurim yllin shqiptar me famë botërore.

Prej orës 17:00, skena e Sunny Hill Festival u bë vatër e një parade artistësh të njohur dhe të dashur për publikun. Performanca të fuqishme dhe shumëngjyrëshe u sollën nga emra si Deezy, Art Lokaj & TNM, Kida, Sienna Spiro, Edis dhe Tayna,  të cilët krijuan imazh të zjarrtë për atë që do të vinte më pas, hyrja triumfale e Dua Lipës, yllit që ka bërë krenar çdo shqiptar nëpër botë.

Dua Lipa e nisi koncertin me këngën ‘Training Season’, duke e ndezur atmosferën me një performancë madhështore dhe skenografi unike. Koncerti vazhdoi njëtrajtshëm me ‘End of an Era’, ‘Break My Heart’, ‘One Kiss’, ‘Watcha Doing’, ‘Levitating’ dhe  ‘These Walls’.

Pas këtyre performancave erdhi edhe momenti kulminant i mbrëmjes, ku Dua Lipa ftoi në skenë babain e saj, Dukagjin Lipën, solistin e grupit të njohur ‘Oda’ dhe bashkëthemelues i festivalit. Dy breza, dy gjenerata artistësh, u bashkuan në një interpretim të veçantë të këngës ‘Era’ nga grupi legjendar ‘Gjurmët’. Ky moment bashkoi edhe publikun, ku së bashku kënduan të gjithë njëzëri.

Pas këtij momenti, Dua Lipa u rikthye sërish me hitet e tjera ‘Maria’, ‘Physical’, ‘Hallucinate’ ,’Falling Forever’, ‘Happy for You’ dhe ‘Love Again’. Me ‘Be the One’, u rikthye në një nga sukseset e para që e prezantuan Dua Lipën me skenën botërore, duke krijuar një moment të ndjeshëm dhe nostalgjik.

Ky koncert, ndryshe siç do të mund të ishte rëndom koncerti i ndonjë nga yjeve të tjerë botërorë në Prishtinë, erdhi shumë më ndjeshëm për këtë publik, marrë parasysh lidhjen që ka me yllin Lipa. Kohë pas kohe ndër performance, Lipa u fliste publikut të saj në gjuhën shqipe.

Në një moment ajo falëndëron të gjithë për pjesëmarjen, teksa edhe flet për festivalin.

‘Është kënaqësi me pasë mundësi me kriju një festival, për vendin tonë. Tash janë bërë gjashtë edicione të këtij festivali, e çdo vit po bëhet mirë e më mirë’, tha Lipa teksa falënderoi të gjithë ata që e bëjnë të mundur realizimin e këtij festivali.

Spektakli dhe madhështia e këtij koncerti vijoi me super-hitet ‘New Rules’, ‘Dance the Night’ dhe ‘Don’t Start Now’, performance këto që ndezën skenën dhe bënë që publiku të këndojë e të vallëzojë pa pushim.

Ndërkaq, ky koncert përfundoi me ‘Houdini’, një fund magjik për një natë të paharrueshme, që shënoi rikthimin e yllit Dua Lipa në skenën e Prishtinës.

Ndërkaq sot, publiku i Sunny Hill do të ketë mundësinë të dëgjojë perfancën e Deezy, Yanina, Lluni, Era Istrefi, Sainte, Pint, Ledri dhe Headie One. Ndërkaq,  ylli kryesor i mbrëmjes do të jetë këngëtaro Shaën Mendes./KultPlus.com

Shawn Mendes ndez natën, Mochakk sjell afterparty-n: Ja çfarë pritet sonte në Sunny Hill Festival

Atmosfera elektrizuese e Sunny Hill Festival vazhdon me natën e dytë, më 2 gusht, ku emra të mëdhenj të muzikës ndërkombëtare dhe vendore do të marrin skenën dhe do të sjellin një përvojë të paharrueshme për publikun.

Festivali nis nga ora 14:00 në The Next Stage, me performanca nga DJ Bana Zahiti dhe Bletapërtace, të cilët do të hapin mbrëmjen me ritme të freskëta verore, shkruan KultPlus.

Pas orës 17:45, vëmendja zhvendoset në Sunny Hill Stage, ku do të ngjiten një sërë artistësh të njohur: Deezy, Yanina, Lluni, Era Istrefi, Sainté, Pint, Ledri dhe Headie One.

Në kulmin e natës, do të performojë një nga emrat më të mëdhenj të skenës botërore, Shawn Mendes, që pritet të sjellë një show të jashtëzakonshëm për fansat që kanë mbushur Prishtinën nga e gjithë bota.

Por mbrëmja nuk përfundon aty, në mesnatë hapet C4 Stage, ku do të nisë afterparty me performanca deri në orën 05:00 të mëngjesit. Pjesë e skenës do të jenë Sugar Rush, Artssassin, Uran B., dhe DJ-i brazilian Mochakk, i njohur për setet e tij unike dhe energjinë e jashtëzakonshme që sjell në çdo performancë.

Sunny Hill Festival po vazhdon të përmbushë pritshmëritë, duke e kthyer Prishtinën në një pikë takimi të muzikës botërore dhe një skenë që s’guxon të mungohet./KultPlus.com

‘You lived a movie’: Rikthimi i paharrueshëm i Dua Lipës në skenën kosovare

Faqja zyrtare e Sunny Hill ka ndarë një moment epik pas performancës së Dua Lipës në Prishtinë, duke e përshkruar koncertin si një përvojë të paharrueshme.

Me fjalët “YOU LIVED A MOVIE”, postimi shpreh emocionin dhe madhështinë e mbrëmjes ku artistja jonë ndërkombëtare ndezi skenën në një rikthim të jashtëzakonshëm në vendlindje. Me falënderime për magjinë që solli në shtëpi dhe për historinë që shkroi sërish, Sunny Hill e shpall natën e 1 gushtit 2025, një moment që do të kujtohet gjatë në zemrat e publikut dhe të gjithë Kosovës./KultPlus.com

Ja çfarë pritet sonte në Sunny Hill Festival: Ritëm, yje dhe spektakël!

Prishtina sot kthehet në kryeqendrën e muzikës me nisjen zyrtare të edicionit të radhës të Sunny Hill Festival. Mijëra vizitorë pritet të mbushin hapësirat e Bërnicës, ku ylli botëror Dua Lipa do të rikthehet në skenën e vendlindjes për një performancë që pritet të kulmojë natën.

Në paralel, në skenën “C4”, legjenda e muzikës elektronike Fatboy Slim do të sjellë një set të fuqishëm që premton energji të pakufishme deri në orët e para të mëngjesit, shkruan KultPlus.

Festivalit do t’i hapet rruga nga ora 14:00 me DJ-të lokalë Zwada dhe Sahati në skenën “the NEXT”, ndërsa pjesa tjetër e mbrëmjes do të vijojë me emra të njohur si Deezy, Art Lokaj & TNM, Kida, Sienna Spiro, Cil, Edis dhe Tayna.

Kulmi i natës do të jetë performanca e shumëpritur e Dua Lipës, e cila do të ngjitet në skenën kryesore rreth orës 22:00.

Pas mesnate, festa zhvendoset në “C4 Stage”, ku Skream, Bookie, Edgar Kerri dhe vetë Fatboy Slim do të mbajnë publikun zgjuar deri në orën 05:00.

Sunny Hill rikthen emocionin, ritmin dhe atmosferën unike që e ka bërë një nga festivalet më të rëndësishme në rajon, duke konfirmuar edhe njëherë se vera në Prishtinë nuk ka kuptim pa të./KultPlus.com

Dua Lipa ngjitet sonte në skenë me babanë e saj në hapje të “Sunny Hill”

Dua Lipa, këngëtarja me famë botërore, do të performojë sonte së bashku me babanë e saj, Dukagjin Lipën, në natën e parë të festivalit “Sunny Hill”, që po mbahet në Bërnicë të Prishtinës.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, shihet Dua duke bërë prova në skenë bashkë me Dukagjin Lipën, i cili është edhe organizator i festivalit, transmeton KultPlus.

“Sunny Hill” do të zgjasë deri të dielën, duke sjellë në Prishtinë emra të shumtë të muzikës botërore dhe artistë të njohur vendorë. Atmosfera e festivalit pritet të kulmojë që nga nata e parë, me rikthimin e Duas në skenën që bashkon artin dhe identitetin./KultPlus.com

Mirënjohja e ambasadorit britanik: Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova janë krenare ta quajnë Dua Lipën të tyren

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, mori pjesë dje në ceremoninë solemne të dhënies së shtetësisë kosovare për këngëtaren me famë botërore, Dua Lipa.

Artistja e njohur, e lindur në Londër dhe me prejardhje nga Kosova, është tashmë edhe shtetase e Republikës së Kosovës, përveçse e Mbretërisë së Bashkuar – vend ku ajo nisi dhe zhvilloi karrierën e saj ndërkombëtare, transmeton KultPlus.

“Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova janë krenare ta quajnë Dua Lipën të tyren. Faleminderit Presidente Osmani që më ftuat në një ceremoni të veçantë për dhënien e shtetësisë së Kosovës Dua Lipës. “Pata nderin të takohesha me Dua Lipën dhe të festonim këtë talent të jashtëzakonshëm britaniko-kosovar”, ka shkruar ai.

Ai gjithashtu u shpreh se mezi pret të ndjekë performancën e Dua Lipës sonte në Sunny Hill Festival.

“Ejani dhe vizitoni British Corner tonë në festival!”, shkruan Ambasadori./KultPlus.com

Masat e Policisë së Kosovës për mbarëvajtjen e festivalit ‘Sunny Hill’

Policia e Kosovës ndërmerr masa në aspektin e sigurisë, për mbarëvajtjen e festivalit ‘Sunny Hill’.

Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale-Prishtinë, ka ndërmarrë të gjithë hapat e duhur të sigurisë për mbarëvajtjen e festivalit “Sunny Hill” që do të mbahet nga data 01.08.2025 deri më 03.08.2025, në fshatin Bërnicë të komunës së Prishtinës, përcjellë KultPlus.

Marrë parasysh rrethanat që karakterizojnë festivalin, policia ka angazhuar një numër të konsiderueshëm të zyrtarëve policorë me detyra specifike në zonën ku do të mbahet festivali, shtuar këtu edhe zyrtarët e tjerë të angazhuar me detyra të përgjithshme në gjithë rajonin e përgjegjësisë.

E gjithë infrastruktura policore e angazhuar në këtë drejtim me vëmendje të shtuar do të monitoron rrjedhën e kësaj ngjarjeje duke qenë e gatshme për të trajtuar gjithçka që kërkohet brenda autorizimeve dhe kompetencës policore.

Angazhimet policore do të shtrihen në disa nivele, përfshirë:

Parapërgatitjen dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme planifikuese, koordinuese, preventive dhe operative policore në terren, në mënyrë që festivali të zhvillohet në suaza normale të rendit dhe qetësisë publike;

Shtimin e masave preventive dhe operative-policore për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas festivalit;

Sigurimin dhe menaxhimin e hapësirës ku do të zhvillohet festivali;

Rregullimin dhe kontrollin e trafikut rrugor përreth zonës së festivalit, përfshirë ndalesa të përkohshme, bllokime ose riorientime të rrugëve, varësisht nga nevoja;

Monitorimin e rendit publik për të parandaluar çdo sjellje asociale, të paligjshme apo të dëmshme për sigurinë kolektive;

Identifikimin dhe ndërmarrjen e masave adekuate ligjore me Prokurorinë e Shtetit ndaj të gjithë personave të cilët bien ndesh me ligjin;

Praninë e shtuar të patrullave në zonat përreth, për të rritur ndjesinë e sigurisë për qytetarët dhe vizitorët;

Ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore operative dhe hetimore, sipas ligjit dhe në varësi të situatës apo kërkesave që mund të paraqiten gjatë operacionit;

Koordinimin me organizatorët dhe institucionet e tjera për të siguruar reagim të shpejtë dhe efektiv ndaj çdo situate të papritur.

Për shkak të fluksit të madh të automjeteve dhe personave që pritet të frekuentojnë festivalin do të ketë bllokime të plota apo të pjesshme të rrugëve që qojnë për në zonën ku mbahet festivali si dhe ri-drejtim të trafikut rrugor, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim nga pjesëmarrësit në trafik.
Për shkak të kufizimeve hapësinore të ndërlidhura edhe me faktorë të sigurisë dhe cilësisë së qarkullimit rrugor, do të ketë ndalimqarkullimi për të gjitha mjetet motorike në perimetrin e afërt ku do të zhvillohet festivali. Përjashtimisht do të lejohen automjetet e policisë, ndihmës së shpejtë, zjarrfikësve si dhe mjetet e autorizuara/akredituara në shërbim të festivalit.

Varësisht nga rrjedha e situatës në terren mund të paraqiten rrethana që kërkojnë veprime të tjera policore në funksion të ri drejtimit të trafikut apo orientimit të pjesëmarrësve, porse në të gjitha rastet qytetarët do të instruktohen nga policët në pikat e caktuara./KultPlus.com

Dua Lipa pritet të mbërrijë në Prishtinë, në prag të festivalit “Sunny Hill”

Ylli botëror i popit, Dua Lipa, pritet të arrijë në Prishtinë të mërkurën, vetëm tri ditë para nisjes së edicionit të pestë të “Sunny Hill Festival”-it, ku ajo do të jetë emri kryesor i mbrëmjes hapëse më 1 gusht.

Në një videomesazh drejtuar fansave disa ditë para mbërritjes, artistja me famë ndërkombëtare është shprehur e entuziazmuar, duke thënë “jam e lumtur që do të vij në shtëpinë time, në Prishtinë, javën e ardhshme”.

Sipas Lipës, ky do të jetë edicioni më i madh.

“Jam shumë krenare se sa shumë është rritur. Mezi pres t’ju shoh të gjithëve. Ju dua shumë”, deklaroi ajo.

Këtë vit, “Sunny Hill Festival”-i do të mbahet në Bërnicë të Epërme, në një hapësirë prej afro 17 hektarësh, e cila është transformuar në një qendër të muzikës moderne.

Skena kryesore, me përmasa monumentale prej 62 metrash gjerësi, mbi 30 metra thellësi dhe 18 metra lartësi, do të jetë nikoqire e emrave të mëdhenj si Shawn Mendes, Headie One, Anyma, Ledri Vula, Tayna, Era Istrefi, Kida dhe shumë të tjerë.

Lipa, në kuadër të turneut të saj botëror “Radical Optimism”, ka përzgjedhur vetëm Prishtinën si ndalesë për Evropën Juglindore. Nga Kosova, turneu do të vazhdojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e më pas në Amerikën Latine.

Lista e hiteve që pritet të elektrizojnë publikun përfshin tituj të njohur si: “Training Season”, “End of an Era”, “Break My Heart”, “One Kiss”, “Levitating”, “Love Again”, “New Rules” dhe “Houdini”.

Përveç skenës kryesore, festivali sivjet do të ofrojë edhe dy skena të tjera:

C4 Stage – me përmasa 34 metra gjerësi, 20 metra thellësi dhe 13 metra lartësi – është dizajnuar për artistë me energji alternative dhe eksperimentale, duke i mbajtur ritmet gjallë deri në orët e hershme të mëngjesit.

Tommy Gold, Peggy Gou, Skream, Fatboy Slim, Bookie, Sugar Rush, Mochakk dhe Artssassin janë artistët që do të performojnë në këtë skenë.

The Next Stage – një hapësirë e dedikuar për artistët e rinj dhe për publikun që kërkon përjetime jashtë skemës tradicionale muzikore.

Edicioni i vitit të kaluar kishte sjellë në Prishtinë emra si Bebe Rexha, Burna Boy, Stormzy dhe DJ Snake, ndërsa skena C4 ishte dominuar nga DJ-i i famshëm botëror “Black Coffee”. Për katër net me radhë, kryeqyteti ishte shndërruar në epiqendër të muzikës ndërkombëtare.

Këtë vit, fokusi është i padiskutueshëm Dua Lipa si fytyra kryesore e festivalit – jo më si spektatore, por si artistja që pritet të sjellë ndjesinë e skenave botërore në zemër të Kosovës.

Edicioni i sivjetmë i “Sunny Hill Festival-it 2025” do të mbahet nga data 1 deri më 3 gusht.

Sunny Hill Festival rikthehet më madhështor se kurrë

Edicioni i sivjetmë mbahet prej 1 deri me 3 gusht me yjet të skenës ndërkombëtare si: Dua Lipa, Shawn Mendes, Fatboy Slim, Peggy Gou, Anyma, Headie One, MYGAL b2b Edgar Kerri, TSHA, Cil, Sienna Spiro etj.

Edicioni i sivjetshëm i Sunny Hill Festival sjell një nivel të ri madhështie, me skena gjigante që premtojnë një përvojë spektakolare për publikun.

Skena kryesore ka përmasa mbresëlënëse: 62 metra gjerësi e mbi 30 metra thellësi dhe 18 metra lartësi, duke krijuar hapësirë për performanca të jashtëzakonshme vizuale dhe muzikore. Dua Lipa, Shawn Mendes, Headie One, Anyma, MYGAL b2b Edgar Kerri, TSHA, Cil, Sienna Spiro, Ledri, Yanina, Pint, Tayna, Era e Kida janë veç disa prej emrave që do të performojnë në këtë skenë.

Ndërsa, skena C4 është 34 metra e gjerë e mbi 20 metra thellësi dhe 13 metra e lartë, e dizajnuar për artistët që sjellin energji alternative dhe eksperimentale duke ju mbajtur nën ritme të muzikës deri në orët e para të mëngjesit. Tommy Gold, Peggy Gou, Skream, Fatboy Slim, Bookie, Sugar Rush, Mochakk, Artssassin janë artistët që këtë edicion do performojnë në këtë skenë që këtë vit për herë të dytë, ia shton madhështinë festivalit.

Mos e lini pa vizituar edhe skenën “The next stage”. Organizatorët aty kanë krijuar një vend ideal për ata që kërkojnë një atmosferë të veçantë ku dominojnë zërat e artistëve të rinj.

Por Sunny Hill nuk është vetëm për muzikë. Festivali ofron edhe një përvojë të paharruar kulturore. Në parkun e Festivalit këtë edicion do zënë vend mbi 10 tenda promocinale dhe argëtuese me lojëra interaktive e aktivitet të ndryshme. E aty, do zënë vend edhe mbi 15 vendor të ushqimit që do ofrojnë mundësi të ndryshme për të shijuar opsione me të mira nga kuzhina vendase dhe ndërkombëtare.

E veçanta e këtij edicioni padyshim mbetet fakti se Festivali Sunny Hill, këtë vit sjell më shumë artistë se çdo edicion tjetër. Artistë ndërkombëtarë, yje të skenës botërore bashkë me emra të dashur nga skena vendore dhe rajoni do e bëjnë këtë edicion të paharrueshëm.

Nëse tashmë nuk e keni siguruar biletën tuaj, atë mund ta blini në: https://sunnyhillfestival.com/tickets/

Sunny Hill Festival: 3 ditë deri të festivali

Vetëm edhe 3 ditë kanë mbetur për të siguruar biletën tuaj për edicionin e sivjetmë të Festivalit Sunny Hill. Nëse akoma nuk e keni bërë këtë, tani është koha pasi që biletat e fundit janë në shitje.

Festivali,këtë vit mbahet prej 1 deri më 3 gusht në Parkun e Festivalit në Bërnicë të Poshtme.

Festivali tashmë ka bërë të ditur listën e plotë të artistëve që do të performojnë dhe sjell emra të njohur nga skena ndërkombëtare dhe vendore. Mes tyre janë Dua Lipa, Shawn Mendes, Headie One, Anyma, MYGAL b2b Edgar Kerri, TSHA, Cil, Sienna Spiro, Tommy Gold, Peggy Gou, Skream, Fatboy Slim, Bookie, Sugar Rush, Mochakk, Artssassin, Ledri, Yanina, Pint, Tayna dhe plot të tjerë.

Biletat mund t’i blini përmes: Platformës zyrtare www.sunnyhillfestival.com;
Pikës informuese të Festivalit, në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë.
Rave-travel.com;

Të qasshme për momentin janë tiketat “Regular”, ato grupore (për 3 dhe 5 persona), VIP (për skenën kryesore dhe C4) ose “VIP Bundle” që ju ofron qasje në zonën “VIP” të të dy skenave.
Për më shumë informata vizitoni kanalet zyrtare të Festivalit./KultPlus.com

Sunny Hill Festival me pikë të shitjes së biletave në sheshin Zahir Pajaziti

Për të gjithë adhuruesit e muzikës që po presin me padurim edicionin e sivjetshëm të Sunny Hill Festival 2025, ka lajme të mira: është hapur zyrtarisht Info Point-i, pika e vetme fizike ku mund të blihen biletat për këtë ngjarje madhështore.

Lokacioni: Sheshi “Zahir Pajaziti”
Orari i punës: Çdo ditë nga ora 17:00 deri në 22:00

Aktualisht, në këtë pikë mund të blihen vetëm biletat fizike të festivalit. Shpërndarja e byzylykëve të hyrjes ende nuk ka nisur, por organizatorët kanë bërë të ditur se ajo do të fillojë katër ditë para fillimit të festivalit. Datat dhe lokacionet e sakta për marrjen e tyre do të njoftohen së shpejti në rrjetet sociale dhe faqen zyrtare të festivalit.Pse është e rëndësishme të merrni byzylykun më herët?
Marrja paraprake e byzylykut siguron hyrje më të shpejtë në festival dhe shmang radhët e gjata. Për më tepër, organizatorët do të ofrojnë qasje të veçantë për të gjithë ata që e kanë marrë byzylykun para kohe.

Si funksionon byzylyku?
Byzylyku nuk shërben vetëm për hyrje – ai ofron edhe përfitime shtesë:

  • Lidhje me aplikacionin FESTTIX, ku krijoni një kuletë digjitale përmes QR kodit të byzylykut
  • Pagesa të shpejta dhe pa para fizike (cashless) brenda hapësirës së festivalit
  • Mbushje paraprake e llogarisë për ushqim, pije apo produkte të tjera

Udhëzimet për përdorimin e byzylykut dhe krijimin e kuletës digjitale janë tashmë të publikuara në kanalet zyrtare të Sunny Hill Festival.

Qëndroni të informuar për çdo njoftim të ri dhe përgatituni për një përvojë unike festivali këtë verë!/KultPlus.com

Sunny Hill Festival me edicionin më të madh ndonjëherë, Prishtina është rezervuar plotësisht




Njerëz nga më shumë se 60 vende të ndryshme të botës tashmë i kanë blerë biletat dhe kanë rezervuar hotelet e bujtinat, për edicionin e ri të Sunny Hill Festival

Prishtinë, 22 Korrik 2025 – Sunny Hill Festival ka thënë se edicioni i këtij viti do të shënojë edicionin më të madh në historinë e festivalit. Me një listë super unike të artistëve ndërkombëtarë dhe vendorë, festivali ka tërheqë një audiencë masive nga mbarë bota.


Këtë vit, skenat e festivalit do të jenë dukshëm më të mëdha se kurrë më parë. Me Main Stage masive dhe Sunny Hill Dance Stage e cila tanimë njihet si C4 Stage, skenë e cila do të jetë disa herë më e madhe dhe me program tejet të veçantë, duke ofruar një hapësirë të re dhe kushtuar një feste me dhjetëra mijëra të pranishëm çdo natë.

Ky zgjerim dhe rritje e Sunny Hill Festivala synon të ofrojë një përvojë të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit, me lineup-in më interesant, më shumë hapësirë, skena më të mëdha dhe produksion të jashtëzakonshëm.

Line-upi i jashtëzakonshëm i këtij viti përfshin emra të njohur botëror si Dua Lipa, Shaën Mendes, Anyma, Peggy Gou, Mochakk, Fatboy Slim, Headie One, Sienna Spiro, MYGAL b2b Edgar Kerri, TSHA, Edis dhe Cil si dhe artistët më të dashur vendorë.

Aktualisht, bileta për edicionin e ri të Sunny Hill Festival janë shitur në më shumë se 60 vende të ndryshme të botës, ndërsa hotelet në Prishtinë dhe qytetet përreth tashmë janë plotësisht të mbushura me mysafirë të huaj të cilët i kanë bërë rezervimet e tyre për festivalin më të madh në Evropën Juglindore.

Sunny Hill Festival për të dytën herë radhazi është nominuar si një ndër Top 10 festivalet më të mira të muzikës në Evropë (ESNS, shoqata evropiane e festivaleve të muzikës) si dhe një ndër Top 25 festivalet më të mira që nuk duhet humbur gjatë vitit.

Për të blerë biletat tre-ditore për:

https://sunnyhillfestival.com/tickets/%3Chttps://emea01.safelinks.protection.outlook.com/?url=https%3A%2F%2Fsunnyhillfestival.com%2Ftickets%2F&data=05%7C02%7C%7C2d62c21057d04cff203408ddc90ea4d7%7C84df9e7fe9f640afb435aaaaaaaaaaaa%7C1%7C0%7C638887786974339996%7CUnknown%7CTWFpbGZsb3d8eyJFbXB0eU1hcGkiOnRydWUsIlYiOiIwLjAuMDAwMCIsIlAiOiJXaW4zMiIsIkFOIjoiTWFpbCIsIldUIjoyfQ%3D%3D%7C0%7C%7C%7C&sdata=nHExs%2BJkgA8V%2B2UTzsgsLU1%2B2m754WOuvqtG0BmsIY0%3D&reserved=0%3E

Sunny Hill Festival prezanton opsione të ndryshme për blerje të biletave 

Zbuloni fleksibilitetin e opsioneve të pagesës së biletës për Sunny Hill Festival këtë verë dhe merrni biletën tuaj për njërin ndër festivalet më të mëdha të muzikës në Evropë

Prishtinë, 2 qershor – Biletat për Sunny Hill Festival 2025 tani mund t’i siguroni në mënyrën që juve ju përshtatet më shumë – blerje prej 10 deri në 12 këste, blerje online, fizikisht apo edhe në pako me akomodim. Kështu nuk do të humbisni edicionin e sivjetmë të Sunny Hill Festival që premton të jetë më i madhi ndonjëherë, duke sjellë yjet më ikonike botërore dhe artsitët më të dashur vendor.

Prej 1 deri më 3 gusht, në dy skenat gjigante te festivalit, me të mëdhat ndonjëherë do të perfomojnë emra të mëdhenj mes tyre: Dua Lipa, Shawn Mendes, Fatboy Slim, Peggy Gou, Anyma, dhe Mochakk. 

Por lista e artistëve nuk mbaron me kaq. Mes artistëve që do të performojnë janë edhe Artssassin, Bookie, Deezy, Sainté, Sienna Spiro, Skream, Sugar Rush, Tommy Gold, TSHA dhe Mygal B2B Edgar Kerri. Lista pasurohet edhe më shumë nga artistët vendor si: Loredana, Lyrical Son, MC Kresha, Era Istrefi, Tayna, Kida, Ledri Vula, Adrian Berisha, DJ Caboo, Art Lokaj Band, Bana Zahiti, Blerta Përtace, Hawolf, Lluni, Sahati, Uran B., Yanina, dhe Zwada. 

Për të lehtësuar blerjen e biletës – veçanërisht tek të rinjtë, organizatorët kanë vënë në dispozicion këto opsione pagese. 

  1. Festtix – Bli biletën online, me pagesë të plotë ose në 10 këste mujore: ticketing.festtix.co.uk 
  2. Sunny Hill Travel – Një opsion i mirë për ata që duan të kombinojnë biletën me udhëtimin: sunnyhilltravel.com  
  1. IPKO – Nëse ke pakon Infinit, mund të paguash biletën në 12 këste në një nga dyqanet e IPKO  
  2. Fizikisht tek Rave Travel: rave-travel.com 
  3. Enter Events – Për të gjithë ata që ndodhen në Shqipëri: enterevents.al 
  4. Passo – Biletat për të gjithë ata që vijnë nga Turqia: passo.com.tr

Bëhuni pjesë e festivalit që renditet në mesin e 10 më të mirëve në Evropë dhe njëri ndër 25 festivalet më të mira të vitit (sipas Shoqatës Evropiane të Festivaleve ESNS), të cilat nuk duhet humbur. / KultPlus.com

Sunny Hill 2025: Dita e fundit për biletat “Believer”- fillon zbulimi i artistëve

Biletat më të lira të festivalit Sunny Hill mbyllen sot. Menjëherë pas kësaj, do të filloj zbulimi i emrave të artistëve më të mëdhenj të muzikës botërore që do të jenë pjesë e këtij edicioni.

Ka ardhur momenti i fundit për të siguruar biletat “Believer” për Sunny Hill Festival 2025! Vetëm deri në ora 20:00 do të keni mundësinë për të blerë biletën me çmimin me të lirë ndonjëherë, e që u siguron mundësinë për të qenë pjese e festivalit me të madh të muzikës në rajon.  

Menjëherë pas mbylljes së biletave të llojit “Believer”, do të nis zbulimi i emrave të parë të artistëve të mëdhenj ndërkombëtarë që do të ndezin skenat e këtij edicioni spektakolar. 

Këtë vit, Sunny Hill Festival po premton një listë artistësh që do ta bëjnë këtë edicion absolutisht të paharrueshëm dhe atraktiv për adhuruesit e muzikës nga gjitha vendet e Evropës. Këtë vit, numri i njerëzve që do të marrin pjesë në Sunny Hill Festival nga vendet e ndryshme të botës pritet të rritet edhe më tej. Vitin e kaluar, Sunny Hill Festival ka shërbyer mbi 100,000 njerëz në gjithë edicionin e festivalit. 

Sunny Hill Festival mbahet nga 1 deri më 3 gusht në Bërnicë dhe pritet të ofrojë një atmosferë elektrizuese, performanca të paharrueshme, dhe një miks të fuqishëm të ikonave globale me talentet më të mirë të skenës vendore. 

Linku për biletat “Believer” para skadimit të tyre sonte prej orës 20:00, është në këtë link:https://ticketing.festtix.co.uk/events/sunny-hill-festival-2025 

Pas tyre, nis shitja e biletave “Early Bird” e më pas “Regular” dhe “VIP”./ KultPlus.com

“Sunny Hill Festival” fillon edhe 100 ditë  

Sunny Hill Festival nis zyrtarisht numërimin mbrapsht. Kanë mbetur edhe 100 ditë deri në fillimin e edicionit të ri të festivalit. Entuziazmi për edicionin e sivjetmë po rritet vazhdimisht. Organizatorët tashmë kanë filluar me shitjen e biletave, ndërsa së shpejti do dalin edhe me emrat e artistëve që do të pushtojnë dy skenat e Festivalit.  

I nominuar nga Shoqata Evropiane e Festivaleve si një nga Top 10 festivalet më të mira në Evropë, Sunny Hill po përgatitet për tre ditë argëtim të pandalshëm. Këtë vit, festivali do të mbahet nga 1 deri më 3 gusht në Bërnicë të Epërme, aty ku tashmë Sunny Hill po vazhdon të rritet si një nga festivalet më të rëndësishme evropiane.   

“Këtë vit kemi bërë gati një program të jashtëzakonshëm të artistëve të huaj dhe vendor që do ta bëjnë Prishtinën destinacionin kryesor të kësaj vere. Numrimi tashmë ka filluar. Shihemi në Sunny Hill Festival më 1, 2 dhe 3 gusht” thuhet në njoftimin e festivalit për media.  

Nëse ende nuk e keni blerë biletën, tani është momenti i duhur. Biletat Believers – me çmimin më të lirë që do të kenë ndonjëherë,  janë ende në dispozicion për vetëm 95 euro.  

Biletat mund të blihen në këtë link: https://ticketing.festtix.co.uk/events/sunny-hill-festival-2025

Me një perfomancë elektrizuese, DJ Snake përmbyll festivalin ‘Sunny Hill Festival’

Flonja Haxhaj

Mbrëmë u përmbyll festivali ‘Sunny Hill Festival’. Publiku i shumtë që kishte mbushur çdo cep të hapësirës në Bërnicë ishin dëshmitarë të një mbrëmje drithëruese të DJ-ve vendorë e ndërkombëtarë, shkruan KultPlus

Mbrëmja filloi me performancën e DJ Caboo për të vazhduar më pas me DJ të njohur si DJ Deezu, Dj Geek, DJBanz, PM & Dagz dhe Edgar Kerri.

Pas tyre, në skenë u ngjit DJ Mygal, i cili për një orë dhuroi spektakël duke ofruar për publikn remixe të këngëve të njohura dhe që i rezistuan kohës.

DJ Snake dhuroi për publikun një mbrëmje të paharrueshme teksa solli këngët e tij si: ‘Loco Contigo’, ‘Taki Taki’, ‘Get Low’, ‘Turn Down for What’, ‘Let me love you’, ‘Lean On, ‘Please Don’t Change’ dhe këngë të tjera nga repertori i tij.

Kulmi i mbrëmjes u arrit teksa ai u sfaq njëherë me flamurin e Shqipërisë e më pas me atë të Kosovës, për të falënderuar publikun dhe organizatorët që e bënë pjesë të këtij festivali.

Ndërkaq, nga data 25 – 28 korrik, në skenën e ‘Sunny Hill Festival’ performuan artistët si: Bebe Rexha, Burna Boy, Stormzy, Dafina Zeqiri, Mozzik, La Fazani, Zwada, The Milk Snatchers, DJ Set,Lancey Foux, Dhurata Dora, Yll Limani, Capital T, Kamal, Jolie, Griff, Mc Kresha & Lyrical Son & Lluni, Ledri Vula, Geasy, Buta, Singullar, Ants Live, Yanina, Bleta Përtace./Kultlus.com

Me flamurin e Kosovës në duar, Stormzy dhuroi mbrëmje të paharrueshme në natën e tretë të ‘Sunny Hill Festival’

Flonja Haxhaj

Atmosfera e mahnitshme e Sunny Hill Festival vazhdoi edhe në natën e tretë ku publiku i shumtë në numër shijoi performancat magjike të artistëve shqiptarë e të huaj, shkruan KultPlus.

E shtuna kishte për destinacion Bërnicën për shumë nga ata që e duan dhe e çmojnë muzikën.

Kryefjala e kësaj mbrëmje ishte këngëtari britanik Stormzy, i cili u ngjit në skenë me flamurin e Kosovës në krahë. Ndonëse performoi i fundit, me të ngjitur në skenë ai dhuroi një energji të re në publikun që kishin zënë vend në Bërnicë.

Me këngët e tij, Stormzy ndezi atmosferën duke ngritur publikun në këmbë, të cilët pa u lodhur vallëzuan e kënduan në sinkron me këngëtarin deri në orët e para të mëngjesit.

Përveç Stormzyt, , në skenën e ‘Sunny Hill Festival’ u ngjitën edhe artistët si: Griff, Mc Kresha & Lyrical Son & Lluni, Ledri Vula, Geasy, Buta, Singullar Ants Live, Yanina, Bleta Përtace, Dj Set dhanë për publikun performanca të paharrueshme.

Pas performancës së Stormzyt, publiku pati mundësinë të shijojë muzikën e Dj-ve të njohur si Groove Armada, Tommy Goldh dhe Lekë.

Ndërkaq sonte, në natën e katërt të Sunny Hill, publiku do të ketë mundësinë të shijojë performancat nga Dj Snake, Edgar Kerri, Mygal, PM to the Dags, Dj Bannzz, Dj Geek, Dj Deezy, Dj Gaboo, The Blaze, Zogai dhe Lab Sadiku./KultPlus.com

Metamorfoza e Bernicës dhe një fillim i jashtëzakonshëm në ‘Sunny Hill’

Uranik Emini

Sunny Hill Festival, që këtë vit po zhvillohet në tokën e tyre në Bernicë të Prishtinës, filloi me një natë të jashtëzakonshme më 25 Korrik. Ky festival, i cili zgjat për katër net, po ofron një hapësirë të dedikuar ekskluzivisht për muzikë, argëtim dhe kulturë, duke tërhequr mijëra adhurues nga vende të ndryshme të botës, shkruan KultPlus.

Nata e parë ishte një shfaqje e paharrueshme energjike, ku performuan disa nga emrat më të njohur të skenës muzikore. Bebe Rexha, e cila ishte edhe kryefjala e mbrëmjes, e elektrizoi skenën me zërin dhe performancën e saj të fuqishme. Publiku brohoriti dhe këndoi së bashku me hitet e saj të njohura, duke krijuar një atmosferë të papërsëritshme.

Performuesit e tjerë të natës përfshinë yjet e muzikës shqiptare dhe ndërkombëtare si Dafina Zeqiri, Mozzik, La Fazani, Swada dhe The Milk Snatchers. Çdo artist solli stilin e tij unik në skenë, duke siguruar që publiku të ishte në këmbë dhe të kënaqej gjatë gjithë natës. Dafina Zeqiri magjepsi me energjinë dhe koreografitë e saj, ndërsa Mozzik shkëlqeu me hitet e tij të njohura, sidomos nga albumi i fundit.

Padyshim momenti më kulminant i mbrëmjes së djeshme në “Sunny Hill Festival”, 🎤 Bebe Rexha duke ndezur skenën në Sunny…

Posted by KultPlus.com on Friday, July 26, 2024

Nata vazhdoi deri në mëngjes me performanca të veçanta nga grupi i njohur Black Coffee, i cili mori përsipër pjesën e DJ-ve së bashku me Dj Regard, Adrian Berisha dhe Noki. Ritmet elektronike dhe miksimet e tyre mbajtën publikun të kërcejë pa ndërprerje, duke krijuar një përvojë unike, në këtë rast, të mëngjesit.

Performancat energjike dhe atmosfera e krijuar nga artistët arritën një nivel të lartë të perfeksionimit, duke dëshmuar se Sunny Hill Festival është padyshim një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të vitit. Hapësira e Bernicës tregoi se ka qenë një nevojë e kahershme për një vend të tillë aktiv, pasi transferimi nga “Parku Gërmia” ndryshoi rrjedhën e festivalit në një mënyrë pozitive. Megjithatë, një moment që për shumë njerëz ndikoi negativisht ishte organizimi i hyrjes përpara portave të biletave “Regular”, “Believer” dhe “VIP”, ku radha e gjatë dhe shtytjet e ndryshme krijuan një tollovi të madhe.

Ky festival nuk është vetëm një ngjarje muzikore, por edhe një festë e madhe, pasi bashkon njerëz nga të gjitha sferat e jetës për të ndarë dashurinë për muzikën dhe artin. Me një fillim kaq të suksesshëm, pritshmëritë për netët e ardhshme janë të larta, dhe pa dyshim, Sunny Hill Festival do të vazhdojë të jetë një pikë referimi për eventet kulturore në rajon.

"TE DUA PRISHTINË" – mesazhi kryesor nga Bebe Rexha mbrëmë në Festivalin Sunny Hill. Me performancën e saj elektrizuese…

Posted by KultPlus.com on Friday, July 26, 2024

Publiku i pranishëm në Bernicë të Prishtinës përjetoi një natë të mbushur me energji, emocion dhe muzikë të mrekullueshme, duke shënuar fillimin e një aventure të paharrueshme në “Sunny Hill Festival”, derisa sot do të performojnë yje të tjerë të muzikës, përfshirë këngëtarin e famshëm Burna Boy, së b ashku me Lancey Foux, Dhurata Dora, Yll Limani, Capital T, Kamal dhe i riu Jolle.

Në pjesën e DJ do të jetë grupi i famshëm “The Martinez Brothers”, së bashku me Chloe Caillet, Dani Johnsson Artssassin. / KultPlus.com

Nata e parë e ‘Sunny Hill Festival’, Bebe Rexha pritet të elektrizojë skenën

Sonte fillon festivali ‘Sunny Hill Festival’, i cili sivjet, për herë të pare mbahet në Bërnicë.

Në natën e parë, për publikun do të performojë, këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha.

Në mesin e artistëve që do të performojnë përgjatë katër netëve të festivalit janë edhe Stormzy, Burna Boy, Black Coffe, DJ Snake, The Blaze, Tomy Gold, The Martinez Brotherz, Kamal. Po ashtu në mesin e artistëve të ftuar janë edhe artistët vendorë si:  Dafina Zeqiri, Ledri Vula, Dhurata Dora, Yll Limani, Mozzik, Mc Kresha, Lyrical Son e të tjerë./KultPlus.com

Presidentja Osmani ia dorëzoi medaljen Presidenciale të Meritave rock grupit Oda

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një ceremoni të mbajtur dje në Presidencë ia ka dorëzuar Medaljen Presidenciale të Meritave Rock Grupit Oda për promovimin e vlerave muzikore si pjesë e gjeneratës së artë të rockut në Kosovë.

Në emër të grupit, Medaljen e ka pranuar Dukagjin Lipa, i cili e ka falënderuar Presidenten Osmani për dekoratën.

Presidentja Osmani ka theksuar se Oda, sikurse edhe grupe të tjera të viteve të 80-ta, ishin jo vetëm interpretues, por edhe katalizatorë të ndryshimeve shoqërore.

“Muzika e Odës është emblemë e identitetit kulturor dhe krenarisë për Kosovën. Krijimtaria muzikore e tyre vazhdon të jetë dëshmi e fuqisë transformuese të artit në kohë dhe periudha të ndryshme duke u shndërruar po ashtu në një mjet rezistence”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Ndryshe, Medalja Presidenciale grupit Oda i është ndarë një vit më parë në një ceremoni në të cilën janë nderuar edhe rock grupe të tjera të asaj periudhe, sikurse edhe institucione e personalitete të tjera, të cilat kanë kontribuar ndër vite.

Vlenë të theksohet se kjo ceremoni u mbajt në prag të fillimit të Sunny Hill Festival. Në pamundësi për të qenë prezente për shkak të agjendës ndërkombëtare, Presidentja Osmani e përgëzoi z. Lipa, Dua Lipën dhe Sunny Hill Foundation për punën e shkëlqyer duke i uruar që ky edicion të jetë një tjetër sukseses i jashtëzakonshëm./ KultPlus.com