“Universiteti Publik t’u kërkojë falje të gjitha grave të cilat kanë përjetuar ngacmim seksual brenda institucionit”

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis dënon gjuhën seksiste të Prorektores së Universitetit Publik të Prishtinës, znj. Teuta Pustina – Krasniqi, e cila justifikoi ngacmimet seksuale brenda Universitetit Publik në një deklaratë për media, duke i fajësuar studentet për mënyrën e veshjes së tyre, sipas të cilës, kjo është një prej arsyeve pse ndodhë ky fenomen në universitet.

“Por një porosi thotë për gjininë femërore, studentëve, stafit akademik, stafit administrativ ju apeloj që mos të provokojnë, mos të vishën në mënyrë provokative, sepse ky është një efekt psikologjik, i cili mund të ndikojë shumë negativisht në rrethin në të cilën një student i caktuar kryen ushtrimet, ligjëratat. Prandaj i apeloj vajzat e reja që janë një pjesë e një institucioni shumë serioz, në të cilin kryhen ligjërata nga profesorë dhe asistent, për këtë duhet të respektojnë kodin e veshjes”, kishte potencuar Prorektorja.

Ne si organizatë jemi mjaftë të shqetësuar, pasi e kemi përcjellë nga afër gjendjen e Ngacmimeve Seksuale në Universitetet Publike të Kosovës (Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Gjakovës, Universitetin e Mitrovicës dhe Universitetin e Prizrenit), madje përshkak të nevojës për t’u adresuar kjo problematikë kemi nxjerrë edhe raportin që adreson këtë fenomen “Adresimi i Ngacmimeve Seksuale në Universitetin Publik”.

Duke bashkëndje me të gjitha storiet që janë ndarë me neve gjatë përpilimit të raportit, jemi fuqimisht kundër riviktimizimit dhe tendencave mospërfillëse të zyrtarëve të Universitetit Publik rreth adresimit të këtyre rasteve.

Sipas raportit të kompletuar, gjatë intervistave me studentet, ato kanë pretenduar të jenë në dijeni të shfaqjes së rasteve të ngacmimit seksual, por ato nuk i raportojnë sepse nuk i besojnë institucionit. Ka pasur raste që studentët janë bindur të mos i çojnë rastet më tej për shkak të pasojave të mundshme akademike dhe personale.

Apelojmë që Universiteti Publik të distancohet nga kjo deklaratë dhe të marr masat e duhura karshi gjuhës seksiste të Prorektores, duke e shkarkuar znj. Pustina – Krasniqi nga të gjitha detyrat zyrtare brenda rektoratit. Njëherësh, kërkojmë që Universiteti Publik t’u kërkojë falje të gjitha grave të cilat kanë përjetuar ngacmim seksual brenda institucionit.

Në këtë mënyrë, me vazhdimin e miratimit të ngacmimeve seksuale – duke fajësuar viktimat dhe duke mbështetur mite të dhunës seksuale, e të ngacmimeve, vetëm se shfajësohen agresorët dhe mirëmbahet toleranca ndaj dhunës seksuale dhe ngacmimeve seksuale. Universitetet Publike duhet të krijojnë mekanizma që do të shërbejnë për t’i mbështetur studentët për ta raportuar ngacmimin seksual tek personat kompetentë, e jo t’ua zbehin ende më shumë besimin tek këto institucione./ KultPlus.com

“Të shkarkohet prorektorja dhe të hetohen ngacmimet seksuale në Universitetin e Prishtinës”

ORCA – Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, përmes një reagimi ka kërkuar të shkarkohet prorektorja Teuta Pustina, shkruan KultPlus.

Ky reagim e shumë të tjerë në lidhje me shkarkimin e prorektores, ka ardhë si rezultat i deklaratave të saj në lidhje me viktimat e sulmeve dhe ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës. Pustina, tha që gratë të mos vishen në mënyrë provokative, për t’iu shmangur ngacmimeve seksuale në institucione arsimore.

Në vijim sjellim reagimin e plotë të ORCA:

“Të shkarkohet prorektorja!
ORCA është thellësisht e indinjuar me deklaratat dhe tentim sqarimin e prorektores Pustina e cila ka fajësuar viktimat e sulmeve dhe ngacmimeve seksuale. Ngacmimet seksuale dhe keqpërdorimi i autoritetit për favore seksuale në Universitetin e Prishtinës po shndërrohet në dukuri nga një pjesë e stafit akademik.
ORCA kohëve të fundit ka pranuar me shqetësim raportime të ndryshme të studenteve të cilat kanë treguar për forma të ndryshme të sulmeve dhe ngacmimeve seksuale nga një pjesë e stafit akademik i Universitetit të Prishtinës.
Edhe më shqetësues është fakti që Universiteti i Prishtinës nuk ka politikë për luftimin e kësaj dukurie dhe mbrojtjen e viktimave të këtyre sulmeve. Në anën tjetër deklaratat që përfaqësojnë një pozicion ekstremist të patriarkalizmit, si ajo e prorektores Pustina, është stimulues e sulmuesve për të vazhduar me aktivitetin e tyre të paligjshëm pa u penguar.
ORCA kërkon përgjegjësi maksimale të institucionit që do të thotë:
1. Kërkim falje në emër të institucionit për deklaratën e prorektores Pustina;
2. Shkarkim të prorektores Pustina;
3. Krijimin e një komisioni të posaçëm me pjesëmarrje të gjerë për hetimin e ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës.
ORCA i bën thirrje të gjitha institucioneve dhe organizatave që ta trajtojnë me seriozitet këtë çështje në mënyrë që të krijohet një standard bashkëkohor i diskursit publik ku nuk tolerohet më gjuha seksiste dhe mizogjene”./ KultPlus.com