Publikohet raporti i ORCA-së, tregon pagesat shtesë të stafit akademik

Organizata për rritjen e cilësisë në arsim ka publikuar raportin “Transparenca dhe llogaridhënia në universitetet publike të Kosovës: Menaxhimi i financave”, e cila tregon pagat e stafit akademik, shkruan KultPlus.

Përmes këtij raporti, bëhet e ditur se në vitin 2019 ka pasur rënie të pagesave shtesë të stafit menaxherial të shtatë universiteteve publike krahasuar me vitin 2018, mirëpo për ORCA-në kjo prapë mbetet shqetësuese për përdorimin efikas të fondeve publike.

Personi nga stafi akademik i cili ka të ardhurat më të larta sipas deklarimeve të pasurisë për vitin 2019 mbetet rektori i Universitetit të Gjilanit, Bajram Kosumi.

“Të ardhurat e tij mujore arrijnë shifrën 2,973 euro në muaj. Prej tyre, 1,690 Euro janë shtesa apo 132% e pagës mujore e cila është 1,283 euro”, thuhet në njoftimin e ORCA-së, shifër kjo e cila e tejkalon edhe pagën e Presidentit të vendit.

Pas Kosumit, personi akademik që paguhet më së shumti mbetet Myrvete Badivuku Pantina e cila është prorektore në Universitetin e Prishtinës me një pagë prej 2.930 euro, 1.429 euro prej të cilëve janë rrogë bazë, ndërkaq 1.501 euro janë pagesa shtesë.

I treti me radhë është prorektori i Universitetit të Prishtinës, Hysen Bytyqi me pagë totale 2.894 euro, 1.429 euro rrogë bazë ndërkaq 1.465 euro shtesa.

Prorektori i Universitetit të Prizrenit, Afrim Sylaj sipas këtij raporti është personi i katërt me pagën më të lartë prej 2.828 eurove, 1.283 euro prej të cilëve janë rrogë bazë, ndërkaq shtesa që merr përbën shifrën 1.545 euro.

I pesti me radhë është rektori i Universitetit të Prizrenit, Ismet Temaj me pagë 2.738 euro me pagë, 1.335 euro prej të cilëve i ka rrogë bazë, ndërkaq merr shtesë 1.403 euro.

Në raport tutje thuhen se 5 pjesëtarët e stafit menaxherial me të ardhurat më të larta paguhen mesatarisht nga 2,873 euro në muaj, ku 1,521 euro prej tyre janë shtesa janë shtesa.

Rektorët paguhen nga 2,597 euro në muaj dhe prej tyre, 1,244 euro janë shtesa.

Prorektorët paguhen 2,132 euro në muaj, nga të cilat mesatarisht 863 Euro janë shtesa.

Dekanët paguhen 2,066 euro në muaj, nga të cilat mesatarisht 837 euro janë shtesa.

Ndërkaq prodekanët paguhen 1798 euro në muaj, nga të cilat mesatarisht 581 euro janë shtesa./KultPlus.com

ORCA: Universiteti i Gjakovës ka shënuar përmirësime në rrafshin e publikimeve shkencore

Rron Gjinovci dhe Gramos Buçinca nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), kanë zhvilluar takim me Rektorin e Universitetit të Gjakovës Artan Nimani dhe Prorektoren Vjollca Dibra me ç’rast kanë diskutuar për mundësinë që ORCA të ndihmojë në zhvillimet e mëtutjeshme akademike të Universitetit të Gjakovës, si dhe bashkëpunimin e mundshëm në të ardhmen.

Përmes komunikatës thuhet se gjatë një vizite monitoruese në Universitetin e Gjakovës ORCA, është informuar për dy zhvillime të rëndësishme si hap i mëtutjeshëm në avancimin shkencor dhe të transparencës së Universitetit të Gjakovës.

“ORCA ka evidentuar rregulloren e vetme deri më tash nga ndonjë institucion i arsimit të lartë në Kosovë, e cila parasheh kompensime në shuma të caktuara për autorët e punimeve në revista shkencore që ndodhen në platformat e përcaktuara me rregullativat në fuqi.

Kjo rregullore ka hyrë në fuqi në Universitetin e Gjakovës në vitin 2020. Kjo mënyrë afirmative e rritjes së punimeve shkencore në nivel universiteti dhe në nivel vendi është e bazuar në sistemin çek të financimit të hulumtimit shkencor.

Megjithëse ka vend për përmirësime, këtë hap ORCA e konsideron jashtëzakonisht pozitiv.Po ashtu, ORCA ka pranuar numrin e parë të Buletinit Shkencor i vitit 2020 i Universitetit të Gjakovës, i cili përmban të gjitha punimet e stafit akademik të universitetit të cilat janë të botuara në platformat e pranuara për botim në vendin tonë.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së transparencës në institucionet publike të arsimit të lartë në Kosovë. ORCA mbetet e përkushtuar që rregullativat e botimit shkencor të avancohen më tutje dhe të bëhen më rigoroze në nivel vendi e po ashtu është e gatshme për t’i ndihmuar institucionet publike të arsimit për t’u avancuar në këtë drejtim.

ORCA do të vazhdojë rolin e saj monitorues dhe kritik për institucionet publike të arsimit me qëllim të avancimit të tyre”, thuhet tutje.

ORCA: 55 për qind e profesorëve në UP nuk justifikojnë titullin e tyre akademik

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka publikuar raportin “Integriteti akademik, publikimi shkencor dhe justifikimi i titujve në Universitetin e Prishtinës”, përmes të cilit u bë e ditur se 55 për qind e profesorëve nuk e justifikojnë titullin e tyre akademik dhe se 39 për qind prej tyre nuk kanë asnjë publikim shkencor të shënuar në CV-në e tyre.

Zëvendës drejtori i ORCA-s, Gramos Buçinca tha se për 3 vite me radhë ORCA ka bërë matjen e justifikimit të titujve akademik të profesorëve në UP, përmes identifikimit dhe numërimit të punimeve të publikuara në revista shkencore ndërkombëtare, të nevojshme për secilin nga titujt akademik, transmeton Klan Kosova.

”Në vitin 2019 nga 479 profesorë në UP, 262 apo 55% e tyre nuk e justifikojnë titullin e tyre akademik. Kjo është një e dhënë shqetësuese, ndonëse paraqet një përmirësim nga viti 2017 kur përqindja e mos-justifikimit të titullit ishte 72%, dhe nga viti 2018 kur e njëjta ishte 59%.Sa më i lartë titulli akademik, aq më e keqe situata. 66% apo rreth 2/3 e profesorëve të rregullt nuk e justifikojnë titullin e tyre akademik, krahasuar me profesorët e asocuar me 60% dhe profesorët asistentë me 40%”, deklaron ai.

Sa i përket mosjustifikimit të titujve akademikë, Buçinca theksoi se ai rritet në proporcion të drejtë me moshën e profesorëve, ku 69% e atyre mbi moshën 50 vjeçare nuk e justifikojnë titullin, krahasuar me 31% të atyre mes moshës 40 dhe 50, dhe 12% të atyre nën moshën 40 vjeçare.

Ai shtoi se kjo tregon që profesorët e rinj, formalisht i plotësojnë kriteret disa-fish më shumë sesa kolegët e tyre më të vjetër.

”Personi më i ri në moshë me titullin akademik “profesor i rregullt”, pra që ka kontratë permanente të punës, që nuk e justifikon këtë titull, do të pensionohet në vitin 2040. Kjo do të thotë që një fëmijë që sot është 8 vjeç dhe që vendosë të studiojë në UP, nëse supozohet se ndjek të gjitha nivelet e shkollimit me sukses të plotë, ka mundësi që të mentorohet në të gjitha gradat shkencore (Bachelor, Master, Doktoraturë) nga një profesor jomeritor”, deklaron zëvendësdrejtori i ORCA-s.

Tutje Buçinca tregoi që për herë të parë, ORCA ka bërë edhe analizën gjinore të justifikimit të titullit akademik, sipas të cilës ka rezultuar se 39% e grave profesoresha në UP nuk e justifikojnë titullin akademik, krahasuar me 60% të profesorëve burra.

”Profesorët aktualë në UP-së kanë publikuar 2042 punime në revista shkencore. Kjo paraqet një rritje prej 307 publikimeve nga viti 2018.  Vetëm në 2017-ën u publikuan 263 punime shkencore, më së shumti në një vit që nga 1988 kur u regjistrua botimi i parë i tillë. Janë mesatarisht 4.26 punime të botuara në revista shkencore për profesor në UP. Janë 532 punime të botuar në revista të dyshimta nga 152 profesorë”, vazhdoi ai. Klan Kosova / KultPlus.com

Aktivisti Gjinovci lirohet nga policia pasiqë ekspozita nuk kishte elemente të veprës penale

Sot, duke filluar nga ora 11:00 në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, është mbajtur ekspozita e parë e plagjiaturës në Kosovë, e cila erdhi pas një pune 3 vjeç e gjysmë të ORCA-s, në të cilën u shfaqën plagjiaturat e ministrit të arsimit, Ramë Likaj, njofton KultPlus.

Mirëpo, aktivisti Rron Gjinovci i cili ishte edhe organizator i kësaj ekspozite, sot u shoqërua në polici. Ai përmes një statusi në llogarinë e tij personale në Facebook, ka njoftuar për rastin.

”Qytetarë, sapo u shoqërova në stacionin policor Qendra për shkak të ekspozimit të plagjiaturave të Ministrit Ramë Likaj. Kjo nuk ka ndodhë asnjëherë më parë. Kjo po ndodh kur Ministër i Brendshëm është Agin Veliu i qeverisë jolegjitime Hoti’, është shprehur Gjinovci në statusin e tij.
Ndërkaq ky i fundit është liruar menjëherë pasi u konstatua se aktiviteti i sotëm nuk kishte elemente të veprës penale.

”Ju njoftojmë se aktivisti Rron Gjinovci u lirua nga stacioni i policisë pasi u konstatua nga prokurori kujdestar se aktiviteti i sotëm nuk kishe elemente të asnjë vepre penale. Atij iu shqiptua vërejtje verbale për mosrespektim të procedurave për lajmërimin e aktivitetit.”, njoftoi ORCA. / KultPlus.com

ORCA: Emërimi i mashtruesit si ministër i arsimit, sulm mbi cilësinë

ORCA ka pranuar me shqetësim propozimin e Ramë Likajt të AAK-së për emërim si Ministër i Arsimit. ORCA konsideron se ky propozim është i dëmshëm për arsimin në Kosovë në përgjithësi dhe për arsimin e lartë në veçanti.

Ramë Likaj është i përfshirë në skandalin më të madh të Universitetit të Prishtinës si një nga profesorët e avancuar përmes plagjiaturës dhe mashtrimit akademik i njohur si rasti i Supermenëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike.

Ramë Likaj është avancuar nga pozita e profesorit të asocuar në atë të profesorit të rregullt në vitin 2018 përmes një procesi mashtrues. Ramë Likaj me rastin e avancimit të tij ka paraqitur 19 punime shkencore brenda 1 viti e gjysëm, sa 19 fishi i kolegëve të tij norvegjezë që arrijnë të publikojnë jo më shumë se 1 punim në vit.

Së bashku me 7 profesorë të tjerë Likaj është avancuar përmes punimeve në revista fallce të cilat u kanë mundësuar atyre që përmes mashtrimeve akademike të fryjnë numrin e punimeve. ORCA ka zhvilluar një hulumtim të gjerë për të gjitha punimet e profesorëve të denoncuar dhe ka formuar dosje masive prej 492 faqesh, që i është dërguar Këshillit të Etikës së Universitetit të Prishtinës. Në këtë dosje ka dëshmi të qarta se në punimet e përmendura të 8 profesorëve përfshirë dhe Ramë Likajn, ka kopjim pa citim – pra plagjiaturë, gabime drejtshkrimore e gramatikore, si dhe paraqitje të së njëjtës përmbajtje me dy tituj, si dy punime të ndryshme.

Për më tepër, një vit më vonë në vitin 2019 platforma indeksuese SCOPUS i ka përjashtuar revistat që i kanë publikuar këto punime pasi ORCA i ka denoncuar ato revista edhe në SCOPUS. Pra nuk ka dyshim se punimet e kandidatit për ministër ishin mashtruese dhe se avancimi i tij është jomeritor.

ORCA e sheh këtë emërim potencial si sulm direkt mbi cilësinë në arsim në Kosovë. ORCA do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ta parandaluar dhe luftuar një sulm të tillë duke përdorur të gjitha mjetet demokratike në dispozicion.
—————————————————————
Kronologjia e ngjarjeve

Më 8 tetor 2018, ORCA ka dorëzuar para Këshillit të Etikës së UP-së, denoncimin për 8 profesorë të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, të cilët janë avancuar me punime në revista mashtruese. 8 profesorët kishin publikuar nga 7 deri në 19 punime secili brenda një periudhe 1 vjeçare e gjysmë. Kjo gjë është e pamundur, nëse për asgjë tjetër atëherë për faktin e thjeshtë se një profesor i inxhinierisë mekanike në Norvegji, arrin të publikojë 0.96 punime në vit, pra as një punim të plotë.
Këta 8 veta u avancuan përmes një grumbulli punimesh. Shumica e punimeve përmbajnë plagjiaturë, gabime në drejtshkrim dhe gramatikë në gjuhën angleze, gjë që e bën të pamundur që ato të botohen në revista cilësore. Megjithatë, revistat ku ishin botuar këto punime ishin të indeksuara në platformën SCOPUS.

ORCA paralelisht me këtë denoncim, më 6 korrik 2018, i është drejtuar SCOPUS për të ngritur dyshimet për revistat.
Ndërkohë, ORCA ka zhvilluar një hulumtim të gjerë për të gjitha punimet e profesorëve të denoncuar dhe ka formuar këtë dosje masive prej 492 faqesh, që i është dërguar Këshillit të Etikës. Në këtë dosje ka dëshmi të qarta se në punimet e përmendura të 8 profesorëve, ka kopjim pa citim – pra plagjiaturë, gabime drejtshkrimore e gramatikore, si dhe paraqitje të së njëjtës përmbajtje me dy tituj, si dy punime të ndryshme.

Më datën 23 prill 2019, SCOPUS ka njoftuar ORCA-n se revistat nuk janë më pjesë e indeksimit për vitin 2019 e tutje: “publikuesi [i revistave] është informuar se mbulimi i SCOPUS për të dy titujt nuk vazhdon për vitin 2019 e tutje.”

Ky njoftim nga SCOPUS më 8 maj 2019 iu dorëzua Këshillit të Etikës.

Vendimi i SCOPUS për t’i hequr nga lista për vitin 2019 këto revista shkencore, është mbështetur në vlerësimin për veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2017/2018, kur edhe kanë publikuar e kur janë avancuar 8 profesorët.

Pra, mund të thuhet përtej çdo dyshimi të bazuar se: Ahmet Shala, Ramë Likaj, Azem Kyçyku, Mirlind Bruçi, Naser Lajqi, Nexhat Qehaja, Rexhep Selimaj, Xhevat Berisha, janë avancuar me punime të publikuara në revista mashtruese.

Megjithatë Këshilli i Etikës nuk ka marrë ende vendim përfundimtar për këtë rast duke e lënë ende pezull atë. /KultPlus.com

ORCA: 31 profesorë në Universitetin e Prizrenit nuk kanë asnjë punim shkencor

Organizata për arsim, ORCA, ka publikuar sot një raport për integritetin akademik në Universitetin e Prizrenit, dhe sipas të dhënave të këtij raporti 31 profesor të këtij universiteti nuk e kanë asnjë punim shkencor, shkruan KultPlus.com

Vërejte në rrafshin shkencor janë gjetur edhe në kredibilitetin e revistave ku janë publikuar disa punime shkencore.

Këtu keni të plotë postimin e ORCA-së

“PRIZRENI PROBLEME ME INTEGRITETIN AKADEMIK

31 profesorë (55%) në Universitetin e Prizrenit nuk kanë asnjë punim shkencor. 64% e profesorëve nuk i justifikojnë titujt e tyre akademikë. Profesorët në këtë universitet kanë publikuar 55 punime në revista kredibile, ndërsa kanë botuar 120 punime në revista të dyshimta.

Këto dhe shumë të dhëna të tjera të detajuara, ORCA i ka publikuar në tryezën e mbajtur për raportin “Integriteti Akademik dhe Publikimi Shkencor në Universitetin e Prizrenit”.

Rezultatet u publikuan në prani të rektorit, prorektorëve, dekanëve, prodekanëve, si dhe profesorëve të tjerë. Shumica e pjesëmarrësve u pajtuan që të gjeturat nga hulumtimi janë shqetësuese dhe se mungesa e Integritetit Akademik paraqet një problem serioz në të cilën duhet të intervenohet menjëherë.

Gjatë diskutimit u evidentua gatishmëri nga stafi dhe menaxhmenti i universitetit për të rritur publikimin shkencor në revista kredibile dhe për t’iu shmangur publikimeve në revista të dyshimta. Për më tepër, përfaqësuesit e stafit akademik u zotuan se do t’i përditësojnë CV-të dhe do t’i heqin publikimet në revista të dyshimta.

Megjithatë, ORCA theksoi një dukuri pozitive për faktin se ndonëse profesorët e Universitetit të Prizrenit kanë publikuar shumë punime në revista të dyshimta, gjatë viteve 2018 dhe 2019 ka rënie drastike të publikimeve në revista të tilla.

Përmes QAINT do të vazhdohet mbështetja e universiteteve publike në ngritjen e cilësisë, transparencës dhe llogaridhënies, ndërsa ORCA do të vazhdojë monitorimin këtyre universiteteve.

Raportin me të gjetura mund ta gjeni në linkun:

http://orca-ks.org/…/Raporti-Universiteti-te-Prizrenit-02.p…/ KultPlus.com