Në UP hulumtohen rastet e ngacmimeve seksuale

Shumë shpejt Universiteti i Prishtinës do të fillojë një hulumtim në të gjitha njësitë akademike për rastet e ngacmimeve seksuale.

Këtë e ka bërë të ditur për Radio Kosovën zyrtarja për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale në këtë universitet, Drita Hyseni. Ndërkohë, ekspertët thonë se studentët duhet të vetëdijesohen për denoncimin e rasteve.

Universiteti i Prishtinës, për herë të parë do të fillojë një hulumtim në të gjitha njësitë akademike për rastet e ngacmimeve seksuale në këtë institucion të lartë të arsimit. Këtë e ka bërë të ditur për Radio Kosovën, zyrtarja për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale në këtë universitet, Drita Hyseni, e cila theksoi se në kuadër të rregullores për parandalimin e ngacmimeve seksuale, së bashku me prorektoren, Njomza LLullaku, dhe me mbështetjen e menaxhmentit, janë përgatitur pyetjet dhe janë në përfundim të metodologjisë së hulumtimit, ku fokus i pyetësorit janë studentët.

 “Nuk do të kenë as emër e as mbiemër. Neve na duhen vetëm të dhënat nga terreni, për të parë gjendjen faktike. Po bëhet një hulumtim për herë të parë për sa i përket kontekstit të ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës. Do të ketë edhe një raport final, ku besoj se deri në muajin qershor do të realizohet. I kemi formuar grupet punuese, të cilët do të punojnë për të mbledhur të dhënat dhe për ta çuar deri në fund këtë kauzë dhe ta vërtetojmë nëse është fenomen i dukshëm në UP”, tha ajo.

Hyseni, bëri të ditur se që nga viti i kaluar e deri tani janë raportuar pesë raste të ngacmimeve në Universitetin e Prishtinës. Ndërkohë,  sqaroi se me rregulloren për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale dhe ngacmimi në Universitet, përcaktohen edhe procedurat disiplinore dhe masat e zbatueshme në rastet e tilla.

 “Për vitin 2022, ka qenë numri katër, ndërsa në vitin 2023 kemi një rast. Këshilli i Etikës ka marrë tri vendime, ndërsa në procedurë janë dy. Gjithashtu është edhe vendimi i senatit të Universitetit të Prishtinës për rastin e fundit ndaj profesorit Betim Bejta”, tha ajo.

Drejtori i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja, tha për Radio Kosovën se ngacmimet seksuale në institucione arsimore, përveç që me ligj, duhet të denoncohen edhe me rregullore të secilit institucion.

 “Ngacmimet seksuale në institucione arsimore, përveç që me ligj, duhet të denoncohen edhe me rregullore të secilit institucion të arsimit të lartë, dhe atë jo të fshehur diku në sirtarë të njësive akademike, por të dukshme për të tërë komunitetin e universitetit. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që çdo student të jetë i vetëdijesuar për denoncimin e ngacmimeve seksuale. Aktivitetet vetëdijesuese duhet t’i synojnë vetë studentët, duke i fuqizuar të njëjtit për identifikim, reagim dhe denoncim të menjëhershëm të ngacmimeve seksuale”, tha ai.

Policia e Kosovës, në një përgjigje përmes adresës elektronike, ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i rasteve nga vepra penale “Ngacmimi Seksual” për vitin 2022 ishte 91.

Në kuadër të Universitetit të Prishtinës, ekziston rregullorja për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimet seksuale dhe ngacmimi në Universitet. Kjo rregullore përcakton rregullat materiale, procedurat disiplinore dhe masat e zbatueshme në rastet e tilla. Në marrjen e vendimeve dhe masave disiplinore në procedurën për shqyrtimin e denoncimeve për ngacmim apo ngacmim seksual, Këshilli i Etikës zbaton këtë rregullore, Statutin e Universitetit të Prishtinës, Ligjin për Arsim të Lartë, Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi, Ligjin për Barazi Gjinore, Ligjin e Punës dhe aktet e tjera ligjore e nënligjore të zbatueshme./ KultPlus.com

Ngacmimet seksuale në rrugë do të dënohen me burg në Britani

Ngacmimi seksual në rrugë do të jetë vepër penale e dënueshme deri në dy vjet në Mbretërinë e Bashkuar, përcjell KultPlus.

Sekretarja e Brendshme, Suella Braverman, konfirmon mbështetjen për ligjet e ngacmimit për të bërë ofendime specifike sikurse të fishkëllimës dhe ngacmimeve të ndryshme që Ames Braverman thotë se ka ndaluar gratë të ndihen ‘të sigurta’ në rrugë.

Ngacmimi i njerëzve në rrugë mund të dënojë dikë me dy vite burg.

Sekretarja e Brendshme Suella Braverman njoftoi masën teksa këmbënguli se kriminelët që i ndalojnë gratë të ndihen ‘të sigurta’ duhet të përballen me ‘pasojat që meritojnë’.

Vepra e veçantë pritet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm pasi një propozim mori mbështetje dërrmuese.

Kjo do të mbulojë sjelljen që shkakton qëllimisht ngacmim, alarm ose shqetësim për një person në një hapësirë publike.

Qeveria po merr projektligjin e një anëtari privat të paraqitur nga ish-ministri i kabinetit Greg Clark. /KultPlus.com

“Rrugët natën nuk janë veç për burra”, protestohet në Deçan kundër dhunës seksuale

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka protestuar sot rrugëve të qytetit të Deçanit për të kundërshtuar dhunën seksuale ndaj vajzave dhe grave, shkruan KultPlus.

Në një postim të bërë në Facebook nga ky kolektiv theksohet se përmes thirrjeve të ndryshme qytetarët kanë denoncuar patriarkalizmin e institucionalizuar i cili po i dhunon vajzat e gratë në çdo hapësirë.

‘Rrugët natën nuk janë veç për burra’, ‘Mos ngacmo o tigër!’, ‘Donjeta ishte rrugës për në punë’, ‘Du me msu, jo m’u gacmu’, ‘Ngacmuesit seksual janë kriminel’, ishin vetëm disa nga thirrje të cilat u përdorën në këtë protestë.

Më poshtë gjeni njoftimin e tyre të plotë:

Sot, protestuam rrugëve të qytetit të Deçanit në kundërshtim të dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave.

Përmes thirrjeve të ndryshme, aktivste e aktivistë, nxënëse e nxënës. studente e studentë. qytetare e qytetarë denoncuan partriakalizmin e institucionalizuar i cili po i dhunon vajzat e gratë në çdo hapësirë.

Përderisa vajzat e gratë ndihen të pasigurta dhe vazhdojnë të dhunohen nga të gjitha institucionet, qofshin ato publike e private, nuk mund të ketë paqe e drejtësi shoqërore. Andaj dhe rezistenca jonë e përbashkët do të vazhdojë, deri në arritjen e drejtësisë për të gjitha vajzat e gratë e sigurimin e ambienteve të sigurta për to./ KultPlus.com

Protestë kundër dhunës seksuale edhe në Mitrovicë

Sot u protestua në sheshet e qytetit të Mitrovicës kundër dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave.

Me brohoritje dhe parulla në duar, shumë qytetarë marshuan në rrugë nën thirrjet për siguri për vajzat dhe gratë dhe barazi gjinore, si parakushte të drejtësisë shoqërore.  

Grupi organizativ “Unë jam zani yt” në komunikatën për media thanë se kjo protestë është kritikë ndaj institucioneve të vendit të cilat nuk po punojnë për të krijuar siguri për vajzat dhe gratë.

“Vajzave dhe grave, iu tha edhe një herë publikisht se ato nuk janë vetë dhe që lufta jonë e përbashkët nuk do të ndalet derisa të ketë drejtësi dhe barazi për të gjitha/ë”, thuhet në njoftim.

Të paktën tre raste dhunimi e ngacmimi seksual janë raportuar të kenë ndodhur në dy muajt e fundit në Mitrovicë./ KultPlus.com

“Thuani emrat e përdhunuesve dhe ngacmuesve seksualë”, protestë në Mitrovicë

Ngacmimet seksuale dhe përdhunimet po raportohen çdo ditë e më shumë.

Sot u raportua se dy burra kanë përdhunuar një vajzë të mitur në Mitrovicë.

Ky rast veç̧ sa është duke e treguar natyrën epidemike të përdhunimeve e abuzimeve ndaj vajzave e grave, për çka edhe do të kundërshtohet përmes një proteste në Mitrovicë.

Organizatorët e protestës janë shprehur se kjo është duke dhënë alarm mbi rrezikun dhe ankthin e vazhdueshëm në të cilin rriten dhe jetojnë vajzat dhe gratë në Kosovë. Burrat po vazhdojnë t’i dhunojnë dhe ngacmojnë vajzat kudo, duke na treguar fare mirë se për vajzat e gratë asnjë vend nuk është i sigurtë.

“Në gjithë këtë situatë, institucionet private e publike, thellësisht patriarkale, janë bashkëfajtore. Praktika e amnistimit të ngacmuesve dhe përdhunuesve duhet të ndalet dhe emrat e përdhunuesve e ngacmuesve duhet të thuhen nga policia. Ne kemi të drejtë të dijmë kush janë përdhunuesit.

Rastet e përdhunimit e ngacmimit seksual të vajzave dhe grave në çdo hapësirë janë rrezik për shoqërinë tonë dhe sigurinë publike”, thuhet në njoftim.

Andaj, të shtunën, duke filluar nga ora 12:00 në sheshin “Isa Boletini” në Mitrovicë do të protestohet për ta kundërshtuar dhe dërguar mesazhe revolte kundrejt shtypjes e abuzimit të grave.

Protestueset/it duhet t’i respektojnë udhëzimet e IKShPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për frenimin e përhapjes së COVID – 19 duke u pajisur me maska dhe mbajtur distancimin fizik. / KultPlus.com

“Vajzat tona janë rritur me idenë se ngacmimet e djemve duhet injoruar, ndaj rëndom janë heshtur”

Nga Vlora Konushevci

Gloria Steinem në filmin autobiografik “The Glorias” (ua rekomandoj ta shihni patjetër), e njohur si udhëheqëse dhe zëdhënëse e lëvizjes feministe në të 60-at në SHBA thotë: “ Ne kemi nisur t’i rrisim vajzat pak a shumë njësoj sikur djemtë por të paktë janë ata që e kanë guximin t’i rrisin djemtë sikur vajzat”.

Unë jam nënë e një djali që sapo ka nisur periudhën e adoleshencës, megjithëse e konsideroj veten si person më të guximshëm një herë kur djali im kërkoi t’ia blija një bluzë ngjyrë pink ngase ajo e kishte karakterin e një seriali, të cilin ai e pëlqente, unë me mjeshtri ia ndërrova mendjen që ta zgjidhte bluzën e kaltër. Këtë e bëra pa ia ngarkuar ngjyrave stereotipet gjinore në sy të tij dhe e bëra nga frika se mund ta tallnin në shkollë, nga frika se mund të pësoj nga bullizmi.

Ne duhet të jemi shumë të sinqertë me veten, së pari kur kërkojmë llogari nga shkolla, institucionet apo nga shteti, sikurse me faktin se ne asnjëherë nuk kërkojmë llogari nga vetja. Sa prej jush që keni fëmijë të dy gjinive i rritni ata me standarde të njëjta?! Sa prej jush gëzoheni njësoj kur djali nis shoqërimin me një vajzë, ashtu edhe kur vajza nis shoqërimin me një djalë?!  Sa prej jush investoni njësoj dhe insistoni që edhe djali edhe vajza të trajnohet në futboll apo karate?! Sa prej jush jeni trashëgimtare të barabarta të pronës familjare? 

Rasti i fundit, e që fatkeqësisht nuk do të jetë i fundit, i ngacmimit seksual nga disa djem të mitur ndaj një vajze të mitur, nxiti reagime të shumta dhe mirë bëri. Por, a duhej të ndodhte një rast kaq i rëndë që ne si shoqëri ta adresojmë atë që në anglisht njihet si “Elefanti në dhomë” (Elephant in the room – shprehje metaforike lidhur me një temë ose çështje kontroverse për të cilën jemi të vetëdijshëm por askush nuk dëshiron ta diskutojë). Dhuna dhe ngacmimet ndaj grave dhe vajzave janë rezultat direkt i shoqërisë sonë patriarkale,  madje në shumë ambiente familjare dhuna është i vetmi mjet komunikimi. Dihet mirë që vajzat tona janë rritur me idenë se ngacmimet e djemve duhet injoruar, e në rastin më të keq, ato janë interpretuar si shenja “pëlqimi”, pra si diçka pozitive, ndaj rëndom janë heshtur. Ngacmimi seksual është pjesë përbërëse e kësaj shoqërie, është konstrukt shoqëror dhe kulturorë i ngulitur thellë në dimensionet e gjinisë, seksualitetit dhe fuqisë. Sjelljet ngacmuese seksuale nuk prodhohen thjesht ngase djemve u mungojnë njohuritë, apo nga qëndrimet e tyre seksiste apo dëshirave të gabuara seksuale, por janë modeli që ua kemi servuar për ta shprehur pozicionin e tyre publik dhe privat.

Futja në kurrikulën e arsimit parauniversitar të lëndës për “Edukim Seksual” të cilën e shohin si shpëtim liberalët apo atë të “Edukimit Fetar” radikalët, nuk është shpëtimi. Shpëtimin e shoh tek trajtimi i burimit të problemit tek luftimi i patriarkatit dhe fuqishëm besoj se veç me arritjen e një barazie gjinore një herë e mirë do t’i jepnim fund “lojës së të fortit” në të gjitha dimensionet do të bëhemi shoqëri më e mirë duke nisur që nga edukimi i hershëm në familje.  Dihet mirë që fëmijët e gjinive të ndryshme i rrisim me standarde të dyfishta apo siç ka thënë Simone de Beauvoir “Vajzat i ngarkojmë me kufizime ndërkaq djemtë me kërkesa – dy disiplina njësoj të dëmshme”. Këtë asimetri gjinore ua ofrojmë edhe si model në familje prandaj çështjen e fuqisë dhe seksualitetit djemtë e kësaj shoqërie nuk e zotërojnë as kur bëhen burra. Si rezultat i kësaj asimetrie gjinore pastaj shfaqen edhe ngacmimet seksuale në shkollë, në rrugë, në institucione etj.

Edukimi seksual cilësor si në Finlandë dhe Estoni,  ka dëshmuar se nuk i stimulon marrëdhëniet e hershme seksuale. Madje, edukimi seksual cilësor (me mësimdhënës të përkushtuar e të vetëdijshëm), ka dëshmuar se mund të çojë në debutim të mëvonshëm seksual dhe sjellje më të përgjegjshme seksuale. Pra vendet e zhvilluara na tregojnë se edukimi seksual nuk i privon fëmijët nga “pafajësia”, e tyre por i bënë ata më të informuar dhe më të përgjegjshëm. Studimet në disa vende evropiane kanë treguar se futja e edukimit seksual në kurrikulë ka çuar në zvogëlim të shtatzënive dhe aborteve adoleshente dhe rënie të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme si dhe ka rritur besimin tek adoleshentët duke i fuqizuar ata që të zhvillojnë marrëdhënie më të forta dhe më kuptimplota.

Por fëmijët tanë përveç ngacmimit seksual, dhunës, bullizmit ballafaqohen edhe me dukuri të tjera po aq të dëmshme sikurse përdorimi i narkotikëve, shitja e tyre në oborre shkollash, përdorimi i pijeve energjike, alkoolit, apo mbajtja e mjeteve të rrezikshme, të cilat kanë për rezultat dëmtimin e përhershëm të jetës së tyre. Elefanti në dhomë është më i madh se kaq!

Edukata seksuale apo veç edukata fetare nuk i trajton të gjitha këto dukuri të rrezikshme dhe për më tepër sikurse nuk po ndjehemi komod me asnjërin term. Prandaj duke nisur që nga edukimi i hershëm në shtëpi në kopshte e pastaj edhe në shkolla, arsimimit parauniversitar duhet t’i shtohet një disiplinë shumë dimensionale që do t’i ngërthente të gjitha këto në vete, sikurse praktikohet në shumë shtete demokratike me titullin “Edukata Shëndetësore”. / KultPlus.com

KOMF reagon ndaj lajmit për ngacmim seksual të të miturës

KOMF ka reaguar me shqetësim të madh për lajmin e publikuar në media, ku është raportuar për ngacmim seksual të një vajze të mitur, nga disa djem po ashtu të mitur, brenda mjediseve shkollore, përcjellë KultPlus.

KOMF bën thirrje dhe apelon tek të gjitha mediat që kanë publikuar pamje filmike dhe të dhëna që cenojnë identitetin e të miturës dhe të miturve tjerë, ti largojnë ato. Pamjet filmike, zbulimi i emrit të shkollës, zbulimi i klasës dhe të dhëna të tjera, çojnë në zbulim të identitetit të fëmijës, dëmtim të rëndë dhe riviktimizim të fëmijës, fëmijëve dhe familjeve të tyre. Për shkak të ndjeshmërisë së lartë të rastit dhe moshës shumë të vogël të fëmijëve të përfshirë në rast, KOMF bën thirrje që mediat në radhë të parë të mbrojnë konfidencialitetin e rastit duke pasur në fokus interesin më të mirë të fëmijës.

KOMF bën thirrje drejt Qendrës për Punë Sociale që me prioritet të ofrojë shërbimet për mbrojtje dhe rehabilitim për fëmijën dhe të ndërmerren të gjitha shërbimet e nevojshme për fëmijët e tjerë. Po ashtu, KOMF bën thirrje karshi të gjithë institucioneve të mandatuara dhe të përfshirë në këtë rast, që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme në përputhje me legjislacionin.

“Si KOMF përmes organizatave anëtare të cilat ofrojnë shërbime direkte sociale dhe psikologjike për fëmijët, ofrojmë mbështetjen tonë për këtë rast, nëse kjo kërkohet nga institucionet”, thuhet në komunikatë.

Tutje, KOMF ka njoftuar se do të monitorojë nga afër dhe intensivisht veprimet që do të ndërmerren nga institucionet përkatëse në lidhje me këtë rast dhe në të njëjtën kohë bën një apel ndaj gjithë organeve të përfshira në rast që të ndërmarrin veprime urgjente për trajtimin e tij. / KultPlus.com

Ngacmonte seksualisht nxënëset e tij, mësimdhënësi kosovar dënohet me tri vjet burg

Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me 3 vite burgim të pandehurin B.V, i cili në cilësinë e mësimdhënësit kishte ngacmuar seksualisht nxënëset e tij.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Gjykata ka bërë me dije se atij i është ndaluar ushtrimi i  profesionit të mësimdhënësit në kohëzgjatje prej 5 viteve, i cili do të filloj pas vuajtjes së dënimit të shqiptuar me burg.

“I pandehuri B.V në cilësinë e mësimdhënësit, i ka prekur me qëllime seksuale dhe duke shfrytëzuar moshën e tyre të ndjeshme, në mënyrë të vazhdueshme me veprime të pahijshme që bie ndesh me etikën e një pedagogu si mësimdhënës ashtu që i njëjti ka filluar ngacmimin seksual te nxënësit atë mënyrë që fillimisht me fjalë joshëse si: je e bukur, pse sot flokët i ke kap ne këtë mënyrë etj., e me pas duke i prekur ne pjesët të  ndryshme të trupit, e të cilit i është besuar edukimi, kujdesi dhe mbikëqyrja”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Sipas gjykatës i pandehuri obligohet që në emër të shpenzimeve të  procedurës penale gjykatës t’ia paguajë shumën prej njëqindepesëdhjetë (150) €, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej njëqind (100) €, si dhe në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit në shumë prej pesëdhjetë (50) €, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Komunikata e plotë:

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit B.V për shkak se:

Që nga muaji shtator e gjerë më datë 14.11.2018, i pandehuri B.V në cilësinë e mësimdhënësit, i ka prekur me qëllime seksuale dhe duke shfrytëzuar moshën e tyre të ndjeshme, në mënyrë të vazhdueshme me veprime të pahijshme që bie ndesh me etikën e një pedagogu si mësimdhënës ashtu që i njëjti ka filluar ngacmimin seksual te nxënësit atë mënyrë që fillimisht me fjalë joshëse si: je e bukur, pse sot flokët i ke kap ne këtë mënyrë etj., e me pas duke i prekur ne pjesët të  ndryshme të trupit, e të cilit i është besuar edukimi, kujdesi dhe mbikëqyrja.

Me këto veprime i pandehuri B.V ka kryer veprën penale sulm seksual nga neni 232 par. 3 nën par. 3.7 lidhur me piken 3.9 dhe lidhur me par. 1 të KPRK-së.

Të pandehurit gjykata i ka shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej tre (3) vite, të cilin dënim do t’a vuaj menjëherë plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Në këtë dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

I pandehuri obligohet që në emër të shpenzimeve të  procedurës penale gjykatës t’ia paguaj shumën prej njëqindepesëdhjetë (150) €, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej njëqind (100) €, si dhe në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit në shumë prej pesëdhjetë (50) €, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Te pandehurit i është shqiptuar dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të profesionit të mësimdhënësit në kohëzgjatje prej 5 viteve, i cili do të filloj pas vuajtjes së dënimit të shqiptuar me burg.

Të njëjtit pas shpalljes së dënimit i është ndërprerë arresti shtëpiak deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

Palët e dëmtuara janë  udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Kundër këtij aktgjykimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. / KultPlus.com

“Universiteti Publik t’u kërkojë falje të gjitha grave të cilat kanë përjetuar ngacmim seksual brenda institucionit”

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis dënon gjuhën seksiste të Prorektores së Universitetit Publik të Prishtinës, znj. Teuta Pustina – Krasniqi, e cila justifikoi ngacmimet seksuale brenda Universitetit Publik në një deklaratë për media, duke i fajësuar studentet për mënyrën e veshjes së tyre, sipas të cilës, kjo është një prej arsyeve pse ndodhë ky fenomen në universitet.

“Por një porosi thotë për gjininë femërore, studentëve, stafit akademik, stafit administrativ ju apeloj që mos të provokojnë, mos të vishën në mënyrë provokative, sepse ky është një efekt psikologjik, i cili mund të ndikojë shumë negativisht në rrethin në të cilën një student i caktuar kryen ushtrimet, ligjëratat. Prandaj i apeloj vajzat e reja që janë një pjesë e një institucioni shumë serioz, në të cilin kryhen ligjërata nga profesorë dhe asistent, për këtë duhet të respektojnë kodin e veshjes”, kishte potencuar Prorektorja.

Ne si organizatë jemi mjaftë të shqetësuar, pasi e kemi përcjellë nga afër gjendjen e Ngacmimeve Seksuale në Universitetet Publike të Kosovës (Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Gjakovës, Universitetin e Mitrovicës dhe Universitetin e Prizrenit), madje përshkak të nevojës për t’u adresuar kjo problematikë kemi nxjerrë edhe raportin që adreson këtë fenomen “Adresimi i Ngacmimeve Seksuale në Universitetin Publik”.

Duke bashkëndje me të gjitha storiet që janë ndarë me neve gjatë përpilimit të raportit, jemi fuqimisht kundër riviktimizimit dhe tendencave mospërfillëse të zyrtarëve të Universitetit Publik rreth adresimit të këtyre rasteve.

Sipas raportit të kompletuar, gjatë intervistave me studentet, ato kanë pretenduar të jenë në dijeni të shfaqjes së rasteve të ngacmimit seksual, por ato nuk i raportojnë sepse nuk i besojnë institucionit. Ka pasur raste që studentët janë bindur të mos i çojnë rastet më tej për shkak të pasojave të mundshme akademike dhe personale.

Apelojmë që Universiteti Publik të distancohet nga kjo deklaratë dhe të marr masat e duhura karshi gjuhës seksiste të Prorektores, duke e shkarkuar znj. Pustina – Krasniqi nga të gjitha detyrat zyrtare brenda rektoratit. Njëherësh, kërkojmë që Universiteti Publik t’u kërkojë falje të gjitha grave të cilat kanë përjetuar ngacmim seksual brenda institucionit.

Në këtë mënyrë, me vazhdimin e miratimit të ngacmimeve seksuale – duke fajësuar viktimat dhe duke mbështetur mite të dhunës seksuale, e të ngacmimeve, vetëm se shfajësohen agresorët dhe mirëmbahet toleranca ndaj dhunës seksuale dhe ngacmimeve seksuale. Universitetet Publike duhet të krijojnë mekanizma që do të shërbejnë për t’i mbështetur studentët për ta raportuar ngacmimin seksual tek personat kompetentë, e jo t’ua zbehin ende më shumë besimin tek këto institucione./ KultPlus.com

Bebe Rexha reagon ndaj abuzimeve seksuale

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha i është bashkuar fushatës së femrave, e cila po përkrahet edhe prej meshkujve, kundër abuzimeve seksuale ndaj grave.

Këtë e ka bërë Rexha duke publikuar një mesazh në llogaritë personale të rrjeteve sociale.

“Nëse do të më thërrisni bushtër, më thirrni bushtër e keqe”, ka shkruar ndër të tjerash Rexha në Instagram./ KultPlus.com

If you’re gonna call me a bitch, call me a BAD BITCH!

A post shared by Bebe Rexha (@beberexha) on

Shpaloset performanca kundër ngacmimeve seksuale (VIDEO)

Nën moton “Mos Hesht“, Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis në bashkëpunim me Kvinna til Kvina ka shpalosur performancën kundër ngacmimeve seksuale në rrugë. “Nuk e kom emrin loçkë”, “Trupi jem e drejta jem”, “Raporto mos hesht“, “Po më Pengon”, “Po me jep stres”, “Mos fishkëllo”, ishin vetëm disa nga shprehjet që u dëgjuan gjatë performancës artistike kundër ngacmimeve seksuale në rrugë, e cila u prezantua para të pranishmëve në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë.

Jeta Berisha, koordinatore në Qendrën “Artpolis”, tha se përmes kësaj perfomance artistike janë munduar të përçojnë mesazh kundër ngacmimeve seksuale në hapësira të ndryshme. Ajo tha se përmes artit dhe lëvizjeve trupore të aktoreve janë munduar të transmetojnë mesazh tek shoqëria kosovare për ngacmimet në rrugë.

“Këtë herë jemi munduar me përçuar një mesazh tek shoqëria jonë për ngacmime seksuale. E dimë të gjithë se është një fenomen që mbizotëron në çdo rrugë, jo vetëm në rrugë në ambiente publike, po ashtu edhe në ambiente private, në institucione dhe në çdo vend do me thënë pa marrë parasysh ku”, tha Berisha. Ajo tutje u shpreh se në Kosovë ende nuk e dinë se çka nënkupton fjala ngacmim seksual dhe nuk dinë të bëjnë dallimin në mes ngacmimit seksuale dhe ‘flirtit’.

Ndërkaq, Linnea Claeson nga Kvinna Till Kvinna, aktiviste nga Suedia, tha se performanca e sotme ishte e bukur dhe mesazhi kundër dhunës seksuale ishte shumë i qartë. Ajo po ashtu tha se në Suedi lufton për të njëjtën kauzë me anë të rrjeteve sociale.

“Ishte një performancë e fuqishme dhe e bukur, mendoj se ishte perfekte. Dhe ndjej se mesazhi për atë se si ndihesh kur ndihesh e kapur nga ngacmimi seksual dhe dhuna seksuale ishte shumë i çartë. Pabarazia në botë duhet të ndryshojë. Edhe unë si këto gra, luftoj për të njëjtat kauza në Suedi . Luftoj shumë për to në rrjetet sociale. E kam një llogari në Instagram e cila quhet ‘Assholes Online’, ku unë shkruaj për ngacmimin seksual të cilin unë personalisht e përjetoj online, në rrugë dhe në jetën time të përditshme”, u shpreh ajo duke thënë tutje se është shumë e rëndësishme që ka shumë njerëz që luftojnë për këto kauza, për të qenë të lirë dhe ftoj të gjithë burrat që t’i bashkëngjitën këtyre aktiviteteve.

Aktorja e performancës “Mos Hesht”, Daniela Markaj tha se përmes kësaj shfaqje artistike janë munduar t’i paraqesin ngacmimet seksuale në rrugë, ngacmime këto që femrat nuk i bëjnë të ndihen rehat. Sipas saj kjo perfromancë ka pasur synim t’i informojë gratë se ato mund të raportojnë dhe të reagojnë kundër këtyre ngacmimeve”.

Përmes performancës jemi munduar me i paraqitur ngacmimet seksuale që ndodhin gjatë rrugës, pavarësisht gjinisë, mirëpo na po e përcaktojmë me gratë që ndodhin ,edhe që i bënë me u ndier jo rehat, edhe që me i bë moshataret tona, gratë në përgjithësi me kuptuar që kanë të drejtë me lajmëruar rastin edhe me reaguar kundër ngacmimeve”, tha Markaj.

Sipas saj përgatitjet për këtë performancë artistike kanë zgjatur një javë në të cilën janë përfshirë dy aktore dhe disa aktiviste të Qendrës për Art dhe Komunitet – Artpolis.

Ndryshe, Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis merret me raportimin e ngacmimeve seksuale dhe i lufton ato përmes perfomancave teatrale, artistike dhe instilacioneve të ndryshme. / KultPlus.com