Piktura që vallëzon: Universi emocional i Musë Prelvukajt

Ilir Muharremi, kritik i artit

Natyra sa është objektive aq edhe subjektive mbresëlënëse, qetësuese për shpirtin. Bukuritë e saj vija e horizontit, bjeshkët si shpata që shpojnë  qiellin, fushat, sukat, ujëvare, të kuadruara me aparat shpirtëror, ashtu nga prodhimi imagjinativ brenda një asociacioni kalamendës në rrjedhën e pjalmës, godasin rrjedhshëm pikturën e artistit Musë Prevukaj. Ajo që të godet në shpirt është kompozicioni, melodia e ngjyrës që krijon organo përtej tonaliteteve ngjyrore, mund ta ndjesh frymën dhe notat muzikore. Është një simfoni herë pranverore e herë dimërore të kapluar me një dramë e drama sikur prezanton atë rrjedhën shpirtërore përmes aparatit individual. Filozofisë e motivit e ndjenë në shpirt, ashtu edhe renditjen e formës, por temën e krijon nga realja subjektive. Gjithçka fillon nga shpirti dhe ndjenja krijuese, aty shohë metamorfozën, silueta hijesh dhe përtej tyre, gjithçka renditet tej kontrastit ngjyror dhe sfondit si mjet bashkëveprimi. Veprat  burojnë nga thellësia shpirtërore e artistit, të cilat i ka realizuar me përkushtim dhe profesionalizëm. Natyra me bukuritë e veta magjepse është e dashur për të gjithë ne, por edhe e mistershme, ku autori sikur gjënë më shumë se pamjet , në veçanti kur futet në brendi të saj për të hulumtuar dhe zbërthyer format e ndryshme irreale dhe reale në hapësirën imagjinare. Piktura e artistit Prelvukaj janë shembuj të fuqishëm të një vizioni artistik të rrënjosur thellë në kujtesën kolektive dhe përjetimin personal të vendlindjes, duke u shprehur përmes një gjuhe vizuale ekspresive, ritmike dhe simbolike.

Kjo kompozitë përfaqëson një strukturë të ngjeshur e të gërshetuar me figura që ndërlidhen në një tërësi organike. Në plan të parë, forma të fragmentuara që mund të lexohen si trup njeriu, gurë, copa natyre dhe objekte simbolike janë të vendosura në një hapësirë të thellë teksturore. Ngjyrat janë të tokës  kafe, okër, të kuqe të errëta dhe të purpurta  duke krijuar një atmosferë që i përket dheut, gurëve dhe rrënjëve. Ka një përdorim intensiv të kontrastit midis të errëtës së poshtme dhe të ndriçuarës së sipërme, ku një qiell pastel me nuanca të ngrohta përçon një ndjesi nostalgjie dhe shprese. Gurët e kuq të vendlindjes, një motiv shpesh i pranishëm në artin e Prelvukajt, këto janë pjesë e një bote të mbushur me kujtime dhe dhembje, duke i dhënë veprës një ndjesi të thellë lidhjeje me Malësinë. Forma janë ritmike, të lakuara, me një lëvizje që përçon tension e njëkohësisht qëndrueshmëri  sikur gjithçka rrotullohet rreth një trungu qendror që mund të përfaqësojë figurën e nënës, tokës apo kujtesës. Kjo vepër shfaq tri figura femërore që vallëzojnë, të veshura me veshje tradicionale që mbartin një ngarkesë të madhe identitare dhe shpirtërore. Ngjyrat janë të ndezura, sidomos e kuqja në sfond, e cila krijon një ndjesi tensioni emocional dhe drame, por njëkohësisht të gëzimit kolektiv. Veshjet në të gjelbër, kaltër dhe të zeza përfaqësojnë një diversitet të pasur simbolik dhe gjeografik. Ritmi në këtë pikturë është i theksuar përmes lëvizjes së trupave dhe vijave që gërshetohen. Kjo lëvizje sjell një ndjesi muzikaliteti është një pikturë që duket se vallëzon vetë. Forma të turbullta të fytyrave, mungesa e identitetit të qartë, sugjerojnë universalitetin e përjetimit femëror, ndoshta edhe një humbje identiteti në rrjedhën e kohës dhe ngjarjeve historike.Të dyja veprat shquhen për teksturën e pasur dhe përdorimin e ngjyrave të ngrohta dhe të rënda, që evokojnë jo vetëm natyrën e ashpër të vendlindjes, por edhe pasionin dhe dhimbjen që e përshkon jetën dhe kujtesën kolektive të shqiptarëve në Mal të Zi.

Kontrastet ndërmjet të kaluarës dhe të tashmes, të shpirtërores dhe tokësores, janë thelbësore në këto punime. Prelvukaj duket se punon me “helmetat” e përvojës së vet: trauma, mall, dëshpërim, por edhe krenari dhe dashuri për vendin. Gurët e kuq, një motiv që bart kujtime, përplasje e gjurmë, i japin veprave një ndjesi të rëndë por fisnike si një kujtim që nuk mund të harrohet. Këto piktura janë më shumë se vizualitet  janë poema të shkruara me ngjyrë, dritë dhe dhimbje. Një udhëtim përmes kujtesës që kërkon të ruajë shpirtin e një vendi në zhdukje përmes gjuhës së artit.

Vizatimet e Musë Prelvukajt kanë një thellësi të veçantë poetike dhe një stil të dallueshëm që ndërthur ndjeshmërinë personale me simbolet universale. Ai është një artist që flet përmes materialitetit të thjeshtë, por me një fuqi shprehëse të thellë. Në shumicën e vizatimeve të tij, Prelvukaj ndërton një gjuhë vizuale që kapërcen përshkrimin realist. Ai përdor forma të njohura : gurë, vezë, fije, rrënjë, objekte natyrore  por i vendos ato në një kontekst simbolik, pothuaj ritual. Vizatimet e tij nuk janë vetëm imazhe, por skena meditative, ku çdo element ka peshë poetike.

Një prej elementeve më të spikatura është vija  shpesh e lirë, nervoze, e papërfunduar   që krijon teksturë dhe ritëm. Vizatimet e tij nuk janë të mbyllura apo të “përfunduara” në kuptimin tradicional; ato janë më shumë gjurmë mendimesh, ide të lëna të hapura për interpretim. Vija nuk është thjesht një mjet formal, por bartëse e ndjesisë dhe e reflektimit. Prelvukaj punon mjeshtërisht me kontraste: dritë dhe errësirë, butësi dhe ashpërsi, e brishta dhe e qëndrueshmja. Përdorimi i ngjyrës është zakonisht shumë i matur   shpesh dominon ngjyra e letrës, me ndërhyrje të zeza, të bardha dhe herë pas here elemente të arta ose të tokës. Shumë vizatime të tij mbartin një atmosferë sakrale. Ato nuk janë vetëm objekte për t’u parë, por për t’u ndjerë. Ka diçka të ngjashme me ikonografinë, por e sjellë në një formë moderne, minimaliste dhe e rrënjosur në natyrë. Elementet si veza, rrënjët, guri, fijet  janë të gjitha metafora të jetës, kohës, origjinës dhe qarkullimit. Ndonëse nuk janë të shprehura në mënyrë direkte, në shumë punë të tij mund të ndjesh praninë e peizazhit shqiptar, të tokës, të kulturës dhe memorieve të heshtura. Është një art që flet për identitetin pa nevojën për simbole të zhurmshme   përmes një heshtjeje të pasur vizuale. Në tërësi, vizatimet e Musa Prelvukajt janë një udhëtim i brendshëm, një përpjekje për të prekur të padukshmen përmes formës. Ai është një nga ata artistë që jo vetëm vizatojnë me dorë, por edhe me mendje dhe shpirt.

Musë Prelvukaj u lind më 25.10.1950 në Martinaj të Gucisë, katër klasë të Shkollës fillore i kreu në Martinaj kurse tetëvjeçaren në Guci. Shkollën e Mesme të Artit e kreu më 1971 në Pejë. Shkollën e lartë Pedagogjike degën e artit figurativ e kreu më 1973 në Prishtinë dhe Akademinë e Arteve dega e grafikës e kreu më 1977 në Prishtinë. Që kur ishte nxënës dhe student filloi t’i hedh hapat e parë në krijimtarinë e lirë artistike në artet pamore. Në vitin 1970 për herë të parë i botoi punimet në revistën “Zëri i Rinisë”, vazhdoi ti botoheshin edhe disa punime nga gazeta “Rilindja” dhe revista “Zëri i Rinisë”. Në vitin 1980 u bë anëtar i SHAF të Prishtinës ku mori pjesë në shumë ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit, në ekspozitat kolektive grupore dhe personale. Në kohën e lirë të takoheshin kolegë në lokalin “Arabeska” të hotelit “Bozhur”, më vonë në Klubrin e artistëve të hotelit SHAF-së dhe që filloi të merr pjesë në këto aktivitete artistike. Musë Prelvukaj është fitues i shumë çmimeve dhe shumë mirënjohjeve. Disa nga ekspozitat personale: Në galerinë e Ministrisë së Kulturës 2002, me rastin e “Ditës së Evropës” në foajeun e Shtëpisë  së Kulturës  “Xhemali Berisha”, 2007, në “Papër Gallery” , me Prishtina Bienale 2022. Një numër të konsiderueshëm të ekspozitave kolektive si dhe koloni artistike./ KultPlus.com

NASA lëshon teleskopin që do të studiojë fillimet e universit

Teleskopi hapësinor “James Webb” i NASA-s, i krijuar për t’i dhënë mundësi botës të shohë se si ishte universi kur u formuan galaktikat e para, u lëshua me raketë të shtunën herët nga bregu verilindor i Amerikës së Jugut, duke hapur një epokë të re për astronominë.

Teleskopi me rreze infra të kuqe prej 9 miliardë dollarësh, i përshkruar nga NASA si observatori më i specializuar i shkencave hapësinore i dekadës së ardhshme, u transportua me një raketë Ariane 5 që u nis drejt hapësirës rreth orës 7:20 të mëngjesit me kohën e Amerikës Veriore nga baza e nisjes së Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) në Guajanën Franceze.

Lëshimi në hapësirë në Ditën e Krishtlindjes, u transmetua drejtpërdrejt në internet nga NASA dhe Agjencia Evropiane e Hapësirës.

“Nga një pyll tropikal deri në skajin e vetë kohës, teleskopi ‘James Webb’ fillon rrugëtimin drejt lindjes së universit,” tha një komentator i NASA-s.

Pas një udhëtimi hipersonik 27-minutësh në hapësirë, instrumenti 6,350 kilogramësh u lëshua nga raketa franceze në lartësinë rreth 1300 km mbi tokë.

Teleskopi Webb do të lundrojë nëpër hapësirë për dy javë dhe pritet të arrijë në destinacionin e tij në orbitën diellore 1 milion e 600 mijë kilometra, rreth katër herë më larg se hëna.

Për ta krahasuar, paraardhësi 30-vjeçar i Webb-it, teleskopi hapësinor Hubble, rrotullohet rreth Tokës nga 547 kilometra lartësi.

Webb është rreth 100 herë më i ndjeshëm se Hubble dhe pritet të transformojë të kuptuarin e shkencëtarëve për universin dhe vendin që ka toka në raport me të. tonë në të.

Teleskopi e merr emrin nga njeri që drejtoi NASA-n gjatë pjesës më të madhe të dekadës së zbulimeve të mëdha të saj në vitet 1960./ VOA /KultPlus.com

Astronomët përdorin inteligjencën artificiale për të zbuluar formën e vërtetë të universit

Universi vjen si një entitet i gjerë dhe i pamatshëm, thellësitë e të cilit janë të padukshme për tokësorët. 

Por, në ndjekje të thjeshtimit të gjithçkaje që na rrethon, shkencëtarët kanë bërë hapa të mëdhenj në kuptimin e hapësirës që banojmë. Tani, astronomët japonezë kanë zhvilluar një teknikë mahnitëse për të matur universin, transmeton KultPlus.

Duke përdorur inteligjencën artificiale, shkencëtarët ishin në gjendje të hiqnin zhurmën në të dhënat astronomike që shkaktohet nga ndryshime të rastësishme në format e galaktikave.

Çfarë bënë shkencëtarët?

Shkencëtarët përdorën simulime të super kompjuterit dhe testuan të dhëna të mëdha  përpara se të kryenin të njëjtën gjë në të dhënat reale nga hapësira.  Pas provave të gjera, shkencëtarët përdorën mjetin mbi të dhënat e marra nga Teleskopi Subaru i Japonisë. 

Për habinë e tyre, funksionoi! Rezultatet që pasuan mbetën kryesisht të sinkronizuara me modelet e pranuara aktualisht të universit.  Nëse përdoret në një shkallë më të madhe, mjeti mund të ndihmojë shkencëtarët të analizojnë të dhëna shtrirë nga sondazhet astronomike.

Metodat aktuale nuk mund të shpëtojnë në mënyrë efektive nga zhurma që përshkon të gjitha të dhënat nga hapësira.  Për të shmangur ndërhyrjet nga të dhënat e zhurmës, ekipi përdori super kompjuterin më të përparuar të astronomisë në botë të quajtur “ATERUI II”.  Duke përdorur të dhëna reale nga Teleskopi Subaru, ata gjeneruan 25,000 katalogë tallash të galaktikave.

Çfarë po shkakton shtrembërimin e të dhënave?

Të gjitha të dhënat nga hapësira mund të shtrembërohen nga graviteti i asaj që është në plan të parë duke eklipsuar sfondin e saj. Kjo quhet lente gravitacionale.  Matjet e lenteve të tilla përdoren për të kuptuar më mirë universin. Në thelb, një galaktikë e drejtpërdrejtë e dukshme për ne mund të jetë duke manipuluar të dhëna rreth asaj që qëndron pas saj.

Por është e vështirë të dallosh galaktikat me pamje të çuditshme nga ato shtrembëruese që manipulojnë të dhënat. Quhet “zhurmë në formë” dhe rregullisht pengon në kuptimin e universit.

Bazuar në këto kuptime, shkencëtarët shtuan zhurmë në grupet e të dhënave artificiale dhe trajnuan UA për të rikuperuar të dhënat e lenteve.  Ai ishte në gjendje të nxjerrë në pah detaje të mëparshme të pa vëzhgueshme nga këto të dhëna.

Duke u mbështetur në këtë, shkencëtarët përdorën modelin AI në botën reale, duke mbuluar 21 gradë katrore të qiellit. Ata zbuluan se detajet e regjistruara në lidhje me planin e parë ishin në të vërtetë në përputhje me njohuritë ekzistuese rreth kozmosit. / KultPlus.com

Misteri i madhësisë së universit

Kozmosi është rritur që nga Big Bangu, por sa shpejt? Përgjigjja mund të zbulojë nëse çdo gjë që kemi mësuar deri më tani në fizikë është gabim

Le të fillojmë duke thënë se universi është i madh. Në çfarëdo drejtimi që të shikojmë, rajonet më të largëta që kapen me sy të universit janë vlerësuar se janë rreth 46 miliardë vjet dritë larg. Ky është një hamendësim i versionit më të mirë të mundshëm – askush nuk e di saktësisht se sa i madh është universi në të vërtetë.

Është kështu për arsye se mund të shohim vetëm aq larg sa ka udhëtuar drita që nga fillimi i universit. Pasi që ekzistenca e universit është vlerësuar të ketë nisur para 13.8 miliardë vjetësh, ai është zgjeruar shumë që nga ajo kohë. Por meqë nuk dihet saktësisht se çfarë moshe ka, është goxha sfiduese për të vendosur se sa shumë zgjerohet përtej kufijve e gjërave që mund t’i shohim.

Një gjë që astronomët janë munduar ta përdorin për t’iu ndihmuar që ta bëjnë këtë gjë është një numër i njohur si “Konstante e përafërt”.

“Është matje se sa shpejt po zgjerohet universi në këtë kohë”, ka thënë Wendy Freedmann, astrofizikante në Universitetin e Chicagos, që gjithë karrierën ia ka kushtuar kësaj matjeje. “Kjo konstante vendos për shkallën e universit, moshën dhe madhësinë e tij”.

Fatkeqësisht, sa më shumë astronomë që e matin këtë numër, aq më shumë dallime shfaqen prej parashikimeve rreth universit. Një metodë e matjes ofron një vlerë, e cila është krejt ndryshe nga pritjet. Ose metodat e matjes janë të gabueshme ose ka ndonjë gabim në mënyrën se si kuptohet vetë funksionimi i universit. Por shkencëtarët tani besojnë se i janë afruar një përgjigjeje, falë eksperimenteve të reja për ta kuptuar se çfarë është në të vërtetë “Konstantja e përafërt”.

Matja e parë e bërë ndonjëherë e kësaj konstanteje më 1929 nga astronomi, nga i cili e ka marrë edhe emrin, Edwin Hubble, e ka vendosur në 500 kilometra për sekondë për megaparsec. Kjo vlerë do të thotë se për çdo megaparsec (një njësi e distancës ekuivalente me 3.26 milionë vjet dritë) që shikoni larg Tokës, galaksitë që i shihni po zgjerohen shumë larg nesh për 500km/s më shpejt sesa ato për një megaparec më afër.

Pas gati një shekulli që nga matja e parë e shkallës së zgjerimit kozmik, numri i konstantes ka ndryshuar vazhdimisht. Vlerësimet e tanishme e kanë vendosur diku mes 67 dhe 74km/s/Mpc.

Pjesë e problemit është se konstantja mund të duket ndryshe, varësisht se si matet.

Shumica e përshkrimeve rreth mospërputhjes së kësaj konstanteje pretendojnë se ekzistojnë dy mënyra të matjes së vlerës së tij – njëra e analizon se sa shpejt galaksitë e afërta me ne largohen, kurse e dyta e përdor prapavijën kozmike të mikrovalëve, drita e parë që ka shpëtuar pas Big Bangut.

Edhe sot mund ta shohim dritën, por për shkak se pjesë të largëta të universit po zmadhohen larg nga ne, drita është rrudhur në radiovalë. Këto radiosinjale, të zbuluara së pari aksidentalisht në vitet ’60, kanë dhënë pamjen e parë se si dukej Universi.

Dy forcat garuese – forca e gravitetit dhe forca e rrezatimit – kanë krijuar tërheqje kozmike të luftës me universin në fillimet e tij, gjë që ka shkaktuar pengesa që ende mund të shihen përbrenda prapavijës së mikrovalëve kozmike, si dallime të vogla në temperaturë.

Duke i përdorur këto pengesa, është e mundur që të matet se sa shpejt është rritur universi pas Big Bangut dhe mund të zbatohet në Modelin Standard të Kozmologjisë për ta dëshmuar shkallën e zgjerimit sot.

Ky model standard është një nga shpjegimet më të mira për mënyrën se si ka filluar universi, nga çfarë është krijuar dhe çfarë shohim përreth sot.

Një nga mjetet që mund të ndihmojë për gjetjen e përgjigjes të pyetjes për vlerën e “Konstantes së përafërt” është Teleskopi Hapësinor i James Webbit, i cili do të lansohet në fund të vitit 2021. Duke i studiuar gjatësitë e valëve infra të kuqe, ky teleskop do të mundësohet që të realizojë matjet më të mira që nuk do të errësohen nga pluhuri mes nesh dhe yjeve.

Nëse shkencëtarët e kuptojnë se dallimi në konstante vazhdon, atëherë do të jetë koha për fizikë të re. Ndonëse janë ofruar shumë teori për ta shpjeguar dallimin, asgjë nuk i përshtatet plotësisht hapësirës që ndodhet përreth nesh. /koha/ KultPlus.com

Për Universin, ekzistencën, fenë dhe qëllimin mbi këtë tokë

Shkolla më la në baltë, dhe unë e lashtë në baltë shkollën. Mësuesit silleshin si Fildvebel-a (rreshterë). Unë doja të mësoja ato që doja të dija, por ata donin që unë të mësoja për provimet. Ai që urreja më shumë ishte sistemi konkurrues atje, dhe sidomos sportet. Për shkak të kësaj, nuk vleja për asgjë, dhe disa herë më sugjeruan të largohesha.

Kjo ishte një shkollë katolike në Munih. Ndieja se etja ime për dije po mbytej prej mësuesve të mi; për ta, matësi i vetëm ishin notat. Si mundet një mësues të kuptojë të rinjtë, me një sistem si ky?

Që nga mosha 12-vjeçare nisa të vë në dyshim autoritetin dhe të mos kem besim tek mësuesit. Mësoja kryesisht në shtëpi, fillimisht nga xhaxhai im dhe më pas nga një student që vinte të hante me ne, një herë në javë. Ai më jepte libra për fizikën dhe astronominë.

Sa më shumë që lexoja, aq më i mëdyshur isha për rendin e Universit dhe rrëmujën e mendjes njerëzore, me shkencëtarët që nuk binin dakord se si, apo kur, apo pse, kish ndodhur krijimi. Më pas, një ditë, një student më solli “Kritikën e Arsyes” të Kantit. Duke lexuar Kantin, fillova të vë në dyshim gjithçka që më ishte mësuar. Nuk besoja më në Zotin e Biblës, por në Zotin misterioz të shprehur tek natyra.

Ligjet bazë të Universit janë të thjeshtë, por për shkak se shqisat tona janë të limituara, ne nuk mundemi t’i rrokim. Ka një model në të gjithë krijimin.

Nëse shohim pemën jashtë shtëpisë, rrënjët e të cilës kërkojnë nën dysheme për ujë, ose një lule e cila dërgon aromën e saj të ëmbël tek bletët që polenizojnë, apo nëse shohim edhe veten tonë dhe forcat e brendshme që na shtyjnë të veprojmë, do të vërejmë se të gjithë ne vallëzojmë me një melodi misterioze, dhe flautisti që i bie kësaj melodie nga një distancë e panjohshme – çfarëdolloj emri që ne t’i vëmë atij, Forca Krijuese, Zoti – i shpëton gjithë librave të dijes.

Shkenca nuk përfundon asnjëherë, sepse mendja njerëzore përdor vetëm një pjesë të vogël të kapacitetit të saj, dhe eksplorimi i kësaj bote nga njeriu është gjithashtu i kufizuar.

Krijimi mund të jetë spiritual në origjinë, por kjo nuk do të thotë se çdo gjë që është krijuar është spirituale. Si mund t’jua shpjegoj juve këto gjëra? Le të pranojmë që bota është një mister. Natyra nuk është as vetëm materiale dhe as tërësisht spirituale.

Edhe njeriu, është më shumë se sa mish dhe gjak dhe kocka; përndryshe asnjëra prej feve nuk do të ishte e mundur. Prapa çdo shkaku ka një tjetër shkak; fundi apo fillimi i të gjithë shkaqeve nuk është gjetur ende.

Megjithatë, një gjë duhet të mos e harrojmë: nuk ka pasojë pa shkak, dhe në krijimin nuk ka mungesë ligjësie.

Nëse nuk do të kisha një besim absolut në harmoninë e krijimit, nuk do të isha përpjekur për tridhjetë vite që ta shprehja në një formulë matematikore. Është vetëm ndërgjegjja e njeriut, për atë që bën me mendjen e tij, e cila e lartëson mbi të gjithë kafshët, dhe i mundëson të vetëdijesohet për vetveten dhe për marrëdhënien e tij me universin.

Unë besoj se kam ndjenja fetare kozmike. Nuk do ta rrokja dot asnjëherë se si mund të kënaq këto ndjenja, duke iu falur objekteve të limituar. Pema atje jashtë është jeta, një statujë është e vdekur. Tërësia e natyrës është jeta, dhe jeta ashtu si e shoh unë, e refuzon një Zot që i ngjan njeriut.

Njeriu ka dimensione të pafundme dhe e gjen Zotin në ndërgjegjen e tij. Një fe kozmike nuk ka dogmë, përveç asaj që t’i mësojë njeriut se universi është racional, dhe se fati i tij final është që ta studiojë dhe të bashkëkrijohet me ligjet e tij.

Mua më pëlqen ta eksploroj Universin si një të tërë në harmoni. Çdo qelizë ka jetë. Edhe Materia ka jetë; ajo është energjia në formë solide. Trupat tanë janë si burgje, dhe unë mezi pres të çlirohem, por nuk dua të spekuloj për atë që do të ndodhë me mua.

Unë jetoj këtu tani, dhe përgjegjësia ime është në këtë botë, tani. Unë merrem me ligjet e natyrës. Kjo është puna ime këtu në Tokë.

Bota ka nevojë për impulse të reja morale, që kam frikë se nuk do të vijnë nga kishat, aq rëndshëm të kompromentuara sa kanë qenë ato me kalimin e shekujve.

Ndoshta këto impulse duhet të vijnë nga shkencëtarë në traditën e Galileos, Keplerit dhe Njutonit. Pavarësisht dështimeve dhe persekutimeve, këta njerëz ia kushtuan jetën e tyre vërtetimit se universi është një entitet unik, ku, besoj unë, Zoti i humanizuar nuk ka vend.

Shkencëtari i mirë nuk preket prej fajësimit, ai as nuk predikon. Ai e zbulon universin dhe njerëzit vijnë me dëshirë, pa u shtyrë, për të rrokur një zbulim të ri: rendin, harmoninë, mrekullinë e krijimit!

Dhe, teksa njeriu bëhet i vetëdijshëm për ligjet e mrekullueshëm që qeverisin universin në harmoni të përsosur, ai fillon të kuptojë se sa i vogël është. Ai sheh vogëlsinë e ekzistencës njerëzore, me ambiciet dhe intrigat e saj, me kredon: “Unë jam më i mirë se sa ti”.

Ky është fillimi i fesë kozmike brenda tij; miqësia dhe shërbimi ndaj tjetrit bëhen kodi i tij moral. Pa themele të tilla morale, jemi të destinuar të marrim fund.

Nëse duam të përmirësojmë botën, nuk mundemi ta bëjmë me dije shkencore, por me ideale. Konfuci, Buda, Jezusi dhe Gandi kanë bërë më shumë për njerëzimin, se sa shkenca.

Duhet të fillojmë me zemrën e njeriut – me ndërgjegjen e tij – dhe vlerat e ndërgjegjes mund të manifestohen vetëm përmes shërbimit pa egoizëm ndaj njerëzimit.

Feja dhe shkenca shkojnë bashkë. Siç e kam thënë më parë, shkenca pa fenë është e çalë dhe feja pa shkencën është e verbër. Ato janë të ndërvarura dhe kanë një objektiv të përbashkët – kërkimin e të vërtetës.

Kështu që, është absurde për fenë që të ndalojë Galileon apo Darvinin, apo shkencëtarë të tjerë. Dhe është njësoj absurde që shkencëtarët të thonë se nuk ka Zot. Shkencëtari i vërtetë beson, gjë që nuk do të thotë se ai duhet t’i përkasë një kredoje.

Pa fenë nuk ka bamirësi. Shpirti që na është dhënë vihet në lëvizje po prej asaj fryme që lëviz universin.

Unë nuk jam një mistik. Përpjekja për të gjetur ligjet e natyrës nuk ka aspak të bëjë me misticizmin, ndonëse përballë krijimit ndihem shumë i përulur. Është sikur një shpirt të manifestohet shumë më superior se sa shpirti i njeriut. Përmes përpjekjeve të mia në shkencë, kam njohur ndjenjat e fesë kozmike. Por nuk më bëhet vonë nëse më quajnë mistik.

Unë besoj se ne nuk kemi nevojë të shqetësohemi për atë që ndodh pas kësaj jete, sa kohë që bëjmë detyrën tonë këtu – të duam dhe të shërbejmë.

Unë kam besim tek universi, sepse ai është racional. Ligjet qëndrojnë në themel të çdo ngjarjeje. Dhe unë kam besim tek qëllimi im këtu mbi Tokë. Kam besim tek intuita ime, gjuha e ndërgjegjes sime, por nuk kam besim tek spekulimet për Ferrin apo Parajsën. Dua të merrem me këtë kohë – këtu dhe tani. Shumëkush mendon se progresi i racës njerëzore bazohet në eksperiencat e një natyre empirike e kritike, por unë them se dija e vërtetë përftohet vetëm përmes një filozofi të deduktimit. Sepse është intuita që e përmirëson botën, jo thjeshtë ndjekja verbërisht e një shtegu të mendimit.

Intuita na bën të shohim në fakte pa lidhje mes tyre dhe më pas të mendojmë për ta, deri kur të gjithë të sillen nën një ligj. Të kërkosh fakte që lidhen mes tyre do të thotë të mbahesh pas asaj që ke, në vend që të kërkosh fakte të reja. Intuita është mëma e dijeve të reja, ndërkohë që empiricizmi nuk është asgjë tjetër, veçse akumulimi i dijeve të vjetra. Intuita, jo intelekti, është “porta magjike” e vetes tënde. Në të vërtetë, nuk është intelekti, por intuita që çon përpara njerëzimin. Intuita i thotë njeriut qëllimin e tij në jetë.

Unë nuk kam nevojë për ndonjë premtim për përjetësinë, që të jem i lumtur. Përjetësia ime është tani. Kam vetëm një interes: të përmbush qëllimin tim këtu ku jam.

Ky qëllim nuk më është dhënë nga prindërit apo rrethanat. Ai më është ngulitur nga disa faktorë të panjohur. Këta faktorë më bëjnë mua një pjesë të përjetësisë. /Telegrafi/KultPlus.com

Thëniet e Franz Kafkës që ua ndryshojnë mënyrën e të menduarit

Franz Kafka ishte një autor gjerman që arriti famë botërore vetëm pas vdekjes së tij.

Ja ku janë 8 thënie nga Franz Kafka për të ndryshuar mënyrën e të menduarit…

1.“Duke besuar me pasion në diçka që ende nuk ekziston, ne e krijojmë atë. Nuk ekziston vetëm ajo që nuk e kemi dëshiruar sa duhet.”

2. “Ai është tmerrësisht i frikësuar se po vdes, sepse ende nuk ka jetuar.”

3. “Unë zakonisht zgjidh problemet duke i lënë ato të më gllabërojnë mua.”

4. “Unë mund të dua vetëm atë që e vendos në mënyrë të lartë mbi mua dhe që nuk mund ta arrij.”

5.  “Rinia është e lumtur sepse ka aftësinë për të parë bukurinë. Kushdo që mban aftësinë për të parë bukurinë, nuk rritet kurrë.”

6. “Mos e humbisni kohën tuaj duke kërkuar një pengesë – ndoshta nuk ka asnjë.”

7.”Ka një sasi të pafund shpresash në Univers… por jo për ne.”

8. “Është më mirë të kemi dhe të mos keni nevojë, sesa të keni nevojë dhe të mos keni.”/KultPlus.com