Gjermania drejt vaksinimit me detyrim të popullatës

Grupet më të mëdha parlamentare në parlamentin federal Bundestag e mbështesin vaksinimin me detyrim. Faktorë shëndetësorë dhe ekonomikë nxisin autoritetet.

Deri tani shumëçka flet që vaksinimi kundër koronavirusit do të bëhet i detyrueshëm në Gjermani. Kjo u përvijua edhe të mërkurën (26.01.) në debatin pasionant mbi tre orësh të deputetëve e parlamentit federal, Bundestagut. Ajo që është me të vërtetë e diskutueshme është vetëm grupmosha prej së cilës shtetasit do ta kenë me detyrim të vaksinohen.

Zyrtarisht në diskutim janë këto variante:  vaksinimi i detyrueshëm për mbi 18 vjeçarët, vaksinimi i detyrueshëm për mbi 50 vjeçarët; një bisedë këshilluese, me detyrim, për vaksinimin; heqja dorë nga detyrimi për vaksinim.

Grupet më të mëdha parlamentare, që përfaqësohen edhe në qeveri, Socialdemokratët dhe Të Gjelbrit, e mbështesin një vaksinim të detyrueshëm. Kjo e bën me gjasa të forta miratimin e njërit nga variantet e projektligjit për vaksinimin me detyrim. Nga grupet parlamentare të përfaqësuar në qeveri, të pavendosur janë kryesisht liberalët e FDP-së.

Debatin Bundestagu e quajti “debat orientues”. Kjo pasi tema e vaksinimit me detyrim është temë shumë polarizuese në Gjermani. Qeveria federale madje për këtë temë hoqi dorë nga paraqitja prej saj e një projektligji Bundestagut, siç bën zakonisht. Iniciativa iu la përfaqësuesve të popullit, deputetëve të Bundestagut.

Qëndrimin e kujdesshëm të qeverisë e argumentoi në kanalin publik ZDF ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, Karl Lauterbach. Ai tha se”ky është vendim i ndërgjegjes”, është „çështje morali”. “Këtu konfrontohen të drejta bazë”.

Autoritetet në Gjermani kanë deklaruar që mbrojtja e shëndetit të personave të tjerë apo edhe e komunitetit, në mënyrë që të evitohen rreziqet e epidemive, e justifikon ndërhyrjen në paprekshmërinë fizike të një personi, kur ndërhyrja është proporcionale.

Kjo u tha në dhjetor 2021, kur në Gjermani u vendos vaksinimi me detyrim për profesione të caktuara, siç është personeli mjekësor e sanitar. Atëherë u përshtat ligji ekzistues federal kundër infektimeve.

Detyrimi për vaksinim për këto profesione do të hyjë në fuqi në 16 mars të këtij viti. Deri në këtë datë, personeli shëndetësor ka kohë që të vaksinohet vullnetarisht.

Shkaqet pse po ecën Gjermania drejt vaksinimit me detyrim

Në Gjermani ka dakordim se parakushtet më të mira të mundshme, për përballimin e pandemisë krijohen kur popullata është e vaksinuar disa herë. Edhe nëse nuk është absolute mbrojtja me vaksinat.

Më tej, autoritetet thonë se vaksinimi në Gjermani nuk po ecën aq shpejt, sa të mbrojë popullatën nga një valë e re pandemie në vjeshtë dhe nga variante të reja të koronavirusit. Shifra e vaksinimeve është më e ulët se ajo  në disa shtete evropiane.

Në Gjermani janë vaksinuar dy herë 73,8% e popullatës (75,7% janë vaksinuar një herë, 27.01.). Sipas Institutit Robert Koch vetëm 51,1 përqind janë vaksinuar për herë të tretë. Tre milionë vetë në Gjermani janë krejt të pavaksinuar.

Për krahasim: në Itali janë vaksinuar dy herë 75,9 përqind e popullatës (82,7% janë vaksinuar një herë, 27.01.). Në Francë janë vaksinuar dy herë 76,1 përqind e popullatës (79,6% një herë, 26.01.).

Dihet se çdo i pavaksinuar infekton me koronavirus jo vetëm veten, por edhe të tjerët. Aktualisht, numri i të infektuarve me Covid-19 që përfundojnë në spitale në Gjermani po rritet çdo ditë.  Kjo rritje gradualisht po mbingarkon spitalet, që detyrohen të spostojnë trajtimin e sëmundjeve të tjera. Një acarimi i mëtejshëm i situatës do të pakësonte më shumë kapacitetet për kurim, duke i vënë mjekët para dilemës së triazhës: të trajtojnë atë pacient me Covid-19 që ka më shumë shanse të mbijetojë.

Një faktor tjetër, pse vaksinimi synohet të bëhet me detyrim është faktori ekonomik.  Të vaksinuarit kanë mundësi të marrin pjesë me rrezik të vogël në aktivitetin ekonomik dhe social të vendit. Kështu autoriteteve nuk u duhet të kufizojnë jetën publike ekonomike, me pasoja për të gjithë.

Diskutime emocionante nga deputetët

Tema e masave për koronavirusin shoqërohet thuajse kudo në botë me nota emocionale. Shumë njerëz njohin dikë, një familjar apo një të njohur, që e ka pësuar nga koronavirusi. Edhe në Gjermani, diskutimet për masat janë shumë herë përballje emocionesh dhe jo shkëmbime argumentash, pasi qartësi absolute nuk ka asnjë argument.

Në Bundestag, ra në sy që deputetët u përpoqën ta paraqesin me fuqi maksimale emocionale pozicionin e tyre. Disa folën për njerëz në familje, që u kishin vdekur nga koronavirusi. Pas një diskutimi tjetër në mes të shkurtit, vendimi se a do të ketë vaksinim të detyrueshëm apo jo në Gjermani do të merret në mes të marsit.

Kjo mosngutje ka edhe një sfond psikologjik: kur njerëzit dëgjojnë se nuk kanë alternativë dhe se dikur do t’u duhet të vaksinohen me detyrim, vaksinohen vullnetarisht.

Në fakt, shumica e gjermanëve, 69% e tyre, e mbështesin futjen e vaksinimit me detyrim. Kështu u shprehën ata në një sondazh të Institutit Yougov, në nëntor 2021.

Heqja e kufizimeve përballë vaksinimit me detyrim

Masat për koronan, në shtete të ndryshme, merren duke u bazuar në vlerësimin e fakteve nga politika. Për disa shtete evropiane, si për Britaninë e Madhe dhe për Danimarkën, pandemia duket se ka mbaruar.

Në Danimarkë janë vaksinuar dy herë mbi 81,2 përqind e popullatës (83,3% një herë, 26.01.). Danimarka shpalli fundin e masave kufizuese.

Të njëjtën gjë bëri Britania e Madhe. Për këtë vend jepen shifra të ndryshme për numrin e të vaksinuarve dy herë: Our World in Data dhe Robert-Koch-Institut flasin për 70,8 përqind, të vaksinuar dy herë atje (76,6% janë vaksinuar një herë, 26.01.); 80 përqind janë vaksinuar dy herë thonë disa medie britanike. Fakt është se në Britani numri i të sëmurëve në spitale është në rënie.

Gjermania ka popullatën e dytë në Evropë përsa i përket plakjes dhe kulmi i numrit të infektimeve me variantin Omikron të koronavirusit pritet të arrihet në mes të shkurtit

Shtete të tjera, me kuota të ngjashme vaksinimi si Gjermania, siç është Austria (74,3 % të vaksinuar dy herë, 74,5% të vaksinuar një herë, 26.01.), kanë miratuar vaksinimin me detyrim. Në Austri, prej së martës (01.02.) do të ketë vaksinim me detyrim për shtetasit mbi 18 vjeç.

Edhe Italia ka miratuar vaksinimin me detyrim, për mbi 50 vjeçarët. Kurse Franca, do ta kthejë “kartën e shëndetit” me të cilën hyn ndër të tjera në bare e restorante, në “kartë vaksinimi”. Kjo do të thotë se pa vaksinim nuk do të kesh mundësi t‘i frekuentosh këto ambjente publike./DW/ KultPlus.com

Qytetarët shprehen të shqetësuar për variantin e ri të Covid-19, bëjnë apel për vaksinim

Në Kosovë ende nuk është konfirmuar ndonjë rast me variantin e ri të Covid-19, ose siç njihet ndryshe Omicron, ndonëse në shumë shtetet po raportohet për dyfishim të numrit të të infektuarve.

Përkundër që ende nuk është regjistruar ndonjë rast me këtë variant në vend, qytetarët shprehen të shqetësuar për përhapjen e tij.

Bekim Brestovci është shprehur se ka marrë shumë informacione sa i përket virusit.

Ai u ka bërë apel të gjithë qytetarëve që të vaksinohen në mënyrë që të mbrojnë veten dhe të tjerët.

“Po kemi dëgjuar natyrisht sepse ka qenë veç në media. Frika është permanente prej që është shfaq edhe Covidi. Natyrisht kemi shumë raste vdekshmërie që kemi pas nga Covid, andaj mendohet që edhe ky nuk do të jetë një virus i cili do të përballohet lehtë dhe do të kaloj pa viktima në njerëz. Apeli im kish me qenë te të gjithë ata që nuk janë të vaksinuar gjer më tani le të vaksinohen kundër Covid-19. Pastaj shohim se çfarë po preferohet edhe kundër virusit të ri, i cili veç e ka marrë përmasën në shumë shtete të Evropës”, shtoi ai.

Beqir Aliu ka kërkuar vaksinim masiv duke shtuar se nëse deri më tani në botë vaksinë e kanë marrë 4 miliardë njerëz, pse nuk duhet që ta marrim edhe ne.

“Na u bënë boll këto far lloje të viruseve. Jo nuk frikohem aspak, vaksinat i kemi marr. Kisha apeluar që të vaksinohen. Të gjithë le të vaksinohen. Për shembull pare ka erdhëm rrugës biseduam, kur janë vaksinuar diku afër 4 miliardë njerëz në botë, kush jem na me gjet kirifekte jo bën jo nuk bën”, tha ai.

Anita Zhegrova, ka kërkuar që vaksinimi të bëhet i obligueshëm për të gjithë pa përjashtim, për shkak të  mundësisë së përhapjes së shpejt të varianti të ri të virusit, raporton EO.

“Po kom dëgjuar, kam dëgjuar që është më i rrezikshëm edhe po shpërndahet shumë ma shpejt se sa variantet që kanë qenë më herët. Kom dëgjuar po unë jam vaksinuar shumë herët, shpresoj që nuk ka njerëz më që dyshojnë te vaksina edhe e bëjnë sa më shpejtë, për arsye se kjo nuk ta fal. Unë e kam pas vet tash një vit domethënë koronën. Kam heq kogja shumë edhe nuk është hajgare domethënë duhesh me e ruajt veten rrethin edhe shoqëri nëse duam me kanë qysh jena kanë ma herët përndryshe është shumë i rrezikshëm”, shtoi ajo.

Rastet e variantit të ri deri më tani janë identifikuar në mesin e udhëtarëve në më shumë se dhjetë vende evropiane, duke përfshirë Danimarkën, Holandën dhe Mbretërinë e Bashkuar. / KultPlus.com

Qeveria e Kosovës: Mbi 500 mijë qytetarë janë vaksinuar me nga dy doza të vaksinës

Deri më sot, me dy doza të vaksinës janë vaksinuar mbi 500 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës.

Kështu kanë njoftuar nga Qeveria e Kosovës teksa thonë se vetëm gjatë muajit shtator janë rezervuar mbi 400 mijë termine për vaksinim.

Njoftimi i plotë:

Deri më sot, me dy doza të vaksinës janë vaksinuar mbi 500 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës.

Kosova, që procesin vaksinimit e ka filluar e fundit në rajon, falë vaksinimit masiv, sidomos gjatë muajve gusht dhe shtator, tani ka lënë prapa katër shtete të Ballkanit Perëndimor, për nga përqindja e banorëve të vaksinuar. Vetëm gjatë muajit shtator janë rezervuar mbi 400 mijë termine për vaksinim.

Për këtë, meritë kanë ekipet e vaksinimit, ekipet menaxhuese, komiteti i imunizimit dhe qytetarët e Republikës që i janë përgjigjur pozitivisht thirrjeve tona dhe të ekspertëve shëndetësorë.

Vaksinimi po vazhdon. Çdo ditë të javës, përfshirë fundjavët. Andaj caktoni terminin tuaj, për veten dhe familjarët tuaj.

Bashkë ia dalim! / KultPlus.com

Gazeta zvicerane shkruan në shqip: Ju lutem vaksinohuni!

Gazeta e njohur zvicerane “Blick” në faqen e saj të parë në gazetën e shtypur shkroi edhe disa fjalë shqip.

Arsyeja është thirrja për vaksinimin e komunitetit shqiptar që jeton në Zvicër, për të cilin po raporton se ndikoi në rritjen e numrit të infeksioneve me COVID-19. “Ju lutem vaksinohuni!”, iu drejtua gazeta shqiptarëve.
Numri i pacientëve të shtrirë në spital në Zvicër është rritur me shpejtësi kohëve të fundit, sipas Patrick Mathys, menaxher i krizave në Zyrën Federale të Shëndetit Publik.

Në një konferencë për media ai ka thënë se numri i pacientëve më koronavirus në spital ishte 30 herë më shumë që nga korriku. Sipas statistikave, të mërkurën mbi 26 përqind e të gjithë shtretërve të kujdesit intensiv ishin zënë nga pacientët me COVID-19, të cilët janë dukshëm më të rinj në moshë krahasuar me valën e parë.
Spitalet janë të shqetësuar sidomos për udhëtarët që po kthehen nga pushimet. Javën e kaluar, zëdhënësi i spitalit të kantonit St. Gallen tha për Blick se shumica e pacientëve nuk janë të vaksinuar dhe janë të kthyer nga pushimet.

Sipas statistikave, më shumë se një e treta e të shtruarve në spital kanë treguar se për pushime kanë qëndruar në një vend të Europës Juglindore në kohën kur e kanë marrë infeksionin, kryesisht në Kosovë ose Maqedoninë e Veriut.

Lars Haefner, kryetar i Shoqatës Zvicër-Shqipëri, nuk është shumë i befasuar për këtë.

“Numri i infeksioneve është shumë më i madh në Kosovë, për shembull. Fatkeqësisht, rregullat e higjienës dhe distancës nuk respektohen rreptësisht atje”, ka thënë ai për Blick.

Gazeta zvicerane duke cituar të dhënat e OBSH-së thotë se në vendet ballkanike përqindja e të vaksinuarve është shumë më e ulët dhe se mungon gatishmëria nga qytetarët.

Sipas Haefner, shqiptarët derisa ishin në pushime nuk lexuan mediat e Zvicrës dhe e patën të vështirë të dinin për procesin e vaksinimit në Zvicër. Ai gjithashtu tha se shtypi shqiptar bën thirrje për vaksinim, por zor që ndihmon në ata të Zvicrës. / KultPlus.com

Vaksinimi i gjithë botës kundër COVID-19 nuk do të ndodhë deri në vitin 2024

Instituti Serumit të Indisë, prodhuesi më i madh i vaksinave në botë, thotë se do të duhet kohë deri në vitin 2024 që e gjithë bota të vaksinohet kundër coronavirusit.

“Realisht për të gjithë botën, për të gjithë në këtë planet – ose të paktën 90 për qind – për ta marrë atë, do të duhet kohë të paktën deri në vitit 2024” tha për CNN-in, Adar Poonawalla, CEO dhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Serumit të Indisë.

Poonawalla tha se disa nga sfidat e marrjes së vaksinave nga pika e hulumtimit dhe miratimit deri tek dërgimi i tyre tek pacientët, përfshijnë rritjen e prodhimit të vaksinave dhe mbledhjen e miliarda dollarëve për të financuar prokurimin e dozave të nevojshme.

Ai tha se administrimi i vaksinave në disa shtete dhe vende komplekse është gjithashtu një sfidë.

Instituti Serum i Indisë po punon me pesë krijues të vaksinave COVID-19 dhe po përgatitet të bëjë qindra miliona doza. Por edhe atëherë, furnizimi me vaksinë do të shkojë kaq larg në një periudhë të shkurtër.

Për shembull, India me një popullsi prej 1.4 miliardë banorësh, do të duhet shumë kohë që të gjithë të vaksinohen kundër virusit./ KultPlus.com