Mbi 16 mijë mësimdhënës dhe 21 mijë infermierë të vaksinuar në Kosovë

Mbi 1.3 milion është numri i dozave të vaksinave anti-COVID që janë administruar në Kosovë, që nga fillimi i fushatës së imunizimit ndaj këtij virusi.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, më së shumti persona që kanë marrë vaksinën anti-COVID-19, janë deklaruar si amvise, ndërkaq në vendin e dytë janë pensionistët.

Të dhënat tregojnë se në Kosovë me të paktën një dozë të vaksinës janë imunizuar 16 mijë e 349 mësimdhënës dhe 21 mijë e 686 infermierë.

Në listën e MSH-së, për të vaksinuarit në bazë të profesionit në dhjetë vendet e para janë: amviset, të pensionuarit, studentët, të papunësuarit, punëtorët, ekonomistët, infermierët, punëtorët e rastit, mësimdhënësit e të tjerë./KultPlus.com

Qeveria e Kosovës: Mbi 500 mijë qytetarë janë vaksinuar me nga dy doza të vaksinës

Deri më sot, me dy doza të vaksinës janë vaksinuar mbi 500 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës.

Kështu kanë njoftuar nga Qeveria e Kosovës teksa thonë se vetëm gjatë muajit shtator janë rezervuar mbi 400 mijë termine për vaksinim.

Njoftimi i plotë:

Deri më sot, me dy doza të vaksinës janë vaksinuar mbi 500 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës.

Kosova, që procesin vaksinimit e ka filluar e fundit në rajon, falë vaksinimit masiv, sidomos gjatë muajve gusht dhe shtator, tani ka lënë prapa katër shtete të Ballkanit Perëndimor, për nga përqindja e banorëve të vaksinuar. Vetëm gjatë muajit shtator janë rezervuar mbi 400 mijë termine për vaksinim.

Për këtë, meritë kanë ekipet e vaksinimit, ekipet menaxhuese, komiteti i imunizimit dhe qytetarët e Republikës që i janë përgjigjur pozitivisht thirrjeve tona dhe të ekspertëve shëndetësorë.

Vaksinimi po vazhdon. Çdo ditë të javës, përfshirë fundjavët. Andaj caktoni terminin tuaj, për veten dhe familjarët tuaj.

Bashkë ia dalim! / KultPlus.com

Javën e ardhshme merret vendimi për dozën e tretë të Pfizer

Vlerësimi do të bëhet në bazë të të dhënave të paraqitura nga kompania farmaceutike dhe rezultati pritet “brenda javëve të ardhshme, përveç nëse kërkohet informacion shtesë”.

Agjencia Evropiane e Barnave ka filluar të vlerësojë aplikimin për përdorimin e një doze përforcuese të vaksinës Comirnaty (Pfizer-BioNTech) që do të administrohet gjashtë muaj pas dozës së dytë te personat e moshës 16 vjeç e lart.

“Dozat përforcuese u jepen njerëzve të vaksinuar (d.m.th. njerëzve që kanë përfunduar vaksinimin parësor) për të rikthyer mbrojtjen pasi të ketë rënë”, shpjegon EMA, transmeton CNN.

Ndër informacionet e siguruara nga Pfizer-BioNTech për shqyrtimin e Komitetit për Mjekimet Njerëzore (CHMP) të EMA-s janë edhe rezultatet e një studimi klinik të vazhdueshëm, në të cilin rreth treqind të rritur me sistem imunitar të shëndetshëm morën një dozë përforcuese rreth gjashtë muaj pas dozës së dytë. / KultPlus.com

Ministria e Shëndetësisë njofton qytetarët: Mund t’i kombinoni vaksinat Astra Zeneca dhe Pfizer

Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate drejtuar mediave ka njoftuar qytetarët se gjatë vaksinimit kundër COVID-19, mund të bëhet edhe kombinimi i vaksinave.

Në komunikatë thuhet se qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin llojin e vaksinës të cilën donë ta marrin.

E zgjedhjet janë Astra Zeneca dhe Pfizer BioNTech. Megjithatë nëse dikush do t’i bëjë kombinim, dozën e parë mund ta marrin Astra Zeneca dhe të dytën Pfizer apo anasjelltas.

Gjatë ditës u raportua se kombinimi i vaksinave në Kosovë nuk lejohet në qendrat vaksinuese.

E Ministria e Shëndetësisë thotë se kushdo që pretendon se diçka e tillë nuk lejohet, është e pavërtetë.

Qëllimi i kombinimit të vaksinave është rritja e imunitetit.

Më poshtë gjeni komunikatën e plotë:

Kombinimi i vaksinave në Kosovë bëhet që kur ka nisur vaksinimi masiv kundër COVID-19

Ministria e Shëndetësisë i informon sërish qytetarët e vendit se ata që vaksinohen kundër COVID-19 kanë të drejtë të zgjedhin llojin e vaksinës të cilën do ta marrin prej dy llojeve të vaksinave të cilat përdoren në Kosovë si Astra Zeneca dhe Pfizer BioNTech.

Gjithashtu, që kur ka filluar vaksinimi i qytetarëve në masë kundër COVID-19 (qershor 2021), qytetarëve u është lejuar, me rekomandim të Komitetit të vaksinimit edhe kombinimi i vaksinave, që do të thotë se dozën e parë mund ta marrin të vaksinës Astra Zeneca dhe të dytën Pfizer dhe anasjelltas.

Deklaratat e kujtdo qoftë se në Kosovë nuk lejohet kombinimi i vaksinave janë të pavërteta.   

Me respekt,

Divizioni i Komunikimit me Publikun-MSh. / KultPlus.com

Arrijnë në Kosovë 38 mijë e 400 doza të vaksinës Anti-COVID

Kanë mbërritur sot në Kosovë 38 mijë e 400 doza të vaksinës Anti-COVID nga COVAX, raporton KultPlus.

Lajmin e kanë bërë të ditur nga programi i UNICEF’it në Kosovë, duke e cilësuar këtë veprim si një hap të rëndësishëm drejt shpërndarjes së barabartë të vaksinave.

Krejt për fund ata bëjnë thirrje tek populli që të vaksinohen.

“Sot, ne kemi bërë një hap tjetër të rëndësishëm drejt shpërndarjes së barabartë të vaksinave! 38,400 doza shtesë të vaksinës kundër #COVID19 sapo mbërritën në Kosovë përmes COVAX. Shpërndarja do të jetë në përputhje me Planin Kombëtar të Vaksinimit të Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.”

Kujtojmë që nga mbërritja e 24,000 dozave të para të vaksinës kundër COVID19 në Mars 2021, Ministria e Shëndetësisë zbatoi Planin Kombëtar të Vaksinimit, ku punonjësve shëndetësor dhe të moshuarve u dha përparësi si grupet e para për tu vaksinuar. / KultPlus.com

Pas vaksinimit 102-vjeçarja në Piana u këndon këngë arbëreshe infermierëve

102 vjeçarja ka udhëtuar nga Hora e Arbëreshëve për të kryer vaksinën anti-COVID. Maria Riolo është gruaja më e moshuar që është vaksinuar sot  në “Fiera del Meriterraneo”.

Në tetor mbushi 102 vjeç dhe këtë javë me shumë dëshirë ka kryer dozën e parë të vaksinës. Shumë e vendosur dhe me buzëqeshje pas injeksionit të vaksinës, Maria Riolo u ka kënduar disa këngë antike arbëreshe mjekësve të qendrës, të njëjtat që i pëlqen të këndojë kur ka dhimbje nyjesh. “Unë kurrë nuk ankohem – tha ajo pas vaksinës -, vaksinën nuk e ndjeva aspak”, tha ajo.

Prej muajsh nuk kishte dalë nga shtëpia dhe marrja e vaksinës Pfizer ishte një mundësi e mirë për të marrë edhe pak ajër.

“Për ne është një ditë e rëndësishme – shpjegon djali saj Vito Ciulla -. Ne pamë që personeli ishte shumë profesional. Për fat të mirë, nëna është mirë me shëndet, dhe vaksina do ta mbrojë më shumë atë.” / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Dy gra në Florida tentuan të marrin dozën e dytë të vaksinës anti-COVID duke u veshur si të moshuara

Dy gra janë kapur në tentim për të marrë dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19, duke u veshur si “plaka”, ka thënë drejtori i Departamentit për Shëndetësi i Floridës

Gratë kishin shkuar në zonën e vaksinimit me kapele, doreza dhe syze duke u përpjekur që të marrin vaksinat, ka thënë Raul Pino. Sipas zyrës së policisë, njëra grua ishte 44-vjeç dhe tjetra 34-vjeç.

Të dyja gratë kishin kartela të vaksinimit për dozën e parë, por iu mohua e dyta për shkak të problemeve që u doli me letërnjoftimet e tyre.

Departamenti ndërkohë ka rritur sigurinë përreth zonës.

Policia i ka thënë CNN-it se zyrtarët shëndetësorë kishin vërejtur se data e lindjes së tyre nuk përputhej me ato që kishin regjistruar për të marrë vaksinat, edhe pse emrat po.

Aktualisht, Florida po prioritizon të rriturit e moshës 65-vjeç dhe më të vjetër. /Koha/ KultPlus.com