Ndryshojnë lokacionet e vaksinimit nëpër komuna, në Prishtinë vaksinimi nuk do të kryhet më në sallën ‘1 Tetori’

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar qytetarët se pothuajse në të gjitha komunat ka përfunduar plani i zhvendosjes së qendrave të vaksinimit nga qendrat e mëhershme në hapësira (kryesisht) të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare, QMF, apo hapësira adekuate të cilat janë përcaktuar si më të përshtatshme për vijimin e vaksinimit nga komunat.

“Sa i përket komunës së Prishtinës, siç është njoftuar edhe ditëve të kaluara, nga sot ekipet e vaksinimit që kanë vaksinuar në sallën “1 Tetori” do të vaksinojnë qytetarë në Qendrën e Mjekësisë Familjare nr. 7 në lagjen Kalabria në Prishtinë (ish-Emshir).

Me kalimin e ekipeve të vaksinimit për Prishtinën në këtë qendër, salla “1 Tetori” do t’i kthehet veprimtarisë së vet primare”, thuhet në njoftim.

MSh ka lutur qytetarët e komunës së Prishtinës që si për vaksinimin kundër COVID-19, ashtu edhe për vaksinimin kundër Gripit sezonal, të shkojnë në QMF nr. 7 në lagjen Kalabria.

“Në komunat e tjera, lokacionet e vaksinimit i gjeni të bashkëngjitura në linkun në vijim, ku lista e lokacioneve mund të pësojë ndryshime, me që disa komuna janë në zhvendosje e sipër të qendrave të vaksinimit në hapësirat e reja”, thuhet në njoftim.

Vaksinimi mund të bëhet në cilëndo qendër të vaksinimit, të listuara më poshtë, pa termin të caktuar paraprakisht, pavarësisht vendbanimit e shtetësisë, për të gjithë qytetarët nga mosha 12 vjeç e lart.

Lokacionet e vaksinimit në komunën tuaj mund ti gjeni KËTU

Pfizer dhe BioNTech: Doza e tretë, efektive për ta luftuar Omicronin

Kompanitë Pfizer dhe BioNTech kanë thënë se rritja e vaksinimit me vaksinën kundër koronavirusit premton se do të ketë efekt në mbrojtjen efektive nga varianti Omicron.

Sipas tyre doza e tretë siguron nivel të ngjashëm të antitrupave kundër Omicronit, sikurse dy dozat për variantet tjera, raporton BBC.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, paraprakisht ka thënë se vaksinat janë të efektshme kundër rasteve më të rënda me Omicron.

Hulumtimet anembanë botës janë duke mbledhur të dhëna rreth këtij varianti./KultPlus.com

Nga nesër, qytetarët duhet të paraqesin dëshminë e vaksinës për të përdorur transportin publik dhe privat

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi prezantoi sot masat e reja Anti-COVID.

Latifi me këtë rast bëri të ditur se qytetarët duhet të paraqesin dëshminë se janë të vaksinuar, apo testin negativ të COVID-19 nëse duan të shfrytëzojnë transportin publik dhe privat.

Këto dëshmi, do të vazhdojnë të kërkohen edhe në gastronomi e qendra tregtare.

“Për të evituar mbingarkesën spitalore, mbylljen e shkollave dhe të ekonomisë, punonjësve të institucionet publike dhe private, udhëtarët që shërbehen me transport publik dhe privat, nxënësit dhe studentët, shfrytëzuesit e qendrave tregtare dhe gastronomisë, do t’u kërkohen dëshmitë si vaksinimi i plotë dhe i pjesshëm, bashkë me të rezultatin negativ të PCR”, ka thënë ai.

Mbajtja e maskës do të vazhdojë të mbetet obligative, ndërsa kufizimi i qarkullimit vazhdon të jetë nga ora 00:00 deri në ora 5 të mëngjesit. Me përjashtim të rasteve të caktuara./KultPlus.com

Qeveria e Kosovës: Mbi 500 mijë qytetarë janë vaksinuar me nga dy doza të vaksinës

Deri më sot, me dy doza të vaksinës janë vaksinuar mbi 500 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës.

Kështu kanë njoftuar nga Qeveria e Kosovës teksa thonë se vetëm gjatë muajit shtator janë rezervuar mbi 400 mijë termine për vaksinim.

Njoftimi i plotë:

Deri më sot, me dy doza të vaksinës janë vaksinuar mbi 500 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës.

Kosova, që procesin vaksinimit e ka filluar e fundit në rajon, falë vaksinimit masiv, sidomos gjatë muajve gusht dhe shtator, tani ka lënë prapa katër shtete të Ballkanit Perëndimor, për nga përqindja e banorëve të vaksinuar. Vetëm gjatë muajit shtator janë rezervuar mbi 400 mijë termine për vaksinim.

Për këtë, meritë kanë ekipet e vaksinimit, ekipet menaxhuese, komiteti i imunizimit dhe qytetarët e Republikës që i janë përgjigjur pozitivisht thirrjeve tona dhe të ekspertëve shëndetësorë.

Vaksinimi po vazhdon. Çdo ditë të javës, përfshirë fundjavët. Andaj caktoni terminin tuaj, për veten dhe familjarët tuaj.

Bashkë ia dalim! / KultPlus.com

Zbuluesja e vaksinës: S’ka nevojë të gjithë ta marrin dozën e tretë, dërgojini ku ka nevojë

Doza e tretë e vaksinës kundër Covid-19 nuk është e nevojshme për të gjithë njerëzit, thotë shkencëtarja prapa zbulimit të vaksinës së Oksfordit, duke bërë thirrje që dozat t’u dhurohen shteteve që kanë nevojë.

Profesoresha Dame Sarah Gilbert i tha gazetës “Daily Telegraph” se disa grupe të ndjeshme do të kenë nevojë për dozën përforcuese, por se imuniteti është duke zgjatur mirë në shumicën e rasteve.

“Duhet të dërgojmë vaksina në shtetet ku deri më tani është vaksinuar një pjesë e vogël e popullsisë”, tha ajo.

Organi këshillëdhënës për vaksina i Mbretërisë së Bashkuar pritet që së shpejti të dalë me këshillën përfundimtare rreth dozës së tretë, shkruan BBC.

Komisioni i Përbashkët për Vaksinim dhe Imunizim tashmë ka thënë se doza e tretë do t’iu ofrohet personave me sistem të dobësuar imunitar. Në këtë grup bëjnë pjesë rreth 500.000 britanikë./KultPlus.com

Javën e ardhshme merret vendimi për dozën e tretë të Pfizer

Vlerësimi do të bëhet në bazë të të dhënave të paraqitura nga kompania farmaceutike dhe rezultati pritet “brenda javëve të ardhshme, përveç nëse kërkohet informacion shtesë”.

Agjencia Evropiane e Barnave ka filluar të vlerësojë aplikimin për përdorimin e një doze përforcuese të vaksinës Comirnaty (Pfizer-BioNTech) që do të administrohet gjashtë muaj pas dozës së dytë te personat e moshës 16 vjeç e lart.

“Dozat përforcuese u jepen njerëzve të vaksinuar (d.m.th. njerëzve që kanë përfunduar vaksinimin parësor) për të rikthyer mbrojtjen pasi të ketë rënë”, shpjegon EMA, transmeton CNN.

Ndër informacionet e siguruara nga Pfizer-BioNTech për shqyrtimin e Komitetit për Mjekimet Njerëzore (CHMP) të EMA-s janë edhe rezultatet e një studimi klinik të vazhdueshëm, në të cilin rreth treqind të rritur me sistem imunitar të shëndetshëm morën një dozë përforcuese rreth gjashtë muaj pas dozës së dytë. / KultPlus.com

Reuters raporton për 133 mijë vaksinat e skaduara në Kosovë

Agjencia prestigjioze e lajmeve Reuters, ka raportuar për vaksinat e skaduara në Kosovë.

Sipas kësaj agjencie, Qeveria e Kosovës ka vendosur të shkatërrojë 133 mijë vaksina AstraZeneca, kundër COVID-19, pas datës së skadimit të tyre, pasi vendi po përballet me një rritje të ashpër të shkallës së vdekjeve nga koronavirusi.

“Vaksinat që do të shkatërrohen ishin pjesë e një donacioni nga Norvegjia, ku data e skadimit ishte 31 gushti”, shkruan Reuters.

Kjo media shkruan se vendimi për shkatërrimin e vaksinave shkaktoi shumë kritika, ku disa njerëz edhe kërkuan dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë.

“Mosgatishmëria për të marrë vaksina, vështirësitë teknike gjatë përpjekjes për të bërë një termin në internet dhe propaganda për dëmet nga vaksinat e kishin vënë Kosovën ndër vendet me normat më të ulëta të vaksinimit në Evropë, me 15.7%”, shkruan kjo agjenci.

“Në shtatë ditët e kaluara 157 njerëz vdiqën në Kosovë nga infeksioni koronavirus, dhe më shumë se 12 mijë raste të reja u regjistruan në mesin e 1.8 milion qyetaarëve të këtij vendi”.

“Rastet e reja i atribuoheshin tubimeve të tilla si dasmat dhe heqja e plotë e kufizimeve. Duke filluar nga kjo javë, janë vendosur kufizime të reja, përfshirë orë policore nga ora 22:00. deri në 5 të mëngjesit”, ka shtuar Reuters.

Kjo agjenci në këtë artikull ka shkruar edhe për mërgimtarët për të cilët ka thënë: “Mijëra kosovarë që jetojnë jashtë vendit, kryesisht në Gjermani dhe Zvicër, të cilët kanë kaluar pushimet në Kosovë gjatë verës janë raportuar si raste pozitive kur janë kthyer në vendet e Evropës Perëndimore”.

“Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia tha se shumë njerëz refuzuan të marrin vaksinën AstraZeneca pas “dezinformatave” se vaksinat tashmë kanë skaduar, gjë që i bëri njerëzit të qëndrojnë larg tyre”, ka shtuar kjo agjenci.

“Në Kosovë njerëzit mund të zgjedhin midis vaksinave AstraZeneca dhe Pfizer/BionTech. Por për shkak të disa raporteve mbi vaksinat AstraZeneca, njerëzit kryesisht kanë zgjedhur Pfizer/BionTech (PFE.N), (22UAy.DE)”.

“Vitia tha se në ditët në vijim Kosova do të marrë 500 mijë vaksina Pfizer/BionTech nga Shtetet e Bashkuara, dhe 250 mijë vaksina AstraZeneca nga Gjermania dhe Italia si donacione”, përfundon shkrimi në Reuters./KultPlus.com