Certifikata digjitale e vaksinimit kundër COVID-19 e Kosovës funksionale në vendet e Bashkimit Evropian

Pas njoftimit ditë më parë nga Sekretariati i EU digital Certificate i Komisionit Evropian se është konfirmuar pranueshmëria –vendimi mbi ekuivalencën e certifikatës digjitale të vaksinës kundër COVID-19, e lëshuar nga Kosova në EU digital certificate, me qëllim lehtësimin e së drejtës së lëvizjes së lirë brenda shteteve të Bashkimit Evropian, Ministria e Shëndetësisë është informuar se certifikata është funksionale për përdorim në shtetet e BE-së.

Në mënyrë që qytetarët të mos kenë asnjë problem rreth përdorimit të saj, çdo qytetar i vaksinuar me vaksinën kundër COVID-19 duhet të hyjë në platformën e-kosova dhe ta shkarkoj përsëri certifikatën.

Çdo certifikatë e shkarkuar pas datës 11 korrik 2022 është funksionale për të gjitha vaksinat dhe e lexueshme në pikat hyrëse dhe kontrolluese brenda shteteve të Bashkimit Evropian. / KultPlus.com

Ministria e Shëndetësisë me apel për qytetarët

Ministria e Shëndetësisë ka apeluar sot te qytetarët që të marrin dozën e tretë të vaksinës anti-Covid.

Nga Ministria kanë njoftuar se vaksinimi kundër COVID-19 vazhdon të kryhet në njësitë e vaksinimit në kuadër të Kujdesit Parësor Shëndetësor nëpër komunat e Kosovës.

Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen pa hezitim.

Postimi i plotë i Ministrisë:

Ministria e Shëndetësisë ka aprovuar ditë më parë dhënien e dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 edhe për grup-moshën 12 + vjeçare, për personat të cilët kanë marrë dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19 së paku pesë muaj më parë.

Vaksinimi kundër COVID-19 vazhdon të kryhet në njësitë e vaksinimit në kuadër të Kujdesit Parësor Shëndetësor nëpër komunat e Kosovës.

Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen pa hezitim.

Vaksinimi është dëshmuar të jetë mënyra më e mirë dhe më efikase për të parandaluar infeksionin nga COVID-19, format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet nga COVID-19. / KultPlus.com

ShBA autorizon dhënien e dozës së katërt të vaksinës kundër Covid-19

Rregullatorët amerikanë kanë autorizuar dhënien e dozës së dytë përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit, të prodhuar nga Pfizer/BioNTech, për personat mbi moshën 50-vjeçare dhe për ata me sistem të dobët imunitar.

Doza përforcuese – e cila përbën rundin e katërt të vaksinës – do të mund të jepet rreth katër muaj pas marrjes së dozës së tretë, dhe besohet se ofron më shumë mbrojtje kundër shtrirjes në spital.

Ky autorizim vjen teksa disa shkencëtarë kanë thënë se janë të shqetësuar për një nën-variant të Omicronit, i cili ka rezultuar me rritje të rasteve të infektimit në disa shtete.

Numri i të infektuarve me koronavirus ka rënë ndjeshëm në Shtetet e Bashkuara prej pikut të janarit, mirëpo në javët e fundit është vërejtur sërish një rritje, sipas Qendrave për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

William Schaffner, profesor i Mjekësisë në Divizionin e Sëmundjeve Infektive në Qendrën Mjekësore Universitare Vanderbilt në SHBA.

“Teksa autorizimi për përdorim urgjent do të ndihmojë disa njerëz, ne jemi duke punuar për të zhvilluar një vaksinë tjetër që, jo vetëm se mbron kundër varianteve aktuale të koronavirusit, por edhe ofron përgjigje më afatgjatë”, ka thënë shefi i kompanisë Pfizer, Albert Bourla.

Shkencëtarët kanë debatuar tash e një kohë nëse të rinjtë dhe personat e shëndetshëm kanë nevojë për dozë të katërt të vaksinës.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka thënë se Qeveria ka doza të mjaftueshme për të mbuluar kërkesën për një tjetër rund vaksinash kundër këtij virusi për personat më të cenueshëm./REL/ KultPlus.com

OBSH: Ulje e ndjeshme e rasteve të reja dhe viktimave nga koronavirusi

Numri global i rasteve të reja me Covid-19 u ul mesatarisht me 21% ndërsa ai i vdekjeve me 8% gjatë datës 14-20 shkurt, krahasuar me një javë më parë, shkruhet në raportin e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në nivel rajonal, vetëm rajoni i Paqësorit Perëndimor raportoi një rritje të lehtë të rasteve të reja, gjatë javës së fundit, ndërsa të gjitha rajonet e tjera raportuan ulje.

Rënia më e madhe e infektimeve të reja nga koronavirusi u regjistrua në rajonin e Mesdheut Lindor me 34% e ndjekur nga Amerika dhe Europa.

Përsa i përket fataliteteve, sërish më shumë vdekje nga Covid-19 u regjistruan në Paqësorin Perëndimor dhe Afrikë, ndërsa në Azinë Juglindore u ulën me 37%, në Amerikë me 9%, Europë me 5% dhe Mesdheun lindor me 4%./ KultPlus.com

Qytetarët shprehen të shqetësuar për variantin e ri të Covid-19, bëjnë apel për vaksinim

Në Kosovë ende nuk është konfirmuar ndonjë rast me variantin e ri të Covid-19, ose siç njihet ndryshe Omicron, ndonëse në shumë shtetet po raportohet për dyfishim të numrit të të infektuarve.

Përkundër që ende nuk është regjistruar ndonjë rast me këtë variant në vend, qytetarët shprehen të shqetësuar për përhapjen e tij.

Bekim Brestovci është shprehur se ka marrë shumë informacione sa i përket virusit.

Ai u ka bërë apel të gjithë qytetarëve që të vaksinohen në mënyrë që të mbrojnë veten dhe të tjerët.

“Po kemi dëgjuar natyrisht sepse ka qenë veç në media. Frika është permanente prej që është shfaq edhe Covidi. Natyrisht kemi shumë raste vdekshmërie që kemi pas nga Covid, andaj mendohet që edhe ky nuk do të jetë një virus i cili do të përballohet lehtë dhe do të kaloj pa viktima në njerëz. Apeli im kish me qenë te të gjithë ata që nuk janë të vaksinuar gjer më tani le të vaksinohen kundër Covid-19. Pastaj shohim se çfarë po preferohet edhe kundër virusit të ri, i cili veç e ka marrë përmasën në shumë shtete të Evropës”, shtoi ai.

Beqir Aliu ka kërkuar vaksinim masiv duke shtuar se nëse deri më tani në botë vaksinë e kanë marrë 4 miliardë njerëz, pse nuk duhet që ta marrim edhe ne.

“Na u bënë boll këto far lloje të viruseve. Jo nuk frikohem aspak, vaksinat i kemi marr. Kisha apeluar që të vaksinohen. Të gjithë le të vaksinohen. Për shembull pare ka erdhëm rrugës biseduam, kur janë vaksinuar diku afër 4 miliardë njerëz në botë, kush jem na me gjet kirifekte jo bën jo nuk bën”, tha ai.

Anita Zhegrova, ka kërkuar që vaksinimi të bëhet i obligueshëm për të gjithë pa përjashtim, për shkak të  mundësisë së përhapjes së shpejt të varianti të ri të virusit, raporton EO.

“Po kom dëgjuar, kam dëgjuar që është më i rrezikshëm edhe po shpërndahet shumë ma shpejt se sa variantet që kanë qenë më herët. Kom dëgjuar po unë jam vaksinuar shumë herët, shpresoj që nuk ka njerëz më që dyshojnë te vaksina edhe e bëjnë sa më shpejtë, për arsye se kjo nuk ta fal. Unë e kam pas vet tash një vit domethënë koronën. Kam heq kogja shumë edhe nuk është hajgare domethënë duhesh me e ruajt veten rrethin edhe shoqëri nëse duam me kanë qysh jena kanë ma herët përndryshe është shumë i rrezikshëm”, shtoi ajo.

Rastet e variantit të ri deri më tani janë identifikuar në mesin e udhëtarëve në më shumë se dhjetë vende evropiane, duke përfshirë Danimarkën, Holandën dhe Mbretërinë e Bashkuar. / KultPlus.com

Doza e tretë e Pfizer, 95.6% efektivitet kundër Covid-19

Doza përforcuese e vaksinës së Pfizer, është 95.6% efektive në parandalimin e Covid-19. Në këtë përfundim kanë arritur studimet e zhvilluara në dy laboratorë nga kompanitë Pfizer dhe Biontexh, testuar tek 10 mijë njerëz mbi moshën 16 vjeçare. Vaksina iu dha si dozë e tretë, njerëzve që kishin kompletuar regjimin prej dy dozash. Sipas kompanive, doza kishte rikthyer mbrojtjen kundër sëmundjes në nivelet e 95.6 për qind, krahasuar me ata që nuk e kishin marrë dozën përforcuese.

Kompanitë thonë se kanë në plan t’ia dorëzojnë informacionet FDA-së amerikane, Agjencisë Europiane të Barnave dhe rregullatorëve të tjerë. Mosha mesatare e pjesëmarrësve në studim ishte 53 vjeç. Një sërë shtetesh kanë nisur tashmë aplikimin e dozës së tretë për të forcuar imunitetin që sipas të dhënave bie me kalimin e muajve. Në SHBA doza përforcuese po jepet për grupmoshën mbi 65 vjeçare dhe persona të tjerë të rrezikuar, ndërsa ne Izrael po aplikohet tek e gjithë popullsia mbi 12 vjeç./KultPlus.com

COVID-19 ka zvogëluar me 1,3 vjet jetëgjatësinë e britanikëve

Pandemia e COVID-19 ka zvogëluar jetëgjatësinë e britanikëve, sipas raportit të fundit nga Paneli i Shkencës së Jetëgjatësisë.

Efektet më të rënda u regjistruan në grupet më të cenueshme, ku pabarazitë janë zgjeruar.

Raporti i ri “Pandemia COVID-19” nxjerr në pah një fakt të rëndësishëm: jetëgjatësia në lindje është ulur me 1,3 vjet për burrat dhe 0,9 vjet për gratë në vitin 2020, për shkak të pandemisë.

Sipas raportit, pandemia ka kushtuar rreth 155 000 jetë në Britaninë e Madhe dhe më shumë se 4,5 milionë jetë në nivel global.

Ndikimi i saj ka qenë i thellë: të dhënat sugjerojnë se rreth 76 për qind e vdekjeve të përgjithshme nga COVID-19 ndodhën në 5 për qind të popullsisë më të rrezikuar.

Këta faktorë rreziku janë të ndryshëm dhe variojnë nga sëmundjet e zemrës tek obeziteti.

Deri tani më i rëndësishmi nga këta faktorë është mosha, me një rrezik vdekjeje që rritet me rreth 10 për qind për çdo vit të moshës.

Për më tepër, raporti tregon se nivelet e vdekjeve nga COVID-19 në BM priren të jenë më të larta në zonat e pafavorizuara socio-ekonomike dhe të ndryshojnë sipas rajoneve, me norma më të larta të vërejtura në veri.

Zonat me shkallë më të lartë të privimit material, gjithashtu, përjetuan përgjithësisht nivele më të larta të vdekshmërisë, pjesërisht për shkak të kushteve të jetesës, mbipopullimit dhe cilësisë së dobët të banimit.

Kjo është edhe për faktin se punëtorët në grupet më të ulëta socio -ekonomike, me paga më të ulëta dhe që banojnë në zonat më të pafavorizuara të vendit, zakonisht janë më pak të aftë të menaxhojnë kushtet e tyre të punës, siç është pamundësia për të punuar në distancë.

Sipas të dhënave, shkalla e vdekshmërisë për burrat në profesionet profesionale, për shembull, ishte 12 për 100 000 banorë, ndërsa për burrat në profesione elementare shkalla ishte 40 për 100 000 banorë. /atsh/KultPlus.com

Nga shtatori, Gjermania lejon dozë përforcuese të vaksinës kundër COVID-19

Mjekëve gjithashtu do t’iu lejohet të injektojnë një dozë përforcuese për njerëzit me sistem imunitar të dobësuar.

Nga muaji shtator Gjermania do të ofrojë dozë shtesë të vaksinës kundër COVID-19 tha Ministria e Shëndetësisë të hënën (2 gusht), pas shqetësimeve që ka shkaktuar përhapja e variantit Delta të koronavirusit.

Ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë, Jens Spahn dhe 16 ministrat e landeve u pajtuan se të moshuarit që janë në rrezik nga infektimi do të mund të marrin një dozë përforcuese të vaksinës, përcjell Albinfo.ch.

Zyrtarët e morën vendimin në bazë të informacioneve për një “rënie të shpejtë të përgjigjes imunitare ndaj sëmundjes” te disa grupe njerëzish, raporton ReL.

Ministria tha se ekipet e vaksinimit duhet të dërgohen në shtëpitë e kujdesit dhe pleqve për të ofruar dozë përforcuese Pfizer/BioNTech ose Moderna, pavarësisht se me cilën vaksinë janë imunizuar fillimisht banorët e këtyre qendrave.

Një dozë përforcuese do t’i ofrohet gjithashtu kujtdo që ka marrë vaksinat me dy doza AstraZeneca ose një dozë të vetme Johnson & Johnson, thuhet në dokumentin e lëshuar nga ministria.

Zyrtarët e lartë të Shëndetësisë në Gjermani ranë dakord të hënën për të inkurajuar vaksinimin midis adoleshentëve nga 12-17 vjeç.

Ministrat theksuan se imunizimi është vullnetar, por thanë se vaksinimi i fëmijëve dhe adoleshentëve mund të “kontribuojë ndjeshëm në një kthim të sigurt në shkolla pas pushimeve verore”.

Edhe pse në krahasim me vendet fqinje, Gjermania aktualisht po shënon nivele relativisht të ulëta të rasteve të reja me COVID-19, numri është rritur shumë javët e fundit kryesisht për shkak të variantit më ngjitës Delta./albinfo.ch/KultPlus.com

Ky është shteti i parë në Evropë që s’do të paguajë punonjësit në rast se nuk vaksinohen

Të gjithë punonjësit e shëndetësisë në Francë duhet të jenë të vaksinuar kundër Covid deri në shtator, ose ndryshe rrezikojnë të mos paguhen. Presidenti Emmanuel Macron ka thënë gjithashtu se që nga muaji tjetër, do të duhet të shfaqen lejet e shëndetit për të hyrë në vende si dyqane, bare, kinema dhe udhëtime me tren në distanca të gjata në Francë.

“Unë jam i vetëdijshëm për atë që po kërkoj nga ju dhe e di që ju jeni gati për këtë angazhim, kjo është pjesë, në një farë mënyre, e ndjenjës tuaj të detyrës,” tha presidenti në një fjalim televiziv të hënën. Vaksinat e detyrueshme do të aplikohen për këdo që bie në kontakt me njerëz të pambrojtur dhe prandaj vlen për të gjithë ata që punojnë në spitale, klinika dhe institucione kujdesi, pavarësisht nga roli i tyre.

Lejet e shëndetit në Francë, janë përdorur tashmë për të hyrë në disa vende, të tilla si klube nate të cilat u rihapën për herë të parë në fundjavë. Sidoqoftë ato do të zgjerohen për të përfshirë më shumë vende duke përfshirë festivale, teatro dhe spitale nga 21 korriku, dhe do të zbatohen për çdo njeri mbi 12 vjeç.

Rastet po rriten në Francë, me variantin Delta që shkakton një rritje të shtrimeve në spital. Të premten, një panel shkencëtarësh që këshillojnë qeverinë franceze për çështjet shëndetësore paralajmëruan për një valë të katërt në muajt e ardhshëm dhe thanë se deri në 95% të njerëzve mund të kenë nevojë të vaksinohen për të kontrolluar përhapjen./ KultPlus.com

Ky vend raporton viktimën e parë nga COVID-19 për vitin 2021

Australia raportoi viktimën e parë nga koronavirusi për këtë vit. Gjithashtu dhe numrin më të lartë të rasteve të reja për vitin 2021, 77 të tillë në Uellsin e Ri Jugor, që po përballet me një valë të re përhapjeje të nxitur nga varianti Delta.

Autoritetet paralajmërojnë se shifrat pritet të rriten ndjeshëm në qytetin më të madh të Australisë, Sidnej, që aktualisht ndodhet në një izolim të ashpër.

Duke marrë shkas nga kjo përhapje, masat kufizuese pritet të mbesin në fuqi për më shumë kohë nga sa ishte parashikuar.

Australia raporton 52 persona të shtruar në spitale, 15 pacientë janë në terapi intensive, ku 5 prej tyre kanë nevojë për ventilator. Viktima e parë e këtij shteti, që prej dhjetorit të kaluar, ishte një e moshuar 90-vjeçare. / Gazeta Express / KultPlus.com

Ministria e Shëndetësisë me një njoftim të rëndësishëm për qytetarët që do vaksinohen

Procesi i vaksinimit të personave mbi moshën 65 vjeçare do të vazhdojë gjatë vikendit, por do të vaksinohen vetëm ata që do të thirren nga Ministria e Shëndetësisë, përcjell KultPlus.

Kjo ministri ka njoftuar se vaksinimi për komunën e Prishtinës do të vazhdojë në sallën “1 Tetori”, derisa në komunat e tjera të vendit do të bëhet në lokacionet e caktuara nga Drejtoritë Komunale për Shëndetësi.

Në qendrën e vaksinimit në Prishtinë – salla “1 Tetori” do të vaksinohen qytetarët të cilët sot gjatë ditës janë kontaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, sipas aplikimit të tyre në platformën e vaksinimit kundër COVID-19 e-Kosova dhe sipas terminit të caktuar.

Vaksinimi në komuna gjatë dy ditëve të ardhshme do të bëhet sipas ftesave të marra dhe termineve të caktuara për qytetarët nga njësitë e vaksinimit sipas listave në dispozicion të krijuara nga ana e tyre dhe përmes platformës e-kosova.

Vaksinimi do të bëhet vetëm për qytetarët që pranojnë thirrjen dhe japin konfirmimin për marrjen e vaksinës në qendrën e vaksinimit në komunat e tyre.

Ministria e Shëndetësisë bën të ditur gjithashtu se gjatë ditës së sotme deri në ora 17:00 me vaksinën kundër COVID-19 janë vaksinuar rreth 3100 qytetarë të Kosovës.

Kjo ministri ka njoftuar se gjatë këtij muaji dhe në fillim të muajit që vjen pritet ardhja edhe e kontigjenteve tjera të vaksinave.

Më poshtë është lista e qendrave aktuale të vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë.

/ KultPlus.com

Dhjetëra alpinistë evakuohen nga Everesti për shkak të shpërthimit të Covid-19

Shpërthimi Covid-19 në kampin bazë të malit Everest ka bërë që dhjetëra alpinistë të evakuohen nga kampi. Kjo vjen pas zbulimit të rastit të parë  të virusit në kamp.

Situata me sa duket është përkeqësuar, pasi njoftohet se ka mbi 30 alpinistë të cilët janë detyruar të evakuohen me helikopter.

Një alpinist britanik i cili u dërgua  në një spital të Kathmandu ku edhe rezultoi pozitiv për Covid-19, ka thënë se  masat e distancimit fizik nuk po zbatoheshin siç duhet në mal.

Ekspedita e planifikuar të zgjaste për dy muaj, u ndërpre kur Steve Harris u diagnostikua me Edemë Pulmonare në Lartë, një formë fatale e  sëmundjes.

“Unë fillimisht u diagnostikova me HAPE në kamp dhe u dërgova më pas në Namche Pazar për t’u shëruar.’’

“Unë nuk u pyeta  dhe as nuk mu ofrua të bëja një test për Covid-19. Pas katër ditësh në Namche, unë u dërgova  me helikopter në spital në Kathmandu ku u testova dhe u konfirmova pozitiv për Covid-19 dhe pneumoni dhe kalova një javë në kujdes intensiv,’’ tha ai për DailyMail.

“Tashmë  kam dal nga spitali, por jam ende duke  qëndruar i izoluar në një hotel pasi  jam akoma pozitiv për Covid-19,” tha Steve.

Ai shtoi se para evakuimit  kishte  fjalë se  Covid-19 ishte përhapur  në kamp, por asgjë nuk ishte konfirmuar./ KultPlus.com

Mijëra persona marrin pjesë në festivalin e muzikës në Wuhan, qytetin e origjinës së Covid-19

Mijëra njerëz morën pjesë në ditën e parë të Festivalit të Muzikës “Wuhan Strawberry” të shtunën, më 1 maj.

Vitin e kaluar ky festival në Wuhan u detyrua të mbahej  në internet për shkak të kufizimeve të Covid-19.

Një nga organizatorët i tha Reuters se numrat ishin të kufizuar këtë vit, duke shtuar se rreth 11,000 persona morën pjesë në ditën e parë të festivalit.

Njerëzit në Wuhan, ku u shfaq për herë të parë Covid-19, jetuan përmes më shumë se dy muaj kufizimesh të rrepta gjatë bllokimit të parë të shkaktuar nga koronavirusi në botë.

Që nga ajo kohë, qyteti ka qenë pothuajse plotësisht pa virus, sipas të dhënave zyrtare.

“Vitin e kaluar ne në Wuhan vuajtëm nga koronavirusi,” tha studenti 23-vjeçar dhe banor i Wuhan,

“Nuk ka qenë e lehtë për të arritur këtu ku jemi sot. Njerëzit këtu kanë bërë përpjekje të mëdha dhe kanë paguar një çmim të madh. Kështu që ndihem shumë i ngazëllyer që jam këtu në festival,” Tha Gao.

Ngjarja dy-ditore bashkon këngëtarë dhe grupe të njohur dhe jo shumë  të njohur vendas nëpër tre faza në parkun Garden Expo të Wuhan.

Ngjarjet e “Strawberry Music Festival” po mbahen në qytete të tjera, përfshirë Pekinin, gjatë festës kombëtare. Të pranishmit erdhën në Wuhan nga i gjithë vendi, si 29-vjeçari Zhang Hongkai, nga Shijiazhuang në provincën Hebei.

“Kjo është hera ime e parë në një ngjarje si kjo që mbahet jashtë,” tha Zhang. “Më pëlqen shumë atmosfera”.

Kina kontinentale raportoi 16 raste të reja Covid-19 të premten, tha autoriteti kombëtar shëndetësor i vendit.

Të gjitha rastet e reja ishin infeksione të importuara me origjinë jashtë shtetit, tha Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në një deklaratë.

Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara Covid-19 në territorin e Kinës tani është 90,671, ndërsa numri i të vdekurve mbetet i pandryshuar në 4,636, shumë prej të cilëve ishin banorë të Wuhan.

Kina kreu rreth 11.6 milion vaksina kundër Covid-19 të premten, më 30 prill  duke e çuar numrin e përgjithshëm të administruar në më shumë se 265 milion, sipas të dhënave të lëshuara nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë të Shtunën./ KultPlus.com

Me masat e reja – ky është vendimi për dasmat

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për masat e reja anti-Covid në të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas vendimit të ri të Qeverisë, mbajtja e dasmave dhe e të pameve për të vdekurit ndalohet pavarësisht numrit të pjesëmarrësve.

Në anën tjetër, lejohet mbledhja me më pak se 30 persona në mbledhje të ndryshe, seminare, trajnim etj…

Lejohen të grumbullohen më shumë se 30 persona vetëm në rast të mbledhjes së Qeverisë, mbledhjeve të Kuvendit dhe mbledhjeve me interes të vecantë publik.

Ky është vendimi i Qeverisë lidhur me dasmat dhe funeralet:

  1. Ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 30 persona (mbledhjet, seminaret, trajnimet). Pavarësisht numrit të personave, mbajtja e pritjes për ngushëllim/krye shëndoshë dhe organizimi i dasmave ndalohet.
  2. Përjashtim nga pika 18, bëjnë mbledhjet e Kuvendit të Kosovës, mbledhjet e Qeverisë, apo mbledhjet me interes të veçantë publik, të cilat lejohen pavarësisht numrit të personave.
  3. Lejohen funeralet vetëm me pjesëmarrje të familjes së ngushtë, jo më shumë se 30 persona./ KultPlus.com

Qeveria e Kosovës vendos masat e reja anti-Covid-19

Qeveria e Kosovës mori vendim për masat e reja anti-Covid 19.

Sipas vendimit, kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë të jetë nga ora 22:30 deri në 05:00.

Gastronomia do të lejohet të punojë deri në orën 22:00 ndërkaq shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:30, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK).

Po ashtu, institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit vazhdojnë mësimin sipas udhëzuesit përkatës për sektorin e arsimit.

Konviktet lejohet të punojnë sipas rregullit një student në një dhomë.

Të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu lejohet ta vazhdojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të rregullt duke respektuar masat për parandalimin  e përhapjes së pandemisë.

Ndërkaq, përjashtim nga kufizimi i lëvizjes, bëjnë:

Rastet e natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi).

Qarkullimit për personelin shëndetësor, të sigurisë, dhe operatorët që kryejnë punë dhe shërbime publike.

Operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës.

Masat e reja anti-COVID do futen në fuqi nga e hëna me 19 prill./ KultPlus.com

Gruaja 104-vjeçare rumune, më e vjetra e vaksinuar në Bukuresht

Zoea Baltag, 104-vjeçe, mori dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19 Pfizer, duke u bërë personi më i vjetër në kryeqytetin rumun, Bukuresht, që është vaksinuar plotësisht.

E shoqëruar nga anëtarët e familjes, Zoea Baltag, e lindur në vitin 1916 në Pallatin e Fëmijëve në Bukuresht, mirëpriti marrjen e dozës së dytë të vaksinës dhe vuri në dukje se kjo ishte mënyra e vetme për të luftuar COVID-19, raporton AP.

“Vaksina është mënyra e vetme për të hequr qafe këtë virus. Me të vërtetë më ka marrë malli për stërnipin tim, dua ta shoh të rritet. Nuk mund të isha me nipërit e mbesat e mia, sepse isha e izoluar deri më tani në mënyrë që të mos i rrezikoja që të infektohen me virusin. Të gjithë në familje tani janë vaksinuar dhe tani mund të kalojmë pushimet së bashku,” tha ajo./ KultPlus.com

Në Serbi u vaksinuan edhe punëtorë shqiptarë, fotografia e stjuardesave bëhet virale

Punëtorë nga Shqipëria kanë shfrytëzuar mundësinë e vaksinimit kundër koronavirusit në Serbi. Të shtunën aty ka nisur vaksinimi i punëtorëve nga të gjitha shtetet e rajonit, mundësuar nga Oda Ekonomike e Serbisë.

Në mesin e të vaksinuarve ishin stjuardesat e kompanisë ajrore shqiptare “Albawings”. Një fotografi e tyre në Serbi është bërë virale në mediat serbe.

“Për ne ishte e rëndësishme sepse ishte e vetmja mundësi, momentalisht për t’u vaksinuar, duke qenë se jemi pjesë e në kompanie ajrore, dëshironim të kishim mundësi që stafi ynë të ishte qind për qind i vaksinuar dhe duke qenë se në Shqipëri aktualisht nuk mundësohet për këtë kategori që ne përfaqësojmë, gjetëm mundësinë që të vinim këtu në Beograd”, ka deklaruar një stjuardesë për REL.

Ndërkohë, një punëtor i Aeroportit të Tiranës ka thënë se organizimi ishte në rregull.

“Mendoj që është një mundësi e mirë për ta bërë, kjo tregon edhe seriozitetin e shtetit të Serbisë, pa diskutim edhe fuqinë e saj si shtet”, ka thënë ai pasi kishte marrë vaksinën e AstraZenecas.

Në Serbi të shtunën ka nisur vaksinimi kundër COVID-19 i punëtorëve të bizneseve të shteteve të Ballkanit. Për vaksinim janë paraqitur mbi 7.500 punëtorë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi. Vaksinimi kundër koronavirusit po bëhet nën organizimin e Odës Ekonomike të Serbisë e cila në bashkëpunim me Qeverinë e Serbisë ka siguruar 10.000 doza të vaksinës AstraZeneca.

Oda Ekonomike e Kosovës më herët kishte njoftuar se ka refuzuar të marrë pjesë për vaksinë në Serbi për “arsye parimore”, megjithatë nga Oda Ekonomike e Serbisë kanë thënë se disa biznesmenë nga Kosova janë paraqitur tek ata për vaksinim. Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit./ KultPlus.com

Vaksinimi i mjekëve kosovarë në Kukës (FOTO)

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka postuar disa fotografi ku shihen pjesëtarë të personelit mjekësor të Kosovës duke u vaksinuar në Kukës kundër COVID-19, shkruan KultPlus.

“Jena1. Vaksinimi i bluzave të bardha të Kosovës në Kukës”, ka shkruar Rama në Facebook.

Më poshtë gjeni fotot./ KultPlus.com

45 portrete të përfunduara për 45 ditë për punonjësit e spitalit

Artistja nderon 45 punonjës të Spitalit Universitar ‘Duke’ në Karolinën e Veriut duke pikturuar portret e tyre.

Maria Bennett Hock, arriti të realizojë 45 portrete për 45 ditë, për të nderuar punonjësit e spitalit për punën e tyre gjatë kësaj kohe pandemie.

Në pamundësi për t’i takuar personalisht punonjësit, artistja u kërkoi punonjësve t’i dërgojnë nga një fotografi pasi ata përfundonin orarin e punës, për të përcjellur emocion duke portretizuar lodhjen e tyre nga puna e pandalshme.

Ajo arriti që çdo ditë të përfundonte nga një portret, dhe tha se puna që bëri ishte shumë emocionuese, duke e bërë atë të qante secilën herë që i shikonte sepse i kujtonte se çfarë po ndodhte në botë.

Portretet i’u dhuruan stafit në një ceremoni “Tako Artistin” më datën 10 mars. / KultPlus.com

Pacientët që kanë kaluar Covid 19 rehabilitohen në një minierë kripe

Një minierë historike kripe, e njohur gjithashtu si një nga tërheqjet kryesore turistike të Polonisë, u ofron pacientëve që kanë vuajtur nga COVID-19 një mundësi për t’u rehabilituar në 135 metra nën tokë.

Resorti Shëndetësor i Minierës së Kripës “Wieliczka” siguron kujdes pulmonologjik, laringologjik dhe alergologjik për personat që luftojnë për të shpëtuar nga efektet e mbetura të virusit.

Një nga dhomat e saj strehon një sanatorium të specializuar, ku krijohet një mikroklimë unike falë qarkullimit në ajër të grimcave minerale që dalin nga kripa, një temperature e qëndrueshme rreth 13-14,5 gradë Celcius dhe lagështisë së lartë të ajrit.

“Ajri shërues ka një efekt pozitiv si në gjendjen shpirtërore, ashtu edhe në gjendjen e të gjithë trupit”, thonë mjekët.

“Ajri i minierës është pa ndotës dhe alergjenë”, tha dr. Anna Pelkoëska, një alergologe dhe nëndrejtoreshë për çështjet mjekësore në vendpushimin shëndetësor.

“Asnjë pastrues ajri nuk mund të sigurojë cilësinë e ajrit që kemi nën tokë”, shtoi ajo.

Seancat e terapisë mbahen çdo ditë, nga e hëna në të premte, dhe pacientët qëndrojnë në sanatoriumin nëntokësor ku janë nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të një mjeku, fizioterapisti dhe një infermiereje.

Trajtimet zgjidhen individualisht, në varësi të gjendjes shëndetësore të pacientit./ata/ KultPlus.com

Mbi 4.200 punëtorë të arsimit me Covid-19, në shkolla mungojnë maskat dhe dezinfektues

Mbi 4.200 punëtorë të arsimit janë infektuar me virusin Covid-19, që nga paraqitja e rasteve të para në Kosovë. Ndërkohë, shpeshherë ka mungesë të maskave dhe dezinfektuesve nëpër shkolla.

Kështu ka thënë përfaqësuesit i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Ymer Ymeri, i cili ka folur edhe për marrëveshjet e fundit, siç është marrëveshja kolektive, si dhe ajo me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hotin.

Gjysëmvjetori i dytë i këtij viti shkollor në nivelin fillor dhe të mesëm ka filluar më 18 janar. Prej asaj date shumë nxënës dhe mësimdhënës janë infektuar duke ndodhur kështu dhe mungesa e tyre në mësim.

Ymeri tha se frikësohen se rritja e numrit të infektuarve që ka ndodhur gjatë ditëve të fundit, do të ndikojë edhe në rritjen e numrit të infektuarve nga personeli arsimor.

“Numër të saktë nuk kemi por mund të themi se punonjës të arsimit, duke i përfshirë edhe mësimdhënësit dhe punëtorët e tjerë të cilët janë të angazhuar drejtpërdrejtë në procesin mësimor, kemi mbi 4,200, kemi frikë që rritja e numrit të infektuarve ditëve të fundit, do të ndikoj edhe në rritjen e numrit të infektuarve nga personeli arsimor, dhe kjo mund ta qoj ndonjë shkollë tek varianti C, pra tek mësimi online, variant i cili është më pak frytdhënës sesa variantet e tjera. Mbesim me shpresë që mësimdhënësit dhe nxënësit të ruajnë distancën, të vendosin maskat dhe të përdorin dezinfektues”, tha ai për KosovaPress.

Ymeri tha se ani se Ministria e Arsimit kishte ndarë buxhetin për mjetet higjenike dhe për pagesat shtesë, prapë nëpër shkolla ka mungesa të maskave dhe shumë shpesh edhe të dezinfektuesve.

 “Jemi të zhgënjyer në drejtoritë komunale të arsimit, kanë pasur një buxhet të aprovuar nga Qeveria e Kosovës me propozimin e Ministrisë së Arsimit, edhe për mjetet higjenike por edhe për pagesat shtesë të mësimdhënësve që mbajnë orë përtej normave. Nuk e kanë shfrytëzuar asnjërën, shpeshherë ka mungesë të maskave nëpër shkolla, ashtu qysh e parasheh Instituti i Shëndetësisë, shumica e mësimdhënësve dhe nxënësve i përdorin maskat e veta, dezinfektues shumicën e rasteve ka nëpër shkolla, por kemi edhe raste kur nuk ka”, tha ai

Ymeri u ndal edhe te nënshkrimi i marrëveshjes kolektive në mes SBASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit, ku tha se është në procedurë të shtypjes. Sipas tij, arsyeja e mos publikimit të marrëveshjes është bërë për të mos ndikuar në fushatën zgjedhore. /express/ KultPlus.com

Mënyra e re e jetës që solli Covid-19


Si u përjetua në Europë virusi që mori miliona jetë

Askujt nuk ja priste mendja që viti 2020 do të sillte një mënyrë të re jetese. Pandemia e Covid-19 solli rregulla, duke filluar që tek larja e duarve , mbajtja e maskës, takimet e kufizuara me familjarët si dhe distancimin shoqëror.

Shtetrrethimet ishin ato të cilat u pritën me shumë protesta në të gjithë botën, për të cilën njerëzit e quajtën shkelje të të drejtave.

Izolimi në Spanjë ishte ndër më të ashprit në Europë, për të moshuarit dhe familjet me të ardhura më të ulëta. Spanjollët janë një shoqëri e mësuar me bashkëpunim dhe komunikim shoqëror. Kostoja ekonomike ishte shumë e lartë, po ashtu edhe ndikimi në shëndetin mendor të qytetarëve.

Italianët ishin të parët që u prekën nga virusi, të parët që panë sistemin shëndetësor afër kolapsit dhe shumë humbje jete. Por respektimi i madh i masave në valën e parë të pandemisë filloi të ndryshonte me valën e dytë ku u panë edhe protesta të shumta kundër kufizimeve të reja.

Tensione pati edhe në Gjermani por shumica e gjermanëve ishin pro masave kufizuese. Qeveria e këtij shteti ndoqi një strategji shumë të mirë të testimit të popullatës.

Suedia është ndër të paktat vende që shmangu vendosjen e shtetrrethimit dhe e ndërtoi strategjinë e saj kryesisht rreth udhëzimeve për respektimin e distancimit shoqëror. Publiku u pajtua në fillim por ndërsa rastet u rritën gjatë valës së dytë.

Në fund të vitit 2020 një ligj i ri pandemik bëri që të izoloheshin një pjesë e madhe e popullsisë , duke mbyllur dyqanet dhe transportin publik madje edhe kufijtë.

Bashkimi Europian nuk ishte i përgatitur mire. Kjo shkaktoi kaos në furnizimet mjekësore dhe kolaps në vendet e varfra . Aktualisht problemi aktual mbetet vaksinimi pasi po shikohet një shpërndarje e pabarabartë dhe jo e drejtë e vaksinave të miratuara. Kjo për shkak se një pjesë e madhe e vendeve të pasura kanë marrë më shumë doza duke lënë pas kombet e varfra që deri më tani nuk kanë vaksinuar as çerekun e popullsisë. /express/ KultPlus.com

Arti në formën e zemrës jep dashuri dhe shpresë në vendet e goditura nga COVID-19

Gjatë pandemisë, Donald Verger i ka dhënë më shumë krijimtari fotografive të tij, duke i vënë fokus formës së zemrës.

Fotografitë e tij me krijimet në formë zemre të bëra me kristale shumëngjyrëshe janë vënë në shkolla dhe spitale të cilat janë goditur nga COVID-19, në SHBA.

Shumë artistë janë prekur po ashtu nga pandemia, megjithatë ata po gjejnë mënyra për t’u kthyer, shkruan AP.

Përpjekjet e Vergerit shfaqin kontributin e tij të vogël për t’i dhënë njerëzve një buzëqeshje apo një moment qetësie, krahas izolimit që kanë përjetuar për shkak të koronavirusit.

Ai ka dërguar rreth 25,000 kartolina prej zemre në shkolla dhe spitale. Punonjësit më pas u japin ato stafit, studentëve dhe pacientëve.

Tash vonë, ai ka dhuruar 10,000 kartolina me mbishkrim “Dashuri” në to. 10,000 të tjera kishin mbishkrimin “Shpresë”. /Koha/ KultPlus.com

Gashi: Mërgimtarëve po iu kërkoni teste, e këta që po i mbledhni nëpër tubime a po i testoni?

Aktorja Yllka Gashi ka shprehur mendimin e saj rreth gjendjes aktuale në Kosovë, mes situatës pandemike dhe tubimeve politike përgjatë fushatës parazgjedhore, shkruan KultPlus.

“Mërgimtarëve po ju lypni teste PCR, e kta tjerët që po i mledhni masovikisht nëpër tubime a po i testoni?! As maskat nuk po i mani ju vet, shumica e politikanve që po lypni vota prej popullit, po prini me shembull t’keq, midis pandemisë”, ka thënë Gashi.

Ajo ka përmendur rastin e Biden, i cili edhe përgjatë fushatës ka respektuar vënien e maskës dhe distancën fizike.

“Ju që s’keni as jod e fasha sterile nëpër spitale i rrezikoni njerëzit nëpër tubime e po ua rononi gjendjen edhe ma shumë punëtorëve mjekësor veq për interesat e juja personale e apetitin politik”, ka thënë Yllka Gashi.

“Se për Kosovë që nuk ja u nin’ fort moti e kemi kuptu. Me kto standarde të dyfishta e me këtë paftyrësi jeni ba të gërditshëm. Marre!”, ka përfunduar aktorja. / KultPlus.com