Muzeu Etnografik i Krujës, AKT: Vijon restaurimi për nxjerrjen në dritë të pikturave

Në Muzeun Etnografik të Krujës, një nga monumentet më të çmuara të trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë, po vijon puna për restaurimin e tij.

Agjencia Kombëtare e Turizmit bën të ditur se “në këtë monument të Kategorisë së I-rë po kryen punimet më të imëta për pastrimin përfundimtar, ruajtjen e objekteve dhe vendosjen e ekraneve dhe për të nxjerrë në dritë pikturat që zbukurojnë mjediset e brendshme të Muzeut Etnografik të Krujës”.

Prej disa kohësh ky muze i është nënshtruar procesit të restaurimit përmes Programit të Bashkimit Europian EU4Culture, me mbështetjen e një ekipi të konservimit nga Instituti i Konservimit në Universitetin e Arteve të Aplikuara në Vjenë, krahas specialistëve shqiptarë të angazhuar në procesin e restaurimit dhe rijetësimit të monumentit.

Ky muze  është atraksion i rëndësishëm dhe ndër më të vizituarit nga turistët nga e gjithë bota,  që dëshirojnë të njohin kulturën shqiptare.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muze është ngritur në shtëpinë e familjes Toptani. Ajo është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture e kategorisë së I-rë.

Në mjediset e brendshme dhe të jashtme të muzeut ekspozohen një pamje e plotë e zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe mënyra e jetesës së popullsisë mbi 300 vite më parë./atsh/KultPlus.com

Drejtori i Muzeut të Krujës: Pas 3 vitesh mungesë rikthehen turistët japonezë

Muaji mars ka shënuar një rritje të numrit të turistëve të huaj në Muzeun Historik dhe Etnografik të Krujës.

Në këtë fillimjave Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” e kanë vizituar një grup turistësh nga Japonia, të cilët janë njohur me historinë dhe traditat shqiptare.

“Pas 3 vitesh mungese për shkak të pandemisë në këtë muze janë rikthyer grupet e organizuara me turistë japonezë në Muzeun Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë”, tha për ATSH-në drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik, Mehdi Hafizi.

Hafizi theksoi se “vetëm në 3 javët e para të marsit ky muze është vizituar nga rreth 2000 turistë. Gjatë marsit është shtuar numri i turistëve me grupe të organizuara  si amerikanë, italianë, spanjollë, gjermanë, etj”.

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së Hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim./atsh/KultPlus.com

Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, 65 mijë vizitorë në 11 muaj

Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë gjatë këtij viti ka shënuar një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se mbi 65,000 vizitorë kanë vizituar nga janari deri në nëntor muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të cilët u njohën me historinë dhe traditat shqiptare”.

“Vetëm gjatë festave të nëntorit muzeu u vizitua nga 2 mijë vizitorë vendas, por nuk mungonin edhe të huajt”, theksoi Hafizi.

Hafizi bën të ditur se “në Muzeun Etnografik vijojnë punimet për rikonstruksionin dhe pritet të jetë gati sa më shpejt për të pritur vizitorët”.

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve.

Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së Hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim./ atsh / KultPlus.com

Arbëreshët vijnë nga Kalabria, zhvillojnë “koncert” në Krujë

Me rastin e 555 vjetorit të Çlirimit të Krujës, qyteti legjendar i Skënderbeut është vizituar ditën e djeshme nga arbëreshët e ardhur nga Kalabria e Italisë.

Të mahnitur nga bukuritë e qytetit të Krujës, fillimisht Arbëreshët janë ndalur tek monumenti i heroit tonë Kombëtar Skënderbeu. Më pas grupi i Arbëreshëve ka përshkuar rrugën nga sheshi i qytetit në pazarin e vjetër karakteristik.

Përgjatë këtij udhëtimi kanë kënduar këngë të ndryshme arbëreshe dhe tradicionale shqipe. Të mahnitur nga performanca, qytetarët krutanë janë bashkuar himnit të këngëve arbëreshe.

Në ambientet e Muzeut Kombëtar është zhvilluar dhe ceremonia e përshëndetjeve nga autoritetet e pranishme.

Në ceremoni kanë përshëndetur Presidenti i Vatra në Stamboll Bora Zukali, Drejtues të komunave San Benedetto dhe Casalvechios, si dhe trashëgimtari i Heroit Skënderbe Loris Castriota, të cilët kryen homazhe dhe më pas vizituan kështjellën e Krujës.

Gjithashtu është inauguruar dhe sheshi me ermin “Tanush Topia” komandanti i kalasë së Krujës./ Diaspora shqiptare/ KultPlus.com

‘Po rrënojnë dhe historinë’, kërkohet restaurimi i ndërtesës 200-vjeçare në Krujë që dëshmon jetesën e shqiptarëve

Një banesë 200 vjeçare në Krujë, pasqyron arkitekturën e hershme të ndërtimit dhe stilin e veçantë. Që pas tërmetit të vitit 2019 objekti rrezikon të shkatërrohet prandaj pronarët e saj të moshuar apelojnë për rikonstruksionin e banesës me qëllim që vlerat e saj të mos humbin.

Kjo ndërtesë dykatëshe konsiderohet si një nga ndërtimet më të hershmet në Krujë.

Muret e brendshme të ndërtesës vlerësohen se kanë ngjyrat dhe dizajnin mbi 200 vjeçar që pasqyrojnë.

Shtëpia është pronë e Gani Kuqit, një ndër fiset krutane më të vjetra. Nga familja këtu jeton vetëm njëra prej trashëgimtarëve, Lirija.

Së bashku me të i shoqi Xhevat Gjana tregon veçantinë e arkitekturës së saj.

“Këtu sapo vjen një njeri e kupton si ka jetuar një krutan para 200 vjetëve. Është me avlli, tualet jashtë, me pus në oborr, dy dyer, e madhe dhe e vogël, dhoma dhe sallone”.

Ndërtesa vizitohet shpesh nga turistët, por edhe nga studentët e historisë.

“Kanë ardhur vazhdimisht turistë, kosovarë, studentët e historisë vijnë shumë”.

Objekti ka nevojë për restaurime duke qenë se pas tërmetit ka pësuar dëmtime.

Xhevati kërkon që të merren masa për ruajtjen e ndërtesës e cila mbart vlera të trashëgimisë kulturore e që do ti shërbejë brezave në vijim.

“Duhet të vihet dorë që kjo godinë ti mbetet Krujës, trashëgimtarëve”.

Sipas tij, historia 200 vjeçare e shtëpisë nuk duhet të humbasë ndaj kërkohet ndërhyrja e Ministrisë së Kulturës./oranews.al / KultPlus.com

Kruja në dokumentet dhe fotografitë e rralla nga fondi i Arkivave

Një ekspozitë unike është çelur nga DPA-ja, pranë Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti” në Krujë me dokumente të rëndësishme për jetën e qytetit dhe fotografi të rralla dhe të vjetra që ruhen në Fototekën e AQSH-së.

Ndër dokumentet e ekspozuara, një plan rregullues i Krujës i vitit 1944; dokumente që publikohen për të parën herë për ndërtimin e shtatores së Skënderbeut; dokumente që dëshmojnë përpjekjet për ndërtimin e Muzeut në vitin 1937 dhe gjatë periudhës së komunizmit.

Ardit Bido, drejtor i Përgjithshëm i Arkivave u shpreh se, “kjo ekspozitë ka dy pika kryesore, vetë jetën e qytetit përmes edhe imazheve shumë të vjetra ku çdo person mund të gjejë lagjen apo rrugën ku ka banuar. Dhe dokumentet për ndërtimin e një muze i cili nga pikëpamja simbolike është shumë i rëndësishëm siç është ky i Skënderbeut ku ne kemi vendosur t’i sjellim këto dokumente. Kështu, ajo që ruhet në fondet tona ne kemi mision ta çojmë aty ku jetojnë shqiptarët”.

Drejtori i Qendrës Muzeore Krujë, Mehdi Hafizi tha se, një ekspozitë e tillë është me rëndësi për vetë muzeun dhe vizitorët e tij të cilët veç gjithçkaje gjejnë brenda, mund të shohin edhe këtë pasuri dokumentare që gjendet në arkiva e që lidhet me këtë qytet dhe vetë muzeun.

Ekspozita ishte një bashkëpunim i DPA-së me Qendrën Muzeore Krujë dhe Bashkinë Krujë, përfaqësuesi i së cilës Drini Masha tha se, “kjo është një ekspozitë me vlerë për qytetin dhe që ne do të dëshironim ta shëtisnim edhe në pika të tjera në qytet për ta parë sa më shumë banorë të qytetit por edhe vizitorë të tij”.

Kjo ekspozitë do të jetë në Krujë përreth 2 javë dhe cilido mund të shohë dokumente me rëndësi, një pjesë e të cilave publikohen për herë të parë./atsh/ KultPlus.com

Muzeu Etnografik në Krujë drejt restaurimit

Muzeu Etnografik në Krujë, falë mbështetjes së Bashkimit Europian do të restaurohet dhe rijetëzohet për të dëshmuar vlerat më të mira shqiptare e europiane.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, bashkë me ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca vizituan sot Muzeun Etnografik të Krujës.

Margariti tha se “shqiptarët synojnë të bëhen pjesë e familjes europiane me identitetin tonë kombëtar”.

“Pikërisht, në këto ditë të Europës, u mblodhëm në oborrin e një godine të hijshme, në atë të Muzeut Etnografik në Krujë, që falë mbështetjes së Bashkimit Europian do të restaurohet, rijetëzohet për të dëshmuar vlerat më të mira shqiptare e europiane”, tha ajo.

Bashkë me përfaqësues institucionesh, specialistësh të trashëgimisë, Afërdita Onuzi, Iris Pojani, Mehdi Hafizi, zvkryetari i Bashkisë së Krujës, Florind Cerhozi dhe përfaqësues të komunitetit lokal në takim u diskutua mbi projektet dhe u shkëmbyen ide të reja.

Margariti falënderoi Ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, për ndihmën e vazhdueshme për të çuar përpara programin e ringritjes, EU4CULTURE, por edhe përfaqësuesve të UNOPS-it, Pamela Lama  e Lejla Hadzic për bashkëpunimin për realizimin e projekteve të rindërtimit të monumenteve të kulturës./ atsh / KultPlus.com

‘Krujë, o qytet i bekuar, prite prite Skënderbenë, po vjen si pëllumb i shkruar të shpëtojë mëmëdhenë’

577 vite më parë Skënderbeu u rikthye në atdheun e tij

Më datë 3 nëntor 1443 është një datë historike për Shqipërinë, pasi Skënderbeu do të linte betejën e Nishit dhe do të nisej për në Krujë, ku më pas edhe do të luftonte kundër Osmanëve për 25 vite me radhë.

Në këtë datë në afërsi të Nishit, u ndeshën dy ushtritë. Ushtria osmane u shpartallua dhe u tërhoq në panik. Skënderbeu filloi të zbatonte planin e kryengritjes, së bashku me 300 kalorës shqiptarë e me të nipin Hamza Kastrioti, u kthye në Dibër, ku populli e priti si çlirimtar.

Mori masa për përforcimin e rrugëve nga mund të vinin osmanët, dhe prej andej iu drejtua Krujës. Me një ferman të rremë shtiu në dorë qytetin e garnizonin dhe kështu më 28 nëntor 1443 u shpall rimëkembja e principatës së Kastriotëve. Mbi kështjellën e Krujës u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenare.

Fjalimi i Skënderbeut nxiti frymën atdhedashëse. Kryengritja çlirimtare u bë e përgjithshme. Gjatë dhjetorit, Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u spastruan nga forcat osmane, u çliruan njëra pas tjetrës kështjellat e kësaj zone.

Skënderbeu ishte organizatori i Kuvendit të Arbërit, në të cilin u zgjodh si prijës i Lidhjes Shqiptare të Lezhës.

Në janar të vitit 1468 Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë. Vdiq me 17 Janar 1468 në Lezhë.

Poezi e shkruar nga Naim Frashëri.

Krujë, o qytet i bekuar,
prite, prite Skënderbenë!
Po vjen si pëllumb i shkruar
të shpëtojë mëmëdhenë.
Shqiptarët t’i shpëtojë
nga zgjedh’ e keqe e Turqisë
edhe ty të të nderojë,
që je kreu i Shqipërisë.
Ka pas trima shqipëtarë,
që s’u trembej syri kurrë,
në zemër të tij ka zjarrë,
është i urtë e trim, e burrë.
Mirë se erdhe, o verë
që na prure mirësinë,
dhe për shumë vjet të tjerë
e zbukurofsh Shqipërinë!…
O moj vash’ e Shqipërisë,
që më rri duke mejtuar,
pa i zhvish rrobat e zisë,
arriti dit’ e uruar.
Zbardhi fusha, ndriti mali,
nga armët e trimërisë,
hingëllin e s’mbahej kali,
që sill mbretnë e Shqipërisë. / KultPlus.com

Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës destinacioni i rreth 20 mijë vizitorëve në Janar-Shtator

Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës priti në muajt janar-shtator të këtij viti rreth 20 mijë vizitorë vendas e të huaj, të cilët kanë shfaqur interes për kulturën dhe historinë e popullit shqiptar.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se” 80% e vizitorëve janë shqiptarë nga të gjitha trojet, ndërsa 20% të huaj si polakë, bjellorusë, ukrainas, si edhe nga vende të ndryshme të Europës”.

“Muzetë mbyllën dyert për publikun në 11 mars për shkak të pandemisë, por puna në të dy muzetë nuk u ndërpre në asnjë moment. Ne u fokusuam në mirëmbajtjen e muzeve, ndërsa aktivitetet u zhvendosën në platformat online. Në 18 maj u rihapën muzetë duke respektuar masat antiCovid, u krye dezinfektim i vazhdueshëm për ambiente të sigurta për vizitorët, si dhe u  rishikuan çmimet e biletave, ndërsa çdo të diel hyrja ishte falas për vizitorët”.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe 5 mijë bileta ishin falas, falë iniciativës së Ministrisë  së Kulturës për të ndihmuar bizneset lokale.

Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.

Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu u përurua më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës. Ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut. Kompleksi i muzeut është shpërndarë në disa hapësira, të cilat vizitohen kronologjikisht sipas ngjarjeve. Në këtë muze ndodhen objekte që i përkasin periudhave të ndryshme historike, por në disa pavijone trajtohet historia e Mesjetës së hershme, principatat shqiptare, pushtimi osman dhe betejat e shqiptarëve për të përballuar këtë pushtim.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture i kategorisë së I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara. Plot 90% e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100% janë funksionale. Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qëndisma të ndryshme të ekspozuara me finesë. Mosha e këtyre objekteve varion nga 60-70 deri në 500-vjeçare. Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 nëntor 1989. /atsh/ KultPlus.com

Provoni ndjesinë e traditës mes ngjyrave shqiptare në Krujë

Kruja gjatë viteve të fundit është shndërruar në një nga destinacionet e preferuar të turistëve të huaj pasi ofron një turizëm gjithëvjetor dhe është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja.

Pazari, muzeu, kalaja dhe rrugicat e ngushta të Krujës janë disa nga atraksionet që qyteti historik ofron dhe është gati të mirëpres turistët që t’i vizitojnë.

Ministrja e Kultutrës, Elva Margariti u shpreh sot se, “askund tjetër nuk mund t’i gjesh të ruajtura më mirë mjeshtëritë e endjes, të punimit të qelesheve, opingave, apo të drurit, si në Krujë”.

Pikërisht aty, thekson Margariti, “në Pazarin e vjetër të Krujës mund të provosh ndjesinë e mirë të traditës dhe trashëgimit brez pas brezi”.

Margariti ka publikuar edhe disa foto nga vizita që zhvilloi së bashku me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, Yuri Kim në Krujë.

“Për Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë,  Yuri Kim, ishte një zbulim i bukur dhe kënaqësi të prekte punimet tradicionale, motivet dhe ngjyrat karakteristike shqiptare”, shprehet Margariti.

“Pazari, muzeu, kalaja dhe rrugicat e ngushta të Krujës ju presin t’i vizitoni”, përfundon ministrja. / atsh/ KultPlus.com

Kalaja e Skënderbeut me punime dhe në pritje të gjallërimit prej vizitorëve

Pavarësisht situatës së vështirë nga COVID-19 dhe dëmeve të tërmetit, Kalaja e Krujës vijon të mirëmbahet.

Hapësirat e gjelbra, kalldrëmet në rrugicat e kalasë dhe muret shekullore pastrohen nga bimësia, duke ofruar një pamje të qetë dhe relaksuese.

Kjo pasi prej vitit 2019, Kalasë së Krujës iu shtua një mirëmbajtës i cili është dhe banor i Kalasë.

Shkëlzen Topçiu, mirëmbajtësi i kalasë shprehet për ATSH-në “se unë po pastroj shtëpinë time, këtu jam lindur e rritur”.

Ai shton se “këtë punë e kam bërë kur isha emigrant në Itali, por këtu është ndryshe dhe ora ime e punës nis në orën 5 të mëngjesit”.

Lajm po i mirë është se edhe në qytetin antik të Albanopolisit, në vendbanimin Ilir, pas 30 vitesh është punësuar një mirëmbajtës.

Prej 15 shekujsh, Kalaja qëndron mbi një kodër shkëmbore, dëshmitare e luftrave dhe e jetës së egër të qytetit të Krujës, një herë e një kohë, qendra e shtetit të Arbrit. Kalaja qëndron në 557 metra lartësi,ndërsa pranë saj ndodhet Muzeu Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një nga më të vizituarit në Shqipëri. Përurimi i muzeut është bërë më 1 nëntor 1982 në kështjellën e Krujës, por ky muze ka edhe karakterin e një memoriali që trajtohet si kullë shqiptare e Veriut.

Në këtë muze janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Në këtë muze numërohen pavijone të tilla si pavijoni i Antikitetit dhe Mesjetës së Hershme, pavijoni i principatave shqiptare, i pushtimit osman dhe përballimit të këtij pushtimi, pavijoni i kështjellave mesjetare, i qëndresës shqiptare, kancelaria e Skënderbeut, biblioteka, salla e princërve, e pinokotekës dhe së fundi pavijoni i trashëgimisë dhe i jehonës.

Muzeu i Krujës ndodhet në një pikë piktoreske të qytetit dhe vizitorët nuk e anashkalojnë asnjëherë një vizitë në të, ndërsa ndodhen në qytetin e Krujës, për të parë Pazarin apo kalanë. Atsh / KultPlus.com

SHBA ndihmon me 800 mijë dollarë për restaurimin e kalasë së Krujës

Ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim ka zhvilluar një takim ditën e sotme me Ministren e Kulturës Elva Margariti.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Kim shprehet se SHBA do të shpenzoje 800,000 dollarë për restaurimin e kalasë së Krujës nga dëmet e pësuara nga tërmeti i 26 nëntorit, si dhe për zonat historike në Durrës dhe Prezë.

Në fund ambasadorja tha se SHBA do qëndrojë gjithmonë në krah të Shqipërisë. /KultPlus.com

View image on Twitter
View image on Twitter

Pazari i Derexhikut në Krujë, në funksionim që prej kohës së Skënderbeut

Kruja një destinacion turistik i mirënjohur tashmë për vizitorët, jo vetëm vendas por edhe të huaj, vijon të ngjallë interes për shkak të mjaft vendeve interesante për t’u vizituar. Një prej tyre është pazari karakteristik i Krujës që shtrihet në të dy anët e rrugës së shtruar me kalldrëm që të çon drejt kalasë. Nga vendasit njihet ndryshe me emrin Pazari i Derexhikut.

Ky pazar ka funksionuar që prej kohës së Skënderbeut në shek XV, kur dyqanet e tij arrinin deri në hyrje të kalasë. Pazari i ka rezistuar sundimit 500 – vjeçar turk dhe është restauruar në kuadër të 500 vjetorit të lindjes së Skënderbeut.

“Shqipëria është plot me vende magjike, e destinacione të reja për tu vizituar”, thekson Agjencia Kombëtare e Turizmit, duke publikuar fakte për këtë Pazar dhe Krujën si qytet, emri dhe rëndësia e të cilit lidhen ngushtësisht me 25 vitet e aktivitetit të heroit tonë kombëtar, Skënderbeut.

Skënderbeu e bëri Krujën në shekullin e pesëmbëdhjetë një bastion të rezistencës kundër osmanëve. Muzeu i Gjergj Kastriot Skënderbeut ndodhet brenda mureve të kështjellës, që datojnë në shekujt e pestë dhe të gjashtë.

Vetë muzeu është inauguruar në vitin 1981. Brenda mureve të kështjellës ndodhet po ashtu edhe Muzeu Etnografik. /atsh / KultPlus.com

Mbi 57 mijë turistë vizitojnë Krujën, kryesojnë italianët (FOTO)

Mbi 57.710 vizitorë shqiptarë dhe të huaj kanë vizituar Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeun Etnografik në Krujë gjatë periudhës janar-korrik 2018, gati 2.5 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeu Etnografik Krujë po vizitohet dhe në këto ditë të nxehta gushti nga një numëri të lartë të turistëve të huaj.

Numrin më lartë të turistëve të huaj e përbëjnë italianët, të cilët vizitojnë vendin tonë të organizuar me agjenci turistike, individualisht, apo të shoqëruar nga miq shqiptarë që jetojnë në Itali.

Viti 2018 është shpallur si Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut, ndaj Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe ai Etnografik në Krujë janë përgatitur maksimalisht për t’iu përgjigjur sa më mirë numrit gjithnjë në rritje të vizitorëve.

Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja./ata

Të rinjtë nga Belgjika ngrisin kampingje në Parkun e Qafë-Shtamës

Përsëri Qafë-Shtama është në qendër të vëmendjes së turistëve të huaj që vizitojnë qytetin e Krujës dhe bukuritë natyrore të Parkut Kombëtar.

Këtë radhë janë një grup të rinjsh nga Belgjika që kanë ngritur kampingun e tyre në Parkun e Qafë-Shtamës ku do të rrinë rreth një javë. Gjatë kësaj kohe do të angazhohen dhe specialistë të natyrës në AdZM Durrës, që së bashku me grupin e të rinjve belgë, të tjerë pushues që ndodhen në këtë park si dhe të rinj vendas, do të zhvillojnë pastrime, shenjime shtigjesh, dhe ngjitje në maja të ndryshme.

Para disa ditësh këtë park e vizitoi edhe një grup motoristësh nga Polonia që kaluan disa orë aventure në masivin pyjor të parkut.

Qyteti historik i Krujës, Kështjella e Skënderbeut, pazari mesjetar i qytetit si dhe natyra e Parkut Kombëtar të Qafë-Shtamës, presin vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj./ ata

Krujë, qytet i bekuar

Poezi e shkruar nga Naim Frashëri.

Krujë, o qytet i bekuar,
prite, prite Skënderbenë!
Po vjen si pëllumb i shkruar
të shpëtojë mëmëdhenë.
Shqiptarët t’i shpëtojë
nga zgjedh’ e keqe e Turqisë
edhe ty të të nderojë,
që je kreu i Shqipërisë.
Ka pas trima shqipëtarë,
që s’u trembej syri kurrë,
në zemër të tij ka zjarrë,
është i urtë e trim, e burrë.
Mirë se erdhe, o verë
që na prure mirësinë,
dhe për shumë vjet të tjerë
e zbukurofsh Shqipërinë!…
O moj vash’ e Shqipërisë,
që më rri duke mejtuar,
pa i zhvish rrobat e zisë,
arriti dit’ e uruar.
Zbardhi fusha, ndriti mali,
nga armët e trimërisë,
hingëllin e s’mbahej kali,
që sill mbretnë e Shqipërisë.

Viti i Skënderbeut, muzetë e Krujës të gatshëm për numrin në rritje të vizitorëve (VIDEO)

Viti 2018 është shpallur si Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut, ndaj Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe ai Etnografik në Krujë janë përgatitur maksimalisht për t’iu përgjigjur sa më mirë numrit gjithnjë në rritje të vizitorëve.

Për vitin 2017, numri i përgjithshëm i i personave që kanë vizituar këto muze shkon në rreth 105 mijë vizitorë, prej të cilëve gati 30 për qind janë turistë të huaj. Për vitin që kaloi vihet re një shtim me 5-7 mijë persona i numrit të vizitorëve, krahasuar me vitin 2016.

Mehdi Hafizi, drejtori i Muzeut Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe atij Etnografik, Krujë, detajon disa nga përgatitjet që po bën stafi i këtyre muzeve për t’iu përgjigjur denjësisht të gjitha pritshmërive të vizitorëve në vitin 2018.

Sipas tij, Kruja ka një turizëm gjithëvjetor, pasi është e favorizuar nga vlerat që mbart, por edhe nga vendndodhja. “Stafi i Muzeve të Krujës ka treguar gatishmëri maksimale për t’i pritur vizitorët me kulturë dhe profesionalizëm. Kjo ka bërë që numri i vizitorëve të ketë një rritje 5-7 mijë më shumë se viti paraardhës dhe numri i përgjithshëm për vitin 2017 të shkojë rreth 105 mijë vizitorë, te kategorive të ndryshme”, tha ai.

Në Muzeun Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka sinjalistikë turistike në gjuhët shqip-anglisht, ndërsa në Muzeun Etnografik informacioni i përgatitur jepet në 12 gjuhë të huaja. Gjendja e të dy Muzeve si brenda dhe jashtë, sipas drejtorit Hafizi, “është përmirësuar në vazhdimësi”.

Për të pasur një përfaqësim sa më dinjitoz në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Hafizi thekson se do të ishte pozitive nëse bëhen përpjekje për të mundësuar ekspozimin për një periudhë të caktuar kohore në këtë Muze, të armëve të Heroit tonë kombëtar.

Po ashtu, ai sugjeroi hapjen në ambientet e Muzeut të një ekspozite me vepra origjinale të piktorëve shqiptarë kushtuar Gjergj Kastrioti Skënderbeut, për një periudhë 6- mujore, vepra të cilat ndodhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Me interes, sipas Hafizit, do të ishte që objektet e periudhës mesjetare që gjenden në Muze të tjerë në vend, gjatë vitit 2018, të ekspozohen në këtë Muze.

“Në Muzetë e Krujës, ne kemi dhjetëra eksponate që tërheqin vëmendjen e turistëve të huaj, por mund të themi që historia e Skënderbeut dhe veprat e artit zgjojnë interes në Muzeun Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ndërsa në Muzeun Etnografik zejet, mënyra e jetesës dhe e gjithë banesa”, tha ai.

Intervista për ATSH-në e Mehdi Hafizit, drejtorit të Muzeut Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe atij Etnografik, Krujë./ KultPlus.com