Pamje nga kantierët e rilindjes së trashëgimisë kulturore (VIDEO)

Ashtu si prej kohësh, edhe këtë të shtunë, Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me promovimin e zonave turistike.

Ai publikon pamje nga Voskopoja, ku janë bërë ndërhyrje për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

“Me këto pamje nga kantierët e rilindjes së vlerave të trashëgimisë sonë kulturore në Voskopojën e bukur, ju uroj një fundjavë të qetë”, shkruan Rama.

APS_

Në videon më poshtë gjeni pamjet e publikuara nga kreu i qeverisë.

Voskopoja është një fshat 20 km në perëndim të qytetit të Korçës me rrugë të asfaltuara. Ai është i vendosur në një pllajë 1160 m të lartë e rrethuar me male e pyje me pisha e bredha, me ajrin plot ozon dhe burime ujore të kristalta, si “Burimi i Floririt” etj. Vendbanim i hershëm që nga viti 1330.

Në dimër funksionon pista e skive ku dhe zhvillohen gara rajonale dhe kombëtare. Vera është e freskët dhe dimri i ftohtë me reshje dëbore gjatë pjesës më të madhe të stinës./ KultPlus.com

Kumbaro në Voskopojë: Shpëtuam kishat nga rrënimi

Projekti për rehabilitimin e Voskopojës ka bërë të mundur që përveç përmirësimeve infrastrukturore, 4 prej kishave të fshatit t’i nënshtrohen ndërhyrjeve për rikonstruksionin e tyre.

Pas një pune disamujore ka përfunduar restaurimi i strukturave në kishën e Shën Nikollës dhe Shën Marise, të cilat gjenden në qendër të fshatit turistik, ndersa puna po vazhdon edhe tek manastiri i Shën Prodhomit dhe kisha e Shën Ilisë, shkruan atsh.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, teksa ka parë nga afër ecurinë e punimeve ka theksuar se kjo ndërhyrje për restaurimin e objekteve te kultit është pjesë e programit të qeverisë për Rilindjen Rurale.

“Me një ndërhyrje me mbi 12 milionë lekë të reja kemi nxjerrë këto kisha nga rreziku. Korça është një nga hambarët e turizmit kulturor dhe itinerari i rrugës së besimit në Korçë e ka pikën fokale në Voskopojë”, deklaroi Kumbaro.

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo e konsideroi këtë një prej investimeve më madhore në funksion të ruajtjes së vlerave, por edhe zhvillimit të turizmit.
“Është një projekt që veç përmirësimit të cilësisë së jetesës së banorëve të Voskopojës do t’i shërbejë padyshim edhe turizmit”, tha Filo.

Investimi për rehabilitimin e qendrës historike të Voskopojës kap vlerën 365 milionë lekë të reja dhe përveç rikonstruksionit të 4 kishave përfshin edhe investime në infrastrukturën rrugore të fshatit./ KultPlus.com