“Pragu”, dy platforma që paraqesin evolucionin artistik të Renea Begollit

Uranik Emini

E vendosur në një lokacion të veçantë, “Galeria Qahili” e saporinovuar ishte mikpritëse e një artisteje vizionare, Renea Begolli, dhe ekspozitës së saj personale, “Pragu”, më 8 shkurt. Artistja e re, e njohur për stilin e saj unik dhe figurat e saj imagjinative, u nderua nga artdashësit dhe fytyra publike teksa tregoi fuqinë e artit të saj, shkruan KultPlus.

Hyrja në “Galeria Qahili” ishte si të hyje në një botë tjetër, ku kufijtë mes realitetit dhe imagjinatës ishin të mjegulluara. Ekspozita ishte e ndarë në dy pjesë, ku pjesa e poshtme tregonte vizatimet e kaluara të Begollit, ndërsa pjesa e sipërme ishte një piedestal i botës tjetër që shfaqte figura që u ngjanin alienëve, së bashku me vizatime panoramike, kryesisht të mbushura me ngjyra nga më të ndryshmet.

Me çdo vepër arti, vizitorët transportoheshin në botën imagjinare të Begollit, ku çdo gjë ishte e mundur dhe asnjë detaj nuk ishte shumë i vogël për t’u vlerësuar. Detajet e ndërlikuara, ngjyrat mahnitëse dhe dhuntia krijuese në secilën pjesë i lanë vizitorët të mahnitur nga talenti dhe zgjuarsia e një artisteje të re.

Ekspozita e Renea Begollit u kurua nga Yll Xhaferi, i cili mblodhi me mjeshtëri veprat e saj për të krijuar një eksperiencë të paharrueshme, ndërkaq “Galeria Qahili” prezantoi dinjitetshëm figurat e saj imagjinative dhe stilin unik.

Hapja e ekspozitës “Pragu” ishte një ngjarje e mbushur me yje, ku të pranishëm ishin shumë personazhe publike dhe artdashës. Njerëzit e pranishëm në këtë galeri u mbushën me emocione ndërsa vizitorët mrekulloheshin nga detajet e ndërlikuara dhe dhuntia krijuese e shfaqur në çdo vepër arti.

Artistja dhe protagonistja e kësaj ekspozite, Renea Begolli, tha për KultPlus se ndjehet shumë e lumtur që ka arritur të hap këtë ekspozitë, derisa ndau detaje të tjera rreth ekspozitës.

“Ideja e “Pragut” ka qenë për shkak të konceptit të punëve, punët e trajtojnë pak hapësirat e ndërmjetme dhe punët kalojnë prej një mënyre qysh i kom punu në tjetrën. Ekspozita është e ndarë në dy pjesë, ku paraqiten punët e mia të kaluara dhe të tanishme, shihet edhe një zhvillim i punës dhe një transformim i imi. Edhe ideja e “Pragut” ka qenë si një simbol dhe çka nënkupton me qenë në një prag, a je brenda apo jashtë dhe disa pyetje të tilla jam munduar me i shtru përmes këtij titulli”, thotë ajo.

Tutje, Begolli flet edhe për pjesën e veprave të ndara në dy pjesë dhe stilin e saj transformues.

“Edhe puna jem është shumë kërkuese, jam gjithmonë në kërkim që të mbërrij nga një punë në tjetrën dhe të mos e përsëris veten. Punët ndryshojnë, idetë ndryshojnë, ngjyrat e të gjitha këto që janë të lidhura me njëra tjetrën, por kur je e re gjithmonë mundohesh me ndryshu dhe me e gjet veten si duhet, edhe pse ka shumë sfida në këtë aspekt. Nuk tentoj që të krijoj punën e njëjtë, secila punë e ka një veçanti”, shpjegon ajo më tej për KultPlus.

“Unë nuk besoj në idenë e stilit të artistit, unë përveti kam qef që ta sfidoj veten, por gjithmonë puna ndryshon, në këtër rast edhe artisti. Nuk besoj që në ndonjë moment kom me gjet stilin tem, por do të jem gjithmonë në kërkim për shumë gjëra të reja”, njofton Begolli.

Trupi, ndryshimet që ky i fundit pëson dhe gjendja fizike e emocionale e tyre, është njëra prej temave që artistja synon të përçoj si mesazh te publiku.

“Njëra prej temave që kjo ekspozitë trajton është trupi, dhe ndryshimet që ndodhin në trup, si fizkisht, si në gjendjen emocionale dhe sidomos ndryshimet që ndodhin në natyrë dhe si ndikojnë te ne. Trupat janë sikurse spekulativ në një mënyrë se si kishin mujt me ndryshu trupat tonë në një të ardhme kur ambienti është duke u shkatërruar në një lloj forme, këto trupa si alien janë edhe si njerëzor por edhe ikin prej saj. Trupat nëse shikohen veçmas, ndrrohen edhe ato në secilin punim, edhe gjendja emocionale e tyre dhe pozita në të cilën gjenden fizikisht po edhe ambienti ku janë”, përfundon ajo, duke falënderuar të gjithë të pranishmit që erdhen për të parë nga afër vizatimet e saj në këtë ekspozitë.

Ndërkaq, kuratori i kësaj ekspozite, Yll Xhaferi, thotë për KultPlus se ai në rolin e kuratorit, ka qenë për herë të parë.

“Fillimisht, në pozitën e kuratorit gjendem për herë të parë. Është një bashkëpunim interesant, sepse Renea më ka ftu, ndërkaq unë atë e njoh që moti kohë dhe na ka ra me e pa punën e njëri tjetrit. Unë jam më i madh me moshë dhe e kom pa evoluimin e punëve të Reneas dhe progresit që ajo e ka bërë prej fillimmit të studimeve deri tash, ku është në përfundim të masterit. Kur më ka ftu, e kom marr si sfidë, por tu mendu që e njohim njëri-tjetrin, i kom hy kësaj sfide”, shpjegon Xhaferi.

Bashkëpunim i natyrshëm për një finale të bukur

“Bashkëpunimi ka shku shumë mirë e natyrshëm dhe është normale që punët të vlerësohen prej publikut. Një prej pjesëve më të vështira më të cilën jam përballur është ky bashkëdygëzimi i ciklit të vjetër të punëve që ka pasur me këto të reja. Normalisht, kanë kuptim nëse e njeh Renean mirë, pasi ka përdoru stil komplet tjetër, më herët një pop-abstrakte dhe ka kaluar në një figuracion shumë interesant. Prej zbërthimit të formave te krjimi i disa personazheve, që duken paska si jashtëtoksor por sigurisht publiku mund të asociohet me këto trupa, pasi janë duke mbajt pozita shumë vragjile dhe njerëzore. Pjesa tjetër mund të shihet nga publikut”, vazhdon tutje kuratori i ekspozitës “Pragu”.

Xhaferi gjithashtu shpjegon edhe procesin e përzgjedhes së galerisë “Qahili”, si vend të duhur për shfaqjen e pikturve të Begollit.

“Sepse na ka përmbush kërkesat tona, pasi është e ndarë në dy pjesë, ku pjesa kryesore paraqet një pidestalë ku paraqiten punimet e reja, ndërkaq në atë pjesën tjetër duket pak më intime dhe si dhomë personale, ku paraqiten punët e saj të vjetra. Na u ka përshtat sikurse me porosit, kështuqë kemi vendosur me bashkëpunu. Një pjesë tjetër që mund të themi se ka ndikuar që ne të zgjedhim Galerinë “Qahili” është edhe pjesa e ndriçimit, ku shpesh ne e nënvlerësojmë anën teknike. Një ndriçim i mirë, automaitkisht e vlerëson punën tuaj dhe artistit”, përfundon ai.

Si përfundim, ekspozita “Pragu” e Renea Begollit në “Galeria Qahili” ishte një ngjarje e suksesshme dhe e paharrueshme që shfaqi stilin dhe talentin unik të artistes së re. Me kërkimin e saj të vazhdueshëm për forma të reja të shprehjes dhe figurat e saj imagjinative, Begolli me siguri do të bëjë emër në botën e artit Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 4 mars. /KultPlus.com

Ishte fëmijë kur lufta shpërtheu në Kosovë, Yll Xhaferi vizatonte lodrat, veprat e tij tashmë edhe me ekspozitë

Artisti Yll Xhaferi, i rritur në një shoqëri në tranzicion, duke përjetuar personalisht luftën e fundit në Kosovë, ka gjetur strehë në botën e tij imagjinare përmes lodrave dhe artit. Një tendencë kjo, për të ikur nga realiteti, por pa sukses, pasi që pikërisht ambienti dhe ngjarjet rrethuese kanë lënë gjurmë në punën e tij. Punime që veçohen për ngjyra të ndezura, materiale të vrazhda dhe elemente abstrakte.

Alberina Haxhijaj

“Gjatë periudhës së tranzicionit, sidomos pas luftës kam tentuar ti vizatoj lodrat, mirëpo pa e ditë se çfarë jam duke bërë, thjeshtë ka qenë një tentim me ikë prej situatës edhe ngjarjeve. Mirëpo, ironikisht krejt ato lodrat që unë i kam bo imagjinare kanë përfunduar me armë”, tregoi ai për KultPlus, në hapje të ekspozitës së tij ‘Toy Story’, në hapësirën ekspozuese ‘Motrat’.
Ai në këtë ekspozitë i është rikthyer përsëri këtyre kujtimeve, duke i sjellë ato në një formë më abstrakte. Duke u përballur njëkohësisht me pyetjen se a duhet të jetë politike apo të distancohet nga politika.

“Po shpërlahemi prej politikës, edhe po tentoj më i sjellë qato kujtime, qato linjat e njëjta, abstrakte ose naive si fëmijë, mirëpo në një kontekst tjetër, që ti kthej në kontekst kulturor me i përfaqësu si një identiteti të ri kulturor dhe me i sjellë me ngjyra vivide, të ndezura, që vizualisht me qenë të ëmbla por që i referohen një memorie të errët”, tregoi ai.

Punimet e tij të risjella më me ngrohtësi, me ngjyra më të ndezura, ku dallohen edhe ngjyrat e flamurit shtetëror të Kosovës, shfaqin një preokupim tjetër të artistit Yll Xhaferi. Ai është në kërkim të një identiteti. “Në mungesë të identitetit kulturor, unë tentoj ta ribëjë një identitet edhe pse është kaotik, abstrakt”, thekson ai duke e konsideruar këtë ekspozitë edhe një lloj proteste.
“Artistët kanë nevojë me pas kontakte me jashtë, mirëpo, kuptohen rrethanat në vendin tonë. Prandaj është e rëndësishme që prej këtij vendi me reflektu çkado që kemi. Kjo është një lloj protestë edhe sociale. Unë si artist, me artin tim dua të plasoj në një skenë botërore. Me qenë pjesë në një narracion të artit botëror, mirëpo me kontekst i cili është komplet lokal”, sqaron ai.
Në ekspozitën‘Toy Story’, u ekspozuan gjashtë piktura me ngjyra akril, sprej edhe letra, materiale këto me të cilat artisti i ka përdorur që i vogël, si dhe një instalacion.

“Ideja e instalacionit me tulla, ka qenë spontane. Unë i kam përdorur tullat dhe armaturat si materiale të vrazhda sepse si i vogël kam luajtur me to. Familja ime si shumica e shqiptarëve e ka renovu shtëpinë pas luftës për shkak të dëmtimeve. Unë gjatë kësaj kohë kam qenë fëmijë edhe i kam ndihmuar babit. Në një formë tullat kanë qenë një ‘Lego’, pra materialet e vrazhda kanë qenë për mua lodra”, u shpreh ai për instalacion i cili ishte pjesë e ekspozitës së tij të tretë personale.

Në anë tjetër për menaxherin e hapësirë ekspozuese ‘Motrat’, Ëngjëll Berisha, promovimi i të rinjve është shumë i rëndësishëm, pasi që puna e tyre është ajo që më së shumti ka nevojë që të ekspozohet.
“Punime janë ekspozuar ashtu që hapësira të jep pamjen e një labirinthi, vërehet që është vështirë me u dallu punimet. Ajo që po ndodh është se ne po tentojmë me e ri-produktu, atë që po ndodh nëpër qytet. Si kjo rruga ku gjendemi ne, që është e mbushur prej urbanes, edhe është një labirint. Po ashtu punimi përballë dritares, i cili shihet më së miri nga jashtë, të jep ndjesinë se ambienti jashtë po e imiton atë që po ndodhë brenda”, u shpreh ai. Ekspozita e Yll Xhaferi “Toy Story” do të qëndrojë e hapur në hapësirën ekspozuese ‘Motrat’ deri më 30 Mars nga ora 8:00 deri në 18:00./KultPlus.com

Yll Xhaferi sjellë ekspozitën ‘Toy Story’ te ‘Motrat’

Yll Xhaferi do të shfaq para artdashësve ekspozitën tij të re të quajtur “Toy Story”, duke sjellë kështu ndikimet e imponuara të tranzicioneve sociale, shkruan KultPlus.

Yll Xhaferi, i lindur në Prishtinë është student në nivelin master, në fakultetin e arteve të Prishtinës.
Medium kryesorë e ka pikturën, por punon në mediume të ndryshme, duke eksploruar forma të ndryshme vizuele, me teknika të ndryshme. Është artist aktiv dhe pjesëmarrës në shumë ekspozita, disa personale dhe kolektive.

Shumica e punëve të Ylli trajtojnë ndikimet e imponuara të transicioneve sociale lokale, dhe në të njëjtën kohë, nëpërmjet artit, ironikisht tenton të qëndrojë i distancuar ndaj këtyre ndikimeve dhe të jetë pjesë e një konteksti me të gjerë kulturor. Gjithashtu, kërkon mbi estetiken duke ju referuar idesë së përfaqësimit me një identitet të caktuar kulturor.

Hapja e ekspozitës do të mbahet të enjten më 1 mars, nga ora 19:00 në (Rr. Shaban Polluzha, pas Teatrit Kombëtar të Kosovës). Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri më 30 mars, nga e hëna deri të premten, nga ora 09:00 deri në orën 18:00. / KultPlus.com