“Pragu”, dy platforma që paraqesin evolucionin artistik të Renea Begollit

Uranik Emini

E vendosur në një lokacion të veçantë, “Galeria Qahili” e saporinovuar ishte mikpritëse e një artisteje vizionare, Renea Begolli, dhe ekspozitës së saj personale, “Pragu”, më 8 shkurt. Artistja e re, e njohur për stilin e saj unik dhe figurat e saj imagjinative, u nderua nga artdashësit dhe fytyra publike teksa tregoi fuqinë e artit të saj, shkruan KultPlus.

Hyrja në “Galeria Qahili” ishte si të hyje në një botë tjetër, ku kufijtë mes realitetit dhe imagjinatës ishin të mjegulluara. Ekspozita ishte e ndarë në dy pjesë, ku pjesa e poshtme tregonte vizatimet e kaluara të Begollit, ndërsa pjesa e sipërme ishte një piedestal i botës tjetër që shfaqte figura që u ngjanin alienëve, së bashku me vizatime panoramike, kryesisht të mbushura me ngjyra nga më të ndryshmet.

Me çdo vepër arti, vizitorët transportoheshin në botën imagjinare të Begollit, ku çdo gjë ishte e mundur dhe asnjë detaj nuk ishte shumë i vogël për t’u vlerësuar. Detajet e ndërlikuara, ngjyrat mahnitëse dhe dhuntia krijuese në secilën pjesë i lanë vizitorët të mahnitur nga talenti dhe zgjuarsia e një artisteje të re.

Ekspozita e Renea Begollit u kurua nga Yll Xhaferi, i cili mblodhi me mjeshtëri veprat e saj për të krijuar një eksperiencë të paharrueshme, ndërkaq “Galeria Qahili” prezantoi dinjitetshëm figurat e saj imagjinative dhe stilin unik.

Hapja e ekspozitës “Pragu” ishte një ngjarje e mbushur me yje, ku të pranishëm ishin shumë personazhe publike dhe artdashës. Njerëzit e pranishëm në këtë galeri u mbushën me emocione ndërsa vizitorët mrekulloheshin nga detajet e ndërlikuara dhe dhuntia krijuese e shfaqur në çdo vepër arti.

Artistja dhe protagonistja e kësaj ekspozite, Renea Begolli, tha për KultPlus se ndjehet shumë e lumtur që ka arritur të hap këtë ekspozitë, derisa ndau detaje të tjera rreth ekspozitës.

“Ideja e “Pragut” ka qenë për shkak të konceptit të punëve, punët e trajtojnë pak hapësirat e ndërmjetme dhe punët kalojnë prej një mënyre qysh i kom punu në tjetrën. Ekspozita është e ndarë në dy pjesë, ku paraqiten punët e mia të kaluara dhe të tanishme, shihet edhe një zhvillim i punës dhe një transformim i imi. Edhe ideja e “Pragut” ka qenë si një simbol dhe çka nënkupton me qenë në një prag, a je brenda apo jashtë dhe disa pyetje të tilla jam munduar me i shtru përmes këtij titulli”, thotë ajo.

Tutje, Begolli flet edhe për pjesën e veprave të ndara në dy pjesë dhe stilin e saj transformues.

“Edhe puna jem është shumë kërkuese, jam gjithmonë në kërkim që të mbërrij nga një punë në tjetrën dhe të mos e përsëris veten. Punët ndryshojnë, idetë ndryshojnë, ngjyrat e të gjitha këto që janë të lidhura me njëra tjetrën, por kur je e re gjithmonë mundohesh me ndryshu dhe me e gjet veten si duhet, edhe pse ka shumë sfida në këtë aspekt. Nuk tentoj që të krijoj punën e njëjtë, secila punë e ka një veçanti”, shpjegon ajo më tej për KultPlus.

“Unë nuk besoj në idenë e stilit të artistit, unë përveti kam qef që ta sfidoj veten, por gjithmonë puna ndryshon, në këtër rast edhe artisti. Nuk besoj që në ndonjë moment kom me gjet stilin tem, por do të jem gjithmonë në kërkim për shumë gjëra të reja”, njofton Begolli.

Trupi, ndryshimet që ky i fundit pëson dhe gjendja fizike e emocionale e tyre, është njëra prej temave që artistja synon të përçoj si mesazh te publiku.

“Njëra prej temave që kjo ekspozitë trajton është trupi, dhe ndryshimet që ndodhin në trup, si fizkisht, si në gjendjen emocionale dhe sidomos ndryshimet që ndodhin në natyrë dhe si ndikojnë te ne. Trupat janë sikurse spekulativ në një mënyrë se si kishin mujt me ndryshu trupat tonë në një të ardhme kur ambienti është duke u shkatërruar në një lloj forme, këto trupa si alien janë edhe si njerëzor por edhe ikin prej saj. Trupat nëse shikohen veçmas, ndrrohen edhe ato në secilin punim, edhe gjendja emocionale e tyre dhe pozita në të cilën gjenden fizikisht po edhe ambienti ku janë”, përfundon ajo, duke falënderuar të gjithë të pranishmit që erdhen për të parë nga afër vizatimet e saj në këtë ekspozitë.

Ndërkaq, kuratori i kësaj ekspozite, Yll Xhaferi, thotë për KultPlus se ai në rolin e kuratorit, ka qenë për herë të parë.

“Fillimisht, në pozitën e kuratorit gjendem për herë të parë. Është një bashkëpunim interesant, sepse Renea më ka ftu, ndërkaq unë atë e njoh që moti kohë dhe na ka ra me e pa punën e njëri tjetrit. Unë jam më i madh me moshë dhe e kom pa evoluimin e punëve të Reneas dhe progresit që ajo e ka bërë prej fillimmit të studimeve deri tash, ku është në përfundim të masterit. Kur më ka ftu, e kom marr si sfidë, por tu mendu që e njohim njëri-tjetrin, i kom hy kësaj sfide”, shpjegon Xhaferi.

Bashkëpunim i natyrshëm për një finale të bukur

“Bashkëpunimi ka shku shumë mirë e natyrshëm dhe është normale që punët të vlerësohen prej publikut. Një prej pjesëve më të vështira më të cilën jam përballur është ky bashkëdygëzimi i ciklit të vjetër të punëve që ka pasur me këto të reja. Normalisht, kanë kuptim nëse e njeh Renean mirë, pasi ka përdoru stil komplet tjetër, më herët një pop-abstrakte dhe ka kaluar në një figuracion shumë interesant. Prej zbërthimit të formave te krjimi i disa personazheve, që duken paska si jashtëtoksor por sigurisht publiku mund të asociohet me këto trupa, pasi janë duke mbajt pozita shumë vragjile dhe njerëzore. Pjesa tjetër mund të shihet nga publikut”, vazhdon tutje kuratori i ekspozitës “Pragu”.

Xhaferi gjithashtu shpjegon edhe procesin e përzgjedhes së galerisë “Qahili”, si vend të duhur për shfaqjen e pikturve të Begollit.

“Sepse na ka përmbush kërkesat tona, pasi është e ndarë në dy pjesë, ku pjesa kryesore paraqet një pidestalë ku paraqiten punimet e reja, ndërkaq në atë pjesën tjetër duket pak më intime dhe si dhomë personale, ku paraqiten punët e saj të vjetra. Na u ka përshtat sikurse me porosit, kështuqë kemi vendosur me bashkëpunu. Një pjesë tjetër që mund të themi se ka ndikuar që ne të zgjedhim Galerinë “Qahili” është edhe pjesa e ndriçimit, ku shpesh ne e nënvlerësojmë anën teknike. Një ndriçim i mirë, automaitkisht e vlerëson punën tuaj dhe artistit”, përfundon ai.

Si përfundim, ekspozita “Pragu” e Renea Begollit në “Galeria Qahili” ishte një ngjarje e suksesshme dhe e paharrueshme që shfaqi stilin dhe talentin unik të artistes së re. Me kërkimin e saj të vazhdueshëm për forma të reja të shprehjes dhe figurat e saj imagjinative, Begolli me siguri do të bëjë emër në botën e artit Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 4 mars. /KultPlus.com

‘Linja e Jetës’ shënon dy vjetorin e themelimit, vend i një vullneti të mirë

Kohët e fundit dukuria e vetëvrasjes në Kosovë ka qenë një temë në përhapje e sipër, e gjithashtu ka shumë të atillë që nuk janë të gatshëm për të biseduar e diskutuar për këtë temë, shkruan KultPlus.

“Linja e Jetës” është krijuar pikërisht për t’i ndihmuar atyre personave të cilët kanë në mendje të lëndojnë vetën apo edhe të shkojnë deri në mendimin e vetëvrasjes.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Linja e Jetës ka bërë të ditur se në përvjetorin e dytë të themelimit deri tani kanë trajnuar mbi 81 vullnetarë dhe numëron mbi 5500 orë funksionimi.

“Përderisa reflektojmë në këto dy vite që po lëmë pas, ne jemi mirënjohës për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi dhe që e kanë ndihmuar Linjën e Jetës ta ofrojë shërbimin e saj pavarësisht sfidave të shumta të paraqitura gjatë kësaj periudhe.”, shkruhet mes tjerash.

‘Linja e Jetës’ është pikërisht vendi në të cilin të gjithë dëshirojnë të kontribuojnë në të mirën e përbashkët duke u mbledhur vullnetarisht. / KultPlus.com