‘Eminencë Gri’, ekspozita që vizualizon ndikimin e teknologjisë në perceptimet e njerëzve

Flonja Haxhaj

Nocioni i të pamurit dhe lëvizjes në raport me përceptimet që shndërrohen dhe ndërmjetësohen nga imzhet të cilat shpërndahen përmes teknologjisë, u pasqyruan nëpërmjet instalacioneve në ekspozitën ‘Eminencë Gri’ të artistit Zgjim Zyba, përcjell KultPlus.

Shkallët nga materiali i sfungjerit dhe pikat lundruese janë dy instalacionet që zënë vend në ekspozitën që hapi dyert më 3 mars në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Vetë artisti Zyba tha për KultPlus se koncepti i ekspozitës ka të bëjë me realitetin dhe teknologjinë.

“Teknologjia është një faktor kryesor në transformimin e qenies njerëzore, e ky faktor është qysh nga fundi i shekullit XX ndërkaq sot ne e shohim post-humanizmin e që është një koncept ndryshe nga koncepti racional i qenies njerëzore”, u shpreh ai teksa shpjegonte konceptin e ekspozitës.

“Unë jam munduar ta paraqes këtë koncept përmes dy instilacioneve. E para është në hapësirën e jashtme ku janë pikat ose mizat lundruese të cilat ne i shohim kur kemi një ndriçim shumë të madh në pamjen tonë, kurse pjesa tjetër janë shkallët e transformuara përmes materialit të sfungjerit”, tha mes tjerash  Zyba.

Ekspozita e cila ka për qëllim të vizualizojë ndikimin e thellë të teknologjisë në evolucionin e njerëzimin dhe lidhjen e nguushtë me rolin e saj në përcaktimin dhe ndryshimin e pikëpamjeve individuale dhe kolektive rreth së tashmes, së ardhmes dhe imagjinares, u kurua nga Hana Hallaj.

Ndërkaq, ‘Eminencë Gri’ do të jetë e hapur deri më 25 prill./KultPlus.com

“Eminencë Gri”, ekspozita e parë personale nga Zgjim Zyba hapet në GKK

Galeria Kombëtare e Kosovës këtë javë do të mirëpres ekspozitën “Eminencë Gri” të artistit Zgjim Zyba.

Ndikimi i thellë i teknologjisë në evolucionin e njerëzimit është i lidhur ngushtë me rolin e tij në përcaktimin dhe ndryshimin e pikëpamjeve individuale dhe kolektive rreth së tashmes, së ardhmes dhe imagjinares. Për ekspozitën e tij të parë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Zyba prezanton dy instalacione që eksplorojnë nocionin e të pamurit dhe lëvizjes në raport me perceptimet tona të cilat shndërrohen dhe ndërmjetësohen nga imazhet vizuale të cilat shpërndahen përmes mjeteve teknologjike.

Eminenca gri e teknologjisë influencon thellësisht vlerat shoqërore të krijuara në hegjemoninë aktuale kapitaliste globale, duke shërbyer si mjet për emancipim, e në të njëjtën kohë, edhe si mjet kufizimi dhe kontrolli. Duke plotësuar njëri-tjetrin, evolucioni teknologjik dhe ai njerëzor i cili shkon prapa në shekullin e 20, krijojnë mundësi për shpalosje të vazhdueshme të perspektivave të reja mbi botën.

Ekspozita e cila është kuruar nga Hana Hallaj, do të hapet më datë 3 mars, prej orës 17:00. / KultPlus.com

“Sikur Hana” të mërkurën në Muzeun e Kosovës

Më 4 prill me fillim nga ora 19:30, në Muzeun e Kosovës, hapet ekspozita “Sikur Hana”, shkruan KultPlus.

Ekspozita e realizuar nga Die Morina dhe Zgjim Zyba, na sjellë loken Hanë dhe plot gra të tjera të cilave nuk u ka munguar aspak guximi.

“Në këtë ekspozitë na ipet mundësia të hyjmë nën të dukshmen e gruas dhe të marrim kuptimin e thellë të saj, të fshehtën që ne duam ta shohim. Të përzgjedhësh rrugën dhe të ndjekësh atë kërkon guxim. Lokes Hanë dhe plot grave tjera nuk u ka munguar aspak guximi”, thuhet në njoftimin e ekspozitës./ KultPlus.com