Kumbaro vizitë tek shkolla artistike në Gjirokastër, i plotëson dëshirën flautistit të talentuar (FOTO)

Mars 12, 2018 - 4:46 pm

Ministrja e Kulturës dhe deputetja, Mirela Kumbaro gjatë vizitës së saj në qarkun e Gjirokastrës është ndalur në shkollën artistike “Feim Ibrahimi”, ku i ka bërë një surprizë të bukur njërit prej nxënësve të talentuar të kësaj shkolle.

Kumbaro i ka dhuruar një flaut të ri Anxhelos nga Përmeti, duke i plotësuar kështu dëshirën e tij. Dëshirë, që ishte bërë publike edhe në kronika televizive për shkak të kushteve të vështira ekonomike të Anxhelos, i cili flautin e ka objektin më të çmuar.

“Në shkollën artistike “Feim Ibrahimi” në #Gjirokastër me Anxhelon nga Përmeti, flautistin e ri që sot u pajis me flaut të ri siç e dëshironte. #EdukimPërmesArtit”, shkruan Kumbaro në faqen e saj në Facebook, ku ka publikuar edhe disa foto.

Nga shkolla artistike, Kumbaro tha se qëllimi i kësaj vizite është të shkohet drejt një iniciative për të mbështetur me instrumente muzikore shkollën e vetme artistike të Gjirokastrës. Javën që vjen, kjo shkollë do të pajiset me instrumenta të tjerë muzikorë, që u vijnë në ndihmë fëmijëve të talentuar që studiojnë aty.

Ministrja e Kulturës shoqërohej në këtë vizitë edhe nga deputeti tjetër i qarkut të Gjirokastrës Flamur Golemi./ KultPlus.com

Të ngjajshme