‘Tisa’, filmi që i kushtohet viktimave që humbën jetën në lumin Tisa erdhi në PriFest

Në natën e dytë të PriFilmFest u shfaq filmi i metrazhit të mesëm “Tisa”. Ky film vjen me regji nga Valter Lucaj dhe skenar të Afrim Muçaj. Filmi trajton ngjarjen e një të riu i cili vendosë të udhëtojë ilegalisht në Francë për ta përmbushur ëndrrën e tij si futbollist.

Ngjarja e filmit zhvillohet ngadalë për të lënë gjithçka në fund. Thelbi qëndronte te momenti kur personazhit kryesor, Benit i vie një ofertë nga Franca për të luajtur si futbollist atje. Përkundër kësaj, Benit nuk i aprovohet viza dhe në pamundësi të marrjes së vizës, ai detyrohet të udhëtojë ilegalisht bashkë me babin e tij, në mënyrë që ta përmbushë ëndrrën e tij, udhëtim ky që përfundon gati në një tragjedi teksa ai tenton ta kalojë lumin.

Ky film i kushtohet viktimave që humbën jetën në lumin “Tisa” në vitin 2009, në përpjekje për ta kaluar kufirin serbo-hungarez. Personazhet kryesorë që luajnë në këtë film janë: Blin Sulejmani, Gani Rrahmani dhe Rina Krasniqi.

Sot, në një konferencë për media pranë Teatrit Kombëtar ishin të pranishëm një pjesë e ekipit të filmit, të cilët treguan detaje gjatë këtij rrugëtimi, shkruan KultPlus.

Fillimisht skenaristi Afrim Muçaj, tregoi se qysh në fillim e kishte të qartë fundin e filmit, dhe madje ka filluar ta shkruaj të gjithë skenarin.

Koha kur ishin realizuar xhirimet, ishte gjatë eksodit kosovar të vitit 2015 dhe meqë filmi kishte një temë të ngjashme, skenaristi tregon që ideja ka qenë të xhiroheshin pikërisht skenat e kosovarëve duke u larguar duke dashur t’i përshtatin skenat, por sipas tij ka qenë e pamundur për shkak të turmave të mëdha.

“Gjatë kohës kur e kemi improvizuar udhëtimin e personazhit Beni, e kemi pasur një ide që t’i xhirojmë njerëzit duke ikur, mirëpo si produksion jemi frikësuar për shkak të turmave dhe mosmundësisë së menaxhimit të tyre”, ka thënë skenaristi Muçaj.

Sa i përket mesazhit të filmit, Muçaj ka thënë se mesazhi kryesor ka qenë përpjekja e të rinjve për të dalë jashtë vendit dhe për t’i realizuar ëndrrat e tyre. “Mesazhi kryesor është ëndrra e të rinjve në një vend të izoluar. Çirrjet për të dalë jashtë këtij vendi”, ka shpjeguar skenaristi.

Ndërkaq Blin Sylejmani, personazhi kryesor, ka treguar për eksperiencat e tij në film, dhe ka shtuar se ka qenë hera e parë që ka luajtur në një film profesionist. Ai tregon në veçanti për skenën e fundit, dhe kushtet në të cilat kanë xhiruar. “Dy ditë përpara xhirimeve, bashkë me regjisorin dhe producentin, kemi shkuar te lumi për ta thyer akullin në mënyrë që të mund të hynim me anije e më pas edhe unë. Tri herë më është dashur të hyjë në ujë deri sa i kemi realizuar xhirimet”, ka treguar Blin Sylejmani rreth eksperiencës gjatë realizimit të filmit.

Kurse aktorja Rina Krasniqi ka thënë se ka qenë një privilegj për të pjesëmarrja në këtë film.
“Pjesëmarrja ime në filmin “Tisa” ka qenë një privilegj i madh për mua pasi që isha në semestrin e parë të vitit të parë gjatë studimeve në Akademinë e Arteve. Ka qenë një fat jashtëzakonisht i madh për mua që isha pjesë e filmit”, ka thënë krejt për fund aktorja Krasniqi. Drenushë Morina. / KultPlus.com

Murale e re në sheshin ‘Skënderbe’ në Shkup, përfshihen figurat kombëtare shqiptare (FOTO)

Në sheshin ‘Skënderbeu’ në Shkup, tek monumenti i heroit tonë kombëtar Skënderbeut, në krye të Çarshisë së Shkupit, është duke u realizuar një murale e re, shkruan KultPlus.

Në murale janë përfshirë shumë nga figurat kryesore të historisë sonë kombëtare, nga Skënderbeu te Nënë Tereza, Adem Jashari, e shumë të tjerë.

Inaugurimi i kësaj morale pritet të bëhet në ditët në vazhdim, ndonëse ishte paralajmëruar se do të përfundonte në fund të muajit maj.

Ky shesh, ku punimet kanë kohë që kanë filluar, pritet të jetë sheshi më i madh i Shkupit. / KultPlus.com

Ansambli ‘Shota’ nderohet me dy çmime në Festivalit Ndërkombëtar të Trabzonit në Turqi

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” jo rrallë kanë përfaqësuar kulturën shqiptare në festivale të ndryshme ndërkombëtare ku nuk kanë munguar edhe çmimet për ta.

Kësaj radhe përgjatë datave 6 deri më 14 korrik, Ansambli “Shota” ishte pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Trabzonit në Turqi.
Në këtë festival Ansambli ‘Shota’ u nderua me çmimin e dytë në kategorinë e performancës së përgjithshme dhe çmimin e parë muzikor të festivalit, përcjellë KultPlus.

Për një gjë të tilla ka njoftuar drejtori artistik i këtij ansambli, Ylber Asllanaj i cili është shprehur se kjo është një dëshmi që arti është përfaqësuesi më i denjë i shtetit tonë para botës.

“Edicioni i I-rë i “Kemençe ve Horon”-fest, në Trabzon-Turkey, ku AKKV “SHOTA”, u nderua me çmimin e II-të, në kategorinë e performancës së përgjithshme dhe çmimin e I-rë muzikor të festivalit,edhe një dëshmi kjo, që arti,sporti dhe kultura janë përfaqësuesit më të denjë të shtetit tonë para botës. Edhe një JU LUMTË e madhe për T. A. të ansamblit,për punën dhe suksesin, dhe një apel për kompetentët e shtetit për më shumë kujdes dhe përkushtim ndaj këtij aseti kombëtar”, ka shkruar Asllanaj në Facebook. / KultPlus.com

Restaurohen pikturat murale në Katedralen ‘Zonja Ndihmëtare’ në Prizren

Pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve dhe Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, së shpejti do të filloj së realizuari projekti për restaurimin e pikturave murale të Katedrales “Zonja Ndihmëtare” në Prizren.

Pikturat murale të cilat e mbulojnë tavanin e katedrales, janë unike në Kosovë për nga tradita e pikturës perëndimore të cilat janë realizuar nga autor austriak, ku poashu përbëjnë një mozaik vlerash së bashku me stilin e ndërtimit të katedrales.

Fatkeqësisht, ky Monument me vlerë kaq të madhe kulturore dhe një objekt i rëndësishëm fetar, prej shumë kohësh nuk e kishte trajtimin e duhur, kështu si rezultat i kësaj kishte sjellë dëmtimin si në arkitekturë nga jashtë po ashtu edhe në interierin e saj. Pikturat prej shumë kohësh, kanë qenë nën ndikimin e shumë faktorëve shkatërrues e veçanërisht, të ndikimit të lagështisë e cila rrjedhimisht ka shkaktuar një zinxhirë të sëmundjeve të ndryshme të shtresave të pikturave.

Andaj me realizimin e këtij projekti kapital që financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe që do realizohet nga ana e këshillit konsultativ për punimet konservuese dhe restauruese, emra të njohur si prof. Pirro Thomo, restaurator i monumenteve të kishave Bizantine dhe Postbizantine në Shqipëri, prof.Frederik Stamati, restaurator – kimist pranë Qendrës së studimeve Antropologjike në Tiranë, prof. Ferid Hudhri, studiues pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë si dhe Zef Toshi, artist i popullit, do bëhen ndërhyrjet në pastrimin e sipërfaqeve nga pluhurat dhe papastërtitë, konsolidimi i ngjyrës, plotësimi i boshllëqeve por edhe rënies së suvas nga suporti, eliminimi i kripërave, qepjet e plasaritjeve si dhe ripikturimi në sipërfaqet e pikturave. / KultPlus.com

Gati për koncertin e madh të Faydee në Gërmi

Është paralajmëruar më herët që këngëtari australian, Faydee, i njohur për hitin “Habibi” do të mbajë koncert në Prishtinë.

Organizatori i këtij koncerti Fatos Geci në profilin e ti Facebook jep detaje rreth koncertit.

“Filloj shitja e biletave! Ylli botror Faydee po vjen, pritet koncert i madh në Germi, para Faydee do të performojnë edhe kengëtar Shqiptar. Qdo biletë standard ka çmimin vetëm 7-€uro, ju mirpresim ne sheshin “”Zahir Pajaziti” në Prishtinë”, ka shkruar Geci.

Faydee tashmë ka publikuar në rrjetet e tij sociale datën e koncertit në Kosovë, i cili do të mbahet pas atyre në Gjermani e Turqi. /KultPlus.com

Shkopi i rrallë i arkeologut të parë shqiptar Shtjefën Gjeçovit (FOTO)

I pari arkeolog shqiptar ishte atë Shtjefën Gjeçovi i cili një periudhë të gjatë të punës së tij si arkeolog e kaloi në Laç të Kurbinit. Por kjo nuk ishte e gjitha. Madje kjo ishte një pjesë e vogël e punës së tij shumëvjeçare e cila e ktheu atë në një ndër njerëzit që lëvizi më shumë nëpër Shqipëri në kërkim të objekteve antike.

Në librin “Françeskanët e Mëdhaj”, At Zef Pllumi tregon diçka shumë interesante në lidhje me atin e madh, Shtjefën Gjeçovin i cili nuk mbante një ditar si të gjithë studiuesit e tjerë. Ditari i tij ishte një objekt i cili tani ruhet në Muzeun e Shkodrës.

“Shifeni këtë relike të Gjeçovit që sot ruhet në Muzeun e Shkodrës. Asht shkopi që e shoqnoi gjithkund. E ka gdhendun ai vetë në dru bushi. Shifeni me kujdes se si ndër zgavrat e gdhenduna ai ka shkrue për të gjitha vendet radhazi, ku i shkeli kamba. Mund të thuhet pa dyshim që kurrnji udhëtar i shkencës nuk e përshkoi mbarë Shqipninë që nga Veriu deri në Jug ma shumë se ai”. / KultPlus.com

Gjyshi rapsod me këngë nizamësh

Njëra nga poemat e veprës “Gjyshërit e Kosovës” nga Hasan Dajaku.

Jam viti 1800.
Në krah kam vënë martinë:
Kështu i mbajti Kosova
Në gëzim e suferinë.

Cicëroi ëmbël e ëmbël
Me fyell mëngjesor
Një melodi të paemër,
Vrullshëm e qumështor.

Derdhte erë kumbulle,
Erë lulesh e bar,
Herë mbushej dhembje,
Herë derdhte nektar.

Në të hynin bjeshkët
Dhe fusha e blertë,
Kur vinte e shtruar,
Kur i zinte retë.

Pastaj burfulloi kënga
E nizamit n’shkretëtirë,
Kënga kthente zogun
Që thërriste: Lamtumirë!

Nizami po kthehëj
Nga rruga e gjatë
Me një zog të zi,
Me dëshirë të zjarrtë…

Gjyshi hodhi valle
Si tash, si dikur,
Tundte mëngën e gunës
Si era që tund flamur! / KultPlus.com

‘New Rules’ e Dua Lipës vjen në ‘versionin mashkullor’ (VIDEO)

‘New Rules’ e Dua Lipës vjen në ‘versionin mashkullor’(VIDEO)
Për vetëm një javë, videoklipi ka grumbulluar më shumë se 15 milionë klikime.

Për këtë videoklip, edhe vetë Lipa ka thënë se është “videoklipi më i mirë që kam bërë ndonjëherë”. / KultPlus.com

This is amazing @jakewil LOVE LOVE LOVE #NewRules #duasnewrules

A post shared by DUA LIPA (@dualipa) on Jul 14, 2017 at 11:15am PDT

Vazhdojnë takimet ‘DiasporaFlet’ nëpër Kosovë

Pas takimit në Suharekë, organizata jo-qeveritare Germin do të organizoj diskutimet e radhës me profesionistët e ftuar nga diaspora. Këto takime kanë për qëllim të njoftojnë nga afër të rinjët nga Kosova me diasporën përmes diskutimeve joformale në mes të të rinjve dhe profesionistëve shqiptarë që jetojnë jashtë, për të shkëmbyer eksperiencat dhe njohuritë.

Edicionin e dytë i këtyre takimeve, DiasporaFlet, do të mbahet në Kamenicë më datën 15 korrik në orën 18:00në The Wall Caffe/Bar. Për të ndarë me ju përvojën e saj dhe për të diskutuar rreth përfshirjes së diasporës në ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët, folëse e takimit në Kamenicë është Suzanna Shkreli. Shkreli ishte kandidate e Partisë Demokratike në vitin 2016, për të përfaqësuar distriktin e 8-të të Miçiganit në Kongresin Amerikanë. Ajo ishte një nga 161 kandidatët e miratuar, e cilësuar nga presdenti Barak Obama si një lidere e fuqishme dhe e zgjuar. Ajo aktualisht shërben si prokurore e qarkut Macomb në njësin për mbrotjen e fëmijëve,nga dhuna fizike dhe abuzimi seksual.

Përveq në qytetit e Kamenicës, Suzanna do të jetë e pranishme edhe në takimin DiasporaFlet n’Gjilan së bashkun e artistin Sali Musliu nga Frankfurti. DiasporFlet n’Gjilan do të mbahet me datën 17 korrik në orën 18:00, në Byfen e Teatrit të qytetit.

Takimet e radhës do të mbahen në Prizren, Junik, Pejë, Ferizaj, Mitrovicë dhe Prishtinë.
Takimet DiasporaFlet n’Kamenicë dhe DiasporaFlet n’Gjilan përkrahen nga Friedrich Ebert Stiftung, Prishtina Office (FES). / KultPlus.com

Porto Palermo, një mrekulli natyrore dhe historike (FOTO)

Porto Palermo është një gji në bregdetin e Jonit. Më herët është quajtur Gjiri i Panormos.

Ndodhet në krahun e djathtë të rrugës automobilistike Vlorë-Sarandë, 8 km në jug të Himarës. Në të ndodhet edhe kalaja trekëndore e Ali Pash Tepelenës, që përmban në vetvete dhe një legjendë: Flitet se kalaja e Porto Palermos u ngrit nga Ali Pashai posaçërisht si dhuratë për Vasiliqinë e tij.

Sot, besimtarët janë të shumtë. Ata vijnë, ndezin qirinj, hedhin monedha në arkën e kishës dhe largohen me shpresën se, ky gjest do t’u shpërblehet në jetën e përditshme. Në këtë Park të vogël Natyror Detar, vijnë edhe shumë vizitort të huaj që i shtyjnë bukuria natyrore dhe vetë intriga historike e kalasë.

Në tre-mujorin e fundit ka patur rreth 8000 vizitorë. Është një mrekulli natyrore dhe historike. / KultPlus.com

Art, muzikë, trashëgimi, të gjitha i gjeni në Berat

Berati i një mbi një dritareve i hap sërish dyert për “Festivalin Multikulturor”. Edicioni i katërt vjen në datat 20, 21 dhe 22 korrik me arte pamore, trashëgimi kulturore dhe sesione rreth trashëgimisë e shfrytëzimit efikas, me qëllim zhvillimin turistik.

Edhe këtë vit skena do të ngrihet në pedonalen e qytetit, ku do të ketë performanca muzikore nga artistë të rëndësishëm të vendit, trevave shqipfolëse e nga rajoni.

Tri ditë e tri net, në Mangalem do të ketë performanca muzikore të “Bucharest Ladies Orchestra”, “Offchestra”, “Istanbul Metropolitan”, artistëve të tjerë si Enris Qinami me tingujt e muzikës spirituale te Teqeja e Helvetive dhe “Trio Entr’act” te muzeu “Onufri”.

Nuk do të mungojnë as rrymat muzikore “underground”, të kuruara nga DJ i famshëm Uran B, apo dhe nën ritme bashkëkohore nga DJ Dea Buza.

Nuk do të mungojë gjithashtu edhe “Panairi i Artizanatit dhe i Librit” që do të çelet ato ditë, ku mund të shijoni edhe tingujt tradicional nga Àme “Clarinet Quartet” si dhe nga grupet folklorike të Beratit dhe Gjirokastrës, pikërisht në mbrëmjen përmbyllëse.

Po pse Berati? Sepse turizmi kulturor ka një rëndësi madhore në zhvillimin ekonomik të qytetit, ku nuk mungon tradita artizanale, artistike e kulturore si trashëgimtare e denjë e një numri të stërmadh monumentesh. / KultPlus.com

“Vera e Ohrit”, këtë vit pa Inva Mulën dhe Shkëlzen Dolin

Në edicionin e këtij viti të festivalit “Vera e Ohrit”, pjesëmarrja e artistëve dhe performancave shqiptare është e reduktuar.

Pas anullimit të pjesëmarrjes së një sërë emrash të njohur, që parashikoheshin të ishin pjesë e programit, mes tyre Shkëlzen Doli e Inva Mula, këtë vit nuk merr pjesë me shfaqje as Teatri Shqiptar i Shkupit bëjnë me diej mediat vendase. Violinisti Blerim Grubi është emri i vetëm, që do të interpretojë në natën e parafundit së bashku me Marija Vërshkovën në një koncert në piano e violinë në kishën Shën Sofia. Edicioni i 57-të i festivalit “Vera e Ohrit” nisi me shfaqjen e grupit muzikor nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës “Fourplay”, në skenën e Teatrit Antik, ndërsa mbyllet më 20 gusht me shfaqjen teatrore “Toka e askujt” e Teatrit Nacional. Këtë vit “Vera e Ohrit” është cilësuar si një edicion me risi, sa i takon stafit, logos, e të tjera, pas ndryshimit pas dhjetë vitesh të dy selektorëve, Gjorgji Cuckovski i pjesës së muzikës dhe Zoran Llutkov si elektor artistik i pjesës së dramës, ndërsa motoja është “Rruga drejt magjisë”.

Anullimi i pjesëmarrjes së artistëve shqiptarë si Doli apo Mula, nuk sqarohet nga drejtori i festivalit Oliver Arsovski, nëse bëhet fjalë për angazhime të tjera apo për mosmarrëveshje rreth pagesës, ndërsa për Teatrin Shqiptar ky i fundit nuk arriti që të realizonte në kohë shfaqjen me të cilën do të merrnin pjesë. Interesimi i publikut për të marrë pjesë është i madh, thonë nga drejtoria e festivalit, pavarësisht panikut që shkaktuan tërmetet e njëpasnjëshme në këtë zonë. “Nuk kemi asnjë anullim, çdo gjë rrjedh normalisht dhe ne po bëhemi gati për hapjen e festivalit.

Teatri Antik do të jetë plot natën e parë dhe interesimi për bileta është i madh, jo vetëm nga brenda vendit, por edhe nga jashtë, madje më i madh se vitet e kaluara”, tha më herët zëdhënësja Suzana Vrencovska. Performancat muzikore janë ato që dominojnë skenën e sivjetshme, gjithsej 38, nën interpretimin e mbi 270 artistëve, nga Kina, Rusia, Europa, rajoni. Festivali hapet me një spektakël xhazi, për të vazhduar me mbrëmje xhazi, simfoni rok, orkestra kamertale, e të tjera. Sa i takon pjesës dramatike në skenë do të ngjiten katër teatro vendase, si edhe teatro të huaja, nga Bosnja, Teatri i Ushtrisë nga Bullgaria dhe Teatri Kombëtar i Rumanisë. Skenat muzikore dhe ato teatrore do të jenë ashtu si edhe vitet e tjera në Teatrin antik, Sarajet e Poshtme dhe në oborrin e Shën Sofisë. / KultPlus.com

Dibrani që u bë filozof i madh i Turqisë

Shkollimin fillor e bëri në Aleancën Izraelite në Izmir. Mësoi dhe pak në gjimnazin Gallatasarai të Stambollit. Kur kryente studimet e larta në Mylkiye më 1888, u përjashtua nga fakulteti për motivin se lexonte vjersha e shkrime liridashëse, përparimtare të Namik Qemalit. Më pas kaloi në fakultetin e mjekësisë dhe mezi u diplomua, se ishte një shpirt rebel.

Për shak se kishte vizituar Ismail Qemal Vlorën në Stamboll, provoi dhe burgun e sulltan Abdylhamitit.
Dr. Riza Tevliku që punonte si mjek në zyrën e doganës, që në rini të tij u mor me aktivitet letrar, kulturor, thurte poema popullore, shkruante artikuj letrarë e kritikë, duke i botuar në revistat e asaj kohe si “Serveti Funun”, “Malumat”, “Peyami Ati”, etj.

Regjimi tiranik i sulltan Abdylhamitit e detyroi Riza Tevfikun të bashkëpunojë me xhonturqit që vepronin ilegalisht. Më 1908 u zgjodh deputet i Edrenesë, mbante fjalime të zjarrta për demokracinë shumë partiake. Por shpejt u prish me Partinë “Bashkim-Përparim” që kishte zënë një rrugë hipokrite. Më 1911 mori pjesë në partinë liberale-përparimtare demokratike “Hyrriyet ve Ittihat” (Bashkim e Liri), ku bënte pjesë edhe I. Q. Vlora. Dr. R. Tevfiku njëkohësisht dha mësime edhe në shkollën amerikane “Robert Kolezh” të Stambollit. Gjithashtu jepte leksione në shumë disiplina shkencore e letrare në Universitetin e Stambollit.

Gjatë jetës ai bëri një gabim të madh-nënshkroi si delegat i qeverisë kukull të Stambollit të Damat Ferid Pashës, Marrëveshjen e Sevreit, e cila përbënte vdekjen e shtetit Osman. Ndaj kësaj marrëveshje u protestua ashpër nga rinia turke dhe ai dha dorëheqjen edhe si profesor i Universitetit dhe si ministër i arsimit.

Dr. R. Tefviku ishte shumë i zgjuar, por me nënshkrimin e Sevreit bëri një gabim që nuk falej, se ajo marrëveshje nuk shfaroste vetëm dinastitë osmane, por copëtonte dhe tokat amtare të turqve të pafajshëm.

Një profesor i letërsisë turke, Ismail Habib, shkruan: “Dr Teviku ka shumë merita letrare, mjekësore, filozofike, kulturore, poetike, folklorike, politike, diplomatike, psiko-sociale, historike, botëkuptimore, elokuente, etj. Gjithë këto cilësi, të ishte e mundur të përziheshin në një kazan, do të dilte vetëm një aliazh: poezia lirike popullore e nivelit të lartë e Riza Tevfikut”.

Ai ishte shkrimtari i parë që bëri të njohur folklorin në një studim të gjatë, të botuar në revistën “Pejam Edebi”, 1913, ku dr Tevfiku nuk e mohon origjinën e tij. Në një vjershë ai thotë:
…Kushdo që ka dëshirë ta dijë, babanë e kam shqiptar dhe nënën çerkeze…

Doktor Tefviku sado që nuk pati lidhje efektive me autonomistët shqiptarë ai gjithmonë u interesua për kulturën shqiptare, përkrahu pavarësinë e Shqipërisë.

Botoi shkrime dhe studime turqisht në shtypin shqiptar si tek “Shqiptari” që botohej prej patriotit Dervish Hima në Stamboll. Në librin e përvitshëm “Almanak” ai ka botuar një studim serioz për shqiptarin e madh Hoxhë Hasan Tahsinin.

Siç u përmend shkarazi më sipër Dr Riza Tevfiku më 1918 në kabinetin e Damat Ferit Pashës u bë ministër i arsimit dhe mjerisht mori pjesë si përfaqësues i sadrazemit Ferit Pasha më 10 gusht 1918 në Konferencën e Paqes, të mbajtur në Sevrei dhe nënshkroi marrrëveshjen famëkeqe me të cilën Turqia e Anadolli copëtohej mes grekërve, italianëve, francezëve, anglezëve, etj.

Turqit atdhetarë këtë vendim e hodhën poshtë. Mustafa Qemal Ataturku duke zbritur në Samsun më 19 maj 1919 me 19 gjeneralë patriotë hodhi kushtrimin për çlirimin e Atdheut dhe pasi dëboi të gjithë armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm, më 23 tetor 1923 shpalli republikën e Turqisë. Ndër 150 të përzënët jashtë atdheut bënte pjesë dhe Dr. Riza Tevfik.

Ky poet i madh u vendos në Liban dhe gabimin e tij të madh e pranoi në krijimtarinë e tij. Më 1938 Mustafa Qemal Ataturku mëshirmadh, tradhëtarët dritshkurtër, i fali. Dr Rizai mjaft i lodhur dhe i moshuar u kthye në Turqi dhe deri më 31 dhjetor 1949 jetoi në Stamboll. Vitet e fundit botoi shumë kujtime dhe mbajti mjaft ligjërata.

Ai shkruajti shumë vepra të njohura ndër të cilat “Mësimet e filozofisë”, “Fjalori i plotë filozofik”, Një kritikë filozofike për poetin Abdylhakhamit Tarhan, “Rubairat e Omer Khajanit” etj.
Për të janë hartuar e botuar mjaft monografi dhe antologji poetike me kritika pozitive.
(Shqiptarët në Perandorinë Osmane)

Trio Rona, grupi i nostalgjisë dhe emrave që u ngjitën në muzikë (VIDEO)

Grupi Rona mund të mos jetë emër fort i dëgjuar për gjeneratat më të reja, por gjeneratat e mesme e kujtojnë mirë grupin dhe pjesëmarrjet e tij në ish Jugosllavi.

Emra të ndryshëm të muzikës shqipe kanë parakaluar nëpër këtë grup, disa duke u larguar e disa duke u ngritur shkallëve të suksesit.

“Trio Rona” ishte një grup i krijuar në fillim të viteve tetëdhjetë nga Gili dhe Ilir Berani me të cilët këndonin edhe dy këngëtare, së pari Aida Baraku, pastaj Vlora Jonuzi.
https://www.youtube.com/watch?v=M703h4Cbn2I
Nisim ta kujtojmë grupin me paraqitjet në vitin 1987, një vit pas performancës së këngës “Unë pa ty” kur në grup ishin Aida Baraku, Gili dhe Ilir Berani.
https://www.youtube.com/watch?v=20iaWwjONr4
Në vitin 1989, Trio Rona numëronte pjesëmarrje në Akordet e Kosovës dhe më pas në Festivalin Jugovizija asokohe në Jugosllavi. Në këtë të dytën, në Jugozivija, ata kënduan këngën e kompozuar nga Shefqet Hoxha- Sheki.

Këngët tjera janë edhe më të mira, secila prej tyre. “Djali nga Kina”, “Rajana”, “Llorellaj”, tregojnë për suksesin absolute që grupi kishte dikur, me këngëtarë që kaluan nëpër grup. Nga grupi secili vazhdoi me karrierë solo, ose me karrierë kompozitori, sikur Ilir Berani.


https://www.youtube.com/watch?v=XZdww87YJGQ

Skenaristja e ‘Danish Girl’ rrëfen në Prishtinë rrugëtimin e saj me këtë film

Sot me fillim prej orës 12:00 në hapësirën e rregulluar përpara Teatrit Kombëtar të Kosovës, u mbajt një masterklasë nga skenaristja e filmit të njohur “Danish Girl”, Lucinda Coxon, shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje është organizuar në kuadër të festivalit të filmit PriFilmFest, e hapur për publikun, mediet dhe të gjithë mysafirët nga industria e filmit.

Skenaristja britanike Coxon përpara të pranishmëve foli për punën e saj në skenarin e filmit “Danish Girl”. Në filmin “Danish Girl” luajnë Alicia Vikander dhe Eddie Redmayne.

“Puna për filmin “Danish Girl” ka filluar para 11 viteve, dhe përgjatë kësaj kohe janë ndërruar rreth 6 regjisorë, dhe janë shkruar rreth 20 skica të skenarit, por unë gjatë gjithë kohës kam mbetur skenaristja e vetme e filmit”, thotë Lucinda Coxon.

Filmi britanik “Danish Girl” i përket zhanrit dramë – romancë dhe është i bazuar në romanin e David Ebershof me të njëjtin emër. Regjinë e “Danish Girl” e ka bërë regjisori amerikan Tom Hooper, ndërsa skenarin e ka shkruar shkrimtarja e njohur britanike Lucinda Coxon.

“Mendoj që filmi “Danish Girl” është realizuar në kohën e duhur dhe është një film me ndikim në kinematografinë britanike. Unë kam pasur fat që kam punuar me një regjisor kaq të mirë siç është Tom Hooper”, tha mes të tjerash Lucinda Coxon.

“Danish Girl” trajton historinë e jetës së Lili Elbe, një nga njerëzit e parë që i është nënshtruar një operacioni të ndërrimit të gjinisë.

“Unë nuk e kam ditur me parë që ishte e bazuar në ngjarje të vërtetë. Edhe pse skenari ka mjaft dallime në mes të librit dhe filmit”, tregon mes tjerash skenaristja.

PriFilmFest këtë vit ka një numër të madh të mysafirëve, mes tyre edhe Lucinda e cila është edhe pjesë e jurisë në këtë festival. Gentianë Morina /KultPlus.com

Regjisori britanik me dokumentar mbi iso-polifoninë dhe këngët labe

Dan Shutt, një regjisor britanik, ka zgjedhur këngën labe dhe peripecitë e saj për dokumentarin e tij më të ri.

Në ditët e fundit të xhirimit, dokumentari flet për iso-polifoninë shqiptare e cila njihet edhe nga UNESCO dhe mbrohet si pjesë e trashëgimisë së paprekur gojore.

“Washed by the moon” pritet të lansohet në mars të vitit 2018-të.

“Këngët iso-polifonike labe bartin me vete shumë sensualitet por edhe një ndjenjë të bashkësisë ndër shqiptarë. Për herë të parë për këto këngë u njoftova nga librat e Ismail Kadaresë” tregon regjisori Dan Shutt.

Emri i dokumentarit rrjedhë nga një këngë e Golik Jaupit – “Labëri Larë në Hënë”, shkruan Tirana Times.
“Xhirimet kanë nisur dhjetorin e vitit të kaluar. Në Shqipëri presim që dokumentari të shfaqet vitin tjetër ndërsa më pas do të udhëtojë edhe në festivale tjera. Jam kënaqur me pjesëmarrësit në dokumentar, sidomos me Grupin Polifonik Jonianët” tregon regjisori.

I njëjti regjisor në Londër para pak javësh transmetoi edhe një radio-dokumentar mbi iso-polifoninë, që u transmetua në NTS Radio. / KultPlus.com

Asnjë film shqiptar në dokumentarët e Festivalit të Sarajevës

Është prezantuar sot programi garues i dokumentarëve në kuadër të Festivalit të Filmit në Sarajevë.

Festivali që do të nisë me 11 e deri me 18 gusht ka gjithsej katër dokumentarë që vijnë premiera botërore, ndërsa janë dhjetë të tjerë si pjesë e programit garues, shkruan KultPlus.

Kësaj radhe në këtë program nuk figuron asnjë film shqiptar, nga Kosova a Shqipëria, ndërsa pritet të shihet nëse filmat shqiptarë janë pjesë e festivalit në kategori të tjera. Të gjithë këta filma do të garojnë për çmimin Zemra e Sarajevës. / KultPlus.com

Avec l’amour – Ilija Cvetkovski
City of the Sun [+] – Rati Oneli
The Family – Rok Biček
In Praise of Nothing – Boris Mitić
Kinders – Arash T Riahi, Arman T Riahi
Mr. Gay Syria – Ayşe Toprak
No Place for Tears – Reyan Tuvi
Planet Petrila [+] – Andrei Dascalescu
Playing Men – Matjaž Ivanišin
Ultra – Balázs Simonyi
Guidance Through the Black Hole – Aleksandar Nikolić, Zlatko Pranjić
Home – Zdenko Jurilj
Undercovered – Nejra Latić Hulusić, Sabrina Begović Ćorić
When Pigs Come – Biljana Tutorov

Njeriu që troket në ndërgjegjjen e vet

Shqiptarët janë një popull që nuk lexojnë. Pavarësisht se kjo mund të duket e hidhur, apo e blasfemi, e thënë prej një autori shqiptar, rezulton të jetë e vërtetë. Madje, edhe kur ata lexojnë, u referohen autorëve të vjetër, e veçmas atyre të shekullit të njëzet e sidomos atyre të realizmit socialist, të cilët shpesh i marrin edhe si pikë referimi. Dhe nuk kanë faj, pasi propaganda, hipkorizia dhe meskiniteti janë aq të mëdha sa që mbulojnë çdo analizë të mirëfilltë. Thuhet se ka patur kritikë, por mua rezulton shumë pak e tillë, që të ketë qenë e mirëfilltë dhe profesionale. Më së shumti, ka qenë demagogji. Tragjike kjo, por ja që është e vërtetë. Po të vëmë me re me kujdes lexuesin shqiptar, tashmë, më shumë se asnjë herë më parë, ai po rend shumë pas letërsisë së huaj, duke harruar, me dashje ose jo, se njëkohësisht ekziston edhe letërsia shqiptare. Në këtë drejtim, ora e shqiptarëve ka mbetur pas, duke harruar se çdo epokë ka letërsinë dhe autorët e saj. Nuk jam me idenë se duhet mohuar. Gjithësekush ka kontrinutin e tij në letërsi. Bashkëjetesa e tyre me kohët e ndryshme është pikërisht barometri se sa reale, e bukur dhe koherente është letërsia që ata bëjnë. Është fakt se sot mjaft autorë shqiptarë, andej e këtej kufirit, kanë mundur të njihen ndërkombëtarisht, duke marrë pjesë në manfestime të ndryshme letrare anekënd botës, e duke u përfshirë edhe në antologji ndërkombëtare. Krijimtaria e tyre është tashmë pjesë e fondit të disa prej bibliotekave më prestigjoze.

Njëri prej tyre është edhe Ndue Ukaj, krijimtarinë e të cilit e kam ndjekur edhe më herët. Por në mënyrë të veçantë, Ukaj shpaloset me librin e tij me poezi “Gjithmonë diçka mungon”, të cilin pata fatin ta lexoja së fundmi. Në poezitë e këtij vëllimi poetik, i cili është botuar si një i tërë dhe i pandarë në cikle, vazhdimisht ndeshesh me shqetësimin e autorit mbi realitetin ku endet shoqëria në të cilën jeton. Poezia e tij është sociale, aspak një udhëttim nëpër vargje të mbushura me rimë, por me rrëfime plot mendime, brenga e reflekione. Në to gjenden shumë elemente, me të cilat është pështjellë edhe vet jeta jonë, si: tymi, hija, nata, fantazmat, heshtja, dilemat, mungesa, dëshira, ëndërra, djegia, ngulfatja, muzika, rruga, humnera, mungesa e hapësirës, zhgënjimet, e të tjera, të cilat në tërësi sjellin një ngjyrim poetik të thellë e të larmishëm, të cilat e dëshmojnë autorin si një mjeshtër të mendimit dhe fjalës së shprehur. Në poezitë e Ndue Ukajt spikasin figuracionet letrare, ndërtimet kompozicionale dhe thyerjet strukturore, të cilat duke ardhur në mënyrë të thjeshtë e spontane, e përcjellin mjaft qartë rrëfimin poetik. Ato janë pasqyra ku çdokush sheh vetveten dhe jetën që e rrethon. A sjell përballja me pasqyrën, trishtim? Poezia e vërtetë dhe moderne duhet të rrëfejë realisht realitetin dhe poezia e Ukaj është e tillë.

“Në trenin e parë shfleton gazetën që shpërndahet falas, / Dhe falas merr ato që s’i duhen.” Ose “Në mbrëmje në vendin e saj nuk ka zgjedhje. / Lexon Hamletin me zë dhe dëgjon tingujt e zogjve të mërzitur.” (Portat e lirisë) “Sepse ne asnjëherë s’mund t’a dimë / ku fillon perandoria e dhimbjes / E ku ajo e lumturisë.” (Asnjëherës’mund t’a dimë) “Mes teje dhe meje është një humnerë / Ku veç zogjtë kalojnë të lirë.” (Sipërfaqja pa formë)

Heroi i Ukajt është njeriu që troket në ndërgjegjjen e vet. Ekzistenca e tij është e ngërthyer në një botë kaosi ku historitë e vjetra e të reja bashkëjetojnë në ngërç me perspektivën. Ukaj niset nga e shkuara, për tu ndodhur në të tashmen e për të shkuar drejt së ardhmes. Mjedisi ku endet është konkret, është qyteti i tij, njerëzit me të cilët bashkëjeton në kohë, populli të cilit i përket. Ai është sa besimtar, po aq edhe ateist e rebel. Heroi i tij, apo autori i trajtësuar si heroi, është pikërisht njeriu i sotëm modern, misioni i të cilit është që të përçojë energji pozitive dhe të ndërtojë të mirën në këtë epokë kaotike, plot pasiguri dhe zhgënjime.

Poezia e e Ndue Ukajt spikat për një figuracion të pasur letrar dhe pasurohet herë pa here me forma gjuhësore, të cilat vijnë bukur. Ukaj shkruan në standardin letrar duke e pasuruar atë shepesh edhe me trajtat dhe format foljore të gegërishtes. Kjo ndërthurje e sukseshme e bën edhe më të bukur artin e tij të fjalës. Poezia e tij është e drejtpëdrejtë. Ajo godet jo në sipërfaqen e mburojës, por thellë, deri në asht. Nuk është apel, por britmë e ndërgjegjes.

Duke lexuar krijimtarinë e botuar në këtë vepër, një çast m’u kujtua poezia “Njerëzit”, e poetit brilant Azem Shkreli: “Sikur të takoheshim me vetveten sy më sy, / Do të putheshim, apo kishim për tu pështy?” Veçmas me vëllimin “Gjithnjë diçka mungon”. Ndue Ukaj dëshmohet si një ndër poetët më të veçantë të letërsisë shqipe. /KultPlus.com 

Sonte vjen shfaqja ‘Pylli i pashkelur i ishullit TamTum’ në lagjen Tranzit në Prizren

Duke nisur nga data një 1 korrik, Asociacioni Loyola Gymnasium dhe Loyola Tranzit, si iniciativë e ALG-së janë duke zhvilluar kampin veror të quajtur “Fluturat në Tranzit”. Kampi veror ka mbledhur rreth 100 fëmijë de të rinjë mes të cilëve nxënës të gjimnazit dhe të shkollës fillore Loyola, nxënës të lagjes Tranzit dhe nxënës të gjimnazit ‘Pjetër Meshkalla’ nga Shkodra. Së bashku, “Fluturat në Tranzit” e kanë shkruar dhe realizuar shfaqjen ‘Pylli i pashkelur i Ishullit TamTum’ të mbikqyrur nga autorja Fjolla Hoxha.

Projekti Loyola Tranzit ka nisur në shtator të vitit 2016 si iniciativë e gjimnazit Loyola në lagjen Tranzit të Prizrenit. Qëllimi i projektit Tranzit është që të ndërtohet një marrëdhënie e shëndetshme mes të rinjëve Ashkali të lagjes Tranzit dhe nxënësve shqiptarë të shkollës Loyola.

Nxënësit e gjimnazit Loyola dhe të rinjtë e lagjës Tranzit kanë marrë përgjegjësinë që të përkujdesen për fëmijët dhe familjet e lagjes Tranzit duke ua mundësuar fëmijëve edukimin bazë. Shumë nxënës nga gjimnazi Loyola, për një vit të tërë kanë punuar si edukatorë në shkollën Loyola Tranzit e cila njëherësh shërben si qerdhe e fëmijëve të lagjes, duke ua mësuar të vegjëlve abetaren, gjuhën gjermane dhe bazat e matematikës. Njëherësh, gjashtë mësimdhënës të muzikës kanë punuar në krijimin e korit të fëmijëve si dhe përvetësimin e instrumenteve muzikore si klarineti, violina, gitara, flauta, pjano, bateritë si dhe orkestra.

Kampi veror u ka ofruar pjesëmarrësve që të angazhohen në grupin e shkrimit të dramës të udhëhequr nga dramaturgia Fjolla Hoxha, grupin e strukturimit dhe ndërtimit të skenografisë dhe përgatitjen e kostumografisë të udhëhequr nga regjisorja Parlote Muzliaj, grupin e aktrimit të udhëhequr nga aktorja Ftesa Hazrolli, grupin e vallëzimit të udhëhequr nga Benjamin Ibrahimi (Urban Dance), grupin e këndimit, korrit dhe orkestres të udhëhequr mësuesit e muzikës në Loyola Tranzit, Berat Tafallari, Uliks Hoxhaj, Marigona Delija, Mërgime Sadiku, Hysen Kafexhiu, grupin e pikturës të udhëhequr nga piktori Rron Qena, grupin menagjues tw shfaqjes tw udhwhequr nga Federico Parise si dhe në grupin ‘Forca’ të instrumentistëve të udhëhequr nga violonçelistja e mirënjohur Rina Kaçinari. Mes tjerësh, në kamp kanë marrë pjesë dhe muzikantët profesionalë nga Gjermania Matthias dhe Josy Schmidt.

Shfaqja “Pylli i Pashkelur i Ishullit TamTum” e fton publikun në një udhëtim interaktiv drejt Ishullit TamTum, ku të ndarë në mes nga pylli i pashkelur ku mbisundon vullkani Gruza, jetojnë fisi Tam dhe fisi Tum. Publiku ndërhynë në përcaktimin e fatit të Daortës dhe Atlantidit, të rinjëve nga dy fiset që për të siguruar se vullkani Gruza nuk do të ekspolodojë, duhet të flijohen në pyllin e pashkelur.

“Pylli i pashkelur i ishullit TamTum” do të shfaqet në lagjen Tranzit (Arbanë) në Prizren të premten, me 14.07.2017 në orën 19:30 dhe në sheshin Shadërvan të Prizrenit të shtunën, me 15.07.2017 në orën 19:30. / KultPlus.com

Rita Ora, me ditar mbi eksperiencat e saj nëpër aeroplane

Këngëtarja shqiptare ka treguar se eksperiencat e saj në udhëtime në ajër, janë të atilla që duhet të mesin të dokumentuara.

Aeroplanët me të cilët ajo udhëton nëpër botë kanë edhe rrëfimet e tyre. Rita ka treguar kësisoj se i pëlqen të shkruaj nëpër aeroplan dhe ka tregime që po i shkruan e dëshiron ti ndajë me publikun, shkruan KultPlus.

“Është dicka si Ditari i Aeroplanit, ku shembull shkruaj bisedat e mia me njerëzit e rëndomtë. Ka të bëjë me gjithcka që ndodhë në një aeroplan, ushqimi i mirë, ose i keq, një erë e mirë e dikujt, një parfum i lezetshëm” tregon Rita.

Ajo thotë se ka plot eksperienca të cilat dëshiron ti ndajë me fansat, kjo për të treguar se prej udhëtimeve ajo edhe mëson dhe nuk dëshiron gjithmonë të paraqitet si një vajzë pa ndonjë përvojë edhe në momentet më simpatike të udhëtimeve. / KultPlus.com

Po vjen sezoni i tretë i ‘Narcos’ me Pablo Escobar (VIDEO)

Vazhdon lufta në mes të kartelave të drogës, në sezonin e tretë të serialit NARCOS.

Një trailer është lansuar sot e i cili tregon se cka na pret në këtë sezonë të serialit ku tregohet jeta e Pablo Escobarit dhe aventurat e tij në biznesin e drogës.
NETFLIX së fundmi ka anuluar disa prej serialeve të famshme brenda saj, por kjo nuk do të ndodhë me NARCOS.

Një trailer është lansuar sot e i cili tregon se cka na pret në këtë sezonë të serialit ku tregohet jeta e Pablo Escobarit dhe aventurat e tij në biznesin e drogës.
NETFLIX së fundmi ka anuluar disa prej serialeve të famshme brenda saj, por kjo nuk do të ndodhë me NARCOS.

Sezoni i tretë vazhdon pasi Pablo Escobar vrahet, ndërsa tani ngjarjet marrin kahje tjetër pasi shikuesi do të prezantohet me një tjetër grup të drogës, Cali Cartel. / KultPlus.com

Linda Halimi publikon videoklipin e këngës së re (VIDEO)

Linda Halimi, këngëtare e njohur shqiptare dhe e cila prej vitesh tanimë po punon në Amerikë, ka sjellë sot për publikun projektin “Rock Whine”.

Ky është edhe videoklipi i parë i këngëtares pas përfaqësimit që ajo i bëri Shqipërisë në Eurovizionin e këtij viti ku dështoi të hynte në finale.

Linda ka falënderuar bashkëpunëtorët e saj ndërsa pret që kënga dhe videoklipi veror të kenë suksese. / KultPlus.com

Me qenë

Poezi e shkruar nga Ali Podrimja.

Të jesh shqiptar
e vdekja të mos të gjejë
edhe në skaj të botës
e pamundur është

Të jesh shqiptar
e ndonjë qen të mos të ndjek
deri në varr
e pamundur është

Shqiptar të jesh
botën varr të mos e kesh
e pamundur është
e pamundur

Në trupin tim
plaga më e thellë
sa më afër
Bregut
lum lumi nuk është në linjë. / KultPlus.com

Filmi ‘Kosovo Calling’ sonte në sheshin ‘Zahir Pajaziti’

Festivali Ndërkombëtar i Filmit ‘PriFimFest’, mbrëmë ka bërë hapjen solemne. Festivali është hapur me filmin ‘T’padashtun’ të regjisorit Edon Rizvanolli.

Ndërsa sonte me fillim prej orës 22:30 në kinemanë e hapur, në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në kryeqytet, në kuadër të PriFilmFesto do të shfaqet filmi i metrazhit të gjatë ‘Kosovo Calling’ i cili për regjisor ka Eki Rrahmanin shkruan KultPlus. Skenari i këtij filmi është realizuar nga Jeton Kulinxha, ndërsa producent i filmit është Fisnik Ademi.

Filmi ‘Kosovo Calling’, pasqyron jetën e një komuniteti në një fshat, bazuar në Çabër, të pas luftës në Kosovë. Këtu personazhet mundohen të gjejnë kuptim në rrethanat e reja në të cilat gjendën, si dhe si t’i tejkalojnë sfidat me të cilat ballafaqohen për çdo ditë, gjithmonë duke qenë të vetëdijshëm se i përkasin shekullit 21 dhe se janë në një kënd të Evropës bashkëkohore, por që ende qëndrojnë pothuajse të përjashtuar nga kornizat e ‘Fshatit Globa’.

Në këtë film luajnë aktorët: Çun Lajçi, Armond Morina, Fisnik Ademi, May-Linda Kosumovic, Valina Muqolli, Arbneshë Nixha, Luan Kryeziu, Kushtrim Sheremeti, Anisa Ismaili, Adrian Morina dhe Shkelzen Veseli.

Hyrja në kinemanë e hapur në sheshin sheshin ‘Zahir Pajaziti’ për të gjithë ata që dëshirojnë të shohin filmin ‘Kosovo Calling’, është falas. /KultPlus.com