Nomad Camp sjellë për ju ‘Film midis mali’

Nomad Camp në bashkëpunim me organizatën “Futja Ngjyrë”, dhe grupin jo formal M.A.L kanë formuar një kamp, ideja e krijimit të këtij kampi është që të krijojnë një festival të mirëfilltë të artit dhe kulturës në qytetin e Mitrovicës, shkruan KultPlus.

Sivjet, në edicionin e parë të këtij festivali parashihet të mbahen aktivitete të ndryshme si “Movie Night”, workshope për arte vizuale dhe vëzhgim & exploring. Nata e dytë do të jetë e rezervuar për serialin elektronik “HARD COREE” edicionin e 8-të.

“Po e organizojmë kampin me një shumë minimale të fondeve, edhe pse ajo pjesë e fondeve të premtuara ende nuk është procesuar. Kemi planifikuar që kampin ta mbajmë gjithsesi dhe kemi paraparë që të zhvillohen edhe disa aktivitete tjera, por pa i siguruar fondet nuk mund të premtojmë asgjë. Pas përfundimit të kampit si follow-up do të dalim në teren dhe do t’i përfundojmë së paku dy murale, por kjo varet nga fondet e premtuara”, tha organizatori i këtij festivali Bardhyl Dobroshi për KultPlus.
Dobroshi tregoi tutje se pasi është edicioni i parë i këtij festivali janë duke shkuar me hapa të vegjël.

“Kampi do ti ketë gjithsej katërdhjetë participant, por për vitet në vijim parashohin rritje të numrit të aktiviteteve dhe participantëve. Me një fjalë shndërrimin e Nomad Camp në Nomad Fest dhe krijimin e një festivali që vërtet i ka hije Mitrovices”, tha ai.

Futja Ngjyrë’ është iniciativë kulturore-artistike që bashkon artdashësit të cilët në baza vullnetare marrin pjesë në zbukurimin e qytetit të Mitrovicës.

Me moton “o n’mal po shkojna , o n’mal po shkojna, Yjet bashk ti numrojna, o ti numrojna”, kampi do të filloj më datë 18 gusht dhe vazhdon deri më 20 gusht, prej orës 20:00 në Bajgorë të Mitrovicës.
Të gjithë ju që dëshironi të jeni pjesë e këtij kampi, mund të aplikoni në linkun më poshtë: https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSchEFp_E4JLz5KX1AO6_dmAQQsUbnYQRuxg4veOLMMF2hYë-g/viewform / KultPlus.com

Premiera e ‘Michael Jackson’s Thriller’ do të jepet në Festivalin e Filmit në Venecia

Dokumentari prej 14 minutash, ‘Michael Jackson’s Thriller’, regjinë e të cilit e ka bërë regjisori amerikan John Landis bazuar në këngën ‘Thriller’ të Michael Jackson, do të jepet premierë në kuadër të ‘Venice Film Festival’, përcjellë KultPlus.

Filmi dokumentar do të shfaqet për herë të parë para publikut në mesin e shumë filmave të tjerë në edicionin e 74-të të Festivalit të Filmit në Venecia, i cili do të mbahet nga data 30 gusht deri më 9 shtator, shkruan Rolling Stone, përcjellë KultPlus.

Kënga ‘Thriller’ u lansua nga Michael Jackson më 2 dhjetor 1983. Kjo këngë ka pasur një ndikim të madh në kulturën popullore në atë kohë. Në vitin 2016 ‘Guinness World Records’ këngën ‘Thriller’ e renditi si videon më të suksesshme sepse kishte shitur rreth 9 milionë kopje. /KultPlus.com

Rrëfimet e njerëzve për të ardhmen, vijnë përmes ‘Humans of DokuFest’ nga Nita Zeqiri

Sarandë Selimi

Një ide që lindi duke u bazuar tek ‘Humans of New York’. Ajo këtë projekt e ‘adaptoi’ në njëfarë forme dhe e solli përmes ‘Humans of DokuFest’. Është Nita Zeqiri, fotografja nga Prishtina, e cila vjen në një rrëfim për KultPlus, bashkë me projektin e saj në kuadër të DokuFest.

Ajo është inspiruar pikërisht nga ky festival nga edicionet e viteve të kaluara, ku ka takuar njerëz të ndryshëm, duke dëgjuar rrëfime të tyre, dhe ajo tregon për KultPlus se çdoherë e ka menduar se pse mos t’i tregoj tregimet e këtyre njerëzve që edhe të tjerët t’i dëgjojnë ato. Krejt kjo ka qenë ajo që e ka shtyrë Nitën ta bëjë këtë projekt bashkë me Festivalin e Filmit Dokumentar dhe atij të shkurtër DokuFest, në edicionin e tij të 16-të që nisi të premten e 4 gushtit në Prizren.

“Deri tash në këtë edicion kam takuar shumë njerëz dhe i kam marrë rrëfimet prej personave të ndryshëm. Fokusi i këtij projekti është te tema e DokuFest-it ‘E ardhmja’, pra gjithçka që ka të bëjë më të ardhmen e atyre personave. Po pres të takoj më shumë njerëz në ditët në vijim, por deri tash për vetëm dy ditë, ka qenë një përvojë interesante, ka pasur njerëz që më kanë intriguar prej më herët të cilët janë pjesë e DokuFest në formë direkte ose indirekte. Qëllimi është që projekti të jetë sa ma gjithëpërfshirës, grupmosha të ndryshme, nacionalitete të ndryshme, pra të ketë diversitet sa më të madh. Por tash varet edhe nga ajo se sa njerëzit janë të gatshëm të ndajnë diçka nga vetja e tyre, sa i kanë tregimet interesante, sa kanë mendime për të ardhmen”, tha për KultPlus Nita Zeqiri, e cila vazhdoi tutje rrëfimin e saj shumë të këndshëm, duke treguar për eksperiencën që ka pasur këto pesë ditë të DokuFest, me njerëzit që ka takuar.

“Deri tash të gjithë personat që i kam kontaktuar për tu bërë pjesë e projektit ‘Humans of DokuFest’ kanë qenë kryesisht të hapur. Shumica prej tyre më kanë intriguar më mënyrën se si ata e perceptojnë periudhën e DokuFest-it ose vetë DokuFest-in. Por pasi tema e së ardhmes, ka edhe tregime personale nuk është fokusi vetëm te DokuFest-i por te disa edhe e ardhmja e tyre personale lidhet me DokuFest-in te disa tjerë e ardhmja e tyre lidhet në forma të tjera, ndoshta me profesionin e tyre apo mënyrën e jetesës”, u shpreh tutje Nita, duke treguar se në këtë formë ky është bashkëpunimi i parë më DokuFest.

KultPlus, ka pas mundësinë të qëndroi me Nitën, deri sa ajo realizoi disa intervista e fotografi me njerëzit e piketuar për këtë projekt. Ajo çka na bëri përshtypje ishte një pyetje e Nitës: “Përshkruaje të ardhmen tënde me një fjalë?”, kjo ishte pyetja që të gjithë i bënte të mendonin aq shumë, e kështu e pyetëm edhe ne Nitën, që ajo ta përshkruaj të ardhmen e saj me një fjalë.

“Nuk e kisha menduar që është kaq e vështirë, por sidoqoftë po, kisha mundur të them që e ardhmja ime do të vazhdoj të jetë e lidhur ngushtë me artin dhe kulturën, duke vazhduar të sjellë krijimtari në forma të ndryshme dhe të kem më shumë bashkëpunime me fusha të ndryshme sociale si sociologji, psikologji sepse ato më intrigojnë. Kjo është mënyra se si unë e shoh të ardhmen, njëfarë vazhdimësie të kësaj që kam bërë viteve të fundit dhe tash, vetëm se më e thellë”, u shpreh Nita Zeqiri.

Nita këtë rrëfim për KultPlus, e përmbylli me një përshtypje të saj për festivalin më të madh në vend, DokuFest.

“Jam lidhur shumë emocionalisht me DokuFest-in dhe me temën e këtij edicioni, ndoshta edhe pse jam duke u marrë edhe vetë me këtë temë. DokuFest, mendoj që gjithmonë i ka temat shumë provokuese edhe po mendoj që ky edicion është një lloj revolucioni për shoqërinë tonë, për shkak që kryesisht jemi shumë të përqendruar në të kaluarën, nuk është keq të jesh i fokusuar në të kaluarën por mendoj që nganjëherë duhet të bëjmë një hap edhe nga e ardhmja, duke e marrë parasysh që ka shumë të rinj, mendoj që me këtë edicion DokuFest ka filluar të bëjë një lloj revolucioni te gjeneratat e reja, të paktën t’i provokojë mendjet e tyre edhe t’i nxis të shohin më larg”, përfundoi Nita Zeqiri. / KultPlus.com

Hapet thirrje për artistë për punëtorinë që organizohet nga Artpolis dhe teatri ‘La MaMa’

Qendra për Art dhe Komunitet Artpolis në bashkëpunim me artistët e teatrit ‘La MaMa’ nga qyteti i New York-ut nga data 26 gusht deri më 10 shtator do të mbajnë një punëtori në Prishtinë, e cila fokusohet në eksplorimin e zërit, muzikës dhe gjesteve, duke përdorur tekstin nga produksioni i famshëm i teatrit ‘La MaMa’ dhe shfaqjes ‘Trojanët’, shkruan KultPlus.

Gjatë kësaj punëtorie do të inskenohet shfaqja ‘Trojanët’, e cila është një përzierje e greqishtes së vjetër dhe gjuhëve tjera të vjetra, të vërteta dhe të shpikura. Inskenimi i saj është unik në mënyrën se si ndërveprojnë aktorët dhe publiku. Fuqia e kësaj shfaqje të veçantë është vërtetuar në prezantime gjatë 40 viteve të fundit dhe në 30 kombe.

Gjatë kësaj punëtorie, pjesëmarrësit do të eksperimentojnë me metodat për forcimin e zërit dhe përdorimin e tingullit të pastër. Artistët do të mësojnë muzikën dhe disa nga inskenimet e produksionit të ‘La MaMa’.

Tashmë Qendra për Art dhe Komunitet Artpolis ka hapur edhe thirrjen për artistët pjesëmarrës në këtë punëtori. Nga artistët do të kërkohet që të zgjerojnë materialin duke sjellë këngë, tregime dhe lëvizje nga përvojat e tyre personale.

Disa nga kriteret për artistët pjesëmarrës të caktuara nga Qendra për Art dhe Komunitet Artpolis janë këto: Kërkohen artistë të teatrit të cilët janë të interesuar të eksplorojnë dhe zhvillojnë zërat dhe aftësitë e tyre të aktrimit; Të cilët janë të gatshëm të ngrisin paralele ndërmjet historisë së vjetër të luftës, zhvendosjes, gjenocidit dhe botës bashkëkohore; artistë të cilët janë në gjendje të angazhohen plotësisht gjatë kohës së nevojshme për të krijuar së bashku një shfaqje teatrale; Për të marrë pjesë në punëtori, artistët duhet të jenë prezent gjatë çdo dite të punëtorisë.

Në fund të punëtorisë do të ketë një prezantim publik të punës së arritur para një audience të ftuar.
Kjo punëtori do të jetë pjesë e krijimit të shfaqjes “Trojanët ” e cila do të jetë pjesë e Festivalit FemArt në edicionin e vitit 2018 në Prishtinë. /KultPlus.com

Gjashtë vepra të Rrezeart Galicës në koleksionin e përhershëm në Nameseoul të Koresë së Jugut

Rrezeart Galica, i cili së fundi ka hapur një ekspozitë personale në Seul të Koresë së Jugut, po lë gjurmë me veprat e tij në këtë vend, pasi që, kjo ekspozitë po shkon përtej një ekspozite të rëndomtë, shkruan KultPlus.

Ai tashmë ka marrë njoftimin se gjashtë vepra nga ekspozita e tij, do të jenë pjesë e koleksionit dhe ekspozitës së përhershme pranë Qendrës së Artit të Universitetit Nameseoul të Koresë së Jugut.

Rrezeart Galica ka njoftuar se në këtë ekspozitë të përhershme do të qëndrojnë veprat: : EBOLA, EU Capital BOMB-ATTACK, EU Integration, FAST FOOD CAN KILL YOU, Gaza Massacre, ËE ARE ALL CHARLIE!/KultPlus.com

Baruti në Pavilionin e arkitektit të famshëm Le Corbusier

Financuar nga komuna e Cyrihut , Baruti gëzon ekskluzivitetin të jetë pjesë e projektit artistik të realizuar nga tre artistët zviceran: Roland Roos, Malte Beutler, dhe Luc Scherer, shkruan KultPlus.

Le Corbusier është njëri ndër arkitektët më të rëndësishëm në botë, i cili ka lindur në Zvicër, por ka jetuar pjesën më të madhe të jetës së tij në Francë, shkruan KultPlus. Le Corbusier ishte pionier i arkitekturës moderne sepse ishte ndër të parët që ndertoi me beton dhe çelik.

Financuar nga komuna e Cyrihut , Baruti gëzon ekskluzivitetin të jetë pjesë e projektit artistik të realizuar nga tre artistët zviceran: Roland Roos, Malte Beutler, dhe Luc Scherer. Pavilioni në Seefeld, ku është vendosur qendra e thirrjeve e Barutit, është objekti i fundit i projektuar nga Le Corbusier, në vitet 1965 deri në 1967, ku vizitorë nga e gjithë bota vijnë në Cyrih enkas për këtë objekt.

Zakonisht ky Pavillion përdoret si sallë ekspozitash ku janë paraqitur shumë herë jeta dhe veprat e krijuesit Le Corbusier. Ndërsa prej datës 03.08.2017 – 29.10.2017 ky objekt do të shfrytëzohet nga punëtorët e Barutit të cilët zakonisht punojnë nga Kosova për Zvicër dhe Gjermani. E gjithë infrastruktura në Pavilion, është imituar identik siç janë filialet e Barutit në Kosovë (tavolinat e punës,muret, logo, ngjyrat, dizajni etj).

Artistët me këtë projekt kanë dashur të drejtojnë fokusin tek puna që në fakt drejtohet nga Zvicra por fuqia punëtore punon nga një vend tjetër i botës. Në këtë mënyrë ju mundësohet qytetarëve të Zvicrës që të shohin nga afër punën “outsourcing” që për shumë kend duket si abstrakte.

Gjithë ky projekt e merr një dimension madhështor për arsye se vendi i punës ku do të performojnë 38 punëtorë të Barutit është arkitektura e Le Corbusier. Objekti ndodhet në vendin më të bukur në Cyrih Seefeld. Liqeni është dy minuta larg, Chinawiese shihet, dhe deri tani nuk ka qenë asnjëherë ndonjë kompani që ju ka mundësuar të performojë në këtë objekt. Kjo i bie që kjo zhvendosje është unike në historinë 50 vjeçare të Pavillonit.

Vizitorët në Pavilion do të kenë mundësinë që të shohin punën e punëtoreve nga Prishtina nga një perspektive tjetër. Pasi ata janë mësuar që vetëm t’ua dëgjojnë zërin atyre punëtoreve, por asnjëherë nuk e kanë parë njeriun pas këtyre telefonatave./KultPlus.com

Flamuri shqiptar në pullën postale të Amerikës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, ka publikuar sot një foto të veçantë dhe të rëndësishme, shkruan KultPlus.

Në këtë foto shihet një pullë postale amerikane, por e veçanta e saj është imazhi i saj ku paraqitet flamuri shqiptar. Kjo pullë sipas tyre daton rreth 70 vite më parë.

“Foto e Ditës. Një pullë amerikane me imazhin e flamurit shqiptar, lëshuar më 1943”, shkruan ambasada e SHBA në Facebook. / KultPlus.com

‘Arti bashkon popujt’ thotë Dan Gashi përmes ekspozitës së tij

Dan Gashi, artisti nga diaspora, në kuadër të aktiviteteve kulturore dedikuar diasporës, do të hapë ekspozitën e tij personale me piktura, përcjellë KultPlus.

Ekspozita vjen me moton “Arti bashkon popujt” dhe do të hapet në qytetin e Gjakovës.

Ekspozita hapet më datë 11 gusht në ora 12:00, në Pallatin e Kulturës ”Asim Vokshi”.

Dan Gashi ka lindur në vitin 1947 në Ujz të Gjakovës. Mbi dyzet e gjashtë vite jeton dhe punon në Baden të Gjermanisë. Që herët është marrë me krijimtari artistike, që nga arti popullorë (folklorik), me poezi si dhe me pikturë.

Në opusin e tij krijues dominojnë motivet e vendlindjes, paqes, dashurisë, si dhe portretet e figurave të shquara kombëtare, posaçërisht ato me ndikim dhe kontribut universal edhe për vet globin. Deri më tani artisti ka pasur ekspozita të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare, individuale , kolektive, ku me punimet e tija është prezantuar në Kosovë, Shqipëri, Gjermani, Spanjë, Rusi, Egjipt, e së fundmi bashkë me piktorë gjermanë dhe polakë, është prezantuar në Poloni. / KultPlus.com

‘Me dasht’, Me dasht’, Me dasht’ u dha premierë në DokuFest

Sarandë Selimi

Gjithçka nisi me dashurinë e Edonës dhe Arbërit. Kjo ishte njëra anë ndërsa në tjetrën vjen Genci. Tre personazhe të ndryshme që sjellin përmes 90 minutave “Me dasht’, Me dasht’, Me dasht’” apo “To Want, To Need, To Love”, filmin dokumentar të regjisorit të ri Ilir Hasanaj, shkruan KultPlus.

Arbër Salihu, Edona Vatoci dhe Genc Hasanaj janë personazhet që shpalosin jetën e tyre private në këtë film, i cili përveç që mbushi karriget në Kino Bahçe, pat edhe shumë njerëz që qëndruan në këmbë.

Filmi sjellë në një formë shumë interesante jetën e këtyre personazheve të cilët krejt çka duan dhe çka paraqesin para audiencës është dashuri. “Me dasht’, Me dasht’, Me dasht’”, i sjellë Arbërin, Edonën dhe Gencin, përmes projektit të mbajtur nga Baushtellë në vitin 2015-të me pyetjen ‘What do u believe in?’. Të tre personazhet ishin të involvuar në projekt në një formë ose tjetrën, projekt me të cilin kanë udhëtuar edhe në Serbi dhe Zvicër.

Arbër Salihu dhe Edona Vatoci, sjellin jetën e tyre atëherë kur ata ishin ndarë dhe nuk vazhdonin më si çift, gjersa vazhdonte komunikimi pasi që ishin së bashku në projekt. Ndërsa Genc Hasanaj, paraqet shumë të rinj sot të cilët nuk merren me asgjë dhe qëndrojnë shumë të mbyllur, edhe Genci, bashkohet në projekt të Baushtellës, aty ku tregohen rrëfimet e tre të rinjve.

Pas tyre gjithmonë ka shkuar kamera e Ilir Hasanajt, i cili mbrëmjen e së hënës, atëherë edhe kur e dha premierën botërore e filmit të tij në Festivalin e Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtër-DokuFest, u shpreh shumë i lumtur dhe falënderues për krejt ata që e kanë mbështetur.

“Gjithçka ka nis me këtë projekt artistik. Kur i kam njohur në vitin 2014-të Arbërin dhe Edonën jam fascionur se më është dukur një çift si një ‘Tarantion Film’, tepër të çmendur dhe shumë dashin mes tyre. Atë që e kam parë doja ta sjellja përmes filmit, sepse njeriu kur e bënë një film, gjithmonë bënë diçka që i mungon të vetja. Kështu doja ta kapja atë dashni të Arbrit dhe Edonës doja ta tregoja, dhe kjo ka qenë vetëm gjysma, ndërsa në anën tjetër ka qenë vëllai im Genci, që e shihja në shtëpi dhe me vinte keq. Ai rrinte shumë brenda dhe doja që ta largoj nga aty, kështu doja që këto personazhe t’i lidhja bashkë”, tregoi para audiencës që e duartrokitën fort filmin, regjisori Ilir Hasanaj, i cili poashtu tha se xhirimet e filmit kanë nisur në dhjetor të vitit 2014-të por ato më intensivet kanë qenë në verën e 2015-ës .

Ndërkohë pasi përfundoi filmi dhe një pjesë e ekipës doli para publikut, në Lumbardh, mbërriti edhe Edona Vatoci e cila ju drejtua të pranishmëve.

“Na ka incizuar Iliri në një periudhë të jetës që nuk kemi ditur shumë dhe nuk kemi pas përgjigje për ti dhënë në shumë pyetje që na ka bërë. Por një gjë e kam ditur se kam dashtë, dhe gjatë asaj kohe e kam mësuar se e kam kthyer pak dashurinë nga vetja”, tha Edona Vatoci.

“Me dasht’, Me dasht’, Me dasht’”, erdhi si film dokumentar garues në kuadër të Ballkan Dox, në festivalin DokuFest, i cili sot nisë ditën e pestë të rrugëtimit të 16-të të tij me shumë filma, panele, muzikë, workshope e kështu me radhë./ KultPlus.com

Mediat Italiane: Verën, në detin e Shqipërisë, Ksamili ishulli i ëndrrave

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, edhe këtë mëngjes e ka filluar me një lajm të bukur për Shqipërinë. Revista e njohur italiane i ka kushtuar një artikull turizmit shqiptar duke ju bërë thirrje njerëzve që këtë verë ta kalojnë në detin shqiptarë, shkruan KultPlus.

“Mirëmëngjesi dhe ju uroj një ditë të mbarë me këtë artikull të bukur botuar për Shqipërinë në një nga revistat italiane”, shkruan Rama në Facebook.

Më poshtë po ju sjellim pjesë nga ky artikull:

Një grup i zëshëm zonjash tek të shtatëdhjetat është rreshtuar në plazhin e një kafeneje në Porto Palermo, një zonë e vogël bregdetare disa kilometra nga Himara. Me një theks tipik të Torinos, për t’ia hedhur pritjes në radhë, flisnin me zë të lartë mbi surprizat e udhëtimit të tyre në të ashtuquajturin “Toka e Shqiponjave”. Në thelb, për të përmbledhur më të spikaturat, deri më tani ato ishin pesë. Tirana mund të arrihet në më pak se dy orë fluturim nga Italia. Në Shqipëri, të gjithë apo shumica flasin mjaft rrjedhshëm italisht.

Kudo që mund të shkosh mund të hani mirë dhe të shpenzoni pak (sigurisht më pak se në ‘Belpaese’). Deti është aq i bukur sa ai i Greqisë (por, ju lutem, mos ua thoni grekëve këtë!). Njerëzit janë gjithmonë miqësore dhe të gatshëm në atë mënyrë që, mjaftojnë të shkëmbesh vetëm disa fjalë dhe menjëherë kalon në slloganin e pashmangshëm Itali-Shqipëri “një fytyrë, një racë”. Duke lënë pas periudhën shqiptare të emigracionit pas rënies së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë (në vitin 1991), prej kohësh i arkivuar tashmë dhe i tejkaluar me fenomenin e fundit të emigracionit në kthim, paragjykimi është zëvendësuar nga kurioziteti. Ia vlen, pra, ta provosh atë.

TIRANA. 50 NUANCA, POR JO (MË) GRI

E re dhe provokative si kryetari i pashëm i bashkisë Erion Veliaj, Tirana është motori i zhvillimit që po prek gjithë vendin. Me më shumë se njëqind kantiere të hapura në qendër të qytetit, parqet e lojërave të inauguruara në periferi, zonat e reja të gjelbra që kanë zëvendësuar betonin, hapjen e zonës pedonale në sheshin e madh Skënderbe, transformimin e pazarit të vjetër ushqimor i njohur si Pazari i Ri, i cili tani ngjason me tregun La Boqueria të Barcelonës, por në miniaturë, ish bunkerin antiatomik të Tiranës të përshtatur në Bunk’Art ku dëshmitë historike të periudhës komuniste janë të ekspozuara krah veprave të artit bashkëkohor, Tirana është një qytet interesant për t’u vizituar (dhe sidomos) për t’u jetuar.

Blloku, zona që ka qenë tradicionalisht e rezervuar vetëm për elitën komuniste, me një mizëri dyqanesh, restorantesh, baresh dhe lokalesh, sot është lagjja më cool e kryeqytetit. Ditë e natë, këtu ashtu sikurse në majën e Dajtit ku mund të mbërrihet për një çerek ore nëpërmjet teleferiku romantik Dajti Ekspres, të rinjtë takohen për të kremtuar një stil jetese tipik të verës mesdhetare. Nëse mes vendeve që sipas guidave turistike duhen parë absolutisht, janë në radhë të parë Xhamia e Et’hem Beut, Kulla e Sahatit, Muzeu Historik Kombëtar dhe Qendra Botërore Bektashi, urdhri islamik sufist i themeluar në shekullin e XIII nga Haxhi Veli Bektashi, ajo që kundërshton nuancat e shumta gri të kryeqytetit shqiptar dhe që janë të lidhura me periudhën e udhëheqësit komunist Enver Hoxha, është ndjesia e një qyteti ku punohet pa pushim.

Historic city of Berat in Albania, World Heritage Site by UNESCO

BERATI, GJIROKASTRA, BUTRINTI

Edhe pse mund të duket e lehtë të thuhet, shprehja “i’a vlen rruga” mund të jetë mjaft e dobishme në rast se ju keni dyshime për zgjedhjen e një destinacioni. Në lidhje me tre zonat shqiptare të deklaruara zona të Trashëgimisë Botërore nga UNESCO, për shembull, kjo thënie është shumë e përshtatshme. Me lumi Osum që rrjedh në shpatet e maleve, shtëpitë prej guri të ndriçuara lehtësisht në natën e errët dhe Kisha që ruan nga lart qytetin duke mbajtur shtrënguar ikonat e saj të çmuara (dhe, dy hapa larg muzeut Onufri), Berati është quajtur “qyteti i një mijë dritareve.” Me pak imagjinatë “, nëpër rrugët e ngushta dhe rrethinat rurale, këtu ndihesh si brenda një djepi.

Ka qenë shkrimtari i famshëm Ismail Kadare që e ka bërë në fakt të pavdekshme bukurinë objektive të Gjirokastrës, falë romanit të tij “Kronikë në gur” (1971). Në mesin e kafeneve në natyrë, pazarit të suvenireve e antikuareve tipike lokale dhe banesave të vjetra të epokës osmane, gati për t’iu rindërtuar fasadën, busull këtu është kalaja, për pamjen bujare që ofron mbi qendrën e vjetër historike dhe në pak (por në të vërtetë, përsëri shumë!) ‘stonatura’ moderne.

Dhe pastaj, për entuziastët e arkeologjisë, është i pashmangshëm Butrinti. I ruajtur mirë, i kuruar dhe i vendosur në një peizazh të mbetur pezull mes detit dhe bimësisë së dendur që duket sikur dëshiron ta përpijë, zona më e rëndësishme e Shqipërisë i katapulton vizitorët në një udhëtim prapa në kohë përmes rrënojave të qytetërimit helenistik, romak, bizantin, venecian dhe osman.

SI ËSHTË DETI NË SHQIPËRI?

Rruga gjarpëruese bregdetare që lidh qytetin e Vlorës me Sarandën, është një nga më spektakolaret në Mesdhe. Pas kalimit të 1.027 metër lartësi në Llogara, në fakt, duke filluar nga gjiri i Palasës deri poshtë në Kepin e Stillos, Riviera Shqiptare është një seri gjiresh dhe plazhesh të parapëlqyera, pak a shumë, nga numra të mëdhenj turistësh.

Saranda e shkëlqyeshme dhe plazhet e gjata të Vlorës (ashtu si edhe në veri, plazhet e pafundme dhe të pajisura të Durrësit) tërheqin mbi të gjitha familjet dhe kur bie dielli, argëtimin e festave në breg. Por ato të Himarës, Dhërmiut dhe Porto Palermos, ruajnë një sharmë më diskret. Duke përshkuar këtë shtrirje të bregdetit shqiptar, midis fshatrave, hoteleve të vogla familjare, dhe mini-gjireve për tu zbuluar në liri të plotë (mundësisht me një anije private) ka hapësirë për t’u ndjerë vërtetë “pionierë”.

Sunshade umbrellas and deckchairs on the beautiful Ksamil beach, Albania.

KSAMILI, ISHULLI I ËNDRRAVE

Nga ana tjetër, ishulli i Korfuzit është vetëm pak milje detare larg, dhe ata që janë në kërkim të një deti për kartolinë (ose më mirë të thuash për Facebook), mund të zbresin pak më poshtë për të qëlluar në shenjë me Ksamilin. Katër ishujt e tij të vegjël, lehtësisht të arritshëm me not apo varka me pedale nga plazhi, ju ftojnë për t’u çlodhur në ujërat e qartë ku, jashtë pikut të sezonit, edhe peshqit habiten me praninë e plazhistëve. Megjithatë, Korriku dhe Gushti, këtu si kudo është periudha që e bën dallimin: zgjohuni herët dhe kredhja e vetmitare është e garantuar. / KultPlus.com
Linku: https://www.vanityfair.it/viaggi-traveller/vacanze/2017/08/06/lestate-al-mare-albania?utm_source=facebook&utm_medium=marketing&utm_campaign=vanityfair

Reperi amerikan vritet afër stacionit policor (VIDEO)

Reperi amerikan, Yung Mazi, është vrarë mbrëmjen e kaluar në komunitetin e Kirkwood.

Një raport i XXL, tregon që reperi nga Atlanta ishte plagosur në dhjetor të vitit të kaluar, duke qenë kjo hera e dytë brenda tetë muajsh që ai është sulmuar.

Mazi raportohet se është plagosur disa herë gjatë karrierës së tij, duke bërë që ai të pohojë se është “pancir” kur e kishin sulmuar për herë të 11-të./ KultPlus.com

Suedia dhe USAID, 606 mijë euro për nxitjen e agroturizmit në Shqipëri

Një nga pesë projektet e Suedisë me USAID-in për turizmin e qëndrueshëm zbatohet në veriun e vendit, duke nxitur agroturizmin.

Shqipëria e veriut, një zonë e madhe malore dhe rurale, ka nivelet më të larta të varfërisë në qarqet veri-lindore të Kukësit, Pukës, Malësisë së Madhe dhe Dibrës, ku 80% e të ardhurave në familje sigurohen nga ndihma sociale dhe ekonomike.

E pozicionuar në rajonin alpin shqiptar, kjo zonë ka një potencial të madh për zhvillim në turizëm me mundësi për ekoturizmin, aventurën dhe agroturizmin.

Në një postim në faqen zyrtare të ambasadës suedeze, thuhet se projekti i Agroturizmit synon të përmirësojë kushtet e jetesës së banorëve të këtyre zonave rurale në veri-lindje, me anë të punësimit në një sektor agroturizmi të qëndrueshëm dhe aktiv.

Projekti do të ofrojë ndihmë teknike për gjashtë ferma plotësisht në gjendje pune në rajon. Ai zbatohet nga OJF-ja CEED Albania, e cila ofron njohuritë praktike në biznes dhe lidh pjesëmarrësit me mentorët dhe sipërmarrësit, të cilët mund t’i ndihmojnë t’i çojnë bizneset e tyre të vegjël në nivelin tjetër. Vlera totale e projektit është rreth 606,000 euro./ KultPlus.com

Rikthehet Eminem, vjen me album të ri këtë vit (VIDEO)

Marshall Mathers është kthyer në studion e tij. Raportohet se rep artisti i njohur botëror, Eminem, do ta lirojë albumin e tij të nëntë këtë vit.

Ikona e repit, i cili më herët kishte publikuar ‘The Marshall Mathers’ LP2 në vitin 2013, do të lansojë albumin e tij më të ri gjatë sezonës së vjeshtës, sipas burimeve të Hits Daily Double.

“Don’t worry I’m working on an album! Here’s something meanwhile”, shkruan Eminem nw Twitter. /KultPlus.com

Fluks turistësh në Ishullin e Maligradit në Prespë

Ishulli i Maligradit gjendet në Liqenin e Prespës së Madhe, si një sofër gjigante në mes të ujit dhe në këto ditë të nxehta vere ka mjaftë vizitorë.

Në bregun e tij perëndimor ndodhet shpella e Kishës, e cila për formën e veçantë dhe të çuditshme, u quajt vend i shenjtë. Aty është ndërtuar një kishë e vjetër në shek. XIV.

Ajo është kisha e Shën Mërisë.

Është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore. Në këtë ishull janë gjetur edhe objekte arkeologjike si tjegulla, kollona e kapitele që i përkasin një kishe paleokristiane, që mendohet të ketë qenë në pjesën e sipërme të liqenit. Sipër këtij ishulli, ndodhen edhe rrënojat e vilës verore të Car Simeonit të shekullit XI.

Kisha e Shën Mërisë është një themelim i vjetër dhe ka shërbyer si qendër shpirtërore për prijësit shqiptarë. Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti.

Një mbishkrim në faqen jugore, më i hershmi në këtë kishë i përket vitit 1345 dhe fazës së parë të zbukurimit të kësaj kishe me afreske.

Ishulli ka gjatësi rreth 800 metra e gjerësi rreth 200 metra dhe rrethohet nga shpate shumë të pjerrët, me përjashtim të pjesës perëndimore të tij. Në këtë ishull ka bimësi natyrore barishtore dhe shumë pak shkurre, shpella e zgavra karstike.

Prej kohësh, banorët e zonës së Prespës shkojnë aty me varka për të kryer shërbesa e rite fetare.
Ishulli nuk është i banuar, por popullohet në sezonin veror nga turistët e shumtë kurioz të historisë dhe kulturës vendase.

Mund të vizitohet duke ndjekur itinerarin Korçë – Zvezdë – Liqenas. Për tu futur në ishull përdoren varkat e peshkatarëve apo së fundmi edhe ato turistike. Udhëtimi me varka nëpër liqen është një tjetër kuriozitet për vizitorët e shumtë. Prespa në stinën e nxehtë tërheq pushues nga zona rreth saj për të bërë plazh në ujërat e liqenit, por edhe turist të largët që interesohen për historinë, kulturën, biodiversitetin për dhe për gastronominë e kësaj zone. / KultPlus.com

Duran Duran me koncert unik në Zagreb

Grupi i njohur Duran Duran do të mbajë koncert më 29 gusht në kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb.

Ky do të jetë koncerti i tyre i vetëm unik për këtë vit në Evropë, në të cilin do të marrin pjesë pa para-grupe.

Në koncert pritet të këndohen hitet e njohura klasike si “Wild Boys”, “A View To A Kill”, “Come Undone”, “Is There Something I Should Know?”, “Notorious”, “Ordinary World”, “Hungy Like The Wolf”, “Girls On Film”, “Save A Prayer”, “(Reach Up For The) Sunrise” dhe mega-hiti “Rio”, me të cilin do të mbyllet programi.

Duran kohë më parë festuan 35-vjetorin e albumit të dytë epokal “Rio”, i cili është radhitur në vendin e tretë në mesin e albumeve më të mëdha britanike të të gjitha kohërave sipas dëgjuesve të BBC-së. / KultPlus.com

Folkan Shqip sjellë koleksionin e ri (FOTO)

Folkan Shqip, linja e veshjeve me simbole unike kombëtare-shqiptare, ka lansuar koleksionin e radhës ku edhe kësaj here dëshmon për kreativitetit dhe veçantinë që mbanë, shkruan KultPlus.

Përmes dizajneve të tyre, Folkan Shqip sjellë një gërshetim të traditës shqiptare dhe dizajnit bashkëkohor, duke dashur kështu që sa më shumë të promovohen simbolet e vendit tonë.

Ky koleksion është ndikuar nga trendet e fundit të modës por gjithmonë duke përfshirë simbolet tona të bukura kombëtare. Koleksionin e mbizotëron ngjyra e zezë, por nuk mungojnë edhe ngjyrat tjera si e kuqja, e hirit etj.

“Në këtë koleksion të radhës, përfshihen dizajne duke filluar nga Skënderbeu, stema me shqiponja, shqiponja në formatin heraldik, simbolet e lashte ilire etj. Përveç modeleve të zakonshme për herë të parë në Kosovë kemi realizuar edhe modelet DRI-FIT që janë modele për fitness por gjithherë me simbolet tona kombëtare”, ka thënë Donik Karaqi nga Folkan Shqip për KultPlus.

Karaqi ka treguar që qëllimi i tyre primar është që shqiptarët të ndihen krenar me kombin e tyre, dhe sa më shumë ti përdorin simbolet tona autentike shqiptare.

“Produktet e Folkan Shqip janë prodhim 100% shqiptar”, ka përfunduar Karaqi për KultPlus. / KultPlus.com




Ribotohet libri ‘Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare 1878’ nga Jusuf Buxhovi

Këto ditë u ribotua libri i historianit Jusuf Buxhovi me titull “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare 1878”, studim ky voluminoz me 727 faqe, i pari i llojit të tillë në historiografinë shqiptare, përcjellë KultPlus.

Ky libër i një rëndësie të veçantë për historiografinë shqiptare që zbardh momente të rëndësishme dhe kthesa në shtetformimin shqiptar para dy shekujve, zgjoi interesim te lexuesit prandaj ishte nevojë e kohës që autori në bashkëpunim me botuesit, ta ribotojnë këtë vepër me vlera të veçanta të historiografisë shqiptare në relacion me faktorin ndërkombëtar gjatë kohëve.

Ky libër me peshë jashtëzakonisht të çmueshme historike, është fryt i punës shumëvjeçare hulumtuese të Buxhovit në arkivat gjermane me ç’rast thyhen shumë nga paragjykimet dhe gënjeshtrat e historiografisë së Beogradit dhe asaj të kufizuar ideologjike rreth raporteve të shqiptarët me fuqitë evropiane veçmas me gjermanët.

Në libër përfshihen edhe protokollet origjinale të Kongresit të Berlinit (në frëngjisht dhe gjermanisht) bashkë me vendimet e Kongresit të përkthyer në gjuhën shqipe të shoqëruara edhe me dokumente të tjera autentik të kohës (letrat dhe peticionet shqiptare drejtuar Kongresit) të përmbledhura për herë të parë në një studim historik. E botoi “Faik Konica” – Prishtinë dhe “Jalifat Publishing” – Houston (SHBA). / KultPlus.com

Oda Ekonomike gjermano-kosovare në përkrahje të artistëve lokalë

Për artistët lokalë që kërkojnë hapësirë ekspozimi, Oda Ekonomike gjermano-kosovare do të ofrojë zyret për t’i përkrahur ata, përcjellë KultPlus.

Nora Hasani, drejtoreshë e OEGJK-së, thekson që është e hapur të bashkëpunojë me artistë lokalë për t’i mbështetur në promovimin e punimeve të tyre, duke i ofruar hapësirat e Odës si hapësirë për ekspozim.

“Meqë në institucionin tonë zhvillohen takime të shumta me biznese të rëndësishme kosovare dhe gjermane, me partnerë strategjik dhe me investitorë të huaj kemi menduar që hapësirat e zyrave tona t’i ofrojmë për ekspozimin e artit lokal. Në këtë formë ne zbukurojmë ambientin tonë të punës, ndërsa artistët me huazimin e punimeve të tyre mund të promovohen dhe t’i shesin punimet”, tregon Hasani.

OEGJK çdo gjashtë muaj do t’i ndërrojë veprat e ekspozuara me punime të reja. Artistët e interesuar inkurajohen ta kontaktojnë Odën në [email protected]. / KultPlus.com

Kryetari i Prishtinës citohet në librin e Michael Bloomberg (FOTO)

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti është përmendur në librin më të ri të publikuar nga ish-kryebashkiaku i New Yorkut në bashkëpunim me Carl Pope.

Ahmeti, në rrjetin social Twitter ka publikuar një fotografi të librit “Climate of Hope”(Klima e Shpresës) nga autorët Michael Bloomberg dhe Carl Pope, teksa ka njoftuar se është cituar nga Bloomberg në këtë libër.

“Pranova librin e ri të ish kryetarit të Neë York, Michael Bloomberg, Climate of Hope. Befasi e këndshme ishte që isha i cituar”, ka shkruar Ahmeti në Twitter, raporton Insajderi.

I pari i Prishtinës ishte takuar ish-kryebashkiakun e New Yorkut në vitin 2015, pasi të dy kishin marrë pjesë në një seminar të quajtur “Compact of Mayors”. Në këtë seminar kishin marrë pjesë një numër i madh i kryetarëve të kryeqyteteve të botës. /KultPlus.com

FOTO

Rita Ora gjatë tërë javës performon ‘Your Song’ në emisionet më të famshme në Amerikë (FOTO)

Pasi njoftoi se më 10 gusht do të sjellë projektin e ri muzikor të titulluar ‘Lonely Together’, Rita Ora edhe gjatë kësaj javë po vazhdon të promovoj këngën ‘Your Song’ e cila pas dy vitesh e riktheu në skenën muzikore, shkruan KultPlus.

Gjatë tërë kësaj jave, Rita Orën do ta shohim në emisione të ndryshme të famshme në Amerikë, për të performuar këngën e saj ‘Your Song’.

Këtë ajo e bëri të ditur përmes një postimi në profilin e saj në Instagram, ku tregoi se sot rreth orës 8:00 në mëngjes ka qenë pjesë e shout të famshëm ne Amerikë ‘Good Morning America’ cili shfaqet në NBC.

‘Ne kemi rënë në dashuri me #YourSong dhe @ritaora!!!! Kthehu së shpejti në Times Square!’ kështu ka shkruar faqja zyrtare e ‘Good Morning America’ në Instagram.

Kjo nuk është e tëra për këtë javë, paraqitjet e saj vazhdojnë edhe të martën, të enjten dhe të dielën, shkruan KultPlus.

‘Një javë shumë e zënë. Shumë e ngazëllyer #YOURSONG’ ka shkruar Rita pranë fotografisë, ku shihet agjenda e ngjeshur e saj për këtë javë. /KultPlus.com

‘Marubi’ i Shkodrës vjen në DokuFest, shpaloset edhe projekti për përfshirjen e muzeut në UNESCO (FOTO)

Sarandë Selimi

Përgjatë nëntë ditëve sa zgjatë Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtër-DokuFest, në shtatë nga këto ditë, pjesë e këtij festivali është edhe Muzeu Kombëtar i Fotografisë ‘Marubi’, shkruan KultPlus.

‘Marubi’, erdhi në Prizren më datë 5 gusht, ku gjithçka nisi me street art, projekt ky i nisur në Shkodër, atje edhe ku është ky muze. Në Prizren erdhi në kuadër të programit të fotografisë DokuPhoto, duke prezantuar tre breza fotografësh përmes koleksionit të tij të gjerë prej 500.000 negativëve, që dokumentojnë ngjarjet nga historia e trazuar e Shqipërisë.

‘Marubi i Shkodrës’, jo rastësisht njihet kështu në publik, pasi që edhe sot në ligjëratën e mbajtur nga drejtori i këtij muzeu Lucjan Bedeni, krejt ajo që ai e tha mbajti titullin ‘A Museum Can Change a City’. Kështu ‘Marubi’ në njëfarë forme e ‘ka ndryshuar qytetin e bukur të Shkodrës’, e krejt kjo duke i dhënë edhe më shumë madhështi qytetit që bartë mbi supe një histori të madhe siç është ajo e Kalasë së Rozafës e jo vetëm.

Lucjan Bedeni, solli një dialog mes trashëgimisë kulturore të së shkuarës dhe Muzeut të ri të Fotografisë ‘Marubi’, duke prezantuar edhe projektet më të reja të këtij muzeu përmes programeve të ndryshme të cilat nga njëra anë sjellin më afër historinë e të parës studio fotografie shqiptare, e nga ana tjetër kërkojnë të sensibilizojnë më të rinjtë ndaj rëndësisë të ruajtjes së vlerave të kësaj trashëgimie.

“‘A Museum can change the city’, vjen si një premtim i Muzeut Marubi, duke sjellë pjesë të rëndësishme të trashëgimisë që nga fillimi e deri më tani. Fotografia që unë zgjodha që ta fillojë këtë prezantim të shkurtër është momenti i inaugurimit të muzeut më datën 9 maj të viti 2016, por ajo çka do të shohim është një strategji me të cilën zhvillohen programet dhe idetë inovative. Të gjithë e dimë se uji është jeta dhe nga ajo pikë e ujit nis ky moment strategjie. Kështu që rreth programit Marubi, do të zhvillohen disa programe të ndryshme siç është programi i ekspozitave, çmimi Marubi, që tash muzeu ynë ka rënë dakord me Galerinë e Arteve që ta zbatoj vitin e ardhshëm i cili do të jetë një kompeticion për artistët bashkëkohor, e shumëçka tjetër”, nisi kështu drejtori i Marubit Bedeni, duke vazhduar ligjëratën e tij me fotografi nga ekspozitat e ndryshme që ka pas ky muze që nga hapja e duke dalë atje se çfarë do të bëjnë në një të ardhme shumë të afërt.

“Kalendari vjetorë i ekspozitave prezanton katër ekspozita të përkohshme, dy ekspozita të përmasave të mëdha dhe dy ekspozita të tjera që muzeu ynë i bënë në bashkëpunim me muzetë e tjerë”, pohoi Bedeni, duke vazhduar të flasë për arkivin e Marubit, i cili është një pasuri e virgjër me vetëm 9% të digjitalizuar, dhe kësisoj kërkon ruajtje të madhe të këtyre artefakteve.

Ai teksa foli për procesin e digjitalizimit, poashtu tregoi edhe për website-in, që ‘Marubi’, posedon dhe është i hapur online për publikun. Pas kësaj Lucjan Bedeni, u rikthye te ekspozitat e këtij muzeu, duke bërë një panoramë të shkurtër të atyre që janë hapur në ‘Marubi’.

“Po nisim me ‘Dy rrugët e Idromenos’ që i përkasin Kolë Idromeno e që është kuruar nga Adrian Paci. Për secilën ekspozitë ne realizojmë punëtori të ndryshme me grupmosha të fëmijëve dhe për të gjitha këto, muzeu ka nënshkruar kontratë me drejtorinë arsimore të Shkodrës, dhe disa institucione tjera. Muzeu krahas ekspozitave apo programit edukativ mbanë edhe një program tjetër siç është programi i bisedave, pra për secilën ekspozitë është kuratori ai që një ditë pas hapjes së saj mbanë një diskutim me audiencën”, theksoi Bedeni.

Muzeu Kombëtar i Fotografisë ‘Marubi’, ka qenë i selektuar për çmimin evropian “European Museum of the Year Award” ku Marubi është përzgjedhur një ndër 46 muzetë më të mirë të Evropës. Prezantimi është mbajtur në Zagreb më 6 maj.

Lucjan Bedeni, pas shumë e shumë prezantimeve që bëri për ‘Marubin’, pak u kthye edhe tek programi i DokuFest-it, duke e vlerësuar lartë, e më pastaj, foli edhe për ekspozitën e fundit ‘Manipulim’ që është hapur më 3 maj.

“Folëm për këto fotografi, por janë edhe disa fotografi tjera që inspirimin kryesorë e kanë marrë nga disa imazhe të tjera të panjohura. Ato janë manipulimet më të vjetra të historisë botërore të fotografisë. Manipulimi nuk është vetëm propaganda politike por edhe manipulim si lloj satire, humori dhe deri këto manipulimet që shohim tani me fantazmat”, tregoi ai.

Ndërkohë krejt si përfundim, ai para audiencës së DokuFest, dha disa lajme shumë interesante për këtë muze, duke paralajmëruar edhe ekspozitën e artistes Lala Meredith Vula që do të hapet më 12 tetor.

“Do të doja të ju informoja që vitin që vjen ne do shpallim thirrjet për ‘Çmimin Marubi’, dedikuar artistëve të rinj kryesisht artistëve nga Evropa Juglindore. Gjithashtu për herën e parë në Shqipëri dhe ndoshta në rajon, në muzeun tonë në vitin që vjen pritet të fillojë edhe ndërtimi konkret i laboratorit të restaurimit të xhamave , dhe kjo në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë në Francë. Pas pak ditësh po ashtu ne do të lansojmë edhe një tjetër program me shumë rëndësi në muzeun tonë. Është rrjeti kulturor i muzeut Marubi, që konsistojnë në rrjetëzimin e studios së vjetër të Marubëve, një hapësirë ku deri tani është dhënë me qera një dyqani që shiste çanta kineze”, tha Lucjan Bedeni, duke vazhduar ta jap lajmin e fundit për këtë muze, i cili do të nis projektin për ta përfshirë ‘Marubin’ në UNESCO.

“Një tjetër informatë e rëndësishme për muzeun tonë që do të fillojë në fund të këtij viti dhe në fillim të vitit të ardhshëm, do të jetë fillimi i projektit dhe punës për ta përfshirë Marubin në UNESCO dhe duke ju referuar kritereve besoj se do të jetë e kalueshme”, përfundoi Lucjan Bedeni. / KultPlus.com

Biblioteka lëvizëse e ndërtuar në minibus që u shërben refugjatëve në Greqi (FOTO)

Disa vullnetarë në Greqi, vendosën të krijojnë një hapësirë të qetë për të lexuar dhe studiuar për të gjithë ata që kanë ikur nga shtëpitë e tyre në mes të pasigurisë me të cilën përballen çdo ditë, përcjellë KultPlus.

Përderisa kanë bërë punë vullnetare në kampet e refugjatëve në Greqi, Laura Samira Naude dhe Esther Zijthoff kuptuan se njerëzit që ata kishin takuar, përveç ushqimit dhe strehimit, kishin nevojë dhe donin të studionin, të punonin për të ardhmen e tyre dhe të gjenin një qëllim, shkruan ‘The Guardian, përcjellë KultPlus.

Naude dhe Zijthoff vendosën të krijonin një hapësirë të qetë, ku njerëzit në mes pasigurisë së tyre, do të mund të shfrytëzonin kohën e tyre. Kështu, vullnetaret Laura Samira Naude dhe Esther Zijthoff krijuan ‘Echo – Education Community Hope and Opportunity’, bibliotekën me rrota.

Biblioteka e cila u hap në nëntor të vitit 2016 me anë të fondeve, përmban 1300 libra në gjuhën arabe, në gjuhën kurde, në gjuhën frënge, në gjuhën greke, angleze etj. Biblioteka poashtu është e pajisur me vende leximi, me kompjuterë dhe ofron qasje edhe në internet. Biblioteka – minibusë u krijua fillimisht në Londër e më pas u dërgua në Greqi, për të hyrë në funksion për refugjatët atje, shkruan KultPlus.

Me 1300 libra, duke përfshirë edhe disa revista, biblioteka lëvizëse mirëpret mesatarisht 115 lexues në javë.

‘Vizitorët ulen brenda minibusit ose në stola jashtë, edhe pse kjo varet më shumë nga moti. Ne lëvizim gjatë tërë kohës nëpër qytete të ndryshme. Gjatë këtij dimri ishim në Selanik, minibusi ishte i ngrohtë brenda dhe njerëzit vinin për tu ngrohur dhe lexuar. Tani në verë, kur nxehtësia është shumë e madhe, lexuesit më shumë vinë gjatë natës kur është freskët për të lexua”, thotë Zijthoff, një nga krijueset e kësaj biblioteke.

Qëllimi i ideatorëve të kësaj biblioteke lëvizëse, është ta përhapin këtë koncept, ta vazhdojnë këtë nismë dhe të krijojnë biblioteka të tilla edhe në shtete të tjera si në Serbi, Itali, Palestinë, Liban etj. /KultPlus.com

‘Anibar’ prezanton jurinë e edicionit të 8-të

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit ‘Anibar’ ka prezantuar jurinë e edicionit të 8-të. Juria është e përbërë nga një grup i animatorëve vlerësues kritik, të kompletuar në fushën e animacionit, të cilët janë të njohur për punën e tyre, përcjellë KultPlus.

Ndarë në katër kategori garuese të festivalit, këtë vit juria do të vlerësojë 90 filma të cilët reflektojë diversitetin e programit të këtij edicioni, që tregon animacionin në të gjitha format e veta.

Juria kryesore është e përbërë nga: Aneta Ozorek- Poloni, Georges Schwizgebel- Zvicër, Pedro Rivero- Spanjë, Gerta Xhelo- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Tünde Vollenbroek- Holandë.

Ndërsa juria e studentëve e përbërë nga Andi Gola – Kosovë, Edvin Susuri – Kosovë, Jeta Dobranja – Kosovë dhe Lunik Berisha – Kosovë, është juri e bazuar në studentë Kosovar, të ofruar me mundësinë e përmirësimit të aftësive profesionale me anë të festivalit, ku do të kenë mundësinë të mentorohen nga një profesionist në termet e vlerësimit. Mentori i jurisë së studentëve është Maros Brojo – Sllovakia.
Festivali ‘Anibar’ fillon më datë 14 gushtë dhe zgjatë deri më 20 gusht. /KultPlus.com

‘Hyjnesha në Fron’ gati për edicionin jubilar

Festivali i Filmit ‘Hyjnesha në Fron’ tashmë është duke i bërë përgatitjet e fundit për edicionin e tij të 10-të i cili do të mbahet në Fushë Kosovë, shkruan KultPlus.

Në edicionin e sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar “Hyjnesha në Fron” do të shfaqen 30 filma të metrazhit të shkurtër, 7 filma të metrazhit të gjatë, përfshirë filma të gjatë dokumentarë si dhe filma të shkurtër dokumentarë si dhe dy filma për fëmijë.

Festivali do të filloj më datë 31 gusht dhe do të zgjasë deri më 4 shtator. Ceremonia e hapjes bëhet në ora 19:30, ndërsa në orën 20:00 fillon të shfaqet filmi artistik i gjatë.

Më datë 2 shtator në kuadër të festivalit do të mbahet edhe dita e dedikuar për fëmijë, ku do të shfaqen dy filma të shkurtë për fëmijë. Filmi “I ikuri” me regji të Sadedin Prekazit si dhe “Change” nga Isaac Kerlow që ka të bëjë me ndryshimet klimatike në tokë. Poashtu do të mbahet një workshop -punëtori ku fëmijët e komuniteteve të ndryshme do të socializohen dhe do të kenë mundësi të mësojnë me shumë rreth kinematografisë si dhe rreth gjuhës e kulturës së njëri tjetrit.

Në edicionin e 10-të jubilar përveç filmave dhe performancave, do të zhvillohen edhe aktivitete tjera që do të shpalosen në ditët në vijim.

Festivali ka filluar edicionin e parë në vitin 2002 si festivali i parë i filmit në Kosovë. Përgjatë viteve festivali është mbajtur në komuna të ndryshme të Kosovës, mirëpo prej vitit 2014 festivali mbahet në stacionin e trenit në Fushë Kosovë, ku filmat e shkurtë shfaqen në tren dhe filmat e gjatë në premisat e stacionit hekurudhor. / KultPlus.com