Dua Lipa shkëlqen me performancën e saj në ‘Sudoeste’ (VIDEO)

Dua Lipa, vajza që po i bënë krenarë të gjithë shqiptarët, po vazhdon me performancat e saj të mrekullueshme në botë, shkruan KultPlus.

Mbrëmë ajo ka performuar në festivalin e njohur muzikor ‘Sudoeste’ i cili mbahet çdo vit në muajin gusht në Portugali. Ky njëherit ishte edhe festivali i fundit evropian që Dua u prezantua për këtë sezon.

“Faleminderit Sudoeste… festivali im i fundit evropian. Faleminderit për natën më të mirë që ndonjëherë e kam pasur. Ju dua dhe do të kthehem”, shkruan Dua në Instagram.

MEO Sudoeste (aktualisht i njohur edhe si Sudoeste) është një festival i madh muzikor, i cili filloi në vitin 1997 dhe zhvillohet në muajin gusht në afërsi të Zambujeira do Mar, në jug të Portugalisë. Festivali ka tri faza që luajnë muzikë të njëkohshme.

Në festivalin e vitit 2006, faza kryesore (Palco TMN) pati akte të tilla si The Prodigy, Daft Punk, Zero 7 (me José González), vajzat braziliane, Long Beach Shortbus dhe çmenduri. Faza e dytë (Mundo Sudoeste) shfaqën Breakestra, Afrika Bambaataa, José González, dhe shumë të tjerë. Stili i fazës së dytë është më alternativë sesa ai i fazës kryesore.

Faza e tretë (Palco Positive Vibes) është një zonë e orientuar nga reggae. Në vitin 2006, Jimmy Cliff, Israel Vibration, Anthony B dhe artistë të tjerë të shquar reggae performuan atje.
Kampingu është falas për këdo që blen një biletë katërvjeçare. Gjatë ditës, festivali përmban një bar jazz dhe një shërbim falas me anije në qytetin e afërt të Zambujeira do Mar, si dhe aktivitetet në plazh. / KultPlus.com

Festivali i filmit ‘MobiKino’ fillon rrugëtimin e parë në Kamenicë

Festivali i filmit “MobiKino” fillon me edicionin e parë i cili do të vijë para publikut të Kamenicës duke e thyer traditën e heshtjes së përhershme, përcjellë KultPlus.

Sivjet në edicionin e parë të festivalit do të shfaqen 4 filma dokumentar të prodhuar në vitin 2016 dhe 2017.

Ky festival, për dy net me radhë do ti dhurojë publikut mbrëmje me plot aktivitete. Nata e dytë do të jetë e rezervuar edhe për diskutim publik me autorët, regjisorët dhe shoqërinë civile në lidhje me temat në fushën e të drejtave të njeriut

Festivali i filmit “MobiKino” do të filloj më datë 5 dhe 6 gusht, prej orës 20:00 në qendër të Kamenicës. / KultPlus.com

Kaloi 40 vite duke gdhendur një shkëmb, tani mijëra turistë e vizitojnë (FOTO)

Alberto Gutierres Giron ka kaluar plot 4 dekada i vetëm në malet e Nikaruaguas. Ai ia ka përkushtuar jetën e tij një shkëmbi prej 91 metrash, duke e kthyer kështu atë në një vepër arti.

Ai thotë që kjo është një ëndërr që ai e kishte që nga mosha 9 vjeçare.

Gutierres gjithmonë ka dashur të hulumtojë në male, kurse në moshën 33 vjeçare vendosi që të jetë i rrethuar nga natyra, duke e jetësuar ëndrrën e tij fëmijërore.

Ai punoi 3 orë në ditë, duke e kërkuar gurin ideal.

Në kryeveprën e tij mund të shihen kafshë, një katedrale dhe kullat binjake të New Yorkut.

Ai jeton në një shtëpi të vogël i vetëm, ka një shtrat të improvizuar dhe nuk e njeh luksin e jetës modern, sikurse internetin, transmeton gazetametro.net

Ishin plot 30 mijë njerëz, që sipas tij, e vizituan atë në dekadën e fundit. /KultPlus.com

Mediat franceze: Këtë verë të gjithë në Shqipëri!

Turizmi në Shqipëri këtë vit është promovuar nga media të njohura në botë. Së fundi, janë mediat franceze ato që kanë përshkruar për mrekulli vendet turistike në Shqipëri, duke filluar nga Tirana, Berati, Gjirokastra, Korça, Saranda e Dhërmiu, shkruan KultPlus.

I lumtur për këtë fakt po ndihet padyshim edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili ditën e fillon me këtë lajm të mrekullueshëm për Shqipërinë.

“Mirmengjes, dhe ju uroj një ditë të mbarë me këtë artikull të radhës për Shqipërinë turistike, botuar në mediat franceze”, shkruan Rama.

Këtë verë të gjithë në Shqipëri! Shqipëri, destinacioni i ruajtur jashtë rrugëve të rrahura … dhe nga turistët!, kështu e nisë shkrimin kjo media franceze, për të vazhduar tutje me përshkrimin e mrekullueshëm të vendeve më të bukura shqiptare.

Pjesë nga artikulli:

Ajo rimon me Kroaci, por ky destinacion është ende më pak turistik (për momentin) prandaj shkoni për një udhëtim në Shqipëri! Rrethuar nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Greqia, Shqipëria i ka shpëtuar turizmit masiv. Vendi gëzon një pasuri dhe diversiteti peizazhesh të jashtëzakonshme për të dashuruarit e natyrës, relaksit në plazh, dhe të fshatrave të vegjël. Pak e njohur mes turistëve, nxitoni për të shijuar qoshet e vogla të parajsës sa nuk është tepër vonë.

Tirana
Me rrugët e gjera dhe ndërtesat imponuese të periudhës komuniste, kryeqyteti Tirana, shumë larg së kthyeri në të kaluarën, shpërthen në ngjyra dhe shpalos më të mirat e saj me rënien e natës, kur vjen ora për të festuar.

Berati
I njohur ndryshe dhe si qyteti i 1001 dritareve, Berati është një nga qytetet më të vjetra në trashëgiminë e UNESCO-s.
Gjirokastra
Shtëpi prej guri të një stili të shkëlqyer osman në këtë tjetër qytet të klasifikuar nga UNESCO.

Korça
I quajtur ‘Parisi i Vogël’ për praninë e trupave franceze gjatë Luftës së Parë Botërore dhe dyqanet e vogla të stilit francez, ky qytet është gjithashtu i njohur në të gjithë vendin për birrarinë e Korçës, e cila organizon një festival birre çdo vit në muajin gusht.

Saranda
Ky stacion turistik bregdetar, veçanërisht i çmuar nga turistët shqiptarë, është ndalesa e përkryer për një pushim të merituar plazhi.

Dhërmiu
Fshati i qetë në një shpat mali me ujera të mrekullueshëm turkuaz dhe që ofron gjithashtu mundësinë për të kombinuar, në të njëjtin vend, malin dhe detin. / KultPlus.com

Linku: https://www.opnminded.com/2017/07/31/cet-ete-albanie-voyage.html

Fillon kampi ndërkombëtar për të rinj organizuar nga ‘Toka’

Sot fillon kampi ndërkombëtar me 40 të rinj nga Kosova, rajoni, Evropa dhe Amerika veriore të cilët për një javë do të jenë të vendosur në Qendrën Rekreative të Gërmisë, përcjellë KultPlus.

Përmes aktiviteteve të ndryshme socializuese, argëtuese dhe edukuese, këta të rinj do të zhvillojnë shkathtësitë e tyre të komunikimit, punës në grup dhe poashtu do të njihen me bukuritë natyrore dhe kulturore të Kosovës.

Ky kamp organizohet nga organizata kosovare për talent dhe arsim ‘TOKA’ dhe ka për qëllim të promovojë Kosovën dhe të thellojë miqësitë mes të rinjve të Kosovës dhe gjithë vendeve tjera të botës, njëkohësisht shërben si një ngjarje përmes së cilës po ndërtohen marrëdhënie të reja miqësie mes dy shteteve simotra, atë të Kosovës dhe Iowas të Amerikës.

Më saktësisht, të rinjtë e komunës së Gjakovës dhe Pejës do të takohen për herë të parë me bashkëmoshatarët e tyre nga komunat simotra, ato të Johnston dhe Fort Dodge të shtetit të Iowas në Amerikë.

Pjesëmarrësit e kampit janë nga Kosova, Maqedonia, Rumania, Finlanda, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kampi do të zgjasë një javë dhe përfundon më datën 12 gusht. / KultPlus.com

Prezantohet në Londër projekti i konservimit të Bibliotekës Kombëtare ‘Pjetër Bogdani’

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Fondacioni i Arkitekturës në Kosovë morën pjesë në seminarin ‘Keeping it modern’ të organizuar nga Getty Foundation në bashkëpunim me 20th Century Society, i cili u mbajt në ambientet e Kolegjit Mbretëror në Londër, përcjellë KultPlus.

Seminari kishte për qëllim takimin e përfaqësuesve të projekteve përfituese me ekspertë të fushës së konservimit për të shkëmbyer ide lidhur me projektet dhe rëndësinë e konservimit të objekteve moderne.
Në mesin e nëntë përfituesve të tjerë të këtij granti, Biblioteka Kombëtare dhe Fondacioni i Arkitekturës prezantuan projektin e hartuar gjatë këtij viti- analizën që i është bërë objektit dhe nevojës për ndërhyrje me qëllim rikthimin në gjendjen fillestare të objektit dhe inventarit.

Gjate këtij seminari, përfaqësuesit e Bibliotekës dhe të Fondacionit te Arkitekturës u njohën me politikat kryesore të implementimit të projektit, me prioritetet që duhen përmbushur si dhe institucionet e individët kyçë që duhen përfshirë dhe konsultuar për vendimmarrje gjatë përgatitjes së projektit.

Në prezantimin e projektit të Bibliotekës Kombëtare, përveç të tjerash, u paraqit një histori e shkurtër e ndërtimit te Bibliotekës dhe veprimtarisë së saj dhe u fol për punëtorinë që zhvilloi Fondacioni i Arkitekturës në Kosovë për analizën dhe vlerësimin e objektit dhe inventarit në Bibliotekë. Prezantimi i Planit të projektit për Bibliotekën la një përshtypje të jashtëzakonshme tek organizatorët, përfituesit e tjerë të granteve dhe ekspertët e fushës së konservimit. Këta të fundit e cilësuan objektin e Bibliotekës si të rrallë dhe me rëndësi të veçantë. Ata më tutje shpalosën ide dhe propozime për implementimin e projektit pas dorëzimit të planit nga ana e Fondacionit të Arkitektëve dhe për nevojën për përkrahje të kësaj iniciative.

Te pranishëm ne këtë seminar ishin edhe përfaqësues të shteteve të ndryshme të botës si Brazili, Uruguai, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, India etj., të cilët prezantuan projektet e tyre për konservimin e objekteve përfituese të grantit “Keeping it Modern”. Fondacioni Kosovar i Arkitekturës është njëri nga përfituesit e grantit prestigjioz të Getty Foundation, “Keeping it Modern”, për projektin e konservimit të Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”. / KultPlus.com

Rikthehet pas 20 vitesh seriali ‘The Fresh Prince of Bel Air’

Bashkëpunëtori muzikor i Will Smith, Dj Jazzy Jeff, në serialin “The Fresh Prince Of Bel Air” ka lënë të kuptohet se aktorët janë duke punuar për një ribashkim të këtij seriali.

Ka 20 vjet pasi që ky serial ikonik është ndalur së transmetuari.

Katër muaj pasi aktori Alfonso Ribeiro, që ka luajtur rolin e Carter, postoi në Instagram një ribashkim të stafit.

Jeff në një intervistë për gazetën The Sun ka thënë: “Ka pasur bisedime me njerëz për të realizuar diçka. Mendoj se kjo do të jetë shumë gjë e mirë dhe të kujtojmë kohërat e mira”.

Jeff foli dhe për një ribashkim muzikor me yllin e emisionit, Smith, të cilën do e performojë më 27 gusht.

“Është një kohë e gjatë që pritet dhe unë për këtë po punoj”, kishte thënë Jeff. /KultPlus.com

‘Ta zbardhi ftyrën’, eventi i KultPlus vjen përmes kësaj galerie

KultPlus në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës, organizuan mbrëmë natën e parë të ciklit të rrëfimeve ‘Ta zbardhi ftyrën’, i cili erdhi në Hamam Bar Prishtina. Kjo mbrëmje solli për publikun shqipfolës tregimet e dy prej artistëve që tashmë kanë arritur famë ndërkombëtare, artisti bashkëkohorë Sislej Xhafa dhe aktori Imer Kutllovci i cili karrierë e tij po e ndërton në Francë. KultPlus përmes kësaj galerie ju shpalos momente nga ky event. / KultPlus.com

Me rrëfim për të ‘Ardhmen’, DokuFest nisë rrugëtimin e 16-të

Sarandë Selimi

“Mirë se vini në edicionin e 100-të të DokuFest, i cili mbahet nga 4 deri më 12 gusht 2101”, ishin fjalët e para në nisjen e udhëtimit të 16-të me radhë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtër DokuFest.

Kësaj here, ashtu si herët e kaluara ky festival bëri një hapje më ndryshe sic jemi mësuar të shohim zakonisht. Fjalimi i hapjes u lexua nga Eroll Shporta, fjalim ky i shkruar nga gazetari Vullnet Krasniqi, me një sarkazëm të fuqishme, sic di vetëm ai ta bëjë. Gjithcka fliste për të ardhmen. Fliste për atë se si DokuFest, në vitin 2101, ka pasur një mbështetje të pakrahasueshme nga vitet e kaluara. Aq mbështetje sa do të ndihmojë edhe projektet filmike nga Skandinavia.

DokuFest, sivjet nuk është mbështetur nga insitucionet e Republikës së Kosovës, por, prapë se prapë, ka sjellë një program të mrekullueshëm që pritet ta shihet nga një publik mjaft i madh, përgjatë tetë ditëve sa edhe zgjatë festivali.

‘The future’, është tema e sivjetme e këtij festivali i cili ka mbi 230 filma në program. Jo rastësisht ishte shkruar edhe fjalimi i hapjes për të ‘Ardhmen’. Një fjalim i cili jep shpresë, edhe pse, pas 1 shekulli, lumturia, problemet financiare dhe cdo problem që tani ka Kosova, të zgjidhen.
“Të nderuara zonja dhe zotërinjë, para se të nisim hapjen, kemi një lajm të mrekullueshëm për ju. Pas gërmimeve të bëra këtë korrik, në hapesirat e Shadervanit të dikurshem, është gjetur kalldërmi i vetëm që ka mbijetuar në Prizren. Ky kalldërm, bashkë me mua janë gjerat e fundit që kanë mbijetuar nga Prizreni i vitit 2017. Kalldërmin e kemi gjetë 20 metra nër tokë, ndërsa unë kam qenë gjatë tërë kohës këtu por nuk më keni vërejtë. Ka edhe arsye tjera pse jemi të lumtur në këtë edicion. Për herë të parë pas një shekulli DokuFest nuk e ka problemin e pareve. Kemi aq shumë fonde sa me një pjesë të tyre do ti ndihmojme projektet filmike nga Skandinavia. Dynjaja qever dever, kurr si dihet”, vazhdon tutje fjalimin Eroll Shporta, i cili u prit me ngrohtësi nga audienca që ishin në një numër shumë të madh. Duartrokitjet nuk munguan gjersa fjalimi vazhdonte.

“ZONJA DHE ZOTËRI. Ky edicion i Dokufest mbahet në një vit të lumtur për Kosovën. Kosova, e integruar në Unionin Ndërhapesinor, ka hapur edhe stacionin e vet hapësinor AHK (Agjencioni Hapësinor i Kosovës). Kjo ka mundësuar që astronautët e Kosovës në bashkëpunim me DokuFest, këtë vit ta vendosin edhe një kinema në hapësirat e CK 43 MNNJ ne Planetin e Kuq, ku poashtu do të shënohet edhe ky edicion i DokuTech. Poashtu, permes satelitit Shipitulla 2 te instaluar nga AHK, sonte hapjen e Dokufest e shohin live mbi 23 miliardë banorë të Galaktikës. Përtej problemeve ndërhapësinore, kemi zgjidhur edhe problemet në tokë. Në këtë edicion janë rregulluar edhe disa probleme të vogla që i kemi pasur në edicionet e shekullit të kaluar. E kemi zgjedhur problemin e audiencës e cila është ankuar se nuk mund ti shikojë dy filma për shkak se shfaqen në dy kinema të ndryshme në kohën e njëjtë. Këtë edicion Dokufest ofron teleportimin nga një kinema në tjetrën brenda sekondave”, vazhdonte Shporta tutje, duke përfunduar së foluri për eventet e mbrëmjes së DokuFest që njihen si DokuNights.

“Githashtu fraza “kemi nejt prom deri në mëngjes në Dokunights tash qysh me punu” nuk do të përdoret sivjet nga stafi i DokuFest. Këtë vit DokuFest ofron kabinat e gjumit, ku 1 minutë gjumë aty ka efektin e 1 ore. Urojme stafin qe tash mund të rrijnë në party deri 6 në mëngjes dhe të jenë në ora 10 në takimet e mëngjesit. Të kfillt. Të nderuar miq, në tokë dhe jashtë hapësirës së botës sonë, a jeni gati për super edicionin e së ardhmes?”, përfundon fjalimin Eroll Shporta, fjalimin e të cilit nuk e kemi ndryshuar fare e kemi lënë ashtu sic edhe ka folur, e krejt kjo që të shijohet sa më shumë.

Mes shumë buzqeshjeve e duartrokitjeve, Eroll Shporta largohet nga skena duke i lënë hapësirën filmit dokumentar të realizuar në vitin 1984 ‘Stop making sense’, i cili fliste për koncertin e rok bendit ‘Talking Hands’.

Ky film dokumentar, u mirëprit me duartorkitje nga publiku të cilët nisën festën për hapjen e edicionit të 16-të të DokuFest.

Një hapje thuajse madhështore mblodhi rreth vetës shumë miq, dashamirë, artdashës e poashtu edhe fytyra të politikanëve të Kosovës, të cilët edhe sot dështuan në votimin e të parit të Parlamentit të Repulbikës së Kosovës. Pas krejt kësaj, DokuFest sonte vazhdon me shfaqjen e filmave të tjetër nëpër kinematë e shumëta që ka. E pastaj edhe DokuNights, ku për herë të parë Ledri Vula do këndojë me bend.

KultPlus, do ju sjellë përgjatë tetë netëve, shumë shkrime, intervista, video e fotografi nga ngjarja, ndër më të mëdhatë në vend, DokuFest./ KultPlus.com

Dua Lipa dhe Rita Ora renditen në Top 10-shen e 100 këngëve më të mira në Angli

Dua Lipa dhe Rita Ora, vazhdojnë t’i prekin majat botërore me talentin e tyre.

Këngëtarja shqiptare Dua Lipa është renditur në vendin e 9-ta nga 100 këngët më të mira në Angli, UK Top 100.

Ndërsa, Rita Ora e 10-ta, duke u bërë kështu të dyja në Top 10-shen e këngëve më të mira.

“New Rules” nga Lipa dhe “Your Song” nga Ora, janë këngët të cilat kohët e fundit po dëgjohen shumë në vend dhe anembanë botës.

Kjo listë është përpiluar nga Kompania Zyrtare e Grafikave, bazuar në shkarkimet, shitjen, CD, dhe Audio Streams.

Top 100 këngët më të mira mund t’i gjeni këtu:

Dua Lipa arrinë 2 milionë ndjekës në Instagram (FOTO)

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, tashmë me famë botërore, Dua Lipa pas performancës së shkëlqyer në ‘Evropa Plus’ në Rusi, dhe shpërblimit me ‘pllakën e artë’ atje, siç duket është bërë edhe më e njohur dhe më e ndjekur në rrjetet sociale, shkruan KultPlus.

Dua Lipa ka arritur 2 milionë ndjekës në llogarinë e saj në rrjetin social Instagram. Gëzimin për këtë sukses ajo e ka shprehur edhe përmes një postimi në Instagram.

‘Faleminderit për 2 milionë ndjekës në Instagram! Woweee sa shumë njerëz (ndoshta edhe disa robota) !!!’ ka shkruar Dua Lipa poshtë fotografisë ku shihet ajo dhe ekipa e saj në Disneyland.
Dua Lipa një muaj më parë publikoi këngën ‘New Rules’, e cili deri më tani ka marrë më shumë se 637 milionë klikime në YouTube. /KultPlus.com

Penelopa e bukur greke deklaron se është shqiptare

E kush nuk është dashuruar me Penelopën e bukur greke. Me atë fytyrë të gdhendur mesdhetare që për besnikërinë ndaj dashurisë së saj thurte e çthurte pëlhura për 20 vjet me rradhë. Sepse e tillë është dashuria. Ajo i mbijetoi viteve me forcën e saj. Dhe nëse letërsia greke na ka sjellë imazhe femrash si Helena që shkaktoi një luftë për dashurinë, historia e Penelopës na ka magjepsur me besnikërinë e saj.

E interpretuar prej një prej artisteve më të njohura greke, një legjende me emrin Irene Papas ky rol është gdhendur në historinë e botës.

Kjo figurë e bukur femërore, e fortë, me ato sytë e thellë që tregojnë vuajtje dhe bukuri njerëzore është gdhendur thellë në memorien e çdo njeriu që njohu moralin e jetës nëpërmjet kinemasë. Që njohu madhështinë dhe pastërtinë e një dashurie në një film epokal siç është Odiseu.

Dhe një rol i interpretuar me madhështi mbetet në jetë të jetëve dhe kthehet në mit. E tillë është dhe Irene Papas.

Deklaratat e saj të fundit, të kësaj diveje të madhe dhe të papërsëritshme të kinemasë që me karrierën e saj u kthye në një legjendë botërore me të vërtet të bëjnë përshtypje. “Nuk mund të largohem nga kjo botë e të mos them të vërtetën se unë jam shqiptare”, ka deklaruar diva e kinemasë. Emri i saj i vërtetë është Irene Leleku dhe se origjina e babait të saj ishte shqiptare. “Nëna ime ishte nga Epiri dhe babai nga Shqipëria. Ai ishte një mësues letërsie dhe urrente priftërinjtë”, ka deklaruar diva në biografinë e saj në IDM.

Një deklaratë që ka shokuar me të vërtetë gjithë Greqinë sepse ajo është një nga heroinat më të mëdha të kinemasë greke, një idhull i këtij kombi por që vërteton dhe më shumë bindjen se shqiptarët në Greqi janë me të vërtet një faktor i rëndësishëm dhe kanë kontribuar në të gjitha fushat e jetës.Faktin që ajo është arvanitase e konfirmojnë dhe historianët e rëndësishëm të fushës.

Irene Papas arriti të realizonte një karrierë brilante. Ajo ka lindur në 3 shtator 1926 dhe ka luajtur në 70 filma me një karrierë që ka zgjatur më shumë se mbi pesë dekada.

Në biografinë e saj shkruhet se emri i saj i fëmijërisë është Irene Leleku dhe ka lindur në Korinthi, në Greqi dhe babai i saj ka qenë mësues i dramës klasike.

Me një bukuri të pashoqe, me atë portretin e saj të gdhendur si prej dive natyrore ajo do binte në sy të Elia Kazan duke arritur menjëherë famë në Greqi dhe më pas do të zgjidhej si protagoniste në filmat “The Guns Navarone” (1961) dhe “Zorba Greke” (1964), por dhe në filmat e mëdha që u shkruan mbi historitë e famshme greke. Kështu ajo do luante në filmat “Helen The Women Troje” (1971) së bashku me aktoren e njohur Katharine Hepburn, Clytemnestra në Ifigjenia (1977), dhe pjesët “Eponymous në Antigone” (1961) dhe “Electra” (1962). Papas gjithashtu, u paraqit si Katerina e Aragonit në filmin “Anne of the Thousand Days”, përballë Richard Burton dhe Geneviève Bujold.

Në vitin 1976, ajo luajti në filmin “Mohammad, i Dërguari i Zotit” (e njohur si Mesazhi) në lidhje me origjinën e Islamit dhe mesazhin e Muhammedit.

Duke qenë se karrierën e saj e filloi si këngëtare në vitin 1978, Papas, ka bashkëpunuar me kompozitorin Vangelis, në një interpretim elektronik, të tetë këngëve greke popullore, lëshuar si një rekord të quajtur “Odes”. Ata bashkëpunuan edhe një herë më pas në vitin 1986 për “Rapsodies”, një interpretim elektronik i shtatë himneve bizantine liturgjike.

Në vitin 1982, ajo u shfaq në film “Luani i Shkretëtirës”, së bashku me aktorin e madh Anthony Quinn. Por roli më i madh dhe më i famshëm i tij mbetet ajo e “Odiseut” ku interpretoi përkrah aktorit të njohur shqiptar Bekim Fehmiu.

Me gjithë karrierën e gjatë dhe famën e madhe që fitoi në të gjithë botën Irene asnjëherë nuk fitoi çmimin e lakmuar Oscar, gjë për të cilën ajo shprehet e zhgënjyer.

Thuhet se bindjet e saj ishin komuniste dhe ajo ka qenë anëtare e Partisë Komuniste greke dhe një mike e zjarrtë e kryeministrit Papandreu.

Irene do të mbahet mend në historinë e Greqisë jo vetëm për rolet e saj të skalitura në kinematografinë greke dhe atë botërore por mbi të gjitha dhe për interpretimet e saj të muzikës greke, ku më e famshmja është “Zorba” .

Për sa i përket jetës private thuhet se ajo ishte gruaja e Alkisa Papasit dhe jeton aktualisht në Itali. Aktorja është përfolur dhe për lidhje të saj dashurore me aktorin e madh Marlon Brando.

(Materialet iu referuan të dhënave të publikuara nga Beqir Sina, New York)

Sislej Xhafa vitin tjetër me ekspozitë në Kosovë

Vitin tjetër, artisti Sislej Xhafa do të sjellë artin e tij në një ekspozitë në Kosovë.

Kësisoj ka zbuluar mbrëmë artisti në mbrëmjen “Ta zbardhi ftyrën” e cila u organizua në Prishtinë nga gazeta për art dhe kulturë – KultPlus.

Xhafa gjatë bisedës artistike zbuloi se po punon bashkë me Arta Aganin, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës, për një ekspozitë në Prishtinë, ky një rikthim i artistit pas ca vitesh në Prishtinë.

Sidoqoftë, Xhafa vazhdon të jetë aktiv me ekspozitat e tij në shtete të ndryshme, përfshirë këtu Bienalen e Venecias ku po prezantohet vepra e tij “Lost and Found”.

Ky do të jetë bashkëpunim tjetër mes Sislej Xhafës dhe Arta Aganit, pasi ata janë pjesë e Pavijonit Kosovar në Bienalen e Venecias këtë vit në Itali, me Aganin si kuratore të këtij Pavijoni.
“Nuk do të zbuloj më shumë por po bisedojmë dhe është në plan një ekspozitë vitin tjetër. Gjithmonë bashkëpunimi me Artën është i mirë, por nuk do të zbuloj më shumë” ka treguar Xhafa gjatë bisedës së mbrëmshme në Hamam Bar në Prishtinë, ku pati plot të interesuar për të dëgjuar rrëfimet e Sislej Xhafës dhe Imer Kutllovcit. / KultPlus.com

ProCredit Bank, miku besnik i DokuFest

Me mbi 230 filma, ekspozita të ndryshme, programe për fëmijë, muzikë live me bende vendore e ndërkombëtare, programe të veçanta për teknologji, e shumëçka tjetër, sot fillon rrugëtimi i 16-të i Festivalit Ndërkombëtar për Dokumentar dhe filma të shkurtër DokuFest.

Tashmë është bërë një lloj slogani që ditën që nis njëri ndër festivalet më të mëdha në Kosovë e jo vetëm, të përdoret shprehja ‘Doku n’Doku’ dhe ‘Të gjitha rrugët të dërgojnë në Prizren’, pasi që, qyteti i Prizrenit përgjatë tetë ditëve sa zgjatë ky festival do të jetë nikoqir i mijëra mysafirëve nga mbarë bota.

Ajo që dikur ishte një iniciativë e vogël u rrit shpejt dhe u bë katalizator për ringjalljen kulturore dhe kinematografike, si dhe një qendër për filma dokumentarë në Ballkan, duke tërhequr regjisorët nga e gjithë bota. Ndoshta edhe më shumë, DokuFest, tani është edhe një platformë për të drejtat e njeriut, mbrojtjen e mjedisit, trashëgiminë kulturore dhe thyerjen e tabuve. Një festival, i cili ka ndërtuar ura të forta mes popujve të Ballkanit dhe pjesës tjetër të botës. E krejt këtë e ka bërë me mbështetjen e fuqishme që nga fillimit të ProCredit Bank.

Kësisoj përgjatë 16-të viteve me radhë, DokuFest, pati ‘krah të djathtë’ njërën ndër bankat më të mëdha në vend siq është ProCredit. Kjo bankë e përkrahi këtë festival që në hapat e parë të tij dhe kështu vazhdoi t’i qëndroj besnik përgjatë këtyre viteve, duke iu mundësuar jo vetë organizatorëve por gjithë atyre që do të bëhen pjesë e DokuFest, një ngjarje ku secili do e gjejë vetën në të.

Mbështetja për një festival të tillë është shumë e mirëpritur nga audienca shqipfolëse dhe kryesisht nga qytetarët e Prizrenit. Krejt kjo, pasi që, ky festival sjellë të ardhura të mëdha në Prizren, ku për këtë gjë janë deklaruar edhe qytetarët. Kjo është ajo që padyshim i duhet jo vetëm Prizrenit por gjithë Kosovës, duke e pas parasysh sa rriten të ardhurat gjatë evente-ve të tilla, e pikërisht këtë gjë edhe duke se e ka kuptuar ProCredit, që duke i dhënë fuqi financiare një festivali i jep fuqi gjithë vendit.
DokuFest, nis sot më datën 4 gusht dhe do të mbahet deri më 12 gusht.

ProCredit Bank, është një ndër bankat që i jep shumë hapësirë ngjarjeve të mirëfillta kulturore në vend e kjo është dëshmuar jo vetëm me DokuFest-in, por edhe me shumë ngjarje të tjera që ka organizuar ProCredit.

Sislej Xhafa dhe Imer Kutllovci sollën rrëfime interesante në ‘Ta zbardhi ftyrën’ organizuar nga KultPlus

Jeta Zymberi
Fotografitë: Armend Nimani

Së fundi, ajo që po i bën krenarë të gjithë shqiptarët është pikërisht depërtimi i madh i artistëve shqiptarë në botë. Arti i tyre flet më shumë dhe më mirë se gjithçka tjetër për këtë vend që ndoshta për shumë njerëz në botë është i panjohur. Falë punës së artistëve tanë, Shqipëria dhe Kosova kanë zënë vend në faqet e gazetave kulturore më prestigjioze në botë. Shumë artistë shqiptarë nga fusha të ndryshme të artit, duke filluar nga muzika, arti pamor, filmi, kanë treguar se ky vend i vogël ka talent të mëdhenj.

Të gjithë shqiptarët kudo në botë, po ndihen tejet krenarë me arritjet e tyre, e padyshim që ardhja e këtyre artistëve në Kosovë është kënaqësi dhe mirëpritet tejet mirë nga qytetarët. Andaj duke menduar që këta artistë të jenë sa më afër publikut shqiptar, KultPlus në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës, organizuan mbrëmë natën e parë të ciklit të rrëfimeve ‘Ta zbardhi ftyrën’, i cili erdhi në Hamam Bar Prishtina. KultPlus, me këtë cikël të rrëfimeve pretendon të prekë artin në të gjitha pikat kyçe.

Kjo mbrëmje solli për publikun shqipfolës tregimet e dy prej artistëve që tashmë kanë arritur famë ndërkombëtare.
Sislej Xhafa, artisti bashkëkohor i cili së fundmi përfaqësoi Republikën e Kosovës në Bienalen e Venedikut me instalacionin ‘Lost and Found’, fituesi i disa çmimeve ndërkombëtare, ai i cili pushtoi galeritë më të njohura të Evropës dhe jo vetëm, i ftuar në këtë cikël rrëfimesh të organizuar nga KultPlus shpalosi më shumë mbi karrierën e tij dhe për udhëtimin që sigurisht nuk ishte një rrugë e lehtë. Ai udhëtoi drejt vendeve ku arti është një fuqi e madhe dhe depërtimi është një punë e vështirë, por artistët e mëdhenj si Xhafa, arrijnë t`ia dalin kudo, dhe këto momente, sfida e gjithçka tjetër, ai i shpalosi për të ftuarit e këtij eventi special.

Në ‘Ta zbardhi ftyrën’ i ftuar ishte edhe aktori nga Kosova Imer Kutllovci, i cili bëri një karrierë të suksesshme në Paris dhe po e mban atë me role të ndryshme në vendin ku ka lindur arti e kultura. Imeri, është aktor i dhjetëra roleve në Paris, ndërsa është edhe aktor rezident në një nga teatrot e Parisit.
Në mesin e shumë artistëve, e njerëzve të institucioneve, në një ambient shumë të ngrohtë, filloi gjithçka. Udhëhequr nga gazetari Arbër Selmani, ‘Ta zbardhi ftyrën’ filloi me këmbë të mbarë nga këta dy artistë. Fillimisht fjalën e mori artisti Sislej Xhafa i cili gjithçka e nisi duke folur për fillimin e tij jashtë Kosovës, fillimisht drejt Italisë e tutje drejt Amerikës e vendeve të tjera.

“Unë nuk jam i vetëdijshëm as çfarë bëj. E kam zgjedhur formën e artit si shprehje. Kur kam qenë 11 vjeçar kam jetuar në Prishtinë. Udhëtimi në Londër ka qenë i shkëlqyeshëm sepse na ka krijuar atë dimensionin e Evropës, sepse ne jemi një shoqëri e një kulture bashkëkohore fshatare. Firence ka qenë një përvojë tjetër, sepse kur jam pranuar në Fakultetin e Arteve e kam kuptuar këtë fuqinë individuale. Kam shkuar në Firence në vitin 1999, atëherë kur kam fituar një shpërblim atje dhe përnjëherë aty kam fituar të holla dhe e kam pyetur veten çfarë të bëj me to. Mandej e kam zgjedhur Amerikën si destinacion të radhës. New York, një ndër vendet e jashtëzakonshme, një shtet multietnik, i vetmi vend ku e kam gjetur veten”, tha ndër të tjera Sislej.

Ndryshe nga Sislej, aktorin Imer Kutllovci, fillimisht drejt Francës, atje ku po ndërton karrierën e aktorit, e ka dërguar dashuria e mandej ka filluar të kërkojë dyer për zhvillimin e artit të tij, duke pasur parasysh që Imeri tashmë ishte i ndërtuar si artist në Kosovë, duke qenë kështu pjesë e disa shfaqjeve dhe filmave.

“Kur më është bërë ftesa për këtë natë artistike, fillova të mendoj sinqerisht për të kaluarën, sepse sidomos ne shqiptarët nuk e kemi në qejf të kaluarën sepse e kemi pasur të vështirë. Duke menduar se si u nisa nga Prishtina drejt Francës për tu sfiduar me art dhe për tu martuar, thashë me vete kjo ishte e rëndë. Por, jo rastësisht thonë që artistët janë pak të ‘çmendur’. Unë kam shkuar në vitin 2003 në Paris bashkë me bashkëshorten dhe me të arritur atje i kam kërkuar asaj të mi japë dy vite kohë për të kërkuar rrugët drejt suksesit në profesionin tim. Vështirësia e parë që e kam hasë padyshim që ka qenë gjuha, unë isha shumë larg gjuhës frënge. I dhashë vetes 1 vit kohë, e mësova gjuhën e pastaj fillova të interesohesha për profesionin tim, sepse pa e ditur gjuhën nuk mund të merresha me aktrim. Pas një viti unë u integrova dhe kërkova stazh në profesionin tim, pas një kohë një regjisore më ka ftuar në shfaqjen e saj, dhe kështu që nga atëherë nisi rrugëtimi im nëpër shfaqje e seriale në Francë”, tregoi fillimet e veta Kutllovci.

Emri i këtij organizimi ishte ‘Ta zbardhi ftyrën’, por sa e marrin si obligim këta artistë që përmes veprave të tyre t’ia zbardhin ftyrën vendin të vet, këtë nuk e shihnin të domosdoshme këta artistë sepse sipas tyre roli i artistit nuk është që të ja zbardhin fytyrën askujt, por të bëjnë një punë të mirë dhe të freskët dhe të tjerët të jenë krenarë me punën e tyre.

“Artisti nuk e ka për detyrë të ja zbardhë fytyrën dikujt. Artisti e ka një rol, të sfidojë veten me kohën”, tha ndër të tjera Xhafa.

Gjatë këtij rrugëtimi, artistët padyshim që kishin edhe vështirësi, këto vështirësi ata i shpalosën për publikun e pranishëm të cilët po i dëgjonin me shumë kureshtje.

Sislej tregoi se ka pasur momente të tilla padyshim, dhe një ndër këto momente ishte një kritikë në një gazete e cila kishte folur negativisht rreth punës së tij.
“Kjo gazetë kishte shkruar për Bienalen në të cilën unë merrja pjesë dhe aty kishin shkruar që një ndër kryeveprat ka qenë nga shqiptari më i varfër, i cili është refugjat dhe ka folur shumë keq, por kjo kritikë më ka shtyrë t’i jap rëndësi vetvetes dhe të kem një qëndrim të ri ndaj artit në përgjithësi”, tha tutje Xhafa.

Ndërsa Kutllovci tregoi se si vështirësi të parë e ka pasur ballafaqimin me gjuhën.
“Për një artist vështirësitë veç janë në rritje. Mësimi i gjuhës ka qenë vështirësi për mua, që më ka penguar fillimisht, por me kohë kjo vështirësi ka kaluar. Sa më shumë që po punoj, po më duket që po rriten edhe vështirësitë”, tha Kutllovci.

Të ndërtosh karrierë në një vend të huaj, padyshim që është e vështirë për secilin artist, por kur talenti, puna e madhe dhe vullneti për të arritur atë që do bashkëdyzohen, edhe sukseset nuk mungojnë. Të pajtimit për një gjë të tillë ishin edhe dy artistët e pranishëm.
“Një shtet na ka përqafu, por nuk na ka përqafu pse na do, ata na kanë përqafu sepse ne i kemi sfiduar, edhe kohën edhe sistemin, perceptimin e artit bashkëkohor në atë periudhë kohore. Ata e kanë parë një freski te ne. Përndryshe nuk është e lehtë të depërtosh në vend të huaj, është shumë më e vështirë se këtu. Por unë ngado që shkoj adaptohem shpejt, e luaj lojën e tradhtarit, ama tradhtarit të mirë”, tha Sislej.

Dy artistët e pranishëm në këtë event, nuk harruar të flisnin edhe për rëndësinë e kthimit të tyre në vendlindje, kohë pas kohe. Sipas tyre një gjë e tillë është shumë e rëndësishme, sepse ata thanë që shpesh i merr malli edhe për “lloçin” e vendlindjes.
Ndërsa për të gjithë ata artistë që dëshirojnë të provojnë tregun e huaj konkurrues të artit, Kutllovci u mundu t’i këshillojë. Ai tha se “gjithmonë është e rëndësishme të qëllosh në kohë sepse talentë ka gjithkund në botë”.

Artisti Sislej Xhafa kishte një këshillë shumë interesante për artistët e rinj, ai i këshilloi që të ‘rrejnë’ sa më shumë, duke e konsideruar kështu gënjeshtrën si pjesë të imagjinatës. “Artisti nuk duhet të pres nga të tjerët”, këshilloi Xhafa artistët e rinj.

Pas rrëfimeve mjaft interesante nga të dy artistët të cilët në dy fusha të artit po shkëlqejnë, të pranishmit patën rastin të bëjnë pyetje për artistët, e ku interesimi nuk mungoi. Pas përgjigjeve që artistët i dhanë për të pranishmit, eventi vazhdoi me takimin e artistëve me të pranishmit dhe me një koktej rasti.
‘Ta zbardhi ftyrën’ organizohet nga KultPlus, gazeta e parë dhe e vetme online për kulturë në rajon, projekt ky me mbështetje të Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

Tenori Agim Hushi largohet nga Shqipëria, i dëshpëruar me injorantët dhe hajdutët

Tenori i famshëm Agim Hushi ka ikur i indinjuar nga Shqipëria dhe i mbushur plot mllef i ka dhënë lamtumirën, atdheut të tij “të dështuar” siç e konsideron ai, “që është kapur për fyti dhe po jep shpirt në duart e një kaste kriminele, ku vlerë kanë vetëm hajdutët, maskarenjtë, injorantët, baballarët tanë të kombit me hundët zbardhur nga kokaina!”

Fjalët e fundit të Agim Hushit, postuar në rrjetet sociale:

“Së fundmi rikthimi në qytetin tim, atje ku filloi karriera ime: në “Sydney Opera”! Ndihem kaq i lumtur dhe krenar për këtë rikthim dinjitoz si qytetar australian!

Pas një viti qesharak, më së fundmi erdha dhe unë tek termat serioze të realitetit të një atdheu të dështuar, që është kapur për fyti dhe po jep shpirt në duart e një kaste kriminele, ku vlerë kanë vetëm hajdutët, maskarenjtë, injorantët, baballarët tanë të kombit me hundët zbardhur nga kokaina !

Më bëtë të më vijë turp nga vetja që jam bashkëkombësi juaj!

Më dhemb që ai popull i mirë ka marrë pothuaj lehtësinë e një kopeje delesh për t’u çuar buzë greminës dhe kujtesa historike i është kthyer në një histeri politike të skajshme dhe pa asgjë që të kujton qytetërimin të cilit i përkasim!

Duke lënë pas sukseset e mëdha të një sheshi qesharak me majë dhe ujëra që rrjedhin si përrenj psiqikë të sëmurë dhe tregun e ri – po ju prezantoj pamje të botës së lirë ku emrin e kryetarit të bashkisë së një qyteti 5- milionësh s’e di askush dhe ku kryetari i shtetit mban përgjegjësi edhe për menynë e pensionistëve!

Të një shteti që po përgatitet të dërgojë së shpejti, 4 banorët e parë të përjetshëm tokësorë në Mars!

Lamtumirë Shqipëri!!

Faleminderit Australia ime!!!”

Luiza Papa, femra më e bukur e viteve 60-të në Tiranë

Në një nga intervistat e njohura me këngëtarin Pirro Çako i them me mirëdashje që ai ka qenë me shumë fat në jetë. Është rritur me një nënë aq të bukur, sa kur kalonte ajo e gjithë Tirana kthente kokën. Ishte gruaja më e bukur e kryeqytetit. Pirro qeshi dhe më tha që ishte e vërtetë. “Ka qenë me të vërtet një sensacion i bukur të rriteshe me një grua që çdo mëngjes ngjante si një engjëll.

Dhe në fakt kjo ishte e vërtetë. Gruaja me emrin Luiza Papa shquhej për veshje të veçanta tërë elegancë, për stilin e saj perëndimor dhe për topuzin e famshëm që gjithnjë e ka pasur të veçantë dhe i jepte hir mbretëreshe.

Të gjithë në Tiranë e njihnin dhe kënaqeshin kur vetëm e shikonin dhe e admironin. Aq i veçantë do të ishte stili i saj në veshje sa femrat e Tiranës të gjithë e kopjonin dhe në rrobaqepësitë e kryeqytetit të gjitha gratë shpreheshin se donin një fustan si të Luiza Papës.

Luiza kishte fatin që nënën e saj ta kishte një mjeshtre rrobaqepësie dhe në shtëpinë e saj kishte dhe makinë trikotazhi që punonte bluza me fije. Ndaj e bija do të ishte modelja e parë dhe që do bënte trend në gjithë Tiranën. Dhe përveç kësaj kishte një trup të skalitur si Sophia Loren dhe një fytyrë të harmonishme dhe mrekullisht të bukur si një divë kinemaje.

“Si të gjithë në Shqipërinë e asaj kohe mundoheshin dhe të sajoheshin bukur. Pra përdornin ndonjë fustan të vjetër duke i marrë copën dhe duke sajuar një fustan të bukur me një model të ri. Pra me një nënë rrobaqepëse gjërat për të ishin më të lehta”, shprehet ajo.

Gruaja më e bukur e kryeqytetit kishte një sqimë perëndimore në veshje. “Shikonim ndonjë film, ndonjë të huaj dhe mundoheshin të kopjonim modelin e artisteve”, thotë ajo.

Ndër preferencat e veshjeve të sja ishin ngjyrat e bardha, blu, rozë e hapur dhe jeshile ndërkohë që ngjyrat e errëta dhe ato të fortat nuk ishin pjesë e garderobës së saj.

Pas fejesës më Gaqo Çakon ajo filloi të bëhej më fanatike për veshjen . Duke qenë se fati e kish lidhur me një emër të lakmuar të botës muzikore, një prej tenorëve më të mirë shqiptarë ajo filloi të ishte më e kujdesshme për pamjen e saj të jashtme. Trend i asaj kohe ishte një tualet i thjeshtë dhe një e veçantë që ajo e kish ruajtur gjithmonë: flokët topuz. Një model flokësh që gjithnjë i ka dhënë pamje mbretërore dhe aristokratike.

Të gjithë ata që në Tiranën e asaj kohe ndiqnin ngjarjet e mëdha artistike të kohës do të mbajnë mend veshjen e Luiza Papës në skenë. Aq sa biletat do të shiteshin për të parë sesi kjo vajzë e bukur dhe me sqimë por dhe me një talent të veçantë do të interpretonte në skenë.

Sot Luiza është tek të tetëdhjetat por dhe pse rrudhat i janë shfaqur mban akoma aureolën mbretërore të saj dhe duket si gjithnjë fisnike. Gaqoja është 3 vjet më i madh se ajo dhe janë njohur në lice kur shkolloheshin të dy. Gaqo dallohej që në lice për talentin e tij dhe të gjithë e admironin.

Me Gaqon fillimisht kishin një miqësi të pastër e të sinqertë. Dashuria mes tyre lindi kur shkuan në Rusi kur ishin të dy për studime. Ditët e pushimit dilnin të dy bashkë në qytet, diskutonin, flisnin dhe thurnin plane për të ardhmen. Në Rusi kishte femra shumë të bukura, por me kalimin e kohës ato gjenin gjithnjë gjëra të përbashkëta dhe shpejt arritën në idenë se ishin të prerë për njëri-tjetrin. Dhe një ditë prej ditësh Gaqo i shprehu dashurinë.

Dhe kështu sapo u kthyen nga Rusia u martuan. Ishte viti 1963. Filluan punë në Teatrin e Operas dhe atje bënë një karrierë të lavdërueshme.

Por ishte e çuditshme sepse siç ishte zakon në Shqipërinë e asaj kohe ajo kishte një cen në biografi. Në atë kohë ishte problem i madh por ajo u tregua e sinqertë me shokun e saj. “Dashura është më e fortë se biografia”, u shpreh Gaqoja, dhe u mbyll ai muhabet.

Me Gaqon ishin një çift i përsosur. Janë respektuar në maksimum dhe gjithë jetën kanë mbrojtur dhe dinjitetin e një prej çifteve më të lakmuar të Tiranës. Sigurisht që nuk ka qenë një gjë e lehtë. Sepse ishte artiste, ishte një grua e bukur dhe ngacmimet e jashtme kanë qenë gjithnjë të mëdha. Por është munduar që gjithë jetën të ruajë dinjitetin e saj.

Një familje artistësh që gjithë jetën kanë bërë bujë me karrierën e tyre dhe kanë lënë një shije pozitive tek të gjithë me gjithçka që arritën në jetë.

E ndërsa kalojmë përsëri tek e kaluara ajo buzëqesh. Komplimenteve se ka qenë gruaja më e bukur e Tiranës i përgjigjet me një buzëqeshje të dlirë. Ishte artistja që vidhte zemra njerëzish me gjithë aureolën e saj dhe mund të quhet artistja dhe modelja e famshme e viteve 60-të në Tiranë.

Dua të kthehem, të kthehem, o dua veç të kthehem…

Teksti i këngës “Volver” nga Buika, përkthyer në gjuhën shqipe. Buika është këngëtare e njohur spanjolle e muzikës jazz. Përkthimi: Arbër Selmani

Kjo dashuri plot pasion
Që prapë po bën gjithçka të rrotullohet,
Veç që unë të kthehem.

Jam gati të çmendem
Gjithçka po më torturon,
E unë prapë di të dashuroj.

Jemi ndarë, ka shumë vite
Por unë do të kthehem, erdhi momenti.
Ti të drejtë ke,
Zemra po më plasë, po shndërrohem
Po vdes për tu kthyer atje.

Dua të kthehem, të kthehem, o dua veç të kthehem,
Në krahët tu, edhe njëherë.
Do të vij kudo ku ti je,
Kam humbur shumë, shumë
Por dua të kthehem, dua çmendurisht të kthehem.

Ujëvara e Progonatit, destinacion turistik

Turistët që ngjiten në zonën malore të Tepelenës, kryesisht për në Nivicë dhe kanionet e saj, mund të vizitojnë edhe ujëvarën e Progonatit.

Ndodhet pak më në lindje të fshatit Progonat të rrethit të Tepelenës.

Në të rrjedhin ujerat e përroit të Gurrës së Progonatit. Banoret e quajnë “buza e ujit”.

Këtu përroi formon kanione dhe ka lartësi rreth 1000 m mbi nivelin e detit.

Ujëvara ka lartësi rreth 25 m. Në mesin e saj ka një prag të vogël, i cili e bën më të bukur rënien e shkumëzimin e ujit nga lartësia. Te pragu është formuar një urë e gurtë natyrore, e cila e ndan ujëvarën në dy pjesë.

Sektori i luginës poshtë saj përbën një kanion madhështor, disa qindra metra i thellë, me plot guva e shpella karstike ende te paeksploruara. Vlerat e ujëvarës janë të shumta, por mbi të gjitha turistike.

Një shoqatë mjedisore ka bërë sistemin e rrugës këmbësore për të zbritur tek ujëvara.

Ajo mund te vizitohet sipas rrugës automobilistike rurale Tepelene – Bënçë – Progonat. / KultPlus.com

‘Once Upon A Time In Venice’, premierë në Kino ABC

Premiera e radhës që do të shfaqet në ekranin e madh të Kinemasë ABC, është premiera e filmit “Once Upon A Time In Venice”. Në rolet kryesore të filmit janë aktorët Bruce Villis, Jason Momoa dhe John Goodman, përcjellë KultPlus.

Premiera shfaqet nga data 5 gusht, çdo natë në terminin e orës 19:00.

Filmi aksion, komedi, triller, vjen me regji të Marc Cullen, flet për Steve Ford (Bruce Willis) i cili është një hetues privat i fshehur, por jo jashtë L.A, bota profesionale dhe personale e te cilit përplasen pasi qeni i tij i dashur Buddy është vjedhur nga një bandë famëkeqe. Një seri rrethanash të çmendura e gjejnë atë duke bërë ofertën e bandës, ndërkohë që ndiqen nga dy vëllezërit vendas hakmarrës, peshkaqenë të huave dhe disa karaktere të tjerë në hije. Ata thonë se një qen është miku më i mirë i njeriut dhe Steve tregon se sa larg do të shkojë një njeri për t’u ribashkuar me të.

Në rolet kryesore luajnë: Bruce Willis, Jason Momoa, John Goodman, Famke Janssen, Adam Goldberg, etj. / KultPlus.com

Edhe një mirënjohje ndërkombëtare për producenten Dijana Toska

Pas jehonës planetare që pati Himni i Nënë Terezës, ngjarje kjo kulmore e vitit të shkuar, vjen edhe një mirënjohje për producenten dhe ideatoren e kësaj ngjarje të madhe, Dijana Toska.

Juria e Çmimit Ndërkombëtar të Arteve të Filatelisë “San Gabriello” e ka përzgjedhur pullën postare dedikuar, Himnit të Nënës Terezë, si pullën më përmbajtësore me karakter fetar.

Autore e pullës postare është Dijana Toska, ndërsa është dizajnuar nga organizata Little People of Kosova, Hilmnijeta Apuk dhe e metuar nga Posta e Kosovës me datë 15 gusht 2016 me rastin e Shenjtërimit të Nënës Terezë.

Siç merret vesh ndarja e çmimit do të bëhet më 24 shtator në Legnano të Veronës në Itali. Si shpërblim Postës së Kosovës do ti akordohet një certifikatë dhe plaketa e lajmërimit “L’Annunciazione” e punuar nga mjeshtri Enrico Manfrini. / KultPlus.com

Gjësendet e braktisura, Agron Blakçori i solli në ekspozitën ‘URBANinstallations’ përmes fotografisë (FOTO)

Në një hapësirë të veçantë dhe shumë artistike, mbrëmë në lokalin ‘TRAFFIC gallery’ në kryeqytet u hap ekspozita ‘URBANinstallations’ e artistit kosovar, Agron Blakçori, shkruan KultPlus.

Ekspozita e cila përmban 40 fotografi, të realizuara gjatë muajve maj dhe qershor në Berlin, sjellë fotografi të cilat dokumentojnë gjësende të braktisura, të hedhura me një qëllim të caktuar, të cilat artisti Blakçori i ka parë si instilacione apo skulptura, pjesë të hapësirës urbane dhe i ka shkrepur me aparatin e tij, për të krijuar një vepër arti dhe për t’i prezantuar më pas para publikut.

‘Kam qëndruar për dy muaj në Berlin dhe atje gjatë kësaj kohe kam hasur në gjësende, objekte të cilat njerëzit i kanë hedhur për një arsye të caktuar, apo pa asnjë qëllim, të gjitha këto gjësende unë i kam parë si instilacione ose skulptura të cilat po qëndrojnë për një kohë të caktuar në një ambient të caktuar, të cilat i kam menduar t’i ruaj dhe t’i prezantoj përmes fotografisë. Ekspozita është hapur këtu për herë të parë publikisht, por në mënyrë personale kam marrë komente pozitive prej komunitetit të artistëve në Berlin’, ka thënë për KultPlus, autori i kësaj ekspozite, Agron Blakçori.

Të prezantuara për herë të parë, 40 fotografitë pjesë të kësaj ekspozite, prej mbrëmë, publiku ka mundësi t’i shoh të shfaqura për nga 5 sekonda, në një ekran në hapësirat e ‘TRAFFIC gallery’.

‘Të gjitha fotografitë prezantohen në një monitor. Këtë e kam menduar si formën më të mirë për t’i prezantuar ato, me qëllim të krijoj edhe te publiku përshtypjen e njëjtë ashtu siç i kam parë edhe unë për herë të parë. Mesazhi i krejt kësaj ka qenë që ka gjësende që dikush i hedhë si mbeturina, gjëra të vjetra, por për dikë mund të jenë gjëra të reja, interesante dhe të duken mirë. Unë çdo herë synoj të prezantoj vepra të ndryshme prej njëra tjetrës, sepse edhe jeta jonë është e tillë, asnjëherë nuk është e njëjtë’, ka thënë tutje për KultPlus, Agron Blakçori.

Për të parë 40 fotografitë e ‘URBANinstallations’, kishte ardhur edhe skenaristi kosovar, Naser Shatrolli, i cili tha se ekspozita i ka pëlqyer shumë dhe se vlerëson shumë punën e autorit të këtyre fotografive.

‘Me Agronin, të cilin e përgëzoj shumë për punën, kam bashkëpunuar disa herë, dhe mendoj që është një artist ambicioz, vrojtues, piketues, i cili ka qëllime dhe ideale. Më anë të këtyre fotografive ai u ka dhënë atyre objekteve që i ka fotografuar një kuptim krejt tjetër dhe kjo na bënë të kuptojmë se si ne mundemi të ua ndërrojmë kuptimin gjërave, diçka që dikujt ia zë rrugën dhe nuk i duhet më, dikujt mund t’i shërbejë për të shprehur art dhe të sjellë një mesazh, i cili ndërlidhet me ambientin dhe me esencën’ ka thënë për KultPlus ai.

Krejt në fund, artisti autor i kësaj ekspozite, Agron Blakçori tregoi për KultPlus, se është duke punuar një tjetër ekspozitë personale të cilën do ta prezantoj së shpejti në Prishtinë.
‘Në fund të muajit tetor ose fillim të nëntorit, do të prezantoj një ekspozitë tjetër personale këtu në Prishtinë, në të cilën Mehmet Behluli është kurator’, tha ai.

Ekspozita ‘URBANinstallations’ do të qëndrojë e hapur për dy javë.

Agron Blakçori

Agron Blakçori që nga viti 2000 merret me aktivitete të ndryshme, ka realizuar disa projekte artistike për mbrojtjen e ambientit, koloni artistike, ekspozita, skenografi, kukulla në teatrin e fëmijëve. Ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme kolektive. Ai gjithashtu është fitues i çmimit “Artistët e Rinj’ në vitin 2016 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. /KultPlus.com

Hapet ekspozita me fotografitë e retushuara të arkivës së Marubit (VIDEO)

‘Manipulim’ titullohet ekspozita më e re e cila është hapur në Muzeun Kombëtar Marubi. Kjo ekspozitë do të ketë në qendër të saj fotografitë e retushuara të arkivës së Marubit, shkruan KultPlus.

Kryeministri Edi Rama ka postuar sot në rrjetin social Facebook, një klip prezantues të kësaj ekspozite e cila është hapur në Muzeun Kombëtar Marubi.

“Mirëmëngjes dhe ju uroj një ditë të mbarë me këtë klip prezantues të ekspozitës më të re çelur sot në Muzeun Kombëtar Marubi, titulluar ‘Manipulim’. Fotografitë e retushuara të arkivës së Marubit do të jenë në qendër të kësaj ekspozite e cila tenton të nxjerrë në pah për herë të parë historinë e hershme të manipulimit të fotografive, për t’i ballafaquar ato me të vërtetën që dëshmojnë negativët origjinalë të paprekur”, shkruan kryeministri Rama në postimin e tij. KultPlus.com

‘Billboard’ shkruan për Era Istrefin

Këngëtarja shqiptare Era Istrefi është një yll në ngjitje, një gjë të tillë po e dëshmojë sukseset e saj, shkruan KultPlus.

Kënga e saj e fundit e njëkohësisht kënga e parë nën menaxhimin e Sony Music, “Redrum” tashmë është realizuar edhe remiks nga stafi i saj menaxhues.

E famshmja “Billboard” ka shkruar për Era Istrefin dhe iniciativën e saj të re për të sjellë remiksin e këngës ‘Redrum’.

Në artikullin online të “Billboard” shkruhet se këngëtarja e popit Era Istrefi me zërin si Rihanna ka thyer të gjitha rekordet e ka kaluar të gjitha pritshmëritë me “BonBon” në 2016-n dhe tani ajo është gati që së bashku me produksionin e Felix Snow të sjellë një epokë të re muzikore me remiksin e “Redrum”.

Remiksi titullohet “What So Not” dhe për herë të parë është lansuar në performancën që Era Istrefi mbajti në “Coachella” këtë vit. “Ultra Music” e ka shpërndarë këtë remiks duke shpresuar se ky remiks do të tejkalojë suksesin e “BonBon”.

Mund ta dëgjoni më poshtë remiksin e ri të këngës, i cili tashmë është hedhur zyrtarisht në faqen e “Billboard”. /KultPlus.com


http://www.billboard.com/articles/news/dance/7889765/what-so-not-remix-era-istrefi-redrum