Saimir Pirgu në Operën e Cyrihut me premierën e “Madama Butterfly”

Tenori shqiptar me famë botërore, Saimir Pirgu ka një bagazh të pasur bashkëpunimi me Operën e Cyrihut. Në këtë vazhdë, ai, këtë të dielë, më 10 dhjetor është pjesë e premierës së operës së njohur “Madama Butterfly” të Giacomo Puccinit.

Pirgu në këtë shfaqje, një tragjedi japoneze në dy akte, luan rolin e oficerit të Marinës Amerikane, Benjamin Franklin Pinkerton. Këtë rol, ndër më të shquarit në literaturën e operës botërore, por njëherësh të njohur si rol “antipatik” Pirgu një kohë të gjatë e ka refuzuar. Por së fundi, në inskenimin në Operën e Cyrihut ai e ka sfiduar veten edhe me Pinkertonin. Këtë e ka bërë pasi që regjisori, Ted Huffmann e ka nxjerrë këtë personazh nga koha e tij duke e bërë më të kuptueshëm në kohen tonë. Kështu pak a shumë shprehet Pirgu në një intervistë që gazeta “Tages Anzeiger” e ka realizuar me të, në prag të shfaqjes, me titullin “Tenori i lumtur”.

“Tek e vë dhe e heq kapelen e uniformës së oficerit të marinës amerikane, këngëtari shqiptar rrezaton”, trasnmeton albinfo.ch gazetën zvicerane. Po ashtu ai shkëlqen edhe pastaj, gjatë bisedës në garderobë, tashmë me veshje civile. Dhe ka një arsye të fortë për këtë: karriera e tij po ecën mirë, madje shumë mirë. Publiku e do atë dhe ai e do profesionin e tij. Një ëndërr është bërë realitet. “Natyrisht ka edhe vështirësi, por ku nuk ka të tilla”, thotë tenori. Rëndësi ka që e mira mbizotëron…”.

Ëndrra e Saimirit ka filluar kur ai kishte vetëm 13 vjet, kur po shikonte në televizionin italian koncertet e famshme me “Tre Tenorët” (Pavarotti, Domingio dhe Careras), përcjell albinfo.ch. Atëbotë Pirgu kishte filluar t`i imitonte ariet e tenorëve të përmendur ndërsa vetëm dhjetë vite më vonë ai po qëndronte tashmë në skenë përkrah njërit nga tre tenorët, me Placido Domingon, në operën “Metropolitan” të Nju Jorkut.

Ky është treguesi i përparimit të shpejtë dhe ngjitjes së djaloshit të rritur në kushte modeste në Elbasan, drejt majave të suksesit në muzikë. Sot, kur ai është vetëm 36 vjeç, ka arritur pothuaj të gjitha që mund të arrijë një këngëtar opere.

Ai tregon se në fakt takimi me tenorin tjetër, Pavarottin ka qenë akoma më i rëndësishëm për të se këndimi me Domingon në Nju Jork. Pavarottin, Pirgu e ka njohur kur ishte student në Bozen të Tirolit, Jugor, Itali. Ai ishte një perëndi për të. “Diçka më shumë se një zë të tillë vërtet nuk mund ta dëshirosh”, thotë ai. Dhe, ky “Zot”, nga ana e tij, qe interesuar për tenorin e ri të talentuar. Ai i ka dhënë leksione Pirgut përgjatë 5-6 viteve. “E vizitoija rregullisht, ai u ka dhënë të gjitha roleve të mia `gëdhendjen` e fundit”. Dhe po Pavarotti ka qenë ai që ia ka shpjeguar kuptimin e `zërit diellor`, një zë me të cilin tashmë identifikohet vetë Pirgu. Këtë ai e shpjegon me parapëlqimin që ka për rolet pozitive, me të cilat lidhet dhe dashurohet publiku. E Pinkertoni nga “Madama Batterfly” përfundimisht nuk është një rol i tillë, shkruan Albinfo.

Premiera e operës “Madama Butterfly” jepet në Opernhaus të Cyrihut, të dielën, më 10 dhjetor, me fillim në orën 19.

Fillon rindërtimi i Teqesë së Madhe në Prizren

Kanë nisur punimet në rindërtimin e Teqesë së Madhe në Prizren, ku u tha se pas 70 viteve edhe në Prizren do të ketë mundësi të kryhen ritet fetare.

Po ashtu, u tha se rindërtimi i teqesë së Marashit-Hiesar, do të ketë një pamje arkitektonike dhe do të kushtojë rreth 300 mijë euro.

Historiani Parim Kosova tha se kjo teqe ka rëndësi të shumëfishtë historike kulturore dhe fetare.

“Tani me ndihmën e institucioneve të Kosovës, Ministrisë së Kulturës, Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore u vendos edhe gurthemeli dhe nga sot fillon rindërtimi i kësaj teqeje ballkanike “, ka thënë ai, shkruan KP.

Shehi i teqesë se madhe të Prizrenit, Gufran Shejhi, tha se ‘rindërtimi i Teqesë së Marashit për neve do të thotë shumë, së pari nga ana shpirtërore, sepse krejt besimi lidhet me çështje shpirtërore që është thelbësore por pas asaj mundësohet edhe ana ku mund të kryejmë ritet fetare’.

Ai shpreson se ky objekt do të jetë si vazhdimësi e të parëve të tyre që janë 400 vjet e këndej.

Sipas tij, në mungesë të objektit të teqesë, ritet fetare kanë mbet vetëm ritet që mbahen te tyrbja, që dallojnë nga ato të teqesë. / KultPlus.com

I jepet lamtumira e fundit aktorit Blerim Peci

Edhe përkundër motit të lig që po mbretëronte në orët e pasdites në Shipol të Mitrovicës, qytetarë të shumtë morën pjesë në varrimin e aktorit të njohur, Blerim Peci, për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Para ceremonisë së varrimit, janë mbajtur edhe homazhe për veprën e tij, raporton Koha.net.

Për vdekjen e tij, ngushëllime kanë shprehur qytetarë të shumtë, kolegë e politikanë.

Aktori Peci ndërroi jetë sot pasi, siç raportohet, vuante nga një sëmundje në mëlçi.

I ndjeri ka lënë prapa bashkëshorten dhe dy fëmijë. / KultPlus.com

Hashim Thaçi në ekspozitën e Petrit Halilajt në Paris

Kreu i shtetit, Hashim Thaçi, ka vizituar ekspozitën e artistit të njohur nga Kosova, Petrit Halilaj.

“Një djalë nga Runiku, sot me ekspozita paralele në Paris dhe Nju Jork, kudo që shkon e merr tërë Kosovën me vete, kujtimet, historinë, fëmijërinë. Është ky Petrit Halilaj, një nga artistët më të spikatur shqiptarë të sotmes. Pata kënaqësinë ta vizitoj ekspozitën e tij në Paris”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në Facebook.

Mbahet punëtoria e parë për brendimin e qytetit të Prizrenit

Më datën 7 dhe 8 dhjetor në Prizren u mbajt punëtoria për realizimin e planit të veprimit mbi brendimin e qytetit të Prizrenit në të cilën morën pjesë profesionistë të fushave të ndryshme në Kosovë.

Autostrada Biennale së bashku me Rrjetin e Organizatave të Kulturës në Prizren (RrOK PZ) realizuan punëtorinë në lidhje me konceptin e brendimit të qytetit. Në këtë rast bëhet fjalë për qytetin e Prizrenit i cili njihet për diversitetin etnik, gjuhësor dhe fetar dhe gjithashtu për pasurinë kulturore të cilat së bashku japin potencial për tu bërë kryeqytet kulturor e shpirtëror i Kosovës.

Në këtë punëtori u prezantuan konceptet e brendimit të qytetit, u diskutua mbi elementet komplekse dhe gjithëpërfshirëse të brendimit të qytetit dhe rrjedhimisht u hartua plani i veprimit të fushës së brendimit i cili do të jetë pjesë e planit të menaxhimit të qendrës historike të Prizrenit.

Ky plan i veprimit ka për qëllim të shërbejë si pikënisje për zhvillimin e mëtutjeshëm të strategjisë së brendimit të qytetit të Prizrenit. Duke qenë se brendimi i qytetit është kompleks dhe shumë-dimensional, kjo punëtori ka mbledhur përfaqësues të fushave të ndryshme profesionale të cilët përveç njoftimit me konceptin e brendimit, kontribuuan në ofrimin e perspektivave të ndryshme dhe mundësuan gjithëpëfshirjen si element të rëndësishëm të konceptit të brendimit të qytetit.

Punëtoria përfshiu prezantime nga Eliza Hoxha, Yll Rugova, Jeton Jagxhiu, Nora Arapi Krasniqi, Berin Hasi dhe Tahar Alemdar. Kjo punëtori u financua nga CHwB Kosova dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. / KultPlus.com

Ri mbështetur në tryezë…

Poezi e shkruar nga Lasgush Poradeci.

Ri mbështetur në tryezë
Ndaj më shpesh e ndaj më rrallë,
Pa vjen malli të më ndezë
Zjarr në zemër, zjarr në ballë.

Asohere dyke pritur
I marr tëmbëlat nër duar
E qëndroj krye-venitur
Me vështrim në kraharuar.

Sbret një yll prej lartësije,
Një të ndritur shkrepëtime —
Pasi flakë e posi hije
Ajo ryn në zemër t´ime.

E kuptoj me shpirt të sosur
Si kullon dale-nga-dale,
E si fjalës së palosur
M´i hap kindën e një pale…

Unë qit një psherëtitje,
Thyem pak e zë të shkruaj,
Dhe më shkon më një pulitje
Kur një dit´ e kur një muaj.

Mëndjen t´ime-e merr dëshira,
Ndjej në gjit një këngë gjaku,
M´i fal syrit plot çudira
Këjo odë varfanjaku:

Këjo oda s´ka mënyrë
Ku të kryet, ku të nisë
Ndaj më ndrin si në pasqyrë
Drita e Përjetësisë.

Po çudi tani më fal-ti,
Zjarr, që djeg në shkrepëtimët!
Dyke ngjitur për së nalti
Fërfëllon një flakë-a himët…

Me kullim të pashteruar
Ajo del prej vetes s´ime,
Del nga shpirt´ i përvëluar
Nër një mijë shkëndijime.

E si shkoj që prej së felii,
Ç´ m´u verbosnë-o! syt´e mija?
U nxi dheu?… U shua qjelli?…
U bë natë gjithësija?…

S´është gjë: veç yll´i vetë,
Më s´më djeg në kraharuar:
Unë shoh me gas të qetë
Këngëzën e përvëluar.

Andi Bajgora dhe Rinesa Qeriqi, së bashku në ‘Gjuj me dritë’ nga Oborri (VIDEO)

Duo/bendi nga Prishtina, “Oborri”, kanë lansuar videon për këngën e tyre “Gjuj me dritë”. 

Regjinë e spotit e ka realizuar Dritëro Mehmetaj, ndërsa aktorë kryesor në këtë projekt janë Rinesa Qeriqi si dhe aktori i filmit “Shok”, Andi Bajgora. 

Kjo këngë sheh zhvillimin e Oborrit drejt një fryme të paeksploruar më heret, ku vërehen ndikimet e zhanrit hip-hop, pop dhe poezisë direkte.

Ajo paraqet një reflektim të çiltër të jetës kaotike e klaustrofobike të Prishtinës e shoqërisë Kosovare, gjithmonë duke dhuruar një shpresë të fuqishme përgjatë narracionit përplot emocion njerëzor.

Oborri ka lansuar albumin e tyre debutues të vetë-titulluar në gusht 2017 të cilin mund ta bleni nepër pika të ndryshme Kosovë apo online. / KultPlus.com

Telegram ngushëllimi i ministrit Kujtim Gashi me rastin e vdekjes së aktorit Blerim Peci

Telegram ngushëllimi i ministrit Kujtim Gashi me rastin e vdekjes së aktorit Blerim Peci

E nderuara familja Peci,

Lajmin për vdekjen e parakohshme e të dashurit tuaj, Blerimit, aktorit tonë të mirënjohur, e morëm me pikëllim të madh dhe jemi shokuar.

Blerimi u nda nga kjo jetë në moshë të re, por vepra që la është voluminoze. Krijimtaria dhe produktiviteti i tij i panumërt do të mbetet i paharruar ndër ne. Zelli me të cilin ka punuar dhe kontributin që ai ka dhënë në vazhdimësi e ka sjellë artin në Kosovë në një nivel tjetër.

Me kontributin e tij, Beli, siç e quajtën miqtë e tij, ka bërë që të jetë mik i respektuar i tërë atyre që e kanë njohur në botën e artit e të kulturës dhe jashtë saj. Me punën e tij ka bërë që të jetë i vlerësuar dhe motor që ka futur në lëvizje ata që kanë qenë përreth tij. Me entuziazmin e tij ai do të krijonte edhe shumë e më shumë, posaçërisht në fushën e humorit dhe për këtë Blerimi do të na mungojë edhe më shumë.

Ndarja e hershme e Blerim Pecit është humbje e rëndë jo vetëm për ju, familjen dhe miqtë, por është humbje dhe do të jetë mungesë e madhe për artdashësit dhe kulturën e Kosovës.

Ne e kujtojmë me pietet dhe respekt angazhimin dhe kontributin e tij të çmuar dhënë për kulturën e Kosovës

Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Blerim Pecit. / KultPlus.com

Momentet humoristike nga Blerim Peci mbesin të paharruara (VIDEO)

Blerim Peci, një prej komedianëve më të njohur në Kosovë, ka ndërruar jetë.

Lajmi sot ka tronditur komunitetin artistik i cili është i shokuar me ndodhinë.

Peci ka qenë i njohur sidomos kur luante në programin ‘Show Meselation”, bashkë me Fehmi Feratin.

Ai ishte i pranishëm edhe në emisionin “Vikendi” në Radio Televizionin e Kosovës, aty ku me batutat e tij ka bërë njerëzit të qeshin e ti harrojnë problemet e tyre.

Një nga pjesët më të pëlqyera të këtij emisioni ishte “Udhëtimi në kohë”, në të cilin aktori i ndjerë luante rolin e një burri të përkushtuar, ku bënte një krahasim interesant duke na dërguar deri në vitet e 60-ta dhe pastaj të kthente në realitetin në të cilin jetojmë, me aktoren Xhejlane Tërbunja krahas tij.

Po i sjellim këtu disa incizime të pjesëve qesharake ku luante Peci.

Nuk është konfirmuar ende cili është shkaku i vdekjes së Pecit, ndërsa ai ka qenë i martuar dhe ka dy fëmijë. / KultPlus

Iffete Agushi e vajton hapsanën e Prishtinës

Hapsana e Prishtinës së dikurshme, aty ku përpiheshin shqiptarët në vjeshtën e vitit 1945.

Edhe te “Strelishtja”, afër Tauk Bahces, i ekzekutojnë rreth 3500 burra patriotë, ballistë e qytetarë të tjerë.

Iffete Agushi, shkrimtare e veprimtare e lindur në Bursa të Turqisë, shkruan disa vargje për këtë ndërtesë të tmerrshme në Prishtinë.

Hapsana e Prishtinës

Dyert e hapsanës janë të hapur,
grumbuj-grumbuj hynë shqiptarët,
faj e pa faj, me pranga në duar,

një muzg e ka kapluar krejt qytetin.
cdo gjë hesht, vetëm toka dhe qielli lotojnë.

Shkup, 30 tetor 1945

Iffeten që në moshën pesë vjeçe e dërgojnë në mejtep, meqë shkolla shqipe ishte e ndaluar, shkruan KultPlus.

Më pas në shtëpi i sollën një pedagog për t`ia mësuar gjuhën frënge por ajo largohet për në Shkup më 1933 bashkë me dy motrat, Shukrien dhe Fevzien, dhe me nënën e tyre. / KultPlus.com

Valdete Idrizi ngushëllon familjen Peci

Ish-kandidatja për kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi, ka ngushëlluar familjen Peci për vdekjen e aktorit Blerim Peci.

“Oh çfarë lajmi i tmerrshëm bre, oh ç’na e këpute shpirtin bre Bel, shumë herët bre më ike e me na lanë, shume herët daja Bel, shoku jem. O Zot, çfarë humbje e madhe! Ngushëllime të gjithë familjes, miqve e bashkëpunëtorëve e ti pushofsh në paqe shoku jonë, Beli jonë!”, ka shkruar Idrizi në llogarinë e saj në Facebook.

Sot rihapet Teatri i Kukullave ‘Dodona’

Teatri i kukullave “Dodona”, do të hapet sot.

Teatri ka qenë i mbyllur për shkak të rinovimeve që i ka bërë në të Komuna e Prishtinës.

Shfaqjet do të duhej të nisnin në shtator, por përfundimi i punimeve ka marrë më shumë kohë. Sezoni i ri fillon me shfaqjen “Libri Shumëngjyrësh”, i cili do të shfaqet në orën 12:00 dhe për të cilin, hyrja do të jetë falas.

Teatri Dodona është themeluar me 12 nëntor 1986 me vendim të Bashkësisë punuese të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Në themelimin e tij kontribuan Rabije Bajrami dhe Ismajl Ymeri, i cili më vonë edhe arriti ta vë në funksion në tërësi dhe ky teatër filloi me punë dhe u paraqit më 16 maj 1987 me premierën e parë “Pylli është i të gjithëve”. / KultPlus.com

Poezia plot incest e Rita Petros, ‘një poezi e keqkuptuar’

Shkrimtarja Rita Petro para disa ditësh ka publikuar një poezi ku ajo shprehte dëshirën për të kryer incest me të vëllain. Por kjo poezi shkaktoi shumë reagime në rrjetet sociale ku shumë ju vunë kundër.

Rita Petro në një reagim ka thënë se poezia e saj është keqkuptuar. “Kjo është një poezi që Denisi dhe shumë të tjerë i kanë lexuar vetëm pjesën e dukshme. Kur të lexojnë nëntekstin, se poezia ka nëntekst, mbase do jetë vonë po më mirë vonë se kurrë”, tha ajo për Newsbomb.al.

E pyetur se cili është nënteksti i kësaj poezie, Rita tha se e ka shumë të vështirë të interpretojë ato që ndjen.

“Nuk ka asnjë lidhje me dukurinë e incestit, lidhja e një vajze me një baba është shumë biologjike, është shumë instiktive, ka lidhje me psikoanalizën, me instiktin e njeriut, me edukimin seksual. Njihet lidhja e nënës me djalin apo babain e vajzën. Ashtu e kam ndjerë dhe kam guxuar ta them atë që ndjej”, thotë Rita Petro.

“Siç u morën me vrimën, u morën dhe me incestin po nuk ka ndodhur një fakt, është një poezi” pohon ajo. Poezia e quajt e neveritshme, ndërsa Rita tanimë nuk është hera e parë që bëhet lajm për poezitë e saj. Poezinë në fjalë lexojeni poshtë:

“Mallkimi i parë”

Zoti im, ATI im
Cili është ai mashkull
Aq i bukur
Që po vjen te unë
Sytë shigjeta-tinëzare
Drejt në zemër
M’i ka ngulur?

Kur më prek
Me duart aq të buta
Lëkurën ma puçrron…
Pse kur më puth në qafë
Drithëroj e tëra
Njomem atje poshtë?

Buzët më hapen
E kërkojnë buzët e tij
Gjuha e tij e lëngësht
Gjuhën time do?

E kur kaq butësisht
Më përqafon
Ndiej në bark
Të ngjeshur
Mikun e tij të fortë!
Qepe gojën, boll
Mjaft me këto dokrra
Ai është vëllai yt
E kjo që mendon
Është blasfemi!

Në ferr do të digjesh
Nëse shkon me të
Kurrë më për gratë
S’do kem mëshirë
E në jetë të jetëve
Do të vuajnë
Mallkimin tim!
Në djall vafsh ti, o Atë
Bashkë me vullnetin tënd!
Vëllai im
Unë dua të kryej incest me ty!

Ndërron jetë aktori Blerim Peci

Ka ndërruar jetë aktori i njohur kosovar Blerim Peci. Lajmin e ka bërë të ditur bashkëpunëtori i tij Fehmi Ferati në llogarinë e tij në Facebook.

“Herët bre Bel, shumë para kohe me shkru këtë lajm për ty. Rand shumë e randë bre!
Njoftojmë miqtë, shokët, familjarët e bashkëpunëtorët se Blerim Peci sot ndërroi jetë!”, ka shkruar Ferati në llogarinë e tij në Facebbok.

Blerim Peci ishte i njohur për një varg serish humoristike, kurse së fundi ka luajtur në serinë televizive “Vikendi”.

Më herët ishte i njohur me programin “Show Meselation”.

Blerim Peci është i lindur më 1 gusht 1973. Ai ka jetuar me gruan Afërdita Sopjani Peci në Mitrovicë, me të cilën është martuar në vitin 2004 dhe ka një djalë. / KultPlus.com

Ah Zoti im, sikur të kisha një copëz jetë…

Nga Gabriel Garcia Marquez*

“Sikur Zoti të harronte për një moment që unë jam një dordolec i ndrequr me rrecka dhe të më dhuronte një copëz jetë, mbase nuk do t’i thosha të gjitha ato që po mendoja, por sigurisht do t’i mendoja ato që po them. Do iu jepja rëndësi gjërave jo për vlerën, por për domethënien e tyre. Do flija pak, do ëndërroja më shumë, sepse çdo minutë që mbyllim sytë humbasim 60 sekonda dritë. Do vazhdoja kur të tjerët do ndalonin, do zgjohesha kur të tjerët do flinin. Do dëgjoja kur të tjerët do flisnin, dhe sa do e shijoja një akullore me çokollatë!!!

Nëse Zoti do më jepte një copëz jetë, do vishesha thjesht, do shtrihesha përballë diellit duke e lënë të pambuluar jo vetëm trupin, por edhe shpirtin tim. Ah Zoti im, sikur të kisha një copëz jetë, nëse do mundesha, do shkruaja urrejtjen time mbi akull, dhe do prisja të dilte dielli. Nuk do të lejoja të kalonte as edhe një ditë pa iu thënë njerëzve që dashuroja, se i dashuroja. Do të bëja çdo burrë dhe grua të besojnë se janë njerëzit që dua dhe do të dashurohesha me dashurinë. Te njerëzit do të tregoja se sa gabim bëjnë kur besojnë se ndalojnë së dashuruari kur plaken, pa kuptuar se plaken kur ndalojnë të dashurojnë.

Fëmijës së vogël do t’i jepja pendë, por do ta lija të mësonte vetë sesi të fluturojë. Pleqve do t’u tregoja se vdekjen nuk e sjell pleqëria por “harresa”.

Mësova kaq gjëra nga ju, njerëzit. Mësova se të gjithë duan të jetojnë në “majën e malit”, pa kuptuar se lumturia qëndron në mënyrën se si zbret “faqen e pjerrët”. Mësova se kur fëmija i porsalindur shtrëngohet mbi pëllëmbën e tij të vogël, për herë të parë gishti që zgjatet i babit të tij e robëron përgjithmonë. Mësova se njeriu ka të drejtë ta shohë tjetrin nga lart, vetëm kur duhet ta ndihmojë të çohet….

Të thuash gjithmonë atë që ndjen dhe të bësh gjithmonë atë që mendon… Nëse do ta dija që sot do të ishte hera e fundit që do të të shihja duke fjetur, do të të përqafoja fort, fort dhe do t’i lutesha Zotit që të bëhesha roja e shpirtit tënd. Nëse do e dija se kjo do ishte hera e fundit që do të të shihja të dilje nga dera, do të të përqafoja dhe do të të jepja një puthje dhe do të të thërrisja përsëri që të të jepja edhe të tjera. Nëse do ta dija që kjo do të ishte hera e fundit që do ta dëgjoja zërin tënd, do të regjistroja çdo fjalë tënden, që të mund të të dëgjoja përsëri, përsëri… Nëse do të dija që këto do të ishin momentet e fundit që do të të shihja, do të të thosha “të dashuroj” dhe do të supozoja jo logjikisht se e dije më parë.

Ekziston gjithmonë një e nesërme dhe jeta na jep edhe mundësi të tjera që t’i bëjmë gjërat siç duhet, por nëse bëjmë gabime, na mbetet vetëm e sotmja. Do të doja të të thosha se sa shumë të dua dhe se kurrë s’do të të harroj. E nesërmja nuk është e sigurt për askënd, si i ri, si i vjetër. Sonte mund të jetë hera e fundit që i shikon njerëzit që do. Prandaj mos prit më, bëje sot, sepse e nesërmja nuk vjen kurrë. Sigurisht do pendohesh për ditën kur nuk gjete kohë për një buzëqeshje, një përqafim, një puthje dhe sepse ishe i zënë për të realizuar një dëshirë të tyre. Mbaji ata që dashuron pranë vetes, thuaju duke mërmëritur se sa shumë ke nevojë për ta, dashuroji, sillu mirë, gjej kohën për ta, thuaju “më vjen keq”, “më fal” , “faleminderit” dhe të gjitha fjalët e dashurisë që di.

Asnjëri nuk do të të mbajë mend për mendimet e tua të fshehta…” f

Gruaja e futbollistit Cam Newton, Kia Proctor, me kreacione të disenjatores kosovare Vjollca Llapashtica (FOTO)

Gruaja e sportistit të njohur që luan futboll, Cam Newton, zonja Kia Proctor, për disa festa të fundvitit, për fustanet e saja, ka përzgjedhur dhe angazhuar disenjatoren nga Kosova, Vjollca Llapashtica.

Gjatë realizmit të fotografimit familjar me bashkëshortin Newton dhe tre fëmijët e tyre, z. Kia, ka veshur njërin nga fustat e saj tejet të bukur dhe elegantë e me ngjyrë ari dhe disa foto me fustane me ngjyra tjera të rënda.

Fotografia është realizuar nga fotografi David Ricks. / KultPlus.com

Do të ishte shumë e vështirë për një mashkull të jetonte me mua

“Me shumë gjasë, nuk është e rastësishme që unë jam vetëm. Do të ishte shumë e vështirë për një mashkull të jetojë me mua, përveç nëse ai është tmerrësisht i fortë. Dhe nëse ai është më i fortë se unë, unë jam ajo e cila s’do të mund të jetonte me të… unë s’jam as e mençur e as budallaqe, por mendoj se unë nuk jam një ‘rrjedhë e mullirit.’

Kam qenë në biznes pa qenë fare biznesmene. Kam dashuruar pa qenë fare një grua e bërë vetëm për dashuri. Dy burrat që i kam dashur, mendoj, do të më kujtojnë mua, në tokë ose në parajsë, sepse burrat e kujtojnë gjithmonë një grua e cila i shkakton atyre ankth dhe shqetësime.

Unë e kam bërë më të mirën, në lidhje me njerëzit dhe jetën, pa urdhëra, por vetëm me një shije për drejtësi.”

– Coco Channel

Selfixhe Broja i shkruan Kosovës së shtrenjtë

Poezi e shkruar nga Selfixhe Boja – Ciu. Selfixhe Broja filloi të shkruajë në moshën 17 – vjeçare me pseudonimin Kolombia. Poezia e parë e vitit 1935 u botua në revistën “Populli”.

Prej gjirit tënd
nektar dashurie,
trimërie e bukurie
thithën bijt e tu
ndër breza.

Aty pinë titanët
Bajrami, Vokshët, Isai,
Kadria e Hasani
dhe malet buçitën
për Liri!
Me gjak u lanë trojet
për nënën Shqipëri.

/Selfixhe Broja (Ciu) – “Tallazet e jetës”

Shija e propagandës në Këngën Magjike

Ergys Mërtiri

Spektaklet televizive janë përgjithësisht shpërthime masive vaniteti e flasiteti, por askund si në Shqipëri. Është e kuptueshme që, ndonjëherë vaniteti bëhet i pashmangshëm, pasi ai e ka fituar tashmë statusin e normales në këtë vend, por kur përzihet me politikën duke kontrabanduar propagandën deri në një festival kënge, kjo e tejkalon normën e të pranueshmes.

Në republikën e tij imagjinare, Platoni i vendos artistët në fundin e hierarkisë shoqërore. Jo pse ai nuk ia dinte vlerën artit, por pikërisht pse ia dinte, e shihte atë si kërcënim, duke qenë një instrument i fortë në duart e pushtetit. Kjo ka bërë që të krijohet një etikë e përgjithshme që iu kërkon artistëve ti qendrojnë larg politikës, ndonëse jo gjithmonë e bëjnë këtë. Sidoqoftë arti është parë masivisht, shpesh edhe në mënyrë të mitizuar, si i papajtueshëm me pushtetin. E vetmja mënyrë e përfshirjes së tij në politikë është duke qenë opozitar dhe në luftë me padrejtësitë, të cilat natyrisht që vijnë krysisht nga pushteti.

Kjo vetëdije duket se mungon, në një nivel të konsiderueshëm, në Shqipëri. Flirti me pushtetin u ngjit së fundmi edhe në netët finale të Këngës Magjike. Ardit Gjebrea dhe Bes Kallaku, sajuan një djalog në skenë ku, si pa dashur, e hodhën fjalën tek bredhi i vitit të ri, për tu kujtuar pastaj për Bashkinë e Tiranës që ka zbukurur qendrën e qytetit me dritat e festave të fundvitit. Gjebrea gjeti momentin të falenderojë me këtë rast bashkinë për gjithçka që, sipas tij, ajo ka bërë për këtë qytet, duke e përforcuar me pohimin se kjo bashki na bën krenarë.

Në fakt, kjo bashki, jo vetëm që nuk na bën krenarë, por na bën me turp. Na bën me turp pasi e ka shkatërruar këtë qytet duke mos lënë asgjë në këmbë, duke dhunuar hapësirat me leje ndërtimesh korruptive e duke e shndërruar këtë qytet në një kasaphanë betoni e kaosi urban. Kjo bashki na bën me turp, duke shkatërruar edhe ato pak vlera ekologjike, identitare e urbanistike që kanë mbetur.

Kjo bashki na bën me turp edhe kur fëmijët e këtij qyteti, punojnë si skllevër në të zezë, nën moshën e lejuar e në kushte çnjerëzore, duke pastruar plehrat në ndërmarrjet e klientëve të kryetarit. E ndërsa dikush prej tyre humbi jetën për shkak të pasigurisë skandaloze në punë, kryetari përdor pushtetin e tij që e vërteta të mos zbardhet.

https://www.youtube.com/watch?v=ot0CvowEom0

Kjo bashki na bën me turp kur përdor policët bashkiakë, për t’iu sekuestruar karrocat të varfërve që mbledhin kanaçe nëpër kazanë plehrash, për shkak se kjo iu ul fitimet kompanive ricikluese të miqve të të kryetarit. Na bën me turp, gjithashtu kur, ushtron dhunë ndaj shitësve ambulantë për t’ua marrë nga duart edhe atë copë bukë që mezi e nxjerrin, ndërsa iu jep llokma të majme tenderash e lejesh ndërtimi oligarkëve që denden në fitime të paligjshme.

Kjo bashki na bën me turp për taksat e larta që ua marrin frymën bizneseve e qytetarëve, për kanalizimet e bllokuara që na përmbytin në çdo rrebesh shiu, për ujin e pijshëm që nuk na vjen në shtëpi, për plehrat dhe smokun që na helmojnë duke rritur frikshëm përhapjen e kancerit, për trafikun rraskapitës që na bllokon nëpër rrugë… Përtej këtyre, kjo bashki na bën me turp edhe për mashtrimet e përditshme mediatike e propagandën bajate të kryetarit që del në televizor duke punuar edhe kur nuk është në Shqipëri, ndërsa fyen inteligjencën e publikut me shpërthime patetike humanitare pozash melodramatike krahaqafë me fëmijë romë apo njerëz në nevojë.

Por edhe sikur të kishim një kryetar bashkie normal, si në çdo vend të Europës, nuk do të ishte e pranueshme që skpektakle të kësaj natyre të ndoten me propagandë. Një festival i popullarizuar si Kënga Magjike nuk mund të jetë thjesht një paradë këngësh e organziuar në mënyrë private. Ai shërben si një ekspoze prurjesh dhe zhvillimesh artistike, e gjithashtu kultivon shijet dhe shpesh edhe modelet kulturore të publikut. Për këtë arsye, jo vetëm këngët, por edhe standardet etike që lidhen me statusin e tij publik, janë të rëndësishme.

https://www.youtube.com/watch?v=wGwKLQdCeSs

Kur një event i tillë përdoret politikisht, natyrisht që ka kapërcyer shumëçka nga etika publike. Nuk është në dinjitetin e asnjë agjenti kulturor, të përdorë artin dhe kulturën për propagandë, në shërbim të një force politike apo një pushtetari, aq më tepër kur zullumet e tyre janë tashmë të prekshme kudo. Kjo është fyerje ndaj publikut, i cili konsiderohet si peshk për t’u zënë në rrjetën e propagandës, por edhe fyerje për artistët, që përdoren si karrem për ta tërhequr turmën në rrjetën e pushtetit.

Kënga magjike duket një event që ka filluar tashmë ta rregullojë dorën në drejtim të prurjeve artistike. Futja e të kënduarit live, ka sjellë natyrisht një transformim të rëndësishëm, duke rritur profesionalizmin, e duke e ulur disi vulgaritetin e produkteve komerciale. Megjithatë ka shumë vend për të krasitur, por mbi të gjitha, përmirësimi i nivelit artistik, duhet të shoqërohet me rritje të skrupulozitetit etik e kulturor në drejtim të organizimit.

Ti fluturon me dallëndyshet

Poezi e shkruar nga Yllka Domi.

Ti fluturon me dallëndyshet
Një ditë qdo gjë do të ndryshojë
Do të vish të luash me veten,
Do të këndosh në duet me heshtjen,
Do të jetosh me kujtimin në ballë,
Do të thërrasësh me zë,qu bë vallë,

Do të kërkosh për veten shpëtim
E sdo të gjesh kund emrin tim.
Jetonim ne të dy në gjethe të trëndafilit
Jetonim duke shijuar erën e tij
Jetonim bashkë me këngën e bilbilit,
Por në fund ,na therrën gjembat e tij.

Shpresuam se deri në vdekje do të jemi bashkë,
Por ajo jetë që ne e ëndërruam nuk ishte e gjatë,
Ajo zgjati vetëm të paktët muaj
E për këtë gjë unë tani po vuaj.

Tani jemi të vdekur për njëri tjetrin,
Fluturojmë në qiell për një jetë tjetër,
Fluturojmë të dy,por shumë larg njëri tjetrit
E të dyve na shoqrojnë valët e detit,
Ti fluturon bashkë me dallëndyshet ,
Fjalët që i dha tani po vyshken,
E mua më thërrasin skifterët ,
Por unë s dua të fluturoj me ta
E ti këndoj ninullat,
Sdo të jemi më bashkë.
Jeta jonë mbaroi,

A do të jetojmë te lulet apo te zjarri,
Sdi për njëri tjetrin
A do të na marrë malli?

Fotografët e parë të kasabasë në Prishtinë (FOTO)

Fotografi i parë në Prishtinë, që nga viti 1913, njihet Radovan Çosiqi, i cili vjen nga Knini i Kroacisë dhe hap studion e tij në rrugën e Divan Jollit, si “Foto Çosiq”, ku kishte edhe zanatlinj të tjerë.

Në Prishtinë njihet, po kështu, edhe fotografi i parë shqiptar – Ramadan Berqiri – Gilanlia, i biri i Ahmet Agës së njohur në qytet, i cili ka punuar para Luftës ë Dytë Botërore, deri më 1955, kur shpërngulet për në Turqi, shkruan KultPlus.

Më vonë, në Prishtinë, më 1959, do të hapë studion e tij edhe Neshat Dizdari – “Foto Nesha” i njohur, i ardhur nga Prizreni, pastaj Vehbi Rexhepi i Gjilanit, me “Fotostudion- Luxi”.

Në atë kohë përmendet edhe Rexhep Rakovica (me profesion teknik i farmacisë), i cili e provon këtë mjeshtëri si fotoamator i parë shqiptar, që me fotografi ka shënuar një pjesë të jetës së familjes dhe të qytetit ë vjetër të Prishtinës.

Karriera e tij fotografike do të zgjasë deri në vitin 1956, kur e ndërpret këtë pasion të tij – fotografimin, shpjegon kameramani i pasionuar i ish TVP-së, Shukri Kaçaniku.
(Sanije Gashi – Prishtina e fëmijërisë sime) / KultPlus.com

Rrëfimet e grave në “Një ditë”, nesër në Teatrin e qytetit në Mitrovicë

Shfaqja “Një ditë”, nga Trupa e Baletit të Kosovës, nën koreografinë e Christie Coleman do të shfaqet nesër për publikun Mitrovicës, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje e cila është bashkëpunim i UN Women dhe Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës mahniti publikun e Prishtinës gjatë prezantimit të premierës më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare të Dhunës ndaj Gruas.

“Një ditë”, në skenë jetësohet përmes lojës së mahnitshme të tetë balerinëve, në përbërje të katër çifteve në përbërje të: Teuta Krasniqi, Sead Vuniqi, Leonora Rexhepi, Fisnik Smani, Fatmir Smani, Vjollca Llugiqi, Jeta Musolli dhe Donmir Biblali.

Kjo shfaqje është e frymëzuar nga rreth 30 tregime të vërteta të grave të Kosovës, duke vënë në pah disa çështje gjinore. Performanca e kësaj shfaqje sjellë në skenë një ditë të familjes tradicionale, ku përmes personazheve do të preken disa nga çështjet kryesore me të cilat përballen gratë gjatë gjithë jetës së tyre. Kjo shfaqje nesër do të prezantohet në Teatrin e Qytetit në Mitrovicë, duke filluar nga ora 20:00./KultPlus.com

Medalja e Nobelit e Doris Lessing së shpejti në ankand

Medalja e çmimit Nobel që Doris Lessing, e fitoi në vitin 2007 do të shitet në ankand javën e ardhshme, me një çmim mbi 150,000 funta, përcjellë KultPlus.

Çmimi për këtë medalje nga Christie’s, kap shifrat nga 150,000 deri në 250,000 funta kurse vetëm një medalje tjetër për letërsinë ka arritur të shitet më parë në ankand. Ishte medalja e Andre Gide, e cila u shit në Paris vitin e kaluar për 300,000 euro.

Sotheby e vuri medaljen e fituesit të Nobel, William Faulkner për ankand në Nju Jork në vitin 2013, me një çmim prej 500 mijë deri në 1 milion dollarë, por nuk gjeti asnjë blerës.

Në moshën 87 vjeçare, Lessing ishte fituesja më e vjetër e çmimit Nobel për Letërsi. E lindur në Persi, Lessing u rrit në Rodezia dhe e braktisi shkollën në moshën 13 vjeçare. Ajo ishte një lexuese e pangopur dhe prindërit e furnizonin atë me libra nga Anglia. Në leksionin e saj gjatë ceremonisë të Nobel, ajo foli për pabarazinë që kishte parë dhe rëndësinë e librave që ajo të behet një shkrimtare./KultPlus.com