Ermal Meta tregon kujt ia dedikon çmimin e Sanremos

Ermal Meta arriti të rrëmbente trofeun e “Sanremo 2018”, bashkë me kolegun e tij Fabrizio Moro me këngën “Non mi avete fatto niente”.

Mes emocioneve të mëdha, këngëtari shqiptar nuk i fshehu kurrsesi emocionet e skenës së madhe, që tani do të përfaqësojë Italinë në Eurovizion që do të mbahet në Portugali.

“Është një emocion i papërshkrueshëm. Çmimin iu kushtoj shtëpisë time diskografike, që ka besuar te unë atëherë kur askush tjetër nuk besonte”, tha Meta.

Ndërkohë këngëtari italian Farbizio Moro tha se këngën ia dedikonte djalit të tij, që e ndiqte nga salla./ KultPlus.com

Laert Vasili kandidon për drejtor të Teatrit Kombëtar

Ndonëse dje deklaroi nga emisioni “Zonë e Lirë” se nuk do të kandidojë për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar, duket se Laert Vasili ka ndërruar mendje.

Aktori bën me dije përmes një postimi në “Facebook” se ka marrë këtë vendim për të ardhmen evropiane të institucionit të teatrit.

“Të dashur miq, pas një sërë takimesh, dëgjimesh, propozimesh dhe falë këmbënguljes sime në bindjet e mia mbi Teatrin dhe të ardhmen e tij europiane vendosa të rikandidoj për postin e Drejtorit Artistik të Teatrit Kombëtar, duke iu përgjigjur kështu thirrjes së Ministrisë së Kulturës”, shkruan Laert Vasili.

Katër vite më pare Vasili kandidonte përballë Hervin Çulit, por nuk fitoi./ KultPlus.com

Promovohet në Tiranë libri mbi gjyshin e Rita Orës, “Besim Sahatçiu, një jetë në skenë”

Në sallën “Aleks Buda” në Tiranë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në prani të Familjes Sahatçiu-Ora, promovoi librin “Besim Sahatçiu – një jetë për ekranin dhe skenën”.

Salla ishte mbushur plot, me miq e dashamirës nga sfera të ndryshme të shoqërisë: shkrimtarë, historianë, artistë, politikanë, gazetarë, diplomatë, ushtarakë, pedagogë, shkencëtarë, studentë etj. I pranishëm ishte edhe ambasadori i Rumanisë në Tiranë, prof. dr. inxh. Mirçea Perpelea, i cili në përshëndetjen e tij e vuri theksin në miqësinë tradicionale midis dy popujve tanë.

Folën shkrimtari dhe eseisti i mirënjohur Shpendi Topollaj, pedagogu i Universitetit të Tiranës Kujtim Kapllani, aktori i madh Reshat Arbana, operatori Afrim Spahiu, që ka xhiruar shumicën e filmave të Besim Sahatçiut, historiani Kadri Tarelli, i afërmi i familjes së Besimit, Valdet Sahatçiu dhe diplomati Spartak Topollaj, raporton “Faktor.al”.

Të gjithë u përqendruan në anë të ndryshme të veprës së Besim Sahatçiut, personalitet poliedrik i përmasave evropiane, i pari regjisor profesionist i Kosovës i shkolluar në Zagreb e Beograd, bir i një fisi atmëmëdhetar, i dalluar gjatë kohërave për luftën me pushkë e me penë për mbrojtjen e interesave mbarëkombëtare.

Për të pranishmit u projektua një sekuencë nga filmi “Era dhe lisi”, një ndër krijimet e panumërta të ekranizuara nga regjisori Besim Sahatçiu dhe u mbyll me interpretimin nga artisti i talentuar Dilan Reka të këngës “RIP” të këngëtares me famë botërore, Rita Orës, mbesës së Besim Sahatçiut, për të cilin ajo është shprehur plot patos: “Më mungon gjysh… Të dua shumë… Ti më bëre të besoj se kjo është e mundshme. Ti besove te unë para se unë vetë të besoja në veten time”.

“Kurgja s’më keni ba”, kënga e Ermal Metës gegnisht

Ermal Meta dhe Fabrizio Moro – Non mi avete fatto niente

N‘Kairo tashti s‘din kush sa asht ora
Diella n‘Rambla sot nuk asht njisoj
N‘Francë ka nji koncert
Njerzit ne shend
Dikush knon fort
Dikush i thrret deks.
N‘Londer bjen shi, gjithmon bjen aty
Por n‘dit sodit nuk po i dhimbena,
qiella nuk ul cmimin as per funeral.
Në Nica deti asht i kuq, zjerm… e turp e marre bashke
Njerz përmbi asfalt e gjak ndër puseta e kanale
Eh ky trup gjigant që ne e thrrasim Tokë
Plague thell në trup prej Azie ne Evrope
Galaksi personash t‘shpërndam nëpër hapsinë

Por ka ma randësi hapsina e nji t‘rrokune a marrje n‘gryk.
Nane pa fmi e fmi pa babë.
Ftyrash ndricueme, si mure pa piktura.
Minuta qetsiet copetueme prej nji zanit:
Kurrgja s‘me keni ba
Asht kjo jeta jeme qe shkon përpara
Përtej gjithckajet, përtej njerzve
Kurrgja s‘mkeni ba
Se cdo gja përtej luftash tueja t‘kota shkon
Dikush ban kryq
E dikush n‘qylym falet cdo ditë
Kish e xhami
Hoxhe e prift
Hymje t‘ndame në t‘njajten shpi
Miliarda njerz me shpres n‘dicka
Kraht cung, pa duer
Ftyra paemna
Le ta ndrrojm sa t‘dush lkuren
Se përmrenda jena krejt njerëzore
Se jeta jone nuk asht kandveshtrimit
Mbi dhe‘ nuk ekziston bomb paqsore
Kurrgja s‘mkeni ba
Asht kjo, jeta jeme që shkon përpara
Përtej gjithckaje
Përtej njerzis
Kurrgja s‘më keni ba
Kërkund s‘keni mbrrit
Se gjithcka shkon përtej luftash tueja t‘kota
Kan me u shemb gratacelat
Edhe metrotë tash shemben pra
Muret e diferencave ndërtueme për buk gojet
Por kundër cdo terrorit pengues t‘ecjes
Bota prapë cohet
Me qeshje t‘nji fmije
E ju, kurrgja s‘më keni ba
E kërkund s‘keni mbrrit
Se gjithcka shkon përtej luftave tueja t‘kota
Jam n‘dijeni qi kjo nuk kthehet ma.
Lumturia fluturote
Si nji bushiq që shkon e s‘vjen.

Shqipëroi e përshtati: Taulant Kopliku

Shikojeni LIVE Sanremon, këndon sonte edhe shqiptari Ermal Meta (VIDEO)

Ka nisur kësisoj sonte nata finale e edicionit të radhës të Festivalit të Sanremos.

Ultimo – fituesi i kategorisë së të rinjve ka nisur kësisoj i pari këtë natë, ndërsa 20-të këngë do të këndojnë në garë për të fituar çmimin e madh.

Sonte do të këndojë prapë edhe shqiptari Ermal Meta, në bashkëpunim me Fabrizio Moro me këngën “No me avete fatto niente”. Ata që duan ta votojnë këngën, sonte ajo ka kodin 17.

Spektaklin mund ta ndiqni edhe online në faqen e Rai1, këtu.

Kjo është lista e të gjitha këngëve që garojnë sonte:

Roby Facchinetti e Riccardo Fogli – Il segreto del tempo
Nina Zilli – Senza appartenere
The Kolors – Frida
Diodato & Roy Paci – Adesso
Mario Biondi – Rivederti
Luca Barbarossa – Passame er sale
Lo Stato Sociale – Una vita in vacanza
Annalisa – Il mondo prima di te
Giovanni Caccamo – Eterno
Enzo Avitabile & Peppe Servillo – Il coraggio di ogni giorno
Ornella Vanoni with Bungaro & Pacifico – Imparare ad amarsi
Renzo Rubino – Custodire
Noemi – Smettere mai di cercarmi
Ermal Meta & Fabrizio Moro – Non mi avete fatto niente
Le Vibrazioni – Così sbagliato
Ron – Almeno pensami
Decibel – Lettera dal duca
Max Gazzé – La leggenda di Cristalda e Pizzomunno
Red Canzian – Ognuno ha il suo racconto
Elio & le Storie Tese – Arrivederci

Reagon Qendra ku Policia e Kosovës e ndaloi muzikën kurde

Qendra Sociale SABOTA ka reaguar sot pasi mbrëmë Policia e Kosovës ka ndërhyrë brenda saj, duke e ndaluar për disa minuta ‘Natën e Muzikës Kurde’.

Ky është reagimi i plotë

Mbrëmë, në vazhdën e një aktiviteti javor për ngritjen e vetëdijes dhe zhvillimit të diskutimit mbi çështjen kurde, pra pas projektimit të një dokumentari dhe një nate me muzikë kurde, policia me një prezencë të hekurt dhe me të gjitha njësitet e saj, përjashto njësitin anti-terror, ndërhyri në Qendren Sociale Sabota duke i terrorizuar të pranishmit.

Për orë të tëra, pa ndonjë shpjegim apo justifikim ligjor Policia e Kosovës e shndërroi qendrën sociale në një qendër mbajtje (burgu) ku u ndal muzika dhe mundësia e lirimit të objektit, për t’u dëgjuar urdhrat, këshillat dhe teket e një gjuhe të rëndë, patriarkale e seksiste të kësaj policie që në nguti për ta zbatuar urdhërin për pengimin e natës me muzikë kurde madje kërcënoi se do i vras qentë dhe këdo që është pronar i tyre.

Ne si kolektiv i Qendrës Sociale Sabota këtë ndërhyrje të policisë e lexojmë si ndërhyrje politike të motivuar dhe nxitur politikisht nga pushteti i instaluar në Kosove, nga elementet e shtetit turk përbrenda institucioneve, ambasadës turke si dhe shërbimit të këtij shteti, kështu që i bëjmë thirrje policisë që t’i liroj dy të rinjtë që kinse janë zënë duke planifikuar një sulm mbi Qendrën Sociale.

Ndaj këtyre të rinjve, dhe pjesës tjetër të shoqërisë që jeton në Kosovë është ushtruar dhe ushtrohet dhunë e përditshme nga pushteti i shtetit që, ndër tjerash, është ngushtë i lidhur me interesa të shtetit dhe kapitalit privat Turk në Kosovë. Andaj, çfarëdo përkrahje të Erdoganizmit që mundohen këto pushtete lokale e ndërkombëtare ta renderojnë edhe përmes ‘kinse’ sulmuesve potencial ne e cilësojmë si të dëmshme, të rrezikshme dhe të papranueshme. Me këtë është shfaqë, si shumë herë tjera, tendenca fashiste e pushtetit në Kosovë.

Qendra Sociale Sabota nuk është grupacion ilegal, përkundrazi të gjitha aktivitetet e saj i ka publike, nuk fsheh asgjë dhe nuk i frikohet askujt. Qendra Sociale Sabota është e hapur për të gjithë që duan të flasin, bashkëbisedojnë e diskutojnë lirshëm për çështje të ndryshme. Ndërhyrjet si kjo e fundit (po ashtu të kujtojmë thyerjen e xhamave dhe vizatimi i svastikave në një qendër tjetër sociale në Prishtinë), veç na vërtetojnë sa ndihet pushteti i frikësuar nga ekzistimi i hapsanave autonome ku zhvillohet mendim e veprimtari e lirë sociale e politike.

Se kush nuk është i dëshirueshëm në qendrën sociale Sabota, këtë e kemi përshkruar në platformën tonë, dhe këtu një vend kryesor zë pikërisht policia dhe elementet tjera represive që mundësohen dhe përcjellën nga shteti i Kosovës. Arsyeja se përse kësaj radhe nuk reaguam ndaj kësaj prezence të paligjshme të policisë lidhet me vendosmërinë tonë për të vazhduar me atë që më së shumti i pengoj kësaj policie, me atë që më së shumti i pengoj urdhërdhënësve. Pra, me veprimtari të lirë, me muzikë kurde.

Zoja Cërnagore ose Zoja e Zezë e Letnicës

Në kishën katolike e Të Ngriturit të Zojës me korp e me shpirt në Qiell në Letnicë të Vitisë gjendet shtatorja e Zojës Cërnagore, trupi, fytyra dhe foshnja (Jezusi i vogël) janë të zi.

Epiteti Cërnagore s’ka lidhje me Mal të Zi po me Karadakun e Shkupit (Skopska Crna Gora) prej nga, sipas legjendës, është transferuar ndërsa epiteti Zoja e Zezë ka të bëjë me ngjyrën e saj.

Duhet cekur që është shtatorja e vetme e Zojes së Madhe të zezë në trojet shqiptare, ndërsa në Evropë dihet për mbi 500 shtatore të këtilla (nëper kisha në Kroaci, Slloveni, Austri, Poloni, Sllovaki, Spanjë, Portugali e madje edhe në Vojvodinë) e prej tyre 237 janë në Francë.

Çdo vit më 15 gusht në Letnicë festohet e kremta e Zojës së Madhe Çërnagore në të cilën tubohen shumë pelegrinë nga vendet e ndryshme të botës.

NASER FERRI

Miqësia e njomë mes Azem Shkrelit dhe Ismail Kadaresë

Sot shënohet 80-të vjetori i lindjes së Azem Shkrelit.

Kush i ka lexuar poezitë e Shkrelit, është dashuruar në to. Ai që nuk i ka lexuar, ka humbur shumë. Shpirti i asaj që ka lexuar fjalët e Shkrelit, është shkrirë i kënaqur.

Ismail Kadare do të nderohej para pak kohësh me çmimin që mban emrin e këtij shkrimtari.

Shkreli do të ishte organizatori kryesor i udhëtimit të shkurtër të shkrimtarit Ismail Kadare në Kosovë në vitin 1980, një udhëtim që do të linte mbresa te shkrimtari për vetë ndjesinë që të jepte shkelja në gjysmën tjetër të hapësirës shqiptare, sidomos në ato vite. Shëtitjet në Prishtinën e atyre viteve, bisedat në kafene që zgjasnin gjatë, nuk do të shlyheshin shpejt nga kujtesa e Kadaresë. Dhe pse pak ditë ai do të mund të njihte nga afër ambientin kosovar, sidomos Prishtinën.


Romani i tij “Krushqit janë të ngrirë” do të merrte shkas nga kjo vizitë që do ta kristalizonte më mirë idetë për Kosovën për shkrimtarin. Vitet ’80 ishin vitet e një përballjeje të inteligjencës kosovare me pushtetin e egër.

Në një analizë që i bën romanit “Krushqit janë të ngrirë”, shkrimtari Mehmet Kraja shkruan se Kadare i ka shndërruar në personazhe miqtë e tij poetë Esat Mekulin dhe Azem Shkrelin. / KultPlus.com

Ekspozita ‘Rrënjët e shtetit’ tregon rrugëtimin e shtetit të Kosovës

Ekspozita, kurator i së cilës është Bejtullah Destani, është hapur në orën 15:00, në sheshin “Skënderbeu” dhe përmban 110 fotografi të ballinave të gazetave të botës që kanë raportuar për zhvillimet në Kosovë nga 1968 e deri më 2008.

Shënimi i 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka vazhduar edhe sot në qendrën e Prishtinës ku është hapur ekspozita “Rrënjët e shtetit”, derisa rreth 500 fëmijë ishin pjesë një karnavali.

Ekspozita kishte në fokus ballinat e medieve botërore, të cilat si referencë e kishin shtetin e Kosovës dhe periudhën 50 vjeçare, prej 68-ës e deri në 2008-ën, kur u shpall Pavarësia e Kosovës.

Pamjet të cilat ofronin tablotë e ekspozitave ishin kryesisht nga historia e Kosovës, periudhat nëpër të cilat kaloi populli shqiptar dhe personalitetet e njohura që ndikuan në formimin e historisë. Organizatorët e kësaj ekspozite, Ardian Arifaj dhe Adil Behramaj, anëtarë të këshillit organizativ për shënimin e 10 vjetorit të Pavarësisë, e kanë ideuar dhe realizuar këtë projekt.

Arifaj ka folur për idenë e këtij projekti, si vazhdimësi e aktiviteteve tjera në kuadër të 10 vjetorit të Pavarësisë. Ai tha se është një mënyrë e re për shpalosjen e historisë dhe rrugëtimit të Kosovës.

“Emri i saj tregon më së shumti. “Rrënjët e Shtetit” tregon nëpërmjet ballinave të medieve ndërkombëtare 50 vitet e Kosovës”, tha ai, raporton KP. Në sheshin “Skënderbe” janë vendosur gjithsej 15 korniza me ballinat e medieve ndërkombëtare, rreth 110 pamje për Kosovën.

Këto tablo do jenë në shesh përgjatë 3 ditëve tjera.

Përndryshe, aktiviteti i parë për sot ishte karnavali i fëmijëve, ku morën pjesë më shumë se 500 fëmijë. Ky aktivitet kishte filluar në orën 13:00 dhe ka zgjatur 2 orë. / KultPlus.com

Letra e lamtumirës nga Gabriel García Márquez

Nëse për një çast Zoti do të harronte se
jam një kukull lecke e
do të më dhurojë paksa jetë, ka gjasa se
nuk do të them gjithçka që mendoj,
por patjetër do ta mendoj çdo gjë që do ta them.

Do t’iu jepja vlerë gjërave, jo për vlerën që kanë,
por për kuptimin që kanë.

Do të flija pak, do të ëndërroja më shumë,

e kuptoj se për çdo minutë që i mbyllim
sytë, humbim gjashtëdhjetë sekonda dritë.

Do të ecja përpara kur të tjerët do të ndaleshin,
do të rrija zgjuar kur të tjerët do të flinin,
do të dëgjoja kur të tjerët flasin dhe
dhe sa do të shijoja një akullore të mirë çokolate!

Nëse Zoti do të më dhuronte paksa jetë,
do të vishesha thjeshtë,
do të shtrihesha në pishë të diellit duke lënë zbuluar jo vetëm
trupin tim por edhe shpirtin tim.

Zoti im, nëse do të kisha një zemër, do ta shkruaja
urrejtjen time në akull dhe
dhe do të prisja që të shkrihej në diell.

Do të pikturoja me një ëndër të Van Gogut
sipër yjeve një poemë të Benedettit
dhe një këngë e Serratit do të ishte serenata
që do t’ia kushtoja hënës.

Do t’i ujitja me lotët e mi trëndafilët,
për ta ndjerë dhimbjen e gjembave të tyre
dhe puthjen e mishtë të petaleve të tyre…

Zoti im, nëse do të kisha paksa jetë…

Nuk do të lija të kalonte qoftë një ditë të vetma
pa iu thënë njerëzve se dua,
se i dua. Do t’i bindja të gjithë burrat e gratë
se janë të parapëlqyerit e mi dhe
do të jetoja i dashuruar nga dashuria.

Njerëzve do t’ua provoja
sa gabojnë tek mendojnë
të heqin dorë së dashuruari
kur plaken, pa e ditur
se plaken kur heqin dorë së dashuruari.

Një fëmije do t’i jepja flatra,
por do ta lija ta merrte fluturimin vetë.

Të moshuarit do t’i mësoja
se vdekja nuk vjen me pleqërinë
por me harresën.

Kaq shumë gjëra kam mësuar nga ju, Njerëzit!

Ka mësuar se e gjithë bota adhuron të jetojë
mbi majën e malit,
pa e ditur se lumturia e vërtetë
është në ngjitjen e shpatit.
Kam mësuar se
kur i sapolinduri shtrëngon me grushtin e tij të vogël,
për herë të parë, gishtin e babait të tij,
e mban shtrënguar për gjithmonë.
Kam mësuar se një njeri
ka të drejtë ta vështrojë një tjetër
nga lart poshtë vetëm
kur duhet ta ndihmojë për t’u ngritur.

Janë aq shumë gjëra
që kam mundur të mësoj nga ju,
por realisht,
nuk do të më shërbejnë shumë,
sepse kur do të m’i vendosin
brenda asaj valixheje,
palumturisht do të jem duke vdekur.

Shqipëroi: Elida BUÇPAPAJ

Në Sanremo 2018, prezantuesit performojnë ‘Despacito’ (VIDEO)

Festivali i Sanremos në Itali ka thyer rekord shikueshmërie në edicionin e 68 të saj.

Ajo që ka lënë publikun pa fjalë mbrëmë ishte performanca e dy prezantuesve Michelle Hunziker me Pierfrancesco Favinon, të cilët sollën hitin e verës “Despacito”, e kënduar nga Luis Fonsi.

Të dy dhuruan një show të vërtetë ku nuk kanë munguar lëvizjet provokuese dhe shume erotike. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?list=RDlQI56inI6r4&v=lQI56inI6r4

Flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë në Empire State Building

Lojërat Olimpike Dimërore kanë filluar në Korenë Jugore, por njujorkezët kanë shijuar një pjesë të këtyre Lojërave kur Empire State Building shfaqi flamujt e shteteve pjesëmarrëse.

Ndërtesa më e lartë në New York është përkujdesur që të shfaqë edhe flamujt e Kosovës e Shqipërisë, si shtete pjesëmarrëse të Lojërave Olimpike Dimërore.

Kosova merr pjesë me vetëm një sportist. Skitari Albin Tahiri barti flamurin në parakalimin e shteteve në ceremoninë hapëse, derisa Shqipëria do të përfaqësohet nga Erjon Tol dhe Suela Mehilli.

Corriere della Sera: Sonte në Sanremo fiton shqiptari Ermal Meta!

Sonte do të jetë nata e pestë dhe e fundit e Festivalit të Sanremos.

Sanremo – një festival i vjetër italian prej të cilit u inspiruan edhe të tjera festivale, sonte ka natën finale ku do të ngjiten në skenë finalistët e këtij viti.

Sipas Corriere della Sera, gazeta e njohur italiane, do të jetë Ermal Meta dhe bashkëpunëtori i tij Fabrizio Moro, dyshja e cila do të fitojë sonte Sanremon prestigjioz.

Madje kështu thonë edhe bastet e Watson dhe IMB – dy prej shërbimeve të inteligjencës që kanë analizuar të gjitha këngët dhe reagimet e shikuesve të Sanremos. “Non mi avete fatto niente” është kënga e Ermalit dhe Fabrizios që sonte garon me këngët tjera për tu shpallur fituese.

Sipas këtyre basteve, Annalisa do të radhitet e dyta.

Çka do të ndodhë realisht mbetet të shihte sonte në natën finale të Sanremos. Ermal Meta, nëse fiton, do të përfaqësojë Italinë në Eurovizionin e këtij viti që mbahet në Portugali, për herë të parë në historinë e këtij festivali. / KultPlus.com

në natën e qytetit

Poezi nga Liridon Mulaj.

Në natën e qytetit
Ecën shpirti lakuriq
Dinjiteti poshtë tij lëngon
Në këmbë të rënda varen kohërat

Në natën e qytetit tim
Dritat mbushen në bulza vaji
Femra shpirtgrisura rendin kapilarëve
Këmbëzbathura
Shpirt vrara
Moral përdhosura
Shitur blerë
Varur në kandarë gjykimi
Meshkujsh të paskrupuj

Në natën e këtij qyteti
Në mes te errësirës gjendet shpresa
Në portat e njê shtëpie të vjetër
Nata pastron mëkatet…
…e ditës tjetër.

(Poezia e Liridon Mulajt është në mesin e dhjetë poezive finaliste të edicionit të dytë të konkursit poetik ‘KultStrofa’, organizuar nga KultPlus) / Fotografia: Arben Llapashtica

Në rrugë

Në 80 vjetorin e lindjes së poetit Azem Shkreli:

Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë kah më tresin
udhëkryqet e shumta t’jetës?

Jam ba përshëndetje e harrueme e kalimtarëve,
jam ba lot e kangë,
jam ba betim i rrugëve dhe rreze e shkrepun
majë gurit.

Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë ku sosin
fijet e këputuna t’kësaj kange?

Jam ba pre shitimi i syve zjarr,
jam ba bekim e namë,
jam ba zog e re n’krah t’agsholeve t’bardha?

Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë kah m’tresin
udhëkryqet e shumta t’jetës?!

Azem Shkreli

Ema Andrea konkurron për drejtoreshë të Teatrit Kombëtar

Vetëm dy ditë pas shpalljes së konkursit nga ana e Ministrisë së Kulturës për drejtor të ri të Teatrit Kombëtar, pas mbarimit të mandatit të drejtorit aktual Hervin Çuli, aktorja dhe regjisorja Ema Andrea ka qenë e para që ka shpallur publikisht kandidaturën për këtë post në një studio televizive.

Nuk dihet nëse drejtori aktual do të rikandidojë për një mandat të dytë, por debatet e nisura mes Ministrisë së Kulturës dhe komunitetit të artistëve për zhvendosjen e teatrit tek hapësira e re e krijuar tek “Turbina”, duket se nuk do ta bëjnë të lehtë dhe zgjedhjen e drejtorit të ri. Një tjetër aktor që shpalli publikisht dëshirën për të kandiduar për këtë post është dhe Genc Fuga.

Ema Andrea është aktore dhe regjisore me një kontribut të veçantë në teatrin shqiptar ndër vite. Pedagoge në Akademinë e Arteve, ajo është e njohur shpesh për qëndrimet e saj ndaj çështjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me artin, shkruan Gazeta Shqip.

Hervin Çuli u zgjodh drejtor i teatrit në vitin 2014 pas një konkursi të hapur ku kandidatura e tij u shpall më e mirë nga e dy konkurrentëve të tjerë aktorit Laert Vasili dhe regjisorit Edmond Budina. Ndër reformat e para që ai bëri ishte vendosja e sistemit të kontratave të punës me aktorët, duke eliminuar një trupë të përhershme siç kishte funksionuar deri në atë kohë në teatër. / KultPlus.com

Policia e Kosovës sqaron pse e ndërpreu ‘Natën e Muzikës Kurde’ në Prishtinë

Policia e Kosovës ka ndërmarrë një operacion në organizimin e mbrëmshëm “Nata e Muzikës Kurde” nga Qendra Sociale “Sabota”, organizim ky i cili është duke u zhvilluar në javën rreth çështjes së kurdëve.

Fillimisht ky organizim ishte ndërprerë nga Policia e Kosovës për disa minuta, me ç’rast policia kishte kontrolluar të gjithë pjesëmarrësit në këtë ngjarje, ndërkaq më vonë kjo ngjarje ka vazhduar pa ndonjë problem.

Sipas njoftimit të policisë, aksioni është zhvilluar pasi aktiviteti paraprakisht nuk ka qenë i paralajmëruar duke rënë në kundërshtim me normat e rendit dhe qetësisë.

Policia ka marrë informacionet se disa persona të caktuar mund të provojnë të pengojnë mbajtjen e këtij aktiviteti, me c`rast edhe ka nisur aksionin bastisës.

“Ndërkohë që Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore për të parandaluar çfarëdo incidenti eventual, ka ftuar në vendin e ngjarjes edhe inspektoret përkatës për të konfirmuar validitetin e organizatorit respektivisht Qendrës Sociale SABOTA”.

“Nga verifikimet e kryera nga ana e inspektorëve ka rezultuar se të njëjtit nuk janë të regjistruar sipas procedurave të nevojshme si dhe nuk posedojnë lejen për aktivitetin në fjalë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu inspektorët kanë verifikuar se kjo qendër nuk është e regjistruar sipas procedurave të nevojshme si dhe nuk posedojnë lejen për aktivitetin.

“Ndërkohë që Policia ne perimetrin e jashtëm ka kontrolluar te gjitha lëvizjet dhe ka monitoruar rrjedhën e ngjarjes ka ndaluar dhe shoqëruar për ne stacionin policor dy persona, njeri për shkakun se i është gjetur një mjet i mprehtë (thike) ndërsa tjetri për shkak se ka dështuar të identifikohet, pra nuk ka pasë asnjë dokument identifikimi me vete”, thuhet më tej në njoftim. / KultPlus.com

Fotografi nga 10 shkurti 2007, një histori në vete

“​Në përpjekje për ta ndalur kundërshtimin që qytetarët e Kosovës po i bënin Pakos së Ahtisaarit, më 10 Shkurt 2007, policia e UNMIK-ut, përveç që vrau Monin dhe Arbenin, i plagosi edhe mbi 80 demonstrues. Zenel Zeneli vazhdon ta ketë plumbin në afërsi të zemrës, Hysni Hyseni e ka humbur syrin nga plumbat e policisë, Mustafë Nerijovaj ishte qëlluar me plumb në ballë duke e ndihmuar një të plagosur” ka shkruar sot në rrjetin social Facebook Dejona Mihali nga VV.

Si sot, me 10 shkurt 2007 u mbajtën protestat në Prishtinë, për kundërshtimin e ndodhive të fundit që po ndodhnin asokohe.

Fotografitë nga ajo ditë, tregojnë vetë situatën dhe revoltën e qytetarëve.

Pastaj përkujtohen edhe dy të vrarët më 10 shkurt 2007, Mon Balaj e Arben Xheladini.

Dardan Zhegrova, për ëndrrat me sy hapur dhe përzierjen e emocioneve (FOTO)

Alberina Haxhijaj

Shkyçni telefonat. Ata do të purifikohen. Vendosni mbi tavolinë të rrethuar me gurë nga një vullkan që ka shpërthyer ne Greqi. Mbyllni sytë. Pini disa gllënjka nga ‘Pija magjike’. Fantazoni.

Ishin këto disa veprime nga rituali hapës në galerinë Lambdalambdalambda, të realizuara nga Angleo Plessas para hapjes së ekspozitës “The anchor of my own landscape” nga artisti Dardan Zhegrova.

Në të hapur të ekspozitës të pranishmit mund të vazhdonin hulumtimin e tyre drejtë ëndrrave, fantazive, iluzioneve dhe mendimeve, pasi pikërisht artisti Zhegrova kishte sjellë përmes ekspozitës së tij një përzierje në mes realitetit dhe imagjinatës.

“Jam bazuar se si njerëzit por edhe shoqëritë e përziejnë realitetin me imagjinatën dhe si ndërtojmë ide të reja në bazë të këtyre përzierjeve. Kur jemi keq ose kur na mungon diçka, ne fillojmë me e imagjinu prezencën e dikujt ose diçka që kemi nevojë. Në një mënyrë kështu i gjithë realiteti është një imagjinatë ose ëndërr”, u shpreh Dardani për KultPlus duke theksuar se nuk është reale vetëm ajo që është fizikisht e pranishme por edhe që mendojmë apo besojmë.

Punimet e tij të realizuara së bashku më nënën e tij qëndronin në njëfarë mënyre si jastëkë apo edhe si re, të varura duke simbolizuar se diçka është në ajër, është imagjinatë, është iluzion. Është pikërisht nëna e tij ajo e cila ka bërë që punimet e tij të veçohen për shkak të përdorimit të tekstilit.

“Jam rritur nëpër pëlhura pasi që mami është rrobaqepëse edhe ka qepur tërë kohën. Domethënë kjo në mu ka ndikuar që me ja nis me mendu në këtë formë dhe me punu me tekstil. Edhe këto punime i kemi çep së bashku me mamin. Por kohëve të fundit kam filluar me e përdor edhe xhamin i cili për mua e jep idenë e imagjinatës, që mendimi është transparent. Është në një farë mënyrë inekzistencë. E në të njëjtën kohë këto gravimet që janë në xham janë në një farë mënyre çka ka lënë mbresë në kujtimet ose në imagjinatën tonë”, u shpreh artisti duke treguar për KultPlus se pikërisht xhami është një lloj metafore fizike e mendimit.

Vizatimet të cilat ishin paraqitur në këtë ekspozitë, artisti i ka realizuar kohë pas kohë dhe janë momente reale të cilat i kanë ndodhur por që atë situatë ai e ka paraqitë më fiktive. I tillë është edhe gravimi ku mund të shihen dy mace në stacion të trenit.

“Aty jemi ndjerë si dy mace edhe atë e kam vizatuar. Edhe skenat tjera janë reale por kanë edhe elemente që kanë hy prej imagjinatës, por që për mua kanë qenë qysh edhe i kam imagjinuar”, thekson Zhegrova duke treguar se janë pikërisht elementet nga jeta e përditshme dhe njerëzit afër tij që krijojnë esencën e krijimeve të tij.

“Temën për ëndrrat me sy hapur – ‘daydreaming’, unë jam duke e vazhduar, zhvilluar dhe duke e hulumtuar. Definitivisht mendoj që këto punë kanë me qenë edhe nëpër vende të tjera. Mirëpo më duhet që të pres që me e pa njerëzit edhe nuk mundem me thënë diçka saktë pasi që jam duke diskutuar me galeritë e tjera dhe akoma nuk ka diçka të caktuar, shpresoj që kanë me u shfaqë këto punë edhe në vende të tjera”, përfundoi artisti Dardan Zhegrova, ekspozita e të cilit do të qëndrojë e hapur deri më 7 prill.

Zhegrova është fitues i Ekspozitës Çmimi Gjon Mili, ndërsa bashkë me Lola Sylajn fituan para disa kohësh qëndrimin rezidencial në New York, pasi triumfuan në Çmimin Artistët e Së Nesërmes. / KultPlus.com

Retrospektivë e piktores Alije Vokshi në Galerinë e Ministrisë së Kulturës

Më 16 shkurt 2018, në ora 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës bëhet hapja e ekspozitës së parë në kuadër të Programit Artistik të GMK-së për vitin 2018.

Viti 2018 fillon me ekspozitën “Retrospektivë,” të piktores së mirënjohur, Alije Vokshi.

Piktorja Alije Vokshi është gruaja e parë shqiptare që diplomoi për pikturë. Kurator i ekspozitës është Lorik Sylejmani.

Zonja Vokshi ka lindur në vitin 1945 në Prishtinë. Ka mbaruar Shkollën Pedagogjike në Prishtinë, ndërsa përfundoi studimet e magjistraturës në Beograd në vitin 1981. Ajo kreu edhe një vit specializim në Paris dhe më pastaj u angazhua deri në pensionim, si ligjëruese në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës nga viti 1974-2015.
Kjo ekspozitë retrospektive shpalosë një pjesë të krijimtarisë së piktores Alije Vokshi dhe janë veprat e para me të cilat nisi karrierën.

Ekspozita vjen në Galerinë e Ministrisë së Kulturës si eveniment i listuar edhe nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Sh.T. Z. Hashim Thaçi, me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Ky projekt financohet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, ndërkaq drejtohet nga znj. Dhurata Ramosaj-Shala – koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës. / KultPlus.com

Ana, vajza që befasoi jurinë e ‘The Voice Kids Albania’ (VIDEO)

Ajo veç ka performuar në disa skena të mëdha, por ka vendosur ta provojë edhe një skenë tjetër që i ka mbetur peng.

Ana Kodra, vajza e vogël shqiptare e cila përfaqësoi Shqipërinë në Junior Eurovision, mbrëmë ka kënduar në “The Voice Kids Albania”.

Juria nuk ka ditur asgjë, kur Ana nisi të këndonte “Evil like me” nga Descendants.

Katër anëtarët e jurisë u kthyen, derisa Ana po bënte ‘akrobacione’ me zërin e saj fantastik në një këngë ku janë nota e tonalitete të ndryshme.

Ana është këngëtare tanimë e njohur për moshën e saj dhe ka disa pjesëmarrje në festivale brenda dhe jashtë Shqipërisë. Rrugëtimi i saj në “The Voice Kids” ka filluar mbrëmë.

Ana është fituesja në fuqi e Festivalit Mbarëkombëtar të këngës për Fëmijë në Shkodër. / KultPlus.com

Të due

Pablo Neruda / Përktheu Jozef Radi

Të due
me gjendjet e mia shpirtnore aq të shumta
që humorin ma ndryshojnë sa tash e mbas
për çka tashma ti e di aq mirë: për kohën, për jetën, për vdekjen.

Të due
s’bashku me at botë që s’e kuptoj hiç
s’bashku me ata njerëz që as i marr vesh fare,
s’bashku me dyftyrsinë e shpirtit tim,
me mospërputhjen e krejt gjesteve të mia,
me pamundsinë e shmangies së fatit,
me fshehtësitë e dëshirës,
me dykuptimsinë e së vërtetës
pse edhe kur të them s’të due
të due fort,
madje edhe kur të tradhëtoj, s’të tradhtoj aspak
pse n’thellsinë ma të thellë, çoj përpara mendimin,
me të dashtë sa ma shumë

Të due…
pa e mendue, njashtu i pandërgjegje,
e i papërgjegjshëm n’mënyrën ma spontane
njashtu padashtas, e instinktivisht,
njashtu me t’shtyme shpirti, çoroditshëm.
pse s’kam asnji arsyetim logjik,
as të improvizuem
me e ngjizë dashninë që ndiej për ty,
që lindi mistershëm prej asgjasë,
e me magji s’ka zgjidhë asgja,
po që për fat, ca nga ca, pak o hiç
e ka përmirësue krejt t’keqen time.

Të due,
të due njashtu si njaj trupi që s’mendon asgja,
si njajo zemra që s’arsyeton asgja,
si njajo koka që asgja s’përputh.

Të due
njashtu pa e kuptue as vetë pse
pa e pyet kurrë vedin pse të due,
pa i dhanë asnji randsi faktit pse të due,
pa i futë vedit asnji dyshim n’kuptimin pse të due

Të due
thjesht pse të due,
pa e ditë as vetë pse të due.

“…vdekje erdoganizmit”, vazhdon nata e muzikës kurde në Prishtinë

Mbrëmë një aksion i Policisë së Kosovës megjithatë nuk e ka ndaluar jehonën e muzikës kurde.

“Nata e muzikës kurde” u planifikua e paralajmërua në Qendrën Sociale – Sabota në Prishtinë. Ajo u ndalua për pak minuta, por më pas muzika vazhdoi.

“ndeja vazhdon. biji biji kurdistan, vdekje erdoganizmit” është postuar mbrëmë një video nga Sabota në Facebook, për të pasuar edhe me “faşizme karşı omuz omuza”.

Ishte e mjaftueshme kjo ndërprerje policore për reagimet që pasuan në rrjetet sociale, shkruan KultPlus.

Një video tregon megjithatë se nata vazhdoi me tingujt e muzikës.

Populli kurd ka vite e vite që trajtohet keq në Turqi. Rreth 35 milion të tillë ata jetojnë në një regjion që shtrihet në Turqi, Siri, Armeni, Irak dhe Iran. Asnjëherë nuk e kanë pasur shtetin e tyre, për të cilin kanë luftuar e vazhdojnë të luftojnë. / KultPlus.com