Rockuzinë sjellë sonte Filonid Aliu & Band

Sonte në Rockuzinë do të performojë Filonid Aliu dhe bendi i tij.

Filonidi për momentin është njeri ndër rokerët më të njohur të Kumanovës, dhe me përkushtim dhe dashuri të madhe ka arrit ta krijojë një bazë të klientëve anembanë trojeve shqiptare.
Kësisoj, ky këngëtar bashkë me bendin e tij, Besim Miftari në kitarë, Omer Idrizi në bateri dhe Emin Salihi në tastierë, do të jenë sonte në Rockuzinë me fillim nga ora 21:00./ KultPlus.com

Dua Lipa pjesë e festivalit Lollapalooza

Dua Lipa do të jetë pjesë e njërit prej festivaleve të muzikës më të mëdha në botë Lollapalooza në Paris.

Lollapalooza mbledh artistët më eminent në botë të zhanreve të ndryshme. “Lollapalooza Paris” do të mbahet më 21 e 22 korrik 2018.

Përveç Dua Lipës në këtë festival do të performojnë edhe artistë si: Gorillaz, French Montana, Travis Scott, Rag’n’Bone Man, Bastille etj, transmeton Koha.net./ KultPlus.com

Dhjetë ikona të mëdha “Kosova10” për dhjetëvjetorin e pavarësisë (FOTO)

Sot ka nisur shpërndarja e disa ikonave të mëdha nëpër qytete për 10 vjetorin e pavarësisë.

Ikonat #kosova10, që janë edhe hashtag zyrtar i këtij dhjetëvjetori, me rreth 8 metra gjatësi dhe rreth 1.5 metra lartësi, mësohet se do të shpërndahen në dhjetë komuna të Kosovës.

Shpërndarjen e tyre e ka konfirmuar edhe Adil Behramaj nga Këshilli Organizativ për Dhjetëvjetorin e Pavarësisë.

“Po, sot kanë nisur edhe zyrtarisht aktivitetet dhe dekorimet. Edhe komunave u është kërkuar që t’i nisin dekorimet prej sot. Gjithashtu, ka nisur edhe shpërndarja e 10 ikonave me hashtagun e dhjetëvjetorit, të cilat do vendosen në gjithsej 10 komuna, shtatë prej tyre në qytetet më të mëdha dhe në tri të tjera më të vogla”, ka thënë ai për Telegrafin.

Behramaj ka treguar se sot nisin dekorimet edhe në sheshin e Prishtinës dhe ikona #kosova10 pritet të vendoset nesër në Prishtinë, pasi të përfundojë dekorimi i sheshit./ KultPlus.com

Qendra Kinematografike me Këshill të ri Drejtues e në pritje të drejtorit

Më shumë se një muaj para se t’i skadojë mandati këshillit paraprak – në kohën kur po zhvillohen procedurat e përzgjedhjes së drejtorit të ri të Qendrës Kinematografike të Kosovës – ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Gashi, ka emëruar këshill të ri drejtues në këtë institucion. Vetëm regjisori Yll Çitaku ka mbetur brenda strukturës së re, që ka në përbërje Luan Dakën, regjisor, Ilire Vincën e Nëntor Fetiun, aktorë, dhe Brikena Mulliqin, përfaqësuese e MKRS-së.

Vendimi për emërimin e Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës përcakton mandatin trevjeçar të tij.

Ndërkohë brenda Ministrisë së Kulturës janë duke u zhvilluar procedurat e përzgjedhjes së drejtorit të ri të Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Ish-drejtorit të QKK-së, Arben Zharku, i ka skaduar mandati më 31 janar. Gjithsej dhjetë kandidatë i janë përgjigjur konkursit publik të shpallur nga Ministria e Kulturës, të hapur pas konkursit të brendshëm që u shoqërua me reagime. Aktualisht ushtruese e detyrës së drejtorit është emëruar Virgjina Peja, financiere në QKK, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com

Ndahen çmimet e edicionit të dytë të konkursit poetik ‘KultStrofa’

Alberina Haxhijaj, Gili Hoxhaj
Foto: Arben Llapashtica

Ekipi i Kultplusit është zhvendosur sonte në Hamam Bar për ti dhuruar Prishtinës një mbrëmje të poezisë, të rrethuar nga miq dhe nga shkrimtarë të cilët tash kanë një bagazh të madh letrar prapa vetes, duke mos harruar edhe shkrimtarët e rinj dhe duke ju dhuruar forcë dhe stimulim.

“Ne nuk e kemi pasur të përditshme postimin e poezisë dhe herën e parë kur kemi vendosur postimin e poezisë, ka qenë e rrezikshme, mirëpo ka dalë që poezia po pëlqehet dhe prej një poezie në ditë që e kemi pasur fillimisht, kemi vendosur që t’i postojmë dy deri në tri poezi gjatë ditës”, u shpreh Arbër Selmani, redaktor në KultPlus dhe moderator i natës letrare.

Kështu vargjet filluan të lundronin përreth të pranishmëve, në edicionin e dytë të konkursit të poezisë KULTSTROFA. Para shikuesve fillimisht jehuan vargjet e poezisë “Letër engjëllit tim mbrojtës” nga Ragip Syla duke dëshmuar forcën poetike të këtij konkursi. Sylaj ishte fitues i edicionit të parë të natës letrare të ‘Kultstrofës’.

Poezitë vazhduan njëra pas tjetrës duke bashkuar kështu poetët nga treva të ndryshme shqiptare dhe duke sjellë fjalë të shqiptuara në dialektin gegë por edhe toskë, madje edhe fjalë të vjetra të ruajtura nga shqiptarët të cilët jetojnë në mërgim, shkrimtarë të cilët përmes poezive rikthehen në vendlindjen e tyre.

Sibel Halimi u radhit në vendin e tretë në këtë edicion me “Vdekje e bardhë”, ndërsa Adem Gashi u radhit i dyti me poezinë “U dogj filmi”.

Emin Emini, Shkumbin Haxha, Sibel Halimi, Adem Gashi, Brikenë Ceraja Beka, Arlinda Guma, Manjola Brahaj, Liridon Mulaj, Erlind Sulko dhe Arjola Zadrima ishin dhjetëshja më e mirë e këtij edicioni.

Në mungesë të katër autorëve, aktorët Florist Bajgora dhe Ftesa Hazrolli lexuan poezitë e atyre që munguan fizikisht.

Erenestina Gjergji- Halili, kryetare e jurisë së edicionit të dytë të KultStrofës, tha se në këtë konkurs janë përpjekur të tregohen sa më objektiv duke mos i lexuar as emrat e konkurrentëve, gjatë vlerësimit.

“Nëse kishte ndonjë poezi për të cilën juria ishte 100 për qind dakord, pa asnjë debat, ishte poezia e Arjolës dhe për këtë meriton një duartrokitje”, u shpreh Erenestina, duke shtuar se ajo këto duartrokitje i meriton jo vetëm për sintezën poetike e atë gjuhësore por edhe për guximin për t’u shprehur në gegnisht.

E pra, ishte Arjola Zadrima autorja që fitoi vendin e parë këtë edicion të konkursit. Arjola e pati të pamundur të ishte e pranishme në natën letrare në Prishtinë, por çmimi do ti shkojë në shtëpinë ku ajo banon. Ajo morri lajmin me anë të rrjeteve sociale dhe nuk i mbajti lotët kur u lidh drejtpërdrejtë me momentin kur u shpall fituese.

Adil Olluri – anëtari tjetër i jurisë, çmoi lart faktin se aplikimet për këtë edicion erdhën nga treva të ndryshme, nga shqiptarë andej Drinit. Halil Matoshi – anëtar tjetër i jurisë, nuk ishte i pranishëm në natën e leximit shkaku i angazhimeve tjera personale.

Në fund të kësaj nate letrare për të cilën interesimi ishte i jashtëzakonshëm, Ardiana Pajaziti – kryeredaktore e KultPlus, falënderoi të gjithë lexuesit e KULTPLUS – gazetës së vetme shqiptare online për art dhe kulturë.
Sponsor gjeneral i këtij edicioni ka qenë ProCreditBank, ndërsa sponsorë të tjerë janë Hamam Jazz Bar, Rockuzinë dhe Hotel Nartel.

“Hapi sytë e zeza moj” (VIDEO)

“Hapi sytë e zeza moj”, është një këngë korçare që është kënduar nga shumë zëra shqiptarë duke ngjallur gjithmonë një emocion të veçantë, për shkak të melodisë e tekstit që përmban, shkruan KultPlus.

Kjo këngë është kënduar nga shumë këngëtarë shqiptarë, ndërsa KultPlus sot ju sjellë interpretimin e grupit “Gjurmët”.

Ky grup i muzikës rokenroll i përket periudhës 1980-1986. Grupi kishte pesë anëtarë. Vokalisti i grupit ishte Migjen Kelmendi, tani gazetar dhe publicist i njohur.

Hapi sytë e zezë o moj
O hap o hapi sytë e zezë

Hapi sytë e zezë o moj
O hap o hapi sytë e zezë

Hap o hapi sytë e zezë o moj
Të moj të na qel beharë

Hap o hapi sytë e zezë o moj
Hap o hapi sytë e zezë

Rrezet kthehen syve tu
E ma ndrisin shpresën mua

Rrezet kthehen n’sytë tu
E ma kallin datën mua

Rrezet në sytë e tu të zezë

Rrezet kthehen n’sytë tu
E ma tregojnë diellin mua

Rrezet kthehen n’sytë tu
E më bëjnë të të dua

Rrezet në sytë e tu të zezë

Hapi sytë e zezë
O së të paskan hije

Rrezet kthehen në sytë e ty
O në sytë e zi

Hapi sytë e zezë
O së të paskan hije

Rrezet kthehen në sytë e tu
O në sytë e zi

Rrezet kthehen në sytë e tu të zezë

Rexhep Qosja: ‘Jam pajtuar’

“Jam pajtuar” me vendimin e kryetarit të atëhershëm të LDK-së, Ibrahim Rugovës, për ndërtimin e Shtëpisë së Bardhë, që do të ishte e ngjashme me Shtëpinë e Bardhë të Josip Broz Titos në Dedinje të Beogradit, apo madje me Shtëpinë e Bardhë të SHBA-ve në Uashington!!!

Gjithashtu “jam pajtuar” me propozimin e kryetarit të dikurshëm të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Dacit, për ndërtimin e Rezidencës madhështore në Gërmi për pritjen e delegacioneve të huaja dhe pushimet e zyrtarëve të lartë të Kosovës!!!

“Po pajtohem” tani me propozimet që u dhanë prej presidencës dhe prej qeverisë për ndërtimin e objekteve madhështore shtetërore: të Rezidencës presidenciale, të Rezidencës qeveritare, të Rezidencave ministrore, të Rezidencave të ndryshme Kuvendore e të disa rezidencave të tjera në 20 hektarë në Prishtinën e Re afër Hajvalisë!!!

Mbas të gjitha këtyre pajtimeve “u pajtova” që t’i çojmë në botën e jashtme të gjithë të rinjtë dhe të gjithë të pjekurit që s’kanë mbërrijtur vetë ende të shkojnë, domethënë u pajtova që t’i çojmë në botën e jashtme të gjithë ata që në Kosovë s’kanë me çka të jetojnë dhe të gjithë ata që jetojnë me 1.70 cent në ditë!

Më në fund “u pajtova” që politikën tonë shembullore për integrime euroatlantike ta dëshmojmë konkretisht jo duke sjellë Vlera evropiane në Kosovë, po duke çuar në Evropë pamjet e sulltanateve tona arkitekturore presidenciale, qeveritare e kuvendore!!!

Dhe kështu do dëshmojmë se jemi shteti më i zhvilluar, më i përparuar, më i pasur e më i kulturuar në kontinentin europian dhe në perëndim në përgjithësi.

Dhe kështu do të dëshmojmë se kemi kastën e politikanëve më të ditur, më qartpamës, me demokratë, më europianë, më amerikanë, më perëndimorë të merituar për saraje të tilla sulltanore!!!

Rexhep QOSJA

Dhurojua të tjerëve

Poezi e shkruar nga Alessandro Manzoni.

Kujdesu për dhimbjet e tua,
për kërkesat e atyre që të janë pranë!
Dhurojua të tjerëve dritën që nuk ke,
forcën që nuk zotëron,
shpresën që ndjen të luhatet në ty,
besimin që të mungon.

Ndriçoi nga errësira jote.
Pasuroji me varfërinë tënde.
Dhuro një buzëqeshje
kur ke dëshirë të qash.
Prodho hare
me stuhinë që ke brenda.
“Ja, atë që s’kam ta dhuroj”.
Kjo është parajsa jote.

Do të vesh re që gëzimi,
pak nga pak do depërtojë në ty,
do pushtojë qenien tënde,
do bëhet vërtet i yti në masën
në të cilën, do ua kesh dhuruar të tjerëve.

Disenjatorja shqiptare dhuron fustanin e saj për instalacionin e Alketa Xhafa Mripës në Londër

Në mars të vitit 2018, artistja Alketa Xhafa Mripa do të jetë sërish në vëmendjen e medieve, për instalacionin e famshëm “Thinking Of You”, por tash me dedikim tjetër dhe në një vend tjetër, shkruan KultPlus.

Duke marë si referencë instalacionin e famshëm të realizuar në Kosovë “Thinking Of You”, ku Alketa Xhafa Mripa pat grumbulluar fustane të shumtë nga vajza dhe gra, duke përfshirë edhe fustane nga të famshmet, ajo pat inkurajuar gratë e Kosovës, të cilat mbi supet e tyre bartin tmerrin e dhunimit përgjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kjo artiste shqiptare nëpërmjet një instalacioni të ngjashëm, ka filluar të grumbullojë fustane në Britani të Madhe për të mbijetuarat e dhunës seksuale. “Jam duke realizuar veprën “Thinking Of You”, në Londër, në bashkëpunim me UN Women UK “For he For she”, që do të mbahet në muajin mars në “Arts Week London””, ka thënë Alketa Xhafa Mripa për KultPlus. Ajo ka thënë se fustanet do të mblidhen me të njëjtën procedurë, sikurse në Kosovë, kurse kampanja e mbledhjes së fustaneve tashmë ka nisë.

Së fundi, një fustan për këtë instalacion të Alketa Xhafës e ka dhuruar edhe disenjatorja shqiptare Laura Imami, e cila njihet për brendin e saj të syzeve në Londër /KultPlus.com

Eugent Bushpepa dhe Alma Bektashi vijnë fuqishëm me ‘Moj e mira te pojata’ (VIDEO)

Sezoni i parë i The Voice of Albania, në vitin 2014-të, solli si anëtare të jurisë Alma Bektashin.

Këngëtarja e njohur shqiptare ishte anëtare jurie e këtij emisioni gjatë këtij sezoni, një emision ku zbuloheshin talente të reja.

Në një prej episodeve televizive, për të kujtuar Haki Misinin e grupit MAK, Alma Bektashi u ngjit në skenë për të kënduar “Moj e mira te pojata”, bashkë me Eugent Bushpepën.

Bushpepën po e sjellim në mendje edhe për përfaqësimin që do ti bëjë Shqipërinë në Eurovizion, në maj të këtij viti.

Ka katër vite qëkur në skenë dolën dyshja për të performuar këngën e njohur, ndërsa ne po e sjellim atë sot, sepse nuk bëhet asnjëherë monotone dhe e vjetër. / KultPlus.com

‘Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha betejat, pasi të mbarojnë betejën mes tyre’

Mid’hat Frashëri i ka renditur disa konkluzione për shqiptarët, që edhe sot janë po aq aktuale sa dukur. Më poshtë mund t’i lexoni thëniet më të veçanta të tij… për shqiptarët!

Ja çfarë thotë Mit’hat Frashëri për shqiptarët:

1- Shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër.

2- Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve.

3- Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit

4- Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes jo të verbër.

5- Hiqe veten si pak të mençur dhe pak të ditur. Mendjemadhësia na ka çmendur gjer më sot.

6- Duhet të kemi kurajo të themi të vërtetën, të bardhës t’i themi të bardhë dhe të zezës – të zezë.

7- Mos e qorto dhe mos e shaj shqiptarin për fajin që ka bërë, se ajo është mënyra më e fortë që ta bësh të këmbëngulë në atë faj. Merre me të mirë dhe shiko ta bindësh, pa pasur as pamjen e të dhënit këshillë.

8- Shqiptari, duke mos qenë i mësuar me jetë politike, dua të them, duke mos pasur gjer më sot shtet, qeveri dhe independencë, s’ka kuptuar dot akoma barrën, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente.

9- Patrikularizma, lokalizma dhe ekskluzivizma tek shqiptari rrëfehen me atë mani që ka secilido të marrë emrin e fshatit ose të qytetit si emër familjeje. Kur piqen dy shqiptarë, pas gëzimit të parë, pyetja esenciale është: nga të kemi zotëri?

10 – Shumë herë ideali për shqiptarin është të qenët i zoti, me çdo mënyrë që të jetë. Pa dyshim, duke pasur horizontin të ngushtë, nuk mund të kërkojë veç sukseset e lehta.

11- Vetëm një proverb të mirë di: ”Trimi i mirë me shokë shumë”. Por kur mendoj fjalën e Ali Pashës: dy shqiptarë janë shumë! Atëherë kam dëshirë ta kthej proverbin: ”Trimi i mirë me shokë…pak!”

12 – Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë.

13 – Mos u hidhëro po të shkoj tjetri para, edhe pse nuk ndenje dot në krye. Zilia na ka lënë të panderuar.

14 – Shpesh herë zemërimi ynë vjen jo se kemi të drejtë, po se kemi faj dhe na vjen ligsht që na e shohin të tjerët.

15 – Dhembja më e madhe është pikëllimi i brendshëm, jo ai që rrëfehet.

Një malësore shqiptare

Bukuria shqiptare dhe karakteristikat e veshjeve tradicionale kanë një ndërlidhje magjike, shkruan KultPlus.

Veshje të ndryshme tradicionale duke u ndarë me rajone, shumë shpesh janë vënë edhe në fokus të medieve të huaja. KultPlus ju sjellë këtë fotografi nga një malësore shqiptare e cila padyshim duket shumë e veçantë me këtë veshje./KultPlus.com

Himni i flamurit që shkroi Çabej, në konkursin e vitit 1937: Atje lidhet besa e Zotit, për liri dhe për Atdhe!

Këtë “Himn të Flamurit”, e ka shkruar Eqrem Çabej më 1937, në konkursin e shpallur nga shteti shqiptar “për një himn të ri me frymë thjesht shqiptare”. Çabej e tërhoqi këtë krijim nga konkursi, kur merr vesh se në të merrnin pjesë personalitete të cilët i nderonte e i çmonte lart e me të cilët nuk e quante veten të denjë të matej.

Pas pëlqimit të përgjithshëm të ‘Rreth flamurit të përbashkuar’ si himn kombëtar (1912), në mënyrë të vazhdueshme janë shkruar këngë apo qoftë edhe vetëm poezi për himn kombëtar. Poezi për himn kombëtar kanë shkruar At Gjergj Fishta më 1913, Ernest Koliqi më 1921 si fitues i vendit të parë në konkursin për himn kombëtar shpallur nga Ministria e Arsimit, Fan S.Noli më 14 nëntor 1926 me titull ‘Hymni i flamurit’, Mihal Grameno me titull ‘Kënga Kombëtare’, Hil Mosi me ‘Himn i Bandës së Lirisë’. Himn kemi edhe nga poeti Lasgush Poradeci më 1933, të botuar tek ‘Vallja e yjeve’ etj.

Himni i flamurit që shkroi Çabej, në konkursin e vitit 1937: Atje lidhet besa e Zotit, për liri dhe për Atdhe!

Në vitin 1922, Këshilli i Ministrave shpall konkursin për bërjen e ‘Himnit zyrtar kombëtar’. Për shpalljen e konkursit dhe kriteret e tij caktohet Ministria e Arsimit ku ndër të tjera u përcaktua edhe masa e shpërblimit prej 1000 franga ari për vjershëtarin e himnit dhe 3000 franga ari për kompozitorin e tij. Më tej, në vitin 1937, në përvjetorin e 25 pavarësisë, u organizua një konkurs, me qëllim bërjen e një himni tjetër kombëtar. Sipas arsyetimeve të Komisionit të ngritur për kremtimet e 25 vjetorit të vetëqeverimit, ‘… hymni i sotëm i flamurit kombëtar asht fjalë për fjalë përkëthimi i një marshi rumun dhe gjithashtu melodija e tij asht nji kopjim i plotë i muzikës rumune”’.

Duke e konsideruar ekzistencën e këtij himni ‘… si një cen për ndërgjegjen kombëtare dhe për sedrën t`onë atdhetare”, komisioni i përbërë nga Parashqevi Kyrias, Mati Logoreci, Kol Rodhe, Telki Selenica, Sotir Papakristo, Karl Gurakuqi, Zoi Xoxa, Lasgush Poradeci, Qemal Butka dhe Odhise Paskali në mbledhjen e datës 5 mars 1937 vendosën hartimin e një himni tjetër me frymë thjesht shqiptare. Ky komision ngriti edhe një komisioni e cila do të vendoste për caktimin e krijimit artistik i cili do të ishte himni i ri kombëtar. Komisioni përbëhej nga At Gjergj Fishta, Mid`hat Frashëri dhe Konstantin Cipo. Nga 76 krijime, fitues u shpall himni i krijuar nga Beqir Çela, i cili mbante pseudonimin ‘Osoja i Ri’.

Fakt është se ky konkurs për poezinë e himnit nuk u pasua edhe nga një tjetër konkurs i cili do t`i kushtohej muzikës së tij. Për këtë arsye, duke mbetur vetëm një tekst, kjo poezi nuk pati popullaritet dhe si e tillë u fshi nga qarkullimi, megjithëse pjesëmarrësit dhe krijimet e këtij konkursi u botuan në shtypin e kohës.

Pas çlirimit të vendit më 29 Nëntor 1944, rreth fundit të vitit 1945 dhe fillimit të vitit 1946, u organizua konkursi i parë shtetëror për himn kombëtar. Krahas shumë krijimeve të paraqitura, si krijimi më i mirë u shpall ‘Himni i Shqipërisë së re’, me poezi të Skënder Luarasit dhe muzikë të Kristo Konos, rezultat që u bë i ditur me shpalljen e Shqipërisë republikë më 11 Janar 1946.

Koha tregoi se edhe ky krijim artistik nuk u ligjërua që të zëvendësonte himnin ekzistues për arsye nga më të ndryshmet, megjithëse ‘Himni i Shqipërisë së re’ (në ndonjë rast edhe me fjalë të tjera), pati interpretime të ndryshme, kryesisht nga kori i ushtrisë.

Pas kësaj, përpjekjen tjetër serioze për të shkruar një himn, e kemi në fillim të viteve ’70. Nga Këshilli i ministrave të asaj kohe, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës si dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, u shpall një konkurs për ‘Himnin e Republikës’. Në këtë konkurs morën pjesë ajka e krijuesve tanë, ndër ta Çesk Zadeja, Ismail Kadare, Tish Daija, Fatos Arapi, Nikolla Zoraqi, Xhevahir Spahiu, Pjetër Gaci, Feim Ibrahimi, Tasim Hoshafi etj. Pas seleksionimit u arrit në dy variante. Në himnin e krijuar nga Çesk Zadeja dhe në atë të Nikolla Zoraqit me poezi të Fatos Arapit të titulluar ‘E lirë u ngrit toka jonë’. Pati mendime që të njihej si himn edhe kënga e Pjetër Gacit: ‘Për ty atdhe’.

Por, historia e himneve vazhdoi pa sjell ndonjë…

Sidoqoftë, në vëllimin ‘Konkursi për Hymnin e Flamurit’ nr. 2, (Tiranë 1937), ku janë publikuar tekstet e konkursit për një himn të ri kombëtar që u shpall me pëlqimin e Këshillit Ministrit të Shqipërisë – ku aplikoi fillimisht edhe Çabej – ngjyra e kuqe cilësohej simbol i sakrificës, flijimit për idealin më të lartë kombëtar – çlirimin e Shqipërisë nga armiqtë.

HIMNI I FLAMURIT

Nga: Eqrem Çabej

Buzë valësh që rreh deti
Përmbi shkrepe mijvjeçare
Përmbi mal ku sundon shqipja
Edhe rrit gjini krenare,
Ku jep burri besa-besën
E ku vdes si vdiq qëmotit,
Po valon e lëshon hije
Flamuri i Kastriotit.
Ku rreh ti, atje po rrahin
Gjithë zemrat e bujarvet,
Ku valon, atje valon dhe
Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,
Atje lidhet besa e Zotit
Për liri dhe për Atdhe!
Se Shqipnia asht’ e jona!
Për at gjak e për kët dhe!
Te kështjell’ e bardh’ e Krujës
Rreth e qark e mbi bedena
U mblodh komb’ i fort’ i Arbrit
Rreth Shqiponjës me dy Krena.
U droth toka fort e vjetër
Kur i ranë kaq dëshmorë
Rreth flamurit të përgjakun
Si dhandurë me kunorë.
Ku rreh ti, atje po rrahin
Gjithë zemrat e bujarvet,
Ku valon, atje valon dhe
Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,
Atje lidhet besa e Zotit
Për liri dhe për Atdhe!
Se Shqipnia asht’ e jona!
Për at gjak e për kët dhe!
Ju Shqiptarë djemt e shqipes
Mos harroni se kush jemi.
Këtë flamur kurr të thyem,
Këtë gjak në dej që kemi,
Këtë truell që na dha Zoti,
Bani be se do t’i mbroni,
Dhe sa jet nji frym’e gjallë
Kurrëkuj s’do t’ia lëshoni.
Ku rreh ti, atje po rrahin
Gjithë zemrat e bujarvet,
Ku valon, atje valon dhe
Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,
Atje lidhet besa e Zotit
Për liri dhe për Atdhe!
Se Shqipnia asht’ e jona!
Për at gjak e për kët dhe!

Video e rrallë e Aleksandër Stipçeviqit duke folur arbërisht, “E kemi ruajtur gjuhën për 280 vjet” (VIDEO)

Aleksandër Stipçeviq lindi në Arbënesh të Zarës në Kroaci më 1930. Ai rrjedh nga një familje arbëreshë e rrethit të Shkodrës, të cilët treqind vjet më parë u shpërngulën në rrethin e Zarës. Ka studiuar arkeologjinë dhe ka drejtuar një varg institucionesh e projektesh që lidhen me bibliotekat, historinë e librit, botimet enciklopedike etj, deri në Akademinë e Shkencave në Zagreb, shkruan KultPlus.

Aleksandër Stipçeviq është kontribuues më i madh sa i përket veprave për ilirët dhe historinë e librit. Disa nga këto vepra janë: Historia e ilirëve, Arti i ilirëve, Simbolet e kultit te Ilirët, Bibliografi për ilirët, Historia e librit, Censura në biblioteka, Interpretime albanologjike etj. Më shumë se dyzetë vjet emri i tij identifikohet me rezultatet më të reja të studimeve ilire.

Aleksandër Shandri Stipçeviq ka vdekur më 31 Gusht të vitit 2015. Ndërsa sot po e kujtojmë me një video të postuar nga Albert Ramaj, ku albanologu arbëresh shihet duke folur arbërisht ndërsa janë shfaqur edhe këngë origjinale arbëreshe që këndohen. Ai përmes kësaj videoje tregon për ruajtjen e gjuhës, dhe se si u tregojnë të gjithëve prejardhjen e tyre.

“Ndër ne arbëreshët flitet edhe arbërisht por pak nga pak po harrohet gjuha. Ne që e dimë nga kemi ardhur, e kush jemi, ne themi se jemi arbëresh, ne flasim për etnikisht kurse në aspektin politik jemi kroat”, thotë albanologu Stipçeviq.

Ai përmes kësaj videoje tregon se si ai dhe disa arbresh të tjerë kanë shkuar në disa fshatra, afër Liqenit të Shkodrës për të parë vendet prej nga e kanë prejardhjen. Ata kanë shkuar në fshatin Kalmeta, prej nga vjen edhe njëri ministër i quajtur Bozhidar Kalmeta, dhe kemi dashur ta shohim se prej nga vjen ai dhe njerëzit e tjerë me këtë mbiemër. Ata më pas kanë vizituar edhe Korçën, e Tiranën ndërsa më pas kanë qenë të ftuar dy herë në një emision të rëndësishme kroate, për të treguar eksperiencën e tyre në Shqipëri.

“Është një traditë shumë e madhe nga kemi ardhur, kush jemi dhe si po flasim. Ne dhe gjenerata ime po flasim arbërisht, por fëmijët e vogël nuk po dinë, janë 280 vjet që ne e kemi ruajtur gjuhën”, thotë Stipçeviq në këtë intervistë.

Lidhur me këngën “Unë jam arbëresh”, ai thotë se kjo është një këngë origjinale që e kanë sjellë nga Shqipëria, ai thotë se me vete e kanë marrë melodinë e kësaj këngë kurse fjalët i kanë shkruar vet, ndërsa Stipçeviq po ashtu tregon se si ai si fëmijë është rritur më këngë arbëreshe.
“Unë kam qenë i vogël dhe kam ditur dy-tri këngë që nëna ime m’i ka mësuar, unë kam ditur t’i këndoj këto këngë”, ka thënë arkeologu Aleksandër Stipçeviq. Ai krejt në fund të intervistës tregoj për ruajtjen e gjuhës arbëreshe, e cila kuptohet nga shqiptarët e Shqipërisë, mirëpo jo edhe arbëreshët e Zarës janë në gjendje ta kuptojnë për shkak se nuk kanë mundur ta përcjellin zhvillimin e gjuhës./KultPlus.com

Dy fotografi të rralla të Pallatit Mbretëror të Zogut, i shkatërruar nga “populli”

Nga Aurenc Bebja, Francë, 7 Shkurt 2018

“Paris-soir”, ka botuar, të dielën e 16 prillit 1939, dy fotografi të rralla të pallatit mbretëror të Zogut, i shkatërruar nga “populli”, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë, për publikun shqiptar :

“Sapo trupat italiane hynë në Tiranë, pallati i mbretit Zog u pushtua, dhe disa ditë më vonë na erdhën nga Italia disa fotografi që vinin në dukje pjesët e pallatit të plaçkitura dhe të vandalizuara nga “populli”.

Kjo duket e vështirë të besohet që ndërtesa nuk u mbrojt dot ndaj një popullatë e cila nuk kishte arsye për të shkatërruar banesat e mbretit Zog.

Majtas : Dhoma e Mbretëreshës Geraldinë dhe shtrati ku princi i vogël erdhi në jetë.

Djathtas : Kabineti ku punonte mbreti.”/ KultPlus.com

Erodita Qorkadiu Haxhiu dërgon veshjet tradicionale në Belgjikë dhe Francë (FOTO)

Për nder të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, veshjet e etnografes Erodita Qorkadiu Haxhiu do të rrugëtojnë në Belgjikë dhe në Francë, përmes ekspozitës dhe një sfilate me këto veshje, shkruan KultPlus.

Veshjet tradicionale të kornizuara janë të punuara nga etnografja kosovare, Erodita Qorkadiu Haxhiu, ndërsa pikturat janë të punuara nga piktorja Valdete Berisha, e cila jeton dhe vepron në Belgjikë.
E veçanta e këtij prezantimi të veshjeve tradicionale nga të gjitha trojet shqiptare, është se etnologia Qorkadiu- Haxhiu do t’i prezantoj ato përmes një sfilate. Për t’i sjellë ato në skenë, tashmë janë paraqitur shumë vajza shqiptare që jetojnë në diasporë.

Erodita Qorkadiu- Haxhiu tregoi për KultPlus se për këtë ekspozitë, asaj me veshje i kanë ndihmuar shoqata të ndryshme të grave, nëna të dëshmorëve e gra kryefamiljare dhe në veçanti Muzeu Etnografik në Pejë, ndërsa nuk ka munguar përkrahja as nga Muzeu Etnografik në Prishtinë. Po ashtu ajo tha se Muzeu Etnografik i Pejës, ka punuar kukulla enkas me veshje kombëtare së bashku me fëmijët me nevoja të veçanta.

Ajo tha se qëllimi i saj është që përmes ekspozitës së saj, e sfilatës ta promovoj kulturën shqiptare sa më mirë dhe që kjo traditë të bartet edhe tek gjeneratat e reja, ashtu siç e kemi trashëguar nga të parët tanë.

Sfilata do të mbahet në Teatrin Mbretëror më 16 Shkurt, kurse ekspozita e përbashkët më 18 Shkurt, në galerinë e quajtur “Art for everyone”,në Namur të Belgjikës. Përveç kësaj ajo po planifikon që këto veshje t’i prezantoj edhe në Francë, në qytetin e Strasbourgut, pikërisht në ditën e Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt. Këtë ekspozitë do ta prezentoj në bashkëpunim me etnologen franceze Martina Wolf, ku do të marrin pjesë fëmijë shqiptar dhe francez, që do të veshin veshjet nga koleksionin e etnografes Erodita Qorkadiu Haxhiu./KultPlus.com

Qyteti ku lindi lëvizja feministe shqiptare

Është folur shumë për civilizimin e gruas shqiptare. E nëpërkëmbur ndër shekuj, gruaja shqiptare ka vuajtur shtypjen e saj qoftë nga pushtuesit, kanunet, qeveritë maskiliste ashtu dhe nga opinioni.

Por në jetën shqiptare gjen plot shembuj të grave që kapërcyen vështirësitë, mentalitetin represues dhe ia dolën mbanë.

Nga lajmet që kanë mbërritur deri në ditët tona, shumë gra e vajza të guximshme arritën të thyenin tabutë dhe të kryenin një jetë publike , bile dhe artistike.

Pikërisht në një prej qyteteve më të zhvilluara shqiptare nuk kishte si të mos kishte një lëvizje feministe të çmueshme për gjithë Shqipërinë. Ky qytet do të ishte Shkodra. Dhe nuk ishte e rastësishme.

Qyteti i Shkodrës ishte vendi ku kishte një lulëzim letrar, politik dhe diplomatik. Në gjithë historinë tonë të brishtë ky qytet është dalluar për kulturën, artin dhe civilizimin e hershëm. Dhe pa dyshim që dhe Shkodra e viteve 1910-1930 do ndriste në gjithë shkëlqimin e saj.

Në vitin 1911, Kolë Idromeno hap një sallon ku projektonte dispozitat e para të filmit. Ai do të sillte në Shqipëri filmat e parë dhe në të gjitha shtëpitë e katolikëve, shfaqeshin filmat e parë në Shqipëri. Në vitin 1913 u hap “Internacionali” dhe Shkodra u bë qyteti më i rëndësishëm diplomatik, kulturor në të gjithë rajonin, sepse kishte shumë konsullata të huaja që imponononin shkëmbime kulturore dhe letrare.

Gratë dhe vajzat në lagjet G’juhadol dhe Sarreq ishin me të vërtet të emancipuara. Ato mësonin gjuhë të huaja dhe kjo është një shenjë e dashurisë së tyre për arsimin, pasi aty ishte shkolla e murgeshave stigmatine. Pikërisht në vitin 1919 në Shkodër do të vihej në skenë një shfaqje teatrale e bazuar në një ngjarje kinematografike. Ajo quhej “Eminia e vorfën” dhe ishte një dramë me temë dashurie.

Rolin e Eminias do të luante një vajze, edhe pse e padalë në reklamat e qytetit. Kjo në fakt është një ngjarje, sepse deri në atë kohë luanin vetëm burrat të veshura si gra. Sigurisht që kjo ngjarje do të merrte dhenë dhe shumë njerëz do e përflisnin këtë akt, duke aluduar se ishte një grua e huaj, dhe siç ishte zakon në Shkodër, kjo ngjarje u kthye në barcaletë.

Vitet 1921 dhe 1922 në Shkodër do jenë vite shpërthimi për teatrot dhe shoqëritë artistike dhe një nga kulmet e saj është shfaqja gjimnastikore “Katër caqet Themelore” e interpretuar e gjitha nga vajza. Paraqitja e tyre në skenë ishte e ngjashme me shfaqjet e vjetra të Broduejit dhe kjo ngjarje nuk kaloi pa u vënë re.

Shkodranet e famshme janë përkatësisht : Adelajdja e K. Muzhanit, Kjara e Ejëll Koliqit, Karitina e Ejëll Koliqit, Margerita e Sh. Koliqit, Kristina e Zef Gjonej, Pina e Zef Gjonej, Nikolina e Kel Kodhelit, Domenika Tedeskini, Gizela Tedeskini, Viktorja e Z. Jakut, Roza e Z. Çurçisë, Adelajdja e F. Loros, Marta e Mati Logorecit, Nusha e Shuk Gjokës, Despina e Joakin Kokosheviç, Nineja e Tom Naraçit, shkruan shkodran.info.

Kulmi do të shënohej me vënien në skenë të dramës “E tradhëtumja” që luhet vetëm nga vajza e gra. Ndër to do të shquheshin: Markeza e Sh. Justit nga Tina e Gjon Ashikut, Ema nga Angjelina e Mark Temalit, Marija nga Lezina e Pashko Cefës, Elvira nga Adelajdja e Pjetër Lekës, Lena nga Kristina e Zef Gjonej, një shërbëtore nga Katrina e Ndrekë Çefës, një rojtare burgu nga Ida e Kel Kodhelit dhe një zonjë, e luajtur nga Metilda e Kol Kakarriqit.

Shfaqja ishte një lojë reale ku aktoret dilnin të zbuluara dhe interpretonin në skenë. Interesante ishte që në fund të shfaqjes aktoret luanin një valle patriotike, e titulluar “Rroftë Shqypnia”.

Pikërisht kjo shfaqje tregonte se qyteti i lashtë, i quajtur me të drejtë një qytet evropian që gjithnjë kish synuar perëndimin i kishte rrënjët tek tradita. Dhe kjo në fakt ka qenë karakteristikë e shkodraneve. Këto të fundit janë me nam për kulturën, qytetërimin dhe udhëheqjen që i kanë bërë lëvizjeve feministe në Shqipëri. Ndaj kjo përpjekje e tyre në kohën kur shqiptaret ishin me perçe dhe kur fanatizmi sundohet patjetër që duhet përshëndetur sepse ishte përpjekja e parë për të dalë krah burrave, në shfaqje publike.

Kështu që në Odeonin artistik shqiptar, shkodranet mbajnë skeptrin e të parave artiste në Shqipëri./ KultPlus.com

“Unë mendoj vetëm në ty, ndërsa jashtë po bije shi”

“Fisnikët”, janë pop bendi shqiptar, që u formua në vitin 1980 gjatë kohës kur në Kosovë mbretëronte një atmosferë e volitshme për zhvillimin e rock-ut lokal.

Në këtë kohë ishte formësuar një traditë dhe ngjyrë autoktone në këtë stil të muzikës. Bendet “Gjurmët”, “Illirët”, “Minatori” e të tjerë gjatë kësaj kohe mbretëronin në rock-pop skenën kosovare, kurse “Fisnikët” e plotësuan këtë me stilin e tyre të ashtuquajtur akustik, ku përcjellja e këngëve bëhet me kitarë akustike.

Sot po sjellim këngën “Shiu” të grupit “Fisnikët”. “Shiu” është një ndër këngët më të njohura të “Fisnikëve”, e cila ka një tekst jashtëzakonisht të këndshëm i cili vazhdon ende të jetë në memorien e adhuruesve të këtij grupi dhe jo vetëm.

https://www.youtube.com/watch?v=ajWC1iJe-UM

Shiu
Përsëri po bije shi
pse nuk thërret pse bëhesh fmi
pse je ashtu e pa besë
kësaj s’i thonë dashuri

Çka do t’bëjsh sot në shtëpi
do t’flesh a do t’mësosh
do t’shikosh si bije shi
apo nënës t’i ndihmosh

Unë mendoj vetëm në ty
ndërsa jashtë po bije shi
unë të kërkoj vetëm ty
dhe dëgjoj këtë melodi….këtë melodi

Telefoni prore hesht
kot pres ti nuk thërret
unë s’kam faj që është vjeshtë
shi kur të bjen thonë bereqet

qdo gënjehesh kur më takosh
ke mësuar s’ke pas kohë
dikur do të më kërkosh
por atëhere do të jetë vonë.

Trupa e Baletit të Kosovës gati për të thyer ‘Muret’

Alberina Haxhijaj

Trupa e Baletit të Kosovës tashmë ka bërë çdo gjë gati për të dhënë premierën e shfaqjes së tyre “Pa mure”. Shfaqja koreografinë e të cilës e ka realizuar Teuta Krasniqi do të jepet nesër mbrëma, në Teatrin Kombëtar të Kosovës duke filluar nga ora 20:00, shkruan KultPlus.

Balerina Teuta Krasniqi, e cila ka rreth dyzet premiera deri tani, kësaj radhe i ka caktuar vetës një detyrë më të vështirë. Ajo së bashku me Trupën e Baletit të Kosovës pjesë e të cilëve është edhe koreografja janë bashkuar për të sjellë në skenë shfaqjen “Pa mure”, shfaqje e cila ka ardhur si një retrospektive e përjetimeve të Kosovës të cilat kanë lënë gjurmë te Krasniqi. Kështu ajo gjithë emocionet e saj i ka kthyer në lëvizje për të sjellë kështu premierën e parë të baletit për këtë vit.

“Inspirimin e kam marrë nga gjërat të cilat i kam kaluar edhe vet. Siç dihet ne gjithmonë si popull kemi pasur vështirësi që kur e mbaj mend unë. Gjithë këto sfida të cilat i kemi kaluar unë i kam quajtur mure. Ka ardhur një kohë kur ne e kemi fituar pavarësinë mirëpo prapë se prapë kemi ngecur brenda disa mureve të cilat nuk po na lejojnë që të lëvizim lirshëm, dhe këtë e shoh unë si problem”, shpjegoi ajo duke theksuar se muret kanë kuptim më të gjerë dhe i sheh si pengim edhe i zhvillimit artistik dhe kulturorë.

“Kam menduar gjatë para se të marrë një vendim të tillë mirëpo këtë ide gjithmonë e kam pasur në kokë dhe kam dashur që ta shpreh edhe në bazë të lëvizjeve. Kjo është edhe mënyra më e mirë sesi unë mund të shprehem”, vazhdoi tutje ajo duke i falënderuar të gjithë që i kanë ndihmuar në realizim e këtij projekti dhe duke e çmuar lartë besim që kanë shfaqur balerinët e tjerë ndaj saj.

Drejtori i Baletit të Kosovës, Ahmet Brahimaj theksoi se kjo shfaqje është shumë e rëndësishme pikërisht për faktin se Teuta Krasniqi është edhe koreografja e parë grua e cila ka bërë një koreografi të plotë në Kosovë.

“Gjithë shfaqja është një realizmi i joni dhe kjo ka rëndësi shumë për baletin. Teuta ka filluar e para dhe ajo edhe e meriton një gjë të tillë. Që nga ky vit kemi filluar që të u japim mundësin edhe njerëzve tonë pasi që ata e kanë edhe eksperiencën e duhur dhe kanë edhe imagjinatë që është e rëndësishme. Kurse në fund të viti e kemi një premierë tjetër ku koreografinë ja kemi besuar balerinit Sinan Kajtazi”, u shpreh ai duke theksuar se Trupa e Baletit ka mjaftë punë këtë vit edhe për shkak të shfaqjeve të shumta që do të ketë edhe jashtë vendit. Ai gjithashtu theksoi se pikërisht kjo shfaqje e meriton që të shfaqet edhe jashtë vendit për shkak të temës dhe realizimit.

Balerini, Kreshnik Musolli i cili edhe ka qenë edhe asistentë në këtë shfaqje u shpreh se vlera më e madhe e saj është se ajo mund të konsiderohet një realizim i plotë i Baletit të Kosovës.

“Ka qenë një përvojë mjaftë interesantë me asistua në një punë e cila ka ndikuar që ne të pavarsohemi si një trupë prej ndikimit të koreografëve të tjerë duke filluar që të krijojmë vetë shfaqje. Diçka që do e quaja prej Shtëpisë sonë”, u shpreh Musolli.

Pikërisht ky fakt ka ndikuar që të gjithë balerinë të japin maksimumin e tyre në realizmin e shfaqjes ka theksuar Aulonë Nuhiu. “Ka qenë një kënaqësi shumë e madhe për të punuar me Teutën. Ne e kemi kolege dhe tashmë njihemi dhe jemi munduar që të gjithë të japim maksimumin tonë dhe t’i ndihmojë edhe asaj për gjithçka. Mendoj se kemi arrit të bëjë një punë të mirë dhe gjithçka ka shkuar shume mirë”, u shpreh ajo duke shtuar se tashmë i mbetet publikut që të jap vlerësimin mbi punën e bërë.

Në shfaqjen “Pa mure” premiera e të cilës është më 8 shkurt do të paraqitën balerinët: Aulonë Nuhiu, Sead Vuniqi, Vjollca Llugiqi, Luljeta Ademi, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Muhamet Bikliqi, Sinan Kajtazi, Abetare Hyseni, Leonora Rexhepi, Behie Murtezi, Mimoza Bytyqi, Donmir Bilalli, Drilon Podrimçaku, Mërgime Morina, Vlora Prizreni, Liridon Mziu dhe Ilir Krasniqi./ KultPlus.com

Murali ‘te Sllovenia e Sportit’ në Prishtinë, mbulohet me reklamën e Coca Cola’s (FOTO)

Gjithë kalimtarët e rrugës ‘Agim Ramadani’ dhe ata që vinin nga rruga e lagjes Velania, nuk do ta kenë pamjen e njëjtë sapo të futen në qendër të qytetit.

Murali që ishte simbol i pjesës së qytetit të quajtur ‘te Slovenia Sporti’, nuk do të ketë pamjen e njëjtë që nga kur aty u vendos një reklamë mbi një vepër arti, shkruan gazetametro.net.

Murali që ishte i madh sa vetë ndërtesa, ishte realizuar nga artisja Fitore Berisha, e i cili më pas u shndërrua në simbol të asaj pjese të Prishtinës.

Për mbulimin e saj ka reaguar edhe vetë artistja, e cila e ka quajtur të papranueshmë këtë gjest, por duke treguar po ashtu se kjo nuk është hera e parë.

‘Ky gjest është i papranueshëm. Kjo nuk është hera e parë që i shkatërrojnë muralet. Çfarë shoqërie që nuk e respekton artin. Pse me kriju art në atë qytet?’, ka thënë Berisha.

Sido që të jetë, reklama e Coca Cola’s vazhdon të qëndrojë mbi një vepër që ka marrë kohë dhe mund të bëhet. Fatin e njëjtë e kanë pasur edhe disa murale të tjera në Prishtinë, sidomos ai tek Fakulteti i Filologjisë dhe tek Fakulteti i Arteve./ KultPlus.com

Fatlum Meholli sjellë portretin e mahnitshëm të këngëtares Dua Lipa (FOTO)

Artisti Fatlum Meholli shpesh ka sjellë portrete të figurave të njohura ndërsa këto ditë fokus i punës së tij ka qenë këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, shkruan KultPlus.

Ai ka vizatuar portrete të këngëtareve të tjerë të famshme si Rihanna, Lana Del Rey, Elvis Presley, John Lennon, Jim Morrison, Selena Gomez, etj.

KultPlus ju sjellë portretin e Dua Lipes, të vizatuar nga artisti Fatlum Meholli./ KultPlus.com

14 filma kosovarë do të shfaqen në Kino ABC për shënimin e 10 vjetorit të Pavarësisë

14 filma kosovarë të mbështetur nga QKK do të fillojnë shfaqjen në Kino ABC që nga nesër, 8 shkurt deri me 17 shkurt 2018 për të shënuar 10 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Kjo iniciativë erdhi si rezultat i nënshkrimit të Memorandum Bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës, Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Kinemasë ABC.

Për 10 ditë do të shfaqen filmat kosovarë të cilët kanë pasur suksese të jashtëzakonshme ndërkombëtare, si prej nominimit në Oscar, pastaj në festivalet e mëdha si ai i Karlovy Vary-it, Venedikut, Sarajevës, Varshavës, Tallinnit, Kairos, Montrealit etj.

Hapja do të bëhet me 8 shkurt ku do të shfaqen filmat ‘Shok’ nga Jamie Donoughue, ‘Home’ nga More Raça, ‘Ballkoni’ nga Lendita Zeqiraj, ‘Si qeni n’rrush’ nga Driton Hajredini dhe Yll Çitaku duke vazhduar në ditë në vijim me filmat: ‘Kolona’ nga Ujkan Hysaj, ‘Daullet e Rezistencës’ nga Mathieu Jouffre, ‘Me dasht’, me dasht’, me dasht’,’ nga Ilir Hasanaj, ‘Trapped by Law’ nga Sami Mustafa, ‘Home Sweet Home’ nga Faton Bajraktari, ‘Tri Dritare dhe një Varje’ nga Isa Qosja, ‘Martesa’ nga Blerta Zeqiri, ‘T’padashtun’ nga Edon Rizvanolli, ‘Eho’ nga Dren Zherka dhe ‘Babai’ nga Visar Morina./KultPlus.com

Edi Rama publikon pamjen e re të Teatrit të Tiranës (VIDEO)

Nga rrënoja të harruara për dekada me radhë tani është duke u ndërtuar Teatri i ri i Tiranës, duke u transformuar çdo ditë në hapësira evropiane me artin dhe kulturën e munguar.

Me këto fjalë e ka nisur kreu i qeverisë Edi Rama, mëngjesin e sotëm.

“Mirëmëngjesi dhe me këto pamje nga progresi i punimeve për ndërtimin e Teatrit të ri të Tiranës, ku rrënojat e një ndërtese të harruar për dekada të tëra po transformohen çdo ditë në një hapësirë europiane më shumë, të munguar për dekada për artin dhe kulturën, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Punimet për ndërtimin e Teatrit të ri të Tiranës kanë nisur në vitin 2016 në kuadër të Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane./ KultPlus.com

Johannes Gutenbergu i mistershëm, babai i komunikimit masiv

Me shpikjen prej Johannes Gutenbergu të shtypshkronjës ai konsiderohet si ati i komunikimit masiv. Por a ka qenë vërtet ai i pari që shtypi libra? Edhe 550 vjet pas vdekjes së Gutenbergut, shumë çështje mbeten pa përgjigje.

Të gjithë e njohin Johannes Gutenbergun, megjithëse për të thuajse nuk dihet asgjë”, thotë zëvendësdrejtorja e muzeut Gutenberg në Mainz, Elke Schutt-Kehm, shkruan DW. Kjo nis që me ditën e tij të lindjes dhe përfundon me datën e vdekjes, me të cilën ka lidhje përkujtimi i sivjetshëm i 550 të vdekjes së Gutenbergut. Vetëm kaq dihet: Johannes Gutenberg është shpikësi i shtypjes së librave me germa të lëvizshme metali dhe me këtë ai kontribuoi në mënyrë vendimtare në suksesin e Reformacionit. Për këtë gazetarët amerikanë e zgjodhën atë “njeriun e mijëvjeçarit”.

Ai lindi rreth vitit 1400. Ndoshta në Mainz, por ndoshta edhe në Eltville në anën tjetër të Rinit në Rheingau. Ai vinte nga familja e pasur tregtare Gensfleisch. Më vonë ai e ndryshoi emrin e lindjes, siç ishte moda atëherë, dhe mori emrin e rezidencës së familjes “Hof zum Gutenberg”.

Përgatitje në Strasburg

Ndoshta Johannes Gutenbergu studioi në Erfurt. Këtë e tregon një shënim në regjistrat e Universitetit. Rreth vitit 1428 familja Gensfleisch u largua nga Mainzi për shkak të konflikteve midis familjeve drejtuese të qytetit. Se ku qendroi pas kësaj Gutenbergu, nuk është dokumentuar. Qëndrimi i tij dokumentohet sërish në vitin 1434 në Strasburg.

Në këtë qytet, që sot është qytet francez, atij iu ofruan mundësi të shumta fitimi. Gutenbergu punoi atje ndër të tjera në zejet e monedhave dhe të argjendarisë, themeloi një shoqëri financimi dhe prodhoi objekte për t’i marrë me vete në pelegrinazhe. Ai kaloi atje gjithsej dhjetë vjet.

Suksesi në Mainz

Pasi u kthye në Mainz ai vazhdoi punën për shtypjen e librave me ndihmën e tregtarit Johannes Fust dhe të shkruesit Peter Schöffer. Midis 1452 dhe 1454 puna përfundoi: u prodhuan gërmat e tij metalike të lëvizshme. Dhe meqenëse Guttenbergu qe mekanik i aftë dhe njëkohësisht sipërmarrës që i hynte rrezikut, ai ndërtoi për to edhe shtypshkronjën manuale me levë. Për shekuj të tërë librat qenë shkruar me mundim me shkrim dore, shumicën e herëve në dhomat e shkrimit të manastireve. Vetëm kleri dhe shtresa e lartë mund t’i blenin ato produkte të shtrenjta – pa folur për leximin. Kurse tani gërmat mund të shtoheshin si dëshiroje, fjalë dhe fjali të tëra mund të hidheshin në faqe – dhe e gjitha të riprodhohej sa herë të doje. Një shpikje që e revolucionarizoi shkëmbimin e dijes dhe solli ide të reja në popull me tirazh të lartë – për kushtet e Mesjetës.

Në vitin 1450 mjeshtri ndërmori punën më ambicioze të tij: brenda dy vjetësh ai shtypi me ndihmën e 20 të punësuarve të tij 180 kopje të Biblës së Luterit. Bibla është jo vetëm vepra e parë, por edhe libri më i bukur, që është shtypur ndonjëherë, mendon Elke Schutt-Kehm.

Teknika e Gutenbergut u shpërnda tepër shpejt. Në vitin 1500 shtypshkronja në të gjithë Evropën prodhonin jo vetëm vepra dijetarësh, por edhe shkrime denigruese kundër tregtisë së certifikatave të faljes së mëkateve. Rreth 100 vjet më vonë u shfaq gazeta e parë.

Model Azia?

Po a ishte Gutenbergu i pari që e mundësoi shtypjen e librit? Përgjigja është: jo. Shtypja e librave me gërma të këmbyeshme qe shpikur që në shekullin e 11-të në Kinë dhe qe përhapur në shekullin e 13-të edhe në Kore. Por në një kohë kur në Azi gërmat gdhendeshin me procese të derdhjes së dyllit ose gdhendeshin në dru, Gutenbergu shpiku një teknikë krejt të vetën me një instrument që pikonte bojën dhe me një shtypshkronjë me levë. Ai është “i pari që konceptoi një prodhim serial të pjesëve të veçanta të standardizuara”, thotë Schutt-Kehm. Kjo ishte një metodë e re dhe një hap shumë i madh në historinë e teknikës. Në 3 tetor në Mainz dhe jo vetëm aty kremtohet 550 vjetori i ditës së vdekjes së pionerit të mediave – edhe nëse shkencërisht për 03.02.1486 si datë të vdekjes ka diskutime e mendime që e kundërshtojnë.