Edhe një gjuhë në Gjuhët Globale të Oksfordit

Iniciativa e Fjalorëve të Oksfordit, e njohur si Gjuhët Globale të Oksfordit (OGL), ka shtuar gjuhën tatare në listën e saj të gjuhëve online.

Fjalori online ofron mundësinë e përkthimit të fjalëve dhe frazave nga gjuha tatare në atë angleze dhe anasjelltas.

Drejtorja e Fjalorit të Oksfordit, Judy Pearsall, ka thënë se “gjuha tatare ka një histori të pasur me origjinën që i daton në kohën e mesjetës dhe përtej asaj”.

Profesori Golshat R. Safiullina, i cili është i angazhuar në Institutin e Filologjisë, Leo Tolstoy, është cituar të ketë thënë se fjalori online “duhet të prezantojë kulturën dhe gjuhën tatare para gjithë botës”.

Iniciativa, Gjuhët Globale të Oksfordit nga Fjalorët e Oksfordit është prezantuar në shtator të vitit 2015./ KultPlus.com

Vdes Haim Gouri, poeti dhe kineasti i njohur i Holokaustit

Shkrimtari, poeti dhe kineasti izraelit, Haim Gouri, i njohur veçanërisht për veprat e tij për Holokaustin, vdiq sot në moshën 94-vjeçare, njoftoi vajza e tij.

Në një komunikatë, presidenti izraelit, Reuven Rivlin shprehu keqardhje për vdekjen e poetit kombëtar, një njeri i cili ka qenë njëherësh një luftëtar dhe një intelektual.

Figurë historike e Izraelit, Haim Gouri kishte mbuluar për të përditshmen e Partisë Laburiste “Lamerhav” procesin e kriminelit nazist Adolf Eichmann, gjykuar në Izrael dhe dënuar me vdekje në vitin 1961.

Ai publikoi librin “The glass cage” përkthyer në disa gjuhë dhe që kontribuoi në famën e tij jashtë vendit.

Si kineast, ai realizoi disa filma kushtuar Holokaustit.

Haim Gouri lindi në Tel-Aviv në vitin 1923 në një familje të politizuar.

Babai i tij, Israwl Gouri ishte një prej themeluesve të Mapait, partia e kryeministrit izraelit David Ben Gourion dhe deputet nga viti 1948 deri në 1965.

Pas Holokaustit, ai u dërgua në Evropë për të ndihmuar refugjatët hebrenj për të imigruar në Palestinë. transmeton ATSH raportimin e AFP-së. Ai ka qenë luftëtar gjatë luftës së parë izraelito-arabe në vitin 1948 dhe më pas në 1967 si oficer rezervist gjatë Luftës Gjashtëditore.
Laureat i shumë çmimeve, mes të cilave çmimi prestigjioz i Izraelit në vitin 1988, Haim Gouri, i cili ishte bashkëpunëtor i afërt i ish-kryeministrit izraelit, Yitzhak Rabin, vrarë në vitin 1995, mbështeste paqen me palestinezët.

Kryeministri, Benjamin Netanyahu theksoi se poemat e tij ishin një pjesë e trashëgimisë të shtetit të Izraelit./ KultPlus.com

Bendi i rokerit shqiptar nominohet për këngën më të mirë në historinë e rokut zviceran

Altin Asllani është frontmen i bendit “Pablo Infernal. Është nominuar kënga “House of Gypsies”, në mesin e 40 këngëve të krijuara prej 50 vitesh.

Një këngë e bendit të rokut nga Cyrihu, “Pablo Infernal” i cili për frontmen ka shqiptarin Altin Asllani, është nominuar për këngën më të mirë rok të të gjitha kohërave në Zvicër. Fjala është për këngën “House of Gypsies” të edituar në vitin 2016 ndërsa atë e ka nominuar për këtë garë, redaksia e SRF3, (të transmetuesit publik të Zvicrës).

Të nominuara janë 40 këngë nga 40 grupe, bende zvicerane roku qe kanë krijuar ose vazhdojnë të krijojnë prej 50 vitesh e këndej. Vetë përzgjedhje e këngës së një grupi kaq të ri, në listën e grupeve që kanë bërë historinë e rokut zviceran për 50 vite, është një dëshmi për cilësinë e “Pablo Infernal”, pavarësisht prej rezultatit që në fund do ta korrë, shkruan albinfo.ch. Sigurisht që Zvicra nuk është ndonjë “superfuqi” botërore e rokut, por, të kujtojmë: gjatë këtij gjysmë shekulli, në këtë vend kanë krijuar edhe bende me njohje ndërkombëtare si “Gotthard”, “Krokus”, “Eluveitie ” etj., prandaj të jesh në një konkurrencë me to, është vetvetiu një vlerësim i lartë për bendin e njëzetvjeçarëve, në krye të të cilit është Altini, djaloshi me prejardhje nga Presheva.

Sidoqoftë, ngritja e “Pablo Infernal” në këtë nivel sa të promovohet për këngën më të mirë në historinë e rokut të Zvicrës nuk është edhe e rastësishme. Një vit më parë albumi “Lightning Love” i bendit qe zgjedhur më i miri për vitin 2016 nga SRF3.

Atëbotë albinfo.ch pati shkruar:

“Çunat e rinj nga Cyrihu përmendin emra të mëdhenj si “Deep purple”, “Led Zeppelin“ ose “Wolfmother” si burimet kryesore të ndikimit në muzikën e tyre. Por, ata nuk lejojnë të asimilohen nga ky ndikim prandaj muzika e tyre tingëllon gjithmonë e mëvetësishme dhe asnjëherë si një kopje. Të zhurmshëm, të egër por megjithatë melodiozë dhe të fortë. Prandaj vula që kanë marrë si “SRF 3 Best Talent” në muajin nëntor është diçka që kuptohet vetvetiu”, thuhet në përkushtimin e redaksisë me rastin e ndarjes së çmimit. Ndërsa Altini, në murin e tij të faceboolkut shkruante: *SRF 3 e ka shpallur albumin tonë debutues “Lightning Love” si albumin zviceran më të mirë të vitit në kategorinë e rokut. Njerëz, po ndjehemi të nderuar!”.

Dhe, sigurisht që duhet të ndjehet i nderuar dikush të cilit i bëhet një vlerësim sikur ky në vijim: “Qëkur kam njohur `Pablo Infernal” unë nuk mërzitem më për rininë e sotme. Ata janë rreth të 20-tave, flasin dhe citojnë Deep Purple, Frank Zappa, Beatles, Led Zeppelin me një siguri absolute stili dhe kanë potencial siç nuk ka pasur asnjë rok bend zviceran prej kohësh”, kishte shkruar redaktori i SFR3 Dominic Dillier, transmeton albinfo.ch. Pablo Infernal nuk i pëlqejnë gjërat “e hekurosura në mënyrë perfekte” por synojnë drejt një “papastërtie” të caktuar. Ata e gjejnë burimin e tyre në vitet `70 kur muzika, sipas mendimit të tyre ishte ende e pasofistikuar (e virgjër) dhe jetonte nga emocionet. Në fakt ata ia kanë dalë që këtë vepër arti ta transportojnë saktësisht në të tashmen”.

Ata që duan të votojnë për këngën më të mirë të rokut zviceran të të gjitha kohëve, këtë mjund gta bëjnë në këtë link:
https://www.srf.ch/radio-srf-3/musik/wir-suchen-den-besten-schweizer-rocksong-aller-zeiten

Gjobë për aktorin që dështoi reprizën e “Bordel Ballkanit”

Teatri Kombëtar i Kosovës ka vendosur që aktori Armend Baloku të gjobitet me 444 euro.

Ky është vendimi që ka marrë drejtori i përgjithshëm i TKK-së, Agim Sopi, pasi Baloku në shenjë proteste nuk ka marrë pjesë në reprizën e shfaqjes “Bordel Ballkan” të martën mbrëma. Pas mungesës së tij, institucioni është detyruar ta anulojë dhënien e shfaqjes.

Vendimi i drejtorit Agim Sopi i është dërguar Ministrisë së Kulturës të mërkurën. Ky veprim i Sopit bazohet në Rregulloren për stimulimin dhe përgjegjësitë e ansamblit rezident të TKK-së. Por gjoba është e papranueshme për aktorin Baloku dhe sipas tij, drejtori i përgjithshëm, Agim Sopi, dhe udhëheqësi artistik Agon Myftari nuk janë njerëz të denjë për ta udhëhequr Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Drejtori Agim Sopi ka thënë se në bazë të Rregullores, aktori që nuk vjen në reprizë të shfaqjes pa arsye detyrohet të paguajë gjysmën e biletave, në rastin e dytë, të gjitha biletat dhe në rastin e tretë i ndërpritet kontrata e punës. “Pasi salla e TKK-së ka 296 karrige, Baloku do t’i paguajë gjysmën e biletave, që i bie për 148 karrige nga tri euro, që i bie 444 euro”, ka thënë Sopi, shkruan KohaDitore./ KultPlus.com

Urim Salihu, fitues i festivalit “Fest Flaka 2018”

Festivali i Muzikës Popullore “Fest Flaka” ka përmbyllur edicionin e sivjetmë të Manifestimit Shumëkulturor “Flaka e Janarit”, manifestim me të cilin identifikohen gjilanasit.

Hapjen e Festivalit e ka bërë Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, i cili ka theksuar se sivjet ky manifestim është mbajtur në nderim të kryeheroit shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe në pesëdhjetëvjetorin e kryengritjes për flamurin e Gjergjit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“U bënë gati tri dekada që ky manifestim në Gjilan në janarin e ftohtë shënon gjithë këtë aktivitet multikulturor në shenjë nderimi për dëshmorët. Edhe në ato kohë të vështira ne ndryshe kemi nderuar dëshmorët edhe në liri po vazhdojmë t’i nderojmë ndryshe nga të tjerët. Ka ardhur koha që ky manifestim të rishikohet në tërësi, që janari të ruhet si muaj i dëshmorëve dhe nuk mund të ndryshohet fati i historisë, por që Gjilani këtë manifestim ta bëjë edhe më kombëtar dhe ndërkombëtar. Meqë nga shkurti do të emërohet një bord i ri që do ta rishikoj dhe do ta riformatoj këtë manifestim, duke i dhënë pamje të re, por duke e ruajtur karakterin e tij”, ka thënë Lutfi Haziri, që ka shtuar se jemi larg dëshirës dhe sakrificës për të cilën ranë dëshmorët, por ne jemi borxhi që lirinë ta bëjmë më të plotë.

Ai rikujtoi fillimin e manifestimit në Përlepnicë, duke theksuar se Shtëpia e Kulturës atje do të shpallet shtëpi muze, për nder të Flakës së Janarit dhe aktiviteteve, e cila u vazhdua në Mejtepin e Bresalcit në Galeri Restorantin “Apollonia” që në atë kohë ka qenë për festival e këto objekte do të trajtohen në mënyrë shtetërore, transmeton Koha.net.

Me mirënjohjen “Post Mortum” është nderuar Abdylhakim Ismaili, që ishte sponsor kryesor i këngës popullore dhe festivalit.

Në Festivalin e Muzikës Popullore janë paraqitur solistët këngëtarët garues: Naser Beqiri, Kadrie Karaliti, Greta Azizi, Herolinda Bucaliu – Bajrami, Granit Ismajli, Urim Salihu, Laureatë Guta, Rafete Abazi, Bashkim Halimi, Besa Krasniqi, Besiana Shkodra, Mallëngjim Bajrami. Aranzhimet: Burhan Azizi, Dëfrim Behluli, Flamur Bucaliu. Udhëheqës artistik: Burhan Azizi, dirigjent Flamur Bucaliu, orkestra Murat Ismajli, Bekim Rexhepaj, Burhan Azizi, Avdi Latifi, Arsim Mustafa, Blerina Avdyli, Njomëza Krasniqi, Argëtim Bajrami, Arzije Jusufi, Genta Ahmeti, Premtim Shabani, Naim Salihu, Afrim Leka, Rexhat Beqiri, Arsim Baftiu. Këngëtarët mysafirë: Merita Bunjaku, Edona Morina, Qemajl Musliu, Nehat Ferati, Remzi Leka, Afrim Haziri, Adnan Leka, Ansambli Gjilani. Kori: Fisnik Beluli, Besir Raqipi, Fëllënza Arifi, Kaltrina Hajdari, Rina Kurteshi. Grupi Punues: Murat Ismajli, Bekim Rexhepaj, Diana Toska. Organizim Nehat Ferati.

Fillimisht është paraqitur fituesja e edicionit të kaluar Ylberinë Avdyli, kurse juria në përbërje: Linda Hakaj, Valton Beqiri dhe Nazim Gagica kanë përzgjedhur tri vendet e para.

Vendi i tretë shkoi për Besa Krasniqin, vendi i dytë për Greta Azizin dhe vendi i parë për Urim Salihun me këngën “Unë biri yt Kosovë”./ KultPlus.com