Shengyl Ismaili: Aktrimin e kam jetë, muzikën e kam frymë

Xhemile Hysenaj

Arti gjithmonë ka gjetur rrugën e tij, që përmes figurave të shumta, të pasqyroj realitetin, revoltën e të përçoj emcione tek një numër i madh i njerëzve. E kështu ka ndodhur edhe me Shengyl Ismailin, një artiste përmes së cilës arti frymon e jetësohet përmes secilës performancë të saj. Ajo, një artiste mëse e kompletuar, ka rrëfyer për KultPlus rreth jetës së saj si nënë, si grua e si aktore që zhvillon jetën e karrierën në një vend të vogël si Kosova.

‘Artin e kam dashur gjithmonë, muzikën, filmin e teatrin. Kur e kam vizitu teatrin dhe kam ndjerë lakmi tek i shihja aktorët gjatë performancës së tyre, mu aty e kam kuptuar se kjo është ajo që unë dua të bëjë. Ka qenë shumë e vështirë me arrit sukses, sidomos kur të gjitha i mbërrin vetë. Te unë nuk ekziston termi ”me t’njofshëm’, pa modesti më duhet të them që gjithçka e kam mbërri vetë, kam punuar shumë’, fillon rrëfimin e saj Shengyli.

Shengyli është mjaft aktive në skenën artistike, ajo xhiron filma, është pjesë e ansamblit të teatrit, ka një rol në një serial komik vendor si dhe menagjon një biznes. Ajo, një grua që vazhdimisht të përthekon me një energji pozitive ka treguar për KultPlus se është një person që i pëlqejnë shumë sfidat, pasiqë si një person që posedon një karakter luftarak nuk i preferon punët e lehta.

Edhe pse tashmë me një famë e sukses të merituar, Shengyli pohon se akoma vazhdon të marrë pjesë në audicione të ndryshme. Ajo, karrierën e saj teatrale e ka filluar në skenën e Teatrit Dodona, për të cilin flet me shumë nostalgji.

‘Dodona ka vdekë, nuk është më Dodona që ka qenë prej kur nuk është Faruk Begolli, asgjë nuk funksionon’

Ajo poashtu tregon se me artistin e madh, Faruk Begolli, ka luajtur në dy shfaqje. ‘Nuk mundet me qenë edhe një Faruk, ka qenë një dhe mbetet vetëm një. Ai ka qenë shumë i hapur, shumë i afërt e në të njejtën kohë edhe shumë i rreptë. Këto kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë edhe arsyet pse unë atë e adhuroj, te ai puna ka qenë punë, hajgarja ka qenë hajgare. Ka pasur hierarki, që sot, ky raport mes profesorave e nxënësve nuk ekziston, jo tek të gjithë sigurisht’, vazhdon tutje rrëfimin e saj Shengyli.

Të qenit një artiste kurrë nuk është e lehtë, është dashuria dhe vullneti i madh për artin që artistin e shtyjnë drejt realizmit të artit të tyre. Edhe pse Shengyli e konsideron si një profesion shumë të vështirë, ajo me këmbënguljen më të madhe tregon se nuk do të heq dorë kurrë nga aktrimi, për asnjë arsye në botë.

Për KultPlus ka treguar njërën ndër sfidat më të mëdha për të në skenën e teatrit. Bëhet fjalë për rolin e një plake të verbër dhe të palëvishme në shfaqjen ‘Fundloja e Beketit’.

‘Në vepër shkruante që aktroja mban syza, unë nuk kam dashtë syze, kam zgjedhë me i mbajtë sytë hapun 1 orë e 20 minuta. Kam punuar shumë për këtë rol, jo vetëm në prova por edhe në shtëpi. Ka qenë një moment, ndoshta 20 minutëshi i parë i shfaqjes, aty e kam kuptuar se çka do të thotë të jesh e palëvizshme, dicka që nuk do t’ia uroja as armikut. Kam ndje drithërima në trup dhe nuk kam mujtë me lëvizë as me folë, kjo gjendje ka zgjatur dikund rreth 2 minuta dhe sigurisht se publiku nuk e ka hetu, në anën tjetër regjisor bënte me duar e kolegu që më fliste tek veshi duke menduar se e kam harruar tekstin. Ato kanë qenë dy minutat më të gjata për krejt këto vjet… Nuk e harroj kurrë, krejt publiku është çu në kambë sepse ka qenë një moment kur unë rrëzohem nga karroca’, tregon tutje me nostalgji Shengyli.

Ndër rolet e Shengylit që bëri bujë më së shumti ishte ai në filmin ‘Shpia e Agës’, një film që mori pjesë në më shumë se 35 festivale ndërkombëtare ku ishte edhe fitues i shumë çmimeve. Te ‘Shpia e Agës’, Shengyli është në rolin e një gruaje që ka qenë viktimë e përdhunimit gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku si rezultat i kësaj ka edhe një fëmijë. Ajo tregon se këtë rol e ka bartur me një përgjegjësi shumë të madhe.

‘Ka qenë një fije floku që e ka ndarë roln tim nga një ofendim potencial ndaj viktimave të dhunës seksuale, kam pasur shumë frikë pasi e kam ditë se ato zonja kanë me qenë prezente në premierën e filmit, ka qenë një rol tejet sfidues’, tregon Shengyli për KultPlus.

Poashtu, përsa i përket roleve që mund të ngjallin debate tek publiku, vlen të përmendet edhe shfaqja ‘Bordel Balkan’ e regjisorit Urban Andras dhe nën skenarin e Jeton Nezirajt, ku ndër aktorët që luajtën në këtë shfaqje bënte pjesë edhe Shengyli. ‘Bordel Balkan’ konsiderohet një shfaqje që nxiti shumë debat duke u konsideruar një shfaqje provokuese. Mirëpo, Shengyli nuk e konsideron të tillë, ajo e quan një shfaqje që flet të vërtetën. Sipas saj, kjo shfaqje ka trajtuar tema që shumë shpesh nuk na pëlqen të i dëgjojmë pasi shumë shpesh nuk kemi dëshirë të ballafaqohemi me të vërtetën. Ajo, poashtu, për KultPlus ka treguar se kjo shfaqje ka qenë edhe prej shfaqjeve më të rrezikshme në të cilën ka luajtur. ‘Kemi qenë vazhdimisht të kërcënuar dhe saherë është shfaqur gjithmonë në publik ka pasur policë civil të cilët paraprakisht çdoherë e kontrollonin sallën. Pastaj, shfaqja ka qenë e përfolur edhe për vulgaritet, por unë jam një aktorë që edhe kur ndodhë të refuzojë ndonjë rol, nuk ka të bëjë me zhveshjen por komplet për arsye të tjera, cilatdo qofshin ato’, potencon Shengyli.

Gjatë periudhës dy mujore që Kosova qëndroi në karantinë, Shengyli dhe djali i saj Lumi, një dyshe fantastike që na argëtuan mjaft shumë me video-këngët e tyre, ku ndër të tjera, talenti i Shengylit për muzikë doli edhe më shumë në pah. Shengyli e cila flet me shumë krenari për sukseset e Lumit, tregon se ai është shumë modest edhe pse ka qenë pjesë e filmit të nominuar për Oscar në moshë shumë të re, një gjë kjo që Shengyli e konsideron ta ketë përjetuar me një emocion të papërshkrueshëm. ‘Kam qajtë e kam qeshë në të njëjtën kohë’, tregon ajo me një emocion të pashoq.

Ndër të tjera, Shengyli ka treguar se e ka në plan që edhe të inçizoj ndonjë këngë, ndonjëherë. Jo për të filluar karrierë në muzikë por vetëm për faktin se edhe muzikën e konsideron pjesë të pandashme të saj. Apo siç thotë ajo: Aktrimin e kam jetë, muzikën e kam frymë.

https://www.facebook.com/shengyl.ismaili/videos/694148371349848/

‘Thuhet se aktorët e kanë jetën më të shkurtë, pasi përgjegjësia është shumë e madhe. Unë një shfaqje e luaj ndoshta 30-të apo 40-të herë dhe saherë që luhet kjo shfaqje për shumicën e publikut është premierë, aty secili paguan për të parë shfaqjen dhe publikut nuk i intereson njëse një ditë ti nuk je mirë emocionalisht apo nuk ndihesh e gatshme për të luajtur. Kam pasur raste kur kam qenë në gjendje të tmerrshme, por ia kam dalë’

Shumë shpesh në Kosovë dhe jo vetëm, profesionit i aktrimit keqkuptohet nga një pjesë e shoqërisë, e në vendet me zhvillim të ulët kulturor kjo fatkeqësisht ndodhë në një masë shumë të theksuar, e sidomos kur pas këtij profesioni është një grua. 

‘Trupa teatrale apo komuniteti artistik mund të them që është pjesa më e moralshme e shoqërisë, ne aty jemi si një familje. Kjo është shumë e vështirë të kuptohet nga shumica e njerëzve, pasi ne artistët si natyrë jemi më të hapur. Roli i artistit do të thotë shumë, sidomos në Kosovë. është shumë vështirë me qenë artistë, por artisti është ai që po i hap dyrtë në botë sepse vetëm kështu bota po na njeh dhe po e din se në Kosovën e vogël ka shumë më shumë’, deklaron Shengyli për KultPlus.

Pjesën më të mirë të aktrimit, Shengyli e konsideron të jetë fakti se mund të vësh vetveten në lëkurën e secilit, sipas saj, brenda një viti mund të jesh një lypsare, apo një e dashuruar, një grua e keqe apo e mirë. Ajo flet për aktrimin me një pasion të madh, me një krenari që i ngjall një shkëlqim të madh në sytë e saj. Për të gjithë artistët e ri ajo potencon se për të arritur sukses duhet që së pari ta duan shumë atë çfarë e bëjnë dhe t’i përkushtohen jashtëzakonisht shumë.

Fotoja e ballinës nga Shenoll Zehri. / KultPlus.com

Sonte nuk mbahet repriza e shfaqjes “Bordel Ballkan”

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës sonte duke filluar nga ora 20:00 ishte paraparë që të jepet repriza e shfaqjes “Bordel Ballkan”. Mirëpo, ky institucion ka njoftuar se repriza e kësaj shfaqje nuk do të mbahet duke kërkuar kështu mirëkuptim edhe nga publiku, shkruan KultPlus.

“Për arsye shëndetësore të një aktorës, ju njoftojmë se sonte me datë 12.01.2019 shfaqja “Bordel Ballkan” nuk do të mbahet”, shkruhet në njoftimin e dërguar nga TKK-ja.

‘Bordel Ballkan’ është bazuar në dramën e Eskilit “Orestia”. E zhvendosur në një kontekst të ri ballkanik – ‘Bordel Ballkan’ flet për një lloj çoroditjeje morale e shpirtërore, nga i cili vuajmë në këto anë. Drama shpërfaq një lloj besimi të rremë, të cilin ia veshim vetes si një rrobe e vjetër, e pas së cilës fshihemi, si duke dashur të tregojmë që ne jemi zotët e fatit tonë, që ne jemi qenie të vetëdijshme. E përkundrazi, kjo dramë, në tërësinë e saj, na dëshmon të kundërtën: që në neve gjendet një kod i thellë shkatërrimtar, për të cilin ne, kokëfortësish, nuk jemi të vetëdijshëm. Autor: Jeton Neziraj, Regjisor: András Urbán./ KultPlus.com

“Bordel Ballkan” vlerësohet pozitivisht në Sarajevë

Teatri Kombëtar i Kosovës ka bërë mirë që ka hyrë në borxh për të mos i dështuar prezantimi në festivalin ndërkombëtar të teatrit “MESS” në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës.

Kjo pasi shfaqja me të cilën Kosova u prezantua në këtë festival, “Bordel Ballkan”, u prit mjaft mirë nga audienca atje.

Këtë e ka bërë të ditur regjisori boshnjak, Dino Mustafiq, i cili ka thënë se shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt e regji të András Urbánit ngazëlleu masën në Sarajevë me ritmin e saj të çmendur.

“Me ngazëllim nën ritmin e çmendur, aktorët nga Prishtina realizuan shfaqjen ‘Bordel Ballkan’ drejtuar nga Andras Urban, me tekst të Jeton Nezirajt. Ishte një punk ballkanik në skenë, energji të njohura dhe fanatizëm skenik të aktorëve shqiptarë. Është mirë t’i shohësh dhe të punosh me ta”, tha Mustafiqi në një postim në Twitter, raporton Koha.net.

Teatri Kombëtar hyn në borxh për ta dërguar “Bordel Ballkanin” në Sarajevë

Teatri Kombëtar i Kosovës është detyruar të hyjë në borxh për të mos i dështuar prezantimi në festivalin ndërkombëtar të teatrit “MESS” në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës.

Një ditë pas afatit, menaxhmenti i TKK-së, pasi i ka huazuar mjetet për të mbuluar shpenzimet e vizave e të sigurimeve shëndetësore të ekipit, e ka nënshkruar kontratën me organizatorët e festivalit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Me shfaqjen “Bordel Ballkan”, ky institucion do të prezantohet në “MESS”, por kjo pjesëmarrje u rrezikua në mungesë të 1 mijë e 300 eurove, sa i duheshin fillimisht, e të cilat nuk janë bartur nga ana e Ministrisë së Kulturës.

Kontrata me organizatorët ka qenë dashur të nënshkruhej të hënën, por një gjë e tillë ka ndodhur tek të martën.

Milot Mustafa, ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të TKK-së, ka konfirmuar se të martën e ka nënshkruar kontratën me festivalin, përderisa hyrja në borxh ka qenë “zgjidhja” për të mos hequr dorë nga prezantimi në festival.

“Organizatori në TKK, Beqir Beqiri, sot (e mërkurë) do të udhëtojë drejt Shkupit për viza. Menaxhmenti kishte anuluar terminin e katërt me radhë të caktuar në Ambasadën e Bosnjë-Hercegovinës në Shkup për vizat e ekipit prej mbi 30 vetash, që planifikohet të udhëtojë drejt Sarajevës muajin që vjen.

“Ai do të shkojë për viza. Dhe pastaj do të shohim mundësitë sesi t’i kthejmë paratë e marra borxh”, ka thënë Mustafa.

Shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt e regji të András Urbán u rrezikua të mos prezantohej atje për shkak të bllokadës financiare…/ KultPlus.com

Gjobë për aktorin që dështoi reprizën e “Bordel Ballkanit”

Teatri Kombëtar i Kosovës ka vendosur që aktori Armend Baloku të gjobitet me 444 euro.

Ky është vendimi që ka marrë drejtori i përgjithshëm i TKK-së, Agim Sopi, pasi Baloku në shenjë proteste nuk ka marrë pjesë në reprizën e shfaqjes “Bordel Ballkan” të martën mbrëma. Pas mungesës së tij, institucioni është detyruar ta anulojë dhënien e shfaqjes.

Vendimi i drejtorit Agim Sopi i është dërguar Ministrisë së Kulturës të mërkurën. Ky veprim i Sopit bazohet në Rregulloren për stimulimin dhe përgjegjësitë e ansamblit rezident të TKK-së. Por gjoba është e papranueshme për aktorin Baloku dhe sipas tij, drejtori i përgjithshëm, Agim Sopi, dhe udhëheqësi artistik Agon Myftari nuk janë njerëz të denjë për ta udhëhequr Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Drejtori Agim Sopi ka thënë se në bazë të Rregullores, aktori që nuk vjen në reprizë të shfaqjes pa arsye detyrohet të paguajë gjysmën e biletave, në rastin e dytë, të gjitha biletat dhe në rastin e tretë i ndërpritet kontrata e punës. “Pasi salla e TKK-së ka 296 karrige, Baloku do t’i paguajë gjysmën e biletave, që i bie për 148 karrige nga tri euro, që i bie 444 euro”, ka thënë Sopi, shkruan KohaDitore./ KultPlus.com

Anulohet shfaqja “Bordel Ballkan”, kthehen mbrapa rreth 400 shikues

Shfaqja “Bordel Ballkan”, njëra prej më të shikuarave në Teatrin Kombëtar të Kosovës, është anuluar të martën, 20 minuta para kohës kur është dashur të niste.

Këtë veprim TKK-ja e ka ndërmarrë pasi aktori Armend ka refuzuar të marrë pjesë në shfaqje në shenjë proteste për pakënaqësitë e tij ndaj institucionit ku punon, TKK-së. Kësisoj TKK-ja nuk ka hapur dyert për ata që kanë rezervuar mbi 100 bileta dhe të tjerët që kanë lënë t’i presin biletat pak para se të niste shfaqja.

“Me përgjegjësi mund të them se rreth 400 veta janë kthyer mbrapa sonte. Kjo është njëra prej shfaqjeve më të shikuara në TKK dhe sonte kanë ardhur shumë njerëz pasi ka kohë që nuk është dhënë ‘Bordel Ballkan’”, ka thënë organizatori i TKK-së, Beqir Beqiri. Në mbrëmjen e së martës drejtori i përgjithshëm dhe udhëheqësi artistik nuk u janë përgjigjur thirrjeve telefonike të gazetës.

Aktori Armend Baloku ka refuzuar të luajë duke përdorur si shkas disa akuza sipërfaqësore për udhëheqësit e TKK-së. Këtë e ka bërë nëpërmjet rrjetit social “Facebook”.

“Në shenjë proteste sonte nuk do të interpretoj në shfaqjen ‘Bordel Ballkan’”, ka shkruar ai në profilin e tij. Aty ka shkruar se ka kohë që ka reaguar përbrenda institucionit, lidhur me nivelin e ulët, qoftë të organizimit nga ana e menaxhmentit, qoftë nga ana artistike e, sipas tij, fatkeqësisht asgjë nuk ka ndryshuar.

Akuza brenda stafit të TKK-së shpërthyen javën e kaluar midis drejtorit të përgjithshëm, Agim Sopi dhe Këshillit Drejtues, që nisën në lidhje me programin e këtij viti, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com