Papa Françesku: Gruaja nuk është për të larë enët

Gruaja është ajo që jep harmoni dhe kuptim për planetin. Kjo ishte pjesa më goditëse e një predikimi nga Papa Françesku.

Papa tha se gruaja sjell një pasuri që mashkulli nuk e gjen në botë, gruaja sjell harmoni në Krijim. Qëllimi i saj nuk është që të lajë enët, por është ta bëjë botën më të bukur duke e mbushur me dashuri dhe butësi.

Papa Françesku u shpreh se e jona është një shoqëri me një qëndrim të fortë mashkullor dhe se, shpesh, kur bëhet fjalë për femrat, ato lidhen vetëm me detyrat që duhet të përmbushin në shtëpi, pa marrë në konsideratë që gruaja, në racën njerëzore, kryen një mision që shkon shumë më tej dhe që mashkulli nuk mund ta bëjë kurrë.

“Burri dhe gruaja nuk janë të barabartë, nuk janë më superior se njëri-tjetri, jo. Gruaja sjell harmoni që na mëson të ushqejmë dashuri dhe butësi, dhe që e bën botën një gjë të bukur”, tha Papa.

Në reflektimin e tij, Papa foli për figurën dhe rolin e femrës duke filluar nga Krijimi i transmetuar në librin e Zanafillës.

“Gruaja është harmoni, është poezi, është bukuria!”, tha ai.

Çfarë mendoni për fjalët e Papa Françeskut? Lini një koment dhe postojeni në Facebook mesazhin e tij të fortë, në mënyrë që miqtë tuaj të mund të ndjejnë reflektimin e tij të mrekullueshëm. / KultPlus.com

Doni tangërllik, zhurmë, silikon, shampanjë, muzikë të shëmtuar që s’dëgjohet kund veç në plazhet ku veni ju

Nga Edlira Gjoni

Shumë mllef për Dhërmiun e për Jugun sot. E ka bërë ashtu klientela e Havanës. Kam një jetë që pushimet i njoh si sinonim të Jugut. Nuk e ndërroj shtëpinë e plazhin. Thjesht mërzitem se prej 10 vitesh, e sillni Bllokun në Jug, e ankoheni për çmimet, sigurinë, sjelljen, kushtet, papajtueshmërinë tuaj me ç’ndodh aty. E çfarë ndodh? Ajo që sillni vetë: llum social e mendor.
Nuk e di sa vite ka Havana që është hapur. Nuk kam shkelur kurrë aty. Nuk kam çuar dëm asnjë lek!

As në Drimadhes nuk shkoj, sikundër kam ndërprerë vajtjet në Jalë apo Llaman. Me trishtim, kur mendoj se në 2008-ën, në 10 ditë plazh Gushti në Llaman, ishim vetëm një grusht njerëzish, që donin mbi të gjitha, qetësinë. Sot kjo është fjalë e huaj. Qetësia nuk njihet si term pushimi në mendjet e çuditshme Jug-shkuese.

Doni tangërllik, zhurmë, silikon, shampanjë, muzikë të shëmtuar që s’dëgjohet kund veç në plazhet ku veni ju, doni sherr, paradë e selfi ashtu kokë-bosh si jeni, edhe ankoheni të pataksur: E ka fajin Jugu!

Asnjë faj s’ka Jugu. Pasqyra juaj është. Çfarë ndodh në kohë pushimesh, e keni transferuar ju vetë aty. Asnjë vendas nuk hyn te Havana. Ju hyni. Ju që lëvizni grup: bashkë në Bllok, bashkë edhe në Jug!

Iu duket situata e shëmtuar në të gjitha elementet? Nuk e ka fajin pasqyra! Jugun e bëni ju për këto dy muaj. Pjesën tjetër të vitit, është zonë pa ngjarje, si në çdo cep të harruar të Shqipërisë!

Më tremb një njeri që gjuajti në Havana, por ama, më shokon fakti që hyni turmë aty. Është mënyrë “pushimi” që nuk shpjegohet dot. Logjika fikur!

Atë jetë lëvdoni, ato ngjarje do shihni: Degjenerim që juve ju duket “klas” në Drimadhes, Llaman e Jalë.
As mos hajdeni më hiç! Na duhen pushues, jo specie të çuditshme tangërlliku e zhurme si klientela që shani vetë.
Jugu duhet për detin, ju e doni për të shitur mend.
Nder na bëni po u mërzitët shumë e nuk shkoni më! Nder!

Tifozët nga Kroacia festojnë me shqiponjë

Kombëtarja e Kroacisë ka siguruar gjysmëfinalen në Kupën e Botës “Rusi 2018”. Ekipi kombëtar kroat mposhti pas penalltive Rusinë.

Tifozët kroatë që ishin jashtë vendit të tyre, përkatësisht në Gjermani (në Koln), festuan me shqiponjën fitoren e mbrëmshme.

Në këtë turne, simboli i shqiponjës është bërë trend për shkak të festës që bënë yjet kosovarë, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.

Pajtimi i gjaqeve në fotografitë e nostalgjisë

Pajtimi i Gjaqeve në Kosovë konsiderohet si një prej periudhave më të bardha të historisë shqiptare.

Hasmëritë disavjeçare morën fund me një procedurë të tillë ku u desh të përzihej dashuria, dhembshuria, solidariteti dhe mbijetesa.

Dikush fali gjakun e babait, dikush të të birit e dikush të vëllait. Shumë nga ata që falën, thonë se vepruan mirë që e ndërprenë hasmërinë, shkruan KultPlus.

Më 2 shkurt 1990 me nismën e Anton Çetës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit.

Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë. / KultPlus.com

Mjalt’fest në Dhërmi, pushuesit e huaj njihen me shijen shqiptare

Panairi i kulinarisë, Mjalt’fest, për disa mbrëmje me radhë u shijua nga pushues të shumtë të huaj, në pedonalen e re të bregut të Dhërmiut.

I organizuar në kuadrin e ciklit të festave të traditës që zhvillohen këtë sezon veror në të gjitha zonat turistike, panari i mjaltit bio të zonës së Himarës, ju shtoi pushuesve shijen shqiptare të ushqimit, dhe shërbeu si aktivitet alternativ i mbrëmjes për pushuesit rezident.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi i pranishëm në aktivitet deklaroi se festat lokale, do të vijojnë përgjatë gjithë bregut me produktin tipik: peshkun, vajin e ullirit, nënproduktet bujqësore, embëlsirat tradicionale, glikotë, verën, punimet tradicionale artizanale etj..

”Duhet të përmbushim pritshmërinë e pushuesve të huaj për Shqipërinë”, deklaroi ministri Klosi, duke shtuar se, Himara ashtu si gjithë Shqipëria po vuan paradoksin e kërkesës së lartë për akomodim dhe mungesës së strukturave akomoduese, për të cilën janë hartuar me shpejtësi gjithë politikat lehtësuese për plotësimin e kërkesës.

Ministri Klosi shtoi se për të plotësuar shijen karakteristike shqiptare, janë ndërrmarrë një sërë projektesh për këtë sezon, nga SmileAlbania, projekti i 1000 të rinjve për mikpritjen turistike dhe ndërgjegjësimin mjedisor, tek organizimi i festave tê traditës, festave të muzikës, organizimeve të argëtimit.

Duhet të angazhohemi të gjithë për të përmbushur pritshmëritë e pushuesve në Shqipëri, deklaroi Klosi, duke përfunduar se ky sezon është sezoni do të vendosë ecurinë drejt turizmit të qëndrueshëm dhe turizmit që do të prodhojë më shumë të ardhura, mirëqenie dhe punësim për shqiptarët.

“Sa më shumë vlerë t’ i shtojmë, aq më shumë të ardhura do të sjellë kjo industri për gjithë shqiptarët”, deklaroi Klosi.

Në Mjalt’Fest u organizuan aktivitete të ndryshme, u bë ceremonia e provimit live të cilësisë së mjaltit të prodhuar në disa zona, për të cilën u ndanë edhe certifikatat respektive.

Një kryq i madh gati 5 metra vendoset midis Mitrovicës dhe Zveçanit

Në kodrinën e dytë më të madhe në mes të Mitrovicës dhe Zveçanit është vendosur një kryq i madh.

Ky kryq i lartë 4.6 metra dhe gjerësi 3.1 metër është vendosur në majë të kësaj kodrine, shkruan Novosti, përcjell Klan Kosova.

“Ky kryq duhet të jetë paralajmërim që të ruhet toka jonë e shenjtë e Kosovës dhe Metohisë, tokë që s’e kemi blerë por që e kemi trashëguar nga shenjtorët tanë dhe kemi për detyrim që ta ruajmë dhe ta trashëgojmë te brezat e ardhshëm”, ka thënë peshkopi serb, Rashko.

“Kryqi i shenjtë është armë e pathyeshme të cilën e përqafojmë dhe ruajmë kundër të gjithë armiqve të dukshëm dhe të padukshëm”, ka thënë ai, gjatë vënies së kryqit në bjeshkët e Zveçanit.

Investimet, promovimi dhe koncepti i ri në Berat kanë katërfishuar numrin e vizitorëve në këtë qytet

Ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro, kryetari i Bashkise së Prizrenit, Mytaher Haskuka, Nënkryetari i bashkisë së Amasya, Turqi, Osman Akbas, bashki me të cilat qyteti i Beratit është binjakëzuar, kan marrë pjesë sot në konferencën që është zhvilluar me rastin e 10 vjetorit të përfshirjes së qytetit në UNESCO. Drejtues të institucioneve të trashëgimisë, artit dhe kulturës, referuan rreth arritjeve, sfidave dhe projekteve për të ardhmen për qytetin që sot shënon 10 vite në përfshirjen e listës së pasurisë së njerëzimit, UNESCO.

Erjola Azizolli

“Katër herë më shumë vizitorë e kanë vizituar këtë qytet nga viti 2013 deri me sot dhe kjo ka ardhur si pasojë e një promovimi më të mirë, investimeve dhe një konceptimi krejtësisht të ri të muzuemeve, institucioneve të artit, kulturës dhe trashëgimisë. Berati dhe Gjirokastra janë dy krenari kombëtare, të cilat kanë pasaporta kombëtare, të ruajtjes nga UNESCO. Katër herë më shumë investime janë dhënë për Beratin në vitin 2018, është fuqizuar buxheti publik, projektet e fushës së trashëgimisë kanë tërhequr vëmendjen e investitorëve strategjik, ligji i ri i trashëgimisë kulturore, të gjitha këto kanë bërë që qyteti të jetë shumë herë më i vizituar. Vetem Banka Botërore me një investim prej 71 milionë dollare po ndërhyn në katër qytete të Shqipërisë, një prej të cilëve është qyteti i Beratit. Qyteti i Beratit është gjithashtu përfitues i projektit për restaurimin e objekteve të besimit, ku brenda këtij viti do te restaurohen tre objekte kulti”, kështu u shpreh gjatë konceferencës së zhvilluar sot në qytetin muze, ku u kujtua 8 Korriku i 10 viteve më parë, ku ky qytet u bë pjesë e listës së pasurisë së njerëzimit.

Gjithashtu në këtë konfencëppPërshëndetën dhe kryetari i bashkisë së Beratit, Petrit Sinaj, Kryetari i Bashkisë së Prizrenit dhe nënkryetari i bashkisë turke, të cilët folën mbi strategjitë e zhvillimit të bashkive që drejtojnë fokusuar në çështjet e turizmit.

Eugen Kallfani, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Berat, foli më pas në lidhje me rolin që ka kjo drejtori në raport me UNESCO-n, sfidat, arritjet dhe problematikat. Ndërsa, Marius Qytyku, Specialistë i Trashëgimisë Kulturore, foli mbi raportin UNESCO dhe menaxhimi i trashëgimisë kulturore në Berat.

“Historia e një qyteti në rrugën drejt Trashëgimisë Botërore të UNESCOS”, rasti i Amasya, erdhi më pas e prezantuar për pjesëmarrësit. Më pas përfaqësuesja e Bashkisë së Prizrenit, Krenare Koqi, shefe kabineti pranë komunës së Prizrenit prezantoi materialin “Menaxhimi i trashëgimisë kulturore”.

Në lidhje me eventet kulturore në qytetet historike, foli Julia Sinanaj, drejtore e Organizatës “Njerëz dhe ide”, ndërsa “historia e muzeologjisë, organizimi dhe mënyrat e menaxhimit”, u referua nga Ariola Prifti.

Pas konferencës Ministria Kumbaro, gjatë një deklarate për mediat u shpreh dhe në lidhje me çështjen e teatrit kombëtar, protestat e artistëve të mbështetura nga qytetarët.
“Teatri kombëtar është një proçes që ka filluar prej kohësh, do të nisim në dy paralele, dy punë. Pas miratimit nga parlamenti javën e kaluar të ligjit proçedurial që përcakton rregullat e fillit të një negociate, do të ecim me atë çka parashikon ligji, ngritjen e komisionit dhe të tjera etapa administrative, ndërkohë që nga ana tjetër përfitojë nga rasti që tju kujtojë hapjen e një qendre të re skenike në Tiranë, “Turbina”, me kushte skenike që besojë për të parën herë i kemi në kryeqytet, e cila krijon mjedise shumë të përshtatshme pune, por dhe krijimtarie për trupën e teatrit kombëtar, por dhe trupa të tjera komëbtare, duke theksuar që nuk mund të jetë ai teatri kombëtar i përhershëm, është një qendër e re skenike në tiranë me shumë dimesione, që do të strehojë përkohësisht teatrin kombëtar deri sa të kryehen proçedurat dhe të shkojnë drejt realizimit të një projekti të ri për një teatër të ri kombëtar që patjetër do ta quajmë teatri i së ardhmes” tha ajo.

Nga ana tjetër në lidhje me protestat e artistëve, regjizorëve, shoqërisë civile dhe qytetarëve ministria Kumbaro, u shpreh se është e natyrshme që të ketë dhe zëra ndryshe, pasi jetojmë në demokraci.

“Jetojmë në një shoqëri demoktarike, dhe kemi të gjithë të drejtën të kemi mendim ndryshe dhe ashtu siç ka shumë artist, shumë regjizor, shumë qytetar që në mënyrë publike dhe të hapur, janë shprehur për nevojën dhe domosdoshmërinë por dhe kënaqësinë e një teatri rë ri kombëtar në Tiranë sikurse është kërkuar nga brezat, është po aq e natyrshme që të ketë dhe zëra, të cilët të kenë një mendim ndryshe. Jetojmë në një shoqëri të lirë dhe kjo besoj se është një nga gjërat më të rëndësishme dhe më të mira që ka demokracia”, tha ajo.

Artistët shqiptarë mund të bëhen pjesë e Festivalit të Filmit në Berlin

Një mundësi e mirë vjen kësisoj për artistët e Kosovës dhe Shqipërisë.

Programi Berlinale Talents në kuadër të Festivalit të Filmit në Berlin ka hapur aplikimin për edicionin e radhës.

Berlinale Talents fton aktorët, kritikët e filmit, regjisorët e rinj, producentët, skenaristët dhe kinematografët të aplikojnë për të qenë pjesë e programit në fjalë.

Programi ndihmon kinematografët e rinj që të zhvillohen me anë të ligjëratave dhe një programi të ngjeshur. Rreth 100 aplikantë nga tërë bota do të udhëtojnë për në Berlin në edicionin e radhës të Berlinales, nga 9-14 shkurt të vitit tjetër, shkruan KultPlus.

Data e fundit për aplikim është 3 shtator 2018 ndërsa në këtë aplikim lejohen edhe të interesuarit nga Kosova e Shqipëria. Në të kaluarën ka pasur disa emra shqiptarë në këtë program – Berlinale Talents (Talentet e Berlinales), përfshirë Florist Bajgorën, Zgjim Terziqin, Ariel Shaban, Blerta Basholli, Dukagjin Podrimaj, Ilir Gjocaj, Visar Krusha, Fatmir Gosha, Tristan Halilaj, Iris Elezi, Florenc Papas, Gentian Koçi e artistë tjerë.

Për më shumë detaje duhet të klikoni në këtë link me të dhënat në gjuhën angleze. / KultPlus.com

Lasgush Poradeci: 10 vitet e mia në Graz, në shtëpinë e zonjës Elisabet Pichler

Shkruan: Marie Poradeci

Poeti i kulluar Lasgush Poradeci ka një stacion shumë të rëndësishëm në jetën e tij, periudhën e studimeve të tij në Graz të Austrisë. Shtëpia që duket në foto është pikërisht shtëpia, ku Lasgushi ka jetuar gjatë periudhës së studimeve. Plot 10 vite të jetës së tij.

Siç shpjegon Marie Poradeci, vajza e poetit, dritarja që duket në foto është pikërisht dritarja e dhomës ku flinte e studionte Lasgushi. Maria e ka publikuar këto ditë foton e shtëpisë në Graz, bashkë më një propozim që i ka bërë një miku i saj.

Maria shkruan: “Para disa ditësh kur publikova shkrimin “Bisedë me babanë tim Lasgushin”, miku im Resul Jusufi i cili ndodhej në Graz, kish bërë një foto shtëpisë ku Lasgushi ka ndenjur me qira për rreth 10 vjet, të cilën ma dërgoi dhe e falenderoj. Dhe pikërisht dritarja që duket, është dhoma ku rrinte Lasgushi. Miku im Resul Jusufi më propozoi diçka shumë interesante që te kjo godinë në Graz të mund të vihet një pllakat ku të shkruhet: “Këtu, në vitet 1924-1933, ka banuar POETI I MADH SHQIPTAR LASGUSH PORADECI, i cili kurorëzoi studimet e tij në Graz duke marrë titullin Doktor Profesor në Filologji”. M’u duk ide e mrekullueshme, po duhet të interesohemi për procedurën. Kush di diçka mund të na e thotë, e mirëpresim”.

Gjatë këtyre ditëve vajza e poetit Maria ka bërë një varg bisedash dhe thotë se për të finalizuar këtë ide, ka gjetur mes të tjerash edhe mbështetjen e studiuesit Auron Tare dhe ambasadorit Roland Bimo, i cili i ka dhënë gadishmërinë e tij për të ndihmuar me kontakte pranë autoriteteve të Grazit, gjatë muajit shtator.

Për të mësuar më shumë për jetën e poetit Lasgush Poradeci në këtë shtëpi të bukur në Graz po sjellim poshtë kujtimet e Maries me babanë e saj Lasgushin. (ad.pe)

Bisedë me babanë tim, Lasgushin

– Ishte e bukur Austria baba?

– Unë jam mrekulluar nga ai vend!

– Të bukura ishin gratë?

– Jo! Femrat austriake nuk ishin të bukura, po ato ishin nimfa.

– Po ti baba, pse nuk u martove me një austriake?

– Sepse unë doja të martohesha me një shqiptare, t’ia bëja këtë nder një femre shqiptare jo një femre të huaj.

– Më trego diçka për familjen ku ti ndenje me qira për gati 10 vjet.

– Universiteti i Grazit ishte më i madh se Universiteti i Vjenës dhe Grazi quhej Qyteti i Studentëve. E zonja e shtëpisë quhej Elisabet Pichler. Ajo ishte vejushë dhe kishte tre fëmijë, dy djem, Carolin dhe Richardin dhe një vajzë, Elfridën. I shoqi kish qenë nëndrejtor i operës së Grazit dhe kish vdekur shumë i ri. Banonin në një ndërtesë tre katërshe në rrugën Klosterëiesgasse nr 74, në katin e parë.

– Po si e gjete ti baba këtë shtëpi me qira për të banuar?

– Pothuajse të gjitha familjet e Grazit lëshonin dhoma me qira për studentët. Njoftimi botohej në gazetën e qytetit. P.sh “lëshohet dhomë me qira dhe me mëngjes të shërbyer në shtrat” ose ‘”lëshohet dhomë me qira dhe me këpucë të lustruara” ose “lëshohet dhomë me qira dhe me mëngjes dhe drekë” e kështu me radhë ndryshonte shërbimi ndryshonte edhe pagesa. Pashë lajmërimin dhe vajta të shikoj shtëpinë. Tek dera shkruhej “Scharfer Hund” (qen i egër). I rashë ziles. Derën ma hapi një zonjë rreth 40 vjeç. Mbasi u përshëndetëm (më parë ajo kish mbyllur qenin në një dhomë tjetër) e pashë dhomën dhe më pëlqeu shumë. Zonja e shtëpisë më tha: Ku e keni valixhen me rroba?

– Në hotel – iu përgjigja. Ajo vazhdoi: Meqenëse ora nuk ka shkuar akoma 12 e natës mund ta sillni sonte këtu, sepse pas orës 12 të natës fillon pagesa në hotel, unë mund t’iu pregatis edhe një darkë të ftohtë.

Ramë dakord me të zonjën e shtëpisë për gjithçka dhe kur po dilja ajo tha: Më falni ramë dakord, por unë nuk ju pyeta se çfarë kombësie jeni?

Shqiptar, zonjë e nderuar – ju përgjigja.

Djali i saj rreth 10 vjeç, që dëgjonte bisedën tonë bërtiti – Skanderbeg! Kurse ajo e tronditur tha: – Më falni nuk mund t’ju pranoj, kam pasur edhe shqiptarë të tjerë dhe kanë ikur pa më paguar. Unë u skuqa dhe u turpërova shumë. Duhej të vija në vend nderin e Shqipërisë. U përgjigja: – Do të ketë qëlluar ndonjë zonjë, se edhe grataçelat 100 katshe kanë cllosetin (ëc) e tyre. Po unë do të rri muajin e parë dhe në qoftë se nuk do t’ju pëlqejë unë do të largohem. Unë kam vetëm një kusht, kur të mos jem në Universitet jam në shtëpi dhe kur të mos jem në shtëpi jam në Universitet, në qoftë se kjo nuk ju pëlqen ma thoni.

“Jo, jo, ne tamam një djalë kështu duam, u përgjigj e zonja e shtëpisë”. Dhe mbas disa vjetësh kur festonim Krishtlindjen ajo i thoshte një shoqes së saj që kish ardhur për vizitë: “Sa turp më vjen përpara zotit Doktor që i kam thënë atëherë nuk ju pranoj, ky është kaq i mirë dhe korrekt sa na i kalon edhe ne gjermanëve”.

– E pra ti baba fillove të jetoje në shtëpi të tyre dhe të paguaje qiranë për dhomën tënde.

– Po në fillin unë paguaja qiranë vetëm për dhomën, por më vonë paguaja dhe për ushqimin dhe larjen, pra për gjithçka, u bëra si i shtëpisë. Frau Elsi, kështu e thërrisnin atë miqtë dhe të afërmit e saj, ishte një grua e shkëlqyer, një nikoqire e vyer. Ajo dhe shamitë e xhepit i arnonte! Shumë herë, kur nuk isha mirë me shëndet, qëllonte që ajo ma shërbente mëngjesin në shtrat. Gjithmonë më gjente duke lexuar. Akoma kujtoj zërin e saj kur thoshte: – Zoti im, ndonjë ditë kur të hy në dhomën tuaj nuk do t’ju gjej ju në shtrat, po do të shikoj që jeni transformuar në libër.

– Më trego diçka tjetër!

– Po ja një ditë dolëm me Zonjën Elisi për të bërë pazarin. Mbasi mbaruam dhe u kthyem në shtëpi ajo më tha: Për nesër nuk kemi më lek. Unë i çuditur i thashë: Po si do të bëni zonjë? Nuk do të hani nesër? Po si jo, biri im, nesër në orën 12, vjen në shtëpi pensioni. Dhe vërtet të nesërmen kur ne hanim drekë, tamam në orën 12 ra dera. Ajo më tha: Biri im shko shiko kush është! Te dera qëndronte postieri i cili sa më pa tha: Gut tagen bitte! Pension bitte! (Mirdita ju lutem! Pensioni ju lutem)

Dhe sa herë përsëriste këto fjalë nderonte me dorën mbi ballë. Më bëri shumë përshtypje sjellja e tij, dy herë të lutem.

– Po fakti që ajo ishte vejushë, ndikoi që kjo shtëpi të të pëlqente edhe më shumë?

– Ti kërkon të më ngacmosh, por unë do të të përgjigjem. Po ndikoi, sepse një grua me burrë e ka kohën shumë të impenjuar pas burrit të saj i cili në familje kërkon një angazhim të madh, jo më të madh se fëmijët, po të një lloji tjetër.

– Më trego diçka për fëmijët e saj? –

Po, ata ishin mjaft të edukuar. Nuk dëgjova kurrë të ziheshin në shtëpi. Kishin një respekt të jashtëzakonshëm për nënën e tyre. Djali i saj i madh Karoli ishte nga pikëpamjet politike socialist, kurse djali i saj i vogël Richardi, nazist. Kurrë nuk folën në shtëpi për politikë.

Më kujtohet një ditë për drekë hanim peshk. Zonja e shtëpisë më thotë: shiko, shiko, sa fisnik që është djali im Karoli. Ai nuk e ha peshkun, por bën sikur e ha. Nuk më thotë që nuk i pëlqen se nuk do të më mërzisë!

– Po ti bisedoje me ta, domethënë bënit muhabet?

– Po si jo! Po më shumë më pëlqente të ngacmoja Richardin, djalin e saj të vogël i cili ishte një shpirt romantik dhe e adhuronte racën gjermane. Për të ma bërë qejfin mua, njëherë bëri edhe një poezi ku thoshte: Ilir jam unë, Shkëmb, Si shkëmbi nga i cili kam dalë. Shumë e fortë, apo jo?

– E me çfarë e ngacmoje ti Richardin?

– Po ja! Zonja Elsi dhe fëmijët e saj ishin të gjithë brunë. Gjermanët thuajse janë të gjithë biondë dhe kjo gjë Richardit i pëlqente shumë. Një ditë i thoshte nënës së tij: Mama, mama, kush janë biondë? Dhe përgjigjej po vetë me krenari. Gjermanët! Gjermanët! Unë e dëgjova dhe i thashë: ist du blond Herr Richard? (Je ti biond zoti Richard?) Du bist schvarz ëie der Toefel ( Ti je i zi si djalli!). Është vëllai juaj biond? Ai është i zi si djalli! Është nëna juaj bionde? Ajo ka flokë të zeza të mrekullueshme! Ai zemërohej dhe dilte nga dhoma. Pas dy tri ditësh i thoshte nënës së tij (ajo më tregonte mua)

– Nuk mund të rri pa i folur këtij njeriu që është kaq i zgjuar dhe kaq i mirë. Dhe trokiste në dhomën time.

– Guten Tag Herr Doktor! (Mirdita zoti doktor!) Dhe unë duke qeshur i përgjigjesha: comt, comt Richard! (Hajde, hajde Richard!). Dhe vendosnim paqe.

Një herë tjetër i thoshte nënës së tij: Mama, mama, kush udhëtojnë në të gjithë botën? Dhe përgjigjej me krenari: Gjermanët! Gjermanët! Unë e dëgjova dhe i thashë: Ciganët, zoti Richard! Ai përsëri doli nga dhoma i zemëruar, por përsëri i tha nënës së tij se nuk rrinte dot pa më folur dhe përsëri erdhi trokiti në dhomën time dhe bëmë paqe.

– Mbasi ti baba mbarove studimet dhe u ktheve në atdhe a more vesh diçka se çfarë u bë me ta?

– Po. Elfrida vdiq shumë e re nga zemra e zmadhuar, Karoli u martua që kur isha unë atje, ndërsa Richardi u martua më vonë dhe a e di çfarë? Ai u bë me 3 vajza dhe të tria ishin bionde ashtu siç i pëlqente atij.

– Po nëna e tyre, zonja Elsi?

– Ajo vdiq shumë e re. Nuk do ta harroj për gjithë jetën. Sikur të më jepej mundësia dhe të dilja njëherë jashtë shtetit, dëshira ime e vetme është të vete tek varri i saj dhe ti vendos një tufë me lule.

Tani që babai im nuk është më fizikisht, jam e sigurt, se atje lart ata janë takuar dhe me siguri i kanë kujtuar edhe këto rreshta që lexuam më sipër, ndoshta edhe më shumë. Kush e di?

Shqiptarët në Mali të Zi përplasen me kreun e kishës ortodokse serbe

Banorët e zonës së Anës së Malit por edhe më gjerë kanë penguar paraditen e së dielës fizikisht rrugëtimin e Amfilohijes për në Kalanë e Shasit.

E gjitha kjo ndodhi pasi mitropoliti i kishës ortodokse serbe me numër të madh ndjekësish të tij, mbi 150 veta, me automjete tentuan të depërtojnë në mes të një gardhi fizik të banorëve.

Në pamundësi te ecjes, automjetet u ndalën dhe për një kohë të gjatë pati diskutime në mes Amfilohijes dhe banorëve.

“Nuk jeni të mirë se ardhur në këtë mënyrë. Këto objekte janë tonat, ne i kemi ruajtur dhe ne do tu ruajmë”, kështu iu drejtuan Amfilohijes banorët që kishin bllokuar rrugën, raporton televizioni Oranews.


Pas përplasjes të banorëve, policia lokale zhbllokoi rrugën për të kaluar ndjekësit e Kishës ortodokse serbe dhe u bllokua kalimi i banorëve vendas për në lokalitetin arkeologjik.

Mësimdhënësit zviceranë po i diskriminojnë nxënësit me prejardhje të huaj

Nxënësit me prejardhje migrimi janë më të lënë anësh nga mësimdhënësit zviceranë. Kjo ndodh për shkak se ata presin më pak rezultate nga këta fëmijë dhe adoleshentë. Një konstatim të tillë e dëshmon një studim i ri. Kryetari i Shoqatës së mësimdhënësve Zemp, i mbron kolegët e tij.

Mësimdhënësit diskriminojnë fëmijët e imigrantëve, sepse ata nuk presin rezultate të larta nga puna e tyre. Këtë e dëshmon një studim i ri nga Shkolla e Lartë Pedagogjike të Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Zvicrës Veri-Perëndimore: “Promovimi dhe vlerësimi i fëmijëve, për fat të keq, nuk bëhet në mënyrë neutrale ashtu siç duhet”, thotë profesori përgjegjës, Markus Nojenshvander, për “am NZZ Sonntag”, përcjell Albinfo.ch.

Sikurse në matematikë, po ashtu edhe në gjuhën gjermane rezultatet e pritura kanë qenë shumë të ulëta. Kjo është fatale pasi sjell në performancë më të dobët në mesin e nxënësve. Ata hyjnë në një rreth më të egër, ndërsa konfirmohen edhe paragjykimet. “Dallimet në performancën midis migrantëve dhe jomigrantëve bëhen gjithnjë e më të mëdha në rrjedhën e një karriere shkollore”, tha Neuenschëander.

Edukatorja Katharina Maag e konfirmon këtë dhe thotë: “Mësuesit duhet të përmirësohen. Kjo kërkon informatë, por edhe një analizë të vazhdueshme për qëndrimin e tyre”, përcjell albinfo.ch.

Beat Zemp, kryetar i Shoqatës së mësimdhënësve të Zvicrës, kolegët e tij i merr në mbrojtje: “Pritjet gjithmonë janë të formuara nga përvoja që mund të kondensohen si stereotipe me rrjedhën e kohës”, thotë ai. Kjo vlen si për mësimdhënësit, po ashtu edhe për të tjerët, si gazetarët apo politikanët. “Mësuesit nuk janë imun ndaj transferimit të pritjeve negative për nxënësit”, thotë Zemp.

Ti nuk je

Poezi e shkruar nga Erin Hansen.
Përktheu: Thoma K Jance

Ti nuk je sa vitet e tua,
As sa masa që vesh.
Nuk je pesha jote,
Ngjyra e flokëve të tu.
Nuk je emri yt,
Apo gropëzat në mollzat e tua,

Je gjithë librat që ke lexuar,
Dhe gjithë fjalët që thua.
Je zëri yt i përgjumur në mëngjes,
Dhe buzëqeshjet që kërkon t’i fshehësh.

Je ëmbëlsia e qeshjes tënde,
Dhe çdo lot i derdhur.
Je këngët e bërtitura aq fort,
Kur e dije se ishe krejt vetëm.

Je edhe vendet ku ke qënë,
Dhe ai i vetmi që vërtet e quan shtëpi.
Je gjithçka në të cilën beson,
Dhe je njerëzit që do.
Je fotot e dhomës tënde,
Dhe e ardhmja që vetë pikturon.

Je bërë prej kaq shumë bukurie,
Po mbase gjith’ këtë s’e vë dot re.
Qëkurse ke vendosur të jesh,
Gjithçka tjetër veç asaj që je.

Petrit Halilaj, një shkreptimë për të ndriçuar jetën kulturore në Runik (FOTO)

Alberina Haxhijaj

Artisti Petrit Halilaj, mbrëmë në Runik ka realizuar performancën “Shkrepëtima” e cila përfshin skulptura që lëvizin, drita dhe skenografi të krijuar nga rrënojat e Shtëpisë së Kulturës, projekt që i dedikohet të gjitha ëndrrave të qytetarëve të Runikut, shkruan KultPlus.

Në mendjen e shumë banorëve të fshatit të Runikut, që i përket komunës së Skenderajt, Shtëpia e Kulturës kujtohet me shumë nostalgji. Ata të cilët e kanë përjetuar periudhën e artë të saj, kujtojnë shfaqjet që janë luajtur aty madje edhe numrin e saktë të librave, që përfshinte 11 mijë libra, të cilat kanë qëndruar në bibliotekën e kësaj qendre kulturore. Kujtojnë kinemanë, sallën e koncerteve dhe dyqanet e vogla.

Përmes përshkrimit të qytetarëve të Runikut, një prej të cilëve është edhe artisti Petrit Halilaj, mund të paramendoni radhët e gjatë të publikut për të hyrë brenda. Mund të imagjinoni sesi në kohë shfaqje punonjësit mbyllnin edhe dritare në mënyrë që publiku jashtë të mos iu pengonte aktorëve që sjellnin në jetë shfaqjet brenda asaj hapësirë.

Mirëpo, për më shumë se 19 vite në këtë shtëpie, fole e zhvillimit të kulturës, në një fshat që është 60 km larg kryeqytetit, nuk janë mbledhur artistë. Aty mund të vëreheshin vetëm gërmadhat e mureve prej tullave të dheut të pjekur dhe kulmi i cili në një pjesë të madhe mungon, pasi që, në këtë shtëpi kulturë kishin gjetur strehë vetëm mbeturinat dhe kafshët endacake.

Por, për një artistë të dhënë pas vendit ku ka lindur, rikthimi i jetës kulturore pikërisht në atë vend mund të jetë një sfidë e përkryer por edhe një projekt ideal. E artisti i duhur në këtë rast sigurisht është dashur që të jetë Petrit Halilaj.

Petriti është i njohur për punën e tij artistike e cila është prezantuar nëpër vende të ndryshme në botë. Ai po ashtu njihet edhe për përfshirjen e historisë së qytetit të tij në këto punime. Mund të përmendim këtu ekspozitën e tij në Nju Jork që përmbante rikrijime të shumta të relikteve të gjetura në Runik. Apo viti 2011, kur ai e gërmoi dhe transportoi një copë të madhe dheu nga fshati i tij dhe e shfaqi në Bazel të Zvicrës. Ekspozita ABETARE, apo dërgimi i qilimave në Varshavë.

“Andërr e jona është me e tregu historinë që ne identifikohemi më të, duke filluar nga parahistoria dhe gjetjet arkeologjike që janë bërë. Këtu mundem me e përmend okarinën me të cilën ne të gjithë identifikohemi e që është zëri i cili pak a shumë është prezent në tërë performancë. Deri të fakti që këtu ka pas teatër, aktorë. Imagjinata është shprehur këtu e po ashtu edhe realiteti dhe kjo e ka krijuar identitetin që e kemi sot”, tregoi për KultPlus Petrit Halilaj.

Pikërisht emri “Shkrepëtima” për këtë performancë të ideuar dhe drejtuar nga artisti, e që është ndërhyrja e parë e këtij niveli nga ai në një hapësirë publike, lidhet më te kaluarën e ndritshme kulturore të këtij vendi.
‘Shkrepëtima” ishte revista të cilën arsimtarët, nxënësit dhe shkrimtarët e Runikut e publikonin për herë të parë në vitin 1972. Kjo revistë multietnike kishte për qëllim ngjalljen e vetëdijes kombëtare e kulturore, inicimin e transformimeve shoqërore dhe promovimin e arsimit.

Mirëpo sot nuk botohet më revista, ndërsa shtëpia kishte mbetur një gërmadhë pasi që kur gjendja politike u përkeqësua në vitet e 90-t, ndërtesa u mbyll dhe u zhvesh nga të gjitha përmbajtjet. Objekti mbeti plotësisht i braktisur deri sa Halilaj bashkë me ekipin e tij dhe anëtare e komunitetit, e pastruan dhe e ringjallën shpirtin e “Shkrepëtimës”.

“Të gjitha këto sot nuk i kemi më, mirëpo çka kemi është e ardhmja”, thekson artisti.

Kështu “Shkrepëtima” risolli fragmente të disa prej dramave më të njohura shqiptare që janë përformuar në teatrin e këtij objekti gjatë viteve të 80-ta. Projekti formohej përmes tregimeve që shfaqeshin gjatë kohës që një djalosh flinte. Gjersa ai vazhdon ëndrrën, në ambientin përreth tij zhvilloheshin shfaqje teatrale, ndërsa zogjtë me rekuizita të shfaqjeve i ndërtonin folenë.

“Toka jonë” nga Kolë Jakova, “Cuca e Maleve” ng Loni Papa, “Nita” nga Josip Rela dhe “Hakmarrja nga Jusuf Kelmendi, ishin dramat e zgjedhura.

Artisti përmes kësaj përzgjedhje adresonte çështje të rëndësishme që ndërlidhen me identitetin shoqëror shqiptarë, siç është lufta për liri personale e kolektive, rezistenca gjinore dhe përpjekja për të mposhtur mentalitetin e prapambetur, por jo vetëm kaq.

“Performanca e ka pjesën që ka të bëjë me të ardhmen dhe shpresoj që do të hapen mundësi për këtë vend, në mënyrë që Runiku të ketë jo vetëm një shtëpi të kulturës por edhe një muze pasi që ka histori që mundemi me ja shpalosë gjithë botës”, u shpreh Halilaj.

Pikërisht akti i parë i kësaj performancë ka bërë së bashku Petrit Halilja dhe këngëtaren Fatime Kosumin, e njohur si ANDRRA si dhe Christoph Hamann të cilët së bashku kompozuan muzikën për këtë pjesë. Kompozimi përfshinte tinguj të okarinës, tinguj të tullave, xhamave, tjegullave dhe materialeve të tjera të gjetura në mes të rrënojave.
“Është kënaqësi të jesh pjesë e këtij projekti që është shumë i veçantë. Kam pasur kënaqësinë me kompozu për aktin e parë. Më pëlqen qe pikërisht një projekt i tillë po mbahet në një vend rural të Kosovës e sidomos në Shtëpinë e Kulturë, ku ka pasur shumë aktivitet kulturore deri para luftës por që më nuk janë ringjallur. Petrit pra me këtë projekt ka bërë një përpjekje që edhe pjesët rurale me i ngjallë me aktivitet kulturore”“, u shpreh për KultPlus këngëtarja ANDRRA e cila në këtë natë performoi edhe disa prej këngëve të saj.

Në mesin e performuesve ishin: Donikë Ahmeti, Edlir Gashi, Tristan Halilaj, Rrezarta Haziraj, Qendresa Kajtazi, Bislim Muçaj, Behie A. Murtezi, Agnes Nokshiqi, Ermal Sadiku, Edon Shileku, Alketa Sylaj si dhe qytetarë të tjerë nga Runiku./KultPlus.com

Moda e Lartë, fustanet e ëndrrave për nuset e 2019-s

Moda e Lartë është një lulëzim i vërtetë për ata që e duan modën dhe traditat e saj. Vera e Parisit ka parë ditët e fundit stilistët më të mirë në botën e modës së lartë, që sfidojnë njëri-tjetrin për pëlhurat më të mira, qëndisjet dhe gurët e çmuar, përcjellë KultPlus.

Shumë nga krijimet e botës së Modës së Lartë duket se kanë lindur me të vërtetë për tu veshur në ditën e dasmës: e bardha e pastër dhe eleganca e çdo fustani janë elemente që ndihmojnë imagjinatën, për të shkëlqyer në ditën e “Po”-së.

Shumë stilistë të Modës së Lartë mbajnë gjallë traditën, duke ndezur edhe më shumë fantazinë , siç bën Elie Saab, i cili nuk heq dorë nga fustani Maxi me mbylljen e bashkangjitur dhe vellos skenografike./ ata

Hidhni një sy në galeri dhe gjeni, drejtpërdrejt nga shfaqjet e modës vjeshtë-dimër 2019, cilat janë tendencat që do të shohim edhe në aspektin e fustaneve të dasmës./ ata

Kryeqyteti pa tabela informuese, shtyllat e drunjtë të mbushur me shpallje e reklama

Jo më shumë se 100 metra është e gjatë rruga nga semaforët afër Katedrales deri tek ndërtesa e Radio Kosovës.

Por, vetëm në njërën anë të saj, nëpër drunj janë ngjitur mbi 20 njoftime e shpallje të ndryshme, raporton “038” në KTV.Shumica e tyre njoftime për dhënien e banesave me qira, e një pjesë edhe afishe që lajmërojnë për vdekjen e njerëzve.

Pamje të tilla nuk po u pëlqejnë qytetarëve. Një pjesë e tyre e shohin si të tejkaluar këtë formë njoftimi e reklamimi ndërsa të tjerë shprehin nevojën e vendosjes së tabelave informuese. Megjithatë, edhe aty ku ka tabela reklamuese e informuese ato nuk shfrytëzohen e as mirëmbahen.

Në Komunën e Prishtinës thonë se kanë nisur shqiptimin e gjobave për vendosjen e njoftimeve e reklamave ilegale. Ndërsa, shtojnë se do të shqyrtojnë mundësinë e shtimit të tabelave informuese.

Çështja e afisheve për lajmërimin e vdekjeve, sipas Mullafazliut, është më komplekse andaj për këtë ajo thotë se do të bisedojnë me qytetarët për gjetjen e një zgjidhjeje.

Rita Ora në Kroaci u pritë me flamurin e Kosovës dhe të Shqipërisë (FOTO)

Rita Ora mbrëmë ka krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme për fansat e Kroacisë, me të cilët bashkë festoi mbrëmë fitoren e Kroacisë në ndeshjen me Rusinë, shkruan KultPlus.

Derisa ylli botëror, Rita Ora mbante flamurin e Kroacisë, fansat e kanë pritur me valvitje të flamurit të Kosovës dhe atë të Shqipërisë. Ora sot ka postuar fotografitë e mbrëmjes së kaluar, duke përfshirë edhe fotografitë e fansave me dy flamujt e shteteve shqiptare.

Ritë mbrëmë performoi në Kroaci në kuadër të festivalit “Rise up”, ndërsa gjatë gjithë performancës dhe pas saj është ndjerë tejet e emocionuar nga pritja atje./ KultPlus.com

“The Times”: Shqipëria thesari i fundit nënujor i Mesdheut

Të paeksploruara prej dekadash, ujërat e Shqipërisë janë të mbushura me artefakte dhe janë duke u zhvilluar përpjekje për t’i regjistruar ato para se të fillojnë grabitjet, shkruan prestigjozja “The Times” në një reportazh që i dedikohet misionit të anijes “Hercules” e cila po përpiqet të krijojë një hartë të zonave arkeologjike nënujore të Shqipërisë.

Nga anija “Hercules” që merret me kërkime, duket bregdeti antik i Shqipërisë që zhytet nën valëvitjen e detit, që lëkund varkën sa nga njëra anë në tjetrën nën shkëlqimin e fortë të diellit.

Ne jemi këtu me misionin për të kombinuar të kaluarën e afërt izolacioniste të Shqipërisë me historinë e saj antike, për të shpëtuar një prej vendeve nënujore më të fshehta në Europë ku ka thesare para se ato të grabiten.

“Është e jashtëzakonshme se çfarë ka aty poshtë”, thotë Mateusz Polakowski, 29 vjeç, një arkeolog nënujor i Universitetit të Sauthempton. “Nuk dinim as edhe një gjë për këtë”.

Ai është pjesë e një ekipi arkeologësh dhe teknikësh që po punojnë me zell për të krijuar një hartë të pasurive nënujore, që kanë mbijetuar vetëm se vendi ishte udhëhequr për katër dekada nga një diktator gjakatar.

Enver Hoxha, forcat komunite të të cilit morrën pushtetin në vitin 1945, e udhëhoqën Shqipërinë si një mbretëri hermetike, regjimi më represiv dhe ideologjikisht i drejtuar në Europë. Ishte Koreja e Veriut e asaj kohe. Brigjet e saj janë më pak se dy milje larg brigjeve të Korfuzit, por ato janë sikur kanë qenë në Hënë.

Kur pajisjet për zhytje dolën për përdorim personal pas Luftës së Dytë Botërore, regjimi i Shqipërisë i ndaloi ato si armë të rrezikshme kryengritjeje, të cilat mund të përdoreshin për t’u arratisur në ishullin grek që ndodhej aty pranë.

Hoxha, një stalinist i ashpër, zhvilloi një izolim të pamëshirshme mbi Shqipërinë deri pas vdekjes së tij në vitin 1985, duke e shndërruar në një fortesë të pastër ideologjike dhe duke vrarë apo burgosur rreth 100 000 persona.

Nga kjo eksperiencë Shqëria u bë një prej vendeve më të varfra në Europë. Megjithatë, falë këtij ndalimi të zhytjeve, ujërat e brigjeve të saj janë shndërruar në një kapsulë kohe arkeologjike, që nuk kanë të krahasuar përgjat Adriatikut dhe Mesdheut.

Ekspertët e trashëgimisë nënujore shpresojnë se Shqipëria do arrijë ta shmangë fatin e Greqisë dhe Italisë, pasuritë historike të të cilave janë grabitur nga gjahtarët e thesareve. Më në veri të Adriatikut, në ujërat e ish-Jugosllavisë, ushtri plaçkitësish kanë përdorur pajisje për zhytje për të grabitur artefaktet që ndodhen nën uji.

Shqipria vazhdon të mbetet në pjesën më të madhe e paprekur, por qeveria e saj, vendi që prej vitit 1992 është një demokraci parlamentare, i ka dedikuar shumë pak burime të sajat mbrojtjes së trashëgimisë.

Duke punuar me zhytës dhe mjete nënujore që kontrollohen në ndistancë, arkeologët e “Hercules” po përpiqen të dokumentojnë thesaret në fund të detit para se ato të humbasin dhe po ia dorëzojnë të gjitha informacionet që grumbullojnë qeverisë shqiptare.

Detyra e ekipit është gjigante. Për sa kohë ka ekzistuar civilizimi, këto ujëra kanë qenë në udhëkryqet e Europs një rrugë jetësore në luftë dhe tregti.

Në gjirin e Vlorës, në brigjet jugore të Shqipërisë, ku “Hercules” javën e fundit po kërkonte për anije të mbytura, deti u skuq kur Qezari u përplas me forcat e Pompeit gjatë Luftës së Madhe Civile romake të shekullit të parë para erës sonë.

Kur Perandoria Osmane kërcënonte Italinë gjatë sundimit të Sulejmanit të Madhërishëm, flota e tij u mblodh në këtë gji. Hebrenjtë që u dëbuan nga Spanja gjatë Mesjetës së vonë u arratisën në Vlorë nëpërmjet Italisë. Të gjithë kanë lënë gjurmët e tyre në fund të detit.

“Ne po përpiqemi të gjejmë këtë djalin e vogël”, tha Polakowski. Duke u ulur në karrigen e tij, ai tregoi drejt hartës së fundit të detit, të shënuar me një vijë jeshile ku tregohej vendi i një anije të mbytur që daton në shekullin e parë para erës së re.

“Ne e përcaktojmë epokën nga lloji i amforave që mbajnë. Ky këtu transportone produkte si vaji i ulliri apo verë”, tregon ai.

Këto kërkime në ujërat e Shqipërisë janë zhvilluar në heshtje në dekadat e kaluara. Çdo verë, “Hercules” ka situr ujërat e Shqipërisë me ekuipazhin e saj prej pesë personash. Këto kërkime financohen nga fondacioni “RPM Nautical”, një organizatë jofitimprurëse me qendër në Florida që drejtohet nga James Goold, një avokat i zyrës së avokatisë “Covington & Burling”.

Duke përdorur një mjet nënujor që përdoret në distancë me kamera, javën e kaluar, objektivi ishte një relike antike që ishte fundosur, bashkë me ngarkesën e saj me anfora, rreth 2 000 vite më parë.

“Ja ku është!” tha Polakowski, duke treguar tek ekrani ndërkohë që një hije e zbehtë dhe e errët shfaqet në mes të blusë së errët, duke rezatuar 27 metra larg sipërfaqes së ujit. Pas disa sekondash, një grumbull amforash u shfaq. Posht tyre druri i anijes ende ishte i paprekur.

“Të shihje aq shumë amfora, aq qartë, të paprekura dhe në fund të detit ishte vërtetë e këndshme”, tha Polakowski.

“Diku tjetër, jo në Shqipëri, kudo në Mesdhe në një zonë lehtësisht të arritshme me zhytje, me shumë mundësi ka pasur të tjerë më parë dhe në një farë mënyrë i kanë dëmtuar ato”, vazhdoi ai.

Një ditë lundrimi larg kësaj anije të fundosur ndodhet Butrinti, që, sipas poetit romak Virgjili, u themelua nga refugjatë që vinin nga Troja antike, të cilët i shpëtuan plaçkitjes së qytetit të tyre më shumë se 3 000 vite më parë.

Në epokën moderne, brigjet e Shqipërisë ishin një pikë furnizimi e rëndësishme gjatë dy luftërave botërore. Vetëm në Gjirin e Vlorës, ka 10 luftanije të fundosura, përfshirë edhe “Regina Margherita”, flamurtaren e marinës italiane, që u fundos në vitin 1916 dhe ku mbetën të vdekur 700 persona.

Aty pranë ndodhet relikja e një anije spital italiane që ishte sulmuar nga britanikët në vitin 1974. Tre infermiere mbetën të vdekura, por një pasagjere shumë e rëndësishme që mbijetoi ishte Edda Ciano, vjaza e madhe e diktatorit italian, Benito Mussolini, e cila u gjet në det pasi anija u fundos.

Për çdo zbulim, ka javë të tëra kërkimi të pafrytshme. Fundi i detit, thonë arkeologët, është më pak i eksploruar se sa sipërfaqa e hënës dhe kushtet janë gati të njëjta.

“Është njësoj si të shohësh poshtë oqeanit me një dritë dore. Është shumë i madh. Kemi mbikëqyrur më pak se 1% të zonës. Mund të lundrosh 10 herë në një zonë dhe mund të kalosh vetëm 10 metra larg një anije të mubytur dhe ta humbasësh atë”.

Për të kërkuar zonat historike nënujore, ekipi flet me peshkatarët. Anijet e fundosura shndërrohen në shkëmbinj artificialë nënujorë të mrekullueshëm dhe banorët e zonës shpesh tregojnë histori për amfora që ngecin në rrjetat e tyre të hedhura në zona të pasura me peshq.

“Nuk është se ne po e zbulojmë për herë të parë. Komunistët e dinin se ku ndodheshin ato. Ne thjesht jemi duke bërë një hartë dhe do i’a paraqesim autoriteteve”, tha Polakowski ndërkohë që “Hercules” kalon një shpellë që banorët e njohin si një strehë të piratëve gjat mesjetës.

Kur ekipi zbulon diçka, koordinatat e saj mbahen të fshehta. Zhytja teknikisht ende nuk lejohet, por tre vite më parë këshilli shqiptar i ministrave lejoi zhytjen për argëtim në zona të caktuara përgjat brigjeve.

Kohët e fundit gjahtarë thesaresh nga Italia dhe Austria janë parë në ujërat e Shqipërisë, por edhe banorë të zonës të pajisur me apartura zhytjeje dhe dëshirën për t’u pasuruar shpejt.

“Në periudhën komuniste, askush nuk lejohej të vinte dhe të vizitonte këto ujëra. Atëherë të qëllonin në çast”, thotë Auron Tare, kreytari i komitetit shkencor të UNESCO-s për trashëgimin ujore, i cili këshillon qeverinë shqiptare për arkeologjinë nënujore.

“Tani disa persona mendojnë se çdo gjë në oqean është falas, mund të merret”, vazhdon ai.

Për arkeologët, vlera e këtyre artefakteve qëndron në çastet historike që ato përfaqësojnë, më shumë se sa në rubinët dhe florinjtë që mund të kenë. Duke i parë, ato na zbulojnë sekretet e thellësisë.

Indinjata e tyre më e madhe shkon kundër kompanive profesionale gjahtare të thesareve me pajisje prej miliona dollarësh.

“Gjahtarët e thesareve mendojnë se janë kapiteni Jack Sparrow, aventurierë”, thotë Polakowski, ndërkohë që mjetet e drejtuara në distancë po ktheheshin në anije pas një dite pune.

“Por kjo është gjithçka që ato kanë për ata. Ato thonë: ti investon në ainjet tona, do të gjejmë një anije të fundosur me flori dhe do të jeni në gjendje ta shisni. Por në të vërtetë kjo është sekma me më pak përfitime. Thjesht përfundon i mbytur në tarifa ligjore. Ka rreziqe shumë të mëdha dhe realisht asnjë përfitim”, thekson Polakowski. /G.S

Xhamia dhe kisha në Ferizaj ‘duan të bashkohen’ edhe më shumë

Një nga simbolet më të njohura në qytetin e Ferizajt është xhamia dhe kisha ortodokse. Imami dhe prifti duan që muri i ndërtuar para disa vitesh mes xhamisë dhe kishës të rrënohet.

Imami Naser Kosumi dhe prifti ortodoks Trajko Vlajkoviq kanë folur se ndërmjet tyre nuk ka ndasi.raporton “Radio Evropa e Lirë”

Ata janë të bashkuar për t’i zgjedhur problemet dhe duan që muri të shembet, që kisha e xhamia të jenë më afër dhe të mos ketë ndarje mes tyre.

Ata thonë se kjo do të ishte më mirë edhe për opinionin. Imami dhe prifti thonë se asnjëherë nuk kanë pasur probleme deri më tani, dhe shpresojnë që kështu të vazhdojnë edhe më tutje.

“Ne i shërbejmë të njëjtit Zot dhe nuk ka ndasi”, thotë Trajko Vlajkoviq.

Berati, një dekadë në UNESCO (VIDEO)

8 Korriki i vitit 2008 shënon një datë të veçantë për qytetin e Beratit dhe vlerave që ai përfaqëson. 10 vjet më parë në sesionin e 32 të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të mbajtur në Kanada, “qyteti i një mbi një dritareve” hyri listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, përcjellë KultPlus.

Hyrja në UNESCO shënoi maksimumin e vlerësimit të vlerave duke i konfirmuar ato jo vetëm në nivel kombëtar por edhe ndërkombëtar. Bërja pjesë në pasuritë botërore i dha mundësinë qytetit të përfaqësohet në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, të marrë pjese në ekspozita ,panaire brenda dhe jashtë vendit të vizitohet nga personalitete të huaja, të ketë partneritete dhe binjakëzime me qytete kulturore të gjitha këto me synimin e përfaqësimit , promovimit vlerave të qytetit. Promovimi si sit ndërkombëtar dhe pjesë e guidave të ndryshme ka bëre që Berati të kthehet një destinacion turistik botëror duke rritur numrin e turistëve vit pas viti dhe zhvilluar turizmin si një degë të rëndësishme të ekonomisë lokale.

“Në sfide të përditshme me kohën dhe modernizimin ,mbrojtja ,konservimi dhe promovimi i vlerave universale të pasqyruara në objekte monumentale, site historike janë objektivat kryesor te punës përditshme të DRKK –Berat .Në kuadër të kësaj dite ashtu si dhe çdo ditë tjetër ishim me qytetarët duke ndarë shqetësimet dhe diskutuar problematikat e mundësitë e ruajtjes së këtyre vlerave. Specialistët e DRKK shpërndanë dhe disa fletëpalosje informuese dhe sensiblizuese mbi faktin e te qenit shtet palë në UNESCO”, shkruhet në njoftimin e DRKK-së, Berat./ KultPlus.com

Rita Ora mbrëmë festoi me Kroacinë veshur me flamurin kroat (VIDEO)

Mbrëmë Kroacia ka mundur Rusinë me anë të penalltive duke u kualifikuar në gjysmëfinalen e Kampionatit Botëror, ndërsa tifozët kroat e kanë përcjellur me shumë emocione këtë ndeshje, festës së tyre i është bashkuar edhe ylli nga Kosova, Rita Ora, shkruan KultPlus.

Rita Ora mbrëmë ka ndezur atmosferën në Kroaci ndërsa gjatë këndimit në krah ka mbajtur flamurin kroat. Në disa video të postuara nga ylli ndërkombëtar, shihet atmosfera festive derisa fansat e saj ngrisin duart lart kurse Rita ka shkruar se po festojnë fitoren e madhe, duke vendosur edhe flamujt kroat në postimet e saj. / KultPlus.com

Italiani që zgjodhi të promovojë produktet “Made in Albania” përtej kufijve

Republika e Shqipërisë është një realitet dinamik që po rritet jo vetëm në të ardhurat për frymë, por edhe në strukturën industriale dhe në këtë kontekst duhet të merret parasysh roli i rëndësishëm i luajtur nga Italia. Vendi i shqiponjave përfaqëson partnerin e parë tregtar të Italisë.

‘Made in Italy’ në Shqipëri është vlerësuar shumë, por zhvillimi në rritje i ekonomisë së vendit dhe menaxhimi efektiv politik ka zhvilluar një përpjekje interesante për të promovuar “Made in Albania”, një projekt që gjithashtu mund të magjepsë sipërmarrësit italianë.

Duke u nisur nga kjo ide, Domenico Letizia, analist gjeopolitik, ekspert i komunikimit, president i Institutit të Ekonomisë Ndërkombëtare dhe Politikës Research (Irepi) dhe përgjegjës për komunikimin e kompanisë italiane Shqiptare “Italian Network,” lançoi pak ditë më parë, një portal me qëllim për të rritur ndërgjegjësimin e produkteve shqiptare për publikun italian, duke e informuar për reformat ligjore që synojnë promovimin e turizmit në vendin e shqiponjave. Portali mund të arrihet në faqen e internetit: www.madeinalbania.it

Për të kuptuar më mirë karakterin e kësaj iniciative të re italiane, të dobishme për ekonominë e Shqipërisë, Domenico Letizia ka dhënë një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

1. Si ka lindur ideja e kësaj iniciative?

Ideja nuk është e imja. Projekti fillestar është i një sipërmarrësi italian ekspert në e-commerce, një miku im i dashur, i cili bleu portalin www.madeinalbania.it me qëllim krijimin e një faqeje ku të grumbullohen dhe të reklamohen produktet më të mira të Shqipërisë dhe Kosovës . Projekti nuk vazhdoi dhe vendosa të blej këtë portal për ta bërë atë të rritet, me një vizion të ri më analitik, por që ka gjithmonë qëllim të rrisë cilësinë e produkteve të Shqipërisë dhe t’i bëjë ato të njohura në europë, tek bizneset dhe tregtarët italianë. Propozimi im është i dyfishtë: nga njëra anë një thellim specifik në të gjitha propozimet legjislative në lidhje me promovimin e “Made in Albania” dhe turizmit në vend, në anën tjetër duke promovuar dhe bërë të njohur produktet më të mira të Shqipërisë, historinë e tyre, zejtarinë, çfarë qëndron pas kompanive dhe sipërmarrësve shqiptarë dhe ti lejojë këto kompani të vendosin reklama apo produkte të veçanta me përshkrimet e ushqimeve për shtypin dhe publikun italian.

2. Si e vlerësoni ecurinë aktuale të produkteve “Made in Albania”?

Së pari, më duhet të përmend punën e madhe me kompaninë shqiptare italiane “Rrjeti Italian”, menaxhuar nga drejtori Roberto Laera, i cili ka punuar gjatë për të promovuar vendin e shqiponjave mes sipërmarrësve italianë. Falë bashkëpunimit intensiv dhe të vazhdueshëm me këtë kompani mësova për potencialin e agrobiznesit dhe turizmit në Shqipëri.

Promovimi i “Made in Albania’’ është cilësor për shkak të punës së mirë të qeverisë me projektin “Brand Albania”. Ideja fokusohet në krijimin e një trupe kombëtare për një etiketë të vetme të cilësisë për prodhimet bujqësore shqiptare dhe përfshirjen e tyre të mëvonshme në sektorët kryesorë të turizmit të vendit. Institucionet publike dhe private do të bashkërendojnë punën për të zbatuar me sukses projektin “Brand Albania”. Partnerët kryesorë, anëtarët e komitetit drejtues të projektit, janë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Drejtoria e Përgjithshme e pronës industriale dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Ajo që u përpunua nga komiteti drejtues i “Projektit Brand Albania” përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin kombëtar të fermës. Ky projekt do të shërbejë, sipas përcaktimeve të organizatorëve, si një katalog për promovimin e produkteve cilësore shqiptare dhe duke kërkuar në të ardhmen tregjet ndërkombëtare.

Ideja synon të forcojë markën “Made in Albania” nëpërmjet një rrjeti dyqanesh që do të tregtojnë vetëm produktet shqiptare. Projekti është ende në fillimet e tij dhe shumë detaje teknike do të shpallen në muajt e ardhshëm. Ajo që duket e sigurt është funksionimi i këtij rrjeti që do të fillojë nga Tirana dhe gradualisht do të zbatohet në qytetet e tjera kryesore të vendit. Kosova është përfshirë gjithashtu në këtë planifikim. Menaxhimi i rrjetit të dyqaneve dhe kompanive që do të marrin pjesë dhe do të përfshihen në rrjetin “Made in Albania” do të menaxhohen nga strukturat private.

3. Mund të na sillni disa shembuj të produkteve më cilësore “Made in Albania”?

Siç ju mund të lexoni tashmë nga faqja e internetit dhe thellimin ëëë.madeinalbania.it ka disa produkte të përshkruara tashmë, për cilësinë e tyre gastronomike. Industria e verës në vend ka një problem të imazhit, madje brenda Shqipërisë. Por një brez i ri i Verëbërësit ka rizbuluar traditën e verës autoktone në Shqipëri, me rezultate mbresëlënëse. Vendi ka potenciale të madh për zhvillim dhe një histori të verës me rrënjë të lashta. Kjo është demonstruar nga zbulimet arkeologjike, në vitet e Perandorisë Osmane – gjatë së cilës ky lloj i kultivimit u përqendrua në fushat e ndikimit të fesë katolike dhe ortodokse (pjesë të ndryshme të vendit, të tilla si Korça, Pogradeci, Përmeti, Leskovik, Vlorë, Lezhë, Shkodër ) – deri në historinë e shekullit të njëzetë. Fillimisht, në fillim të viteve 1900, prodhimi ishte i një lloji familjar dhe vetëm për një treg shumë të vogël; pastaj erdhi periudha midis luftërave, më pas Lufta e Dytë Botërore, me disa fusha që janë ruajtur, të tilla si Juglindore (Leskovik, Përmet), në jugperëndim (Nartë, Vlorë, Himarë) dhe zona qëndrore e Shqipërisë (Shesh). Bumi ka arritur pragun e viteve ’60, me ripunimin e rreth 10,000 hektarëve. Në fillim të viteve ’90, një program privatizimi i tokës çoi në modernizimin e mëtejshëm të sektorit dhe një përmirësim në prodhimin e verës. Por rimëkëmbja e vërtetë e vreshtarisë dhe pikëpamjet shqiptare, nisën pas vitit 2002, kur, në sajë të politikave të ndryshme mbështetëse, ka pasur një rritje të sipërfaqes së mbjellë, për të pasur sot rreth 26.000 hektarë. Gjatë këtyre viteve ata janë futur përveç rrushit ndërkombëtar si Shesh, Kallmet, edhe varietete të tilla si Merlot, Sangiovese, Barbera, Chardonnay, Primitivo, Montepulciano, Cabernet Sauvignon, Petit Verdot, Moscato, etj. Falë investitorëve privatë, industria e prodhimit të verës është në një fazë të avancuar me shumë perspektiva interesante.

Gjithashtu sektori i prodhimit të ullirit shqiptar është një tjetër sektor ku ka potenciale. Në këtë sektor nuk ka ende zhvillim konkret në teknikat e përpunimit. Prodhimi i ullirit në Shqipëri është praktikisht biologjik; nuk ka ndërhyrje të mëdha agronomike, por as intervenime të pesticideve;. Problemi qëndron tekthërrmuesit; duhet të keni mundësinë të punoni sasi më të mëdha të ullinjve. Kjo megjithatë, po zbatohet nga individë, të mbështetur nga Ministria e Bujqësisë dhe shoqatave të ndryshme të huaja. Ky veprim, megjithatë, ka ende efekte shumë të dobëta tek masa kritike e kultivuesve, të cilët janë ende të detyruar ti përmbahen traditës dhe mënyrës së vjetër të prodhimit të vajit nga ullinjtë. Kjo merr më shumë burime financiare.

Promovimi i “Made in Albania” duke filluar nga cilësia e ullirit dhe vajit të vendit të shqiponjave është ndër objektivat e thellimit të portalin tonë. Një tjetër element që ne mund të analizojmë është “Sezoni i kërpudhave” ideja e mbështetur nga kryebashkiakja e Sarandës, Floriana Koka dhe ministri Klosi që vlerësuan festën tradicionale të kërpudhave, produktin më të shijshëm të zonës, madje edhe gjatë sezonit të verës. Edhe rajoni Pukës mund të ofrojë produkte me cilësi të shkëlqyera për tregjet ndërkombëtare si zhvillimi i sektorit të blegtorisë dhe prodhimin e djathit cilësor si dhe prodhimin e produkteve të tilla si kërpudha dhe manaferrat, të cilat mund të kultivohen dhe korren. Po ashtu edhe zhvillimi i turizmit malor, i cili është ende në fazën e zhvillimit potencial, por që mund të fillojë të rritet. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, është bletaria.

4. Çfarë mendoni se është e nevojshme për të përmirësuar cilësinë e produkteve “Made in Albania”?

Unë merrem kryesisht me komunikimin dhe promovimin, dhe në këtë kontekst vërehet nevoja për të forcuar promovimin e potencialeve shqiptare për publikun perëndimor dhe italian.

Njohja është hapi i parë për të rritur një biznes të mirë. Një tjetër ide që unë e mbështes me bindje është nisma e nisur nga kryeministri Edi Rama për të krijuar kooperativa bujqësore. “Bashkohuni me njëri-tjetrin dhe ju do të përjashtoheni nga TVSH-ja,” tha Rama kohët e fundit. Vendimi për të përjashtuar fermerët nga TVSH me xhiro vjetore prej më shumë se 5 milionë lekë (38 mijë euro) është një ide e shkëlqyer që duhet të mbështetet. Esenciale është që të hapen më tej me Italinë duke shfrytëzuar potencialin e gadishullit tonë. Sipërmarrësit italianë mund të gjejnë në Shqipëri një shtëpi të re, një port të ri biznesi ku ata mund të rriten me shqiptarët. Italia ka nevojë për Shqipërinë dhe Shqipëria për Italinë.

5. Si ka qenë bashkëpunimi me autoritetet shqiptare?

Konsulli i përgjithshëm shqiptar në Itali, Adrian Haskaj, i mbështetur nga Roberto Laera nga “Rrjeti Italian” tha kohët e fundit se stimujt e taksave për sektorin e turizmit, ku përjashtohen për 10 vjet hotelet me 4 ose 5 yje dhe TVSH-n në 6 për qind dhe industria e IT bëhet me një taksë të sheshtë prej 5 për qind, synojnë rritjen e promovimit të bukurive natyrore dhe kulturore pa neglizhuar risitë teknologjike dhe arsimimin, shtyllat e rritjes ekonomike. Është thelbësore për të vazhduar në këtë rrugë pa harruar avantazhet e internetit dhe mediave sociale për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të njohur dhe përhapur atë që Shqipëria mund të përfaqësojë për të ardhmen tonë si italiane dhe për të ardhmen e Shqipërisë si një vend i Bashkimit Evropian. Shqipëria është një bukuri për tu zbuluar.

Prindërit e Rita Orës me pushime në Shqipëri, ftojnë edhe fëmijët e tyre të vizitojnë trojet shqiptare

Këngëtarja shqiptare me famë botërore Rita Ora, vazhdon të jetë një prej emrave më aktivë në tregun botëror.

Javën e kaluar, ajo u bë temë e medieve lidhur me disa fotografi që qarkulluan në rrjetet sociale, ku shfaqej mjaft atraktive nga pushimet që kaloi me prindërit e saj në Francë.

Pasi kanë kaluar disa ditë të mira atje, prindërit e këngëtares, Vera dhe Besniku, kanë vendosur që të kalojnë disa ditë të mira pushimi edhe në Shqipëri.

Përmes disa imazheve të publikuara në rrjetin social Instagram, çifti kanë bërë të ditur se kanë vizituar Mrrizin e Zanave, në Lezhë.

Nga përshkrimet e fotografive, ata kanë treguar se kanë ngelur të mrekulluar nga ky vend, gjersa kanë edhe një kërkesë për fëmijët e tyre, shkruan telegrafi.

Ka qenë Vera, ajo e cila ka publikuar një fotografi në InstaStory, ku etiketon tre fëmijët e saj: Ritën, Elenën dhe Donin, duke u bërë thirrje që ta vizitojnë qytetin e Shkodrës, kjo pasi mikpritja sipas tyre ka qenë vërtet e mirë.

Kujtojmë që Rita Ora ishte muajin e kaluar në Shqipëri, ku mbajti një koncert madhështor në mesin e mijëra shqiptarëve në Tiranë.

Arkitekti që ka projektuar teatrin e ri, përfaqësohet me një vepër madhore në Nevada (FOTO)

Debati për shembjen dhe ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar, po dominon aktualitetin politik në Shqipëri, në muajt e fundit. Mbrëmjen e të enjtes, pavarësisht protestave të artistëve dhe opozitës, Kuvendi votoi me 75 vota në favor të projektligjit, që i hap udhë shembjes së ndërtimit të godinës aktuale të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një të reje.

Godina e re është projektuar nga arkitekti danez 43-vjeçar, Bjarke Ingels, i cili ishte në Tiranë më 12 mars të këtij viti, kur edhe prezantoi projektin e tij për Teatrin Kombëtar.

Arkitekti është mjaft i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa së fundmi ka projektuar një vepër mjaft të bukur, që do të përfaqësohet në festivalin “Burning Man 2018”, që organizohet në Nevada, nga 26 Gushti më 3 Shtator.

Bëhet fjalë për një disk i rrumbullakët, i quajtur “The Orb”, që do të sjellë një reflektim në shkallën 1:500.000 të Tokës. “The Orb” do të ketë një diametër prej rreth 25 metrash dhe do të vendoset mbi një këmbë çeliku prej rreth 32 metrash.

Kompania që mbështet akritektin Ingels ka gjetur tashmë fondet e mjaftueshme për të paguar 2500 orët që duhet për ndërtimin e mega-skulpturës dhe blerë rreth 30 ton çelik.

Më poshtë po ju sjellim foto të “The Orb”, por edhe të projektit të Ingels, për Teatrin e ri Kombëtar, prezantuar në Tiranë, më 12 Mars./ top-channel

Pikturat e jashtëzakonshme të Edi Hilës tërheqin shumë vizitorë (FOTO)

Ekspozita “Piktori i Transformimit”, e piktorit Edi Hila në Galerinë Kombëtare të Arteve,ka mirëpritur mbi 5 000 vizitorë, përcjellë KultPlus.

E hapur që nga 24 maji pikturat e piktorit Hila kanë tëhequr shumë vizitorë të moshave të ndryshme pasi tematika e tyre është e spikatur.

Transformimi shoqëror përcillet nga piktorit me disa cikle ku për t’u veçuar janë tablotë “Paradoksi”, “Marrëdhëniet”, “Kërcënimi”, “Objekte anash rrugës” deri tek krijimet më të fundit “Bulevardi i Dëshmorëve të Kombit”, “Një tendë në çatinë e makinës sime”.

Piktori Hila eksploron për të transmetuar të vërtetën psikologjike të fenomeneve.Ky distilim të vërtetash e ka shtyrë artistin drejt klasicizmit dhe magjepsjes prej burimeve të pikturës së Rilindjes.

Nëpërmjet ekspozitës retrospektive me titullin “Piktori i transformimit” shfaqet Shqipëria siç ishte dhe Shqipëria që pak ndryshoi. “Piktori i Transformimit” është një projekt i përbashkët i Galerisë Kombëtare të Arteve, Muzeut të Artit Modern të Varshavës dhe Koleksionit Kontakt në Vjenë.

Ekspozita do të vazhdojë të mirëpres artdashës deri më 29 korrik 2018./ ata