Walker reflekton 20 vjet pas masakrës së Reçakut – këshillon të mos dëgjohen më ndërkombëtarët, por votuesit

Në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, forcat serbe ndërmorën një sulm kundër fshatit të Reçakut, në komunën e Shtimes, në rajonet qendrore të Kosovës, hynë shtëpi më shtëpi, ndanë meshkujt më vete dhe ekzekutuan rreth 45 prej tyre. Të nesërmen, ish drejtues i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, shkoi në vendin ku ishin hedhur kufomat, rrëzë një kodre dhe e quajti aktin një masakër të kryer nga forcat serbe.

Në prag të 20 vjetorit të masakrës së Reçakut, Ambasadori William Walker, thotë se i mbetet besnik vlerësimit të tij për ngjarjen, e cila hodhi dritë në atë që po ndodhte në Kosovë dhe që çoi eventualisht në ndërhyrjen e NATO-s kundër forcave serbe. 20 vjet më pas, ambasadori Walker e sheh situatën në Kosovë si të trazuar dhe idetë e reja në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si të pafavorshme për Prishtinën.

Zëri i Amerikës: Javën që vjen Kosova shënon 20 vjetorin e masakrës së Reçakut, të cilën ju më 16 janar të vitit 1999 e cilësuat krim kundër njerëzimit. Si e kujtoni atë ditë 20 vjet më pas?

William Walker: E kujtoj me aq përpikëri ashtu siç e pashë vetëm disa orë pasi dëshmova rezultatin e masakrës. E sjell shpesh në mendje atë skenë dhe nuk kam ndryshuar asgjë në interpretimin e asaj që pashë apo çfarë e kishte shkaktuar atë.

Zëri i Amerikës: Çfarë rëndësie ka kujtesa ndaj ngjarjeve të tilla?

William Walker: Për mendimin tim, – ndoshta e ekzagjeroj por nuk mendoj ashtu, – ajo që ndodhi në Reçak dhe ngjarjet që pasuan çuan në formimin e Republikës së Kosovës. Ai incident, reagimi im ndaj tij, dhe më pas reagimi i qeverisë së Serbisë ndaj reagimit tim, prodhuan një cunam ndërkombëtar raportimesh për atë që po ndodhte në Kosovë, që çoi pastaj në takimin e ministrave të jashtëm, më pas takimet në Londër, në Rambuje që u pasuan me fushatën e bombardimeve gjë që eventualisht çliroi Kosovën nga kontrolli i Serbisë. Mendoj se është shumë e rëndësishme ta kujtoj sa më shpesh të jetë e mundur – sa herë që ndeshem me informacione të reja kontrolloj për të parë nëse konkluzioni im fillestar ishte i saktë dhe deri më sot, 20 vjet më pas, jam ende i bindur se vlerësimi që dhashë ishte i vërtetë.

Zëri i Amerikës: Vlerësimi juaj shënoi kthesë në qasjen e diplomacisë perëndimore e cila u përfshi në proceset që u paraprinë bombardimeve të NATO-s. Beogradi ju shpalli person të padëshirueshëm dhe ngul këmbë edhe sot se Reçaku u paraqit ndryshe për të krijuar një shkas për bombardimet kundër Serbisë. Si u përgjigjeni këtyre qëndrimeve?

William Walker: Është absolutisht qesharake. Unë e di përse shkova në Reçak atë mëngjes të 16 janarit. Mbërrita aty vetëm disa orë pasi kishte ndodhur masakra. Pashë në mesin e asaj dite të acartë dimri trupat dhe atë që kishte ndodhur ndaj atyre burrave dhe djemve. Qeveria e Beogradit doli që ditën e parë me versione të ndryshme që i përshtaste me atë që mësonte bota për atë ngjarje dhe vazhdimisht ka ndryshuar opinionin e saj. Ata arritën deri aty saqë pretendonin se unë kisha shkuar dhe kisha ndryshuar rrobat e më shumë se 40 viktimave dhe i kisha shpuar me plumba. Këto ishin shpjegime qesharake. Është një nga shumë të tilla të bëra nga Beogradi. Edhe njëherë, unë nuk kam parë asnjë informacion nga burime të besueshme, që të ketë rënë ndesh me vlerësimin tim fillestar të asaj që ndodhi atë natë.

Zëri i Amerikës: Njëzet vjet më pas, kur e mendoni situatën që mbretëronte në Kosovë, a ka qenë e mundur të shmangej një masakër e tillë?

William Walker: Jo. Ajo nuk ishte masakra e vetme, kishte edhe të tjera. Ndryshimi me atë të Reçakut ishte se vëzhguesit ndërkombëtarë mbërritën aty brenda disa orëve dhe kështu që historitë e sajuara të një beteje mes UÇK-së dhe forcave serbe u sfiduan. Ata ishin të gjithë djem dhe burra fshatarë me veshjet e tyre të bujqësisë. Nuk mendoj se masakra mund të ishte shmangur. Ajo thjesht hodhi dritë mbi atë që qeveria në Beograd po bënte ndaj shqiptarëve në Kosovë që nuk ishte vetëm në Reçak por në shumë fshatra të tjera.

Zëri i Amerikës: Ambasador, një vit më parë ju thatë në Reçak se “është dëshpëruese, pasi këta njerëz nuk e dhanë jetën e tyre për ta parë Kosovën aty ku është tani”. Sipas jush ku ndodhet Kosova njëzet vjet pas asaj masakre?

William Walker: Do të thosha në një situatë të trazuar. Ditën kur u shpall pavarësia – isha atë ditë në Prishtinë dhe të nesërmen në Pejë dhe kujtoj atë lum njerëzish që festonin çlirimin dhe pavarësinë. Pritshmëritë ishin të larta, ndoshta shumë të larta. Por edhe po të ishin në një nivel më të ulët, një numër shumë i madh njerëzish në Kosovë sot janë mjaft të zhgënjyer me ecurinë e deritanishme. Shumë njerëz thonë se duhet kohë për të ndërtuar një shtet të ri që lindi nga asgjëja, se politikanët kosovarë nuk kishin përvojë për të qenë politikanë e aq më shumë presidentë apo zëvendësministra, apo deputetë. Por mendoj se situata është zhgënjyese, ka shumë korrupsion, shumë krim, shumë pasiguri për të ardhmen. Rrjedhja e trurit që ka prekur të gjitha vendet e Ballkanit por veçanërisht Kosovën, papunësia mes të rinjve është shumë e lartë dhe ata po humbasin shumë njerëz të aftë. Kam qenë i përfshirë me Universitetin Amerikan në Kosovë në përpjekjet për të trajnuar të rinjtë me mënyrën sesi funksionon bota sot. Kemi patur rezultate të mira. Ka shumë studentë të mirë dhe inteligjentë, por sapo diplomohen ata largohen – shkojnë në Gjermani apo këtu në Shtetet e Bashkuara – e kërkojnë fatin diku tjetër pasi në Kosovë mundësitë janë shumë të pakta. Pra shumë njerëz prisnin më tepër përparim 20 vjet pas asaj që ndodhi.

Zëri i Amerikës: Kosova shënon sivjet 11 vjet të pavarësisë, por ende është në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Gjatë vitit që lamë pas madje janë hedhur ide për një marrëveshje që mund të prekte edhe kufijtë e saj. Si e shihni ju këtë proces dhe ide të tilla?

William Walker: Unë e shoh kështu: njëra palë është e gatshme të negociojë dhe të bisedojë për të ardhmen ndërsa tjetra shumë e pandryshuar në qëndrimin e saj se Kosova është ende pjesë e Serbisë. Duke patur parasysh mënyrë sesi e trajtoi shumicën shqiptare qeveria e Sllobodan Millosheviqit në Kosovë, unë nuk e imagjinoj dot që populli i Kosovës të pranojë ndonjë lloj kufizimi të lirisë nga ana e Beogradit. Në të njëjtën kohë është një problem që të dyja vendet janë fqinje. Serbia vazhdon të provokojë probleme në veri të Kosovës me pakicën serbe. Ende nuk kam dëgjuar ndonjë zgjidhje të mundshme nga tryeza e bisedimeve që të jetë e zbatueshme, që të zgjidhte problemet. Dëgjon për shkëmbime territoresh apo ide të tjera. E di që Bashkimi Evropian kërkon një zgjidhje, një marrëveshje të negociueshme, e di që Shtëpia e Bardhë kërkon një zgjidhje. U deklarua kohët e fundit se do të mbështesim çdo marrëveshje për të cilën bien dakord palët. Mendoj se kjo është e padrejtë për Kosovën. Serbia është në një pozitë më të fuqishme. Ata kanë mbështetjen e Rusisë dhe vende të tjera në anën e tyre. Kosova është në pozita të dobëta. Thjesht shpresoj që kushdo që negocion për Kosovën do të mbetet këmbëngulës se do të ishte e papranueshme çdo gjë që është më pak se njohja e pavarësisë nga Beogradi, se fakti që Kosova ekziston si një shtet i pavarur në Evropë. Jam disi i shqetësuar se klasa e tanishme politike, disa anëtarë të saj, janë të shqetësuar për një re tjetër që u rëndon mbi supe që është zyra e Prokurorit Special. Disa prej tyre mund të ndjejnë se nëse nuk bëjnë atë që u thotë Bashkimi Evropian apo Shtetet e Bashkuara, mund të akuzohen shumë lehtë. Zyra e Prokurorit Special ka kohë që është ngritur dhe ende nuk kam dëgjuar për akuza të ngritura kundër askujt, por e di se disa në lidershipin e tanishëm janë të shqetësuar se mund të akuzohen personalisht për krime lufte.

Zëri i Amerikës: Ju e shihni Kosovën në një situatë më të dobët sesa Serbia që sipas jush ka mbështetjen e Rusisë. Si e shihni përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në këtë proces?

William Walker: Mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë tentuar të tërhiqen nga angazhimi i fuqishëm i mëparshëm ndaj Kosovës si një shtet i pavarur për shumë arsye. Vëmendja po kthehet ndaj problemeve të tjera në pjesë të tjera të botës. Kosova është një vend i vogël. Shtetet e Bashkuara nuk mbështeten tek Kosova për asgjë kështu që interesat nuk janë të njëjta. Nuk do të thosha se Shtetet e Bashkuara kanë humbur interesin por po humbasin entuziazmin që kishin për ta ndihmuar Kosovën të zhvillohej si një vend që shumë dëshironin se do të ishte. Në administratën e tanishme amerikane nuk mendoj se ka njerëz që kanë qenë të përfshirë me çlirimin apo pavarësinë e Kosovës apo që janë në dijeni që asaj që ka ndodhur para masakrës së Reçakut. Është e vështirë të shpjegosh sesa e keqe ishte situata për popullin e Kosovës nën Sllobodan Millosheviqin. Dhe nuk kam parë ndonjë shenjë nga qeveria e Beogradit për të ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë kaluar në qëndrimin se çdo lloj marrëveshjeje është e pranueshme prej nesh. Kjo më zhgënjen!!

Zëri i Amerikës: Cila do të ishte këshilla juaj për udhëheqjen e Kosovës në vazhdimësi të këtij procesi?

William Walker: Do t’i këshilloja të mos dëgjonin aq shumë sa kanë dëgjuar deri tani komunitetin ndërkombëtar dhe të dëgjojnë më shumë popullin në Kosovë. Nëse do të dëgjonin më shumë njerëzit që i votojnë, i zgjedhin dhe u mundësojnë titujt, punët e mira, udhëtimet dhe të gjitha të tjerat që vijnë me mbajtjen e një posti publik. Ata nuk dëgjojnë atë që thonë njerëzit. Siç e thashë ka një zhgënjim të madh dhe zemërim se gjërat nuk kanë shkuar si duhet. Mendoj se klasa politike në Kosovë – që nga presidenti, tek kryeministri, tek ministrat – shumë prej tyre janë parë si heronj të luftës, që luftuan me UÇK-në. Po – ata u shpërblyen, morën poste politike. Por ka ardhur koha që ata të largohen, është koha që të vijë një brez i ri që e di si është tani bota. Nuk shoh fytyra të ndryshme në zyra publike nga ato që kam parë unë 20 vjet më parë. Bota ka ndryshuar, situata e Kosovës ka ndryshuar dhe ata kanë nevojë për një drejtim që ka besimin e popullit./ KultPlus.com

Gjyshërit nuk vdesin kurrë. Thjesht bëhen të padukshëm

Gjyshërit nuk vdesin kurrë, bëhen të padukshëm dhe flenë përgjithmonë  në thellësitë e zemrave tona. Edhe sot na mungojnë dhe do të jepnim  gjithçka për të dëgjuar përsëri tregimet e tyre, për të ndier  përkëdhelitë e tyre dhe ato mendimet e mbushura me butësi të pafundme.

E dimë se është ligji i jetës, ndërsa gjyshërit kanë privilegjin të  na shohin të lindim dhe të rritemi, ne duhet të bëhemi dëshmitarë të  plakjes së tyre dhe lamtumirës nga kjo botë.

Humbja e tyre është pothuajse gjithmonë mirupafshim-i ynë i parë, dhe  zakonisht gjatë fëmijërisë sonë. Gjyshërit që marrin pjesë në  fëmijërinë e nipërve të tyre lënë gjurmë në shpirtrat e tyre, trashëgimi  që do t’i shoqërojnë ata gjatë gjithë jetës, si fara të dashurisë së  përjetshme, për ato ditë kur ato bëhen të padukshëm.

Sot është shumë e zakonshme të shohësh gjyshërit dhe gjyshet e  përfshira në çështjet e fëmijëve me nipërit e mbesat e tyre. Ata janë  një rrjet i paçmuar mbështetje në familjet e sotme.

Megjithatë, roli i tyre nuk është i njëjtë me atë të një babai apo  një nëne, dhe kjo është diçka që fëmijët e perceptojnë në një moshë të  vogël. Marrëdhënia midis gjyshërve dhe nipërve e mbesave vjen nga një  bashkëpjesëmarrje shumë më intime dhe e thellë, kështu që humbja e tyre  mund të jetë diçka shumë delikate në mendjen e një fëmije ose  adoleshenti.

Gjyshërit nuk vdesin, sepse ata janë të ngulitur në emocionet tona në një mënyrë më delikate dhe të thellë se sa thjesht gjenetike. Ata na  mësuan të shkojmë pak më ngadalë dhe me ritmin e tyre, të shijojmë një  pasdite në fshat, të zbulojmë se librat e mirë kanë një erë të veçantë  dhe se ekziston një gjuhë që shkon shumë përtej fjalëve.

Është gjuha e një përqafimi, e një puthjeje, e një buzëqeshje të  ndërlikuar dhe e një shëtitje në mes të pasdites, duke ndarë heshtjen  ndërsa ne shikojmë perëndimin e diellit.

E gjithë kjo do të zgjasë përgjithmonë dhe pikërisht tek kjo ndodh  përjetësia e vërtetë e njerëzve. Në trashëgimi emocionale e atyre që me  të vërtetë na duan dhe që na nderojnë duke i kujtuar çdo ditë./bota.al/ KultPlus.com

Shtatë prej thënieve më të mira të Franc Kafkës

Libri duhet të jetë një “sëpatë”, për detin e ngrirë që ndodhet brenda nesh.

Franc Kafka, nga një letër dërguar Oskar Pollak, 1904

Ka një sasi të pafundme shprese në Univers… por jo për ne.

Franc Kafka, nga një letër dërguar Milena Jesenskas, 1920

Disa e mohojnë ekzistencën e mjerimit, duke treguar me gisht nga Dielli; ai mohon ekzistencën e Diellit, duke treguar me gisht nga mjerimi.

Franc Kafka, nga Ditari

Gëzimi i jetës rridhte me një pasion kaq të zjarrtë nga fyti i tij, saqë për kalimtarët rastësorë, nuk ishte e lehtë që të përballonin tronditjen që u shkaktonte.

Franc Kafka, nga tregimi i tij “Artisti i Urisë”

Rri në tryezën tënde dhe dëgjo. Madje as mos dëgjo, vetëm prit. Madje as mos prit, rri krejt palëvizur dhe i vetëm. Bota do të shfaqet para teje, sepse ajo po heq maskën, ajo nuk mund të bëjë gjë tjetër, në ekstazë ajo do të dridhet në këmbët e tua.

Franc Kafka, Aforizma

“Jo”, tha prifti, “ti nuk ke pse pranon gjithçka si të vërtetë, ti duhet ta pranosh vetëm si të nevojshme”.

“Pikëpamje dëshpëruese”, tha K.

“Gënjeshtra ia doli të bëhet rregulli i botës”.

Franc Kafka, “Gjyqi”

“Mos u përkul, mos e zbut, mos u përpiq ta bësh të duket logjike: mos e ndrysho shpirtin tënd, sipas modës. Ndiq në mënyrë të pamëshirshme, fiksimet e tua më të fuqishme.

Franc Kafka./ bota.al/ KultPlus.com

Brit Awards: Dua Lipa këngëtarja më e nominuar, Rita Ora në garë për një çmim

Janë bërë të ditur nominimet për Brit Awards 2019. Dua Lipa dhe Rita Ora janë pjesë e këtyre nominimeve. Dua Lipa është këngëtarja më e nominuar për “Brit Awards”, së bashku me Anne Marien me nga katër nominime.

Këngëtarja me prejardhje nga Prishtina, me këngët “IDGAF” si dhe “One Kiss” në bashkëpunim me Calvin Harris, është nominuar në kategorinë “British Single”.

Me këto dy këngë Lipa është nominuar edhe në kategorinë videoklipi më i mirë. Për këtë çmim është nominuar edhe Rita Ora me këngën “Let Me Love You”.

Ceremonia e “Brit Awards” do të mbahet të mërkurën, më 20 shkurt në “O2 Arena” të Londrës./ KultPlus.com

Gratë dominojnë nominimet në “Brit Awards”

“Uroj të ketë sa më shumë gra në skena të këtilla”, kishte thënë Dua Lipa kur kishte fituar vitin e kaluar çmimin artistja më e mirë në “Brit Awards”, shkruan BBC.

Dhe një vit më vonë, duket se industria e muzikës ka marrë shënime, me artistet që dominojnë nominimet për 2019. Derisa listës së nominimeve i prijnë Dua Lipa e Anne Marie me nga katër sosh, transmeton Koha.net.

Dua Lipa udhëheq “Brit Awards” me katër nominime, Rita Ora në garë për një çmim.

E kjo është hera e dytë në histori të “Brit Awards”, që gratë kanë më tepër nominime se burrat për çmimin kryesor “Albumi i Vitit”.

Lista e plotë e nominimeve është si më poshtë:

Albumi i Vitit

The 1975 – A Brief Inquiry Into Online Relationships

Anne-Marie – Speak Your Mind

Florence + The Machine – High As Hope

George Ezra – Staying At Tamara’s

Jorja Smith – Lost & Found

Artistja më e mirë

Anne-Marie

Florence + The Machine

Jess Glynne

Jorja Smith

Lily Allen

Artisti më i mirë

Aphex Twin

Craig David

George Ezra

Giggs

Sam Smith

Grupi më i mirë

The 1975

Arctic Monkeys

Gorillaz

Little Mix

Years & Years

Artisti më i mirë i ri

Ella Mai

Idles

Jorja Smith

Mabel

Tom Walker

Zgjedhja e kritikëve

Fitues: Sam Fender

Lewis Capaldi

Mahalia

Singli më i mirë

Anne-Marie – 2002

Calvin Harris and Dua Lipa – One Kiss

Clean Bandit ft Demi Lovato – Solo

Dua Lipa – IDGAF

George Ezra – Shotgun

Jess Glynne – I’ll Be There

RAMZ – Barking

Rudimental – These Days

Siagla and Paloma Faith – Lullaby

Tom Walker – Leave A Light On

Videoklipi më i mirë

Anne-Marie – 2002

Calvin Harris and Dua Lipa – One Kiss

Clean Bandit ft Demi Lovato – Solo

Dua Lipa – IDGAF

Jax Jones ft Ina Wroldsen – Breathe

Jonas Blue ft Jack & Jack – Rise

Liam Payne and Rita Ora – For You

Little Mix ft Nicki Minaj – Woman Like Me

Rita Ora – Let Me Love You

Rudimental – These Days

Artisti më i mirë ndërkombëtar

Drake

Eminem

Kamasi Washington

Shawn Mendes

Travis Scott

Artistja më e mirë ndërkombëtare

Ariana Grande

Camila Cabello

Cardi B

Christine & The Queens

Janelle Monae

Grupi më i mirë ndërkombëtar

Brockhampton

The Carters

First Aid Kit

Nile Rodgers & Chic

Twenty One Pilots./ KultPlus.com

‘Të gjitha gjërat vërtet të mbrapshta fillojnë nga pafajësia’

Thënie nga Ernest Heminguej

Nuk ka asgjë të bukur tek procesi i të shkruarit. Gjithë sa duhet të bëni, është të uleni para një makinë shkrimi dhe të kulloni gjak.

“Të gjitha gjërat vërtet të mbrapshta fillojnë nga pafajësia.”

E dua gjumin. E dini, jeta ime ka tendencë të rrënohet kur zgjohem.

Sot është e vetmja ditë nga të gjitha të tjerat që do të jetë ndonjëherë. Por se çfarë do të ndodhë në të gjitha ditët e tjera që vijnë, mund të varet nga ajo që ju bëni sot.

Bëjeni gjithnjë esëll atë që keni premtuar kur ishit i dehur. Kjo do t’iu mësojë ta mbani gojën mbyllur.

Unë pij për t’i bërë më interesantë njerëzit e tjerë.

Shkruani kur jeni i dehur; redaktoni kur jeni esëll.

Të gjithë njerëzit mendimtarë janë ateistë.

Kur njerëzit flasin, dëgjojini plotësisht. Shumica e njerëzve nuk dëgjojnë asnjeherë.

Mos ngatërroni asnjë lëvizjen me veprimin.

Një njeri inteligjent është i detyruar ndonjëherë të dehet, për të kaluar kohën me budallenjtë e tij.

Pjesa më e vështirë e të shkruarit të një romani, është ta përfundoni atë.

Për të shkruar në lidhje me jetën, ju më së pari duhet ta jetoni atë.

Kur filloni të jetoni jashtë vetvetes, gjithçka është e rrezikshme.

Vdekja është si një prostitutë plakë ulur në një bar – unë do ta qeras me një pije, por s’dua të ngjitem lart me të.

Vera është gjëja më e civilizuar në botë.

Pozicionimi kundër të keqes nuk ju bën domosdoshmërisht të mirë.

Jeta nuk është e vështirë për t’u menaxhuar kur s’keni asgjë për të humbur./ bota.al/ KultPlus.com 

Kampusi shkollor në Prishtinë publikohet në platformën më të njohur për arkitekturë

Kampusi i American School of Kosova, i përfunduar rishtazi, përveç që ka tërhequr vëmendjen në vend, ai së fundmi u publikua edhe në uebfaqen më të vizituar në botë për arkitekturë, Archdaily.com.

Archdaily vlerëson se një ambient inovativ si i American School of Kosova ndikon drejtëpërdrejtë në dëshirën dhe vullnetin e fëmijëve për të vijuar mësimin çdo ditë. Hapësirat multifunksionale, ndriçimi natyral, shumëllojshmëria e ngjyrave, janë disa nga karakteristikat e veçuara nga Archdaily, që e bëjnë ambientin e ASK-së kaq të ngrohtë, pozitiv dhe energjik për nxënësit e saj./ telegrafi.com/ KultPlus.com

Artikullin e plotë, mund t’a lexoni këtu:

https://www.archdaily.com/908709/american-school-of-kosova-maden-group?utm_source=offices&utm_medium=email&utm_campaign=just-published&fbclid=IwAR29DLt9FqE4xouBNqwX5ZcGFFmU2qfQ1SqbsJCXMBnJkrmISNFMAd4ie_c

Trip Advisor: Kosova vetëm për të përkushtuarit

Trip Advisor e ka përshkruar Brezovicën, si një vend të vogël dhe që ka mungesë të pajisjeve të duhura. E vendosur në afërsi të Prizrenit, në Parkun Kombëtar të Maleve të Sharrit, ky vend ka shërbyer si një plan B për Olimpiadën dimërore të mbajtur në Sarajevë në vitin 1984.

Vizitorët tregojnë se edhe pse rruga nëpër mal është mahnitëse, ajo shpesh herë është e mbushur me njerëz dhe nuk ka vende të lira për parkim.

Mirëpo Brezovica e buluar me borë mbetet akoma një eksperiencë e bukur për ata që duan të marrin këtë rrugë përkundër ski-liftit të dyshimtë i cili shpesh herë edhe mundet të mos punojë, transmeton ukalbanians.net

Brezovica e njohur që shumë kohë nga skiatorët profesional për shpatat e saj të pjerrëta, mbetet akoma e pazhvilluar për shkak të mosmarrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë. Të dy palët pretendojnë pronësinë e këtij vendi dhe si rezultat të gjitha përpjekjet për ta privatizuar dhe zhvilluar, duke përfshirë edhe marrëveshjen 410 milionë euro në vitin 2016, kanë dështuar./ KultPlus.com

Pasqyra

Nga Sylvia Plath.

Jam prej argjendi dhe e fortë. 
Nuk kam 
paragjykime.
Atë që shoh e gëlltis në cast
ashtu siç është, pa mbuluar me vel
dashurie apo kundërshtie.
Nuk jam e pashpirt, jam vetëm e vërtetë-
sy i nje Zoti të vogël, katërkëndësh.
Kaloj shumë kohë duke menduar në faqen e murit përballë
Është ngjyrë trëndafili e me njolla. 
E vështroj prej kohësh
e besoj se është në zemrën time. 
Po e jo.
Fetyrat e errësira na ndajnë shpesh.
Tashti jam një liqen. 
Një grua përkulet mbi mua,
duke kërkuar në shtrirjen time 
atë që ajo është në të vërtetë.
Pastaj kthehet te kandilat ose te hëna, 
tek ato gënjeshtaret.
Shikoj shpinën e saj dhe e reflektoj me besnikëri
Ajo më shperblen me lot 
dhe me një të shkundur të duarve.
Jam e rëndësishme për të. 
Shkon e vjen.
Çdo ditë është fytyra e saj që zë vendin e errësirës.
Tek unë ka zhytur një vajzë dhe tek unë një plakë
shkon drejt saj përditë si një peshk duke u dridhur./ KultPlus.com

Nuk u martova për të pasur një shtëpi të pastër, u martova për të ndarë jetën me të

Siç raportohet nga Clint në blogun e tij “No Idea What I’m Doing: A Daddy Blog”, një ditë nëna e tij i kritikoi gruan për pastërtinë e shtëpisë. Fillimisht Clint nuk u përfshi në këtë debat.

Më pas ai vendosi që të shkruajë një përgjigje në faqen e tij në Facebook:

“Pak kohë më parë, më telefoni nëna ime dhe u habita nga fjalët e saj:”A nuk të shqetëson fakti që Mel nuk pastron aspak?”, i thotë ajo. Me siguri ajo e kishte vënë re, ishte mendimi im i parë, që jo gjithmonë shtëpia jonë është e pastër në përsosmëri. Unë e pranoj se ka ditë kur, për shkak të angazhimeve, nuk mund të bësh ose ndjekësh gjithçka. Por mendova se ideja për t’u martuar nuk u mbështet tek rendi dhe pastërtia. Unë nuk u martova me Mel për këtë! Kështu, vëzhgimi i nënës sime më bëri të kuptoj, pa e fajësuar atë, dallimin mes nesh, si brez dhe mentalitet. Ajo dhe babai im, pothuajse gjithmonë mungonin, kishin një mënyrë jetese shumë të ndryshme nga jona. Babai im më tha një herë: “Para se të martohesh me një grua, bëji një vizitë të papritur dhe shiko se si i mban gjërat e saj”. Unë mendoj se shqetësimi i nënës sime për pastrimin e shtëpisë sime ka të bëjë shumë me pritjet që ekzistonin kur ishte e re. Ajo u rrit dhe u martua me këto ide. Megjithatë, menjëherë kuptova se unë nuk u martova për këtë. Më pëlqejnë sytë e saj, buzëqeshja, mënyra se si i ndajmë të gjitha aspektet e jetës dhe familjes sonë. Dhe kështu, pak kohë më pas u përgjigja: “Unë nuk u martova me Mel për të pasur një shtëpi të pastër. U martova për të ndarë jetën me të”.

Pas pak çastesh heshtje totale, ajo vuri në dukje: “Kjo do të thotë që është më e rëndësishme se të kemi një shtëpi të pastër…” “Po, – u përgjigja!” / revistapsikologji/ KultPlus.com

Sonte nuk mbahet repriza e shfaqjes “Bordel Ballkan”

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës sonte duke filluar nga ora 20:00 ishte paraparë që të jepet repriza e shfaqjes “Bordel Ballkan”. Mirëpo, ky institucion ka njoftuar se repriza e kësaj shfaqje nuk do të mbahet duke kërkuar kështu mirëkuptim edhe nga publiku, shkruan KultPlus.

“Për arsye shëndetësore të një aktorës, ju njoftojmë se sonte me datë 12.01.2019 shfaqja “Bordel Ballkan” nuk do të mbahet”, shkruhet në njoftimin e dërguar nga TKK-ja.

‘Bordel Ballkan’ është bazuar në dramën e Eskilit “Orestia”. E zhvendosur në një kontekst të ri ballkanik – ‘Bordel Ballkan’ flet për një lloj çoroditjeje morale e shpirtërore, nga i cili vuajmë në këto anë. Drama shpërfaq një lloj besimi të rremë, të cilin ia veshim vetes si një rrobe e vjetër, e pas së cilës fshihemi, si duke dashur të tregojmë që ne jemi zotët e fatit tonë, që ne jemi qenie të vetëdijshme. E përkundrazi, kjo dramë, në tërësinë e saj, na dëshmon të kundërtën: që në neve gjendet një kod i thellë shkatërrimtar, për të cilin ne, kokëfortësish, nuk jemi të vetëdijshëm. Autor: Jeton Neziraj, Regjisor: András Urbán./ KultPlus.com

Film me superhero mysliman

Shefi i studios së njohur filmike “Marvel”, Kevin Feige, ka paralajmëruar se studioja ka në plan të realizojë një film me superhero mysliman.

Në një intervistë për BBC-në, Feige ka thënë se planet janë që të prodhohet superheroina pakistaneze “Ms.Marvel” pasi të debutojë aktorja Brie Larson me rolin e saj të “Captain Marvel”, transmeton Koha.net.

“Tani po e bëjmë ‘Captain Marvel’, ky film është duke u xhiruar me Brie Larsonin”, ka thënë ai. “Ms.Marvel që është një tjetër personazh i librave komik – heroina myslimane që frymëzohet nga Captain Marvel – pak a shumë është rrugës. Për këtë kemi plane pasi të prezantohet Captain Marvel”.

Versioni i Ms.Marvel, të cilit i referohet Feige është Kamala Khan, adoleshentja që shndërrohet në superheroinë myslimane në librat komikë të vitit 2013./ KultPlus.com

Kur kujtojmë Reçakun, kujtojmë njeriun e madh William Walker

William Walker ishte zëri më i fuqishëm për gjenocidin në Reçak.

Lufta e bërë në Reçak, e cila kulmoi me Masakrën e Reçakut, u bë lajm i botës me anë të fotografive por edhe zërit të diplomatit amerikan William Walker.

Masakra e 15 janarit 1999 ishte ndër më të tmerrshmet në Kosovë, dhe Walker ishte ai që e përhapi nëpër botë lajmin se në Kosovë popullësia po vritej nga serbët.

Walker morri detyrën të hetonte më shumë këtë Masakër, ndërsa vetëm tri ditë më pas, Qeveria e Jugosllavisë e shpalli atë persona non grata.

Ai po i bënte presion patologes francize Helena Ranta e cila ishte kryesuese e forenzikës asokohe, për të ndihmuar në zbardhjen e masakrës së tmerrshme.

Për shqiptarët, William Walker mbetet heroi i kësaj kohe, dhe i përjetshëm, në kërkim të drejtësisë për Masakrën e Reçakut por edhe për të gjithë të vrarët.

Këtë vit shënohet një tjetër përvjetor i kësaj Masakre makabre. / KultPlus.com

Masakra e Reçakut e 15 janarit, turpi i madh i Serbisë

Këto ditë shënohet përvjetori i Masakrës së Reçakut.

Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999 ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6.30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të granatojnë fshatin, prej vendeve të quajtura „Pishat“, „Gështenjat“, „Rrasa e Çallakut“ dhe nga „Çesta“ përmbi Reçak. Pas ndërprejes së granatimeve forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi.

Në këto momente mjaftë të rënda, fshatarët janë përpjekur të largohen nga fshati apo të gjejn një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e ka bërë të pamundur një gjë të tillë.

Forcat policore serbe që ishin futur përmes rrugës kryesore të fshatit kishin arrestuar në oborrin e shtëpisë (afër xhamisë) Banush Azem Kamberin, ndërsa familja e tij pak kohë më herët kishte braktisur shtëpinë. 

Pikërisht në rrugicën e “Gropës së Bebushit” ashtu siç kanë qenë duke ecur në kolonë, njësitë kriminale serbe me rafale automatiku nga afër i ekzekutojnë pamëshirshëm 24 burra, ndërsa me këtë rast (meqë ishin të fundit në kolonë) arrijnë të shpëtojnë: Ramë Shabani, Bilall Bilalli, Nesret Shabani, Ali Qazimi dhe Immer Imeri.

Më 15 janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua. / KultPlus.com

“…të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!”

Nga Ali Asllani

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!

Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
ju shkëlqen në kraharuar dekorata “Grand Cordon”!
Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’
dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!

Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,
ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,
ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.
Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!

Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!

Mirpo ju që s’keni pasur as nevoj’ as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet…
Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!

Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!
Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!

Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bëhet si të duash, kukuvajk’ dhe dallëndyshe…
kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,
fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!
Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,
mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,
dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

Vendi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,
bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut kreni sytë…
Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,
ky i sotmi zër’ i errët, bëhet vetëtimë
dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!

A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor’
nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
ësht’ i syrit në lot mëkuar, ësht’ i vendit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!

Rita Ora paralajmëron projektin e ri

Këngëtarja kosovare në Britani, Rita Ora, është duke punuar në disa projekte të reja të cilat pret t’i lansojë së shpejti për fansat e saj.

Në postimet e saj të fundit në rrjetin social Instagram, kjo mund të kuptohet më së miri, kur ndër të tjerash ajo shkruan edhe “Coming soon”.

“Nuk mund të presë deri në fundjavë pasi po punoj shumë këtë javë me të gjitha gjërat mahnitëse që unë kam përgatitur për të gjithë fansat e mi! Mezi pres që ju të shihni gjithçka”, ka shkruar Ora në një postim në Instagram.

https://www.instagram.com/p/BsfJwS_Hv7V/?utm_source=ig_web_copy_link

Elvini, shqiptari që mahniti jurinë e emisionit ‘Talang’ në Suedi (VIDEO)

Një talent që do ta mbani mend për një kohë të gjatë.

Djaloshi Elvin Xhinovci, me origjinë shqiptare por i cili jeton në Suedi, ka marrë pjesë në Talang I TV4, një emision televiziv i njohur për zbulimin e talenteve në Suedi.

Shqiptari ka kënduar disa këngë, dhe ka sjellë zhanrin rep duke imituar idollin e tij, Samir Badran.

Elvini është një tjetër djalë që po na bën krenarë me suksesin e tij në skenën ndërkombëtare ndërsa videoja e tij në Youtube ka rreth 32 mijë shikime në vetëm ditën e parë të lansimit. / KultPlus.com

Urime ditëlindja, Haruki Murakami!

Kur fillon të lexosh librat e Murakamit, jeta nis të marrë hijen e tyre. Kjo është karakteristika magjike e romanëve të shkrimtarit japonez Haruki Murakami.

Në një intervistë për klubin e librit Guardian në Festivalin Ndërkombëtar të Librit në Edinburg, Murakami ka ndarë me lexuesit e tij eksperiencën dhe ëndrrat.

Shumë pak i shfaqur në publik apo në media, Murakami ishte i qeshur, i qetë dhe shumë argëtues teksa u përgjigjej të gjitha pyetjeve në anglisht. “Kam jetuar në Havai për disa kohë, ndaj anglishtja ime është e ndryshme nga juaja”, paralajmëroi ai. Megjithatë, asistonte edhe një përkthyese, që sipas shkrimtarit, një herë e një kohë kishte qenë kameriere në një bar ku kishin shkuar Murakami dhe gruaja e tij Yoko.

Autori i 13 romanëve dhe shumë tregimeve, pranoi se kishte harruar plotësisht çfarë kishte shkruar; gjë që dukej se nuk e bezdiste aspak. “Vërtet?” dhe “Nuk më kujtohet kjo”, ishin dy nga përgjigjet e tij më të shpeshta. Ai e bënte audiencën të qeshte sa herë përgjigjej: “Është botuar 20 vjet më parë dhe nuk e kam lexuar që atëherë!”

***

E kam shkruar romanin e parë në vitin 1979. Që atëherë, i kam shkruar të gjithë romanët e mi në vetën e parë. Kam provuar disa herë të shkruaj në vetë të tretë (m’u deshën 20 vjet), i pari ishte “Kafka në Breg” – dhe nuk ndihem rehat, më duket sikur i shoh personazhet nga lart-poshtë. Dua të qëndroj në të njëjtin nivel me personazhet e mi. Kështu është demokratike.

***

“Imagjinata ime është një lloj kafshe. Ndaj veprimet e mia e mbajnë gjallë”

Jam i fiksuar me puset. Elefantin. Frigoriferin. Macen. Dhe hekurosjen. Nuk mund ta shpjegoj.

***

Kur filloj të shkruaj nuk kam asnjë ide se çfarë do të vijë më pas. Për shembull, te “Kronika e Zogut Kurdisës” e vetmja gjë që kisha në fillim ishte cicërima e një zogu, dhe për shkak se dëgjova një zog në kopshtin pas shtëpisë, m’u duk sikur po parashikoja diçka dhe doja të shkruaja rreth kësaj. Pastaj po gatuaja spageti – këto janë gjëra që më ndodhin mua! Po gatuaja spagetit kur dikush më thërriti. Kisha këto dy gjëra për t’ia nisur. Për dy vite vazhdova të shkruaj. Është qejf! Nuk e di se çfarë do të ndodhë më pas, çdo ditë! Zgjohem, i afrohem tavolinës, ndez kompjuterin dhe i them vetes: “Pra, çfarë do të ndodhë sot?” Është argëtuese!

News Growl: Vlora Çitaku është ambasadorja më me stil në Washington

Kosovarja Vlora Çitaku është konsideruar ambasadorja më me stil në Washington.

Revista prestigjioze News Growl i ka kushtuar një artikull ambasadores së Kosovës në Shtetet e Bashkuara, ku thuhet se ka pak diplomatë në Washington që i afrohen asaj për nga moda, transmeton Klan Kosova.

“E gjallë, magjepsëse dhe dinamike, Çitaku ka bërë një rrugë të gjatë që kur ka qenë si refugjate gjatë luftës që u zhvillua në Kosovë”.

“Ajo u emërua ambasadore e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, në gusht të vitit 2015”.


Kjo revistë thekson se marrëdhëniet me SHBA-të janë veçanërisht të rëndësishme për kosovarët për shkak të intervenimit ushtarak gjatë luftës të vitit 1998-99, transmeton Klan Kosova.

“Nëse dikush do të më kishte thënë 18 vjet më parë, gjatë kohës kur unë isha refugjate, se një ditë unë do të bëhesha ambasadore, nuk do ta kisha imagjinuar se kjo mund të ndodhte me të vërtetë”./KlanKosova/ KultPlus.com

E pazakonshmja

Adem Gashi

(Për librin “Merimangat e lirisë” të Marigona Kelmendit, Buzuku 2018) 

Po. Në mënyrë të pazakonshme do t’ju flas për librin e Marigonës.

E para, sepse më erdhi, që në dorëshkrim, si një përmbledhje që më sillte “tradhtinë” e autores brenda. Ajo kishte tradhtuar moshën e saj, sishoqet e saja, rrjedhat e sotme të lirikës. Kjo sikur nuk jeton njëkohshëm me to. Sikur ka zgjedhur një, çfarë t’i them, një çelë ku mediton për gjithçka të kësobotshme, të asaj që e quajmë rrojtje tokësore, gjëllim. Nis që nga titulli me një oksimoron, Merimangat e lirisë; hapet me një metaforë vegjetative, Gjethe (Jam një gjethe); përdegëzohet nëpër ciklin “Dje s’i thashë asgjë emrit”; vjen e bëhet “Pëshpërimë ditësh” dhe mbyllet me 

“Merimangat e mia makthet e mia

shpresat e mia/ 

Po po

jeni gjithandej veri e jug vetëm rrodhe lirie”.

Askund psherëtima e klithma të zhveshura dashurie, askund dalldi folku patriotik. Dashuria dhe atdhedashuria, bashkë me thellësinë e mendimit, me atë filozofinë e artit poetik shtrihet këtu brenda. 

Lirikë për t’u vënë re. E reduktuar në fjalës (leksik), e begatuar në trope e figura poetike, e mbushur në kuptim e ide, pa cenuar farfurinë emotive si reagens imanent. Për mua, befasi! 

Po të mos e merrja vesh faktin për moshën e saj do ta pandehja një autore me stazh. Nuk më ka rënë herë tjetër të lexoj një strukturë të këtillë gjuhësore me plot nocione tekniko-teknologjike, tituj poezish me ndajfolje si sokratikeplatonike e të tjera, si Errëdritë, Skajshmëri duke i disiplinuar dhe shtruar e nënshtruar rimit poetik në këtë shkallë.  

Më mbeti në kujtesë një alternativë: 

“Po ta prishën/ 

Gjithë ç’ndërtove/ 

I dashur/

Ndërtoje prapë/ 

Dëshmo kush je” (Nëse), që më nxit shoqërime idesh me maksimën volteriane “Kopshtin duhet punuar, duhet ripunuar”. 

A nuk është vetë jeta një përballje e përditshme që kërkon aktdëshmimin e gjëllimit? Hap i guximshëm dhe kurajoz.

E dyta, ky vëllim poetik thyen në mënyrë të vrazhdë uniformitetin. Duket sikur as në aspektin formal, as në përbërësit e regjistrat e tjerë semantikë e estetikë nuk përsërit gjë prej gjëje. Siç vjen i veçantë motivi i një lirike, po ashtu në mënyrë të veçantë mbarështrohet. Dhe, kjo pra, Marigona, ma solli ndër mend se njëherë e një kohë shkruhej poezia nogmë, formula proverbiale, një urtësi e kondensuar në dy a tri vargje, si këtu: 

“A di kush ta duajë bardhësinë e të bardhës/ 

A di kush ta ruajë ngrohtësinë e etheve të dashurisë/ 

Vetëm unë dhe ti ti dhe unë vetë Prishtinë”. 

(Antitezë, f. 43). 

Në rreshtin e dytë, folja duajë (në vend dojëvjenduke shkelur normën gjuhësore. Mendoni se nuk e dinte autorja? Assesi. Ajo ngulmon në idiomin e saj për t’ia pranëvënë trajtës tjetër, ta ruajëNjë goxha guxim e dije për një autore që s’ka veçse dy dekada e gjysmë jetë. 

Një tjetër poezi që më mban peng është poezia “Fola me lulet”. Nga dhjetë vargje sa ka ajo po jua jap vetëm vargun e parë dhe dy të fundit: 

/Kam dashur të flas me lulet…/ dhe

/Sa bukur më ndodhi sot/ 

Fola me lulet/. 

E thotë këtë Marigona, po mua ma kujton lirikun e Odesës, Jurij Olesha që thoshte se është e pamundur të mos flasësh me lulet në kopsht, kur u bien rrezet e diellit pas shiut. Në mos qofsha i gabuar, e marr me betim që Marigona as dëgjuar e ka emrin e Oleshës.

E treta, Unë do t’jua lexoj një poezi sipas zgjedhjes sime. E dini pse? S’e di as unë, por e di se çfarëdo që të them nuk më mbush më shumë se vetë ajo. E keni në faqen 63, Babai mes rreshtash/Ku fshihet e drejta/Kërkoja mes rreshtash gjëegjëzën e babait/Edhe sot sesi më duket e paqartë/Në një rrjetë merimangash e liria në kurth/Ai fliste për Kosovën për bjeshkën rrafshin/Kilometrat përmasash arnautësh në harrim/Vonë shumë vonë gjëegjëza u zbardh/Me hapat e mi të ngadaltë/Sytë e tij bojëqielli flasin qetë për një jetë/Ku nuk fshihet më e padrejta

katërta, nuk më vjen as keq as zor ta them: ky libër më trondit, kjo autore më trondit. Dhe ju them se Marigona o nuk do të shkruajë më kurrë, o do të ngjitet shumë lart! 

Uroj për këtë të dytën, në mos e vraftë xhelozia dhe smira e jonë./ KultPlus.com

Vendimet jetësore që duhet t’i merrni këtë vit

Është koha t’i ndryshoni disa gjëra. Është koha t’i harroni të gjitha çmenduritë që ju kanë ndodhur vitin e kaluar dhe nuk ka nevojë të bëni hapa gjigand, por ka disa gjëra që mund t’i bëni. Këto janë sfida të vogla por me vlerë të cilat do t’jua zbukurojnë vitin që në fillim.

Mësoni t’i pranoni kritikat. Mos i merrni gjërat personalisht. Nëse dini të pranoni kritikat qëllimmira, do të bëheni njeri më i mirë.

Bëhuni të fortë dhe largohuni nga njerëzit helmues. Mos lejoni dikë t’ju shtyjnë të bëni gjëra që nuk i doni. Çlirohuni nga helmi në jetën tuaj!

Nëse doni dikë, thuajuani! Mos pritni ditë të veçanta për t’u thënë njerëzve se i doni. Jeta është e shkurtër dhe gjithçka mund të ndodhë!

Asnjëherë nuk është vonë për t’i realizuar ëndrrat. Mos u bëni shumë e rreptë ndaj vetes, bëni një plan, përqëndrohuni, por mos u nervikosni nëse nuk shkon gjithçka vaj.

Mos u obsesiononi me ide rreth asaj se ku duhet të mbrrini për disa muaj apo për një vit. Nëse vazhdimisht mendoni për këtë, vet do t’i krijoni vetes shtypje të panevojshme.

Largohuni nga njerëzit që jua shterrin energjinë. Këta janë njerëzit që veç marrin, por nuk japin asgjë.

Ushtroni. Filloni të bëni diçka që do t’ju bëjë më të lumtur dhe më të shëndetshëm.

Gjeni një hobi. Gjeni diçka që çdoherë keni dashur ta bëni, por asnjëherë nuk keni pasur kohë. Investoni ne veten tuaj dhe mësoni diçka interesante dhe të dobishme.

Provoni gjëra të reja për të cilat nuk keni menduar më herët.

Kaloni më pak kohë në rrjete sociale. Ato jua ndikojnë negativisht humorin.

Pranojini gabimet tuaja. Mos u përpiqni çdoherë të gjeni një fajtor, mos kërkoni arsyetime. Qëndroni pas veprave tuaja dhe përpiquni ta përmirësoni atë që keni gabuar.

Çmojeni veten. Trupi juaj është i shenjtë. Ruajeni dhe çmojeni veten!

Lexoni libra! Por ama libra të vërtetë. Nuhatini faqet, shtrihuni në krevat dhe lexoni!

Luftoni për veten. Nëse nuk pajtoheni me diçka, thuajeni! Nuk do të thotë se duhet të krijoni mosmarrveshje e drama, por mos heshtni për gjërat që nuk ju përshtaten./ Burimi: skopjeinfo.mk Përshtatja: supergratë/ KultPlus.com

Jetojmë në një botë iluzioni. Synimi më i madh në jetë është të gjejmë realitetin

Disa thënie nga shkrimtarja e klasicizmit, Iris Murdoch.

“Dashuria është treguesi më i mirë se diçka përtej egoizmit është e vërtetë”.

“Ne jetojmë në një botë fantazish, një botë iluzioni. Synimi më i madh në jetë është të gjejmë realitetin”.

“Unë uroj që kushdo të bekohet me mure për erën, me një çati për shiun, me një filxhan çaji të ngrohtë pranë zjarrit, me njerëzit që i do pranë, si dhe me çdo gjë që dëshiron zemra e tyre”.

“Dashuria është ajo që ndodh kur qendra e universit të dikujt fillon dhe rrotullohet rreth të njëjtin person tjetër”.

“Vetëm gënjeshtrat dhe e keqja mbizotërojnë, nëse i lë të tjerët të marrin vendime për ty”.

“Ne mund të mësojmë të duam vetëm duke dashur”.

“Të dalësh nga një dashuri e madhe është vërtet ftilluese, pasi nis ta shohësh botën me sy të rinj”.

“Çdo mashkull ka nevojë për dy femra, një shtëpiake të qetë dhe një nimfë trilluese”.

“Unë mendoj se të jesh femër është njësoj si të jesh irlandeze. Çdokush thotë se ti je e rëndësishme dhe e mirë, por përherë të vendosin në vend të dytë”.

“Ne të gjithë duhet të përgatitemi për të ardhmen, nëse shohim se sa e tmerrshme është e tashmja jonë dhe sa keq po shkon ajo”./bota.al/ KultPlus.com

Unë jam kurbani!

Liridon Mulaj.

Une jam parazit!
Ja ashtu siç e lexuat,une jam nje parazit i diplomuar i cili parazitoj çdo ditë dyerve të punëdhenësve, për një vend pune. Jam i varfër, biri i një pastruesje dhe i një roje pa “dinjitet” në shoqëri. Kam dy vite me nje palë atlete të cilat më janë kthyer në simbol të sakrificēs , teksa bredh rrugëve të Tiranës me gazetë në dorë dhe nga lodhja ul kokën duke numëruar hapat në asfalt. Qetësinë e gjej tek librat, tek historitë , ngjarjet, rrëfimet sepse si ëndërrimtar i lindur e përfshij veten në situata dhe shpesh më merr rrjedha.

Une jam demode! 
Nuk kam rroba firmato, as makinë luksoze por as nuk jam kundër atyre që i kanë , në çfarëdo lloj mënyre që mund ti kenë blerë. Jam ai tipi “pa lidhje” që nuk ndjehet kur ecën rrugës, nuk bie në sy. Eci kryeulur gjithmonë, sepse mendoj që çdo njeri , e sheh brënda meje që jam dështak. 
Fundjavat e mija gjithmonë i kaloj në tarracën e pallatit me një shishe në dorë, raki fshati ose ndonjë birrë familjare, dhe disa cigare të hapura. Ndryshe nga moshatarët e mi që një shishe ndoshta mund t’u kushtojē sa një rrogë mujore e babait dhe mamasë , marrë së bashku. 
Po prapë nuk i kam zili, jetët i kemi të ndara dhe si rrjedhojë i jetojmë ndryshe. Unë fle në një divan në kuzhinën e shtëpisë 1+1 ku jetoj. Jam i vetmuar, i mërzitur, nuk po gjej punë dhe…diplomës çdo ditë e më tepër po i pi ujin në plot kuptimin e fjalës, po pi djersët që nga balli më përfundojnë në faqe e në buzë. Nuk e kam inatin me botën, as me qeveritarët, me askënd. E kam veten time, që edhe pse kisha mundësi të shisja drogë, zgjodha të lexoj. Kisha njëmijë mundësi të bëhesha kriminel “pasur” por zgjodha të studioj. Prindërit e mi kishin vuajtur gjithmonë dhe isha i sigurtë që këtë nuk mund ta përballonin, një djalë kriminel. Do ishte për nënën një turp edhe më i madh se pastrimi i tualeteve, apo për babain , bërtitjet e sharjet e pronarit kur e gjente ulur në karrige.

Unë jam një i dënuar! 
I dënuar nga fati të jem kurban i një sistemi jo të drejtë. Ku respekti paguhet me para , ku një diplomë e një djaloshi të vetmuar si unë nuk vlen as sa letrat e bythes së një pasaniku.

Ky jam unë! 
Mos bëni sikur s ‘më njihni. Më keni kudo në përditshmërinë tuaj. Jam ai kamarieri që ju shërben kafen çdo ditë. Jam lavazhieri që ju lan makinën kur mbytet në pluhur. Jam portieri që ju mban valixhet në hyrje të hotelit për një bakshish. E nësë doni të më njihni më mirë, shikoni djersët që më rrjedhin çurkë. Aty do kuptoni që s’jam asgjë tjetër , veçse një kurban i këtij sistemi të padrejtë, e që ato djersë janë uji që i pij diplomēs sime të pavlerë , për një rrogë që s’shkon më shumë sesa çmimi i dy librave në fakultet.

( Shkrim i para dy viteve dedikuar studentëve)./ KultPlus.com

Për gruan e cila…

Nga Brittany Latham.

Për gruan burri i së cilës zhduket çdo ditë pas orarit të punës..

Për gruan e cila po e vuan dështimin e një shtatzënie për të cilën nuk e diti askush..

Për gruan e cila vazhdon të jetë e para, edhe pse është e humbur brenda..

Për gruan e cila u largua nga puna sepse u vonua për të katërtën herë, dhe ka qenë zgjuar tërë javën për t’u kujdesur për fëmjën e sëmurë..

Për nënën vetëushqyese e cila nuk e di a do t’ia dalë në fund të këtij muaji..

Për gruan e cila ka kaluar në dy In Vitro fertilizime, ka provuar për pesë vite të ketë fëmijë dhe prapë është aty kur shoqet e saj kanë festat e fëmijëve të tyre..

Për gruan e cila ende e fajëson veten për abortin e para 20 vitesh..

Për gruan të cilën e gjykojnë sytë e të tjerëve derisa numëron monedhat e saj dhe lë diçka anash në supermarket..

Për gruan e cila hap derën dhe kupton se ia kanë vrarë burrin tri javë para se ai të vinte në shtëpi..

Për gruan e cila jeton me ankth sepse të tjerët nuk e dijnë për çka ajo është e stresuar..

Për gruan e cila i jep gjithçka familjes, dhe ka nevojë për pushim..

Për gruan e cila i buzëqesh secilit të huaj, por  çdo natë vajton në dhomën e saj të vetmisë..

Për gruan e cila dëshiron që gjithçka të marrë fund, por prap gjen forcë të vazhdojë..

Për gruan që sot dëgjoi thashethëme rreth saj..

Për gruan e cila fle afër një të panjohuri çdo natë..

Për gruan e cila asnjëherë nuk do të duket si ajo në ballinën e një reviste..

Për gruan e cila duron lidhjet e dështuara një pas një, sepse nuk pati një baba t’i mësonte çfarë është dashuria..

Për gruan që po e rritë një vajzë pa baba, dhe për lutjen e saj që historia të mos përsëritet..

Për gruan që dashuron me krejt forcën e saj, e cila dëshpërueshëm do të jetë e dashuruar..

Për secilën grua që vajton derisa pastrohet, që askush të mos e vërejë. Sepse nëse ajo nuk është e fortë – askush nuk është.

Vetëm sepse uji i largon lotët, kjo nuk do të thotë që nuk duhet të qash. Vetëm sepse qan, nuk do të thotë se nuk je e fortë të përballosh.

Unë jam ti. Unë të shoh. Unë jam me ty. Unë qaj me ty. Unë të dua./supergrate/ KultPlus.com