Varret në oborr

Besa Kalaja

Baba hapi një gropë të madhe në fund të oborrit. Aty i futi librat dhe dokumentet. Nana po i rrinte te krytë duke i thënë se ato do t’i dëmtojë lagështia. Punë e madhe- tha ai. Nuk garantoj as për vete a do të jem gjallë e po lodhem për libra. T’i shpëtojë fëmijët- tha. O kumt i trishtshëm. Aty e mora vesh se ishim shumë të rrezikuar.

Po duket si varr i hapur rishtas, – tha nana. Ishte kohë kur po flitej për varreza masive. Më shkoi buza në gaz. Ne në oborr e kemi një varrezë masive- varrezë masive librash. 

Babës i ishte ngjitur lloqi për kambësh. Po binte shumë shi. Ngjitja e lloqit ishte si ai momenti kur je mërdhirë e në trup e ndinë lagështinë që ta krijon cikli menstrual. Oh çfarë ndjenje është. 
Ishte shumë shpërfillës ndaj librave dhe me qejf do t’i digjte ato. Këtë do ta bënte sikur të kishte guxim. Tymi ishte shenjë për snajperista. Do ta vrisnin në vend. Gropa ndonëse e vështirë për t’u hapur dukej si zgjidhje më e mirë.

Ishte i përhumbur. Hynte në gropë e dilte pa e ditur, pa e kuptuar se nervoza e kishte mundur. Djersët bashkë me shiun që e kishin bërë qull i shkonin nëpër fytyrë. Sytë e tij të gjelbër e kishin humbur shkëlqimin. Dokumentet që i dukeshin të parëndësishme i shqyente aty për aty. Bërtiste dhe shante më nanë. Por kë. Ato libra i kishte blerë vetë. Dokumentet ishin të shtëpisë, të neve, të gruas së tij, prandaj ku e merrte nevojën për të sharë, për të mallkuar. Kë ta mallkonte, atë që s’e kishte menduar. Pse s’e kishte menduar, a nuk duhet njeriu të mendojë edhe gjëra të tilla. Apo të mendojë, oh votrën e nxehtë, aty ku e ke një grua që e don shumë e që është shumë e mençur, fëmijë të mirë e të dashur. Kjo është idealja. Jo baba nuk është dashur kështu. Nuk është dashur të besosh se jeta është të dëgjuarit rok, të lexuarit libra, rregullimi i oborrit për qejfin tënd, atë oborr që sot je duke e shkatërruar pa e ditur se çfarë je duke bërë. 

Në mëngjes po pastronin shtëpinë nga të gjitha librat dhe dokumentet në gjuhën shqipe. Jo të përkthyerat, ato po i linin aty. I kishte kapur panika. Nuk mërziteshin shumë që po e lënin rrëmujën mbrapa. Kur i mbushën thasët e pashë që në tokë po qëndronin Kafka, Shileri, Gëte, Shekspiri, një novelë e Dostojevskit, edhe Odisea e Homerit, më duket kishte mbetur. Nuk jam shumë e sigurt. Të gjitha të shkapërderdhura. Duheshte një orë për t’i sistemuar. Për t’i rënditur më mirë të them. Sepse askush nuk kishte më durim që veprat e një autori t’i rëndiste në një anë e të një tjetri në anën tjetër. Apo që librat të ishin të një formati sepse dreqi e marrtë edhe ato kur vendosën e meritojnë njëfarë hijeshije. 

Baba me don shumë. Kur mu afrua mi pa rrathët e zinj nën sy. Isha topitur. Trupi më ishte mpirë, shpirti më lëngonte. Një libër të vetëm s’mund ta mbaja në dorë. Po i rregulloja pa qejf. Ai nuk u mundua shumë. I bëri grumbull ato. Desha t’i pyesja se pse i varrosën. Çfarë kishin. Ku ishte dallimi. Kafka e Dostojevski nuk do t’na rrezikonin?. Pale Dostojevski ishte rus. A e kishin menduar kështu. Kishim në shtëpi ndonjë amerikan- apo amerikanët nuk shkruajnë mirë. Nuk kanë shpirt në të shkruar. Rusët po. Ata janë të tjerë. Vuajtja e tyre është e tjetër natyre. Fije Bari. Ah, kjo po. Titulli- Fije Bari. Autori- Walt Whitman. Amerikan.

Eja, tha Shpirti im,
Të tilla vargje për Trupin tim të shkruajmë, (se ne jemi një)
W.W.

Jemi një? Jo tani nuk mund të mendoj gjëra të tilla. Nuk mund të mendoj për trupin dhe shpirtin tim. Tani e kam mendjen te varreza. Nëse jemi gjallë a do të mbijnë ato. A do të bëhet bahçja jonë një kopsht më libra. I varrosëm, nuk i mbollëm. Po sikur të diskutohej dhe vendimi për varrosjen e tyre mos t’merrej vetëm nga dy vetë. Pse e merrnin barrën për gjithçka. Pse. S’dua në këto fjali të përdorë as pikëpyetjen. Jo, sepse ishin ata që çdo mëngjes e vënin ekzistencën tonë në pikëpyetje duke bërë gjëra të tilla. Duke hapur varre. Duke i vendosur gjërat me vlerë aty. Para, ari, enë s’di çfarë tjetër. Po të kishin mundësi do të hapnin të tilla gropa për neve. Për ta hequr një barrë. Për t’ mos u çmendur./KultPlus.com

‘Në fund të fundit, qytetërimet zhduken sepse dëgjojnë politikanët dhe jo poetët e tyre’

Jonas Mekas është një regjisor dhe poet i njohur amerikan me origjinë nga Lithuania. Puna e tij është ekspozuar në shumë muze dhe festivale.

Në 1944, Mekas u largua nga Lituania për të shpëtuar nga “Ushtria e Kuqe”. Gjatë rrugës, treni i tij u ndal në Gjermani, ku ai dhe vëllai i tij, Adolfas Mekas (1925-2011) u burgosën në një kamp pune në Elmshorn, një periferi të Hamburgut, për tetë muaj. Vëllezërit shpëtuan për t’u fshehur në një fermë pranë kufirit danez për dy muaj, deri në fund të luftës. Pas luftës, Mekas jetonte në kampet e personave të zhvendosur në Wiesbaden dhe Kassel . Nga viti 1946 deri në vitin 1948, ai studioi filozofi në Universitetin e Mainzit dhe në fund të vitit 1949 ai emigroi me vëllain e tij në SHBA, duke u vendosur në Williamsburg , Brooklyn, Nju Jork . Dy javë pas ardhjes së tij, ai huazoi para për të blerë aparatin e tij të parë Bolex 16mm dhe filloi regjistrimin e momenteve të jetës së tij. Aty fillon edhe rrugëtimi i tij i suksesshëm si regjisor por edhe në poezi.

Një nga thëniet e tij është: “Në fund të fundit, qytetërimet zhduken sepse dëgjojnë politikanët dhe jo poetët e tyre”, të cilën e sollëm sot për lexuesit./ KultPlus.com

Me u djeg âmel

Linditë Ramushi – Dushku

Zoti m’ka folë me vesh
si grue
ma diftoi dashninë
m’foli butë
qetë më tha
si me t’zaptue ty.

N’vesh më tha
sikur flet nji grue
që di me shkru andrra
n’sy te fjetun e t’zgjuem

Krejt t’i rrëfeva
si psalmë
për te dielen e bekueme
t’i kallxova krejt rremat e zemres
sikur numrohen gishat e dorës
…deri te llafi i gjyshes t’i thash
grueja duhet mi pas njiqind pal mend
me dasht e me mujt
tan jeten
me pas çka me kallxue.

Ashtu si me foli Zoti mue
veç me t’bekue nji grue
e me u djege âmel per ty…/KultPlus.com

Aktori i mirënjohur serb: S’do hidhërohesha nëse Serbia e njeh Kosovën

Aktori i mirënjohur serb, Predrag Miki Manojlloviq, ka deklaruar për Deutsche Welle në gjuhën serbe se nuk do të hidhërohej nëse Serbia do ta njihte Kosovën.

“Unë nuk do të hidhërohesha nëse Serbia e njeh Kosovën. Mendoj se me të gjitha gabimet që janë bërë në 110 vjetët e fundit nga ana serbe ndaj shqiptarëve dhe anasjelltas, me të gjitha dobësitë e shqiptarëve e serbëve, politika e dhunës asnjëherë nuk sjell askund. Kjo edhe u dëshmua. Kjo që po ndodhë sot nuk ka fund. Është një tregim i pafund”, ka thënë Manojlloviq, transmeton Koha.net.

Ai thotë se duhet gjetur ndonjë zgjidhje për këtë çështje, ndonëse thekson se një e tillë nuk është në horizont aktualisht.

“Është vështirë. Nuk guxojmë të harrojmë se shteti serb është themeluar atje. Ne paguajmë edhe sot kur në luftërat ballkanike ushtria serbe shkoi deri në Durrës dhe atje kreu krime, e më pas sulmet shqiptare ndaj ushtrisë serbe në përfundim të Luftës së Parë Botërore, etj., etj. Dhe them se këtu e kemi problemin e pulës dhe vezës. Më pas dhuna e Rankoviqit. Asgjë nuk zgjidhet me dhunë. Dhe për këtë arsye kemi ardhur këtu ku jemi”, tha ai.

Manojlloviq tha se aktorët dhe artistët në përgjithësi janë të përfshirë në politikë, ndërsa kritikon opozitën duke thënë se nuk kanë program dhe se protesta e tyre është e kotë, shkruan koha.net

Kujtojmë se aktori Manojlloviq, më 2015 kishte qenë në Prishtinë në kuadër të shfaqjes së përbashkët serbo-shqiptare “Romeo dhe Xhuljeta”, nga Uilliam Shekspiri, që për regjisor kishte pikërisht Mikin, shfaqje kjo e prodhuar nga “Radionica Integracija” (Beograd) dhe “Qendra Multimedia” (Prishtinë)./ KultPlus.com

Pianistja Lule Elezi dhe mezzosopranoja Brigitte Bergmann u prezantuan me koncert në Gjermani

“Koncert Winterromantik“ apo Koncert romantik dimëror” është titulluar koncerti që ka prezantuar dy artiste të suksesshme, pianisten kosovare Lule Elezi dhe mezzosopranon gjermane Brigitte Bergmann e cila është mezzosoprano në Operën gjermane të Berlinit , shkruan KultPlus.

Koncerti që është organizuar nga fondacioni “Hoeck” dhe u mbajt në Pallatin e Përrallave  “Märchenvilla“ në Eberswalde, afër Berlinit ka prezantuar program të pasur, ku pianistja Elezi luajti gjysmën  e programit vepra solo për  piano dhe gjysmën tjetër të programit e ka shoqëruar në piano mezzosopranon Brigitte Bergmann.

Lule Elezi është prezantuar me me vepra të: L.v. Beethoven, Puçini, Bizet, Camille Saint- Sans,  etj…, koncert që është vënë në pah edhe nga mediet gjermane e që është pritur me duartrokitje të gjata.

Lule Elezi do të paraqitet me koncert përgjatë muajit shkurt, në Strasbourg të Francës. E njëjtja është mjaft prezente me koncerte të shumta në Evropë e më gjerë, por paraqitjet më të shpeshta të saj vazhdojnë të jenë në Gjermani./KultPlus.com

Pas 70 vjetëve gjendet anija e flotës së Hitlerit

Një anije gjermane, pjesë e flotës së zhdukur të Adolf Hitlerit, që u fundos në Detin e Zi gjatë Luftës së Dytë Botërore, është zbuluar.

U-23 ndodhej 40 metra nën sipërfaqen e ujit, rreth 3.7 kilometra larg nga bregu i Agvas, një destinacion turistik popullor rreth 97 km nga Stambolli.

Zbulimi mahnitës u bë gjatë xhirimeve të një dokumentari të prodhuar nga transmetuesi publik turk dhe nga marina e vendit.

Pamjet u morën nga TCG Akin e marinës turke, anije që përdoret për shpëtimin e nëndetëseve, që në mesin e pajisjeve të saj ka një aparat fotografik i cili mund të zhytet deri në 1,000 metra.

ROV kapi pamjet e para të anijes së zhdukur prej 280 tonësh.

Anija ishte pjesë e një flote prej 6 nëndetësesh që lundruan nga Gjermania në Rumani në fillim të luftës, duke bërë që të udhëtonin rreth 2,000 milje nga porti Konstancës në Detin e Zi.

Të gjitha anijet U-18, U-19, U-20, U-21, U-22, U-23 janë pjesë e flotës së humbur të Hitlerit dhe kanë frymëzuar një sërë ekspeditash nënujore për t’i gjetur.

Në vitin 2018, zhytësit gjetën rrënojat e U-20, që ishte pjesë e flotës së dërguar nga Hitleri për të sulmuar anijet luftarake ruse në Detin e Zi./oranews/ KultPlus.com

Dua Lipa, pretendentja kryesore për të fituar në Grammy Awards

Tashmë është zyrtare se dy shqiptare njëra nga Kosova e tjetra nga Shqipëria, janë të nominuara për çmimin prestigjioz Grammy si Artisti/ja më e Mirë e Re.

Janë Dua Lipa dhe Bebe Rexha, ato që janë renditur në mesin e tetë artistëve që janë nominuar në këtë kategori.

Ndërsa sa i përket zërave se kush do ta fitojë këtë çmim prestigjioz, gjasat më të mëdha sipas shkrimit të fundit në Forbes nga kritiku i muzikës Hugh Mclntyrem janë për kosovaren Dua Lipa, shkruan Insajderi.

“Dua është ylli më i ri i globit”, thuhet ndër të tjera në shkrimin e Forbes, ndërsa ky çmim do t’i siguronte një të ardhme të sigurt ndërsa do i shtonte edhe më shumë presionin për një çmim tjetër Grammy.

Çmimet prestigjioze Grammy, mbahen më 10 shkurt ndërsa Dua Lipa është e nominuar në dy kategori që janë: “Artistja më e mirë e re” dhe “Kënga më e mirë e zhanrit Dance”. / KultPlus.com

Sopranoja Blerta Zhegu vlerësohet në Itali me “La boheme”

Sopranoja shqiptare Blerta Zhegu po vijon një aktivitet më vlerësime në skenën italiane.

Këto ditë sopranoja shqiptare ishte pjesë e veprës operistike “La boheme” në skenën e Teatrit Goldoni të Livornos në Itali. Po me këtë vepër sopranoja do të jetë dhe në muajin mars në Lucca. Vepra ishte bashkëpunim dhe me Teatro dell’Maggio Fiorentino, dhe dirigjente Gianna Fratta. Sopranoja shqiptare u ngjit në skenë me rolin e Musettës, ku mori vlerësimet nga publiku dhe kritika. Ajo tregon se është munduar ti japë këtij personazhi një identitet sa më origjinal. “Duke qenë se kisha të bëja me një personazh shumë të njohur për publikun italian si ai i Musettës në “La boheme” mu desh të mundohesha ti jepja një identitet sa më origjinal këtij personazhi duke evidentuar cilësi të tilla si eleganca, kokëfortësia, antikonformizmi apo sensualiteti që përbëjnë pikërisht sharmin e saj”, tregon sopranoja. Vepra e Puçinit pati sukses në skenë dhe për sopranon roli i Musettës është më i dashuri.

“Nuk jam një zë “puçinian” dhe nuk janë të shumta rolet e këtij kompozitori që mund të interpretoj, por ndër rolet më të dashura të të gjithë repertorit tim mbetet Musetta, për entuziazmin që ajo sjell në skenë dhe freskinë që i jep operës. Gjithashtu është dhe një rol, i cili më ka sjellë gjithmonë fat”, tregon sopranoja Blerta Zhegu.

Musetta në “La boheme” është roli i parë në 2019 të cilin sopranoja shqiptare e interpretoi në premierën e operës në Teatrin Goldoni të Livornos. Por ajo shprehet se është po aq e lumtur, që do të jetë dhe në Lucca. “Rolit do ti rikthehem në mars në Teatro del Giglio të Lucca-s. Jam e lumtur që do të debutoj këtë rol në Lucca, në qytetin e Puçinit siç pata kënaqësinë në dhjetor të interpretoj protagonisten e operetës “Si” të Mascagnit në qytetin e tij, Livorno. Ndërsa në shkurt do të jem në Teatrin Filarmonik të Veronës si Norina, protagonistja e operës “Don Pasquale” të Donizetit”, vijon të tregojë sopranoja shqiptare Blerta Zhegu që po merr vlerësime në skena ndërkombëtare. Opera puçiniane “La boheme”, marrë nga romani fejton: “Skena nga jeta e bohemit” të Henri Murger, u gërshetua në katër akte me libret të Luigi Illica dhe Giuseppe Giacosa. Ajo rrëfen telashet e një grupi të vogël artistësh që mundohen të jetojnë, për më shumti arrijnë të çalltisin, për pasionin e tyre më të madh: artin, ngazëllyer nga atmosfera gjallëruese pariziane e atyre viteve.

Mësuesi te ‘Debatiku’, Sulejman Pitarka kujtohet në 95-vjetorin e lindjes

95 vjetori i lindjes së aktorit të madh Sulejman Pitarka u përkujtua në prani të familjarëve, miqve dhe artistëve në sallën Goethe, të TKEKS. 

I njohur i aktori i karaktereve, Pitarka do të tërhiqte vëmendjen e publikut që në interpretimin e parë në kinematografi, në rolin e mësuesit tek filmit “Debatik” më 1961. Më pas, ai do të interpretonte rolin e “Sokratit”, tek “Horizonte të hapura” më 1968. Më 1976 do të jetë Galip Shkëmbi, tek “Tinguj lufte”, ndërsa në vitin 1977, do të ndërtojë një nga karakteret më të vështirë, atë të Gjeneralit tek “Gunat përmbi tela”.

Tek filmi “Ballë për ballë”, ai interpreton Zhelezbovin, komandantin rus të bazës më vitin 1979. Por, përtej kinematografisë, Pitarka do të kujtohet dhe për interpretimet e shkëlqyera në kryeveprat e teatrit botëror, në teatrin shqip.

Sulejman Pitarka lindi me 2 shkurt 1924, ne Dibër. Ai ka luajtur me sukses 50 role në Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe 20 të tjerë në kinematografi. Ka hyrë në historinë e dramës shqipe si autor i dramës “Familja e peshkatarit”.

Luajti rreth 50 role, duke shkëlqyer njësoj, si në dramë, ashtu edhe në komedi. / KultPlus.com

Fëmijët kosovarë mund të mbesin pa shtesa edhe këtë vit

Fëmijët kosovarë duket se do të mbesin pa shtesa edhe këtë vit, edhe pse ishte paralajmëruar që ndarja e tyre do të fillojë nga janari i këtij viti.

Rezoluta e votuar në Kuvendin e Kosovës ende nuk është hartuar në ligj nga Ministria e Punës dhe rrjedhimisht kjo çështje nuk do të mund të përfshihet as në buxhetin e vitit 2019. E sociologu Leotrim Sahiti tha se skema e propozuar nuk stimulon rritje të natalitetit.

Rezoluta e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, me iniciativë të deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, për ndarjen e një shume të caktuar për të gjithë fëmijët nga lindja deri në moshën 16 vjeçare në Kosovë, tashmë ka kaluar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila ende nuk ka hartuar legjislacionin përkatës.

24-28 June 2000 NATO Press Tour of Kosovo. – Visit to CIMIC reconstruction project in a Kosovo-Albanian village. Children of the village with the KFOR troops.

Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, tha për televizionin publik se ekzekutivi i vendit e ka mirëpritur këtë rezolutë, mirëpo ende nuk i ka gjetur vend zbatimit të saj në projektbuxhetin e vitit 2019.

“Në këtë fazë është ende herët për të dhënë datë apo informacione të sakta, duhet parë në parametrat ekonomikë se si do të mund të implementohet, kjo dhe është fushë që i takon edhe Ministrisë së Financave dhe ministrive të tjera apo linjave të tjera buxhetore për të parë se si dhe kur do të implementohej kjo rezolutë”, tha Gashi.

Edhe njohësit e çështjeve sociale në Kosovë e përshëndesin iniciativën e deputetëve, megjithëse thonë se shuma e propozuar për t’u ndarë për secilin fëmijë, është shumë e vogël, gjë që tregon edhe përkushtimin e vogël të shtetit ndaj kësaj kategorie.

Sociologu Leotrim Sahiti tha se shuma e shtesës për fëmijë duhet të jetë më e lartë dhe caktimi i shumës është dashur të jetë konform nevojave që kanë fëmijët. Ndërsa, zbritjen e shumës së përfituar për fëmijën e dytë e më shumë, Sahiti e ka quajtur të gabuar.

Iniciativa e deputetes Donika Kadaj-Bujupi e kthyer në Rezolutë nga Kuvendi i Kosovës parasheh që çdo familje të përfitojë 10 euro në muaj për fëmijën e parë, 5 euro për të dytin dhe 2,5 euro për të tretin, ndërsa, sipas deputetes Bujupi, nga kjo skemë do të përfitonin rreth 500 mijë fëmijë.

Michel Houellebecq, pjesëmarrës në festivalin KROKODIL në Beograd

Shkrimtari i njohur francez Michel Houellebecq do të vizitojë Beogradin.

Shkrimtari, ndër më të mirët në Evropë, do të jetë pjesë e Festivalit të Letërsisë KROKODIL në Beograd, gjatë verës së këtij viti.

Lajmin e ka dhënë pa shumë detaje drejtori i festivalit, shkrimtari Vladimir Arsenijevic, i cili ka thënë se ditëve në vazhdim do të jepen më shumë detaje.

Houellebecq ka shkruar mes tjerash edhe ‘Thërrmijat elementare’ dhe ‘Nënshtrimi’, libra të përkthyer në shqip, ndërsa ka edhe librat ‘Platform’, ‘The map and the territory’, ‘The possibility of an island’ dhe libra të tjerë, shkruan KultPlus.

Personazhet e Houellebecq, që të gjitha pa përjashtim, shpërfaqin gjendjen dehumanizuese të njeriut bashkëkohor, në kushtet e një shoqërie të tregut, që më së paku ka si synim njerëzoren. Njerëz të zvetënuar, pa ambicie, të pazotë që të lidhin qoftë edhe një raport njerëzor – personazhet e Houellebecq na bëjnë që, qoftë edhe për një moment të vetëm, të mendojmë për gjendjen në të cilën ndodhet njeriu i sotëm.

Michel Houellebecq është shkrimtar francez, prozator, poet dhe kritik i letërsisë. / KultPlus.com

Valixhja e andrrave

Poezia fituese e Çmimit PENA E FLAKËS 2019 ( e zgjedhur me votat e poetëve konkurues )

Rozafa SHPUZA

Ditën kur kuptova se dashnitë virtuale janë të virgjëna,
u nguta me i palue në valixhen mbi raftin me dru
arret
që erdh n’pajë ndër shpatlla hamejsh.

– Merre karrigen me mbërritë,
m’porosit’ kujtesa e cfilitun, teksa nën karrige
zbardhin datat e nji dasme
ku nusërova mes turmës së dashnive të pamujtuna.
Druej mos hepohem
anipse ritmi i valles më ngujon si sinor legjendash.
Bam – bum… bam – bum…
hedhin valle andrrat që më përcollen në altarin e agsholeve të përgjumuna.

– Ma parë ban palë krahët,
s’pranë tue m’porositë kujtesa
që saora merr trajtën e mëkateve t’shkrrame
diku te shtroja e kambëve në pragderë.
Dashnitë krahthyeme stivohen shkujdesun
e naftalina i përshkon përdhuni si vargje duhanit.

Nuk di sa zgjati ky ritual
veçse tash jam ulë mbi valixhe
e pres sirenën e nisjes a
tje në stacionin ma skajnor.

Shqiptarja Ava Max performon në emisionin e James Corden (VIDEO)

Shumë prej nesh ndoshta nuk e kanë njohur, por ajo me vetëm një këngë arriti të krijojë imazhin e saj të veçantë në muzikën botërore.

Është shqiptar, dhe emri i saj artistik është Ava Max. Madje, atë e ftoi Bebe Rexha në një postim në Twitter kur kërkoi prej saj, Dua Lipës dhe Rita Orës që të gjitha ta bëjnë një bashkëpunim  muzikor.

E derisa këngën “Sweet but Psycho” ajo e realizoi në gushtin e vitit 2018-të, paraqitjet e para live i ka pasur tek këtë javë, në disa emisione televizive në Amerikë.

Të ndjehemi krenarë me shqiptaren Ava Max, dhe me këto performanca fantastike. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=LRhNObyvbPw

Lamtumirë

Arshi Pipa

Mos loto, q’i n’kujtesë
Të ruej pa turbullue
Kqyrjen tënde plot shpresë
Magdalenë e pikëllue!

Mos qaj! Fisnike zija
kur veten nuk e shpalle
Ashtu nga dashunija
ti vdiqe tue u ngjall.

E zymtë asht dita e motit
Nuk dij a kem’me u pa….
N’se jo,ti lutju Zotit,
Se mirë na jemi nda.

12 ekspozita për 500 vjetorin e vdekjes së Da Vinçit

Për ta shënuar 500 vjetorin e vdekjes së Leonardo Da Vincit, 144 punë të piktorit të madh botëror do të udhëtojnë nëpër Angli..

12 ekspozita do të hapen në 12 lokacione të ndryshme, prej Londrës e deri në Belfast, Sunderland e Bristol.

Organizatorët kanë treguar se rreth 34 milionë njerëz do ta kenë mundësinë të njoftohen me punën e Leonardos, sepse jetojnë afër galerive ku do të hapen ekspozitat.

Leonardo da Vinci, A study of a woman’s hands, c.1490, Charcoal, metalpoint, white heightening, on pale pinkish-buff prepared paper. Royal Collection Trust / © Her Majesty Queen Elizabeth 2019. Single use only .Not to be archived or passed on to third parties.

Në këto lokacione do të hapen ekspozitat:

Ulster Museum, Belfast
Birmingham Museum and Art Gallery
Bristol Museum and Art Gallery
National Museum Cardiff
Derby Museum and Art Gallery
Kelvingrove Art Gallery and Museum, Glasgow
Leeds Art Gallery
Walker Art Gallery, Liverpool
Manchester Art Gallery
Millennium Gallery, Sheffield
Southampton City Art Gallery
Sunderland Museums and Winter Gardens

Vizatimet dhe punët do të dalin prej Royal Collection në Londër, dhe kjo do të jetë mundësi e mirë për qytetarët të shohin për nga afër punën e Da Vincit.

Leonardo da Vinci, Cats, lions and a dragon, c.1517–18, black chalk, pen and ink, wash (Bristol Museum & Art Gallery exhibition). Royal Collection Trust / © Her Majesty Queen Elizabeth 2019.

Da Vinci kishte interes në vizatim, pikturë, arkitekturë, shpikje, shkencë, muzikë, matematikë, gjeologji, astronomi, hartografi e histori, mes fushave tjera. Ai ka lindur në vitin 1452 në Itali. / KultPlus.com

‘Gjaqet faleshin për atdheun’, 29 vite nga nisma për pajtimin e gjaqeve

Më 2 shkurt 1990 me nismën e Anton Çetës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit.

Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë.

Nuk kishte kaluar shumë kohë nga formimi i Lëvizjes Gjithëkombëtare si përgjigje e Millosheviqit për vetë emërimin si “kral” i të gjithë serbëve në Fushë Kosovë, mbylljes së shkollave, helmimit, mbylljen e universitetit, gazetave e mjeteve tjera të informimit, zgjimi i vetëdijes kombëtare ishte i pa evitueshëm.

Rinia shqiptare e shëndoshë filloi aksionin e pajtimit dhe pa hezitim timonin e pajtimit ia dhuroi Prof. Anton Çetës dhe profesorëve tjerë nga Instituti Albanologjik, intelektualëve kudo që gjendeshin, akademikëve, punëtorëve e fshatarëve, aktivistëve nga mbar trojet tona etnike.

Njerëzit në atë kohë në krye me Prof. Anton Çetën, marshonin para qindra ekipe profesorësh, studentësh, aktivistësh, këngëtarësh e poetësh, pajtonin popullin, pajtonin ata që deri dje ishin armiq, për tu bërë miq e vëllezër. Heronjtë e këtij aksioni kombëtar, padyshim ishin ata që falnin.

Gjaqet faleshin për atdheun. Në këto tubime madhështore që organizoheshin anë e mbanë Kosovës e trojeve tjera etnike, si në Kaçanik e Lug të Drinit, Rrafsh të Dukagjinit, Verra të Llukës, Shalë, Karadak, Llap, Drenicë, Gollak, Has, Rekë, Podrime, Llapushë, Podgur, Rugovë, Rrafsh i Kosovës dhe kudo, e kudo në viset tjera, tregonte se për popullin tonë e atdheun kishte kris ora më e madhe e historisë sonë.

Shqiptarja nga Zvicra fiton çmim të rëndësishëm në film

“Filmi i shkurtër, i krijuar me smartfon, paraqet përfshirjen dhe aktivitetet e mija në Zvicër”, shkruan Arbela Statovci.

“Shumë e lumtur që filmi im ka fituar në kategorinë

“Best Diaspora Success Story”, pjesë e Life Safety Festival në mesin e shumë pjesëmarrësve nga 91 shtete të botës.

Filmi i shkurtër, i krijuar me smartfon, paraqet përfshirjen dhe aktivitetet e mija në Zvicër.

Falënderoj jurinë ndërkombëtare të festivalit që zgjodhi filmin tim si më të mirin në këtë kategori.

“Life Safety Festival, me një organizim të mrekullueshëm dhe shumë profesional, i mbajtur për herë të parë në Prishtinë, u jep mundësi të gjithëve të shpalosin kreativitetin e tyre përmes kamerës së telefonit në xhepin e secilit”, është shprehur Statovci në rrjetet sociale.

Arbela Statovci është gjithashtu kandidate për deputete për Parlamentin e Cyrihut në zgjedhjet që do të mbahen në muajin mars të këtij viti.

“Jam një ndërmarrëse nga Cyrihu, pronare e firmës “massgekocht”, dhe angazhohem në bordin e FDP-s Wallisellen, në Bordin e fakultetit HWZ dhe si mentore ngrihem për rininë tonë, duke i ndihmuar ata që të zhvillojnë potencialin e tyre dhe të gjejnë një hyrje optimale në botën profesionale”, ishte shprehur Statovci për albinfo.ch./ KultPlus.com

Këtë verë hapet parku më i madh nënujor në botë

Bahrain po përgatitet për hapjen e parkut nënujor më të madh në botë në botë këtë verë. Parku është kompletuar me aeroplanin Boeing 747 të zhytur plotësisht në thellësinë 70 metra.

Atraksioni turistik përfshin një sipërfaqe prej 100,000 metra katrorë dhe brenda do ketë kopje të shtëpive tradicionale të tregtarëve të perlave, shkëmbinj nënujorë artificiale të koraleve dhe skulptura të bëra nga materiali ekologjik.

Rreth 20 metra i thellë, parku do të vendoset në ujërat në veri të kontinentit, rreth 30 km nga ishujt Amwaj dhe hapet në verën e vitit 2019.

747 do të jetë në qendër të vëmendjes, avioni më i madh i zhytur në ujë me qëllim.

Aeroplani është dekontaminuar plotësisht./oranews/ KultPlus.com

Arti dhe kultura kineze kanë zbritur sonte në sheshin “Skënderbej” në Tiranë

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj dhe ambasadori kinez Zhou Ding, në nje atmosferë fantastike në shesh kanë ndjekur spektaklin e dritave dhe festën e fenerëve ku fëmijët kalojnë me dritat shumëngjyrëshe në një paradë tradicionale që korrespondon me hënën e plotë.

Sheshi “Skënderbej” është pushtuar nga personazhet karakteristike të kulturës kineze, ku qytetarë të Tiranës kanë festuar Vitin e Ri Kinez./ KultPlus.com

Ku është Mentori?

Para 29 vjetëve, më 1 shkurt 1990, gjatë demonstratave kundër represionit shtetëror, u vra nga policia serbe 16 vjeçarja Ylfete Humolli. Dëshmitarët thonë se fjalët e vetme të saj para se të jepte shpirt ishin: “Ku është Mentori?”

Mentori ishte vëllai i saj 13 vjeçar që gjithashtu po protestonte atë ditë. Mentori e Ylfetja ishin prototipi i një brezi që nuk pati kurrë fëmijëri sepse ata u rritënpara kohe nga tymi i gazit lotsjellës.

Nëntë vite më vonë, Mentori do ta vishte uniformën e UÇK-së dhe në moshën 23 vjeçare do të vritej në Betejën e Koshares.

Sot, në fshatin Lupç, buzë lumit Llap, janë dy varre-lapidare që përjetësojnë kujtimin për motrën dhe vëllain të rënë për liri. 

Burimi: Fitim Salihu. / KultPlus.com

“Gardhi” nga Lendita Zeqiraj arrinë mbi 100 mijë shikime për dy ditë

Filmi “Gardhi” me regji të Lendita Zeqiraj  ka triumfuar në mjaft festivale prestigjioze, përfshirë edhe atë në Palm Springs si filmi më i mirë i shkurtër, ku kishte fituar kështu të drejtën e garimit për OSCAR, ndërsa ishte edhe fitues edhe i çmimit filmi më i mirë i shkurtër në DokuFest, shkruan KultPlus.

Genti (Arti Lokaj), është personazhi i parë që shohim në filmin e regjisores Lendita Zeqiraj, ai me një shkop në dorë i bie përqark gardhit të shtëpisë së tij. Brenda po qëndrojnë gratë e familjes ndërsa jashtë nëna e tij dhe tezja duke përgatitur fli.

Shfaqja e moshatarit të tij Xenit, të dera e shtëpisë së tij së bashku me qenin Aaj, bënë që Genti t’ia shpreh dëshirën për të pasur një qenush edhe anëtareve të familjes së tij që janë mbledhur në shtëpi. Kjo sjellë argumente në mes të të rriturve. Por, pas një mosmiratimi të shpejtë ky diskutim ndërron komplet kahje.

Ajo që shohim më pas është një përplasje në mes të gjeneratave, konflikt në mes të traditave, besimeve dhe mënyrave të reja të jetesës. Përplasje kjo e cila përmes grave që janë pjesë e filmit reflektojnë problemet në shoqëri dhe mentalitetin.

KultPlus  ju përcjell linkun e këtij filmi të cilin tani mund ta shikoni edhe online./  KultPlus.com

Aktorja e famshme indiane vishet nga kreatorja kosovare

Në industrinë shqiptare të modës, një emër që po fiton çdo ditë e më shumë terren është Fjolla Nila.

Së fundmi, punën dhe kreacionet e Fjollës i kemi parë përmes fotografive të mrekullueshme që di t’i bëjë fotografi Endrit Mërtiri i cili përmes bukurosheve Dorina Gegiçi, Alesia Noka, Oriola Marashi ka vënë në pah kreativitetin trendi të Fjollës.

Përveç kësaj, puna e stilistes kosovare u bë e njohur edhe në një treg masiv – atë të Indisë me mbi një miliard banorë. Kreacioni i Fjollës u besua nga aktorja e njohur e Bollywood-it, Aishwaraya Rai.

https://www.instagram.com/p/BtG-7holzTG/

Fustani i punuar nga Fjolla ka qenë më i pëlqyeri i natës duke u cilësuar si më i miri edhe nga mediumet më prestigjioze të Indisë të cilat vunë theksin tek bukuria e aktores së njohur që shpërfaqej më së miri në kreacionin e Nilës./ Insajderi/ KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BtNsBF4FJVX/

Elvana Gjata deklarohet për herë të parë pas vrasjes në bllok dhe arratisjes nga Shqipëria

Këngëtarja Elvana Gjata është shprehur se së fundi ka kaluar një periudhë shumë të vështirë. Ajo përmes një postimi në Instagram është deklaruar për herë të parë pas largimit nga Shqipëria ku edhe u shpall në kërkim nga policia.

Urdhri doli pasi që në një prej lokaleve të zonës së ish-Bllokut, si pasojë e një sherri mbeti i vrarë një person dhe u plagosën dy të tjerë.

Këngëtarja përmes një statusi një Instagram është shprehur se u është borxh ndjekësve të saj, kolegëve dhe miqve të cilët janë interesuar për shëndetin dhe gjendjen e saj.

“Po… kam kaluar një periudhë shumë të vështirë… fizikisht dhe moralisht… e dërrmuar dhe e vrarë nga fjalë, fjalë, fjalë… edhe me shumë se sa unë në këtë moment mund ta shpreh me fjalë… Kurrë në jetën time si kam dashur keq askujt…ajo që kam dashur gjithmonë është te shoh veç lumturi, kudo ku kemi qene bashkë, në çdo koncert e çdo video që ju keni publikuar me këngët e mia. Nuk e kam aspak të lehtë, por ju kam ju”, ka shkruar ajo duke i falënderuar të gjithë ata që e kanë përkrahur./ KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BtWdMYDhg5i/