Financime për transformimin e shtëpive tradicionale në bujtina turistike

Qeveria po punon për hartimin e një programi të ri mbështetjeje për transformimin e shtëpive monument kulture dhe të shtëpive tradicionale në bujtina, që ato të shpëtohen nga degradimi dhe të rritet kapaciteti ekonomik i familjeve.

Këtë e bëri të ditur sot, Kryeministri Edi Rama në një takim me 200 operatorë turistikë në Berat.

Sipas Kryeministrit Rama, Ministria e Kulturës, Ministria e Turizmit dhe Ministria e Financave po punojnë për këtë program të ri, në mënyrë që kushdo që ka një pasuri të fjetur në duar dhe mezi arrin fundin e muajit, të fuqizohet ekonomikisht duke vënë në përdorim këtë pasuri.

Qeveria, tha Kryeministri, do të mbështesë financiarisht me forma të ndryshme, si grante apo kredi me interesa shumë të ulëta, të gjithë ata që duan të investojnë në shtëpi tradicionale në Berat, Gjirokastër apo në zona të tjera që do të përcaktohen sipas një harte”.

Po ashtu, Rama tha se po diskutohen edhe disa lehtësira të tjera, si mundësia që bashkia t’ja zerojë taksën e pronës shtëpive tradicionale që kanë një plan investimi dhe t’ia rrisi taksën e pronës shtëpive tradicionale që mbahen mbyllur dhe mbahen peng”.

Kjo sipas tij, do të evitojë mundësinë që godina të bukura karakteristike, në vend që të shndërrohen në atraksione turistike të mbeten të rrënuara dhe të pengojnë turizmin.

“Ishim tek një bujtinë e ndërtuar diku lart, pranë rrugës së rindërtuar të Kalasë, që tanimë është e shpëtuar nga të gjitha ato vështirësi dhe probleme që krijoheshin për shkak të mungesës totale të kanalizimeve dhe degradimit të kalldrëmeve. Ndërkohë kemi parë se sa çdo muaj e më e lartë është shprehja e interesit për të transformuar shtëpitë tradicionale në bujtina”, tha Kryeministri.

Kryeministri u shpreh se “nuk mund të pranohet që të shkosh në një lagje tradicionale me ndërtesa karakteristike dhe të gjesh njerëz të varfër dhe familje që jetojnë vetëm falë emigracionit të fëmijëve të tyre”.

“Parafytyroni çfarë do të kishin bërë fqinjët tanë nëse do të kishin Beratin dhe Gjirokastrën. Më tregoni një rast të vetëm në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në Greqi, apo dhe në Bosnje ku ka pasur edhe luftë së fundi, që një pasuri e tillë të jetë lënë me vite të tëra siç ndodhi me Beratin dhe Gjirokastrën”, tha Kryeministri.

Sot ka filluar kthesa, theksoi Rama, duke shtuar se “tashmë kanë filluar të vijnë persona nga emigracioni dhe të tregojnë interes për të vënë përdorim këto shtëpi tradicionale”.

Po ashtu, Kryeministri foli për investimin që duhet bërë në Berat, për shembjen e shkollës 9-vjeçare dhe hapjen e hapësirës mes dy xhamive. “Krijimi i një hapësire pa gardhe duhet të jetë në dispozicion të publikut”, tha ai./a.g/ KultPlus.com

Trend i ri i stilit të flokëve: Karfica zbukuruese

Zbukurimet e flokëve sërish janë në trend në botën e bukurisë, mirëpo vëmendje të veçantë këtë sezon vajzat ia kanë kushtuar karficave zbukuruese për flokë, të cilat edhe në frizurat më të thjeshta japin dozë elegancë

Ndonjëherë mungesa e kohës për rregullim detaj është më i dukshëm për shkak të frizurave tona të thjeshta, mirëpo me vetëm pak zbukurim të flokëve, frizura juaj e thjeshtë për një minutë do të bëhet entuziazmuese dhe atraktive, transmeton Telegrafi.

Flokët e lëshuara dhe të rrafshëta, me zgjedhje të kujdesshme të karficave të cilat përshtaten me kombinimin tuaj ditor të veshjeve, do të keni dimensione plotësisht ndryshe.

Ky detaj i modës është zgjedhje e përsosur për zbukurim të frizurës së zakonshme, mirëpo bashkë me të, është ideal edhe për shprehjen e stilit tuaj në mënyrë origjinale.

Frizura e thjeshtë gjithmonë kërkon freskim, mirëpo çfarë do ta freskojë më mirë se këto karfica të bukura dhe mbresëlënëse?

Vërtet elegante, por frizurës elegante i nevojiten vetëm balluket, të cilat bien nëpër faqe, do të ngrihen vetëm me disa karfica dhe ju jeni të gatshme që të shkëlqeni. /KultPlus.com

Rëndësia e edukimit seksual dhe riprodhues në eliminimin e mendësisë tradicionale – paragjykuese

Hera Luma

Në shoqërinë tonë kosovare ende ekziston stigma për të folur rreth zhvillimit dhe mbrojtjes seksuale, pasi që vetë tradita dhe kultura e ka klasifikuar gjithnjë këtë temë si diçka për t’u turpëruar. E një situatë e tillë paraqet shqetësim më të madh kur edukimi dhe informata nuk përcillet nga vetë institucionet kompetente të kësaj fushe, siç janë institucionet arsimore dhe shëndetësore.

Sikur të ofrohej një edukim për shëndetin seksual, të drejtën riprodhuese, rëndësinë e kujdesit dhe pasojat shëndetësore në rast të mospërfilljes së këtyre, shoqëria jonë do të ishte më e vetëdijshme dhe nuk do të përballeshim në përditshmëri me lajmet të cilat tregojnë se si ekzistojnë shifra alarmante të abortit në klinika të palicencuara. Sipas Preportr nga 122 klinikat gjinekologjike të cilat gjenden në Kosovë vetëm 5 nga ato kanë licencë për të realizuar abort(Leonida Molliqaj, 2016, Turpi mbi Turpin), dhunime seksuale që shënojnë mbi 13 raste në dy vitet e kaluara ndaj të miturve dhe mbi 60 raste të pedofilisë në vitin 2018, keqpërdorime seksuale nga partnerët, rritja e numrit të shtatëzanive të padëshiruara dhe vdekjet e grave disa orë pas lindjeve.

Të gjitha këto ngjarje tregojnë se sa e madhe është hapësira sa i përket njohurisë lidhur me të drejtat themelore të personave dhe sa shumë është prezente mendësia që këtë temë e trajton si tabu. Andaj, në orën e biologjisë nuk duhet të anashkalohet mësimi ku shpjegohet për shëndetin seksual dhe riprodhues, personeli shëndetësor duhet të japë informata mbi te drejtën riprodhuese dhe efektet shëndetësore lidhur me aktivitetin seksual edhe tek personat të cilët nuk janë të “martuar” dhe prindërit duhet t’i diskutojnë këto tema me fëmijët.

Kornizat ligjore sa i përket Ligjit për të Drejtën Riprodhuese, parashohin që çdo njeri e gëzon të drejtën që t’i ofrohet një edukim dhe informim gjatë të gjithë ciklit jetësor, mirëpo praktika tregon se institucionet gjithnjë e më shumë po i japin hapësirë përforcimit të normave tradicionale dhe kulturore, duke mos punuar mjaftueshëm që ligjet të funksionojnë ashtu siç duhet. Përmirësimi i pozitës aktuale të shoqërisë tonë sa i përket edukimit për shëndetin seksual dhe të drejtën riprodhuese mund të arrihet me anë të eliminimit të mendimit se një diskutim i tillë është “turp”, prandaj avokimi mbi këtë çështje duhet të vetëdijesojë organet ekzekutive dhe legjislative për të ofruar politika me anë të së cilave do të përmirësohen shërbimet mbi shëndetin riprodhues, mbrojtjen seksuale dhe edukimin seksual.

Organizata “Gruaja Bashkëkohore” në Prizren, implementoi projektin: “Stigma e shoqërisë mbi seksualitetin”, mbështetur nga Rrjeti i Grave të Kosovës(RrGK) dhe financuar nga Austrian Development Agency(ADA), ku u mbajtën takime me vajzat e reja me qëllimin rritjen e vetëdijes për rëndësinë e shëndetit seksual dhe riprodhues, ngacmimet e dhunën seksuale.

Hera Luma studion Shkencën Politike dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Ajo është një aktiviste dhe punon si projekt menaxhere në organizatën Nevo Koncepti.

Përmbajtja e këtij botimi nuk reflekton qëndrimet e implementuesve apo të donatorëve./ KultPlus.com

Artisti nga Kosova Besnik Xhemaili, hapë ekspozitë personale në Stamboll

Besnik Xhemaili, artisti nga Kosova i cili ishte edhe pjesëmarrës në Bienalin Ndërkombëtar të Grafikës në Varne të Bullgarisë, tashmë ka hapur një ekspozitë personale në Stamboll, shkruan KultPlus.

Ekspozita është mirëpritur nga të pranishmit atje, ku e pranishme ishte edhe konstullja e Kosovës Zana Berisha.

Në këtë ekspozita Xhemaili kishte ekspozuar rreth 40 piktura në teknikën e akuarelit si dhe 10 grafike në teknika të ndryshme.

Ekspozita do të qëndroj e hapur deri më 20 mars në Galerinë Kombëtare të Uskudar në Stamboll. / KultPlus.com

Disa poezi nga kandidati për çmimin Nobel për Letërsi, poeti i Sarajevës, Izet Sarajliq

I diplomuar dhe i doktoruar në filozofi, kandidat për çmimin Nobel për Letërsi, poeti i Sarajevës, Izet Sarajliq, sot e ka ditëlindjen. Qysh para 40 vjetësh poezitë e tij në shqip i kanë përkthyer Azem Shkreli, Ali Podrimja, Enver Gjergjeku e Qerim Ujkani. Përgjatë rrethimit mizor gati katërvjeçar në të ’90-tat, Izet Sarajliq qëndroi në kryeqytetin e Bosnje dhe Hercegovinës, me ç’rast u plagos, kurse dy motrat ia vranë forcat serbe. Ditari i tij i asaj kohe është libri poetik me titull “Përmbledhja sarajevase e luftës”. Në vijim janë disa vargje poezish të ndryshme prej këtij libri, përkthyer nga Salajdin Salihu:

Në njëqindvjetorin e Josip Brozit

Në këtë shtet
edhe Voisllav Shesheli doktoroi.

* * *

Pas plagosjes 
(Miki Masliqit)

Mbrëmë në ëndërr mu shfaq
Sllobodan Markoviçi
dhe kërkoi ndjesë për plagët e mia.

E vetmja ndjesë serbe
gjatë gjithë kësaj kohe,

dhe vetëm në ëndërr
e nga një poet i vdekur.

* * *

I lumturi i pafat
(Lubisha Maksimoviqit)

Ecën njeriu rrugës
dhe këndon.

Përse mos ia thotë këngës
kur ndër sqetulla mban dru koftori.

I lumturi i pafat!

Së paku do të ngrohet
para se ta gjejë
granata e tij.

* * *

Motrat

Esenini i kishte
Shurën dhe Kaçën.

Majakovski i kishte
Ludmillën dhe Olën.

Unë i kisha 
Ninën e Razën.

Dhe – të gjitha vdiqën.

Raza e Nina
në distancë prej pesëdhjetë ditësh.

Vdiqën
ose i vranë pa plumba?

Tani patjetër
të kërkoj diku një motër të re.

Nuk mundem assesi
mos me qenë vëlla.

* * *

Që ta mbijetoj gjithë këtë
(Zija Kafexhiçit)

Shteti gjithashtu tregoi njëfarë kujdesi
për fatkeqësinë time,
kurdo që trokisja në dyert e tij,
ai mungonte
ishte ose në Gjenevë
ose në Nju Jork.

* * *

Falënderim për Pen-Qendrën sllovene dhe kryetarin e saj Boris A. Novak

Ah, i dashuri Boris,
sikur të dije sa bukur
digjeshin në koftorin tim
bankënotat 20 markëshe që m’i dërgoje nëpërmjet
Rupelit.

Burimi: Nga llogaria e Albin Kurtit në Facebook./ KultPlus.com

“Agnus Dei” e Memli Kelmendit do të interpretohet në Indonezi

Vepra Agnus Dei e Memli Kelmendit kësaj radhe do të interpretohet në Cappella Victoria Jakarta, njëri prej koreve më me zë në Indonezi që njihet në interpretimin e veprave polifonike.

Ky kor udhëheqet nga masestro  Herman Yoseph Tan. Agnus Dei do të interpretohet në The Saint Therese Catholic Church, Menteng, Central Jakarta.

Theksojmë që Agnus Dei gjerë më tani është interpretuar mbi 30 herë jashtë vendit, si; Kili, Argjentinë, New York, California, New Jersey, Francë, Filipinë, Indonezi, Itali, Kroaci, Turqi, Bosne, Kosovë etj. / KultPlus.com

Unë gjithashtu njoha një burrë tjetër

Tua Forsström

Unë gjithashtu njoha një burrë tjetër.
Ai ishte oqeanograf, por unë kurrë s’e pashë atë
të shkonte poshtë në plazh. Ai m’tha se unë isha
e ëmbël dhe se sytë e peshqve në det të thellë errësohen kur
janë gati për dashuri. Në këtë mënyrë ai fitoi zemrën time.
Ai fluturoi përmes ajrit në toka dhe popuj të huaj.
Unë u ula në një karrige të thurur që krikëllon.
Ai m’tha se askush nuk do t’më ketë mua.
Unë i thashë se askush s’do të mëshirohej në të, përveç meje.
Kur ai erdhi në shtëpi, ai tregoi dhe ne u argëtuam. Në ëndrrat e mia ai i ngjante
një lejleku. Oh ai burrë. Ai u përkiste
Tregimtarëve të mëdhenj, ai tregonte aq mirë
saqë besonte në çdo fjalë.KultPlus.com

Tetë librat më të pamundur për t’u kuptuar

(Autorë të mëdhenj, fuqia intelektuale e talentit të të cilëve është tepër e vështirë të kapet nga lexuesi)

Ata janë thuajse të gjithë autorë të mëdhenj, me talent të padiskutueshëm Dhe ndoshta këtu fillon keqkuptimi me lexuesin, tek diferenca intelektuale. Që nga Ricardson, themeluesi i romanit psikologjik në shek.XVIII, tek kolosët gjermanë të filozofisë Hegel apo Heideger, e deri tek Xhojs dhe Jozef Mcelroi, kritikja bashkëkohore amerikane Emily Colette Wilkinson, ka bërë një renditje të 10 librave më të vështirë për t’u lexuar, një pjesë e të cilëve, aq të komplikuar, saqë leximi duket në kufijtë e të pamundurës. Nga të cilat, ne e pamë të arsyeshme të prezantojmë në këtë status, 8 prej tyre. Pjesa më e madhe e autorëve janë shkrimtarë të letërsisë amerikane të shek.XIX-XX, por edhe gjermanë, anglezë, iralendezë etj. E çuditsjmja qëndron në faktin, që në listë, s’është asnjë emër francez. “Këtu s’kemi të bëjmë me faj të autorëve, por të lexuesve”-thotë Wikinson-“sepse padyshim që ata dinë të shkruajnë edhe thjeshtë sipas oreksit të lexuesit, por nga ana tjetër duan të jenë edhe kreativë, të sjellin diçka të re apo ndryshe. Tipari kryesor që i dallon këto libra nga të tjerët është stili i veçantë i shkrimit e nganjëherë edhe gjuha, sintaksa etj. Renditja në fjalë, vjen si më poshtë :

1)“Finnegans Wake” ose “Zgjimi i fineganëve” nga James Joyce
(1882-1941)-një roman po aq i ngjeshur sa “Uiksi”, por njëkohësisht me më tepër stilizime gjuhësore. Kritikët thonë që është romani më rrënqethës shkruar ndonjëherëm, i paimagjinueshëm në kënaqësinë që të fal, por sigurisht që duhet të dish ta lexosh.

2)“To the lighthouse” ose “Fari” nga Virginia Woolf (1882 – 1941), ku është e vështirë të kuptosh kush është kush, dhe kush thotë çfarë, apo mendon çfarë, saqë është mjaft vështirë të gjesh ekuilibrin me shkrimtaren.

3)“Clarissa”-historia e një vajze të re, Samuel Richardson(1689 –1761), një roman tmerrësisht i gjatë, me 1500 faqe, ndoshta konsiderohet si romani i parë psikologjik, për të cilin edhe sot pas rreth 2 shekujsh, Ricardson është i pakonkurueshëm. Vepra ka një thellësi psikologjike dhe duhet të futesh patjetër në botën e personazhes kryesore, që të thithësh fabulën e romanit.

4)“Nightwood” nga Djuna Barnes(1892-1982)-cituar nga kritikët më në zë si një nga tre romanet më të mirë të letërsisë shkruar nga femrat. Por, një roman plot ide, fjalime të gjata, situata groteske, të pista, të cilat një lexues i zakonshëm e ka të vështirë t’i shijojë.

5)“The Faerie Queene” ose “Mbretëresha e zanave” nga Edmund Spencer(1553 – 1599) – kryevepra e tij, është një poemë e pambaruar. Një libër poetik, shkalla e vështirësisë të të cilit qëndron tek alegoria, nga fillimi deri në fund të veprës.

6)“Phenomenology of Spirit” ose “Fenomenologjia e shpirtit”nga G.F.Hegel – një vepër në kufijtë më të lartë të onteligjencës së njeriut, ku ai i kundërvihet idealizmit të Kantit. Sipas Wilkinson, ky libër, padyshiom është krejt i pamundur për t’u lexuar pa një tekst parapërgatitor nga ana e botuesit, që ta fusë leuesin në rrjedhën e Hegelit.

7) “A tale of the tub” nga Jonathan Swift (1667 – 1745) – lu vështirësia qëndron tek referencat e panumërta gjatë shtjellimit të fabulës, por edhe përfshirja e lexuesit në dukuri të tilla, si konfliktet kulturore të kohës.

8)”Being and Time” nga Martin Heidegger (1889 – 1976) – që autorja e studimit e klasiikon librin më të vështirë shkruar ndonjë herë. “Abstraksioni dhe ashpërsia e librit është e tillë, që pa asnjë dyshim zbulimet e përfundimet e kalkulimeve të tij filozofike do të mbeten sekret për një kohë të gjatë” – citon Wikinson./ scriptumnsonus.com/ KultPlus.com

Hapet thirrja për programin “Serbia dhe Kosova- thyerja e akullit ndërkulturor”

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi po fton artistë të rinj, si dhe ata që janë të interesuar në artet dhe aktivizëm për të aplikuar për pjesëmarrje në programin “Serbia dhe Kosova – thyerja e akullit ndërkulturor”, shkruan KultPlus.

Programi mbledh 16 të rinj nga Serbia dhe Kosova të cilët janë aktivë në fushën e kulturës dhe artit ose që kanë interes për këtë. Brenda programit ata do të marrin pjesë në dy seminare. E para është vizita studimore që zgjat nëntë ditë dhe gjatë asaj periudhe ata do të qëndrojnë në Beograd dhe Prishtinë dhe do të vizitojnë Novi Sadin dhe Prizrenin. Gjatë seminarit të dytë që do të zgjasë për pesë ditë, grupi do të zhvillojë një ekspozitë ose ngjarje publike që do të organizohet në dy qytete. Lloji i ngjarjes do të varet nga profili i pjesëmarrësve.

Ideja është të sjellë pjesëmarrës nga Serbia dhe Kosova në tema të tilla si: kultura e të drejtave të njeriut, ndër-multikulturalizmi, zgjidhja e konflikteve përmes artit dhe kulturës popullore, arti si një mjet për ndryshime shoqërore, kulturë të rezistencës etj.

Në këtë mënyrë, programi afirmon artistët e rinj nga të dy shoqëritë që do të kontribuojnë në thyerjen e stereotipeve dhe paragjykimeve përmes punës së tyre të përbashkët. Ato gjithashtu do të ndikojnë në përhapjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore të Kosovës dhe Serbisë.

Organizatorët do të mbulojnë të gjitha shpenzimet e akomodimit, ushqimit, udhëtimit, materialit të punës dhe vizitave në ngjarje kulturore për të gjithë pjesëmarrësit e seminarit.

Për të mësuar më shume klikoni këtu./ KultPlus.com

Xhamitë nëpër botë mbulohen me lule, shpërndahen mesazhe paqeje “Ju duam”

Lule janë lënë pranë një xhamie në kryeqytetin e Zelandës së Re, Wellington. Njerëzit e mbledhur para kësaj xhamie kanë shkruar me shkumës në trotuare mesazhe mbështetëse për myslimanët.

Image

Skena të njëjta ka pasur edhe në qytetin më të madh të këtij shteti, Auckland. Mbështetja për këtë komunitet ka qenë aq e madhe, saqë njerëzit që janë mbledhur pranë xhamive nuk kanë pasur vend ku t’i parkojnë veturat e tyre. Në letrat e lëna pranë luleve shihen mesazhet “Ju duam”, “Jemi një” dhe “Të ndryshuar përgjithmonë”, transmeton AlsatM.

Reagime emocionale ka pasur edhe në Australi, ku në shumë xhami janë vendosur lule. Philip Dalidakis, politikan australian, e ka ofruar mbështetjen e tij për myslimanët përmes një oferte. Ai ka thënë se do t’i shoqërojë gjatë rrugës drejt xhamive të gjithë ata që frikësohen për të shkuar vetë atje.

Mesazhe mbështetëse për myslimanët janë dhënë edhe në Britani të Madhe dhe Kanada. Shumë njerëz i kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për ta ofruar publikisht përkrahjen e tyre për komunitetin mysliman në vendet ku jetojnë, shkruan “The Guardian”./ KultPlus.com

Image

Librat që New York Times rekomandon për këtë javë

Këtë javë New York Times ka rekomanduar disa libra për burrat që kaluan dekada të burgosur gabimisht në burg para se të liroheshin, gjithashtu libra që trajtojnë problemin e ngrohjes globale.

I vetmuar:  I pathyer nga katër dekada në burgim vetmitar. Historia ime e transformimit dhe shpresës, nga Albert Woodfox me Leslie George

Për një krim që ai nuk ka kryer, Albert Woodfox kaloi më shumë se katër dekada në izolim në Angola, burgun famëkeq të sigurisë maksimale në Luiziana.

“I vetmuar” është historia se si mbijetoi. Është një kujtim jashtëzakonisht i fuqishëm, shkruan kritiku ynë Dëight Garner.

“Në qoftë se fundi i këtij libri nuk do të të lërë me lot që grumbullohen në stomak, ti je një person më i fortë se unë. Më e qëndrueshme është bindja e Woodfox se sistemi amerikan i drejtësisë ka nevojë të madhe për reforma “- ka shtuar ai.

Toka e pandërprerë: Jeta pas ngrohjes, nga David Wallace

Dy vjet më parë, David Wallace-Wells, një zëvendës redaktor i revistës së Nju Jorkut, shkroi një artikull për revistën mbi ndryshimet klimatike që shkuan viral.

Ky libër, një zgjerim i këtij artikulli, përshkruan në detaje të përpiktë dhe të tmerrshme të ardhmen e mundshme që i pret planetit, nëse duhet të vazhdojmë të shtojmë karboni në atmosferë dhe nuk arrin të arrestojmë ngrohjen globale.

Një verë në Amerikë: Dashuria dhe vdekja në Çikago, nga Alex Kotlowitz 

Tregimi i hollësishëm i Kotlowitz për brutalitetin e pamatur në lagjet më të varfra të Çikagos analizon dëmin që rrjedh nga ekspozimi ndaj dhunës.

Ai interviston një shumëllojshmëri të  karaktereve, duke përfshirë njerëzit e zakonshëm, jetët e të cilëve janë copëtuar nga plumba dhe armë.

Kotlowitz synon të tregojë tregime të paharrueshme rreth jetës së vdekshme të vrasjeve, se si depërton në mendjet, trupat dhe komunitetet e atyre që prek.

Fëmijë i mirë, Qytet i keq: Një histori gare dhe bindjeje të gabuar në Amerikënga Kyle Swenson

Raportimi i Swenson për The Cleveland Scene, një gazetë javore alternative, çoi në heqjen e tre burrave që shërbyen dhjetëvjeçarë në burg pasi u dënuan gabimisht për vrasje në vitet 1970.

Këtu ai zgjeron atë llogari për të marrë në rrethanat më të mëdha pas arrestimit të tyre.

“Është historia e një padrejtësie të rëndë, korrigjimi i gjatë i vonuar jep një goditje të fuqishme emocionale kur të arrijë më në fund”, shkruan Alec MacGillis në shqyrtimin e tij.

“Më gjerësisht, është një tregim për neglizhencën, për të gjitha mënyrat në të cilat banorët e qyteteve të tilla si Cleveland janë lënë të braktisur nga qeveria dhe shoqëria në përgjithësi.

Daisy Jones & të gjashtitnga Taylor Jenkins Reid

 Ky roman elegant dhe shtytës, i paraqitur në formën e një historie gojore, shqyrton ngjitjen e një grupi muzikor (fiktiv) të muzikës, 1970-të.

Është e lehtë të biesh nën magjinë muzikore të këtyre zërave, të cilat lëvizin rrjedhshëm nga folësi në folës, ndërsa personazhet e dorëzojnë mikrofonin.

Reid ka një vëmendje të madhe, si për mënyrën se si njerëzit flasin në intervista dhe për muzikën që përshkruajnë “./Insajderi.com/ KultPlus.com

Çfarë u ndodhte burrave të veriut nëse nuk merrnin hak?

Në disa segmente të shoqërisë tradicionale shqiptare, sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit në variantin e Mirditës, anëtarëve të ndonjë familjeje dhe veçanërisht burrave të saj u imponoheshin disa modele veshjeje, sjelljeje dhe vendqëndrimi në mjedise publike të ndryshme nga ato të anëtarëve të tjerë të bashkësive fshatare.

Më konkretisht: burrat dhe të gjithë anëtarët e familjes shkonin në kishë me “jagës mi krie” (kapuç mbi kokë), domethënë me pamje të shëmtuar, sepse kapuçi u mbulonte dhe me hije një pjesë të konsiderueshme të fytyrës.

Djemve të një familje të tillë, me burra të mbuluar me kapuç në mjediset e kishës nuk i jepte nuse asnjë familje dhe vajzat e saj nuk i kërkonte askush për nuse.

Me përçmim thuhej se këtyre familjeve i “jesin (mbesin) cucat si lopët”. Dhe, për më tepër, burri përfaqësues i një familje të tillë nuk kishte vend ndër burra në kuvende.

“Në kuvend theksohet te Kanuni i Lekë Dukagjinit në variantin e Mirditës, ka vend anas, veç tagër fjale s’ka”.

Veçimi nga burrat e tjerë dhe mohimi i të drejtës për të folur në kuvend ishin poshtërime të rënda, të papërballueshme për burrat. Poshtërime të tilla kanë qenë më shumë hipotetike sesa të praktikuara në jetën e përditshme.

Natyrshëm lindin pyetjet: Pse këto familje diskriminoheshin në kufijtë e të padurueshmes? Çfarë vesesh kishin anëtarët e tyre? Çfarë krimesh kishin kryer ata?

Kjo gamë fyerjesh dhe poshtërimesh të rënda, simbolikisht identifikonte familjen, burrat e të cilës nuk kishin marrë hak, nuk kishin vrarë burrin ose burrat që i kishin fyer, poshtëruar ose vrarë mikun ose miqtë.

Modele sjelljesh të tilla, drejtpërdrejt dhe sidomos tërthorazi, dëshmojnë rëndësinë e veçantë që kishte miku, si institucion shoqëror, në funksionimin e shoqërisë tradicionale shqiptare. /Zyhdi Dervshi, “Lente të ndërveprimit simbolik”/ telegrafi/ KultPlus.com

Fituesja e Eurovizionit Netta modeloi me rroba banje

Netta Brazilai modeloi përkrah modeleve Neta Alchimister dhe Noa Beny. Ajo kishte veshur taka dhe një kostum të verdhë gjersa solli edhe hitin e saj “Basa Sababa”, përcjellë KultPlus.

Këngëtarja Netta Brazilai ka treguar se këtë e ka bërë për të ju dhënë kurajo grave me mbipeshë për të shfaqur trupin e tyre pasi që cdo grua është e vecantë.

“Për vite unë nuk shkova në plazh apo pishinë dhe kështu bënë edhe shumë gra të tjera. Unë jam i lumtur që kam pasur privilegjin të kaloj një pengesë tjetër në mendjen time dhe atë të shumë njerëzve të tjerë sot. Ne të gjithë po vijmë për të festuar për veten dhe për ta dashur veten tonë”, është shprehur ajo./ KultPlus.com

Xhamia në Deçan e vitit 1851 me minare të papërfunduar sherri i përplasjeve

Puna për ndërtimin e minares në atë që njihet si Xhamia e Vjetër e Deçanit është bllokuar qysh prej fillimit të shkurtit të këtij viti.

Tash më shumë se një muaj prej se është marrë vendimi për ndalimin e punimeve, institucionet lokale dhe ato qendrore nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët për të bërë zgjidhje. Kontestohet ngjyra e gurëve me të cilët është ngritur pjesa më e madhe e minares së Xhamisë që mbrohet si aset i trashëgimisë kulturore që daton prej shekullit XIX.

Është e vetmja xhami në vend që minaren e ka në anën e majtë të hyrjes së saj. Në dhjetor të vitit 2017, minarja e gjatë 27 metra ishte shembur e tëra. Shkaktar i shembjes së minares së xhamisë, që gjendet në rrugën “Mehmet Uka” afër qendrës së Deçanit, ishte konstatuar se ishte era e fortë.

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve kishte marrë përsipër që të hartonte projektin për rindërtimin e minares. Xhamia ishte restauruar më 2003, por këtij procesi nuk i ishte nënshtruar edhe minarja. Pas miratimit të projektit në komisionin e IKMM-së i njëjti i ishte dorëzuar Komunës së Deçanit. Komuna nëpërmjet një donatori kishte nisur punën pa njoftuar Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Në ditën e 11-të të shtatorit të vitit të kaluar, IKMM-ja nëpërmjet një vendimi kishte ndërprerë punimet. Por Komuna i kishte vazhduar ato, duke e ngritur minaren e gurtë në një masë të konsiderueshme.

Por më 11 shkurt në këtë çështje është futur Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Ka nxjerrë urdhër për ndalim të menjëhershëm të punimeve. Nëpërmjet këtij vendimi, investitori obligohet që t’i përmbahet projektit të aprovuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve./ekonomiaonline/ KultPlus.com

Hajdutët vjedhin kopjen e pikturës duke menduar se është origjinali

Piktura e vjedhur artistike nga një kishë në Itali nuk ishte origjinale, por kopje, shkruan Guardian, sipas së cilës vlera e parashikuar e punës origjinale është tre milionë euro.

Piktura Crucifixion e artistit flaman Pieter Brueghel i riu, është vjedhur nga kisha e Santa Maria Maddalena, në qytetin e vogël italian Castelnuovo Magra.

Vepra origjinale ka qenë në kishë për një shekull dhe është vendosur në një vend të sigurt. Policia konfirmoi se vepra e vjedhur ishte në të vërtetë një kopje. Tre dekada më parë, më saktësisht në vitin 1981, origjinali ishte vjedhur, por u gjet. Pas kthimit, piktura sigurohet nga sistemi përkatës, derisa gjatë Luftës së Dytë Botërore ajo ishte e fshehur.

Brueghel konsiderohet si një nga piktorët më të mëdhenj të periudhës së Rilindjes Flamane dhe holandeze. Guardian kujton se Italia është një nga tregjet më të mëdha për veprat e vjedhura. Gjatë vitit 2016 pothuajse gjysma e veprave artistike u vjedh në kishat italiane. Policia po përpiqet të parandalojë vjedhjen në mënyra të ndryshme, dhe disa prej tyre po krijojnë video-mbikëqyrje dhe alarme./isnsajderi/ KultPlus.com


Gjama e poetit Martin Camaj

Ilir Seci

Nji fotografi sa për nji milion fjalë…Kjo fotografi asht marrë te shpia e poetit Martin Camaj, në Temal të Shllakut, Dukagjin…Asht marrun ditën që fisi i poetit Martin Camaj, mbasi u lajmruen për dekën e burrit të fisit të tyne, u mblodhën dhe i banë Gjamën…


Fotografine e marrun ate dite nga fotografi britanik Rhodri Jones

I banë Gjamën njashtu si ka kenë tradita, gjithmonë e jetë kur ka dekë nji mashkull Fisit…Ksaj herë burri i fisit vdiq lerg, vdiq në dhèna të hueja, po Fisi prapë u mblodhën me i ba Gjamën si të kish dekun aty…Se ka len Dielli asht Toka e Zotit…Njisoj asht! Gjamën ja banë në oborr të Kulles ku leu poeti… burrat e fisit tue mos pasun mundësi me shkue deri në Gjermani ku dha shpirt Martini, ja banë Gjamën në Temal…Në oborr të kulles qitën teshat që ja kish dërgue të vllaut, nji palë kpuca, pantollt, setrën e kmishën, tana të tija…Nuk patën trup me nxjerrë në oborr, por nxuerën teshat e tij… tek e mbramja çka asht trupi pos nji teshë për Shpirtin!?… Teshat që dikur kish veshë vetë Martini, teshat që dikur kishin mbajtun nxehtë kurmin e tij, i qitën aty njashtu si hapej dikur në morde kmisha e përgjakun e mashkullit të vramë ditënn e marrjes së gjakut… Me ndryshimin se Martini s’kje kurrë në gjak! Në rini të vet, nji kohë mbasi iku nga regjimi komunist, Martini ndejt Maleve me komitë, por gjak as varrë nuk bajti kurrë! Ora e tij kish shkrue tjetër fat per tè… Teshat i qitën për trup…ndërsa te kryet…në vend të kresë ja vunë librat që kish shkrue vetë Poeti!… LIBRAT… Çfarë metafore rranqethëse! Librat aty ku vehet kryet! Librat që poeti shkroi me mendjen dhe shpirtin e tij prej artisti të rrallë. Librat që Poeti la mbrapan për me bajtë perjete emnin e tij… Njeriu nuk mundet mos me u rranqethë tue kqyrë këtë foto! Malsoret e fisit te Martinit me atë genin krijues që e kanê pasë në gjak me shekuj ja thurën djalit të Temalit nji poezi edhe ditën e Gjamës. I njajti gen që ka thurun Eposin tonë legjendar e diftoi vedin edhe atë ditë tue krijue këtë metafore si ndër tragjedinat antike…Librat ku vehet kryet!
…Gjamën ja banë si e kish lanë vetë me fjalë ndër librat e shkruem prej tij…E fjala e lanun duhet krye, porosia duhet çue në fund :

“ELEGJI E PARË”

Ku kam me qenë i këputun nga mundi i vjetve të rrëpita sa ‘i shkamb, mos të vijë keq ty, Taze, për mue të shtrimë mbi drrasat e vdekjes, kingj i gatuem për flije. Leni plakat të qajnë mbi mue at ditë për njerzit e vet, vdekë qysh kur. Edhe një amanet, moj grue: kur vdiq im atë, premë dy qe me ngimun të unshmit e thneglat e lamit me grimca buke. Por unë do të vdes mes njerzve gjithmonë të ngishëm, prandej ndër drekët e mija qitni vetëm kafe të idhta.” Porosia për ditën e Dekës : “Por unë do të vdes mes njerzve gjithmonë të ngishëm, prandej ndër drekët e mija qitni vetëm kafe të idhta.”… Njerëzve të ngijshëm!…Në vendin ku vdiq ndoshta po…në vendin ku leu, jo asnjiherë deri më sot!

Gjama ju ba njashtu si ka kenë tradita gjithmonë e jetë, prej se ka mbi Lisi në ato male. Malet e Dukagjinit pritshin me e ndie jehonën e Gjamës së Martin Camës, njashtu si e patën ndie gjashtëdhetë e shtatë vjet ma para jehonën e pushkës që i kumtoi fisit lindjen e nji djali, Martinit, fmisë së tretë të Kolë Camës… Nji ditë të nxehtë korriku të vjetës 1925, malet e Dukagjinit ja përcuellen njani-tjetrit jehun e pushkës që kumtoi ardhjen në jetë të Martin Camës… -“O çka asht pushka moreee!”… -“Ooo i ka le djalë Kolë Camës moreee!”… …Gjashtëdhetë e shtatë vjet mbrapan, në nji ditë të ftoftë marsi ato male nuk mund të gjejshin paqë pa e përcjellë edhe jehun e Gjamës së malsorit Martin Camaj… -“O çka asht kjo Gjamë moreee!” -“Ooo asht dekë Martin Camaj more!”… …Má e randë ish Deká se bahej fjalë per nji mashkull të fisti që vdiq lerg, në dhé të huej… Për ato male e kreshta të Dukagjinit, Martin Camaj qysh herët ishte kenë gur i rreknyèm larg nga shkambinjtë e vendlindjes…Gjama e Fisit e bante Martinin të kthehej prapë njaty, malet e vendlindjes má në fund gjejshin paqë, orët dhe zanat e maleve nuk do rrijshin ma tue pritë kur do vinte ai kumt…Shpirti i njeriut mbas dekës mundet me shkue në pariz, mundet me shkue kudo, po malsoret e dinë që shpirti para amshimit ndalet aty ku ka njoftë jetën ma së parit, në vendlindje…Fisi i Martin Camajt gjithmonë e kanë ditë mirë njatë gja, ata gjithmonë e jetë e kanë ditë ka endet shpirti…E kanë marrë vesh prej shenjave që kanë dhanë orët e zanat…ato që gjithmonë e jetë kanë përcjellë kumte në Malsi…Vllaznia ja kishin detyrim Gjamën… Poeti ka shkue te të shumtët… Ka shkue njashtu si kish parandie vetë dikur ndër vargje :

“MES SHËNGJERGJAVE”

Nëpër palcin e eshtnave ndij frymën e vdekjes. Për rreth digjet ajri e shikimi tret në udhën e pa skâj. Më dhimben vetëm sýt: do të shohin dhambët e amshimit tue u mbyllë përpara.”

Në ditën e Gjamës u mblodhën burrat prej kahmos, Dukagjini e Nikaj-Merturi, gjithkah prej Malsie…U falshin me ma të parin, plakun e zgjedhun për krye të vendit… -“A la emën mbas vedit ky burrë!?” – dvetshin pleqte që u prijshin para atyne që kishin ardhë në të pamé…U dvetshin ka ndrrojshin kutitë e sermta të duhanit…Dvetshin ata që kishin ecë nandë male udhë për me ardhe me pa … -“Po, pasha Tokë e Qiell fort emën të nderuem ka lanë mbas vedi ky burrë.” – u gjegjshin pleqtë e Shllakut… -“Po mall e gja…Pasuni a la?” – nuk u durue pa dvetë dikush, ishte vjeta 1992 e njerëzit kqyrshin edhe për kto gjana… -“Po besa boll” – jau ktheu plaku në krye të vendit, – “La boll pasuni, sa na bani ma të pasun ne të tanëve mbas tij! Na la kangët e tijna, la kallzimet e tij që kanë me rrnue sa të jenë jeta!…

RRASA E VORRIT TË POETIT

Do kohë mbas Gjamës së poetit Martin Camaj, në vendlindjen e tij, në Telumë të Shllakut, erdh Erika bashkëshortja e tij gjermane… shoqe e jetës së tijna… Erika, kjo bashkëudhtare e tija ndër motè, kje ajo grueja sojnike që ju gjind te kryet kur ndrroi jetë e la amanetet e mbramè… nji ditë erdh prej Gjermanie me takue njerëzit e burrit të saj, njerëzit që s’i kish njoftë kurrë ma parë!… A thue kish ndie për Gjamën!? A thue e kish pru Erikën deri n’Telumë jehu i Gjamës që ja banë fisi poetit?! A thue njaq larg kish mbrri jehu i Gjamës së poetit?! O mos ndoshte edhe malet e Dukagjinit kishin rrahë gjokset e tyne në Gjamë për poetin?! E njashtu kishin përcjellë jehun e Gjamës majave të Gadishullit Ilirik… Alpe m’Alpe… Prej Bjeshkëve te Namuna deri në Lenggries, ndër Alpet e Bavarisë ku prehej poeti…!? A thue vargu i maleve Dinarike të ngjituna sup në sup ja kishin përcjellë njana-tjetrës kumtin e Gjamës, njisoj si burrat dukagjinas!? …dhe kumti kish mbrritë në Lenggries të Bavarisë… o ndoshte Erika kishte pa ndokund ndër libra a gazeta fotografinë e bamun ditën e Gjamës n’Telumë të Shllakut… fotografine e marrun ditën e Gjamës nga fotografi anglez Rhodri Jones, që e kish ba at foto madhështore!? Asnjiherë s’u muer vesh kjo gja… Erikën nuk e dveti kush pse e qysh… si mund të dvetet robi në shpi të vet pse ka ardhë!? Njaty për habinë e të tanëve Erika u kërkoi nji rrasë guri prej rrasave të katundit të tyne… Pleqtë s’mund u përmbajtë dhe e dvetën se çka i lypej nji rrasë guri prej Telumit n’Dukagjin, me shkue ne Gjermani!? – “E due nji rrasë guri të Telumit, nji rrasë të vendlindjes së Martinit për me ja vendue te kryet e vorrit, në Gjermani… me ja vendue si rrasë vorri!” Ra heshtje… Tanë e kqyrën sho-shojnë të habitun… – “Má ka lanë amanet Martini.” – u kish thanë gjermanja, – “Më ka pasë thanë se si asht kenë zakoni… Po kje se burri dès n’dhe të huej dhe nuk vjen me u kalbë n’dhè të vet, ka mè mbetë i pakalbun… se at s’ka me e kalbë dheu i huej! Trupin e poetit e kalb veç dheu i vet!”

“DITA E MALIT TEM”

Dheu im âsht i përmendun për humneret e thella ndër banorët e malit e të fushës deri në dét. Mbramjeve atjè ndëgjohet klithma e grizhlës ndër kthetrat e shqipes e shpirti i sáj u flijohet hijevet. Atje lot drita në sytë e njerzve tash e parë e epshet s’i njeh kurrkush me emën. Shpagimi me gjak âsht, për shembull, gjarpën nën gúr e gjarpni vetë na qenka mende femne nën rubën e bardhë ose të kuqe. Në muzg atje secili prek ballin e vet e ndien ndër gishta fillin e jetës e gëzohet.”

…Rrasën e gurit të Telumit! Nji rrasë të nxjerrun njaty, te i njajti vend ku prej se ka mbi njeri mbi tokë janë nxjerrë ato rrasat e mblojes së kullave… Njaty ku janë nxjerrë rrasat e vorreve brez mbas brezi prej se Dielli ka shndrit ndër Male… Nji rrasë guri Telumi, rrasë e lmuet si rrasat qi zgjedhshin për me shkrue në to, kur mësojshin shkrim e këndim në klasë të parë! Njashtu asht mësue shkrimi në fëmininë e Martinit, tue shkrue mbi rrasë guri… Njaty mësoi me shkrue fjalën shqipe má se parit poeti, njaty mësoi fjalën e gurtë, bash njashtu si mësojshin burrat ndër Oda “Bir, fjalës bania qukun që me ndejtë në ta” …Fjala e thanun njisoj si rasa e shkrume don qukun me ndejtë ndrejtë! Shkrimi në rrasa asht i lashtë sa bota, ndoshte poeti prej se e mësoi shkrimin n’rrasë Telumi, edhe u lidh má shumë me at dhe që nuk prajti tue i këndue… Prandej poeti i kërkoi të shoqes me i sjellë nji rrasë nga vendlindja… Rrasa e sjellun në Bavari, ndër hije të lisit Ilir ka me bajtë emnin e tij, si me kenë nji poezi e fundit e tij:

“HIJA E KËSHTENJËS”

Hija e kështenjës ia mbulon vorrin ma e randë n’mendim se rrasa e shkambit mbi të. Me të asht fryma që më fali te shpia e re në mal: amza e arkës së kalbun përqesh mishin e mishit të saj. Nji botë e tanë, nji grusht eshtna ma të bardha se lulet e borës tua hapun sytë atje, n’pranverën e vonë.

…Ja zgjodhën nji rrasë e shkambit dukagjinas me ja dhanë me veti Erikës… “Heu grue e sojshme paska kenë Bija e Nemces, pasha kët gur!” – fshanë pleqtë kur e përcuellën der në megjë të Shllakut… E muer me veti Erika rrasën e gurit të Dukagjinit… Më veti në Gjermani, me ja vndue te kryet e vorrit Martinit… Njashtu me at rrasë guri të Dukagjinit të kryet, vndue si rrasë e vorrit, trupi i poetit mundet me u kalbun n’dhe t’huej…

“LETËR NGA JUGU ”

Larg në nji tjetër botë jam e shikoj kah mali: rêt ruejnë majën kujdesshëm pse ajo âsht e vetmja mbështetje e qindresës së tyne në ajër. Harrova gjithshka, Lule, në botën e malit e të qiellës unë pasqyrë e pandame e rêve. Po të shkruej se këndej sa shkambi ka ngjyrën e faqeve të rrezituna. Muret e shpijave janë kështjellë të rrxueme me frangjija të panjehuna e njimijë sy më shikjojnë nëpër to kur parakaloj në pikë të mjesditës pa hijen teme për bri. Lule, sonte ndoshta do të bijë shi i nxehtë në Jugë, e nesër do të shoh mes avullit ylberin e shtrëngatës së kalueme e atëhere kam me kthye te ti… *** …e atëhere kam me kthye te ti./ KultPlus.com

Asaj

Makfire Ademi

me u mundue me përshpërit
edhe kur zani s’të dëgjohet
si gjethet e lehta t’pranverës
si cicërimë e zogjëve që ikin fluturimthi

me ndi’ atë çka thue e çka ki n’mendje
pa mendue përplasjen e turmave
pa e kthye kokën pas

me vu n’pah shpirtin e dëlirë
me than atë çka s’thuhet
pa ndoj’ gëzof mbrojës
e sytë pa i përpëlitur
me vu guximin n’rend t’parë
të tjerat vin, dalë-ngadalë./ KultPlus.com

The Telegraph: Slogani “Taken by Albania”, një ndër më të këqijtë në botë

Gazeta “The Telegraph” i ka kushtuar një artikull videos promocionale “Të rrëmbehesh nga Shqipëria” e cila është mbushur me thirrje për të njohur historinë e Shqipërisë, traditën, kështjellat, fjordet dhe luginat, liqenet e ngrira, kanionet dhe e gjithë kjo, rrethuar nga ngrohtësia dhe mikpritja e shqiptarëve.

“Marketingu mund të jetë një biznes i ndërlikuar. Por sa e vështirë mund të jetë të tërheqësh disa turistë?”, shkruan gazeta britanike, teksa shton se fotografitë e bukura në broshurë ose në faqe interneti, e bëjnë punën më mirë se çdo frazë e vrazhdë dhe të çojnë në supozimin se fjalët nuk kanë rëndësi.

Sipas gazetës prestigjioze britanike, ky slogan promovues konkurron si një ndër më të këqijtë në botë.

“Me siguri me këtë ata nuk janë duke iu referuar pengmarrjes? Ashtu si në filmin e vitit 2008, ku dy vajza të reja amerikane rrëmbehen në Paris dhe shiten në tregje seksuale nga gangsterë të rëndë stereotipizues shqiptarë duke u pasuar me një zinxhir ngjarjesh dhe një valë dhune që lë një prej tyre të vdekur? Ashtu si Taken 2 dhe Taken 3, që shitën gjithashtu shumë bileta kinemaje, por nuk bënë asgjë për imazhin e Shqipërisë në skenën botërore. Ata nuk mund të thonë ‘të rrëmbyer’ në këtë kuptim, apo jo?”, shkruan kjo gazetë, transmeton “Opinion.al”.

Kjo do të dukej një mënyrë e çuditshme për të reklamuar vendin tuaj. Por kur ju shkoni në faqen e internetit, e cila gjendet si takenbyalbania.com , ju zbuloni se ka më shumë. Shumë më shumë. Si fillim ka një pjesë prezantuese e cila thekson se, ata janë duke folur për filmin Taken. Dhe ata do të konkurrojnë me të.

“Në kulturën popullore, Shqipëria është cilësuar si parajsë për banditë, kriminelë dhe gangsterë. Ndërsa perceptimi i bërë nga filma të mirë, si Taken, është tërësisht i pavërtetë! Në të vërtetë Shqipëria është vend i bukur dhe tepër i sigurt për të vizituar dhe jetuar”.

Dhe po, ata kanë absolutisht të drejtë, për pjesën e fundit mbi bukurinë dhe sigurinë. Por mund të kishte qenë më mirë, ta bënin këtë thelbin e gjësë sesa të përmendin gangsterët… oh i dashur, ka edhe më shumë.

“Kjo është arsyeja pse ne kemi filluar këtë fushatë për të apeluar personalisht tek aktori i njohur i Taken, Z. Liam Neeson. Shikoni videon dhe bashkohuni me ne duke nënshkruar peticionin për të marrë z. Neeson në Shqipëri për t’u rrëmbyer nga natyra e saj e bukur, mikpritja dhe traditat e përjetshme”, thuhet gjithashtu në video.

A nuk i lexon askush më gazetat? Z. Neeson është një aktor i mirë. Ai është me të vërtetë ylli i të tre filmave Taken. Ai ka bërë disa filma të shkëlqyer dhe ka një karrierë të shquar e cila ka shkuar përtej rolit të dyshimtë të një agjenti në pension të CIA-s. Por Z. Neeson është aktualisht në mes të një prej momenteve më të vështira të karrierës së tij, pasi akuzohet për racizëm pasi pranoi se dikur dilte rrugëve duke kërkuar një njeri të rastësishëm me ngjyrë, për ta vrarë si shenjë “hakmarrje” për përdhunimin e shoqes së ngushtë. Nëse jeni duke kërkuar një ikonë të ekranit për të qenë figurë për reklamën tuaj të re, atëherë Liam në këtë moment nuk është personi i duhur.

Ky hap i gabuar është një turp, pasi Shqipëria ka shumë për të ofruar. Në të vërtetë, një pjesë tjetër e fjalimit të faqes arrin në zemër të çështjes kur argumenton se “në një Evropë që është zbutur dhe hulumtuar, Shqipëria është mbrojtësi i fundit i të thyerve, një vend ku malet nuk kanë rrugë, lumenjtë rrjedhin egër, dhe plazhet janë të paprishura. Përpos dozës së hiperbolës që rrjedh përmes kësaj deklarate, gjithashtu ajo nxjerr në pah një të vërtetë: Se Shqipëria është një nga skajet e fundit “të fshehura” të Evropës.

Artikulli mbyllet me pikëpyetjen nëse ky publicitet i keq do të jetë i suksesshëm në tërheqjen e njerëzve në Shqipëri, ndërsa shton se vendi meriton një mori vizitorësh dhe këshillon ekipin e marketingut të tërhiqet në një dërrasë vizatimi./koha.net/ KultPlus.com

https://www.telegraph.co.uk/travel/destinations/europe/albania/articles/albania-new-advertising-campaign-liam-neeson/

‘Qenka vajzë dhe të lindi e vdekur, mos u mërzit nuse se edhe ashtu ti ke vajzë’

Një tregim nga Drita Kadriu.

Çenka vajzë dhe të lindi e vdekur, tha vjehrra. Mos u mërzit nuse edhe ashtu ti ke vajzë. Telashja është se kush do ta varrosë, ai djalë nuk është këtu!

Një shtëpi e ulët, me dy hyrje dhe me nga një dhomë në secilën hyrje. Në korridorin e secilës hyrje radhitja ishte e njëjtë. Aty kishte dy dyer. Dera e parë në të majtë të qonte në dhomë e cila hapej kryesisht kur vinin mysafirët dhe kur ishte koha për të fjetur. Ajo kishte një kravatë me kornizë hekuri, një qilim të cilin ajo e kishte marrë si pajë kur është bërë nuse. Ajo njihej si nusja me më së shumti pajë, meqenëse ishte motër e gjashtë vëllezërve dhe ata ishin kujdesur që motrën ta nxirrnin në derë të huaj me pajë që të mbahej mend gjatë dhe nga shumë njerëzve.

Përveç qilimit kishte edhe një vitrinë të vogël ku mbahej radioja. Të rralla ishin shtëpitë që kishin radio. Radioja ishte ndër burimet e pakta të informimit në atë kohë. Deri në fund të viteve të 60 vetëm radio Prishtina dëgjohej në shtëpinë e tyre, atëherë kur valët e Radio Kukësit arrijnë në Mitrovicë e shkuan deri në Kinën e largët. Ishte një pasion i madh i saj për ti dëgjuar lajmet e radio Kukësit si dhe  këngët e Fatime Sokolit e Dervish Shaqës. Pasionin dhe dashurinë për kombin ajo e kishte trashëguar nga i ati. Radio Kuksi ishte një frymëzim patriotik i kohës për shumë njerëz që i përcillnin zhvillimet  politike.

Dera e dytë, në krye të korridorit të vogël dhe të errët ishte ajo e banjos. Në gjuhën e përditshme për banjo përdorej fjala hamamxhik që kishte origjinë nga turqishtja. Për dallim nga hamami, që e kishte edhe Mitrovica, hamamxhiku ishte një banjo e vogël nëpër shtëpitë e qytetarëve ( nga turqishtja : hamam- banjo dhe xhik:e vogël), ku laheshin anëtarët e familjes. Aty qëndronin  kazani, korita, taza, të gjitha nga llamarina, me të cilët nxjerrëj uji nga cila do enë, fija për larjen e teshave, tesha të pa lara dhe ndonjë mjet tjetër që përdorej për larje.

Korridori përdorej për qëndrim ditor. Aty kishte dy shilte të mëdha, dy, tri shilte më të vogla si dhe një kredenac/ vitrinë më e madhe e bërë nga druri i arrës së thatë. Në te vendoseshin të gjitha enët dhe mjetet tjera të kuzhinës. Zakonisht aty  ishte edhe një bokall me ujë. Gratë të cilat ishin punëtore dhe të zonjat ia punoni me penjë e grep mbulesën bokallit për ta siguruar që mos të binte pluhuri në ujin e pijes.

Dritarja e dhomës binte nën strehën e shtëpisë, e cila përdorej edhe si ballkon për qëndrim gjatë ditëve të verës edhe për ti paluar drutë gjatë dimrit. Buzë strehës së ballkonit gjendej pompa e ujit. Për të nxjerrë ujë me pompë, është dashur që të hedhesh një tas ujë në gyp dhe duke i ra dorëzës së pompës poshtë lartë,  fillonte të vinte ujë që gurgullim dilte nga gryka e pompës. Rreth pompës kishte një kornizë që e kufizonte shpërndarjen e ujit në mënyrë të pa kontrolluar. Një pjesë më e ngritur e kësaj kornize përdorej për ta vendosur koritën kur laheshin dhe shpërlaheshin teshat . Uji i tepërt gjatë këtij procesi përdorej për ta njomur oborrin i cili kryesisht ishte i mbuluar me bari, dhe ndodhte që të thahej gjatë verës.

Prag pranvere , 15 mars 1963 ditë e premte. Jashtë bënte ftohët bashkë me një shi i cili binte shumë i  imtë. Të ftohtit bëhej edhe më i madh nga dhimbjet periodike të lindjes të cilat kishin ritmin dhe hovin e tyre. Djersë të ftohta ia mbulonin ballin, secilën qime floku dhe trupin e saj. Ajo kishte dëgjuar se gjatë lindjes shpirti i gruas rrinë në një qime floku, aq i hollë është kufiri në mes jetës dhe vdekjes. Merre me mend thoshte nëna, njeriu pikë nga njeriu!

Të shtrirës në shtratin me kornizë nga hekuri, ethet dhe dhimbjet e lindjes ia shtonin edhe më shumë mendimet për momentin në të cilin ishte, mungesës së të shoqit dhe fatin e dy fëmijëve tjerë më të mëdhenj. 

Ai kishte shkuar në Sarajevë në shkollën e mekanizmit dhe hekurudhave. Ka qenë sakrifica e saj e madhe që ia mundësoi shkollimin. Ajo shiti një pjesë të pajës dhe me ato para ai u shkollua. Të rralla ishin vizitat e tij për ato dy vjet sa qëndroi në shkollim. Pritej që të kthehej brenda muajit prill. Gjatë kësaj kohe gjyshja, nëna e babës, po qëndronte tek i biri, me nusen dhe fëmijët, në qytet.

Ishte mëngjes i hershëm kur u dëgjua nëna duke i thënë gjyshes se unë nuk mund të pres më shumë, duhet me e thirrë Eminen sa më shpejt. 

Eminja, gruaja e mësuesit Salih Hoti,  një grua e mençur dhe e zonja, kishte përvojë për ti ndihmuar gratë në lindje. Duke qenë se ishin fqinjë të mirë, ajo e dinte se në këtë periudhë kur ju kanë ofruar ditët për të lindur fqinjës së saj, nuk duhet të largohet shumë nga shtëpia. Edhe pse të afërmit e vet i kishte në Zhabar, fshati i parë afër Mitrovicës, meqenëse nuk kishte transport dhe  kryesisht njerëzit udhëtonin në këmbë ose me karroca me kafshë, ajo qëndroi në shtëpi, në gatishmëri të plotë për shumë ditë.

Fytyra e nënës sime ka pas pamje fisnike. Ka qenë katrore, me një gem në mjekër, sy të mëdhenj ngjyrë të gjelbër të mbyllur, vetulla gajtan  jo fort të zeza, ndërsa buzët e saj ishin të holla. Lëkura e saj e bardhë të krijonte përshtypjen e bardhësive të të gjitha qiejve. Ishte grua fisnike e fortë dhe e guximshme.

O mashallah je bërë shumë gati me lindë. Do të lutem që lindja të shkoj mirë e mbarë siç din i lumi Zot, tha Eminja. Ajo ishte grua me një trup të madh, e kalitur nga jeta e puna. Posa hyri në dhomë ajo ndjeu ngrohtësinë e ambientit të krijuar nga shporeti që po digjte drutë. 

Fytyrën fisnike të nënës Eminja e gjeti të zverdhur, të djersitur dhe duke shtrënguar dhëmbët për të mos lëshuar zë. Bënte kujdes që mos ti frikësonte fëmijët të cilët ishin katër dhe një vjeç. Ajo i ndjeu dhimbjet e saj dhe filloi ngjeshjet e barkut nën brinjë ngadalë për ta bërë të lehtë momentin e lindjes.

Ende nuk ishte momenti. Pushim dhimbjesh dhe ethesh, ndërsa djersët avulluan. Mbretëroi qetësia. Ngadalë hapet dera dhe dëgjohet zëri i njomë i vajzës së madhe duke thënë: nënë a je e sëmurë, a po vjen të na se jemi vetëm? Menjëherë gjyshja me qëndrim të trashtë se u bë kiameti çka pa vajza,  i ndërmerr hapat që ta largoj vajzën e madhe të shtëpisë,  Shahën e cila gjithmonë nga natyra ka qenë shumë kurioze.

Një cikël i ri dhimbjesh dhe ethesh, drithërima, lot pa zë, shtrëngime duarsh, vakum mendimesh dhe filloi, të rrëshqet ngadalë nga shtrati i së ëmës një kokë e vogël e bardhë për ti hapur rrugën trupit të imtë dhe të pafajshëm që po vinte në ambientin e ngrohët të krijuar nga ajo që nën drithërima dhe gëzim po priste që ta dëgjonte vajin e parë. Vaji i lindjes nuk u dëgjua. Përnjëherë u shuan ngazëllimi i lindjes dhe dhimbjet. E mpirë, e shtangur, nën lotët që ia morën fytyrën  kujton momentet e lumturisë së ngjizjes dhe zotimet që i kishin me të shoqin për fëmijët dhe familjen.   

Çenka vajzë dhe të lindi e vdekur, tha vjehrra. Mos u mërzit nuse edhe ashtu ti ke vajzë. Telashja është se kush do ta varrosë, ai djalë nuk është këtu!

Sjellja inferiore e vjehrrës për shkak të gjinisë së bebes dhe konstatimi se foshnja lindi e vdekur,  asaj ia lëndoi edhe më shumë shpirtin e tendosur dhe të trazuar. Pas disa minutave, kur filloi ta merrte vetën dhe të mendoj më thellë ajo e kërkoi foshnjën e vet që ta mbante në kraharorë. Dua të ja ndjejë erën, dua ta përkëdheli. Si është e mundur që të lind e vdekur. Gjithmonë ia kam ndjerë lëvizjet në bark, mendonte duke e marrë foshnjën në gji dhe duke ia përkëdhelur fytyrën e vogël engjëllore. Papritmas ndodhë mrekullia. Vajza që kishte ardhur në jetë pa vaj, nën përkëdheljen e së ëmës filloi të qajë.  

Në shkencë lindja e foshnjave me mbështjellës njihen si lindje me membranën amniotike e cila në të shumtën e rasteve e  mbulon vetëm fytyrën dhe kokën. Lindje të tilla janë shumë të rralla dhe sipas disa të dhënave një në 80.000 njerëz lindin me këtë mëmbranë.

Sipas mitologjisë janë dy karakteristika, që e përcjellin këtë lindje pa vaj, të 15 Marsit 1963, ditë e premte: ajo e lindjes me këmishë të fatit dhe vet  lindja ditën e premte.

Varësisht nga kulturat njerëzit  kanë ndërtuar mite të ndryshme për të lindurit me mëmbarnë amniotike. Këto lindje i kanë quajtur me emra të ndryshëm: ka lindur me vello, këmishë fati, kafaz mbrojtës etj.

Disa thonë që foshnjat që lindin me këtë vello janë të bekuara. Çfarëdo që do të veshin do tu rrijë bukur. Irlandezët për shembull thonë që vajza e shtatë e shtatë vajzave që lindë me këmishë fati do të jetë në gjendje ta parashikoj të ardhmen, përderisa në disa shtet të Evropës Lindore kjo lindje shihet si shenjë e keqe. Foshnjat e lindura me vello ose këmishë fati, udhëtimin jetësor do ta kenë me fat dhe do te bëhen njerëz shumë pozitiv. Ata do të jeni udhëheqës të jashtëzakonshëm madje edhe shenjtor. Në të kaluarën copat e këmishës së fatit janë shitur në treg. Një kapiten dhe një detarë e ka konsideruar pasuri të veçantë këtë copë sepse e ka mbrojtur nga e keqja dhe i ka sjellë fat. 

Në shumë pjesë të kryeveprave të letërsisë është përmendur  miti i vellos ose këmishës së fatit si në veprën “Hamleti” të Shekspirit, në novelën gjysëmbiografike të Betty Smith “Pema që rritet në Bruklin”, novelën e Charles Dickens “David Copperfield” .

Për ditën e premte thuhet se është e udhëhequr nga planeti Venus, planeti i dashurisë, ekuilibrit, bukurisë, romancës, elegancës dhe kënaqësisë. Venus (/ viːnəs /, Latinishtja klasike: / wɛnʊs /) është perëndeshë romake. Është e njohur si nëna e Eneas, i cili mbijetoi rënien e Trojës dhe iku në Itali. Romakët e përshtatën mitin dhe ikonografinë greke për artin romak dhe letërsinë latine. Në traditën e mëvonshme klasike të Perëndimit, Venusi u bë një nga perënditë më të njohura të mitologjisë greko-romake, si mishërimi i dashurisë dhe seksualitetit.

Fëmijët e së premtes janë nën sundimin e Venusit. Ata janë të shoqëror, joshëse dhe kanë shpirt artistik. Nganjëherë janë shumë të varur nga mendimet e njerëzve të tjerë dhe janë dembel dhe të kotë. Talentet e tyre mund të mbeten të fshehura nga bota gjithmonë.

Në një nga këto mite qëndron edhe fati i saj. / KultPlus.com

Mijëra bileta të shitura edhe pse muzeu i faraonit nuk është hapur akoma

Rreth 130 000 bileta janë shitur përpara hapjes së një muzeu për Tutankhamonin, që do të hapet zyrtarisht më 23 mars në Paris, thanë organizatorët e kësaj ekspozite.

Ata parashikojnë se mund të arrihet deri në 150 000 bileta deri në ditën e hapjes. Më shumë se 150 objekte përbëjnë thesarin e Tutankhamonit, që del për herë të parë nga Egjipti. Parisi është etapa e dytë e intinerarit të kësaj ekspozite, pas Los Anxhelesit.

Thesari i faraonit më të famshëm egjiptian do të jetë i hapur deri më 15 shtator./A.T.SH/ KultPlus.com

“Arbëria” në kinematë italiane, stërnipi i Skënderbeut dhe shqiptarët e tjerë në kast

Traditat dhe kultura e komunitet arbëresh në kinematë italiane nga 26 marsi. Konflikti i një vajze të re me të shkuarën është realizuar nga regjisorja arbëreshe, Francesca Olivieri

Sa e vështirë është të bësh llogaritë me prejardhjen tënde e ta pranosh atë? Çfarë është identiteti kulturor? Dhe si balancohet me dëshirën e shfaqjes së individualitetit dhe emancipimit? E di këtë Aida, e cila për një kohë të gjatë është ndjerë në siklet, apo e turpëruar për faktin se i përket një komuniteti të vogël, siç është ai i arbëreshëve, në Jug të Italisë. Për këtë arsye ajo ka emigruar në një tjetër qytet, ku ka mundur të gjejë ekuilibrat me veten,e një lloj qetësie që i ka lejuar të qëndrojë larg familjes dhe kufizimeve sociale të ambientit të mëparshëm.

Mirëpo ndarja e të atit nga jeta e detyroi që të kthehej në vendi ku, falë mbesës, rizbulon rrënjët e saj, origjinën. Është kjo historia e rrëfyer në filmin “Arbëria” të regjisores kalabreze Francesca Olivieri, e cila hulumton lidhjet e forta dhe trashëgiminë kulturore të komunitetit arbëreshë, që ende mbahet në këmbë në disa lagje të vogla të Kalabrisë dhe Bazilikatës. Për të interpretuar rolin e vështirë të Aidës është përzgjedhur aktorja romane me origjinë kalabreze Caterina Misasi, mjaft e njohur për publikun edhe për pjesëmarrjen e saj në seriale si “Një mjek në familje”, “Njëqind vitrinat”, “Të jetosh”.

Ka punuar me regjisorë të një kalibri të lartë si Enzo Monteleone fitues i çmimit “Oscar”, Paolo Genovese, , Riçardo Donna, Tiziana Aristarco, dhe në krahë të Alessio Boni, Giulio Scarpati, Nino Frassica, Alessandro Gassman, Enrico Brignano, Terence Hill, Elena Sofia Riçi, Alessandra Mastronardi dhe Francesco Pannofino-s.

Frymë shqiptare në kast

Kastit të këtij filmi, i është bashkuar edhe aktorja me origjinë shqiptare Brixhilda Shqalsi, që vjen si bashkë-protagoniste. Tek “Arbëria” merr pjesë gjithashtu edhe një pasardhës i Skënderbeut, po ashtu arbëresh, Alessandro Castriota Scanderbeg, si dhe emra të tjerë të kinematografisë italiane si Carmelo Giordano, Anna Stratigò, Mario Scerbo, Fabio Pappacena dhe Antonio Andrisani.

Entuziazmin për shfaqjen e këtij filmi e ka rritur edhe prezenca e aktores së talentuar Denise Sapia. Për montazhin e filmit ka punuar Fabio Nunziata, bashkëpunëtor i hershëm i regjisorit Abel Ferrara, ndërsa muzika është kompozuar nga Luigi Porto, i cili së fundmi është angazhuar edhe në realizimin e kolonave zanore me mjeshtrin Angelo Badalamenti. Përmes syve të protagonistes, Aidës, Francesca Olivieri – familja e të cilës e ka prejardhjen në lagjen e vogël arbëreshe “Santa Caterina Albanese” – rrëfen procesin e vështirë të rizbulimit të rrënjëve, e mbi të gjitha andrimin e copave të grisura dhe kufizimeve të ngushta, pas tentativës rinore për t’i fshirë.

Filmi tregon jo vetëm peripecitë e protagonistes, por kujton edhe një komunitet të tërë, atë të arbëreshëve, që i ka dhënë jetë territorit të Arbërisë: atë enklavë joshëse të Shqipërisë në Itali – të krijuar gjatë lëvizjeve të shqiptarëve përgjatë shpërnguljeve të shekullit XV dhe të XVIII-të. Është një konflikt mes traditës dhe modernitetit, ai i kaluar nga protagonistja e filmit përreth kësaj zone gjeografike sentimentale, Arbërisë, që në këtë film rizbulohet dhe rivlerësohet.

Protagonistja

“Arbëria” është një histori nostalgjie, konflikti me të shkuarën personale, me rrënjët. Aida Greco, heroina e këtij filmi është një grua kurajoze dhe melankonike. Si krijuese në sektorin e modës, ajo do të largohet nga vendi ku është rritur dhe pasi ka udhëtuar gjatë ndalet në një qytet të Evropës Qendrore, ku edhe hap një atelier. Pas vdekjes së babait ajo rikthehet në vendin e origjinës, që gjendet në malet e Pollino-s, në Kalabri. Gjatë kësaj periudhe rizbulon gjuhën mëmë dhe prejardhjen e saj si pjesë e një minoriteti etnik, atë italo-shqiptar.

Edhe regjisorja me origjinë shqiptare

Francesca Olivieri, regjisore dhe skenariste me emër, ashtu si protagonistja e filmit të saj është me origjinë arbëreshe. E lindur në Piemonte, ajo është diplomuar në Bolonja në Disiplina Semiotike dhe njëkohësisht ka punuar si ndihmës regjisore. Ka përfunduar shkollën e regjisë për të vijuar me atë si skenariste. Aktualisht ajo jeton mes Francës dhe Italisë, duke punuar me produksione të njohura televizive dhe kinematografike.

Aktorja që po befason botën e kinemasë, si protagoniste tek “Arbëria”

Aktorja e re Denise Sapia vijon të befasojë botën e kinemasë. Pas rolit të saj të fundit si protagoniste në një thriller eksperimental episodik “Një falje e vështirë” ( “Un difficile perdono”) e regjisorit Salvo Bonaffini, ajo është në qendër të historisë “Arbëria”. Filmi që ka në fokus traditat dhe kulturën e komunitetit italo-shqiptar, e vendos aktoren e re në një rol të pazakontë dhe kompleks, pasi i duhet të përballet me sfida të reja. Sfida, që siç regjisorja është shprehur për mediet italiane, aktorja i ka kapërcyer me sukses.

Produksioni

Filmi është prodhuar nga “Open Fields Productions”, në bashkëpunim me “Lucana Film Commission” dhe “Calabria Film Commission”, me mbështetjen e MiBAC dhe SIAE, në kuadër të iniciativës “Sillumina”, me mbështetjen e BÇ Mediocrati dhe Echoes. Shpërndarja e filmit “Arbëria” bërht nga “LAGO Film”, një realitet i ri i kinematografisë shqiptare. Premiera do të shfaqet të martën që vjen në orën 20:30 në kinemanë “Garden di Rende”. Do të shfaqet jo vetëm në Itali por edhe në vende të tjera. Filmi është realizuar edhe falë mbështetjes së shumë komunave që janë joshur nga historia si Vaçarizzo Albanese, Oriolo, Acquaformosa, Spezzano Albanese, Plataci, Santa Caterina Albanese, Mongrassano, Caraffa di Catanzaro, Mormanno, San Cosmo Albanese, Cerzeto, San Giorgio Albanese dhe San Demetrio Corone/ Anila Dedaj, Shekulli./ KultPlus.com

Poezi për Fuqi

Shkumbin Beqiri

Ngjarje e organizuar nga ARTPOLIS me 6 mars 2019, i ka dhënë Prishtinës një atribut kulturor, të munguar prej kohësh. Aty ku poet dhe artistë, por edhe pjesëmarrës nga publiku, kanë lexuar poezi të tyret dhe të poetëve të njohur, me subjekt gruan, të shoqëruar me muzikë. Barazia gjinore ishte mesazhi i përqafuar përmes poezisë, në ato përmasa që lipsen nga një shoqëri demokratike.

Më shumë se sa tematika; ideja, formati i organizimit, mënyra e përcjelljes së mesazhit, ishin elemente të cilat bënë diferencën në raport me ngjarje tjera të organizuara në vendin tonë. Thënë troç, ARTPOLIS  arriti ta krijoj një hapësirë publike, për një shfaqje intelektuale, në një realitet i cili është përjashtues për rezonime intelektuale mbi problemet sociale, siç mund të jetë barazia gjinore në këtë rast.

Janë të rralla rastet në Kosovë, kur organizohen takime në të cilat çështje me rëndësi trajtohen nga një këndvështrime më profesionale. Niveli i debatit këtu është medietik, pra mungon ai intelektual.  Për më keq se kaq, edhe katedrat e Universitetit të Prishtinës nuk janë hapësira publike, ku mund të zhvillohen diskutime më përmbajtjesore. Më të zakonshmet këtu janë diskutimet nëpër konferenca nga organizatat e shoqërisë civile, kur trajtimi i problemeve është aq sipërfaqësor sa përfundimet e tyre, në të shumtën e rasteve nuk iu shërbejnë as për lajm medieve elektronike dhe të shkruara. Të kundërtën e kësaj e bëri ARTPOLIS me Poezi për Fuqi.

E gjithë dilema që kam është, nëse shembulli i ARTPOLIS do mund të praktikohej që të trajtohen edhe probleme tjera, si; moszhvillimi ekonomik të shpjegohej përmes mësimeve të ekonomisteve të njohur si Jeffrey Sachs, apo funksionimi i dobët i sistemit politik nëpërmjet formulave të politologëve Giovanni Sartori apo Robert Dahl?!

Nëse kjo do mund të ndodhte, nuk do të kishim këtë pamje të zymtë për të ardhmen, që domosdo lidhet me politikën, e rrjedhimisht edhe me ekonominë. Shoqëria kosovare ka pranuar pa debat një sistem politik, i cili bëhet gjithnjë e më shumë konfuz në funksionimin e tij. Njëjtë është bërë edhe me modelin ekonomik, i cili duke mos ndjekur këshillën e novelistit të ekonomisë Milton Fridman, që të mos fillohet privatizimi pa vendosur shtetin ligjor, e ka sjellë për pasojë krizën e saj që të gjithë ne sot e jetojmë.  

Legjitimiteti i politikave dhe legjislacioneve përmes organizimeve të tilla, do të kishte tjetër përmbajtje, natyrisht më të mirë se tani./ KultPlus.com

Dokumentari ”Kufij të përgjakur”, historia e shqiptarëve përgjatë gjysëm shekullit të errët të diktaturës

Kufijtë e Shqipërisë janë shënuar me gjakun e 995 shqiptarëve përgjatë gjysëm shekullit të errët të diktaturës. Ky është numri më i lartë i të vrarëve në ndonjë vend për kalim të kufirit, krahasuar me të gjitha vendet e Lindjes së bashku. Për çdo kilometër të kufirit shqiptar, prej rreth 1000 km, ka derdhur gjakun 1 shqiptar.

Vendet e kampit socialist që ishin në kufi me Perëndimin, edhe pse me popullsi shumë më të madhe se Shqipëria, numërojnë më pak të vrarë në vijat e tyre kufitare disa herë më të gjata se ajo e Shqipërisë. Gjermania Lindore kishte 327 të vrarë, Çekosllovakia 282, Bullgaria 108.

Shqipëria gjithashtu, kishte numrin më të vogël të arratisjeve krahasuar me bllokun e Lindjes. Vetëm 13.700 shqiptarë kishin mundur të largoheshin gjatë 46 viteve, ose më pak se 0.5% e popullsisë. Ndërsa deri në vitin 1982 ishin larguar 19.8% e popullsisë nga Gjermania Lindore, 14% nga Çekosllovakia, 6% nga Polonia dhe 5.3% nga Bullgaria.

Për çdo 1000 persona që tentonin të largoheshin përtej kufirit në Shqipëri vriteshin 77 prej tyre, ndërsa në  Gjermaninë Lindore raporti ishte për 10.000 persona vetëm 1.

Vendi ynë konsiderohej si vendi më i izoluar në Botë, jo vetëm për masat e ashpra që zbatoheshin për të qëlluar pa mëshirë ndaj atyre që tentonin t’i afroheshin kufirit, por edhe për brutalitetin që ushqehej vazhdimisht nga krerët e regjimit.

Trupat e të vrarëve në kufi përdhoseshin dhe shpesh sajoheshin inskenime propagandistike për të terrorizuar shqiptarët.

Në qershor 1985, në afërsi të Ksamilit, u gjetën kufomat e shtetasve Sotiraq Nasto e Jorgji Sholla nga Narta e Vlorës, të cilët kishin tentuar të kalonin me not drejt Korfuzit. Ekuipazhet e motoskafit të shërbimit të kufirit u urdhëruan t’i vendosin kufomat në bashet e motoskafit dhe t’i shëtisnin përgjatë bregdetit të qytetit të Sarandës me sinjale alarmi të ndezura.

Janë kryer imitime të të vrarëve në kufi, duke ekspozuar edhe para fëmijëve, trupa sikur ishin vrarë në kufi, mbështjellë me çarçafë të njollosur me bojë të kuqe. Një natë para se të ndohte kjo shfaqje e tmerrshme, qëllohej me armë dhe binin sirenat e policisë për të krijuar nëpër qytetet kufitare imazhin e alarmit dhe të gjendjes së gatishërisë.

Para se të arrinte në një zonë kufitare, çdo shtetas shqiptar duhet të kalonte postblloqe kontrolli dhe ta justifikonte udhëtimin me një arsye bindëse, edhe sikur të shkonte tek vëllai, nëna, apo motra.

Me të mbërritur duhet të pajisej me lejen e degës së brendshme për të shkuar në zonat kufitare, të cilat ishin nën raportimin e vazhdueshëm të Sigurimit të shtetit për çdo dyshim. Edhe një kthim koke drejt maleve që shënonin kufirin raportohej.

Sipas legjislacionit të kohës, tentativa e arratisjes konsiderohej tradhti ndaj atdheut dhe dënohej me 10 deri 25 vjet burg, madje në disa raste edhe me dënim me vdekje.

Praktikisht survejimi i kufirit fillonte që kur dikush priste një biletë udhëtimi për në një qytet kufitar. Stacionet e autobusave të këtyre rretheve ishin të survejuar nga agjentë të shumtë që përcillnin me kureshtje çdo të huaj deri në destinacion.

Në disa prej qyteteve ku kufiri dukej afër, shëtitoret ishin projektuar në anën tjetër të qytetit që askush të mos tentonte t’i hidhte sytë.

Po ashtu, ndryshe nga çdo repart tjetër i ushtrisë, kufiri kishte trajtimin më të mirë në ushqime e veshmbathje dhe ushtarakët më të devotshëm e më të bindur ndaj partisë.

Për çdo aksion që quhej i suksesshëm kur arrestonin apo vrisnin shqiptarë që merrnin guximin të largoheshin nëpërmjet kufirit, ushtarëve të patrullës dhe oficerëve iu jepeshin shpërblime dhe 14 ditë leje.

Nga ana tjetër, për të gjithë të afërmit e personave që kalonin kufirin ose vriteshin në kufi, zhvilloheshin procese të gjata hetimore shpesh me tortura, e më pas fillonte persekutimi me pushime nga puna, internime dhe burgime. Të afërmit hynin në listën e gjatë të “armiqve të popullit” dhe vuanin pasojat e diferencimit në arsimim dhe në punësim.

Kufiri shqiptar u bë pothuajse i pakalueshëm pas vitit 1967, kur filloi të ndërtohej Pengesa Elektro Sinjalizuese, ose siç njihej ndryshe kloni.

Kloni ishte një barierë vertikale me tela të fortë me gjemba, ku kalonte rryma elektrike, mbi dy metra e lartë, e po aq e thellë nën tokë, dhe ndodhej 100-200 metra brenda vijës së kufirit.

Në anën e jashtme të klonit ndodhej i ashtuquajturi brezi i butë, që ishte një rrip toke i punuar për të diktuar gjurmët, me gjërësi rreth 4 m.

Sipërfaqja e kësaj toke që punohej ishte në shumë vende më e madhe se sipërfaqja që punonin fshatarët për të mbjellë prodhime bujqësore. Shpenzimet për blerjen me klering të telave nga Gjermania Lindore dhe ndërtimin e klonit ishin të aq të larta sa e kalonin disa herë volumin tregtar të Shqipërisë për një 5 vjeçar.

Me rënien e Murit të Berlinit dhe hapjen e kufijve mes Lindjes dhe Perëndimit më 9 Nëntor 1989, krerët e diktaturës shqiptare e kuptuan se vazhdimi i izolimit të Shqipërisë do të ishte i pamundur pas pak kohësh, por jo pas pak ditësh. Në Evropë po ndodhnin ndryshime të rrufeshme, ndërsa Shqipëria kishte mbetur vendi i fundit nën diktaturë.

Shqiptarët edhe pse nën një izolim të rreptë, po ndiqnin zhvillimet rreth tyre nëpërmjet stacioneve të radiove e televizioneve të huaja dhe filluan të tregonin shenjat e para se ëndrra e vrarë për lirinë po rikthehej.

Në një situatë që po ndryshonte dita ditës, në qytetet kryesore të vendit dhe nën presionin në rritje të ndërkombëtarëve, regjimi u detyrua të bënte disa lëshime për liritë dhe të drjtat e shtetasve shqiptarë.

Më 8 Maj 1990, Kuvendi i Shqipërisë miratoi disa reforma për të drejtat e njeriut, mes të cilave edhe ndryshimin e ligjit për kalim të paligjshëm të kufirit, i cili pas kësaj date nuk konsiderohej më si tradhëti e lartë ndaj atdheut, çka dënohej me 10-25 vite burg, ose pushkatim, por vepër penale që mund të dënohej maksimumi me 5 vjet burg.

Tri ditë më vonë, Shqipërinë e vizitoi për herë të parë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Perez De Kuelar, i cili inkurajoi presidentin Ramiz Alia për ndryshimet ligjore dhe hapjen e rrugës drejt reformave demokratike. Dukej se diçka po ndryshonte edhe në Shqipëri më në fund.

Pas pak ditësh, më 2 korrik 1990 oborret e ambasadave në Tiranë u mbushën plot me qytetarë shqiptarë që nën mbrojtjen e OKB dhe personalisht të Perez de Kuelar arritën të largoheshin përtej kufijve të Shqipërisë.

Pas këtij lajmi shumë të rinj shqiptarë, besuan se rreziku për të kaluar kufirin ishte zvogëluar dhe mund të provonin të realizonin ëndrrën e tyre për të shijuar lirinë pas 46 vitesh. Por ndryshimi i ligjit në letër, nuk ishte ndryshimi i sjelljes gjakatare ndaj shtetasve të vet prej byroistëve.

Ndërsa shfaqeshin para ndërkombëtarëve si reformatorë dhe partnerë në zhvillimet demokratike, nga ana tjetër urdhëronin vartësit në drejtorinë e kufirit, oficerët dhe ushtarët e kufirit për të mos ndryshuar asgjë nga praktika 46 vjeçare, përkundrazi të ashpërsonin masat.

Mbrëmjen e 22 Gushtit 1990, Niko Joti, 24 vjeçari nga Rehova e Ersekës doli prej portës së drunjtë të shtëpisë së tij. Nikua ishte më i vogëli nga 4 djemtë e Stefanit. Të gjithë ata që e njihnin e vlerësonin për punëtor e të urtë.

Rehova ishte fshati më i afërt me kufirin dhe Niko Joti e njihte mirë të gjithë territorin e kufirit, dinte mirë edhe mënyrën se si patrullohej nga forcat e kufirit, që e kishin postën dimërore disa metra mbi fshat.

Ai u takua me 5 djem të tjerë nga Erseka dhe Korça dhe kur dielli po perëndonte, dolën nga fshati e u drejtuan në luginën poshtë postës kufitare për të vazhduar drejt kufirit. Nikua e dinte mirë se ku duhej të kalonin dhe i udhëhiqte, ndërsa të tjerët me kujdes e ndiqnin nëpër rrugicat e ngushta mes shkurreve e pemëve të kodrinave poshtë Gramozit.

Të rinjtë kishin vendosur të largoheshin atë natë drejt Greqisë. Kishin dëgjuar se disa grupe me të rinj kishin mundur të kalonin përtej, por gjithashtu kishin dëgjuar se shumë të tjerë ishin vrarë. Pikërisht pranë Rehovës, më 3 shkurt të po atij viti ishte vrarë një i ri nga Tirana, 27 vjeçari Ilirjan Zari, më 23 Maj 18 vjeçari Sokol Lika dhe më 24 Maj, 24 vjeçari Sami Daja.

Ndërsa në Shkodër ishte vrarë pak ditë mw heret,  17 vjeçari Pëllumb Pëllumbi. Shumë të rinj të tjerë ishin plagosur ose ishin arrestuar, ndërsa kishte dhe raste kur kishin mbetur në dëborën e Gramozit të ngrirë prej acarit e askush s’dinte gjë për ta.

Errësira kishte rënë dhe të rinjtë nxitonin hapat nëpër rrugicat e ngushta, duke u përpjekur të bënin sa më pak zhurmë. Shpresonin të mos i kishte parë askush, përndryshe rojet e kufirit do t’i kishin nga pas.

Pak para mesnatës, arritën të ngjiten në livadhet pranë kreshtës të Gramozit, të cilat ndodheshin më pak se 500 metra nga kufiri. Të lodhur nga ngjitja me shpejtësi e shpatit të pjerrët, vendosën të pushojnë pak aty dhe të merrnin veten për metrat e fundit.

Sapo u ngritën dhe filluan të vraponin, përballë u ndeshën me patrullën e kufirit…

Mbi të rinjtë u lëshuan breshëritë e plumbave. Mbetën të vdekur 3 prej tyre, Petrit Ajdini 26 vjeç, Artur Kërcelli 25 vjeç dhe Niko Joti 24 vjeç. I vëllai i Nikos, Leka, tregon se Nikua ishte plagosur dhe ishte gjallë deri në mëngjes, e më pas ishte qëlluar për vdekje nga oficerët në postën e kufirit.

U arrestua Avni Rumi 27 vjeç. Mundi të largohej drejt Greqisë vetëm Pandush Nica 29 vjeç, por nuk dihej fati i 31 vjeçarit Safet Rrapo nga Erseka. Pas disa ditësh një bari gjeti edhe trupin e pajetë të Safetit të rrëzuar në një humnerë. Forcat e kufirit morrën trupin e Safetit në postë dhe thirrën familjarët ta tërhiqnin.

Familjarët e thirrur për të marrë trupat shkuan me lot në sy, por u përballën me sharjet dhe fyerjet e oficerit dhe ushtarëve. Gjatë ceremonive mortore përveç anëtarëve të familjes, askush nuk u lejua nga miqtë apo bashkëqytetarët të kryente vizita në shtëpinë e të vrarëve, duke i mbajtur ata në një distancë të largët. Shtëpitë u rrethuan nga forcat e policisë dhe agjentët e sigurimit. Edhe itinerari drejt varrezave u zgjodh nga policia, sa më larg banorëve dhe rrugës kryesore.

Arkivolin me trupin e pajetë të Safet Rrapos, e mbajtën nga shtëpia deri tek varrezat e Ersekës: 2 vëllezërit, i ati dhe 3 motrat e tij. Në varreza nuk kishte asnjë njeri, përveçse një grope të hapur dhe një agjenti të sigurimit, fshehur pas një pllake varri, i cili përgjonte fjalët e lamtumirës që i jepnin motrat dhe vëllezërit Safetit, fjalë të cilat i ranë në vesh autoriteteve dhe i thirrën për t’i ndëshkuar me pushimin nga puna.

…dhe kjo nuk ishte masakra e fundit në kufi për atë vit. Katër të rinj të tjerë nga fshati Aliko i Sarandës, do të vriteshin në kufi me Greqinë më 12 dhjetor 1990: Thimjo Masho, Thanas Koçi, Ajdhon Rafti dhe Vangjel Mitro. Edhe pas shpalljes së pluralizmit politik, vrasjet vazhduan me të njëjtin intensitet deri në fillimin e vitit 1991.

Viti 1990 ishte viti më i trishtë për kufijtë e Shqipërisë. Pabesisht, me mënyra brutale, sistemi jo vetëm nuk zbatoi ligjin që miratoi në kuvend për të mos e konsideruar si krim kundër shtetit, por përkundrazi bashkë me të shkeli dhe çdo lloj morali./ Kujto.al/ KultPlus.com

Ella Mai, Ariana Grande dhe Taylor Swift fitojnë në IheartRadio Music Awards

Ariana Grande, Taylor Swift dhe Ella Mai ishin fitueset e mëdha në 2019 iHeartRadio Music Awards në Los Angeles të enjten mbrëma.

Britanikja Ella i fitoi tri çmime, duke përfshirë kategoritë e R&B, ndërsa Ariana i fitoi çmimet “Female Artist of the Year” dhe “Pop Album of the Year”, ndërsa Taylor ishte gjithashtu fituese e dyfishtë, duke i fituar çmimet “Tour” dhe “Video of the Year”.

Fitore të dyfishtë ka pasur edhe për këngën e Maren Morris, Zedd dhe Grey, The Middle, të cilët i fituan çmimet “Song of the Year” dhe “Dance Song of the Year” ,Imagine Dragons, Panic! At the Disco, Marshmello, J Balvin dhe Cardi B.

Performancat e dalluara të mbrëmjes përfshijnë performancën e pararegjistruar të Ariana Grande të këngës “Needy”, ndërsa Marshmello, Lauv, Lovelytheband dhe Ella Mai e performuan një kombinim të hit singleve të tyre, kurse fituesja e çmimit “Innovator Award”, Alicia Keys, i mahniti fansat kur e prezantoi djalin e saj tetëvjeçar, Egypt, dhe e solli atë në skenë derisa e këndoi këngën e re “Raise a Man”.

“Ky është njeriu që do ta rris”, tha ajo, derisa fëmija i saj iu bashkua në piano, shkruan KOHA Ditore.

Keys gjithashtu e performoi këngën e saj të vitit 2003 “You Do not Know My Name” nga skena e Microsoft Theater, ku përsëri e performoi setin e saj të dyfishtë në piano, të cilin e prezantoi derisa po e udhëhiqte ceremoninë e “Grammy” muajin e kaluar./ KultPlus.com