Filmi “My secret war” pjesë e javës së ndërgjegjësimit për gjenocidin

Më 16 prill, në kuadër të Javës së Ndërgjegjësimit për Gjenocidin (7th Genocide Awareness Week 2019), mbajtur në Scottsdale Community College të shtetit Arizona të SHBA-ve, me ftesë të drejtorit dhe themeluesit të Konferencës Vjetore për Gjenocidin, profesorit John L. Liffiton, u shfaq filmi i shkurtër artistik “Lufta ime e fshehtë” (My Sekret War) i autores, producentes dhe bartëses së rolit kryesor, Rina Hajra.

Të pranishëm ishin edhe regjisori i filmit Kevin Phipps dhe bashkëproducenti Allen Valor, por jo edhe autorja e filmit, e cila aktualisht gjendet në studime të shkallës së tretë në Ohio State University. Në fjalën e tij të hyrjes, Liffiton, pasi përshëndeti publikun, kryesisht studentë të kolegjit, por edhe të moshuar që kishin mbijetuar holokaustin dhe i njoftoi ata se ishte hera e parë që në këtë konferencë ishte e pranishme Kosova dhe gjenocidi serb kundër shqiptarëve, ftoi në podium pjesëtarë të familjes së autores së filmit, me ç’rast Nora Hajra lexoi një historik të shkurtër të Kosovës që nga lashtësia deri në ditët e sotme, ndërkaq Jeta Hajra foli për përvojën e saj gjatë luftës në Kosovë, që nga fillimet e saj deri në mes të prillit 1999, kur ishte detyruar me familje ta braktiste Kosovën e të vinte në Amerikë.

Pastaj u shfaq filmi me subjekt lufta e fundit në Kosovë, që i përshtatej për mrekulli përmbajtjes së konferencës dhe u ndoq me shumë interesim nga publiku i pranishëm në sallën e Konferencës për Gjenocidin.

Krejt në fund pasuan një mori pyetjesh për anëtarët e familjes Hajra lidhur me përvojën e tyre nga lufta si dhe pyetje për regjisorin dhe për bashkëproducentin për përvojën e tyre gjatë realizimit të filmit.

I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe Robert Sutz, piktor e skulptor i njohur amerikan me prejardhje polake, familja e babait të të cilit është shfarosur në kampet famëkeqe naziste. Në nderim të babait e të familjes së tij të vrarë në kampet e përqendrimit, që nga viti 2000 zoti Sutz gjithë talentin e tij krijues e ka përqendruar në krijimin e maskave të gjalla të të mbijetuarve të holokaustit dhe në pikturimin e skenave të holokaustit. Pasi dëgjoi rrëfimet për Kosovën dhe për luftën e Kosovës që ia kishte përforcuar edhe më shumë filmi “My secret war”, ai u zotua se shumë shpejt do ta realizojë edhe maskën, skulpturën e një të mbijetuari shqiptar nga lufta e Kosovës. (H.H.) / KultPlus.com

Batalioni shqiptaro-amerikan “Atlantiku”, dekorohet me “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta vlerësoi sot me anë të një ceremonie të veçantë, kontributet dhe sakrificat heroike të anëtarëve të Batalionit shqiptaro-amerikan “Atlantiku”, të cilët dolën vullnetarë para 20 vitesh duke luftuar për lirinë e Kosovës, si dhe për t’i dhënë fund gjenocidit dhe spastrimit etnik të makinerisë ushtarake të Millosheviçit, ndaj popullsisë së pambrojtur civile të shqiptarëve kosovarë.

Presidenti Meta dekoroi Batalionin “Atlantiku” me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”: “Me mirënjohje për ndjenjat më të larta atdhetare; si dhe në vlerësim të kontributeve të jashtëzakonshme të vullnetarëve shqiptaro-amerikanë të këtij batalioni, të cilët bënë sakrificat më sublime për çlirimin e Kosovës, dhënien fund të gjenocidit e spastrimit etnik në trojet shqiptare”.

Në fjalën e Tij drejtuar të pranishmëve, anëtarit të Këshillit Bashkiak të Nju-Jorkut Mark Gjonaj, pjesëtarëve të Batalionit shqiptaro-amerikan, familjarëve dhe të afërmve të tyre, Presidenti Meta vuri në dukje:

“Dy dekada më parë, kur Kosova, por edhe kombi ynë po kalonte një nga momentet më të vështira në historinë e saj dhe po përballej me gjenocidin famëkeq të Sllobodan Millosheviçit, një numër i madh shqiptaro-amerikanësh vendosën të linin pas gjithçka kishin, që nga familja, shtëpitë dhe puna e tyre në SHBA, për t’iu bashkuar vullnetarisht luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.

Ata vullnetarë dhe atdhetarë, mund të shijonin mundësitë e mëdha që u ofronte Amerika, por thirrja e Atdheut për t’i ardhur në ndihmë Kosovës, për t’i ardhur në ndihmë e për të mbrojtur fëmijët dhe gratë e pafajshme, të cilët po masakroheshin nga ushtria dhe paramilitarët e Millosheviçit, ishte aq e fortë saqë u treguan të gatshëm për të sakrifikuar gjithçka, madje edhe jetën e tyre.

Pikërisht në mars të vitit 1999 u krijua formacioni ushtarak i organizuar në Nju-Jork, që u pagëzua me emrin ‘Batalioni Atlantiku’, i përbërë nga vullnetarë nga të gjitha trojet etnike shqiptare me banim në Amerikë.

Në radhët e tij Batalioni kishte ushtarë nga të gjitha trevat shqiptare, madje edhe nga ata që lindur dhe rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një ceremoni solemne dhe madhështore me rastin e betimit si ushtarë të UÇK-së, në qytetin Jonkers të Nju-Jorkut, në oborrin e Hotelit ‘Royal Regency’, ishin tubuar mijëra shqiptarë, në mesin e tyre familjarë të ushtarëve, tashmë të mobilizuar dhe me uniformë ushtarake. Që aty nisi rrugëtimi i lavdishëm për Batalionin ‘Atlantiku’ që do t’i bashkohej luftës çlirimtare së Kosovës, duke shënuar një nga faqet më të rëndësishme, më heroike dhe më vetëmohuese të historisë së kombit tonë.

Por, pjesëmarrja e Batalionit ‘Atlantiku’ në luftën për liri pati edhe pasojat e veta, pasi ky Batalion i dha lirisë së Kosovës tre ‘Dëshmorë’: vëllezërit Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyçi.

Vepra dhe sakrifica sublime e heronjve Bytyçi nuk do të vdesë kurrë dhe ajo do të jetojë gjithmonë në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve kudo në botë. Ata janë nderi i historisë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Duke lënë pas gjithçka kishin ndërtuar në mërgim, këta tre vëllezër të rinj që luftuan për lirinë e Kosovës, janë sot e përjetë krenaria e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe e mbarë kombit tonë, në altarin e heronjve të lavdishëm të shqiptarizmës.

Ata u shndërruan në një shembull të jashtëzakonshëm të sakrifikimit më sublim në emër të lirisë dhe të emër të idealeve më të mëdha njerëzore, që sollën Kosovën e lirë dhe të pavarur.

Amaneti i tyre duhet të çohet akoma më përpara. Liria dhe pavarësia nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë, ashtu sikurse kemi të gjithë një rrugë të madhe përpara për t’i dhënë Kosovës, Shqipërisë dhe rajonit tonë edhe më shumë paqe, edhe më shumë siguri, edhe më shumë demokraci dhe begati afatgjatë.

Trashëgimia më e madhe që heronjtë e Kosovës kanë lënë është ‘Kosova e lirë, Kosova e pavarur, Kosova europiane dhe Kosova në NATO’!

Mesazhi që ata kanë lënë pas me sakrificën e tyre më sublime është për t’i edukuar fëmijët tanë, të rinjtë tanë me ndjenjat e atdhedashurisë dhe të sakrificës në emër të lirisë dhe të Atdheut.

Teksa flas për Batalionin ‘Atlantiku’, më vjen menjëherë në mendje vargu i famshëm i Imzot Fan Nolit në njërën prej poezive të tij: ‘Mbahu Nëno, mos ki frikë, se ke djemtë n’Amerikë’!

Një shprehje që është më aktuale se kurrë edhe sot, që e provoi kaq të vërtetë edhe Batalioni ‘Atlantiku’, batalioni juaj në betejën për çlirimin e Kosovës, duke pasur parasysh kontributin e shkëlqyer që diaspora shqiptare në SHBA ka dhënë ndër dekada për kombin tonë, duke ndërtuar ura bashkëpunimi mes dy kombeve dhe vendeve tona.

Me veprimtarinë e tyre atdhetare përfaqësuesit e diasporës vazhdojnë të kontribuojnë për çështjen kombëtare, por edhe për ruajtjen e traditave dhe zhvillimin e lidhjeve të forta që ekzistojnë mes amerikanëve dhe shqiptarëve.

Në këtë vit jubilar, në këtë 20-vjetor, kam nderin dhe kënaqësinë të vlerësoj Batalionin ‘Atlantiku’ me titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Flamurit’ kombëtar për kontributin e jashtëzakonshëm dhe heroik në luftën për çlirimin e Kosovës.

Lavdi përjetë për Batalionin Atlantiku!

Lavdi të përjetshme dëshmorëve të luftës heroike të popullit të Kosovës si dhe të mbarë kombit tonë!”

Duke marrë në dorëzim titullin e lartë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, përfaqësuesi i Batalionit “Atlantiku”, Gani Shehu si dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju-Jorkut, Mark Gjonaj i shprehën mirënjohjen kreut të shtetit shqiptar dhe vunë në dukje kontributin e Presidentit Meta për suksesin e këtij udhëtimi si dhe mbështetjen e tij për vendosjen e flamujve kombëtarë përgjatë gjithë rrugës Tiranë-Prishtinë, për nder të Batalionit “Atlantiku”.

“Kemi një kërkesë në emër të këtyre zotërinjve dhe zonjave, modele dhe frymëzim për brezat e ardhshëm, duke ju falënderuar për njohjen që i keni dhënë diasporës sonë për sakrificat e tyre, që për 14 mijë të rënët në Kosovë, 1696 të zhdukurit që ende nuk janë gjetur, 20 mijë gratë e përdhunuara, që ju zoti President të adoptoni simbolin e shqiponjës së zezë për të gjitha viktimat shqiptare, ose çdo simboli tjetër të përshtatshëm, sepse ka ardhur koha për të nderuar të gjithë ata që kanë shërbyer, të gjithë veteranët dhe për të vënë në dukje përndjekjen ndaj së cilës jemi ekspozuar ne të tërë”, theksoi Gjonaj. / KultPlus.com

Rindërtimi i Katedrales “Notre-Dame” mund të bazohet në një video-lojë

Një zjarr i madh dje ka shkatërruar Katedralen 850-vjeçare, “Notre-Dame”, në Paris.

Struktura, duke përfshirë dy kullat kryesore të saj, ka shpëtuar por maja e saj u rrëzua para se zjarrfikësit ta shuajnë zjarrin.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u zotua se do ta rindërtojë katedralen e famshme. Ai në një postim në Twitter në gjuhën frënge ka shkruar: “Ne do ta rindërtojmë atë. Të gjithë së bashku”.

Një burim potencial ndihmës, në këto përpjekje për rindërtim, është video-loja e vitit 2014 “Assassin’s Creed Unity” e cila është e bazuar në Paris, shkruan businessinsider.

Image

Katedralja “Notre-Dame” në video-lojën “Assassin’s Creed Unity” e vitit 2014/Ubisoft

Siç është detajuar në bazë të veçorive të vitit 2014 të publikuar në “The Verge”, Caroline Miousse, një artiste e kompanisë “Ubisoft”, ka kaluar dy vjet duke analizuar detajet e katedrales në mënyrë që të krijojë katedralen “Notre-Dame” sa më të saktë që është e mundshme në video-lojë.

“Kam bërë disa gjëra të tjera në video-lojë, por 80 për qind nga koha ime ia kam kushtuar ‘Notre-Dames’”, ka thënë Miousse në atë kohë.

Kjo është për shkak se katedralja është një koleksion në “Unity” (“Unitet”) ku lojtarët mund të eksplorojnë brenda dhe jashtë, përcjell Koha.net. Seria “Assassin’s Creed” është e njohur për rikrijimet e saj të detajuara me dashuri të vendeve historike dhe Katedralja “Notre-Dame” në “Unity” nuk është përjashtim.

Për fund, mbetet të shihet nëse “Ubisoft” do t’i ofrojë informacionet e saj digjitale qeverisë franceze. / KultPlus.com

Haradinaj i premton mjete ambasdorit francez për rindërtimin e Notre Dame

Shteti i Kosovës do të ndihmojë financiarisht në rindërtimin e Katedrales Notre Dame në Paris e cila dy ditë më parë u shkatërrua nga flakët.

Kryeministri Ramush Haradinaj, duke shprehur keqardhje për djegien e katedrales, para ambasadorit të Francës, Didier Chabert, ka thënë se edhe Kosova do të ndihmojë në rindërtimin e saj.

Ai nuk ka konfirmuar vlerën e mjeteve që janë propozuar në këtë rast.

Ishte presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk, i cili të martën kërkoi nga 28 vendet anëtare të BE-së që të ndajnë mjete për rindërtimin e Katedrales Notre Dame. / KultPlus.com

Besnik Krapi, i ftuari i radhës i Akademisë Europiane të Filmit

Producenti dhe aktori kosovar Besnik Krapi është i ftuari i radhës i Akademisë Europiane të Filmit. Kontributi i tij në fushën e kinematografisë si producent dhe aktor është mjaft i njohur në rajon dhe më gjerë, përcjellë KultPlus.

Akademia Europiane e Filmit është themeluar në vitin 1989 me drejtorin e parë Ingmar Bergman bashkë me anëtarët tjerë themelues si Pedro Almodovar, Lindsay Anderson, Bernardo Bertolucci, Sir Ben Kingsley, Andrzej Wajda, Wim Wenders etj.

Me këtë anëtarësim Kosova e rritë në 24 numrin e anëtarëve në këtë institucion prestigjioz. / KultPlus.com

Shpallet i hapur konkursi ‘Poetët e Pranverës’

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Librit, Ministria e Kulturës ka shpallur konkursin e ‘Poetëve të Pranverës’. Kjo nismë ka për qëllim promovimin e poetëve të rinj, si dhe konkursi do të zhvillohet përmes rrjeteve sociale.

Ministrja e Kulturës, Elva Margarti jep mesazhin për konkurruesit:

“Ndihuni të lirë të merrni pjesë në këtë garë, duke postuar një apo dy nga poezitë tuaja më të bukura. Mos kini “frikë” nga juritë, juria do jeni vetë ju. Poezia që merr më shumë pëlqime do të shpallet fituese në 23 prill, në festën e librit ku do të shpërndahet edhe një çmim”/atsh / KultPlus.com


Në Shqipëri hyrje falas për vizitorët në monumentet dhe sitet arkeologjike

Në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve, vizitorët do të mund të kenë mundësi të vizitojnë falas të gjitha monumentet dhe sitet arkeologjike të vendit tonë.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se, ”nëse ende nuk keni vizituar muzetë apo sitet arkeologjike që ndodhen pranë qytetit tuaj apo kudo në Shqipëri, kjo është dita! Muzetë dhe parqet arkeologjike në të gjithë vendin, hapin dyert për vizitorët. Në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve, në 18 prill, hyrja në to do të jetë falas”.

”Ndërkaq do të keni mundësi të shijoni jo vetëm pasuritë e trashëgimisë kulturore, por të merrni pjesë edhe në aktivitetet që do të zhvillohen pranë tyre: ekspozita fotografike, promovime librash, koncerte, trajnime, punëtori, leksione të hapura etj”, shprehet Margariti.

Vizitorët dhe turistët e huaj mund të vizitojnë plot monumente kulture dhe site si atraksione turistike dhe historike që nga parqet arkeologjike të Amantias, Orikut, Finiqit, Apolonisë, parkun arkeologjik të Bylisit, Antigonenë, si dhe Butrintin.

Gjithashtu turistët mund të vizitojnë edhe disa kala si në Shkodër, Berat, Lezhë, Krujë, kalanë e Kaninës, të Himarës, Porto Palermos, por edhe kishën e Shën Kollit në Mesopotam dhe rrënojat e Manastirit të 40 Shenjtorëve në Sarandë.

Hyrja falas në këto monumente inkurajon rritjen e numrit të vizitorëve vendas dhe të huaj, dhe zgjerimin e turizmit kulturor/ atsh / KultPlus.com

Sot 5 vite nga vdekja e Gabriel Garcia Marquez

Gabriel Garcia Marquez (Gabriel Garsia Markez i njohur edhe si Gabo), shkrimtari i njohur kolumbian lindi më 6 mars të vitit 1927 në Aracataca, një fshat i vogël pranë maleve të Karaibeve kolumbiane dhe vdiq më 17 prill 2014. Ai ishte djali i Gabriel Eligio García dhe Luisa Santiaga Márquez Iguarán.

Në atë periudhë dështoi shoqëria United Fruit, që deri në atë kohë kishte mbajtur ekonominë në rajon në një nivel mjaft të mirë nëpërmjet kultivimit të bananes. Si në çdo familje të asaj krahine edhe në atë Márquez gjendja financiare ishte në përkeqësim të vazhdueshëm, kështu që Gabrile së bashku me prindërit u transferua në shtëpinë e gjyshërve të tij në Riohacha.

Tetë vjetët e para të jetës së Markezit kaluan qetësisht, të mbushura me historitë magjike të gjyshes Tranquilina Iguarán dhe tregimet epike të gjyshit Nicolás Ricardo Márquez Mehija, në shtëpinë e të cilit dëgjoi historinë e masakrës së plantacioneve të bananes, ku u vranë mbi 100 njerëz, që më pas u varrosën në një varr masiv. Nga goja e gjyshit dëgjoi bëmat e jashtëzakonshme të gjeneralit Rafael Uribe Uribe, protagonist absolut i Luftës Njëmijë Ditore (1899-1902), një nga ngjarjet më të rënda dhe më të përgjakshme në historinë e Kolumbisë.

Ne vitin 1935 humbi gjyshin dhe kjo ngjarje ndikoi shumë në gjendjen shpirtërore të 12 vjeçarit Márquez, i cili një vit me pas shkon në Barrankija për të studiuar në shkollën San Hosé. Më 1942 u transferua në Zipaquirá për të përfunduar gjimnazin. Ne moshën 20 vjeçare fitoi të drejtën e studimit në Universitetin e Bogotá, dega drejtësi. I mërzitur nga jeta e përshpejtuar e kryeqytetit kolumbian dhe nga i ftohti i krahinës se Andeve, Gabriel mbyllej në dhomën e tij ku lexonte kryeveprat e autorëve me të mëdhenj latinë dhe spanjisht-folës. I mahnitur nga letërsia, filloi të shkruante duke braktisur studimet.

Megjithë pasionin e madh për librat, Márquez ishte një nga ata që vuanin situatën e Kolumbisë që po kalonte një periudhë ku dhuna ishte gjithnjë e pranishme. Me 9 prill 1948, filloi e famshmja El Bogotazo, e njohur si treditëshi i dhunës në kryeqytet, që përfundoi me vdekjen e drejtuesit liberal Jorge Eliecer Gaitán. Gjatë atyre ditëve të përgjakshme disa njerëz hynë në apartamentin e tij dhe dogjën gjithçka. Márquez vendosi të shkonte në Kartagjenë ku gjeti punë si redaktor e më pas si reporter për gazetën “El Universal”.

Në vitin 1949 vendosi të rikthehej në Barrankija, ku filloi të punonte si gazetar dhe u bashkua me “El Gruppo de Barranquilla”, që përbehej nga të rinj që kishin pasion letërsinë. Një vit më pas publikoi në faqet e gazetës “El Espectador” të Santa Fésë një tregim me titull “La tercera resignación”. Në vitin 1952, mbaroi së shkruari romanin e tij të parë, “La hojarasca” (përkthyer shqip si Gjethurinat) dorëshkrimin e të cilit e dërgoi në Argjentinë. Pas tre javësh në përgjigjen që i erdhi shkruhej që mund të merrej me çdo gjë përveç se me letërsi.

Në vitin 1955 fitoi çmimin e parë në një konkurs, ku konkurroi me tregimin “Un día después del sábado” (Dita pas së shtunës). Falë dhuntive të tij narrative, García Márquez në një hark kohor mjaft të shkurtër u bë një nga emrat më të rëndësishëm të gazetarisë kolumbiane. Intervistat, artikujt dhe opinionet e tij ishin të mirëpritura në çdo redaksi. Te gjitha punimet e tij deri në 1956, u publikuan si një libër i vetëm me titull “Relato de un náufrago”, që trazoi skenën politike në vend pasi aty trajtoheshin trafiqet e drogës nëpërmjet detit. Qëndrimi i Markezit ndaj këtij fenomeni gjeti aprovimin e popullit, por provokoi keqas politikanët. Në nëntor të vitit 1956 drejtori i gazetës “El Espectador”, për të cilën punonte Markez, mori urdhër nga disa qeveritarë që të pushonte nga puna shkrimtarin. Nga miqësia e ngushtë dhe respekti i madh, drejtori vendosi ta dërgonte në Zvicër, ku do të punonte si reporter për gazetën e tij. Edhe pas falimentimit që ndodhi një vit me pas, Markez vendosi të qëndronte në Zvicër. Gjatë jetës në Evrope, ai vizitoi shumë qytete të famshme të kontinentit të vjetër së bashku me mikun Plinio Apuleyo Mendoza. Udhëtimi në fjalë shërbeu si frymëzim për të shkruar “90 días en la cortina de hierro”. Më 1958, pas një qëndrimi në Londër, García Márquez u kthye në Amerikë, për t’u vendosur më pas në Venezuelë.

Në Barrankija, u martua me Mercedes Barca, me të cilën pati dy fëmijë, Rodrigo (lindur në Bogotá në 1959) dhe Gonzalo (lindi në Meksiko në 1962). Më 1961 u transferua në New York ku filloi punën si korrespondent i Prensa Latina. Kërcënimet e vazhdueshme nga ana e CIA-s dhe kubanëve e shtynë të transferohej në Meksikë. Më 1967 realizoi kryeveprën e krijimtarisë se tij “Cien años de soledad“ (përkthyer shqip si Njëqind vjet vetmi), një libër që shënon kulmin e të ashtuquajturit realizëm magjik. Më 1974 dolën në treg “Ojos de perro azul” dhe “El otono del patriarca” (Vjeshta e patriarkut), dy veprat më komplekse të krijimtarisë së tij, një metaforë e gjerë mbi vetminë, mjerimin si pasojë e pasurimit.

Nga viti 1975, Márquez jetoi midis Meksikës dhe Kartagjenës, Havanës e Parisit. Më 1982, u vlerësua me çmimin Nobel për Letërsinë. Më 2002 publikoi vëllimin e parë të Vivir para contarla (Të jetosh për të treguar), ndërsa dy vjet më pas veprën e tij të fundit, të paktën deri tani Memorias de mis putas tristes(përkthyer në shqip nga Mira Meksi me titull Kujtim kurvash të trishta). Ndër veprat e tij me të mëdha përmenden Dashuri në kohërat e kolerësKronikë e një vdekjeje të paralajmëruar dhe “Njëqind vjet vetmi” e cila është përkthyer në shqip nga i madhi Robert Shvarc, Gjenerali në labirintin e tijErendira etj. Veprat e Markezit në shqip i kanë përkthyer Ramiz Kelmendi, Veton Surroi, Aurel Plasari, Mira Meksi e Robert Shvarc. /KultPlus.com

Ka ndërruar jetë poeti dhe publicisti Abdyl Kadolli

Në moshën 73-vjeçare ka ndërruar jetë poeti dhe publicisti, Abdyl Kadolli. Ai u lind më 10 nëntor 1946 në Bukosh të Therandës.

Kishte mbaruar studimet themelore dhe ato pasuniversitare për letërsi në Prishtinë. Ka shkruar poezi, humor dhe shkrime publicistike që nga koha kur kishte punuar në gazetën “Rilindja”. Për të gjallë kishte botuar vëllimin poetik “Këmisha e zjarrit” (“Rilindja”, Prishtinë, 1998) dhe veprën publicistike “Ora kombëtare” (“Ars”, Prishtinë, 2001). Nga viti 1993-1998 ka qenë sekretar i Forumit të Intelektualëve Shqiptarë të Kosovës. Për shkak të aktivitetit në këtë forum ai ua kidnapua dhe u torturua rëndë nga policia e fshehtë serbe. Viteve të fundit ka qenë i angazhuar në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK) si anëtar kryesie dhe kryeredaktor i revistës letrare “Metafora”.

Në kuadër të aktiviteteve në LSHK ka qenë edhe koordinator i festivalit poetik ndërkombëtar “Drini poetik”. Varrimi i të ndjerit bëhet të mërkurën (18.04.2019) në ora 15:00, në varrezat e Prishtinës në lagjen Arbëria. /KultPlus.com

Chrysta Bell ndalet në “Lumbardh” në turneun e saj për “Feels Like Love”

Përmes një njoftimit për media, “Lumbardhi” thotë se ka kënaqësinë të prezantojë paraqitjen e parë të këngëtares dhe kompozitores amerikane Chrysta Bell në Kosovë, në kuadër të turneut Feels Like Love 2019 dhe episodit të dytë të Lumbardhi n’Behar.

“Performuesja, këngëtarja dhe aktorja nga Austin i Texasit, Chrysta Bell, e njohur gjerësisht për punën e saj bashkëpunuese me regjisorin David Lynch, përfshin elemente dinamike teatrale dhe kalon disa stile muzikore në përvoja të paharrueshme të performancës. Duke bashkëpunuar me Lynch, Bell nuk ka prodhuar vetëm muzikë me regjisorin dhe producentin, por gjithashtu luajti edhe në ringjalljen e vitit 2017 të shfaqjes televizive ‘Twin Peaks’”, thuhet në njoftimin për media nga Lumbardhi në Prizren,

“Me lansimin e albumit të saj ‘Feels Like Love’ më 5 prill, tingulli i saj i ri gjen artisten në një territor më të errët, me ndikime të new wave, post-punk dhe disko”, thuhet më tej aty.

Lumbardhi, përmes njoftimit bën me dije se performancës së këngëve të albumit të fundit të Bell, do t’i paraprijë Blerta Kosova e cila do të hapë mbrëmjen me performancën e saj të veçantë eksperimentale elektronike me sensacionet intensive, ëndërruese dhe sentimentale akustike.

Biletat për koncertin mund të gjenden te Lumbardhi në Prizren, në Dit’ e Nat’ në Prishtinë dhe Radio Bar në Tiranë. / KultPlus.com

“T’i bësh mirë të keqit është të hedhësh ujë në det”

Disa thënie nga Servantesi

Miguel de Cervantes Saavedra autori i “Don Kishotit” është autor edhe i shumë veprave të tilla si “La Galatea”, “Rinconete dhe Cortadillo” si dhe “Exemplary Novels”. Pavarsisht kontributit të tij në letërsinë dhe kulturën spanjolle dhe atë botërore shumë pak njerëz dinë mbi këtë njeri jashtë punës së tij si autor.

Ishte pjesë e një familje me shumë anëtarë. Miguel De Cervantes lindi në  Alcalá de Henares dhe ishte fëmija i katërt nga 7 fëmjët e Rodrigo Cervantes që punonte si kirurg dhe i Leonor de Cortinas, e cila dinte të lexonte dhe të shkruante, një aftësi jo shumë e zakonshme për gratë e asaj epoke. Djali i madh, Andresi vdiq pak ditë pas lindjes. Në vitin 1544 lindi Andrea, vajza e madhe, më pas erdhi Luisa në 1546 që iu bashkua kishës katolike si murgeshë. Miguel de Cervantes, djali i madh i vëllezërve të mbijetuar lindi në 1547, tre vjet pas tij vëllai tjetër, Rodrigo. Më të vegjlit ndër fëmijët ishin Magdalena, e cila vdiq 5 vite më herët se Cervantes dhe më i vogli Juan që lindi në 1555, të cilit nuk i dihet data e vdekjes.

Në 29 shtator 1547 lindi Miguel de Cervantes Saavedra, autori i “Don Kishotit të Mançës”. Ja disa prej thënieve të tij:

“T’i bësh mirë të keqit është të hedhësh ujë në det”

 “Ai që nuk di të shijojë lumturinë kur vjen, nuk duhet të ankohet kur ikën”

“Asnjë shkencë, përsa i përket shkencës, nuk mashtron: mashtrimi është tek ai që nuk e njeh. 

“E vërteta dobëson dhe nuk djeg, gjithmonë qëndron mbi gënjeshtrën si vaji mbi ujë”

“Ai që lexon shumë dhe udhëton shumë, shikon shumë dhe di shumë”

“Bjeri shkurt arsyetimeve të tua sepse askush nuk gjen kënaqësi, nëse janë të gjata”

“Ha pak dhe darko më pak; shëndeti i të gjithë trupit farkëtohet në ofiçinën e stomakut”

“Gjithsecili është ashtu si Zoti e ka bërë dhe shumë herë, akoma më keq”

“Viti që është i bollshëm me poezi, zakonisht është nga uria”

“Ji i ngadaltë me gjuhën dhe i shpejtë me syrin”. / bota.al

‘Nëntori i ftohtë’ i Ismet Sijarines triumfon në “GoEeast Film Festival”

Cold November / Nëntor i ftohtë i regjisorit Ismet Sijarina triumfon ne GoEast Film Festival duke rrëmbyer Çmimin Mirënjohje Special të Jurisë, shkruan KultPlus.

“Të pranishë në këtë ceremoni, çmimin e kanë pranuar regjisori Ismet Sijarina dhe producenti Fatmir Spahiu”, shkruhet në njoftimin e QKK-së.

Filmi përcjellë Fadilin, i cili punon si arkivist në një ndërmarrje shtetërore, në Kosovën e fillim viteve ’90, dhe duhet të zgjedhë mes dy opsione të gabuara! Në këtë mënyrë ai, jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij, “gëlltit” turpin, ballafaqohet me imazhin e keq dhe duron presionin nga të gjitha palët.

Projekti filmik “Nëntor i Ftohtë” është produksion i shtëpive filmike Thumbs Up dhe Buka në bashkëprodhim me Albasky Film, AUDIOHAUS dhe Ikone dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.

Në rolet kryesor paraqiten aktorët; Kushtrim Hoxha, Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu Bufi, Emir Hadzihafizbegovic, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli, ndërsa Skenari i shkruar nga: Arian Krasniqie Ismet Sijarina. Drejtor Fotografie Sevdije Kastrati, Montazher Vladimir Pavlovski, Muzika Jericho, Producent Fatmir Spahiu, Arian Krasniqi, Paskal Semini, Valon Bajgora, Regjia Ismet Sijarina.

Sali Shoshi: Muzeu i Deportimit e ka vendin te Stacioni i Trenit në Prishtinë

Në shënimin e 20 vjetorit të dëbimit të dhunshëm të mbi 400 mijë qytetarëve shqiptar, autoritetet e Kosovës në bashkëpunim me ITKSH-në, kanë vendosur në Bllacë të Hanit të Elezit, trenin që në vitin 1999 transportonte shqiptarët e Kosovës për në Maqedoni.


Sali Shoshi, drejtor i degës në Kosovë të “CHwB”-së në një postim në Facebook ka thesksuar se Muzeu i Deprtimit e ka vendin te Stacioni i Trenit në Prishtinë, pasi që aty ka nisur udha e tmerrit.


“Muzeu i Deportimit e ka vendin të Stacioni i Trenit në Prishtinë. Prej aty janë nisur vagonët me të deportuar; aty është vendi ku niste udha e tmerrit; nga aty u nis Fehmi Agani i cili u ekzekutua në rrugë e sipër. Sot ka ende përplot dokumente, fotografi, dhe të gjallë që rrëfejnë tmerrin. Një intervenim modest në Stacionin e Trenit dhe një kurator me përvojë do të jetë e mjaftushem për ta bërë një Muze domethënës”, ka shkruar në postimin e tij Sali Shoshi./ KultPlus.com

Biblioteka publike e Gjakovës me program të veçantë për Ditën Botërore të Librit

Biblioteka publike “Ibrahim Rugova” në Gjakovë fton të gjithë adhuruesit e librit që të bëhen pjesë e programit të tyre me rastin e Ditës Botërore të Librit, shkruan KultPlus.

Më 23 prill bëhet  shënimi i Ditës Botërore të Librit, kështu Biblioteka publike e Gjakovës do të organizojë një program i cili quhet  “Dhuro dhe ti së paku një libër për bibliotekën, pasuro shpirtin e lexuesve”.

Programi do të fillojë në ora 12:00 ku do të dhurohen edhe  libra për bibliotekën, shpallja e lexuesve më të mirë gjatë vitit si dhe krijuesit me poezi, ese, rrëfime./ KultPlus.com

Dëmtohet varri i Shaban Polluzhës (VIDEO)

Varri i heroit kombëtar Shaban Polluzha është dëmtuar.

Kjo ndodhi si pasoj e punimeve që po bëhen në rrugën magjistrale Drenas-Skenderaj.

Mbikëqyrësit e punimeve nga ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, thanë se kjo ndodhi pa qëllim dhe se pas asfaltimit të rrugës, varri do të rregullohet, njofton Klan Kosova.

Përtej dashurisë

Poezi e shkruar nga Rumi

Në qoftë se nuk di të duash,
Mëso të duash,
Patjetër përpiqu të duash
Çdo gjë që të sheh syri,
Çdo gjë që percepton,
Çdo gjë që mund të imagjinosh
Duaje, duaje,
Të duash mëso
Edhe çdo gjë që dëgjon,
Çdo gjë që ndodhet në këtë univers…
Asgjë të shëmtuar s’ka në këtë botë,
Asgjë, pale sa e rëndomtë të të duket,
Një insekt sa i vogël po as ai
i shëmtuar nuk është,
Një fije bar merre në dorë
Sa e brishtë a nuk e sheh?
Duaj lulet, gurët, retë,
Çdo gjë me formën, ngjyrën, kuptimin e saj,
Duaje, duaje,
Mëso të duash,
Përpiqu të duash,
Bota për dashurinë tënde është krijuar,
Më parë mëso dashurinë,
Shiko një vogëlush,
Sa i mrekullueshëm,
Mendo dhe ata që e sollën atë në jetë,
Sepse kjo botë është krijuar për dashuri,
Duaji njerëzit,
Ata për të mos qenë vetëm
Pranë teje të jenë
Për këtë, vërtetë për këtë,
Janë krijuar,
I gjithë universi
Me zinxhirë të dashurisë është lidhur,
Prandaj edhe ti,
Të japësh dashuri mëso!
Sepse dije, në shpirtin tënd,
Për të gjitha këto paska vend,
Mos harro,
Bota vetë trembet nga njerëzit
Pa dashuri,
Dhe nga frika,
Prej tyre largohet,
Apo më e keqja, ju bëhet armike,
Prej vetes i largon,
Duaje edhe vdekjen,
Mëso ta duash që të dish se ka një Përjetësi…
Dhe nëse të duash mësove,
Edhe të tjerëve duhet t’ua mësosh,
Që me sekretin e mrekullueshëm të kësaj bote,
Njerëzimit t’i shërbesh…

Viktor Hygo: Katedralen e Shën Mërisë (Nostra Dame) nuk do ta shkatërrojë koha, por njerëzit…

Katedralja e Shën Mërisë së Parisit është padyshim edhe sot e kësaj dite, një ndërtesë madhështore. Por, sado e bukur që ka mbetur katedralja duke u plakur, njeriu nuk mund të mos pikëllohet dhe të mos pezmatohet kur sheh gjymtimet dhe dëmtimet e panumërta që i kanë bërë koha dhe njerëzit kësaj përmendoreje të nderuar të lashtësisë, pa e përfillur fare Karlin e Madh, që i ka pas vënë gurin e parë, dhe Filip Augustin, që i ka pas vënë gurin e fundit.

Në fytyrën e kësaj mbretëreshe të vjetër të katedraleve tona gjendet përherë, përbri çdo rrudhe, edhe një shenjë plage. Tempus edax, homo edacio, gjë që unë do ta përktheja me shumë dëshirë kështu: “Koha është e verbër, njeriu është kokëtrashë”.

Sikur të kishim nge të shqyrtonim bashkë me lexuesin një nga një të gjitha ato gjurmë shkatërrimi që i janë lënë kësaj faltoreje të vjetër, do të vinim re se pjesa që i takon këtu kohës është fare e vogël dhe se dëmin më të madh e kanë sjellë njerëzit, sidomos njerëzit e artit. E quaj për detyrë të përmend “njerëzit e artit”, sepse gjatë këtyre dy shekujve ka pasur plot njerëz që kanë marrë titullin e arkitektit.

Para së gjithash, për t’u kufizuar vetëm me disa shembulla nga më të rëndësishmet, duhet thënë se do të ishte e vështirë të gjendej në historinë e arkitekturës një faqe më e bukur se ajo e fasadës së kësaj katedraleje, ku na dalin përpara syve njëri pas tjetrit dhe në tërësi tri portale me qemer gotik; përmbi to një kornizë e dhëmbëzuar, që duket sikur është qëndisur me njëzet e tetë kamare mbretërore, një dritare –rozetë qendrore shumë e madhe me dy dritare të vendosura anëve, si ai prifti që qëndron midis dhiakut dhe ndihmësdhiakut: arkada e lartë dhe elegante e galerisë me skalitje në formë tërfili, që mban mbi shtyllat e saja të holla një platformë të rëndë, dhe, së fundi, dy kulla kambanaresh të mëdha e të zeza me strehë prej plloçash të murrme.

Të gjitha këto pjesë harmonike të një tërësie madhështore, të ngritura njëra mbi tjetrën në pesë kate vigane, shtjellojnë para syve tanë me një larmi të pafund detalet e tyre të panumërta të skalitura dhe të gdhendura, që shtrihen mbi hijeshinë e qetë të së tërës. Ko është, si të thuash, një simfoni e madhe prej guri; vepër kolosale e një njeriu dhe e një populli; një tërësi e vetme dhe njëkohësisht e ndërlikuar, siç janë “Iliada” dhe “Romanserua” ), me të cilat ajo është motër; krijim i mrekullueshëm, ku janë shkrirë të gjitha forcat e një epoke, ku në çdo gur spikat në njëqind mënyra fantazia e punëtorit, e drejtuar nga gjenia e artistit; me pak fjalë, një krijesë e duarve të njeriut, e fuqishme dhe e pasur.

Ajo që po themi këtu për fasadën duhet thënë për gjithë katedralen në përgjithësi; dhe ajo që themi për Katedralen e Parisit duhet thënë edhe për të gjitha kishat kristiane të mesjetës. Çdo gjë ka vendin e saj, logjikën e saj dhe përpjesëtimet e saja në këtë lloj arti që ka lindur vetvetiu. Të matësh një gisht të këmbës së një vigani, do të thotë të matësh tërë viganin.

Por le të kthehemi te fasada e katedrales, ashtu siç na paraqitet ajo edhe sot, kur shkojmë e soditim me nderim të thellë këtë katedrale hijerëndë dhe të fuqishme, e cila, sipas kronistëve të saj, të kall tmerrin: quae mole sua terrorem incutit spectantibus ).

Sot kësaj fasade i mungojnë tri pjesë kryesore: së pari, të njëmbëdhjetë shkallinat, që e ngrinin atë mbi nivelin e tokës; pastaj rreshti i poshtëm i statujave, që zinin kamaret e të tri portaleve, dhe, së fundi, rreshti i sipërm i statujave, që zbukuronin dikur galerinë e katit të parë dhe që paraqitnin njëzet e tetë mbretërit e lashtë të Francës, që nga Kildeberti e deri te Filip Augusti, i cili mbante në dorë simbolin e pushtetit mbretëror.

Koha, duke e lartuar pak nga pak dhe në mënyrë të pandalshme nivelin e truallit të Qytetit të Vjetër, bëri të zhdukeshin shkallët. Por megjithëqë zgjerimi përherë më i madh i kalldrëmit të Parisit pruri zhdukjen njëra pas tjetrës të atyre njëmbëdhjetë shkallinave, që e bënin edhe më madhështore lashtësinë e kësaj ndërtese, prapëseprapë, koha i ka dhënë, ndoshta, kishës më shumë nga sa i ka marrë: ajo i ka dhënë fasadës së saj atë kolorit të errët të shekujve, që e bën pleqërinë e këtyre përmendoreve epokën e lulëzimit më të madh të bukurisë së tyre.

Po kush i ka rrëzuar të dy rreshtat e statujave? Kush i ka lënë kamaret të zbrazëta? Kush e ka bërë mu në mes të portalit qendror atë qemer të ri dhe bastard? Kush ka guxuar të vendosë atje atë derë të skalitur, të rëndë dhe të shpëlarë të stilit të Luigjit XV përbri arabeskave të Biskornetit? Njerëzit, arkitektët, artistët e kohës sonë.

Dhe brenda në ndërtesë, kush e ka përmbysur atë shtatoren vigane të shën Kristoforit, që ka qenë po aq e famshme ndërmjet shtatoreve, sa ç’është salla e madhe e Pallatit të Drejtësisë ndërmjet sallave të tjera dhe shtiza e katedrales së Strasburgut ndërmjet kambanareve? Dhe, kush i ka hequr nga faltorja me aq vrazhdësi ato mijëra statuja, që mbushnin gjithë hapësirën ndërmjet kolonave të navatës dhe të korit, statuja në gjunjë, statuja në këmbë, statuja mbi kuaj, statuja burrash, grash, fëmijësh, mbretërish, peshkopësh, luftëtarësh, statuja prej guri, prej mermeri, prej ari, prej argjendi, prej bakri, madje, edhe prej dylli? Sigurisht jo koha.

Dhe kush ka vënë në vend të altarit të vjetër gotik, të mbuluar plot madhështi me sarkofagë dhe relikuarë, atë qivur të rëndë prej guri, të zbukuruar me re dhe me koka engjëjsh, i cili i ngjan një modeli arkitektural të kishës Val-dë-Gras ose të Shtëpisë së Invalidëve? Kush e ka ngulur pa pikë shije këtë anakronizëm të rëndë prej guri në pllakat e dyshemesë karolingase, vepër e Erkandit? Mos vallë Luigji XIV, për t’i plotësuar dëshirën Luigjit të XIII?

Dhe kush ka vënë xhama të bardhë, të ftohtë në vend të atyre vitrinave me ngjyra të ndezët, që mahnitnin sytë e stërgjyshërve tanë, tek shihnin herë rozetën e portalit kryesor, herë dritaret me qemerë të altarit? Dhe ç’do të thoshte ndonjë dhjak i shekullit XVI, po të shihte atë suva të verdhë, me të cilën kryepeshkopët tanë vandalë e kanë llaçkavitur katedralen? Atij do t’i kujtohej se pikërisht me bojë të verdhë i shënonte xhelati shtëpitë e njerëzve të dënuar nga ligji; do t’i kujtohej pallati Pti-Burbon ), që u lye edhe ai fund e krye me bojë të verdhë për shkak të tradhtisë së konestablit, bojë, që sipas Sovalit, ishte “aq e fortë dhe e qëndrueshme, saqë edhe pas njëqind vjetësh e ka ruajtur freskinë e vet”. Dhiaku do të pandehte se ky vend i shenjtë është përdhosur dhe do të ikte i tmerruar.

Dhe, po të ngjitemi në majë të katedrales, pa u ndalur në njëmijë shfaqje të vogla barbarizmi, do të pyesim veten: ç’u bë ajo kambanare e vogël, e bukur, që mbështetej në pikën e kryqëzimit të kubesë dhe që ishte po aq delikate dhe po aq e hedhur sa fqinja e saj, shtiza e kishës Sen Shapel (që është prishur edhe ajo)? E hijshme, majëmprehtë, kumbuese, e tejdukshme, ajo ngrihej në qiell më lart se kullat! Një arkitekt me shije të hollë në vitin 1787 e gjymtoi atë dhe, për të fshehur plagën pandehu se mjaftonte të vihej mbi të ca plastër plumbi, që i ngjet një kapaku kusie.

Në këtë mënyrë janë trajtuar veprat e mrekullueshme të artit mesjetar pothuaj kudo e sidomos në Francë. Mbi gërmadhat e tija mund të shquash tri lloj dëmtimesh pak a shumë të thella: së pari, bien në sy ato që ka shkaktuar koha, e cila ka prishur aty-këtu në mënyrë të pandijshme dhe ka mbuluar me ndryshk sipërfaqen e ndërtesave; pastaj mbi to kanë shpërthyer turbullirat politike dhe fetare, të cilat e kanë shqyer veshjen e pasur skulpturore dhe skalitjet e katedraleve, kanë thyer rozetat, kanë këputur gjerdanët e përbërë prej arabeskash dhe statuetash, kanë shembur shtatoret, qoftë sepse këto kishin nga një tiarë, qoftë sepse mbanin në kokë nga një kurorë; së fundi, veprën shkatërrimtare e plotësuan modat përherë e më groteske dhe më bajate, që zëvendësuan njëra-tjetrën, me rënien e pashmangshme të arkitekturës, pas atyre ravgimeve anarkike, por madhështore, që karakterizojnë epokën e Rilindjes.

Modat kanë sjellë më shumë dëm se revolucionet. Ato kanë prekur palcën e artit mesjetar, kanë cenuar vetë bazën e tij, i kanë cunguar, i kanë shtrembëruar, i kanë prishur ndërtesës formën dhe simbolin e saj, kuptimin dhe bukurinë e saj. Nga ana tjetër, modat kanë guxuar ta ndryshojnë atë fund e krye, gjë që nuk kanë synuar ta bëjnë as koha, as revolucionet. Duke e hequr veten të pagabueshme në lëmin e “shijës së mirë”, ato, pa pikë turpi, kanë vënë përsipër plagëve të arkitekturës gotike stringlat e tyre të mjera e jetëshkrurtëra: shirita mermeri, pompone ) metali, medalione, një mori ornamentesh vezake, volutash, kurorash, thekash, flakash prej guri, shtëllungash prej bronxi, amuresh ) topolakë dhe kerubinësh faqekuqë, të cilët, si ajo sëmundja e gërbulës, zënë ta gllabërojnë fytyrën e artit qysh në lutësoren e Katerina dë Mediçit ) dhe që, dy shekuj më vonë, e bëjnë këtë art të sfilitur dhe artificial të shuhet fare në buduarin e zonjës Dybarri ).

Atë art të mrekullueshëm që kishin krijuar vandalët, e vranë akademikët.

Një mizëri arkitektësh të shkolluar dhe të diplomuar, që kanë prishur me vetëdije dhe frymën e një shije të keqe, i zëvendësuan tantellat gotike me fletët e çikores të kohës së Luigjit XV, për lavdinë më të madhe të Partenonit. Kështu dhe gomari i bie me shqelm luanit që vdes. Kështu dhe lisin që fillon e thahet e brejnë, e shpojnë, e copëtojnë vemjet.

Katedralja e Shën Mërisë së Parisit, nga ana tjetër nuk mund të quhet një monument i përkryer, i plotë, i përcaktuar. Ajo nuk është një kishë e stilit romanik, por nuk është as edhe një kishë e thjeshtë gotike. Është një lloj ndërtese e ndërmjetshme.

Ajo është ndërtesë e një periudhe kalimtare. Arkitekti sakson sapo kishte ngritur shtyllat e para të navatës, kur kubeja me qemer gotik, e sjellë në Evropë nga kryqtarët, erdhi dhe u vendos triumfalisht mbi ato kapele të gjera romanike, që duhej të mbanin vetëm një kube në formë gjysmërrethi. Duke u bërë qysh atëherë sundimtare e plotfuqishme, kubeja me qemer ka përcaktuar format e gjithë katedrales në tërësi. E papërvojë dhe e druajtur në fillim, kjo kube zgjerohet, zmadhohet, por prapë e përmban vetveten, nuk guxon të lëshohet drejt qiellit me majat e shtizave dhe të harqeve të saja të larta, siç bëri më vonë në shumë katedrale të mrekullueshme. Njeriu ka përshtypjen se asaj i rëndohet fqinjësia me shtyllat e rënda romanike.

Por studimi i këtyre ndërtesave të periudhës kalimtare nga stil romanik në stilin gotik ka po aq rëndësi sa dhe studimi i modeleve të stilit të thjeshtë. Ato shprehin një nuancë të artit, dhe pa to artin do ta kish marrë lumi. Në to kubeja me qemerë është shartuar me kubenë që ka formën e një gjysmërrethi.

Katedralja e Shën Mërisë është një vepër interesante e këtij tipi. Çdo faqe, çdo gur i kësaj përmendoreje të nderuar është jo vetëm një faqe e historisë së Francës, por edhe e historisë së shkencës dhe të artit.

Këto ndërtesa të stilit të përzier paraqesin një interes të madh si për artistin, ashtu edhe për amatorin e antikave dhe për historianin.

Njëlloj si gjurmët e mureve qiklopike, si piramidat e Egjyptit dhe pagodat vigane të indianëve, ato të bëjnë të kuptosh sa i vjetër, sa primitive është arti i arkitekturës dhe tregojnë qartë se përmendoret më të mëdha të së kaluarës janë jo aq krijime të një njeriu të vetëm, sesa vepra të një shoqërie të tërë; janë më tepër pjellë e përpjekjeve krijuese të një populli, sesa pjellë e mendjes së një njeriu gjenial; janë lymi që lë prapa një komb; shtresa që formojnë shekujt; mbeturina e avullimeve të njëpasnjëshme të shoqërisë njerëzore; me një fjalë, janë një lloj formacioni gjeologjik. Çdo valë e kohës lë mbi përmendoren lymin e vet, çdo brezni lë aty shtresën e vet, çdo individ lë gurin e vet. Kështu bëjnë kastorët, kështu bëjnë bletët, kështu bëjnë edhe njerëzit. Simboli më i madh i arkitekturës, kulla e Babilonisë, ka qenë një zgjua bletësh, shkruan bota.al

Ndërtesat e mëdha, ashtu si malet e mëdha, janë një krijim i shekujve. Shpesh, forma e artit ndryshon, kurse ato ende nuk janë përfunduar, pendent opera Interrupta ); atëherë ato marrin qetë-qetë drejtimin që zgjedh arti. Arti i ri e merr përmendoren në atë formë në të cilën e gjen, trupëzohet në të, e përpunon atë, e zhvillon sipas fantazisë së vet dhe, kur mundet, e përfundon atë. Kjo punë bëhet pa mundime, pa trazime, pa kundërveprime, në bazë të një ligji natyror, të qetë e të paanshëm: kjo është një shartesë që formohet, është një lëng i ri druri që qarkullon, është një bimësi që lind rishtaz. Sigurisht, në këto shkrirje të njëpasnjëshme të arteve të ndryshme në lartësitë e ndryshme të së njëjtës ndërtesë ka lëndë të mjaftë për të shkruar vëllime të tëra, sidomos lidhur me historinë e përgjithshme të njerëzimit. Artisti, njeriu, individi zhduken në këto masive të mëdha, pa lënë pas as emrin e krijuesit; mendja e njeriut gjen në to shprehjen dhe rezultatin e vet të përgjithshëm. Koha është arkitekti, kurse populli është muratori.

* Kjo pjesë është marrë nga romani i Viktor Hygo: “Katedralja e Parisit”, SHB “Naim Frashëri”, Tiranë, 1976, përkthyer nga Bujar Doko, Kreu XIV, f. 141-148

Vasfije Krasniqi para Kongresit Amerikan do të rrëfejë dhunimin nga forcat serbe

Viktima e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi – Goodman, ka themeluar organizatën “Drejtësi për të gjithë”. Përmes kësaj organizate, Krasniqi, thotë se do të mbështesë gratë që u dhunuan gjatë luftës.

Në emisionin Frontal, Vasfije Krasniqi ka treguar se pas gjashtë ditësh do të rikthehet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të rrëfyer në Kongresin Amerikan përjetimin e saj gjatë luftës.

Ajo thotë se gratë e dhunuara në luftë, janë “ndëshkuar” edhe nga familjet e tyre, ani pse kanë qenë viktima.

Krasniqi – Goodman jeton në SHBA me bashkëshortin dhe fëmijët e saj, ndërsa për momentin ajo gjendet në Prishtinë me aktivitetet rreth organizatës.

Krimet e dhunës seksuale në Kosovë nuk janë përfshirë në Raportin e OKB-së

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), pas shqyrtimit të raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi Dhunën Seksuale në Konflikte, ka shprehur shqetësimin saj më të thellë për lënien e Kosovës jashtë këtij raporti.

QKRMT pati reaguar edhe vitin e kaluar, më 12 Prill 2018, pas publikimit të Raportit S/2018/250 të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Krimet e Dhunës Seksuale në Konflikte.

QKRMT, si një organizatë jo-qeveritare e cila punon që dy dekada me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës për të lehtësuar traumën e tyre dhe për të avokuar për të drejtat e tyre, shprehë shqetësimin e saj më të thellë për lënien jashtë raportit të situatës së Kosovës sa i përket krimeve të dhunës seksuale.

Duke marrë parasysh progresin e kohëve te fundit të institucioneve shtetërore të Kosovës në verifikimin dhe dokumentimin e të mbijetuarve të dhunimit, QKRMT beson fuqishëm se përfaqësimi i të dhënave në këtë raport sa i përket krimeve të dhunës seksuale në Kosovë, do të kontribuonte në një kuptim më të gjerë të situatës së të mbijetuarve në rajon.

Një ndikim të vecantë do të kishte në luftimin e paragjykimeve dhe stigmatizimit që rrethon këtë kategori shoqërore.

QKRMT ka qenë e ftuar nga Përfaqësuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara për Dhunën Seksuale në Konflikte bashkë me Fondacionin Denis Mukwege dhe Iniciativën e Nadias në takimin konsultativ organizuar nga Programi për të Drejtat e Njeriut në Roosevelt House, Hunter College (New York, janar 2019).

Në këtë takim Feride Rushiti (Drejtoreshë Ekzekutive e QKRMT) është ftuar që të ofrojë ekspertizën dhe përvojën e saj 20 vjeçare mbi reparacionet në raport me viktimat – të mbijetuar të dhunës seksuale nga koha e luftës.

Gjithashtu, QKRMT në janar të vitit 2019, me kërkesë të Raportuesit Special për promovimin e të vërtetës, drejtësisë, reparacionit dhe garancitë e mos përsëritjes ka dhënë kontributet e saja në pyetësorin mbi programet nacionale te reparacionit. 

Shqipëria turistike prezantohet në Slloveni

Në mjediset e Agjencisë KOMPAS, Lubjanë, u prezantua turizmi i Shqipërisë.

Veprimtaria u organizua nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në bashkëpunim me Agjencinë KOMPAS, në kuadër të vizitës së Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në Slloveni.

Klosi prezantoi për të pranishmit treguesit dhe shtyllat kryesore të zhvillimit të turizmit të Shqipërisë.

Ai u ndal në shtrirjen gjithëvjetore të turizmit, duke përfshirë atë bregdetar, malor, kulturor e historik, kryeqytetin, etj. Njëherazi, ai drejtoi ftesë për investime në fushën e turizmit në Shqipëri, si dhe për ture rajonale të turizmit, ku Shqipëria po bëhet destinacion gjithnjë e më tërheqës.

Të pranishmit patën mundësinë të njiheshin me materialet e shumta promovuese të prezantuara, për turizmin, kulturën, historinë, prodhimet e ndryshme shqiptare, etj. Videot e shfaqura sollën më afër të pranishmit me turizmin shqiptar.

Ngjarja ishte një rast shumë i mirë për bashkëbisedime, shkëmbim mendimesh, vendosje pikash kontakti dhe fillim bashkëpunimesh të reja dypalëshe Shqipëri-Slloveni në fushën e turizmit dhe jo vetëm. Kjo veprimtari, përfaqëson një nga kryesoret, të parashikuara nga Ambasada e Shqipërisë gjatë vitit 2019 në fushën e promovimit të imazhit të Shqipërisë dhe në kuadrin e diplomacisë ekonomike dhe publike.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Ministrisë të Zhvillimit Ekonomik e të Teknologjisë e të Ministrisë të Punëve të Jashtme të Sllovenisë, agjenci e operatorë të turizmit, gazetarë të turizmit, njerëz të biznesit, ambasadorë dhe diplomatë të përfaqësive diplomatike në Slloveni, etj.

Të pranishmit i përshëndetën Lovorko Mamić, president i Bordit të Menaxhimit të KOMPAS, Pëllumb Qazimi, ambasador i Shqipërisë dhe Eva Štravs Podlogar, sekretare shteti në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik e të Teknologjisë të Sllovenisë.  /atsh

Ditë me shi

Poezi nga Henry Longfellou

Dita është e ftohtë, e errët, e trishtuar,
Bie shi dhe era nuk është kurrë e qetë,
Hardhia kapet pas murit të shkretuar,
Në çdo shkulm ere, gjethet bien lehtë.

Mos u qaj më, zemër e trishtuar, e mjerë,
Pas reve dielli vazhdon të shkëlqejë.
Fati yt është fati i të gjithëve,
Në çdo jetë pak shi do të bjerë.

Nga makiatot e deri te DokuFest-i, Kosova destinacioni i radhës evropian sipas “Breathe in Travel”

Blogu për destinacionet e ndryshme të vendeve të Evropës “Breathe in Travel” kësaj radhe ka shkruar për Kosovën, duke e renditur si destinacionin e radhës që duhet vizituar.

Më poshtë do të gjeni përshkrimin që ka bërë “Breath in Travel” për Kosovën.

‘E vendosur në zemër të Gadishullit Ballkanik, ky vend i mbyllur në det është një nga bizhuteritë e fshehura të rajonit. Nëse në vitet e fundit, imazhi i Kosovës lidhet drejtpërdrejt me luftën e fundit dhe shkatërrimin e saj, po ndryshon. Vizitorët kanë shumë për të zbuluar: peizazhe të ndryshme që kombinojnë kodra kodrinore, pyje të harlisura, livadhe dhe maja të mbuluara me borë, e bëjnë një vend të jashtëzakonshëm aventurash. Shtuar në këtë është bukuri e qyteteve të saj të vjetër dhe mikpritjen e pashembullt të banorëve të saj!

Për banorët e saj

Mirësjellja e popullatës lokale është në vetvete një arsye e mirë për të shkuar në Kosovë. Ky vend është shtëpia e një prej njerëzve më miqësorë dhe mikpritës në Evropë. Përpjekja për të ndihmuar vizitorët, është shumë e hapur, kosovarët janë gjithmonë të prirur për të shkëmbyer në vendin e tyre të bukur me turistët.

Për Prishtinën, një kryeqytet i gjallë

Kafe në rritje

Qyteti është plot, në çdo cep, tarraca dhe kafene. Hobi i preferuar i popullit të Prishtinës është të pijë kafe me miqtë. Qoftë për një takim apo për një takim biznesi, shpesh kafe është vendi i zgjedhur. Kosovarët janë konsumatorë të mëdhenj të kafesë dhe çdo bar ka një makinë ekspres për të shërbyer me makiato të shijshme dhe specialitete të tjera italiane.

Jeta e natës

Ngutja dhe ngutja e qytetarëve  ndalon vetëm disa orë në fund të ditës dhe të rifillojë mbrëmjen në shumë bare dhe klube të Prishtinës. Popullsia e Kosovës, kryesisht e re, i jep qytetit një dinamizëm të veçantë. Entuziazëm, të rinjtë ecin në rrugë javë dhe fundjavë, duke krijuar një atmosferë të lumtur dhe energjike.

Për peizazhet e saj natyrore

Megjithëse është e vogël, Kosova është shtëpia e disa prej peizazheve natyrore më spektakolare në Ballkan. Shumica e tyre janë të vendosura në pjesën perëndimore të vendit, pranë kufirit malazez, dhe veçanërisht në Luginën e Rugovës, një rajon i jashtëzakonshëm natyror me pyje madhështore, maja të larta dhe pikëpamje të lë pa frymë.

Për qytetet e saj historike

Kosova nuk është vetëm për Prishtinën. Vendi është shtëpi për dy nga qytetet më piktoreske të gadishullit: Prizrenit  dhe Gjakovës. Ndërsa Prizreni është i famshëm për ndërtesat e epokës osmane dhe xhamitë e lashta, të tilla si xhamia spektakolare e Sinan Pasha. Gjakova është shtëpia e pazarit më e madhe e  vendit, e njohur për kafenetë e saj dhe dyqanet artizanale.

Për gastronominë e saj

Serbët dhe shqiptarët ndajnë pasionin e rakisë, një raki të fortë të bërë nga kumbulla, dardha, rrushi, ftua madje edhe mjaltë. Kuzhina lokale gjithashtu bashkon komunitetet, me përgatitjen e pjatave të frymëzimit osman, por me prekjen lokale. Recetat e vendit shpesh bëhen duke përdorur produkte vendore. Ndërsa goranët dhe boshnjakët janë më të njohur për burekun e tyre, këto “pasta të shijshme” të shijshme përgatiten në çdo qytet të Kosovës. Në qytetin e ndarë të Mitrovicës, sallamët e shijshëm, të quajtur qebapa në gjuhën shqipe ose ćevapčićien në gjuhën serbe, vlerësohen nga të gjithë banorët. Një shumëllojshmëri e gjerë e Quiches ose Pites janë përgatitur në rajon, duke përfshirë spinaq, djathë, mish teren, dhe patate. Ka një numër të varieteteve të tavave. Shumica e këtyre pjatave tradicionale gjenden në të gjithë Kosovën, me disa variatete. Disa produkte janë më specifike, si djathi i shijshëm nga Malet e Sharrit.

Për ngjarjet e tij

Dokufest Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar Dokufest ka fituar vlerësimin ndërkombëtar të Prizrenit. Dokufest është një ngjarje e pa të metë për prodhuesit e filmave në mbarë botën dhe tërheq mijëra vizitorë çdo verë. Filmat janë shfaqur në lumin Lumbardhi dhe festimet vazhdojnë në mbrëmje në Parkun Maras’, ka shkruar “Breath in Travel”.

Burimi: Insajderi.com

Në cilin film u parashikua fundi i Katedrales Notre Dame

Katedralja e famshme e Notre Dame në Francë është përshirë nga flakët të hënën, dhe si pasojë një pjesë e saj është shkatërruar.

Kjo ngjarje ka shokuar të gjithë botën, pasi bëhej fjalë për një objekt fetar që i kishte mbijetuar kohës për 850 vjet dhe që ishte një nga simbolet e Parisit.

Por a u parashikua në vitin 2004, se një tragjedi e tillë do të ndodhte me Katedralen e Notre Dame?

Për këtë ka pasur reagime të shumta në rrjetet sociale.

Në njërën prej skenave të  filmit ‘Before the Sunset’, teksa një qift bisedojnë me pamje nga katedralja, në bisedë e sipër thuhet “ Por t’i duhet të mendosh që Notre Dame do të ik një ditë’, shkruan neës.18, transmeton Gazeta Express.

Kjo bisedë zhvillohet mes Jesse dhe Celine, të cilët janë bashkuar pas 9 vjetësh.

Ky film është prodhim i regjistorit Richard Linkalter dhe bën pjesë në kategoritë e filmave  romancë dhe dramë.