Librat shkollorë me tekste se kë e do më shumë djali, nënën apo nusen!

Sado që fëmija asnjëherë në shtëpi nuk dëgjon biseda të tipit: “Nusja, vjehrra, burri, gruaja, nëna, etj” dhe as që e ka idenë se jashtë andej ka zënka të tilla, del libri shkollor që ia ngulitë në kokë këto lloj gjëra.

Si prindër dhe si gjyshër, mundohesh gjithmonë me pas parasysh se këto gjëra nuk duhet të diskutohen në prani të fëmijës dhe ato as nuk i diskuton.

Me mund të treanshëm arrin me normalizu dhe ëmbëlsu pasqyrimin e raportit që duhet të ketë në mes djalit dhe nenës (babait dhe gjyshes) dhe nuses e vjehrrës, duke pas parasysh se nëna gjithmonë duhet të mbetet nënë dhe gruaja grua.

Dashuria e djalit (babait) për nënën as që guxon të vihet në mëdyshje në raport me nusen apo anasjelltas.

Dashuria dhe ngjyra e dashurisë për nënën është ndryshe nga dashuria për gruan.
Këto të dyja as që janë të së njejtës kategori që të bëhet krahasimi.

Nuk po di a e kam keq unë e nuk e kam kuptu mirë, apo vërtetë nuk është në rregull të vie në shprehje një krahasim i tillë e aq me pak t’ju futet në kokë fëmijëve të klasës së III’të. / KultPlus.com

Nga Fitesa Asllani Ibrahimi

“Suksesi është të mund të shkosh të shtrihesh çdo natë, me shpirtin në paqe”

10 thënie nga Paulo Coelho.

  1. “Dhe kur dëshiron diçka, gjithë universi bashkëpunon për të ndihmuar që ta arrish atë gjë”.
  2. “Një ditë do të zgjohesh dhe nuk do të kesh më kohë për të bërë gjërat që përherë ke dashur të bësh. Bëji ato tani”.
  3. “Ji guximtar. Ndërmerr rreziqe. Asgjë nuk mund ta zëvendësojë eksperiencën”.
  4. “Nëse do të jesh i suksesshëm, duhet të respektosh një rregull. Mos e gënje asnjëherë veten tënde”.
  5. “Procesi i të zbuluarit se kush jemi, do të na nxisë ta pranojmë se ne mund të shkojmë përtej asaj që mendojmë se mund të shkojmë”.
  6. “Sekreti i jetës është të rrëzohemi shtatë herë dhe të ngrihemi tetë herë”.
  7. “Mos e shpenzo kohën tënde me shpjegime. Njerëzit do të dëgjojnë vetëm ato që duan të dëgjojnë”.
  8. “Në një moment të caktuar të jetës sonë, ne e humbasim kontrollin mbi ato që po na ndodhin dhe jetët tona fillojnë të kontrollohen nga fati. Kjo është gënjeshtra më e madhe në botë”.
  9. “Ka vetëm një gjë që e bën një ëndërr të pamundur për t’u arritur: frika ndaj dështimit”.
  10. “Ti nuk je i humbur, kur dështon. Ti je i humbur, kur heq dorë”. / KultPlus.com

Kepi i Rodonit, oazi i natyrës, detit dhe historisë

Shumë pranë Tiranës ndodhet Kepi i Rodonit, vendi ku çdo vizitorë gjen të ndërthurur më së miri historinë me natyrën dhe detin. Në pjesën verilindore të Kepit ndodhet një ndër objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, Kalaja e Skënderbeut, e cila nisi të ndërtohej mbas rrethimit të parë të Krujës në vitin 1451, e më tej mendohet të jetë përfunduar rreth vitit 1452.

Ajo çka ruhet nga ky monument kulture i kategorisë së I është kryekulla dhe disa mure mbrojtëse. Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës kanë bërë të mundur edhe hartimin e projektit të restaurimit të monumentit.

Kepi i Rodonit ka formën e një trekëndëshi midis gjirit të Rodonit e atij të Lalzit, formon një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik.

Një perlë e natyrës, ku bluja dhe jeshilja shkrihen në një në thellësinë e Adriatikut, një bukuri ende e virgjër, që së fundmi po eksplorohet nga turistët. Vizitorët në këtë vend mund të shijojnë ujin e kristaltë në qetësinë që panorama ofron, larg zhurmave të plazheve masive.

Në pjesën verilindore të Kepit shtrihet Kalaja e Rodonit, që daton që në shekullin XIV, një fortifikim i cili përbëhej nga një mur mbrojtës me gjatësi 100 m, e që shtrihej nga një breg i kepit në bregun tjetër. /a.a/ KultPlus.com

Historia e Krujës e sjellë magjishëm nga 10 blogerë italianë

-Ja pse duhet vizituar qyteti i Skënderbeut:

Kruja është destinacioni kryesor i turizmit kulturor në Shqipëri. Shprehja “Nëse nuk ke vizituar Krujën, nuk ke njohur Shqipërinë” zë vend shumë mirë. E këtë herë, madhështia e historisë 2500 vjeçare e qytetit ka tërhequr vëmendjen e 10 blogerëve italianë.

Në synimin për të promovuar Shqipërinë, “Travel Blog Tour Albania 2019”, nisi rrugëtimin më 15 Prill, duke “ecur” mbi bukuritë e një vendi gjeografikisht shumë pranë Italisë.

E konsideruar si rajoni i 22 i vendit fqinj, italianët po shohin gjithë kureshtje Shqipërinë teksa po rritet edhe në ofertën turistike.

“Nevoja për të promovuar këtë vend të magjishëm është e madhe dhe e menjëhershme” thekson një nga blogerët, i cili shton se “bashkë me familjen dhe miqtë e mi do kthehem sërish këtë verë”.

Në Krujë, panë dhe prekën traditën artizanale mesjetare që ruhet ende në duart dhe mendjen e artizanëve të Krujës.

Në kalldrëmin 500 vjeçar, blogerët u ndalën gjatë, duke fotografuar dhe filmuar çdo pjesë të kësaj pasurie etnografike, ku takuan dhe Ndriçimin, artizanin e kohëve moderne, që ruan dhe trashëgon traditën e punimit të qelesheve.

Kalaja e Krujës, së bashku me dy muzetë e saj, befasojnë blogerët falë historisë së heroit kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu” ose “Atletin e Krishtit”, teksa kuptojnë heroizmin e tij dhe popullit shqiptar.

“Shqipëria është vërtetë, rajoni i 22, teksa shikon marrëdhëniet gjer në Mesjetë të Skënderbeut me Venedikun dhe mbretin e Napolit”, – shprehen blogerët.

Ky tur promovues, nuk mund të mbaronte, pa shijuar kulinarinë e Krujës, ku një restorant  i njohur në qytet organizoi një mikpritje të veçantë, në shije tradicionale dhe plot stil.

Aktiviteti u organizua nga agjencia turistike “Brain and Heart”, “Travel Massive Albania” dhe aktorët privatë dhe publikë në qytetin e Krujës./k.s/ KultPlus.com

Rita Ora kërcen me këngë shqipe (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora po vazhdon suksesshëm karrierën e saj. Ajo këto ditë është duke promovuar albumin e saj Phoenix në gjithë botën. Ishte Gjermania, Zvicra e Milano ato që mirëpritën këngëtaren këtë jave me koncerte që këngëtarja do t’i mbajë mend gjatë.

Por në një ndejë pas koncerteve, Rita Ora shihet duke kërcyer me këngën shqipe ‘Si Bugatti’ nga Skerdi dhe Gjiko.

Këtë video e ka shpërndarë këngëtari Skerdo i cili është shprehu i lumtur që Rita ka kërcyer më këngën e tyre. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/Bw6dqaRjSgr/

Letër e Lasgush Poradecit për Mitrush Kutelin

Një poemë për miqësinë sublime

Letër e Lasgush Poradecit për Dhimitër Paskon – Mitrush Kutelin (Graz, 22 shkurt 1930)

“Sot më zotëron shpirtin letra jote e dytë. Në atë letër ti më lajmëron, i dashur Dhimitraq, se ke në mënt të vish kësaj vere në Poradec: Pra zemra ime u shërua. Pas dhjetë vjetësh humbje, do kem gazin e bukur të të shoh prapë, të shihemi prapë…

I shtrentë Dhimitraq, mirë, shumë mirë do bësh, do këputnja një copë qiell, do sbrisnja disa yj të ndritur e të lehtë mi baltën që na rëndon kaq brutalërisht në shpirt, sikur ta vinje në vepërim atë mëndje, atë qëllim aq të shenjtëruar…
Eja, pra, dhe mos u vono aspak! Llazari të pret me krahët hapur. Kur të piqemi, kur të të puth në ballë, jo vetëm njerëzia do çuditen, jo vetëm gurët do dridhen, po dhe Zoti vetë më të madh të Tija, do t’a bëjë buzën në gas… Do t’a bëjë buzën në gas, sepse me pjekjen t’onë do ndjejë dhe Ay, një Tepër-Lumtëri, me gjith që vetëm për një moment, se Drita që Ay pati ndezur për ndritjen, shpëtimin, lumtërimin e së KEQES njerëzí nuk e ka shterur mburimin fare…

Eja pra i dhemshur shok sa më shpejt Atje ku e ka urdhëruar Zoti që të piqemi bashkë. Eja t’a vrasim DJALLIN e Shqipërisë, e shqipëtarëve. Do më gjesh atje, që në ditën e parë, buzë liqerit t’onë të adhuruar. Do më gjesh, ashtu siç e di, ashtu sikundër të isha vetja jote vetë: shpirt i vetëm i etuar për Dritë dhe përparim, dyke patur rreth e përqark skëterrën, prapanikërinë, trurin e çuknavitur të një vëndi, të një populli të mjerë po të dashur, i cili po bën MËKATËN, sepse NUK DI Ç’BËN… Eja t’i themi atë që kemi për t’i thënë…”

(Lasgush Poradeci, Vepra IV. Korrespondencë Lasgush Poradeci – Mitrush Kuteli. Përgatitur për shtyp nga vajzat e Poetit, Kostandina Gusho dhe Maria Gusho. Shtëpia Botuese albPAPER, Tiranë, 2010, f. 27-28/ Letër e përzgjedhur nga Prof. K. Jorgo).  /filozofia.al/ KultPlus.com

Rrjeti i Grave në Kosovë shënojnë 1 majin me protestë

Në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e punëtoreve dhe punëtorëve (1 maji), Rrjeti i Grave të Kosovës sot do të protestojnë.

Sipas një njoftimi, ky grup do t’i bashkohet protestës, duke ngritur zërin kundër diskriminimit në baza gjinore për pranim në punë, mundësisë së pabarabartë për t’u promovuar në punë, pagës së pabarabartë për punë të njëjte, etj.

Ndryshe, 1 maji apo Dita Ndërkombëtare e Punës, lindi nga lufta e tyre për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Kjo ditë, ju referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.

1 Maji edhe te ne në Kosovë ka një traditë. Edhe pse pushohet në shumicën e institucioneve, ndër të tjera një pjesë e madhe edhe festojnë këtë ditë. /Telegrafi/ KultPlus.com

Zbulohet juria shqiptare që do vlerësojë këngët e Eurovisionit 2019

Këngëtarja Jonida Maliqi do përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2019 me këngën “Ktheju Tokës”.

Sot është zbuluar juria shqiptare, që do votojë këngët e Eurovizionit duke dhënë 50% të pikëve.

Juria përfaësohet nga emra të njohur të muzikës shqiptare: Anxhela Peristeri (Këngëtare), Eranda Libohova ( Këngëtare), Dilan Reka ( Këngëtar), Gent Rushi (Pedagog, muzikant) dhe Julka Gramo (Këngëtare, prezantuese televizive).

Jonida pritet të performojë e 14-ta në gjysmëfinalen e dytë të festivalit me të rëndësishëm ndërkombëtar muzikor. / KultPlus.com

“International Albanian Brass Festival” ngjiti në skenë artistë shqiptarë dhe të huaj

“International Albanina Brass Festival” zhvilloi edicionin e katërt, duke sjellë në skenë artistë të njohur. Festivali në pesë netët e tij solli në skenë artistë ndërkombëtarë nga USA, Rusia, Austria, Italia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Hungaria, Spanja, Kosova, Serbia, por dhe nga Shqipëria, që ndezën sallën e Universitetit të Arteve, teatrin “Petro Marko”, Vlorë dhe në ambientin e përhershëm në natën mbyllëse të festivalit, amfiteatrin e liqenit në Tiranë.

Ky festival ka si qëllim krijimin e urave të bashkëpunimit mes artistëve vendas dhe të huaj, duke interpretuar së bashku në skenë dhe nëpërmjet këtij festivali rritet ndërgjegjësimi ndaj instrumenteve të tunxhit duke i kthyer ata në tejet popullorë dhe duke nxitur brezin e ri të luajë në ta.

Në fokus të vazhdueshëm kanë qenë artistët e rajonit me qëllim unifikimin e metodave të interpretimit dhe literaturës, nëpërmjet master class të udhëhequr nga Gergely Sugar (Austri) kornist i parë i Orkestrës Simfonike të Vjenës, pedagog pranë Universitetit Graz, Orsolya Korscolan (Austri) soliste themeluese e drejtuese e shkollës së muzikës “Musikschule” Vjenë, Marco Pierobon (Itali) pedagog i trombës në Konservatorin e Bolzanos, dr.Gregory Jones (USA) dirigjent, trombist, drejtuesi i Purdue University Fort Wayne-Indiana, Hrvoje Pintaric (Kroaci) pedagog pranë shkollës së muzikës “Vatroslav Lisinksi” Zagreb, Ivan Bosnjak (Kroaci) trombon i parë pranë Orkestrës së Operës së Zagrebit-Kroaci, etj.

Programi i festivalit erdhi për publikun si një ndërthurje dhe bashkëpunim i artistëve të huaj nën shoqërimin e instrumentistëve shqiptarë. / atsh./ KultPlus.com

Anna Oxa, historia e shqiptares së famshme

Anna lindi në Bari më 28 prill 1961, nga nënë italiane dhe baba shqiptar (Qazim Hoxha, emigrant shqiptar në Bari). Mbiemri i saj i vërtetë është Hoxha. Filloi të këndojë si profesioniste në moshë shumë të re. Vetëm 17 vjeçe u klasifikua në vendin e dytë të Festivalit të Sanremos 1978 me këngën “Një emocion i vogël” e nënshkruar nga Ivano Fossati, të cilin e kishte njohur kur ishte 15 vjeçe gjatë audicionit të saj të parë të rëndësishëm për Rca-në.

Pasi bie në sy në Sanremo me një look vagëllimthi punk, merr pjesë në Festivalbar me “Bëjeni me mua” dhe po më 1978-ën boton albumin e saj të debutimit me titullin “OXANNA”, që përmban sidomos cover-a pjesësh të famshme ndërkombëtare. 1979-a është viti i “Kloun i kaltër” dhe i LP-së së dytë të titulluar thjesht ANNA OXA. Këngëtarja puljeze është protagoniste e filmit “Djalë, vajzë, lule, frut” i regjisorit Ruggero Miti. Në fillim të viteve ’80, Q- Disc-u “Kontroll Total” i paraprin ndryshimit të shtëpisë diskografike: më 1982-shin nënshkruan për CBS-në (sot Sony Music) dhe fillon bashkëpunimin me Mario Lavezzi-n, që prodhon pjesët “Unë jo”, paraqitur në Festivalin e Sanremos, dhe “Bëmë të qesh pak”.

Një vit më pas del albumi “Për të ëndërruar, për të kënduar, për të vallëzuar”: kënga referuese është “Pa mua”. Për këtë disk, të prodhuar nga Mario Lavezzi, bashkëpunojnë edhe Ron dhe Flavio Premioli. Në vitin 1984 kthehet në Sanremo: gjithsej ka marrë pjesë në 12 festivale si këngëtare dhe në një si prezantuese (në vitin 1994 bashkë me Pippo Baudo-n dhe Cannelle-n).

Ngjitet në skenën e Aristonit për tre vjet rresht: më ’84-ën këndon “Nuk zbres”, që i paraprin albumit “Vrapi im”, nga do të nxirret më pas kënga “Eklips total”; më ’85-ën këndon “Asaj”, nënshkruar edhe nga Roberto Vecchioni dhe e pranishme në diskun “OXA”; pas dy vendeve të shtata me radhë, më ’86-ën klasifikohet në vendin e pestë me “Eshtë vetëm një çast”, që bën pjesë në albumin me të njëjtin titull. Anna Oxa përshkon rrugën e entertainment-it televiziv si prezantuese e dy edicioneve të “Fantastico”-s në Raiuno, të parën në krah të Enrico Montesano-s dhe të dytën në çift me Massimo Ranieri-n.

Pas nja dy vitesh pushim diskografik, kthehet në skenë përsëri në Sanremo: më ’88-ën klasifikohet e shtata me “Kur lind një dashuri” të realizuar me producentin e saj të ri: Piero Cassano-n e “Matia Bazar”-ëve. Dhe në vitin 1989 fiton Festivalin bashkë me Fausto Leali-n me këngën “Do të të lë”. Në po atë vit boton albumin “Të gjitha drithërimat e botës” dhe fillon bashkëpunimin me New Trolls-at. Në vitin 1990 këndon “Grua me ty” në Sanremo, pastaj i bie rreth e qark Italisë me një tour bashkë me New Trolls-at të dokumentuar në diskun live “Anna Oxa me New Trolls-sat”.

Pas një viti kushtuar familjes së saj (në vitin 1991 lind fëmija i saj i parë, Francesca) dhe diskun “Nga kjo dashuri” (e vitit 1992), Oxa çimentohet me këngën e autorit në përmbledhjet “Cantautori” (1993) dhe “Cantautori 2” (1994): këngët e interpretuara prej saj shkojnë nga “Do të kesh” e Claudio Baglioni-it deri te “Historia” e Francesco De Gregori-t. Në të njëjtën periudhë del compilation-i “Do- gjoksi”. Në vitin 1995 lind Qazimi, fëmija i saj i dytë dhe vitin në vijim regjistron albumin “Ana nuk lihet”, që përmban këngën “Spot” dhe është prodhuar nga ish shoku i saj Gianni Belleno dhe nga Danilo Madonia. Kënga “Histori” klasifikohet në vendin e dytë në Festivalin e Sanremos të vitit 1997 dhe hap përmbledhjen e greatest hits me të njëjtin titull. Versioni spanjoll i këngës “Histori” (“Historias”) ia hap në të dy kanatet dyert e tregut jugamerikan: Anna kalon pothuajse një vit në Kili, Argjentinë, Uruguaj dhe Meksikë. 1999-a është viti i triumfit në Festivalin e Sanremos me “Pa mëshirë”, fitorja e parë si soliste e Annës pas asaj ‘në duet’ me Fausto Leali-n. Dd-ja “Pa mëshirë”, dhjetë këngë të pabotuara mes të cilave dueti “Duke ecur, duke ecur” me Cheyenne-n, është prodhuar nga Fio Zanotti.

Album i ri, “Lëvizja e përjetshme”, dhe pjesëmarrje tjetër në Sanremo me këngën me të njëjtin titull: është viti 2001 dhe disku karakterizohet nga një kërkim i fortë i ritmit, falë bashkëpunimeve me artistë ndërkombëtarë si Wil Malone dhe Tony Levin. Po më 2001-shin është protagoniste e spektaklit të Giorgio Panariello-s “Kthehem të shtunën”. Në vitin 2003 merr pjesë për herë të dymbëdhjetë në Festivalin e Sanremos me këngën “Do të ndryshoj”, kënga e parë e nxjerrë nga albumi i saj i ri “Kam një ëndërr”, i përkufizuar si disku i jetës së saj, sepse të gjitha këngët tregojnë odisenë intime të Annës në rrugën e vështirë të jetës së vet/Shqip. / KultPlus.com

“Korça sipas një kosovari”, thirrje për ta zbërthyer qytetin e kulturës shqiptare

“Korça sipas një kosovari”, libër nga autori Agron Shala, doli dje në shitje nga shtëpia botuese “Armagedoni”.

Libri është udhërrëfyes për Korçën, i konceptuar si një reportazh që ngërthen në vete kronikën e dokumentaren, dedikuar këtij qyteti.

Vepra e cila mund të lexohet me vetëm një frymë, tejkalon stereotipat Kosovë-Shqipëri, Veri-Jug, apo edhe paragjykimet përbrenda vet regjioneve të caktuara, të imponuara nga izolimet e dikurshme dhe mungesa e komunikimit të duhur sot. Duke u përqendruar te shqiptari i rëndomtë, në anën më të ndritshme të tij, në art e në kulturë, si dhe te shembujt e shumtë nga Korça për sakrificën, humanizmin dhe patriotizmin e vërtetë, zbërthehen hallet dhe ëndrrat reale të shqiptarëve që janë të njëjta kudo ku ata jetojnë sot në Ballkan.

Në këtë aspekt, Korça dhe shembujt e saj të ngritjes intelektuale, materiale, kulturore dhe të shtetndërtimit – mbetet shpresa e një rilindje të re shqiptare.

“Korça sipas një kosovari”, me një galeri të pasur ngjarjesh dhe personazhesh nga e kaluara dhe nga e sotmja, mund të perceptohet si një pasqyrë për Korçën e ditëve të sotme, por edhe si përmbledhje e ngjeshur e historisë së begattë dhe të vjetër të këtij qyteti.

Libri i ilustruar me 50 fotografi të rralla dhe të veçanta, këto ditë do të jetë i pranishëm në libraritë kryesore të Prishtinës.

Agron Shala, ka lindur në Mitrovicë në vitin 1977. Ka studiuar për psikologji dhe dramaturgji. Nga viti 1995 merret me gazetari ndërsa veprimtaria e tij shtrihet edhe në muzikë teatri, filmi e dokumentarësh. / KultPlus.com

Komuniteti shqiptar, protestë para ambasadës serbe në Uashington – kërkojnë drejtësi për krimet e luftës

Të mbijetuar të dhunës në Kosovë dhe familjarë të viktimave, si edhe përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan, mbajtën të martën pasdite një protestë të planifikuar para ambasadës serbe në Uashington, ku kërkuan drejtësi për krimet e kohës së luftës.

E mbijetuara e dhunës seksuale nga forcat serbe Vasfije Krasniqi Goodman, e cila dëshmoi të martën paradite në Kongresin amerikan, tha se ishte shumë e rëndësishme që zëri i tyre u dëgjua dhe se shpreson që përmes angazhimit të Kongresit amerikan, të çohet drejtësia në vend.

“Është një punë që është dashur të hapej edhe më herët. Pak me vonesë, por më mire vonë se hiç dhe unë e kam kauzën me luftu për drejtësi dhe me thy stigmën jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë botën, ku kanë ndodhur dhunime gjatë luftërave”, raporton Zëri i Amerikës.

Ajo e pranon se për të nuk ishte e lehtë të protestonte para ambasadës së Serbisë.

“Por kjo është me u tregu atyre se ne nuk ndalemi para se drejtësia të shkojë në vend dhe këta me i pranu krimet që kanë kryer, me kërku falje për krimet dhe me i dënu kriminelët. Kështu që ndihem krenare që jam para ambasadës serbe, me i tregu këtyre që ne shqiptarët duam drejtësi. Jo hakmarrje, por drejtësi”, thotë ajo.

Anëtari i Këshillit bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, që sapo është kthyer nga Kosova, ishte një prej protagonistëve të protestës.

“Sot është një ditë që mbas 20 vjetëve të kujtohen gabimet, dëmi që ka ndodhur në Kosovë. 20 mijë femra janë përdhunuar, 13 mijë vetë kanë vdekur, 1620 janë zhdukur. Kemi filluar një lobim të fortë, të vazhdueshëm që me u vu presion Serbisë që kriminelët e luftës të paraqiten para gjykatës, që t’i gjykojmë ne. Zoti ka me i gjyku në jetën tjetër”, tha ai.

Ilir Bytyqi, që edhe në Kongres foli për domosdoshmërinë e vënies para përgjegjësisë të fajtorëve, tha në protestë se Serbia duhet të arrestojë shkaktarët e këtyre krimeve.

Në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës, dy vetë nga personeli i ambasadës së Serbisë në Uashington thanë për Shërbimin Shqip se protesta “nuk do të thotë asgjë”. “Është një vend demokratik dhe gjithkush mund të protestojë”, thanë ata. / KultPlus.com