Ekspozita udhëtuese Bauhaus Imaginista vjen në GKK

Bauhaus imaginista është një projekt i madh ndërkombëtar që mbahet me rastin e njëqind vjetorit të shkollës së artit me fokus të veçantë në shpërndarjen dhe pritjen e saj në botë.

Që nga fillimi, Bauhaus ishte një projekt ndërkombëtar, me studentë dhe mësimdhënës nga Evropa dhe Azia që iu bashkuan kësaj shkolle. Ajo ishte heterogjene dhe gjatë periudhave të ndryshme, ka përshtatshmëri të lëvizjes Arts and Crafts ( Arte dhe Zanate) dhe lëvizjeve tjera siç janë socializmi, komunizmi, spiritualizmi, Konstruktivizmi Sovietik dhe të Neues Bauen (ndërtimi ri). Në vitin 1933 kjo shkollë u mbyll nga nacionalistët socialist ku shumica e studentëve u detyruan dhunshëm të ikin dhe të shpërndahen nga Gjermania në vende tjera ku si pasojë Bauhaus bëhet rrjedhë kulturore e popujve përtej Evropës. Bauhaus imaginista gjen bashkëpunim në pjesë të ndryshme të botës nëpërmjet bashkëpunimeve kërkimore me studiues nga Brazili, Kina, India, Japonia, Maroku, Nigeria, Rusia, Britania e Madhe dhe në SH.B.A.

Këto histori të hulumtuara tregojnë se si Bauhaus kishte kontakte me shkolla dhe lëvizje të ndryshme moderniste ndërkombëtare, se si idetë e Bauhaus u tërhoqën, adaptuan apo u refuzuan duke u bazuar në kushtet vendore të kohës, luftën e ftohtë, politikave jo të përafruara, diktaturave si dhe proceseve të dekolonializmit dhe projekteve zhvillimore. Ato na tregojnë një ri-lexim të statusit kosmopolit të Bauhaus nga perspektiva trans-historike dhe trans- nacionale në lidhje me pyetjet bashkëkohore, të zhvilluara përmes rrjetit të hulumtuesve dhe artistëve.

Bauhaus imaginista largohet nga katër objektet kryesore të Gegenstande të Bauhausit që janë përdorur për të zhvilluar katër kapitujt tematikë dhe konceptual që lidhen me pritjet në vende të ndryshme gjeografike. Këtu përfshihen: Manifesti i Bauhausnga Walter Gropius (1919), që është baza e Korrespondimit me hulumtimin e reformës pedagogjike; Tepihu, një vizatim nga Paul Klee (1927), për kapitullin Duke mësuar nga, që shqyrton përvetësimin kulturor; Ein Bauhausfilm nga Marcel Breuer (1926), ku gjenerohen idetë për evolucionin e dizajnit në relacion me ideologjinë; dhe Reflektorische Farblichtspiele, një mjet ndriçimi nga Kurt Schwerdtfeger (1922), ku gjenerohet kapitulli Ende i pavdekur ku përdoren eksperimente me dritë dhe zë.

Kjo ekspozitë udhëtuese kombinon idetë, kërkimet dhe dokumentimet nga bauhaus imaginista. Artisti Luka Frei ka dizajnuar një strukturë e cila është gjysmë skulpturë dhe gjysmë ekspozitë arkitekturale – si një hapësirë ku vizitorët mund të angazhohen në shumë shtresa të këtij projekti. Aty përfshihen fjalime kuratoriale, tekste dhe imazhe që ndërlidhen me katër kapitujt si dhe dokumentime të programit ndërkombëtar bauhaus imaginista 2018.

Në qendër të këtij instalacioni gjendet një kompjuter ku vizitorët mund të kërkojnë në të gazetën online të bauhaus imaginista, të printojnë nga aty imazhe dhe tekste të cilat mund ti bashkojnë në një dosje. Krahas kësaj shfaqet një program filmik me vepra të komisionuara së voni për temat dhe historinë e Bauhaus nga artistët dhe hulumtuesit bashkëkohor si Zvi Efrat, Kader Attia, grupi Otolit dhe nga Wendelian van Oldenborgh.

bauhaus imaginista është një bashkëpunim mes Bauhaus Kooperation Berlin Dessau Weimar, Institutit Goethe, dhe Haus der Kulturen der Welt (HKW). Ky projekt hulumtues me stacione të ndryshme ekspozuese është pjesë e njëqind vjetorit nga themelimi i Bauhaus (2019). Instituti Goethe e madhështon këtë program me perspektivat ndërkombëtare të saj si pjesë e projektit HKW, 100 vite të tashmes, bauhaus imaginista i bashkoi në Berlin. Ky projekt u mundësua nga fondet e komisionerit federal të qeverisë për kulturë dhe media (BKM). Fondacioni federal i kulturës (KSB), përkrahë ekspozitën në Berlin; Zyra për marrëdhënie me jashtë përkrahë stacionet ndërkombëtare. Partnerët e jashtëm janë Institutet Goethe në Kinë, New Delhi, Lagos, Moskë, New York, Rabat, Sao Paolo dhe Tokio. Po ashtu partnerë tjerë janë edhe Dhoma e pavarur artistike- Le Cube në Rabat si dhe disa institucione tjera. Bauhaus imaginista u realizua në bashkëpunim me muzeun e dizajnit të Kinës (Hangzhou), Institutin e Pavarur Administrativ të Muzeut Kombëtar të Artit / Muzeu Kombëtar i Artit Modern (Kjoto) Garage / Muzeu i Artit Bashkëkohor (Moskë), dhe SESC Pompeia, Sao Paolo.

Bauhaus imaginista do të hapet me 7 qershor në orën 18:30. / KultPlus.com

Meta dekoron eruditin Moikom Zeqo me titullin ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, çmoi eruditin Moikom Zeqo me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

“Në vlerësim të kontributit të tij poliedrik në dobi të artit, kulturës e historisë sonë kombëtare. Me cilësitë e shquara si studiues, talentin dhe aftësitë krijuese i ka ofruar publikut shqiptar dhe të huaj vepra të spikatura në fushën e albanologjisë, muzeologjisë, etnokulturës dhe arkeologjisë, si dhe botime letrare në prozë dhe poezi, të vlerësuara për origjinalitetin krijues.

Në mirënjohje të publicistikës së tij të mprehtë, studimeve shumëdimensionale për ndriçimin e gjenezës së kombit, mbrojtjen e monumenteve dhe identitetit tonë kombëtar me përkushtim, kurajë intelektuale, qytetari dhe profesionalizëm të lartë”.

Në një ceremoni të veçantë ku ishin të pranishëm akademikë, shkencëtarë, diplomatë, arkeologë, studiues, shkrimtarë, kritikë, doktorë, botues dhe përfaqësues të mediave, Presidenti i Republikës vlerësoi lart veprimtarinë e shquar dhe kontributet e shumta të arkeologut, shkrimtarit, eseistit, historianit, filozofit dhe mendimtarit Moikom Zeqo në dobi të historisë, artit, kulturës dhe historisë sonë kombëtare.

Në fjalën e tij presidenti Meta u shpreh:

“Jam shumë i lumtur që sot, i akordoj titullin ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’, një personaliteti dhe një njeriu të veçantë; një intelektuali të shquar; një zëri të fuqishëm dhe pene të fortë e të thellë; një ndër shkrimtarët më prodhimtarë të letërsisë sonë; një mendimtari të vyer për kombin tonë; një studiuesi të paepur; një miku të dashur, zotit Moikom Zeqo, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së tij.

Kërkohet një kohë e pafundme të flasësh për krijimtarinë, për kontributin dhe ndikimin shoqëror, kulturor dhe atdhetar të Moikomit, pasi kur flitet për një njeri të tillë mbetemi pa fjalë për shkak të kontributit dhe veprave të tij të shumta, si një prej personaliteteve me të njohura të kulturës sonë kombëtare, një ndër studiuesit dhe krijuesit shqiptarë më të vlerësuar brenda dhe jashtë vendit.

Për kulturën tonë Moikomi mbetet një nga penat më poliedrike dhe prodhimtare, i cili vazhdon të japë një kontribut të jashtëzakonshëm si në fushën e letërsisë e të kulturës, ashtu edhe të studimeve akademike.

Rrallëherë ndodh që një vend të ketë në gjirin e vet njerëz me një profil kaq të gjerë intelektual.

Ai mbart brenda vetes historianin e antikitetit dhe të Bizantit, poetin, arkeologun dhe novelistin, piktorin dhe muzikologun, politikanin, intelektualin e angazhuar në jetën publike, mendimtarin dhe eseistin.

Me erudicionin e tij të jashtëzakonshëm, Moikomi mbetet një zë i fortë intelektual në Shqipëri dhe më gjerë.

Me një finesë oratorie dhe një stil tejet të rafinuar të shkruari ai ka ditur që gjatë gjithë jetës të shprehë mendimet dhe qëndrimet e tij me shumë mençuri, mendjemprehtësi dhe elegancë.

Gjithashtu, ai ka ditur të ushqejë vazhdimisht etjen për dituri dhe kureshtjen e pafund.

Bota e dijes është e mbushur me mistere magjike, në pritje që mendjet tona të bëhen më të mprehta për t’i kuptuar ato.

Mendja e Moikomit, hulumtimi i kthjellët dhe kritik i tij, jo vetëm që kanë zbuluar të vërtetat e shkuara, por mbeten si trashëgimi akademike dhe kulturore si të vërteta të së ardhmes.

Si shkrimtar, poet, arkeolog, politikan, eseist dhe si filozof, kontributi i Moikomit ndër vite ka qenë gjithnjë i vyer dhe është njohur dhe i vlerësuar gjerësisht.

Cilësi të tilla plot kualitet dhe profesionalizëm nuk kanë qenë aspak të rastësishme, por fryt i përpjekjeve të vazhdueshme intelektuale”, – theksoi mes të tjerash Presidenti Meta.

“Por, mendja e tij e ndritur përkon edhe me një personalitet njerëzor të jashtëzakonshëm.

Një njeri fisnik, dishepull i mirësisë, i miqësisë dhe humanizmit, një njeri i shtrenjtë për miqtë dhe familjen, i përkushtuar ndaj virtytit dhe lirisë.

Edhe në angazhimet e tij publike në politikë, Moikomi është dalluar gjithmonë si një intelektual i përkushtuar ndaj të vërtetës, të mirës publike dhe interesit kombëtar.

Një intelektual, i cili e ka treguar dashurinë për vendin përmes një jete të mbushur me kontribute të shumta e të çmuara, të cilat do shërbejnë si piketa të rëndësishme në kulturën dhe historinë e së ardhmes.

Ndaj sot, i uroj Moikomit edhe shumë vite të tjera me dëshirën për të lexuar vepra e tij të pashtershme. Faleminderit!” – nënvizoi Presidenti i Republikës.

Pasi mori në dorëzim titullin e lartë, zoti Moikom Zeqo falënderoi Presidentin e Republikës për vlerësimin në këtë përvjetor të shtatëdhjetë të ditëlindjes dhe citoi fjalët e Heroit tonë Kombëtar: “Unë do të jem mik i virtyteve, por jo i fatit”.

ASH e Shqipërisë i ndan Çmimin e Karrierës akademikut Luan Omarin

Akademia e Shkencave të Shqipërisë organizoi ceremoninë e ndarjes së çmimeve shkencore kombëtare vjetore për vitin 2018. Me Çmimin e Karrierës u vlerësua bashkëthemeluesi i fundit që është gjallë i këtij institucioni, akademiku Luan Omari.

U zhvillua dje ceremonia e edicionit III të ndarjes së çmimeve shkencore kombëtare vjetore për vitin 2018 nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Me Çmimin e Karrierës u vlerësua profesor Luan Omari. Me motivacionin si: “Anëtar-bashkëthemelues i Akademisë së Shkencave edhe përurues e drejtues i suksesshëm institucional i saj. Përfaqësues i denjë i botës akademike shqiptare, evropiane edhe rajonale, që ka një veprimtari shkencore mbi 6 dekada…”. Çmimi iu dorëzua nga kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi, i cili ndër të tjera u shpreh se “Është një nga baballarët e ASH, edhe nuk është akademia, që vlerëson sot këtë çmim, por është profesori, që na nderon duke pranuar këtë çmim. Është një ndër emrat, që do të krenohet brezat”.

Ndërsa, për bashkëthemeluesin e kësaj akademie, ky çmim është një vlerësim i rëndësishëm, që i bëhet për karrierën e tij, “Jetën time të gjatë, kohën më të madhe e kam kaluar në institucionet shkencore. Kam pas fat të madh të jem pranë njerëzve të shquar, si Eqrem Çabej, Aleks Buda, etj. Është kënaqësi e madhe që të marrë këtë çmim, në fund të karrierës sime. Do të mundohem, që forcat që më kanë mbetur t’ja kushtoj akademisë sonë”, u shpreh akademiku Luan Omari. (vlerësimi monetar 500 mijë lekë)

Me çmimin “ Eqerem Çabej” për veprën më cilësore origjinale monografike në shkencat shoqërore dhe albanologjike u vlerësua “Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX”, nga një grup autorësh.(1 mln lekë)

Me çmimin “Petrit Radovicka” për veprat apo kërkimet më të rëndësishme në shkencat natyrore edhe teknike u vlerësua vepra “Atlas i Florës së Shqipërisë” e akademikut Jani Vangjeli, me motivacionin: “Një vepër me karakter koleksionues edhe në shërbim të florës shqiptare. E mbështetur në rezultatet e kërkimit në terren mbi bimësinë shqiptare”. (1 mln lekë)

Me çmimin “Kërkuesi i ri më i suksesshëm”, për shkencat shoqërore dhe albanologjike u vlerësua “La necropoli meridionale di Phoinike. Le tombe ellenistiche e romane.” nga prof. asoc. Belisa Muka dhe prof. asoc. Giuseppe Lepore me motivacionin: “Bazuar në trajtimin shumëdisiplinorë të të dhënave, rëndësia e këtij botimi shfaqet në paraqitjen e rezultateve të gërmimeve, ekspeditave në nekropolin jugor të qytetit antik të Phoinikes”.

Kërkuesve të rinj, çmimi iu dorëzua nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila u shpreh se: “Është shpresëdhënëse që të gjithë të rinjtë t’i hynë rrugës kërkimore, edhe të mos ngelin në sipërfaqen të kërkimit. Serioziteti i tyre na vë edhe më shumë para përgjegjësisë, që të jemi mbështetës”.

Juria e çmimeve përbëhej nga 10 anëtarë, përfaqësues të institucioneve të ndryshme kërkimore dhe kryesohej nga profesor Etem Lika. / KultPlus.com

Caktohen datat e mbajtjes së provimit të maturës

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka bërë tërheqjen publike të shortit për renditjen e mbajtjes së Provimit të Maturës Shtetërore nëpër regjione.

Më 12 qershor testit do t’i nënshtrohet regjioni i Prishtinës, më 13 qershor regjioni i Ferizajt dhe Gjilanit, më 14 qershor regjioni Prizrenit dhe Gjakovës, ndërsa më 15 qershor regjioni i Pejës dhe Mitrovicës.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, tha se beson që do të ketë rezultate të mira në këtë testim, përcjell ksp.

“Shpresojmë që edhe këtë vit do të kemi një mbarëvajtje të mirë të testit. Dobësitë e vogla që kanë ndodhur vitin e kaluar, këtë vit i kemi eliminuar. Përveç ndarjes në katër regjione, këtë vit janë bërë disa ndryshime edhe tek lëndët, ku nxënësit kanë pasur mundësi të zgjedhin vet lëndën zgjedhore”, tha ai.

“Ditën e mbajtjes së testit do të jemi të angazhuar dhe presim një mbështetje nga të gjitha DKA-të. Shpresoj që do të dalim me rezultate të mira dhe me rezultate reale”, vijoi ministri. / KultPlus.com

Media gjermane “Die Welt” reportazh mbi 25 faqe për Shqipërinë

Gazeta e përditshme gjermane “Die Welt”, i ka kushtuar një reportazh të detajuar Shqipërisë duke përshkruar bukuritë natyrore dhe mundësitë që ajo ka.

Për këtë ka reaguar edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili tha se se reportazhi vë në dukje bukuritë natyrore të vendit si atraksione turistike dhe burim zhvillimi ekonomik.

Duke perifrazuar shkrimin e medias gjermane, numri dy i Partisë Socialiste u shpreh se falë reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, vendi ynë është kthyer në një destinacion të besueshëm për sipërmarrjet gjermane.

“Një ndër gazetat më të mëdha gjermane, e përditshmja “Die Welt” i kushtoi dje një reportazh të veçantë Shqipërisë, bukurive të saj natyrore si atraksione turistike dhe burim zhvillimi ekonomik, performancës ekonomike të Shqipërisë me rritjen më të madhe ekonomike ndër vendet e tjera të BP, reformave të ndërmara të cilat e kanë shndërruar Shqipërinë në një destinacion të besueshëm për sipërmarrjen gjermane. Në më shumë se 25 faqe mund të shikosh Shqipërinë reale me sfidat dhe pritshmëritë. #përShqipërinëqëDuam🇦🇱🇪🇺”- shkruan Balla. / KultPlus.com

“Politika nuk ka asnjë lidhje me moralin”

Niccolò Machiavelli

“Politika nuk ka asnjë lidhje me moralin.”

“Ai që mashtron do ta gjejë gjithmonë dikë që e lejon veten të mashtrohet.”

“Njerëzit ngriten nga njëra ambicie në tjetrën: fillimisht ata kërkojnë ta sigurojnë veten kundër sulmit, e pastaj i sulmojnë të tjerët.”

“Është kënaqësi e dyfisht ta mashtrosh mashtruesin.”

“Për ta kuptuar natyrën e popullit, duhesh të jesh sundimtar dhe për ta kuptuar natyrën e sundimtarit duhet të jesh në popull.”

“Lufta është e drejtë atëherë kur është e nevojshme; armët janë të lejuara atëherë kur s’ka shpresë tjetër përveç tek ato.”

A duhet vërtetë të pikëllohemi për vdekjen e të dashurve tanë?

Kjo është një ligjeratë nga profesori Goodwin, e mbajtur për “Serenity Association”, mbi raportin e trupit me shpirtin.

“Të dashur miq,

Le ta shikojmë trupin tonë ashtu siç e shikojmë një makinë. Automobili ka qenë i dizajnuar nga njeriu për ta bërë atë që njeriu vendos se ai duhet ta bëjë. Nuk ka rrugë tjetër përreth. Unë nuk njoh ndonjë njeri, me një mendje të shëndoshë, ta ketë në posedim një automobil që nuk funksionon kështu. Ne e kemi dizajnuar automobilin si një mjet trasporti, për të qenë i dobishëm në përbushjen e dëshirave tona.

Kështu është edhe shpirti i njeriut. Është një mjet i dizajnuar nga ligjet e pa fundme të natyrës, për ta transportuar shpirtin tonë të përjetshëm mbi këtë fushë tokësore, që shpirti ynë i përjetshëm shpreh veten dhe të përmbush shumë nga dëshirat e mendjes sonë.

Dhe kështu do të bënim edhe ne. Do të brengoseshim për një automobil i cili nuk i shërben më qëllimit të tij, transportit mbi fushën tokësore. Askush, askush nuk do ta mbante atë lloj makine – të paktën jo nga zgjedhja e arsyeshme.

Kështu ka ndodhur edhe me Bernie Pratz (një student i cili kishte vdekur pak ditë para kësaj ligjerate). Ai ishte i gatshëm, i vullnetshëm dhe në gjendje për të shkuar në makinën e tij të re, e cila është një nivel i vetëdijes, dhe për ta lënë trupin e vjetër prapa dhe për tu kthyer tek elementet prej të cilave ai ishte kompozuar.

Shumë njerëz përgjatë këtyre 35 viteve të shërbimit të shpirtit, më kanë pyetur se cila është gjëja më e mirë që ata mund ta bëjnë, për ta ndihmuar dikë që e kanë dashur shumë, dhe i cili ka kaluar në një dimension tjetër?

Gjëja më e mirë e mundëshme që unë e di se secili shpirt mund ta bëjë, në mirësi të thjeshtë, për dikë që ka shkuar në botën tjetër, është të jesh i lumtur, ti bësh gjërat të cilat ata e dijn se duhet ti bësh, dhe ta shijosh atë që e bënë. Sepse për tu brengosur për ata që janë liruar nga kjo baltë tokësore, në të vërtetë është mishërim i egoizmit dhe mohim i së drejtës hyjnore të Zotit për të marrë shpirtin dhe për ta mbajtur me ligjet e tij hyjnore.”

O shokë, ç’u prish dynjaja

Poezi nga Anton Zako Çajupi

“O shokë, ç’u prish dynjaja
si për burra dhe për gra,
tani shitetë sevdaja,
mjer’ ai që s’ka para.

I pasur, të palltë varri,
ti që bleve dashurinë
dhe nuk e le si në pari,
të martë djalli shpirtinë!

Ndëgjoni, more të ri,
ndëgjoni dhe ju të ra:
duani atë që di,
jo atë që ka para.

Duani dhe vjershëtorë
barabar me perëndinë,
se rri me lule në dorë
edhe këndon dashurinë…”/KultPlus.com

“Gjenerata e humbur” – Woody Allen

E përmenda më parë se isha në Evropë. Nuk është hera e parë që kam qenë në Evropë; kam qenë në Evropë shumë vite më parë me Ernest Hemingway-n. Hemingway sapo kishte shkruar romanin e tij të parë.

Gertrude Stein dhe unë e kemi lexuar atë. Thamë se ishte një roman i mirë, por jo i madh; se duhej punë, porse mund të bëhej një libër i mirë. Ne qeshnim për këtë. Hemingway më rrahu gojës.

Atë dimër Picasso jetoi në Rue d’Barque dhe sapo kishte bërë pikturën e një dentisteje të zhveshur në mes të shkretëtirës Gobi. Gertrude Stein tha se ishte një tablo e mirë, por jo e madhe. Unë thashë se mund të ishte një pikturë e mirë. Ne qeshnim për këtë dhe Hemingway më rrahu gojës.

Francis Scott dhe Zelda Fitzgerald u kthyen në shtëpi nga gostia e tyre e çmendur e vigjiljes së Vitit të Ri. Ishte prill. Scotti kishte shkruar vetëm “Pritjet e mëdha”. Gertrude Stein dhe unë e lexuam. Thamë se ishte një libër i mirë, porse nuk kishte nevojë ta shkruante, sepse Charles Dickens veç e kishte shkruar atë. Ne qeshnim për këtë dhe Hemingway më rrahu gojës.

Atë dimër shkuam në Spanjë për të parë Manoletën dhe ai… dukej se ishte tetëmbëdhjetë vjeç. Gertrude Stein tha jo, ai ishte nëntëmbëdhjetë vjeç, por dukej si tetëmbëdhjetë vjeç. Unë thashë se ndonjëherë një djalë tetëmbëdhjetë vjeç do të duket si nëntëmbëdhjetë vjeç, ndërsa herë të tjera një nëntëmbëdhjetë vjeç mund të duket lehtë si tetëmbëdhjetë vjeç. Kjo është mënyra si është një spanjoll i vërtetë. Ne qeshnim për këtë dhe Gertrude Stein më rrahu gojës.

Përktheu: Telegrafi

“Gjergji im” e Beqirajt, poezia më e bukur në “Netët korçare të poezisë”

Me ndarjen e çmimeve për krijimet më të arrira, në qytetin e Korçës kanë përfunduar “Netët Korçare të Poezisë” të cilat nga ky vit e mbajnë emrin e lirikut të njohur korçar Skënder Rusi.

Në qytetin e serenatave, në Korçën e tradites dhe kulturës sivjet u zhvillua edicioni i njezet e katert i Netëve Korçare të Poezisë ‘Skënder Rusi’, aktivitet ky i organizuar nga Biblioteka Publike ‘Thimi Mitko’ në bashkëpunim me Klubin e Shkrimtarëve ‘Bota e Re’ dhe me mbështetjen e Qendrës së Artit dhe Kulturës e Bashkisë  Korçë. Kjo ngjarje e riktheu qytetin në pikë reference për poetët e përzgjedhur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Zvicra, Greqia, Hollanda, Vjena, Turqia dhe SHBA, si: Flutura Açka, Petrit Ruka, Agron Tufa, Entela Kasi,Sadik Bejko, Naime Beqiraj, Ndue Ukaj, Lucilla Trapazo, Iskra Peneva, Sema Guller, George Wallace, Craig Cyurz etj.

Nata e parë u zhvillua në formë spektakli në hollin e Teatrit ‘’Çajupi’’, ku poezitë përshëndetëse të poeteve pjesëmarrës u interpretuan nga aktorët e mirëjohur: Zamira Kita, Helidon Fino, Lulzim Zeqja, Ilda Pepi, Paola Kodra e Lola Meta.

Gjatë tri ditëve sa u zhvillua ky aktivitet, ndër më prestigjiozët në botën letrare shqiptare, u mbajtën edhe shumë ngjarje duke e kthyer Korçën në qendër të artit dhe të kulturës. Edhe këtë vit u zhvillua mbjellja e një peme me ç’rast ishte zgjedhur shkrimtrja dhe botuesja Flutura Açka si e ftuar nderi me mbjelljen e pemës simbolike me emrin e saj në: “Lëndinën e Poeteve”.

Gjithashtu, poetët u njohën me magjinë e arkitekturore  të qytetit, vizituan muze të shumta të qytetit, bënë shëtitje në rrugicat me kalldrëm dhe në Pazarin e Vjetër, ndërkaq mbrëmjet ishin të rezervuara për muzikë serenatash korçare.

Çasti kulmor i festivalit ishte parakalimi i poezisë botërore dhe shqiptare në në Galerinë Permanente të bibliotekës së qytetit. Poetët pjesmarës në përcollën si një fllad lirikash poezitë e tyre para jurisë të drejtuar nga Flutura Açka, Petrit Ruka,  Skënder Rusi, Dhimitraq Orgocka e Blerta Belliu e cilai ndau këto çmime: Çmimin Poezia me e bukur e fitoi poetesha Naime Beqiraj nga Kosova; Çmimin Kurora e poezise e fitoi poeti George Wallace nga SHBA, Çmimin ” Dritero Agolli” iu nda poeteshës Sema Guler nga Turqia; Çmimin “Asdreni” i takoi përkthyesit dhe shkrimtarit Agron Tufa, ndërsa Çmimi Special e fitoi poeti i ri Albi Lushi.

Përse e dua Fejsbukun

Nga Rejçwll Lu

E dua shumë Fejsbukun! Mendoj që është më mirë ta shpreh këtë mendim jo shum popullor tani, përpara se ligjvënësit të nxjerrin një ligj, që nuk mund ta kemi më. CEO i Fejsbukut, Mark Zuckerberg është në bangë të të akuzuarve në këto momente, bashkë me sipërmarrës të tjerë të Silicon Valley. ndërsa ne debatojmë impaktin e krijesave të tyre mbi shoqërinë tonë. Duket se këto kohë, pothuajse çdokush urren mediat sociale, ndërsa disa shkojnë aq larg sa të thonë se duhet ta heqim qafe këtë rrezik, një herë e mirë. Xhosh Holej, senatori republikan nga Misuri shkruante një editorial një javë më parë ku denonconte Fejsbukun dhe Tuiterin si “parazitë, të cilët duhet t’i zhdukim”. Miqtë e mi në Fejsbuk dhe Tuiter duartrokitën.

Si një shtëpiake me pesë fëmijë, më duhet të them se kjo tingëllon goxha e çmendur si ide. E pranoj, sigurisht, që mediat sociale na kanë sjellë disa probleme të reja stresuese. I kanë transformuar disa njerëz të mirë, në të fiksuar që kërkojnë veç vëmendje. Kërcënojnë privatësinë dhe qetësinë tonë. Por nuk mund ta heqim qafe ashtu sa hap e mbyll sytë, njerëzit pashmangshmërisht kërkojnë mënyra të reja për t’u ndërlidhur, si me njerëzit e tyre të dashur, ashtu edhe me botën. Mediat sociale e plotësojnë këtë nevojë të rëndësishme. Nuk duhet ta heqim qafe. Duhet të vazhdojmë të punojmë për ta përmirësuar, me qëllim që brezat e ardhshëm të korrin frutet, me kosto më të ulëta.

Le të fillojmë duke marrë në konsideratë ndikimin e mediave sociale në fuqinë punëtore, gjithnjë e më fluide. Mediat sociale mund të jenë një pasuri e madhe në krijimin e lidhjeve, veçanërisht për numrin gjithnjë në rritje të atyre prej nesh, që përpiqen ta bëjnë atë në ekonominë online, apo që janë de facto të përjashtuar nga pikat më tradicionale të rrjetëzimit.

Ndoshta po tregohem minimaliste, por gjithnjë më duket sikur qortimet e mediave sociale janë veçanërisht të shtuara, në mesin e meshkujve profesionalisht të suksesshëm që kanë kujdestare për fëmijët, apo gratë në shtëpi. Janë ata që mbushin vende ku shtrëngohen duart fort, vende të qytetëruara, dhe që korrin frutet unike të ndërveprimit ballë për ballë. Unë i kuptoj plotësisht! Edhe unë do të preferoja të krijoja lidhjet e mia profesionale në Klubin Kombëtar të Shtypit, në vend që të hidhja disa reshta në Tuiter e veshur me pizhama, Pajtohem plotësisht që rrjetëzimi do të ishte shumë i këndshëm, me një koktej mbi tryezë, apo një pjatë vezësh “Benedikt”. Por për mua, Klubi Kombëtar i Shtypit shtë 1100 milje larg, dhe dalja qoftë edhe për një darkë është gjë e rrallë. Unë e kam ndërtuar karrierën time të të shkruarit nga dhoma e gjumit në Minesota, duke i dhënë dorën e fundit artikujve, teksa bebet flinin në prehërin tim, ndërsa vogëlushët luanin tek këmbët e mia. Në fillim, nuk kisha lidhje gazetareske. Si do të kish qenë e mundur gjithë kjo, pa mediat sociale? Ka një përgjigje të shkurtër: Nuk do të ishte e mundur.

Sot lexoj shpesh se mediat sociale dëmtojnë demokracinë. Mund të jetë e vërtetë në disa drejtime, por ato gjithashtu e forcojnë demokracinë duke mundësuar një numër gjithnjë e më të madh njerëzish që të gjejnë pika qasjeje në komunitetet profesionale.

Natyrisht, jo të gjithë kanë nevojë për mediat sociale që të zhvillohen profesionalisht. Për shumë prej nesh, është kryesisht një vend për t’u shoqëruar. Është kënaqësi, por është më shumë sesa thjesht zbavitje. Mediat sociale ndihmojnë për të shmangur efektet më të zymta të vetmisë dhe izolimit. Këto janë probleme serioze në shoqërinë tonë, gjë që mund të shpjegojë pse Fejsbuku ka më shumë se 2 miliard përdorues në botë sot.

Megjithatë, kritikët argumentojnë se mediat sociale nuk janë në të vërtetë një zgjidhje për vetminë; kjo është në fakt pjesë e problemit. Miqësitë virtuale, thonë ata, janë gërryese për jetën e shëndoshë të komunitetit, pasi janë marrëdhënie që mund të thyhen po aq lehtë sa formohen. Kur një mik në internet bëhet i mërzitshëm ose i ngjitur, ka një shpërthim nervor, ose adopton pikëpamje të dëmshme politike, ne gjithmonë mund ta bllokojmë atë person. Nuk kemi ç’bëjmë, duhet të jemi më të duruar me të afërmit, bashkëpunëtorët ose fqinjët e tjerë. Kjo mund të jetë stresuese pak, por është gjithashtu e mirë, sepse një pjesë e idesë për të patur një komunitet, është që ai të jetë aty për ty, edhe kur nuk ndihesh mirë. Është gjë e keqe nëse ndalojmë së “thyeri bukën” me fqinjët tanë, për shkak se jemi shumë të zënë duke u grindur me të huaj pa fytyrë.

Në këtë teori, Fejsbuku mund të duket si MekDonaldi i shoqërizimit njerëzor. Kur të ka kapur një uri e fortë, një pjatë me patate të skuqura mund të tingëllojnë goxha joshëse. Por, nëse ushqimi i shpejtë shndërrohet në elementin parësor të dietës tënde, mos prit të jesh njeri i shëndetshëm. Marrëdhëniet komplekse njerëzore, ashtu si karbohidratet komplekse, bëjnë shumë më tepër për ne, në terma kohëgjatë.

Por, a i mungojnë vërtetë mediave sociale, zgjedhjet e shëndetshme? Nuk është përvoja ime kjo. Pjesën më të madhe të kohës online e kaloj duke folur me mike të vjetra, motra e vëllezër, apo kushërinj. Më kujtohet një kohë kur flisja me gjyshen time vetëm një herë në vit, kur kisha ditëlindjen. Falë Fejsbukut, tani jam goxha e përditësuar për atë që ndodh në jetën e saj. Jam lidhur me miq të shkollës së mesme dhe kolegjit, dhe jam afruar më shumë me teze, xhaja dhe kushërinj. Ndoshta nuk më bën nder fakti që, më nevojitet ndihma e Mark Zuckerbergut për të qëndruar e lidhur me ata që janë gjaku im. Por, a ju thashë që kam 4 vëllezër e motra, 33 kushërinj, nëntë teze, tetë daja dhe xhaja, pesë mbesa dhe dy nipër, të gjithë të shpërndarë nëpër Amerikë dhe nëpër botë? Kush ka kohë t’u telefonojë të gjithëve? Në këtë situatë, media sociale është dhuratë nga Zoti, sepse na bën të mundur të lidhemi me njerëzit tanë, atëherë kur e kemi më të volitshme. Në këtë mënyrë, kur ritakohemi, nuk ka nevojë të shpërndajmë letra me emra për të treguar se i kujt është ai apo ajo fëmijë.

Eshtë argëtuese të imagjinoj një kohë në të ardhmen, kur mund të mbyll një ditë punë duke hequr laptopin dhe takuar miqtë në muze, në festa, apo në restorante. Do të ishte joshëse, por të bëhemi realistë. Do të ketë gjithmonë njerëz që nuk janë në gjendje të bëjnë këto lloje gjërash, rregullisht. Ne jemi kujdestarë, kemi aftësi të kufizuara, apo ndoshta jetojmë në zona rurale të izoluara. Mund të njohim dhe të pëlqejmë shumë njerëz, por ata janë atje, dhe ne jemi të detyruar të mbetemi këtu. Mund të tërhiqemi në vetminë tonë, ose mund të hyjmë në Fejsbuk. Shumica prej nesh zgjedhin Fejsbukun.

Nuk dua të mohoj problemet e mediave sociale. Mbrojtja e privatësisë është shqetësim i madh, gjë që kohët e fundit po e debatojmë në sheshet publike. Media sociale ka gjithashtu efekte toksike mbi diskursin tonë politik, duke u bërë të mundur adhuruesve të teorive konspirative që të gjejnë njëri-tjetrin. A ka mënyra për të zgjidhur këto probleme, pa u dhënë fuqi të pakufizuar teknokratëve të Silicon Valley-t? Dhe ndërkohë që flasim për këtë, çfarë mund të bëjmë për efektet sakatuese ndonjëherë, që mediat sociale kanë mbi adoleshentët tanë? E qartë pra që kemi një numër problemesh.

Le t’i zgjidhim. Mediat sociale ndonjëherë mund të ngjajnë si një mallkim, por ka një arsye përse shumica prej nesh vazhdojmë t’i përdorim. E duam Fejsbukun sepse na lidh me njerëzit që duam.

Më gjeni një “parazit” tjetër që e bën këtë gjë.

The Week – Bota.al

Ramë Lahaj me performancë mahnitëse në Washington për 20 vjetorin e çlirimit

Tenori Ramë Lahaj mbrëmë ka mbajtur një koncert në Washington për shënimin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Ambasada e Kosovës në SHBA së bashku me Washington Performing Arts organizuan këtë koncert, njofton Klan Kosova.

Ambasadorja Vlora Çitaku performancën e Ramë Lahajt dhe Vasel Shkrelit në lahutë e cilësoi si magjike.

“Ambasada e Kosovës së bashku me Washington Performing Arts shënoi 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës me koncertin e tenorit tonë fantastik duke i dëshmuar audiencës së zgjedhur në DC se talenti nuk njeh kufij. Falënderoj në mënyrë të veçantë zotin Vasel Shkreli i cili na i solli tingujt autokton të lahutës. Mbrëmje fantastike”, shkroi Çitaku në Facebook.

Ndërsa, tenori me famë botërore në një postim në Instagram tha se kështu kremtohen 20 vjetët e paqes dhe çlirimit.

“Duam të falënderojmë SHBA-në që ishte me ne gjatë periudhës më të vështirë.Faleminderit që vepruat dhe ndaluat gjenocidin. Faleminderit që sollët paqe në shtetin tim dhe shpresë për gjeneratat e reja. Faleminderit që ndaluat regjimin brutal të Serbisë që na kushtoi me aq shumë jetë. Përgjithmonë mirënjohës”, shkroi Lahaj.

https://www.instagram.com/p/ByUnXxwFMYL/?utm_source=ig_embed

Romani “Ishte një herë një klandestin”, emigrantin shqiptar e bën kryefjalë të mediave italiane

Një shqiptar emigrant në Itali ka tërhequr vëmendjen e gjithë mediave të këtij vendi, pasi ka shkruar romanin e tij të parë “Ishte një herë një klandestin”.

Eltoj Bida, 41 vjeç ka rrëfyer në gjuhën italiane se çfarë aventurash i janë dashur të kalojë për të ikur nga Shqipëria 25 vite më parë.

“Kur flisja me shokët edhe shoqet e mia edhe se si kam ardhur në Itali, në thoshin të gjithë që duhet që ta shkruaja historinë time. Edhe në fakt ja dola. Libri nis që ditën e parë që u nisa. Ishte viti 1995. Nis me kontrabandierët, që takova për të bërë dokumentet false, por dështova. Kur u ktheva nga Vlora, i thashë tim eti, që nuk kthehem më atje. Nuk kam më të ardhme. Im at më ndihmoi. U nisa me gomone, udhëtimi zgjati katër orë. Në fillim nuk ke frikë fare, por kur je mes të detit mendon, “o kokë, çfarë më bëre”, shikon vetëm ujë, errësirë, edhe një dallgë të vijë dhe do të përfundoje në mes të detit. Në anën matanë na prisnin dy shqiptarë, na kërkuan lekë të tjera edhe më pas na çuan në magazinë”, shprehet Eljton Bida, autori i librit.

Ndonëse, ishte vetëm 17 vjeç kur mori udhën e emigrimit. I kujtohen edhe sot ndryshimet e para, që ka parë në shtetin fqinj.

“Kur isha mbi gomone u bëra pishman. Ndërsa, kur arrita në Itali ndjenja që kisha ishte shumë e madhe, sepse arrita në vendin që kam ëndërruar. Isha shumë i lumtur, aty pashë ndryshimin, pashë në atë kohë se si putheshin në rrugë një burrë e grua, që në Shqipëri kjo nuk ndodhte, plus pashë pastërtinë dhe edukatën. Më pëlqeu menjëherë Italia…”, shton Bida.

Sot Bida është babai i dy fëmijëve. Edhe pse nuk përfundoi dot as gjimnazin në vendin e tij, ai na tregon se flet 6 gjuhë të huaja. Prandaj nuk resht së thëni, se në asnjë vend të botës nuk ta mbyllë askush derën nëse ke dëshirë, që të punosh për të realizuar ëndrrat e tua.

“Në fillim Për disa vite kam punuar në ndërtim. Për 13 vjet punova si recepsionist në hotel. Në ditët e pushimit shkruaja librin. Derisa ja arrita qëllimit, që tani të shkruaj tërë ditën. (qesh) Unë them se nëse një emigrant lexon këtë libër, nga ajo që dëshmon, se “nëse sillesh mirë edhe të ke dëshirën për punë, mund të arrish të jesh një emigrant, që bën një jetë të lumtur”. Unë këtë e tregoj se çfarë ndodh, muaj pas muaj. Ëndrra ime është që emigrantët duke lexuar këtë libër, të mësojnë edhe si si mund të arrijnë të realizojnë një ëndërr…”, shprehet ai/dita.

“Të thyer” i Edmond Budinës më i miri në festivalin e filmit në Itali

Regjisori Edmond Budina është vlerësuar me filmin e tij “Broken” me dy çmime në Festivalin e Filmit të Gardës në Itali.

Në këtë konkurrim filmi “Broken” (Të thyer) u shpall më i miri, por mori dhe vlerësimin e jurisë së kritikëve. Producentja Adele Budina shprehet se ndihet krenare për këtë vlerësim të filmit.

“Dy fitore të tjera për “Broken” filmi i fundit i Edmond Budinës, i prodhuar nga mua, i cili jo vetëm fiton konkursin zyrtar të Festivalit të Filmit të Gardës si film më i mirë, por gjithashtu fitoi edhe çmimin e jurisë së kritikëve të kinematografisë ndërkombëtare”, shprehet Adele Budina.

Në 2018 filmi “Broken” (Të thyer) me skenar dhe regji nga Edmond Budina u shpall fitues i festivalit të 72 të Salernos në Itali. Me skenar dhe regji nga Edmond Budina në role janë aktorët Laert Vasili, Nikolla Llambro, Gladiola Harizaj, Sotiraq Bratko, Zamira Kita, etj.

Filmi vjen si një bashkëprodhim shqiptaro-italian-bullgaro-maqedonas dhe është xhiruar në Shqipëri, Itali dhe Maqedoni. Një politikan i ri i inkriminuar, që për karrierë ka shitur gjithçka vjen i interpretuar nga aktori i njohur Laert Vasili.

Filmi u xhirua në 2015 dhe siç ka pohuar dhe më herët regjisori ka punuar disa vite për këtë projekt filmi. Skenarist, regjisor, por në filmin “Të thyer” Edmond Budina vjen dhe me një rol, ku interpreton personazhin e babait, i cili kalon një pjesë të madhe të jetës në burg. Projekti më i fundit i regjisorit të njohur, ka në vëmendje realitetin shqiptar dhe problemet e tij.

Më herët ai është shprehur se është një film ku mund ta gjejnë veten shqiptarët, ku trajtohet ndotja e ambientit, korrupsioni, raporti prind-fëmijë. /atsh

Portretet e 99 grave do të vendosen në Newborn

Gjatë gjithë historisë, tregimet dhe përvojat e grave anembanë globit janë shtypur në mënyrë aktive si rezultat i turpit, stigmës dhe frikës të kultivuar nga strukturat patriarkale nën të cilat pabarazitë gjinore vazhdojnë.

20 vjet pas përfundimit të luftës, gratë në Kosovë po rivendosin rrëfimet e tyre si lidere, inovatore, edukatore, atlete, artiste, aktiviste e tregimtare.

Rimarrje‘ është një seri interaktive portretesh, që feston forcën, këmbënguljen dhe kontributin e grave nga gjenerata dhe etni të ndryshme, duke punuar në sektorë të ndryshëm për drejtësi, barazi dhe për të vërtetën.

Instalacioni që të shfaqë portretet e 99 grave do të vendoset në Newborn nga data 7 qershor deri më 14 qershor. Vizitorët me telefona të mençur inkurajohen të shkarkojnë aplikacionin ‘HP Reveal’ nga shitorja e aplikacioneve para se të vizitojnë, pasi që disa prej portreteve do të përmbajnë elemente audio dhe video të skanueshme.

Një demonstrim i aplikacionit do të bëhët në kohën e inaugurimit më 7 qershor në orën 10:00, dhe udhëzimet e mëtejshme do të jenë në dispozicion afër instalacionit. / KultPlus.com

Nesër në Klinë fillon festivali “I këndojmë lirisë”

Festivali do zgjasë tre ditë Nesër (e enjte), në Klinë nis festivali folklorik mbarëkombëtar “I këndojmë lirisë”, që mbahet më 6, 7 dhe 8 qershor.

Sivjet është edicioni 19-të me radhë i festivalit dhe nis në Çabiq, në vendlindjen e Mujë Krasniqit – Kapuçit, njërit nga komandantët më të shquar të UÇK-së. Në hapjen solemne të festivalit para Kullës muze, më këngë e valle do të paraqitën grupe artistësh rapsodë e instrumentistë nga Kosova dhe Shqipëria. Po ashtu sivjet bëhet edhe inaugurimi i oborrit të Kullës muze, investim i komunës së Klinës.

Është bërë shtruarja me rrasa gurësh dhe shkallët në marrë formë të një amfiteatri. Ndërkaq, e para që do të paraqitet në skenë është AKV “Jehona e Dukagjinit” nga Klina. Pastaj do të paraqitën edhe grupe e shoqëri artistike e rapsodë. Në Çabiq do të shtrohet edhe sofra tradicionale e këtij fshati, ku në nderim të festivalit dhe të bashkëfshatarit e komandant Mujës do ta shtrojnë sofrën tradicionale me ushqimet tradicionale.

Ndërkaq, në qytetin e Klinës, gjatë ditës do të zhvillohen edhe aktivitete të tjera. Në Sheshin Mujë Krasniqi do të bëhet parakalimi i shoqërive dhe grupeve artistike, ku do të hedhet vallja dhe do të këndohet për Mujën dhe trima të tjerë të UÇK-së. E veçanta e festivalit të sivjetmë është se ai do të mbahet në Sheshin “Mujë Krasniqi”, para shtatores së heroit të kombit, ku është ngritur edhe bina e posaçme për këtë manifestim folklorik mbarëkombëtar. Mbrëmja e parë konkurruese do të fillojë në mbrëmje konkurruese, ku në skenë do të paraqitën shoqëria artistike, ansamble e rapsodë nga Hani i Elezit, Burimi, Gjakova, Shkodra, Lushnja, Deçani, Tropoja, Zvicra, Turqia, e të tjerë.

Edhe në dy netët të tjera do të vazhdoi konkurrimi. Në përmbyllje të festivalit ndahen edhe çmimet kryesore të festivalit. Çmimi kryesor është ai i Mujë Krasniqi, vendi i dytë, vendi i tretë, teksti më i mirë i këngës, interpretuesi më i mirë, çmimi i publikut, vallja më e mirë, instrumentisti më i mirë, veterani i festivalit, veshja më autentike, e të tjerë. Drejtori i festivalit, Alban Gashi, ka thënë se, i kanë bërë përgatitjet e duhur për mbajtjen me sukses të këtij festivali.

“Këtë vit jemi përpjekur që të sjellim risi në festival, sepse është me karakter ndërkombëtar e mbahet në datëlindjen njërit nga figurat më të ndritshme të UÇK-së, i cili njëkohësisht ishte edhe rapsod i njohur. Në festivalin e sivjetmë do të marrin pjesë artistë, rapsodë e valltarë nga të gjitha trojet shqiptare”, u shpreh Gashi.

“Edhe sivjet kemi pjesëmarrës te të gjitha trojeve shqiptare, ku në skenë do të ngjiten për tri ditë rresht këngëtarë, valltarë e instrumentistë për të shpalosur vlera, e tradita kombëtare. Pjesëmarrja është masovike, do të jenë rreth 700 pjesëmarrës”, ka thënë drejtori i Festivalit Alban Gashi.

Sokol Krasniqi, bashkëfshatar dhe bashkëluftëtar i Mujës ka pohuar ndihen krenar që festivali nis nga Çabiqi dhe identifikohet me komandant Kapuçin. Ndërkaq, drejtori Komunal i Kulturës në Klinë, Skënder Merturi, ka treguar se komuna sivjet e ka mbështetur festivalin financiarisht si dhe ka angazhuar një staf komunal për mbarëvajtjen e festivalit. Ai ka theksuar se është bërë planifikimi i pritjes, përcjelljes dhe akomodimit të mysafirëve. Ndërkaq, Daut Gashi, në emër të drejtorisë Artistike ka theksuar se kanë bërë përzgjedhjen me kohë, të grupeve, ansambleve, rapsodëve nga e gjithë gjeografia shqiptare, për të sjellë në skenë vlerat e mirëfillta të folklorit tone burimor.

Hapjen solemne të festivalit në Çabiq, sivjet do ta bëj Ansambli I Këngëve dhe Valleve “Jehona e Dukagjinit” nga Klina, që është themeluar kohë më pare. Në Çabiq do të paraqiten edhe grupe të tjera muzikore, instrumentistë e rapsodë të tjerë. Festivali Folklorik mbarëkombëtar “I këndojmë lirisë”, mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Klinës, prof. dr. Zenun Elezajt. Sponsor medial është RTK-ja, kurse zëdhënës i festivalit është Enver Maloku.

Edhe sivjet vlerësimin do ta bëjë juria profesionale prej tre anëtarësh, profesionistë nga të gjitha fushat, të folklorit, koreografisë, valleve, instrumenteve e të tjera. Ndërkaq, gjatë mbajtjes së festivalit folklorik, “I këndojmë lirisë”, botohet edhe revista periodike, “Lyra”, e cila përfshinë të gjitha aktivitetet që zhvillohen në kuadër të festivalit, duke përfshirë edhe kronikat e të tri netëve të festivalit.



Hamami i Prizrenit, historia dhe monumenti që nuk duhet mbyllur me çelës

Arbër Selmani

Po shkove në Prizren, duhet ta vizitosh patjetër Hamamin e Prizrenit. Edhe po nuk e pate plan, nisu.

Kjo vetëm nëse ke fat që Hamamin ta gjesh me dyert hapur, ose nëse ke mundësi të marrësh çelësat prej personave të cilët i posedojnë. Në të kundërtën, udhëtimi në Prizren do të bëhet pa një vizitë në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës, një monument i bukur nga brenda e jashtë që meriton më shumë vëmendje.

Hamami i Gazi Mehmed Pashës gjendet në qendër të qytetit në Prizren, pranë Xhamisë së Kukli-Mehmed Beut dhe Xhamisë së Emin Pashës. Është ndërtuar në vitin 1563-74, nga Gazi Mehmed Pasha, Sanxhakbej i Shkodrës më 1573-74.

Në portën kryesore është vendosur pllaka me mbishkrimin (1833) – e cila tregon datën e restaurimit të Hamamit nga ana e vëllezërve Tahir dhe Mehmed Pashë Rrotulli. [i]

Burimi: QRTK Prizren

Ta lëmë retrospektivën, që t’i kthehemi më vonë.

I afrohesh afër këtij Hamami, i sillesh përreth, është i bukur dhe estetikisht të relakson. Ndoshta të bëhet e pamundur hyrja në oborrin e Hamamit, e më pas edhe në brendësi, dhe kjo të bën të ndihesh keq. Është e tmerrshme se si ky Hamam sot nuk gjen një përdorim dhe destinim të ditëpërditshëm. Unë shkoj vet dhe nuk mund të hyj brenda, njëjtë sikur edhe ndonjë turist i rastësishëm në Prizren që dëshiron ta përjetojë emocionin e brendësisë së Hamamit. Shumë prej nesh dëshirojnë të kuptojnë se çfarë është Hamami, cili është sot Hamami dhe si u lanë e pastruan dikur meshkujt e femrat brenda kësaj ‘saune’ të kohës, një banjo publike ku njerëzit relaksoheshin, pinin, djersiteshin, shkëmbenin buzëqeshje, lodheshin pas punës e para saj.

Edi Gashi, një djalë i ri që ka jetuar pjesën më të madhe të jetës së tij në Prizren, ka një lidhje të veçantë me objektin që nuk i ikë syrit të atij a asaj që e viziton Prizrenin.

“Si fëmijë gjithmonë e kam pasë andërr me hy brenda edhe me eksploru çka fshehë ai objekt i madh e misterioz në mes të qytetit, po fatkeqësisht nuk ka qenë i qasshëm ose të paktën nuk ka pasë ngjarje në të cilat unë mund të merrja pjesë si fëmijë. E tash, në këtë moshë duke qenë i vetëdijshëm për vlerat historike e kulturore që i ka Hamami i Prizrenit, dhe faktin që organizimet e vetme që ndodhin në të janë ato kulturore, ai gjithmonë më asocion me artin, me diçka të re e të bukur” tregon Edi.

Hamami i Prizrenit është i llojit “çifte hamam” që është përdorur nga të dy gjinitë në të njëjtën kohë.

Burimi: Amir Emini / Facebook

Pjesa e hamamit për meshkuj është pak më e madhe se pjesa tjetër për femra. Hamami ka të gjitha hapësirat që kanë hamamet e këtij lloji, pra përbëhet prej pjesës hyrëse; pjesa për pritje si dhe për pije, pjesës së garderobës, pjesës qendrore ku bëhej larja, djersitja, dëfrimi si dhe pjesës së kaldatores që gjendet në pjesën jugore të objektit. Hamami është ndërtuar nga gurë të ndryshëm në kombinim me tulla, sipas të dhënave të Databazës së Trashëgimisë Kulturore të Kosovës e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Kosovës.

****

Ramadani, një burrë rreth të 70-tave, i sillet përreth Hamamit të Prizrenit derisa nuk e di as vetë me siguri se çfarë mendon kur e sheh këtë objekt, në një të shtune prizrenase.

“E mbaj mend shumë moti, dikur ka qenë ma i hapun se tash. Viteve të fundit jam plakë dhe nuk sillem fort larg shtëpisë. E kam shtëpinë afër Hamamit, as 5 minuta larg. Vij këtu, qef kom me u ulë dikah me pushu, oborrin e kanë të mirë. Po çka ndodhë mrena, a jashtë, kurrë se di” tregon Ramadani.

Hamamet gjatë Perandorisë Osmane kanë luajtur një rol të rëndësishëm.

Në aspektin arkitektonik, ka qenë si pjesë e pandashme e zonës urbane. Gjithmonë gjatë konstruktimit të një qyteti në Perandorinë Osmane, hamami ka qenë një prej objekteve kryesore të bërthamës së qytetit, duke përfshirë xhaminë, shkolla- mejtepin, medresenë, bibliotekën, imaretin-kuzhinën popullore, hanin-bujtinën, shatërvanin, dyqanet, pazarin e spitalin.

Kështu na tregon Valon Shkodra, hulumtues i pavarur shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Valoni tregon se gjatë pastrimit në Hamam dhe Hamamxhik, për mbathje i kanë përdorur nallanet të cilat kanë qenë të punuara nga druri me zbukurime të sedefit që është i ardhur nga vendet e tjera. Nallanet kanë qenë të dekoruara edhe me filigran. Dekorime të këtilla kanë treguar për statusin social të kohës, sidomos te gjinia femërore.

“Hamami apo banjoja osmane ka zënë një vend të veçantë në jetën shoqërore, ka pasur rolin e higjienës dhe pastërtisë në jetën e përditshme të  qytetarëve – kjo është lidhë edhe me fenë islame ku pastërtia është primare. Ka qenë i hapur çdo ditë, ka pasur mbikëqyrje të punonjësve, larja e trupit është bërë me sapun, hyrja ka qenë me pagesë. Edhe sot kujtohen disa fjalë që lidhen me hamamin si p.sh ‘’nuk nxehet hamami me fjalë po me pare’’, ‘’e paske ba dhomën nxet si hamam me kon’’, ‘’shko në ham’’ e të tjera” thotë Valon Shkodra.

Sot, muret e Hamamit të Prizrenit të bukur kanë një trashësi rreth 90 cm, të suvatuara nga ana e brendshme.

Pullazi i objektit ka dy kupola të ndërtuara mbi tambure, në pjesën e ftohtë (pritja) dhe nëntë kupola të vogla që janë mbi pjesën e ngrohtë të Hamamit. Deri në vitet 1964 Hamami ka qenë i rrethuar me lokale me ç’rast bëhet rrënimi i lokaleve dhe fillojnë punët restauruese-konservuese.

E prej vitit 2000, Hamami hapet vetëm për ngjarje të ndryshme kulturore dhe artistike, me pjesën tjetër të kohës i mbyllur në tërësi. Kjo po i pengon jo vetëm një pale, por goxha disa të tillave.

Florina Jerliu, profesoreshë e arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, tregon se Hamami i Prizrenit njëjtë sikur edhe Hamamet tjera në Kosovë – mendohet të jenë gjashtë të tilla, nuk e ka ruajtur destinimin praprak por as nuk ka gjetur një destinim tjetër.

“Gjeneratat e reja sot por edhe gjeneratat e mesme nuk e kanë idenë se si ka funskionuar Hamami dhe çka ka ndodhur aty. Krejt çka dimë është se kush e ka ndërtuar dhe kur është ndërtuar, plus ndërhyrjet dhe renovimet që kanë ndodhur. E mos të harrojmë që këto Hamame janë copëza të rëndësishme të kujtesës, derisa ne po përpiqemi me e kriju një narrativ i cili është përçundu dhe tjetërsu në shumicën e rasteve në kohën e komunizmit” tregon Jerliu, e cila edhe ka marrë çmim për veprën e saj shkencore “Trashëgiimia kulturore e Kosovës – konceptet dhe kontekstet e mbrojtjes”.

“Nuk është mbrojtje nëse një objekt futet në çelës, dhe shembulli më i mirë ilustrues për këtë është Hamami i Prizrenit. Është mbrojtje e një objekti kur nuk e ke vdekur, kur është trashëgimi që jeton, dhe Hamami ka qenë i tillë. Duhet ta kuptojmë se sa më rrallë ndodhin ngjarje aty, aq më rrallë edhe njerëzit do të shkojnë te Hamami, sepse asgjë më nuk i dërgon deri atje. Sot njerëzit shkojnë në Turqi ta përcjetojnë Hamamin si tërësi, kur diçka e tillë do të mund të bëhej edhe këtu” tregon Florina Jerliu.

****

Ja çka na tregon Nora Arapi.

Ekziston një tregim (legjendë) që lidhet me ndërtimin e Hamamit si rrjedhojë e një “bisede” mes Gazi Mehmed Pashës dhe një punëtori, gjatë ndërtimit të xhamisë së vet. Për shkak të “pa pastërtisë” (xhunub) të këtij punëtori që ka refuzuar të punojë në ndërtimin e xhamisë, Mehmed Pasha i ndërprenë punimet e xhamisë dhe urdhëron ndërtimin e hamamit.

Fotografi nga Arbër Selmani / Prizren, maj 2019

‘Duke qenë i vendosur në qendër të qytetit, në një pozicion të volitshëm, Hamami është njëra prej pikave referente për vizitorët e Prizrenit, qoftë për turistë të zakonshëm por edhe për studentë dhe studiues që e vizitojnë Prizrenin. Hamami padyshim e begaton mozaikun e monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe e bën më të dëshirueshëm dhe të larmishëm qytetin e Prizrenit për turistët” tregon Nora Arapi – arkitekte konservatore në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.

“Secila përvojë e imja në hapësirën e Hamamit ka qenë e ndryshme dhe më e bukur se tjetra. Aty janë ekspozuar vepra prej ma të ndryshmeve të artistëve vendorë e botërorë, evente të karaktereve të ndryshme, kanë qenë momente në të cilat jam ballafaqu me krijimin dhe të bukurën. Secilën herë kam dalë prej aty i mahnitun e me ndjesi të çudtishme të bukura”, në anën tjetër thotë Edi Gashi.

Në këtë Hamam ndër vite kanë ndodhur plot ngjarje të cilat megjithatë e kanë sjellë në jetë Hamamin dhe mishërimin brenda tij.

Fotografi nga Arbër Selmani / Prizren, maj 2019

Në dhjetor të vitit 2017-të, Kori “Nexhmije Pagarusha” vallëzoi bashkë me fëmijët me Sindromin Daun në këtë monument. Festivali DokuFest, një tjetër arsye për të udhëtuar drejt Prizrenit veror, gati çdo vit mbanë ngjarje dhe debate të ndryshme brenda hapësirave të këtij Hamami. Në vitin 2018-të, artisti Arbnor Morina brenda Hamamit hapi ekspozitën e tij personale e cila pati edhe vizita nga grupe të ndryshme prej Gjermanisë, Ukrainës, Irlandës, Bosnjës, Serbisë, Malit të Zi e Maqedonisë.

Katër vajzat e kolektivit artistik HAVEIT, në gusht të vitit 2017-të performuan brenda Hamamit në kuadër të edicionit të parë të Autostrada Biennale.

Pra janë 1 mijë e 1 arsye që ky Hamam të mos mbyllet, të mbetet i hapur, meqë renditet si një prej atraksioneve kryesore turistike në Kosovë.

“Ky hamam dikur ka qenë shumë i njohur së bashku me hamamin e Shkupit dhe të Sarajevës” tregon Valon Shkodra.

****

“Hamami ka pasur shumë dimensione, përpos atij utilitar, ka pasur edhe dimensionin fantastik publik. Hamami ka qenë hapësirë publike – si qendër kulturore dhe e vetmja mënyrë e largimit prej përditshmërisë, madje edhe për gratë të cilat nuk kanë dalë në kafe në çarshi, por janë socializuar në Hamam. Aty ka qenë vendi ku ti del dhe relaksohesh, një hapësirë sociale jashtëzakonisht e rastësishme, ekuivalente madje edhe me klubet e lordëve të Londrës. Sot në Kosovë ti ke dyqane të vogla për estetikë  por nuk e ke asnjë hapësirë të tipit të Hamamit, edhepse e ke infrastrukturën për një shërbim të tillë. Së paku kishte qenë mirë sot me e përjetu ceremoninë e Hamamit të vërtetë” na shpjegon Florina Jerliu.

Veron Tara, arkitekt i cili merret me restaurime të trashëgimisë kulturore ndërtimore, anëtar i Këshillit të Trashëgimisë Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit dhe qershia mbi tortë – qytetar i Prizrenit, tregon se është në shpirtin e gjithsecilit në Prizren që ky Hamam të jetë më i hapur, më i qasshëm. Me Veronin duam të futemi brenda në Hamam, po në një të shtunë kjo nuk na lejohet. Megjithatë flasim pa e përjetuar në mishin tonë, Hamamin.

“Ende nuk e ka marrë statusin si muze, sepse në këtë rast do të duheshin zyre, administratë, banjo. Nëse e bon Muze, duhesh me ditë çka me ekspozu. Në këtë Hamam duhen me qenë dy persona që e mbajnë hapur çdo ditë, sepse Hamami është kudo nëpër broshura dhe turistët zhgënjehen kur vijnë këtu dhe nuk mund të futen në Hamam. Është njëjtë si me shku në Kullën e Ajfellit dhe me e gjetë të mbyllur” na shpjegon Veroni.

Veroni propozon që kjo hapësirë të kthehet në një librari, në një muze, më bibliotekë, në një Institut, në një vend që ka funksion, ashtu siç ka ndodhur me ridestinimin e shumë hapësirave simotra të kësaj nëpër botë. Një kafe për turistët, në oborrin e Hamamit, në një kënd diku afër do të ishte ide e mirë poashtu.

***

Duke lënë anash rëndësinë e këtij objekti, në pjesën e punimeve e restaurimeve brenda tij ekziston një dramë.

Projekti i restaurimit të Hamamit është hartuar nga ekipi i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ku kanë qenë të përfshirë edhe ekspertë ndërkombëtarë të fushës së tipologjisë së ndërtimeve publike nga Periudha Osmane.

Ky projekt ka filluar të implementohet në disa faza, ku fillimisht me financim të UNESCO-s zyra regjionale për Ballkan, janë kryer ndërhyrjet restauruese në pjesën e kupolave dhe kulmit. Gjatë kësaj fazë është bërë edhe rindërtimi i disa kupolave, të cilët kanë qenë në gjendje shumë të keqe fizike. Dhe këto kupola janë suvatuar nga jashtë, me rekomandim të ekspertit ndërkombëtar të kyçur në projekt, me materiale kompatibile me teknikën tradicionale të ndërtimit.

Më pas ndërhyrjet restauruese në muret e jashtme dhe vendosja e xhamave në kupola është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Këto na i tregon Nora Arapi.

Valon Xhabali nga Ec Ma Ndryshe thotë se institucionet përgjegjëse qendrore e lokale duhet ta vendosin në prioritet finalizimin e punimeve.

Burimi: QRTK Prizren

“Në vitin 2015 është hartuar plani i menaxhimit për Hamamin mirëpo prej asaj kohe nuk ka filluar së zbatuari prandaj duke pasur parasysh që ka kaluar një kohë e gjatë mendojmë qe duhet të rishikohet/rishkruhet (nëse ka nevojë) ky plan dhe të fillojë së zbatuari sepse duke zbatuar planin e menaxhimit edhe monumenti / Hamami i Gazi Mehmed Pashës në Prizren funksionalizohet në mënyren e duhur” thotë Xhabali.

“Në këtë periudhë mund të themi që Hamami është në gjendje të mirë, ku rreziku nga dëmtimet atmosferike është mënjanuar. Edhe në aspektin statik, muret, kupolat dhe kulmi janë rehabilituar dhe janë të qëndrueshme. Për të përfunduar punimet, nëvojitet të implementohen edhe ndërhyrjet në enterier dhe oborr të ndërtesës. Finalizimi i punimeve, me mjetet që do të ndahen nga MKRS, do të mundëson funksionalizim e plotë të këtij monumenti” thotë Nora Arapi nga QRTK Prizren.

Nuk guxohet as të mendohet se drama e restaurimeve dhe vonesave mund të ketë një episod tjetër të papritur.

“Nëse prishet Hamami, njerëzit kanë me u ndi keq sepse është pikë reference – ku je? Jam te Hamami. Kisha e xhamia ke me bollëk kudo, por Hamamet janë më të rralla sepse janë ndërtu në qytete në tranzicion dhe qytete si pika qëndrore, e Prizreni dihet që ka qenë i tillë. Për mua, po të prishet Hamami shktarrëohet një kulturë e tërë” përfundon Veron Tara.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në anën tjetër, para pak ditësh ka nënshkruar 10 memorandume me Komunën e Prizrenit, në vlerë totale prej 3 milion e 670 mijë euro.[ii] Në mesin e projekteve kulturore ku do të invesohet nuk figuron një ndihmë për këtë Hamam.

Deri në hapin tjetër institucional, na mbetet të eksplorojmë historinë e të kujtojmë se si janë pastruar e larë njerëzit në të gjithë këto Hamame, prej atij në Prishtinë e deri te ky në Prizren.[iii] Ndoshta do të na duhet më shumë pastrim edhe neve sot, njerëzve të këtij shekulli, për qetësinë dhe bardhësinë e trupave e shpirtrave njerëzorë, edhe jashtë Hamameve.

(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit Arbër Selmani dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it ose AGK-së ). 


[i] https://dtk.rks-gov.net/tkk_objekti.aspx?id=1571

[ii] https://www.mkrs-ks.org/?page=1,6,2063#.XPYyH8gzbIU

[iii] https://www.kultplus.com/trashegimia/kur-kishte-kenaqesi-e-lahej-ne-hamamin-e-madh-te-prishtines-foto/

Serbët me fushatë, shkruajnë ‘Kosova është Serbi’ në kartmonedha

Sarandë B. Rugova

Ka filluar sot në Serbi një fushatë që prapë ‘ngacmon’ Kosovën.

“Kosovo je Srbija”- Kosova është Serbi, është fushata që po i bën serbët të shkruajnë këtë shprehje në bankënotat 5 euro apo edhe 1 dollar.

Sipas një video e cila është duke qarkulluar në rrjetet sociale bëhet thirrje që kjo kampanjë të mbështetet dhe kështu serbët do të fitojnë ‘me penë dhe jo me armë’.

Ua sjellim tekstin e plotë të videos më poshtë:

“Të nderuar miq, e fillojmë aksionin më të madh deri tash me slloganin “Kosova është Serbi”. Në bankënotat 5 euro dhe 1 dollar, shkruani “Kosova është Serbi”, bëni një selfie me ato para, vendosni hashtagun #KosovaështëSerbi, bëni tag tavernën Pavle Korcagin, shkruani vendndodhjen dhe ndoshta pikërisht kamarieri juaj në Washington, Paris ose në Berlin ua kthen kusurin me po atë para. Fitojmë për herë të parë me penë dhe jo me armë. NUK KA DORËZIM!”

Kjo kampanjë ka për qëllim që në gjithë botën të kthehet vemendja te Kosova dhe Serbia. Në Instagram, Twitter dhe rrjete tjera sociale është duke u zhvilluar kjo kampanjë me një ritëm të lartë ku serbët nga e gjithë bota janë duke postuar fotografi me para me moton përkatëse.

Të tillë përkrahje ka pasur edhe në 500 lekë të Shqipërisë ku fotoja është dërguar nga qyteti i Prizrenit, shkruan KultPlus.

https://www.instagram.com/p/ByQ036tpm5f/?utm_source=ig_web_copy_link
https://www.instagram.com/p/ByLWBExJpzl/?utm_source=ig_embed

Në përkrahje ka dalë edhe shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq i cili ka postuar fotografinë dhe në mbishkrimin e fotos ka potencuar “Kosova është Serbi”.

https://www.instagram.com/p/ByQ1QZUoSQc/?utm_source=ig_embed

Ky është provokimi i radhës nga ana e serbëve, ata nuk mund të pajtohen me faktin se Kosova më nuk është pjesë e Serbisë dhe përmes kësaj inicitave tentojnë ti japin mesazh të rrejshëm botës se Kosova duhet të jetë pjesë e territorit të Serbisë, njëherë me dhunë e tani me parrulla. / KultPlus.com

https://twitter.com/nebojsatepavac/status/1135895259743961088

‘Autostrada Biennale’ publikon emrat e artistëve pjesëmarrës

Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor “Autostrada Biennale” me kënaqësi publikon emrat e artistëve të përzgjedhur nga kuratori, Giacinto Di Pietrantonio.

Nga Giacinto Di Pietrantonio, kurator i edicionit të dytë të Autostrada Biennale:

Është e natyrshme që duke jetuar në një botë ku jeta virtuale është shndërruar në diçka vendimtare për ekzistencën tonë, në momentin që na shfaqet një ide në kokë, hapi i pare është të hymë në internet dhe të kërkojmë në Google për lajme apo referime që mbështesin idenë tone. Nëse kërkojmë në Google “La Rivoluzione siamo noi” për 0,47 sekonda na shfaqen 27.700.000 rezultate, pra një gjë enorme. Sido qo të jetë, për të gjithë ata që merren me art, është shumë inkurajuese të shihet se rezultati i pare që del është vepra e Joseph Beuys-it, e vitit 1971, me titullin “La Rivoluzione Siamo Noi”.

Titulli nuk është përkthyer sepse Beuys e emërtoi veprën në italisht, në kohën kur e mendoj dhe punoj veprën në Itali, një gjë të madhe e të shumëfishtë në letër, një lloj posteri, i prodhuar nga agjencia “Modern Art Agency” në Napoli. Bëhet fjalë për një printim të ngjyrave me dimensione 185X106 cm, i botuar në 180 ekzemplarë, në të cilin shfaqet Beuys, duke ecur drejt nesh me kapelë tirku në kokë, këmishë të bardhë, jelek peshkatarësh, xhinse, çizme dhe çantën në supe.

Kjo është një nga veprat e artit bashkëkohor të cilën e parapëlqej për shumë arsye, si ato formale, gjithashtu edhe për nga përmbajtja. Është vepra të cilën do ta merrja po të mbetja në një ishull të vetmuar. Pra, është një vepër të cilën e mbaj gjithmonë me vete, e cila më shoqëron që kur mësova për të. Pastaj, disa vite më parë, ia dola që të siguroj një ekzemplar, të cilin e instalova në hyrje të shtëpisë sime. Dhe në fakt, kushdo që më viziton në shtëpi është i mirësepritur, si nga unë, po ashtu edhe nga Joseph Beuys, i cili ecë pas meje drejt mysafirit, dhe për një moment, unë, dhe mysafiri apo mysafirët bëhemi “Revolucioni Jemi Ne”.

Është evidente se sot, por edhe që disa dekada, termi revolucion tingëllon si i dyshimtë. Kjo për shkak të dështimeve të narativave të mëdha, që nga Iluminizmi e më vonë e kanë mbajtur botën me premtime revolucionare, qoftë të së djathtës, qoftë të majtës, e që kanë prodhuar dramat e shekullit të njëzet të cilat të gjithë i dijmë shumë mire. Dhe për shkak të këtyre dramave, në fund të shekullit të gjithë nxituan ta varrosin fjalën revolucion, por me të cilën gjithashtu varrosën utopiat dhe shpresat për të ardhmen.

Anatoly Osmolowski

Megjithatë, ‘La Rivoluzione Siamo Noi’ më bën të mendoj jo aq shumë për revolucione politike, por ato personale, dhe në rastin e artit, për ato gjuhësore. Arti, edhe kur nuk duket i tillë, është gjithmonë bartës i risive, i hapjes, i ndryshimit dhe mbi të gjitha, i lirisë. Kurrë nuk e kam menduar artin si një fakt estetik apo kënaqësi soditëse, por një shprehje e dendur njerëzore e etikës dhe e estetikës. Por para së gjithash e shoh artin si një shërbim estetik ndaj etikës, siç na sugjeron Walter Beniamin, dhe në të cilin rast vepra ka diçka të përbashkët edhe me veprën ‘’Udhëtari në Detin e Mjegullës’’, të vitit 1818, nga Caspar David Friedrich.

Është e njohur se Benjamini flet për veprën “Angelus Novus” të vitit 1920, të Paul Klee, duke i dhënë kuptimin e një engjëlli historik, me trupin drejt së ardhmës, përderisa fytyrën dhe shikimin e ka të kthyera nga e kaluara, apo me fjalë tjera ndërmjet të vjetrës dhe të resë. Ndërsa Friderich, në veprën e tij ‘’Udhëtari në Detin e Mjegullës’’, pikturon një figurë të vetmuar të njeriut dhe të artistit romantik udhëtar, i cili ndalet dhe vëzhgon nga lart një hapësirë të madhe mjegulle me shpinë të kthyer nga ne. Është vetmia romantike e njeriut përballë madhështisë së natyrës, të cilën Beuys e riprodhon në veprën fotografike “Mbrojtjes së Natyrës (klaviçembal)”, me dimensione 99,5 x 67 cm të vitit 1981, saktësisht dhjetë vite pas “Revolucioni Jemi Ne”.

Adrian Paci

Këtu gjejmë shumë prej çështjeve urgjente të shoqërisë bashkëkohore si marrëdhënia me shoqërinë, historinë, natyrën, dhe qenien tonë në botë, por jo në mënyrë passive-didaktike, por aktive dhe duke ecur drejt së ardhmes. E tëra kjo nuk është në mënyrë didaktike, përndryshe nuk do të ishte art, por në mënyrë aktive. Dhe, kur them aktive, nuk referohem në një ide të aktivizmit, por në atë të ndryshimit të ndërgjegjes, të cilën çdo vepër arti e provokon, pak a shumë. Në të vërtetë thuhet se vepra e Beuys-it nuk ka asgjë të bëjë me “revolucionaren”, nga pikëpamja e një ikonografie didaktike, e cila do të duhej të përmbante një simbol politik. Në këtë rast, të gjelbërimin gjerman ose diçka të ngjashme.

Vepra na tregon udhëtimin drejt botës, nëpër botë dhe për botën. Siç na sugjeron “Revolucioni Jemi Ne”, duhet të lëvizim drejt së ardhmes, sepse nuk jemi engjëj të shtyrë nga stuhia e cila vjen nga parajsa, dhe as udhëtarë të palëvizshëm dhe soditës të një deti të mjegullt, metaforë e një të ardhme të pasigurt. Por sikur arti, ne jemi qenie në lëvizje, duke ecur drejt së ardhmës që edhe nëse e pasigurt, duhet gjithmonë ta kërkojmë.

E kjo është e ardhmja të cilën përpiqemi ta kuptojmë në edicionin e ri të Autostradës Bienale permes artisteve te ftuar:

Giulio Alvigini (Itali), Apparatus 22 (Rumuni), Levent Bütüçi (Kosovë), Nemanja Cvianovič (Kroaci), Lana Čmajčanin (Bosnia dhe Herzegovina), Mirza Dedač (Serbi), Jan Fabre (Belgjikë), Jakup Ferri (Kosovë), Lek M. Gjeloshi (Shqipëri), Emre Hüner (Turqi), Hristina Ivanoska (Maqedonia Veriore), Lorena Kalaja (Amerikë), Sanja Latinović (Serbi), Iva Lulashi (Shqipëri / Itali), Mucci Comics – Marco Mucci and Matteo Pomanti (Itali), Fatmir Mustafa – Karllo (Kosovë), Kolektivi Orkide (Kosovë), Anatoly Osmolowski (Rusi), Adrian Paci (Shqipëri), Tommaso Pincio (Itali), Ilija Šoškić (Mali i Zi), Somer Şpat (Kosovë), Giuseppe Stampone (Itali), Lola Sylaj and Dardan Zhegrova (Kosovë), The Cool Couple – Niccolò Benetton and Simone Santilli (Itali), Francesco Vezzoli (Itali), Driant Zeneli (Shqipëri).

‘Sa të besoja, por s’di se si, më dukesh tani më i frikshëm se vdekja’

Alma Bektashi, një këngëtare e njohur dhe profesoreshë e muzikës, para disa vitesh solli një këngë dhe performancë që ia vlen të kujtohet.

Në rubrikën tonë të retrospektivës, sot e sjellim këngën “Zhgënjimi”, të cilën Alma e solli në Shqipëri në Festivalin e Këngës në TVSH, në vitin 1996.

Kënga u pëlqye dhe dëgjohet edhe sot, derisa Alma ka marrë pushim nga karriera e saj muzikore.

“Zhgënjimi” ka një tekst të fuqishëm për dashurinë, në një kontekst tjetër.

Këtu po e sjellim edhe tekstin e këngës në fjalë dhe një performancë të Almës, një prej vokaleve më të mira shqiptare. Kënga në festival morri vendin e katërt në natën finale. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=BKHgnCEZCmk

I hidhur ky zhgenjim
Si kerkon te mbys femine
nuk ka pare ajo, jo ende drite
E ndjej si me leviz, jo vetem ketu ne trup
E ndjej te me leviz edhe ne shpirt

Ti po shkon
kur ajo vjen
Do te ndjekin pas dy syte e saj
Sonte nuk qesh dot, nuk mundem dot te qaj
por ndjej se dicka ta thote

Sa te besoja
por s’di se si
me dukesh tani…
Me i frikshem se vdekja
Se ajo vjen dhe jeten ta rremben
e ti e mohon
Besoja se me doje
a e degjon?…
Tani trokiti urrejtja
Ti s’e meriton kengen e jetes
te foshnjes kur te qaj
O turp i mohimit te saj

Akademik Qosja nesër promovon librin e ri, lexoni disa pjesë të shkëputura prej tij

Nesër në Institutin Albanologjik promovohet libri më i ri i akademik Rexhep Qosjes “Dëshmitar në kohë historike”, Ditari VIII, Koha e protektoratit (1999-2001).

Ftesa për promovimin e librit është postuar në profilin e akademikut në Facebook.

Në vazhdim mund të lexoni disa shkëputje nga libri:

F T E S Ë

Të nderuar miq, ju ftoj të merrni pjesë në promovimin e librit tim të fundit “Dëshmitar në kohë historike”, Ditari VIII, Koha e protektoratit (1999-2001).

E Enjte, 6 Qershor, Ora 12:00
Instituti Albanologjik – Prishtinë

Mirë u takofshim.

Rexhep QOSJA

Disa shkëputje nga ditari:

10.7.2000

Në diskutimin e tij Hashim Thaçi thotë se vetëm Ibrahim Rugova e mbështet Marrëveshjen e mirëkuptimit Kushner-Artemije, që e kthen Kosovën shumë mbrapa! Mjerisht kjo Marrëveshje ndoshta miratohet nesër në Këshillin e Përkohshëm Administrativ!

Të gjithë diskutuesit e kundërshtuan atë Marrëveshje.
Si më tutje? Sipas këtij mospajtimi me atë Marrëveshje?
– Mbledhja e sotme, – thotë Hashimi, – është vetëm konsultuese. Domethënë: për si më tutje as Hashimi vetë e as Partia që kryeson nuk paskan menduar!

Në diskutimin tim të shkurtër thash:
– Pse kjo mbledhje është vetëm konsultuese? Në këtë mbledhje do të duhej të krijohej qëndrim i përbashkët për shumë çështje për të cilat nuk i kemi njësuar qëndrimet. Dhe, ky qëndrim i përbashkët do të duhej të krijohej në konsultime me udhëheqjet e partive para se të mbahej kjo mbledhje. Kolegët e PDK-së dua t’i pyes: a e keni ngrirë pjesëmarrjen në të gjitha nivelet e strukturave të përbashkëta?

***

23.11.2000

Sot afër shtëpisë së tij është vrarë gazetari e publicisti i njohur, zëdhënësi i LDK-së, Xhemajl Mustafa.

Ky lajm i zi më tronditi shumë.

Xhemajl Mustafa ishte njeri i qetë, i urtë, nuk bënte keq, nuk fliste keq, shkruante për veprat letrare e shkencore të atyre me të cilët pajtohej dhe të atyre me të cilët mund të mos pajtohej politikisht. Ai kishte shkruar fare mirëkuptueshëm edhe për ndonjë vepër timen.

Kush mund ta ketë vrarë? Kush?
Nuk vriten krijuesit! Nuk vriten gazetarët!
Ç’është kjo dhunë shkatërruese, që po na rrezikon si popull! Edhe stacione të huaja televizive e japin lajmin për vrasjen e

Xhemajl Mustafës, për këtë vrasje më zi se kriminale! E dënoj me mendje e me shpirt këtë vrasje skajshëm tragjike.

14.6.2000

Me vonesë, diku rreth mesditës, marr vesh se Bernard Kushneri ia ka ndaluar hyrjen në Kosovë kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha. Mbrëmë ia kishte çuar atij një letër në Kukës, ku ai kishte mbërritur me shumë partizanë të tij, me të cilën e kishte njoftuar se nuk i lejohet hyrja në Kosovë. I pezmatuar, i pezmatuar dhe i fyer për shkak të kësaj ndalese, Sali Berisha, në stilin e tij bolshevik, do të deklarojë po në Kukës se:

– I gjallë ose i vdekur do të hyj në Kosovë!

Për fatin e tij dhe të familjes së tij, Sali Berisha menjëherë ishte nisur shëndosh e mirë për në Tiranë.

21.3.2000

– Jam shumë i befasuar, kolegë të nderuar, që institucionet e arsimit e të shkencës janë përjashtuar prej Buxhetit të konsoliduar të Kosovës. Ne kemi një Departament, që quhet Departamenti i Arsimit e i Shkencës, dhe ky Departament, siç e thotë edhe emri, përbëhet prej dy përbërësve institucionalë – prej arsimit dhe prej shkencës. Si është e mundshme, prandaj, që ky Departament të mos ketë trajtim të njëjtë në Buxhetin e Kosovës me departamentet e tjera, por një pjesë e përmbajtjes së tij, e quajtur shkencë, të përjashtohet prej Buxhetit! Unë nuk jam në gjendje ta kuptoj, dhe nuk jam në gjendje ta kuptoj sepse nuk ia gjej arsyet qëndrimit të tillë shpërfillës ndaj institucioneve tona shkencore! Pse ndodh kjo? Pse ndodh kështu? Cilat janë arsyet e kësaj shpërfilljeje?

Këto institucione shkencore, të quajtura Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik i Kosovës, Instituti i Historisë i Kosovës, janë institucione shkencore të themeluara prej Kuvendit të Kosovës, kurse tani i bën të paqena dikush që unë nuk po e di se kush është ai! As Këshilli i Përkohshëm Administrativ, as Departamenti i Arsimit dhe i Shkencës nuk i ka hequr prej regjistrit të rrogave as prej Buxhetit të Kosovës.

Kush i ka hequr?

Unë, si anëtar i këtij Këshilli, nuk kam mandat për mbylljen e institucioneve të lartpërmendura shkencore të Kosovës dhe këtë mandat edhe po të donte të ma jepte dikush unë kurrë nuk do ta pranoja.

Unë nuk pajtohem me qëndrimin e paraqitur këtu ndaj këtyre institucioneve.

Unë, jo vetëm nuk pajtohem, por edhe protestoj ndaj këtij qëndrimi.

15.3.2001

KTV-ja ka zhvilluar bisedë (intervistë) me Arbën Xhaferin. Gazetari, me pyetjet që i bën, i jep mundësi të nxirret nga lloçi në të cilin është zhytur në paraqitjet e mëparshme. Nxirret deri diku, vetëm deri te molla e gushës, kurse prej gushës e më lart – me sytë e me gojën mbetet në lloç! I dënon edhe më tej luftëtarët, por thotë se në Maqedoni ka probleme të pazgjidhura. Ka probleme të pazgjidhura, thotë Arbeni, kurse vetë merr pjesë në pushtetin që nuk i zgjidh ato probleme dhe dënon ata që kërkojnë vetëflijueshëm zgjidhjen e tyre! Kuku, Arbën, çka po bën!

18.8.2000

Ylli, Luani dhe Eduardi më flasin edhe për Historinë e Shqipërisë, që po punohet në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Ende nuk e kanë vendosur se si do të quhet: Histori e Shqipërisë apo Histori e popullit shqiptar. I kanë ftuar disa historianë dhe disa anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, që të diskutojnë rreth kësaj historie dhe u kanë propozuar që, mundësisht, të botohet si vepër e dy akademive. Ata të Prishtinës, thanë, e kanë propozuar Zekeria Canën si përfaqësues të historianëve të Kosovës në bisedën rreth kësaj çështjeje. Dhe, më tej, ata të Prishtinës kanë kërkuar që në këtë bisedë dhe në punën rreth historisë në fjalë Prishtina të jetë e përfaqësuar me aq autorë sa edhe Tirana! Por, teksti është pothuaj gati dhe nuk ka sesi të futen si autorë emra që s’kanë bërë punë! Dhe, më tej, thanë se janë posaçërisht shumë të befasuar nga sjellja agresive e njëfarë Hivzi Islamit. Gjatë bisedës, në një çast, ai farë Hivziu u ka thënë, i nevrikosur, tepër i nevrikosur, ndoshta i çekuilibruar:

– Kosova ua ka thyer hundën dy perandorive – otomane e serbe dhe do t’ia thyejë edhe Shqipërisë!

Kjo i ka lënë pa tekst akademikët dhe historianët e Shqipërisë, që po merrnin pjesë në bisedën me kolegët e tyre nga Kosova për tekstin e Historisë në fjalë. Por, pas disa çastesh, mbasi e kishte marrë veten, akademik Luan Omari i ishte drejtuar me këto fjalë atij:

-Ae di ti se çka po flet?!
Heshtje e gjatë.

***

Rexhep Qosja, “Dëshmitar në kohë historike”, Ditari VIII, Koha e protektoratit (1999-2001).

Rihanna, këngëtarja më e pasur në botë

Rihanna është shpallur këngëtarja më e pasur në botë.

Një klasifikim i revistës “Forbs” thotë se të ardhurat e këngëtares arrijnë në rreth 530 milionë euro. Ndërkohë, në listën prestigjoze bie në sy edhe rritja e numrit të grave miliardere.

Famë dhe bukuri, por jo vetëm. Rihanna është edhe artistja grua më e pasur në botë. Kështu thotë një klasifikim i hartuar nga revista “Forbes”, që rendit gratë me të ardhura më të larta të Amerikës. Vetëm 31 vjeç, këngëtarja nga ishujt Barbados është renditur në pozicionin e 37, me një pasuri të llogaritur rreth 530 milionë euro, duke lënë pas kolege si Madona, që nuk i kalon 500 milionët, Celine Dion me 400 milionë dhe Beyonce’, me 350, përcjell abcnews.

Por të ardhurat e Rihannës nuk vijnë vetëm nga muzika. Këngëtarja është edhe një sipërmarrëse falë punës që zhvillon në fushën e modës, bizhuterive dhe bukurisë. Të ardhurat minimale për të hyrë në listën prestigjoze është 225 milionë dhe nuk ka kufij moshe, që kryesisht varion nga 21 deri në 92 vjeç. Në Shtetet e Bashkuara janë gjithnjë e më shumë gratë biznesmene, aq sa revistës i është dashur ta zgjasë listën me 80 pozicione, një e treta më shumë se ajo e 2018-s. Thuajse gjysma e pasanikeve, rreth 37, jetojnë në kaliforni, 9 kanë zgjedhur Nju Jorkun, ndërsa 16 kanë lindur jashtë Shteteve të Bashkuara. Në listën e hartuar për këtë vit, numri i femrave miliardere është rritur në 25, një më shumë se ai i vitit të kaluar.

Ka ndërruar jetë ish-negociatori për statusin e Kosovës, Albert Rohan

Diplomati shumë vjeçar i Austrisë i cili bashkë me të deleguarin e Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, mori pjesë në negociatat për statusin e Kosovës, Albert Rohan, ka ndërruar jetë.

“Austria ka humbur njërin nga diplomatët më profesionistë. Për Ministrinë dhe mua personalisht, vdekja e Rohanit paraqet humbjen e njërit nga shëmbëlltyrat e mëdha”, theksoi shefi i diplomacisë austriake, Aleksandër Shalenberg, transmeton Koha.net.

Rohan, si një diplomat i përsosur, në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe funksioneve të shumta ndërkombëtare, ishte pjesë e formësimit të politikës së jashtme të Austrisë.

Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme theksohet se qysh në vitet e 90’ta, ai mori pjesë në formësimin e politikave ndaj Ballkanit me qëllim të vendosjes së paqes dhe zhvillimit të perspektivës evropiane për këtë rajon me shumë rëndësi për Austrinë.

Rohan, në shërbimin diplomatik në Austri hyri më 1963 ndërsa fillimisht shërbeu në Ambasadat e Austrisë në Londër dhe Beograd.

Më 1977 emërohet shef i kabinetit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kurt Waldheim, në New York.

Pastaj, ishte ambasador në Buenos Aires dhe vende tjera, kure më 1996 u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Më 2006, ai bashkë me Ahtisaarin, zhvilloi negociatat në lidhje me statusin e ardhshëm të Kosovës.

Rohan vjen nga një familje fisnike që kishte lidhje me familjen mbretërore shqiptare.

Koha.net rikujton se diplomati austriak Albert Rohan ishte një mik e dashamirës i Kosovës që nuk do të harrohet. / KultPlus.com

Kongoli zbulon për KultPlus subjektin e romanit më të ri

Shkrimtari i shquar shqiptar Fatos Kongoli, në Panairin e 21-të të Librit Prishtina 2019 ka sjell romanin e tij më të ri “Gënjeshtarë të vegjël” produkt i Shtëpisë Botuese “Toena”, shkruan KultPlus.

Kongoli u shpreh i kënaqur për ftesën që i bëri Shoqata e Botuesve të Kosovës, si dhe për prezantimin e romanit të ri, që do ta bëjë gjatë Panairit të Librit në Prishtinë.

Interesimi për autorin qysh në hapje ishte mjaft i madh nga studentët, nxënësit dhe admiruesit e letërsisë së Kongolit, të cilin patën rast ta takojnë, të bisedojnë me të, dhe të marrin nënshkrime nga ai.

Për KultPlus, autori foli në pika të shkurta rreth subjektit të romanit “Gënjeshtarë të vegjël”.

“Romani im i ri që sapo është botuar nga Shtëpia Botuese “Toena”, përshkruan realitetin shqiptar si edhe romanet e mia pararendëse. Me pak fjalë subjekti i romanit është ky: Një i ri, që ikën nga fshati drejt kryeqytetit ndërton aventura të shumta, pasi që është vendosur aty për studime. Më pas punësohet, ka lidhje dashurie me disa vajza dhe çon jetë të këtillë.

Pas 12 vjetëve, personazhi kryesor i romanit e sheh se ka qenë ide e gabuar aventura kryeqytetase; ai nuk mund të ambientohet assesi në atë mjedis, andaj në fund vendos të kthehet andej kah ka ardhur”, përfundoi Kongoli në këtë intervistë ekskluzive. / B. Meholli / KultPlus.com