Filmi “Joker”, i vlerësuar maksimalisht nga kritika dhe publiku, është bërë zyrtarisht filmi për audiencë të rritur me më shumë fitime në të gjithë globin.
“Warner Brothers” konfirmoi se prodhimi me protagonist Joaquin Phoenix, kishte grumbulluar plot 788 milion dollarë nga shfaqja në kinematë botërore.
Ndërkaq i përqendruar tek origjina e personazhit të keq të “Batman”, “Joker” përflitet si kandidat i mundshëm për çmim “Oskar”./Opinion.al /KultPlus.com
Skena e “The Voice of Greece” është ndezur nga një këngë shqiptare. Ukrainasja Angelina Statyeva zgjodhi që në “blind audition” të konkurrojë me këngë e bukur shqipe “Lule Lule”, shkruan KultPlus.com
Me një zë mahnitës ukrainasja bindi jurinë që njëzëri t’i japin një “Po” në edicionin përkatës.
Letërsia e re shqipe do të jetë në fokus të “New Literature Festival” i cili do të hapë për herë të parë siparin nga data 29-30 tetor në hapësirat e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.
Personazhe të jetës letrare pas
viteve 90-të, dhe emra të njohur të letërsisë shqipe do të jenë bashkë në një
komunikim që kërkon të nxjerrë në pah prirjet e sotme të letërsisë bashkëkohore
shqipe.
“New Literature Festival kërkon të
kthejë vëmendjen nga proza dhe poezia bashkëkohore shqipe, duke i dhënë më
shumë hapësirë shkrimtarëve dhe poetëve të rinj. Është shumë e rëndësishme të
kemi një tablo të skenës letrare në vend, ndaj ky event kërkon jo vetëm të
konfigurojë një tablo letrare por dhe të nxjerrë në pah prirjet e letërsisë së
re shqipe e vokacionet e saj”, thotë Alda Bardhyli, kuratore e festivalit.
Pas viteve 90-të gjithnjë e më pak
është folur për letërsinë e re shqipe, dhe në diskursin publik gjithnjë e më
tepër flitet për shkrimtarët që karrierën e tyre e kanë nisur para viteve
90-të. “Një letërsi me një të shkuar letrare siç është letërsia shqipe e para
viteve 90-të, e krijuar nën rregullat e soc-realizmit është shumë interesante
të shihet nën një optikë të re, në mënyrën sesi kjo histori e saj ka ndikuar në
zërat e rinj”, thotë Bardhyli.
Festivali është konceptuar në
formën e një dialogu ku gjithnjë në fokus është një autor i ri. Por duke e parë
letërsinë si një proces, pjesë e dialogut nuk do të jenë vetëm të rinjtë por
dhe emra të konfirmuar në fushën e letrave si Ardian Vehbiu, Visar Zhiti,
Blendi Fevziu, Bashkim Hoxha, etj.
Festivali do të nisi me një tryezë
diskutimi që do të bëjë bashkë botues, studiues të letërsisë, autorë të rinj
mbi sfidat e letërsisë bashkëkohore shqipe. Më pas, Ardian Vehbiu do të vijë në
një dialog mbi librin “Gjuha e thyer, gjuha qe thyen” dhe prozën e re shqipe.
Më pas është Blendi Fevziu që do të komunikojë me të rinjtë, duke marrë shkas
nga botimi i librit të tij më të ri. Brajan Sukaj fitues i Çmimit të madh të
Panairit 2018 me romanin “Ciklopi”, do të vijë në Visar Zhitin.
Është interesante të ndjekësh një komunikim i dy autorëve që vijnë nga kohë e qasje të ndryshme kulturore, që i bashkon letërsia. Dita e dytë e festivalit do të hapet me një aktivitet kushtuar shkrimtarit Enkelejd Lamaj. Prej vitesh ai eksploron gjininë e thrillerit shumë pak e studiuar nga letrat shqipe. Lamaj është autor i librave “Ajo e errëta”, “Vendi diku midis”, “Libri i bardhë”, “Fytyra e natës”. Fituesi i edicionit të 5 të çmimit Kadare, Loer Kume, do të vijë në një diskutim mbi letërsinë e re shqipe dhe letërsinë që ai shkruan. Një tjetër dialog do të jetë mes shkrimtarit të ri Tobias Xhaxhiu dhe shkrimtarit Bashkim Hoxha. Gjergj Erebara dhe Fatmira Nikolli do të jenë në një komunikim mbi lidhjet e artit me pushtetin, referuar koncepteve të Julian Barnes. Do të jenë stacione të vogla takimi me autorët e rinj, përgjatë dy ditëve të festivalit, të cilat do ti japin atyre zë dhe hapësirë për të shprehur e thelluar mbi prirjet dhe shqetësimet e letërsisë së re shqipe. Festivali mbyll aktivitetet kushtuar letërsisë shqipe dhe autorëve shqiptarë që prej një muaji kanë nisur nën mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, në kuadër të tetorit të librit./KultPlus.com
Disidenti sovjetik dhe shkrimtari Vlladimir Bukoski ka ndërruar jetë të dielën në Cambridge, Angli, në moshën 76 vjeçare.
Siç raportohet, Bukovski “vdiq si pasojë e ndaljes së zemrës në një spital, ndërsa gjendja shëndetësore e tij në kohë të fundit ishte e keqe”.
Bukovski njihet për lëvizjen disidente në BRSS, ndërsa më 1972 ishte dënuar me dy vjet burgim dhe pesë vjet ekzil “për shkak të aktivizmit antisovjetik”, njofton agjencia TASS, transmeton Koha.net.
Bukovski është i përkthyer edhe në shqip. / KultPlus.com
Një pikturë e humbur e artistit të famshëm italian, e gjetur në kuzhinën e një gruaja të moshuar franceze, është shitur në ankand për një çmim rekord 24 milionë euro.
Christ Mocked e piktorit Cimabue u zbulua muajin e kaluar në Francën veriore.
Piktura pritej të shitej për 6 milionë euro në ankand. Por oferta fituese i tejkaloi shumë pritjet.
Acteon Auction House tha se shuma, e paguar nga një blerës anonim nga Franca veriore, ishte një rekord i ri botëror për një pikturë mesjetare të shitur në ankand.
“Kur një punë unike e një piktori aq të rrallë sa Cimabue vjen në treg, duhet të jesh gati për surpriza,”-tha drejtuesi i ankandit Dominique Le Coent për agjencinë e lajmeve Reuters, transmeton KultPlus.com
Për vite me radhë, piktura qëndroi e varur mbi një pllakë muri në një kuzhinë në qytetin e Compiegne.
Vepra e artistit u vu re nga një person që merrej me ankandet, i cili e këshilloi pronarin e saj që ta vlerësonte nga ekspertë.
Pronarja besonte se ishte një ikonë e vjetër fetare me pak vlerë.
Shoqata për Krimet e Luftës “Gjakova 98’99“ sot do të dorëzojë kontingjentin e trembëdhjetë të padive me rreth 102 kallëzime penale të bëra nga qytetarët e Gjakovës ndaj serbëve të dyshuar për krime lufte.
Dorëzimi i padive dhe dokumenteve bëhet në Policinë e Kosovës- Departamenti i Krimeve të Luftës në Prishtinë.
Në orën 11:00 pritet të bëhet dorëzimi i tyre. / KultPlus.com
Ministri i Shtetit dhe Diasporës në Shqipëri, Pandeli Majko, ka njoftuar se dy kandidatë shqiptarë do të jenë pjesë e zgjedhjeve lokale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus.com
“Më datë 5 nëntor në SHBA mbahen zgjedhjet lokale. Mes kandidatëve për këshillat bashkiakë, janë edhe kandidatë shqiptarë Visar Tasimi dhe Jetlir Kulla. Tasimi, anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës, ka lindur në SHBA dhe kandidon për herë të parë në këshillin bashkiak të Naugatuck, në Conecticut. Ndërsa Kulla ka shkuar fëmijë në SHBA dhe kandidon për mandatin e tretë në këshillin bashkiak të qytetit Waterbury. Ai shprehet krenar për këtë arritje dhe përfaqësimin në këshill, ndërsa Visari shpreson shumë në angazhim më të madh të rinisë në qeverisjen lokale”, ka shkruar Majko në Facebook.
Një trikë e njollosur, e djegur me cigare, dhe e palarë për pothuajse tre dekada, është shitur në një ankand për 334,000 dollarë.
Solisti i Nirvanas, Kurt Cobain, e kishte veshur këtë triko me pulla gjatë performancës së tij “Unplugged” në MTV më 1993, raporton BBC.
Kurrë s’është larë që nga hera e fundit që e kishte veshur ai.
Veshja ikonike tani raportohet të jetë xhemperi më i shtrenjtë i shitur ndonjëherë në ankand pasi i njëjti u ble në New York të shtunën, transmeton Koha.net.
Darren Julien, president i “Julien’s Auction”, trikon e Cobainit e quajti “grali i shenjtë i të gjitha rrobave që ai i ka veshur ndonjëherë”.
Edhe kitara “Fender Mustang”, e krijuar enkas për Cobainin – të cilën e shfrytëzoi gjatë turneut “In Utero” të Nirvanas – ishte po ashtu në shitje, dhe u shit për 340,000 dollarë. E njëjta ka qenë e ekspozuar në korridorin e famës “Rock and Roll” për disa vite.
Artisti ka arritur sukses kolosal pas formimit të bendit Nirvana më 1987, por vështirë e përballoi famën, depresionin dhe varësinë nga droga.
Ai vrau veten në prill të vitit 1994 në moshën 27 vjeçare. / KultPlus.com
Për të 49-tin vit me radhë, qyteti i Ferizajit bëhet nikoqir i shfaqjeve teatrale, përmes festivalit më prestigjioz kombëtar të teatrove, shkruan KultPlus.
Ndërsa sonte, ky edicion i sivjetshëm u përmbyll me shfaqjen, ”Kanuni i Gruas”, për të vazhduar më pas me shpërndarjen e çmimeve, ku shfaqja ‘UN Inspektori”, me regji të Erson Zymberit, u shpall fitues i çmimit kryesor.
Më poshtë mund të shihni listën e plotë të çmimeve të dhëna:
Shfaqja më e mirë “UN Inspektori “ Teatri “Adriana”-Ferizaj, dhe shfaqja “ Zona e pritjes” Teatri “Migjeni”-Shkodër
“UN Inspektori “ Teatri “Adriana”-Ferizaj, dhe shfaqja “ Zona e pritjes” Teatri “Migjeni”-Shkodër
Regjia më e mirë, Kushtrim Bekteshi me shfaqjen “Një letër e humbur” Teatri Tetovës
Aktori më i mirë (Çmimi Ismail Rama), Arsim Fazliu –Teatri i Tetovës
Aktorja më e mirë (Çmimi Adriana), Vjollcë Bekteshi-Teatri i Teatovës
Roli dytësor më i mirë (F), Vlera Pylla-Teatri “Hadi Shehu” -Gjakovë
Roli dytësor më i mirë (M), Simon Shkreli -Teatri “Migjeni”-Shkodër
Roli më i mirë episodik, Urata Shabani-Teatri “Adriana”-Ferizaj
Skenografia më e mirë, Betrim Zeqiri-Teatri i Tetovës
Kostumografia më e mirë, Alma Krasniqi-Teatri “Hadi Shehu” -Gjakovë
Shpërblimi i Gazetarëve (Çmimi Hafir Bislimi), Shfaqja “Erdhi Godoja’’-Teatri i Qyteti të Gjilanit. /KultPlus.com
Komedia ”Karnavalet e Korçës” me tekst të Spiro Çomorës dhe regji të Altin Bashës, që tashmë ka filluar rrugëtimin edhe jashtë Teatrit Kombëtar të Kosovës, sonte u shpërblye me çmimin Grand Prix, që ka qenë edhe çmimi i vetëm që është dhënë, në Skupi Festival, shkruan KultPlus
”Karnavalet e Korçës” zhvillon ngjarjen në Korçën e viteve të 30-ta, ku trajtohen tema social si kapja e shtetit, korrupsioni, pabarazia sociale etj. Një familje e pasur përballë realitetit të zhveshur, ku në fund të ditës kuptojnë se jo gjithçka blihet me napoleona.
Muzeu qëndroi i hapur gjatë një rinovimi të madh që u zhvillua gjatë verës, por e gjithë hapësira rihapet këtë muaj.
Rinovimi që kushtoi mbi 450 milionë dollarë, shton 4500 metra katrorë sipërfaqe për rreth 1000 objekte të reja arti.
“Një nga shpresat e mia është që rinovimi të krijojë një rrugë më të qartë të qarkullimit – ta dish se ku je ndërsa kalon pavionet… Sigurisht që mund të humbasësh, por pastaj kur hyn në një pavion ta dish me saktësi ku ndodhesh. Gjithashtu, kati i parë, mendoj se është një ndryshim i madh tani në nivelin e rrugës”, thotë arkitekti Ricardo Scofidio.
Mbi katin e gjashtë ka një tarracë dhe një kafene me pamje spektakolare. Kati i pestë u kushtohet kryeveprave botërore – këtu, vizitorët do të gjejnë Natën me Yje të Van Gogut, Zonjat e Avenjonit të Pikasos, Matisin, Pollokun dhe Warholin. Sa më pranë katit të parë, aq më modern bëhet arti.
“Në vend të një parimi ‘më duhet të shkoj nga fillimi në fund në vijë të drejtë’,duhet të mendosh ‘kam një mori mundësish mes fillimit dhe fundit’”, thotë Ann Temkin, kuratorja për pikturat dhe skulpturat.
Por, edhe me sipërfaqen e re nuk ka hapësirë të mjaftueshme për 200 mijë objektet e artit të vendosura këtu.
Dhe ato janë të gjitha kryevepra të një shekulli e gjysmë të kaluar, përfshirë videot e para dhe negativët e parë të fotografive.
Kështu që muzeu i ri i rinovuar planifikon të qarkullojë ekspozitat një herë në gjashtë muaj.
“Mendoj se MoMA e re është një zgjatim i MoMA-s së vjetër. Ky version i Muzeut të Artit Modern ishte i ngulitur në versionin e mëparshëm”, thotë Glenn D. Lowry, drejtor i muzeut.
Kjo është rinovimi i pestë i MoMA-s në historinë e tij – që bëhet më i vështirë çdo herë, pasi çdo zgjerim nënkupton marrëveshje me autoritetet e qytetit, zyrën e kryetarit të bashkisë dhe agjentët e pasurive të patundshme.
“Në fakt, ne nuk kemi hapësirë, kështu që duhet ta shfrytëzojmë atë sa më shumë. Ky bllok është shumë i kufizuar – kemi një kishë nga njëra anë, pra jemi të bllokuar”, thotë Elizabeth Diller, arkitekte.
Por për MoMA-n, kjo s’është asgjë – mbi të gjitha, arti që muzeu strehon është i pavdekshëm dhe bëhet gjithnjë e më i vlefshëm me kalimin e kohës./zëriiamerikës/ KultPlus.com
Kam frikë se më i nxehti paqedashës, po t’i hedhë një sy veprës së kryer nga Lidhja e Kombeve gjatë këtyre 5 vjetëve, do t’i ngrejë duart drejt qiellit nga dëshpërimi dhe do të bërtasë : “ Oh! Më mirë luftë sesa të gjitha këto llomotitje të mërzitshme për paqen!” ǒkemi bërë për paqen? Çfarë bëjmë tani në këtë çast në këtë Asamble? Ajo që është bërë këta 5 vjet të shkuar pushon qetë-qetë në paqen e përjetshme, mbyllur fort, varrosur në dosjet e vdekura të Sekretariatit, të ruajtura me kujdes prej atij fort të ndershmit e të shquarit xhentëllmen, që është Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve.
Është e vërtetë që Lidhja e Kombeve ka bërë disa shërbime të vogla për paqen në përgjithësi dhe në veçanti nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë, duke siguruar kështu paqen dhe rendin në Ballkan.
Siç e dini, Shqipëria ishte një kaçkë e fortë për t’u thyer dhe më e rëndë për t’u ndarë, kështu që Lidhja e Kombeve me mençuri vendosi ta lërë Shqipërinë të qetë, të lirë, të lagur nga valët e Adriatikut.
Por, ju lutem, zoti Sekretar i Përgjithshëm, përse refuzoni t’i jepni Shqipërisë një hua që do t’i lejonte të ecte vetë? Ne nuk na duhen më tepër se 300 milion fr. ar. Apo më shumë?
Atëherë po bëj gjestin elegant të zbres në shumën modeste prej 200 milionësh. Ju tundni kokën. E po jam gati të hyj në bisedime për një shumë më të vogël, p.sh., për 100 milionë. Më falni, mos pretendoni se nuk më keni takuar kurrë dhe, pra, nuk jeni i predispozuar të më jepni asnjë dhjetësh? Atëherë merreni këtë kërkesën time dhe varroseni në dosjet e vdekura të Sekretariatit, kyçeni mirë dhe mbyteni fort përpara se ta futni nën akropolin tuaj, sepse mund t’ju dalë nga varri.
Ndoshta, Sekretari i Përgjithshëm ka dashur të thotë se ai nuk dëshiron që të hyjë në bisedime për një hua me një qeveri kryengritëse, që nuk ka parlament, një qeveri si ajo që kryeson i përunjuri prift që po ju flet.
Po a e dini ju se ç’është parlamenti? Pa dyshim e dini. Por do të keni një ide më të qartë kur t’ju them ç’mendoj për të. E, pra, parlamenti është një sallë ku mblidhen politikanë pa shpirt për të bërë prova operate (vivisectionner) në trupin e gjallë të rracës së tyre, një sallë plot me gazra helmuese, gazra mbytëse, gazra që shkaktojnë lot dhe të qeshura dhe gjithë gazrat e tjera që u përdorën gjatë luftës së fundit për t’u dhënë fund gjithë luftërave e për të vendosur paqen, atë paqe për të cilën po flasim.
Por, pasi ngulni këmbë, ne nuk refuzojmë të bëjmë zgjedhje të reja e të thërresim atë plagë, atë fatkeqësi të madhe, atë bestytni të shëmtuar, që është parlamenti, pasi të kemi bërë dy ose tre vjet qeverimi atëror. A do të pranoni atëherë, z. Sekretar i Përgjithshëm të më jepni pas tre vjetësh atë huanë prej 400 milionë fr.ar., për të cilën ramë dakort para disa minutash? Ju përgjigjeni prapë “Jo”. E dija.
Mirë, pra, le të flasim për paqen. Më duket se nuk ka gjë tjetër më të keqe se sa të bëjmë këtë. Them “më duket” – I guess – sepse dua që ju të gjithë të dini se unë kam banuar për shumë vjet në Amerikë, në Boston, një qytet që ndodhet diku në Irlandë dhe që është i mbushur me O’ Connors, O’ Connells dhe Fitzgeralds, të gjithë folës të mirë, folës fort të shquar, të cilët, bashkë me irlandezë të tjerë të ardhur nga qytete të tjera irlandeze, marrin përsipër gjithë barrën e të folurit në fushatat elektorale amerikane. Do të doja që kolegët tanë të nderuar, përfaqsuesit e Republikës së Irlandës, të sjellin këtu disa nga këta oratorë të mbaruar për të na mbytur me fjalime për paqen.
Nuk është aspak për t’u çuditur që amerikanët, gjermanët dhe rusët nuk kanë fort dëshirë të hyjnë në Lidhjen e Kombeve. Duket se nuk e çmojnë elokuencën tonë, punojnë me mend. Për emrin e Perëndisë, z. Kryetar, pse nuk i jepni fund këtyre llomotitjeve dhe pse nuk më jepni atë hua prej 500 milionësh fr.ar., që më premtuat para se ta merrja fjalën?
Dhe tani që iu përgjigja pyetjes së parë: “ǒka bërë Lidhja e Kombeve këta 5 vjetët e fundit?” , më lejoni të vij te pyetja e dytë dhe e fundit: “ǒtë bëjmë ne tani në këtë Asamble?” Përgjigja është shumë e lehtë. Do ta gjeni te Shekspiri: “Fjalë, fjalë, fjalë” , dmth erë e asgjë më tepër. “Është një përrallë e dhënë prej një idioti plot me bujë e tërbim, pa kurrfarë kuptimi.
Cili është përfundimi i gjithë këtyre bisedimeve të mençura e të thella mbi çarmatimin dhe traktatet e arbitrazhit?
Këto çështje iu dhanë për shqyrtim një komisioni, që do t’ia kalojë një nënkomisioni, i cili do t’ia parashtrojë konkluzionet e tij një konference që do të mblidhet së shpejti, dhe kjo konferencë do t’ia dërgojë përsëri këto çështje një komisioni, pastaj një nënkomisioni, i cili do t’ia referojë komisionit që do t’i dërgojë një raport konferencës.
Konferenca do të votojë njëzëri një rezolutë dhe kjo e fundit do t’i jepet për shqyrtim Këshillit të Lidhjes së Kombeve Këshilli, nga ana e tij, do t’ia kalojë këtë rezolutë Asamblesë së ardhshme atje lart në qiell. Dhe kur këto çështje të kenë bërë këtë cikël poetik zvarritjesh e kundërzvarritjesh, raportesh e kundëraportesh dhe mendimesh konsultative, atëherë do t’i dërgohen së fundi Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve i cili do t’i mbyllë me kyç mirë e mirë dhe do t’i varrosë në dosjet e vdekura të Sekretariatit, ku do të mbahen brez pas brezi.
Dhe kjo do të thotë, natyrisht, se e gjithë kjo histori ka mbaruar siç mbarojnë flluskat e sapunit. Por ç’fjalime, ç’fjalime të bukura, të fryra e të stërfryra do të shoqërojnë këto rezoluta e këto dëshira! Sa fort i dua! I dua “me atë erën e keqe të moçaleve të fëlliqura, si kërma të pambuluara që helmojnë ajrin ku marr frymë.” Por ja, përse jua drejtova fjalën sot.
Dhe meqënëse po flasim për flluska sapuni, a mund të bëj disa vërejtje lidhur me flluskën më kolosale që ka nxjerrë historia moderne, dua të them për planin Daues (Daëes). Por a është vërtet një flluskë? Jo, është një kombinacion flluskash, kombinacion hipokrit, i ndërlikuar, djallëzor, infernal.
Nuk është një flluskë ordinere, është një supërflluskë. Por është e kotë të trembeni. Do të mbarojë edhe kjo fatalisht si të gjitha flluskat e vogla që ne lëshojmë këtu.
Është tepër e ndërlikuar që të mund të ketë sukses; ajo mund t’i sigurojë ndonjë post nënpresidenti autorit të saj të shquar; por kam frikë se nuk do të dalin prej andej veçse shumë pak miliarda raparacionesh për Francën dhe Belgjikën. Këto të dyja vërtet t’i marrin. Nuk është aspak qëllimi im që t’i mërzis, por ky është fati. Kjo superflluskë e gjeneralit Daues do t’i përcillet, në fund të fundit, Lidhjes së Kombeve.
I dashur Sekretar i Përgjithshëm, përgatitni, ju lutem, një kënd të thatë, një kënd shumë të thatë në varrin e dosjeve të vdekura, sepse ju e dini se z. Daues është amerikan dhe se Amerika është një vend i thatë , megjithëse nga koha në kohë, me rrugë të nëndheshme, ajo njomet vetëm sa për t’u zbavitur, falë përpjekjeve të kontrabandistëve.
Duke folur për flluska, përsëri më vjen në mend ajo huaja e bekuar prej 600 milionësh, të cilën i nderuar Kryetar i kësaj Asambleje, si dhe i dashur Sekretar i Përgjithshëm, më premtuan për Shqipërinë disa minuta më parë. Kjo hua është një flluskë paqeje, një flluskë paqeje fort konsistente.
Por jo, nuk është aspak një flluskë; ajo që doja të thosha është se kjo hua mund të përgatitë paqen në Ballkan, ajo mund të lehtësojë realizimin e konfederatës ballkanike; por ia vlen të flitet për të? Z. Sekretar i Përgjithshëm, merreni dhe atë dhe futeni në varrin e dosjeve tuaja të vdekura, futeni në nekropolin tuaj. Pasi iu përgjigja dy pyetjeve që shtrova, më mbetet tani të nxjerr konkluzionin, të cilin do ta diskutoj në trajtën e dy pyetjeve të tjera.
Para së gjithash në dritën e fakteve që u përmendën, a e vlen barra qiranë që të kemi një Lidhje të Kombeve? Së dyti, në rast se e vlen, cila duhet të jetë metoda për t’ia arritur qëllimit, që është paqja universale? Pyetjes së parë do t’i përgjigjem në mënyrë pohuese.
Edhe sikur Lidhja e Kombeve të jetë një ëndërr, një utopi që i bën skeptikët të tallen e të shtrembërojnë buzët, ajo duhet të qëndroj aty si një ideal që interpreton aspiratat më fisnike të njerëzimit, ajo duhet të qëndroj aty si një sfidë kundër lavdisë groteske militariste.
Ajo duhet të qëndroj aty si një pohim solemn i vullnetit universal për paqen, ajo duhet të qëndroj aty derisa bukuria e saj, fisnikëria e saj, shpirti njerëzor i saj, nevoja e domosdoshme e qenies së saj të kuptohen nga e gjithë bota. Sepse, fundi i fundit, me gjithë të metat që ka sot, ajo meriton të pritet me këto fjalë:
“Verweile doch, Du bist so schon!” ( “Oh, megjithatë qëndro, ti je kaq e bukur”! ) Përse të jemi kaq pesimistë? Aspiratat për paqe i kemi kudo dhe për këtë s’ka asnjë dyshim. Përndryshe, ne nuk do të kishim as komedinë e flluskave e superflluskave, që po na mbulojnë. Dhe pikërisht sepse popujt duan paqe, burrat e shtetit, politikanët u servirin atyre kohë pas kohe flluska arbitrazhi, flluska çarmatimi, flluska sigurimi dhe superflluska raparacionesh.
Por paqja nuk do të vijë prej traktateve; këto janë të destinuara të hidhen shpejt a vonë në shportë. Paqja do të vijë nga edukimi shkollor. Duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë se vrasjet me shumicë janë po aq krim sa edhe vrasjet me pakicë.
Duhet t’u mësojmë se ka vetëm një perëndi që duhet t’i shërbejnë, Perëndia e njerëzimit, i njëjtë për të gjithë tributë. Duhet t’u mësojmë të bëhen anëtarë të ndershëm të supershtetit që do të përmbledhë të gjitha tributë, të bëhen qytetar fisnikë të federatës së përbotshme, që është në realizim e sipër dhe që do të realizohet me siguri. Kur fëmijët tanë të kenë mësuar këto të vërteta të thjeshta, atëherë nuk do të kemi vetëm çarmatimin moral që do t’i paraprijë çarmatimit material, do të kemi gjithashtu bashkpunimin e vërtetë të të gjitha racave të botës për sigurimin e paqes, progresit dhe prosperitetit ndërkombëtar. Të gjitha të tjerat sillen rreth kësaj. Këtu qëndron thelbi i çështjes.
Por përpara se të vijmë aty, duhet të pranojmë njëherë se jemi të gjithë tribu të egra, derisa i bëjmë kurbane njerëzish Molohut të tribusë. Oh, vritini, varini, ndiqini, në të katër anët e botës këto hyjni barbare e antropofage, që e kanë mbushur historinë e njerëzimit me kaq vuajtje e urrejtje, me kaq rrëfime, me kaq gjak, me kaq tmerr!
Vështroni sytë e njerëzimit që vuan pas shkatërrimeve të luftës botërore. Nuk ka dhembje që të mos krahasohet me dhembjen e tij; asnjë sakrificë nuk do të ishte tepër e madhe për t’i shpëtuar fëmijët tanë nga luftëra të reja dhe lot të tjerë.
Përpara, o shokët e mi! Flamuri i Lidhjes së Kombeve shtë më fisniku që është ngritur deri më sot. Ushtarët e saj janë më trimat që ka nxjerrë bota ndonjëherë. Qëllimi i saj është maja e përparimit të njerëzimit. Shpirti i Uillsonit, ati dhe profeti i saj, na udhëheq. Vështirësitë janë tepër të mëdha, por shtrini kurajën tuaj deri në pikën e fundit mundimet nuk do t’ju venë kot. / KultPlus.com
Shpresa Bërdëllima, aktorja e njohur shqiptare, ka ndërruar jetë në moshën 60-të vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë, shkruan KultPlus.
Shpresa Bërdëllima u angazhua në teatrin e estradës së Tiranës dhe në kinematografi, duke filluar me rolin e zonjushës Gajtani te “Vajzat me kordele të kuqe”.
Bërdëllima ka qenë aktore shumë e dashur për publikun shqiptarë. Rolet e saj më të njohura i gjejmë në filmat: Vajzat me kordele të kuqe (1978), Përtej mureve të gurta (1979), Era e ngrohtë e thellësive (1982), Të shoh në sy (1986), Kur hapen dyert e jetës (1986), Mirela (telekomedi) – (1988), Flutura në kabinën time (1988) etj. / KultPlus.com
Dhe kjo bukë që e thej qe tërshanë Dhe kjo venë në gixhën e huej diku E njomte frytin e vet; Dhe ditën njeriu ose natën era E rrëxuen frytin, gëzimin ua prishën.
Njiherë në kët venë gjaku veruer Rrahu në mish që u forcue në gixhe Njiherë në kët bukë Tërshana gëzohej n’erë; Njeriu e thërmoi diellin, e shtypi erën.
Dhe ky mish që e shtrydh, ky gjak Që shkretnon në dêjt, Qenë tërshanë dhe kalavesh Të rrâjës dhe të bërthamës së dalldisun; Pinie venën time, thenie bukën time.
Në mbrëmjen përkujtimore për Astrit Deharin, me datë 28 tetor (ditë e hënë) duke filluar nga ora 18:00, në rrugën Rexhep Luci (afër Kino ABC) në Prishtinë, ku tashmë edhe është ngritur një mural përkujtimi për Astrit Deharin, të pranishëm do të jenë edhe familja Dehari për të ndarë një fjalë rasti me ne.
Stolitë në foto, i përkasin shekullit IV-III p.e.s, janë zbuluar në varret monumentale të qytetit antik të Selcës së Poshtme dhe rrethinave prane saj, Pogradec, transmeton KultPlus.
Nuk është hera e parë që shqiptarët po e dëshmojnë veten e tyre edhe jashtë kufijve, kush me art e kush me sport, shkruan KultPlus.
Kësaj radhe, Plarent Kiçmari, djaloshi me prejardhje nga Podujeva, arriti të jetë në mesin e më të mirëve të botë, duke u shpallur fitues i vendit të katërt në Kampionatin Boteror të Breakdance-t.
Kampionat ky, që është zhvilluar javën e kaluar në Bremerhaven të Gjermanisë.
Pas performancës së tij, Plarenti falenderoi trajnerin, fansat dhe klubin e tij.
Për suksesin e tij, nuk kanë hezituar së shkruari edhe mediat lokale në Gjermani. /KultPlus.com
“Shfaqja e fundit…” e Veton Surroit, premierë në
Teatrin Kombëtar
Nesër, e hënë (28 tetor), nga ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës do të jepet premiera e dramës “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit” e autorit kosovar Veton Surroi. Regjinë e kësaj drame e ka bërë regjisori hungarez András Urbán, kurse luajnë (sipas radhës alfabetike): Adrian Morina, Armend Baloku, Edona Reshitaj, Shkelzen Veseli, Shpejtim Kastrati, Ylber Bardhi.
Shfaqja sjellë
një perspektivë historike të Kosovës, përmes përfaqësimit të një familjeje
informatorësh, të cilët brez pas brezi i shërbejnë çdo regjimi – mbretërisë
serbe, fashiste, italiane, naziste, komunisteve serbë, komunistëve shqiptarë të
Kosovës e deri më sot. “Shfaqja e fundit e Marie Gjonit”, sjellë së bashku tragjiken
dhe komiken në një narracion që përpiqet të kuptojë djallëzinë njerëzore si dhe
dashurinë e pakushtëzuar.
Në shfaqje, një drejtues i partisë komuniste dhe një primadonë e teatrit janë kapur në një marrëdhënie dashurie e cila u mbijeton sfidave.
Kompozitore e muzikës është Irena Popovic- Dragovic, skenograf: Mentor U. Berisha, kostumografe: Yllka Brada, dramaturg: Jeton Neziraj, ass. regjisor: Imer Mushkolaj, kurse muzicient: Drin Tashi dhe Tomor Kuçi. Tekstet e këngëve
dhe disa skena të cilat janë krijuar gjatë procesit, janë shkruar nga Jeton
Neziraj dhe András Urbán.
Dy reprizat e para të shfaqjes do të jenë me 29 dhe 31
tetor. Me 31 tetor, kjo shfaqje hapë Kosovo Theater Showcase, një festival
promovues teatrorë që sivjet ka bërë bashk Teatrin Kombëtar të Kosovës, Qendrën
Multimedia nga Prishtina, teatrin “Adriana” të Ferizajt dhe teatrin e Qytetit
të Gjilanit.
Jaxson Krzysix është 3 vjeçari i cili vesh rrobat e përshtatshme dhe fillon ngjitjen në male bashkë me babin e tij madje duket shumë entuziast në këtë përvojë. Ai ka ngjitur edhe Scafell Pike e cila është edhe maja më e lartë e Anglisë, transmeton KultPlus.
Tre-vjeçari Jaxon Krzysix ka pushtuar majat më të larta në Angli, Skoci dhe Uells.
I ndihmuar nga prindërit, Jaxon, ngriti një shoqatë bamirësie që ndihmon fëmijët me probleme në shëndet, pasi një mik 2 vjeçar i tij nga çerdhja, vdiq në moshën dy vjeçare.
Babai i vogëlushit mendon se ai është më i riu në moshë që ka realizuar këtë sfidë pasi në një kërkim që ka bërë në internet ka gjetur se më i vogli i regjistruar para të birit ishte vetëm 6 vjeç.
Babai i tij Cal Krzysix e ka filmuar gjatë këtyre përvojave dhe në një rast ai duket shumë entuziast. Një moment është në majën Ben Nevis, në Skoci ku ai lumtur i thotë babait: ‘Jam në majën e botës babi’.
Në të gjitha këto përvoja vogëlushi është ngjitur i vetëm pa kurrë farë mbështetje. Ka ecur i vetëm për orë të tëra. /KultPlus.com
Trupi i molisur, eshtrat fund fuqie. Sonte ishte dritëhëna e mëndafsht, E sot erdhën retë e errëta, Dhe shiu pikëmadh bie, rëndë .
O erë , motër erë. Zgjeroi krihët e tu të mëdhenj. Dhe fryj. Largo këtë qiellnaj të plumbt Që sytë e mi të shikojnë Kthjelltësinë kaltëreme për herë të fundit.
Erë, motra ime, po vdes riosh. Përëndi, bëjë që qiellnaja Mbi mua të buzëqesh, kthjellët, Kur sytë më shuhen,qelqnorë. Zgjeroj krihët e rëndë,erë Krah hapur, motra ime. Shkyej retë e zeza. Le të zhurmërojnë qetë qiparisët e jeshilt.
“Shtatë fotografë shqiptarë, një rezidencë”. Bëhet fjalë për Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër ku për herë të parë, hapësirat e muzeut i hapen një grupi artistësh shqiptarë të rinj.
“Më 1 Nëntor Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” na fton të ndjekim nga afër një rezidencë artistike mjaft premtuese,” shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Shtatë fotografë shqiptarë gjenden në Shkodër, në kryeqytetin e dikurshëm të Shqipërisë, të ftuar nga Art House dhe Muzeu Marubi për të evokuar disa imazhe të thjeshta e të thella që i frymëzojnë. Emigrimi është pjesë e rrugëtimit të secilit.
Punët e tyre herë lidhen me të moshuarit që vazhdojnë të jetojnë në vendin e lindjes e herë të tjera shkojnë akoma më larg, në kohën e paraardhësve apo themeluesve. Peizazhin ata nuk e analizojnë, e sodisin. Sa i afërt po aq i largët, nuk arrijnë të kuptojnë çka t’i heqin e çka t’i ruajnë. Në disa udhëtime të bëra në pak kohë, e parandjejnë që kthimi në vendlindje shoqërohet nga një mjegull e dendur, por që nuk është kurrë shumë vonë.
Përzgjedhja e tyre erdhi përmes një thirrjeje të hapur të përbashkët të Art House dhe Muzeut Marubi për edicionin e tretë të rezidencës artistike Art House School të titulluar “Beyond the Image” (19 gusht – 15 shtator 2019), i cili u fokusua në marrëdhënien e ngushtë që lidh autorin me imazhin dhe mundësitë komplekse që aktivizon ky raport.
Artistët Abi Shehu, Bib Frrokaj, Elton Gllava, Erdiola Mustafaj, Erjola Zhuka, Marlin Dedaj, Orestia Kapidani kaluan një periudhë katër javore në Shkodër ku përmes prezantimeve të veprave të realizuara, diskutimeve mbi projekte apo intuita fillestare për punë që nuk kanë lindur akoma, leximeve të teksteve e projektimeve të filmave, refleksioneve e debateve u krijua një hapësirë për kërkim individual.
Në përfundim të kësaj eksperience, ekspozita vjen si një moment njohjeje me skenën shqiptare bashkëkohore duke shprehur njëkohësisht edhe vëmendjen e Muzeut Marubi ndaj dinamikave të saj.
Ekspozita do të organizohet në hapësirat e Muzeut dhe Art House e mbështetet nga Ambasada Franceze dhe Art House./atsh/ KultPlus.com
Kanuni i Lekë Dukagjinit ka një rol tejet të rëndësishëm në kulturën e kombit tonë. Qysh nga koha e Gjergj Kastriotit, Kanuni përmban rregullat e atëhershme të mënyrës së jetesës dhe ligjeve që hynin në përdorim, për të vënë rregull dhe rend në shoqërinë shqiptare, shkruan KultPlus.
Në Kanun, trajtohet roli i gruas, i burrit, martesa e shumë e shumë gjëra të tjera, në bashkëveprim me mënyrën e jetesës të asaj kohe.
Në vijim, KultPlus ju sjell disa rregulla të shkruara në Kanun për gruan:
Martesa
Percaktimi e mëndyrët e Martesës.
M’u martue më kanun do’me thanë m’u ba shpi, me i a shtue shpis nji rob ma teper, sa per
krah të punve, sa per të shtuem të fmive.
Mëndyrat e Martesës.
a) Martesa me kunorë, e pelqyeme kah Feja e kanuja e Lekës b) Gruja e mbajtne mbi kunorë, kundra Fejet e kanujet të Lekës; c) Gruja e vajza e grabitme, e jasht-zakonshme kah Feja e kanuja; d) Martesa me provë kundra Fejet e kanuiet.
Tagri i djalit.
‘’Djali ka tager me mendue per martes të vet, po s’pat prind’’.
Djali sa të ket prind s’ka tager :
a) me mendue per martesë të vet; b) me shenjue shkuesin c) m’u perzie në fejesë të vet; d) as në shej, as në petka, as në këpucë, e as në të prem fejet.
Tagri vajzës.
Vajza, edhe në mos pasët prindt, ajo s’ka tager me mendue per Martes të vet, tagri asht në
dorë të vllazenve a të kusherijve.
Vajza s‘ka tager:
a) me zgjedhë fatin e vet; do të shkojë per ate, per të cilin t’a fejojn; b) m’u perzie në shkuesi as në fejesë; c) as në këpucë as në petka. Detyrët e burrit e të grues.
Detyrët e burrit ndaj gruen.
Burri a’në detyrë:
a) me u perkujdesë per veshë e mathë e per gjithshka të lyprt per me mbajtë jeten; b) me ruejtë nderen e grues e mos me e lanë me u ankue per kurrnji nevojë. Detyrët e grues ndaj burrin.
Grueja a’në detyrë:
a) me i a ruejtë nderen burrit; b) me i rrogue pa zhibla; c) me i ndejë nen sundim; d) m’u pergjegjë detyrve të kunorës; e) me rritë e me mkambë fmin me nderë; f) me i ndejë gadi me të veshmen e të mathmen (kah e qepmja); g) mos me iu perzie në fejes të të bijve e të të bijave. Tagri i burrit të vejë.
Burri i vejë, po s’pat prind, ka tager me folë vetë per martesë të vet, (porse burri i Malevet të
Shqypnisë s’e ban ket punë, edhe në dijtë se do t’jesë pa u martue; dokja asht me qitë nji tjeter
qi të flasë per te perkah martesa).
Tagri i grues së vejë.
‘’Grueja e vejë flet vetë. – Grueja e vejë i kthen krushqit m’udhë’’.
Grueja e vejë ka tager:
a) me folë vetë kah martesa; b) me zgjidhë per fat ate, qi t’i pelqejë per sy; c) me da me gisht shkuesin, qi t’ia biej shejin. Të ndaluemt e martesës në Kanun.
Në fejesë varzash do të shikjohet:
a) Të mos jetë gjak e gjini; b) Të mos jetë të njij fisit; c) Të mos të jetë mesë fisit të djalit, qi do me e nxanë; d) Të mos të jetë grueja e lshume; e) Të mos të ketë kumari: 1) në të peshuem në derë të Kishës;
2) në kunorë;
3) në të marrun të flokvet;
4) të mos të jetë vllaznue me gjak të pim.
Kanuja s’e ban fejesen e martesen, kur të ndermjetson ndalimet e naltpermenduna, edhe në
katerqind breza me kenë (me gabue kush kundra këtyne ndalimeve, fisi i vet e giobitë, e qillon
qi edhe shpin i a djegë).
Në fejesë të lirë asht kanu qi të shkoje shkuesi e i ati – a i vllaj – i djalit te prindja e vajzës, per
me çue shejin në natë të dame.
Të himit n’anë, shkuesi do të perpushë zjarmin, para se të lypë vajzen; si t’a perpush zjarmin,
flet. Si të ketë hanger darkë, i ati i dhandrrit do t’i apë shkuesit në dorë si paret, si shejin.
Shkuesi si të njehë paret më qethit, do të çohet më kambë, e lshon në dorë të t’et të vajzes si
paret, si shejin.
“ Nuse pa shkuesi s’bahet”.
Vajza e grabitne a e hikne, me gjetë burrë, nuk mund të stoliset si nuse; do të shkojë vajzënisht
– me petka vajzënijet – per arsye, qi u muer e shkoi jasht kanujet pa shkues.
Vajza nen unazë nuk ka tager me lshue djalin.
Vajza e xanun nuk mundet me e lshue djalin edhe në mos e pasët per sy.
Po s’ndegjoi vajza me shkue m’at fat, qi e ka xanë, e edhe prindja i perkrahen së bis, kjo
s’mund të martohet ma per të gjallët e dhandrrit me tjeterkend.
Prindja e vajzës janë detyrë me i a kthye shpis së dhandrrit mje në ma të mbramin dysh, qi kan
la per at vajzë.
Sheji e dhetë grosht e kanus, qi i janë çue vajzës kur u xu, do të jesin n’arkë të sajë deri diten e
dekës së dhandrrit; e të dije si vajza, si djali, si prindja se aj dhandrrit; e të dije si vajza, si
djali, si prindja se aj shej s’i len me luejtë.
Kah kanuja, vajza jet e lidhun, e veç me leje të dhandrrit qi e pat xanë e per në hjekët dorë ky,
se s’mund të martohet, e s’a’kanun qi të shkojë tjeterkush me e lypë, si të dijë se gjindet e
pengueme.
Edhe po e muer tjeter grue dhandrri vajza e xanun prej tij jet e lidhun se e lidhun.
Me dekë të dhandrrit, kanuja e liron vajzen, e, po desht, mundet të martohet per arsye qi “me
dekë të dhandrrit, sheji xehet i hupun”.
Po s’nigioi vajza me shkue m’at fat, qi e pat xanë, edhe me perdhuni do t’ia apin atij, qi e ka
xanë me “Fishek më shinë”; e per n’i raftë per sy vajza tue hikun, ky e vret me fishek të
prindës së saj, e gjaku i vajzës shkon hupës, per arsye qi me fishek të tyne e vrau. / KultPlus.com
Kompozitor, violinist, kitarist italian, falë virtuozitetit dhe dhuntisë së tij legjendare, Nikolo Paganini është i pari që provokoi reagime të publikut të krahasuara me ato të një rokstari. Risitë që solli në teknikën e instrumentit e bëjnë të konsiderohet babai i violinës moderne.
Kishte nga ata që mendonin se ishte një Perëndi e melodive metaforike, të tjerë mendonin se virtuozitetin e jashtëzakonshëm e kishte nga një marrëveshje me djallin. Po cila ishte historia e vërtetë pas aftësisë gjeniale të Nikolo Paganinit?
Lindur më 27 tetor 1782 në Xhenova të Italisë, Nikolo Paganini ishte një muzikant pabesueshmërisht i talentuar dhe konsiderohet si një nga violinistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Filloi të luante me mandolinë kur ishte pesë vjeç, përpara se të merrte violinën në moshën shtatëvjeçare dhe të jepte shfaqjen e parë publike në moshën 11-vjeçare në Xhenova. Kur ishte vetëm 15-vjeç, adoleshenti i talentuar filloi të luante i vetëm në turne. Shekulli XIX prodhoi një numër violinistësh të jashtëzakonshëm – por asnjë si Paganini. Talenti i tij ishte kaq përtej atij të bashkëkohësve, saqë njerëzit filluan të besojnë se ai kishte bërë vërtet pakt me djallin. Madje, u përfol se nëna e Paganinit e kishte shitur shpirtin e tij te djalli, në mënyrë që të bëhej virtuozi më i madh në histori.
Kur ishte 13-vjeç, Pagani u dërgua të studionte me violinistin dhe mësuesin e famshëm Alessandro Rolla. Rolla e pikasi shpejt talentin e Paganinit dhe vendosi se nuk kishte ç’t’i mësonte tjetër. Kështu që e kaloi atë tek mësuesi i tij, Ferdinando Paer, i cili më vonë iu dërgua mësuesit të tij, Gasparo Ghiretti.
Paganini i ri ishte padyshim fëmija mrekulli. Mirëpo, kur në moshën 15-vjeçare ndërmori i vetëm turneun, pati një dobësim të fuqisë dhe u dha pas alkoolit
Fama e violinistit e shndërroi në një kumarxhi, në një pijanec dhe në një feminist të harbuar. Madje asokohe u përhap thashethemnaja se Paganini kishte vrarë gruan që dashuronte, zorrët ia përdori si tela violine dhe shpirtin ia burgosi brenda instrumentit. Klithmat e gruas thuhej se dëgjoheshin nga violina e tij kur interpretonte në skenë.
Një gjë ishte e sigurt: mjeshtëria e Paganinit në violinë ishte e pakrahasueshme. Ai ishte një nga violinistët e parë solo që performoi publikisht pa partiturë, duke preferuar ta mësonte gjithçka përmendësh. I njohur posaçërisht për kryeveprën “24 kapriçio” për violinë solo, Paganini ndihmoi në popullarizimin e teknikave të disa telave, siç janë përkulja e harkut – spiccato, si dhe pizzicato-in me dorën e majtë. Thuhet se mund të luante 12 nota në sekondë – një akt i arritur më vonë nga violinisti David Garrett, i cili luajti Paganinin në “Violinisti i djallit”, një film i vitit 2013, bazuar në historinë e jetës së kompozitorit.
Paganini ishte me pamje goditëse: me faqe të futura, lëkurë të zbehtë dhe buzë të holla. Ishte shumë i gjatë dhe i hollë, shpesh vishej me të zeza. Po ashtu, kishte gishta shumë të gjatë, të hollë të papërmbajtshëm për të kaluar nga një instrument në tjetrin, nisur edhe nga mospërdorimi i partiturave, ai i drithëronte telat në mënyrë të atillë sa njerëzit e etiketuan “Njeriu llastik”.
Në ditët e sotme, besohet se gjatësia e pazakontë e gishtave të Paganinit, e cila i lejonte të luante tre oktava në një kalim dore, ishte për shkak të sindromës Marfan, një çrregullim gjenetik. Njëlloj aftësia e tij për të luajtur me shpejtësi të jashtëzakonshme mund t’i atribuoht sindromës Ehlers-Danlos, një çrregullim që shkakton fleksibilitet të rritur dhe mungesë koordinimi.
Violina gjithashtu u cilësua nga disa si instrument i djallit, kështu që në tërësi nuk është për t’u habitur që qarkullonin thashethemet për një marrëveshje me djallin. Disa madje menduan se Paganini mund të ishte vetë Djalli.
Paganini ishte i sëmurë pjesën më të madhe të kohës. Vuajti nga sifilizi në 1822, u kurua nga tuberkulozi në 1834. Dobësimi i tepërt e detyroi të tërhiqej nga jeta skenike në moshën 54-vjeçare dhe vitet e fundit i kaloi duke dhënë mësime violine.
Paganini vdiq nga kanceri i laringut më 27 maj 1840 në Nisë të Francës. Para se të vdiste, ai largoi një prift që i ofroi ritet e fundit, lutjet e fundit që marrin katolikët në fund të jetës së tyre. Më pas, Pagani tha se e largoi priftin, ngaqë besonte se nuk do të vdiste, por ata që besonin se kishte bërë pakt me djallin nuk e hëngrën këtë rreng.
Një javë më vonë Paganini vdiq, pa marrë ritet e fundit dhe kisha lokale nuk pranoi ta varroste trupin e tij në tokë të shenjtë, edhe pse ishte anëtar i Urdhrit Golden Spur. Gjatë katër viteve të ardhshme, kufoma e tij do të transportohej në një turne të jashtëzakonshëm në Evropë. Trupi i tij i balsamosur u la në shtratin e vdekjes në Nisë për dy muaj, përpara se të transferohej në bodrumin e shtëpisë ku qëndroi për më shumë se një vit.
Pasi kisha lokale nuk pranoi ta varroste, trupi i tij u dërgua më vonë në një shtëpi të braktisur lebrozësh, për tu transferuar më pas në një vaskë të çimentuar në një fabrikë vaj ulliri dhe më vonë në një shtëpi privatë afër Nisës.
Pothuajse katër vjet pas vdekjes së tij, Papa Gregori XVI lejoi që trupi i violinistit të transportohej në Xhenova dhe ai më në fund u vendos të pushojë në Varrezat “La Villetta” në Parma, Itali – rreth 200 km nga vendlindja e tij në Xhenova. /konica.al/ KultPlus.com