Nëse ju pëlqen dëbora dhe parapëlqeni destinacione të ftohta, atëherë Festivali Ndërkombëtar i Skulpturës së Akullit dhe Dëborës Harbin është vendi perfekt për ju.
I vendosur në provincën Heilongjiang në veri të Kinës, Harbin është festivali më i madh në botë i dëborës dhe i akullit dhe përmban shumë aktivitete spektakolare.
Festivali është që nga data 5 janar dhe mbyllet më 25 shkurt.
Veprat e këtij viti janë bërë nga afro 220,000 metra kub blloqe akulli të tërhequra nga lumi Songhua.
Gjatë festivalit, ka mundësi për të bërë ski, patinazh në akull, të luani “futbollin e akullit” dhe të hipni në biçikleta.
Nata e hapjes nisi me një spektakël fishekzjarrësh kundër skulpturave të ndriçuara. /KultPlus.com
Ceremonia për “Oscar 2020” në shkurt nuk do të ketë përsëri prezantues, tha udhëheqësja e ABC Television Entertainment.
“Më lejoni ta konfirmoj tani. Së bashku me Akademinë Filmike kemi vendosur që përsëri të mos ketë prezantues tradicional sivjet”, tha Karey Burke, presidente e ABC Entertainment, para gazetarëve televizivë.
Ceremonia e “Oscarit” në vitin 2019 ishte e para në 30 vjet që nuk pati prezantues, ndërsa audienca e saj në transmetuesin ABC ishte 29.6 milionë amerikanë, duke e thyer një trend katërvjeçar të rënies së shikueshmërisë për ceremoninë e drejtpërdrejtë.
Burke tha se vendimi për të mos pasur prezantues për ngjarjen e 9 shkurtit, shpërblimet më prestigjioze në biznesin e filmit, u nxit nga rishikimet e mira vitin e kaluar, kur rok-bendi “Queen” e hapi shown me një performancë live për ta festuar suksesin e muzikorit “Bohemian Rapsody” në arkat kinematografike, shkruan KOHA Ditore.
Burke tha që organizatorët planifikojnë ta “përsërisin atë që funksionoi vitin e kaluar – vlerat e mëdha argëtuese, numra të mëdhenj muzikorë, shumë komedi”.
“Shumë elemente të mrekullueshme janë hartuar tashmë dhe na kanë bindur se do ta kemi një show tepër argëtues”, shtoi ajo, pa dhënë detaje.
Nominimet për “Oscar” për vitin 2020 do të shpallen të hënën.
Gjetja e prezantuesit për shown e madh të çmimeve është bërë gjithnjë e më e vështirë vitet e fundit. Komediani Kevin Hart u tërhoq nga kjo detyrë për ceremoninë e vitit 2019 pasi u turpërua në mediat sociale për komentet homofobike që ai i kishte bërë në të kaluarën. Ai kërkoi falje.
Komedianë të tjerë, përfshirë Ricky Gervais në “Golden Globesin” e së dielës, kanë hasur në kritika për faktin se kanë qenë ose shumë të ashpër, shumë politikë, ose shumë të butë në shakatë e tyre. /KultPlus.com
Në kujtim të profesor Zekeria Canës, historianit dhe intelektualit të njohur nga plejada e gjeneratës së artë të viteve të tetëdhjeta dhe të nëntëdhjeta , që i dha impulse lëvizjes kombëtare për liri, barazi dhe demokraci, që solli shtetin e Kosovës.
Pranvera e vitit 1962 ishte me shira të pareshtura. Retë e mbushura me lagështi, sikur ia kishin ndaluar rrugën rrezeve të diellit. U desh korriku që përfundimisht ta kthejë verën e mbetur. Në atë ndërkohën e lagështisë, u shfaq befas diçka që për pak daroviti zymtësinë e saj. Ishte muzika e Betovenit dhe tingujt e “Simfonisë së pestë” që ndryshoi gjendjen tonë shpirtërore. Ky ndryshim ndodhi në saje të profesorit të historisë, Zekeria Cana. Ditën që erdhi në klasë, me vete kishte një gramafon dhe disa disqe. Pa folur shumë, hapi kutinë dhe pasi vuri në të një disk, kërkoi që të dëgjojmë me vëmendje tingujt që me të shpejtë mbushën hapësirën e klasës. “Ky është leksioni i parë i historisë së shpirtit”, tha. Për ne që ende nuk e bënim dallimin midis historisë si ngjarje dhe historisë shpirtërore, ngaqë e para ishte e fshehur, ndërsa e dyta e pa përjetuar, kujtesës i dhanë kuptim paraqitja e gramafonit dhe tingujt e një muzike klasike, që vinin kumbueshëm nga të gjitha anët. Ishte ky një përjetim sa i habitshëm po aq emocional. Pasi pllaka u ndal dhe kutia e gramafonit dukej si një gjë magjike, profesor Cana na tha se ishte Betoveni dhe “Simfonia e Pestë”. Me këtë rast, profesori na shpjegoi se kush ishte kompozitori i madh gjerman, për të cilin ne thuajse nuk dinim gjë. Mbresëlënëse ishte e dhëna se kompozitori i madh ishte i shurdhër. Gramafoni me pllakat e Betovenit, nuk mbeti vetëm në Shkollën e Mesme Ekonomike të Gjakovës, ku Zekeria Cana jepte lëndën e historisë. Tingujt e “Simfonisë së pestë” depërtuan edhe në ambientet tjera kulturore, sidomos në Bibliotekën e Qytetit, me rastin e takimeve letrare si dhe manifestimeve të tjera kulturore. Kështu, gramafoni i profesor Canës si dhe muzika e Betovenit u bë pjesë e leximeve letrare, si prelud i poezive të Tekiut (Dervishit), Esadit (Cërmjanit), Aliut (Musajt), Nusretes (Vulës),Sefedinit (Fetiut), Nexhmedinit (Sobës) e krijuesve të tjerë të Gjakovës, shumë prej të cilëve do të bëhen emra të njohur të letërsisë sonë. Por, si çdo mrekulli që vjen befas dhe befas largohet, edhe gramafonit me pllakat e Betovenit, i erdh fundi. Ndodhi kështu ngaqë, pak pa mbaruar viti, profesorit sikur i humbën gjurmët. U zëvendësua nga një tjetër. Na u tha se “kishte udhëtuar dika”. Por,nga thashethemet, u mor vesh se profesor Cana ishte shpallur “i rrezikshëm” dhe se duhej të largohej nga procesi arsimor. Vite më vonë, në fillim të shtatëdhjetave, profesor Canën e takova në Prishtinë, në Institutin Albanologjik, si bashkëpunëtor shkencor . Biseda jonë u ndërlidh me gramafonin dhe “Simfoninë e pestë” të Betovenit. “Ç’e do që në ato kohë të vështira të përndjekjeve, një arsimtari të historisë, edhe muzika e Betovenit i merrej “mëkat”! Kur e pyeta se ç’u bë me gramafonin dhe pllakat e Betovenit, profesor Cana, tha se mund të kenë përfunduar diku në ndonjë depo “të gjerave të ndaluara”. Por, ajo ndalesë nuk ishte në gjendje që të ndërpresë lidhjen shpirtërore me tingujt e muzikës së Betovenit, që u vendos te ne dhe brezi ynë në atë stinë me shi të imë… /KultPlus.com
Ledina Çelo ka qënë e ftuara e rradhës në emisionin ”Këndo këngën time” në Vizion Plus. Plot sharm, teksa ka dëgjuar intrepretimet e disa prej këngëve më të bukura të repertorit të saj, ajo ka rrëfyer edhe detaje të panjohura më parë rreth jetës së saj artistike.
E pyetur për pjesëmarrjen e saj në Eurovizion, Ledina Çelo nuk e ka fshehur brengën që e mundon prej vitesh lidhur me atë sesi u ndje në atë prezantim. Në rrëfimin e saj ndër të tjera ajo ka zbuluar këngën me të cilën, nëse do ti jepej sërish mundësia, do të donte të ishte përfaqësuar në Eurovizion, “Të dua se je ti”.
“Ajo është këngë e bukur dhe e tillë do mbetet për mua, se është pjesë e repertorit tim. Është një këngë që nuk më jepte mua mundësinë të tregoja vokalin tim, të nxirrja potencialin që unë kisha. Kujtimet e hidhura janë këto, që në momentin më të bukur që unë do të përfaqësoja një shtet, që është një nga ëndrrat më të bukura të çdo artisti pjesmarrja në Eurovizion, realisht një promovim shumë i mirë, unë u ndjeva vetëm dhe e braktisur. Nga shteti po e po njëherë, qoftë shpirtërore, qoftë njerëzore, financiare s’bëhej fjalë, me një fjalë deri tek veshja. Në vend që shteti të më përkrahte, për shkak të sponsorëve dhe pakënaqësive unë aty isha krejt e vetme. Me rëndësi që kënga doli mirë. Do të uroja që një gjë e tillë mos u ndodh kurrë këngëtarëve që do të na përfaqësojnë në Eurovizion, pasi mbështetja është shumë e rëndësishme”. /KultPlus.com
Diplomati, misionari dhe shkrimtari Charles Telforf Erickson, lindi në vitin 1867 në Ilinois, shkruan KultPlus.
Ai më vonë do t’i kalojë plot 30 vjet në Shqipëri, ku do të bëhet Drejtor i Bordit Amerikan të Misioneve të Huaja në Tiranë dhe Elbasan.
Në vitin 1931 ai dekorohet me titullin “Kalorës i Medaljes së Artë të Skënderbeut” nga Mbreti Zog.
Erickson shkruan vazhdimisht letra dhe artikuj për Shqipërinë të cilat ia drejton Departamentit të Shtetit dhe Presidentëve të SHBA-ve, ndërsa ka lënë edhe disa vepra të pabotuara si:
Shqiptarët, enigma e Ballkanit, ky bëjnë pjesë:
Mbretëria e Vogël, po më tej? Njeriu i vogël dhe kozmosi Unë protestoj e Përse Shqipëria duhet të vendoset nën një mandat amerikan? Ky mik i shqiptarëve njihet edhe për këtë thënie të cilën po e japim më poshtë: “Nuk ka popull më shpirtmirë e më të sjellshëm (gjentil) në Evropë se shqiptarët. Ata, përbëjnë një element të fuqishëm burrërie. Janë besnikë ndaj atdheut dhe japin jetën për fjalën e dhënë”. /KultPlus.com
Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka performuar së fundmi në spektaklin e madh “The Ellen Show”.
Ajo ka performuar live hitin e saj më të fundit “Don’t start now”, duke mahnitur publikun e pranishëm. Me një performancë atraktive dhe interpretim korrekt, Dua mori komentet më të mira nga fansat për performancën e saj.
Ajo para pak ditësh publikoi në YouTube një video, ku tregonte kamerën e fshehur që kishte realizuar ekskluzivisht për këtë emision. Lipa ishte maskuar si një shitëse në super-market, teksa këndonte për të pranishmit disa nga këngët e saj.
Videoja e u transmetua përgjatë emisionit, duke shkaktuar të qeshura të shumta te publiku. /KultPlus.com
Elton John u ka bërë thirrje votuesve për çmimet Oscar që t’ia japin atë të Aktorit më të mirë Taron Egertonit për portretizimin e tij në filmin “Rocketman”.
Taron e ka fituar një vlerësim kritik për performancën e tij në biopik, dhe ishte fitues befasues i çmimit për Aktorin më të mirë në kategorinë filmike, Komedi ose Muzikor në “Golden Globe Awards”, të dielën (5 janar).
Duke folur me podkastin Awards Chatter të Hollywood Reporter Eltoni shprehu shpresën e tij që anëtarët e Akademisë së Arteve dhe Shkencave ta shpërblejnë atë me “Oscar”.
“Taron – kur po e shikoja atë, po mendoja, ‘Ky jam unë! Ky jam unë!’”, thotë ai, “Thjesht mendoj se është fenomenale dhe më të vërtetë mendoj se ai e meriton “Oscarin” më shumë se kushdo që e kam parë këtë vit”.
Aktori uellsian i këndoi të gjitha hitet e yllit të këngës “Your Song” në biopik, i cili përfshiu anët e mira dhe të këqija të karrierës së Eltonit dhe betejave me alkoolin dhe abuzimin e drogës.
Duke e shprehur krenarinë e tij që filmi ishte një sukses i madh në arkat kinematografike, duke i fituar pothuajse 200 milionë dollarë në të gjithë botën, Elton shtoi: “Doja t’i tregoja tërë udhëtimin, rreziqet e tij dhe shpengimin.
“Dhe, ajo që është mbresëlënëse, për një film me vlerësim R, ai i fitoi 100 milionë dollarë në Amerikë. Vërtet mund të them sinqerisht se nuk do të ndryshoja asgjë për të”.
Të kandiduarit e sivjetshëm për “Oscar” do të shpallen të hënën. /KultPlus.com
“Përpara se të më gjykosh, përpiqu fort të më duash”.
“Të lutem, ndiqi ëndrrat! Pavarësisht idealeve të tua, ti mund të bëhesh ai që dëshiron të bëhesh”.
“Unë mund ta pranoj dështimin. Secili nga ne dështon në diçka përgjatë jetës së vet, por unë nuk mund ta pranoj dot të mos e provoj sërish”.
“Gjithmonë beso tek vetja. Pavarësisht nëse të tjerët rreth teje po tregohen negativë, apo po të përçojnë energji negative, mos i merr parasysh mendimet e tyre, sepse ti do të bëhesh, ashtu siç ti beson se do të bëhesh”.
“T’i japësh dikujt një pjesë të zemrës tënde, është shumë herë më me vlerë se t’i japësh gjithë pasurinë e botës”.
“Nëse ti nuk beson tek vetja jote, asgjë e mirë nuk do të të ndodhë në jetë. Nëse ti nuk beson tek vetja, kush tjetër do të të besojë ty?”
“Le të ëndërrojmë për një të nesërme ku do të dashurojmë me shpirt, dhe do ta njohim dashurinë si të vërtetën e vetme që buron nga zemra për çdo krijesë”.
“Është më mirë të dështosh duke qenë vetvetja, se sa të korrësh sukses duke imituar të tjerët”.
“Dikush dikur tha “Shpirti është ai që ka rëndësi””.
“Jini modestë, besoni tek vetja juaj dhe mbusheni zemrën tuaj me dashurinë e gjithë botës”
Për tridhjetë e pesë vjet interpreton këngë nga rapsodia shqiptare. Këngët më të bukura të folklorit dhe “Eposit të Kreshnikëve” ai i shkrin në meloditë e sharkisë së tij.
Me këngët që prezanton nga thesari i folklorit, Xhemail Gllavica rikujton ngjarje emocionale, në të cilat ndër shekuj ka kaluar populli shqiptar, raporton “Express” i KTV-së.
Gllavica, tutje tregon për ndjesinë e tij gjatë performancës në instrumentin e sharkisë.
Po cilët janë rapsodët që ai preferon?
Rapsodi Xhemail Gllavica, aktualisht punon në sektorin e rekuizitave të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Kolegët e tij, duke ia parë talentin, e angazhuan në shfaqje të ndryshme të inskenuara në teatër.
Që të mos zbehet folklori te brezat e rinj, Gllavica bën thirrje që shteti i Kosovës të kujdeset dhe të investojë në ruajtjen e kësaj tradite muzikore.
Në fund të viti 2018, Serbia e kishte regjistruar në UNESCO lahutën si trashëgimi të saj, ndërkohë Gllavica i cili luan në këtë instrument muzikor, thotë se autoritetet e vendit duhet lobuar intensivisht që të mbrohet kjo vegël, me të cilën këndohen tekste nga “Eposi i Kreshnikëve”.
Rapsodi nga Prishtina, ka momente interesante të përjetuara gjatë performancave të ndryshme. /KTV /KultPlus.com
Arian Mavriqin, Jetmir Troshanin dhe Ruzhdi Ibrahimin i bashkon një pasion: ai për fotografimin e botës së egër. Ata janë pjesë e shoqatës “Wildlife – Albanian Photographers”.
Fotoja e një ariu diku në Kosovë, e postuar nga Arian Mavriqi, në mars të vitit 2018, në grupin e porsahapur në Facebook, me emrin “Wildlife – Albanian Photographers”, ishte postimi i parë që do t’u hapte rrugë mijëra postimeve të tjera, të cilat për objekt kishin botën e egër të kafshëve, në të shumtën e rasteve, në trojet shqiptare. Nga një grup që ishte fillimisht aktiv në rrjete sociale, duke parë interesimin e madh të fotografëve për këtë lloj arti, në nëntor të po atij viti vendosin që të themelohet edhe shoqata me të njëjtin emër. Misioni i saj do të ishte mbrojtja, dokumentimi dhe promovimi i faunës në trojet shqiptare.
Si nismëtarë të këtij grupi, e më vonë shoqatës ishin Arian Mavriqi nga Kamenica dhe Granit Hyseni nga Peja. E më vonë atyre iu bashkuan edhe Jetmir Troshani nga Shkodra me banim në SHBA dhe Besnik Jakupi, po ashtu nga Kamenica. Ndërkohë, numri i anëtarëve ka arritur në disa mijëra. Jo të gjithë ata janë fotografë, por thjesht, adhurues të fotografisë së botës së egër.
Deri më tani kemi disa ekspozita të hapura të grupit, përderisa shumë foto tanimë zbukurojnë edhe muret e disa ambasadave të Kosovës, në vende të ndryshme nëpër botë.
Për të parë nga afër punën e anëtarëve të këtij grupi, kemi zgjedhur 3 nga ta, duke krijuar kështu një trekëndësh Kosovë – Zvicër – SHBA, fotografitë e të cilëve do t`i prezantojmë në këtë numër të albinfo.ch.
E nëse me të vërtetë një fotografi flet më shumë se 1000 fjalë, këtu kemi rast ta vërtetojmë, duke ofruar disa foto nga fotografët e Grupit.
Arian Mavriqi
Është nga Kamenica. Pas një përvoje në gazetari lokale, pasi që kishte ëndërruar gjithmonë të merrej me fotografimin e kafshëve të egra, më 2012 i futet me pasion këtij lëmi, duke u bërë kështu fitues i shumë çmimeve vendore dhe ndërkombëtare për fotografi të botës së egër.
Jetmir Troshani
I lindur në qytetin e Artit në Shqipëri, në Shkodër. Ishte rritur me gjyshen, oborri i së cilës ishte i mbushur me shpezë të shumtë, prej nga filloi edhe dashuria e tij ndaj tyre, që më vonë ishte faktor në zhvillimin e hobit të tij, fotografisë së botës së egër. Jeton në SHBA.
Ruzhdi Ibrahimi
I lindur në Zarbincë, Malësia e Bujanocit, dashurinë për fotografinë e kishte kultivuar qysh në rini. Pas emigrimit në Zvicër, puna e tij me fotografinë ka vazhduar, duke eksperimentuar në zhanre të ndryshme. Përderisa nga 2017 është më shumë i angazhuar në fotografinë e faunës. /KultPlus.com
Në dramën ‘Me dyer të mbyllura’ do të përpiqem të analizojë dramatikën si kategori zhanrore që shpreh determinimin politik-kulturor në raport me shoqërinë, familjen, grupin dhe individin. Garseni, Inesi e Estela janë tri karaktere që takohen në ferr pasi janë sjellur nga një shërbëtor misterioz dhe janë vendosur në një dhomë të modeluar sipas stilit francez të kohës, që në fakt del të jetë ferri social, në të cilin këto tri karaktere përpëliten gjatë gjithë kohës duke pritur lloj-lloj torturash e ndëshkimesh të përjetshme, pasi kishin kryer krime nga më të ndryshmet.
Garseni këmbëngul në pafajësinë e tij, thotë se qe ekzekutuar për shkak se ishte pacifist, kurse Estela që në dramë shfaqet si karakter tekanjoz gjithashtu mohon kategorikisht të ketë kryer ndonjë faj për sjelljen e saj në atë ambient i cili është përshkrim i jetës së përtejme. Ajo mendon të jetë bërë ndonjë gabim gjatë procesit të dënimit me vdekje. Ndërsa Inesi, karakteri i së cilës dallon nga dy të parët, u kërkon që t’i ndalin gënjeshtrat dhe të pranojnë dënimin tashmë të caktuar për krimet e bëra. Situatat që pasojnë janë çdoherë më të vështira për karakteret që dalin me probleme psikike, të ndodhur në ferrin, të cilit përpiqen t’i ikin vazhdimisht por nuk ia arrijnë.
Refuzimi i Inesit për të besuar se ata të dy kanë përfunduar aty rastësisht vazhdon, teksa pas përpëlitjeve që bëjnë me doemos duhet t’i binden fatit të përcaktuar duke e pranuar si të tillë. Dialogët që kanë me njëri-tjetrin janë ku më të vrazhdë ku më të lehtë, herë-herë mbesin pa forcë për të komunikuar të zhytur në mjerim të thellë. Megjithatë, pas një diskutimi pranojnë krimet e tyre; Garseni kishte keqtrajtuar gruan e tij, Inesi kishte joshur gruan e kushëririt të saj, derisa Estela pas një lidhjeje kish mbytur fëmijën duke e shtyrë babain e fëmijës të kryejë vetëvrasje. Estela, një grua me sharm nga shoqëria e lartë, interesohet për pamjen e saj, gjersa Inesi don ta joshë atë duke i ofruar ‘pasqyrë’ por nuk ia arrin qëllimit. Garseni që qëndron indiferent ndaj grave, rrjedhimisht nuk tërhiqet nga asnjëra prej tyre por iu sugjeron ta lënë njëri-tjetrin të qetë në heshtje.
Karakteri i Inesit është shumë interesant në dramë. Ajo ka fuqi mendimi dhe është e zonja të manipulojë me mendimet e Estelës dhe Garsenit gjatë gjithë kohës. Inesi shfaqet si një lezbike që kish dalë kundër bashkëshortit të saj dhe më vonë qe bërë vrasëse, por që në dramë del njëfarë ‘kriminelje e ndershme’ pasi ajo sinqerisht ia pranon vetes se është person mizor. Joshja që Estela i bën Garsenit e shtyen Inesin në çmenduri, gjegjësisht në kulminacionin e dramaticitetit. Me t’u hapur dera në mënyrë të pashpjegueshme, asnjëri prej karaktereve nuk është në gjendje të ikë nga aty. Garseni dëshiron të fitojë besimin e Inesit, e cila e quan paraprakisht frikacak dhe të mjerë, derisa ai arrin përfundimin se në vend të ndëshkimeve apo torturave, ‘ferri i vërtetë është tek tjetri’. Inesi ka nën vëzhgim, çdo lëvizje të tyre derisa Estela, e zemruar, mundohet ta vras më vonë Inesin, kështu ta largojë nga loja dhe të mbesë vetëm me Garsenin por orvatja e saj rezulton e kotë, Inesi veçse ishte e vdekur.
Karakteret janë vazhdimisht në luftë mentale, emocionale dhe fizike. Në tekstin e kësaj drame del botëkuptimi ekzistencialist që i prinë esencës dhe mundësisë së zgjedhjes në situata ekzistencialiste ose-ose. Autori përjashton ferrin religjioz, duke e zëvendësuar me ferrin social, pra tokësor. Ekzistencializmi, (filozofi së cilës i takon autori) trajton problemin e qenies njerëzore duke mos dhënë përgjegje as ofruar ndonjë zgjedhje. Njeriut para se t’i përcaktohet fati ai ekziston si njeri! Atmosfera sartriane na çon kah konkluzioni se njeriu ekziston, dhe faktikisht zbulohet që nuk është por thjesht ekizston.
Ky tekst dramatik tërthorazi na flet për lirinë e kufizuar të qenies njerëzore dhe pafuqinë për të dalur nga ajo hapësirë e mbyllur drejt lirisë! Një lirie fillimisht vetjake, pastaj shoqërore. Vendosja e karaktereve në ferr rezulton si simbolikë, për të treguar se në fakt ferri i vërtetë janë njerëzit që veprojnë mbi tokë. ‘Me dyer të mbyllura’ mbetet ndër dramat më tipike, në të cilën shfaqen idetë filozofike ekzistencialiste sartriane. /KultPlus.com
“Rrugëtimi i një arbëreshi” është libri i autores Ornela Radovicka mbi jetën dhe veprimtarinë e arbëreshit At Antonio Bellusci i publikuar nga shoqata “Pal Engjëlli”.
Z. Bellusci me arkivin e tij krijoi një tablo të pasur mbi jetën reale të arbëreshëve të Kalabrisë dhe arbërorëve arvanitas, luftoi për çështjen e pavarësisë së Kosovës dhe si misionar për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit arbëror. Vepra e tij është dëshmi e gjallë gojore, etnografike, letrare, folklorike arbëreshe e arvanitase.
Ai ishte themelues i revistës “Lidhja”, anëtar i lobit Shqiptaro-Amerian dhe punoi në mjediset arvanitase për mbi 40 vjet. Gjatë udhëtimeve inçizoi lirikat e dashurisë dhe familjare, këngët popullore, mënyrën e jetesës, kultet, lindjet, dasmat, vajtimet arbërore, fjalë e urta, anekdotat, ritet, mitet e veshjet popullore.
“Bota arbërore dhe ajo arvanitase ishin sikur të lexoje të njëjtin libër”, është shprehur z. Bellusci. /KultPlus.com
Kur të keni dalë prej materniteti dhe jashtë ju pret një bashkëshort dhe baba i lumtur, dorëzojani atij menjëherë beben dhe vetë shkoni tek parukierja. Babai në këtë rast do të duhet të gjindet – nuk do të ketë nga kush të kërkojë ndihmë. Kështu, ai dalëngadalë do të mësojë ta ushqejë, pastrojë, ndërrojë dhe shëtisë beben. Kjo është e nevojshme jo vetëm për ta ndihmuar nënën, por edhe për të kultivuar raport të afërt me fëmijën – ai s’ka qenë shtatzënë, nuk ka lindur, kështu që dashuria e tij është direkt e lidhur me fuqinë e përkushtimit.
Rreth 50 vepra të artistëve pamorë të para viteve ’90 janë botuar në një album. Studiuesi Abaz Hado e cilëson botimin e këtij albumi, që ka në qendër tematikën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare një ngjarje e madhe për artin pamor shqiptar.
Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, si rrallëherë, vjen në një album. Veprat e artistëve pamorë të realizuara gjatë viteve 1945 deri në vitin 1990, nën propagandën e regjimit komunist, por me tematik luftën, autorja Vjollca Trebicka Konda i ka bërë bashkë në një album.
Monumenti “Nënë Shqipëri” Kristaq Ramës, Muntaz Dhramit edhe Shaban Hadërrit u paraprinë rreth 50 veprave të piktorëve edhe skulptorëve të njohur, si “Agimi i 17 nëntorit 1944 në Tiranë” i Bukurosh Sejdinit, “Ju flet Tirana” i Pandi Meles, “Vojo Kushi” i Sali Shijakut, “Betimi Partizan” i Guri Madhit, apo “Epika e Yjeve të Mëngjesit” e Edison Gjergos, Ksenofon Dilo i :kujtim i viteve të Luftës”, edhe shumë vepra të tjera, që sjellin momente të rëndësishme nga kjo periudhë. Studiuesi dhe piktori Abaz Hado e cilëson botimin e këtij albumi për 75-vjetorin e Çlirimit të Vendit një ngjarje shumë të rëndësishme në fushën e arteve pamore.
“Ngjarjet që ndodhën para se të festohej 75-vjetori (tërmeti i datës 26 nëntor 2019) ishin të tilla, që penguan një festim dinjitoz të kësaj ngjarje të madhe dinjitoze, siç është Çlirimi i Vendit. Për herë të parë botohet një album, që u dedikohet artistëve pamorë që kanë kontribuar në këtë tematikë. Kjo u bë falë një bije veteranësh, që në nder të prindërve të saj, mori botimin e një albumi, siç është Vjollca Trebicka Konda”, shprehet studiuesi Abaz Hado, i cili mendon së është vërtet një ngjarje shumë e madhe për artin pamor të para viteve 90, artin e realizmit, që tregon se në aspektin e trajtimit të temave të historisë pati një angazhim total.
“Në tërësi arti i asaj periudhe pasurohet në këtë trend, në pasqyrimin e ngjarjeve historike, jo vetëm lufta partizane, por edhe që nga periudha e Skënderbeut deri në Luftën e II Botërore. Arti shqiptar i realizmit socialist u drejtua në trajtimin e temave historike, të aktualitetet edhe figurave historike”, thotë Hado.
Studiuesi ndalet tek edhe tek mënyra se si artistët kanë zgjedhur që të trajtojnë tematikën e luftës, nën frymën e kohës.
“Secili autorë këtë lloj mënyre të trajtimit të gjetjes së tematikës së luftës, e kishte si qëllim edhe për të pasqyruar epopenë e lavdishme. Sepse, të themi të drejtën pas çlirimit iu dha një rëndësi shumë e madhe kësaj periudhe. Kjo ishte edhe një lloj tematike e fortë e kohës, që mund të ndante parcelat e atyre artistëve, që kishin mundësi ta trajtonin këtë. Kjo është me epoka. Arti shqiptar dihet që është ndarë në epoka të ndryshme, italiane, e lindjes. Më pas, arti që vjen pas viteve ‘50 solli më shumë dinamizëm, vrull edhe patetizëm. Kjo ishte një faqe që përbënte pjesën më të madhe të krijimtarisë, si Guri Madhi, Vilson Killica, Ksenofon Dilo, Zef Shoshi, Lec Shkreli etj. Pastaj vijnë edhe artistët e shkollës shqiptare, ku Edison Gjergo i dha më shumë frymë moderne apo edhe Vilson Kilica”, shpjegon Hado, teksa thotë që nga kjo pikëpamje, kjo lloj krijimtarie me tematikë nga lufta, kalon në tre faza, por në forma të ndryshme, të një realizmi të drejtpërdrejtë me frymë romantike, të një realizmi të fortë zhurmës me lëvizje dhe dinamik e entuziazëm, edhe pjesa tjetër që është ajo e modernizimit”, vijon studiuesi i artit.
Ndërsa, Pandi Madhi, djali i piktorit Guri Madhi, e kujton ende edhe sot punën që i ati artistët duhet që të bënte për realizimin e veprave për luftën në çdo përvjetor. Albumi për 75-vjetorin e Çlirimit të Vendit përpos veprave të piktorëve, shoqërohet edhe me informacion mbi krijimtarinë e artistëve përkatës.v.d. /Shqiptarja.com /KultPlus.com
Tregimet me një fund të lumtur nuk ekzistojnë vetëm në libra dhe në imagjinatën e shkrimtarëve, shkruajnë mediat italiane. Jo vetëm në imagjinat, por ka edhe në realitet dhe padyshim ajo është Rozeta Plumbini në të vërtetë, transmeton albinfo.ch.
Rozeta Plumbini, gruaja e parë shqiptare që merr detyrën si mjeke familjeje në Asti të Italisë. E lindur në Shkodër dhe diplomuar për mjekësi, ajo u largua nga vendlindja gjatë vitit 2000 dhe u vendos në qytetin italian të Astit.
Roseta, është aktiviste e komunitetit shqiptar atje, ajo ushtron profesionin e saj dhe është e mirintegruar në shoqërinë e vendit ku jeton.
Mediat italiane e përshkruajnë Roseten si një zonjë e bukur bjonde, Rozeta dhe se ka hap derën e zyrës së mjekut në Corso Casale në një pallto të bardhë, ajo nuk frymëzon frikë, por një ndjenjë të menjëhershme të simpatisë dhe mirëkuptimit, karakteristika që sigurisht kanë ndihmuar për ta bërë atë mjeke dhe kapërcyer të gjitha vështirësitë e hasura dhe që ajo tregon me një buzëqeshje dhe krenari, transmeton albinfo.ch.
“Jam mirë këtu në Itali, bëj atë që kam dashur të bëj – thotë Rozeta – dhe se çdo vit jam e lumtur të shkoj në Shqipëri për të gjetur miqtë e mbetur dhe rrënjët e mia, kur të kthehem mendoj” këtu jam në shtëpi “me pak fjalë, tani jam gjysma shqiptare dhe gjysma italiane dhe gjithashtu këtu kam shumë miq dhe shumë njerëz për të thënë faleminderit – përfundon ajo – Duke filluar nga Shoqata Mjekësore, nga Menaxhmenti nga i gjithë stafi i ASL dhe nga famullia e San Domenico Savio që menjëherë më përkrahën dhe më mbështetën” tha Roseta. /Albinfo.ch /KultPlus.com
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore po kryen vëzhgime në terren në zonën arkeologjike të Kombinatit dhe të Yzberishtit.
“Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore kanë kryer një vëzhgim sipërfaqësor arkeologjik në zonën e Kombinatit dhe të Yzberishtit, në kuadër të projektit “Ndërtimi i rrjetit kabllor Fiderat T1 dhe T4 20Kv, nga Nënstacioni i ri 110/20 Kv”, sqaron Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.
Po ashtu Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore sqaron se “Gjatë kontrollit të gjithë zonës urbane dhe suburbane, në të cilën shtrihen fiderat, u realizua plotësimi i dokumentacionit përkatës”. /KultPlus.com
Më jepni kohë ju të paduruar ju të padalë ju, që jeni lodhur duke pritur ju dembelët që keni vdekur në gjumë të ditës ju të tepërtit e kësaj bote ju të varfër më jepni aq sa keni mundësi aq sa mundeni
Ta ngjallë
edhe një përbindësh
më jeni kohë ju të penduar zjarrin e Eskilit të fshehur në zemër hapat e vjedhura të dhelpërisë së një nate m’i jepni,
gjitha dështimet premtimet e bëra si dashurinë në qoshe! ëndrrat që s’u bënë kurrë kohën e humbur në libra të ndyra, që nuk vlejkan hiç asgjë
t’i vjellë të gjitha pa më mbaruar ëndrra në k’të vend nëse zgjohem Njeri!
Më në fund është publikuar fragmenti i ri për “The New Mutants”, i cili na konfirmon se 20th Century Fox është vërtet i vendosur që filmi përfundimisht të realizohet. Josh Boone është regjisor, ndërsa filmi është i bazuar në një skenar të shkruar nga Boone dhe Knate Lee.
Filmi fillimisht u xhirua në vitin 2017. Boone thuhet se dëshironte ta bënte filmin më shumë si horror, por në Fox e donin një version pak më të butë, shkruan KOHA Ditore. Thashethemet për problemet në produksion u intensifikuan vetëm kur Fox e zhvendosi datën e publikimit nga prilli 2018 në shkurt 2019 për të arritur që t’i ri-xhirojnë disa skena.
Ky ri-xhirim i disa skenave nuk ndodhi dhe filmi u shty përsëri në gusht të vitit 2019, por në fund çdo gjë ngeci pasi që Disney e bleu Foxin dhe e mori pronësinë e filmit të papërfunduar.
Edhe pse shumë kishin frikë se në fund filmi nuk do të realizohej, Disney prapë vendosi ta publikojë atë, qoftë vetëm në edicion të kufizuar.
Traileri i ri u publikua një vit e disa muaj pasi që patëm mundësinë t’i shohim kuadrot e para. Në film luan Maisie Williams, Anya Taylor-Joy, Charlie Heaton, Henry Zaga, Blu Hunt dhe Alice Braga.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, filmi do të duhet të shfaqet në kinema më 3 prill të këtij viti. /KultPlus.com
Shtegtimet e zogjve nga Rusia nëpër Evropë janë të zakonshme, por një spektakël zogjsh është realizuar për mrekulli në Izrael.
Derisa perëndonte dielli, zogjtë filluan manovrimet e tyre me një shpejtësi të madhe, duke krijuar forma të ndryshme dhe momente dramatike në jug të Izraelit.
Por këtë nuk e bëjnë për kënaqësi, transmeton KTV.
Qëndrimi në këso formash u ndihmon zogjve të krijojnë ushqim dhe të mbrohen nga grabitqarët.
Bashkësia jo vetëm që krijon siguri në numra, por lëvizjet e ndryshueshme brenda sekondave dhe formimi i formave, shkakton huti te grabitqarët.
Para 20 vjetësh, tuba të tilla zogjsh në Izrael arrinin deri në miliona, por numri i tyre është pakuar shkaku i shtegtimeve të ndryshme dhe mungesës së shumimit, për të cilën hulumtuesit në Izrael ende nuk e kanë gjetur arsyen. /KultPlus.com
Filozofja franceze ka lënë gjurmë të rëndësishme në ekzistencializëm, letërsi, dhe diskursin feminist, duke kundërshtuar normat e ngurta patriarkale të kohës.
Sipas filozofes, pas çdo historie dhe sjelljeje femërore mund të kuptohen ndikimet e patriarkatit. Idetë feministe të de Beauvoir-it u vlerësuan dhe vijuan nga brezat më pas, veçanërisht ato të viteve ’70.
Më poshtë, disa prej thënieve më të mira të shkrimtares, shkëputur nga veprat e saj kryesore.
Seksi i Dytë, 1949
“Dikush nuk lind, por bëhet grua.”
Force of Circumstances Vol. III, 1963
“Vetëdija nuk e garanton lumturinë, por është më pranë asaj që të shtyn të luftosh për lumturinë.”
Seksi i Dytë, 1949
“Burri përkufizohet si qenie njerëzore ndërsa gruaja si femër – sa herë që ajo sillet si njeri, thuhet se imiton burrin.”
Gruaja e Thyer, 1967
“Çfarë është një i rritur? Një fëmijë i transformuar nga koha.”
All Said and Done, 1972
“U largova prej rehatisë së të sigurtës drejt dashurisë për të vërtetën – dhe e vërteta ma shpërbleu.”
Seksi i Dytë, 1949
“Duhet kuptuar fakti se femra ekziston brenda species njerëzore, si gjysma e saj. Dhe megjithatë, na thuhet se feminiteti është në rrezik. Në këtë kuptim gruaja duhet të bëhet e tillë, të jetë e tillë dhe të qëndrojë e tillë. Por, duket se jo çdo qenie femërore është patjetër “grua”. Për t’u konsideruar kështu ajo duhet të zhytet në atë realitet misterioz që quhet: feminitet.”
Etika e Ambiguitetit, 1947
“Nëse çdo njeri do të bënte çfarë të mundej, ekzistenca do të ruhej në secilin pa pasur arsye të ëndërrojmë për një parajsë ku çdo gjë do të ngushëllohej me vdekjen.” /KultPlus.com
Filmi i metrazhit të gjatë “Shpia e Agës” me skenar dhe regji nga Lendita Zeqiraj do të prezantohet në festivalin e filmit në Göteborg të Suedisë.
Ky festival mbahet nga 24 janari e deri më 3 shkurt.
“Shpia e Agës” sjell në ekran jetën e pesë grave, të cilat bartin me vete traumat e luftës së fundit në Kosovë. Jeta e grave në film fillon me të qeshur, duke bërë shaka, kënduar e vallëzuar, mirëpo mbrapa këtij imazhi të lumtur fshihen akoma plagët dhe traumat që kanë këto gra. Burri i vetëm i shtëpisë në film është Aga (Arti Lokaj), një djalë 9-vjeçar. Ai kërkon vazhdimisht babën e vet për të cilin mendon se është hero dhe i burgosur në Serbi. Në mungesë të një roli, sesi një burrë duhet të veprojë, Aga nxit shikuesit e filmit që të reflektojnë edhe mbi rolin e patriarkalit.
“Shtëpia e Agës” ka për producent Bujar Kabashin. Rolet i luajnë: Art Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni, Egla Ceno etj.
Filmi “Shpia e Agës” është bashkë-prodhim në mes Kosovës, Kroacisë, Francës, dhe Shqipërisë me shtëpitë prodhuese N’ART FILMS mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, bashkëprodhuesit WOOF FILMS nga Kroacia; Sacrebleu productions nga Franca; si dhe Ska-Ndal Productions dhe SY13 Films nga Shqipëria mbështetur Qendra Kombëtare e Kinematografisë. /KultPlus.com
Tash që qetësia u bë dashuri,
Dhe ndjesitë tona kanë tjetër kuptim,
Si ta gjejmë forcën për t’reja stuhi?
Për trazime t’shpirtit që s’kanë sqarim.
Ta ndjekim mendjen, trupin apo zemrën?
Të rrimë fisnikë apo argatë të ligësisë?
Apo s’ia vlen fare ta ndryshojmë gjendjen,
Të heqim dorë nga dobia e qetësisë.
Dobi e qetësisë thash? Po, Po! dobi. Kur syri thahet e buza s’dridhet më, Kur zemra e mendja janë n’harmoni.
Princ Harry dhe Meghan Markle, duka dhe dukesha e Sussex-it, deklaruan dje se do të tërhiqen nga detyrat e tyre mbretërore për një jetë të pavarur financiarisht.
Deklarata e tyre sigurisht që habiti jo pak njerëzit dhe po kaq të habitur duken edhe anëtarët e Pallatit.
Në një deklaratë të publikuar disa orë pas postimit të çiftit, Buckingham Palace u shpreh se situata ishte “e ndërlikuar”. “Diskutimet me dukën dhe dukeshën e Sussex-it janë ende në një fazë të hershme,” shkruhej në deklaratë.
“Ne e kuptojmë dëshirën e tyre për një qasje ndryshe, por këto janë çështje të komplikuara, për të cilat do të duhet kohë për të punuar.”
Në postimin në Instagram, thuhej se vendimi për t’u shkëputur nga mbretëria ishte marrë “pas muajsh të tërë reflektimesh dhe diskutimesh”, ndërkohë që deklarata e Buckingham Palace deri diku bie në kundërshtim me atë të çiftit.
Burime për CNN thonë se Harry dhe Meghan nuk u këshilluan me anëtarët e tjerë të familjes mbretërore në lidhje me vendimin e tyre. Thuhet se të gjithë janë të zhgënjyer dhe të lënduar si rezultat i lajmit të bujshëm.
Vendimi i papritur habiti jo pak njerëzit, të cilët u ndanë në dy kampe. /KultPlus.com
Filmi ‘Avatar’, i cili për herë të parë u dha premierë në vitin 2009, pati suksese të mëdha në kinemtaografinë amerikane, shkruan KultPlus.
Pjesa e dytë e këtij filmit u paralajmërua se do të dalë në vitin 2014, mirëpo kjo nuk u realizua dhe pritet që ky film të dalë në vitin 2021.
Planifikohet të publikohen gjithsej pesë filma, secili sipas planit. Llogaria zyrtare e “Avatar” në tëitter publikoi katër pjesë të konceptit për filmin e ri dhe duken si video-lojë.
Filmi është realizuar me një teknikë që nuk është parë kurrë më parë deri sot. / KultPlus.com