Suedia është “në gjunjë”, eksperimenti i imunitetit të masës bie në ujë

Numri i të prekurve me koronavirus në Suedi për kokë banori tash është për gjysmë më i madh se në Britani të Madhe, Gjermani e Spanjë.

Suedia, që në fillim të pandemisë u bë e njohur për mosmarrjen e masave konkrete për parandalimin e COVID-19, duke insistuar në imunitetin e masës, tash duket se është në gjunjë.

Sistemi shëndetësor ka kaluar të gjitha limitet, më nuk po përballon fluksin, raportojnë mediat e huaja.

Ka dyfish më shumë të vdekur për kokë banorë sesa fqinjët nordikë.

Deri më tash, ky vend ka raportuar për 278.912 raste pozitive. Vetëm muajin e kaluar janë raportuar mbi 1000 raste të vdekjes si pasojë e COVID-19. Në total, numri i të vdekurve ka kaluar shifrën 7.000.

Norvegjia, që ka marrë masat qysh më 12 mars, deri më tash ja shënuar 259 raste të vdekjeve si pasojë e COVID-19.

Qeveria e Suedisë në fund është dashur të marrë masa, të cilat në fillim ishin të pabesueshme. Dhe ndër masat janë kufizimi i tubimeve deri në tetë persona, është ndaluar shitja e alkoolit pas orës 22:00, derisa shkollat e mesme po vazhdojnë procesin mësimor online.

Po ashtu, janë rritur kritikat mbi epidemiologun kryesor të vendit, Andersa Tegnel, që ka aplikuar “një luftë të butë” ndaj COVID-19.

Suedia ka përqindje të vdekjeve për kokë banori më të madhe se cilido vend i Evropës Perëndimore.

Në këtë vend janë shënuar 346 vdekje për 100.000 banorë, derisa në Britani 151 e në Spanjë 121.

Kryeministri i vendit, Stefan Lofven, të martën, tha se festa e Krishtlindjes sivjet nuk do të jetë si më parë.

“Normalitet i ri”, tha ai, kur ua kumtoi suedezëve se do ta kenë të pamundur të mblidhen për Krishtlindje. / KultPlus.com

Eliot Engel mban seancën e fundit për Ballkanin, ka një dedikim për Kosovën

Kongresisti amerikan dhe miku i madh i Kosovës, Eliot Engel, të martën e udhëhoqi seancën e fundit dëgjimore për Ballkanin. Me këtë rast, ai ia kushtoi disa fjalë zemre Kosovës.

“Sot e udhëhoqa seancën e fundit dëgjimore për Ballkanin. Kam luftuar për liri, pavarësi dhe drejtësi për popullin e Kosovës që nga koha kur për herë të parë erdha në Kongres. Kosova gjithmonë do të ketë një vend të veçantë në zemrën time”, tha ai.

Fjalët e kongresistit Engel i citoi faqja zyrtare e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme në Tëitter, shkruan Gazeta Express.

Në postimin është bashkëngjitur edhe një link që tregon pse Engel është shumë i lidhur me Kosovën dhe pse respektohet aq shumë në vendin tonë.

Aty thuhet se emrin e Eliot Engel e mbajnë rrugët në Kosovë, ndërsa figura e tij është e shtypur në pullat postare.

Engel ishte një ndër ligjvënësit e parë amerikanë që i kishte bërë thirrje administratës së ish-presidentit Clinton për të ndërhyrë me ushtri në Kosovë kundër forcave jugosllave të Sllobodan Millosheviqit.

Më vonë, ai gjithashtu i bëri thirrje qeverisë amerikane që ta njohë pavarësinë e Kosovës më 2008./ KultPlus.com

Pronari i kafenesë ku iu dogjën duart cigareshitësit del me një tjetër sqarim

Pronari i kafenesë, në të cilën iu dogjën duart një shitësi të cigareve, Dardan Bunjaku, ka dalë me një sqarim tjetër për rastin.

Bunjaku ka postuar në llogarinë e tij në Instagram një fotografi me shitësin e cigareve, duke thënë se e konsideron shok dhe se po të ishte prezent në kohën kur ka ndodhur rasti, nuk do të lejonte që të bëhej një gjë e tillë.

“Pas shumë komenteve dhe keqkuptimeve po e jap edhe një sqarim në këtë post. Po e përsëris që kur ka ndodh ngjarja unë personalisht nuk kam qenë present pasi që edhe Bitën e konsideroj shok dhe nuk e kisha leju me bo një gjë të tillë!”, ka shkruar Bunjaku.

Tutje, Bunjaku ka thënë se nuk është në natyrën e tij që të poshtërojë ose të bëjë shaka me asnjë njeri e sidomos jo me personin në fjalë, meqenëse, siç thotë, e mirëpret gjithmonë në lokal dhe mundohet t’i ndihmojë me aq sa ka mundësi.

“Nuk oshtë e natyrës tem me poshtru ose me bo shaka me asnjë njeri e aq ma pak për Bitën që e mirëpres në lokal dhe mundohem t’i ndihmoj me mundësit e mija. Nëse do të ishte për famën, nuk kisha dal drejtëpërdrejt të bëh deklaratë me emrin tem dhe nuk do të lejoja që ajo video të postohej në rrjete, meqenëse unë po e kërcënoj Bitën. Prandaj ju kisha lut mos me paragjyku. Këto lloj “shaka” siç e ka bo Bita, i bojn edhe fëmijët e juve dhe është e pamundshme të paradalohen”, ka shkruar Bunjaku në Instagram.

Detaje rreth këtij rasti ka dhënë edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh. Policia ka bërë me dije se ka intervistuar viktimën dhe dy dëshmitarë.

“Rr. Fehmi Agani, Prishtinë, 31.10.2020. Raportohet se pas publikimit të një videoje në rrjete sociale, njësiti i hetuesisë ka  intervistuar  viktima mashkull  kosovar dhe dy dëshmitarë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raport.

Ndryshe, në pamjet e publikuara në rrjetet sociale cigareshitësi shihet duke tentuar ta ndalë flakën, ndërsa në sfond dëgjohen pjesëmarrësit duke qeshur me të. Askush nga të pranishmit nuk e ndihmon atë, për t’ia shuar flakët. /Gazeta Express/ KultPlus.com

Si ndikuan fansat nga Nigeria në karrierën e këngëtares shqiptare

Interneti ka zvogëluar botën dhe ka afruar më shumë njerëzit me njëri-tjetrin. Shumica prej nesh nuk kanë arritur ende të kuptojnë se çfarë do të thotë kjo në të vërtetë, por për njerëz si Enisa, interneti është një realitet me aftësi të mëdha, i tillë që mund të transformojë një karrierë të vështirë brenda ditës.

Lindur dhe rritur në Brooklyn, New York, shqiptaro-amerikanja Enisa është një artiste, këngëtare dhe kompozitore këngësh.

Ajo ka lindur më 5 Mars 1996 dhe deri në Dhjetor 2020, karriera e saj muzikore ishte ende në kërkim të përparimit që do të popullarizonte emrin e saj në industri. Ndërsa ndiqte fatin, karriera e saj do të merrte hov më 3 Dhjetor 2020 dhe gjithçka nisi nga Twitter dhe njerëzit e një vendi të Afrikës Perëndimore, Nigerisë.

Çfarë roli luajti Twitter dhe nigerianët në karrierën e Enisës

Gjithçka daton në tetor 2020, pikërisht në datën 10 të muajit tetor kur ajo shkroi në Twitter për të mbështetur protestat #EndSars në Nigeri. (Nëse nuk e keni dëgjuar, “End SARs” ishte ndoshta lëvizja më e popullarizuar shoqërore e vitit 2020.)

Duke reaguar në Tweet-in e këngëtares në mbështetje të #EndSars, një nigerian në platformë i premtoi asaj se njerëzit e vendit do t’i kthenin favorin Enisës. Sipas fjalëve të tij, “karriera e saj muzikore nuk do të jetë më e njëjta”.

Premtimi filloi të manifestohej në 3 Dhjetor ndërsa nigerianët vërshuan në faqet e mediave sociale të Enisës, veçanërisht Twitter, në mbështetje të karrierës së saj. Ata i dhanë asaj një emër nigerian (joruba), Eniola, që do të thotë “një person me pasuri” i cili shtoi në mënyrë marramendëse ndjekësit e saj.

Më 5 dhjetor, këngëtarja u zgjua me 25 mijë ndjekës, dhe orë më vonë, numri u rrit në 70 mijë duke e bërë emrin e Enisës mjaft të njohur dhe këngët e saj trend.

Këngëtari së pari u bë e njohur për interpretimin e këngëve të artistëve të njohur

Shqiptarja Enisa ishte bërë e njohur edhe më parë në industrinë e muzikës me zërin e saj unik, por nisma e saj për të mbështetur #EndSars ja shtoi asaj famën.

Enisa filloi të fitonte vëmendje në internet kur u përpoq të interpretojë covera të këngëve të artistëve të njohur të cilat i ndau në platformat e mediave sociale.

Vëmendja që ajo fitoi, e inkurajoi atë që të vazhdonte të fitonte më shumë ndikim në internet ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz filluan ta ndiqnin atë. Ishte vetëm çështje kohe kur ajo të binte në këngën e saj debutuese. Kjo ndodhi në vitin 2016 kur ajo nxori një single të titulluar “Burn This Bridge”.

Përveç karrierës së saj muzikore, Enisa është edhe një modele. Por pasioni i saj më i madh është muzika./ Diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Politikani shqiptar në Gjermani, Kolë Gjoka: Emigrimi s’është fushë me lule

Kolë Gjoka jeton prej 25 vitesh në Gjermani ku është dhe ndër të paktët politikanë shqiptarë atje. Shteti gjerman në vitet e fundit është kthyer ndër vendet që ka tërhequr më shumë shqiptarë.

Për Gjokën të rinjtë duhet të kuptojnë se Gjermania nuk është fushë me lule, ndërsa shtoi se institucionet shqiptare duhet të bëjnë më shumë për punësimin e rinisë, duke filluar që nga shkollat profesionale.

Duke folur në “Radar Informativ” në Abc News ai shtron pyetjen nëse “ia vlen të lësh vendin e të punosh hamall në Gjermani?

“Kjo rini që largohet nga Shqipëria dhe vjen në Gjermani do ta shohë me sytë e saj se si është realiteti. Gjermania nuk është fushë më lule, është vendi i punës. A ia vlen të lësh vendin dhe të punosh hamall në Gjermani,- kjo është pyetja që shtroj unë? Një ditë kur të kthehen do të kenë fituar kulturën e punës, kulturën e marrëdhënies me biznesmenë”, u shpreh ai.

Pyetje: Sa kthehen të zhgënjyer në Shqipëri dhe sa qëndrojnë aty?

Gjoka: Shumica e atyre që vijnë këtu janë me mendimin e qëndrimit për 2-3 vite dhe më pas të kthehen. Por situata është 50 me 50. Sot, shansi i azilit tani është zero, e vetmja mundësi është punësimi, por edhe COVID-19 ka dhënë efektet e saj.

Ndërtimi është një nga sektorët që merr më shumë emigrantë, po ashtu edhe mjekësia .

Pyetje: A do t’i këshilloje dikujt të nisej për Gjermani?

Gjoka: Ç’donjeri mund të niset, por thirrja që unë dua të bëj është që mos t’i lejojmë të zënë rrënjë, por të rinjve t’i ofrohet një alternative për t’u kthyer në Shqipëri. Arsimi dhe shkollat profesionale duhet të kenë më shumë vëmendje. Rroga mesatare e një punëtori të pakualifikuar është rreth 1600 euro, bruto, ndërsa e një punëtori të kualifikuar varet nga sektori, por gjithsesi ka kërkesë dhe ofertë të lartë. / Diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Si u botua libri im i parë?

Nga: Dimitër Shuteriqi

Ishte viti 1935 kur botova librin “Kangët e rinisë së parë”. Vitin tjetër botova përmbledhjen time të dytë poetike, “Kangë?” Që ky titull përcillej me një pikëpyetje nuk ishte çështje modestie, ishte pohimi se ende nuk jam i sigurt për një arritje të vërtetë. Kisha një kuptim të lartë për artin. Që botova ka qenë një guxim. Por si bëhet pa botuar?

Si gjithë poetët që sapo nisin të shkruajnë, edhe mua nuk më durohej t’i shoh sa më shpejt vjershat e mia në një libër, le të ishte ky libër një broshurë e vogël fare. Vjershat që kisha shkruar ishin ende pak, por u gjend dikush që sapo lexoi diçka prej krijimeve të mia u entuzias e më tha: “Si të mos i botosh? Doemos duhen botuar dhe sa më parë, që sivjet, me këtë shterpësi letrare që kemi.” Ishte koha kur flitej për “shterpësi letrare”. Unë, sipas tij, do të provoja se letërsia jonë nuk na qenka aq “shterpësi”, të paktën në poezi. Këto fjalë të shokut më bënë të skuqem nga turpi. Numërova paratë që kisha dhe më dolën pak më shumë se tre napolona. Mora guxim e vajta drejt te Dhori Koti, një nga shtypshkronjësit e librashitësit më të njohur të asaj kohe. Librat shtypshkronja e Dhorit i botonte si mos më keq, aq sa Tasi Pika (vëllai i piktorit Vangush Mio), në librat që botonte tek ai vinte shënimin “Made in Albania”, d.m.th. bërë më shumë me këmbë se me dorë. Po ç’të bëja? Në Korçë ishte edhe shtypshkronja “Evangjeli”, por ajo s’mund të lëvdohej për më mirë, përkundrazi. Sidoqoftë, unë kisha besim se, po të mbikëqyrja vetë botimin e librit, diçka kishte për të dalë, huq që më mbeti për gjithë jetën, dhe jo vetëm për librat, por edhe për botimin e artikujve të mi.

Prita pak në dyqanin e Dhorit kur nga një derë, prej ku vinte zhurma e makinave, hyri një burrë i shkurtër me duar të llangosura, fizionomi e njohur për mua. Më vështroi pak e tha:

– Këtu nuk shes gjë, more djalë, siç sheh, dyqanin e kam matanë – duke pandehur se doja të blija ndonjë libër a fletore.

– Kam ardhur për tjetër punë – i thashë. Ai më hetoi e pastaj tha:

– Urdhëro e fol. Çfarë të ka sjellë?

– Dua të shtyp një libër, zoti Dhori.

– Kërkon të shtypësh një libër, more djalë? – m’u drejtua ai.

– Një libër – përsërita unë me një zë edhe më të vendosur.

– Po përse e ke atë libër? – tha Dhori.

– Kam shkruar vjersha – iu përgjigja unë.

– Vjersha? – tundi kokën ai dhe më pa mëshirueshëm e pak ironik. – Tërë bota vjersha shkruajnë, vjersha more bir. Sapo nisën shqipet të mësojnë e të këndojnë gjuhën e tyre, nisën të vjershërojnë. Se jemi edhe soj vjershëtorësh, de. Një të vritet, njëzet këngë i thurin. Para e humbur, more bir. Librat s’para shiten, kurse librat me vjersha… Ç’të të them? Mos shiko ato të Naimit. Lehtë shkruhen librat, por me zor shumë shtypen, se për të shitur, nuk shiten.

Dhori e pa që isha pak i ofenduar, e shpuri gjetkë fjalën:

– A s’më thua, more djalë i mbarë, cili të dërgoi tek unë?

– S’më dërgoi njeri, erdha vetë. Dua të shtyp një libër me vjersha dhe paratë i kam.

– Bukuri, bukuri, me këtë krizë ne punë duam, po a s’më thua: i kujt je ti këtu në Korçë, more bir? – tha Dhori.

– S’jam korçar, jam elbasanas – i thashë.

– I shkruan vjershat gegërisht demek, po ta dish që hundake dhe të mprehta s’para kemi. Sa vjersha ke? – pyeti së fundi Dhori.

Unë nxora nga xhepi radhuan. Ai i hodhi një sy dhe së fundi më pyeti:

– Sa napolona ke, more bir?

– Tre – i thashë. Futa dorën në xhep e i zgjata të tre napolonat, të cilat i numëroi dollar për dollar dhe më tha se libri im kushtonte tre napolona e gjysmë, por reston do t’ia jepja pas botimit.

Një mik librar mori përsipër ta vinte në shitje e ta shpërndante për hesap të tij librin “Kangët e rinisë së parë” dhe kështu u botua libri im i parë në vitin 1935. / KultPlus.com

Moti i dhjetorit shtyn shtegtimin e flamingove dhe pelikanëve kaçurrelë, dhurojnë spektakël në Kune-Vain

Magjepse na shfaqet laguna e Kune-Vainit në Lezhë.

Flamingot janë zogj migratorë qe vijnë në lagunë gjatë vjeshtës, por për shkak të klimës së butë dhe ushqimit të bollshëm duket se po qëndrojnë më gjatë.

Në bazë të censusit të fundit, laguna e Kune-Vainit numëron 196 lloje shpendësh.

“Laguna e Kune-Vainit ka 196 lloje shpendësh, 59 janë të përhershëm, 65 janë dimëronjës, 51 janë veronjës dhe 21 aksidental. Janë çafkat të disa llojeve, pelikanët një specie e shtuar këtë vit edhe pse jemi në kushte të vështira pandemie, natyra ka vazhduar ciklin e saj jetësor. Kemi një shtim të numrit të shpendëve, kjo është një tregues i mirë për çetësinë në lagunë e kjo vjen si rezultat jo vetëm i punës së stafit, por edhe bashkëpunimit me komunitetin”, tha Besiona Simoni përfaqësuese e Administratës së Zonave të Mbrojtura në Lezhë.

“Laguna e Kune- Vainit ka një sipërfaqe prej 4393 hektarësh, është një sistem ligatinash i përbërë nga zajet, ceka, mergjani. Ajo ka dhe një rol vital në zhvillimin e cilklit të ujëkëmbimit si dhe kontribuon rëmdësishëm në rigjenerimin e mjedisit. Ne u kërkojmë qytetarëve të respektojnë ligjet e natyrës,domethënë të përdorin sa më shumë biçikletat, të mos hedhin mbeturina, po t’i marrin me vete, të mos ndezin zjarre jashtë zonave të caktuara, të vëzhgojnë por të mos shqetësojnë apo të mos krijojnë zhurma për shpendët dhe vizitorët e tjerë”, tha Simoni.

Pelikani kaçurrel është gjithashtu një shpend shtegtar që nuk ka krijuar folenizim ne Kune- Vain, por për shkak të kushteve të përshtatshme sot numërohen rreth 200 individë. Një ndikim pozitiv ka pasur edhe moratoriumi i gjuetisë. Përpos tyre gjejmë plot shpendë të tjerë si rosat, bajzat, pulzat e çafkat./ atsh/ KultPlus.com

Erifili Bezhani, vlonjatja e doktoruar në Marsejë, që fshinte rrugët e Tiranës

Nga Nini Mano

Portreti i Erifili Bezhanit, në vitet e fëmijërisë sime të hershme, në imazhin e përftuar ashtu, vjedhurazi bisedave të kujdesshme të të medhenjve, ishte thuajse i pakapshëm. E rritur dhe e shkolluar fillimisht në Greqi, e më pas në Francë, fotografitë e Erifilit në albumet e familjes, më kishin ofruar imazhin e personazhit magjepsës të tregimeve dhe novelave, treguar nga motra e saj, Evrinomi ne të vegjëlve, mbremjeve të gushtit, buzë detit, në lagjen Skelë, në Vlorë në mes të viteve 60-të. Vizioni I kalorëses së shkëlqyer, që rrugën nga lagja Goricë, ku banonte gjyshja, deri në Kala tek tezja, në Berat, e merrte me gallop të shpejtë, shumë ndryshe nga vajzat e tjera të së njejtës moshë, më afronin zanën e bukur të përrallave.

Me kalimin e viteve, kur e rritur, fillova të mërrja pjesë në bisedat e më të mëdhenjve, portreti i Erifilit nisi të paraqitej ashtu, sic ishte në të vërtetë: plot vitalitet, endrra dhe ambicje profesionale, që u thyen në mes papritur, për një shkak shumë të pakuptimtë: kundërvënia e shtetit ndaj koncepteve, përpjekje intelektuale të saj për shoqëri demokratike të vërtetë në Shqipëri.

Familja ku u rrit Erifili

Me jetën e Erifili Bezhanit lidhen histori të spikatura karakteresh shqiptare, por shumë të dhimbshme dhe tragjike të një familje me prejardhje të hershme intelektuale. Të tilla janë jetët e fëmijëve të Pavllo Bezhanit nga Vlora dhe Amalia Kolea nga Berati. Pavllo ishte bir I familjes së njohur Bezhani, familje e madhe, e pasur, me aktivitet të madh tregtar eksport-import në Vlorë, Greqi, Itali deri në Egjyptin e largët. Bezhanët njihen në historinë e zhvillimit të tregut financiar shqiptar, pasi që nga viti 1850 hapën të parën bankë private në Shqipëri, e njohur fillimisht si “Banka Pandeli & Lefter Bezhani”. Ndërsa Amalia Kolea ishte vajza e vogël e avokatit nga Berati, Kristo Kolea, përfaqësues i Monopolit francez të duhaneve “La Regie Des Tabac” në perandorinë Otomane në teritorin Shqipëri, Greqi, Maqedoni. Amalia Bezhani ka qënë poete, e para vajzë shqiptare, e cila ka botuar poezitë e saj në revistën “Bleta Shqiptare”, botim i komunitetit shqiptar të Misirit në Egjypt, në fund të shekullit XIX, kur jetonte me të vëllanë, patriotin Sotir Kolea. E mbetur e ve shpejt, në vitin 1918, Amalia Bezhani me mëncuri të vecantë, jo vetëm që drejtoi dhe zhvilloi biznesin e familjes brenda dhe jashtë vendit, por u kujdes për shkollimin sa më të mirë të 3 fëmijëve. Ndërsa vajzat, Erifili dhe Evrinomi studjuan dhe u diplomuan në universitetet e Francës, djali Aleko studjoi për Ekonomi në Romë, Itali në mes të viteve 30-të. Për të tre ushtrimi i profesionit në vendlindje, bashkë me idealin për të ndryshuar dhe përmirësuar bashkë me jetën, edhe konceptet e vjetra fanatike shqiptare, u ndërprenë në moshën më productive me ardhjen e PKSH-së në fuqi.

Kush ishte Erifili Bezhani

Erifili Bezhani lindi në Vlorë në 16.11.1910. Pas mbarimit të shkollës fillore në vendlindje, e ëma e dërgoi për shkollim në Korfuz. Pas mbarimit të shkollës së mesme, shkon në Francë me të motrën, ku studjon fillimisht për Letërsi Frenge dhe më pas kryen studimet në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e qytetit Alix-en-Provence, në 1939. Vazhdon me studime të mëtejshme deri sa merr edhe “Licenciee en Droit”. Ushtron 2 vjet profesionin e avokates në Marsejë, në vitet 1941-42, ku fejohet me një avokat të njohur aristokrat francez. Kur ishte në kulmin e lumturisë, nga një fakeqësi e së motrës Evrinomi, e diplomuar edhe kjo si “Profesore e D’Etudes Francaises “në të njejtin Universitet, Erifili Bezhani lë pas gjithcka dhe e shoqëron atë për në Shqipëri. Ishte kohë lufte, dimër I vitit 1943, kur dy motrat zbritën në Portin e Vlorës për të mos u larguar më kurrë prej luftës deri në vdekje. Pas një qëndrimi në qytetin e lindjes, së bashku me nënën, dy motrat Bezhani largohen nga Vlora dhe në vitin 1944 vendosen në Tiranë. Gjenden shumë shpejt në qëndër të grupeve me intelektualë të dalluar shqiptarë, shkolluar në vende të ndryshme të Europës. Në vitet e para të clirimit, me fillimin e pushkatimeve të nëcionalitëve, Erifili kupton se ardhja e PKSH në krye të vendit, nuk ishte rruga që do të vendoste sistemin pluralist demokratik. Ajo ishte si shumë intelektualë, që bashkë me shkollimin universitar jashtë atdheut, kishin përvetësuar, për fatin e tyre të keq e tragjik, bashkë me normat e edukimit perëndimor, edhe modelin e shoqërive të verteta demokratike. “Eshtë një raprezalje e frikshme, jashtë shembullit të vendeve europiane, ndaj duhet ndalur”, shprehej tek të afërmit e vet, Erifili Bezhani. Ajo aktivizohet në lëvizjen antikomuniste të grupimit “Bashkimi Demokrat”, ku bënin pjesë anëtarë të grupit të Deputetëve, Liberal-demo-krateve, social-demokratët, etj. Miqtë e saj të përhershëm me të cilët shoqërohej, ishin intelektualë të njohur të kohës si Gjergj Kokoshi, Thoma Orogollai, doctor Isuf Hysenbegasi, Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), Qenan Dibra, Musine Kokalari, etj. Veterania e LNCL-së, Andromaqi Nocka, kujton:” Erifili ishte demokrate në shpirt, ashtu sic duhet të jenë sot politikanët. Unë vija nga zonat e lira, rreth vitit 1945, kur takova pas shumë vitesh Erifili Bezhanin, ishte me Dhimitër Paskon, u ulëm në një local dhe të dy, mbaj mënd që bisedonin për politikë, rreth rrugëve për vendosjen e demokracisë. Jo vetëm në atë rast, por asnjëherë Erifili, nuk më tërhoqi vëmëndjen për bindjet e mia politike, sepse dinte të respektonte cdonjeri. I vetmi faj për të cilin u dënua Erifili ishte se guxoi të fliste hapur, me zë të lartë vazhdmisht për vendosjen e demokracisë dhe për nevojën e pluralizimit politik në Shqipëri. Kishte një fjalor të pasur që shoqëronte argumentat rreth këtyre ideve. Aty u kapën edhe në dënimin e saj”. Për guximin dhe burrërinë që e kakrakterizonte Erifilin, ish-I dënuari plotik, Dr. Isuf Hysenbegasi ka lënë këtë kujtim:” Mes viteve 1945-46 një përfaqësues anglez bëri një takim me inteligjencën e Tiranës. Medis të tjerave, ai tha :”Ne Shqipërinë nuk do ta lëmë në duart e komunistëve”. Në atë moment ndërhyri Erifili Bezhani duke thënë :”Shikoni Egjyptin që po ju rrëshqet nga duart, sa për fatin e Shqipërisë, ai është përcaktuar tashmë”. “Kush jeni ju zonjë”, e pyeti anglezi. “Jam një grua shqiptare”, ju përgjigj Erifili Bezhani”. Në 16 Maj,1947, pas arrestimeve të bujshme të grupit të Deputetëve, të liberal-demokratëve, etj, Erifili Bezhani arrestohet dhe nga fundi I vitit, dënohet me 20 vjet “heqje lirie” nga Gjykata Ushtarake e Tiranës. Dërgohet në burgun famëkeq të Burrelit, duke u rreshtuar në historinë e burgimeve antikomuniste në të 4 femrat e para shqiptare antikomunsite, që provuan bashkë me burgimin, edhe shijen e hidhur, torturat cnjerëzore. Ish I burgosuri politik, vlonjati Hysni Alimerko, shkruan në kujtimet e tij: ” Erifili u dënua pothuajse në të njetjën kohë me Musine Kokolarin, Shega Këlcyrën dhe Nurie Koculin, bijë e Qazim Koculit. Ishin 4 fermat e para që u futën në burgun ferrë të Burrelit. Më vonë erdhën Drita Kosturi dhe Raile Luzi. Të gjitha ishin me karakter të fortë dhe të papërkulura”. Drita Kosturi në kujtimet e saj rreth torturave që hiqnin të burgosurat gra në burrgun e Burrelit, përmënd qëndresën e Erifili Bezhanit dhe shoqeve të saj në burrgun e Burrelit:”Kam takuar shumë gra të burgosura me akuza politike, gra që përmbanin brenda vetes virtyte të larta të gruas shqiptare, të ushqyera nga tradita e brezave të tërë. Gra me karakter të fortë, me shpirt të gjerë demokratik, në të cilat krenaria mbyste dhimbjen për kushtet në të cilat ndodheshin. Janë nga ato gra të cilave lotët u gëlltiteshin nga sytë pa mundur t’u rreshqisnin faqeve, mes tyre Musine Kokalari, Erifili Bezhani, Frieda Sadedini e mjaft të tjera”. Në Nëntor, 1951, kur vuante burgimin në Burrel, emri I Erifili Bezhanit përfshihet në listat e amnistisë të Presidiumit të Kuvendit Popullor, falë ndërhyrjes së miqve të vjetër të familjes si Hysni Kapo, Kadri Hazbiu, por edhe sepse familja e sajkishte mbështetur financiarisht luftën Nacional-Clirimtare. Që nga kjo kohë dhe deri në vdekje, nis etapa e dytë e mundimeve të Erifili Bezhanit për mbijetesë, me shumë mundime poshtërime dhe privime.

Privacionet pas burgut

Në vitin 1952, pas shumë ndërhyrje miqsh, hyn në Kolektivin e Avokatëve të Tiranës ku nis punën si e para femër avokate. Thoma Haxhistasa, një nga avokatët e mbetur gjallë të brezit të vjetër, I diplomuar në Firence, Itali në vitet 30-të, djalë teze me Erifili Bezhanin, kujton:”Erifili ishte në ato vite e vetmja avokate femër në punë. Si femër, dallohej për qetësi, burrëri dhe elokuencë të shkëlqyer, ndërsa si profesioniste, ndiqte vijën e ashpër të logjikës juridike në argumentimin e fakteve dhe provave. Falë aftësive intelektuale të lindur dhe të kultivuar me finesë, të forcës së brendshme të vecantë, dinte të bënte mbrojtje të pakundershtueshme. Brenda 1 viti në punë, u bë ndër avokatet më të kërkuara në Kolegjin e Avokatëve në Tiranë nga klientët”. Në atë kohë u shfaqën hapur xhelozitë profesionale tek pjesa më maskiliste e kolegëve burra, që nuk mund ta konkurronin as profesionalisht. Punon vetëm një vit si avokate, pasi e përjashtojnë nga puna me motivacionin “e pa denjë dhe e pa zonja”. Mban datën 13 Tetor,1953 Promemorja, që e para avokate femër, tepër e fyer, por edhe me krenari të vecantë, I drejton Këshillit Mbikqyrës të Avokatisë, ku me argumente llogjikë, kundërshton vendimin për përjashtimin nga puna, duke kërkuar që të dëgjohet mbrojtja e saj: “Unë nuk jam e paaftë! Aftësia dhe zotësia ime provohet prej sukseseve që kam pasur unë në punë, suksese morale dhe materiale. Kurrë nuk më është tërhequr vërejtja për punën time, për studimin e dosjeve, për përgatitjen e mbrojtjes, për paraqitjen e provave. …Prej punës sime, të gjitha paditë kanë ardhur në preferim nga njerëz të panjohur, të cilët nuk dinë as emrin tim, por vijnë e kërkojnë në Kolektivë “avokaten e trashë”… Përvec punës sime si avokate, kam punuar edhe për Ministrinë, pasi të gjitha përkthimet prej shqipes në frengjisht, i kam bërë unë jashtë orarit të punës dhe pa asnjë shpërblim. Gjithashtu jashtë orarit të punës, kam bërë edhe përkthime prej gjuhës ruse në shqip, prej nga ka përfituar e gjithë Kolektiva, si psh, Kodi Civil Sovjetik, që ka trajtë me të drejtën e trashëgimit. … Unë nuk jam e padenjë! Përsa I përket moralitetit, mua më njohin shumë dhe të gjithë e dinë se kam kaluar një jetë austere dhe monastike, një jetë të pastër dhe të qetë, kushtuar vetëm studimeve. Fama ime personale nuk ka as njollën më të vogël në këtë pikë. Përsa I përket cështjeve politike, unë vërtetë kam qënë në burg, por në kolektivat e avokatëve të Shqipërisë janë të shumtë ata që kanë qënë nëpër burgje për faje shumë më të mëdha se faji im, sepse unë me regjimet e së kaluarës nuk kam pasur asnjë lidhje dhe me okupatorët jo vetëm që nuk kam punuar, por i kam luftuar duke ndihmuar me të gjitha fuqitë e mia moralisht dhe materialisht Lëvizjen Nacional-Clirimtare. Deri sa pushteti më rehabilitoi duke më kthyer të gjitha të drejtat, edhe të votës, nuk ka asnjë arsye që të më ndalohet e drejta e profesionit. Drejtonjësi i Kolektivës… u kishte thënë disa kolegëve se unë u përjashtova se nuk kam triskën e Frontit…”. Erifili Bezhanit nuk j’u dha triska e Frontit, c’ka e shpallte në fakt “armike të popullit”, por e mbante edhe nën presionin e internimit, apo ridënimit. Që nga vitit 1953, Erifili Bezhani nuk mundi të punojë më asnjë ditë si avokate, profesion, të cilit I kishte kushtuar studimet, si dhe përvojën 2-vjecare si avokate në një nga qytetet më të mëdha të Francës, në Marsejë. Atë të drejtë që I dha shteti demokratik Francez, Erifili Bezhanit ja mohoi në vendlindje rregjimi komunist. Përpjekjet për t’u rifutur në Drejtësi, Erifili Bezhani nuk I rreshti deri në fund të jetës së vet. Në familjen Bezhani ruhet edhe një letër e saj e vitit 1956, drejtuar Hysni Kapos, mik I vjetër I familjes, ku I kërkon marrjen e triskave të Frontit për vete, mëmën dhe motrën dhe rifutjen në punë si avokate. Pas përvojës së tmershme të burgjeve komuniste, aspak e frikësuar, Erifili Bezhani nuk nguron t’I drejtohet Hysni Kapos me krenari, duke I vënë në dukje të vërtetën e familjes Bezhani për ndihmën materiale për luftën Nacional-Çlirimtare si dhe aftësinë e saj profesionale si avokatja, që nuk humbi asnjë proces gjyqësor gjatë ushtrimit të profesionit:”… Unë dua që ju ta dini cështjen mirë, se nuk vij tek ju si mik I familjes për të kërkuar një favor, por si udhëheqës për t’i kërkuar që të ushtrojë influencën e Tij me qëllim që të më jepen të drejtat që më takojnë në bazë të ligjeve të pushtetit popullor…”.

Erifili përkthyese

Nevoja për jetesë, kur dyert e drejtësisë ju mbyllën, e futën Erifili Bezhanin në botën e përkthimeve. Falë njohurive të shkëlqyera të disa gjuhëve, si Frengjisht, Anglisht, Italisht, Greqisht dhe Rusisht (të cilën e mësoi shkëlqyeshëm gjatë burgut), punon si përkthyese për disa institucione të ndryshme. Lidh kontrata përkthimi me Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, me institucione të tjera shkencore, me Legata të huaja në Tiranë. Botimi “Terminologji e Drejtësisë”, “Metoda e gjuhës shqipe për të huajt”, “Kodi Civili I BRSS”, shumë të tjera që gjenden në ministrinë e Drejtësisë, “Studime të Akademisë Shkencave të BRSS”, “Punime të Stalinit mbi Linguistikën”; “Historia e teatrit “Balshoi”, “Historia e muzikës ruse”; recensione filmash, artikuj shtypi për Legatën Hungareze; “Kodi penal I RPSH”, Ligje të ndryshme për Legatën e Polonisë; librin “Bota e atomit”, botime në gazetën “Zëri I Rinisë” dhe në shumë organe të tjera të shtypit të kohës, mbajnë përkthimet e Erifili Bezhanit. Shumë miq dhe dashamirës, që vlerësonin vlerat dhe mëncurinë e saj, I hapën rrugën e kontratave. Por nuk ishte e thënë që të vazhdonte me përkthimet. Pas burgimit të saj, familjen e Erifilit, nënën dhe motrën, organet e pushtetit i larguan nga Rruga e Elbasanit, ku jetonin në një vilë dhe i cuan në bodrumet plot lagështirë të një shtëpie të vjetër në Lagjen 1 Maj, rruga “4 Dëshmorët”, Nr.36 në një dhomë të vetme, ku me komshinjtë e tjerë përdornin të njejtin korridor si vend për gatim dhe një cezme të vetme. Njëri prej tyre, Sh.Z, polic injorant, por që për militantizëm komunist, dinte të bënte shumë mirë luftën e klasave, i shqetësonte vazhdimisht, deri sa në mes të vitit 1958, nuk i lejoi më të përdornin as cezmën, as vendin e gatimit. E ndjerë e privuar deri në poshtërim, Erifili Bezhani, pas shumë ankesash zyrtare në organet e pushtetit local, që rranë në vesh të shurdhët, nuk mundi ta përballojë atë dhe e hodhi në gjyq. Por mori vendimin vdekjeprurës më të fundit të pushtetit komunist: dënimin që të bënte punë të detyruar si fshesaxhije nëpër rrugët e Tiranës dhe vetëm në turnin e tretë! Pas 6 muajsh pune të tillë poshtëruese për nivelin e saj intelektual, sëmuret nga ulcera, shtrohet me urgjencë dhe në operim e sipër, vdes. Ishte data 15 Shkurt, 1959 kur mbylli sytë në në sallën e operacionit në spitalin e Tiranës. Erifili Bezhani. Ishte vetëm 49 vjec, avokate, e diplomuar për Drejtësi në francë, por jeta i rezervoi në vendlindje fat tragjik, si rrallë pak femra të shkolluara jashtë vendit. Përvecse kontributit si intelektuale në vendosjen e demokracisë pluraliste perëndimore në Shqipëri, apo dënimit politik dhe burgimit si shumë të tjerë, Erifili Bezhani vlen të kujtohet dhe njihet si shembull i rrallë emancipimi për brezin femëror shqiptar të viteve 30-të./ KultPlus.com

‘Spanja, në telashe me Kosovën’, reagojnë mediat spanjolle

Mediat në Spanjë e kanë cilësuar si kokëçarje për qeverinë spanjolle faktin se ekipi i tyre kombëtar do të përballet me Kosovën në kualifikime për Kupën e Botës 2022, për shkak të çështjeve politike mes dy vendeve.

Në shortin e hedhur të hënën në Zvicër, Kosova mësoi se do të luajë në Grupin B bashkë me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë, katër kombëtare, tri prej të cilave s’e kanë njohur pavarësinë e saj, shkruan express, përcjell Albinfo.ch.

Verdhekaltërve u ra shorti të luajnë në Grupin A, në fakt, por duke qenë se në atë grup ishte edhe Serbia, atëherë ata u zhvendosën në Grupin B, sipas rregullave të shortit të FIFA-s.

Për çështje politike, Kosova nuk mund të ishte në një grup me Serbinë, Rusinë, Bosnjën dhe Ukrainën.

Mediat në Spanjë, si të përditshmet AS dhe MARCA, vlerësojnë se qeveria spanjolle do të përballet me kokëçarje kur të vijë koha ta presë ekipin kombëtar dardan në Madrid.

Spanja s’e njeh Kosovën për shkak të Katalonjës, rajonit të vet verilindor, e cila e kërkon pavarësimin.

“Spanja është futur në telashe me Kosovën”, ishte titulli i AS në raportimin e shortit të Botërorit Katari 2022.

“Grup i përballueshëm por telashe diplomatike për Spanjën”, ishte titulli i MARCA në raportimin për shortit.

Spanja mund të kërkojë që Kosovën të mos e mirëpresë në Madrid dhe loja të zhvillohet në një terren neutral.

Por ajo do të detyrohet të udhëtojë drejt Prishtinës për t’u ballafaquar me dardanët në ndeshjen e saj si mysafire.

Greqia, një vend tjetër që s’e njeh shtetit kosovar, e priti Kosovën në Athinë dhe e vizitoi Prishtinën në fund të këtij viti për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve./ KultPlus.com

Jeff Bezos planifikon të dërgojë për herë të parë një grua në Hënë

Miliarderi i Amazon, Jeff Bezos po konkurron për kontrata fitimprurëse të qeverisë ndërsa kompania e tij hapësinore po përgatit raketën e saj të parë orbitale.

Jeff Bezos thotë se kompania e tij hapësinore do të dërgojë një grua në sipërfaqen e Hënës për herë të parë.

Miliarderi i Amazon njoftoi për planet e tij në një postim në Instagram, duke postuar një video të një prove motori në NASA Marshall Space Flight Center në Huntsville, Alabama.

Ai shkroi: “Ky (BE-7) është motori që do ta çojë gruan e parë në sipërfaqen e Hënës”.

Motori është zhvilluar nga kompania hapësinore e Bezos, “Blue Origin”, dhe ka pasur 1,245 sekonda kohë prove.

“Blue Origin” po konkurron me “SpaceX” dhe “Dynetics” të Leidos në pronësi të Elon Musk për të fituar një kontratë për të ndërtuar sistemin e ardhshëm për të dërguar njerëzit në hënë deri në vitin 2024 si pjesë e programit të saj Artemis.

Dy nga tre kompanitë do të zgjidhen në mars për të vazhduar ndërtimin e prototipave të tyre, megjithëse ka shqetësime në lidhje me mungesën e fondeve të vëna në dispozicion nga Kongresi.

“Blue Origin” u themelua nga Bezos në vitin 2000 dhe synon të sigurojë qasje me kosto të ulët në hapësirë./konica.al/KultPlus.com

Angela Merkel zbulon një detaj për jetën private: Burri im merret me larjen e rrobave (VIDEO)

Mediet gjermane së fundi kanë shkruar për një intervistë te kancelares Angela Merkel, e cila ka zbuluar pak nga jeta e saj private, përcjellë KultPlus.

E njohur si një ndër politikanet që nuk ekspozon jetën private, duke qenë shumë e panjohur edhe për mediet, ajo në një intervistë është pyetur se çfarë  lloji të lavatrices ka në shtëpi, ku ajo është përgjigjur shumë hapur, se nuk e di.

“Të them të drejtën, burri im merret me atë çështje, ai merret me lavatricen”, është përgjigjur Merkel.

Jeta e Angela Merkel dhe burrit të saj Joachim Sauer është e panjohur, pak detaje që dihen për kancelaren është se asaj i pëlqen supa me patate, madje thuhet se vet e gatuan atë lloj supe, dhe se patatet mbillen rregullisht në kopsht, thuhet në një artikull të Bild./ KultPlus.com

Emigrant në mars të 1991, sot sipërmarrës në Torino

Ish konsulli i nderit në Torino Artan Doda ka folur mbi vështirësitë e emigrimit për të arritur pas 29 vitesh atje ku është sot, një sipërmarrës në qytetin italian.

“Historia ime nis pak a shumë si e shumë bashkëkombësve të mi në vitet ’90. Unë u largova nga Shqipëria nga Shëngjini, me një peshkarexhë. Isha vetëm 20 vjeç. Pastaj gjeta një punë këtu në një ndërmarrje që bën pak a shumë të njëjtin profil të firmës sime sot, dhe në ’96 hapa firmën time”, ka rrëfyer Doda i cili aktualisht ka një sipërmarrje që merret me veshjen me resinë të dyshemeve industriale.

Gjatë karrierës së tij ai arriti të mbante për 5 vite detyrën e konsullit të Nderit në Torino nga viti 2012 deri në vitin 2017. Por hoqi dorë nga kjo detyrë për t’iu përkushtuar biznesit të tij.

“Siç lindin shumë gjëra në Shqipëri, nga disa biseda rastësore mes autoriteteve të MPJ. Por të them të drejtën iu dedikova për ato vjet kësaj detyre prestigjioze por u detyrova t’i kthehem biznesit. Kërkonte impenjim dhe energji. Ishte më e nevojshme kjo për mua”, thotë ai.

Shqipëria nuk i mungon pasi vjen shpesh të vizitojë vendin e tij. Ashtu si ai në Torino ka dhe shumë shqiptarë të tjerë me histori suksesi.

“Në Torino komuniteti shqiptar është i përbërë nga rreth 10 mijë shqiptarë. Nga këto 10 mijë le të themi që rreth 30% e tyre kanë numër NIPTI, pra që punojnë privat. Shumë shqiptarë ka shumë shembuj që e kanë nisur si puna ime nga punëtor i thjeshtë, ka shumë të tjerë që e kanë nisur nga pjata larës dhe sot kanë restorantin e tyre. Kanë nisur si barista në lokale dhe sot kanë baret e tyre. Dhe kjo ka shumë rëndësi”, tha ai.

Artan Doda thotë se Torinon nuk e zgjodhi vete por i ra fati. “Unë nuk e kam patur fatin të zgjedh. Kur kemi ardhur këtu më 7 mars të 1991 ishim 20 mijë vetë, na kanë shpërndarë me tufa në të gjithë Italinë dhe unë qëlloi fati të jem në Torino, është një qytet shumë i jetueshëm dhe që ka qenë gjithmonë protagonist në historinë e Italisë”, vijoi ai./ diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Polic nuk lind, polic bëhesh

Bledi Mane

Orën e dytë të leksionit e kishim me një pedagog të ri, quhej Ermal Hasimja. Më tepër sesa subjekti për “Etikën në Media” na tregonte e mburrej se kishte studiuar në Francë dhe ne studentët e Tiranës nuk kishim lidhje aspak me studentët francezë. I ulur andej nga bangat e fundit, më i gjati dhe më kurajozi në atë auditor, unë nuk durova dot më dhe fillova të debatoja me lektorin e ri për ta hullizuar të vazhdonte leksionin e jo të dëgjonim broçkulla tek mburrej e mburrej si adoleshent në atë fakultet universitar shqiptar diku në periferinë lindore të rrugës së Elbasanit. I pafuqishëm të debatonte, Ermali nuk hezitoi të telefononte policinë dhe duke pritur të gjithë pa lëvizur, në oborrin e fakultetit ia behu një furgon i madh blu me pesë policë plus një shofer i veshur polic. Pasi bënë formalitetet e duhura, pasi nuk kuptonin se nuk ishte një vepër kriminale por një debat formal mes nje pedagogu e një studenti, të pesë policët më tërhoqën zvarrë deri poshtë te furgoni që priste. Më ngjeshën brenda dhe pasi ndezën sirenën u nisëm bashkë drejt Rajonit Numër

1. Brenda furgonit ndiehej era thartirë, hurdhër e përzjerë me raki, tym duhani, sharje, ofendime dhe tek më zbrisnin në oborrin e Rajonit shquaja se pesë policët veç këmishave me njolla vaji kishin edhe barkun njëri më të kërcyer se tjetri. Nuk e harroj kurrë atë skenë groteske, ishte prill i vitit 2005…1./

-Tre sandwichët e tu kushtojnë 12 mijë lekë!Kaq më tha shitësja e një fastfood-i afër Librit Universitar në Tiranë e teksa priste lekët e mia, Fabjoli shoku im në krah i kërkoi kuponin tatimor. E zverdhur porsi mustardë nga ora e vonë e natës dhe nga përgjigjia që nuk dinte ta konkretizonte, shitësja njoftoi pronarin që paskësh qenë aty, pronari filloi garipllëkun duke na kërcënuar të paguanim lekët e të merrnim ushqimin e pasi ndeshi në kundërshtim të tre klientëve, telefonoi policinë e cila nuk vonoi. Formalitetet dihen në këto raste. Më llafazani, pra unë, merrem në makinën e tyre dhe nisem drejt Rajonit Numër

2. Gjatë rrugës nxorra telefonin, thirra ministrin Saimir Tahiri e më besoni teksa bisedoja me të, tre policët skeptikë filluan refrenin e vjetër me fyerje, sharje, kërcënime. Nuk besonin se po komunikoja me minsitrin e tyre atë orë të vonë dhe teksa frenuan makinën por jo sirenat në oborrin ballor të rajonit, vazhduan me formalitetet tashmë të njohura të policisë shqiptare. Nuk gabohem por besoj ka qenë mars i vitit 2016. Policët ishin të rinj, nuk kishin bark, nuk kishin njolla vaji në uniformat e tyre por sjellja mbetej e njëjtë…

3./Të vishesh polic sot në Shqipëri duhet të plotësosh kushte rigoroze. Nuk të duhet inteligjenca, nuk të duhet as testi psikologjik e fizik. Nuk të duhet as komunikimi njerëzor dhe as kurajo përballë krimit. Sot mjafton të jesh militant partie, mjafton të jesh tropojan, skraparlli ose tepelenas e mos ngurro të ngjeshësh kapelen mbi kokë dhe pistoletën në brez.Nuk na duhet policia profesioniste, na duhet polici politike ose krahiniste.Tradita vazhdon!/ KultPlus.com

Sa të kënaqur ishim me ushqimin e pasdites, bërë nga buka, gjalpi dhe sheqeri

Gianni Miniello

Ndonjëherë pyes veten:
si ia doli brezi ynë
të mbijetonte me ushqim
që përmbante laktoze?
Si ishim në gjendje të rriteshim
pa homogjenizues, shtesa ushqimore,
hormone dhe multivitamina?
Si kemi jetuar
pa Cola zero, Red Bull,
aperitivë dhe long drinks,
nëse prisnim të dielën
për të pirë ujë të gazuar
me pluhura të tretura?
Si i kalonim
dimrat e ashpër
me bukë e vaj e kripë
pa Nutella
dhe imunostimuluesit?
Sa të kënaqur ishim
me ushqimin e pasdites,
bërë nga buka, gjalpi dhe sheqeri,
pa përdorur shtrydhëset
e frutave dhe perimeve?
Si i kalonim
mbrëmjet e verës
me një thelë shalqi në rrugë,
pa dyndjen e happy hour?
Si e duronim
dënimin e një profesori,
dhe e përqafonim kur e takonim
pas shumë vitesh,
pa e sulmuar atë
me miratimin e prinderve?
Si kemi bërë
që jemi dashuruar me shokun e klasës
pa gjoksin e depiluar
dhe pa një fizik si bodybuilder?
Si kemi mundur
të bënim pa trajnerin personal,
pasi luanim vetëm futboll
në terrene të baltosura,
ndërsa shoqëruesi më i pafat
ishte gjyqtar?
Si mbijetuam
Me gjunjtë e bërë copë
dhe të dezinfektuar vetëm me pështymë,
pa përdorur antibiotikë
antiseptikë dhe mjekime?
Si ia bënim
që takoheshim me të dashurën
nëse nuk kishim celular
dhe SMS-të e vetme
ishin një shënim në ditar
dhe një puthje me rrezik?
Si pranonte të dilte me ne,
nëse shkonim ta merrnim në këmbë
duke e ditur se donim
t’i jepnim krahë?
Si mundeshim
të shkruanim poezi
dhe kompozonim këngë
pa përdorur një kompjuter?
Si ia dilnim xhanëm
të prisnim për një kohë të pafund
për të dhënë puthjen e parë?
E megjithatë,
brezi ynë
Nuk rrinte deri në mëngjes
por dinte të ëndërronte.
Sepse ushqimi më i shëndetshëm
që e ushqente atë,
ishte shpresa!/ KultPlus.com

“Kam folur kundër pushtetit popullor, por s’jam spiune”, historia prekëse e sopranos Merita Sokoli që u arrestua nga ish-sigurimi i Shtetit

Nëpër sallat modeste të radio-Tiranës, u shua zëri. “Kanë arrestuar sopranon”, pëshpëritej nën zë. Frikë dhe trishtim ngërthyer bashkë, në fyturat e djemve e vajzave artistë. Sigurimi i Shtetit po kontrollonte arkivat, shoqëruar me ulërima.

Ishte pranverë, një ditë maji në vitin 1947, kur u ndal një melodi. Nëpër sallat modeste të radio-Tiranës, u shua zëri. “Kanë arrestuar sopranon”, pëshpëritej nën zë. Frikë dhe trishtim ngërthyer bashkë, në fyturat e djemve e vajzave artistë. Sigurimi i Shtetit po kontrollonte arkivat, shoqëruar me ulërima…

“Të shuhet zëri i saj… të mos mbetet asnjë shenjë…” Sepse ishte zëri i “armikut të popullit”, ishte zëri i Merita Sokolit, vajzës korçare që vinte nga auditorët e Akademisë Nacionale të Santa Cecilias, në Romë. Atje kishte studiuar e kishte spikatur si soprano me zë të rrallë, nëpër ato auditorë ku studionte edhe Enio Morikone, ku studiuan e u formuan si artistë me famë botërore, Beniamino Gigli, Maria Cherogiorgou-Sigara, Franco Donatoni, por edhe Preng Jakova.

Fati i Meritës do të ishte krejt i ndryshëm nga kolegët e saj të akademisë Santa Cecilia. Do të ishte i ndryshëm, jo vetëm për faktin se Shqipëria nuk mund të krahasohej me Italinë e asaj kohe, dhe jo vetëm sa i përket artit. Por fati i Meritës do të ishte i ndryshëm, për faktin sepse do t’i ndalej kënga e do të përfundonte pas hekurave të burgut, pa bërë asnjë faj. Më 16 maj të vitit 1947, Merita u arrestua, për t’u dënuar me pesë vite burg si “armike e pushtetit popullor”.

Në qytetin e Korçës, nuk do të dëgjohej kurrë më kënga e saj. Në radio Tirana gjithashtu, nuk do të ishte më, as ajo e as kënga e saj, nuk do të shfaqej më në sheshxhirime, atje ku kishte qenë e para grua shqiptare, në të parin film shqiptar, për të spikatur edhe si aktore.

Ylli që u shua

Merita Sokoli ishte vetëm 14 vjeç, kur nisi të këndonte në skenat shqiptare. Këndoi në skenat e Tiranës e Korçës. Ajo shoqërohej në piano, nga muzikantët e njohur të asaj kohe, pianistët Pjetër Dungu e Tonin Guraziu.

Në vitin 1939, Merita nisi studimet në Itali, në Akademine Nacionale të Santa Cecilia në Romë, institucion në të cilin kanë studiuar edhe të famshmit Beniamino Gigli, Maria Cherogiorgou-Sigara, Ennio Morricone, Franco Donatoni, Preng Jakova etj.

Studimet e saj purfunduan në gusht të vitit 1944, me pedagogun Ricardo Stracati. E sapo kthyer nga Roma, në vitin 1944, Merita Sokoli nisi të këndonte në Radio Tirana, së bashku me sopranot Tefta Tashkon, Marie Krajën por edhe Viktori Xhaçkën.

“Takim në liqen”

 Në vitin 1945, nisi të aktivizohet edhe në Teatrin Popullor. Atje gjeti dashamirësinë e artistëve të mëdhenj Naim Frashëri, Lazër Filipi, Prokop Mima, Liza Vorfit, etj. Merita e kishte një përvojë të rëndësishme si aktore, sepse kishte qenë aktore ne filmin e parë shqiptar, që titullohej, “Takim në Liqen”. Ishte në rol protagonist, së bashku me Kristaq Antoniun, në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër. Xhirimet u realizuan në Shkodër dhe në Manastirin e Shën Naumit në Pogradec, në vitin 1942. Filmi u shfaq vetëm një herë, në Itali. Një fotografi nga sheshi i xhirimeve, vjen si kontribut i të birit të Merita Sokolit, Diti Tezha. Ai e ruan si një ndër gjërat më të rëndësishme fotografinë e nënës së tij, aktorja e parë shqiptare. Në maj të vitit 1947, Merita Sokoli dhe i fejuari i saj Tika Tezha, u arrestuan të akuzuar “për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”.Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Procesverbali i Sigurimit të Shtetit

“Merita Sokoli, e bija e Ramadanit dhe Qerimes, vjeç 23, lindur në Korçë dhe banuese në Tiranë në klagjen Abdulla Bej, rruga Dajti, nr 277, me profesion këngëtare, me arsim të lartë, ka kryer studimet në Romë. Gjatë kohës së okupacionit, nuk ka marrë pjesë në Ballin Kombëtar ose me Legalitetin. Me shtetësi shqiptare, në gjendje ekonomike jo të mirë, nuk ka njeri të arratisur, ka të burgosur të fejuarin e saj, të burgosur ka edhe të vëllanë e saj, e padënuar ndonjëherë, e arrestuar në datën 16/05/1947.

Pasi iu këndua akuza e prokurorit, e pandehura u mor në pyetje: Merita Sokoli tha: akuza që më bëhet, e pranoj pjesërisht. Unë nuk kam qenë në ndonjë lidhje me të misionit anglez. Nuk kam pasur lidhje me Nexhmide Tarakun. Mbi përgjigjen e prokurorit, e pandehura tha se: unë pranoj atë që kam bërë. Unë prej amerikanëve, kam njoftë Thoma Stefene, me të, nuk kam pasur lidhje. Kam shkuar dy herë te UNRA, për të marrë qeratë e shtëpive.

Procesverbalin nuk e pranoj, nuk është e vërtetë që unë të kem qenë spiune. E pandehura mohon që t’ju përgjigjet pyetjeve të kryetarit… Unë pranoj se kam folur kundra pushtetit popullor”, ishte kjo, akuza e vetme që Merita Sokoli pranoi, kur u përball me egërsinë e Sigurimit të Shtetit, në maj të vitit 1947.

Edhe pse e e pafajshme, Merita Sokoli u dënua me 5 vite burg. Torturat dhe mundimet në burgjet e diktaturës, i kaloi së bashku me zonjat Sabiha Kasimati, Rita Koci, Musine Kokalari, Diti Biçaku.

Internimi

Pasi u lirua nga burgu, Merita Sokoli dhe bashkëshorti i saj Tika Tezha, u internuan në Kavajë. “Merita jetoi me qera në lagjen nr 5 dhe punoi në Ndërmarjen Komunale Kavajë. Në Kavajë, ajo nderohej nga të gjithë, e njohën mirë, prandaj e deshën aq shumë. Merita jetoi në Kavajë, deri në vitin 1993, kohë kur emigroi në Amerikë me të birin dhe familjen e tij, por vuante nga tronditje mendore, që ja shkaktonin zhurma e makinave dhe sirena e policisë, zhurmë e cila e bënte gjithmonë të rijetonte momentin e arrestimit”, rrëfen Dorieta Dhonato, familjare e Merita Sokolit.

Merita Sokoli Tezha, vdiq më 4 Nëntor 2007. Ndërroi jetë e sëmurë nga kanceri i mushkërisë. Pak muaj më parë, merita Sokoli Tezha u shpall “Qyetare nderi e Kavajës”. Kujto.al është duke punuar për të përgatitur një dokumentar që i kushtohet jetës së saj artsitike dhe kalvarin e vuajtjeve gjatë diktaturës komuniste.

Marrë nga Kujto.al

Qerime Bomen me gjak e gjinjtë që i kullonin qumësht, e mbajtën në qeli për ta dënuar me 15 vjet heqje lirie

Historia rrënqethëse e Qerime Bomes, e burgosur nga regjimi komunist ditën që lindi vajzën. Me gjak e gjinjtë që i kullonin qumësht, e mbajtën në qeli për ta dënuar me 15 vjet heqje lirie, vetëm se ishte e bija e Ramo Bomes, aktivist i Ballit Kombëtar, i arratisur në SHBA me Mid’hat Frashërin

Të gjithë kemi historitë tona të vogla që nënat na i kanë treguar për ditën e lindjes, por Çiljeta Bome, mund ta quajë pa frikë ditën e saj të lindjes, si ditën më ogurzezë për nënën e saj, Qerime Bome. Ishte viti 1972 në Shqipërinë komuniste. Pikërisht atë ditë kur duhej të gëzohej, për sjelljen në jetë të vajzës së saj, Qerimja u mor përdhunshëm nga shtrati i spitalit nga sigurimi i shtetit dhe u dërgua në qeli, duke mos i dhënë mundësinë të ushqente me gji foshnjen e saj. Edhe pse lehonë, regjimi komunist nuk e kurseu, por e torturoi në  mënyrën më çnjerëzore dhe e dënoi pa bërë asnjë krim.

Çiljeta nuk e ndjeu dashurinë e nënës në vitet e para të jetës së saj, por e ka ndjerë dhimbjen e saj deri në palcë. Ajo do që ta ndajë këtë histori me të tjerët, si një kujtesë për vuajtjet e nënës së saj e nënave e vajzave të tjera, në atë regjim të egër.

Dëshminë e saj, duke iu referuar tregimeve të nënës, ajo e publikoi për kujto.al, arkivën online të krimeve të komunizmit, dhe vjen i plotë më poshtë:

“Historia e nënës time është nga më tragjiket e kohës së regjimit diktatorial. Të gjithë të persekutuarit meritojnë respekt për vuajtjet e tyre, por kjo e nënës time është më tepër se e dhimbshme.

Nëna ime, Qerime Bome rrjedh nga një familje e ndershme, atdhetare kolonjare! Babai i Qerimes (Ramadan Bome) ishte një tregtar kolonjar, atdhetar, nacionalist, por regjimi komunist pas 1944, i bën gjyqin në mungesë dhe e dënon me vdekje si armik, tradhëtar. Gjyshi shkon në Amerikë dhe aty ka qenë gjithmonë i aktivizuar tek Vatra, sepse ishte mik dhe shok besnik i Mid’hat Frashërit.

Këto m’i ka treguar gjyshja ime Selvi Bome, që më ka rritur. Aty fillon kalvari i vuajtjeve të familjes Bome. Gjyshja me shtatë vajzat që mbetën pas, u internuan dhe iu konfiskua e gjithë pasuria. Familja kryen dënimin në internim me tela në 1945-1950 dhe kur mbaron internimin, me ndihmën e disa kolonjarëve të njohur, familja vendoset në një lagje në Tiranë, me qera. Vajzat martohen dhe mami im, si më e vogla, qëndron me gjyshen. Mami im njihet me babin tim, i cili kishte ardhur nga Gostivari, ishte student muzike. Mami ka mbaruar degën për pikturë dhe arti i ka bashkuar të dy. Këtu fillon lufta akoma më e ashpër. Mami martohet me babain, Daut Mustafai, por pa celebrim, sepse babai ishte nënshtetas i huaj.

Pas martese i japin një hyrje në Lushnje, sepse u hap një artistike atje dhe mamin tim e vendosën të bëhej shefe e prodhimit, të mësonte punëtoret. Në 1972, erdhi koha që do lindja unë, mamaja ishte në muajin e nëntë të shtatzanisë dhe kishte ardhur tek gjyshja në Tiranë, që të lindte. Kur po priste që të vinte babai ta merrte e ta çonte në maternitet, mëson se atë e kishte arrestuar sigurimi disa ditë më parë në tren, duke ardhur për Tiranë. Kishin arrestuar Dautin si dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, nipin Robert Burimi, tezen Afërdita Hajrullai (Bome), ca kushërinj e farefis që nuk dua t’i lëndoj duke i përmendur.

Në fund, kur Qerimeja (mamaja) paraqitet në maternitet të lindë, vjen sigurimi i shtetit dhe i thotë: Kemi një pyetje për ty, dhe e marrin mamin në hetuesi. Aty asaj i fillojnë krizat e lindjes, pak presion, frika, dhe pas shumë ore krize, vendosin ta çojnë në maternitet për të lindur. Por sigurimi e priste jashtë dyerve të spitalit. Pas një lindjeje të vështirë, mamin e marrin ashtu me gjak nëpër këmbë dhe me gjinj të fryrë nga qumështi dhe e fusin përsëri në qeli, në hetuesi. Siç më tregonte ajo, vetëm në një qeli 1 metër katrorë të errët, ku kishte vetëm një dritare të vogël shumë lart.

Aty në qeli, vinte doktori dhe i lidhte gjoksin mamit për t’i hequr qumështin nga gjiri. Mamaja më ka thënë që muret e qelisë ishin lyer me qumështin e saj… një tmerr i paimagjinuar për një grua lehonë. Aty vinte hetuesja Dolorez Velaj dhe hetuesi Helam Gjika dhe e akuzonin; Ti je armike, ke dashur të përmbysësh pushtetin popullor, kemi fakte për këto. Kjo Dolorezi ia ka tërhequr flokët nënës nëpër qeli, duke i thënë fjalë fyese. Helami, hetuesi e provokonte duke i thënë: kemi burrin tuaj këtu, nipin, motrën dhe ata pohojnë se ti je shkaktare e burgut të tyre. Çfarë nuk i kanë ngarkuar përsipër në hetuesi. Në ballafaqim me Dautin (babin), i cili qe mbuluar në gjak, ai i pëshpërit mamit në vesh: “Më fal Qerime në kam thënë diçka, shpirti ma di, siç më shikon, çfarë kam hequr”. I nxjerri, nipin, Robertin, asokohe fëmijë rreth 18 vjeç, që mezi rrinte në këmbë, pastaj i nxjerrin dhe motrën Afërditën.

Mami u shkatërrua psikologjikisht kur i pa njerëzit e vet e bërtiti; “Lironi Afërditën se është me diabet, ma kaloni mua dënimin e saj”. Aty Qerimeja mori veten dhe tha: “Ju jeni kriminela, nuk kam bërë politikë deri tani, po tani po më mbushet mendja që ju jeni kafshë, vrasës, kriminelë. Poshtë ju të gjithë dhe do e firmos aktakuzën, se ju urrej deri në vdekje.” I japin një laps e letër të firmosë dhe ajo thyen majën e lapsit me forcë (ata e kuptuan mesazhin e thyerjes se lapsit). E pyetën se si do e quante foshnjes e saj të sapolindur dhe ajo tha: Ju më mbyllët jetën në moshë të re, ndaj unë do e quaj fëminë tim Çil Jetë – Çiljeta.

Qerimeja u dënua me 15 vjet si kryetare e grupit armiqësor me gjyq ushtarak. Tezja, nipi, e babi kryen nga 5 vjet burg secili. Unë qëndrova në maternitet nja dy muaj dhe erdhi gjyshja, firmosi dhe më mori. Një doktor aty,  e lajmëroi gjyshen; hajdeni merrni foshnjen se është bërë një plan për ta zhdukur dhe s’keni për ta gjetur më. Qerimeja u dërgua në burgun e Qytetit Stalin si fillim, pastaj në Kosovë Elbasan në repartin 318.  Aty ishte dhe tezja, Afërdita. Babi im, Dauti ka qenë në burgun e Burrelit, nipi po ashtu.

Mami im doli në vitin 1983 me dekret të veçantë, se amnistia nuk e zuri, pasi unë dhe gjyshja nuk lamë letra pa bërë. Unë dhe gjyshja që më rriti, mbetëm dyerve të burgjeve, sa në Kosovë, Elbasan dhe në Burrel. Qerimeja ka pasur një sjellje të shkëlqyer në burg, shoqërohej me gratë ruse të dënuara, pasi ajo më ka thënë “kishe ç’mësoje prej tyre”. Mami ka qenë shumë shoqe (motër) me Nadjeshda Sidorovën në burg.

Mami im ka vdekur në 1992, nga një sëmundje e rëndë, ishin pasojat e burgut. Babi po ashtu, ka vdekur pak vite më vonë, në 1997. Të dy shumë të rinj. Unë u rrita si u rrita, ku me bukë e ku pa bukë, se gjyshja s’kishte pension.

Ishim të terrorizuar, gjithmonë kontrolloheshim nga ata të frontit dhe të degës. Mua gjithmonë më thërrisnin reaksionare, kjo fjalë më është ngulitur në kokë. Ne fëmijët e të persekutuarve kërkojme drejtësi morale, që shpirti i atyre që ikën nga kjo jetë me kaq dhimbje, të qetësohet, të prehet në paqe. E kemi për detyrë t’i tregojmë më të rinjve se çfarë i bëri terrori diktatorial, çfarë i bëri intelegjencës shqiptare diktatura terroriste bolshevike”.

Burimi: Kujto.al/ KultPlus.com

Sabiha Kasimati, shkencëtarja që sfidoi diktatorin: Ti po vret të gjithë intelektualët, me çfarë ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me këpuctarët dhe teneqexhinjtë

Nga Daniela Vathi

Marrëdhënia e grave me shkencën është karakterizuar gjithmonë nga një rrugë e përpjetë qoftë në sferën kulturore, qoftë në atë profesionale. Për të zënë një vend, qoftë edhe minimal, këtyre grave u është dashur të thyejnë barriera të shumta, që u kanë kushtuar sakrifica të mëdha dhe një vendosmëri këmbëngulëse të jashtëzakonshme. Rrallë herë kujtohen sforcimet dhe vështirësitë, që në mënyrë të pashmangshme kanë shoqëruar përparimet e arritura dhe kompetencat shkencore të pashoqe të këtyre “mendjeve të bukura”.

Megjithatë kontributi i tyre për shkencën, dhe si rrjedhojë për të gjithë njerëzimin, është tepër i madh.Edhe pse u është dashur të luftojnë kundër paragjykimeve dhe mentaliteteve kryesisht mashkullore, ato kanë arritur të cajnë udhën mes kolegëve meshkuj dhe të fitojnë respektine tyre.

Emrat e shkencëtareve të shquara si Montalcini, Agnesi, Montessori,Hack, Curie, Meitner, e shumë të tjera, janë të njohur për memorien kolektive, por janë të shumta gratë e tjera të apasionuara pas shkencës, një fushë e konsideruar si tipike mashkullore, që kanë kontribuar për të përparuar njerëzimin edhe pse fatkeqësisht të neglizhuara nga historia dhe vepra e të cilave ka kaluar pa u vënë re.

Po ta mendojmë, janë të pakët ata që dinë se zbulimi që ka revolucionuar gjenetikën njerëzore dhe studimet mbi të, dmth zbulimi i spirales së dyfishtë të ADN-së, është meritë e një gruaje, Rosalind Franklin, por fatkeqësisht asaj nuk ju njoh kurrë merita, që i kaloi gabimisht dy shkencëtarëve Watson dhe Crick, të cilëve “iu dhurua” cmimi nobel për një zbulim të tillë.

Një fat i ngjashëm do i përkiste edhe një shkencëtareje shqiptare, të parës, Sabiha Kasimati.

Janë të pakët shqiptarët që e njohin emrin e saj. Shumëkush mund të kujtohet për përfundimin e trishtë që ajo pati, por pothuajse askush për veprën dhe punën e saj si shkencëtare ose më mirë si gruaja e parë shkencëtare shqiptare.

Historia e kësaj gruaje është shumë interesante nga shumë pikëpamje dhe mund ta quajmë pa asnjë ngurrim si “Një intelektuale perëndimore”, gjë jo shumë e zakonte për Shqipërinë e fillim shekullit të njëzetë. Natyrisht do ishte mirë që historia të mos lexohej në celës politik, pasi është absolutisht dytësore ndaj figurës së kësaj gruaje.

Nën peshën e traditës shumë shekullore dhe nën ndikimin e botës orientale, përfaqësuar asokohe nga perandoria osmane, shoqëria shqiptare ishte shumë pak e hapur ndaj grave, dhe aq më pak e favorshme ndaj rolit të tyre aktiv në shoqëri. Sipas mentalitetit tipik, vajzat martoheshin që në moshë të re dhe i perkushtonin jetën rritjes dhe edukimit të fëmijëve, si dhe kujdesit të shtëpisë.

Dhe është pikërisht ky ambjent i mbyllur që e bën akoma më tërheqëse figurën e Sabiha Kasimatit, si grua mbi të gjitha dhe pastaj si shkencëtare, e destinuar të sfidonte shoqërinë shqiptare dhe paragjykimet që e karakterizonin.

Kush ishte atëhere Sabiha Kasimati?

Sabiha Kasimati lindi në Edirne më 1912, ishte e bija e një mjeku, me origjinë nga Libohova, që ushtronte zanatin e tij si mjek në Turqi.
Edhe pse larg nga atdheu, familja Kasimati i rriti fëmijët me frymën e patriotizmit dhe dashurinë për kulturën, si shqiptare ashtu edhe europiane në përgjithësi.
Kur familja u kthye në Shqipëri, ajo u vendos tek i vëllai në qytetin e Korcës, i njohur edhe sot për kulturën me frymëzim francez.Një fakt shumë i rëndësishëm, që do të shënonte jetën e saj, ishte se ajo qe vajza e parë që ndoqi Liceun Francez të Korcës, duke shërbyer si shembull për shumë të tjera në vijim.Ky lice ishte shumë i vlerësuar në të gjithë Shqipërinë e asaj kohe dhe ndiqej nga fëmijët e eksponenteve kryesorë të vendit. Pra që në moshë shumë të re, fati i saj e bëri që të dallohej dhe të ishte e vetme.

Qe shoqe klase me Enver Hoxhën, diktatorin e ardhshëm, por një njohje e atillë do t’i kushtonte shtrenjtë, shumë shtrenjtë!

Edhe sot qytetarët e Korcës e kujtojnë me nostalgji si “ çupën e parë të liceut”, e bukur dhe e hedhur, spontane, rrezatuese, inteligjente dhe me një karakter pothuajse burrëror saqë shoqërohej me miqtë e liceut në mënyrë shumë spontane.

Nuk vonoi të dallohej për inteligjencën dhe zellin në studime, tashmë zotëronte shumë mirë disa gjuhë të huaja perëndimore, madje arriti të tërhiqte vëmendjen e profesorëve francez të liceut me theksin e saj perfekt në frengjisht.

Pasi mbaroi liceun, punoi për pak kohe si mësuese në lendët edukatë morale dhe frengjisht në Institutin femëror të Korcës dhe më pas dha biologji në shkollën shqiptaro-amerikane në Kavajë.

Në 1936 realizoi ëndrrën e madhe për të vijuar studimet universitare, dhe arriti të fitojë një bursë studimi nga shteti.Universiteti ishte një privilegj i pak fatlumëve. U regjistrua në Fakultetin e Shkencave biologjike në Torino, ku përvecse u diplomua me maksimumin 30/30 cum laude ( tridhjetë mbi tridhjetë me lavdërim), arriti të mbrojë edhe doktoraturën në 1941.

Edhe në Torino shfaqi inteligjencën e saj, saqë iu ofrua mundësia për të punuar si asistente në katedrën e ihtiologjisë në universitetin e Torinos. Me deshirë për t’u kthyer në atdhe dhe për të vënë në shërbim të tij dijen e saj, refuzoi ofertën dhe u kthye.

Pas kthimit në Tiranë, punoi në Insitutin e Shkencave, që ishte bërthama e parë e studimeve shkencore në vend, nën drejtimin e prof. Selahudin Toto, intelektual i njohur.
Këtu realizoi një kërkim shumë të rëndësishëm në fushën e ihtiologjisë ( disiplina që merret me studimin e peshqve) dhe për më tepër qe edhe ihtiologja e parë shqiptare, në një periudhë kur ende nuk egzistonte një përmbledhje e faunës dhe florës egzistuese në vend.

Në dhjetë vite të gjata kërkimi dhe pune plot entuziazëm dhe angazhim, Sabihaja eksploroi dhe studioi gjithë faunën ihtiologjike fluviale dhe detare në ujërat e Shqipërisë, e bindur se studimet mbi peshqit do të kishin një rëndësi të madhe dhe një vlerë ekonomike të cmuar për vendin, që është vecanërisht i pasur. Bëri klasifikimin në bazë të taksonomisë, në klasa, lloje dhe nënlloje, duke përcaktuar zonat ku përhapeshin llojet kryesore të peshqeve me vlerë ekonomike dhe studime të shumta rreth riprodhimit dhe cikleve të tyre biologjike.

Pas një pune të stërmadhe në përmbushjen e mijëra skedave, koleksione të ekspozitave të mbedhura në dhjetra ekspedita, nga liqeni i Butrintit deri në liqenjtë e Lurës, nga liqeni i Prespës deri në detin Jon dhe Adriatik, si dhe në lumenjtë më të rëndësishëm, duke regjistruar dhe përpunuar ndërkohë mijëra referenca bibliografike dhe fotografike, që do të kishin qenë një ndihmë e madhe jo vetëm për Shqipërinë por edhe për të gjitha vendet ballkanike kufitare.

Sabihaja ishte gati të publikonte veprën e saj voluminoze “Peshqit e Shqipërisë”, por ja që fati i saj ndërthuret me atë të Rosalind Franlin, sepse vepra e saj nuk u publikua kurrë në emrin e autores së vërtetë, Sabiha Kasimati, por në emrin e një shkencëtari rus Anatoli Poliakov, dhe të dy studiuesve fillestarë Ndoc Filipi e Ndoc Rakaj.

Sabiha Kasimati, krenare për idealet e saj iluministe, zgjodhi të ndiqte një shembull perëndimor edhe në jetën e saj. Ajo nuk u martua kurrë dhe jetonte vetëm në një apartament në Tiranë, pasi kishte nevojë për hapësirat e saj.Në fakt ajo kishte shpesh vajtje-ardhje me shumë nga miqtë dhe mikeshat e saj intelektuale të kohës, që përbënte një mënyrë diskutimi dhe ballafaqimi mes personazhëve kryesorë të vendit. Sigurisht nuk ishin të zakonta gratë shqiptare që jetonin të vetme (dhe nuk janë as sot), pa rënë në sy në një vend me mentalitet të mbyllur dhe të prapambetur. Pra bëhej përsëri fjalë për një sfidë ndaj zakoneve dhe traditave të shoqërisë se atëhershme.

Ndërkohë në Shqipëri po instalohej diktatura komuniste e Enver Hoxhës, ish shoku i klasës, i cili siç dihet tashmë, eliminoi çdo zë kundërshtues në vend, duke eliminuar fizikisht cilindo të guxonte të vihej kundër regjimit të tij tashmë totalitar de facto. Pjesa më e madhe e intelektualëve që kishin studjuar në perëndim, u dënua me vdekje, por ajo që shqetësoi së tepërmi biologen qe dënimi me vdekje i profesorit të saj Salahudin Toto dhe internimi i shoqes së saj Musine Kokalari, shkrimtarja e parë shqiptare.

E njohur nga të gjithë për karakterin e saj të drejpërdrejtë dhe guximtar, ajo i kërkoi një takim Enverit, ku pasi e qortoi si përgjegjësin kryesor për vrasjet e intelektualëve, miqtë e tyre, duhet ti ketë thënë: “ Ti po vret të gjithë intelektualët! Me çfarë ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë me këpucarët dhe teneqexhinjtë?!”

Në vazhdim, duke mos përfillur rrezikun e sigurtë që i vërtitej tashmë, ajo vendosi të shkonte të takonte miqtë e saj të internuar në kampin e internimit në Jubë.

Disaprovimi i saj i qartë dhe disidenca, që nuk u mundua kurrë ta fshihte, ndaj regjimit të Hoxhës firmosën edhe eliminimin e saj të afërt.

Ishte viti 1951 kur një bombë ose më mirë pak dinamit shpërtheu në oborrin e ambasadës ruse në Tiranë, por nuk shkaktoi asnjë dëm, përvec thyerjes së disa xhamave. Regjimi, në bazë të planeve dhe listave të parapërgatitura më parë, urdhëroi arrestimin e rreth njëqind qytetarëve, të akuzuar për bashkëpunim në plasjen e bombës, prej të cilëve rreth njëzet duheshin pushkatuar që të shërbenin si shembull për këdo të guxonte akte të tilla revolucionare.

Në të vërtetë bëhej fjalë për një justifikim bindës për të eliminuar ata që mendohej të ishin të rrezikshëm për regjimin. Dhe ja që përfshihet edhe biologia Sabiha Kasimati, pranë emrit të saj qe vënë një kryq i kuq që nënkuptonte pushkatim, me akuzën se kishte marrë pjesë në akte terroriste dhe se ishte në shërbim të agjentaturave të huaja.

Ajo mohoi të gjitha akuzat që iu bënë gjatë hetuesisë, duke u përgjigjur: “ Jam kundër pushtetit popullor sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Nuk kam menduar asnjëherë se me anë të akteve revolucionare të mund të arrihej në socializëm. Unë kam studjuar biologji dhe si rrjedhim jam evolucioniste. Evolucioni është në naturën e gjërave. Dhuna nuk çon në socializëm dhe aq më pak në demokraci, por vetëm dhe direkt në shkatërrim!”

E veçanta e këtij rasti qëndron në faktin se 23 intelektualë u pushkatuan pa një proces të rregullt, i cili u mbajt në mungesë, dmth. pasi ishin eliminuar tashmë 23 persona.

Në natën e 26 shkurtit 1951, të lidhur me tela me gjemba, ata u pushkatuan një nga një diku pranë urës së Beshirit dhe trupat e tyre u hodhën të gjithë në një gropë të madhe të hapur disa ditë më parë. Sabiha Kasimati qe e vetmja grua e pushkatuar mes 22 burrave, dhe duke qenë pushkatuar e fundit, atë nuk e kapi plumbi direkt, por u mbyt me dhunë krah ulërimave të saj që tmerruan të gjithë banorët e zonave përreth, deri sa dha frymën e fundit.

Fundi i trishtuar i një gruaje që i kushtoi jetën dijes dhe shkencës, por tashmë është e braktisur në harresë…

Burimi: http://www.albanianews.it/wp-content/uploads/wp-post-to-pdf-cache/1/sabiha-kasimati-shkencetarja-shqiptare.pdf

E futën në thes me një mace të egër, e rrahën barbarisht deri në vdekje

Marie Tuçi, mësuesja 22-vjeçare që vdiq nga torturat e tmerrshme në kohën e sistemit komunist në Shqipëri, duke u bërë kështu e vetmja grua që renditet në mesin e 40-të martirëve të parë të kishës katolike shqiptare,  shkruan KultPlus.

Atë e mbyllën në një thes së bashku me një mace të tërbuar dhe e goditën atë me mjete të forta. Kur e nxorën nga thesi, Maria ishte transformuar sa nuk njihej. U dërgua në spitalin e të burgosurve në gjendje të mjerueshme, ku nga plagët e marra nuk njihej. Nga spitali i burgut u dërgua në spitalin civil dhe ditët e fundit që kaloi në spital vizitohej nga të afërmit e paktë, mes të cilave dhe shoqja e kushërira e saj Davida, që punonte si infermiere. Në fillim ajo nuk e kishte njohur. Asaj Maria i ishte shprehur se shefi i sigurimit e kishte çuar deri në fund fjalën e tij, kur i kishte thënë se “do të të katandis aq sa të mos njihesh”.

Maria Tuçi vdiq në spitalin e Shkodres, më 20 shtator të vitit 1950./ KultPlus.com

Sikur edhe njiherë të kisha mujtë me jetue jetën teme…

Jorge Luis Borges

Sikur edhe njiherë të kisha mujt me jetue jeten teme,
unë do t’isha përpjekë që në jetën e re
me ba ma shumë gabime.
nuk kisha dashë me qenë aq i përsosun,
kisha dashë me qenë ma i qetë.

Kisha dashë me qenë edhe ma i çmendun se ç’isha,
shumë ma pak gjâna i kisha marrë kaq seriozisht.
Nuk do t’kisha rrnue kaq shnetshëm.

Do t’kisha rreziku ma shumë, do t’kisha udhëtu ma shumë,
ma shumë perëndime dielli kisha me vështrue,
ma shumë do t’isha ngjitur maleve, ma shumë do t’kisha notu lumenjve.

Kam qenë njâni prej atyne njerëzve t’mençun,
që çdo minutë të jetës e ka kalue frytshëm;
vërtet unë kam pasë edhe çaste të gëzimit,
por, sikur t’kisha mujt me u kthye prapa edhe njiherë,
do t’kisha ba përpjekje me shijue vetëm çaste t’mira.

Nëse ti ende nuk e din,
vetëm prej tyne përbahet jeta;
vetëm prej çasteve, mos e harro të tashmen!

Sikur edhe njiherë të kisha mujtë me jetue jetën teme,
prej fillimit të pranverës deri në fund të vjeshtës kisha me ec kambzbathun.
Po ashtu kisha me lozun ma shumë me fëmijë,
sikur jetën ta kisha para vetes.
Por, shikoni… i kam 85 vjet, jam plak dhe e di
se së shpejti kam me vdekë./ KultPlus.com

(Përktheu: Enver Robelli)

Mësuesja i tha që të këndonte nëse dëshironte notë kaluese, sot student i dy drejtimeve

Medina Pasoma

Kujtesa e individit përgjatë fëmijërisë i ngjan një tabullarase, e që individi e gdhend çdo detaj në të. Që nga ajo kohë e deri tash në stadet akademike, pjesëtari i komunitetit egjiptian Valmir Rama është përballur me paragjykime prej më të ndryshmeve. Mirëpo, ai ka vendosur të dal nga kornizat që shoqëria tenton t’ua përcaktoj komuniteteve, dhe të jetë një student i dalluar, aktivist i shquar dhe një model përbrenda shoqërisë kosovare, shkruan KultPlus.

Ishte klasa e 4-të atëherë kur nuk do të vlerësohej pafajësia fëmijërore karshi orekseve diskriminuese të të tjerëve. Valmiri ani pse ishte një nxënës shembull në shkollën fillore në Mal të Zi, sërish u paragjykua për shkak të etnisë së tij.

“Kishte ardhur një mësuese për ta zëvendësuar mësuesen e historisë. Kur u prezantova dhe i tregova që i përkas komunitetit egjiptian, ajo pa shikuar fare në ditar më tha “nëse na këndon do ta mbylli notën kaluese dhe ty nuk do të pyesim fare”, fillon rrëfimin e tij Valmiri.

Mirëpo, urtësia e tij kishte bërë që e gjithë rrjedha paragjykuese të përfundoj me një kërkim falje.

“Në ato momente jam ndjerë shumë keq dhe i kam thënë ‘Mësuese unë nuk kam nevojë për notë kaluese, përkundrazi çdo notë unë e kam me meritë. Pastaj kur e hapi ditarin, i pa notat e mia, më kërkoi falje”, shpjegon Valmir Rama.

Ai beson se të njëjtën përvojë e ka çdo pjesëtar komuniteti në Ballkan dhe jo vetëm në Mal të Zi.

“As një shtet nuk dallon nga tjetri për nga diskriminimi ndaj komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian. Në të gjitha vendet perceptohemi si njerëz të cilët dinë veç të këndojmë, si të paarsimuar, njerëz të pa pastër, që punojmë veç punë të renda dhe të pista”, vlerëson Rama.

Problemin e këtyre perceptimeve ai e ndërlidh me diskursin, që iu qaset komuniteteve.

“Më së shumti ndikon edukimi i fëmijëve me frymën diskriminuese. “Mos u bë si maxhup”, “këtë e bëjnë veç maxhupët”, “je zhyt si maxhup” dhe shumë e shumë definicione tjera më të cilat i qortojnë fëmijët e tyre dhe pastaj në kokën e fëmijëve krijohet njëfarë ‘gogoli’ që ‘maxhupët’ janë të pa pastër, të pa aftë, të gjymtë dhe shumëçka tjetër”, shprehet  i riu nga Istogu.

Por, ai prapë është i bindur që nëse punohet, pikërisht aty ku edhe ai vet filloi të diskriminohej, në shkollë fillore, paragjykimet do të jenë më të vogla. Si individ, ai e ka arritur këtë, jo nëpërmjet ‘këndimit’ ashtu siç mësuesja e tij i pati kërkuar, por nëpërmjet ngritjes së zërit duke qenë një storie suksesi.

Djaloshi i cili refuzoi të këndoj dhe këmbënguli që të mësoj, sot është student në dy drejtime paralelisht. Dyert e Fakultetit të Filozofikut, përkatësisht degës së Sociologjisë dhe të Shkencave Islame në Universitetin e Prishtinës u hapën për të, për të lënë gjurmë të tij aty. Mirëpo, ai nuk mbeti vetëm student por morri edhe role drejtuese në kuadër të studimeve. Valmirin e përzgjodhën si kryetar të Departamentit në Sociologji dhe si nënkryetar në Filozofik për organizatën studentore “Paqja Studentore”.

“Unë nuk kam dashur që të jem kryetar i Departamentit,  por me propozimin dhe votimin e të tjerëve për ta pranuar këtë post, unë e kam mirëpritur. Jam befasuar jashtëzakonisht shumë, dhe të gjithë si nga profesorët ashtu edhe nga studentët më kanë uruar dhe e kanë pritur shumë mirë këtë emërim”, tregon me modesti Rama.

Tutje, ai thekson se i ka kushtuar kujdes çdo veprimi të tij sepse e ka ditur që kjo ndikon drejtpërdrejtë në formësimin e përshtypjeve për etninë të cilës i përket. Ndërkaq, periudha akademike i ka sjell edhe përvoja të mira edhe të këqija.

“Në departamentin e sociologjisë jam pritur shumë mirë dhe kam pasur përkrahjen e tyre maksimale, kjo dëshmohet me përkrahjen si kryetar i departamentit për 3 vite radhazi. Por, ka pasur edhe profesorë e studentë që e kanë përdorur termin ‘maxhup’ por pasi reagoja, ata më kërkonin falje”, sqaron Valmir Rama.

Pikërisht kompleksiteti i shoqërisë dhe paragjykimet e diskriminimet ndaj komuniteteve të ndryshme ishte njëra nga arsyet që Valmirin e shtynë ta regjistroj sociologjinë.

“Si pjesëtar i komunitetit kam dashur që sa më shumë të ngritem dhe në këtë formë t’i mbroj interesat tona. Për këtë tregojnë edhe hulumtimet e mia gjatë studimeve, të cilat kanë pasur çdo herë synim të drejtat dhe jetën e komuniteteve”, thotë Rama.

Tutje ai përmend se të drejtat e komuniteteve sipas Kushtetuës së Kosovës, kultura dhe tradita e komunitetit egjiptian, ligjet për punësimin e komuniteteve, martesat e hershme, përfaqësimi politik i komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian kanë qenë disa nga temat në të cilat ai i shtriu hulumtimet e tij.

Përtej studimeve, ai e ka përdorur edhe pjesëmarrjen në shoqërinë civile si një mjet për ndërrim të mendësisë. Si banor i Istogut, ai fillimisht është marrë me organizata lokale, madje edhe duke pasur role drejtuese në to siç është rasti në organizatën “Creative Youth Group” në të cilën është edhe përgjegjës për komunitete.

“Në vitin 2014 kam filluar si vullnetar në organizata lokale. Pastaj kemi krijuar një grup për avokim me të rinjtë e Istogut, ku vazhdimisht kam pasur komunikim me njerëz dhe aty e kam vërejtur se duhet të angazhohem më shumë për ta përmirësuar gjuhën shqipe dhe të filloj me studime”, sqaron Rama.

Përqeshjet në rastin e gabimeve në shqiptim, Valmirin nuk e thyen, përkundrazi e forcuan në arritjen e qëllimeve të tij. Mirëpo, nuk janë të pakta rastet kur pjesëtarët e këtyre komuniteteve nuk mund t’i realizojnë ambiciet e tyre për shkak të kushteve financiare.

“Shumë djem dhe vajza të zotë dhe me potencial jashtëzakonisht të madh, për shkak  të gjendjes ekonomike nuk kanë pasur mundësi qe të vazhdojnë shkollimin e tyre më lartë. Kësisoj fillojnë të punojnë për mbijetesë. Por ajo që unë e kam vërejtur është se gjendja e tyre mund të përmirësohet vetëm nëpërmjet presionit ndaj institucioneve të shtetit dhe politikave të tyre. Puna me komunitetet nuk mund të jetë frytdhënëse kur defekti qëndron në krye të shtetit, e ai është ligji jo funksional”, shprehet Rama.

Edhe Valmiri si student i sociologjisë pajtohet se ndërrimi i shoqërisë kërkon një sërë procedurash, të cilat janë afatgjata. Një ndër to sipas tij është që ligjet të cilat janë të shkruara, të fillojnë të praktikohen.

“Gjendja e komuniteteve do të përmirësohej jashtëzakonisht shumë nëse do të plotësoheshin vendet e garantuara për ta në sektorin publik. 10% e të punësuarve në nivelin lokal dhe atë qendror të jenë nga komunitetet. Por, për fat të keq ky ligj nuk respektohet as për 2%”, vlerëson Rama.

E rëndësishme mbetet përfshirja dhe krijimi i empatisë me komunitetet, pa i paragjykuar ata.

“Diskriminimi si dukuri nuk mund të eliminohet plotësisht, por ulje të kësaj dukurie mund të kemi përmes informimit të nxënësve në shkollave fillore, futjes së artikujve për komunitete  në Edukatën Qytetare në lidhje me kulturën dhe traditat tona, duke i punësuar pjesëtarët nëpër shkolla, duke i vendosur të ulen fëmijët e komuniteteve me bashkëmoshatarë dhe jo në fund të klasës”, sqaron Valmiri.

Ai beson se nuk mund të ketë përfshirje të komuniteteve duke i inkuadruar ata pa pjesën tjetër të shoqërisë. Valmir Rama është njëri nga pjesëtarët e komunitetit egjiptian i cili nuk dëgjoi zërat kumbues të të tjerëve, por melodinë e ëndrrave të tij.

(Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KultPlus/YIHR KS dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)/ KultPlus.com

Nëna më pyeti se nëse do të shkoj në shkollë, i thash jo, sepse do të jem në vendin e duhur dhe në kohën e duhur

Aktorja 24-vjeçare, Anya Taylor-Joy, është e mahnitur me vetbesimin dhe ambiciet që i kishte qysh në moshë të re.

Së fundmi ajo ka treguar se qysh në moshën pesë vjeçare i kishte lindur dëshira për aktrimin.

“Ekziston një video e imja kur isha vetëm pesë vjeçare, dhe ku jam e veshur si vallëtare e flamengos. Nëna ime më pyet se çfarë dua të bëhem kur të rritem dhe unë i përgjigjem, ‘do të bëhem aktore’. Nëna tutje më thotë nëse do të shkoj në shkollë dhe në universitet, ndërsa unë i them, ‘jo, unë thjeshtë do të jem në vendin e duhur dhe në kohën e duhur. Unë do bëhem patjetër një aktore’. Nuk e di prej nga më vinte gjithë ky vetbesim, por jam falënderuese që gjithçka shkoi mirë për mua, sepse në të kundërtën do të ndihesha e turpëruar me veten”, citohet të ketë thënë aktorja për revistën “HELLO!”.

Pavarësisht se ka pasur role në disa projekte të mëdha kinematografike dhe televizive, Anya Taylor-Joy, thotë se po provon të mos mendojë shumë për suksesin e saj, ngase në të kundërtën e kaplon frika.

“Nuk mendoj shumë për këtë gjë sepse mund të përfshihem nga emocionet dhe frika. Gjithmonë e kam ditur se dëshiroj të aktroj, dhe pastaj krejt papritur fillova të angazhohem nga filmi në film. Krejt çka di është se, momentalisht gjërat po ecin shumë mirë për mua”.

Tutje, ylli i filmit “Emma” ka thënë se do të dëshironte ta krijojë një karrierë sikur ajo e aktores Tilda Swinton, pasi e admiron kreativitetin dhe suksesin e saj.

Roli i fundit i Anya Taylor-Joy është ai në serinë shumë të pëlqyer dhe të vlerësuar nga kritka, “The Queen’s Gambit”, ku aktoja e portretizon një lojtare profesionale të shahut, Beth Harmon, e cila mundohet të bëhet lojtarja më e mirë shahut në botë. Por në të njëjtën kohë, ajo përballet me probleme emocionale dhe varësinë nga droga dhe alkooli.

“The Queen’s Gambit” është realizuar dhe transmetohet në platformën Netflix, ku edhe ka thyer rekord të shikueshmërisë.https://www.youtube.com/embed/CDrieqwSdgI.

101 vjet bashkë

Tregim nga Binak Kelmendi 

Bëheshin shumë javë që ti po mendoje gjatë dhe shumë rreth disa shkronjave dhe numrave të skalitur në një gur varri në Kodrën e Varrezave pak sipër katundit Bogë që i kishe parë dhe shikuar sa herë kishe kaluar i heshtur andej.  Dhe, në një ditë vere, ti shkove sërish te varri dhe u solle vërdallë tij disa herë.

“Do ta zgjidh këtë dilemë”, i the vetes.

Frynte një erë e madhe dhe ajo e shtrinte pothuajse krejtësisht për toke barin e rritur. Ti e prisje momentin për ta zënë te rrënja gurin e gjatë dhe shpatuk që zbulohej nga fijet e barit që të bëje sa më shumë foto të gurit të varrit. Nuk dëshiroje të shkulje barin rrëzë gurit sepse të dukej se ashtu do të shkulje eshtrat e të varrosurit pranë gurit. Ishte vetëm një gur dhe askund nuk vërehej ngritje dheu afër. Varri ishte rrafshuar me tokë, sikur të mos kishte qenë kurrë.

“E po janë bërë shumë vite që nga varrimi i tij nga ajo kohë”, the më vete duke e zënë me fotoaparat tërë gjerësinë dhe lartësinë e gurit të varrit.

Pastaj u ndale të shikoje fotot dhe t’i analizoje e krahasoje ato me skalitjet e shkronjave dhe të numrave në gurin e ngulur në tokë me barin e gjatë përreth tij,

“Halil Alia Dembogaj”, lexove një për një shkronjat.     

“1839-1898”, i bëre bashkë numrat.   

Dhe iu qase sërish gurit. Një gur shpatuk, pothuaj i rrumbullaktë sado që mjaft I lartë, rrëzë rrugës me baltë të rrethuar me drunj, paksa i larguar nga varret tjera me gurë të vegjël e të bardhë … E fërkove me duar, pothuaj e ledhatove gurin duke bërë edhe ca foto të tij nga lartë-poshtë.

“…Gjyshin ma kanë vrarë ata, serbët. Ishte afër t’i bënte gjashtëdhjetë vjet. Ata, serbë, nuk e lanë t’i bënte. Gjyshi ishte duke i  ruajtur delet, i ka pasur mbi 500 dele, bardhoka, syka, gala… secila më e mirë se tjetra, kur ia behen ata…”.

Ata, babai kështu i quante serbët.

Ti u ndale ta shikoje babanë që fshiu fshehtas sytë për të vazhduar rrëfimin me zërin e dridhur:

“…Vetëm gjyshi kishte mbetur në shtëpi. Në të vërtetë vetëm gjyshi kishte mbetur te vatha sepse shtëpinë dhe çdo gjë tjetër e kishin djegur ata, serbët. Kur e kishin vrarë gjyshin ata, serbët, delet kishin blegëruar të shqetësuara dhe e kishin rrethuar të rrëzuarin dhe kishin filluar ta lëpinin. Ata, serbët,  pastaj kishin shtënë edhe në dele sipër gjyshit dhe tri-katër dele kishin rënë mbi trupin e tij. Pastaj ata, serbët. e kishin rrotulluar me këmbë dhe e kishin vërtitur trupin e gjyshit dhe trupat e deleve të vrara kodrinës teposhtë. Trupat ishin ndalur te rrënjët e një panje… Pastaj delet tjera i kishin vënë përpara dhe duke ikur e kishin lënë katundin pasi ua kishin futur flakën të gjitha shtëpive.., Nuk dihet kush, kur dhe si e ka varrosur gjyshin tim. Katundi kishte mbetur pa burra. Thuhet se në atë kohë kam lindur unë, një vit pas vrasjes së gjyshit, apo në vitin që u vra gjyshi. Në vitin 1898”… 

-Halil, thirri pastaj babai.  

Vëllai i madh u ngrit në këmbë.

-Ti e ke emrin e gjyshit tim, foli babai.

-E di, bëri Halili me kokë.

-Ma sill lahutën!, t’u drejtua pastaj ty.

Ti mezi e hoqe lahutën nga gozhda.

Babai dhe vëllai qeshën: Edhe pak e u rrite, të thanë,

Pastaj babai nisi këngën për Mujin e Halilin.

Ti dëgjoje, Halili i ndihmonte herë pas here me zë.

-Ke zë të mirë, i tha babai dhe Halili të shikoi…

…Në majin e vitit 1999, ti ishte në Tiranë. Refugjat. I dëbuar. I ndjekur. I ikur. Nuk dije si ta quaje veten. Në një natë, duke kërkuar që ta gjeje me tamam se çfarë dhe cili ishe nga ata katër emra, nuk të merrte dot gjumi. Në mesnatë ose dhe më vonë cingëroi telefoni.

-Jam unë, tha zëri përtej aparatit.

-Të njoha, i the. Hë, di gjë për Kosovën, për Pejën, Llabjanin e saj?, e pyete pas pak.

Zëri heshti.

-Folë, di gjë, e lute me përgjërim ti.

-Halilin e kanë vrarë serbët, dhe zëri larg nisi dënesat.

Ti e mbylle me dorë kufjen të mos dëgjoje vajin tutje aparatit. Pastaj e vare kufjen dhe dole në oborr. Shikove qiellin dhe yjet në të. Dhe ia plase vajit.

“Ata. Serbët. Ata. Prapë serbët.Prapë ata. Njëjtë. Pas 101 vjetësh. Vrasje e re e një Halili tjetër. Afër shtëpisë së tij”.

…Pas vrasjes, ata, serbët, ia vunë flakën shtëpisë së Halilit. U dogj çdo gjë, edhe lahuta, edhe fotot e babait. Tri plaka që nga rruga shikonin flakët me shami të hequra nga koka duke mallkuar ata, serbët, u urdhëruan nga ata, nga serbët, të bënin varrimin e Halilit në livadh, sipër shtëpisë së djegur në Llabjan, jo në varrezat e katundit…

Varrimi i dytë i Halilit u bë në gushtin e vitit 1999. Tre muaj pas vrasjes së tij, më 2 maj 1999 dhe dy muaj pas dëbimit, ikjes dhe zbimit të atyre, serbëve.

Ti kishe ardhur nga mërgimi, Alzasi. 

Te varri u sollën tri kurora për Halilin: Dy paksa të vjetra dhe paksa të grisura që ishin marrë nga vendi i vrasjes dhe nga varri i parë i Halilit. Kurora e re ishte për varrin e dytë.

-Halili ka qenë i madh, s’e ka zënë vetëm një varr, ngushëlloi dikush.

Nuk pati fjalime atdhetare.

Edhe ti heshte.

Madje nuk i falënderove as pjesëmarrësit e varrimit. Lëshove tre- katër lot në arkivolin që e fshive më pas, hodhe një grusht dhe mbi varr dhe bëre shumë fotografi të dërrasës si piramidë që mbante shënimet për vitin e lindjes dhe të rënies së Halilit mbi varrin me dhe të freskët:

“Halil Ali Kelmendi.”

“1941-1999.”

Bënte vapë dhe bëheshin varre të reja për të vrarët tjerë.

Ti ike duke shikuar përtej bjeshkëve të murrme dhe te varri i sapombuluar.  

Dy Halilat rrinin nën dhe, 40 kilometra larg njëri- tjetrit. Dhe ti aty për aty mendove se të vdekurit flasin me njëri –tjetrin. Sidomos Halilat e babait tënd dhe Halilat e tu.

Qajte edhe njëherë dhe pastaj fotot e varreve të dy Halilave i fute në çantë dhe fole më vete: Fatet e dhe emrat e njerëzve përsëritën. Sikur ditët e javës dhe sikur muajt e vitit.

“Sidomos fatet tragjike”, bëre më vete duke i futur fotot e varreve të Halilave në çantë.

“Dy Halilat e mi”, bërtite me tërë zërin.

Të gjithë të shikuan me habi dhe me frikë. T’u duk se thanë: “Qenka çmendur”.

Ti u përgjigje: Të çmend, si nuk të çmend lufta. Sidomos kjo luftë që ka zgjatur 101 vjet, edhe më shumë, madje. Dhe nuk dihet se a do të përfundojë.  

Me kokën nga varri i ri, pa shikuar askend, more rrugën për në Prishtinë. 

Në Ulpianë, në banesën tënde, sërish u ndeshe me gjurmët e atyre, të serbëve:  Aty, ata, serbët, kishin grisur shumë libra, i kishin lënë pa kopertina nëpër dysheme dhe kishin marrë çdo gjë tënden. Edhe kompjuterin ku e kishte pasur të skicuar pemën e familjes tënde me dy Halilat dhe shumë të tjerë të vrarë nga ata, nga serbët…

Nga përmbledhja me tregime “Dritat e Luftës” që së shpejti del nga shtypi./ KultPlus.com

OBSH-ja komenton nisjen e vaksinimit kundër COVID-19: Jemi larg barrierës imunitare




Një zëdhënëse e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e pyetur për ndikimin e vaksinave të para kundër koronavirusit, ka thënë se ato do të “ndihmojnë shumë”, por sipas saj, “jemi ende larg një barriere imunitare”.

Në Britani të Madhe të martën nisi vaksinimi i të moshuarve me vaksinën e aprovuar të “Pfizerit”. Personi i parë në botë që u vaksinua me këtë vaksinë që nga aprovimi ishte një 90-vjeçare nga Irlanda Veriore. Nga 8 dhjetori, Britania e Madhe bëhet shteti i parë në botë që filloi të përdorë vaksinën kundër koronavirusit.

Megjithatë, sipas OBSH-së, vetëm masat parandaluese publike, jo vaksinat, mund të parandalojnë shpërndarjen e rasteve të reja me COVID-19.

“Vaksinat janë të mrekullueshme, do të ndihmojnë shumë, por efekti i vaksinës në prodhimin e barrierës imunitare është ende shumë larg”, ka thënë Margaret Harris, në një përgjigje nga Gjeneva, nëse vaksinat mund të kenë dalë në kohë për të parandaluar një valë të tretë të rasteve me COVID-19 në Evropë.

“Gjërat që duhet të bëhen për të parandaluar një rritje janë masat publike të shëndetësisë”, ka shtuar ajo. / KultPlus.com