Suedia u thotë jo tabletëve dhe kompjuterëve nëpër shkolla: “Nxënësit kanë nevojë që të mësojnë dhe përmirësojnë shkrimin e dorës”

Disa shkolla në Suedi po kufizojnë përdorimin e kompjuterëve dhe pajisjeve të tjera elektronike nëpër klasa, pasi mësuesit druhen se këto pajisje po dëmtojnë aftësitë e nxënësve për të shkruar dhe lexuar.

Megjithëse Suedia ka një shkallë më të lartë suksesi në arsim në krahasim me fqinjët e saj evropianë, statistikat e qeverisë sugjerojnë një rënie të lehtë.

Me fillimin e vitit të ri shkollor në mbarë botën, për një shkollë suedeze në qendër të Stokholmit kjo nënkupton shumë orë shkrimi me dorë dhe orë të qeta leximi, diçka e pazakontë për Suedinë. Në vitin 2017 Suedia miratoi një strategji për përdorimin e kompjuterëve dhe tabletëve nëpër klasa, madje edhe nëpër kopshte. Nëntëvjeçari, Henrik Trolle Adams, në klasën e tretë të shkollës Djurgardsskolan beson në rëndësinë e shkrimit me dorë.

“Shkrimi në kompjuter dëmton aftësinë për të shkruar mirë me dorë”.

Edhe shoqja e tij e klasës Liveon Palmer preferon që të shkruaj në letër. “Më pëlqen të shkruaj më shumë në fletore, sepse thjesht ndihem më mirë”. / KultPlus.com

ABBA-t mund të ribashkohen pas suksesit të Suedisë në Eurovision?

ABBA-t më në fund mund të ribashkohen, pasi Suedia triumfoi në Eurovision, sipas ”The Sun”.

Loreen krijoi mundësinë duke u bërë gruaja e parë që fitoi dy herë Eurovisionin.

Suksesi i Suedisë do të thotë se ngjarja do të organizohet në atdheun e ABBA-s vitin e ardhshëm, në 50 vjetorin e fitores së tyre me këngën ”Waterloo”.

Fansat mendojnë se do të ishte koha e përsosur për të parë sërish Agnetha Faltskog, Bjorn Ulvaeus, Benny Andersson dhe Anni-Frid Lyngstad në skenën e konkursit të këngës.

ABBA pati 19 hite në dhjetëshen më të mirë në Mbretërinë e Bashkuar pas fitores së tyre në Eurovision, përfshirë ”Mamma Mia” dhe ”Dancing Queen”.

Një burim tha dje se ”pasi Suedia fitoi, njerëzit do të kërkojnë një ribashkim të ABBA.

”Ata fituan Eurovisionin në Brighton në prill 1974 dhe vitin e ardhshëm do të jetë 50-vjetori”, tha burimi.

Loreen, 39 vjeçe, grumbulloi 583 pikë me këngën e saj ”Tattoo”, përpara Finlandës së vendit të dytë me 526.

Ajo fitoi më parë në vitin 2012 në Baku me ”Euphoria”./ atsh / KultPlus.com

Mbahet Festivali i XVIII-të i Poezisë e Muzikës Krijuese Shqiptare në Diasporë

Në qytetin Malmö të Suedisë, pas dy vitesh pauzë për shkak të pandemisë, në praninë e shumë qytetarëve shqiptarë e suedezë, nën organizimin e Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi, u mbajt Festivali i XVIII-të i Poezisë e Muzikës Krijuese Shqiptare në Diasporë.

Në fjalën hyrëse të pranishmit në këtë Festival i përshëndetën, Sekretari organizativ i Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi, Z. Ahmet Bella dhe Kryebashkiakja e Komunës së Malmös, Znj. Carina Nilsson. Ajo u ndal te kontributi dhe integrimi i komunitetit shqiptar në Suedi, përkatësisht në Komunën e Malmös, si dhe foli për historikun e ndërtesës së Komunës dhe për fotografitë dhe pikturat të cilat ishin në sallë.

Prezantimin e poetëve dhe krijuesve muzikor të cilët konkuruan në këtë Festival, e bënë Qerim dhe Hanife Kryeziu.

Ekzekutimin në piano të veprave muzikore në këtë festival e bëri Pianistja e mirënjohur nga Kopenhagen Vigjilencë Islami.

Pjesëmarrës si konkurrues dhe mysafirë në këtë festival ishin bashkatdhetarët nga mërgata dhe trojet tona Shqiptare.

Në pjesën e dytë të festivalit, pas një pauze prej 20 minutash, organizatorët dhanë një darkë solemne për të gjithë pjesëmarrësit.

Më pas juria shpalli fituesit:

Shpërblimet për poezi:

Çmimi “Gani Xhafolli” iu nda, Sadije Aliti për poezinë “Çobanesha”.

Çmimi i parë e fitoi Sala Jashari, me poezinë e saj “Papritmas”.

Çmimi i dytë iu nda dy poetëve, Shpend Rukiqi dhe Imri Demisari.

Çmimin e tretë për poezi e fituan, Qerim Raci dhe Zyrafete Kryeziu-Manaj.

Shpërblimet për vepra më të mira muzikore:

Çmimin e parë e fitoi kompozitori, Ahmet Bella me krijimin e tij ” Ti moj Arberi”, interpretuar ne mënyrë dinjitoze nga Maria Herling.

Çmimi i dytë iu nda kompozitorit nga Kosova, Sami Piraj, me kompozimin e tij “Nostalgji “, kurse çmimin e tretë juria ja akordoi kompozitorit Gjon Gjevelekaj për krijimin “Bilibi në fluturim”.

Në pjesën përfundimtare programi vazhdoj me këngë e valle në shoqëri të grupit të Agron Miftarit.

Nga Bedri Bytyçi / KultPlus.com

26-vjeçarja Romina Pourmokhtari ministrja e re e Mjedisit në Suedi

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson emëroi sot 26-vjeçaren Romina Pourmokhtari ministre për Klimën dhe Mjedisin.

Pourmokhtari është ministrja më e re e Suedisë dhe një nga pesë ministrat e Partisë Liberale në kabinetin 23 anëtarësh.

Ajo është me origjinë iraniane dhe kryetare e Liberalëve të Rinj, post nga i cili do të japë dorëheqjen në nëntor.

Partia konservatore e Moderuar e Kristersson do të vendosë 12 anëtarë të kabinetit të ri dhe gjashtë të mbeturit janë nga kristian-demokratët.

Ministri i ri i Jashtëm është politikani konservator me përvojë Tobias Billstrom.

Ebba Busch, kreu i kristian-demokratëve do të jetë ministre e Energjisë dhe Ekonomisë si edhe zëvendëskryeministre.

Johan Pehrson, kreu i Partisë Liberale, do të shërbejë si ministër i Punës dhe Integrimit.

Në deklaratën e tij në parlament, Kristersson parashikoi kohë të vështira përpara, përballë krizave të shumta.

”Është një situatë serioze që ende mund të përkeqësohet”, tha ai.

Qeveria e re pas zgjedhjeve të 11 shtatorit do të betohet sot pasdite përpara mbretit, Carl XVI Gustaf./ atsh / KultPlus.com

Mirësevini në raftin e librave shqip, kështu shkruan sot ne faqen zyrtare të Bibliotekës Botërore në Stockholm

Mirësevini në raftin e librave shqip në www.varldensbibliotek.se. Kështu sot është shënuar në faqen zyrtare të Bibliotekës Botërore në Stockholm të Suedisë me rastin e prezantimit të tri librave të rinj në gjuhën shqipe, të cilët i janë shtuar edhe 150 titujve tjerë që kjo bibliotekë ka siguruar që më herët dhe lexuesi shqiptar sot ka mundësinë të huazoj dhe lexoj librin origjinal shqip në shtëpi, sepse këto libra të siguruar nga ana e Bibliotekës Botërore janë digjitalizua dhe lexuesi pa lodhje dhe mundim, mund ti lexoj.

Tani ka tre libra të rinj në bibliotekë– dy libra për të rritur dhe një për fëmijë. “Skënderaj i Skënderbeut” përbëhet nga tregime dhe ese historike. Do të lexoni dhe njiheni me kohën e kreshnikëve, sundimin osman, luftën në Kosovë në vitin 1389 dhe shumë më tepër për këto ngjarje historike dhe trimërit e princave shqiptar në këtë kohë! Libri përmban edhe skica të Kosovës mesjetare.

“Çou Rexho – çou djalo” është një roman i frymëzuar nga një këngë popullore shqiptare. Kënga është kënduar këtu e 150 vjet më parë nga rapsodi i njohur shqiptar Qamili i Vogël. Historia e këngës popullore është e ndërthurur me fatin tragjik të një të riu Rexhës. Rexha vdiq natën e tij të dasmës – por a ishte vërtet kjo vdekje një aksident? Mund të mësoni në leximin me kujdes të roamnit “Çou Rexho – çou djalo”.

“Babadimri nga Kosova” është një histori shumë e shkurtër e Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve kur Babadimri nga Kosova viziton qytetin Borås në Suedi. Atje, Babadimri do të takojë fëmijët shqiptarë që jetojnë në Borås dhe do t’u shpërndajë dhurata për Vitin e Ri dhe Krishtlindje që ka sjellë nga Kosova. Libri në suedisht quhet “Tomten from Kosova”.

Lexojeni tani ose ruajeni derisa të vijë dimri!

Një punë domethënëse dhe me vlerë e Bibliotekës Botërore në Stockholm të Suedisë e punë të cilën duhet vlerësua dhe mbështetur sepse përmes saj lexuesi mund të gjej dhe ketë në përdorim për lexim literaturë sa më të ndryshme të të gjitha zhanreve të letërsisë shqiptare duke u nisur nga ajo për fëmijë, të rinj dhe të rritur, punë e cila nuk është realizua deri më sot në asnjë vend tjetër, pra Stockholm është pioner dhe ideator i kësaj pune madhore, e që mendojmë se edhe të tjerët duhet mësuar nga këta dhe vende tjera për të realizua këtë në mënyrë që lexuesi shqiptar atje ku ndodhet të ketë sa më pran librin në gjuhën e tij në një vend të huaj.

Në bibliotekë thonë se qëllim i tyre është që në raftet e tyre të ketë sa më shumë libra origjinal në shqip, sepse përkthimet për ta janë jo adekuate për një lexues këtu. Në raftet e kësaj Biblioteke sot lexuesi shqiptar mund të zgjedhë në mbi 150 tituj në shqip çka është një rezultat madhor i prezantimit të librit shqip në Skandinavi, e sot iu shtuan edhe tre tituj të ri të autorit shqiptar Sokol Demaku në banim në Suedi. Krejt kjo falë bashkëpunimit të Bibliotekës Botërore në Stockholm, shoqatës kulturore shqiptare në Borås të Suedisë Qendra Kulturore Shqiptare ”Migjeni” si dhe Shtëpisë botuese nga Tirana ”Dituria”, por edhe angazhimit individual të autorëve shqiptar. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Finlanda refuzon anëtarësimin në NATO pa Suedinë

Finlanda nuk do të vazhdojë procesin për anëtarësimin në NATO pa Suedinë, kështu ka thënë presidenti finlandez Sauli Niinistöm në një konferencë për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sipas medieve vendase Helsinki nuk do t’i bashkohet Aleancës nëse problemet e Stokholmit me Turqinë çojnë në shtyrjen e anëtarësimit të Suedisë.

Në një konferencë për shtyp, Niinistö theksoi se propozimi i Turqisë në lidhje me aplikimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO ishte një surprizë totale.

“Kur vizitova për herë të fundit Suedinë, e thashë shumë qartë. Në Suedi është thënë se “puna e Finlandës është e jona”. Në të njëjtën mënyrë, kauza e Suedisë është e jona. Kjo do të thotë që ne shkojmë më tej krah për krah”, ka thënë kryeministri finlandez.

Presidenti i Turqisë Erdogan ka deklaruara  se nuk e sheh ngrohtë anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë ne NATO, pasi sipas tij ato janë kthyer në baza të sigurta për anëtarët e PKK-së, të cilën Turqia e ka shpallur organizatë terroriste prej shumë vitesh. / KultPlus.com

Bleonah sjell këngën e re “Do Better”

Këngëtarja shqiptare Bleonah e cila karrierën e saj muzikore po e zhvillon kryesisht në Suedi, ka sjell këngën e re në gjuhën angleze, shkruan KultPlus.

Kënga titullohet “Do Better” dhe vjen vetëm në versionin audio.

Kënga është realizuar nga Rika Music Group, ndërsa teksti nga Bleonah dhe Cecilia Hammarberg & asks Mutén.

Këngët e Bleonhas gjithmonë marrin vëmendje në Suedi dhe janë transmetuar në radiot shtetërore të Suedisë e njëjtë po ndodhë edhe me këngën e re.

Vajza nga Mitrovica po punon fuqishëm që të ndërtojë një karrierë në Suedi e më gjerë. / KultPlus.com

Së shpejti vjen koncerti me krijimtarinë e pianistes së parë shqiptare, Lola Gjoka

Në datën 5 maj për të gjithë shqiptarët dhe adhuruesit e muzikës shqiptare në Suedi do të mbahet një koncert me këngët klasike të arranzhuara nga pianistja e parë shqiptare Lola Aleksi Gjoka.

Këngët do të interpretohen nga sopranot e njohura si: Mariana Leka, Feride Gillesberg, Erinda Agolli, pjesëmarrës edhe artistët Gerald Murrja, Antonio Zefi, si dhe pianistet Rudina Ciko dhe Ermira Lefort.

Koncerti i cili organizohet me mbështetjen e ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës në Suedi të mbahet në datë 5 Maj 2022 në ora 12:00 në Sankta Clara Kyrka, Klara Ostra kyrkogata 7-9 Stokholm. / KultPlus.com

Kosovarët nuk do të mund të hyjnë në Suedi deri vitin 2022

Qeveria suedeze ka zgjatur ndalimin e hyrjes në këtë shtet për vendet jashtë Bashkimit Evropian, deri më 31 janar 2022. Ky vendim përfshin edhe Kosovën, qytetarët e së cilës, muajve të fundit nuk janë lejuar të hyjnë në shtetin skandinav.

Siç thuhet në njoftimin e qeverisë suedeze, ndalimi i hyrjes në këtë shtet bazohet në një rekomandim të Këshillit të Bashkimit Evropian, që është në fuqi për një kohë të pacaktuar.

Rregullorja përcakton se një shtetas i huaj që udhëton në Suedi nga një vend jashtë BE-së u nënshtrohet ndalesave deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm. Kjo nuk vlen vetëm për ata që bëjnë pjesë te “përjashtimet”, të cilëve për të hyrë në Suedi u duhet gjithsesi testi negativ. Përjashtimet, sipas njoftimeve të qeverisë suedeze, përfshijnë shtetasit e huaj që kanë leje qëndrimi në Suedi, që kanë ndonjë nevojë emergjente, ose që kanë ndonjë funksion në këtë shtet.

Këto ndryshime do të hyjnë në fuqi më 5 nëntor 2021.

Ndërkaq, ndalesat për shtetasit e vendeve të Bashkimit Evropian do të shtyhen deri më 30 nëntor të këtij viti.

Shtetasit e BE-së mund të hyjnë në Suedi nëse e paraqesin certifikatën e vaksinimit, një test negativ të kryer në 72 orët e fundit, ose dëshminë se janë shëruar nga Covid-19 në gjashtë muajt e fundit. / express / KultPlus.com

Ura që i bashkon binjakët e ndarë nga COVID-19

Dy binjakëve 73-vjeçarë në Suedi nuk u është lejuar për tash e një vit ta vizitojnë njëri-tjetrin në shtëpitë e tyre për shkak të situatës me COVID-19.

Ola dhe Potnus Berglund takohen çdo të shtunë në një urë që lidh Norvegjinë dhe Suedinë, secili në anën e tij të kufirit.

“Nuk na lejohet të kalojmë kufirin. Unë duhet të qëndroj një metër larg në krahun tim dhe ai duhet të qëndrojë një metër në anën e tij,” shpjegon Ola. “Na duhet të kemi dy metra hapësirë mes nesh”, ka thënë ai, duke shtyrë karrigen prapa, shkruan Bankok Post.

Ata takohen çdo të shtunë në urën që lidh Norvegjinë me Suedinë. Përkundër disa ndryshimeve për lehtësim të masave, kufiri ka mbetur i mbyllur.

Ata thonë se janë mësuar të takohen çdo javë, dhe pandemia nuk i ka penguar.

Ata i kanë festuar ditëlindjen e 72 dhe 73-të bashkë./kohanet/ KultPlus.com

Historia e dy vëllezërve që i ndau pandemia, festuan ditëlindjen te kufiri i dy shteteve

Për shkak të pandemisë, ata nuk mund të vizitojnë njëri-tjetrin. Dhe kjo është arsyeja pse, qoftë diell apo shi, dy binjakët suedezë, që janë 73-vjeçarë e gjejnë veten çdo të shtunë, secili në anën e vet të kufirit, në urën që lidh Norvegjinë dhe Suedinë.

Ola dhe Pontus Berglund marrin me vete karriget e ushqimin dhe vendosen secili nga vendi i tyre, i cili është i ndarë me një vijë të bardhë të hollë në asfalt.

“Nuk na lejohet të kalojmë kufirin. Unë duhet të qëndroj një metër në anën time dhe ai një metër në anën e tij”, shpjegon Ola ndërsa flamujt norvegjezë dhe suedezë të ngulur në kangjellat e urës valëviten nga era, transmeton KultPlus.

“Pra, ka dy metra distancë mes nesh”, tha ai. Dhe jo vetëm kaq. Në këmbët e tij ka një vijë të bardhë. Në njërën anë shkruhet “Norge”, në anën tjetër “Sverige”.

Ola jeton në Halden, në juglindje të Norvegjisë, ku shkoi me të dashurën shumë kohë më parë. Pontus është gjysmë ore me makinë në qytetin e largët suedez të Stromstad.

Ata janë binjakë identikë dhe gjithmonë takoheshin një herë në javë. Pandemia e ndaloi këtë dhe ata tani po takohen në urën e vjetër të Swinesund që lidh dy vendet.

Në urë, me dy metra distancë, ata festuan ditëlindjet e tyre të 73 në 20 prill.

“Kjo është shumë e pazakontë, por ne e shihnim njëri-tjetrin një herë në javë dhe nuk donim ta ndalonim atë këtë”, thotë Pontus nga pala suedeze. “Pandemia nuk na ndaloi dhe kjo është fitorja jonë”.

Megjithëse situata me virusin ka ndryshuar me kalimin e kohës, kufiri ka mbetur i mbyllur gjatë gjithë kohës. Kjo veçanërisht zemëron shumë norvegjezë që kanë vilë verore në Suedi, ku jeta është më e lirë. / KultPlus.com

Kërkesat e vajzave të Deçanit edhe në muret e Suedisë, gazetarja suedeze mbështet këtë kauzë

Në javën e katër të protestës së grave në Suedi që po zhvillohet kundër dhunës së burrave ndaj grave çdo të premte, gazetarja suedeze Mirja Lakso ka shkruar në gjuhën angleze grafitet me po të njëjtat mbishkrime, të cilat këtë javë ishin shkruar në muret e qytetit të Deçanit, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Mirja Lakso ka publikuar fotografitë e grafiteve, ku dhe ka vendosur të protestoj me po të njëjtat thirrje për barazi që janë përdorur në Komunën e Deçanit.

“Java e katërt e protestës së grave në Suedi. Ne po protestojmë kundër dhunës së burrave kundër nesh dhe sesi shoqëria dhe sistemi ynë i drejtësisë po mbrojnë abuzuesit dhe përdhunuesit në vend të viktimave. Këtë të premte vendosa të vë në pah mesazhet nga Deçani që ndodhet në Kosovë”, ka shkruar gazetarja.

Tutje ajo ka shtuar se për shumicën është dhuna dhe vrasjet ndaj grave ndodhin në Kosovë, mirëpo ajo se çka shumica nuk dijnë është se sa e zakonshme është që burrat vrasin gratë në Suedi.

“Çdo tre javë një burrë vret partneren ose ish-partneren e tij në Suedi”, ka shtuar tutje ajo.

“Kafja nuk është vetëm për burra”, “Edhe gratë e mira dalin në kafe”, “Baba i mirë t’çonë në shkollë”, “Ngacmuesit janë kriminel”, janë shkruar në gjuhën në muret dhe rrugët Suedisë, duke shtuar edhe emrin e qytetit të Deçanit dhe vitin 2021.

Për KultPlus Mirja Lasko ka treguar se thirrja “Baba i mirë t’çonë në shkollë”, është shkruar pikërisht në shkollën ku ajo ka vijuar mësimet. Kurse thirrja tjetër “Kafja nuk është vetëm për burra”, është shkruar jashtë kafenesë me të madhe dhe më të frekuentuar të qytetit ku ajo jeton./ KultPlus.com

Politikanë pa makina, pa vila, pa imunitet – vendi pa varfëri

Mund të tingëllojë e çuditshme për njerëzit në shumë vende të tjera, por Suedia nuk ofron luks as privilegj për politikanët.  Pa makina zyrtare ose shoferë privatë, ministrat dhe parlamentarët suedezë udhëtojnë me autobusin apo trenin mbushur me njerëz, njëlloj si qytetarët që përfaqësojnë.

Pa të drejtën e imunitetit parlamentar, para gjykatës janë si çdo person tjetër. Pa sekretar në pritje, zyrat e parlamentarëve janë më pak se 8 m2.

Unë i paguaj politikanët, – thotë Joakim Holm, shtetas suedez – dhe nuk shoh asnjë arsye, për t’u afruar një jetë luksoze”.

Politikanët që guxojnë të shpenzojnë para publike për udhëtim me taksi, në vend që të hipin në tren, përfundojnë në faqet e para të gazetave. Edhe kryetari i parlamentit mori një kartë për përdorimin e transportit publik.

Vetëm kryeministri e ka të drejtën e përdorimit të përhershëm të makinave dhe sigurinë personale.

Parlamentarët suedezë jetojnë në apartamente të vogla në kryeqytet, ku i lajnë dhe hekurosin vetë rrobat. Kjo mund të duket modeste për njerëz të tillë të shquar, por në fakt është shumë më mirë sesa dikur.

Deri në fund të viteve 1980, të gjithë parlamentarët flinin në kanape në zyrat e tyre.

Askush në jetën publike, nuk fiton një pagë të madhe: paga për anëtarët e Riksdag (parlamentit) është rreth dy herë më e lartë se ajo e një mësuesi të fillores.

Në nivelin komunal, çdo dëshirë për punësim në politikë mund të interpretohet si një rast që kërkon vlerësim psikologjik: sepse zyrtarët komunalë suedezë nuk fitojnë pagë, as nuk kanë të drejtën e një zyre dhe punojnë vullnetarisht nga shtëpia.

Përvoja e Suedisë minon idenë e paarsyeshme që politikanëve, duhet t’u jepet respekt si një kastë më e lartë, e përbërë nga zonja dhe zotërinj që janë më të famshëm se një qytetar mesatar dhe për këtë arsye, meritojnë një të drejtë gati hyjnore, për përfitime dhe privilegje.

Është një komb që i trajton zyrtarët e tij qeveritarë dhe përfaqësuesit politikë, si qytetarë të zakonshëm; është një shoqëri që shfuqizoi përdorimin e përemrave zyrtarë në vitet 1960 dhe ku të gjithë quhen “ti”, sepse, sipas sistemit suedez të vlerave, askush nuk është mbi të gjithë.

Pa pabarazi të mëdha shoqërore, Suedia është pa dyshim, një vend më i sigurt dhe më pak i dhunshëm, ku politikanët dhe qytetarët zakonisht nuk kanë pse të udhëtojnë me makina antiplumb. Por, më e rëndësishmja, kjo është një shoqëri që zgjedh politikanë të cilët, duhet të jenë në kontakt me problemet e përditshme të qytetarëve. Politikanët, nuk lejohen të vënë interesat personale mbi ato të përgjithshme, në një shoqëri që tregon se pushteti politik mund të ushtrohet brenda kufijve të mirësjelljes.

Në sistemin gjyqësor, logjika është e njëjtë: nuk ka gjyqtarë që kanë të drejtë për automjete zyrtare, sekretarë ose privilegje.

Ata që janë në pushtet duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të gjitha informacionet duhet të bëhen të disponueshme për publikun: hapja e Suedisë reflektohet në vetë transparencën e fuqisë politike, që monitorohet përmes ligjit më të vjetër në botë, për transparencën. Në 1766, hyrja e publikut në dokumentet zyrtare të qeverisë u bë një e drejtë kushtetuese për të gjithë qytetarët, e përfshirë në një kapitull të veçantë të Aktit të Lirisë së Medies në Suedi.

Në Suedi, është e mundur të monitorohen shpenzimet e ministrave, përfaqësuesve dhe gjykatësve në çdo kohë.

Një nga skandalet më të mëdha politike në vend, ishte ai i viti 1990. Zëvendëskryeministrja Mona Sahlin, bleu çokollatë, pelena dhe disa sende të tjera personale me një kartë krediti qeveritare dhe pagoi e shtrenjtë: ajo humbi punën. Skandali u shfaq në analet e politikës suedeze, si çështja Toblerone.

Në pak më shumë se 100 vjet, Suedia është shndërruar nga një shoqëri e varfër, bujqësore, në një nga vendet më të pasura, më të drejta shoqërore dhe më pak të korruptuara në botë, ku askush nuk është mbi të tjerët. / Konica.al / KultPlus.com

Agjencia Suedeze e Taksave ka ndryshuar politikën e saj, nuk do të regjistrojë më shtetasit kosovarë si shtetas serbë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm përmes faqes zyrtare në rrjetet sociale, kanë bërë të ditur sot një lajm shumë të rëndësishëm për kosovarët, shkruan KultPlus.

Ambasada ka njoftuar që kanë zgjidhur problemin e kamotshme të dokumenteve të lëshuara nga Agjensioni Suedez i Taksave – Skatteverket, i cili përmes kanaleve diplomatike, u zgjidh me një epilog pozitiv.

Me të filluar detyrën e saj në Suedi, Ambasadorja Geci Sherifi është njoftuar për shqetësimin e shumë qytetarëve që në dokumentet personale si certifikata të lindjes, martesore e të tjera, të lëshuara nga Skatteverket, krahas Kosovës, ju është shënuar edhe Serbia. Kësaj çështjeje ajo i ka dhënë prioritet dhe me një përkushtim serioz, Ambasada ka filluar trajtimin e saj në mënyrë konsistente. Pas një sërë diskutimesh tejet konstruktive me Ministrinë e Jashtme të Suedisë, çështja në fjalë është trajtuar nga Skatteverket dhe është zgjidhur me sukses.

Tash e tutje, në dokumentet e kosovarëve do të figurojë vetëm shteti i Kosovës meqë:

• Agjencia Suedeze e Taksave ka ndryshuar politikën e saj dhe nuk do të regjistrojë më shtetasit kosovarë si shtetas serbë në Regjistrin Suedez të Popullsisë

• Kur një individ lëviz në Suedi nga Kosova, Agjencia e Taksave do të regjistrojë shtetësinë bazuar në pasaportën e individit ose dokumenteve nga Agjencia e Migracionit, për shembull uppehållstillståndkort

• Individët që janë të regjistruar si shtetas kosovarë dhe serbë mund të kërkojnë heqjen e regjistrimit të shtetësisë serbe. Agjencia e Taksave do të vërtetojë kërkesën bazuar në dokumentet e paraqitura nga individi, informacionin në dispozicion kur individi ka ardhur në Suedi dhe rrethana të tjera të ndërlidhura me rastin përkatës. / KultPlus.com

26 vjeçari nga Kosova zgjedhet kryetar i Socialdemokrateve në Halmstad të Suedisë

Regjioni i Halandit ishte i pari në Evropë që dërgoi një deputet me rrënjë shqiptare në parlamentin e Suedisë. Ishte ky regjion që i besoi tre mandate Adnan Dibranit i cili tashme tetë vite ka në duar ekonominë suedeze në komisionet e parlamentit suedez. Tash me hapa të sigurt dhe një shqiptar do të preke parlamentin suedez ose qeverinë suedeze.

26 vjeçari Arber Gashi u zgjodh kryetar i partisë Socialdemokrate në qytetin e Halmstadit që është posti me i lartë që merr një shqiptar në Suedi.

“Sonte më është dhënë besimi më i madh i në jetë deri më tani që të bëhem kryetar i Socialdemokratëve në Halmstad. Jam jashtëzakonisht i lumtur dhe mirënjohës, por mbi të gjitha i përulur përpara besimit që kam marrë nga anëtarët partisë. Premtimi më i rëndësishëm që duhet të bëj është se së bashku me bordin e sapo zgjedhur do të bëj gjithçka mundem për të drejtuar partinë me besim të plotë , transparencë dhe respekt ndaj secilit qytetar të Halmstadit”.

“Dua të falënderoj të gjithë ata që më kanë nominuar, që kanë besuar në mua dhe që më mbështesin çdo ditë. Ju jeni inspirimi im , se bashku drejt fitoreve të reja” u shpreh Arbër Gashi i cili rrugën politike e filloi në rininë e partisë e që nga sot është drejtues i saj.

Edhe vetë kryeministri suedez Stefan Löfven e vlerëson lartë Arbërin

Familja e Arbër Gashit është nga Fortesa e Drenasit, transmeton Klan Kosova. / KultPlus.com

14-vjeçari nga Kosova mahnitë jurinë suedeze me zërin e tij (VIDEO)

Rejhan Sjunger, 14-vjeçari me prejardhje nga Kosova, ka marrë pjesë në garën artistike për fëmijë në Suedi, ku ka shkëlqyer në këndim.

I riu shqiptar ka mahnitur jurinë suedeze me zërin e tij gjatë performacës në skenë. Ai pritet të ketë një të ardhme të ndritur në fushën e këngës.

Teksa tregon për jetën e tij, Rejhan thekson se muzikën e ka pasion dhe pse nuk ka studiuar në një shkollë muzike. Dëshira e tij më madhe është të arrijë në finale.

Rejhan, ndihet krenar për vendlindjen e babit të tij Kosovën dhe do t’i tregojë botës se Kosova është një shtet i ri dhe i vogël por ka shumë talente ndërkombëtare. / KultPlus.com

Stokholmi nuk ka pasur asnjë orë të vetme me diell gjatë dhjetorit

Ky dhjetor duket i tmerrshëm për suedezët. Mediat e huaja shkruajnë se në disa pjesë të vendit, përfshirë kryeqytetin Stokholm, nuk kanë parë as edhe një orë të vetme dielli gjatë dhjetorit.

“Stokholmi, zonat në Karlstad, Luginën Tarfala në Kiruna dhe kepi verior i Öland nuk arritën të regjistronin asnjë dritë me diell këtë muaj”, shkroi në Twitter meteorologia Ulrika Elvgren

Sipas “Aftonbladet”, hera e fundit që u mat drita e diellit në Stokholm ishte 28 nëntori, gati dy javë më parë, ndërsa në Karlstad ishte 27 nëntori.

Zakonisht, muaji dhjetor në Suedi zëvendëson motin gri dhe me re të nëntorit, me një freski dhe qiell më të kthjellët. Mirëpo, këtë vit, si rrallëherë, kjo gjë nuk ka ndodhur. / KultPlus.com

Suedia është “në gjunjë”, eksperimenti i imunitetit të masës bie në ujë

Numri i të prekurve me koronavirus në Suedi për kokë banori tash është për gjysmë më i madh se në Britani të Madhe, Gjermani e Spanjë.

Suedia, që në fillim të pandemisë u bë e njohur për mosmarrjen e masave konkrete për parandalimin e COVID-19, duke insistuar në imunitetin e masës, tash duket se është në gjunjë.

Sistemi shëndetësor ka kaluar të gjitha limitet, më nuk po përballon fluksin, raportojnë mediat e huaja.

Ka dyfish më shumë të vdekur për kokë banorë sesa fqinjët nordikë.

Deri më tash, ky vend ka raportuar për 278.912 raste pozitive. Vetëm muajin e kaluar janë raportuar mbi 1000 raste të vdekjes si pasojë e COVID-19. Në total, numri i të vdekurve ka kaluar shifrën 7.000.

Norvegjia, që ka marrë masat qysh më 12 mars, deri më tash ja shënuar 259 raste të vdekjeve si pasojë e COVID-19.

Qeveria e Suedisë në fund është dashur të marrë masa, të cilat në fillim ishin të pabesueshme. Dhe ndër masat janë kufizimi i tubimeve deri në tetë persona, është ndaluar shitja e alkoolit pas orës 22:00, derisa shkollat e mesme po vazhdojnë procesin mësimor online.

Po ashtu, janë rritur kritikat mbi epidemiologun kryesor të vendit, Andersa Tegnel, që ka aplikuar “një luftë të butë” ndaj COVID-19.

Suedia ka përqindje të vdekjeve për kokë banori më të madhe se cilido vend i Evropës Perëndimore.

Në këtë vend janë shënuar 346 vdekje për 100.000 banorë, derisa në Britani 151 e në Spanjë 121.

Kryeministri i vendit, Stefan Lofven, të martën, tha se festa e Krishtlindjes sivjet nuk do të jetë si më parë.

“Normalitet i ri”, tha ai, kur ua kumtoi suedezëve se do ta kenë të pamundur të mblidhen për Krishtlindje. / KultPlus.com

Vdes shkrimtari i njohur Per Olov Enquist

Per Olov Enquist, një nga autorët më të vlerësuar të Suedisë, ka vdekur në moshën 85-vjeçare, tha familja e tij për median lokale.

”Ai vdiq në gjumë, pas një sëmundjeje të gjatë”, raportuan gazetat suedeze ”Dagens Nyheter” dhe ”Aftonbladet”.

Enquist është më i njohur për romanin ””The Royal Physician’s Visit”, një vepër historike, e përqendruar në oborrin mbretëror danez të shekullit XVIII, me mbretin e çmendur Christian VII të Danimarkës dhe mjekut të tij personal gjerman.

Libri, i botuar në 1999, u prit me lëvdata nga kritika dhe u bë bestseller ndërkombëtar duke fituar edhe mjaft çmime.

I lindur më 23 shtator 1934, në fshatin Hjoggbole në Suedinë Veriore, P.O. Enquist merrej me letrarizimin e ngjarjeve dhe personalitete historike.

“Rëndësia e P.O Enquist për jetën kulturore suedeze që nga vitet 1960 është e jashtëzakonshem”, shkruan ”Dagens Nyheter”./ a.jor.

Botohet në Suedi, Antologjia e poezisë së Festivalit të IX Ndërkombëtar “Sofra poetike Borås 2020”

Këto ditë u botua dhe doli në qarkullim në Borås të Mbretësisë së Bashkuar të Suedisë, Antologji poetike-Dikt antologi,”Vargje poetike nga Viskan-Poetiska verser från Viskan” përmbledhje poezisë të poetëve nga mbarë rruzulli tokësor pjesëmarrës në Festivalin e IX Nderkombëtar të poezisë ”Sofra poetike Borås 2020”, në botim të Redaksise së revistës Dituria nga Borås i Suedisë, një revistë letrare me renome dhe zë në 15 vitet e fundit në mërgatë, me botimet e shumta letrare të autorëve shqiptar dhe atorëve të ndryshëm nga vende të ndryshme.

Libri ka 162 faqe i punuar për mrekulli nga grupi punues për organzimin e Festivalit të IX të Poezisë në Borås, në të cilën Antologji janë përmbledhurë poezitë e mbi 90 poetëve të cilët kanë dergua punimet e tyre për në këtë Festival.

Një titull sa embëltik dhe karakteristikë i Antologjisë,”Vargje poetike nga Viskan-Poetiska verser från Viskan”, e Viskan është një ndër lumenjët që përshkon gjërë e gjatë qytetin turistik Borås, qytetin industrial ku shekuj më parë lindi industria e vektarisë dhe e bëri këtë qytet të njohur në mbar botën. Pak infomacione per luminë Viskan se ja vlen për atë bukir që ka dhe hjeshin që i jep këtij vendi.

Viskan është njëri prej katër lumenjve kryesore që derdhen në Halland. Viskan është i gjatë 142 kilometra, dhe ka një prurje mesatare të ujit prej 34 metër kub në sekondë në stacionin e furnizimit me ujë të Årsbro.
Viskan se bashku me disa lokalitet jep rezervate të bukura natyrore. Në bashkinë Borås janë Mölarp, Kreshtat e Ryas dhe rezervati natyror Tranhult.
Transporti mbi Viskan është i pamundurë për shkak të një numri ujvarësh, dhe rrjedhës së ujit.

Në këtë Antologji poetike janë përmbledhurë poezi të poetëve nga vende të ndryshme të botës në nëntë gjuhë, shqipe, suedeze, arabe, ceke, tigrinja, boshnjake, bullgare, maqedone, greke.

Libri fillon me punimet e poetes së re shqiptare që jeton dhe vepron në qytetin Göeteborg të Suedisë Yllka Sheqiri dhe në mbrendi ngërthen poezi në gjuhët e permendura të radhitura në mënyrë fantastike nga përpiluesit e Antologjisë, duke përdorurë poezitë në dy gjuhë në gjuhën amtare dhe në gjuhë suedeze e ku përfundon me poezitë e poetës së njohur came me punë dhe banim në Londër të Anglisë Nexhmije Hasani.

Kish poet me vlerë në letersinë suedeze si Louise Halvardsson, Anna Dagerman, Brtita Stenberg, në gjuhën shqipe Bahtir Latifi, Rizash Shqiri, Bajram Muharemi, Anxhela Ziso, Sokol Demaku, Ibrahim Abedini, Xhevriej Kurteshi Nimani, Adem Pllavci, Remzi Basha, Teuta Haziri, Shpend Rrukiqi me banim në Suedi, poetët afagan Azizullah Nehefta dhe Zalmay Kaveh, ate arab Zahra Hassan, bulgare Sveza Daceva, Rada Dobrianova, ceke Jana Witthed, suedezet Louise Harvaldsson, Henrik Memirsson, Anna Degerman, Britta Stenberg, Arvid Svene, Mali i zi Hajredin Kovaci, Rada Mugosha, boshnjak Selvera Shabanovic, Nermina Mustagrudic, Liljana Koci, Shqiperi Thomaidha Tanuci, Arjan Kalce, Viron Kona, Bashkim Saliasi, Vilhelme Vranari, Emrie Krosi, Farida Ramadani, Alba Huta, Merita Kuci, Mark Simoni, Fatbardha Behri Kaci, Vjollca Alija, Gladiola Jorbus, Lulezime Kryemadhi, Mihal Gjergji, Rozeta Kreste, Trendafille Molla Baja, Elvireta Kanina, Trendafille Malshi, Vaso Papaj, Suela Aliu, Ndue Dragusha, Anila Kodra Kotroci, Diana Celepia, Kadri Tarelli, Armendia Qyqja, Enertin Dheskali, Kujtim Mateli, Kosovë Agim Desku, Selvije Rama Ahmeti, Selvete Avdullahi, Drita Kosumi, Agim Desku, Migena Arllati, Emine Ymeri, Kimete Osmani Beqiri, Sadbere Gagica, Gjermani Have Lipja Osmani, Zvicer Besnik Camaj, Ardita Lajci Gecaj, Greqi Dhurata Lezo, Dimtra Klaudia Zoga, Marjana Sulejmani, Lumturie Drenica, Rovena Shuteriqi, Bardha Mance, Vivein Horieti,  Maqedoni e Veriut Nazlije Miftari, Rrahimi Gani, Naser Miftari, Arlinda baftiu, Itali, Lavdije Karrametaj-Zalli, Mimoza Gjetaj, Seiti Pezaku Vladi, Belgjikë Bajame Hoxha Celiku, Norvegji Emine Hoti, Turqi Shpresa Zurnaqi, Angli Nexhmija Hasani.

Ky është viti i nënetë i mbajtjes së Festivalit Ndërkombëtar të poezise ne Boråsa të Suedisë organizuar me mjaft sukes nga Qendra Kulturore shqiptare ”Migjeni” dhe botim i i nentë i Abtologjisë së poezise së Festivalit, cka jep me kuptue se me të vertetë kjo shoqatë kulturore prezenton me dinjitet kulturën traditën dhe gjuhën shqipe në mërgatë ku ka arritur që të grumbulloj poetë nga vende të ndryshme të botës dhe të jenë pjesë e një eventi që zë vend me rëndësi në jetën kulöturore të qytetit suedez Borås dhe më gjerë në atë regjion, për cka këtë vit ishte edhe mbështetja e plotë e organeve të kulturës të regjionit dhe vet qytetit Borås.

Këtu thonë se edhe në të ardhmen do vazhdohet me ketë tempo të prezentimit të gjuhës dhe kulturës shqipe ne Skandinavi, në veriun e largët ku shumë pak është berë deri me tani në ketë drejtim, por si duket këta do jeneë ata të cilët poezin shqipe, novelen shqiupe , libri shqip do e prezentojnë në menyrë tåe denjeë te lexuesi sudez ashtu si ajo e meriton. /KultPlus.com

Në Suedi do të mbahet Festivali i Rapsodëve

Si rezultat i bashkëpunimit mes shoqatës “Drenica” dhe Ministrisë së Diasporës, në Suedi do të mbahet Festivali i Rapsodëve, përcjell albinfo.ch.

Ky festival do të mbahet më 9 qershor të këtij viti, në Malomo.

Njoftimi i plotë nga MDIS:

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike në bashkëpunim me shoqatën kulturo artistike “DRENICA” do të organizojë Festivalin e Rapsodëve në Qendrën Kulturore të Kosovës në Malmo, Suedi.

Festivali mbahet më 09.06.2019, duke filluar nga ora 13:00. Adresa: Qendra Kulturore e Kosovës, Ostra Hindbyragen 26B 213 74 Malmo

Kejsi Tola një kukull në Suedi, këngëtarja shqiptare bëhet pjesë e muzeut të Stokholm (FOTO)

Këngëtarja shqiptare, Kejsi Tola është bërë pjesë e një ekspozite në muzeumin e Stokholm në Suedi. Kejsi është kthyer në një kukull miniaturë, me veshjet që kishte që në performancën e festivalit të “Eurovizion” ku përfaqësoi Shqipërinë në vitin 2009.

Këngëtarja mjaft krenare për këtë arritje e ka ndarë lajmin e mirë me të gjithë ndjekësit në rrjetet sociale.“Unë dhe djali blu. Eurovison 2009,”- ka shkruar Kejsi krahas fotos së publikuar.

“ABBA The Museum” në Stokholm, është krijuar për bandën e ‘pop’-it ABBA dhe në këtë muze herë pas here ka ekspozita të ndryshme që lidhen vetëm me muzikën. Në të përfshihen arritje të këngëtarëve, veshje të tyre e shumë të tjera, shkruan Shqiptarja.

Kitaristi Drilon Çoçaj me koncert recital në Suedi

Kitaristi kosovar Drilon Çoçaj, pas disa prezantimeve që pati në vendlindje, tashmë do të mbajë një koncert recital në qytetin e Boras të Suedisë, shkruan KultPlus.

Përpos koncertit Çoçaj ku do të mbajë masterclassin për kitaristët e shkollës së qytetit. Ndërsa në koncertin solo veprat që do t’i luaj janë nga kompozitorë të ndryshëm si Bach, Sor, Legnani dhe Ponce.

Këto aktivitete organizohen nga qytetit i Boras, shkolla e artit të qytetit dhe shoqata e shqiptarëve në Suedi If Dardania./ KultPlus.com